33.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025

Infektimi me COVID-19/ Testoni nuhatjen me këto dy produkte

Humbja e nuhatjes mund të jetë një shenjë se jeni të infektuar me COVID-19.

Në një artikull të kohëve të fundit, The New York Times raportoi se deri në 87% e pacientëve e përjetojnë këtë simptomë befasuese. Ndërkohë sipas Vanderbilt University Medical Center, në afërsisht 25% të njerëzve të diagnostikuar me koronavirus, humbja e nuhatjes është shenja e parë dhe e vetmja e virusit.

Duke ditur se kjo simptomë – e njohur në mjekësi si anosmi – mund të shërbejë si tregues i rëndësishëm për virusin, u krye një studim për të gjetur erëra të veçanta mund të shërbejnë si provë që keni Covid-19.

Për shkak se studimi filloi në Indi, studiuesit zgjodhën pesë aroma që gjenden shpesh në familjet indiane.

Ata zbuluan se njerëzit që kishin vështirësi të nuhatnin mente dhe vaj kokosi kishin më shumë të ngjarë që më vonë të rezultonin pozitivë me koronavirus.

Në total, ekipi hulumtues shqyrtoi 25 aroma dhe zgjodhi pesë për t’i përdorur për eksperimentin, aroma të cilat pjesëmarrësit i përdornin më tepër: vaj kokosi, kardamom, kopër, mente dhe hudhër.

Në mënyrë të ngjashme, numri më i madh i pacientëve nuk ishin në gjendje të nuhatnin plotësisht vajin e kokosit dhe aromën e gjetheve të mentes.

Pse humbja e nuhatjes dhe shijimit është vënë re te të infektuarit me COVID-19?

Kjo ndodh sepse njerëzit me infeksione të sipërme të frymëmarrjes zakonisht kanë bllokim të hundëve dhe simptoma të ngjashme të cilat bllokojnë aftësitë për të ndjerë aromat dhe për të shijuar. Mendohet që arsyeja kryesore pse Covid-19 shkakton humbje të nuhatjes është se ka një reagim inflamator brenda hundës që sjell humbje të neuroneve të nuhatjes. Çdo gjë që irriton së brendshmi hundën tuaj dhe aparatin e frymëmarrjes mund të ndikojë te shqisa.

Kjo përfshin: ftohje e zakonshme, infeksionet e sinuseve, alergjitë, tështitjet, bllokimet, gripin dhe Covid-19. Zakonisht shqisat normalizohen, por nëse nuk kthehen në gjendjen e mëparshme pas disa javëve, kontaktoni me mjekun.

Megjithatë humbja e nuhatjes dhe shijimit nuk është shenjë vetëm e Covid-19. Në këtë artikull mund të lexoni për të gjithë faktorët, nga mosha, duhani te kanceri, të cilët mund të shkaktojnë humbje të nuhatjes dhe shijimit.

A u largua si ministër Shkëlqim Cani se refuzoi të firmoste për inceneratorët?

Debati i madh që ka shpërthyer për skemën e incirenatorëve dhe akuzat e forta të opozitës, kërkesa për hetim nga SPAK, për atë që PD e cilëson skemë mafioze e përvetësimit deri tani të 75 milionë eurove, na bëjnë të kthehemi pas në kohë, dhe të ndërmendemi për ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.

Burime të mirëinformuara brenda kupolës së PS, bëjnë me dije për gazetën Mapo, se largimi i tij nga qeveria në shkurt të vitit 2016, ka pikërisht lidhje me skemën e trajtimit të mbetjeve.

Ish-ministri Cani mësohet se e ka kundërshtuar shumë projektin. Ai ka qenë pro propozimit të Bankës Botërore, që parashikonte trajtimin e plehrave në një mënyrë tjetër dhe kostoja do të ishte diku 18 milionë euro.

Plani që paraqiti qeveria ishte me buxhet shumëfish më të lartë.

Debatet mes Canit dhe Ramës, mendohet se kanë qënë të ashpra, aq sa ish-Ministri ka thënë se ai nuk pranon ta firmosë.

