30.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Zënka në ndeshjen Liverpool-Chelsea, reagon Lampard: Mos u bëni shumë arrogantë!

Trajneri i Chelseat, Frank Lampard, e kritikoi Liverpoolin duke i këshilluar të mos bëhen shumë arrogantë, pas disfatës së skuadrës së tij me rezultat 5:3 të mërkurën në Anfield kundër Liverpoolit.

Liverpooli e ngriti trofeun e Premierligës pas një ndeshjeje drithëruese në mesjavë, në të cilin kishin qenë dy herë në epërsi prej tri golave para se ta fitonin në fund ndeshjen me rezultat 5:3.

Lampard ishte përfshirë në një zënkë me stolin e Liverpoolit para se Trent Alexander-Arnold të shënonte nga një gjuajtje e lirë dhe trajneri i Chelsea i kritikoi nikoqirët.

“Për mua, unë ishte ndërhyrje e palejuar nga Mateo Kovacic në Sadio Manen dhe kishte disa gjëra të vogla që nuk bëheshin siç duhej”, tha Lampard pas ndeshjes, në intervistën e dhënë për SKy Sport.

“Në stol, unë s’e kam asnjë problem me Jurgen Kloppin, ai e ka menaxhuar skuadrën e tij dhe e ka bërë në mënyrë fantastike”.

“Është një vijë e hollë mes ndjenjës kur të jesh duke fituar, dhe ata veçse e kanë fituar ligën, por nuk duhet të bëhen arrogantë”.

“Është normale të emocionohesh gjatë ndeshjeve dhe kjo ishte e gjitha”.

Propaganda socialiste kopjon Hillari Klintonin për të përshkruar Ramën si hero

Partia Socialiste ka filluar një fushatë të pa shpallur për ta përshkruar Kryeministrin Rama si ‘një njeri të ditës së vështirë’, një njeri që u bën ballë ngjarjeve dhe momenteve të krizës në çdo kohë. Një njeri që punon edhe natën për këtë gjë.

Përveç lartësimit të Ramës, kjo fushatë duket se ka qëllim ta kontrastojë atë me Kryetarin e PD-së Basha, të cilin propaganda socialiste e ka përshkruar që nga zgjedhjet lokale të vitit 2015 si një njeri që fle gjumë dhe nuk bën asgjë.

Në shërbim të kësaj propaganda janë vënë të gjithë vartësit e Ramës.

Fillimisht kryebashkiaku Erion Veliaj dhe më pas ministri Arben Ahmetaj kanë përsëritur të njejtën metaforën dhe rrëfenjë se Edi Rama është njeriu ‘i orës së vështirë’, që është gati për të marrë vendime dhe në 4 të mëngjesit, në kohë fatkeqësie, duke u nisur nga tërmeti i 26 nëntorit që ra rreth orës 3:54 të mëngjesit.

Të dy edhe Veliaj edhe Ahmetaj, u kanë kërkuar qytetarëve që në momentin kur duhet të votojnë të pyesin veten: kë duan të drejtojë vendin në 03:54 të mëngjesit kur bie fatkeqësia: një lider që është gati apo dikë që fle gjumë?

Aludimi për liderin që fle gjumë është për kryetarin e PD-së Lulzim Basha.

Me këtë qasje, propaganda socialiste po imiton një nga linjat kryesore të fushatës së dështuar të Hilari Klintonit të vitit 2008.

Për të kontrastuar përvojën e madhe të Hillari Klintonit në politikën dhe krizat ndërkombëtare me mungesën e përvojës të Barak Obamas, ekipi i Klintonit prodhoi një reklamë, skenari i së cilës ësstë afërsisht: “është 3 e mëngjesit dhe diçka po ndodh në botë, telefoni i emergjencës po bien në Shtëpinë e Bardhë, kë doni që t’i përgjigjet kesaj telefonate?”

Megjithëse Hillary Klinton e humbi kandidimin për president, demokratët dhe më pas të gjithë amerikanët votuan Barak Obamën për t’ju përgjigjur telefonit në tre të mengjesit, ky spot dhe ideja e telefonit të urgjencës në 3 të mëngjesit është bërë i famshëm në politiknë amerikane.

Së fundmi, seriali i famshëm The Simpsons transmetoi një episod ku Presidenti Trump harxhon aq shumë kohë të bëhet gati për një takim urgjent të sigurisë kombëtare, pas një telefonate në 3 të mëngjesit, sa e humbet fare takimin.

Chuck Schumer
O do bëjmë shtet, o do bëjmë bëjmë kënd lojrash!
Exit News sjell më poshtë thëniet dhe videot e Veliajt dhe Ahmetajt, dhe reklamën e përkthyer të Hillari Klintonit.

Erion Veliaj, në 7 korrik, gjatë prezantimit të projektit të rindërtimit të Kombinatit, u shpreh:

“I thashë [një djali], në orën 3:54 të mëngjesin do të doje që të ishte një dron, një printer 3D, një sistem kompjuterik apo do të doje që në krye të vendit të ishte një njeri i aftë për të përballuar një emergjencë, për të mobilizuar energji, i papanikosur nga sfida, mjaftueshëm i ndjeshëm për tu siguruar që mendon se duhet të shpëtojmë, por dhe të ngushëllojmë njerëz?!

Sot, por dhe nesër kur të kemi zgjedhje, gjithmonë pyetja do jetë ‘në orën 03:54 të mëngjesit’, se në ditë me diell të gjithë bëjmë politikë, pyetja është kush e drejton vendin në 03:54 të mëngjesit, kur bie fatkeqësia?

