22.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Gusht, 2025

Shkon në 42 numri i viktimave nga Covid-19, humb jetën pacienti 69-vjeçar  

Ka arritur në 42 numri i viktimave nga COVID-19 në vendin tonë.

Ministria e Shëndetësisë njofton se ka ndërruar jetë në spitalin infektivnjë pacient 69 vjeçar nga Kruja me leukozë akute, i prekur nga Covid19. Pavarësisht mjekimit intensiv prej 10 ditësh dhe përpjekjeve të stafit mjekësor, nuk arriti të mbijetojë.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se në 24 orët e fundit, u shënuan 50 raste të reja me koronavirus (në 330 testime) 16 më pak se dje.

Kërcënohen familjarët/ Berisha: Hakmarrja primiteve Rama-Luca nuk njeh të ndalur!

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetareje nga Elbasani, e cila shkruan se e kanë hequr nga puna nga pozicioni si përgjegjëse shkollës, pse djemtë e saj publikuan një video për ndotjen e lumit Shkumbin nga fabrika e Lucës në Labinot.

Postimi i ish-Kryeministrit Berisha

Miq, djemve qe meritojne çmim per videot me te cilat deshmuan shkaterrimin e mjedisit nga mbetjet toksike te Luces, u kercenojne familjaret.

Denoj me ashpersine me te madhe kete qendrim te turpshem, klasor dhe stalinist te Edvinit dhe narkoshtetit te tij ndaj nje punonjese.

Gjithashtu denoj si krim i rende mjedisor ndotjen e rrezikshme mjedisore nga Luca, i cili ne vend se ti perpunoje ne impiante te veçanta mbetjet e proceseve te punes, shfrytezon lidhjet obskure me Edvinin dhe Taulant Bego Yaris dhe duke kercenuar shendetin e banoreve te zones por dhe mbare Elbasanit, i derdh ato ne natyre ne Shkumbin dhe brigjeve te tij. sb

Pershendetje Z. Berisha! Jam Liljana Biçaku. tezja e atyre djemve qe ben vidion per ndotjen e lumit Shkumbin .Me hoqen sot nga pozicioni si pergjegjese shkolle. Filluan te na kercenojne nga heqja nga puna.

“Njëshi” i zerove!

Nga Taulanda JUPI

”Ata që nuk mund të kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin atë.”

Filozofi dhe shkrimtari spanjoll, George Santayana jo vetëm paralajmëron, por ai na nxit të shquajmë drejt dhe qartë faktet e dhimbshme të historisë duke u përpjekur të parandalojmë përsëritjen e tyre.

Historia është ciklike, por pavarësisht kësaj, nuk mund të parashikojmë sesi do të shfaqet apo projektohet përsëritja e një fakti apo e një dukurie sociale, sepse përsëritja e një fenomeni historik, nuk është asnjëherë identike. Megjithatë, sado dhe sido të ketë ndryshuar realiteti social gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit veçanërisht në formë, duhet pranuar se frika,dhuna, terrorri dhe propaganda mbeten ende mjete të preferuara dhe fatkeqësisht efikase në duar të liderëve autokratë, të cilët fshihen më së miri pas një imazhi fals të demokracisë.

Realiteti shqiptar dhe Edi Rama janë një model tipik i kësaj strategjie. Propaganda, mekanizmi i cili përdoret në mënyrë të shfrenuar duke targetuar jo vetëm shqiptarët por veçanërisht faktorin ndërkombëtar, sot ka krijuar imazhin se Shqipëria është de facto dhe de jure një sistem demokratik i cili ka kompletuar organigramën e tij instucionale, si parakusht formal të ekzitencës së tij. Por kjo overture nuk pasohet nga asnjë akt vijues në të cilin të shtjellohet sistemi funksional i këtyre strukturave, nuk ka asnjë akt vijues që të kapërcejë formën për të analizuar brendinë.

Realiteti socio –politik shqiptar ka të gjithë fasadën, dukjen dhe formën e një sistemi demokratik. Por a funksionojnë këto institucione , struktura dhe organe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe parimet bazë mbi të cilat ngrihet dhe funksionon një sistem demokratik?

A ka sot në Shqipëri ndarje dhe balancë të pushteteve?

A kemi sot një Shqipëri ku sundon ligji dhe e drejta?

A kemi sot në Shqipëri një sistem të pavarur drejtësie?

A janë sot në Shqipëri të gjithë të barabartë para ligjit?

A kemi ne sot një përfaqësim të drejtë në qeverisje, qoftë kjo qëndrore apo lokale?

A kemi sot një parlament funksional?

A kemi sot në Shqipëri liri të medias, shtypit , liri të mendimit dhe fjalës ?

Pse demokracia po merr trajtat e një diktature në Shqipëri?

Sepse ne, shqiptarët po e lejojmë! Fajtori është NJË, përgjegjës jemi të gjithë.

Rruga drejt demokracisë është e vështirë sepse demokracia kërkon përpjekje dhe sakrifica që jo gjithmonë jemi të gatshëm dhe kemi vullnetin t’i bëjmë. Nëse sot ndodhemi në këtë situatë kritike, edhe ne si qytetarë jemi përgjegjës për heshtjen, indiferencën, përuljen, mosreagimin, apatinë, përgjegjës sepse zgjedhim gjithmonë rrugën më të lehtë dhe jo më të drejtë, përgjegjës pse antivlerat i kemi kthyer në vlera, jemi përgjegës pse durojmë nënshtrimin, frustrimin, zhgënjimin, vjedhjen, mashtrimin, përgjegjës pse zgjedhim largimin në vend të përballjes. Ne jemi përgjegjës se kemi humbur besimin, por mbi të gjitha jemi përgjegjës ndaj të vërtetës.

