22.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Analisti i njohur: Rama po largon Shqipërinë nga BE! Opozita ka arsye të forta për protesta

Analisti dhe ish-deputeti i PD-së Mark Marku, ka deklaruar se me miratimin e ndryshimeve kushtetuese që ndalojnë koalicionet zgjedhore, ndërkohë që hapen pjesërisht listat, pa marrë parasysh kërkesat e opozitës së bashkuar, Shqipëria po i largohet gjithnjë e më shumë BE-së.

‘Me këtë veprim, Rama por edhe Shqipëria e kanë humbur datën për hapjen e negociatave’, tha Marku i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24.

“Me këtë që ka bërë Rama është humbur data për negociatat. Cdo ditë e më shumë po largohemi nga BE. Me këtë që ka bërë Rama do ketë pasoja për vendin. Jemi futur në një situatë kaotike, Rama ka prishur të gjithë procesin e nisur në Këshillin Politik. Pashë edhe deklaratën e Yuri Kim që shprehte zhgënjim nga veprimi i Ramës dhe ftonin për negociata në Këshillin Politik? Po pse të ketë negociata kur ai i pengoi koalicionet zgjedhore?

Unë nuk them të mos bëhen por Rama ka hedhur në erë mundësinë që të shkohet qetësisht në zgjedhjet e ardhshme. Unë e shoh të vështirë që palët të gjejnë konsensus. Megjithatë them se pavarësisht se është shkelje e rëndë e të drejtave pengimi i koalicioneve, them që kjo nuk e bën opozitën të humbë zgjedhjet. Pra, opozita madje duhet të bëhet më e fortë dhe të nisë një lëvizje kundër Ramës. PS edhe sot po të votohet nuk është parti e parë, se nuk ka mundësi të bësh këto manovra, manipulime për të marrë e blerë zgjedhjet. Nëse i ke, pse duhet t’i blesh?”, tha Marku.

Sipas tij, opozitës i takon që të nisë një lëvizje për rrëzimin e Ramës, madje edhe të nisin protestat.

“Opozitës i takon të krijojnë një lëvizje të gjërë, të krijojnë një aleancë për rrëzimin e Ramës. PD vetë të hapet kundrejt shoqërisë, t’ju garantojë programe, miniprograme aktorëve që do të duan të përfshihen, duhet të ndryshojnë logjikën e funksionimit të tyre. Unë besoj që ka arsye që të ketë protesta”, tha ai.

Paloka i përgjigjet Ramës: Ule pak dozën, duke nxitur konfliktin nuk i shpëton burgut ku të presin Avdylajt

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një përgjigje ndaj Ramës, i kujton këtij të fundit ta ulë pak dozën, pasi duke nxitur konfliktin nuk i shpëton dot burgut ku e presin Avdylajt.
‘Kur bëhet fjalë për kokën e Ramës, reagimi nuk është kurrë i nxituar!

Është fiks ajo që presin qytetarët: ndëshkim për çdo krim! I nxituar dhe me pasoja është vetëm ndryshimi që iu bë sot rregullave të lojës, përdhunshëm dhe pa opozitën.

Duke nxitur konfliktin politik, nuk shpëton dot nga burgu! Prandaj, ule pak dozën! Avdulaj and co. mund të të presin edhe pak muaj që ti bësh shoqëri.

Gjermania e prerë: Jemi kundër ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës!

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka reaguar pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese të bëra nga Edi Rama.

Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetin social Facebok, ambasadorit Peter Zingraf shpreh keqardhjen për këtë hap të Ramës dhe sipas tij, marrëveshja e 5 qershorit po merr tipare konfliktuale.

Deklaratë e Ambasadorit Peter Zingraf

Shpreh keqardhjen që megjithë marrëveshjen e arritur dhe tanimë të vendosur në ligj të 5 qershorit reforma zgjedhore e nisur në mënyrë të suksesshme është duke marrë sërish tipare konfliktuale përmes ndryshimeve kushtetuese.