Dilema do jetë: duam një njeri që rri në krye të punëve dhe ka një vëmendje speciale nga dita e parë e deri sot, apo duam dikë që është në gjumë?

Kam një kënaqësi të jashtëzakonshme të ftoj kryeministrin, që ka qënë promotori i kësaj pune dhe atë njeriun e 03:54 të mëngjesit, për ditë të mira dhe për ditë të këqija.”

Arben Ahmetaj, 22 korrik, gjatë prezantimit të ecurisë së procesit të rindërtimit:

“Kemi pasur dy ngarkesa të mëdha, një goditje nga tërmeti dhe një nga pandemia. Për çdo qytetar që procesi i rindërtimit ecën dhe për çdo qytetar që shikon që ka një akt normativ që mbyll baret e natës do reflektojë që në ditën e orës së vështirë, kush është forca politike dhe kush është lideri që përgjigjet?

Kjo do na shoqërojë që tani e deri për një afat shumë të gjatë. Pandemia është ende nëpër këmbë dhe ne na duhet qeveria, njeriu i orës së vështirë.”

Raporti Bankës: 45% e bizneseve mendojnë se situata ekonomike do bëhet edhe më keq

Situata aktuale ekonomike dhe perspektiva kanë rezultuar të përkeqësuara për bizneset dhe individët, sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për aktivitetin kreditues. Si bizneset dhe individët kanë ulur kërkesën për kredi, pasi janë pesimistë për të ardhmen e ekonomisë.

Situata e përkeqësuar ekonomike dhe mungesa e paaftësisë paguese janë dy faktorë që i kanë ndikuar shumë negativisht kushtet e financimit me kredi nga bankat, si për biznesin ashtu edhe për individët. Bankat tregtare në vend raportuan tek Banka e Shqipërisë se kanë rritur në rekorde historike perceptimin negativ mbi ekonominë dhe perspektiven e saj si pasojë e efekteve negative të pandemisë Covid-19.

Bazuar në gjykimet e bankave, kërkesa e ulët për kredi nga ana e bizneseve në tremujorin e dytë u ndikua nga përkeqësimi i besimit të biznesit; rënia e theksuar e nevojave për financimin e investimeve; situata aktuale ekonomike dhe perspektiva e saj. Perceptimi mbi perspektivën ekonomike shënoi një indeks negativ me 35 për qind, ndërsa besimi i biznesit me mbi 45 për qind duke shënuar rekorde të reja.

Sipas gjykimit të bankave, kushtet dhe termat e kreditimit u ndikuan negativisht nga perceptimi për rrezik të shtuar, si edhe tolerancë më të ulët të bankave ndaj rrezikut, nxitur prej situatës së paprecedentë të shkaktuar prej Covid-19.

Në kredinë për individë perceptimi i bankave për aftësinë paguese shënoi një përkeqësim me -45% në tremujorin e dytë të vitit. Kjo si rrjedhojë e ndikimit negativ që ka dhënë pandemia në tregun e punës. Situata ekonomike dhe perspektiva ka përjetuar një përkeqësim të ngjashëm me rreth 45%.

Sipas gjykimit të bankave, pothuajse të gjithë faktorët që ndikojnë kërkesën për kredi të individëve kanë qenë në kahun negativ në tremujorin e dytë të vitit.

Kështu, nevojat më të ulëta në financimin e blerjes së banesave dhe të konsumit, përdorimi më i lartë i burimeve të brendshme të financimit, shtimi i kredive në bankat dhe institucionet e tjera financiare jobanka, zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave, si edhe rënia e besimit konsumator sollën reduktimin e theksuar të kërkesës për kredi në tremujorin e dytë të vitit.

Po ashtu, bankat kanë vlerësuar se në tremujorin e dytë të vitit rënia e të ardhurave dhe pasiguria financiare për të ardhmen, të shkaktuara nga zgjatja e periudhës së pandemisë, ishte një prej faktorëve kryesorë që solli rënien e kërkesës për kredi. i vetmi faktor që vlerësohet të ketë shtuar kërkesën për kredi nga ana e individëve është raportuar rifinancimi, ristrukturimi i borxhit ekzistues.

Video/ Dyluftimi mes Tyson dhe tigrit të tij

Gjatë një intervistë të dhënë për CBS në vitin 1996, Mike Tyson e kishte zhvilluar një dyluftim me tigrin e tij, të quajtur Kenya. Ajo video është bërë sërish virale gjatë ditëve të fundit, pas një interviste tjetër të ish-boksierit legjendar.

54-vjeçari Mike Tyson kishte jetuar me tigrin Kenya për gati 16 vjet, mirëpo në fund ishte detyruar ta largonte atë kur ushte vjetruar, shkaku se ishte bërë më agresive, transmeton Gazeta Express.

Por, para se ta largonte, tigri i tij kishte qenë protagonist gjatë një interviste të Tysonit, videoja e së cilit është bërë sërish virale së fundi.

Përderisa tani është kthyer në formë të mirë fizike, 54-vjeçari e ka pranuar se ai nuk është më i njëjti dhe është përlotur teksa ka rrëfyer se sa shumë i mungon koha kur ai ishte ndër boksierët më të mirë në botë.