E vërteta është se në Shqipëri nuk ka ndarje dhe balancë të pushteteve, përkundrazi ato ndodhen sot në duar të NJË njeriu të vetëm.

E vërteta është se parlamenti ilegjitim sot miraton ligje antikushtetues që kanë vetëm një qëllim forcimin e pushtetit të një njeriu të vetëm.

E vërteta është se në Shqipëri “barazia para ligjit” është një koncept juridik larg realitetit, sistemi i drejtësisë nuk është i pavarur madje institucione të rëndësishme të tij, si Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese janë jashtë funksioni, duke krijuar hapësira dhe mekanizma që shkojnë në favor të pushtetit të NJË njeriu të vetëm.

E vërteta është se sot kemi një krizë përfaqësimi në të gjitha nivelet dhe institucionet e pushtetit vendor dhe lokal, pasi individë me rekorde kriminale janë emëruar apo “zgjedhur” nga NJE njeri i vetëm dhe për t’i shërbyer NJE padroni të vetëm.

E vërteta është se në Shqipëri, liria e shtypit dhe medias, shprehja e fjalës dhe mendimit të lirë ka bërë hapa të dukshëm pas.

Këto janë të vërtetat e mëdha me të cilat lidhen në mënyrë direkte ato të vërtetat tona të përditshme, si : puna që nuk e gjejmë dot, pagat e ulëta, taksat që na rriten, na shtohen e na vidhen çdo muaj, ilaçet që prindërit tanë nuk mund t’i blejnë se ai i shkreti pension nuk mjafton, shëndetësia ku mungojnë shërbimet e duhura, mjekët dhe infermierët, çmimet e ushqimeve që rriten çdo ditë, edukimi dhe shkollimi i cili nuk është ai që duam për fëmijët tanë, pasiguria për jetën, mjerimi dhe skamja që na rrethon, e sotmja që na tremb dhe e ardhmja që na tmerron. Këto janë të vërtetat tona që na gjunjëzojnë çdo ditë e më tepër dhe na bëjnë të harrojmë detyrat tona si qytetarë, ndaj PO, ne jemi përgjegjës, por fajtori është vetëm NJE, ai është Edi Rama.

Gjatë qeverisjes së tij, Edi Rama e ktheu politikën nga një përballje platformash, idesh apo vizionesh për zhvillim të qëndrueshëm ekomik dhe social, në një retorike false, përçarëse , frustruese, bulliste, kërcënuese, ku gjithmonë dikush është armiku dhe fajtori i radhës, ku ai var mëkatet e dështimit tij.

Por fajtori i vërtetë është ai, me UNIN e tij të vetkënaqun deri në delir për gjunjëzimin, nëpërkëmbjen, zhvatjen, talljen, përbuzjen, mashtrimin që na hedh çdo ditë si ushqim duke na zhbërë si individë dhe duke na shndërruar në turmë që duhet vetëm të bindet dhe të mos reagojë.

Ai është NJË njeri i vetëm, me unin tij të pangopur për pushtet që tallavitet në skenografira hamletiane një herë si zoti shpëtimtar i njerëzve, një herë si tokësori që qan e vuan bashkë me ta, njëherë me pelerinë e një hëre më çitjane, një herë si këngëtar e një herë si aktor.

Përtej asaj që duket, ai gjendet sot i vetshpallur NJESH mes zerove që e rrethojnë. Zero si numri i vendeve të reja punës, zero si shifra e investimeve të huaja, zero si politikat dhe rezultatet në zhvillimin ekonomik, zero si reformat e dështuara në drejtësi, në arsim dhe në shëndetësi , zero si rezultatet në integrim dhe negociata, zero si standartet në zgjedhje.

Pas këtyre shtatë viteve të vështirë dhe të lodhshëm të qeverisjes së Edi Ramës, duhet të bërtasim një vetetë të madhe se

, problemi nuk është vetëm njëshi, por sidomos realiteti i ZEROVE që prodhon ai.

Sfidën pra e kemi me veten dhe atë çfarë duam të jemi. Nëse duam të bashkohemi turmës së zerove pas unit të Edi Ramës jemi “në rrugë të mbarë” të shumëzimit me zero, jemi në “rrugë të mbarë” drejt dështimit total si qytetarë të një shoqërie që ka vetëm remineshencën e demokracisë dhe zhvillimit.

Punonjësit e fasonerisë në Kavajë dalin në protestë: Ende nuk e kemi marrë pagën e “luftës”

Punonjësit e një fasonerie në Kavajë kanë dalë sot në protestë pasi ende nuk kanë marrë pagën e luftës të premtuar nga qeveria.

Ata kanë dalë mëngjesin e sotëm përpara Drejtorisë së Tatimeve, duke thënë se nuk e kanë marrë ende pagën që iu takon.

Protestuesit dëshirojnë që të sqarohet situata nga ana e zyrtarëve që shpërndajnë pagën e luftës.

PE miraton amendamentin me 15 kushtet për qeverinë Rama para nisjes së negociatave

Parlamenti Europian miratoi mbrëmjen e djeshme me 388 vota pro, 280 vota kundër dhe 19 abstenime, amendamentin me 15 kushtet për qeverinë Rama para nisjes së negociatave.

Amendamenti ka këtë tekst: “Parlamenti Europian thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet antare”.

Këto kushte u vendosën nga Këshilli Europian (shtetet anëtare) me propozimin e Gjermanisë, Francës, Holandës, Danimarkës e Spanjës në mars të këtij viti.

