30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Suedia po sfidon botën, vetëm dy masa kundër virusit dhe vetëm 34 raste të reja ditore

Shefi i epidemiologut të Suedisë, Anders Tegnell zhvilloi sot një konferencë për shtyp, në të cilën zbuloi se numri i personave të infektuar me coronavirus po bie me shpejtësi.

Suedia ishte i vetmi vend në Evropë që nuk futi masa drastike në muajt mars dhe prill. Prandaj ka qenë cak i kritikave të shumta, raporton bloomberg.

“Kurba po ulet”, tha Tegnel në një konferencë për shtyp, në të cilën u njoftua se shteti suedez kishte vetëm dy vdekje shkaku i coronavirusit dhe 34 raste të reja të infeksionit në 24 orët e fundit.

Që nga fillimi i pandemisë, gjithsej 5702 njerëz kanë vdekur dhe pothuajse 80 mijë njerëz janë infektuar në shtetin suedez, transmeton Telegrafi.

“Në përgjithësi, ky është një lajm shumë pozitiv. Duket gjithashtu se së shpejti do të jemi në gjendje të udhëtojmë më normalisht”, tha Tegnel, duke shtuar se masat e udhëtimit do të zbuten gradualisht duke lejuar fillimisht udhëtimin brenda rajoneve dhe më pas në vendet me të ulëta të shkallës së infeksionit.

“Kjo do të thotë praktikisht që njerëzit nga Stokholmi do të jenë në gjendje, për shembull, të shkojnë në Norvegji”, tha epidemiologu kryesor suedez.

Ata nuk zgjodhën bllokimin shkaku i COVID-19, por nuk i ndihmoi: Papunësia në Suedi nuk ka qenë kaq e lartë në 20 vitet e fundit
Epidemiologu kryesor suedez iu referua trendit të rritjes së numrit të rasteve të reja në Evropë.

“Për fat të keq, ne e shohim këtë prirje negative të rritjes së numrit të personave të infektuar rishtas në të gjithë Evropën, është e keqe që kjo po ndodh tani, por ne nuk e shohim këtë prirje në Suedi,” përfundoi ai.

Lexo po ashtu:
Sa njerëz të tjerë mund të vdesin nga coronavirusi në Suedi? Autoritetet kanë “në tavolinë” tre skenarët e mundshëm!
Sa njerëz të tjerë mund të vdesin nga coronavirusi në Suedi? Autoritetet kanë “në tavolinë” tre skenarët e mundshëm!
Le të kujtojmë, vetëm dy masa janë në fuqi, – ndalohet të vizitohen shtëpitë për të moshuarit dhe të sëmurët (por të moshuarit mund të dalin lirshëm) dhe janë të ndaluara tubimet publike me më shumë se 50 njerëz.

Numri i infektuar në tre ditët e fundit ishte më pak se 100 raste të reja (42, 79, 39). Duhet të theksohet se këto janë numra që shpesh korrigjohen në Suedi, pasi aplikimet nga disa spitale rajonalë vonohen tre javë.

Qeveria e Kosovën vendos bllokimin e kufirit me Shqipërinë, vetëm nëse ke…

Vendimi i fundit i qeverisë së KosovWs

1. Të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës (RKS) duhet të dëshmojnë se janë të shëndoshë nga COVID-19, me testin RT-PCR në Sars COV-2, sipas parimit të reciprocitetit, me përjashtimet si në vijim:

1.1. Gjatë hyrjes nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk ka nevojë të kenë vërtetim për test negativ RT-PCR, duke marrë parasysh që shtetasi i huaj vetëm do të kalojë nëpër territorin e RKS-së, dhe me kusht që në hyrje do të nënshkruajë një deklaratë që në afat prej 3 orësh do ta lëshojë territorin e RKS-së;

1.2. Gjatë hyrjes në pikat kufitare tokësore, me qëllim të daljes nëpër pikat ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, nuk ka nevojë të kenë vërtetim për test RT- PCR, porse, shtetasit e huaj janë të obliguar të paraqesin biletën e aeroplanit dhe të nënshkruajnë deklaratën se brenda 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;

1.3. Transportuesit profesionistë (vozitësit) nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për testin PCR, me kusht që respektohet protokolli për transport ndërkombëtar;

1.4. Për transport të organizuar me autobus ose linjë të rregullt ndërkombëtare transite nuk nevojitet testi RT-PCR, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e RKS-së brenda 5 orësh;

