37.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Skandali, qeveria vendos Byronë Kombëtare të Hetimit nën varësinë e Llesh kimikut

Ndonëse ishte menduar si një reformë e rëndësishme që do të luftonte korrupsionin në rradhët e zyrtarëve të lartë, Byroja Kombëtare e Hetimit po katandiset nga qeveria si një strukturë në varësi të Llesh kimikut, ministrit të Brendshëm.

Hajna është e vetmja kandidaturë e qeverisë për BKH. Ajo ka qenë një zyrtare e nivelit të tretë në ministrinë e Brenhdshme, e cila është përdorur nga Lleshi si zëdhënëse, ndërsa PD e ka akuzuar se është hetuar për afera korruptive.

Eshtë e kuptueshme se çfarë mund të pritet një luftën kundër korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë nga kapja e BKH prej qeverisë.

Prokuroria e Posaçme pritet të mblidhet sot në 14:00 për të vendosur mbi kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Burime për ‘BalkanWeb’ thanë se kandidatja e vetme që ka kaluar vetingun është Aida Veizaj Hajnaj e ka kaluar procesin e vettingut.

Po sipas të njëjtave burime tre kandidatët e tjerë Ervin Hoda, Idajet Faskaj dhe Artur Beu, janë skualifikuar nga ky proces. Si procedurë SPAK i kalon ka ndidaturën KLP per votim, që do të drejtojë për 5 vite Byronë e Hetimit.

BKH do të jetë Policia Gjyqësore e Prokurorisë së Posaçme, e cila do të kryejë të gjitha veprimet hetimore. Të gjithë oficerët e kësaj strukture do të kalojë në një proces përzgjedhje ku në verifikim do të kalojë pasuria dhe pastërtia e figurës.

Ndërkohë Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit pasi të marrë detyrën, do t’i nënshtrohet një trajnimi të gjatë në Shtetet e Bashkuara nga Federalet Amerikane.

Opozita i përgjigjet Gjiknurit: Palët janë të detyruara të heqin dorë nga aktet e njëanshme për ndryshimin e Kushtetutës

Opozita pranoi ftesën e bashkëkryetarit socialist të Këshillit Politik, Damian Gjiknuri për pjesëmarrjen nesër në Këshillin Politik. Por ata theksojnë sërish se ‘palët janë të detyruara të heqin dorë nga aktet e njëanshme për ndryshimin e Kushtetutës’.

Reagimi

I nderuar koleg,
Mirëpresim vazhdimin e punës me mbledhjen e Këshillit Politik nesër në orën 11:00.

Mbledhja e shkuar u mbyll me një përgjigje refuzuese nga ana e përfaqësuesit të Partisë Socialiste për të diskutuar mbi propozimin për konsensus të Opozitës së Bashkuar, për hapjen 100 % të listave, me kushtin që të mos preken rregullat aktuale për koalicionet parazgjedhore dhe ndarjen e mandateve.

Në përputhje me Marrëveshjen politike të 14 Janarit, kjo çështje duhet të trajtohet me gjithëpërfshirje dhe transparencë në Këshillin Politik, cka deri më sot nuk ka ndodhur. Kjo sepse Partia Socialiste ka ecur me logjikën e “faktit të kryer” dhe me paraqitjen e njëanshme të ndryshimeve kushtetutese, të cilat bien ndesh me marrëveshjen e 14 Janarit, minojnë dakordësinë e 5 Qershorit, janë në kundërshtim me Rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias dhe zhbëjnë ligjin e miratuar më 23 Korrik nga Kuvendi në përputhje me marrëveshjen e 5 Qershorit.

Marrëveshja politike e 14 Janarit detyron palët që: Pika 2, paragrafi 3: “Për çështjet të cilat nuk gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme”. Në këtë kuadër, Opozita e Bashkuar i qëndron kërkesës së parashtruar në mbledhjen e kaluar që në trajtimin e kësaj çështje të përfshihet ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR. Për këtë arsye, ju njoftojmë se për Opozitën e Bashkuar trajtimi i kësaj çështje dhe heqja dorë nga aktet e njëanshme, që shkelin marrëveshjen e 14 Janarit dhe atë të 5 Qershorit, dhe minojnë dakordësinë e arritur, duhet të mbetet çështja e parë për diskutim dhe vendimmarrje nga Këshilli Politik.

