28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Përgjimet zbulojnë përmasat e frikshme të krimit elektoral, kush janë të arrestuarit

Nga arrestimet që janë bërë mbrëmë në zonën e Shijakut dhe Durrësit, me urdhër të SPAK, janë mësuar përmasat e vërteta të krimit elektoral, në zgjedhjet e vitit 2017.

Në fashikujt e Prokurorisë, mësohet se janë shumë biseda të përgjuara, ku del mekanizmi i manipulimit të votës. Bëhet fjalë për dhjetëra vota në dy qendra votimi në fshat, që janë hedhur në emër të emigrantëve, teksa ata nuk kanë qënë fare në Shqipëri. Perfytyroni sa është marzhi i deformimit, i vjedhjes së votës në gjithë vendin.

Këto raste nuk janë fare sporadike mesa duket. Por janë rastet që kanë përfunduar rastësisht në dorën e hetimit, duke qënë se procesi ka nisur për drogën e Hasit, dhe rrugës kanë dalë shumë krime të tjera. Përfshirë krimin elektoral.

Nga 22 të arrestuarit, pjesa më e madhe e tyre janë punonjës administrate. Pra janë njerëz të Partisë Socialiste.

Ky rast dëshmon përmasën e frikshme të manipulimit të votës së vitit 2017, ku Edi Rama kërkoi me ngul timonin.

Sa më shumë e dëshironte ai timonin, sa më shumë vota kërkonte, aq më shumë krime elektorale ndodhnin në terren.

Eshtë kjo mesa duket arsyeja, pse Opozita insistoi në identifikimin biometrik të votuesit. Identifikimi biometrik, do të ndalonte votimin në emër të atyre që nuk janë prezent fizikisht në Shqipëri.

Zbulimet e prokurorisë tregojnë se në bashkëpunim, të ndaluarit siguronin të dhënat, pra numrat e idenifikimit të emigrantëve, dhe dërgonin njerëz të bindur, militantë që votonin në emër të tyre.

Kjo lëvizje e SPAK është për t’u vlerësuar. Po do të ishte drejtësi gjysmake, nëse nuk do të mbanin përgjegjësi, frymëzuesit e krimit masiv elektoral, udhëruesit, bosët e vërtetë, ata që kanë shkaktuar tërmetet zgjedhore.

Eshtë kjo edhe kërkesa e Bashkimit Europian, dhe një kusht tashmë për integrimin./Mapo

Qendra e votimit Shetel

Komisionerë që lejuan votime për personat që ishin jashtë shtetit:
Shpëtim Stafa
Elidon Stafa
Ramiz Tuda
Fredi Marku
Dalvis Biba
Emiljan Tuda
Redi Hysa

Qendra e votimit Rubjek

Komisionerë që lejuan votime për personat që ishin jashtë shtetit:
Bashkim Alushi
Jakup Bregu
Altin Lala
Kasem Lala
Kujtim Uruci
Zyhra Lala
Qemal Domi

Qendra e votimit Rubjek-Shkolla 9-vjeçare

Komisionere që lejuan votime për personat që ishin jashtë shtetit:
Besim Bregu
Indrit Bici
Mehdi Lala
Agim Lala
Oriada Lala
Bujar Sula
Qazim Lala

Ish-deputeti: Dita po vjen, pushtetit që vjen era fëlliqësi po i vjen fundi!

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka reaguar pas publikimit të lajmit se Gjykata Kunder Krimit dhe Korrupsionit, ka prerë 22 urdhër arreste për të pandehur për vjedhjen e votave.

Salianji shkruan në një reagim në faqene e tij sociale se, SPAK sot ka nisur të gërvishtë këtë plagë që opozita e ka denoncuar dhe është përballur prej vitesh.

Arrestimet e sotme te disa komisionereve qe jane marre te pandehur pasi kane lejuar sipas GJKKO persona te tjere te votojne ne emer te votuesve te tjere, per Salianjin “jan? minimaliste por të shpresojmë që janë fillimi për të arritur më pas tek drejtuesit kryesore të Rilindjes që sot drejtojnë shtetin”.

“Së paku arrestet e sotme treguan që në zgjedhjet e vitit 2017 kutitë janë mbushur, është votuar në emër të emigrantëve, janë kërcënuar komisionerë dhe votues, krimi është përfshirë drejtpërdrejt, politikanët e rilindjes i kanë vënë shtetin në dispozicion bandave për të siguruar vota për Ramën”, shkruan Salianji ne nje postim ne Facebook.

Postimi i plotë

Kronikë e një ngjarje të ditur botërisht por të pandëshkuar….

Hetimi pas sinjalizimit nga partnerët ndërkombëtarë për një laborator heroine në Has vendosi në përgjim persona të krimit të organizuar.

Rastësisht në përgjime rezultoi që në disa qarqe Kukës, Lezhë, Shkodër, Durrës, Kavajë… llumi i krimit ishin shtabi elektoral i Partisë së Ramës.

Gjithçka ne si opozitë denonconim për vjedhje votash, kërcënim, intimidim të votuesit, përfshirje të kriminelëve në zgjedhje u faktua plotësisht në dosjen hetimore, njësoj dhe në rastin e “Dosjes së Dibrës” .

Lajm pozitiv që SPAK sot ka nisur të gërvishtë këtë plagë që opozita e ka denoncuar dhe është përballur prej vitesh. Arrestimet e sotme jan? minimaliste por të shpresojmë që janë fillimi për të arritur më pas tek drejtuesit kryesore të Rilindjes që sot drejtojnë shtetin.

