26.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Çfarë po ndodh me kufijtë? Pas Kakavijës, bie sistemi edhe në Kapshticë!

Ka bllokim të sistemit nga pala greke në Kapshticë pasi nuk është aktiv sistemi i aplikacionit.

Për shtetasit e huaj që duan të kalojnë pikën kufitare të Kapshticës për të hyrë në palën shqiptare duhet të plotësojnë një formular për të shpjeguar hollësisht itinerarin dhe arsyen e fortë që kanë për të kaluar kufirin. Nuk lejohen turistë.

Asgjë nuk varet më nga Rama, përveç mënyrës që ai do të zgjedhë për t’u larguar!

Nga Red VARAKU

Faktori ndërkombëtar i kërkoi Lulzim Bashës të tërhiqej vjet në 30 qershor për të shmangur një përplasje të ashpër civile, që vinte si pasojë e zemërimit pas publikimeve të përgjimeve, ku e gjithë elita e PS parakalonte duke shantazhuar qytetarët dhe duke vjedhur vota.

Për këtë i garantoi dhe premtoi z. Basha se do të investohej në një zgjidhje paqësore të ngërçit politik. Ndaj, menjëherë pas 30 qershorit kërkesa e parë e tyre ka qenë kërkesa për një reformë zgjedhore të dakortësuar, që në terma politikë është një kërkesë për dorëzim pushteti me procedurë.

Kjo reformë bashkë me krijimin e Gjykatës Kushtetuese ishin dhe kushtet kryesore për hapjen e negociatave vjet në tetor. Me arrogancë Edi Rama e refuzoi miratimin e kësaj reforme, bllokoi Gjykatën Kushtetuese, por mori si ndëshkim bllokimin e integrimit.

Përballë presionit në rritje të Perëndimit, i cili u shtua dhe me ardhjen në Shqipëri të ambasadores Zj. Yuri Kim, ai u detyrua në Janar të pranojë krijimin e Këshillit Politik, që në thelb ishte një mekanizëm, i cili tejkalonte autoritetin e parlamentit.

Pas gjashtë muajsh, nën mbikqyrjen e rreptë ndërkombëtare Këshilli Politik prodhoi një produkt, i cili ishte një reformë e dakortësuar nga të gjitha palët, ku secila palë kishte bërë lëshimet reciproke.

Sigurisht, lëshimi më i madh u bë nga opozita e bashkuar e cila u tërhoq nga kërkesa e saj për një qeveri tranzitore. Por, gjithsesi kjo ishte e natyrshme për faktin se garancia e ndërkombëtarëve ishte garanci për tranzicion pushteti.

Kjo reformë u përshëndet menjëherë nga të gjithë aktorët më të rëndësishëm perëndimorë, por ajo që ra më shumë në sy ishte përshëndetja që i bëri kësaj reforme Sekretari Amerikan i Shtetit z. Mike Pompeo.

Pra, është e qartë që reforma zgjedhore nuk ka asnjë lidhje me pëlqimin ose jo të z.Rama. Përkundrazi, ajo është pasojë e papërgjegjshmërisë së tij dhe është thjesht një mekanizëm i ftohtë politik, që po përdoret nga ndërkombëtarët, për të shmangur një përmbysje me dhunë të një kryeministri të kapur në përgjime dhe për të zgjidhur krizën politike të krijuar posaçërisht nga kriza e legjitimitetit të kësaj qeverie.

Serioziteti i qëndrimit të tyre u pa me reagimin jashtëzakonisht të ashpër të gjithë aktorëve më të rëndësishëm të BE përfshi, Komisionerit për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi, Nënkryetarin e CDU/ CSU, krahun e djathtë të Merkel, z. Wahdepul, reagimin e ashpër në unison të përfaqësuesve të Parlamentit Europian, të cilët njëzëri paralajmëruan bllokimin e integrimit dhe izolimin e Shqipërisë.

