25.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Këshilltari për tregtinë i Trump tregon si mashtron Bolton në librin e tij

Këshilltari për tregtinë në Shtëpinë e Bardhë, Peter Navarro tha të dielën se ai kishte qenë në sallë me Presidentin Donald Trump dhe Presidentin kinez Xi Jinping gjatë takimit mes tyre, por në asnjë rast nuk kishte dëgjuar që presidenti i SHBA të kërkonte ndihmën e Kinës për të fituar garën për rizgjedhje.

Zoti Navarro i tha rrjetit CNN se pretendimet e bujshme të bëra në një libër të ish këshilltarit të sigurisë kombëtare John Bolton ishin “thjesht marrëzi” po të kihet parasysh se sa i ashpër është treguar zoti Trump ndaj Kinës dhe praktikave të saj të padrejta tregtare.

“Nuk e kam dëgjuar kurrë diçka të tillë. Unë kam qenë vetë në sallë”, tha zoti Navarro, duke i bërë jehonë komenteve të Përfaqësuesit amerikan të Tregtisë Robert Lighthizer javën e shkuar.

Bolton duhet të përballet me pasoja – përfshirë dënim të mundshëm me burg – për përdorimin e “informacionit tepër të klasifikuar” në librin e tij, tha zoti Navarro.

Peter Navarro, një zyrtar i njohur për qëndrimet e ashpra ndaj Kinës, solli gjithashtu në vemendje mosmarrëveshjet rreth origjinës së koronavirusit të ri që ka rritur tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kohët e fundit, edhe pse më 1 në janar dy ekonomitë më të mëdha të botës nënshkruan një marrëveshje tregtare të fazës së parë.

Ai tha se virusi ishte “një produkt i Partisë Komuniste Kineze dhe mbetet një pyetje e hapur nëse virusi ka qenë krijuar qëllimisht.”

“Ky virus doli nga Kina,” tha ai. “Partia Komuniste Kineze është përgjegjëse për të. Ata e nxorën virusin në Kinë, e fshehën për dy muaj, dhe shkaktuan vdekjen e mbi 100,000 amerikanëve”.

Kina ka kundërshtuar me forcë çdo pretendim se e nxori virusin me qëllim.

Javën e kaluar, Presidenti Trump përsëriti kërcënimin për të ndërprerë lidhjet me Kinën, duke shkruar në Twitter se “një shkëputje e plotë nga Kina” mbetet një opsion politik për Shtetet e Bashkuara.

22 mijë qytetarë nga Kosova kaluan fundjavën në Shqipëri

Rreth 22 mijë persona kanë dalë nga Kosova përmes pikave kufitare dhe kanë hyrë në Shqipëri gjatë kësaj fundjave. Derisa që nga e premtja e deri në paraditen e së dielës, në Kosovë kanë hyrë rreth 17 mijë persona, e të cilët u janë nënshtruar kontrolleve mjekësore.

Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, por edhe vendet e rajonit, ditëve të fundit ka pasur rritje të numrit të të infektuarave me COVID-19.

Por tashmë lehtësimi i masave po vazhdon dhe qarkullimi e kalimet kufitare mes shteteve nuk po ndalet. Vetëm gjatë vikendit në pikat kufitare Kosovë-Shqipëri, kanë kaluar me dhjetëra mijëra persona. Kthimi i aktiviteteve në normalitet po rezulton me rritje të numrit të të infektuarve me COVID-19 gjithandej.

Numër i lartë i rasteve po regjistrohet edhe në Kosovë, ku vetëm në ditët e vikendit janë regjistruar 96 raste me COVID-19.

Mirëpo këto shifra alarmuese nuk i kanë ndalur kosovarët që të vizitojnë gjatë vikendit bregdetin në Shqipëri. Madje fundjava ka qenë e mbingarkuar tej mase për pikat kufitare Kosovë-Shqipëri.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, dita kur numri më i madh i personave që kanë shkuar në drejtim të Shqipërisë ka qenë e shtuna, ku nga Kosova kanë dalë 8 mijë e 462 persona. Kurse, në përgjithësi janë 22 mijë persona që kanë dalë nga Kosova përmes pikave kufitare dhe ia kanë mësyrë Shqipërisë gjatë vikendit.

Derisa që nga e premtja e deri në paraditen e së dielës, në Kosovë kanë hyrë rreth 17 mijë persona, e të cilët u janë nënshtruar kontrolleve mjekësore.

