19.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Ulet numri i rasteve të reja me Covid-19, ky është qyteti me numri më të lartë të të prekurve

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë zbuluar 33 raste të reja me Covid-19, në 239 testime që janë kryer në total. Numri i rasteve të reja është përgjysmuar në raport me dje ku u zbuluan 72 raste pozitive. Sipas MSH-së 82 pacientë ndodhen të shtruar në Infektiv, 10 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 1 është i intubuar.

Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 23 të prekur në Tiranë, 8 në Shkodër dhe nga 1 rast në Pogradec dhe Kamëz. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 25 qytetarë, duke e çuar në 1159 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë

Gjatë javës që lamë pas kemi patur një trend të rritur të rasteve të konfirmuara pozitiv, zgjerim të fashës së moshës së prekur me simptoma të shprehura, shtim të rasteve të hospitalizuara, por kemi pasur edhe humbje jete.

Kjo situatë ka reflektuar faktin që kemi ende ndërgjegjësim të ulët për respektimin e masave, por dhe prezencë të virusit me të njejtin nivel trasmetueshmërie. Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve, të tregojnë kujdes në ambientet e punës, aty ku ofrohen shërbime dhe në çdo ambient publik, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangni kontaktet dhe vendosni maskat kur nuk është e mundur të ruhet distanca.

Ju njohim më të dhënat e 24 orëve të fundit dhe situatën epidemiologjike në vend. Vijon të ketë shtrime të reja te qytetarëve që kanë nevojë për trajtim spitalor si pasojë e Covid19. Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin trajtohen 82 pacientë, 10 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 1 është i intubuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 239 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 33 raste pozitive, kryesisht raste të reja ne proces hetimi si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive.

Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 23 të prekur në Tiranë, 8 në Shkodër dhe nga 1 rast në Pogradec dhe Kamëz. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 25 qytetarë, duke e çuar në 1159 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në vendin tonë janë aktualisht 792 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për vetëndërgjegjësim qytetarët, që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura: për të ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, për të ruajtur higjienën personale dhe për të mbajtur maskat kudo ku nuk respektohet dot distanca.

Bizneset të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore.

Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve. Shmangni çdo lloj grumbullimi, pasi janë rrezik për përhapjen e infeksionit. Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, kurse të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet me qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë nëpërmjet telefonit me mjekun e familjes për barnat me rimbursim.

Telefoni në linjën e gjelbër 0800 40 40 me mjekun tuaj të familjes, për këshillim psikologjik apo informacion për Covid19. Nëse keni shenja klinike, nëse dyshoni se jeni i prekur me Covid19, eshte e rendesishme te qendroni te izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127.

Do prishen 280 shtëpi në Unazën e Re për të mbrojtur tokat e mikut të Taulant Ballës, Edmond Bego

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari, i cili shkruan se, tek Unaza e Re pritet të prishen 280 shtëpi të tjera për të mbrojtur tokat e miklut të Taulant Ballës, Edmond Bego

Postimi i ish-Kryeministrit Berisha

Do prishin 280 shtepi ne Unazen e Re per te mbrojtur tokat e famozit Edmond Bego!
Kriminale!

Lexoni meazhin e qytetarit dixhital. sb

Pershendetje dr diten e shtune ne banoret e unazes se re na mblodhi keshilli bashkiak per konsultime per projektin e rahabilitimit te lanes.

Mirepo projketi nuk ka ndryshuar fare rahabilitimi i projktit lana prish 280 shpi per arsye te shmangjes se tokes boshe te Edmond Begos.

Një kandidat politik për AMA, Rama kërcënimi kryesor që Shqipëria të mos përmbushë kushtet për hapjen e negociatave

“Edi Rama kundër Komisionit të Venecias dhe lirisë së medias”! Kështu u shpreh dje ish-deputetja e PD, Albana Vokshi në një konference për mediat. Sipas Voshit, Rama ‘mban në garën për kreun e AMA-s kandidatë politikë. Pavarësia e AMA-s, 1 nga 15 kushtet për nisjen e negociatave me BE, u shpreh Vokshi.

