40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Bylykbashi: PS refuzoi sërish propozimin e kompromisit, lista 100% të hapura, jo prekje koalicionesh!

Përfaqësuesi i PD, Oerd Bylybashi pak pas mbarimit të mbledhjes së Këshillit Politik deklaroi se opozita nuk ka ndryshuar qëndrimet e saj, ndërsa theksoi se kusht për vijimin e diskutimit janë listat e hapura 100%, duke ruajtur këtë model të koalicioneve parazgjedhore.

Sipas tij, PS ka si qëllim të miratojë ndryshime kushtetuese që prishin marrëveshjen e 5 qershorit.

‘Në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik kërkuam përsëri nga maxhoranca që të shprehet në parim, nëse është dakord që të ecet me propozimin që të hapen 100% listat e kandidatëve, duke ruajtur të paprekur koalicionet zgjedhore siç janë sot dhe formulën e shpërndarjes së mandatave. Përsëri u ndeshëm me refuzimin e Partisë Socialiste, refuzim për të pranuar këtë propozim kompromisi të Opozitës së Bashkuar.

Partia Socialiste nuk ka ndryshuar asnjë centimetër pozicionin e saj, të veprimit të njëanshëm dhe ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës. E bëmë të qartë siç e kemi bërë të qartë më përpara që janë veprime që do të prishin Marrëveshjen e 5 Qershorit.

Ne propozuam që të hiqet dorë nga ndryshime të njëanshme, të hartohet një amendament i përbashkët në lidhje me hapjen e listave dhe pa prekur asgjë tjetër në Kushtetutë dhe këtë ta bëjmë me ekspertizën ndërkombëtare.

Për të garantuar që procesi do të mbetet i paprekur dhe përtej lojrave diabolike të Edi Ramës dhe të maxhorancës, ndryshimet kushtetuese dhe ato ligjore në këtë Kod Zgjedhor të jenë bashkë dhe t’i çohen parlamentit në mënyrë që të jetë çdo gjë e qartë.

Kemi një model që është tashmë prej 17 vitesh i konsoliduar, marrë nga Italia dhe i përdorur dhe nga shtete të tjera, është miratuar në vitin 2003, nuk ka prodhuar asnjë lloj krize dhe problemi në zgjedhje modeli i koalicioneve që përdor Shqipëria.  

Nuk ka asnjë rekomandim të OSBE-ODHIR apo të Komisionit të Venecias për ndonjë problematikë dhe që duhet ndryshuar kjo. Është vetëm një lojë e Edi Ramës për të ndryshuar rregullat para zgjedhjeve për t’i hequr mundësinë shqiptarëve që përveçse të përcaktojnë se kush është fuqia me vota e çdo kandidati, gjithashtu të përcaktojnë në mënyrë transparente me votën e tyre, kush është fuqia elektorale e çdo partie.

Edi Rama përpiqet të bëjë këtë lloj konfuzioni për të arritur qëllimet e tij nga frika që ka përballë koalicionit të opozitës së bashkuar.

E përsërisim, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë diskutimin me transparencë dhe konsensus për të bërë së bashku amendime që do të hapin listat e kandidatëve 100% pa prekur asgjë tjetër që ndryshon rregullat themelore të procesit zgjedhor’, tha Oerd Bylykbashi për mediat.

PD nxjerr videon: Drejtësi dhe ndëshkim duke filluar nga koka dhe jo nga bishti!

Partia Demokratike reagoi pas disa arrestimeve në kuadër të hetimeve për manipulimin zgjedhor nga dosja 339.

Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi shkruan se, duhet drejtësi duke filluar nga koka dhe jo nga bishti.

“Dosja 339 është krimi shtetëror, në të cilin Edi Rama vodhi dhe bleu zgjedhjet e vitit 2017 me krimin e organizuar. Dosja 339 është Vangjush Dako, është banda e Avdylajve, janë trafikantët ndërkombëtarë të drogës, është Edi Rama, që ata zgjodhën me blerje votash dhe me kërcënime.
 
Për këtë krim, që vazhdon të mbajë peng vendin, akoma nuk është bërë drejtësi. Vangjush Dako, i shpallur non grata nga SHBA, vazhdon të jetë i lirë, nën mbrojtjen e Edi Ramës. Të tjerë njerëz të afërt të Edi Ramës vazhdojnë të mos hetohen për lidhjet me trafikantët e drogës që blenë zgjedhjet për Edi Ramën në Durrës, Kavajë, Shijak, Lezhë etj.
 