“Unë jam student i luftërave të dreqit. I njoh të gjithë luftëtarët – Akili, Aleksandri e Napoleoni. I njoh të gjithë, kam lexuar dhe i kam studiuar të gjithë. Unë e njoh artin e të luftës, vetëm këtë e kam studiuar”, ka thënë Tyson.

“Për këtë arsye mua më frikësohen aq shumë. Për këtë arsye më frikësoheshin aq shumë kur hyja në ring. Unë isha një asgjësues, për këtë kam lindur”.

“Tani, atë ditë kanë shkuar. Është boshe, unë s’jam asgjë. Jam duke punuar në artin e përulësisë. Kjo është arsyeja pse po qaj sepse nuk jam më i njëjti person dhe po më mungon ai person”.

Rama shpërblen Avdylajt për kontributin elektoral, Niçes i jepet plazhi

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar një tjetër skandal që ka të bëjë me shpërblimin nga Rama të bandës së Avdylajve.

Berisha ka publikuar mesazhin e e një qytetari, i cili shkruan se, Qeveria e Ramës miraton ligjin për dhënien e lejeve të stacioneve të plazhit për hotelet dhe në fakt gjysmat ja ka dhënë ploicëve, Avdylajt (Niçja )

Postimi i ish-Kryeministrit Berisha

Avdylajt shperblehen per kontributin elektoral.
Niçes i jepet plazhi.

Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital. sb

Mirmbrema Z Berisha
Qeveria e Rames ben procedime per zenien e hapsiser publike ne plazhe ne menyre selekrive !Miraton ligjin per dhenien e lejeve te stacioneve te plazhit per hotelet dhe ne fakt gjysmat ja ka dhene ploiceve ,avdylajt (nicja ) Kane zaptuar edhe plazhin e publikut e shume te tjere si keta!Shumica nuk kane hotel por kane leje ne kundershtim me ligjin !Eri Mustafa ka zaptur banjot publike duke i privatizuar e legalizuar ato si dhe ka stacion plazhi te palghishem!Jane penaluzuar hotelet pasi ligjin e bejne te fortet

Vendimi qesharak, falsifikoi firmën e Sekretarit të Shtetit në vjedhjen miliona dollarëshe, dënohet me vetëm 6 muaj burg

Skandali me tenderin në Unazën e Re çon në burg administratorin e kompanisë DH Albania, Avdjol Dobi, kompani e cila përmes dokumentave të falsifikuara fitoi tenderin për ndërtimin e një prej loteve të projektit.

Vendimi është marrë nga Gjykata e Tiranës më 27 maj, ndërsa trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Albert Meça vendosi të shpallë fajtor 28-vjecarin Dobi për akuzën e falsifikimit të dokumenteve parashikuar në nenet e kodit penal.

Ndaj administratorit të kompanisë Dh Albania, Gjykata vendosi dënimin e tij me 9 muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ku ulet 1/3 e dënimit, Avdjol Dobi do të kryejë vetëm 6 muaj burg.

Nga hetimet rezultoi se 28-vjecari Dobi falsifikoi datën e regjistrimit të kompanisë DH Albania ne Delawere të Shteteve të Bashkuara si dhe bilancet e tri viteve me parë.

Kompania me përfaqësues 26-vjeçarin Dobi u regjistrua në Shqipëri në korrik 2018, si degë e kompanisë amerikane Dunwell Haberman, e themeluar më 25 qershor 2018 në Delawere të Shteteve të Bashkuara- e njohur si parajsë fiskale.

Në dokumentet e dorëzuara në QKB, Dunwell Haberman pretendonte se ishte themeluar në vitin 1998 dhe se kishte një aktivitet të dendur ekonomik prej qindra milionë dollarësh. Vetëm katër muaj pas regjistrimit, DH Albania u shpall fituese e dy tenderave të njëpasnjëshëm në Shqipëri.

Ndërkohë gjykata ka pushuar me kërkesë të prokurorisë hetimet e celura për shpërdorim detyre, ndaj zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të ARRSH dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, derisa nuk iu gjetën elementë të veprës penale.

Superskandali 40 milionë euro me DH Albania në Unazën e Re, gjithçka mbyllet me…

Hetimet e Prokurorisë së Tiranës për aferën e dyshuar korruptive në tenderin e Unazës së Re, të fituar nga kompania DH Albania, dega në Shqipëri e Dunwell Haberman me vlerë më shumë se 2.2 miliardë lekë, përfunduan vetëm me dënimin me 6 muaj bùrgim për “falsifikim të dokumenteve” të 28 vjeçarit Avdjol Dobi, i cili rezulton si administrator i kompanisë.

Më 27 maj 2020, gjyqtari Albert Meça vendosi pranimin e kërkesës së prokurorit Gjergji Tako për dënimin e Avdjol Dobit me 9 muaj bùrgim dhe në aplikimin të gjykimit të shkurtuar, dënimin përfundimtar me 6 muaj heqje lirie. Dobi u gjykua në mungesë për shkak se policia ka dështuar ta arrestojë atë.

Më herët me një vendim të 24 janarit 2020, gjyqtari Ardian Kalia ka pranuar kërkesën e prokurorit të Tiranës, Gjergji Tako për pushimin e hetimeve të nisura për veprimtarinë e njësive përkatëse të Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH-së dhe OST-së gjatë procedurave të prokurimit për këtë kompani, pasi kishte dyshime për shpërdorim të detyrës nga ana e tyre.

