28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Maturantët kërkojnë t’i dërgojnë draftin me pyetjet e pakuptimta, ministrja nuk i lejon të hyjnë brenda

Maturantët kanë përgatitur sot draftin me të gjitha problematikat që ata mendojnë se kishte testi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, duke sjellë edhe pyetje konkrete, të cilat janë pakuptimta dhe thuajse të pamundura për t’iu përshtatur një alternativë. Ata duan ta dorëzojnë te Ministria e Arsimit, por nuk lejohen të hyjnë brenda.

Drafti i plotë

Në kuadër të procesit të Maturës Shtetërore, proces ky i cili vlerëson nxënësit e sistemit arsimor parauniversitar duke përbyllur një cikël 12 vjecar studimesh, ditën e enjte, datë 11 Qershor 2020, nga ora 10:00 deri në orën 12:00 ,është zhvilluar provimi (i detyruar) për lëndët e Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Bërthamë. Si pasojë e kushteve të jashtëzakonshme,kjo për hir të Pandemisë së COVID-19, që përfshiu vendin tonë nga Marsi 2020 deri në Maj 2020, sistemi arsimor dhe procesi arsimor në vend u pezullua, ashtu si shumë aktivitete të tjera shtetërore. Me rihapjen e vendit dhe daljen nga karantina shtetërore e detyruar,të gjithë aktivitetet pësuan ndryshime të plota ose të pjesshme. Konkretisht procesi i Maturës Shtetërore iu nënshtrua një sërë ndryshimeve konstruktive dhe administrative. Kjo listë ndryshimesh përfshin:

a) Ndryshim e tipologjisë së testimeve për maturantët dhe hartimin e një sistemi testimi me alternativa.
b) Ndryshimin e programit sipas të cilit realizohet testimi i maturantëve, bazuar në njohuritë dhe temat e zhvilluara ne ambientet e klasës përgjatë tremujorit të fundit të vitit shkollor 2019-2020.

c) Ndryshimi i kohëzgjatjes së testimit të maturantëve nga 2 orë e 30 minuta në 2 orë.
d) Ndryshimi i procesit të korrigjimit të provimeve, ku kalohet nga një sistem korrigjimi fizik (metoda manual) nga grupe mësuesish specialistë të fushës, në korrigjim elektronik me skaner (aplikuar për herë të parë vitin e shkuar vetëm për pyetjet me alternativa).
e) Ndryshime administrative të administrimit dhe realizimit të testimeve si proces, bazuar në rregullat strikte kundër përhapjes së COVID-19.

f) Së fundmi, ndryshimet prekën edhe metodologjinë e identifikimit të maturantëve, duke krijuar teza të personalizuara. (Kujdes! Tezë e personalizuar nënkupton teza të veçanta testimi për çdo individ, shoqëruar me emër, mbiemër dhe atësi, si dhe e firmosur nga çdo maturant që i nënshtrohet testimit.)

Pas njohjes me tezën e testimit tonë, ditën e enjte 11.06.2020 dhe përfundimit të testimit në lëndët Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Bërthamë, ne maturantët konstatuam se teza e provimit të lëndëve Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Bërthamë nuk ishte në përputhje të plotë me orientimin paraprak që është bërë përgjatë periudhës disa javore të përgatitjes për testim. Ne,fillimisht individualisht dhe më pas kolektivisht, kemi konstatuar probleme konkrete në hartimin e tezave të testimit, përfshirë këtu paqartësi në kumtim dhe formulime jo të përshtashme.
Në vijim të këtij materiali do ju njohim me të gjitha konstatimet tona, shoqëruar me argumente dhe shembuj konkret nga pyetjet e provimit. Ky material vjen si rezultat i një analizimi të tezës së provimit nga ana jonë, si dhe mbështetur me argumentime të specialistëve të ndryshëm, të cilët kanë shprehur publikisht dhe me vullnet të plotë opinionin e tyre mbi formatin e hartimit të tezës së provimit.