1.5. Shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët e kanë të rregulluar lejeqëndrimin e përkohshëm ose të përhershëm në RKS, gjatë hyrjes në RKS duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë 72 orë para hyrjes në RKS;

1.6. Diplomatët e huaj nga shtetet e cekura në këtë vendim, të cilët janë të akredituar në RKS, sikurse familjarët e tyre, nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për test RT-PCR;

1.7. Shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët kanë caktuar termin për mjekim në institucionet shëndetësore të RKS-së, mund të hyjnë, me kusht që të paraqesin vërtetimin për test TR-PCR negativ, të bërë 72 orë para hyrjes në RKS dhe vërtetimin për termin të caktuar të lëshuar nga spitali;

1.8. Bartësit e dokumenteve personale të lëshuara nga RKS, mirëpo me adresë vendbanimi në njërin nga shtetet e cekura në këtë vendim, gjatë hyrjes në RKS, duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë 72 orë para hyrjes në RKS.

2. Duke filluar nga ora 22:30 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë, përveç:

2.1. Në raste urgjente shëndetësore;

2.2. Në rast të nevojës për t’u kujdesur për të sëmurë, për persona me nevoja të veçanta, vetëm nëse të sëmurët apo personat me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten;

2.3. Në rast të kërkimit të ndihmës nga institucionet përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare;

2.4. Në rast të vdekjes së anëtarit të familjes;

2.5. Në rast të paraqitjes së nevojave për dalje jashtë shtëpisë/banesës për nevojat fiziologjike të kafshëve, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia (por, nuk lejohet shfrytëzimi i këtyre rasteve për të kryer ndonjë punë tjetër ose për ndonjë qëllim tjetër përveç atij të përcaktuar).

3. Obligohen të gjithë banorët e Republikës së Kosovës t’i bartin maskat në fytyrë në të gjitha veprimtaritë jashtë shtëpive/banesave të tyre dhe të mbajnë distancë fizike prej 2 metrash në mjedise të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe obligohen institucionet punëdhënëse të krijojnë kushte që në mjedise pune kjo distancë të aplikohet.

4. Obligohen të gjithë institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektantët për duar dhe maskat për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtoret e institucioneve dhe nga vizitorët.

5. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private të vendosin rregulla me shenja të dukshme në çdo hyrje të objektit (duke përfshirë këtu ndalimin e hyrjes pa maska, obligimin për ta respektuar distancën etj.) në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.

6. Ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personash në sheshe publike, në parqe etj.

7. Ndalohen të gjitha tubimet publike, duke i përfshirë ahengjet familjare private.

8. Ndalohen veprimtaritë rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë shkollat e futbollit dhe sportet e tjera, trajnimet e të gjitha lëmive etj.

9. Lejohen vetëm fitneset, pishinat e mbyllura dhe sportet individuale, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.

10. Të gjitha subjektet që ofrojnë transport publik (autobusë, kombi, taksi) të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.

11. Institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës obligohen të menaxhojnë paraqitjen e stafit në punë në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19 (institucionet përkatëse do të sqarojnë me qarkore të veçanta se çfarë paraqet staf të domosdoshëm për to), duke përfshirë rregullat e veçanta që vlejnë për stafin në institucionet publike dhe private me interes vital.

12. Institucioneve shëndetësore publike dhe private u rekomandohet t’i reduktojnë shërbimet shëndetësore joesenciale.

13. Kërkohet nga të gjitha komunat t’i riaktivizojnë plotësisht shtabet e tyre lokale.

14. Ndalohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

15. Ndalohet therja e kafshëve në çfarëdo mjedisi të hapur apo të mbyllur, përveç në mjediset e autorizuara për therjen e kafshëve.

16. Ndalohet pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

17. Ushtrimi i veprimtarisë së çerdheve publike dhe private në tërë territorin e Republikës së Kosovës lejohet pas vlerësimit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet komunale, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.

18. Të gjitha subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë, klubet e natës etj.);

18.1. U ndalohet funksionimi nga ora 22:30 deri në 05:00 në gjithë territorin e Republikës së Kosovës;

18.2. Jashtë këtij orari mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar largësinë prej 2 metrash ndërmjet tavolinave, si dhe shërbimet take-away (merre me vete), gjithnjë në përputhje me udhëzimet e përcaktuara në Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.

