21.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Zgjedhjet në Universitete si ato të 30 qershorit/ Kirurgu i njohur: Diktaturat fillojnë e mbarojnë me edukimin

Ish-ministri i Shëndetësisë, kirurgu i njohur, Arben Beqiri, ka reaguar për zgjedhjet në Universitetet të cilat priten të mbahen ditën e nesërme.

Beqiri thotë se zgjedhjet me një kandidat po kthehen në normë duke sjellë në vëmendje edhe zgjedhjet lokale të 30 qershorit të mbajtur vitin e kaluar.

Ai shprehet se qeveria po synon kapjen totale në shkelje të ligjit me një kandidat të vetëm të çdo hapësire pluralizmi e të mendimit kritik në Shqipëri.

“Të mos lejojmë që epitafi i demokracisë vendore i 30 qershorit të kaluar, të rishkruhet në mënyrën më të shëmtuar sërisht këtë 30 korrik”, shkruan Arben Beqiri

Reagimi i Arben Beqirit

Diktaturat fillojnë, dhe mbarojnë, me edukimin.

Rënia e qytetit po pasohet nga rënia e universitetit. Zgjedhjet me një kandidat po kthehen në normë. Qeverisja në vendin tonë dalëngadalë po merr format e një regjimi totalitar. Gjendja është alarmante. Fundi i demokracisë vendore, po shoqërohet me fundin e lirive akademike dhe instalimin e mendimit unik zyrtar nëpër universitetet shqiptare.

Duke zbatuar të njëjtat standarde zgjedhore në zgjedhjet universitare të këtij 30 korriku, rilindja socialiste ripërsërit atë që realizoi me sukses 30 qershorin e kaluar. Qëllimi është absolut, dhe i njëjti. Bëhet fjalë për kapjen totale, të dhunshme, në shkelje të ligjit, me një kandidat të vetëm, të çdo hapësire pluralizmi e të mendimit kritik në Shqipëri. Ashtu si me ligjin censurues të mediave të para disa muajve, synimi është të arrihet një pushtet, unik, i centralizuar, totalitar. Kjo nuk është një metaforë por një realitet i tmerrshëm që po kalon vendi.

Sot kuptojmë që 30 qershori i kaluar ishte vetëm një test në instalimin e totalitarizmit në Shqipëri. Një ekzekutiv i kapur nga interesa kriminale, kërkon me çdo kusht të zhdukë çdo balancë pushteti dhe çdo autoritet kontrolli. Duke imponuar kandidatët e saj monistë në zgjedhjet universitare të 30 korrikut, rilindja socialiste kërkon t’i imponojë botës akademike shqiptare një linjë zyrtare të mendimit. Zgjedhjet me një kandidat unik, nuk mund të prodhojnë veçse një mendim unik. Është kjo esenca e çdo totalitarizmi. Përballë këtij pushteti, nuk mund të ketë asnjë kundër-peshë, asnjë kontroll, asnjë institucion të lirë që të mund të prodhojë një mendim ndryshe nga ajo që pranohet zyrtarisht. Në këtë regjim, një universitet cilësor apo një media e lirë, një drejtësi e pakapur, një parlament demokratikisht i zgjedhur apo një qytet i lirë, çdo institucion i lirë shihet si armik i popullit.

LEXO EDHE VV në Shqipëri: Ndryshimet Kushtetuese, deformim i vullnetit të zgjedhësve
Kjo është një thirrje të mbrojmë universitetin shqiptar. Individë pa mandat, ashtu si dhe kandidatë në konflikt të pastër interesi, marrin vendime kolegjiale në emër të Senatit akademik duke vendosur për instancat e apelimit, për rregullat e kandidimit, për afatet e kritere të tjera juridike në shkelje të plotë të ligjit. Një paligjshmëri e qëllimtë për të mundësuar një garë pa garë, një zgjedhje pa zgjidhje, një votim pa votues. Anembanë vendit, më 30 korrik do të paraqitet vetëm një kandidat për shumicën e pozicioneve të drejtuesve të Universiteteve dhe fakulteteve shqiptare.

Duke kapur universitetin, rilindja socialiste hedh farën e kapjes së mendimit shqiptar. Uzurpimi i universitetit sot, synon të godasë çdo zë kritik nesër. Rënia e universitetit sot, është pamundësimi i çdo kërkimi shkencor të lirë nesër. Është çensurimi i shkencës nga propaganda. Është zëvëndësimi i karrierës akademike me promovimin e shërbëtorëve militantë. Është fshehja e të vërtetës bazuar mbi prova kërkimore të pavarura, me gënjeshtra politike të fabrikuara. Është fundi i dijes, dhe vijim i totalitarizmit të shtetit-parti. Kushdo që do të tentonte t’i kundërvihej, nëpërmjet edukimit, publikimit të analizave e gjetjeve akademike, nëpërmjet projekteve kërkimore të pavarur, nëpërmjet intelektit, do të izolohej nga katedra-partiake të drejtuara nga komiteti qëndror i rilindjes socialiste.

Nëse rikthimi i një realiteti që shqiptarët e kanë përjetuar 30 vite më parë duket i pamundur, përhapja shqetësuese në botën akademike perëndimore të “Cancel Culture” (praktika e çensurimit të zërave kritikë) dëshmon se liria e fjalës, liria e mendimit ndryshe, liria e kërkimit shkencor, bërthama e vetë lirisë, nuk është një e drejtë e përhershme por një standart shoqëror për të cilin duhet luftuar në mënyrë konstante.