Së paku arrestet e sotme treguan që në zgjedhjet e vitit 2017 kutitë janë mbushur, është votuar në emër të emigrantëve, janë kërcënuar komisionerë dhe votues, krimi është përfshirë drejtpërdrejt, politikanët e rilindjes i kanë vënë shtetin në dispozicion bandave për të siguruar vota për Ramën.

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, nëse do kishte reagim pas denoncimeve të shumta të opozitës pushteti ilegjitim i Ramës nuk do të qêndronte deri në fundmandati, nuk do të varfëronte shqiptarët, nuk do i ngarkonte me borxhe për të pasuruar miqtë, nuk do privatizonte Shqipërinë nga mineralet në bregdete, nuk do falimentonin mijëra biznese, nuk do largoheshin qindramijëra qytetarë në emigracion, nuk do kthehej Shqipëria në qëndër operacionale e trafiqeve dhe krimit të organizuar…..

Dita po vjen, pushtetit që vjen era fëlliqësi po i vjen fundi.

Komisioni Europian kundër Ramës për amnistinë fiskale: Rrezik për pastrim parash dhe evazion

Komisioni Europian kundërshton nismën e qeverisë për amnisti fiskale. Përmes një raporti kofidencial, KE rendit argumentat përse nuk duhet miratuar. Komisioni Europian shfaqet kritik ndaj qëllimit dhe frymës së projektligjit.

Nëpërmjet një raporti konfidencial, që zotërohet nga “Panorama”, Komisioni Europian ka rreshtuar një sërë arsyesh duke kundërshtuar kështu nismën e qeverisë në Tiranë.

Kjo nismë u bë fillimisht publike nga Kryeministri Rama në shkurt të këtij viti gjatë konferencës së Partisë Socialiste. Gjatë periudhës së pandemisë duket se humbi përkohësisht fokusi, por kjo temë u rikthye pak kohë pasi qeveria shqiptare shpalli suksesin me marrjen e borxhit të ri përmes EUROBOND-it të majit 2020.

MUNGESA E KONSULTIMIT

Mirëpo në një raport konfidencial, të siguruar nga “Panorama”, në lidhje me projektligjin, Komisioni Europian është tejet kritik ndaj qëllimit dhe frymës së projektligjit. Në raport nënvizohet mes të tjerash se ky projektligj “nuk ka përfituar nga konsultimi i duhur me partnerët relevantë përpara se të dërgohej në Kuvend”. Komisioni sqaron se ky është një projektligj që ka një impakt të madh në jetën e vendit dhe se një urgjencë e tillë nga qeveria është e pakuptueshme.

Në mars të vitit 2020 qeverisë shqiptare iu vendosën 15 kushte për të nisur procesin e integrimit të vendit në BE, një prej këtyre kushteve lidhet me zbatimin e sugjerimeve të organizatës “Moneyval”. Në raportin e tij Komisioni nënvizon se për “Moneyval” është tejet e paqartë se si “do të implementohet Ligji Kundër Pastrimit të Parave në kontekstin e një amnistie të tillë”. Sakaq KE-ja këmbëngul se Shqipëria duhet të sigurojë dhe të veprojë në bazë të akteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe ajo duhet të mos neglizhojë “legjislacionin kundër pastrimit të parave dhe rekomandimet e ‘Moneyval’”. Shqetësimi në rritje për Shqipërinë është kthimi i saj në një qendër të pastrimit të parave.

RREZIKU PËR EVAZION

Projektligji i Amnistisë Fiskale dhe Penale duket se nuk i ka tingëlluar pozitivisht Brukselit, në raport evidentohet gjithashtu se projektligji në fjalë “do të krijonte një ‘oportunitet të madh’ për evazorët fiskalë dhe pastruesit e parave”. Ky koment i referohet nenit 13 të projektligjit, i cili u jep mundësinë përfituesve të Amnistisë Fiskale jashtë Shqipërisë që të mos i kalojnë paratë përmes bankave, por t’i sjellin ato cash. Një tjetër kritikë e ekspertëve të BE-së lidhej me përfshirjen në ligj edhe të personave që nuk kanë nënshtetësinë shqiptare, por kanë biznese në Shqipëri.

Jo vetëm kaq, por edhe gama e gjerë e produkteve që kjo amnisti fiskale dhe penale përfshin, e bën edhe më të rrezikshëm, sipas raportit, këtë amnisti në këtë kohë, dhe të dërguar me shpejtësi në Kuvend. Komisioni gjithashtu kritikon edhe pandëshkueshmërinë penale apo hetimin që do të vijë pas kësaj amnistie.

“Projektligji mundëson një mosndëshkim të padrejtë ndaj atyre që kanë mbajtur pasuri të fshehtë”, lexohet në raportin në fjalë, ndërkohë që efektet pas kësaj amnistie nuk dihen ende. Aq më tepër që sipas KE-së, ky projektligj do të sillte në rast aprovimi shqetësime të mëdha “në lidhje me kompetitivitetin e pandershëm nga ata që kanë mbajtur asetet e tyre jashtë sistemit deri më tani”.

Me sa duket, argumentet e qeverisë nuk kanë bindur plotësisht as Komisionin Europian, i cili ka rekomanduar që qeveria shqiptare dhe Parlamenti duhet të rishikojnë adaptimin e këtij draftligji. Sakaq, Brukseli ka udhëzuar Kuvendin se “nëse ka ndërmend të vazhdojë përpara me adaptimin e një ligji fiskal dhe penal, duhet të adresojë pikat e ngritura në këtë raport”.

