24.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Ushqimi që rrit mërzinë dhe depresionin, si ta shmangni

Fakti që sheqeri ka një ndikim të tmerrshëm në organizëm, nuk përbën më lajm.

Prania e tij ka lidhje të drejtpërdrejtë me mbipeshën, diabetin dhe sëmundjet e zemrës.

Duke qenë se sheqeri ka një ndikim kaq të fortë në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës, natyrshëm lind shqetësimi për ndikimin në shëndetin e trurit.

Studimet të cilave u referohet AgroWeb.org, zbuluan së fundmi se sheqeri i tepërt mund të jetë shkaktar i shumë çrregullimeve mendore.

Studimi tregoi se personat që konsumojnë shumë sheqer kanë 23 përqind më shumë gjasa të preken nga depresioni në harkun kohor të 5 viteve.

Sheqeri Dhe Depresioni
Natyrshëm mund të mendoni se ky problem nuk ju prek shumë.

Por sipas të dhënave të AgroWeb.org, njeriu mund të marrë të paktën 67 gramë sheqer në ditë duke pirë vetëm një pije të gazuar dhe duke ngrënë një çokollatë të vogël.

Kjo shifër rritet shumë gjatë ditës nga konsumi i ushqimeve të përpunuara, lëngjeve të frutave apo bukës.

Ekspertët më në zë të mjekësisë rekomandojnë që njeriu nuk duhet të konsumojë më shumë se 36 gramë sheqer në ditë.

Ndaj nëse nuk jeni të vëmendshëm ndaj përmbajtjes së sheqerit në ushqimet tuaja, atëherë me siguri po e teproni.

Çrregullimet e humorit janë shumë të komplikuara dhe sheqeri sigurisht nuk është fajtori i vetëm.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se sheqeri është një faktor i rëndësishëm në shfaqjen e këtyre çrregullimeve.

Sipas tyre, kjo çështje ka nevojë për studime të mëtejshme.

Sinjalet e Trupit Kur e Teproni Me Sheqerin
Mungesë energjie dhe lodhje

Trullosje (veçanërisht pasi ke ngrënë)

Humbja e shijes
Probleme me këmbët dhe lëkurën

Rrathët e zinj tek pjesa e poshtme e syve

Shtim në peshë
Për më tepër, sheqeri shkakton çlirimin e insulinës në gjak, që luan një rol domethënës në shtimin ne peshë.

Sa më shumë insulinë të ketë në organizëm aq më e lartë do të jetë rezistenca ndaj tij.

Organizmi do të çoroditet, sepse nuk do të dijë si t’i përgjigjet sasive të insulinës dhe të përpunojë sheqerin në mënyrën e duhur.

Për më tepër, pankreasi, organi përgjegjës për insulinën, do të lodhet dhe do të shkaktojë zhvillimin e diabetit.

Si Ta Shmangni
Hiqni dorë prej bukës së bardhë, ëmbëlsirave të pastiçerive dhe drithrave të ëmbëlsuar dhe zgjidhni bukë me drithëra të plotë, perime dhe fruta.

Nëse blini ushqime të paketuara, kontrolloni etiketat në mënyrë që të zbuloni sasinë e sheqernave të fshehur.

Të dhënat e AgroWeb.org tregojnë se këto të fundit gjenden tek drithërat, buka, salcat, ushqimet e gatshme dhe të përpunuara.

Sheqernat maskohen me terma të ndryshëm si glukozë, dekstrozë, ëmbëlsues, shurup e të tjerë.

Nëse një produkt përmbajn më shumë se 5 përqind sheqer për çdo gramë sasi atëherë mos e konsumoni.

Kujdes me alkolin, pasi mund të shkaktojë luhatje të forta në nivelin e sheqerit në gjak.

Bllokimi i veshit nga noti, pse ndodh dhe çfarë duhet të bëni

Një nga problemet më të përhapura gjatë stinës së verës është infeksioni dhe bllokimi i veshit që prek jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit.