Universiteti është burimi i demokracisë republikane pasi është pikërisht nëpërmejt përhapjes së katedrave universitare europiane, që shekuj më parë, u brumosën anembanë kontinentit idetë e tregut e kapitalit të lirë, të kontratës sociale, të demokracisë përfaqësuese e asaj direkte. Është nëpërmjet katedrave universitetit që lindi mjeksia moderne, fizika dhe shkencat ekzakte siç i njohim sot. Është nëpërmjet dishepujve të dijes, që qyteti grek, prodhoi i pari, demokracinë.

Të mos lejojmë që epitafi i demokracisë vendore i 30 qershorit të kaluar, të rishkruhet në mënyrën më të shëmtuar sërisht këtë 30 korrik”.

Ti mbjell frikë dhe vetë ke frikë!

Ilir ALLKJA
mjek

Në gjithë ecejakjet e tua nëpër vite kam vërejtur se ti ke patur frikë Edi Rama!
Frika ka qenë kompleksi yt më mbytës!

Ti ke patur frikë nga prindërit e tu, nga familja jote, nga ish-gratë, nga partneret, partnerët në jetë, punë, art, politikë, qeverisje e kudo.

Ti e more dhuratë kryetarllëkun e partisë socialiste në një garë farsë në vitin2005 sepse kishe frikë nga dështimi.

Ti e ndryshove kodin zgjedhor në vitin 2009 pikërisht sepse kishe frikë nga humbja.

Ti Edi Rama prej 15 vitesh nuk ke pranuar të bësh zgjedhje në partinë socialiste, pikërisht sepse ke patur frikë , të gjithë shqiptarët të mbajnë mend mirë në 2016 që nuk lejove Ben Blushin të konkuronte me ty, megjithëse të gjithë e dinim mirë se nuk t’a merrte dot partinë, por ti nuk lejove garë sepse ti kishe frikë!

Bota mbarë ka parë e dëgjuar me zë e figure se ti, Edi Rama vodhe në bashkëpunim me bandën tënde zgjedhjet e vitit 2017, vodhe pushtetin që mban peng pikërisht sepse kishe frikë nga humbja!

Ti do të mbahesh mend gjatë Edi Rama, shume gjatë për votimet moniste dhe pa garë të 30 qershorit 2019, të vetmet në Shqipërinë e 30 viteve post-diktaturë, pikërisht sepse ti ke frikë nga zgjedhjet e lira!

Ti këto ditë po luan gjithë lojrat e ndyra nën tokë e mbi tokë, para e pas kuintave që të shmangësh rrotacionin e pushtetit , sepse ti ke frikë Edi Rama!

Ti e ke ndarë mendjen që bashkë me vete të fundosësh partinë socialiste , sepse fatura jote personale e bashkëqeverisjes me krimin, të tmerron fort!

Unë kam takuar shumë mësues, infermierë, punonjës administrate, police, shoferë etj. që kanë frikë të flasin hapur kundër teje, Edi Rama, sepse të kanë frikë!

Ti Edi Rama, ti mbjell frikën, sepse ti ke frikë nga liria, nga jeta!

Në themel të jetës qëndron ripërtëritja, ndërrimi, zëvëndësimi, ecja përpara!

Në themel të demokracisë qëndron rrotacioni, dhe ky e bën magjike vetë atë, DEMOKRACINË!

Ti je shumë i vogël për të ndalur rrotën e historisë e mbytur jetën në këtë vend, Edi Rama, NE POPULLI jemi shumë më i madh e më i fortë se sa ti!

Zbulohet skandali! Ja si ka fshehur pasurinë Taulant Balla (Dokumenti)

Taulant Balla hyri në politikën shqiptarë në vitin 2003 ku sapo kishte mbaruar studimet në Rumani, u katapultua menjëherë në oborrin e ish-kryeminIstrit Fatos Nano duke shërbyer sëpari si ndihmës e më pas si shef i protokollit. Por militimin e tij në politikë Taulant Balla e ka njollosur me shkelje të rënda ligjore.

Sipas një hulumtimi të bërë nga SYRI TV, rezulton se kryetari aktual i grupit parlamanetar të PS-së, menjëherë sapo vuri këmbë në pushtet, dëshira dhe qëllimi i Taulant Ballës kanë qenë paratë dhe pasurimi i menjëhershëm. Për të kuptuar këtë mision të Taulant Ballës në jetë, mjafton të shikosh dy deklarimet e para të pasurisë së në vitet 2003 dhe 2004.

Në deklarimin e tij të parë në ILDKP siç mund ta shikoni edhe në dokument, Taulant Balla në pozicionin e ndihmësit të kryeministrit rezulton një njeri modest me të ardhura krejt minimale ku ai ka deklaruar vetëm 2600 dollarë në kursime në një bankë dhe 1500 dollarë pagë që e përfitonte si anëtar i bordit të UNICEF. Ndërkohë në seksionin e deklarimit të pasurive të patundshme, Taulant Balla nuk ka deklaruar asgjë tjetër.

Një vit më vonë Taulant Balla rezulton të jetë rritur jo vetëm në detyrë, por edhe në pasuri. Tashmë si shef i protokollit të kryeministrit, Balla krejt papritur deklaron një shtesë pasurie prej 20.300 dollarë për shkak të shitjes së një toke për të cilën pretendon se ka qenë bashkëpronar me 25% në Spitallë të Durrësit. Por po t’i rikthehesh vetëm një vit më parë deklarimit të tij në ILDKPI, Balla nuk e ka deklaruar këtë bashkëpronësi milionash çka ngre dyshimet se ose ai nuk ka qenë i vetëdijshëm për pasurinë e tij ose thjesht, dhe ajo që është me e besueshme, Taulant Balla ka fshehur pasurinë, ose me keq akoma, ka pastruar para.