19. Qytetarët e moshuar (mbi moshën 65 vjeç) dhe qytetarët me sëmundje kronike (diabet, hipertension arterial dhe sëmundje zemre, sëmundje kronike të mushkërive, pacientët me sëmundje të veshkave, pacientët me imunitet të suprimuar, pacientet onkologjik etj.) mund të dalin jashtë në mjedise publike vetëm në orët e hershme të mëngjesit (prej orës 05:00-10:00) dhe orët e mbrëmjes (prej orës 18:00-21:00).

20. Obligohen operatorët e shërbimeve komunale, financiare, elektronike dhe postare të ofrojnë shërbime me staf minimal, sipas masave në fuqi për emergjencën në shëndetin publik.

21. Obligohet Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës që në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, deri më 15 gusht 2020, të hartojnë Udhëzuesin për mënyrën e organizimit të mësimit në vitin e ri shkollor-akademik 2020-2021.

22. Obligohen të gjithë banorët e Republikës së Kosovës t’i zbatojnë masat parandaluese dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

23. Obligohen organet kompetente të ushtrojnë kontroll rigoroz, me qëllim të zbatimit të masave (inspektoratet përkatëse dhe organet rendit).

24. Obligohen institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Vendimi.

25. Udhëzohen të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës që, në bazë të kompetencave ligjore të vetëqeverisjes lokale, ta reduktojnë qarkullimin e automjeteve, me qëllim të shmangies së grumbullimit të tepërt të njerëzve.

26. Vendimi Nr.01/11, i datës 08.07.2020, vazhdon të zbatohet deri në një vendim tjetër.

27. Ky vendim do të rivlerësohet varësisht nga situata epidemiologjike në vend, në konsultim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ekspertët dhe ministritë e tjera të linjës, për ta vlerësuar efikasitetin dhe domosdoshmërinë e masave të përcaktuara, si dhe për të vendosur për vazhdimin ose jo të masave përkatëse.

28. Shfuqizohen Vendimet e Qeverisë si në vijim:

28.1. Pika 2. e Vendimit Nr. 01/04 të datës. 07.06.2020;

28.1. Pika e 5, pika 6, pika 7, pika 8, pika e 9 dhe pika 10 e Vendimit Nr. 01/10 të datës 05.07.2020;

28.3. Vendimi Nr.01/13 i datës 13.07.2020;

28.4. Vendimi Nr.02/13 i datës 13.07.2020;

28.5. Vendimi Nr.04/13 i datës 13.07.2020.

29. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që çdo javë të raportojë për zbatimin e këtyre masave.

30. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit, me përjashtim të pikës së 8. të këtij vendimi, e cila hyn në fuqi më 30 korrik 2020.

Reagimi i fortë i Metës për Ramën: Çmenduri të mendosh se mund të nënshtrosh popullin për regjimin personal

Presidenti Ilir Meta ishte i ftuari i parë i Adi Krastës në SYRI TV.

Meta komentoi deklaratën e tij se përse i bën thirrje opozitës që mos provokohet në këtë situatë kur mazhoranca po synon të kalojë e vetme ndryshimet kushtetuese.

“Opozita nuk duhet të provokohet për t’u larguar nga tryeza e Këshillit Politik. Duhet të jetë e vendosur për t’i qëndruar marrëveshjes së 5 qershorit dhe të bëjë detyrën e saj ndaj vendit. Ka pasur dhe ka përpjekje për ta provokuar opozitën dhe për ta nxjerrë nga tryeza dhe institucionet. Për fat të keq opozita ka rënë shpesh pre e këtyre provokimeve,” tha Meta, duke cituar mes të tjerash edhe djegien e mandateve dhe braktisjen e Kuvendit.

“Opozita duhet të jetë e vendosur për të mos marrë asnjë përgjegjësi për çdo situatë të paparashikueshme. Të gjitha kushtet e BE për nisjen e negociatave lidhen me suksesin e marrëveshjeve të këtij Këshilli Politik,” tha Meta.

Sërish ai kishte një mesazh për mazhorancën që të mos kalojë e vetme ndryshimet kushtetuese.

“Së pari, unë edhe njëherë tjetër apeloj me këmbëngulje dhe shumë qetësi që të gjithë të bëjnë atë që u lejon Kushtetuta, atë që u lejon ligji dhe ua pranon ndërgjegjia. Ky është një parlament jashtë standardeve të Kushtetutës. Është një parlament me 122 deputetë, nga 140 që është kuorumi kushtetues.