Është e qartë që rruga që ka nisur Rama për prishjen e kësaj dakortësie nëpërmjet bllokimit të koalicioneve do këllqe të realizohet dhe këtë ai e di mirë dhe nuk ka dalë mendsh akoma. Ajo është një rrugë ekstremisht e rrezikshme. Kjo jo vetëm sepse izolimi i Shqipërisë mund të provokojë një zemërim, që mund ta djegë atë dhe familjen e tij përfundimisht, por edhe sepse kjo pabesi e tij rrezikon ta fusë atë në listën e zezë të SHBA dhe rrezikon ta kthejë PS-në në një organizatë terroriste.

Për pasojë, asgjë nuk varet më nga Edi Rama përveç mënyrës që ai do të zgjedhë për tu larguar. Tashmë do apo nuk do, ai nuk ka fuqi ta ndalë dot më tranzicionin e pushtetit. Sigurisht, ai është në të drejtën e tij të bëjë gjithçka për të arritur objektivat e tij politike, përfshi dhe presionin deri në ditën e fundit për t’i garantuar vetes paprekshmërinë, por kurrsesi në dëm të kryeinteresit të shqiptarëve, atij të integrimit të Shqipërisë në BE.

Ndaj, nuk ka dyshim që kjo reformë ose do të kalojë dhe do të zbatohet fjalë për fjalë ashtu siç është rënë dakort në 5 qershor, ose ajo që u ndërpre vjet në 30 qershor, do të rikthehet njëqind fish më ashpër dhe më e pamëshirshme. Rrugë tjetër nuk ka!

Kruja vijon të jetë zonë e kuqe nga Covid-19

Përhapja dhe shtrirja e koronavirusit ka marrë përmasa të frikshme në vendin tonë.

Kruja ka qenë një zonë ku ka patur shumë raste të konfirmuara të infeksionit sidomos në fasoneritë e kësaj zone.

Nga 30 tamponë ditën e djeshme ne rrethin e Krujes 7 prej tyre deri tani janë pozitivë, shpjegojnë burimet.

Të prekurit janë vazhdim i infektimeve komunitare dhe e kontakteve të të infektuarve të mëparshëm.

OKB: 615 mijë shqiptarë gati të largohen nga vendi, ja sa kanë emigruar deri tani

Organizata e Kombeve të Bashkuara në statistikat e saj për Divizionin e Popullsisë vlerëson se që nga viti 1990 deri në 2020-n, nga Shqipëria janë larguar rreth 1.2 milionë persona. Bëhet fjalë për migracionin neto, që përfshin diferencën mes personave që kthehen dhe atyre që largohen.

Vala më e lartë e migracionit ishte në periudhën 1990-1995, kur kalimi nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut dhe hapja e kufijve, bëri që shumë shqiptarë të largoheshin masivisht, përmes ambasadave, apo dhe anijeve. Gjatë kësaj periudhe kanë ikur 443 mijë emigrantë.

Tendenca vijoi dhe në 1995-2000, e nxitur nga trazirat e ’97-s. Gjatë kësaj periudhe u larguan 180 mijë persona. Pothuajse në të njëjtat nivele ishte tendenca e largimeve në pesëvjeçarin e ardhshëm.

Në periudhën 2005-2010 u konstatua sërish një valë e rritur migracioni, me 217 mijë të larguar.

Në 2010-2015, nga vendi u larguan 137 mijë persona.

Në pesë vitet e fundit, tendenca për të ikur nga vendi ka vijuar, ndonëse me ritmet më të ngadalta në 30 vitet e tranzicionit.

Divizioni i popullsisë së OKB-së ka bërë dhe parashikimet për migracionin e pritshëm në dekadat e ardhshme. Sipas statistikave të publikuara, të paktën edhe për pesë vitet e ardhshme 2020-2025, ikja do të vijojë të jetë me ritme të larta, me rreth 70 mijë persona të larguar neto.