Nuk është e qartë se në çfarë kushtesh dhe rrethanash Taulant Balla, lindur e rritur në Librazhd, është bërë aksioner i një toke në Spitallë të Durrësit në vitin 1996 kur ishte vetëm 19 vjeç, gjithsesi fakti që ai e ka fshehur këtë pasuri në deklarimin e tij të parë është i pakundërshtueshëm dhe ne kundershtim me ligjin. Ajo që e rëndon edhe më tepër pozitën e Ballës është fakti që në asnjë deklaratë ai nuk shpjegon sesi e ka përftuar këtë pronë.

Kjo është vetëm shkelja e parë e një serie shkeljesh që kryetari grupit parlamentar të PS-së dhe sekretari i kësaj partie ka bërë gjatë karrierës së tij si politikan e si milioner i kamufluar. Syri TV ka siguruar një seri të dhënash ligjore që tregojnë sesi numri dy i Partisë Socialiste ka shtuar pasurinë e tij në mënyrë të dyshimte e në shumë raste në mënyrë të kundraligjshme.

Zëri i Amerikës: Ambasada e SHBA: PD-LSI nuk mund të injorohen, përfaqësojnë një pjesë domethënëse të elektoratit

Në Shqipëri ambasada amerikane deklaroi sot se pavarësisht se parlamenti i vendit ka kompetencën për të miratuar legjislacionin, opozita jashtëparlamentare përfaqëson një pjesë domethënëse të elektoratit shqiptar dhe nuk mund të injorohet. Komentet e ambasadës i paraprijnë seancës së nesërme të parlamentit ku parashikohet të miratohen ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë listave të hapura dhe shmangin koalicionet parazgjedhore në mënyrën se si ato janë organizuar deri më tani. Një vendim i tillë është kundërshtuar me forcë nga opozita jashtëparlamentare

Ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit europian Luigi Soreca, ndërmjetësuan disa javë më parë Marrëveshjen e 5 Qershorit mes socialistëve dhe opozitës jashtëparlamentare. Por atyre ju desh të angazhohen sërish në takime mes palëve, pasi socialistët u deklaruan në favor të ndryshimeve Kushtetuese, të cilat prekin elementë të rëndësishëm të sistemit zgjedhor. Nga njëra anë listat e kandidatëve do të duhet të jenë të hapura, dhe nga ana tjetër, koalicionet, nuk mund të organizohen si deri më tani, ku secila parti përbërëse ka listën e saj.

Ambasada amerikane bëri të ditur sot se zonja Kim ka patur biseda të shumta rreth kësaj çështjeje, me presidentin Meta, kryeministrin Rama dhe kryetarin demokrat Lulzim Basha. Sipas njoftimit, ambasadorja Kim ka nënvizuar tre pika. E para lidhet me Marrëveshjen e 5 Qershorit “e cila u arrit nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, dhe duhet respektuar ashtu si u ra dakord për të”. Së dyti, ambasadorja amerikanë ka njohur faktin se “Parlamenti ka kompetencat dhe përgjegjësinë për të marrë në shqyrtim dhe miratuar legjislacionin”, por duke nënvizuar si pikë të tretë, se “edhe pse ata të cilët “dogjën mandatet e tyre”, kanë djegur pretendimet që mund të kishin për kompetenca dhe përgjegjësi në Parlament, nuk mund të injorohet fakti se ata, gjithsesi, përfaqësojnë një pjesë domethënëse të votuesve shqiptarë”, thekson deklarata.

Sipas ambasadës amerikane “gjithëpërfshirja dhe transparenca me të cilat partitë arritën Marrëveshjen e 5 qershorit duhet të jenë norma në marrjen e veprimeve të rëndësishme kombëtare”.

Ndonëse palët janë riulur disa herë në tryezën e Këshillit Politik, dallimet duket se mbeten të forta. Opozita jashtëparlamentare javën e shkuar u shpreh në favor të hapjes 100 përqind të listave, por pa prekur formulën e koalicioneve, duke u pozicionuar prerazi kundër “çdo ndryshimi të njëanshëm të Kushtetutës”.

Kryeministri Edi Rama nga ana e tij ka qenë po kaq i prerë, dhe qëndrimin e tij e ripërsëriti edhe dje në sallën e parlamentit: “Në 30 korrik, ne do votojmë, a më shumë e as më pak, atë për të cilën kemi rënë dakort. Listat do të hapen dhe koalicionet do të ndërtohen si kudo në Europën ku duam të integrohemi”.

Sipas tij, ndryshimet e propozuara, nuk e përjashtojnë mundësinë që listat të jenë 100 për qind të hapura dhe se dicka e tillë do të përcaktohet në ndërhyrjet e mëpasshme në Kodin Zgjedhor.

Në deklaratën e saj ambasada amerikane thekson se “drejtuesit politik kanë deklaruar se çdo veprim i Parlamentit nesër nuk i mbyll negociatat e nisura në Këshillin Politik rreth listave të hapura dhe koalicioneve. Ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre”, theksohet në tekst.

Ambasadori i BE-së Soreca, në një intervistë për gazetën Panorama duket se ishte më i drejtpërdrejtë kur kujtoi se “marrëveshja thoshte qartë që çdo nismë e mëtejshme duhet të diskutohet midis të gjitha palëve me të njëjtën frymë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirjeje si marrëveshja e 5 qershorit”.