Siç ju informuam në mbledhjen e shkuar të Këshillit Politik, është e papranueshme loja me gjoja pyetje të drejtuar nga pala juaj, lidhur me propozimin tuaj të njëanshëm kushtetutes, drejtuar ekspertëve të Qeverisë, të cilët siç është botërisht e njohur, janë edhe draftuesit dhe mbështetësit e ndryshimeve tuaja të njëanshme. Në këto kushte, Opozita e Bashkuar ripërsërim qëndrimin se në përputhje me marrëveshjen politike të 14 Janarit dhe dakordësinë e 5 Qershorit, palët janë të detyruara të heqin dorë nga aktet e njëanshme për ndryshimin e Kushtetutës dhe të kërkojnë mendimin dhe asistencën nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.

Përsa më lart, konfirmojmë pjesëmarrjen në mbledhjen e nesërme,
Oerd Bylykbashi
Petrit Vasili

Ndërron jetë shoferi i Spiropalit i prekur nga virusi, në rrezik ministrja

Covid -19 merr në tjetër jetë. Ditën e sotme ka ndërruar jetë në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ i cili prej ditësh është kthyer në Covid 2, gardisti 58-vjecari Gani Potka. Potka ishte shtruar pak ditë më parë në spital si pasojë e komplikacioneve nga Covid 19.

Mësohet se 58 vjecari Gani Potka punonte se shofer i ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Lajmin e ka konfirmuar edhe fotografi i njohur i Parlamentit Agim Rama, përmes një postimi në facebook ku shpreh keqardhjen e tij për ndarjen nga jeta të 58-vjecarit Potka.

“Venecia” e rrëzoi, Rama rikthen sherrin me Presidentin: Gjyqtarët e Kushtetueses të betohen te ura e lanës

Në fjalën e tij në Kuvend ku diskutohet raporti i komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama vuri theksin në hartimin e një ligji organik për institucionin e Presidentit të Republikës

“Duhet plotësuar me mekanizma zhbllokues mosplotësimi i kompetencave formale për betimin e gjyqtarëve dhe prokurororëve. Imagjino një President që thotë ‘nuk të thërras në betim’ nuk ka shkruesh të ligjeve organike që presidenti diku mund të shfaqet si person që thotë s dua të thërras në betim.

Dhe ca do bëjmë ne, do rrijmë të bëjmë komiisone e debate se presidenti gdhihet me hënën nga ana tjetër. Kjo s’mund të vijojë më ashtu sikundër s mund të ndodhë më që presidenti të vijojë të refuzojë ministra.

Institucioni i Presidentit sot është kapur për fyti dhe përdoret për të bërë politikë, për të goditur për qëllime partiake. Për të nxitur konflikt dhe për të ushqyer konflikt.

As nuk diskutohet që secili mban përgjegjësi për atë që bën vetë, dhe pavarësisht se kemi president me hënë sa herë që hena rrotullohet në anën e duhur dhe ai ka vullnet për bashkëpunim ne jemi në dispozion jemi në dispozicion të vendit dhe të njerëzve dhe jot ë Ilir Metës.

Nuk jemi ne që jemi me konflikt, por jemi zgjedhur të udhëheqim. Kjo është arsyeja pse më 30 korrik do votojmë ndryshimet të cilat kemi rënë dakord. Duan apo s duan ju pëlqen apo jo atyre jashtë parlamentit.” U shpreh rama.

Votimet moniste të 30 qershorit, Gjykata e Lezhës urdhëron Prokurorinë të hetojë procesin

Gjykata e Lezhës vendosi të kthejë për hetim te Prokuroria procesin e zgjedhjeve moniste të 30 qershorit në Bashkinë Lezhë, pas ankimimit të PD.

Padia e bërë nga PD dega Lezhë u mbyll pak javë më parë nga Prokuroria, e cila nuk nisi hetimet. Sekretarja e PD, Alfrida Marku tha se, vendimi i gjykatës, urdhëron prokurorinë e Lezhës, të hetojë çdo material dhe ankesë të berë, si dhe të thirren në pyetje, anëtarë të KZAZ, numërues dhe çdo person tjetër që mund të ketë dëshmi.

“Ne inkurajojmë Prokurorinë që të jetë e paanshme dhe të mos ndikohet në vendimet e saj, por të kryeje një proçes hetimor të drejtë, të plote e të gjithanshëm.

Cilido që cënon proçeset zgjedhore, cilido cënon të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur i lire dhe në rregulla demokratike përfaqësuesit e tyre, duhet të mbajë përgjegjësi siç parashikon ligji.

Eshtë koha për të rikthyer besimin e shqiptarëve tek proceset zgjedhore, si një moment kyç ku ata mund tu japin fund qeverisjeve të keqija apo në rastin më të mirë të zgjedhim një model qeverisje më të mirë sesa e mëparshmja. Dhe kjo bëhet e mundur vetëm atëherë kur veprimet e paligjshme do të ndëshkohen dhe kur krimi të mos influencojë politiken dhe proçeset zgjedhore.