Prandaj u krijua Këshilli Politik si një shpikje, që përmes frymës të bashkëpunimit të ecjes drejt vendosjes së legjitimitetit të Kuvendit të ardhshëm dhe qeverisjes së ardhshme,” tha Meta.

“Të ndryshosh rregullat e garës dhe të mendosh se në këtë mënyrë do frikësosh popullin për t’iu nënshtruar një regjimi personal, është një çmenduri edhe për atë që e ndërmerr, edhe për ata që ngrenë kartonat,” tha Meta.

Shkëlzen Berisha: Taulant Balla, i vetmi deputet në Europë që…

Juristi Shkëlzen Berisha reagoi ndaj akuzave që ngriti sërish Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla ndaj tij.

Berisha shkruan se, Taulant Balla është i vetmi deputet në Europë që bën pushimet me një trafikant.

“Tualet, unë, si kur udhëtoj për punë, ashtu dhe për pushime me familjen time, paguaj me të ardhurat e mia të deklaruara dhe të taksuara. Kurse ti je i vetmi deputet në Europë, që në vend të gruas, udhëton e pushon me trafikantë droge, të cilët krejt pa pritur sapo kthehen nga pushimet me ty, përfitojnë miliona euro tendera nga paratë publike në shkelje të hapur të ligjit.

Bëhu gati Tualet se në gjykatë do të duhet të përgjigjesh se me çfarë janë sponsorizuar udhëtimet e tua ekzotike me Mond Begon? Me paratë e drogës apo me paratë e tenderave …

Mos u shqetëso për kredinë time në bankë, por shiko mos ke lënë ndonjë borxh pa shlyer nëpër kazino se për ato nuk merr dot as overdraft”, shkruan Berisha.

Apeli rikthen për shqyrtim dosjen “Tahiri”

Zbardhet vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-Drejtorin e Policisë Vlorë, Jaeld Çela, që e riktheu çështjen për rigjykim në Shkallë të Parë.

Gjykata vëren se kërkesa e Tahiri për ta shpallur të pafajshëm meqenëse Gjykata e Katanias nuk e ka hetuar apo dënuar, nuk e shfaqëson ish-Ministrin e Brendshëm në Shqipëri.

Gjykata e Posaçme e Apelit thekson se ka vendosur të rikthejë për shqyrtim dosjen, pasi akuza e kultivimit të kanabisit është kontradiktore pasi u shtua gjatë hetimeve nga prokuroria dhe duhen gjetur provat.

Gjithashtu gjykata vlerëson se Saimir Tahiri e Jaeld Çela janë dënuar për shpërdorim detyre, por për këtë akuzë dy të pandehurit nuk janë mbrojtur, pasi nuk u ishte komunikuar nga organi i akuzës. Sipas Apelit, Shkalla e Parë gaboi në rikualifikimin e veprës penale.

Këto gjetje të Gjykatës së Posaçme të Apelit, kanë bërë që çështja e Tahiri të rikthehet për rigjykim, pas 3 vitesh. Më herët Saimir Tahiri e ka quajtur të qëllimshëm dhe të padrejtë zvarritjen që po i bëhet hetimeve./Tv Klan

“Triumfi” që nuk i trimëron dot socialistët!

Nga Red VARAKU

Shqetësimi më i madh i Ramës sot është fakti, se në çdo sondazh të porositur prej tij dhe në çdo sondazh online publik të organizuara nga mediat e tij personale, Opozita e Bashkuar del fituese e padiskutueshme e zgjedhjeve me një diferencë shumë të madhe nga PS.

Strategjia e bashkimit të të gjithë flukseve opozitare ia ka dalë të sjellë entuziazëm dhe optimizëm brenda opozitës së bashkuar dhe të frymëzojë idenë se partitë opozitare të bashkuara në një koalicion të madh e mundin lehtë dhe shumë thellë një parti të lodhur dhe pa asnjë bilanc nga tetë vitet e saj në pushtet.

Por, nga ana tjetër kjo gjë ka prodhuar pesimizëm dhe demoralizim, që reflektohet qartë brenda mazhorancës, gjë që ka sjellë dhe një bjerrje të mbështetjes për PS, e cila e ka tronditur dhe zgjuar befas nga gjumi kryetarin e PS.