SPAK duhet të veprojë në mënyrë të plotë dhe të mos fshihet pas gishtit. Manipulimi i zgjedhjeve të 2017 kërkon drejtësi dhe ndëshkim, duke filluar nga koka dhe jo nga bishti.
 
Blerja e votave, bashkëpunimi me krimin e organizuar në zgjedhje, kërcënimi i votuesve dhe komisionerëve, presioni ndaj administratës publike, janë krime që presin drejtësi. 
 
Kur do të urdhërohet arrestimi për këto fakte flagrante, që i ka dëgjuar e gjithë bota dhe që presin drejtësi prej 3 vitesh?”, shkruan Bardhi.

Harbutëria e kësaj qeverie duhet thyer një ditë e parë

PhD. Ilir PECNIKAJ 

Të dashur miq,
Sot pas gati 5 muajsh, nën presionin e Covid-19, ndihem me të vërtetë pa asnjë shpresë se kjo qeveri mund të ndihmojë popullin të dalë nga kjo situatë ku jemi mbërthyer.
Me të vërtetë kemi bilance lufte nga coronavirus.

Hera e dytë, thuajse radhazi, që ndërrojnë jetë 6 persona në ditë, ku pjesa më e madhe e tyre janë nën moshën 60 vjeç (nga 38-58 vjeç).

NË RADHË TË PARË DUA TU SHPREH NGUSHËLLIMET MË TË SINQERTA TË GJITHA FAMILJEVE QE KANË HUMBUR TË DASHURIT E TYRE.

Do të doja jashtë mase të respektoja në heshtje largimin e çdonjërit prej tyre nga kjo jetë, por përpara një harbutërie që kjo qeveri në përgjethësi, dhe çdonjëri prej tyre në veçanti, po tregon me këtë popull, nuk më lë pa ngritur zërin kundrejt veprimeve dhe mos veprimeve të jashtëligjshme që po ndërmarrin ndaj këtij populli.

Po ju sjell në vëmendje një fakt që u bë publik.

U tha se një oficer i gardës ishte njëri nga 6 personat që ndërroi jetë. https://gazetamapo.al/nuk-fitoi-betejen-kunder-koronavirus…/

Ajo që bie në sy është se oficeri i mësipërm, ishte shoqërues i znj. Spiropali, ministres së propogandës në qeverinë Rama.

Po shkëpus një frazë nga mesazhi i saj për të ndjerin:
“…12 orë në ditë, për 1 vit e gjysmë, më shoqërove kudo, i duruar, i vëmendshëm, i kujdesshëm. Çdo ditë sillje maskat, ujin, i vendosje tek dera e makinës, më tërhiqje vërejtje se pija pak. E thoshe me krenari që s’kishe pirë kurrë një aspirinë…”,
dhe sipas një gazete shumë afër qeverisë thuhet “…prej disa ditësh i intubuar…” https://shqiptarja.com/…/covidi-i-merr-jeten-gardistit-2-di…

Nga të gjitha protokollet që janë miratuar deri më sot, ai që ka qënë përherë i pandryshueshëm, ka qënë: “KARANTINIMI I PERSONAVE TË KONTAKTIT, QË KANË QENË MBI 15 MINUTA NË NJË DISTANCË MË TË VOGËL SE 2 METRA NË AMBIENTE TË MBYLLURA, PËR NJË PERIUDHË JO MË PAK SE 14 DITORE”.

Kjo zonjë nuk ka qënë vetëm 15 minuta, por rreth 12 orë në ditë prej sa kohësh me të ndierin, siç ajo vetë deklaron. Minimumi që duhej të bënte, kjo zonjë duhej të karantinohej nga momenti i shfaqjes së simptomave nga shoferi i saj.

Por fodulleku që e karakterizon këtë qeveri, nuk i lë ata që të respektojnë asnjë protokoll, dhe bëjnë të pamundurën që ti shkelin ato.

Kjo zonjë nuk ka humbur asnjë herë rastin për t’u shfaqur në publik dhe në parlament, për të mos u mjaftuar me kaq, pa asnjë masë apo mjet mbrojtës, jashtë dhe në shkelje flagrante të ligjit të ndryshuar me forcë dhe propogandë prej tyre, në mes të pandemisë. (Me datë 23/07/2020 në parlament https://shqiptarja.com/…/deputeti-opozitar-te-krijohet-mini….)