Kujtojmë që kjo është nje mundesi e dytë që i jepet prokurorisë për të kryer detyrën e saj, dhe se mbi vijimesinë e ketij procesi ne do të vëmë në dijeni Keshillin e Lartë të prokurorisë si dhe perfaqësitë diplomatike të BE dhe SHBA në Shqipëri”, thuhet në reagimin e PD në Lezhë.

Shehaj: Mungesa e një pakete nga qeveria për shpëtimin e biznesit është kriminale!

Ish-deputeti i PD, Agron Shehaj shkruan në një reagim në faqene t ij sociale se, një paketë e ndërhyrjes dhe financimeve në ekonomi është prioritet kombëtar. Shehaj shkruan se, mosveprimi është kriminal, i paprecedentë në botë. Bizneset po falimentojnë çdo çast.

“Qeveria nuk ka asnjë fond apo paketë për rimëkëmbjen e biznezit. Një paketë e ndërhyrjes dhe financimeve në ekonomi është prioritet kombëtar.

Mosveprimi është kriminal, i paprecedentë në botë. Bizneset po falimentojnë çdo çast.
Nëse rënia nuk ndalet, pasojat për ekonominë dhe mirëqenien e shqiptarëve do të jenë dramatike e do të ndihen për shumë vite”, shkruan Shehaj.

Paloka: Një Parlament serioz do ta kishte shkarkuar Ramën dhe ta kishte dërguar përpara drejtësisë

Nënkryetari i PD, Edi Paloka shkruan në një postim në rrjetet sociale se, një parlament serioz do t’a kishte shkarkuar Edi Ramën si Kryeministër dhe do e kishte çuar para drejtësisë.

Paloka ka postuar komentin në të njëjtën kohë kur Kuvendi po diskuton mbi raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me Presidentin Ilir Meta.

“Një “Parlament” që është kthyer jo vetëm në qesharak për nivelin mizerabël, po dhe në një fatkeqësi për shqiptarët.

Një Parlament serioz duhej të kishte shkarkuar Ramën dhe ta kishte dërguar përpara drejtësisë qoftë edhe vetëm për dëmin prej 110 milion eurosh që duhet të paguajnë shqiptarët, pa llogaritur krimet e tjera të tij, që janë kthyer në fatkeqësitë më të mëdha të një populli të tërë”, shkruan Paloka.

Regjisori i njohur i drejtohet Ramës: Mos më pengo të jap një shfaqje te Teatri…

Regjisori i njohur, Edmond Budina i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit Edi Rama.

Budina shprehet se kërkon hapësirën publike te Teatri Kombëtar për të bërë art.

“Dua të bëj shfaqje në truallin e teatrit, je i ftuar”, tha ai drejtuar kryeministrit, të cilin e konsideron pronar të hapësirave publike.

“Ky është vendi i shenjtë ku është luajtur teatër profesional gjithë kohën. Këtu duhet të jepet një shfaqje teatri për të treguar se ne nuk jemi për dhunë , por për art.

Është një pjesë që quhet “Profeti i Kokoshkave”. Ideja më ka lindur me pandeminë që ndodhi. I izoluar në shtëpi me erdhi ideja se si të realizojmë teatrin e dhomës, duke e krijuar në shtëpinë time. Ky teatër ka nevojë për një komunikim të afërt me spektatorin” u shpreh ai.

“Ju kërkoj të më lejoni të jap një shfaqje në truallin e teatrit kombëtar. Ju siguroj që nuk do të ketë eksploziv, molotov, armë, por vetëm art. Ju siguroj që shfaqja do të jetë konform rregullave të ministrisë. Duke marrë në konsideratë distancimin fizik të artdashësve. Ju kërkoj atë hapësirë të lirë publike që të bëhet art.

Jam i gatshëm t’u vë në dispozicion tekstin, ju ftoj të merrni edhe pjesë në shfaqje si spektaktor. Si pronar i këtij vendi në momentin që do të na lejojë do të zhvillojmë. Është një ide që më ka lindur me këtë pandeminë që ndodhi, i izoluar në shtëpi. E kam krijuar në shtëpi. Nëse refuzohem do të kem një hap tjetër, e kam menduar”, tha ai.

I pyetur nëse ka marrë një ftesë nga PD-ja për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ai tha: “Nuk kam pasur, por nuk jam i predispozuar që të merren me politikë, vetëm me art”,- tha ai. Godina e Teatrit Kombëtar u shemb në 17 maj me tension dhe përplasje pas rezistencës së një grupi artistësh të mbështetur nga opozita.