Infeksioni shfaqet brenda kanalit të veshit kur ka çarje të shtresës mbrojtëse që përbëhet nga dylli.

Një gjë e tillë lehtëson futjen e baktereve, mykut apo viruseve nën lëkurë.

Noti është një nga arsyet kryesore që veshi bëhet një pre e lehtë e infeksioneve.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni më shumë për faktorët e rrezikut të infeksionit të veshit dhe si t’i shmangni ato.

Noti Ose Lagështia E Tepërt
Noti i shpeshtë dhe i vazhdueshëm apo futja e ujit në vesh mund të zbusë lëkurën e kanalit të veshit.

Lagështia prish ekuilibrat e baktereve të shëndetshme që jetojnë në këtë zonë.

Çfarë Duhet të Bëni
Në këto raste duhet të përdorni tapa veshi ose sigurohuni që të thani veshët duke e mbajtur kokën mënjanë deri sa uji të dalë nga veshi.

Për një përtharje më të mirë përdorni edhe tharësen e flokut në distancë nga veshi.

Mund të përdoni edhe pambuk të lyer me pak vaj ulliri në vend të tapave të veshit kur hyni në ujë për not.

Pastrimi Ose Gërvishtja E Kanalit Të Veshit
Pastrimi i kanalit të veshit heq edhe dyllin mbrojtës të tij.

Përdorimi i gishtave, kunjave prej pambuku e të tjerë e dëmton rëndë lëkurën.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, ekspertët thonë se në kanalin e veshit nuk duhet futur asnjë send, sado i vogël të jetë.

Futja e Sendeve Në Vesh
Përdorimi afatgjatë i kufjeve, aparateve të dëgjimit, tapave e çdo sendi tjetër e dëmton lëkurën e veshit.

Nëse përdorni aparat dëgjimi, atëherë duhet ta pastroni çdo mbrëmje.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, kufjet nuk duhen mbajtur për shumë gjatë në vesh, sepse jo vetëm që dëmtojnë dëgjimin por edhe kanalin e veshit.

Problemet Me Lëkurën
Psoriaza apo ekzema që shfaqet në lëkurën e kanalit të veshit nxit infeksionin.

Reagimet alergjike që mund të shfaqen në vesh ndodhin si pasojë e përdorimit të produkteve si llaku, shampo, vathë apo medikamente.

Nëse ju kruhet veshi, atëherë konsultohuni me një mjek për të diagnostikuar problemin.

Infeksioni në pjesën e jashtme të veshit mund të evitohet duke folur me mjekun i cili mund t’ju japë solucione me pika ose të ofrojë trajtime për pastrimin e veshit.

Opozita e Bashkuar i kthen përgjigje Ramës për mbledhjen e Këshillit Politik, ja çfarë i kërkon…

Opozita e Bashkuar i ka kthyer përgjigje Edi Ramës, në lidhje me kërkesën e tij për të mbledhur sot Këshillin Politik.

Sipas emailit të opozitës, propozohet që mbledhja e Këshillit Politik të zhvillohet ose të enjten në orë 17:00, ose të premten në orën 11:00 sipas axhendës së mazhorancës.

Përgjigja e opozitës së Bashkuar

Në vijim të email-it më poshtë, propozojmë që mbledhja e Këshillit Politik, është e përshtatshme, të zhvillohet të enjten në orën 17:00, ose të premten ora 11:00, sipas kohës tuaj.