Më e pakta që duhet të bëjë kjo grua, duhet të japë dorëheqje.

Prokuroria, nëse akoma ekziston, duhet me patjetër ta ndjekë penalisht atë, “për përhapje me vetëdije të pandemisë (Neni 89/b i Kodit Penal Përhapja e sëmundjeve infektive, ose Neni 242/1 i Kodit Penal Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë).

TURPI E MBULOFTË CILINDO QË PËR PROTAGONDIZËM POLITIK VË NË RREZIK JETËN E KUJTDO.

Nuk ka gjë që mund ta zëvëndësojë një jetë të humbur, dhe kur në humbjen e këtyre jetëve pjesën më të madhe të fajit e ka qeveria, dhimbja bëhet edhe më e madhe.
Jam i bindur se kjo qeveri është fajtorja më e madhe e kësaj gjendje që po kalojmë sot.
ÇFARË PO NDODHIN KËTO DITË, ME PLOT GOJË MUND TË QUHET “VRASJE ME PARAMENDIM”. E KEMI THËNË DERI TANI, DHE NUK DO TË PUSHOJMË ASNJË HERË SË THËNI SE VENDIMET E KËSAJ QEVERIE, SI PASOJË E REKOMANDIMEVE TË KOMITETIT TEKNIK, JANË SHKAKTARËT MË TË MËDHNJË PËR RRITJEN E NUMRIT TË VDEKJEVE.

Numri shumë i ultë i tamponeve, ku për çdo tampon pozitiv bëhen jo më shumë se 2.2-3 tampone (perllogaritje tashmë e njohur), por më e keqja qëndron se këto tampone jo vetëm që merren me shumë vonesë (minimum 3-5 ditë nga thirrja e 127-tës), por dhe përgjigjia jepet me po aq vonesë, ditë të cilat janë shumë të vonuara në ndihmën që duhej ti jepej pacientit, po të ishin edhe orë ato jo më ditë.

Gjitha këto fakte të këtyre muajve, veç e veç janë ulëritëse, por të marra së bashku bindin cilindo, se kjo qeveri me Komitetin saj Teknik, nuk kanë as më të voglen dëshirë për të marrë nën menaxhim situatën, apo të kenë ndonjë program (protokolle hiç, ose veç në letër) për të nxjerrë këtë popull nga situata COVID-19. Ky popull jo vetëm është lënë në mëshirën e fatit, dhe sikur të mos mjaftonte kjo qeveri ka shtuar mbi të gjithë harbutërinë e saj, për ta bërë sa më të mjegullt dhe më shkatërruese këtë situatë çorientuese ku jemi.

 

Xavi, mesazh të qartë për Setien dhe Barcelonën

Xavi Hernández nuk fshihet. Ai ka një ëndërr, të bëhet trajner i Barcelonës. Se kur do të ndodhë kjo, nuk është në gjendje ta thotë për momentin, teksa vazhdon të “farkëtohet” në këtë rol në stolin e Al Sadd, në Katar. Në një intervistë për “Marca”, ish-ylli i skuadrës katalanse dhe i “La Roja” tregon edhe filozofinë e tij të futbollit.

Si lojtar, ju përfaqësonit një stil shumë të veçantë. Si trajner, në varësi të lojtarëve, a është dashur të hiqni dorë nga bindjet tuaja?

Jam shumë i qartë për idetë e mia, për sistemin tim të lojës. Unë besoj në posedimin e topit sa më shumë të jetë e mundur, te presioni lart, duke luajtur në fushën e kundërshtarit, duke sulmuar. Ky është futbolli që kam përjetuar te Barça dhe Spanja: dominim me topin, duke krijuar shanse. E kuptoj futbollin kështu dhe besoj se do të fitoj në këtë mënyrë. Me këtë mënyrë loje je më afër fitores.

A mendoni, pra, se futbolli cilësor është i mundur pa lojtarë me cilësi maksimale?

Jam plotësisht i bindur që, pavarësisht se ku jeni dhe cilët lojtarë keni, është e mundur që ta përcillni këtë ide të lojës. Mjafton t’i bindni lojtarët se do të jenë më mirë dhe do të fitojnë më lehtë kështu. Natyrisht, Al Sadd nuk është Barça, por ne u përpoqëm të luanim nga pas, me një nivel të mirë teknik. Lojtarët janë të bindur se fitojnë kështu.