Deklaratë e ish-deputetes së PD, Albana Vokshi

Edi Rama është kërcënimi kryesor që Shqipëria të mos përmbushë kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Rishikimi i paketës ligjore të censurës për median online është 1 nga 15 kushtet që qeveria duhet të plotësojë, por partia në pushtet nuk ka ndërmend të veprojë sipas standardeve europiane.

Edi Rama po çon përpara planin për të shndërruar në institucion thellësisht partiak Autoritetin e Medias Audiovizive dhe Këshillin Mbikëqyrës të Radio Televizionit Shqiptar, duke treguar se plani i tij nuk është media e lirë, por kontrolli i saj, përmes emërimeve politike në këto institucione.

Edi Rama po bën një lojë të dyfishtë dhe të rrezikshme për lirinë e medias. Nga njëra anë bën sikur është i kënaqur nga vendimi i Komisionit të Venecias, që rrëzoi ligjin e tij të censurës, nga ana tjetër vazhdon të mbajë në një garë formale vartësit e tij dhe të Erion Veliajt për kreun e AMA-s.

Në ligjin e cencurës së medias, ky është institucioni që vendos mbylljen e një portali online, nëse përshembull, përmbajtja e një shkrimi denoncon aferat korruptive të qeverisë dhe kryeministrit të dështuar Edi Rama.

Komisioni i Venecias foli qartë kundër paketën ‘Rama’ për median, duke theksuar 3 parime.

  • Paketa ‘Rama’ rrezikon hapur lirinë e medias dhe të shprehjes
  • Paketa nuk duhet të kalojë me ndryshimet e bëra nga qeveria
  • Qeveria duhet të mbështesë një mekanizëm vetërregullator me pjesëmarrjen e të gjitha palëve.

‘Fuqitë e reja nuk duhet t’u jepen AMA-s dhe AKEP-it, pa siguruar më parë se ato janë mjaftueshëm të pavarur nga partitë politike, nga bizneset e mëdha të medias dhe nga interesat e korporatave të lidhura me politikën,’ – thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias kundër ligjit të censurës.

Çfarë bën Edi Rama që të respektojë këtë vendim të Venecias, i cili është përfshirë si kusht për hapjen e negociatave?

Përgjigja është: Asgjë! Bën të kundërtën e asaj që i kërkohet.

Synon që, në kundërshtim me ligjin dhe me forcën e kartonave në Kuvend, të emërojë në krye të Autoritetit të Medias, Maklen Mishën, një individ thellësisht politik, siç emëroi në krye të institucionit për komunikimet elektronike, shefin e tij të protokollit.

Maklen Misha, themelues i partisë G99 me Erion Veliajn, shkrues i fjalimeve të Edi Ramës,, është projektuar të zërë vendin e lënë bosh nga i ati dhe të marrë drejtimin e AMA-s. Edhe 3 pseudokandidatët e tjerë, që mbushin garën formale, janë rrogëtarë të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Përveçse shkelin ligjin me përkatësine e tyre të theksuar politike, e përbashkëta tjetër e kandidatëve të qeverisë është se asnjëri nuk përmbush kushtin formal  të vjetërisë në punë.

Me këto kandidime partiake, Autoriteti i Medias degradon në një  gjykatë politike që ndëshkon gazetarët dhe mbyll portalet sipas interesit të Edi Ramës.

Media online mbetet burim kryesor i informimit të publikut shqiptar, mjeti kryesor i transparencës së aferave korruptive e kriminale të qeverisjes së Edi Ramës. Prandaj, qëllimi i tij është shuarja e çdo zëri kritik ndaj qeverisjes së dështuar, megjithë koston e rëndë për shqiptarët se kjo sjellje autokrate e kryeministrit na pengon dhe na vonon rrugën e integrimit europian.

Bashkë me çdo gazetar dhe çdo media që ka për mision të vërtetën, Partia Demokratike do të vazhdojë të bëjë gjithçka që liria e medias dhe liria e shprehjes të mos komandohen me pultin e Kryeministrit!

Shtypje dhe represion/ Mediat italiane: Shqipëria me Edi Ramën çdo ditë e më shumë po i largohet Europës…

Gazeta italiane ‘Il Giornale’ i ka kushtuar një tjetër artikull Shqipërisë dhe situatës ku ndodhet vendi ynë, në rrugën drejt BE-së.