Amendamenti i firmosur nga eurodeputetja Kinga Gàl me kërkesën e raporterit Lega dhe me mbështetjen e koordinatorit Gahler erdhi si përgjigje e mohimit të përsëritur nga kryeministri Rama javën e shkuar të ekzistencës së 15 kushteve. Këto kushte u vendosën  nga Këshilli Europian (shtetet anëtare) me propozimin e Gjermanisë, Francës, Hollandës, Danimarkës e Spanjës në mars të këtij viti. Pro amendamentit votuan Grupi Liberal dhe ai Konservator si dhe shumë deputetë nga e majta dhe djathta pavarësisht qendrimit formal të grupeve

Grupi Social Demokrat  formalisht nuk u shpreh pro amendimit me shpjegimin se nuk duhej zbehur jehona festive e samitit të Zagrebit. Por shumë eurodeputetë socialdemokratë të prirë nga danezët dhe finlandezët votuan pro PPE. Një pjesë e nxitur nga eurodeputetët rumunë votuan kundra.

Taulant Balla paraqiti një lutje në kryesinë e partisë Socialiste Europiane për votim kundra në bllok por kjo nuk u mor parasysh.

Gjatë javës së shkuar shumë eurodeputetë, por edhe diplomatë europianë reaguan ndaj deklaratave të Ramës duke apeluar publikisht për domosdoshmërinë e përmbushjes së 15 kushteve sepse ndryshe nuk fillojnë negociatat.

Opozita e quajti të papërgjegjshëm mohimin e 15 kushteve nga Rama; sipas saj kjo retorikë është pengesë kryesore për integrimin europian të vendit mbas përkeqësimit të treguesve të demokracisë e shtetit ligjor. Restaurimi i normalitetit demokratike vjen duke plotësuar 15 kushtet.

Njëri prej kushteve  është edhe dënimi i politikanëve që kanë blerë vota në zgjedhjet e Dibrës e Shijakut. Rama i ka marrë ata vazhdimisht në mbrojtje.

Shkresa e Grupit PPE:

[ Dua t’ju informoj se znj. Kinga Gál si raportere hije e PPE  e raportit “Rekomandime për Ballkanin Perëndimor”  do të dorëzojë amendamentin si më poshtë: ]

“thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet anëtare”

[ Amendamenti u kërkua nga z. David Lega, raporter i përhershëm për Shqipërinë dhe ka pëlqimin e z. Gahler, koordinator i PPE në Komisionin e Jashtëm (AFET) ]

Origjinal:

[ I would like to inform you that Ms. Kinga Gál as the EPP shadoë rapporteur of the Western Balkans recommendation ëill submit the folloëing plenary amendment: ]

“stresses the 15 conditions, decided by the Council of the European Union, that Albania needs to have fulfilled prior to its first intergovernmental conference with the EU Member States”

[ The amendment ëas requested by Mr. David Lega, standing rapporteur for Albania, and has the blessing of Mr. Gahler, the EPP AFET coordinator. ]

Trump për Bolton: Ishte një budalla që kërkonte të bënte vetëm luftë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ndërmori një sulm të ashpër të enjten kundër ish-këshilltarit të tij të sigurimit kombëtar John Bolton, pas botimit prej zotit Bolton të një libri të ri, ku e quan presidentin një komandant të përgjithshëm “të paparashikueshëm” dhe “të painformuar, aq sa të habit”.

Në një seri komentesh të hidhura në Twitter, presidenti Trump tha se libri i zotit Bolton është “një përmbledhje gënjeshtrash dhe historish të sajuara”.

“Të gjitha janë me qëllimin për të më paraqitur në dritë të keqe. Shumë prej deklaratave qesharake që ai më atribuon nuk janë bërë kurrë, janë trillime të pastra. Thjesht përpiqet të marrë hak për faktin që e shkarkova, si një qenush i neveritshëm që është”, ka shkruar presidenti Trump.

Udhëheqësi amerikan e quan zotin Bolton “një budalla të pakënaqur e të mërzitshëm që donte vetëm e vetëm të bënte luftë. Ai kurrë nuk kishte idenë, nuk ia varte njeri dhe u hodh tej, për fat të mirë. Sa i trashë!”

Presidenti Trump rrallëherë ka pranuar gabime gjatë mandatit të tij, por ai shkroi në Twitter se në vitin 2018, kur Bolton sapo kishte filluar punën në Shtëpinë e Bardhë si dhe vitin pasardhës, ai duhet ta kishte shkarkuar atë menjëherë dhe pa mëdyshje!”.

Ai tha se zoti Bolton “në mënyrë të trashë” bëri komente në një program televiziv lajmesh lidhur me pikëpamjen e SHBA-së për të ardhmen e Koresë së Veriut, gjë që komplikoi negociatat e Presidentit me diktatorin e Phenianit, Kim Jong Un, të cilat sapo kishin filluar.

Kërkohet urdhri i gjykatës

Shtëpia e Bardhë po kërkon një urdhër gjykate për të bllokuar botimin e librit prej 577 faqesh me titull “Dhoma ku ndodhi”, i planifikuar të dalë në treg javën e ardhshme.

Administrata thotë se libri përmban informacion konfidencial të sigurisë kombëtare që duhet të mbahet sekret edhe pse disa media amerikane morën kopje paraprakisht dhe nisën të raportojnë gjerësisht rreth akuzave të zotit Bolton.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, e quajti vendimin e zotit Bolton për të mos ndryshuar planet e botimit të librit “absolutisht të tmerrshëm” dhe “të neveritshëm”.

Ajo hodhi poshtë si të pavërtetë atë që duket se përbën akuzën më të fortë të zotit Bolton, se në një samit të Grupit të 20-s në qershor 2019, presidenti Trump kërkoi ndihmën e udhëheqësit kinez Xi Jinping për të fituar një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.