A e imagjinoni veten në Katar për një afat të shkurtër apo mund të ketë ndonjë surprizë, nëse thirreni përsëri nga Barcelona?

Nuk fshihem, gjithmonë e kam thënë se qëllimi im kryesor, kur të ndodhë, është drejtimi i Barçës. Ajo është shtëpia ime, mbetet ëndërr të bëhem trajner i saj. Por, tani për tani jam i përqendruar tek Al Sadd, mezi pres sezonin e ri. Kur Barça duhet të vijë si mundësi, në një afat të shkurtër apo të gjatë, do të ndodhë. Mbi të gjitha, Quique Setién duhet të respektohet. I uroj ekipit gjithçka të mirë.

Setién premtoi futboll të mirë pas mbërritjes. A mendoni se po ia del mbanë?

Ndonjëherë Barça luan shumë mirë; të tjerët, mirë ose jo aq mirë. Por, mua më pëlqen ideja e Setién, e tanishmja dhe me ekipet e tij të mëparshme: të dominojë dhe të bëjë një lojë tërheqëse. Ndonjëherë nuk është e mundur, është e vërtetë, pasi rivalët jua bëjnë të vështirë. Kemi parë ndeshje shumë të këndshme dhe shumë të mira për Barçën me Setién. Pa asnjë dyshim.

A i shihni logjike ankesat ndaj arbitrimit, që erdhën nga Barcelona në La Liga-n e fundit?

Nuk më pëlqen të mendoj shumë për punën e gjyqtarëve. Puna e tyre tashmë është shumë e vështirë. Problemet me VAR duhen analizuar. Gjithmonë do të ketë polemika. /Telesport/

Rama kundër dialogut, gjithëpërfshirjes dhe konsensusit

Nga Xhemal GJUNKSHI

Opozita e Bashkuar është e vendosur të garantojë votën e lirë të qytetarëve dhe kundërshton prerazi ndryshimet e njëanshme që qeveria e zullumit kërkon t’i bëhen Kushtetutës, pasoja të cilat minojnë haptazi zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe rrënjosin shpresën e shqiptarëve për ndryshim.

Propozimet që kërkohen t’i bëhen Kushtetutës shkelin Marrëveshjen e arritur në 5 qershor, si dhe marrëveshjen politike të 14 janarit, marrëveshje të cilat u dakordësuan me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, ndërsa Partia Socialiste vazhdon të reagojë se ndryshimet në ligjin më të lartë në Republikën e Shqipërisë janë “fakt i kryer”, duke shkelur në këtë mënyrë dialogun politik ndërmjet palëve.

Opozita e Bashkuar i ka mëshuar propozimit që të kalohet në një mekanizëm me lista të plota 100 % të hapura me kusht që forma e koalicioneve parazgjedhore dhe shpërndarja e mandateve të mos preken, ndërsa Partia Socialiste insiston që hapja e listave të jetë vetëm për 2/3 dhe jo 100 % e listës të jetë detyrimisht e hapur, si dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore të garantuara në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, duke kërkuar në këtë mënyrë që vetëm disa muaj përpara zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në vend të ndryshohet përllogaritja e mandateve.

Ky akt i njëanshëm është në kundërshtim me Rekomandimet e dhëna nga OSBE-ODIHR dhe Komisioni i Venecias, si dhe zhbën ligjin e miratuar më 23 korrik nga Kuvendi në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit.

Ky akt i njëanshëm shkel në mënyrë flagrante konsensusin që është arritur për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, të cilët të zhytur në mjerim presin me padurim të ndryshojë e ardhmja e tyre.

Opozita e Bashkuar, takim me Ambasadorët e SHBA-BE: Ruajtja e Marrëveshjes së 5 Qershorit, kyç për stabilitetin e vendit

Deklarata e Opozitës së Bashkuar

Opozita e Bashkuar, me kërkesë të saj, zhvilloi sot një takim me Ambasadorët e SHBA dhe BE për t’i informuar mbi qëndrimin e saj lidhur me Reformën Zgjedhore dhe veprimet e njëanshme që ka ndërmarrë Kryeministri Rama për prishjen e konsensusit të arritur me Marrëveshjen e 5 Qershorit, për të cilën të dy Ambasadorët kanë qenë garant.