Opozita jashtëparlamentare shprehet se po vihet përballë faktit të kryer dhe ka kërkuar të punohet për hartimin e një amendamenti të përbashkët që mundëson hapjen e listave, pa asnjë ndryshim tjetër shtesë. Ajo ka thirrur një tjetër mbledhje të Këshillit politik sot pasdite./VOA

Mustafaj paralajmëron një vjeshtë të vështirë politike: Ka pak gjëra për të bërë, përveçse të fillojë një lëvizje mbarëpopullore…

Ish-ministri Besnik Mustafaj paralajmëroi një vjeshtë të vështirë politike, nëse mazhoranca miraton nesër në Kuvend ndryshimet kushtetuese.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, Mustafaj u shpreh i shqetësuar për atë që mund të ndodhë nesër në Kuvend, duke thënë se nëse opozita parlamentare do të votojë, do të jetë thjesht një shtojcë e Ramës, pasi do të humbasë moralitetin e konsiderimit si opozitë.

“Komisioni i Venecias thotë se parlamenti nuk është legjitim. Për këtë nuk mund të ndryshojë Kushtetutën. Kushtetuta do të ndryshojë, sepse ne shohim një veprim të pamoralshëm dhe të paligjshëm nga kjo mazhorancë. Rama iu shkon deri në fund marrëzive të tij, ndaj dhe besojmë se edhe nesër do të përsëritet e njëjta gjë. Në kushtet e demokracisë askush nuk duhet të marrë vendimm të njëanshëm. Unë jam shumë i shqetësuar nga ajo që do të ndodhë nesër. Nëse e bën nesër, opozita parlamentare do të jetë thjesht shtojcë e Ramës, pra humbet gjithë moralitetin e konsiderimit si opozitë. Opozita e bashkuar, që gjendet jashtë parlamentit, është në një pozitë shumë të vështirë”.

Çfarë duhet bërë nga opozita e bashkuar pas 30 korrikut?
Ka pak gjëra për të bërë, përveçse të fillojë një lëvizje mbarëpopullore për referendum. Unë mendoj se do të kemi një vjeshtë pa stabilitet politik, që paralajmëron rritjen në maksimum të mosbesimit te institucionet dhe qeveria dhe do të kemi zgjedhjet e ardhshme, që do të jenë zgjedhjet më të këqija në Shqipëri.

Po për listat…
Nëse ligji nesër e vendos që listat do të jenë 100% të hapura, kjo e relativizon shumë edhe kërkesën e opozitës për koalicionet. Nëse unë do të kisha një këshillë për opozitën është se që nesër ndërpritet Këshilli Politik. Unë nuk e shoh më dobinë e këtij këshilli.

A duhet të hyjë opozita me listë të përbashkët në zgjedhje me këto kushte?
Ne do të shkojmë në zgjedhje me një ligj që do të votohet nesër, sipas Ramës, por që do të jetë ligj. Fakti që këmbëngulet kaq shumë, qoftë nga Rama për të shkatërruar perspektivën e koalicioneve, qoftë nga opozita për ta ruajtur mundësinë e koalicioneve, tregon se preket opozita nga kjo, ndryshe nuk do ta bënte Rama. Ky nuk është një veprim juridik demokrat.

Arrestimet e SPAK për dosjen 339…
Do të isha i lumtur nëse do të shihja një qasje serioze nga SPAK për të goditur thelbin e manipulimit të zgjedhjeve. Në të gjitha përgjimet e prokurorisë për Avdylajt del i pranishëm edhe Vangjush Dako, por për të nuk ka asnjë indikacion se do të ndiqet penalisht. Manipulimi është gjithmonë një akt politik dhe duhet crrënjosur vullneti politik, që con në manipulimin, jo ekzekutorët e vegjël. Nëse ngelemi këtu, është një karikaturë e SPAK. Është më keq se dështim, është karikaturë, një poshtërim i misionit që ka SPAK.

Nëse ç’pozicion ndodhet presidenti?
Presidenti po ballafaqohet me disa ndryshime, me të cilat nuk është dakord. Në kushtet kur mungon Gjykata Kushtetuese, gardian për Kushtetutën mbetet presidenti. Ky I fundit është në vështirësinë për të penguar këto ndryshime kushtetuese. Ka përballë një mazhorancë jo të ndershme. E vetmja gjë që është pozitive për opinionin publik është se ne shohim një president të vendosur për t’i kundërshtuar. Nuk besoj se presidenti do të ketë fuqi t’i pengojë nesër.

Qëndrimet e Metës duken më të forta se të Bashës…
Janë në pozicione krejt të ndryshme. Meta është në mbrojtje të Kushtetutës, kurse Basha në mbrojtje të interesit të opozitës. Pastaj ne e dimë që Ilir Meta nuk është një engjëll në sjelljen e tij.

Deklaratat e ndërkombëtarëve, a shihni diferenca?
Nuk ka diferenca të mëdha, edhe SHBA edhe BE janë shprehur kundër ndryshimit të ‘5 qershorit’ dhe kundër ndryshimeve kushtetuese. Nuk kam dëgjuar argumente se çfarë presin përfaqësitë e tyre.

Deklarata e ambasadores amerikane a duket si leje për të vijuar me ndryshimet kushtetuese?
Unë e shoh si një deklaratë kundër ndryshimeve të njëanshme. Nuk është hapësirë diplomatike për të thënë më shumë se kaq.