Gjiknuri thërret mbledhjen e Këshillit Politik: Do të diskutojmë hapjen e listave 100% dhe…

Bashkëkryetari i Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri ka kërkuar mbledhjen e grupit negociator të Këshillit Politik ditën e martë (28 Korrik), ora 11:00 në sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve.

Pjesë e tryezës së diskutimeve pritet të jenë edhe përgjigjet që kanë dhënë ekspertët për pyetjet e bëra në mbledhjet e kaluara, nëse amendamentet kushtetuese që janë tanimë në procedurë parlamentare lejojnë apo pengojnë hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë, siç propozon opozita jashtëparlamentare.

Gjithashtu, në këtë mbledhje do të diskutohet nëse amendamentet kushtetuese lejojnë apo pengojnë koalicionet.

Gjiknuri shprehet se, në këtë mbledhje do të jetë në rend dite prezantimi nga ekspertët i produktit të deritanishëm për ligjin e ri zgjedhor që hyn në fuqi në 2023 dhe hapat që duhet të ndjekim për miratimin përfundimtar të tij.

Kërkesa

“Të nderuar kolegë,

Ju vë në dijeni se paketa e dytë e nismave ligjore të dala si produkt i tryezës së Këshillit Politik   u depozitua sot në Kuvend me firmat e deputetëve të mazhorancës. Kuvendi tashmë fillon procedurat parlamentare për shqyrtimin e amendamenteve të dakordësuara në Këshillin Politik për: 1) Kodin e Procedurës Penale; 2) Kodin Penal; 3) Ligjin për Policinë e Shtetit; 4) Ligjin për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve; 5) Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; 6) Ligjin për Funksionimin e Prokurorisë dhe 7) Ligjin për Partitë Politike.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin në përmbylljen e kësaj pakete të dytë amendamentesh, shpreh besimin se masat e marra adresojnë jo vetëm një pjesë të konsiderueshme të rekomandimeve te OSBE/ODIHR por edhe shqetësimet e shprehura nga opozita jashtëparlamentare.

Duke qenë se tanimë mbetet për tu përmbyllur edhe paketa e tretë që ka të bëjë me ligjin e ri zgjedhor i cili do të hyjë në fuqi pas dy proceseve të ardhshme zgjedhore e që sanksionon edhe depolitizimin e administratës zgjedhore sipas marrëveshjes së 5 Qershorit, propozoj:

Mbledhjen e grupit negociator të Këshillit Politik ditën e martë (28 Korrik), ora 11:00 në sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve, me rend dite:

  1. a) Prezantim nga ekspertët i produktit të deritanishëm për ligjin e ri zgjedhor që hyn në fuqi në 2023 dhe hapat që duhet të ndjekim për miratimin përfundimtar të tij.
    b) Kthimi i përgjigjeve nga ekspertët për pyetjet e bëra në mbledhjet e kaluara nëse amendamentet kushtetuese që janë tanimë në procedurë parlamentare lejojnë apo pengojnë hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë siç propozon opozita jashtëparlamentare. Gjithashtu, nëse amendamentet kushtetuese lejojnë apo pengojnë koalicionet.

Në pritje të konfirmimit tuaj,

Damian Gjiknuri”.

BE-Ramës: Puno shpejt në zbatimin e 5 qershorit, SHBA: Duam transparencë e gjithëpërfshirje

Ambasadorët e SHBA dhe BE reaguan pas takimit me kryeministrin Edi Rama. Në një reagim nga ambasada amerikane, thuhet: “Ambasadorja Yuri Kim dhe ambasadori Luigi Soreca u takuan me kryeministrin sot për pak më shumë se 1 orë. Ambasadorja Kim e falenderoi kryeministrin për udhëheqësinë e tij në sigurimin e miratimit të marrëveshjes së 5 qershorit dhe mirëpriti vazhdimin e diskutimeve të ndërsjella në Këshillin Politik në lidhje me masat shtesë. Siç kemi thënë publikisht, ambasadorja theksoi rëndësinë që të gjitha palët të marrin pjesë në mirëbesim, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente”.

Në këtë linje ishte edhe delegacioni i BE në Tiranë.

“Ambasadori u takua me kryeministrin së bashku me ambasadoren Kim për një orë këtë mëngjes. Ai falenderoi kryeministrin për angazhimin e tij në miratimin e marrëveshjes së 5 Qershorit dhe e ftoi atë që të punojë me shpejtësi për zbatimin e saj. Në të njëjtën kohë, ai mirëpriti vazhdimin e diskutimeve në Këshillin Politik në lidhje me ndryshimet shtesë, për të respektuar frymën dhe rezultatet e 5 qershorit. Gjithëpërfshirja është thelbësore kur bëhet fjalë për çështjet elektorale, thuhet në reagimin e BE.