29.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Edhe OFL e zhytyr në korrupsion, bie në pranga njeri prej tyre

Një punonjës i policisë, i cili ishte pjesë e Operacionit Forca e Ligjit është vënë në pranga nga kolegët e tij të SHÇBA-së.

Punonjësi i policisë është vënë në pranga pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të korrupsionit. Nuk dihet ende identiteti i efektivit që ka rënë në pránga.

Dyshimet janë që punonjësi i policisë të ketë tentuar të negociojë për një nga rastet që ka qenë nën lupën e OFL-së për deklarimin e pasurisë.

Video/ “O hajdut, o legen”… Plas sherri për tenderat, kryebashkiaku i Ramës humb toruan

Kryebashkiakët e Ramës kanë dalë jashtë kontrollit dhe nuk dinë çfarë bëjnë.

Debatet, fyerjet dhe kërcënimet janë të përditshme në 61 bashkitë moniste dhe shkaqet janë interesat e ngushta tenderët, vendet e punës, që duket se po shtohen dhe më shumë tashmë që viti i ardhshëm është zgjedhor.

Një video e shpërndarë në rrjetet sociale tregon një mbledhje të tensionuar të këshillit bashkiak të Matit, këshill ky monopartiak, ku kryetari i Bashkisë, Agron Malaj, debaton me tone të ashpra me një prej anëtarëve socialistë.

Malaj i drejtohet anëtarit të këshillit më fjalë fyese “hajdut” dhe “legen”. “O hajdut, o legen, u bë fytyra jote“, dëgjohet në video zëri i Malajt.

Lëkundje tërmeti në vendin tonë, ja ku ishte epiqendra

Lëkundje tërmeti janë ndjerë në vendin tonë. Siç raporton Qendra Evropiane e Tërmeteve, lëkundjet kanë qenë me magnitudë 3.1 të shkallës Rihter dhe me një thellësi zero kilometra.

Ndërkohë, EMSC raporton se epiqendra e tërmetit është regjistruar në Fushë-Krujë.

10 vjet nga vendimi i GjND për ligjshmënë e Pavarësisë, Basha nxjerr dokumentin: Koha për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë!

Në 10 vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për njohjen si të ligjshme të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, lideri i opozitës Lulzim Basha nxori në pah përpjekjet e Shqipërisë 10 vjet më parë për njohjen e këtij vendimi.

Zoti Basha ka publikuar një dokument nga koha kur ai ishte Ministër i Jashtëm, drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në këtë 10 vjetor të fitores së kësaj beteje ligjore, lideri i opozitës bën thirrje për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, si shërbim për qytetarët dhe stabilitetin.

Ky mesazh u mirëprit gjerësisht gjatë vizitës zyrtare që zoti Basha pati në Kosovë në fillim të javës, ku përaqësuesit e të gjithë institucioneve dhe forcave politike të Kosovës i shprehën mirënjohjen dhe e falenderuan zotin Basha për rolin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në procesin e pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare gjatë kohës qê shërbente si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Deklarata e plotë e Kryetarit të PD, Lulzim Basha

“10 vjet më parë GJykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Sot është koha për njohje reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Kjo i shërben qytetarëve të dy vendeve, paqes dhe stabilitetit të rajonit. Shqipëria në krah të Kosovës me diplomacinë e saj dhe në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, dha gjithçka për shpalljen e pavarësisë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Së bashku, në krah të njëri-tjetrit, do të përballojmë çdo sfidë e sigurojmë të ardhmen”.

Bolton zbardh pazaret e Ramës për copëtimin e Kosovës: Ishte pro shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës

Ish-Këshilltari i sigurisë së Presidentit, Trump, John Bolton ka deklaruar në një intervistë për gazetarin Robert Papa në “Fokus-tv” se Rama ka qenë pro shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.

Intervista e Bolton do të transmetohet ditën e enjte në emisionin “Fokus-tv”. Në një tjetër prononcim për gazetarin Papa më datën 5 Korrik, Bolton deklaroi se “shkëmbimi i territoreve u propozua nga liderët e Kosovës dhe Serbisë”. Në intervistën që do të transmetohet të enjten, Bolton hedh dritë mbi rolin e Ramës në planin për copëtimin e Kosovës.