Opozita propozon amendamentin për hapjen 100 % të listave! Çdo ndryshim tjetër i njëanshëm është i papranueshëm

Opozita propozon amendamentin për hapjen 100 % të listave të kandidatëve. Çdo ndryshim tjetër i njëanshëm është i papranueshëm, prish marrëveshjet e 5 Qershorit dhe 14 Janarit. Opozita ka paraqitur qëndrimin që neni 64 i Kushtetutës nuk ka nevojë të ndryshohet.

Opozita ka paraqitur sot në Këshillin Politik qëndrimin që i vetmi ndryshim kushtetutes i nevojshëm dhe i mjaftueshëm që krijon mekanizmin për lista 100 % të hapura është si vijon: “Në nenin 68 të Kushtetutës, fjalia e tretë, e pikës 1, shfuqizohet.

Ky amendament duhet të reflektohet, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për qytetarët, nga të gjitha partitë politike dhe aktorët zgjedhorë, në Kodin Zgjedhor. Këto ndryshime duhet më pas të dërgohen për miratim në Parlament si një paketë e vetme.

Opozita ka rikonfirmuar se ndryshimet e tjera të propozuara nga Partia Socialiste cënojnë garën elektorale mes partive politike, 6 muaj përpara datës për regjistrimin në zgjedhje.

Opozita ka theksuar në mbledhjen e Këshillit Politik se ndryshimet e tjera të propozuara nga Partia Socialiste cënojnë rëndë barazinë e palëve në një proces zgjedhor. Ato janë hartuar dhe imponuar në mënyrë të njënashme të nga njëra palë, për ti shërbyer interesave të ngushta politike, në situatën politike të momentit, 6 muaj para regjistrimit në zgjedhjet e ardhshme.

Kryemadhi: Edi Rama nuk del dot kurrë forcë e pare, ai po diskuton e 3-të dhe të 4-t

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një intervistë për News24 ka thënë se Edi Rama dhe PS, nuk dalin dot forcë e parë, edhe nëse mbledh gjithë superfuqitë e botës. Sipas Kryemadhit, Rama po tregon dita-ditës që nuk e ndryshon dot rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme, që do të sjellin rotacionin politik.

“Është një veprim në panik, pra ka një panik të përbrendshëm. Nëse një njeri do të ndihet i sigurt dhe i fortë, s’ka pse ndërhyn në një proces në mënyrë kaq korruptive, por është një veprim që tregon pasiguri. Më kënaq veprimtaria e Ramës që tregon se është i frikësuar. Çdo ditë që kërcet këmbët tregon që rezultate e zgjedhjeve të ardhshme nuk e ndalojnë dot rotacionin që do të vijë me zgjedhje të lira e të ndershme”.

“Politikisht do të thoja le ta bëjnë sepse do të kemi kënaqësinë më të madhe për të treguar në të ardhmen shqiptarët për të treguar shembullin e njerëzve që marrin peng dhe që do të kenë shpagimin dhe dënimin për këto veprime, por nga ana tjetër do të më vinte keq pasi një veprim do ta çonte Shqipërinë në një drejtim të paditur”.

“Opozita s’ka qenë kundër listave të hapura. Mjafton të shihni platformën e z.Mediu dhe aty janë listat e hapura. Ajo që thotë Rama se 30% e listave do të jenë të mbyllura, nuk është e vërtetë. 70% do jenë të mbyllura. Vetëm partia e Enver Hoxhës merrte 99.9% të votave”.

Sipas saj, qëllimi i Ramës ka qenë dhe mbetet ndalimi i koalicioneve.

“Kjo ka qenë gjithmonë e Ramës. Por po ua bëj të qartë, s’ka shanse Edi Rama sikur të mbledhi gjithë superfuqitë e botës nuk del dot forcë e parë. Rama sot diskuton vendin e 3-të dhe të 4-t. Mos shikoni vetëm sondazhet e rrjeteve sociale. 15% e shqiptarëve përdor internet, dhe janë ata që janë në administratë publike që kanë të ardhura mbi 50 mijë lekë”.

Deklarata e fortë, BE vendos në pikëpyetje legjitimitetin e qeverisë

Ambasador Soreca, ju ishit një nga ambasadorët që keni negociuar për të arritur një marrëveshje më 5 qershor për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Sot duket se kjo marrëveshje nuk është më e mjaftueshme për një parti, PS-në, dhe 28 deputetë. A i qëndron ende BE-ja besnike tekstit të paktit të 5 qershorit?

Siç e dini, unë e mirëprita fuqimisht miratimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor të enjten e kaluar, çka përkthen në ligj marrëveshjen politike të 5 qershorit. Të gjitha partitë politike meritojnë përgëzimet tona që trajtuan më në fund, në mënyrë gjithëpërfshirëse, rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Kur Këshilli Europian vendosi të hapte negociatat e anëtarësimit marsin e kaluar, miratimi i dispozitave të nevojshme legjislative për zbatimin e këtyre rekomandimeve ishte një nga kushtet kryesore që Këshilli parashtroi për të zhvilluar Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Votimi i 23 korrikut e plotësoi këtë kusht. Tani është shumë e rëndësishme të zbatohet me shpejtësi Kodi Zgjedhor i ri, duke filluar me krijimin e Komisionit Qendror Zgjedhor të ri. Qëllimi im më i rëndësishëm është të nxis procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Prandaj, jam angazhuar politikisht që nga viti i kaluar me të gjithë aktorët politikë për ta çuar përpara Reformën Zgjedhore. Ne kontribuuam për krijimin e Këshillit Politik, si një mënyrë për të rivendosur dialogun politik në Shqipëri pas vitit shumë të vështirë 2019. Arritja e marrëveshjes politike më 5 qershor tregoi se ishte rruga e duhur, fryma e duhur, fryma e shkëmbimit dhe kompromisit, aty ku është e nevojshme, që është thelbi i një demokracie moderne. Sinqerisht, shpresoj se e njëjta qasje bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse do të ndërmerret edhe në të ardhmen, edhe për çështje të tjera të rëndësishme.