Kompania e Dobit, e cila u krijua me dokumente të falsifikuara në SHBA, fitoi njëri pas tjetrit dy tendera publikë me vlerë rreth 28 milionë euro. Pas eskpozimit në media se dokumentet e regjistrimit të kompanisë në SHBA ishin falsifikuar, autoritet shtetërore pretenduan padijeni, ndërsa anuluan kontratat me kompaninë.

Hetimet që filluan pas denoncimit publik në emisionin “Të Paekspozuarit” u ndanë në dy pjesë. Ndërsa Dobi u hetua më vete, dhjetra zyrtarë të ARRSH, OST dhe MIE u hetuan për shpërdorim detyre në një çështje të dytë. Por hetimet arritën të provonin vetëm falsifikimin, që ishte dokumentuar që në fillim nga media dhe që u pranua edhe nga Dobi përmes avokatit të tij.

Sipas dy vendimeve të gjykatës, prokuroria ka pyetur në cilësinë e personave që mund të kishin dijeni mbi ngjarjen ish-drejtorin e ARRSH, Afrim Qëndro. Gjithashtu, janë pyetur edhe gjashtë zyrtarë të tjerë të këtij institucioni të cilët prokuroria dhe gjykata i kanë përjashtuar nga përgjegjësia penale.

Hetimi u shtri edhe në institucionin e Operatorit të Sistemit të Shpëndarjes për shkak se DH Albania kishte arritur të fitonte një tender për procedurën e prokurimit “Linja e Re 220kv Burrel- Peshkopi dhe trakti i daljes Nst Burrel Lot 1”, me fond limit 1.2 miliardë lekë. Nga ky institucion janë pyetur nëntë zyrtarë, të cilët po ashtu nuk janë gjetur përgjegjës.

“Nga hetimet e kryera në funksion të këtij procedimi penal, ka rezultuar se janë zhvilluar në mënyrë korrekte procedurat, duke respektuar veprimet e njësisë së prokurimit dhe KVO-të. Sipas Prokurorisë, nga një vështrim në pamje të parë dokumentet nuk duhet të ngjallin dyshime. Gjithashtu edhe në rang të ofertës ekonomike e cila është pothuajse e njëjtë me fondin limit, nuk konstatohen shkelje dhe nuk ka pasur pretendime,” citohet në vendimin e gjykatës për pushimin e hetimeve.

Duke iu referuar konkluzioneve të prokurorisë, gjyqtari Ardian Kalia konstaton se procedurat e tenderave janë zhvilluar në mënyre korrekte, duke respektuar veprimet e njësisë së prokurimit dhe KVO-të.

Gjykata shpjegon se janë pyetur edhe pesë zyrtarë të Sektorit të Monitorimit të Licencave në Zbatim në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas Prokurorisë, ka rezultuar se Shoqëria “DH ALBANIA” ka aplikuar më 13 korrik 2018 për njësimin e licencës së huaj, në fushën e zbatimit në ndërtim.

“Vihet re se, gjithsesi, përveç dokumenteve që janë të apostiluara(formalisht pasi janë të falsifikuara) ka dhe dokumente që i mungon ky formalitet, mund të përmendim disa vetë deklarime e disa marrëveshje punësimi të tij”, citohet në vendimin e gjykatës.

Edhe në këtë rast, prokuroria nuk ka gjetur përgjegjësi penale dhe ka konstatuar se është zbatuar rregullorja për procedurën e pajisjes me liçencë të DH Albania.

Prokuroria dhe gjykata vlerësojnë se, pas nisjes së procedimit penal, ARRSH dhe OST anuluan kontratat e lidhura dhe kryen kallëzim penal ndaj DH Albania.  Prokuroria e Tiranës dështoi gjithashtu edhe në zbulimin e personave që fshiheshin pas 28-vjeçarit Avdjol Dobi.

Konkluzionet e prokurorisë janë vlerësuar të gjitha të drejta nga gjykata e Tiranës, e cila ka vulosur përjashtimin nga përgjegjësia penale të zyrtarëve të institucioneve, të cilët nuk e ndaluan 28-vjeçarin Avdjol Dobi që, me anë të dokumenteve të falsifikuara të përfitonte liçencën për ushtrimin e aktivitetit në sektorin e ndërtimit, si dhe të fitonte brenda një kohe të shkurtër dy tendera me vlerë totale 3.4 miliardë lekë.

Kompania Dunëell Haberman u themelua më 25 qershor 2018 në Delaëere të Shteteve të Bashkuara – e njohur si parajsë fiskale dhe një muaj më pas hapi degën e saj në Shqipëri, DH Albania. Ekstrakti i kompanisë në QKB tregon se përfaqësuesi në Shqipëri i saj është 28 vjeçari Avdjol Dobi.

Vetëm katër muaj pas regjistrimit, DH Albania u shpall fituese e dy tenderave të njëpasnjëshëm. Ajo fitoi lotin e parë të Unazës së Re me vlerë 18 milionë euro si dhe një kontratë rreth 10 milionë euro nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, OST për ndërtimin e një linje të transmetimit të energjisë për të lidhur Burrelin me Peshkopinë.

Suksesi i shpejtë i kompanisë së trumbetuar si amerikane u ngrit mbi dokumente të falsifikuara. Sipas rekordeve të dorëzuara në QKB, Dunëell Haberman pretendonte se ishte themeluar në vitin 1998 dhe se kishte një aktivitet të dendur ekonomik prej qindra milionë dollarësh në tre vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara.