Unë respektoj rolin institucional të parlamentit, por njëkohësisht kuptoj që prej marrëveshjes së 5 qershorit rezultojnë pretendime legjitime për një dialog gjithëpërfshirës.

Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve të bashkëpunojnë për implementimin ligjor të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor si dhe të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit.

Në këtë kontekst duhet të diskutohen në mënyrë të veçantë çështjet e listave të hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në frymën e përfshirjes dhe të bashkëpunimit.

Shqipëria gjendet përpara mundësive dhe sfidave të mëdha – përmend këtu vetëm bisedimet e anëtarësimit në BE, rindërtimin pas tërmetit dhe kapërcimin e krizës Corona dhe pasojave të saj. Në një situatë të tillë rregullat e qartë e transparentë për zgjedhjet e ardhshme, të pranuar nga të gjitha palët politike, janë me rëndësi thelbësore për të ardhmen e vendit.

Sjell në vëmendje, që reforma zgjedhore mbetet një element qendror në përmbushjen e kushteve të formuluara nga Këshilli i BE-së (dhe në mënyrë të ngjashme nga Bundestag-u) përpara Konferencës së Parë të Anëtarësimit me BE-në dhe se zbatimi i suksesshëm i saj është një prej kushteve të grupit të dytë.

Kryemadhi: Sot më shumë se kurrë Edi Rama i hapi gropën vetes…

Pas miratimit të ndryshimeve Kushtetuese nga Parlamenti ka reaguar edhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi. “Sot më shumë se kurrë Rama i hapi gropën vetes”, tha ai pas takimit të opzitës Kryemadhi.Kjo nuk është beteja jonë por e të gjithë shqiptarëve la të kuptohej në mesazhin e saj Kryemadhi.

Deklarata e plotë

Për të gjithë personazhet qesharakë dhe sakatë në mendimet e tyre, për t’ju bërë të qartë që vendimet e tyre sot në Parlament që cënojnë ligjshmërinë, që cënojnë integritetin e shtetit shqiptar që e çuan Shqipërinë drejt izolimit përfundimtar. Dua t’ju bëj të qartë atyre që sot mbi të gjitha cënuan integritetin e shtetit shqiptar që e çuan Shqipërinë drejt izolimit përfundimtar, dua t’ju bëj të qartë atyre që kemi bashkë të djathtën e bashkuar, të majtën e bashkuar, të gjithë shqiptarët e bashkuar përballë Edi Ramës së vetmuar dhe të shkuar. Kështu që gropën që Edi Rama mendoi se mund t’ia hapte shqiptarëve, ia hapi vetes së tij dhe të jeni të bindur që kjo gropë nuk ka për ta shpëtuar dot.

-Do të jeni pjesë e Këshillit Politik znj. Kryemadhi?

Sigurisht që do të jemi pjesë e Këshillit Politik. Ai është një institucion i kërkuar nga BE për të krijuar mundësi dhe për t’i krijuar hapësira sa më shumë mundësi për të qenë pjesë e BE. Vendimet, që sot Edi Rama bashkë me viktimat e tij nuk bënë gjë tjetër veçse izoluan Shqipërinë dhe shqiptarët dhe ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që vendimi që Edi Rama ka bërë sot në parlament po ju a shqipëroj.

Nuk po ju a them me fjali të mëdhaja politike që vendimit të sotëm do t’iu a heqin të drejtën e lëvizjes së lirë shqiptare. Do të fillojnë të vazhdojnë bllokimin dhe izolimin e Shqipërisë. Do të rinisin radhët nëpër ambasada për të marrë viza. Do të bëhen shqiptarët viktima të trafikimit të vizave dhe nën emrin e covidit të famshëm do të vazhdojmë të jemi të izoluar ku asnjëri prej nesh nuk do të lëvizë.