Kjo ka sjellë edhe largimin e tij nga qeveria.

Shkëlqim Cani ishte një nga prurjet e forta të Ramës. Kryetari i PS e promovoi atë herët para zgjedhjeve të 2013 që e sollën në pushtet. Rama i drejtohej gjithnjë me “profesori” dhe dukej se kishte shumë besim tek Cani.

Por Profesori ishte i pari që u largua nga Rilindja.

Burimet e mirëinformuara konfirmojnë se pikërisht skema e inceneratorëve, ishte arsyeja pse ai i la vendin Arben Ahmetajt.

Ahmetaj në fakt akuzohet nga opozita si një nga pronarët e këtij biznesi.

Një investigim i BIRN, pak kohë më parë, zbuloi se ai kishte njohje të forta me atë që rezulton në letra si sipërmarrësi, teksa kjo agjenci investigative vërtetoi se gjatë një aksidenti në Maqedoninë e Veriut, ata kishin qenë së bashku në makinën që doli jashtë rruge./MAPO

Të infektohesh sërish me Covid-19 është e mundur, ja sa muaj zgjasin antitrupat

Të sëmureni nga Covid-19 për herë të dytë, e ashtuquajtura riinfektim, është diçka e mundur.

Imuniteti përgjysmohet brenda një muaji nga rikuperimi, kështu që edhe njerëzit që janë infektuar më parë nga Covid-19 duhet të tregojnë kujdes.

Kjo gjë është konfirmuar nga një studim i sapo botuar në Journal of Clinical Medicinedhe kryer nga ekipi i Laboratorit COVID të Institutit Evropian të Onkologjisë, të udhëhequr nga studiuesit Federica Facciotti, Marina Mapelli dhe Sebastiano Pasqualato.

Një studim i bazuar në monitorimin e prodhimit të antitrupave Covid-19 në një mostër mjekësh dhe infermierësh të infektuar me virus.

Studiuesi Sebastiano Pasqualato thotë se:
“Koncepti i imunitetit nuk është i lidhur vetëm me antitrupat, sepse sistemi imunitar gjithashtu përdor mbrojtje të tjera anti-virus, përfshirë imunitetin qelizor. Mund të ndodhë që mungesa e antitrupave të lejojë një ri-infektim të mundshëm për shkak të ekspozimit të ri ndaj virusit, por nuk zhvillohen simptoma të sëmundjes sepse aktivizohet sistemi imunitar, i trajnuar tashmë”.

Skandali i radhës/ Balluku i jep leje minerare kompanisë së krijuar dy javë pas hapjes së garës

Nga BoldNews.al

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kualifikuar për përdorimin e një zone minerare në Fier, një kompani, e cila u krijua rreth 2 javë pasi ishte shpallur procedura.

Legjislacioni nuk parashikon afate se kur duhet të jetë themeluar një shoqëri për të siguruar të drejtën e shfrytëzimit të zonës minerare. Megjithatë, fakti që kompania e vetme e kualifikuar është regjistruar pas hapjes së konkurrimit ngre një “flamur të ku” mbi procedurën.

Në korrik 2020, Ministria e drejtuar nga Belinda Balluku, shpall njoftimin për procedurën e konkurrimit me objekt “Zona minerare nr.379 (Objekti Poçem), Qarku Fier”.

Në përfundim të afatit të dorëzimit të ofertave, në 5 Gusht 2020, rezulton se në procedurë marrin pjesë dy kompani, “S.C.2020” dhe “I…”.

Pas shqyrtimit të ofertave, Ministria e Infrastrukturës skualifikon shoqërinë “I…” dhe kualifikon “S.C.2020”, me vendimin e marrë në 4 Shtator 2020.

Të dhënat mbi këtë procedurë bëhen të ditura në një vendim të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), të investuar me një ankim të kompanisë së skualifikuar.

KPP, pasi shqyrtoi ankimin, vendosi se skualifikimi i shoqërisë “I…” shpk ishte i drejtë, pasi ajo nuk plotësonte një ndër kriteret e përgjithshme bazë, shlyerjen e të gjithë detyrimeve për shpenzimin e energjisë elektrike.