Në 2025-2030, priten 55 mijë të larguar, për të vazhduar më pak në 5 vjeçarët në vijim me 40 mijë të ikur mesatarisht.

Si rrjedhojë, deri në vitin 2100, OKB parashikon se nga Shqipëria do të largohen edhe 615 mijë persona të tjerë.

Tendenca e lartë për emigracion dhe ulja e lindshmërisë kanë bërë që OKB të rishikojë vazhdimisht në ulje projeksionet për ecurinë e popullsisë. Sipas vlerësimit të fundit, që është bërë në vitin 2019, në të gjitha rastet, edhe në variantin optimist, – pra nëse merret një nivel zero emigracioni dhe ecuri normale e normave të fertilitetit-, në vitin 2100, Shqipëria nuk pritet që të ketë me shumë se 1.9 milionë banorë.

Në variantin e mesëm, Shqipëria nuk pritet të ketë më shumë se 1 milionë banorë.

Për skenarin e ulët (normë të lartë emigracionit dhe fertilitet të ulët), në Shqipëri në vitin 2100, sipas pritshmërive të departamentit të Divizionit të Popullsisë të OKB-së, në Shqipëri nuk pritet që të mbeten më shumë se 512 mijë banorë./MONITOR

Vaksina tjetër eksperimentale që po jep rezultate premtuese kundër virusit

Një vaksinë eksperimentale e koronavirusit që po zhvillohet nga kompania AstraZeneca dhe universiteti Oxford është e sigurtë dhe solli një rritje të përgjigjes imunitare në provat klinike të fazës së hershme, duke mbajtur gjallë shpresën se vaksina mund të jetë në përdorim deri në fund të vitit.

Edhe prodhuesi amerikan i ilaçeve Pfizer dhe kompania gjermane BioNTech kanë marrë gjithashtu të dhëna premtuese sikurse kompania kineze CanSino në provat klinike për zhvillimin e një vaksine.

Vaksina nga AstraZeneca dhe Universiteti britanik i Oksfordit, e quajtur AZD1222, nuk pati ndonjë efekt serioz anësor dhe nxiti një reagim të të antitrupave dhe qelizave T të imunitetit, sipas rezultateve të provave klinike të publikuara në revistën mjekësore Lancet, me një reagim më të fuqishëm tek njerëzit që morën dy doza.

“Vaksinat janë absolutisht rruga për të dalë nga pandemia, dhe ky është një moment me të vërtetë i rëndësishëm sepse tregon që ne mund të arrijmë përgjigje të forta të sistemit imunitar që shpresojmë se do të sjellë mbrojtjen nga virusi në të ardhmen”, thotë Adrew Pollard, hulumtues i studimit për vaksinën.

Sidoqoftë, studiuesit paralajmëruan se projekti është ende në një fazë të hershme.

“Ne ende po presim për atë pjesë kritike të informacionit që është – a e parandalon aktualisht vaksina sëmundjen?’ Në provat klinike kemi dy grupe individësh, një grup që merr vaksinën e re dhe grupi tjetër i vullnetarëve që merr një vaksikë kontrolli që nuk ka asnjë mbrojtjës. Ajo që tani duhet të zbulojmë është nëse grupi që ka marrë vaksinën e koronavirusit është i mbrojtur dhe nuk preken nga sëmundja. Kjo kërkon kohë që të grumbullohen të dhënat brenda provave klinike për të na dhënë besimin, nëse vaksina funksionon”, thotë zoti Pollard.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë përshëndeti përparimin në hulumtimin mbi vaksinat për të luftuar COVID-19, por paralajmëroi se ka ende shumë punë për të bërë.