Gazetari Marco Valle, shkruan se, qeveria e Tiranës nën drejtimin e Edi Ramës, çdo ditë e më shumë po i largohet Europës së bashkuar. Ai ka marrë në analizë gjestin e fundit të qeverisë Rama, shembjen e Teatrit Kombëtar, që duket se italianëve u dhemb më shumë se shqiptarëve, për shkak se ishte një trashëgimni e një arkitekti mjaft të njohur milanez.

‘Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar për të ndërtuar një qendër tregtare, ishte akti i fundit i Edi Ramës’, shkruan gazeta italiane.

Pjesë nga shkrimi i Gazetës italiane ‘Il Giornale’

Çfarë po ndodh në Tiranë? Në agimin e së dielës 17 maj, saktësisht në orën 4.35, buldozerët e bashkisë të mbrojtur nga mbi 1 mijë policë, rrënuan Teatrin Kombëtar në kohë rekord, simbol i një proteste të ashpër, që zgjati 27 muaj.

Paraditen e së njëjtës ditë, një turmë e madhe që kundërshtonte ndalimet e autoriteteve dhe rregulloret antivirus mbushën zemrën e kryeqytetit, zonën pranë sheshit Skëndërbej dhe bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, për të protestuar ndaj qeverisë së kryeministrit socialist Edi Rama. Zemërim.

Policia dhunoi vazhdimisht protestuesit dhe arrestoi 64 persona, duke përfshirë Monika Kreymadhi, gruan e Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe drejtuese e një partie në opozitë. Bilanci në fund të ditës ishte i rëndë: bomba tymi, gurë, shkopinj dhe disa të shtëna me armë (për fat të mirë) në ajër plus 7 arrestime për ‘shkelje të dhunshme të rendit publik’, ‘tubim të paligjshëm’, ‘shkelje të karantinës’. Dhjetëra persona të plagosur në spitale.

Një e diel e keqe që bëri debatin tashmë të mbinxehur (ose më saktë, përplasjen) midis Ramës dhe kundërshtarëve të tij flaktë dhe, edhe një herë, rigjallëroi sfidën midis vendimmarrësit kryeministër dhe protestuesve të tij të shumtë dhe aspak entuziast ( ta themi butë) nga metodat e tij të ashpra dhe projektet e tij ‘të modernizuara’ të paskrupullta.

Rasti i kompleksit Teatror është emblematik. Ndërtesa, e projektuar nga arkitekti Giulio Berte e ndërtuar në Milano në 1938 dhe e mbledhur disa muaj më vonë në Tiranë nuk ishte vetëm një nga shembujt e parë të parafabrikatave në histori dhe një nga veprat më interesante të arkitekturës racionaliste në Evropë, por, mbi të gjitha, përbënte një pjesë e rëndësishme e panoramës monumentale të kryeqytetit shqiptar.

E shndërruar në epokën komuniste fillimisht në një gjykatë popullore pastaj në Teatër Kombëtar, pas rënies së regjimit në 1990, ndërtesa ishte kthyer në pritje të restaurimeve.

Duke pasur parasysh vjetërsinë e materialeve origjinale, mirëmbajtjen e dobët në periudhën Enveriste dhe rregullat e reja të sigurisë, të gjithë (ose pothuajse) kërkonin një ristrukturim rrënjësor në përputhje me projektin e Berte-s. Këto ishin vetëm iluzione.

Në vitin 2018, me justifikimin e festimeve në vitin 2020 të 100-vjetorit të kryeqytetit të Tiranës, Rama dhe ‘delfini i tij’ Erion Veliaj, kryetar bashkie vendosën të ndryshojnë qendrën historike dhe plani filloi pikërisht nga prishja e ‘Teatrit Kombëtar’.

Në vend të saj u vendos të ngrihet një strukturë masive betoni prej kullash të projektuar nga studiot daneze Big dhe nënshkruar nga arkitekti Bjarke Ingels, ku do të ketë presë qendra tregtare, apartamente, etj., dhe një hapësirë të destinuar për aktivitete teatrale.

Pas këtij plani privat nisën protestat e shumta të artistëve.