Të gjitha vendet e tjera që janë vende të Bashkimit Europian lëvizin të lirshëm nëpër Europë. Vetëm Shqipëria dhe Serbia që drejtohet nga shoku i ngushtë i Edi Ramës, janë dy vendet në Ballkan të izoluara. Prandaj beteja jonë nuk është më betejë koalicioni, sepse beteja e koalicioneve është një betejë matematikore dhe e kam thënë që Edi Rama e ka mbyllur librin e aritmetikës në klasën e pare. Por ta dijë që me këtë që ka bërë ka fundosur veten e tij dhe në fakt i bëri një nder shumë të madh të djathtës së bashkuar, të majtës së bashkuar për të bashkuar të gjithë shqiptarët kundër Edi Ramës dhe po ju them në rastin më të mire, PS-së do të jetë me 40 deputetë, 100 deputetë janë deputetë të opozitës sot.

Çdo shqiptar lufton për të mbajtur fëmijën e tij me bukë. Sot çdo shqiptar lufton për të shkolluar fëmijën e tij dhe sot çdo shqiptar ndihet më shumë se çdo herë tjetër i izoluar dhe i kërcënuar. Po çahet guri nga urrejtja për Edi Ramën.

Basha reagim të fortë ndaj Ramës: Koston e konfliktit do ta mbash ti! Vendi yt pas zgjedhjeve të reja është në burg!

Kreu i Opozitës së Bashkuar, Lulzim Basha ka reaguar sërish ndajEdi Ramës. Me një mesazh në Twitter, Basha shkruan se, nuk jep asnjë garanci për Ramën, garanci që ai kërkoi t’i merrte para se të ndryshonte Kushtetutën.

Basha shkruan se përgjegjësia është veç e Ramës dhe se vendi i tij pas zgjedhjeve është vetëm në burg.

Mesazhi i kryetarit Basha

Koston e konfliktit të krijuar me hedhjen në erë të marrëveshjes së 5 Qershorit dhe 14 Janarit, do ta mbash vetëm ti personalisht Edi Rama.

Nëse mendon se me konfliktin e krijuar dhe me prishjen e stabilitetit demokratik të vendit, do të marrësh garanci për kokën tënde dhe të hajdutëve që të rrethojnë, po ta them prerë dhe shkurt:

Vendi yt pas zgjedhjeve të reja është në burg, atje ku shkon çdo individ që me dashje kryen një krim kundër vendit dhe qytetarëve të tij.

Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar do të vazhdojnë të kenë në plan të parë, jo lojën tënde dhe të krimit që të drejton prej 22 vitesh në politikë, por hallet dhe problemet e shqiptarëve, që ti dhe Qeveria jote i kanë braktisur për hallet e tua personale.

Ambasadori Britanik: Duhej konsensus në miratimin e ndryshimeve të sotme të Kushtetutës

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranës, Duncan Norman ka reaguar pas vendimit të njëashmën të Edi Ramës për të ndryshuar kushtetutën e Shqipërisë.

Sipas Norman, do duhej të kishte konsensus për ndryshimet e sotme, siç kishte për marrëveshjen e 5 qershorit.

Deklaratë e Ambasadorit Duncan Norman

Marrëveshja e 5 qershorit tregoi se çfarë mund të arrihet me dialog, kohë dhe vullnet politik.

Do të donim të kishim parë të njëjtën qasje konstruktive në miratimin e ndryshimeve të sotme të Kushtetutës.

Është thelbësore që ndryshimet e ardhshme të Kodin Zgjedhor të diskutohen gjerësisht me të gjitha palët në Këshillin Politik përpara se të votohen në parlament.

KE: Keqardhje që u ndryshimet në Kushtetutë u bënë pa konsensus

Zëdhënësja e Komisionerit Evropian për Zgjerimin, Fqinjësinë dhe Partneritetin Ndërkombëtar, Ana Pisonero ka reaguar lidhur me miratimin e Ndryshimeve Kushtetuese në Shqipëri. Sipas saj, ndjen keqardhje që nuk pati konsensus.