Pikërisht, tek ky pesimizëm dhe bjerrje të frymëzimit brenda mazhorancës duhet kërkuar dhe arsyeja e retorikës boshe plot ngërdheshje të kryeministrit, i cili po na shfaqet këto ditë si sovranist fanatik, që kërcënon Perëndimin dhe i lëshon ultimatume të forta armiqve imperialisto-revizionistë .

Ai po kërkon, që nëpërmjet një date të shpikur prej tij dhe pa asnjë vlerë, siç është 30 korriku, të perceptohet sikur ai është triumfatori, të cilit të gjithë po i luten dhe qurraviten si shpëtimtar.

Me këtë ai e ka të qartë që nuk është se ndryshon ndonjë gjë, sepse ai nuk ka shanse që t’i ikë dakortësisë së arritur në Janar dhe Qershor, por gjithsesi nëpërmjet saj, ia del të mbajë me gajret edhe ata pak naivë, që akoma nuk e kanë kuptuar, që kur të vijë momenti i fundosjes, e vetmja barkë shpëtimi për ta do jetë burgu.

Kushdo e di tashmë , që e vetmja strategji që ai ka përdorur për të garantuar pushtetin ka qenë gjithmonë pazari. Kësaj rradhe ofroi një pazar, të cilin e hodhi poshtë me neveri lideri i opozitës, ku ai pranonte të dorëzonte pushtetin, vetëm nëse i garantohej presidenca.

Kjo jo sepse i intereson presidenca, sepse një politikan mendjemadh si ai nuk do ta pranonte kurrë një poshtërim të tillë, por sepse edhe vetë ai e ka shumë të qartë, që përballë koalicionit më të madh opozitar, që është prodhuar në Shqipëri, sigurisht falë tij, jo vetëm që do të humbë, por mund të përfundojë dhe në qeli.

Ndaj në këtë pikë, edhe pse me mungesa të mëdha testosteroni për shkak të moshës, bën mirë që “ngrefet” dhe i vendos ultimatume Amerikës dhe Europës, sepse pikësëpari është që ai duhet t’i japë optimizëm mbështetësve, por me “çduken bathët”, fati i tij seksual do të jetë dhe fati i kësaj mazhorance.

Meta thirrje PS-së: Hiqni dorë nga ndryshimi i njëanshëm dhe pa gjithëpërfshirje i Kushtetutës

Teksa e gjithë kryefjala e diskutimeve politike në këtë fund korriku është përqendruar tek debatet mes palëve për ndryshimet kushtetuese, vjen një mesazh i fortë nga presidenti Ilir Meta. Kreu i shtetit, duke u ndalur tek dialogu politik, i bëri thirrje palëve që të ruhet fryma e rezultateve të marrëveshjes së 5 Qershorit.

Mes të tjerash, Meta kritikoi faktin se maxhoranca këmbëngul sipas tij që ndryshimet kushtetuese të miratohen në datën 30 korrik.

“Këmbëngulja për t’i qëndruar me kokëfortësi datës 30 Korrik, që është vendosur pa patur ndonjë objektiv konkret, e dëmton stabilitetin dhe rrugën europiane të Shqipërisë”, thotë Meta.

Sakaq, kreu i shtetit i ka bërë thirrje PS-së që të heqë dorë nga ndryshimi i njëanshëm dhe pa gjithëpërfshirje i Kushtetutës. Ndër të tjera ai i ka bërë thirrje dhe PD-së dhe Opozitës së Bashkuar, që në emër të integrimit europian, të vazhdojë me këmbëngulje dhe pa u tërhequr, përpjekjet për arritjen e një produkti konsensual.

REAGIMI I METËS

Dialogu politik, gjithëpërfshirës dhe i hapur, mes partive politike për të gjitha çështjet që prekin zgjedhjet, është e vetmja rrugë që e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian dhe e bën Reformën Zgjedhore në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR, siç ka kërkuar Këshilli Europian në 15 kushtet e vendosura për hapjen e negociatave.

Ruajtja e frymës dhe rezultateve të marrëveshjes së 5 Qershorit ka shumë rëndësi për hapjen e negociatave. Këmbëngulja për t’i qëndruar me kokëfortësi datës 30 Korrik, që është vendosur pa patur ndonjë objektiv konkret, e dëmton stabilitetin dhe rrugën europiane të Shqipërisë.