Gjysma e Tiranës u ngrit kundër kryeministrit dhe kryebashkiakut, të treguara si autorët e një spekulimi maziv ndërtimi. Në mbrojtje të kompleksit, u ngritën artistët dhe intelektualët që i përkisnin ‘Aleancës për mbrojtjen e teatrit’. Për t’i mbështetur ata, Lulzim Basha, drejtuesi i Partisë Demokratike dhe Monika Kreymadhi, nga ana e tyre të mbështetur u bashkuan në terren me artistët:

Confindustria Albania, partneriteti që përfaqësojnë ndërmarrjet italiane në vend, ishte gjithashtu kundër shkatërrimit. Presidenti i saj Sergio Fontana komentoi me hidhërim: ‘Është njësoj sikur në vend që të ndërtosh një teatër më të mirë dhe të rehatshëm, të vendosësh të shkatërrosh Arenën e Veronës apo Koloseu. Një teatër i ri mund të ndërtohej në një zonë tjetër pa prishur një shembull të jashtëzakonshëm të arkitekturës italiane’.

Ambasadori italian ishte më i kujdesshëm (ose shumë i vakët): ‘Unë mendoj se në një vend demokratik këto zgjedhje duhet të merren pas një debati të gjerë, sepse pasi të merren, nuk është e mundur të kthehen mbrapsh’.

Asgjë më shumë, asgjë më pak. Nga ana e Institutit Kulturor Italian, heshtje absolute.

Reagimet e Evropës janë shumë më të ashpra. Delegacioni i BE në Tiranë ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj mënyrave dhe kohësh së shkatërrimit të Teatrit.

Presidenti i PPE Donald Tusk e ka dënuar hapur shkatërrimin si një akt ‘i cili shkon kundër vlerave evropiane si mbrojtja e trashëgimisë kulturore, sundimi të ligjit dhe dialogut mes palëve.

 

Skandali 60 milionë dollarësh në Zimbabve, pritet edhe arrestimi i Ben Blushit

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas shkrimit në një prej portaleve në vend, sipas të cilit, pritet arrestimi i Ben Blushit pas skandalit 60 milionë dollarësh në Zimbave.

Sipas Berishës, “Arben Malavitën e pret fati i ortakut me tre emra; Klodian, Ilirjan, Mirel Mertiri!”

“Arben Malavitën e pret fati i ortakut me tre emra; Klodian, Ilirjan, Mirel Mërtiri! Pritet mandat ndërkombëtar arresti kundër tij! Këtu më poshtë keni hetimin e gazetarit investigativ”, shkruan Berisha, ndërsa publikon edhe artikullin të cilit i referohet.

https://www.cna.al/…/ortaku-perfshihet-ne-skandal-ben-blus…/

News Albania Ortaku përfshihet në skandal/ Ben Blushi rrezikon prangat?!
Një arrestim i pritshëm pas një skandali miliona dollarë në Zimbave, nisja e hetimeve nga interpoli por edhe qeveria Hungareze, ka futur në panik drejtorin e Top Channel Ben Blushi, i cili njihet si një nga ortakët e Mirel Mërtirit, i njohur edhe si Ilir Dedja apo Klodian Mertiri.

Një skandal ka plasur jo vetëm në mediat afrikane, por edhe në ato europiane.

Një kompani shqiptare, një person i shumëpërfolur nga mediat e vendit, i shfaqur me disa emra të ndryshme në biznese, vende dhe kompani zinxhir, në afera miliona euro. Ky është ortaku i Ben Blushit, nëpërmjet bashkëshortes së tij Eva Blushi në kompaninë “EM Capital Group” e cila po hetohet si një nga kompanitë e shumta të Mërtirit që ka qarkulluar shuma të mëdha parash. Në Shqipëri ka një transaksion me vlerë 2.2 milionë euro, kjo sipas këtij dokumenti.

Ortaku i Ben Blushit në skenën e biznesit një herë shfaqet si Ilir Dedja, njëherë si Mirel Mërtiri, njëherë si Klodian Mërtiri, me disa emra të ndryshëm. Një person me pasaportë malteze, në Shqipëri fiton koncesionin e inceneratorëve, gati 200 milion euro me bashkëpunëtorin e tij Klodian Zoto, ndërkohë në Zimbabve dështon dy herë.

Në vendet afrikane shkoi me të njëjtin profil, atë të inceneratorëve të Shqipërisë, por gjithçka u anullua dhe u pasua nga dy skandale, ky i dyti po zhyt thellë njeriun me tre emra, ndërsa në skandalin e parë ishte Klodian Zoto ortaku i tij që duket se shpëtoi pa asnjë gozhdë në këmbë.