Edhe në një javë në parë, gjatë vikendit në Shqipëri kanë dalë mijëra qytetarë të Kosovës. Sipas të dhënave të policisë për këto dy ditë vetëm në pikat kufitare në perëndim, kanë hyrë në Kosovë mbi 10 mijë persona, si dhe kanë dalë rreth 10 mijë. Po nga ana perëndimore kanë hyrë e dalë edhe mijëra mjete transportuese.

Nga të dhënat zyrtare gjatë vikendit kanë hyrë 4 mijë e 111 vetura dhe 114 kamionë, si dhe kanë dalë 3 mijë e 24 vetura dhe 60 kamionë. Për dy ditë, në javën e shkuar, kanë hyrë 16 mijë e 481 persona dhe kanë dalë 15 mijë e 267 persona.

Vlen të theksojmë se pika kufitare më e ngarkuar gjatë sezonit të verës është ajo e Merdares, pasi aty kalojnë shumica e mërgimtarëve që vijnë për të kaluar pushimet në Kosovë. E të ngarkuara janë edhe pikat kufitare me Shqipërinë, pasi shumë qytetarë shkojnë për pushimet e verës atje.

Qeveria e Kosovës nën drejtimin e Avdullah Hotit disa ditë më parë ka miratuar masat lehtësuese. Pas lehtësimit në Kosovë është hequr orari i kufizimit të lëvizjes të qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00. Pra tani lëvizja është e lirë dhe 24 orë.

Po ashtu qytetarët që hyjnë në Kosovë, përmes kufijve tokësorë, nuk do të detyrohen që të vetizolohen për shtatë ditë, por ata do të kontrollohen në kufi nga ekipet mjekësore. /Monitor/

Banka Botërore: Mjekësia shqiptare me infrastrukturën me të dobët në rajon

Shqipëria rriti së fundmi me gati 20 për qind numrin e shtretërve për të përballuar pandeminë Covid-19, duke përshtatur një godinë në autostradë për spital Covid, por sërish vendi ynë mbetet me kapacitet me të ulta infrastrukturës spitalore në rajon, si në shtretër dhe në burime njerëzore thotë një raport i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Raporti i OECD që referon burime nga Banka Botërore raporton se Shqipëria ka vetëm 1,2 mjekë për 1000 banorë dhe 3,4 infermierë për 1 mijë banorë. Siç shihet nga grafiku i mëposhtëm Shqipëria ka më pak burime njerëzore në stafet mjekësore se Rajoni dhe me gjerë.

Shqipëria jo vetëm që ka numrin më të ulët të burimeve njerëzore, por ka një diferencë të thellë me vendet e Ballkanit dhe Europës Lindore, ku numërohen 2-4 mjekë për 1000 banorë. E njëjta situatë vlen edhe për infermierët dhe për numrin e shtretërve. Shqipëria ofron 2,5 shtretër për 1000 banorë, ndërsa mesatarja rajonale është 4 shtretër lër 1000 banorë.

Sipas OECD që i referohet të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, Shqipëria kishte 310 shtretër për shtrimin në spital të pacientëve me koronavirus para se të ndërtohej spitali Covid në autostradë.

Shqipëria ka kapacitet të ushtrojë 500 teste COVID-19 dhe ka 304 respiratorë gjithsej në të gjithë sistemin. Më 18 maj , për shkak të rënies së numrit të rasteve të reja spitalet u lejuan të fillojnë të kryejnë ndërhyrje të planifikuara dhe spitali “COVID 2”, aktualisht Sanotoriumi u kthye në aktivitetet e tij të zakonshme. Në fillim të qershorit, një spital tjetër, me emrin “COVID 3”, është përshtatur për t’u përgatitur për një valë të re të mundshme të infeksioneve.

Me hapjen e ekonomisë një valë e re infektimi nga Virusi është shtrirë pothuajse në të gjithë vendin duke rritur edhe numrin e shtrimeve në spitale. Por mjekët pohojnë se virusi është bërë më pak agresiv dhe koha e qëndrimit në spital e pacientëve të rënduar po vjen në ulje.

Basha me Shoqatën e Mikrofinancës: Garanci shtetërore për të ndihmuar kreditimin 

• Fuqizimi i bizneseve të vogla, punësimi i të rinjve, bujqësia, prioritetet e PD në qeverisje

TAKIMI I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, ME SHOQATËN MIKROFINANCA SHQIPTARE

Në një takim me Shoqatën e Mikrofinancës Shqiptare, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, konfirmoi si prioritete të qeverisjes së ardhshme fuqizimin e biznesit të vogël, hapjen e bizneseve të reja, kryesisht nga të rinjtë dhe punësimin i tyre, si mbështetjen e bujqësisë.