Ndryshe, zoti Bolton, i cili mori një paradhënie prej 2 milionë dollarësh për librin, thotë se presidenti Trump i kishte kërkuar homologut kinez Xi të blinte më shumë produkte bujqësore amerikane nga rajone në qendër të vendit, për ta ndihmuar presidentin të sigurojë mbështetje në shtetet rurale.
Zoti Bolton tha se Presidenti Trump “në mënyrë shokuese e ktheu bisedën tek zgjedhjet presidenciale, duke aluduar për fuqinë ekonomike të Kinës, për të ndikuar në fushatë, duke iu lutur zotit Xi të garantonte fitoren e tij. Ai theksoi rëndësinë që kanë fermerët dhe rritja e sasisë së sojës dhe grurit që do të blinte Kina, në rezultatin e zgjedhjeve. Do t’i hidhja në letër fjalët ekzakte të zotit Trump, por procesi qeveritar i kontrollit para botimit të librave rezultoi në tjetër vendim”.

Bazuar në rrëfimin e zotit Bolton, pretendenti demokrat në zgjedhjet e nëntorit, ish-nënpresidenti Joe Biden akuzoi presidentin se “ka treguar gatishmëri për të shitur vlerat tona më të vyera demokratike për premtimin bosh të një marrëveshjeje kalimtare tregtie që do ta shpëtonte nga beteja shkatërrimtare e tarifave, e cila ka dëmtuar shumë rëndë fermerët, kompanitë e prodhimit industrial dhe konsumatorët”.

“Nëse këto pretendime janë të vërteta”, tha zoti Biden përmes një deklarate, “nuk kemi të bëjmë thjesht me diçka moralisht të dënueshme, por me shkelje nga Donald Trumpi të detyrës së shenjtë kundrejt popullit amerikan për të mbrojtur interesat e Amerikës dhe vlerat tona”. /VOA/

Po kërkojnë që t’u izolojnë sërish, deklarata

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka folur për shifrën e lartë të rasteve me koronavirus duke treguar se nuk po mendohet për një karantinim të dytë, por një gjë e tillë nuk përjashtohet nga mundësia.

Brataj tha në emisionin “Opinion” se Shqipëria mund të izolohet sërish nëse numri i pacientëve që kanë nevojë për të marrë trajtim mjekësor në spital i kalon kapacitetet, pra numri i të shtruarve arrin më shumë se 400.

“Për momentin as që e mendojmë të mbyllemi prapë në karantinë. Në mund të mbyllemi vetëm nëse numri i kapaciteteve në spitale arrin aq shumë saqë i saturon të gjitha resurset tona, si në burime njerëzore pra në mjekë e infermierë, si në shtretër, do ndodhë si në të gjithë botën.

Ne momentalisht kemi 400 shtretër, 55 janë të zënë, nëse numri i pacientëve që kërkojnë hospitalizim i kalon 400 të shtruar në spitale, atëherë s’kemi çfarë të bëjmë dhe do duhet të mbyllemi, por që nuk mendoj se do shkojmë deri aty. Tani kemi dhe një gjë pozitive pasi koha e shërimit është më e shkurtër se më parë”, tha Brataj.

Grenell qetëson shqiptarët: Ja çfarë marrëveshje do të arrihet në Uashington dhe cili do jetë roli i BE

Emisari amerikan, Richard Grenell, ka qenë i prerë. Në këtë fazë, që ai e quan faza e parë, duhet të arrihet normalizimi i raporteve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai për një gjë të tillë thotë se i ka informuar edhe francezët dhe gjermanët. Pastaj, faza tjetër, ajo politike, sipas Grenell, duhet të udhëhiqet prej evropianëve.

Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, emisari i posacëm i Presidentit Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, e ka hedhur një kofë me ujë ftohtë mbi gjakrat e nxehura se me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë (që dikush e vizaton edhe me ngjyra të tjera) do të nxjerrën hartat dhe thikat për të prerë hartën e Kosovës, ose për të prerë çkado tjetër.

“Ka shumë zhurmë atje, njerëzit që nuk dinë, por që pretendojnë që dinë, po e konfuzojnë publikun”, ka thënë Grenell, lidhur me pretendimet se në Shtëpi të Bardhë do të diskutohet për tema të rënda politika. Ai i ka porositur njerëzit në Kosovë, në Serbi dhe në Evropë që t’i dëgjojnë vetëm ata që janë kompetent për këtë temë, e jo spekuluesit.

“Nuk e di sa herë duhet ta them, edhe pse kam qenë jashtëzakonisht i qartë, që ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi të bindur që konflikti 20 vjecar në mes të Kosovës dhe Serbisë, mund të zgjidhet vetëm përmes normalizimit ekonomik”, ka thënë ai.

Sipas përfaqësuesit të lartë amerikan kjo do të duhej të ishte faza e parë e dialogut në mes të Kosovës dhe të Serbisë. Ai ka thënë që në fazën tjetër, në hapin e dytë, evropianët do ta udhëheqin procesin. Mirëpo kjo gjë, sipas tij, duhet të ndodhë vetëm kur të fillojnë të vijnë efektet e para të ekonomisë. Grenell ka insistuar që të kërkojë prej evropianëve që të fillojnë t’i liberalizojnë vizat për Kosovën, sepse sipas tij pa liberalizim të vizave nuk mund të ketë zhvillim ekonomik.

I N T E R V I S T A

Zotëri Grenell, herën e fundit kur biseduam, kryeministër i Kosovës ishte Albin Kurti. Pas mocionit të mosbesimit, ai tha se me ndihmën tuaj u rrëzua nga pozita. Cili ishte kontributi juaj në këtë, zotëri Grenell?