Së fundmi, mediat vendase (Lexo këtu) zbuluan një skandal në lidhje me blerjen e pajisjeve shëndetësore dhe një hetim i fortë çoi në pranga përfaqësuesin vendor të Mërtirit, Dalish Nguvaya dhe ministrin e Shëndetësisë së Zimbabve Obadiah Moyo.
Ky është një skandal që ka përfshirë jo vetëm politikën në Zimbabve, por edhe në Europë, ku është përfshirë Interpol dhe shteti hungarez, në Shqipëri janë të njëjtët personazhe që askush nuk i heton, por përkundrazi i mbron sa qeveria dhe opozita.

Por paniku ka pushtuar një prej ortakëve të njeriut me 3 emra që është në kërkim ndërkombëtar, ai është Ben Blushi, drejtori aktual i Top Channel, ortaku i Ilir Dedjas dhe Klodian Mërtirit apo Mirel Mërtirit. Bashkëshortja e Ben Blushit, Eva Blushi është aksionere me 33% të aksioneve në kompaninë “EM Capital Group” në Bullgari, një kompani e themeluar dy vite me parë, e cila më pas bleu aksionet e brandit “Lori Caffe” të kompanisë “Valtelina Sh.p.k.”.

Hetimet kanë filluar në Hungari në lidhje me transfertat dhe paratë që ka qarkulluar Ilir Dedja apo Mirel Mërtiri. Janë disa kompani zinxhir që kanë qarkulluar miliona euro.
Nga ana tjetër Interpoli ka filluar hetimin edhe për disa kompani të tjera në emër të këtij personi, i cili tashmë duket se pas vetes do të tërheqë edhe Ben Blushin. Interpoli po heton disa dhjetëra kompani, përfshirë edhe atë bullgaren “EM Capital Group”, që është një nga bizneset e Ilir Dedjas regjistruar në një nga vendet e BE, që ka qarkulluar shuma të mëdha parash.

Blushit do t’i duhet të tregojë ku i ka gjetur qindra mijëra dollarët për blerjen e “Valtelino sh.p.k.” dhe çfarë e lidhi në ortakëri me disa biznesmenë që janë përfshirë në skandale korrupsioni në Europë por edhe Afrikë. Hetim që nuk mund të mbulohet më tashmë dhe mund të përfshijë edhe pasuritë e fshehura dhe grabitura nga Ben Blushi, që nga Dardha, në Korçë, Tiranë e Dhërmi.

Miliona dollarë kanë qarkulluar edhe në Shqipëri, nga Ben Blushi dhe ortakët e tij, në blerje kompanish apo në biznese të ndryshme, të cilat duket se tashmë kanë filluar t’i zbardhen vërtetë, t’i hetohen dhe mesa duket një skemë e madhe korruptive ka vënë përballë përgjegjësisë jo vetëm njeriun me tre emra Klodian Mërtiri, Mirel Mërtiri apo Ilir Dedja, por edhe ortakun e tij Ben Blushi.

Nëse hetimi do të vazhdojë të thellohet dhe Mërtiri do të përfundojë në pranga, vështirë se ortakët e tjerë do të shpëtojnë dot nga skandalet ku janë përfshirë, aferat korruptive, pazaret dhe gjithçka tjetër, që është krijuar thjeshtë dhe vetëm nëpër skema kompanish për përfitime miliona dollarë apo influenca pushteti, të cilat vijnë nëpërmjet parave të taksapaguesve nga qeveritë shkojnë tek koncesionet dhe përfundojnë deri tek drejtues dhe pronarë mediash.

Hetimi i kompanive mund të sjellë arrestime të mëdha që vështirë se shpëtojnë dot Ben Blushin apo familjarët e tij./ CNA.al

Dhunohet në Vlorë avokati i njohur për shkak të detyrës, autorët lihen të lirë

Avokati i njohur, Kujtim Cakrani është dhunuar në Vlorë për shkak të detyrës. Mëngjesin e sotëm, pranë zyrës së avokatisë në Vlorë i kanë shkuar 2 persona, e kanë sharë dhe qëlluar, dhe më pas janë larguar me shpejtësi prej aty.