Në Rendin e Ditës së mbledhjes siç kemi rënë dakord në Marrëveshjen e 5 Qershorit, duhet të përfshihet vijimi i punës së Këshillit për zbatimin e pikave 11 dhe 12 të saj, ku specifikohet se: ‘11. Masat shtesë: Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë në mirëbesim dhe të përpiqet të arrijë zgjidhje të përbashkëta ku dhe kur është e mundur të adresohen rekomandimet kryesore të ODIHR lidhur me: (1) blerjen e votës; (2) presionin ndaj votuesve dhe administratës publike; (3) keqpërdorimin dhe abuzimin me administratën publike; (4) marrëveshjet e fshehta me grupet kriminale; (5) lirinë dhe sekretin e votës; dhe (6) manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore. Në rast të mosprogresit këto propozime NUK do të ndërhyjnë apo vonojnë një marrëveshje dhe kalimin në parlament të masave të dakordësuara në pikat 1-9.

  1. Hyrja në fuqi: Pikat 1, 2, 3, 7, 9, 9, 10 dhe 11 më sipër dhe dy shënimet poshtë do të hyjnë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare dhe vendore). Pikat 4, 5 dhe 6 më sipër do të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme zgjedhore dhe parlamentare.’.

Në lidhje me ndryshimin e formatit të përbërjes së Këshillit Politik, nëse ju keni vlerësuar si të përshtatshme zgjerimin e përfaqësuesve të partive politike në Grupin e Punës së Këshillit Politik, atëherë ju bëjmë me dije se Opozita e Bashkuar do të përfaqësohet përveç nesh, edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike z. Gazment Bardhi.

Mbetemi në pritje të konfirmimit tuaj!

Oerd Bylykbashi

Petrit Vasili

Barcelona ideon ish-trajnerin e Francës si zëvendësues të Setien

Ish-trajneri i Francës, Laurent Blanc, është njëri ndër opsionet e Barcelonës për pozitën e trajnerit në Camp Nou, për ta zëvendësuar Quique Setien në fund të këtij sezoni.

E ardhmja e trajnerit spanjoll në Barcelonë është vënë në dyshim pasi klubi katalonas e humbi titullin e La Ligës. Nëse klubi dështon edhe në Ligën e Kampionëve, atëherë Barcelona pritet ta ndërrojë trajnerin.

Sipas gazetës prestigjioze franceze, L’Equipe, Blanc është njëri ndër trajnerët e identifikuar nga Barcelona si trajner potencial i ardhshëm i klubit, pasi që edhe drejtori sportiv, Eric Abidal, e përkrah këtë opsion,

Gazeta franceze gjithashtu shton se edhe Blanc është i interesuar ta marrë rolin e trajnerit në Camp Nou, pasi që ka qenë i papunë që nga viti 2016, kur e la rolin e trajnerit të Paris Saint-Germainit.

Abidal e njeh Blanc mirë pasi që kishte punuar me të mes viteve 2010 dhe 2012 me ekipin kombëtar të Francës dhe është i familjarizuar me stilin e tij të lojës që e ka në fokus posedimin e topit dhe që i përshtatet Barcelonës.

Që kur është larguar nga PSG-ja, Blanc raportohet t’i ketë pasur disa oferta, përfshirë këtu nga Sevilla dhe Galatasaray në vitin 2017, të cilat i kishte refuzuar.

Megjithatë, tani 54-vjeçari thuhet se është i gatshëm të kthehet në futboll. Ai raportohet se dëshiron të nënshkruajë kontratë njëvjeçare dhe se dëshiron ta sjellë me vete ndihmësin e tij, Frank Passin.

Gjashtë ushqime që ju mbajnë të hidratuar gjatë verës

Dehidratimi është një nga “vuajtjet” verore më shumë se të zakonshme, që thuajse e përjetojmë të gjithë këtë periudhë!

Temperaturat më të larta se mesatarja të kombinuara me aktivitete të gjata në natyrë, shumë prej tyre fizike, kërkojnë konsum shtesë të ujit. Por, mos pirja e mjaftueshme e ujit mund të çojë në lodhje, ngërçe të muskujve, migrenë, presion të ulët të gjakut dhe madje edhe probleme të organeve të brendshme.