Megjithatë, në vendimin e KPP-së renditen në mënyrë të detajuar, etapat e ndjekura nga Ministria e Infrastrukturës. Gjithashtu, në vendimin e Komisionin e Prokurimit Publik, konstatohet se kompania e kualifikuar është “S.C. 2020”, e cila është krijuar rreth 10 ditë pas shpalljes së procedurës nga Ministria.

LEXO EDHE  Atentati ndaj shefit të Policisë, Gjykata e Shkodrës lë në burg 19-vjeçarin

Kompania e kualifikuar, e sapokrijuar

Kompania “S…C…2000” është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 14 Korrik 2020, pra 10 ditë pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli njoftimi për paraqitjen e kërkesave për ofertë për konkurrimin për zonën minerare nr.379 në Poçem, Fier.

Rreth 2 javë pas krijimit, kjo kompani dorëzon ofertën ekonomike për këtë zonë minerare. Oferta e saj duket se ka përmbushur kriteret ligjore, të zbatuara nga Ministria e Infrastrukturës, përsa kohë që ajo është kualifikuar.

Kompania e kualifikuar, megjithëse e sapokrijuar, duket se ka qenë në gjendje që, brenda dy javësh, të përgatisë një ofertë fituese për fitimin e konkursit për zonën minerare në Poçem të Fierit.

Në ligjin nr. 10304, dt. 15.07.2010 “Për sektorin minerar në RSH”, në nenin 5 të tij, parashikohet ndër të tjera se “….Procedura konkurruese duhet të përfshijë, gjithashtu kriteret teknike, financiare të investimit e rezultateve të tij dhe përvojën e konkurruesit në fushën e veprimtarive minerare…”.

Duket qartë që kompania e kualifikuar nga ministria e Ballukut për lejen minerare në Poçem të Fierit nuk e ka përvojën në fushën e veprimtarisë minerare, përsa kohë ajo është krijuar vetëm dy javë pas shpalljes së procedurës.

E, megjithatë, “S….C.2000” duhet të ketë pasur një plan investimi të pranueshëm, përsa kohë është kualifikuar nga Ministria e Infrastrukturës.

Reagimi i fortë i shkrimtares së njohur: “Shes” një adresë holandeze për inceneratorin e radhës…

Nga Flutura AÇKA

Një vit pas vrasjes së djaloshit të ri Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, në kohën kur u censurua një dokumentar kushtuar kësaj vrasjeje makabre dhe hijeve të fajit dhe të pandëshkueshmërisë së tij, mora një mesazh nga një gazetar investigativ. Meqenëse kishte parë nga postimet e mia se isha atë kohë në Holandë, ai më kërkoi miqësisht që – në emër të grupit që gazetarëve që merrej me investigimin – të verifikoja adresën e kompanisë simotër holandeze që u shpall atë kohë si fituese e Inceneratorit të Tiranës.

Pas disa telefonatave të vazhdueshme në numrin e shpallur të telefonit, nga shpesh më vinte heshtje, më në fund nisi të përgjigjej një familje, e cila në fakt u bezdis shumë prej meje dhe e përligji bezdisjen time me gabimin e prerjes së telefonit dhe kaosin e ndonjëhershëm të kompanive telefonike holandeze qysh nga koha kur ishin shfaqur shitjet me telefon.

Që ta çoja deri në fund detyrimin tim, u nisa një ditë për në Amsterdam dhe vajta në adresën që publiku shqiptar njeh si zyra e simotrës holandeze të kanakares sonë shqiptare në Tiranë, që u mori shqiptarëve mbi 430 milion euro për ta bërë Tiranën edhe më të pistë se ç’e kishim.

Shkurt, kur mbërrita te adresa e shpallur, një godinë si të gjitha godinat e bukura të Amsterdamit, ishte thjesht një banesë familjare, dhe meqenëse nuk është e udhës t’u biesh dyerve holandeze pa lënë takim, thjesht ndala përballë saj, duke e përfytyryar në fiksionin tim se si ajo lubi do t’i gllabëronte paratë e shqiptarëve nga Amsterdami për të pastruar Tiranën.