Ata i kanë i kërkuar të heqë dorë nga një çështje që ka të bëjë me rrëmbimin e një personi. Cakrani thotë se i njeh këta persona, dhe thotë se e kanë kërcënuar edhe herë të tjera. Pas ngjarjes ai ka shkuar menjëherë dhe ka denoncuar në polici, ndërsa kjo e fundit nuk ka ende një njoftim zyrtar lidhur me autorët e dyshuar.

“Unë sot në mëngjes kam ardhur në zyrë, dhe kam shkuar në një lokal përpara zyrës, dy persona me makinë të zezë, që i kam marrë dhe targën më kanë ardhur dhe më kanë kërcënuar. Më kanë kërkuar që të heq dorë nga një çështje që lidhet me rrëmbimin e një personi, dhe unë mbroj palën e familjes së viktimës.

Këta persona më kanë ardhur dhe në zyrë, i kam identifikuar personat, unë zyrën e kam survejuar me kamera dhe i kam të fotografuar të paktën njërin prej tyre që ka qenë më aktiv. Më kanë goditur në fytyrë, kam lajmëruar policinë, unë jam avokat dhe kësaj çështje do ti shkoj deri në fund. Jam kërcënuar dhe herë të tjera nga këta persona, jam i detyruar që të kërkoj mbrojtje nga policia e shtetit.

Jam në të drejtën time që të kryej detyrën dhe nuk intimidohem aspak nga këta persona. Në këtë vend është bërë vazhdë që të dhunohen avokatët dhe gjyqtarët, do ti shkoj deri në fund që këta persona të tërhiqen”, u shpreh Cakrani.

Cakrani konfirmon se dhuna ndaj ti ka ardhur si rjedhoj e mbrojtjes së një cështje të një personi që dyshohet se është rëmbyer. Bëhet fjalë për shtetasin me origjinë nga Fieri, Fatjon Myrtaj i cili mendohet të jetë vrarë nga kushëriri i tij Perlat Myrtaj i cili është arrestuar. Autorët janë ende të lirë, ndonëse avokati i ka denoncuar publikisht.

Ndahet nga jeta kreu i PD Krujë, Basha: Humbëm një nga drejtuesit më të përkushtuar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka shprehur ngushëllimet e tij familjes së kryetarit të Degës Demokratike të Krujës, Reshit Merlika që u nda nga jeta.

“Sot u nda nga jeta Reshit Merlika, kryetari i Degës së Partisë Demokratike Krujë. Mendimet dhe lutjet e mija dhe të familjes time si dhe të mbarë demokratëve shkojnë tek bashkëshortja e tij Majlinda dhe dy djemtë e tij Arbisi dhe Eraldi si dhe tek nëna e tij znj. Shpëtime dhe vëllezërit e të afërmit, për humbjen e parakohshme të njeriut të tyre të shtrenjtë.

Pinjoll i një prej familjeve më të shquara të Krujës, Reshit Merlika spikati me integritetin, qëndresën dhe dhembshurinë e tij për Krujën dhe bashkqytetarët e tij. Si pas tërmetit të 26 Nëntorit ashtu edhe gjatë pandemisë ai ishte ditë e natë pranë njerëzve në nevojë, duke mobilizuar ndihma, fashitur plagët e dhimbjeve dhe dhënë forcë e kurajo atyre që kishin humbur gjithçka.

Partia Demokratike humbi sot një nga drejtuesit e saj më të përkushtuar dhe unë një bashkëpunëtor të vyer. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.

Vjosa Osmani reagon pas shkarkimit nga postet drejtuese në LDK: Jeni frikacakë…

Vjosa OSMANI

Po përjashtohem e diferencohem sepse:
Thashë kurrë me të korruptuarit, dhe ashtu mbeti;
Thashë do t’i sjellim Kosovës ndryshimin e jo mendësinë e vjetër në pushtet, dhe ashtu mbeti;
Thashë se nuk do ta përkrahë asnjë tregtar të kufijve e të sovranitetit, dhe ashtu mbeti.

Thashë për Kosovën do të kërkojmë barazi nëpërmjet reciprocitetit, dhe ashtu mbeti;
Thashë se askujt nuk do t’i punojmë pas shpine, dhe ashtu mbeti;
Pra, u diferencova e shkarkova sepse e mbajta fjalen.