Vetë Rama në një deklaratë të bërë në Parlament u shpreh se ai kishte pasur bisedë telefonike me John Bolton. Bolton tani po jep hollësi të bisedës telefonike dhe prapaskenave të pazareve të Ramës për copëtimin e Kosovës

Deklarata e bërë me 5 korrik

Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare në administratën e Trump, John Bolton thotë se ideja e shkëmbimit të territoreve ka ardhur nga vetë liderët e Kosovës dhe Serbisë.
Në mes të debatit, pas deklaratave të Michael Grenell, i dërguari special i Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, se ideja e shkëmbimit të kufijve ishte e Bolton dhe jo e Presidentit Trump, vetë ish-këshilltari thotë se ky opsion është artikuluar nga Prishtina e Beogradi, dy vjet më parë dhe ka hasur në refuzimin e shumë vendeve të Europës.

“Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, kishte të dhëna, që në 2018, se liderët donin t’i zgjidhnin çështjet, sepse e panë se nuk mund të kishin pavarësi ekonomike dhe stabilitet derisa marrëdhëniet e tyre të normalizoheshin. Një nga gjërat që ata po diskutonin ishte mundësia e shkëmbimit të territoreve. Në vende të Ballkanit, në Gjermani dhe në Europën Perëndimore kjo shihej me druajtje sepse kishin frike se shkëmbimi i territoreve mund të çonte në ketë praktikë edhe në vende të tjera.

Kjo ndodh në histori. Është diçka që duhet të jetosh. Ju do të më thoni se nëse Kosova dhe Serbia do të kishin rënë dakord për shkëmbimin e territoreve, një pjesë e Europës do të thoshte jo. Jo, kjo nuk është e pranueshme për ne, ne do ta refuzojmë këtë zgjidhje, mendoj se kjo do të ishte e paimagjinueshme.

Tani, ka shumë rrugë deri atje, sepse pengesa të reja kanë dalë kohët e fundit. Por, në fund të fundit, ju përmendët Jim Baker, që ka qenë mentori im për shumë vjet. Ai u ka thënë një herë izraelitëve dhe arabëve, se vetëm palët e përfshira mund të realizojnë një paqe të qëndrueshme. Ne do të ishim të lumtur t’i ndihmonin. Ky është numri i Shtëpisë së Bardhë, kur ta keni seriozisht, na telefononi”, deklaron Bolton

Takimi i parë për vijimin e dialogut Prishtinë-Beograd, nën udhëheqjen e SHBA ishte parashikuar të zhvillohej më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, por aktakuza ndaj Presidentit Hashim Thaçi për krime lufte, e shtyu takimin. Autoritetet kosovare dhe Tirana zyrtare i kanë cilësuar të montuara akuzat ndaj Thaçit.

Mjeku i shkuan ministres: Të trajnohen më shumë mjekë dhe infermierë në kujdesin intensiv për përballimin e Covid-19

LETËR E PËRSËRITUR MINISTRES SË SHËNDETËSISË

E nderuar Zonja Ministre e Shëndetësisë!

Prej më shume se prej 4 muajsh COVID-19 është një pandemi, dhe unë në këtë letër ndaj Jush, nuk dua të diskutoj këtë. Disa vende janë goditur më shumë se disa të tjera, por ndikimi ndihet thellësisht në një shkallë botërore, dhe kuptohet më mirë se sa askund në komunitetet mjekësore, ato të bizneseve, në jetën social-politike etj.

Letra ime ndaj Jush ime nuk ka të bëjë me vetë virusin apo dëmet që i shkakton trupit të njeriut por me cfilitjen që ju shkakton burimeve tona të kufizuara mjekësore.

Dihet pothuaj nga të gjithë që COVID-19 është një virus respirator, prek rrugët e sipërme e të poshtme respiratore, por edhe më gjërë.

Infeksioni pulmonar shkakton ARDS, sindromi i insufiçiencës respiratore acute.

Në ARDS i sëmuri është i pamundur të marrë frymë vetë, dhe trajtohet vetëm në njësitë e kujdesit intensiv me frymëmarrje të drejtuar.

Ne edhe respiratorët, ashtu si gjithë bota, i kemi të kufizuar në numër, por le të jemi optmistë që mund të kemi aq sa na duhen.

Siç e dimë mirë, në Shqipëri (por jo vetëm) nuk kemi mjaft mjekë, dhe sidomos mjekë reanimatorë për të trajtuar një fluks të rritur të pacientëve.

Prandaj, nevoja kalon tek personeli mjekësor shtesë që ka specializim apo trajnim në fushën e kujdesit intensiv.