Duke i falenderuar Ambasadorët për rolin e tyre gjatë punës 6 mujore, të përbashkët të palëve në Këshillin Politik, Opozita e Bashkuar bëri të qartë se ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës ndryshon elementët bazë të sistemit zgjedhor, bie ndesh me Marrëveshjen e 14 Janarit, minon Marrëveshjen e 5 Qershorit, është në kundërshtim me Rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias, si dhe zhbën ligjin e miratuar më 23 Korrik nga Kuvendi në përputhje me marrëveshjen e 5 Qershorit.

Opozita e Bashkuar theksoi se logjika e “faktit të kryer” që përdor Kryeministri Rama është një përpjekje e vazhdueshme për të minuar dialogun politik mes palëve dhe cënon besimin tek partnerët ndërkombëtarë, të cilët, në mënyrë të përsëritur, po bëjnë thirrje për dialog, duke theksuar se gjithëpërfshirja është standard botërisht i pranuar për realizimin e Refomës Zgjedhore.

Opozita e Bashkuar garantoi se nuk do të bjerë pre e këtij provokimi, duke vazhduar të jetë e angazhuar për dialog dhe për të ruajtur arritjen e konsensusit dhe Marrëveshjes së 5 Qershorit, që është kyç për stabilitetin, demokracinë dhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë në BE.

Ministria jonë e Shëndetësisë dhe komiteti ynë i ekspertëve “shpiku” heronjtë e Covid-it

Nga Erion DASHO

COVID-19: “HERONJTË” PËRBALLË SISTEMEVE

Deri tani janë shfaqur dy modele për menaxhimin e krizës së COVID-19: modeli i heronjve dhe modeli i sistemeve shëndetësore.

Modeli i heronjve është materializuar në dy forma – politikanë dhe klinicistë. Qëllimi është të bindet popullata se janë duke u bërë të gjithë përpjekjet për shpëtimin e jetës së tyre dhe ka në bazë frikësimin e popullatës. Në Shqipëri, këtë model e pamë në periudhën e parë të epidemisë kur popullatës i flitej nga politikanët 24×7 për armikun, bombat, kamikazët, etj.

Në formën e tyre “klinike”, heronjtë janë modele të krijuar dhe përdorur mediatikisht që me veshjen dhe pamjet e tyre të lodhur bëjnë thirrje sërish të kemi kujdes nga “hataja” që po na kanoset. Shpesh, baza e thirjeve të tyre mbetet sërish rreziku dhe frikësimi.

MODELI I HERONJVE ËSHTË KARAKTERISTIK PËR VENDET E VARFËRA QË “NUK KANË KËLLQE” TË PËRBALLEN ME VIRUSIN NËPËRMJET PËRAFRIMEVE PROFESIONALE TË CILAT SOT BAZOHEN TEK INFORMACIONI I PËRDITËSUAR, TË DHËNAT SHKENCORE DHE PËRVOJA MJEKSORE BASHKËKOHORE.

Modeli i dytë i përballjes me epideminë bazohet tek sistemet shëndetësore. Në fakt, çelësi i suksesit për përballimin e epidemisë së COVID-19 është pikërisht përafrimi i integruar – d.m.th. ai përafrim ku nuk mendohet se individë apo masa të veçanta mund të bëjnë çudinë, por hartohet një përgjigje shumë-planëshe ku të gjithë nivelet e sistemit shëndetësor dhe më gjerë përgjigjen në mënyrë të koordinuar dhe harmonike.

KY ËSHTË SHEMBULLI QË KANË DHËNË DHE VAZHDOJNË TË JAPIN VENDET E SUKSESSHME!

Në këto vende edhe kur nis një “valë e dytë”, ajo kapet menjëherë (sepse sigurisht një sistem i ndjeshëm i survejancës” është pjesë e përafrimit të integruar), analizohet (sepse përdoren metoda inteligjente) dhe menjëherë merren masa për t’a adresuar bazuar mbi përvojat e mira (sepse bazohen tek evidenca). Këtë pamje po e shohim në pjesën më të madhe të vendeve që kur konstatohen tregues alarmi të caktuar, reagojnë me masa proporcionale për të mos e lejuar epideminë të përkeqësohet.