U diferencova edhe për shkak se jam grua, sepse asnjë nënkryetar burrë në të kaluarën, edhe kur kanë kundershtuar e vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar.

Por, të dashur qytetarë të Kosovës, sistemet që themelin mbi të cilin qëndrojnë e kanë diferencimin, janë gjithnjë të destinuara të dështojnë. Kështu ka qenë në të kaluarën, e kështu do të jetë edhe tash e tutje, të jeni të bindur. Prandaj po e përsëris atë që e kam thënë në Kuvend më 25 mars:

Në politikë, sikur edhe në jetë, ndonjëherë duhet ta paguash çmimin e të qenit parimor. Unë e kam provuar në lëkurën time më shumë se njëherë. Por, parimësia tregon udhën e vërtetë, edhe kur ajo është e mbushur përplot gjemba. E, unë nuk përtoj t’u rrekem këtyre pengesave për ta bërë të dukshme dritën, edhe nëse kjo nuk kuptohet nga disa mendjeshkurtër që sot votuan për përjashtimin e diferencimin tim. Por është një udhë që unë e kam ndjekur këto 20 vjet e ajo është udha që ta shtron besimi qytetarë dhe asaj nuk e kam ndërmend t’i ndahem kurrë. Në secilën betejë, do të jem me qytetarët, deri në fund.

I falenderoj 53 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që nuk u bënë pjesë e këtij diferencimi politik. Ndërsa për diferencuesit e sotëm, shihemi në garën zgjedhore së shpejti. E aty do ta shohim se kush do të fitojë kur të dalim para qytetarëve. Gara e vërtetë është para qytetarëve, edhe pse shumica dërmuese prej jush diferencues, jeni aq frikacakë sa nuk do të guxoni të dilni në atë përballje, por sërish do të fshiheni prapa dikujt tjetër. Por përballja e madhe do të ndodhë. Mua më ka ngritur populli dhe vetëm ai do të mund të më rrëzojë.

Bring it on! 💪🏼

Duma: Rama ka probleme me pastërtinë e duarve, korrupsionin

Ish-deputetja e PD-së, Grida Duma, e ftuar në “Kjo Javë”, në News 24, komentoi shifrat e fundit të infektimit me COVID 19.

Ndërsa hodhi dyshime për vërtetësinë e tyre, Duma akuzoi kryeministrin Edi Rama, i cili sipas ka shfrytëzuar këtë pandemi për të rritur pushtetin e tij.

“Nuk dua të vë dyshimin ata që informojnë, instancat shtetërore, gjithmonë kam zgjedhur të mos jem lajmësi i keq, që do të thotë se kam dyshimet e mia racionale se nuk kanë qenë ato shifrat edhe gjatë karantinimit të plotë. Besoj që shifrat kanë qenë më shumë dhe kanë nisur para karantinimit. Ne si PD kemi kontribuar për t’ju thënë shqiptarëve se armiku i panjohur është më i rrezikshëm se armiku i njohur dhe situata kërkon ndërgjegjësim më të lartë.

Por kush është rreziku tani? Rreziku tani është se për shkak të pandemisë ekonomike të kërkosh sot masë më të madhe disiplinimi, ata ta kthejnë me kundërshti pasi situata u menaxhua keq. Ajo që u menaxhua keq ishte situata ekonomike. Është e pafalshme, e mëkatshme, e keqe që e përdor edhe pandeminë për fushatë. Mbani mend që dilte në telefona (Rama) u bë batutë kalamajsh, e mbani mend atë: Edi jam…Shqipëria sot është monopartiake që nga gjykatat te Parlamenti. Është mëkat të përdorësh fatkeqësinë për pushtet.

Sot Shqipëria ka akumuluar pushtet tek një njeri më shumë se kurrë. Gjithçka këtu është bërë monopartiake. Është e pacipë që një njeri të grumbullojë kaq shumë pushtet dhe të kërkojë që në situatë sëmundje të shfaqet edhe në telefona a thua se kujdeset ky për larjen e duarve. Që të mos kaloj te ironia, se ky është vetë nga ata njerëzit që ka probleme me pastërtinë e duarve, ka një problem të madh, korrupsionin”, u shpreh ish-deputetja demokrate.