Duke i falenderuar për zbatimin e moratoriumit, që ndihmon kredimarrësit në situatën e rënduar pas pandemisë, zoti Basha ndau shqetësimin për mungesën e likuiditetit dhe për krizën ekonomike. “Nëse nuk veprohet shpejt për tejkalimin e saj, kjo do të verë në pozitë të vështirë sistemin bankar dhe veçanërisht institucionet e mikrokreditit, pasi do të rritet pamundësia e qytetareve dhe bizneseve për t’i shlyer kreditë.”- u theksua në takimin me Shoqatën e Mikrofinancës Shqiptare.

Vonesa në ripagimin e kësteve dhe shtyrjet e detyruara kanë ulur me 60% arkëtimet vetëm në institucionet e mikrokreditit. Deri më sot janë 175,000 vende pune të krijuara nga bizneset e financuara prej institucioneve të mikrokreditit, ku vetëm gjatë 2019 këto institucione kanë mbuluar 68% të të gjithë kërkesave për kredi në vend.

Me presidenten e shoqatës znj. Arlinda Muja dhe Sekretaren e Përgjithshme znj. Brunilda Isaj, zoti Basha diskutoi për vështirësinë për sukses të bizneseve të konsoliduara, për shkak të situatës ekonomike që po kalon vendi dhe rritjes së vazhdueshme të taksave, e cila ka ndikuar negativisht edhe për hapjen e bizneseve të reja. Në takim u theksua se lufta për mbijetesë ka bërë që shumë biznese të mbyllin vende pune, ku më të prekurit janë të rinjtë.

Për Partinë Demokratike, krijimi i mundësive për të hapur një biznes, fuqizimi i bizneseve të vogla, rritja e mundësive për punësim është një nga synimet kryesore të saj.

“Në planin tonë ne planifikojmë garanci shtetërore ndaj institucioneve të mikrokreditit për të ndihmuar ato në kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të drejtuara kryesisht nga të rinjtë, ndërsa me prioritet do të konsiderohet dhe mbështetja për bujqësinë. Programi ekonomik i Partisë Demokratike ka në fokus të tij uljen e barrës fiskale sidomos për biznesit e vogël, mbështetjen me subvencione ndaj fermerit me të paktën 100 milionë euro në vit, eliminimin e procedurave të tepërta burokratike dhe krijimin e kushteve për konkurrencën e lire e të ndershme nëpërmjet një procesi dialogu me të gjithë aktorët kryesorë të tregut financiar”, u shpreh kreu i opozitës Lulzim Basha në takimin me Shoqatën e Mikrofinancës Shqiptare.

Plas te Juventus, Pjaniç përleshet me trajnerin

Miralem Pjaniç nuk do të jetë pjesë e skuadrës së Juventusit për ndeshjen me Bolognan të hënën, për shkak të një zënke në stërvitje me trajnerin Maurizio Sarri.

Sipas gazetës italiane, La Stampa, mesfushori boshnjak dhe trajneri italian u përleshën në fushë gjatë stërvitjes.

Sarri kishte bërë plan ta linte Pjanicin jashtë lojës edhe për ndeshjen finale kundër Napolit në Kupën e Italisë duke e favorizuar Rodrigo Bentancur, por lëndimi i Sami Khediras ia prishi planin atij.

Gjendja është përkeqësuar tani dhe Pjanic, të cilin Juventusi ka shprehur gatishmëri ta dërgojë në Barcelonë në shkëmbim të Athur Melos, pritet të mos ftohet fare për ndeshjen ndaj Bolognas nesër.

Sarri është nën presion të madh për t’ia fituar Juventusit titullin në Serie A e sidomos Ligën e Kampionëve, pasi i ka humbur të dy finalet e fundit, në kupë dhe në superkupë.

Reali rrëmben kreun në La Liga

Real Madridi është lider i La Ligës. Të besuarit e Zinedine Zidane kanë rrëmbyer pikët e plota me shumë vështirësi në udhëtim te Real Sociedad, sfidë që pati gjithçka, dhe në fund u mbyll 2-1.

Pjesa e parë pothuajse s’kishte asgjë, gjithçka ndodhi në pjesën e dytë, duke nisur nga minuta e 50’.