Baza e gjithçkaje janë tre nivelet klasike të parandalimit që njeh shkenca mjeksore dhe ajo e shëndetit publik:

Niveli i parë: në mungesë të një mase të parandalimit specifik (vaksina), bazohet tek masat klasike të shëndetit publik (distancimi dhe maskat), por edhe tek ato moderne si aplikacionet, platformat big data, algoritmet e inteligjencës artificiale, etj. Përgjithësisht, ndërhyrjet e efektshme në këtë nivel bazohen tek pesë parimet e Kartës së Otavës.

Niveli i dytë: diagnoza dhe trajtimi i hershëm sipas trinomit Testo-Gjurmo-Trajto. Synimi kryesor është që trajtimi të ofrohet në kushtet e shtëpisë dhe vetëm rastet e komplikuara të transferohen në spital. Trajtimi në shtëpi bazohet në protokolle të cilët rifreskohen vazhdimisht dhe për zbatimin e të cilave trajnohen, ri-trajnohen dhe mbështeten mjekët e familjes nga kolegët e tyre specialistë. Në rast se pacienti manifeston një kuadër të caktuar klinik (treguesi kryesor objektiv është niveli i oksigjenit në gjak apo një kuadër i caktuar radiologjik, tregues që sigurisht duhen parë në kontekstin e plotë klinik objektiv dhe subjektiv), kalohet tek trajtimi i hershëm në spital për të përmirësuar oksigjenimin, disiplinuar terapinë dhe, pse jo, edhe izoluar pacientin që besohet se kur ka klinikë të rënduar, është më infektues për mjedisin familjar. Ky trajtim mund të ofrohet fare mirë në kushtet e një spitali rajonal.

Niveli i tretë: trajtimi i hershëm dhe agresiv i komplikacioneve për të bërë të mundur që dëmet në mushkëri dhe ato sistemike nuk përparojnë për të krijuar situata ku rrezikohet jeta e pacientit. Këtu nevojitet “artileria e rëndë” – spitalet terciare, strukturat e specializuara të kujdesit intensiv, intubimi, etj.

NË NJË SISTEM PACIENTI NUK KALON NGA SHTËPIA NË SPITALIN TERCIAR!!!

Vetëm ministria jonë e shëndetësisë dhe komiteti ynë i ekspertëve “shpiku” heronjtë e COVID-it të cilët janë të vetmit që mund të përballen me “amikun e padukshëm” duke harruar se në shëndetësi ka dhjetëra vjet që modeli i heronjve i ka vendin modelit të sistemeve dhe ekipeve!

PËRBALLË COVID-19, MODELI I HERONJVE ËSHTË I DESTINUAR TË DËSHTOJË!

Vetëm duke zbatuar një përafrim të integruar ndaj COVID-19, epidemia do të vendoset nën kontroll, tendencat e epidemiologjike do t’i shohim në rënie dhe, mbi të gjitha, numrat e pacientëve në gjendje të rëndë dhe të atyre që humbasin jetën, do të minimizohen.

PËRNDRYSHE NA PRET NJË SFIDË E GJATË DHE E DHIMBSHME NGA COVID-19!

Buffon: M’i vodhën dy tituj të Serisë A, por e arrita qëllimin

Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, ka thënë se është i lumtur që i ka arritur qëllimet e veta, përkundër që sezoni 2019/20 rezultoi të ketë qenë i vështirë për të.

Portieri veteran italian u kthye në skuadrën e Juventusit pas një sezoni me Paris Saint-Germaminin. Kthimin e tij e shënoi duke thyer rekord për më së shumti paraqitje në Serie A, ndërsa e festoi edhe titullin e dhjetë me “Zonjën e Vjetër”.

“Jam i lumtur. Ishte shumë e rëndësishme për mua të vija këtu, përndryshe do të më kishte mbetur diçka e papërfunduar”, ka thënë Buffon, në intervistën e dhënë për Il Corriere dello Sport.

“Unë e kisha synim t’i arrijë dhjetë tituj të Serisë A, pasi dy më ishin vjedhur”.

“E arrita këtë qëllim, madje edhe rekordi për paraqitje më kënaq. Por, nuk ka qenë aspak një sezoni lehtë. Unë jam përshtatur gjithmonë, jam altruist për nga natyra”.

“Por, më është dashur të përballem me atë që e përfaqësoja dhe që mendoj se e përfaqësoj ende”.

Buffon ka qenë portieri i dytë i Juventusit, pas Ëojciech Szczesnyt, që nga kthimi i tij në Allianz Stadium.