Për opinionin tim Ministria e Shëndetësisë do të bëntë një punë të lavdëruar dhe të dobishme nqs në këtë kohë do të ndërmerrte kualifikimin, trajnimin e shumë mjekëve dhe infermierëve për kujdesin intensiv në mënurë që shumë mjekë të aftësoheshin në intubimin, reanimimin dhe asistimin e të sëmurëve me ARDS në mënyrë që të jemi gati për ndonjë skenar më të keq.

Unë dhe plot mjekë e jo vetëm lutemi që kjo të mos ndodhë kurrë, por rastet në rritje, parashikimet për aktivizimin e virusit në stinët e ftohta që janë duke ardhur, duhet të na gjejnë të pregatitur!

Nuk është vetëm Shqipëria por mbarë bota që ka nevojë për reanimatorë sot!

Ministria e Shëndetësisë, Fakulteti i Mjekësisë sot duhet të mendojnë për një skenar më të rëndë, me qindra të sëmurë që kanë nevojë për frymëmarrje të drejtuar.

Gjasat për të patur nevojë për mjekë të kualifikuar të kujdesit intensiv duhen vlerësuar , dhe është e pafalshme të mbetemi përsëri me duart nga qielli (ti lutemi Zotit).

Shembulli vjen nga Franca, e cila filloi që në muajin prill trajnimin e më shumë mjekëve por edhe infermierëve në kujdesit intensiv.

Të njëjtën gjë zbatoi edhe Italia, e cila i ka thirrur të gjithë ata që kanë një gradë mjekësore, pa marrë parasysh çfarë niveli të ndihmojnë.

Edhe Ju zonja Ministre, keni ftuar studentët, pensionistët, por që të jesh i përgatitur do të thotë të jesh i kualifikuar, i trajnuar për të shpëtuar sa më shumë njerëz.

Natyrisht, është e pamundur të kualifikohemi të gjithë për të qenë një mjek reanimatorë, sidomos në një kohë kaq të shkurtër, por një kurs trajnimi prej disa javësh, (si ta gjykojnë politikëbërësit e sistemit) për të qenë të aftë për kujdes intensiv në këtë kohë për të qenë gati për një skenar më ogurzi është i domozdoshëm.

Sot kushdo është i qartë se qëllimi për këdo që thirret për të ndihmuar është thjesht ky: Të jetë i aftë për të shpëtuar jetë!

Ministria e Shëndetësisë duhet të gjejë mënyra on-line, ose direkt në spitalet COVID 1 dhe 2 në Tiranë për të trajnuar sa më shumë staf mjekësor për njësitë e kujdesit intensiv: Më mirë të pregatitet staf dhe të mos kemi nevojë në ditët që do të vijnë, se sa të kemi një skenar të zi e të ndodhemi pa staf të pregatitur.

Ju, si titullari e Ministrisë më të rëndësishme në këtë kohë, stafi Juaj, Komiteti i famshëm i ekspertëve, Ne, punonjësit kokëulur të sistemit, duhet të punojmë me mençuri e përkushtim bashkë që sistemi jonë i brishtë me shumë mangësi, (pasi dihet jemi një vend varfër e i keq-qeverisur), në mënyrë që të mos kolapsohet nga pakujdesia apo papërgjegjshmëria!

Ju lutem zonja Ministre nisni një program trajnimi për njësitë e kujdesit intensiv, në mënyrë që të jemi të gatshëm të shpëtojmë sa më shumë jetë!

Është më mirë që të përgatitet një kontigjen teknicienësh, dhe le të mos ketë punë për ta!

Me konsideratë Ilir Allkja, mjek

(Pavarësisht se unë jam një qytetar opozitar me qeverisjen tuaj, besoj se do të prevalojë lutja ime si mjek i përkushtuar ndaj njerzve të vendit tim)

Haradinaj: Pas konfirmimit të aktakuzës, Thaçi do të jap dorëheqje

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u shpreh i bindur se në rast në konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, presidenti i vendit Hashim Thaçi do të jap dorëheqje.

Haradin theksoi se koha se kur jep dorëheqje presidenti është kalkulim i tij.

“Kjo situatë nuk është e mbyllur, i ka dy momente, është publikimi i aktakuzës, pra një njoftim zyrtar që pasoi me intervistimin e presidentit, por është edhe momenti tjetër që pritet, do të thotë hedhja poshtë ose vendimi për konfirmim.

Tani mendoj se edhe dorëheqja nuk duhet të shihet në një afat të caktuar kohor, a është në ditën e parë apo në ditën kur ngitet aktakuza, por mund të vijë ajo ditë nëse konfirmohet aktakuza kur presidenti do ta merr vendimin e tij pra për dorëheqje. Unë vendimin e kam marrë në ditën e parë.