Mos lejoni që dehidratimi të prish harmoninë e ditëve tuaja verore! Uji duhet të jetë gjithmonë një zgjedhje, madje dhe nëpërmjet ushqimeve. Këtu janë gjashtë prej tyre që sa më shumë t’i konsumoni, aq më shumë të hidratuar ju mbajnë…

Shalqiri
Një fetë shalqi vlen sa një gjysmë gote ujë, përveç fibrave, antioksidantëve, vitaminës C, vitaminës A dhe magnezit që ka. Konsumojeni sa më shumë, sidomos gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës.

Kastraveci
Ka 95% ujë! Ky është një nga ushqimet më të mirë për të qëndruar të hidratuar. Shërbehet në sallatë, ose mund të haet edhe gjatë një vakti dreke me salmon. Është fantastik edhe për lëkurën.

Qumështi i skremuar
Në dallim nga shumë produkte të tjera të kësaj liste, ky nuk është një frut apo perim i freskët. Qumështi i skremuar merr numrin më të ulët të kalorive nga sasia e lartë e ujit që shtohet. Studimet kanë treguar që qumështi me pak yndyrë ndihmon për të na mbajtur të hidratuar. Kjo është, për shkak të elektroliteve dhe proteinave në qumësht, të cilat mund të ndihmojnë në zëvendësimin e humbjes së lëngjeve në trupin tonë.

Dredhëza
Rreth 91% e peshës së tyre vjen nga uji. Lyejini ato me mjaltë ose çokokrem, hidhni në një tas me fruta ose kënaquni me një nga recetat e ëmbla të luleshtrydheve.

Portokalli
Një gjysmë gote me lëng portokalli ka po kaq sasi uji, gjë që i bën ata një burim super të fortë hidratimi.

Pjepri
Ne e duam këtë frut për shumë arsye, por një nga kryesoret është që pjepri ka shumë ujë dhe na mban të hidratuar gjithë kohës. Mund të konsumohet me pak kanellë në formë sallate, bashkë me nenexhik dhe agrume të tjera ose edhe në formë lëngu. Është fantastik!

Rama bëri mbrëmë marrëveshje me veten!

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka, ka reaguar pas ftesës së kryeministrit Edi Rama ndaj opozitës  për të marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik që do të mbahet në orën 17:00.

Ish-deputeti i PD shkruan se Rama bëri marrëveshje me veten, duke iu referuar marrëveshjes së një dite më parë.

“Rama bëri mbrëmë marrëveshje me veten: Më 23 korrik do votojë marrëveshjen e 5 qershorit dhe më 30 korrik do votojë rrëzimin e saj”, shkruan Paloka.

Ambasadorja amerikane mbi një orë takim me Metën

Për më shumë se një orë, ambasadorja amerikane Yuri Kim, zhvilloi sot një takim me Presidentin e Republikës Ilir Meta në zyrën e këtij të fundit. Nuk ka ende detaje rreth bisedës së zhvilluar mes tyre, por zhvillimet e fundit politike sa i përket ndryshimeve kushtetuese mendohet të kenë qenë në fokus.

Takimi mes zyrtares së SHBA dhe kreut të shtetit vjen pak orë para mbledhjes së këshillit politik të thirrur nga maxhoranca, pas firmosjes së marrëveshjes me opozitën parlamentare.

Në marrëveshjen e firmosur mbrëmjes e së martës mes maxhorancës dhe opozitës parlamentare, u ra dakord që marrëveshja e 5 qershorit për reformën zgjedhore të votohet në seancën plenare më 23 korrik, ndërsa një javë më pas ndryshimet kushtetuese.

Një ditë më parë, ambasadorja Kim zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama, ku në fokus të bisedës ishte pikërisht marrëveshja e 5 qershorit e firmosur mes palevë.