Pra, pavarësisht të ndonjë emri holandez që na përfaqëson interesat tona “mbi plehrat”, ajo është një krijim shqiptar. Në Holandë gjithçka ka adresë dhe transparencë. Emra të tillë holandezë që i korrupton paraja, ka sa të duash në Holandë. Fundja, siç ka thënë Michel Houellebecq “Holanda një kompani e madhe është”, kështu që është gjëja më e natyrshme të ndërtosh kompani guacka, e flluska e fantazma e mashtruese atje. Ku ka diell, natyrshëm ka edhe hije, gjatësia e së cilës varet vetëm nga këndi i dritës.

Tani tre vjet më pas asgjë nuk ka ndryshuar, edhe nëse ka ndryshuar dhe ajo godinë është kthyer në adresë e një kompanie shqiptaro-holandeze, nuk ka ndryshuar asnjë të paktën me Tiranën. Është gjihnjë e më e pistë. Kur një mbrëmje ndala te makina e plehrave që po merrte mbetjet e banorëve të rrugës sime në Tiranë dhe e pyeta një si farë shefi që vinte rrotull se “përse nuk pastronin mbetjet rrotull koshave, ato masat me dhera e dërrasa, por vetëm zbraznin koshat?”, më tha shpërfillës: “Nuk është puna jonë, ne kemi kontratë vetëm për mbeturinat në kosha”.

Ndaj, nëse ndokujt i lypet ndonjë adresë holandeze për inceneratorin e radhës, ofroj adresën time. Një gjë është e sigurt: Unë paratë e shqiptarëve do t’i bëj libra!

Raporti i FMN për varfërinë në Shqipëri: Të ardhurat e çdo individi do të ulen me 500 mijë lek këtë vit

Të ardhurat për frymë të shqiptarëve në vitin pritet të ulen me 425 dollarë, ose me gati 8% në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas tabelave të përditësuara të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në terma nominalë, të ardhurat për frymë të çdo individi, me çmimet aktuale (në dollarë për frymë) pritet që në vitin 2020 të zbresin në 4,898 dollarë, nga 5,323 dollarë një vit më parë.

Në total, sipas shifrave të FMN-së, vendi pritet të humbasë 1.24 miliardë dollarë këtë vit, shumë që është sa 8% e të ardhurave vjetore në 2019-n.

Kjo tendencë, e rënies së të ardhurave për frymë po konstatohet në të gjithë botën, për shkak të pasojave që dha në ekonomitë globale karantina me synim parandalimin e infeksionit të Covid-19 dhe pasigurive që ende po vazhdojnë, duke ngritur shumë pasiguri për të ardhmen.

Në rajon, Shqipëria (-425 USD) dhe Mali i Zi (-892 USD) pritet të kenë rënien më të lartë të të ardhurave për frymë, për shkak të tkurrjes më të lartë ekonomike të parashikuar për këto vende, që janë të lidhura me turizmin. Për maqedonasit humbja do të jetë minimale (90 dollarë më pak) dhe për boshnjakët arrin në -253 dollarë për frymë më pak. Për shtetasit e Kosovës, humbja është -287 dollarë për frymë, me një rënie prej 6.5%. Në rajon, shteti që ka qenë më rezistent ndaj krizës së Covid-19 është Serbia. Ky i fundit është ndër të pakti në botë, ku FMN parashikon që të ardhurat për frymë nuk do të bien, përkundrazi do të rriten lehtë, me 90 dollarë.

Shqipëria dhe Kosova renditen ndër shtetet më të varfëra të Europës, (pas përfshirë shtetet e Ish Bashkimit Sovjetik). Nga 192 shtete, Shqipëria është e 98-a në listë dhe Kosova e 108-a (4,428 USD për frymë për 2020), sipas vlerësimeve të FMN-së. Të ardhurat më të larta për frymë në rajon i ka Mali i Zi, në vendin e 77 në botë (8,825), pothuajse sa dyfishi i trojeve shqipfolëse. Mëpas renditet Serbia, e 80-a (7,382USD), Maqedonia e Veriut e 90-a (6,018), Bosnjë Hercegovina e 92-a (6,015 USD).