SHTYRJA NË SHTATOR

Ligji i Amnistisë Fiskale dhe Penale ka qenë tejet i sulmuar edhe nga opozita shqiptare për arsye të ngjashme. Në dy deklaratat e saj për shtyp, Partia Demokratike ka argumentuar se projektligji në fjalë është një mburojë për të inkriminuarit dhe gjithashtu e kthen vendin në një “Panama” të Europës. PD-ja u zotua se do të anulonte këtë ligj duke aplikuar dhe efekte prapavepruese në procesin e anulimit. Deklaratat e demokratëve u pasuan nga reagimet e qeverisë e cila artikuloi domosdoshmërinë që ka vendi për të vendosur në punë paratë e informalitetit, si dhe paratë e emigrantëve shqiptarë.

Kjo nuk është kritika e parë që vjen nga jashtë vendit nga organizma partnere të Shqipërisë, pasi opinione jopozitive kanë dhënë edhe BERZH, FMN, por edhe grupet vendase të interesit, si bankat apo shoqata të ndryshme. Ndërkohë, mësohet që Parlamenti ka shtyrë për në shtator diskutimin për këtë projektligj. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë në mbledhjen e djeshme gjykoi se do të duhet më shumë kohë për të votuar këtë nismë të rëndësishme ligjore.

DISA GJETJE NË RAPORT

  1. Projektligji nuk është pasuruar nga konsultimet e duhura me të rëndësishme me palët e interesuara para se të dorëzohej në Parlament, pasi projektligji ishte paraqitur në Parlament më 9 korrik. Duke marrë parasysh ndikimin e gjerë të këtij legjislacioni, urgjenca me të cilën u miratua ky projektligj nuk është e justifikuar. Për më tepër, ligjit të propozuar i mungon një vlerësim i nevojshëm i pasurive që do të legjitimohen dhe i të ardhurat që do të gjenerohen nga ky legjitimim.
  2. Shtrirja e kësaj amnistie fiskale dhe penale do të shkonte përtej ndikimit të ngjashëm në legjislacion e zbatuar në vendet e tjera. Ne këshillojmë për një rishikim të fushës së veprimit të ligjit, për të synuar vetëm evazionin fiskal të kryer nga persona me banim të besueshëm (vërtetuar) në Shqipëri, që nuk kanë arritur të deklarojnë pjesërisht ose plotësisht të ardhurat, transaksionet në lidhje me pasuritë e tyre. Është esenciale që projektligji të tregojë specifikisht llojet e taksave dhe periudhën kohore që do të përfshijë amnistia. Një amnisti e tillë tatimore do të ishte shumë e vështirë për t’u zbatuar, sepse përkufizimi i pasurive përfshin elemente të tilla si prona e paluajtshme në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, paratë cash të mbajtura në monedhën vendase ose të huaj, monedhë dixhitale, sende me vlerë prej ari ose gurë të çmuar. Është e vështirë të garantohet se:

1) ato nuk rrjedhin nga aktivitete kriminale ;

2) deklarohen nga pronari i tyre aktual ( përfitues);

3) rezultojnë nga të ardhurat të cilat nuk i përkasin një periudhe tatimore që ose është ende subjekt i deklaratës tatimore, ose subjekt i një kontrolli tashmë të kryer tatimor.

  1. Elementet thelbësore mbeten për t’u përcaktuar në lidhje me funksionimin e Njësisë Speciale, përfshirë mekanizmat e bashkëpunimit dhe koordinimit me agjencitë ligjzbatuese dhe bankat. Rikthimi i pasurive (neni 13) duhet të bëhet përmes transferimeve bankare ndërkombëtare në vend se të nënkuptohet që paratë cash mund të zhvendosen fizikisht.

Nëse fitimet janë jashtë vendit, transferta e tyre në një vlerë të caktuar duhet të deklarohet në zyrën doganore në kufi. Ka një rrezik që projektligji të krijojë hapësira për evazion fiskal dhe pastrimin e parave që vijnë nga jashtë. Neni 16/2, i cili përcakton se “çdo paqartësi në zbatimin e këtij ligji do të interpretohet në favor të subjektit”, është shumë i gjerë dhe lë hapësira për pasoja të shumta. Ndërsa parimi i prezumimit të pafajësisë ndaj të pandehurit është një parim themelor i sundimit të ligjit. Në këtë rast rrezikon përjashtimin nga ndjekja panele e subjektit në posedim të pasurive të jashtëligjshme.

  1. Nuk jepet asnjë garanci që pas amnistisë fiskale, të ashtuquajturit “Viti Zero”, sistemi do të sigurojë zbatimin e duhur të legjislacionit fiskal në mënyrë që praktikat e evazionit fiskal të ndalojnë. Shqipëria, së pari, duhet të ndërtojë një administratë tatimore profesionale, e cila do të bllokonte mundësinë për pastrim parash dhe korrupsion.
  2. Qeveria dhe Parlamenti duhet të rishqyrtojnë miratimin e këtij projektligji. Nëse Parlamenti synon të ecë përpara me miratimin e ligjit fiskal dhe penal të amnistisë, çështjet e trajtuara në këtë punim duhet të adresohen siç duhet.

Covid-19 hyn në Parlament, infektorhet Ralf Gjoni, deri dje ishte në seancë

Covid-19 ka hyrë edhe në Parlament.  Ralf Gjoni ka rezultuar pozitiv me Covid 19, ndërkohë që deri dje ka qenë në seancë në Kuvend. Lajmin e ka dhënë vetë Gjoni, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehet se ka pasur simptoma të lehta të sëmundjes, të ngjashme me një gjendje gripale.