Kujtojmë se presidenti Ilir Meta, ka qenë mjaft kritik në qëdnrimet e tij sa i takon ndryshimeve kushtetuese.Në daljet e tij publike lidhur me ndryshimet kushtetuese, Presidenti Meta ka kërkuar braktisjen e menjëhershme të çdo përpjekjeje që minon këtë procesin e integrimit dhe që do të prapësonte për herë të parë në historinë e Shqipërisë një marrëveshje të dakordësuar me ndërmjetësimin më të lartë ndërkombëtar.

Dhuna ndaj fotoreporterit të RD, Kollçinaku në protestën e artistëve: Na godisnin edhe në furgon, edhe shoferi…

Fotoreporteri i RD, Eden Kollçinaku është dhunuar në mënyrë barbare nga forcat e policisë ditën e djeshme në protestën e artistëve. Kollçinaku nuk ka qenë pjesë e protestës. Ai është gjendur në trotuarin përballë Kryeministrisë rastësisht dhe në momentin që ka parë protestuesit, me celularin e tij ka fotografuar momenten e dhunës së policisë ndaj artistëve.

Kollçinaku është shprehur se në këto momente disa policë e kanë arrestuar dhe e kanë dhunuar si gjatë ndalimit ashtu edhe në furgonin e policisë që i dërgonte në komisariat.

Barbaria e tyre ka arritur deri aty sa edhe thirrjeve të fotoreporterit se nuk ka lidhje me protestën, por është vetëm një fotoreporter që po bënte detyrën duke bërë fotografi, policët i janë përgjigjur me dhunë. Dhunimi ka vazhduar edhe në furgonin e policisë nga efektivët që e shoqëronin.

Ai ka mundur të evdientojë njërin prej këtyre efektivëve me numër badge 26029 dhe me emrin, Adrit Fera.

Kollçinaku eshte edhe koordinator i organizates më të madhe libertariane në Europë “European Students for Liberty” dhe njëkohesisht ish-student i Departamentit të Shtetit te SHBA (State Department Alumni)

Si ndodhi ndalimi juaj, z.Kollçinaku?

Po kaloja rrugën sepse isha duke shkuar në punë dhe në atë moment shoh një tubim të vogël njerëzish. Meqenëse ndodhesha aty dhe nuk kisha aparatin fotografik, nxorra celularin për të bërë disa foto dhe për ti dërguar tek redaksia e Gazetes RD.

A u tregove policëve se ishe aty si fotoreporter?

Në momentin që unë nxjerr celularin më kapin disa forca policie. Nga intensiteti i momentit ju thashë disa herë “jam media” duke u munduar te nxjerr karten e gazetarit nga xhepi. Në momentin që e nxorra karten më ra nga dora dhe më plasën brenda mjetit të policisë.

A ju kanë dhunuar në momentin që ju ndaluan?

Aty më kanë prangosur, më kanë goditur me shpulla dhe shkelma, madje edhe shoferi vetë me një dorë ngiste makinën ndërsa me dorën tjetër me godiste mua.

Sa policë ishin në furgonin që ju godisnin?

Në furgonin e policisë ishin 3 policë. Shoferi dhe një polic rrinin përpara, ndërsa polici me emrin Adrit Fera dhe numër badge 26029 qëndroi mbrapa me mua duke me goditur ofenduar e sharë gjatë gjithë rrugës deri në komisariat.

Çfarë ndodhi me ju në komisariat?

Atje më kanë mbajtur përreth 5 orë pa më dhënë asnjë shpjegim

Sa veta ishit në dhomën e izolimit?

Kemi qenë 6 persona. Pasi na kanë mbajtur rreth 5 orë në izolim, na kanë liruar dhe mua më kanë sjellë edhe kartën e gazetarit që më kishte rënë në tokë në momentin kur më ndaluan dhe më dhunonin.