“Këto janë hulumtime në faza të hershme. Ne tani duhet të lëvizim në prova më të zgjeruara, prova reale. Por është mirë të shohim se ka më shumë të dhëna dhe më shumë produkte që po lëvizin në këtë faze shumë të rëndësishme të zbulimit të vaksinës. Ne përgëzojmë kolegët tanë për përparimin e bërë”, tha Mike Ryan, drejtues i programit të emergjencave në OBSH.

Prodhuesi amerikan i ilaçeve Pfizer dhe kompania gjermane BioNTech kanë arritur gjithashtu të dhëna premtuese.

AstraZeneca ka nënshkruar marrëveshje me qeveritë në mbarë botën për të shpërndarë vaksinën nëse ajo do të rezultojë e efektshme dhe do të marrë miratimin e organeve rregullatore. Kompania ka thënë se nuk do të kërkojë të përfitojë nga vaksina gjatë pandemisë.

Studiuesit thanë se vaksina shkakton efekte të vogla anësore, por disa nga këto mund të zvogëloheshin duke marrë paracetamol.

AZD1222 u zhvillua nga universiteti i Oksfordit dhe u liçensua nga kompania farmaceutike AstraZeneca, e cila e ka vendosur atë në prova klinike në shkallë të gjerë, në faze të avancuar, për të provuar efikasitetin e saj. Ajo gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje për të prodhuar dhe furnizuar mbi 2 miliardë doza të vaksinës.

\Prova e re klinike përfshin 1,077 të rritur të shëndetshëm të moshës 18-55 vjeç të paprekur nga COVID-19.

Deklarata e fortë e opozitës: Zhbërja e 5 qershorit, pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e vendit

DEKLARATË E OPOZITËS SË BASHKUAR

Ndryshimi i njëanshëm kushtetues për ndalimin e koalicioneve zgjedhore zhbën të dyja marrëveshjet politike për zgjedhjet, atë të 14 Janarit dhe atë të 5 Qershorit.

Akti i sotëm është dëshmi e planit diabolik të Edi Ramës që të miratojë fillimisht për fasadë Marrëveshjen e 5 Qershorit, të vërë në lojë partnerët tanë strategjikë, SHBA dhe BE dhe vetëm 1 javë më vonë ta zhbëjë marrëveshjen me ndryshime të njënashme kushtetutese, që ndalojnë koalicionet si subjekt zgjedhor.

Edi Rama gënjen, kur thotë se po hap listat, sepse pjesën fituese të tyre, 1/3 e listës, e mban të mbyllur, duke dalë zbuluar se i vetmi qëllim është ai i ndalimit të koalicioneve si subjekt zgjedhor.

Zhbërja nga Edi Rama i marrëveshjeve të 14 Janarit dhe 5 qershorit përbën një akt të rrezikshëm me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e vendit.

Ky akt i paprecedentë në 30 vite pluralizëm është, po kështu, një thyerje e rëndë e besimit të partnerëve strategjikë SHBA dhe BE që u investuan, përshëndetën dhe vazhdojnë të insistojnë në zbatimin e Marrëveshjes së 5 qershorit pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që e shkatërrojnë atë.

Ky akt tinzar prej frikacaku tregon tmerrin e kryeministrit në ikje nga zgjedhjet dhe rotacioni i pashmangshëm. Opozita e Bashkuar garanton të gjithë qytetarët se do të bëjë gjithçka, që faturën e rëndë që ky akt sjell për demokracinë, stabilitetin dhe integrimin e vendit ne Bashkimin Europian, ta paguajë vetëm Edi Rama dhe jo Shqipëria e shqiptarët.

Vasili: Marrëveshja e Ramës me Lymin, një facoletë për të fshirë…

Pasi maxhoranca firmosi një marrëveshje me opozitën parlamentare për reformën zgjedhore, vjen reagimi i parë nga një zë i opozitës jashtëparlamentare.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili thekson se Rilindja ka bërë marrëveshje me veten.

“Rilindja ben marreveshje me veten per reformen zgjedhore.
Tamam si nje hunde me dy vrima, qe here kruan njeren dhe here tjetren, por ne te dy rastet nxjerr vetem….sekrecione!