Shikoni, unë nuk do ta shikoj këtë. Këto janë çështje për popullin e Kosovës. Kjo nuk është asgjë më shumë sesa Shtetet e Bashkuara të kenë mundësi ta përcaktojnë politikën e vet amerikane dhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara deri të Departamenti i Shtetit, Këshilli Kombëtar i Sigurisë, Shtëpia e Bardhë, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ishte e unifikuar për atë që ne nuk dëshirojmë t’i çojmë dëm dollarët tanë të taksave dhe nuk kemi qenë të obliguar për të dhënë të holla për shtetet që kanë politika të cilat do ta çojnë dëm përkrahjen tonë. Pra, ne e patëm një politikë shumë të thjeshtë, që ishte: nëse ka taksa dhe reciprocitet nga cilado qeveri në Kosovë, ne nuk do të ishim në gjendje ta ofrojmë përkrahjen tonë financiare, sepse ne menduam se ishte diçka e çuar dëm. Kjo nuk kishte të bënte asgjë me zotëri Kurtin apo me ndonjë qeveri tjetër.

Ishte politikë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara që ta pezullojmë përkrahjen tonë përderisa Kosova kishte politika që e dëmtonin vetë atë. Pra, ne nuk jemi përfshirë aspak në “karriget muzikore” për atë se kush përfshihet në qeveri. Ne kemi qëndruar shumë të vendosur në politikën tonë që nuk duam t’i çojmë dëm të hollat tona. Mua më duket se është shumë shokuese që njerëzit t’i presin dollarët e taksapaguesve të Shteteve të Bashkuara, pavarësisht cila ishte politika e tyre dhe kjo nuk është diçka që e bën Administrata Trump. Ju nuk mund thjesht të thoni se i merrni automatikisht dollarët e ShBA-së, pa marrë parasysh çfarë lloj politikash krijoni. Ka pasoja për çfarëdo politike qeveritare, kur është fjala për përkrahjen e Shteteve të Bashkuara.

Nuk duhet të supozohet se ne gjithmonë do të shkruajmë çeqe të zbrazëta dhe ishte një politikë nga USAID-i, nga MCC-ja, nga të gjitha agjencitë tona qeveritare se politika e taksës 100 për qind dhe reciprocitetit ishin duke e dëmtuar vetë ekonominë e Kosovës, e cila tashmë ishte e brishtë dhe prandaj ne nuk deshëm t’i çojmë dëm të hollat tona, prandaj ne thjesht qëndruam anash. Nëse njerëzit e përfshirë në qeverinë e Kosovës vendosën që prania e qeverisë së Shteteve të Bashkuara anash ishte problem i vërtetë për ta, atëherë ky është momenti kur ata e kanë të drejtën të bëjnë çfarëdo rregullimi që duan. Ne ia bëmë të qartë në mënyrë të përsosur Albin Kurtit se kjo është politika e Shteteve të Bashkuara. Ai do të mund të shkonte përpara pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara. Ajo ishte zgjedhja e tij. Ne nuk kërkuam asgjë tjetër, përpos që thamë se nëse ju e dëshironi përkrahjen tonë, atëherë nuk mund të keni taksë 100 për qind dhe reciprocitet.

Po, por ju nuk do të kishit bashkëpunuar me të derisa të mos e hiqte taksën. Pra, ai nuk do të mund të vinte në Shtetet e Bashkuara, në Shtëpinë e Bardhë, në asnjë kombinim, pa e hequr…?

Albin Kurti kishte shumë mundësi të punonte me qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe ai vendosi që nuk e dëshiron këtë, sepse ai e kishte një politikë që ishte në kundërshtim me politikën tonë. Ai do të mund të provonte të shkonte përpara dhe të thoshte se politika e tij është më e mirë. Nuk do të zgjatem. Kjo është e tëra që do të them për Kurtin.

Pyetja e fundit rreth kësaj çështjeje. Ai tha në një intervistë se edhe pasi është shkarkuar nga detyra, ju të dy keni vazhduar të shkruani me njëri-tjetrin. A është kjo e vërtetë apo jo?

Nuk besoj se kjo është e vërtetë, do të më duhej të kthehem dhe ta shikoj. Një gjë që do ta them është se unë kam pasur komunikim shumë shumë të kufizuar me të. Një herë ishte personalisht, mund ta kem takuar dy herë. Sa herë kam shkuar në Prishtinë, e kam takuar shkurtimit, më duhet ta them. Pra, sa herë kam qenë në Prishtinë, jam takuar me të shumë shkurtimisht.

Por në fillim dukej se ju patët pritje të mëdha rreth tij.

Jo, kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk e kam njohur fare.

Në rregull, sepse ju e patët një shkëmbim me kryetarin e atëhershëm të Kuvendit, tash kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli…

Ka shumë thashetheme. Më lejoni të jem shumë i qartë. Kur erdha në Prishtinë, u takova me të gjithë shkurtimisht. Më pas e pata një bisedë telefonike në Shtëpinë e Bardhë mes Robert O’Brien, meje dhe Albin Kurtit. Ishte një bisede telefonike shumë e gjatë, ku ai ishte shumë i vendosur se nuk do t’i ndryshojë politikat e veta dhe ai ende e dëshironte përkrahjen e Shteteve të Bashkuara dhe ne e bënë të qartë në atë bisedë telefonike se ne jemi miq të shkëlqyeshëm me Kosovën, ua duam të mirën, por nuk ishim në një pozicion për të dhuruar të holla dhe për të ofruar përkrahje financiare, kur ju ishit duke bërë politika që po e dëmtonin vetë ekonominë tuaj.