Pisonero shkruan se kushti për hapjen e negociatave për Shqipërinë u përmbush me miratimin e paktit të 5 Qershorit.

‘Ndërsa pranojmë miratimin nga Parlamenti i Shqipërisë të disa ndryshimeve në Kushtetutë në lidhje me sistemin zgjedhor, është për të ardhur keq që nuk pati më shumë kohë për të gjetur një kompromis me të gjitha partitë në Këshillin Politik.

Ndryshimet në kodin zgjedhor të miratuara nga Parlamenti më 23 korrik për të zbatuar marrëveshjen e 5 qershorit, bazuar në rekomandimet e OSBE / ODIHR, kanë përmbushur kushtin e vendosur nga Këshilli për hapjen e negociatave të pranimit.

Tani është thelbësore që ndryshimet në kodin zgjedhor për të zbatuar ndryshimet kushtetuese, në veçanti listat e hapura + koalicionet parazgjedhore, të diskutohen siç duhet me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në një mënyrë bashkëpunuese + gjithëpërfshirëse përpara se të votohen’, shkruan ajo.

Ndarja përfundimtare e Ramës nga Perëndimi

Nga Red VARAKU

Zëvendëskryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann David Wadephul, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Verhelyi, pëfaqësues të nderuar të Parlamentit Europian, ambasadori i BE z.Soreca, ambasadori Gjerman z. Zingraf, ambasadori britanik z. Norman, ambasadorja amerikane zj. Yuri Kim, njëzëri i kanë kërkuar Edi Ramës të mos prishë dakortësinë dhe marrëveshjen e arritur në pesë Qershor.

Sepse, sipas tyre është thelbësore që ndryshimet në kodin zgjedhor për të zbatuar ndryshimet kushtetuese të miratuara në 23 Korrik, në veçanti listat e hapura si edhe roli i koalicioneve parazgjedhore, të diskutohen siç duhet me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në një mënyrë bashkëpunuese gjithëpërfshirëse përpara se të votohen.

Por, të gjithë këta nuk ia kanë dalë të bindin Edi Ramën të tërhiqet nga ndryshimet e njëanshme kushtetuese, të cilat i ndërmori sot në thyerje të marrëveshjes së pesë qershorit, duke rikthyer edhe një herë krizën në Shqipëri, garant për zgjidhjen e të cilës kishte hyrë Perëndimi. Sot, në një farë mënyre ai ka shpallur refuzimin e Shqipërisë ndaj Bashkimit Europian dhe institucioneve të tij duke rrezikuar bllokimin e integrimit.

Është gati fiks e njëjta sfidë që Perëndimi pati dhe me Gruevskin, qeverisja e të cilit rrëshqiti nga standardet e një shteti Perëndimor dhe u fut në konflikt me Perëndimin, fundi i të cilit është i njohur për të gjithë.

Edi Rama është sot i dyti kryeministër në Ballkanin Perëndimor, pas Aleksandër Vuçiç, që po sfidon kaq hapur udhëheqësit e Europës dhe po rrezikon orientimin Perëndimor të Shqipërisë.

Prej sot, ai është problemi më i madh për shoqërinë shqiptare dhe orientimin Perëndimor të Shqipërisë. Pasi ai nuk po refuzon Lulzim Bashën , por po refuzon standardet Perëndimore të sjelljes së një kryeministri të një vendi kandidat për në BE dhe një vendi antar të NATO-s dhe po përpiqet ta fusë vendin në një kurs përplasjeje me Perëndimin.

Dhe këtë po e bën në një kohë që vendi është në krizë të thellë politike, ekonomike, sociale dhe është përballë dy sfidave shumë të rëndësishme, atë të rindërtimit dhe atë të përballimit të pandemisë.

Në këto kushte ai nuk është sot vetëm armiku më i madh i shqiptarëve, por edhe i Perëndimit, sepse shkeli marrëveshjen e 5 qershorit, garantë të së cilës ishin vetë ata dhe po rrezikon investimin e tyre 30 vjeçar për një Shqipëri ku sundojnë vlerat perëndimore.