Mustafa shkarkon Vjosa Osmanin nga të gjitha postet drejtuese në LDK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, të shtunën kishte propozuar që të shkarkohet Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe kryesisë së këtij subjekti politik.

Mustafa, përmes një letre drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka kërkuar votimin për shkarkimin e Osmanit.

Ndërkaq, bëhet e ditur se Osmani tashmë është shkarkuar nga posti që mbante në këtë subjekt politik.

Siç mësohet, Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së përmes votimit elektronik sot kanë shkarkuar atë nga posti i nënkryetares dhe anëtares së LDK-së.

Kjo u bë e ditur nga deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.

Avdyli përmes një shkrimi në Facebook, e ka quajtur vendimin skandaloz.

Tutje ai ka thënë se ekziston mundësia që rezultatet e këtij sondazhi Online mund të jenë manipuluar prandaj nuk ka vlerë as juridike e as obligative për askënd.

“Vendimi i skandaloz për kinse shkarkimin përmes email-it të Vjosa Osmanit nga organet drejtuese të LDK-së, i iniciuar nga njerëzit pa legjitimitet qytetar, paraqet vetëm një manipulim interneti e asgjë më shumë. Votimi i përmes email-it është një vendim mashtrues dhe frikacak si gjithmonë i disa njerëzve që s’kanë guxim qytetar të maten e thirren si pronarë të LDK-së. Këta se kanë problem edhe ti manipulojnë rezultatet. Ekziston mundësia që rezultatet i këtij sondazhi Online mund te jenë manipuluar prandaj s’ka vlerë as juridike as obligative për askënd. Ne dhe secili aktivistë i LDK-së do e konsiderojnë këtë vetëm si një sondazh pavlerë derisa ky vendim të mos merret konform rregullave demokratike”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, Mustafa, në letrën dërguar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, i ka uruar ata për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti.

Më tej në letër ka përmendur se tre deputetë të LDK-së, Vjosa Osmani, Fatmir Rexhepi dhe Haxhi Avdyli kanë votuar kundër Qeverisë, kurse në seancën e Kuvendit, në të cilën u votua mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, Osmani në kundërshtim me qëndrimin e Kryesisë së LDK-së, bëri apel të mos votohet mocioni.

Mustafa ka thënë se Osmani vazhdoi publikisht me kundërshtimin e koalicionit aktual i cili përbën Qeverinë Hoti.

Kreu i LDK-së thotë se Osmani iku nga përgjegjësia për ta drejtuar seancën e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së drejtuar nga LDK-ja.

Historia e kundërshtimeve Mustafa-Osmani

Osmani, e cila është kryetare e Kuvendit të Kosovës, kishte shprehur publikisht pakënaqësitë e saja lidhur me prishjen e koalicionit mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në mars të këtij viti.

Gjatë mocionit të mosbesimit të ngritur nga LDK-ja më 25 mars, ndaj qeverisë të udhëhequr nga Albin Kurti, Osmani kishte votuar kundër.

Osmani u zgjodh në krye të kuvendit, me propozimin e partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje dhe vazhdon ta mbajë atë pozitë edhe pas rrëzimit të qeverisë LVV-LDK.

Vjosa Osmani është shprehur kundër edhe qeverisë së re të formuar nga LDK-ja, që udhëhiqet nga Avdullah Hoti.

Në seancën e 3 qershorit, kur u votua për qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, Osmani nuk mori fare pjesë.

Osmani ka kundërshtuar edhe vendimin e qeverisë më 6 qershor, për të hequr masat e reciprocitetit kundër Serbisë.

Ajo ka thënë se me heqjen e reciprocitetit, “Kosova ka hequr dorë “nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, të vitit 2019, Osmani ishte kandidatja e LDK-së për kryeministre.

Osmani është personi i dytë më i votuar në Kosovë, pas Albin Kurti. Ajo në zgjedhjet e fundit më 6 tetor fitoi 176 mijë vota.

Vjosa Osmani edhe në vitin 2014 kishte shprehur pakënaqësinë e saj lidhur me arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeverisës ndërmjet LDK-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke mos e votuar qeverinë e udhëhequr nga kryetari i partisë së saj, Isa Mustafa. /