Gjoni shprehet se dy javët e ardhshme do të jetë i detyruar ti kalojë i izoluar në banesën e tij, dhe nuk do marrë dot pjesë në javën vendimtare, ku në Kuvend do diskutohet për hapjen e listave dhe ndryshimeve Kushtetuese.

”Gjatë dy javëve të ardhshme do qëndroj në izolim total në shtëpi për të mbrojtur të tjerët. Me sa duket praninë fizike në javën më kyçe të angazhimit tim parlamentar, atë të hapjes së listave, do ma mohojë një virus i padukshëm”, shkruan mes të tjera Gjoni.

Postimi i Ralf Gjonit: Mirëmëngjes miq,. Dje kam rezultuar pozitiv me Covid 19 pas tre ditësh temperature të lehtë e gjendjeje gripale. Sot jam më mirë dhe me sa kuptoj, drejt rikuperimit. Mirënjohje të thellë për gjithë mjekët e komunitetin mjekësor që po përballet çdo ditë me këtë ‘armik’ të panjohur më parë.

Gjatë dy javëve të ardhshme do qëndroj në izolim total në shtëpi për të mbrojtur të tjerët. Me sa duket praninë fizike në javën më kyçe të angazhimit tim parlamentar, atë të hapjes së listave, do ma mohojë një virus i padukshëm.

Sidoqoftë, mbetem më i pērkushtuar se kurrë në distancë dhe ne kontakt të vazhdueshëm. Kam kuptuar nga bisedat me mjekë e kolegë që gjatë dy javëve të shkuara, virusi është përhapur me shpejtësi të frikshme pa u ndjerë fare.

Kjo përhapje ka ndodhur në ambjente publike, dhe patjetër edhe në institucione shtetërore, përfshirë parlamentin. Njerëzit po tregohen të pakujdesshëm dhe po refuzojnë të kuptojnë se Covid19 do disa ditë që të inkubohet në trup. Në momentin që jep shenjat e para, ju mund të keni qenë i infektuar prej ditësh dhe ndërkohë mund t’ia keni kaluar virusin familjarëve e miqve të afërt.

NDAJ KUJDES MAKSIMAL!

Mos dilni në ambjente publike pa maskë. Lani duart pa pushim. Nëse keni shenjën më të vogël si temperaturë e lehtë, dhimbje koke, gricje fyti, ethe, djersitje natën, dhimbje trupi, kollë, bllokim hundësh, humbje e nuhatjes/shijes apo çdo shenjë tjetër gripale, duhet të karantinoheni e të kërkoni kryerjen e tamponit.

Mos e neglizhoni miq. Disa do e kalojnë lehtë, e disa të tjerë do rrezikojnë jetën. Përgjegjshmëria e secilit prej nesh gjatë 2-3 javëve të ardhshme duhet të jetë në nivelet maksimale.

Dosja 339/ SPAK arreston vetëm komisionerë lokalë dhe qytetarë për vjedhjen e votave

Eshte bërë publike dosja e SPAK për urdhër arrestet në kuadër të dosjes 339, ku përfshihen dhe krime elektorale. Po ashtu mes personave që janë vënë në pranga ka dhe të akuzuar për drogë, dhe për laboratorin e heroinës në Has.

Lidhur me operacionin e laboratorit të heroinës në Has është arrestuar shtetasi Fisnik Sadiku (Smaili), për të cilin është dhënë masa e arrestit me burg.

Sa i takon krímeve elektorale, që i takojnë zgjedhjeve elektorale të 2017-tës janë vënë në pranga komisionerët zgjedhorë të qendrës së votimit 15-08, në Shetel, shtetasit Shpëtim dhe Elidon Stafa, Ramiz Tuda, Fredi Marku, Dalvis Biba, Emiljan Tuda dhe Redi Hysa, pasi kanë lejuar me dashje persona të tjerë, të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të 22 votuesve të tjerë, duke shfrytëzuar faktin se ata ndodheshin jashtë shtetit.

Po ashtu janë dhënë urdhër arrestet për komisionerët në qendrën e votimi 1335-0, qendra e votimit Rubjek Kopshti, shtetasit Bashkim Allushi, Jakup Bregu, Altin Lala, Kasem Lala, Kujtim Urucci, Zyhra Lala, Qemal Domi, pasi kanë lejuar me dashje persona të tjerë që janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar për 7 personatë tjerë që ndodheshin jashtë shtetit.

Komisionetët zgjedhorë të qendrës 13 36, adresa Rubjek, shkolla 9-vjeccare, shtetasit Besim Bregu, Indrit Bici, Mehdi Lala, Agim Lala, Orjada Lala, Bujar Sula, Qazim Lala, pasi kanë lejuar me dashje persona të tjerë, që janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të 23 votuesve që ndodheshin jashtë vendit.

Po ashtu është dhënë Armelind Zeza është personi që ka votuar në emër të personave të tjerë. Për 11 persona është dhënë masa e árrestit me burg, 8 árrest shtëpie, dhe 3 me detyrim paraqitje.

Njoftimi i plotë i SPAK

Në kuadër të hetimeve të kryera për llogari të procedimit penal Nr.29/2019 i Prokurorisë së Posaçme (procedimi penal Nr.339/2016 i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda) është konfirmuar se fakti i ndodhur në datën 18.10.2018, në fshatin Brenogë, Has, ku nga Shërbimet e Policisë gjyqësore rezulton se është sekuestruar sasia e lëndës narkotike prej 182.5 kg, të llojit heroinë, në një laborator që shërbente për prodhimin e lëndës narkotkike.