Një presidencë që shkel parimet e organizatës Shqipëri/OSBE 2020: kronikë e një dështimi të parashikueshëm

Javën e shkuar, një gazetë zvicerane përshkruante në detaje krizën e posteve drejtuese në Organizatën e Sigurimit e të Bashkëpunimit në Europë (OSBE) duke filluar nga Sekretari i Përgjithshëm (deri tashti zviceran), drejtori i ODIHRit, Përfaqësuesi për Lirinë e Medias etj. Vendimmarrja për to bëhet me unanimitet nga shtetet anëtare.

Riemërimi i titullarëve ekzistues, i propozuar nga Shqipëria, e cila mban presidencën e radhës, ishte bllokuar fillimisht nga disa shtete aziatiko-qëndrore që kishin rezerva për këta persona. Më pas kriza nuk u zgjidh, dhe disa shtete perëndimore, për arsye të tjera, shprehën votën kundër riemërimit. Gazeta theksonte se në raste të tilla presidenca e radhës angazhohej me shtetet anëtare për gjetjen e kompromisit, por në rastin e Shqipërisë me resurset të pakta diplomatike kjo nuk mund të pritej; si përfundim propozimi i presidencës dështoi. Po javën e kaluar Suedia paraqiti prioritetet e saj për presidencën e radhës së OSBE-së, të cilën ajo e merr në 1 janar 2021. Nëse ky anunçim gjashtë muaj më parë, pra i hershëm në një masë të pazakontë, lidhet me planifikimin afatgjatë e stabil që është tipik për europianoveriorët, apo me ndonjë padurim ndaj presidencës shqiptare, kjo është e paqartë dhe analistët nuk po arrijnë dot konsensus.

Prej shumë kohësh, OSBE nxit shtete anëtare jo të mëdhenj që të marrin përsipër presidencën e radhës me synimin pozitiv që të nxisë përgjegjësinë e përvojën ndërkombëtare të tyre edhe duke patur parasysh disavantazhin e resurseve të kufizuara, siç u shpjegua më lart.
Në vitin 2015, presidencën e radhës e kishte Serbia. Por Beogradit i u bë paraprakisht e qartë se nuk do të përzihej me shtetet e ish-Jugosllavisë dhe Zvicra u caktua si njëlloj “shoqëruese e presidencës”: një formulë sui generis e menduar si fren emergjence. Konsiderata të ngjashme e ideja e ballancës rajonale, mund të kenë ndikuar që Shqipëria të marrë presidencën e rradhës për vitin 2020. Funksione të tilla e rrisin vizibilitetin shtetit kryesues, si dhe kur menaxhohen suksesshëm ato e rrisin prestigjin e reputacionin e tij. Për këtë arsye lipset të theksohet që në krye të herës se mundësi të tilla duhet të përkrahen nga të tërë; përfshi këtu edhe opozitën politike, pavarësisht se partia në pushtet mund të nxjerrë përfitime propagandistike duke pozuar në samite ndërkombëtare. Shpresoj kështu të jetë ndjerë opozita e vitit 2012 kur Shqipëria mbante presidencën e Këshillit të Europës. Apo në të ardhmen kur, me fat e punë, vendi ynë mund të bëhet anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sa e sukseshme është një presidencë e tillë, kjo si rregull matet me përmbushjen e prioriteteve që ajo i vë vetes. Prioritetet e presidencës shqiptare të OSBE-së u shpallën në Bratislavë në 6 dhjetor te vitit të kaluar nga Ministri i Punëve të Jashtëme i Republikës së Shqipërisë Edi Rama (nuk është lapsus! Ministër i Punëve të Jashtëme në Tiranë me dekret presidencial e votëbesim parlamentar është vetë kryeminstri. Ai tjetri që paraqitet si ministër në detyrë është thjesht zëvendësministë!). Aty Edi Rama e “mori në dorëzim” presidencën nga Miroslav Lajčak, homologu i Sllovakisë që po mbyllte presidencën e 2019. Ministri i Punëve të Jashtme i shtetit që mban presidencën është edhe “chairman in office” apo kryetar në detyrë i organizatës. Në Bratislavë, Edi Rama përcaktoi katër prioritete për presidencën shqiptare: 1-promovimin e grave; 2-luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore; 3-zgjidhja e konfliktit në Ukrainë; 4-lufta kundër korrupsionit.