Pra, ne e bëmë këtë të qartë në mënyrë të përsosur. Ai e diti këtë dhe megjithatë zgjodhi të vazhdonte me politikën e vet. Ai tha: “Nuk mund të bëj asgjë për këtë. Kjo është politika ime.” Ai ishte shumë mirë i vetëdijshëm. Unë e takova atë kur isha në Prishtinë, një bisedë telefonike me Robert O’Brien në Shtëpinë e Bardhë dhe pastaj disa mesazhe shumë të kufizuara. Unë kurrë nuk fola me më të. Ishte diçka shumë minimale. Ai bëhej sikur kemi folur tërë kohën dhe sikur unë i kam bërë presion. Kjo nuk është e vërtetë. Ne kishim komunikim shumë të kufizuar, sepse e bëmë të qartë saktësisht se cila ishte politika jonë dhe ai e dinte këtë. Nuk kishte ndonjë mister për këtë.

A mendoni se zotëri Hoti tash si kryeministër do të jetë kryeministër legjitim…

Ne nuk do të përfshihemi në atë se kë e zgjedh për lider populli i Kosovës. Kjo nuk është çështje e Shteteve të Bashkuara dhe dua ta bëjmë këtë shumë të qartë. Ne nuk jemi të përfshirë në politikën e kësaj çështjeje. Ne veprojmë për ta mbajtur fuqishëm pozicionin e Shteteve të Bashkuara. Pozicioni i Shteteve të Bashkuara është që ne kemi vullnet të ofrojmë ndihmë për rritjen e ekonomisë, nëse ju nuk e dëmtoni ekonominë tuaj. Neve nuk na bën kush është kryeministri apo presidenti. Nëse ata vendosin të zgjedhin një kryeministër të ri, një president të ri, përderisa ne mund të sigurohemi se ekonomia është duke u rritur, atëherë ne nuk kemi problem.

Në Kosovë është duke u zhvilluar një debat disi i tensionuar për atë se kush do ta udhëheqë delegacionin tonë. Pyetja ime për ju është: a do të dërgoni ftesë për ta bërë të qartë se kush duhet të jetë udhëheqësi i delegacionit apo kjo është çështje e jona?

Ju e keni pak ide për atë se cila është përfshirja e Shteteve të Bashkuara këtu. Ne nuk e kontrollojmë Kosovën. Ne jemi një aleat i Kosovës. Ju e caktoni delegacionin tuaj. Ne i ftojmë personat që janë të ulur në karriget e presidentit dhe kryeministrit. Kjo është ajo që ne bëjmë. E kemi bërë për Kosovë, e kemi bërë për Serbinë. Ne i ftojmë personat zyrtarë që janë të ulur në ato karrige, ju e caktoni delegacionin tuaj. Ne nuk jemi aspak të përfshirë në këtë.

Në rregull. Atëherë, pritjet e popullit të Kosovës janë të ndryshme. A mund të na tregoni, ju lutem, çfarë duhet të presim rreth datës 27 të këtij muaji?

Unë mendoj se ju duhet të prisni vetëm biseda për çështje ekonomike. Ka shumë thashetheme për atë se në lidhje me çka janë këto bisedime dhe njerëzit që nuk e dinë po pretendojnë se e dinë dhe janë duke e hutuar publikun dhe unë vërtet shpresoj se publiku në Kosovë, në Serbi, në Evropë ta kuptojë se ata duhet t’i dëgjojnë vetëm njerëzit që e dinë se për çfarë po flasin, sepse janë disa raporte dhe komentues egoistë që po pretendojnë se e dinë çfarë është duke ndodhur. Nuk e di sa herë më duhet ta them, por kam qenë i qartë në mënyrë të përsosur ndaj të gjithëve që janë të përfshirë që ne, Shtetet e Bashkuara, qëndrojmë fuqishëm se kjo luftë 20-vjeçare mes Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhet vetëm përmes normalizimit ekonomik, vendeve të punës për të rinjtë dhe një ekonomie që rritet.

Të gjitha çështjet politike, para të cilave po vazhdojnë të hidhen të gjithë njerëzit politikë në Evropë dhe në Kosovë… Arsyeja pse këto çështje nuk janë zgjidhur për 20 vjet është sepse ju nuk jeni të fokusuar te njerëzit që kanë nevojë të përfitojnë nga normalizimi ekonomik. Shumë të rinj po e braktisin rajonin dhe po shkojnë në Gjermani ose Hungari ose Holandë, sepse ata nuk po ndiejnë se ka shpresë në Kosovë. Kjo nuk do të zgjidhet përmes shtyerjes së menjëhershme të një çështjeje për normalizim në një farë mënyre. Meqë ra fjala, kjo është në një pjesë të madhe problem për Evropën. Ka qindra njerëz që thonë se amerikanët dhe evropianët nuk janë në rrugën e njëjtë.

Po, Lajçak tha sot në Prishtinë.

Kushdo që e thotë këtë, ju nuk duhet ta dëgjoni, sepse kjo nuk është e vërtetë. Unë jam koordinuar shumë herë me këshilltarin francez për siguri kombëtare dhe me këshilltarin gjerman për siguri kombëtare. Ata të dy e dinë se cili është roli i kufizuar i Shteteve të Bashkuara. Roli ynë i kufizuar është që të shtyejmë drejt normalizimit ekonomik, të ofrojmë ndihmë për të krijuar vende pune, të ofrojmë ndihmë që t’i lehtësojmë disa nga çështjet politike. Secili që vazhdon të parashikojë çështje politike ose që pretendon se ne do të bisedojmë për çështjet e vështira politike javën e ardhshme, e ka gabim. Vizioni im, për të cilin kam biseduar me këshilltarin francez dhe këshilltarin gjerman, i ka dy hapa. Hapi i parë është normalizimi ekonomik. Nuk e di sa herë Shtetet e Bashkuara dhe Administrata Trump e thonë këtë. Njerëzit duhet të dëgjojnë. Ne jemi të fokusuar në normalizim ekonomik. Ne po përpiqemi të krijojmë besim dhe çështje. Për këtë arsye, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të përmbyllen marrëveshjet për transportin ajror, hekurudhor dhe rrugor. Kështu zhvillohet tregtia.