Marreveshja eshte thjesht facolete per te fshire sekrecionet dhe aq!”, tha Vasili.

Pasi e etiketoi si pengmarrës të reformës, Ambasadorja ja bën të qartë Ramës…

Burime diplomatike nga ambasada amerikane bëjnë me dije për gazetarin e News24 Ergys Gjençaj, se në takimin 2 orësh në kryeministri Edi Rama- Yuri Kim u diskutua për marrëveshjen e 5 qershorit në Këshillin Politik.

Sipas po këtyre burimeve, SHBA i ka të qarta dhe të mirënjohura pritshmëritë e saj për marrëveshjen e arritur mes palëve në Këshillin Politik më 5 qershor me ‘bekimin’ e ndërkombëtarëve.

Por në këtë axhendë nuk ka qenë vetëm tema e marrëveshjes së 5 qershorit apo dhe vetë Reformës Zgjedhore por ambasadorja me Ramën diskutuan edhe për çështje të tjera të cilat nuk bëhen ende të ditura.

Takimi Rama-Kim vjen një ditë pas rimbledhjes së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, në të cilën ishte i pranishëm dhe vetë Kryeministri.

Më herët, si ambasadorja e SHBA, dhe ai i BE-së e UK-së, janë shprehur se Parlamenti duhet të miratojë draftin e amendimeve në Kodin Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit, duke mos bërë asnjë ndryshim.

Basha shumë para Ramës në sondazhe/ Berisha: Edvin, përveç Vuçiçit, të jep njeri azil politik?!

Sondazhet vazhdojnë të tregojnë se lideri i opozitës, Lulzim Basha është i preferuari i votuesve si kryeministër, me avantazh ndaj kryeministrit aktual, Edi Rama.

Një tjetër sondazh online tregon se mbi 61 përqind e votuesve mëbshtesin Bashën si kryeministër.

Ndërkohë vetëm 39 përqind e votave shkojnë për Ramën.

Këtë sondazh e ka komentuar edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

“Edvin, përveç Vuçiçit, të jep njeri azil politik?! sb”, shkruan Berisha.

Rama pazare me maskë, i mbush mendjen Lym Murrizit për të votuar marrëveshjen e 5 qershorit në këmbim të…

Ditën e sotme kryeministri Rama i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar në PS, Taulant Balla, po zhvillojnë një takim me Myslym Murrizin, Edmond Stojkun edhe Nimet Musain.

Burime bëjnë me dije se, kryeministri pritet të firmosë me ta marrëveshjen për të votuar “5 qershorin”.

Sakaq socialistet vijojnë të jenë të bindur për të mos u tërhequr nga ndryshimet kushtetuese, të cilat po mbrohen më shumë nga mazhoranca se sa nismëtarët e pakicës parlamentare.

Në marrëveshje theksohet se opozita parlamentare garanton se do të mbështesë ‘5 qershorin’ dhe do ta votojë në Kuvend në seancën e 23 korrikut.

“Mbështesin me votë në seancën plenare të Kuvendit të datës 23 Korrik 2020, Projekt-ligjin „Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 „Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë“, të ndryshuar, të miratuar me votat e shumicës parlamentare në Komisionin e Ligjeve, në respektim të Marrëveshjes datë 05.06.2020 ndërmjet Partisë Socialiste, opozitës jashtëparlamentare të përbërë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim si dhe deputetes Rudina Hajdari.”, thuhet ne marrëveshje. Në këtë marrëveshje, palët janë dakordësuar në 4 pika.

Vetë kryeministri Rama me anë të një statusi në facebook e ka bërë të qartë se hapja e listave është e rëndësishme për ta, por prekja e Kushtetutës pa miratimin e opozitës së bashkuar ka shqetësuar jo pak ndërkombëtarët.