Fondi, në Pasqyrën e fundit Ekonomike të Tetorit, vlerëson se tkurrjen më të fortë në rajon pritet ta ketë Mali i Zi me -12%, e ndjekur nga Kroacia, me -9% dhe më pas renditet Shqipëria në të njëjtat nivele me Kosovën (-7.5% secila). Të tre shtetet bregdetare (Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria) kanë një varësi të lartë nga turizmi, që ka qenë ndër sektorët më të goditur nga pandemia. Krizën pritet ta ndiejë më pak Serbia, që parashikohet të ketë një rënie prej -2.5%. Maqedonia do të tkurret me -5.4%, kurse Bosnja me -6.5%.

Më herët, Banka Botërore në raportin e saj të fundit të Rishikimit Ekonomik të vjeshtës për Europën dhe Azinë Qendrore, evidenton në seksionin për Shqipërinë, se kriza po shton varfërinë, kryesisht nëpërmjet rritjes së papunësisë. Sipas vlerësimeve të bankës, pavarësisht masave që janë marrë, varfëria e moderuar (përqindja e popullsisë që jeton me më pak se 5.5 dollarë për person në ditë, të vlerësuara sipas barazisë së fuqisë blerëse, që eliminon diferencat e çmimeve mes vendeve) pritet të rritet me rreth 5 pikë përqindjeje. Aktualisht, ky tregues sipas tabelave të Bankës është 35.6%. Pas krizës, rreth 41.5% e popullsisë do të jetojë me më pak se 5.5 dollarë në ditë (sipas barazisë së fuqisë blerëse).

Sipas raportit të Bankës Botërore, mbyllja e bizneseve, operacionet e zvogëluara dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dëmtuan prodhimin. Sektori i turizmit, një faktor kyç i rritjes, ka qenë shumë i prekur. Konsumi dhe vendimet për investime janë vonuar.

Edi Rama krushku i gabuar për martesën Shqipëri-Europë

Nga Arben KASHAHU

Në Munih dje Rama më ngjau si një ateist në meshë. Fjala e tij shënoi një moment tjetër sulmi ndaj idesë së Europës. Nga ana tjetër ishte gati t’i blatohej asaj si një dashnor i verbër. Një teknikë e përdorur prej tij më shumë se një vit tashmë. E godet idenë e Europës tek shqiptarët sa herë ti jepet mundësia, duke u munduar kinse po e mbron atë. Friedrich Nietzsche ka përkufizuar se “mënyra më perverse për të dëmtuar një kauzë është ta mbrosh atë me argumentat e gabuara”.

Këtë po bën Rama prej disa kohësh me kauzën e Europës. Në Munih dje deklaroi se Shqipëria është në një pozicion të cuditshëm, ne jemi në një dashuri të verbër me Europën dhe duam të martohemi por nuk flasim. Europa nuk na flet. Si mund të martohemi pa folur? Ai shpesh argumenton se ne e duam Europën e duam integrimin por nuk jemi ne problemi, është vetë Europa me gjithë përcarjet e brendshme të saj.

Nuk është faji jonë se Macron sherroset me Le Pen dhe në fund e hamë ne. Ka treguar përralla me krushq dhe ai vetë kryekrushku që u nisën për të shpallur fejesën me BE, por kjo e fundit i ktheu mbrapsh. Pra ne e duam, por është ajo Europa që nuk pranon. Duke u viktimizuar përpara një publiku që ky i fundit ta marrë në mbrojtje. Një provokim i pastër i ndjenjave euroskeptike në Shqipëri.

Po pse serbët, malazezët e së fundmi maqedonasit e veriut nuk trajtohen kështu nga Europa? Përkundrazi, BE po hap kapituj të rinj me dy të parët dhe deklaron se do të vijojë të organizojë Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Maqedoninë sapo të jetë gati. A ka një fuqi të madhe në Europë e botë kundër Shqipërisë e ne nuk e dimë? Nëse jo, pse vallë nuk na pranoka vetëm ne Europa?