Ndërsa edhe presidenti në aspektin kohor mund ta kalkuloj, por kur të ngritet aktakuza ai ashtu siç ka deklaruar edhe vetë ai do të jap dorëheqje”, tha Haradinaj, aj në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje Haradinaj tha se intervistimi i Thaçit në Hagë ndikon në sovranitetin e vendit, sepse bëhet nga gjykatës dhe prokurorë të huaj.

“Ka implikime në sovranitetin, në aspektin e integritetit shtetëror e të gjitha këto kur merret presidenti në pyetje. Nëse do të merrej presidenti në pyetje nga një gjykatë e lartë vendore janë marrëdhënie të respektueshme kur ti shkon te institucioni yt që e ke krijuar vetë, e respekton, e çon porosinë e mirë në popull, në momentin që konfirmohet ndonjë shkelje ligjore jep dorëheqje, siç kemi bërë ne këtu.

Dy presidentë kanë dhënë dorëheqje për shkak të të gjeturave të Gjykatës Kushtetuese, por problemi është se ti shkon në një juridiksion tjetër edhe pse me ligje të Kosovës. Ti shkon në një shtet tjetër në këtë rast në Holandë, dhe e dyta del para gjyqtarëve të rekrutuar nga dikush tjetër, janë shtetasë të huaj.

Me gjithë respektin se vijnë nga vendet mike, por integriteti, sovraniteti i vendit sidomos sovraniteti është strikt, pra nuk e ekspozon, nuk e nxjerrë sovranitetin për asnjë arsye”, tha Haradinaj.

Edhe Ali Ahmeti thirret në Hagë, cili ka qenë roli i tij

Kreu i BDI, Ali Ahmeti është ftuar në Gjykata Speciale në Hagë për intervistim. Ahmeti ka bërë vetë me dije këtë për TV 21 në Maqedoninë e Veriut duke pohuar se është ftuar dhe do të shkojë për intervistim në Hagë.

Këto intervistime vijnë fill pas publikimit të aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Hagës për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe ish- luftëtarë të UÇK-së.

Nuk dihet nëse intervistimet e Thaçit apo Ahmetit kanë lidhje me njëra- tjetrën, por tashmë një tjetër lider politik shqiptar duhet të paraqitet para Hagës për veprimet e kryera në të shkuarën gjatë luftës.

Ali Ahmeti para se të bëhej politikan dhe të themelonte BDI-në në Maqedoninë e Veriut, ka qenë iniciator i protestave kundër regjimit të Sllobadan Millosheviç si dhe themelues i UÇK-së duke kontribuar si në luftën e shqiptarëve në Kosovë edhe në Maqedoni.

Opozita e Bashkuar paralajmëron Ramën: Ti do ta paguash faturën e këtij akti të papreçedentë

Opozita e Bashkuar reagon pas mbledhjes së Këshillit Politik, ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama me negociatorin e PS, Damian Gjiknurit, dhe përfaqësuesit e opozitës parlamentare.

Me një deklaratë të fortë, opozita e bashkuar paralajmëron se kryeministri Edi Rama po çon drejt shkatërrimit marrëveshjen e 5 qershorit, të arritur me dialog mes palëve, duke e cilësuar këtë një akt të rrezikshëm me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e vendit.

“Këshilli Politik u krijua me investimin e partnerëve strategjikë SHBA-BE-Britani e Madhe-OSBE, si forum dialogu politik mes të gjitha palëve politike në vend, për të realizuar Reformën Zgjedhore. Me një lojë të pisët, të parapërgatitur prej kohësh, Edi Rama po e shkatërron atë, në mënyrë të njëanshme”, thekson opozita jashtëparlamentare, e cila nuk ishte sot në mbledhjen e Këshillit Politik, pasi kërkoi që kjo mbledhje të zhvillohej nesër pasdite, ose të premten.

Deklarata e opozitës së bashkuar:

Teoria e “faktit të kryer” shkon kundër parimeve të dialogut politik, i cili është minuar sa kohë njëra palë ka ndërmarrë një akt të njëanshëm, që zhbën Marrëveshjen e 5 Qershorit.

Ndryshimi i njëanshëm kushtetues për ndalimin e koalicioneve zgjedhore shkatërron të dyja marrëveshjet politike për zgjedhjet, atë të 14 Janarit dhe atë të 5 Qershorit.

Ecja drejt shkatërrimit nga Edi Rama i marrëveshjeve politike është një akt i rrezikshëm me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e vendit.