Shqipëria nuk duhet ta humbë momentin historik për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE nga kokëfortësia për të ndryshuar rregullat zgjedhore në mënyrë të njëanshme. Kokëfortësia nuk ofron zgjidhje dhe nuk është në interes të Shqipërisë.

I bëj thirrje Partisë Socialiste, si forcë politike me kontribute në procesin e integrimit, që të heqë dorë nga ndryshimi i njëanshëm dhe pa gjithëpërfshirje i Kushtetutës. Është koha të tregojë maturinë që e ka karakterizuar në të shkuarën dhe të vendosë të parin interesin e Shqipërisë. Data 30 Korrik nuk është e lidhur me asnjë interes të Shqipërisë. 30 Korriku duhet të anulohet, për t’i hapur rrugë një procesi gjithpërfshirës dhe konsensual të reformimit të rregullave zgjedhore.

Në tre dekada pluralizëm, Partia Socialiste, meritën më pozitive ka lidershipin që tregoi për bërjen e vendit me Kushtetutë moderne përmes një procesi gjithëpërfshirës që u finalizua me Referendum Popullor, edhe pse atë kohë kishte mbi 2/3 e Kuvendit.

Nuk dëshiroj të ndalem sot në të gjitha arsyet përse Kuvendi i sotëm është jashtë çdo standardi për të prekur Kushtetutën, pasi këto i ka bërë të qarta edhe Komisioni i Venecias, por në kushtet kur po vdesin qytetarë dhe përmasat e pandemisë COVID-19 po bëhen kërcënuese, çdo dhunim i Kushtetutës do ngarkojë me përgjegjësi historike të gjithë ata që do provokojnë rendin kushtetues në vend, në themel të të cilit janë pluralizmi politik dhe zgjedhjet e lira e të ndershme. I bëj thirrje Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar, që në emër të integrimit europian, të vazhdojë me këmbëngulje dhe pa u tërhequr, përpjekjet për arritjen e një produkti konsensual. Hapi i hedhur të premten, nëpërmjet një propozimi për konsensus, duhet të jetë rruga për të ecur përpara, me qëllim gjetjen e pikave që i bashkojnë palët.

Historia ka treguar se aktet e njëanshme dhe të nxituara, kokëfortësia, interesi momental politik, mungesa e kulturës së konsensusit dhe dialogut mes palëve, kanë dëmtuar Shqipërinë dhe shqiptarët për një kohë të gjatë. Ky gabim nuk duhet të përsëritet. Për këtë arsye, ripërsëris thirrjen që të gjitha palët të vijojnë punën në mirëbesim në Këshillin Politik, pa shtrëngim kohor, me objektivin e vetëm të gjetjes së konsensusit mes tyre. Është tërësisht e mundshme që të arrihet një produkt i përbashkët dhe i dakordësuar nga të gjithë. Kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa konsensus mes të gjitha partive kryesore politike në vend. Koha për të punuar për Shqipërinë në Europë është tani!
Askush nuk duhet ta dëmtojë këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë.

Farsa me zgjedhjet në Universitete/ Boçi: Pushteti po i vjedh njësoj si zgjedhjet politike

Nga Luçiano BOÇI

ZGJEDHJE QË NUK MUND TË PRANOHEN

Në kundërshtim me çdo normë ligjore, shëndetësore, akademike dhe morale, Rama dhe Shahini, po shtyjnë Universitetet drejt finalizimit të një procesi zgjedhor fals, të turpshëm, krejtësisht politik dhe antiligjor e antikushtetues.

Zgjedhjet po zhvillohen pa praninë e votuesit themelor studentin, dhe pa angazhim e plotë të pedagogëve nën një pandemi në rritje.

Pasi ka vjedhur çdo lloj zgjedhje në vend, nga ato qendrore, lokale, për Akademinë e shkencave e deri tek ato për shoqatat jofitimprurëse, me antiligj, krim dhe politikë të ndyrë, Rama po vjedh në shkelje të hapur ligjore dhe më presion pushteti dhe zgjedhjet në Universitete.

Kërkon t’i kapë Universitetet, për t’i përdorur ato si skalione lufte, në humbjen që i ka trokitur.

Zgjedhjet në Universitete po grabiten, dhunohen dhe manipulohen me të gjitha mjetet dhe format, me të njëjtën formulë, sikurse u grabitën zgjedhjet e 2017 me Gjushët e Avdylët.