Janë 3 pika në dokumentin e miratuar javën e kaluar nga Kuvendi. E para është miratimi i marrëveshjes së 5 qershorit, një kërkesë e BE-së për hapjen e negociatave. E dyta është ndryshimi i Kushtetutës dhe rregullat e konkurrencës zgjedhore. Dhe e treta është përsëri ndryshimi i Kodit Zgjedhor, sipas rregullave të reja të miratuara në Kushtetutë. Me pak fjalë, duket sikur shumica e ka miratuar paktin e 5 qershorit, si një kusht. Dhe pastaj, pak më vonë, do ta ndryshojë përsëri kodin e rënë dakord, këtë herë pa pëlqimin e të gjitha palëve. Një skemë që sqarohet në dokumentin e Kuvendit. A jeni dakord me këtë manovër të shumicës?

Unë e pranoj që Parlamenti ka një rol institucional në propozimin dhe miratimin e nismave shtesë legjislative, përfshirë për çështjet zgjedhore të mbuluara nga marrëveshja. Pasi e kemi thënë këtë, marrëveshja thoshte qartë që çdo nismë e mëtejshme duhet të diskutohet midis të gjitha palëve me të njëjtën frymë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirjeje si marrëveshja e 5 qershorit. Kjo është arsyeja pse unë vazhdimisht, publikisht dhe në takime diplomatike, kam bërë thirrje që procesi të jetë sa më konsensual që të jetë e mundur, sepse sistemi zgjedhor përcakton rregullat e lojës demokratike dhe gjithëpërfshirja është thelbësore për çështjet zgjedhore. Është në interes të të gjitha palëve në zgjedhje që të arrijnë një marrëveshje të përgjithshme në një kohë të mjaftueshme përpara ditës së zgjedhjeve, në mënyrë që të kemi një qeveri që pranohet nga të gjithë, pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të njohura nga të gjithë aktorët politikë. Prandaj, është mirëpritur fakti që pas votimit të 23 korrikut palët kanë vazhduar të diskutojnë në Këshillin Politik për ndryshimet e propozuara kushtetuese, me qëllim që ndryshimet që rezultojnë të përcaktohen dhe sqarohen në mënyrën më konsensuale të mundshme. Unë jam ende i bindur që kjo mund të ndodhë përpara se të zhvillohet votimi.

Marrëveshja e 5 qershorit u mirëprit nga krerët e lartë të BE-së dhe ShBA-së. Që nga ajo datë ka pasur shumë deklarata nga eurodeputetët, si dhe nga zyrtarë të lartë të vendeve të mëdha të BE-së, se shkelja e kësaj marrëveshjeje do të ndikonte në hapjen e negociatave. Sa rrezikon Shqipëria nëse shumica e shkel paktin e 5 qershorit?

Tashmë Parlamenti i ka miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor që vijnë nga marrëveshja politike e 5 qershorit. Të premten e kaluar Presidenti Ilir Meta konfirmoi se do ta dekretojë ligjin menjëherë, në mënyrë që dispozitat e reja të hyjnë në fuqi dhe të fillojë puna për zbatimin e tyre. Të mos harrojmë se qëllimi përfundimtar është të kemi rregulla të qarta dhe transparente të lojës në kohë për zgjedhjet e ardhshme. Siç e dini, KQZ-ja do të ketë, ndër të tjera, dy detyra shumë urgjente dhe të rëndësishme: (1) zbatimin e identifikimit elektronik të votuesve dhe (2) të votës jashtë vendit, dy arritje shumë të rëndësishme të Kodit Zgjedhor të ri që doli nga marrëveshja e 5 qershorit.

A e bën ndryshimi i rregullave të lojës vetëm nga njëra palë të pakuptimtë marrëveshjen e 5 qershorit? Nëse opozita jashtëparlamentare nuk ka vota, siç pretendon shumica, pse ishte i nevojshëm pakti i 5 qershorit, angazhimi juaj dhe ai i ambasadorëve të tjerë, si dhe i zyrtarëve të lartë të BE-së dhe ShBA-së? A ndiheni të përdorur në këtë rast?

Unë i konsideroj ndryshimet e 23 korrikut historikisht të rëndësishme në politikën e Shqipërisë. Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it ishin pezull prej më shumë se 3 ciklesh zgjedhore. Është shumë domethënëse që Kodi Zgjedhor u modifikua në mënyrë konsensuale për të zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe për të sqaruar një nga kushtet më të rëndësishme përpara se negociatat me BE-në të fillojnë siç duhet. Siç e thashë më herët, mbështetja e vendit në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE është objektivi më i rëndësishëm i punës së Delegacionit të BEsë këtu. Është edhe qëllimi im kryesor. Prandaj, është thelbësore që ambasadori i BE-së të përfshihet në diskutimet politike dhe, kur është e nevojshme, të luajë një rol duke i ndihmuar palët për t’u siguruar që axhenda e reformave të ecë përpara. Qëllimi ynë është ta shohim Shqipërinë një anëtare të ardhshme të qëndrueshme dhe të suksesshme të BE-së, një qëllim dhe aspiratë që besoj se e ndajmë me qytetarët dhe politikanët shqiptarë.