Këto janë pyetjet, përgjigjet e të cilave fshikullojnë Kryeministrin. Produkti i qeverisë së tij është inferior në krahasim me produktin e qeverive të homologëve të tij në rajon. Krimi ordiner, i organizuar, elektoral e shtetëror, sëbashku me korrupsionin dhe pastrimin e parave janë në nivelet rekord të larta, ndërsa demokracia dhe ekonomia në nivelet rekord të ulëta. E vërteta është se Europa e ka derën hapur për Shqipërinë, por e ka mbyllur për Edi Ramën.

Por krejt ndryshe nga ai, shqiptarët idenë e Europës krahas me idenë e kombit e kanë vendosur një nga dy kauzat më të mëdha të këtij cerek shekulli. Populli i ka identifikuar këto kauza dhe i ka komunikuar ato me gjuhën e tij, atë të popujve. Kështu ka bërë me monumentalen “E duam shqipërinë si gjithë Europa” që në krye të këtij tridhjetëvjecari post murit të Berlinit.

Europa për ne përfaqëson lirinë, mirëqenjen, prosperitetin, dijen dhe kulturën që ne do të donim të ndanim me këtë bashkësi. Për Edi Ramën përfaqëson një listë kushtesh, zbatimi i të cilave e bën armik me bashkëpunëtorët e tij dhe moszbatimi i tyre e bën armik me vetë kauzën Europiane të popullit të tij. Pra Europa, për të është një makth që e ka përndjekur e refuzuar këto 8 vite të qeverisjes së tij, që ai po rreket të hakmerret.

Ajo është autore e shumë fjalimeve në parlamentin e saj, e shumë qendrimeve përcmuese për dështimet e tij qeverisëse, e shumë artikujve në shtypin e saj të cilat e paraqesin shqipërinë aspak si propaganda e financuar nga ai. E vetmja mënyrë për të shpëtuar prej saj, duke mos patur mundësi ta asgjesojë është ta zëvendësojë. Kështu Edi Rama me tinëzari po mundohet ta zevendësojë idenë e Europës me atë të Mini-Shengenit Balkanik. Këtij të fundit i ka kushtuar tërë pasionin e tij. Këtë po bëjnë edhe të tijtë. Europa i ka bezdisur etërit e vazhdon t’i trazojë bijtë.

E njejta sjellje e Kryeministrit edhe sa i përket kauzës së kombit. Shikoni sjelljen e tij me Kosovën. Ai i ka treguar rrugën e duhur, por janë liderat e Kosovës të paditur, gënjeshtarë e megallomanë që nuk e kanë dëgjuar. Ai ka paditur në gjykatë homologun e tij në Kosovë për shpifje dhe nuk ka lënë gjë pa i thënë nga foltorja e shengenit ballkanik me Vuciq në krah. Pasi dështoi në formën më të shëmtuar me eksperimentin për Kosovën, vijimësinë e të cilit po e ndiqte me një kujdes kuratori, ai sulmoi Kosovën, kryeministrin e saj dhe atë pasardhës, si të paaftë të kuptojnë rëndësinë e atyre që ai thotë se ato duhet të bëjnë. Pas këtij dështimi të madh e të rëndë sa vetë pesha e kauzës, ai po përdor të njejtën strategji. Në pamundësi për ta asgjesuar po tenton ta zëvendësojë ceshtjen kombëtare me ceshtjet e rruzullit. Ndërkohë që marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën në raportin e fundit të progresit të Komisionit Europian të javës që shkoi (6 Tetor 2020) trajtohen si të paqendrueshme përgjatë periudhës së raportimit, Kryeministri Rama gjatë kësaj periudhe i është kushtuar konfliktit në Ukrahinë, atij në Bjellurusi, atij Turko – Grek dhe së fundmi Nagorni – Karabah. Punët për kombin ia kanë lënë vendin punëve për rruzullin. Grindjet me Kosovën, përplasjet dhe acarimet me liderët e saj, dhe molepsja me punët e globit e kanë shdërruar në qesharak jo vetëm në sytë e shqiptarëve.