“Unë e kam testuar veten, Jam shumë krenar me veten sepse e kam kaluar këtë test. Unë gjithmonë e kam urryer arrogancën dhe kjo ka qenë një mënyrë për ta testuar veten, për të thënë që s’jam arrogant”.

Klopp: I telefonova Ferguson në orën 3:30 të mëngjesit

Legjenda e Manchester Unitedit, Sir Alex Feguson, ka thënë se e ka falur trajnerin e Liverpoolit, Jurgen Kloppin, për telefonatën e tij në orën 3:30 të mëngjesit, pas triumfit të Liverpoolit në garën për titullin e Premierligës.

Pasi ia fitoi Liverpoolit titullin e parë si kampion i Anglisë në 30 vjet, Jurgen Klopp u shpërblye me çmimin Sir Alex Ferguson nga Asociacioni i Trajnerëve të Ligës si trajneri më i mirë i sezonit 2019/20.

Ferguson, që e kishte fituar këtë çmim pesë herë gjatë karrierës së tij, e uroi Kloppin për triumfin e tij, përderisa e zbuloi edhe një telefonatë në orët e hershme të mëngjesit, pasi Liverpooli ishte shpallur kampion muajin e kaluar.

“Jurgen, fantastik! Ne flasim se si Leeds i ka kaluar 16 vjet në Championship, por Liverpooli, 30 vjet që nga triumfi i fundit në ligë… e mrekullueshme”, tha ish-trajneri i Manchester Unitedit.

“Ti e meriton plotësisht, mirëpo niveli i paraqitjeve të skuadrës tënde ka qenë i jashtëzakonshëm. Personaliteti yt e ka kapluar të gjithë klubin, ishte një sezon i mrekullueshëm”.

“Do të të fal që më zgjove në orën 3:30 të mëngjesit për të më treguar që e keni fituar ligën! Faleminderit, por gjithsesi, e merituat. Ju lumtë”.

Liverpooli e mbylli sezonin 2019/20 me 99 pikë të grumbulluara, 18 më shumë sesa rivali më i afërt, Manchester Cityt.

Italia, paketë të re për turizmin, bonus për konsumatorët dhe restorantet, mbështetje për bujqësinë

Italia po përgatit një paketë të re për të mbështetur ekonominë, e cila do të jetë e fokusuar tek turizmi dhe nxitja e konsumit.

Zëvendës ministrja e ekonomisë italiane, Laura Castelli, foli për një paketë të re të masave për bare dhe restorante, duke filluar nga zgjatja e përjashtimit për të mbajtur tavolinat tek një fond garancie për qiratë e aktiviteteve që janë akoma në krizë deri në prezantimin e një “stimulimi të konsumatorit”. Ndërkohë që parashikohet të zgjatet bonusi prej 600 eurosh për punëtorët sezonalë të turizmit.

Qeveria italiane ka rritur deficitin me 25 miliardë euro, çka do i mundësojë të mbështesë sektorët që u goditën më shumë nga mbyllja e ekonomisë.

Sektori i turizmit pritet të përfitojë më shumë nga dekreti i gushtit.

Masat nuk janë përcaktuar ende, por ditët e fundit është folur për qëllimin e ekzekutivit për të riaktivizuar planin “pa para”, i cili duhej të kompensonte shpenzimet me karta dhe ATM që nga fillimi i korrikut në formën e një bonusi, por që u shty për shkak se kishte shpenzime të tjera me emergjente. Tashmë po mendohet të bëhet diçka më shumë, duke u mbështetur mbi këtë plan fillestar, shkruan Il Sole 24ore.

Një tjetër plan që mbështet njëkohësisht bujqësinë dhe turizmin është bërë i ditur nga Ministrja e Politikave Bujqësore, Teresa Bellanova, që ka dhënë idenë e një fondi të posaçëm me vlerë 1 miliardë euro për një bonus prej rreth 5000 eurosh me fonde të pakthyeshme që do injektohen direkt në 180 mijë ndërmarrje publike të hotelierisë për blerjen e produkteve bujqësore ushqimore kombëtare, në mënyrë që të garantohet një injeksion i menjëhershëm i likuiditetit në sistem dhe të inkurajohen pagesa në javët e para të rihapjes dhe të mbështesin blerjen e produkteve italiane.

Ky shpërblim që do të përfshihet në veprimet që do të parashikohen në dekretin tjetër për mbështetjen e sektorëve ekonomikë dhe prodhues.