A është normale të ndryshohet Kushtetuta kur nuk ka Gjykatë Kushtetuese? A do ta rrezikonin demokracinë dhe pluralizmin veprime të tilla të njëanshme dhe të pakorrigjuara nga Gjykata Kushtetuese?

Siç u tha më herët, është e drejta e Parlamentit Shqiptar të diskutojë ndryshimet e mundshme në Kushtetutë, duke respektuar plotësisht vetë Kushtetutën. Në të njëjtën kohë, kur bëhet fjalë për çështje veçanërisht të rëndësishme, siç janë dispozitat zgjedhore, diskutime të tilla duhet të zhvillohen në mënyrën më të gjerë dhe gjithëpërfshirëse të mundshme, si dhe mbi bazën e një konsensusi të gjerë dhe të standardeve më të mira të zbatueshme. Fryma e marrëveshjes së 5 qershorit. Prandaj, besoj se çdo ndryshim kushtetues duhet të diskutohet me kujdes me të gjitha forcat politike, përmes një dialogu gjithëpërfshirës, përfshirë shoqërinë civile.

Kufijtë me BE-në ende nuk janë hapur për shqiptarët për shkak të COVID-19. Argumenti i dhënë thotë pak a shumë se Shqipëria ka më shumë persona të infektuar për 100 mijë banorë sesa normalja e lejuar në BE. Ndërkohë, megjithëse kishte një numër të infektuarish për 100 mijë banorë më të lartë se Shqipëria, kufijtë u hapën për Serbinë. A është vendimi i njëanshëm? Ndërkohë po shkojmë drejt fundit të korrikut, a pritet të hapen kufijtë?

Vendimi për të mos rihapur përkohësisht kufirin e jashtëm të BE-së për udhëtarët nga Shqipëria dhe vendet e tjera merret nga shtetet anëtare të BE-së, dhe bazohet në një listë kriteresh teknike të sakta dhe objektive të vendosura nga të njëjtat shtete anëtare. Lista e parë çoi në një rekomandim për të rihapur kufijtë e jashtëm të BE-së me 15 vende. Ajo përfshinte – keni të drejtë – Serbinë dhe Malin e Zi. Sidoqoftë, kjo listë u përditësua më 16 korrik, duke çuar në heqjen e këtyre dy vendeve në bazë të të njëjtave kritere objektive dhe teknike. Nuk kishte asnjë argument politik të rëndësishëm kur u mor vendimi i parë, as kur u mor vendimi i dytë më 16 korrik. Nuk ka në asnjë mënyrë diskriminim ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Do ta keni vënë re, për shembull, se SHBA-ja është gjithashtu në mesin e vendeve që nuk janë përfshirë në listë. BEja po zbaton kolektivisht një politikë shumë të kujdesshme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të COVID-19. Prandaj, vetëm 13 vende janë tani në këtë listë, për momentin asnjë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, ku në muajin e fundit ka pasur një shtim të shpejtë të rasteve të reja të infektimeve. Rishikimi tjetër i listës pritet të bëhet në fillim të shtatorit. Më lejoni të theksoj gjithashtu se nuk është e saktë të flitet për ndalim të plotë të shqiptarëve për të udhëtuar në BE. Një listë mjaft e gjatë përjashtimesh zbatohet për udhëtimet e nevojshme, siç janë punonjësit e shëndetit, shtetasit shqiptarë që kanë leje qëndrimi në një shtet anëtar të BE-së, ata që janë të martuar me një shtetas të BE-së apo edhe studentët, që janë disa nga kategoritë që nuk preken nga ndalimi i përkohshëm i udhëtimit.

Para disa ditësh Bashkimi Europian miratoi 100 milionë euro për rindërtimin. Si planifikohen të shpenzohen këto para dhe si do të monitorohen ato nga BE-ja?

Siç ju kujtohet, në Konferencën e Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, të organizuar nga BE-ja në Bruksel në muajin shkurt, BE-ja premtoi 115 milionë euro për rindërtimin pas tërmetit. Një paketë e parë prej 15 milionë eurosh u miratua në shkurt të vitit 2020 dhe tashmë po zbatohet për rehabilitimin dhe rindërtimin e 22 shkollave në zonat e prekura nga tërmeti, përmes programit “EU4Schools” (BE për Shkollat). Jam shumë krenar që puna ka ecur shumë dhe ato shkolla do të jenë gati për vitin e ardhshëm shkollor, edhe falë punës së madhe të bërë në terren nga UNDP-ja. Pjesa e dytë e paketës, 100 milionë euro, u miratua në të vërtetë disa ditë më parë, dhe do të përdoret për të financuar dy programe të ndryshme. Së pari, 50 milionë euro do të përdoren për të financuar rindërtimin e shumë shkollave të tjera në kuadër të programit “EU4Schools”, përfshirë furnizimin me pajisje dhe orendi. Së dyti, 50 milionë eurot e tjera do të përdoren për programin “EU4Culture” (BE për Kulturën), që synon rehabilitimin dhe restaurimin e vendeve historike dhe kulturore të dëmtuara nga tërmeti, por edhe për të nxitur turizmin në Shqipëri dhe zhvillimin ekonomik të zonave përkatëse. Ne kemi përparuar me punën me Ministrinë e Kulturës për hartimin e projekteve dhe do ta zbatojmë programin falë mbështetjes së kolegëve tanë të OKB-së./

Muçi shpjegon ku e shkeli Meta Kushtetutën dhe i kërkon Ramës “ti tregojë vendin”

Muçi është bërë tani edhe konstitucionalist!
Në monologun e kësaj të marte në emisionin “Provokacija”, gazetari Mustafa Nano u ndal tek Presidenti Ilir Meta. Fillimisht ai theksoi se nisma e Partisë Socialiste për të shkarkuar presidentin është e gabuar.