Nuk di se çfarë ka bërë OSBE-ja këto gjashtë muaj për promovimin e grave e për të luftuar trafikun. Nuk kam parë ndonjë raport madje as lajm për këtë. Në të kundërt dimë që lufta me armë në Ukrainën lindore ka vijuar, e para pak ditësh rebelët separatistë pro rusë në Donbas njoftuan se rrëzuan një avion ushtarak ukrainas. Por do të ishte ekzagjerim të mbajmë presidencën përgjegjëse për gjendjen aty dhe t’a quajmë dështim të Ramës: proçesi i paqes në Donbas udhëhiqet nga shtete të mëdha europiane dhe nuk ka arritur ende normalitet e paqe. Thjesht mund të themi se prioriteti ukraians ishte rutinë e organizatës; mbase edhe një fije megalomanie nga z. Rama.

Me prioritetin e katërt, luftën kundër korrupsionit, druaj se presidenca shqiptare ka bërë një gafë. Jo se pritej që ajo mund të bënte më shumë se me gratë e me trafikun në rang organizate: OSBE nuk ka mandat e mjete për të luftuar efektivisht korrupsionin në shtetet anëtare. Por presidenca e radhës udhëheq kryesisht përmes shembullit vetjak e pastaj me propagandimin e praktikave të mira. Dhe këtu qeveria Rama ka një problem serioz, mbasi të gjithë raportet ndërkombëtare mbi Shqipërinë referojnë në vitet e fundit përkeqsim të përshpejtuar të korrupsionit qeveritar. Sikur të mos mjaftonte kjo, presidenca Rama organizoi në 6 e 7 korrik një konferencë të madhe anti-korrupsion ku kryeministri shqiptar në videopërshëndetjen e tij theksoi pa mëdyshje se “lufta kundër korrupsionit varet nga vullneti politik”. Vras mendjen pse në foton zyrtare të OSBE-së të gjithë pothuaj kanë ulur kokën e shohin diçka në dysheme. A mos kanë dëgjuar se chairman in office pikërisht pak ditë më parë njoftoi ndërtimin e një autostrade me PPP ku kilometri kushtonte 6 herë më shtrenjtë se normalja? Apo perceptimi im është sendërgji opozitari? Por edhe një dashamirës i presidencës nisur nga përmbushja e prioriteteteve do e kishte shumë siklet të fliste për sukses.

Veç realizmit të prioriteteve një matje më modeste e suksesit të presidencës do të ishte respektimi nga ajo i normave e rregullave të organizatës. Mbasi kur është e vështirë të japësh shembullin e mirë të paktën mos jep shembullin e keq.
Por fatkeqsisht, më duhet të them, se këtu qëndron dështimi kryesor i qeverisë Rama si presidencë e OSBE-së. Paketa antifjalë u miratua me propozimin e mbështetjen deri të fund të kryeministrit megjithë kundërshtimin publik të vazhdueshëm nga Përfaqësuesi për Lirinë e Medias të OSBE, Harlem Desir përmes raporteve, deklaratave e twitterit. Po ashtu amendimet e njëanshme kushtetuese që deformojnë reformën zgjedhore u kundërshtuan në Komisionin e Ligjeve në Kuvend po nga përfaqësuesi i OSBE. I paimpresionuar Komisioni i miratoi unanimisht amendimet.