Kjo është shtylla e marrëveshjes së re, hekurudhat, autostrada dhe transporti ajror, apo jo?

E saktë. Njëkohësisht, rruga e evropianëve me Kosovën dhe Serbinë drejt integrimit në Evropë është tërësisht e udhëhequr nga Evropa, por kjo nuk mund të bëhet derisa të arrihet normalizimi ekonomik. Kjo është pikëpamja e Shteteve të Bashkuara dhe ky është vizioni i Shteteve të Bashkuara. Ne qëndrojmë fuqishëm se përpjekja për t’i shtyer këto çështje që janë shtyer për 20 vjet, arsyeja pse nuk kanë funksionuar është sepse nuk ka përfitim për popullin. Populli ka nevojë të shohë një ekonomi që po rritet në mënyrë që të flitet për bisedime. Pra, është shumë e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë dhe ne kemi thënë se ky nuk është lajm në zhvillim, nuk është lajm i ri.

Ne jemi të fokusuar në pjesën ekonomike dhe kjo është pjesa e vetme për të cilën do të flasim në Uashington, ka të bëjë me ekonominë. Francezët e dinë këtë, gjermanët e dinë këtë dhe ata e kanë miratuar këtë, sepse hapi i dytë, i cili do të marrë ca kohë. E dini, nuk do të flisni për çështje politike derisa të shënoni përparim në ekonomi, derisa njerëzit të shohin vende pune dhe kjo merr kohë të gjatë që është një tjetër goditje e drejtpërdrejt kundër këtyre thashethemeve se Administrata Trump po kërkon një marrëveshje të shpejtë. Kjo është plotësisht e gabuar, kjo kurrë nuk ka qenë pjesë e ekuacionit. Ne nuk kemi afate kohore. Ne kurrë nuk kemi kërkuar diçka të shpejtë. Albin Kurti vazhdimisht e thoshte këtë dhe ai gjithashtu vazhdimisht thoshte se ne duam shkëmbim territoresh. Unë po ju tregoj se nuk do të flasim për këto çështje të vështira politike. Fokusi i Shteteve të Bashkuara është në normalizim ekonomik. Transporti ajror, hekurudhor dhe çështjet kufitare. Pra, ardhja në tavolinë për të biseduar për këto çështje është saktësisht fokusi. Për këtë arsye, francezët dhe gjermanët e kuptojnë plotësisht se kur e kalojmë pjesën ekonomike dhe kjo do të marrë ca kohë përsëri, kur vendet e punës të fillojnë të kthehen, kur ekonomia fillon të përmirësohet, atëherë mund të filloni të bisedoni për çështjet politike dhe atëherë evropianët do të udhëheqin.

Pra, ju do të bashkëpunoni ngushtë me evropianët për çështjet politike?

Dëgjoni, janë dy faza të ndryshme për këtë. Shtetet e Bashkura janë të fokusuara në fazën ekonomike. Të gjitha çështjet politike janë çështje evropiane. Ajo vjen e dyta. Ajo nuk do të jetë e suksesshme dhe vizioni që e ndajmë me francezët dhe gjermanët është se ju nuk do të jeni të suksesshëm në çështjet politike pa krijuar vende pune për të rinjtë dhe pa krijuar normalizim ekonomik. Si mund të pretendoni se jeni duke e bërë një marrëveshje finale, kur kufijtë nuk janë të hapur dhe kur nuk ka një fluturime mes Prishtinës dhe Beogradit për komunitetin e biznesit që të bëjë një normalizim ekonomik?

Ky është mashtrim. Ka qenë i lidhur dhe i ndrydhur për vite dhe Shtetet e Bashkuara besojnë se kurrë nuk do të ndodhë, derisa ju të krijoni shpresë dhe vende pune për të rinjtë. Ne jemi të përqendruar në këtë. Dhe më lejoni gjithashtu të them se si pjesë e këtij fokusi ekonomik, me qëllim të nxitjes së rritjes së ekonomisë, një ndër gjërat për të cilat kam folur me kancelaren Merkel disa herë dhe për të cilat kam folur me dy këshilltarët e sigurisë kombëtare është të them atë që besoj se evropianët do të duhej të ishin duke e bërë tani me qëllim të ndihmës për normalizim ekonomik, hapi i parë, dhe unë dua që të flisni për hapin e parë dhe hapin e dytë, që hapi i dytë është politika, hapi i parë është ekonomia. Ne jemi të ngarkuar me hapin ekonomik.

Pjesë e këtij hapi të parë për normalizim ekonomik është që evropianët duhet të ofrojnë viza në mënyrë që bizneset të mund të rriten. Si mundet një biznes ndërtimi apo një firmë inxhinierie apo çfarëdo lloj biznesi që dëshiron të zgjerohet jashtë Kosovës. Ato kanë nevojë të marrin trajnime në Gjermani apo vende të tjera, ato kanë nevojë të shkojnë te zhvillimi i biznesit, ato kanë nevojë për viza dhe ajo që kemi kërkuar ne është që të fillohet me gjëra të vogla.. Përsëri, mos thoni se ne po mundohemi t’i heqim të gjitha vizat. Ne po përpiqemi të bëjmë gjëra të vogla dhe të fillojmë ngadalë. Ne i kemi shtyrë evropianët që të mendojnë për llojin ekonomik të vizave, që janë për njerëzit e biznesit kështu që kjo mund të ndihmojë për hapin e parë.

A keni folur me ta për këtë?