Tentativa e eklipsimit të kauzës së kombit dhe Europës, është një nga eksperimentet më perverse politike të Edi Ramës. Ky eksperiment i ka kushtuar shumë tashmë shqiptarëve. Pasoja më e rëndë janë qindra mijë të rinj që kanë shpopulluar Shqipërinë. Sa më shumë largohet ai nga Europa, aq më shumë të rinj largohen nga Shqipëria për në Europë. Përpjekjet e shqiptarëve për të arritur objektivin strategjik të një kombi të integruar kanë stopuar nën dritën e kuqe të semaforit të 25 Prillit. Bluja e 26-tës do të mundësojë kalimin për në korsinë duhur.

Pse Rama po del kundër BE-së për “çështjen e detit”?

Diplomati i njohur Shaban Murati ka bërë një shënim në faqen e tij në FB, të cilin e nis me një pyetje retorike: A i lexon qeveria konkluzionet e samitit të BE?!

Murati shkruan se në datat 1 dhe 2 tetor të këtij viti u mblodh samiti i kryetarëve të shteteve anëtare të BE-së, të cilët folën dhe nxorën konkluzione, edhe për situatën në Mesdheun Lindor.

Në konkluzionet e këtij samiti përfshihet çështja mes Greqisë dhe Turqisë, duke mos njohur pretendimet aktuale të Athinës dhe përshëndetet fillimi i bisedimeve.

Ndërsa “historia” që ka hapur Greqia me Shqipërinë së fundmi dhe shtrirja e saj 12 milje të tjera në detin Jon, as që përmendet fare në këtë samit.

Sipas diplomatit Murati, përderisa këto pretendime të qeverisë helene për zgjerim edhe 12 milje nuk njihen nga BE, përse qeveria shqiptare u mallëngjye dhe i lexonte publikut Konventën e Detit, si zbulim dhe si letër dashurie nga Akropoli?!

Shënimi i plotë i diplomatit Shaban Murati

A i lexon qeveria konkluzionet e samitit të BE?!

BE nuk i njeh pretendimet e Greqisë për shelfin kontinental dhe zonën ekskluzive ekonomike, në hapësirat detare midis Greqisë dhe Turqisë. Ky qëndrim zyrtar diplomatik i nivelit më të lartë është shprehur në mënyrën më të qartë në komunikatën përfundimtare të samitit të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të BE, i zhvilluar në datën 1-2 tetor 2020 në Bruksel.

Në konkluzionet e samitit për marrëdhëniet e jashtme, në kapitullin për Mesdheun Lindor, për konfliktin midis Greqisë dhe Turqisë në këtë rajon të Mesdheut, në pikën 16 deklarohet tekstualisht:

“BE përshëndet njoftimin që Greqia dhe Turqia do të fillojnë bisedimet e tyre direkte eksploruese, që synojnë delimitimin e shelfit kontinental dhe të zonës ekonomike ekskluzive midis dy vendeve”.

Pra BE nuk i njeh pretendimet e shpallura të Greqisë për shelfin kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive në Mesdheun Lindor dhe i cilëson ato si të papërcaktuara midis dy vendeve, delimitimi i të cilave sipas samitit të BE është objekti, që synojnë bisedimet direkte eksploruese midis dy vendeve.

Kjo do të thotë që për të kuptuar tensionet në Mesdheun Lindor duhet lexuar se çfarë thotë samiti i BE dhe diplomacia e nivelit më të lartë të BE edhe jo se çfarë thotë kryeministri Micotaqis, apo ministri i jashtëm Dendias.

Konkluzionet e samitit të BE, jo nuk e përshëndesin, por as e zënë me gojë të drejtën të Greqisë për të zgjeruar ujërat territoriale greke në 12 milje në detin Jon dhe në detin Mesdhe, akt për të cilin në vend që të alarmohesh, qeveria shqiptare u mallëngjye dhe i lexonte publikut Konventën e Detit, si zbulim dhe si letër dashurie nga Akropoli.
Injorimi i samitit të BE për të futur në konkluzionet e veta të drejtën e Greqisë për të ndryshuar hapësirën e ujërave territoriale në 12 miljë është shenjë e qartë diplomatike e nivelit më të lartë e mosaprovimit nga BE. të ambicieve greke për të kthyer Mesdheun në një det grek.