Reali fitoi një penalti shumë shumë të dyshimtë edhe me ndihmën e VAR, të cilën e konkretizoi në gol Sergio Ramos, i cili pak minuta më vonë la fushën për shkak të një goditjeje që mori në gju.

Pak minuta pasi Karim Benzema të shënojë për 2-0, VAR anuloi nëj gol të Adnan Januzajt, edhe për këtë do të flitet shumë për mënyrën se si u anulua goli, ani pse shoku i Januzaj nuk ndërhyri në aksion edhe pse ishte jashtë loje.

Pas golit të Benzemas, në minutën e 71’, loja i takoi pothuajse Sociedadit që sulmoi me të gjitha forcat dhe gjeti një gol, në minutën e 83’, shënoi Mikel Merino.

Deri në fund, Sociedad rrezikoi edhe shumë herë, por pa shumë fat, dhe në fund ndeshja u mbyll 2-1 për Madridin.

Kështu, Reali tani ka marrë kreun në La Liga, ani pse ka pikë të barabarta me Barcelonën – Los Blancos i favorizojnë përballjet direkte.

Basha: Fuqizimi i biznesit të vogël, hapja e bizneseve të reja kryesisht nga të rinjtë, mbështetja e bujqësisë, prioriteti im dhe i PD

Kryetari i PD, Lulzim Basha takon përfaqësuesit e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare

Fuqizimi i biznesit të vogël, hapja e bizneseve të reja kryesisht nga të rinjtë dhe punësimi i tyre, mbështetja e bujqësisë, janë prioritet i imi dhe i Partisë Demokratike.

Gjatë takimit me drejtuesit e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, znj. Arlinda Muja Presidente dhe znj. Brunilda Isaj Sekretare e Përgjithshme, diskutuam ndër të tjera dhe për vështirësitë që po kalon ekonomia dhe financat shqiptare, të rënduara dhe më shumë nga pandemia. Gjatë takimit i falenderova për zbatimin e moratoriumit e cila ndihmon kredimarrësit në këtë situatë të vështirë.

Ndamë shqetësimin për mungesën e likuiditetit, krizën ekonomike për tejkalimin e së cilës nëse nuk veprohet shpejt do të vërë në pozitë të vështirë sistemin bankar dhe veçanërisht institucionet e mikrokreditit, pasi do të rritet pamundësia e qytetarëve dhe bizneseve për t’i shlyer kreditë.

Vonesa në ripagimin e kësteve dhe shtyrjet e detyruara kanë ulur me 60% arkëtimet vetëm në institucionet e mikrokreditit. Deri më sot janë 175.000 vende pune të krijuara nga bizneset e financuara prej institucioneve të mikrokreditit, ku vetëm gjatë 2019 këto institucione kanë mbuluar 68% të të gjithë kërkesave për kredi në vend.

Për shkak të situatës ekonomike që po kalon vendi dhe rritjes së vazhdueshme të taksave, është bërë tejet i vështirë suksesi i bizneseve të konsoliduara, ndërsa për hapjen e bizneseve të reja është thuajse e pamundur. Lufta për mbijetesë ka bërë që shumë biznese të mbyllin vende pune, ku më të prekurit janë të rinjtë.

Në këtë kuadër, krijimi i mundësive për të hapur një biznes, fuqizimi i bizneseve të vogla, rritja e mundësive për punësim është një nga synimet kryesore të Partisë Demokratike.

Në planin tonë, ne planifikojmë garanci shtetërore ndaj institucioneve të mikrokreditit për të ndihmuar ato në kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të drejtuara kryesisht nga të rinjtë, ndërsa me prioritet do të konsiderohet dhe mbështetja për bujqësinë.

Programi ekonomik i Partisë Demokratike ka në fokus të tij uljen e barrës fiskale sidomos për bizneset e vogla, mbështetjen me subvencione ndaj fermerit me të paktën 100 milionë euro në vit, eleminimin e procedurave të tepërta burokratike dhe krijimin e kushteve për konkurrencën e lirë e të ndershme nëpërmjet një procesi dialogu me të gjithë aktorët kryesorë të tregut financiar.

Leksion nga një Republikë Afrikane, Tirana hesht!

Nga Bardh SPAHIA

Edhe një republikë afrikane presidenciale si Zimbabve jep një shembull se si luftohet korrupsioni duke arrestuar ministrin e Shëndetësisë, për shkak të skandalit se qeveria i kishte dhënë 60 milionë dollarë kompanisë ‘Drax International’ ku aksioner ishte biznesmeni shqiptar Ilir Dedja, sipas mediave, emri tjetër i Klodian Mërtirit, pronarit në letra të inceneratorit dhe landfillit të Tiranës.