Këshilli Politik u krijua me investimin e partnerëve strategjikë SHBA-BE-Britani e Madhe-OSBE, si forum dialogu politik mes të gjitha palëve politike në vend, për të realizuar Reformën Zgjedhore. Me një lojë të pisët, të parapërgatitur prej kohësh, Edi Rama po e shkatërron atë, në mënyrë të njëanshme.

Edi Rama po bën fakt të kryer ndryshimin e elementëve bazë të sistemit zgjedhor, duke hequr koalicionet parazgjedhore si subjekt zgjedhor, duke ndryshuar konceptin e ndarjes administrative të zonave zgjedhore dhe organizimit elektoral, duke futur elementë të rinj në hartimin e listave dhe procesin e votimit, duke ndryshuar rregullat e administrimit zgjedhor.

Të gjithë këto elementë themelorë të garës elektorale, po tentohet të ndryshohen në mënyrë të njëanshme,
· pa përfshirë opozitën politike të vendit, që përfaqëson në zgjedhjet e deformuara të 2017, jo me pak se gjysmen e votuesve (rreth 765 mijë votues);
· në një proces të mbyllur, jo transparent dhe monopartiak, që ka zgjatur online në Kuvend vetëm 6 orë;
· pa marrë mendimin e OSBE-ODIHR;
· në kundërshtim me qëndrimin e Zyrës së OSBE-së në Tiranë, që ju solli në vëmendje se ndryshime të tilla nuk mund të kryen sipas standardeve ndërkombëtare 1 vit përpara datës së zgjedhjeve.
· pa marrë mendimin e Komisionit të Venecias.

I gjithë ky ndryshim, që ka efekt në organizimin e zgjedhjeve, po propozohet të ndodhë vetëm 8 muaj nga data e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të rradhës, në kundërshtim të hapur me Kodin e Praktikave të Mira të Çështjeve Zgjedhore të Komisionit të Venecias.

Ky është një akt i paprecedentë në 30 vite pluralizëm, dhe një thyerje e rëndë e besimit të partnerëve strategjikë SHBA dhe BE që u investuan, përshëndetën dhe vazhdojnë të insistojnë në zbatimin e Marrëveshjes së 5 qershorit pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që e shkatërrojnë atë.

Ky akt tinzar prej frikacaku tregon tmerrin e kryeministrit në ikje nga zgjedhjet dhe rotacioni i pashmangshëm. Opozita e Bashkuar garanton të gjithë qytetarët se do të bëjë gjithçka, që faturën e rëndë që ky akt sjell për demokracinë, stabilitetin dhe integrimin e vendit ne Bashkimin Europian, ta paguajë vetëm Edi Rama dhe jo Shqipëria e shqiptarët.

Rama dhe Lymi takohen për të ndryshuar Kushtetutën

Rama dhe Lymi janë takuar sot kokë më kokë dhe kanë vendosur të ndryshojnë Kushtetutën. Murrizi tha në fund të mbledhjes së Këshillit Politik se nuk kishin çfarë të bisedonin se nuk kishin me kë të bisedonin, ndaj dabatuan për gardhin jashtë.

Ndërkohë që sipas tij ekspertët garantuan se nëse më 30 korrik votohen ndryshimet kushtetuese, nuk preket asgjë nga marrëveshja e 5 qershorit.

Sipas Murrizit, e vetmja nismë ligjore që ka deformuar demokracinë në Shqipëri, është 21 prilli i vitit 2008, kur shqiptarëve iu mohua e drejta e zgjedhjes.

“Pati debat për gardhin, se nuk kemi për cfarë debatojmë aty. Ekspertët thanë se edhe nëse më 30 votohen ndryshimet kushtetuese nuk preket asgjë nga marrëveshja e famshme e qershorit. Kështu që nuk shoh pse nuk vijnë, cfarë kanë, që të na mbushin mendjen edhe neve.

E vetmja nismë ligjore që ka deformuar demokracinë në Shqipëri, është 21 prilli i 2008, që shqiptarëve iu është mohuar e drejta e zgjedhjes. Shqiptarët janë kthyer thjesht në votues, jo zgjedhës. Kështu që ndryshimet rregullojnë demokracinë, votën, aq sa mundet në Shqipëri.

Grupi jonë parlamentar për marrëveshjen e 1 qershorit është shprehur me firmë se nuk e voton. Ata janë gjithë kohën bashkë, vetëm orari i gjumit i ndan”, tha Murrizi.