Shpresa ime është që qeveria e Shqipërisë, të gjejë kohë në pushimet midis dy shfaqjeve televizive dhe të lexojë komunikatën e samitit të BE për mosnjohjen e pretendimeve greke për shelfin kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive në Mesdheun Lindor.

Kjo do ta ndihmojë të nxjerrë mësimet e duhura për të ruajtur interesat e sovranitetit dhe të integritetit territorial të Shqipërisë përballë opiumit të ri detar, që dyshja Micotaqis-Dendias po i servir me nxitim qeverisë shqiptare.

Berisha publikon videon: Muri i krimit të organizuar, i ndërtuar nga kreu i Meduzës, ka mbyllur dyert e BE-së

Nga Sali BERISHA

Për kreun e Meduzës, Edvin Mafia, krimi i organizuar shqiptar nuk ekziston!

Miq, Edvin Rama apo kreu i Meduzës së krimit të organizuar shqiptar, shpall se ky krim nuk ekziston.

E vërteta është se muri i krimit të organizuar, i ndërtuar nga kreu i Meduzës, ka mbyllur dyert e BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Sipas raportit të DASH, Shqipëria këto vitet e fundit është qendër operacionale e organizatave kriminale të rajonit, Europës, Amerikës së Veriut dhe të Jugut e Lindjes së Mesme.

Shqiperia është tashmë autostrada kryesore e heroinës drejt Europës dhe vendi i shpallur si narkoshteti i vetëm në Europë apo Kolumbia e saj.

Kreu i Meduzës së krimit të organizuar shqiptar, Edvin Mafia, është kështu njeriu i vetëm në botë që mohon ekzistencën e tij.

Ndiqni në videon e mëposhtme reagimin e tij ndaj pyetjes së gazetares.

Per kreun e meduzes Edvin Mafia , krimi i organizuar shqiptar nuk ekziston.Miq, Edvin Rama apo kreu i meduzes te krimit te organizuar shqiptar shpall se ky krim nuk ekziston.E verteta eshte se muri i krimit te organizuar i ndertuar nga kreu i meduzes ka mbyllur dyert e BE per hapjen e negociatave me Shqiperine.Sipas raportit te DASH, Shqiperia keto vitet e fundit eshte qender operacionale e organizatave kriminale te rajonit, Europes, Amerikes se Veriut dhe te Jugut e Lindjes se Mesme. Shqiperia eshte tashme autostrada kryesore e heroines drejt Europes dhe vendi i shpallur si narkoshteti i vetem ne Europe apo Kolumbia e saj.Kreu i maduzes se krimit te organizuar shqiptar Edvin Mafia eshte keshtu njeriu i vetem ne bote qe mohon ekzistencen e tij.Ndiqni ne videon e meposhtme reagimin e tij ndaj pyetjes se gazetares. sb

Gepostet von Sali Berisha am Montag, 19. Oktober 2020

Naftëtarët refuzojnë Ramën: Nuk e ndërpresim grevën! Të vijë këtu të na japë zgjidhje, pastaj shohim e bëjmë

Gratë greviste naftëtare nuk kanë vonuar përgjigjen për kryeministrin Edi Rama, pas ftesës së këtij të fundit për bisedime.

Naftëtarët i janë përgjigjur negativisht ftesës së tij, teksa qartësojnë se, nuk do ta ndërpresin grevën, por ai duhet t’i vizitojë për të parë gjendjen e tyre.

“Të vijë kryeministri të na shikojë gjendjen, të na japë një zgjidhje dhe pastaj shohim e bëjmë e ndërpresim ose jo. Nuk jemi dakord fare, nuk e ndërpresim grevën. Të vijë dhe të ulet këmbëkryq të na shikojë si jemi dhe në ç’gjendje jemi. Këtu do qëndrojmë jemi shumë të vendosura. Janë bërë të pabesueshëm, ndryshe nuk ka zgjidhje tjetër”, ka thënë njëra prej grave greviste.