Kur drejtësia vepron në një republikë afrikane, si ka mundësi që drejtësia jonë e re, ajo për të cilën u sakrifikuan prej gati 3 vitesh Gjykata Kushtetuese e Gjykata e Lartë, nuk funksionon?

E nëse në Zimbabve dhënia e parave të taksapaguesve një firme më këtë aksioner, con para drejtësisë një ministër, si shpjegohet që në Shqipëri, gëzon rehat paratë publike?
Asnjë pritshmëri se Edi Rama do luftojë korrupsionin, sepse ai vetë është minimumi favorizuesi i tij, por si ka mundësi që qoftë edhe për fasadë, një herë të vetme, organet e reja të drejtësisë, SPAK i pari, nuk po na jep një provë që të justifikojë si pritshmëritë publike tek drejtësia e re, ashtu edhe fondet e konsiderueshme që taksapaguesit e BE dhe ata të SHBA kanë investuar për reformën në drejtësi?

Vendi pa Gjykatat e epërme që të frenojnë makutërinë ekonomike e politike të qeverisë dhe apatia e prokurorisë e vetë SPAK, nën heshtjen e sikletosur të ndërkombëtarëve, është imazhi i errët i vendit nën rregjimin e Edi Ramës!

Mund të vazhdosh të gënjesh veten, por jo shqiptarët! Ata të njohin!

Nga Taulanda JUPI

🔴Qeveria Rama duhet të përmbushë 1️⃣5️⃣ kushtet e Bashkimit Europian para konferencës ndërqeveritare dhe para fillimit të negociatave.

🔴Rezoluta mori edhe më shumë vota, sesa kur u miratua në parim.ℹ️Nga 388 vota, rezoluta kaloi me 532 vota pro, 70 vota kundra dhe 63 abstenime. U votua nga të gjithë grupet parlamentare▶️ të djathta dhe të majta.

🔴Kushtet u vendosën nga Këshilli Europian me propozimin e Gjermanisë, Francës, Hollandës, Danimarkës dhe Spanjës në 25 mars të këtij viti.

✔️Miratimi i reformës zgjedhore
✔️Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese
✔️Funksionimi i Gjykatës së Lartë
✔️Finalizimi i ngritjes se strukturave kundër krimit të organizuar dhe anti-korrupsionit/Funksionimi i SPAK
✔️Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bashkëpunim me vendet anëtare dhe nëpërmjet Plan Veprimit për adresimin e krimit financiar
✔️Ulje e numrit të azilkërkuesve, ku një nga masat është bashkëpunimi me Hollandën, Francën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë, Irlandën. Vazhdimi i Zbatimit të Planit Ndërinstitutcional të Veprimit për parandalimin e azilkërkimit të qytetarëve shqiptarë në vendet e Schengenit
✔️Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias
✔️Vazhdimi i Reformës në Drejtësi
✔️Prova të vazhdueshme – Iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve.
✔️Progres në reformën e administratës publike.
✔️Zbatimi i reformës zgjedhore ku përfshihen, financimi transparent i partive dhe administrimi i paanshëm i procesit dhe procesi i rregullt.
✔️Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019 që kërkon plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.
✔️Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare ku janë disa VKM.
✔️Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censusit
✔️Avancimi i procesit të regjistrimit të pronave.

Merr 130 milionë euro nga Qeveria, Vilma Nushi shet brenda familjes një prej kompanive të saj për t’i shpëtuar hetimit

Vilma Nushi, e cila është një nga biznesmenet përfituesja më e madhe nga qeverisja e Edi Ramës, me shifra të fryra, duket se po vihet në lëvizje për të shkrirë, apo shitur një pjesë të aksioneve të saj në disa prej kompanive.

Burimet bënë të ditur për FaxWeb se, bizneset e Nushit që shiten dhe blihen brenda vetë anëtareve së familjes së saj, duket se po tentojnë të fshehin çdo gjurmë, në rast se do të ketë një hetim ndërkombëtar për të parë mënyrën sesi kanë marrë para nga Buxheti i Shtetit, dhe procedurat që janë ndjekur në tendera.