Për më tepër, sipas Nanos, kjo nismë është e pamundur për t’u vënë në jetë. Kjo pasi edhe nëse mund të gjejnë numrat për ta votuar në Kuvend, mungon Gjykata Kushtetuese e cila thotë fjalën e fundit në këtë çështje.

Sipas Nanos, mendohet se Gjykata Kushtetuese mund të krijohet në gjysmën e parë të vitit tjetër, por deri atëherë çështja e Metës mund të jetë ftohur. Moderatori i “Provokacijas” thotë që nuk është e çuditshme që Meta dhe Rama të kenë rregulluar marrëdhëniet që tashmë.

“Ndoshta në gjysmën e parë të vitit tjetër dhe deri atëherë mund të ndodhin shumë gjëra. Fjala vjen, çështja Meta mund të jetë ftohur fare dhe askush nuk do gjejë arsye për ta ringrohur, për të mos thënë që Meta mund t’i ketë rregulluar telat me Ramën. Ju duket e çuditshme kjo e fundit? Hiç mos ju duket e çuditshme. Çudi duket nëse kjo nuk ndodh”, tha Nano.

Më tej, Nano thotë se Meta ka gabuar në çdo gjë, duke përfshirë edhe dekretet për zgjedhjet lokale.

“Dekreti i dytë që çdekretoi të parin ishte një mufkë kolosale”.

Por sipas Nanos, Meta ka dhe gabime të tjera, të cilat e bëjnë moderatorin të mendojë se ai është presidenti më i keq që ka pasur Shqipëria në vitet e tranzicionit.

“Sjellja e tij presidenciale është në përgjithësi e gabuar. Ai është bërë njësh me njërën palë dhe i ka shpallur luftë totale palës tjetër. Me këtë na ka kthyer në vitet e para 1990, ku Presidenti ishte edhe lojtar në fushën e lojë. Shembulli i Metës është më i keq se i Berishës në atë kohë sepse Berishës ia njihte Kushtetuta që të luante për njërën palë. Metës nuk ia njeh. Shkurt, Meta është presidenti më i keq që kemi pasur 30 vitet e fundit, përfshirë edhe Ramiz Alinë”, tha Nano.

Këshilla e Mustafa Nanos për Metën është dorëheqja. Sipas Nanos, Meta nuk pyetet për asgjë pasi për dekretin e fundit të gjithë u sollën sikur të mos ekzistone.

“Nuk është për atë punë. Ka shkuar në vendin gabuar. Të bësh Metën president është si të më bësh mua kryetar të Komunitetit të Myslimanëve. Ne praktikisht nuk kemi president”, tha Nano.

Fuqizoni trurin tuaj, tre mënyra për të rritur qarkullimin e gjakut

Truri ynë ka shumë struktura të njohura si amigdala që zbulon rrezikun, por shpesh ne marrim si të mirëqenë 400 milje enë gjaku që shtyjnë një litri gjak në minutë, duke bartur brenda oksigjen dhe lëndë ushqyese dhe duke bërë largimin e mbeturinave.

“Truri është organ shumë metabolik, kështu që kërkon shumë lëndë ushqyese dhe oksigjen të funksionojë siç duhet dhe këto mund të arrijnë vetëm në trurin tonë kur kemi qarkullim të mirë të gjakut”, thotë mjeku Emilie Wilson.

Kur ajo rrjedhje e gjakut është optimale, ndjehemi të mbushur me energji dhe kemi kokë të qartë; kur është e ulët, ndihemi të mjegullt dhe të apatik.

Për të rritur qarkullimin e gjakut të trurit, strategjitë specifike të jetesës janë provuar të jenë mjaft efektive:

Hani në mënyrë strategjike, veçanërisht panxhar dhe çokollatë.

Oksidi nitrik krijohet në endoteli, shtresa e hollë e qelizave që rreshtin enët e gjakut; ajo relakson muskujt e brendshëm, duke maksimizuar rrjedhën e gjakut. Veçanërisht rekomandohet panxhari – një studim raportoi se në formë lëngu, rrit nivelin e oksidit nitrik deri në 21 për qind në 45 minuta – si dhe çokollatën e errët.

Në një studim të Harvardit, të moshuarit që pinin dy gota çokollatë të nxehtë në ditë, për 30 ditë kishin përmirësim të qarkullimit të gjakut në tru dhe kujtesë më të mirë.

Lëvizni trupin

Ecja e shpejtë, vrapimi, çiklizmi, noti, gjuajtja e topit, ngritja e peshës dhe joga të gjitha ndihmojnë në përmirësimin e rrjedhës së gjakut kraniale, thotë Ignarro: “Aktiviteti fizik stimulon prodhimin e oksidit nitrik në të gjitha arteriet, përfshirë ato në tru”.

Në një studim, gratë mbi 60 vjeç që ecnin prej 30 deri në 50 minuta tre ose katër herë në javë rritën rrjedhën e vazhdueshme të gjakut kraniale deri në 15 për qind.

Luajë muzikë

Hulumtimet duke përdorur imazhe funksionale të rezonancës magnetike të botuar në ‘Scientific Reports’, zbuluan se fluksi i gjakut në tru rritet kur njerëzit dëgjojnë muzikën që ata pëlqejnë.