Por më 6 dhjetor, emisioni “Të Paekspozuarit” në Neës 24 denoncoi kompaninë “fantazmë” se kishte falsifikuar dokumentet për të fituar lotin e parë të tenderit të Unazës së Re. Një përgjigje e Departamentit të Shtetit të Delawere, e publikuar në këtë emision tregonte se dokumentet e dorëzuara në QKB ishin të falsifikuara dhe se kompania nuk mund të kishte bilanc të tre viteve të fundit, pasi nuk ekzistonte para 25 qershorit 2018.

Ekspozimi i falsifikimit solli një ortek reagimesh, ndërkohë që ARRSH dhe OST deklaruan se kishin anuluar kontratat me DH Albania.  Prokuroria e Tiranës në Shqipëri dhe autoritetet amerikane konfirmuan nisjen e hetimeve për të dokumentuar falsifikimet dhe zbuluar autorësinë e tyre.

BIRN zbuloi në një investigim të mëparshëm se një dokument i dorëzuar në Qendrën Kombëtare tregon se njëra prej procedurave në emër të DH Albania është kryer dhe paguar nga kompania Gener 2./ BIRN

Ekspertët: Jemi akoma në valën e parë të pandemisë dhe nuk e kemi në kontroll

Kur bëhet fjalë për përhapjen e coronavirusit (COVID-19) në SHBA, Lisa Lockerd Maragakis, MD, MPH, shkroi për “Johns Hopkins Medicine”, se dëshiron që ne të vizualizojmë një jorgan ngjyra-ngjyra

“Pandemia COVID-19, në SHBA po prek zona të ndryshme në të gjithë vendin, në mënyra të ndryshme dhe në periudha të ndryshme”,- shpjegon ajo. Pra, sa i përket parashikimit që rastet do të binin në verë dhe një “valë e dytë” do të vinte në vjeshtë, nuk është ajo që po ndodh.

Ne po shohim një rënie në disa shtete të SHBA-ve, ndërsa zona të tjera, shumë prej të cilave ishin ndër të parat që u rihapën, aktualisht po shohim rritje të rasteve.

Po si e parashikojnë ekspertët këtë valë në Amerikë, por edhe jashtë saj?

Anne Liu, MD, imunologe dhe mjeke e sëmundjeve infektive me “Stanford Health Care”, tha në një intervistë të fundit, se koncepti i një vale të dytë supozon se ekzistonte një “valë e parë e pastër”, por nuk mund të thotë se jemi të qartë nga vala e parë.

Janet Baseman, PhD, MPH, dekane e asociuar në Shkollën e Shëndetit Publik dhe profesore e epidemiologjisë në Universitetin e Uashingtonit, thekson se nuk e kemi virusin ende nën kontroll dhe rritja e rasteve në shtete të tilla si Florida, do të thotë se vala e parë nuk ka mbaruar.

“Jemi me të vërtetë të shqetësuar për vende si Texas-i dhe Florida, kur shohim që numrat do të rriten dhe vazhdojnë shtrimet në spitale. Dhe kjo nuk është vala e dytë”,- shpjegon Dr. Liu.

“Përveç faktit që viruset e aparatit respirator kanë tendencë të ulin infektimin gjatë verës – gjë që nuk po ndodh me COVID-19 – diskutimet për një valë të dytë të vjeshtës u bënë nisur nga fakti se njerëzit kalojnë më shumë kohë brenda. Shtuar edhe faktin se shkollat do të hapen sërish e do të kemi një risk të lartë, tha Dr. Baseman, duke nënvizuar faktin se “vala e parë nuk është nën kontroll. Ne nuk jemi në fund të një kurbe, sipas së cilës të studiojmë rastet dhe nivelet tona të ulëta”.

Të dy mjekët vunë në dukje faktin se nuk ka masa të rrepta në të gjithë Amerikën.

“Nëse shikoni grafikët e rasteve të reja për vendet e tjera, ku masat janë aplikuar në mënyrë më uniforme, ka më shumë ulje-ngritje”,- tha Dr. Liu. Ka një grafik me kthesa të forta në rënie në Francë dhe Itali, sipas të dhënave të mbledhura nga “The New York Times”, por në grafikun e rasteve në SHBA, kurba vazhdon të rritet.

Megjithë rekomandimet e qeverisë për hapjen e Amerikës në disa faza, “ato që duken fazat e hapjes dhe mbylljes janë në të vërtetë krejt të ndryshme në të gjithë vendin”,- tha Dr. Baseman. “Madje edhe politikat janë krejtësisht të ndryshme. Nuk ka një qasje kombëtare unike për masat e marra apo për rregullat.”

Ekspertët mendojnë se vende si Florida, duke u rihapur sa më shumë që nga muaji maj, kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me rritjen e rasteve të COVID-19, shkruan Class.

Po çfarë mund të bëjmë?
Vazhdoni të mbroheni, thotë Dr Baseman: “Por asnjë nga këto masa të shëndetit publik nuk e zgjidh problemin tonë. Jo rregulli 2 metër larg, as rregulli i maskës, as rregulli i aktiviteteve jashtë më shumë se brenda apo larja e duarve. Asnjë prej këtyre gjërave nuk do t’i mbrojë njerëzit nga infektimi”. Sigurisht, praktikojini të gjitha. Lani duart, distancohuni fizikisht nga njerëzit dhe mbani maskë kur jeni në publik, veçanërisht në ambiente të mbushura me njerëz dhe me ventilim të dobët.