Nuk ishte parë e dëgjuar ndonjëherë në OSBE që presidenca e radhës të kritikohej nga organet e OSBE-së për shkelje të parimve e normave demokratike të vetë organizatës e që presidenca e radhës ka detyrë t’i mbrojë e t’i promovojë. Dhe deri sivjet ishte përtej imagjinatës që presidenca e kritikuar të refuzonte me të parën rekomandimet specifike të organeve të OSBE-së. Deri më sot, janë katër shtete anëtarë me të shkuar komuniste, e që konsiderohen si “demokraci jo plotësisht të konsoliduara”, që kanë mbajtur presidencën e rradhës. Ato janë Kazakistani (2010), Lituania (2011), Serbia (2015) dhe Shqipëria sivjet. Kazakistani mbase nuk i përmbush ende disa kritere formale të demokracisë, të cilat vendi ynë i ka përmbushur në tridhjetë vite, mbasi la pas parlamentin e komitetet ekzekutive njëpartiake. Por, asnjë nga këto tre shtete gjatë dymbëdhjetë muajve të presidencës së tyre nuk shkelën parimet e normat e OSBE-së, kur u duhej të ishin “shembullorë” për të gjithë të tjerët.

Dëmi që i është bërë reputacionit të Shqipërisë është shumë më i madh, dhe me sa duket dhe riparimi do të duhet të bëhet nga qeveritë pasardhëse. Vetëm ndonjë optimist i paepur, e panglosian mund të shpresojë se riparimi mund të fillojë në gjashtëmujorin e dytë të presidencës 2020. Ndërkohë Suedia i shpalli prioritetet e saj. Për më tepër burimet sinjalizojnë se Stockholmi po përgatitet të negociojë vitin tjetër emërimet në postet drejtuese. Kryetari i radhës i këtij viti duket shumë i hallakatur, e zor se e kryen këtë punë në gjashtëmujorin e dytë.
Dëmi që presidenca Rama i ka bërë reputacionit të OSBE-së mbetet për një shënim tjetër.

Genc Pollo
Ish ministër e deputet

Si mundet që edhe profesionistët e mjekësisë të mashtrojnë qytetarët njësoj si Edi Rama?!

Nga Izmira ULQINAKU

Drejtoresha e ISHP, Albana Fico deklaron me zë dhe figurë që nuk ka mungesë tamponësh për të testuar të dyshuarët me Covid-19.

Si mundet që edhe profesionistët e mjekësisë të indoktrinohen e të mashtrojnë qytetarët njësoj si Edi Rama?!

Si mundet që një mjeke të japë një deklaratë të tillë, totalisht të pavërtetë, kur në spitale mungojnë tamponët; është Spitali i Shkodrës i cili për ditë me radhë është lënë pa tamponë dhe ku shifrat e deklaruara janë fiktive!

Shqiptarët me simptomat e Covid-19, po përballen çdo ditë me mungesën e tamponëve. Në Shkodër janë me dhjetra të infektuar me virus, familjarët e të cilëve nuk janë testuar, për mungesë tamponi.

Në Shkodër ka të sëmurë me shenja klinike, me temperaturë të lartë për ditë të tëra, të cilët janë lënë në banesa në mëshirë të fatit, sepse mungojnë tamponët.
I vetmi shpjegim për këtë situatë është papërgjegjshmëria e Kryeministrit, i cili e ka mendjen si të zhvillojë ndonjë koncesion korruptiv, në vend që të furnizojë spitalet me tamponë në këtë periudhë pandemie.

Shqiptarët, ndryshe nga qytetarët e vendeve të tjera, janë lënë në mëshirë të fatit, si nga ana shëndetësore duke u përballur me mungesë tamponësh ashtu edhe nga ana ekonomike të cilët nuk patën asnjë ndihmë financiare nga Qeveria.

Për shqiptarët, që nga 2013, çdo vit që ka kaluar ka qenë edhe më i vështirë. Mashtrimet dhe vjedhjet e Rilindjes kanë arritur nivelet maksimale, prandaj qytetarët po presin me padurim ditën e zgjedhjeve për t’i dhënë fund vuajtjes e për të hapur nje kapitull të ri jetese ku mbizotëron puna dhe ekonomia.

#StopMashtrimit
#Ramaik
#meLulzimBashen