Për 2 orë ambasadorja amerikane Yuri Kim ka zhvilluar takime në kryeministri për t’i bërë të qartë qeverisë së majtë qëndrimin e SHBA.

Ndërkohë që amendimet e kodit zgjedhor të dakordësuara mes PD dhe PS u votuan gjatë paradites nga Komisioni i Ligjeve.

Ndërkohë që kanë dalë edhe pamje nga mbledhja, ku shihet kryeministri Rama me maskë të zezë në krah me Taulant Ballën.

MARRËVESHJE POLITIKE PËR “REFORMËN ZGJEDHORE”

Në Tiranë, në datë 21 Korrik 2020, palët e mëposhtme:

Pakica Parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, e përbërë nga: i) Grupi Demokrat, përfaqësuar nga Z. Myslim Murrizi, në cilësinë e Kryetarit të Grupit; ii) Grupi Demokraci dhe Drejtësi, përfaqësuar nga Z. Edmond Stojku në cilësinë e Kryetarit të Grupit; iii) Grupi i Pavarur, përfaqësuar nga Z. Nimet Musai, në cilësinë e Kryetarit të Grupit, dhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, në cilësinë e Shumicës Parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryetari i Grupit, Z. Taulant Balla,

Duke marrë në konsideratë dhe duke vlerësuar si shumë të rëndësishëm për forcimin e demokracisë dhe procesin e integrimit europian tw Shqipwrisw: 1.Krijimin e premisave reale për zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standarteve më të mira të pranuara ndërkombëtarisht, ku zgjedhësit kanë mundësi të japin votën e tyre për kandidatët e parapëlqyer të subjektit politik;

2.Miratimin e Reformës Zgjedhore dhe adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODHIR me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve te zgjedhjet; 3.Përmbushjen e kushtit të vendosur në takimin e Këshillit Europian të datës 25 Mars 2020 për miratimin e reformës zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimin e OSBE/ODHIR përpara konferencës së parë ndërqeveritare në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë me BE, prioriteti më madhor për ardhmërinë e vendit;4.Dialogun gjithëpërfshirës ndërpartiak në proceset demokratike të vendit, ku reforma zgjedhore është prioritare,

Me mirëkuptim dhe vullnet të plotë, njëkohësisht angazhohen të:
1.Mbështesin me votë në seancën plenare të Kuvendit të datës 23 Korrik 2020, Projekt-ligjin „Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 „Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë“, të ndryshuar, të miratuar me votat e shumicës parlamentare në Komisionin e Ligjeve, në respektim të Marrëveshjes datë 05.06.2020 ndwrmjet Partisw Socialiste, opozitës jashtëparlamentare të përbërë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim si dhe deputetes Rudina Hajdari.

2.Mbështesin me votë në seancën plenare të Kuvendit të datës 30 Korrik 2020, Projekt-ligjin „Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.8417, datë 21.10.1988 „Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë“, të ndryshuar, miratuar me votat unanime të aëtarëve të Këshilli të Legjislacionit dhe Komisionit të Cështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut të Kuvendit në mbledhjen e Përbashkët datë 14 Korrik 2020;

3.Vijojnë dialogun midis grupeve parlamentare si dhe të nxisin e mbështesin dialogun midis tyre dhe opozitës jashtëparlamentare, në një proces gjithëpërfshirës me synim arritjen e një dakordësie sa më të gjerë për reflektimin nw Kodin Zgjedhor tw amendamenteve kushtetuese që përmenden në pikën 2 më sipër.

Lexuar, pranuar dhe nënshkruar në Tiranë, më 21 Korrik, 2020 në 4 (katër) kopje.
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË SOCIALISTEGRUPI DEMOKRAT
TAULANT BALLA MYSLIM MURRIZI
GRUPI DEMOKRACI DHE DREJTËSI GRUPI I PAVARUR
EDMOND STOJKU NIMET MUSAI