Nga aktet e administruar rezulton se gjatë ushtrimit të këtij aktiviteti kriminal kanë qenë pjësëmarrës shtetasit shqiptar, të pandehurit Admir Hoxha, Hekuran Hoxha, Xhevit Shuti, Flamur Çelaj,Vehbi Berushi, shtetasit turq Nejdet Cesuroglu, Iskender Sale, dhe shtetasi kosovar Xhemal Shala, të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe persona të tjerë kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Nga aktet rezulton se shtetasit turq dhe kosovar të lartpërmendur ishin personat që siguronin lëndën e parë për prodhimin e heroinës, e cila rezulton të jetë trafikuar nga jashtë shtetit, ndërsa kanë bashkëpunuar më tej me anëtarët e e tjërë të grupit kriminal, të pandehurit Admir Hoxha, Hekuran Hoxha, Flamr Çelaj, Vehbi Berushi, Xhevit Shuti dhe persona të tjerë ndaj të cilëve vazhdojnë hetimet, duke ngritur një laborator për prodhimin e lëndëve narkotike tek banesa e të pandehurit Xhevit Shuti, ku janë gjetur dhe sekuestruar sasi të mëdha prekursorësh për përgatitje të lëndëve narkotike. Të gjithë personat e mësipërm janë dërguar për gjykim.

Nga hetimet e mëtejshme është konfirmuar se shtetasi Fisnik Sadiku (Smaili) rezulton se është pjesëtar i këtij grupi kriminal dhe për këtë fakt është caktuar nga gjykata masë sigurimi “arrest në burg” për veprat penale “ Trafikimi i narkotikëve” , “Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “ Grupi i strukturuar kriminal’’, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, parashikuara nga nenet 283/a/1, 284/c, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal,

Nga aktet e administruara në funksion të hetimit të procedimit penal nr. 29 të vitit 2019 (339 të vitit 2016) është konfirmuar gjithashtu që gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 se:

Komisionerët zgjedhor të Qendrës së Votimit nr.1508 0, adresa e QV: “Shetel”, shtetasit Shpëtim Stafa, Elidon Stafa, Ramiz Tuda, Fredi Marku, Dalvis Biba, Emilian Tuda, Redi Hysa, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë. Është provuar se në këtë qendër votimi është votuar për 22 persona të tjerë, duke shfrytëzuar faktin që ato ndodheshin jashtë shtetit. Në këtë rast komisionerët zgjedhor kanë kryer veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”, parashikuar nga neni 327/a/2 i Kodit Penal;

Komisionerët zgjedhor të “Qendrës së Votimit nr.1335 0, adresa e QV: “Rubjek, Kopshti”, shtetasit Bashkim Allushi, Jakup Bregu, Altin Lala, Kasem Lala, Kujtim Uruçi, Zyhra Lala, Qemal Domi, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë. Është provuar se në këtë qendër votimi është votuar për 7(shtatë) persona të tjerë, duke shfrytëzuar faktin që ato ndodheshin jashtë shtetit. Në këtë rast komisionerët zgjedhor kanë kryer veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”, parashikuar nga neni 327/a/2 i Kodit Penal.

Komisionerët zgjedhor të “Qendrës së Votimit nr.1336 0, adresa e QV: “Rubjek Shkolla 9-vjeçare”, shtetasit Besim Bregu, Indrit Bici, Mehdi Lala, Agim Lala, Oriada Lala, Bujar Sula, Qazim Lala, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë. Është provuar se në këtë qendër votimi është votuar për 23 persona të tjerë, duke shfrytëzuar faktin që ato ndodheshin jashtë shtetit. Në këtë rast komisionerët zgjedhor kanë kryer veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”, parashikuar nga neni 327/a/2 i Kodit Penal.

Ndërsa në këtë episod shtetasi Armelin Zeza ka votuar në emër të personave të tjerë, duke konsumuar veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”, parashikuar nga neni 327/a/2 i Kodit Penal.

Bazuar në provat e administruara nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u caktuan masat e sigurimit personal për 22 shtetas, të cilat janë ekzekutuar nga policia gjyqësore dhe konkretisht “Arrest në burg” për 11 shtetas, “Arrest shtëpi” për 8 shtetas dhe “detyrim paraqitje” për 3 shtetas.

Veliaj infektohet me Covid-19: Jam pozitiv, por…

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka rezultuar pozitiv për koronavirusin. Lajmin e ka konfirmuar vetë kryebashkiaku me anë të një postimi në mediat e tij sociale.

“Miq, pas testit më njoftuan se dola pozitiv nga Covid-19. Jam në gjendje të mirë shëndetësore, ashtu si edhe familja ime.

Por, nga sot do të vazhdoj të punoj me të njëjtin përkushtim për Tiranën nga shtëpia.

Askush prej nesh nuk është imun ndaj këtij virusi, ndaj JU LUTEM   mos harroni të lani duart sa më shpesh dhe mbani maskë për të mbrojtur sa më shumë veten dhe familjarët tuaj!

Lus më të mirën për familjet tuaja! Shëndet e dashuri të gjithëve dhe mirënjohje e thellë mjekëve heronj! Do shihemi sërish!”, shkruan Veliaj.

Pak ditë më parë Kryebashkiaku i Tiranës u shfaq duke takuar disa qytetarë, të moshuar në zyrën e tij, ndërsa ishte pa një maskë mbrojtëse.

Pa publikimit të lajmit se kreu i bashkisë së Tiranës është i infektuar me koronavirus ka reaguar me nje postim në faqen e tij në facebook edhe Presidenti i Republikës.