Ndaj, për shkak se po ndërmerr hapa të rrezikshëm dhe të padëgjuar ndonjëherë në politikën shqiptare, është e sigurt, që shumë shpejt do të përballet dhe me një fund të padëgjuar ndonjëherë për politikanët shqiptar.

Meta: Rama ftoi sot shqiptarët në një përballje historike, asnjë bandë pengmarrëse s’do shpëtojë

Ilir META

Akti i sotëm i ndryshimit të njëanshëm dhe me urgjencë të pajustifikueshme të Kushtetutës nga Kuvendi me legjitimitet të cunguar, është antikushtetues dhe i papranueshëm!

Ndryshimi i dhunshëm i Kushtetutës asgjesoi marrëveshjet konsensuale të 14 Janarit dhe të 5 Qershorit që mundësuan një proces dhe produkt gjithëpërfshirës, duke hedhur përsëri në erë mirëbesimin ndërmjet palëve, paqen sociale në vend dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Retorikat oportuniste dhe hipokrite të disa ndërkombëtarëve shkojnë kundër aspiratës dhe projektit strategjik të shqiptarëve për të ndërtuar një të ardhme europiane.

Asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti.

Presidenti i Republikës si gjithmonë do të jetë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtave të patjetërsueshme dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre.

Edi Rama e ftoi sot popullin shqiptar në një përballje historike. Ai u mburr sot se është djali i komunistit që vari në mes të Kukësit poetët për fjalën e lirë.

Ne shqiptarët do t’i përgjigjemi shqiptarisht deri në fund!

Reagimi i fortë i Presidencës: I sëmuri i Surrelit kujton se ndërkombëtarët janë frekuentuesit e dyshimtë të “China Club”

Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi përmes një postimi në rrjetin social Facebook reagon pas statusit të kryeministrit Rama, i cili i kërkonte Presidentit të mos vijonte të shante ambasadorët, ndërsa e krahasonte edhe me Haxhi Qamilin.

Blushi po ashtu si Rama ashpërson tontet duke u shprehur se: “I sëmuri i Surrelit kujton se ndërkombëtarët janë frekuentuesit e dyshimtë të “China Club” në Berlin apo lobistët e sivëllait të tij që kërkojnë copëtimin dhe zhbërjen e shtetit të Kosovës. Çfarë mjerimi”.

Pas deklaratës së Presidentit se “Rama e ftoi sot popullin shqiptar në një përballje historike”, vjen reagimi i ashpër i kryeministrit, i cili duke e cilësuar Metën si shkelës të Kushtetutës, thekson se nuk ka asnjë shans ta ndalë Kushtetutën, ashtu siç nuk ndali dot zgjedhjet vendore.

Reagimi i Ramës:

Ilir, ti je nje shkelës recidiv i Kushtetutës sipas Venecias, por po sipas Venezias e ke shkelur, po jo aq rëndë Kushtetutën sa për t’u shkarkuar!Dhe ne që shkeljet e tua i mbajtëm në kurriz,respektuam Venecian e s’të shkarkuam,sepse jemi të përgjegjshëm në përfaqësimin e vendit!

Por siç nuk i ndalove dot zgjedhjet vendore dhe siç nuk e fute dot në zjarr Shqipërinë dje, nuk ke asnjë shans ta ndalosh Kushtetutën e Shqipërisë të jetë detyruese edhe për ty, ashtu sikundër s’ke asnjë shans të ndezësh zjarrin e ëndërruar të konfliktit të popullit me shtetin!

Prandaj boll u bëre dhe na bëre të gjithëve qesharakë si shtet, duke e përdorur zyrën e Presidentit si llogore lufte politike, duke sharë ambasadorët siç bënte Haxhi Qamili e duke i folur vetes në vetë të tretë si Luigji XIV! Boll se s’të ka askush asnjë borxh, jo më Shqipëria!