Në dokumentin që do të shihini më poshtë, shihet se Nushi Nushi ka shitur plotësisht aksionet e ”Riofarma SHPK”, që administrohej nga kunati i saj Edmond Hido, te vetë firma Trimed e cila po ashtu është në pronësi të saj. Në vendimin e Autoritetit të Konkurencës, thuhet se shitja është bërë në datën 20 Maj të këtij viti, me skemën “Përthithje”, edhe pse nuk ka asnjë raport lidhur me të ardhurat, apo kapitalet e kësaj kompanie.

Dyshimet janë se shkrirja dhe zhdukja e kësaj firme nga regjistri tregtar, lidhet me faktin se ”Riofarma SHPK”, është përdorur nga vetë Nushi si pjesë në tendera fiktivë, në mënyrë që fituese të shpalleshin kompani të tjera të saj.

Mësohet se kjo kompani ka qenë pjesëmarrëse në garë, në 80% të tenderave, ku fituese nuk kanë dalë as më shumë dhe as më pak, se bizneset e tjera të vetë Vilmës, apo motrës dhe mbesës së saj. Kjo është një skemë e paligjshme, se duket që legjitimon garën në tendera, por në fakt është fiktive sa kohë që Riofarma nuk paraqet asnjë lloj oferte, qoftë edhe ekonomike.

Njoftimi per shitjen e aksioneve te kompanise Riofarma, e blere nga Trimed, te dyja ne pronesi te familjes Nushi

Më herët Nushi kishte ndjekur pothuajse të njëjtën procedurë dhe me aksionet e saj në kompaninë Trimed. 3 vjet pasi kishin fituar koncensionin e “Check UP”, ajo shiti aksionet e saj për vlerën 300 mijë euro, tek një shtetas britanik, i identifikuar si Dominic Noel Ëilliam Evans, për të cilin thuhet se është bashkëshorti i mbesës së saj, Ledina Hido (vajza e Majlinda Hido, motra e Vilma Nushit).

Duke qenë se Nushi ka të paktën 5 biznese në fushën e farmacisë dhe të farmaceutikës, ajo është kujdesur që kompaninë më të madhe të saj  “Marketing & Distribution”, të mos e përfshijë në shumë prej garave, duke u mjaftuar me koncensionin 120 milionë euro të check-up.

Duke iu referuar të dhënave të ‘Opendata”, kompania “Marketing & Distribution” ka fituar rreth 60 milionë lekë të vjetra në tendera të ndryshëm, gjatë periudhës 2015-2019. Por, shumë më ndryshe është situata me “Trimed”. Kjo kompani është në top-listën e 5 kompanive që kanë fituar më shumë tendera në Shëndetësi, sipas të dhënave të “openprocurment”.

Për periudhën 2015-2019, “Trimed” ka përfituar në total mbi 8 miliardë lekë të vjetra (rreth 7 milionë euro) në plot 904 kontrata me sektorin e Shëndetësisë. Në bazë të të dhënave zyrtare, “Trimed” rreth gjysmën e kontratave i ka fituar në procedura ku ka qenë konkuruese e vetme.

Në total, Vilma Nushi dhe familja e saj llogaritet të përfitojnë rreth 130 milionë euro, deri më tani nga paratë e shqiptarëve. Nga këto, 120 milionë euro do të arkëtohen periodikisht vit pas viti, nëpërmjet kontratës koncensionare, deri në vitin 2024. Ndërsa rreth 7 milionë euro të tjera janë përfituar, deri më tani, nga tenderat e kompanisë “Trimed”, e kontrolluar në 50% të saj nga nipi i Vilma Nushit.

Kujtojmë se tenderi më i lakmuar i saj ka qenë ai i Check up, për të cilin veç akuzave të bëra publike nga Partia Demokratike, ka pasur dhe një kallzim në SPAK, apo hetim në KLSH, por që derimë tani asgjë nuk është nxjerrë në dritë prej tyre.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë auditimit, ka zbuluar se qeveria shqiptare i ka paguar kompanisë koncesionare, 4.7 milionë euro për kontrolle të pakryera deri tani. “Në total koncesionari ka përfituar në mënyrë të padrejtë në 455 mijë raste koston fikse të kontrolleve të pakryera për këtë shërbim, si dhe TVSH-në e të gjitha faturave”, thuhej në raportin e KLSH-së, në vitin 2017.

Në pritje të një hetimi të plotë për tenderat, Nushi duket të jetë një hap para, duke nxjerrë jashtë tregut disa prej kompanive, me shpresën se gjurmët e tyre nuk do të hetohen kurrë.