Këto zgjedhje po zhvillohen nën një klimë terrori psikologjik dhe politik, sikurse u zhvilluan zgjedhjet e 30 Qershorit. Në shumicën e garave me një kandidat të vetëm, i cili në rast se nuk është i partisë shantazhohet dhe bllokohet.

Si të tilla, këto zgjedhje konsiderohen të pavlera, të papranueshme dhe nuk do të njihen si legjitime.

Për instalimin e paligjshmërisë dhe kaosit akademik dhe kryerjen e krimit zgjedhor akademik, Rama dhe Shahini duhet t’i dorëzohen SPAK-ut.

Në bazë të kodit penal, ato duhet të akuzohen dhe për rrezikimin e jetës dhe të shëndetit publik.

Ne jemi të angazhuar për t’i dhënë Universiteteve shqiptare një model qeverisje që buron nga interesat e larta akademike e shkencore.

Me një ligj të ri të Arsimit të Lartë dhe me një klimë ku sundon autonomia universitare, liria akademike dhe ligjshmëria kushtetuese, do të garantojmë zhvillimin e zgjedhjeve, ku garohet dhe fitohet me zgjedhje të ndershme e të lira, me meritë e vizione që i shërbejnë arsimit të lartë e universiteteve.

Vjedhja që Rama po i bën sot Universiteteve, do të jetë vjedhja e fundit që kryehajduti serial i siguron vetes së tij me pushtetin kriminal që ka themeluar.

Pushteti i tij po shembet e bashkë me të po vjen ndëshkimi.

Ndëshkimi që vjen nga bota universitare për të, do t’i bashkohet ndëshkimeve për të gjitha krimet zgjedhore që ai ka konsumuar përgjatë këtyre viteve.

Dosja 769 e Lezhës do nxjerrë “lakuriq” policin-bandit që drejton bashkinë, a do të arrestohet Pjerin Ndreu?

Arrestimi i sotëm i komisionerëve për llogari të dosjes 339, ka qenë në fokus të disa prononcimeve të zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar, si dhe ka ngjallur reagimin e disa figurave në vend, kryesisht politikanë, që kanë kërkuar thellimin e hetimeve në shumë bashki, nga ku është deformuar dukshëm vullneti i zgjedhësve.

Një hap të tillë e ka hedhur edhe ish-deputeti i PS, Eduart Ndocaj, i cili përmes një videokomunikimi njofton se ka bërë një kallëzim penal në prokurorinë e rrethit gjyqësor të Lezhës, për manipulimin e dukshëm që është kryer nga Pjerin Ndreu dhe shpura e tij, në tjetërsimin e votave të 30 qershorit.

Ndocaj, nënvizon, se sapo të dalë në dritë e vërteta e dosjes 769, (vjedhja e votave në bashkinë e Lezhës), atëherë qytetarët lezhianë do kuptojnë arsyen e emërimit të policit Pjerin Ndreu në krye të kësaj bashkie, që lidhet tërërsisht me interesa okulte, të një grupi kriminal që synon grabitjen e vijes bregdetare dhe gllabërimin e pronës publike.

“Opozita 100% dakord për hapjen e listave”/ PD i përgjigjet kryeministrit: Heqja e koalicioneve hall i Ramës dhe i krimit

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i është përgjigjur në Twitter, kryeministrit Rama në lidhje me hapjen e listave dhe ndryshimet kushtetuese.

“Heqja e koalicioneve parazgjedhore, pragu kombëtar për partitë e vogla dhe ndryshimi i zonave zgjedhore, nuk janë risi, por halli personal i ER me zgjedhjet e ardhshme dhe halli i krimit të organizuar me Qeverinë e ardhshme.

Këtë nuk ta zgjidh dot PD dhe Opozita e Bashkuar, sepse ne koalicionin e kemi me qytetarët dhe atë jemi të vendosur ta ruajmë dhe ti shërbejmë vetëm interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Aktet e njëanshme të koalicionit të krimit të organizuar marrin peng Shqipërinë dhe minojnë zgjedhjet dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Opozita e Bashkuar është 100 % dakord, për hapjen 100 % të listave të kandidatëve. Për këtë jemi të gatshëm të punojmë në një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur, pa ndërprerje dhe pa asnjë vonesë”, shprehet Bardhi.