Postimi i presidentit Meta

Duke i uruar shërim sa më të shpejtë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z.Erion Veliaj dhe shëndet të plotë familjes së tij, apeloj me forcë rëndësinë jetike të respektimit të protokolleve shëndetësore, si dhe rritjes së efikasitetit të masave mbrojtëse përmes ndërgjegjësimit, transparencës dhe gjithëpërfshirjes, për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pandemisë COVID-19.

Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur, fatkeqësisht edhe të numrit të víktimave, shtrojnë si domosdoshmëri një strategji më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme.

U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të zbatojnë udhëzimet e bëra publike për mbajtjen e maskave dhe respektimin e distancave fizike, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik. Gjithashtu, është tepër e nevojshme garantimi i masave mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar, deri edhe me jetën e tyre, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari.

Kompania celulare Telekom Albania ndryshon emrin

Telekom Albania, operatori i dytë më i madh i telefonisë celulare në vend ka ndryshuar emrin e tij tregtar. Sipas depozitimit të bërë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të bërë në datën 27 korrik, emri i subjektit nga “Telekom Albania” bëhet “One Communication”, ndërsa emri tregtar nga “Telekom Albania” bëhet “ONE”.

Ndryshimi i emrit erdhi më shumë se një vit pasi kompania u ble nga shqiptaro-bullgarët e  “Albania Telecom Invest AD”. Deri tani, kompania kishte përdorur markën tregtare “T”, të aksionerit të mëparshëm “Deutsche Telecom”.

Krahas ndryshimit të emrit, kompania ka miratuar pasqyrat financiare dhe ka vendosur që të shpërndajë një dividend në total prej rreth 4 milionë euro, nga të cilat 2.2 milionë euro janë divident për fitimet e vitit 2019 dhe 1.8 milionë euro i përket fitimeve të viteve të kaluar.

Fitimi neto për vitin 2019 është 268.6 milionë lekë (rreth 2.2 milionë euro), ndërsa fitimi gjithëpërfshirës ishte 1.16 miliardë lekë.

Operatori i telefonisë celulare i është rikthyer fitimeve pas disa vitesh me humbje të mëdha. Sipas bilancit të vitit 2018, humbja në 2017-2018 ishte mesatarisht rreth 39-40 milionë euro.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në tremujorin e parë 2020, Telekom Albania kishte 990.6 mijë përdorues aktive, me një rritje prej 4.1% në raport me fundin e 2019-s, duke e renditur atë në operatorin e dytë më të madh në vend, pas Vodafone, me 38% të tregut, sipas numrit të operatorëve aktive.

Të ardhurat e Telekom Albania për vitin 2019 ishin 8.2 miliardë lekë, sipas AKEP, nga gati 8.8 miliardë lekë, që u raportuan në vitin 2018, sipas bilancit zyrtar.

Shitja e aksioneve

Në 2018-n, grupi grek OTE – i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, “Deutsche Telecom” – dhe zotëronte 99.79% të aksioneve të “Telekom Albania”, e nxori atë në shitje. Në janar 2019, u njoftua se blerësi ishte sipërmarrja bullgare “Albania Telecom Invest AD”, për një shumë totale prej 50 milionë eurosh. “Albania Telecom Invest AD” kontrollohet nga z. Spase Roussev, aksioner kryesor i operatorit të telefonisë bullgare “Vivacom”, dhe nga z. Elvin Guri, një investitor shqiptaro-bullgar.

Pak ditë përpara miratimit të kalimit përfundimtar të aksioneve të “Telekom Albania” te bullgaro-shqiptarët e “Albania Telecom Invest AD” (që u finalizua në 7 maj 2019), kompania vendosi, si pjesë e marrëveshjes së blerjes, të shpërndajë 50 miliardë lekë (400 milionë euro) si dividend për aksionerët e “Cosmote Mobile Telecommunication”. Shoqëria kishte një fitim të grumbulluar të pashpërndarë në formën e rezervave, nga viti 2001 deri në vitin 2010. Shuma që iu shpërnda aksionerëve në formën e dividendit është në vlerën e rreth 50 miliardë lekëve.

Nga viti 2001 deri në 2016, “Telekom Albania” (ish-AMC) ka realizuar fitime prej rreth 730 milionë eurosh, sipas të dhënave zyrtare nga bilancet./Monitor

Meta paralajmëron Ramën: Mos ndërhyni në asgjë në Kushtetutë!

Presidenti i vendit, Ilir Meta, që nga dita që kryeministri Rama dhe mazhoranca në bashkëpunim me të ashtuquajturën “opozitë parlamentare” kanë vendosur të ndryshojnë Kushtetutën pa konsensusin e të gjitha palëve, ka qenë mjaft aktiv.

Pasi ditën e djeshme evokoi demonstrimin e madh të 2 Marsit të cilin e mblodhi po në mbrojtje të Kushtetutës, këtë të martë ai sërish ka dhënë një mesazh të qartë, por duke thirrur në ndihmë presidentin legjendar amerikan Abraham Lincoln.

“Mos ndërhyni në asgjë në Kushtetutë. Ajo duhet të ruhet, sepse është e vetmja mbrojtje e lirive tona”, citon Meta një thënie të Abraham Lincoln për Kushtetutën.

“Motër, motër, s’ka më oksigjen!”, deputetja tregon gjendjen e saj pasi u prek nga Covid-19

Këngëtarja e njohur dhe deputetja e PDK, Eliza Hoxha e prekur nga koronavirusi përmes një postimi në rrjetet sociale, ka rrëfyer betejën me COVID-19. Hoxha u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat mbrojtëse, të mos heqin dorë nga mbajtja e maskave, distanca sociale fizike si dhe ruajtja e higjienës personale.