Dr. Baseman thekson edhe një herë tjetër deklaratën e drejtorit të CDC-së në mes të korrikut për maskimin universal në të gjithë SHBA-të, duke marrë parasysh faktin se maskat janë vërtetuar se ndihmojnë në zbutjen e përhapjes së virusit. Maskimi, sidoqoftë, është politizuar, tha ajo, kështu që nuk e di nëse mund të arrihet maskimi universal në të gjithë vendin.

“Mendoj se është ende me vlerë të ndjekim këto masa, por është me të vërtetë e rëndësishme edhe të kemi një strategji për t’u mbrojtur”.

Përse gjumi i ditës është shumë i rëndësishëm

Pavarësisht se çfarë bëjnë gjatë ditës, disa persona thjesht pëlqejnë të bëjnë një gjumë të shkurtër pasdite.

Ky pushim i vogël gjatë ditës është një mënyrë e thjeshtë për t’u çlodhur dhe përtërirë dhe i jep trupit forcimin e nevojshëm në mënyrë që të mund të merret me gjithçka që ka ndodhur gjatë ditës, të rregullojë vetë dhe të jetë gati për nesër.

Pengimi kronik i gjumit mund të çojë në probleme serioze shëndetësore, pasi gjumi është thelbësor për funksionimin e trurit. Kjo, nga ana tjetër, shkakton stres kronik që ndikon në metabolizëm dhe çon në inflamacion kronik sistematik.

Kjo mund të jetë arsyeja prapa depresionit dhe ankthit tuaj, diabeti dhe sëmundjeve kardiovaskulare, artriti, shtimit të peshës, dhimbja e përgjithshme e trupit, çekuilibrit hormonal dhe infeksioneve.

Mungesa e gjumit gjithashtu mund të shkaktojë çrregullime të humorit dhe probleme me kujtesën.

Këto janë disa nga momentet kur një sy gjumë i mesditës mund të ndihmojë shumë:

Një studim tregoi se rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare ishte më i ulët te njerëzit që fjetën edhe vetëm dy herë në javë. Shkencëtarë të shumtë pohojnë se 60 deri 90 minuta gjumë gjatë pasdites mund të jenë po aq të dobishme për trurin sa një gjumë i plotë i natës.

Një studim i Universitetit të Harvardit i vitit 2010 tregoi se madje edhe fjetjet e shkurtra rrisin aftësitë e kujtesës dhe të mësimit

Bill Anthony, një psikolog amerikan dhe drejtor i qendrës së rehabilitimit psikiatrik të Universitetit të Harvardit pohon se synon të ulë në mënyrë drastike nivelet e kortizolit në trup.

Në ditët e sotme, stili i jetës tonë i stresuar e mban sistemin nervor simpatik vazhdimisht aktiv, gjë që shkakton lëshimin adrenalinës në rrjedhën tuaj të gjakut, dhe nivelet e kortizolit rriten.

Edhe një sy gjumë i shkurtër pasdite rrit gatishmërinë dhe kohën e reagimit dhe na ndihmon të bëhemi më pak impulsivë dhe më tolerant ndaj zhgënjimit.

Një sy gjumë është zbuluar të jetë edhe më efikas se kafeina në drejtim të përmirësimit të mësimit perceptues dhe konsolidimit të kujtesës.

Megjithatë, megjithëse mund të dini të gjitha përfitimet e gjumit, mund të mos keni kohë të mjaftueshme për të shijuar një sy gjumë 90-minutësh në mes të ditës. Shumica e ekspertëve shpjegojnë se nëse nuk flini gjumë të plotë, të pushoni për 20-30 minuta është e mjaftueshme për t’ju freskuar.

Ja çfarë mund të prisni nga pushimi:
20-minuta në gjumë: Përmirëson gatishmërinë mendore, kujtesën dhe aftësitë e të mësuarit motorik.

20 deri në 30 minuta në gjumë: Nxit kujtesën dhe krijimtarinë

30 – 60 minuta në gjumë: Përmirëson aftësitë dhe kujtesën tuaj në vendimmarrje

60 deri 90 minuta në gjumë: Ky është sy gjumë më i dobishëm, pasi siguron gjumin REM, rifillon trurin dhe përmirëson aftësitë tuaja për zgjidhjen e problemeve.

Zgjidhni një dhomë të errët dhe të qetë, me një temperaturë të rehatshme. Disa studime sugjerojnë që thjesht të kalosh kohë në shtrat mund të jetë e dobishme, por është më mirë të provosh dhe të flemë.

Çrregullimi bipolar, sëmundja mendore që rrezikon fëmijët po aq sa të rriturit

Çrregullimi bipolar është një sëmundje mendore që karakterizohet nga ndryshime ekstreme të mënyrës se si ndihet individi, por është shumë më tepër sesa një “luhatje e zakonshme humori”

Tre janë simptomat kryesore që mund të ndodhin rregullisht: mania, hipomania dhe simptomat depresive.

Mania: Nëse përjeton këtë gjë, një person me çrregullimin bipolar ndjen një emocion të madh. Ai/ajo mund të ndihet impulsiv, euforik dhe plot energji. Gjatë këtyre episodeve, ndodh që mund të shfaqë sjellje si seks i pambrojtur apo përdorim të drogës.

Hipomania: Lidhet më së shumti me çrregullimin bipolar II. Hipomania është e ngjashme me maninë, por nuk është aq e rëndë. Për dallim nga mania, hipomania mund të mos shkaktojë telashe në punë, shkollë ose marrëdhënie shoqërore. Sidoqoftë, njerëzit me hipomani vënë re ndryshime në gjendjen shpirtërore.