Po, e kam ngritur këtë çështje shumë herë dhe po vazhdoj t’i shtyejë ata që të ofrojnë ndihmë në aspektin ekonomik duke ofruar viza të shënjestruara për sektorë të caktuar të biznesit. Vizat turistike janë për të gjithë, por të fillohet me viza të shënjetruara për biznes në të njëjtën kohë në të njëjtën kohë që Shtetet e Bashkuara janë duke bërë zhvillim ekonomik. Meqë ra fjala, evropianët janë duke bërë gjithashtu zhvillim ekonomik. Ne jemi duke udhëhequr në fazën e parë, ata do të jenë duke udhëhequr në fazën e dytë.

A do ta shohim hapin e dytë para nëntorit?

Ju jeni duke e bërë një pyetje të pamundur dhe nuk po e dëgjoni atë që thashë. Hapi i dytë nuk fillon para se hapi i parë të jetë i suksesshëm.

Shiko, njohja reciproke nuk mund të jetë e suksesshme derisa të keni ekonomi që rritet dhe biznese që rriten dhe të rinj që janë atje dhe evropianët duhet të jenë në krye të kësaj sepse kjo është pjesë e Evropës. Ngjashëm me çështjet politike janë një rrugë dhe ne nuk jemi të përfshirë në këtë. E kemi bërë shumë të qartë. Nuk jemi të përfshirë, është totalisht Evropë. E kemi bërë të qartë te francezët dhe gjermanët se posa të fillojë të rimëkëmbet ekonomia, posa të kemi marrëveshje për transportin ajror, hekurudhor dhe tokësor, posa t’i shohim bizneset duke u rritur, atëherë do të jetë më e lehtë për evropianët për çështjet politike. Ekziston një shprehje në Shtetet e Bashkuara “ta vendosësh qerren para kalit”.

E di, e përdorim edhe ne në gjuhën tonë.

Ju nuk mund ta bëni këtë. Pjesa e parë, puna e vështirë që duhet të kryhet është puna e vështirë për rritjen e ekonomisë.

A do të marrë pjesë në takim presidenti Trump, zotëri Grenell?

Më duhet të shkoj, prandaj ju e keni edhe një pyetje.

Po, a do të marrë pjesë në takim presidenti Trump gjatë konferencës në Shtëpinë e Bardhë?

Në këtë pikë, nuk ka plan që ai të marrë pjesë në këtë takim. Do të jenë Robert O’Brien dhe Rick Grenell.

Në rregull, faleminderit shumë, zotëri Grenell!

Kryemadhi: Marrëveshja me PD, definitive, jemi supermaxhorancë, Rama…

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka ironizuar në emisionin ”Opinion” për një marrëveshje të mundshme dhe koalicion në 2021 me Ramën dhe PS duke theksuar se do të ndodhë vetëm nëse ajo është e çmendur.

Nga ana tjetër ajo ka sqaruar se marrëveshja PD- LSI është definitive. Po ashtu ajo thotë Opozita e Bashkuar ështv superminorancë dhe mund ta mposhtë Ramës.

”Marrëveshja me PD është definitive dhe për këtë janë njohur të gjitha strukturat e partive.Koalicion me PS vetëm nëse unë jam e çmendur dhe jam njeri që nuk mbaj fjalën. Por unë shquhem si njeri që e mbaj fjalën. Një nga vështirësitë e mia më të mëdha është që po e dhashë fjalën i qëndroj deri në fund, qoftë edhe me kosto personale. Sigurisht, është në minorancë. Është superminorancë. ”- tha Kryemadhi.

Monika Kryemadhi ka konfirmuar marrëveshjen e 23 prillit nga të gjitha partitë e opozitës së bashkuar që kanë marrë angazhimin për të marrë pjesë në zgjedhje si front i bashkuar opozitar.

Gjatë emisionit “Opinion’, Kryemadhi është shprehur se në zgjedhjet e ardhshme, opozita do shkojë e bashkuar dhe do jetë e hapur edhe për parti të tjera në koalicion.

Gjithashtu, Kryemadhi sqaroi opinionin se, ‘si opozitë e bashkuar ka qëllimin që të krijojë besimin tek qytetarët shqiptarë që të shkohet drejt një procesi zgjedhor, i cili do të krijojë mundësinë e krijimit të një sistemi të ri demokratik, për të cilin shqiptarët kanë nevojë’.

“Nëse Rama nuk i pëlqen koalicionet, të tjerët mund t’i pëlqejnë koalicionet. Edhe z. Rama nuk është se nuk i pëlqen koalicioni, por nuk i shkon njeri për të bërë koalicion dhe ndaj e thotë që nuk i pëlqen koalicionet” – tha Kryemadhi.

Bylykbashi: Rama ka frikë nga zbatimi i marrëveshjes! Ai ka në dorë të kërcënojë vetëm Gjiknurin

Anëtari i Këshillit Politik, Oerd Bylykbashi, i ftuar në ‘Çim Peka Live’, ka komentuar fjalimin e mbajtur sot nga Rama në Kuvend ku kërcënoi se do ta griste marrëveshjen.

“Ashtu siç tha Vasili, Rama po kërkon të trimërohet. Ai krihet me veten dhe i duket vetja trim. Është kërcënim bosh si Don Kishoti me mullinjtë e erës.

Ai ka në dorë të kërcënojë vetëm Gjiknurin. Rama ka frikë nga përballja dhe zbatimi i marrëveshjes me Bashën dhe qytetarët.

Në diskutimin për rregullat e lojës së zgjedhjeve, Rama ka detyrimin vetëm të respektojë pikë për pikë marrëveshjen sepse është përballë opozitës dhe faktorëve ndërkombëtarë’.