Ajo ka shkruar se si i ka kaluar 10 ditë në spital dhe bën me dije se tani do të vazhdojë terapinë në shtëpi, ndërsa shton: “Sot zyrtarisht jam Covid Free”. Gjithashtu Hoxha ka treguar edhe momente të vështira gjatë qëndrimit në spital, se si një burrë ka humbur jetën apo edhe momentet kur një grua e cila qëndronte së bashku me të në dhomë, kishte vështirësi dhe mungesë oksigjeni.

“Netë të gjata dhe mëngjese të pritura syhapur”, shprehet deputetja e PDK.

Reagimi i plotë: Nata e bënte të veten. Dukej se pas terapisë së mbrëmjes të gjithë rehatoheshin për gjumë. Por teknikët e oksigjenit nuk ndalonin asnjëherë duke sjellë boca të reja… Zhurmë, krisma, tërheqje zvarrë e tyre sepse gjithcka bëhej manualisht…por kishte edhe një rrëmujë tjetër në terracën e dhomave mbrëmë. Dola jashtë…Ora 01:00 e natës. Në dhomën nr. 9 vdíq edhe një burrë. Shqetësim, pasiguri, paqartësi… I shprehë ngushëllimet e mia djemëve të tij dhe kthehem në dhomë.

Tani kishte edhe një grua në dhomën time e cila mezi ngopej me frymë. Ishte 24 orë me oksigjen shtesë. Dikur fjeta.

Si në ëndërr më dukej se dikush thërriste emrin tim…sa e sa herë me rradhë… Në fakt u zgjova dhe gruaja pranë shtratit tim gjëmonte e rënkonte duke thirrur me rënkim emrin tim e duke përsëritur ” më është ndal oksigjeni” . Ora 03:20 e mëngjesit.

Kërceva nga shtrati e trishtuar…Motër …motër…nuk ka më oksigjen…U shqetësua edhe ajo…i thirri teknikët, erdhën dhe e ndërruan bocën…

Ajo u rehabilitua dhe fjeti përsëri…por unë më nuk fjeta…cka nëse nuk e kisha dëgju…cka nëse nuk kishte pas bocë tjetër me oksigjen atë natë…cka, nëse?!…

Më zuri mëngjesi me sy hapun. Natë në dhomën nr.6 – infektive – reparti B. Pas 20 ditesh – 10 në shpi e 10 në spital nga sot zyrtarisht jam Covid Free, por ende me terapi sh’pie në vazhdim. Dua me këtë rast veç nja dy tre fjalë, ndoshta i shërbejnë dikujt…

Virusi duket se ka një paketë simptomash identifikuese, por pasojat e virusit nuk janë të njejta për asnjë person. 2. Stafi i mjekëve e infermierëve nuk kanë ndalu as edhe një herë. Por janë të pamjaftueshëm në numër për të arritur tek të gjithë. Qeveria ka patur mundësi ta decentralizojë shërbimin më heret, të testojnë më shumë persona, të rrisin nr e personelit.

Infrastruktura shëndetsore nuk është krejt e paqëndrueshme, sa është menaxhimi i dobët dhe mirëmbajtja e tyre…këtu i përfshijë edhe vet pacientët që shpesh nuk janë të vëmendshëm për të mirën publike.

Ka një gjë që këto ditë i ka zbutur duke i bërë të duken surreale ndonjëherë…Drunjët dhe hapësira e gjelbër përreth spitalit bashkë me zogjët që na zgjonin në mëngjes janë peizazhi që më ka motivuar të zgjohem e të duroj për ditë të mira. Efekti natyrë që ne po e mbysim cdo ditë në këtë qytet.

Covidi më ka njohur edhe me njerëz të tjerë që luftonin për jetë dhe na ka lidhë shoqëri përjetë. Fatoni dhe Gonxhja janë një pasuri e re në jetën time.

Mediat mendojë që duhet informatat ti përshkallëzojnë…jo vetëm në shifra sa të infektuar e sa të vdèkur, por edhe se cfarë raste janë, sa me simptoma të rënda e sa pa simptoma…sa ne spital e sa në shpi …sepse jep një pamje më të qartë…rastet pa simptoma mund të jenë bartës pa dashje e më besoni se ka shumë…

I falenderoj mjeket dhe infermierët e infektives për përkushtimin dhe energjinë e mirë! Dr. Sali Ameti, Dr.Shemsedin Dreshaj, Dr.Izet Sadiku, Dr. Veliu, infermieri Fitim Havolli, Infermieret Blerta, Marigona, Shuki e plot e plot ditën e natën…thjeshtë fantastik të gjithë!

Ju falenderoj të gjithë juve miqë e dashamirë që u kujdesët, më këshilluat e më inkurajuat për të vazhduar!

Falenderim special për Arditën dhe Ardianin udhërrëfyesit e mijë gjatë kohës sa isha në vetizolim! U jam shumë mirënjohëse! Ka qenë eksperiencë shumë e çuditshme dhe sfiduese edhe përtej dimensionit shëndetsor! Familja si gjithmonë boshti mbështetë falemnderit shumë! Ju du shumë! Në fund fare ka një gjë të thjeshtë. #lajduart #qitemasken @mbajedisancen. Për vete, për tjetrin. Për jetën!