Depresioni: Gjatë një episodi depresioni, këta individë mund të përjetojnë trishtim të thellë, mungesë shprese, humbje energjie, mungesë interesi për aktivitete të ndryshme, vështirësi për të fjetur, mendime vetëvrasjeje.

Simptomat e çrregullimit bipolar te gratë/burrat
Burrat dhe gratë diagnostikohen me çrregullim bipolar në numër të barabartë, por sidoqoftë, simptomat kryesore të çrregullimit mund të jenë të ndryshme.

Gratë:
– diagnostikohen përgjithësisht në të 20-at apo 30-at
– kanë episode më të buta të manisë
– përjetojnë episode depresive
– kanë katër ose më shumë episode të manisë dhe depresionit në një vit
– përjetojnë në të njëjtën kohë sëmundje të tiroides, obezitetit, çrregullimet e ankthit dhe migrenës
– probleme me varësinë ndaj alkoolit.

Burrat:
– diagnostikohen më herët
– përjetojnë episode më të rënda
– kanë çështje të abuzimit me substancat
– kanë më pak të ngjarë se gratë të kërkojnë kujdes mjekësor vetë
– kanë më shumë të ngjarë të kenë mendime vetëvrasjeje.

Llojet e çrregullimit bipolar
Bipolar 1: Përcaktohet nga paraqitja e të paktën një episodi maniak (maniak – person që vuan nga mania; që ka një dëshirë të çuditshme, të tepruar ose të vazhdueshme për të bërë diçka). Ky lloj i çrregullimit bipolar prek burrat dhe gratë në mënyrë të barabartë.

Bipolar II: Njerëzit me këtë lloj të çrregullimit bipolar përjetojnë një episod depresiv që zgjat të paktën dy javë. Ata gjithashtu kanë të paktën një episod hipomanik që zgjat rreth katër ditë. Ky lloj i çrregullimit bipolar mendohet se është më i zakonshëm tek gratë.

Ciklotimia: Këta njerës kanë episodet e hipomanisë dhe depresionit. Këto simptoma janë më të shkurtra dhe më pak të rënda se mania dhe depresioni i shkaktuar nga çrregullimi bipolar I ose bipolar II.

Çrregullimi bipolar te fëmijët
Diagnostifikimi i çrregullimit bipolar te fëmijët është i diskutueshëm. Kjo kryesisht për shkak se fëmijët jo gjithmonë shfaqin të njëjtat simptoma si të rriturit. Gjendja dhe sjelljet e tyre mund të mos ndjekin standardet që mjekët përdorin për të diagnostikuar çrregullimin tek të rriturit.

Shumë simptoma të çrregullimit bipolar që shfaqen tek fëmijët gjithashtu mbivendosen me simptoma nga një sërë çrregullimesh të tjera që mund të ndodhin tek fëmijët, siç është çrregullimi i hiperaktivitetit dhe vëmendjes (ADHD).

Sidoqoftë, në dekadat e fundit, mjekë dhe profesionistë të shëndetit mendor kanë arritur të njohin gjendjen tek fëmijët. Ashtu si të rriturit, fëmijët me çrregullim bipolar përjetojnë episodet e ndryshimit ekstrem të humorit. Ndryshimet janë më ekstreme sesa ndryshimi tipik i humorit të një fëmije.

Simptomat e manisë te fëmijët:
– bëjnë sjellje të pakuptimta dhe ndihen të lumtur për to
– flasin shpejt dhe ndryshojnë shpejt tematikën e asaj për çfarë po flasin
– kanë vështirësi në përqendrim
– kanë shpërthime të çuditshme të zemërimit
– kanë probleme me gjumin
– nuk ndihen të lodhur edhe nëse kanë kohë pa fjetur.

Simptomat depresive te fëmijët:
– janë të trishtuar
– flenë shumë ose flenë shumë pak
– nuk kanë interes për lojëra dhe aktivitete normale për moshën e tyre
– ankohen se nuk ndihen mirë
– mendojnë për vdekjen ose ndoshta vetëvrasjen.

Çrregullimi bipolar te adoleshentët
Sjelljet shpeshherë konfliktuese nuk janë një gjë e re për prindërit e adoleshentëve. Ndryshimet e hormoneve, plus ndryshimet e jetës që vijnë me pubertetin, mund të bëjnë që edhe adoleshenti më i sjellshëm të shfaqë ndjenja zemërimi ndonjëherë. Sidoqoftë, disa ndryshime mund të jenë rezultat i një gjendje më serioze, siç është çrregullimi bipolar.

Simptomat e manisë te adoleshentët:
– janë shumë euforikë
– shfaqin sjellje të këqija
– marrin pjesë në aktivitete të rrezikshme
– abuzojnë me substancat narkotike
– mendojnë për seksin gjatë gjithë kohës
– përfshihen në aktivitete seksuale të rrezikshme
– kanë temperament shpërthyes
– kanë probleme me përqendrimin dhe shpërqendrohen shpejt.

Simptomat depresive te adoleshentët:
– flenë shumë ose nuk flenë fare
– hanë shumë ose hanë shumë pak
– ndihen të trishtuar
– tërhiqen nga ndërveprimi me familjen dhe miqtë
– mendojnë për vdekjen dhe/ose vetëvrasjen.

Shkaqet e çrregullimit bipolar
Çrregullimi bipolar është një çrregullim i zakonshëm i shëndetit mendor, por është pak mister për mjekët dhe studiuesit. Ende nuk është e qartë se çfarë i bën disa njerëz të zhvillojnë gjendjet e mësipërme. Shkaqe të mundshme janë:

Gjenetika: Nëse prindi ose motra ose motra juaj kanë çrregullim bipolar, keni më shumë të ngjarë të shfaqni simptomat e bipolaritetit. Sidoqoftë, është e rëndësishme të mbani në mend se shumica e njerëzve që kanë çrregullim bipolar në historinë e tyre familjare nuk e zhvillojnë atë.

Truri: Struktura e trurit mund të ndikojë në rrezikun për sëmundje. Anomalitë në strukturën ose funksionet e trurit mund të rrisin rrezikun.

Faktorët mjedisorë: Jo vetëm problematikat në tru mund t’i bëjnë njerëzit më të predispozuar për të shfaqur çrregullimin bipolar. Faktorët e jashtëm mund të kontribuojnë gjithashtu. Këtu përfshihen:

– stresi ekstrem
– përvojat traumatike
– sëmundjet fizike

A është çrregullimi bipolar i trashëgueshëm?
Bipolariteti mund të kalohet nga prindi tek fëmija. Hulumtimet kanë identifikuar një lidhje të fortë të gjenetikës. Nëse keni një të afërm me çrregullimin, shanset për ta zhvilluar atë janë katër deri në gjashtë herë më të larta se njerëzit pa histori familjare të gjendjes.

Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se të gjithë me të afërmit që kanë sëmundje do ta zhvillojnë atë. Përveç kësaj, jo të gjithë me çrregullim bipolar kanë një histori familjare të sëmundjes.

Diagnostikimi i çrregullimit bipolar
Një diagnozë e çrregullimit bipolar i përfshin ose një ose më shumë episode maniake, ose episode të përziera (maniake dhe depresive). Një diagnozë e bipolare II përfshin një ose më shumë episode të mëdha depresive dhe të paktën një episod të hipomanisë.

Për t’u diagnostikuar me një episod maniak, një individ duhet të përjetojë simptoma që zgjasin të paktën një javë ose që e bëjnë që të shtrohet në spital. Ai/ajo duhet të përjetojë simptoma pothuajse gjatë gjithë ditës çdo ditë gjatë kësaj kohe. Episodet kryesore depresive, nga ana tjetër, duhet të zgjasin së paku dy javë.

Çrregullimi bipolar mund të jetë i vështirë për t’u diagnostikuar sepse luhatjet e humorit mund të ndryshojnë. Nga ana tjetër, bipolariteti shpesh përkeqësohet nëse nuk trajtohet; episodet mund të ndodhin më shpesh ose të bëhen më ekstreme.

Testi i simptomave të çrregullimit bipolar
Një testim i vetëm nuk bën një diagnozë të çrregullimit bipolar, por duhen disa testime dhe prova, të cilat mund të përfshijnë:

Testimi fizik: Mjeku bën një testim të plotë fizik, nga analiza e gjakut dhe urinës e deri te specifikat e tjera, për të parë shkaqe të mundshme të simptomave.

Vlerësimi i shëndetit mendor: Mjeku/ja mund t’ju referojë të psikolog ose psikiatër. Këta janë mjekët që diagnostikojnë dhe trajtojnë kushte të veçanta të shëndetit mendor, siç është edhe çrregullimi bipolar, këshillon Anabel.

“Ditari i humorit”: Nëse një specialist dyshon se ndryshimet në sjellje janë rezultat i çrregullimit bipolar, mund t’u kërkojë individëve që të përcaktojnë gjendjen shpirtërore. Mënyra më e lehtë për ta bërë këtë është që të mbahet një ditar ku të shkruhet sa zgjasin ndenja të caktuara dhe si shfaqen ato. Po kështu mund të sugjerohet gjithashtu që të regjistrohen mënyrat e gjumit dhe të ngrënit.

Trajtimi i çrregullimit bipolar
Medikamente
– stabilizues të humorit
– anti-depresantë
– ilaçe kundër ankthit

Psikoterapia
– Terapia konjitive e sjelljes: Individi flet me një terapist për mënyrat për të menaxhuar çrregullimin bipolar.
– Psikoedukimi: Lloj këshillimi që i ndihmon njerëzit bipolarë që ta kuptojnë çrregullimin. Kjo i ndihmon ata që ta menaxhojnë.
– Terapia e ritmit ndërpersonal dhe shoqëror: Përqendrohet në rregullimin e zakoneve të përditshme, të tilla si gjumi, ngrënia dhe ushtrimet. Balancimi i këtyre bazave të përditshme mund të ndihmojë në menaxhimin e çrregullimit.
– Ndryshime të stilit të jetesës: Mbajtja e një rutine të caktuar, njohja e luhatjeve të humorit, bisedimi me një mik ose një specialist.

Të jetosh me çrregullimin bipolar
Çrregullimi bipolar është një sëmundje mendore kronike. Kjo do të thotë se këta njerëz përballen me këtë sëmundje gjatë gjithë jetës, mirëpo kjo nuk do të thotë që s’mund të jetojnë të lumtur dhe të shëndetshëm. Trajtimi mund t’i ndihmojë që ta mbajnë çrregullimin nën kontroll dhe ta menaxhojnë ata.

Nëse mendoni se jeni bipolarë, drejtohuni psikiatrit, psikologut a terapistit për ndihmë të specializuar.