Pse konsullata kineze në San Francisco përfundoi në shënjestrën e FBI-së

“Insideover “

Lufta e re e konsullatave e shpërthyer midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës nuk njeh kufij dhe tani rrezikon që të përfshijë ëdo seli diplomatike të dy superfuqive globale. Tani vëmendja e autoriteteve amerikane është e spostuar mbi konsullatën kineze në San Francisco, e ndodhur në adresën 1450 të Laguna Street. Këtu, sipas hetuesve amerikanë, duhet të jetë fshehur një kërjuese kineze e akuzuar se posedon një vizë false dhe se fsheh lidhjet e saj me Ushtrinë Popullore Çlirimtare të Kinës.

Ndërsa të martën e kaluar Departamenti i Shtetit nxirrte urdhërin e mbylljes së konsullatës kineze në Houston të Texas, motivuar nga nevoja për të mbrojtur pronësinë intelektuale amerikane dhe të dhënat e qytetarëve, në San Francisco po hapej një burim i ri tensionesh. Në California, shtet që mund të arrijë një PBB prej 2700 miliard dollarësh, ka nisur gjuetia ndaj spiunëve kinezë.

Departamenti i Drejtësisë ka inkriminuar 4 persona me shtetësi kineze, të akuzuar se kishin fshehur lidhjet e tyre me Pekinin. 3 janë arrestuar. E katërta ka emrin Tang Juan dhe është kërkuesja kineze që duket se ka gjetur stregim pranë konsullatës kineze në San Francisco. Çështja futet në një kuadër shumë më kompleks.

Faktikisht, në Shtetet e Bashkuara ka nisur një gjueti në kuptimin e vërtetë të fjalës ndaj spiunëve kinezë. Shenjat e para e klimës së re prej Lufte të Ftohtë janë shfaqur me të gjithë forcën e tyre në qershor. Ai që e ka pësuar ka qenë Doktor Xin Wang, studiues sëmundjesh kardiovaskulare i arrestuar në aeroportin e Los Angeles pak përpara se të largohej nga vendi.

Sipas akuzës, zoti Wang duket se ka kopjuar sekrete shkencore, ndoshta të lidhura me një vaksinë kundër koronavirusit. Jo vetëm kaq: personi duhet të përgjigjet për mashtrim me vizat. Në fakt, më 2018 kishte shkruar në kërkesën për vizë se qëllimi i vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara ishte kryerja e kërkimeve shkencore për t’u zhvilluar pranë University of California San Francisco (UCSF). Më pas FBI-ja ka zbuluar se Wang ishte pjesë e ushtrisë kineze.

Subjektet e tjera e arrestuar nga agjentët amerikanë janë Chen Song dhe Kaika Zhao. I arrestuar për mashtrim me vizën, Song punonte në Stanford University nga viti 2018, ku kryente kërkime neurologjike; kurse në llogari të Zhao nuk janë dhënë lajme të kësaj natyre, përveçse mos ka fshehur faktin që është ushtarak.

Doktore Tang Juan, eksperte në fushën e tumorëve, kishte arritur në aeroportin e San Francisco më 27 dhjetor të 2019. Kishte gjetur menjëherë punë si kërkuese pranë të famshmit University of California dhe, për pasojë, një vizë pune. Autoritetet kanë dyshuar se ishte një spiune në shërbim të Pekinit, edhe pse në kërkesën e hyrjes në Shtetet e Bashkuara gruaja kishte shkruar qartë se nuk kishte raporte me ushtrinë kineze.

Më 20 qershor, disa agjentë amerikanë e kanë marrë në pyetje biologen, duke i marrë pashaportën dhe bërë pyetje lidhur me të kaluarën e saj. Zonjusha Tang ka konfirmuar se është kërkuese, por 007 amerikane i kanë treguar një foto të veçantë. Në të Tang shfaqej e veshur me uniformën e forcave të atmatosura kineze. Gruaja ka shpjeguar se foto qe bërë kur ajo ishte thjesht studente e Universitetit Mjekësor Ushtarak: asgjë më shumë.

Pas një jave nga kjo bisedë, Prokuroria amerikane i ka ngritur akuzë. Nga ai moment, askush nuk ka arritur më ta gjejë. FBI-ja thekson se Tang ka gjetur strehim në konsullatën kineze në San Francisco.
Përveç konsullatës në Houston dhe asaj në San Francisco, Kina ka seli diplomatike në New York, Chicago dhe Los Angeles.

“Baza operative” kineze e California është jashtëzakonisht e rëndësishme nga pikëpamja e ndodhjes së saj, dy hapa larg nga Silicon Valley, parajsa e çdo risie teknologjike dhe e kompanive më të rëndësishme të sektorit. Falë konsullatës operative në “Frisco”, diplomatët kinezë janë faktikisht në gjendje që të menaxhojnë aktivitetet në këtë zonë shumë të pasur për llogari të qeverisë së tyre.

Departamenti i Drejtësisë mendon se është në zhvillim një fushatë e sponsorizuar nga qeveria kineze për të vjedhur informacione lidhur me kërkimin dhe zhvillimin në universitetet amerikane. Përsa u përket akademive dhe universiteteve, San Francisco dhe, më në përgjithësi, e gjithë California ka qendra të tilla të dorës së parë.

Qershia mbi torë, për të nënvizuar thellësinë e rrënjëve kineze në këtë shtet, në San Francisco ndodhet edhe Chinatown më i madh jashtë Azisë, si edhe më e vjetra e Shteteve të Bashkuara. Në rast se Uashingtoni do të vendoste ta mbyllte edhe konsullatën kineze në San Francisco, atëhere Kina do të humbiste një tjetër seli shumë të rëndësishme.

Përgatiti
ARMIN TIRANA