  1. Përmbajtja e testit dhe rëndesa e tij nuk korrespondonte me kohën e vënë në dispozicion, pasi minutazhi përkatës, llogaritur për secilën pyetje nuk mjaftonte. Ne maturantët jemi detyruar t’i rikthehemi në mënyrë të vazhduar pyetjeve (shumicës prej tyre), pasi mundësia e kuptimit të pyetjes dhe vështirësia e zgjedhjes së një alternative ishin kundër sfidës me kohën e testit. Kjo vërtetohet nga nevoja që nxënësit në përgjithësi patën për të vazhduar me zgjidhjen e testit edhe pas përfundimit të orarit zyrtar prej dy orësh.
  2. Së dyti, ne maturantët u përballëm me një test i cili vlerësonte dije periferike dhe jo të programit mësimor të zbatuar në vitin mësimor 2019-2020. Pyetje konkrete që faktojnë këtë konstatim janë: pyetja rreth gjetjes së funksionit të përdorimit të imazheve të fëmijëve paraqitur në një reklamë (parku), pyetja rreth gjetjes së instumenteve të duhura për ilustimin e një artikulli rreth shpellave më të mëdha në botë, pyetja e cila kërkonte gjetjen e informacionit, të cilit i duhet treguar burimi,pyetja mbi krahasimin e dy informacioneve të marra nga dy burime të ndryshme, pyetja e cila kërkonte gjetjen e një informacioni të nënkuptuar në një artikull mbi fëmijët dhe kohën që ata kalojnë para televizorit.
  3. Së treti, testi përmbante pyetje, alternativat e të cilave nuk na testonin njohuritë tona,por logjikën dhe përqëndrimit në momentin e plotësimit të testit. E shohim të udhës të shtojmë se presioni që ka në vetvete procesi i testimit për cdo maturant (me të drejtë) e ul nivelin e përqëndrimit momental dhe vështirëson tezën, jo për nga konteksti, po për nga synimi që kanë pyetjet testuese në vetvete. E gjithë kësaj situate i shtohet edhe faktori kohë. Pyetje konkrete janë: pyetja e cila kërkonte gjetjen e veprimit të rradhës së personazhit të një paragrafi të shkurtër ilustrues i cili identifikohet me emrin Turi, pyetja e cila kërkonte gjetjen e tezës të një paragrafi që ilustronte dilemën mes të shkruajturit histori të shkurtra apo romane, pyetja rreth gjetjes së instumenteve të duhura për ilustimin e një artikulli rreth shpellave më të mëdha në botë, pyetja rreth gjetjes së funksionit të përdorimit të imazheve të fëmijëve paraqitur në një reklamë,pyetja mbi kulmet apo etapat e vdekjes së Ptroklikt në fragmentin e Iliadës, pyetja mbi përcaktimin e situatës paraqitur në fragmentin e Iliadës nëse ishte dramatike, heroike, sarkastike apo realiste.
  4. Për më tepër, kostatojmë se ndryshe nga sa është folur mediatikisht dhe është cituar në materailin zyrtar publikuar në datën 13.05.2020, me Nr.protokolli 1552, në rubriken e dytë SPECIFIKA TË TESTIT se testi i Gjuhës Shqipe do të kishte vetëm dy pjesë dhe jo tre, se në këto dy pjesë do testoheshin përkatësisht arritjet në fushën e Gjuhës Shqipe dhe arritjet në fushën e letërsisë shqiptare dhe botërore,në test ne u përballëm me pyetje teorike mbi aftësinë në të shkruar. (Citoj se ndryshe nga testi i Gjuhës Shqipe, testi i Gjuhës së huaj e cilësonte testimin teorik mbi strukturat dhe teknikat e të shkruarit.) Heqja e esesë dhe risjellja e saj në planin teorik nuk mat kopetencat e të shprehurit drejt dhe saktë në gjuhën shqipe të nxënësve të cdo lloj niveli. Këtu futen pyetjet si: gjeni tezën e përshtatshme dhe efektive për një ese bindëse, gjeni veprimin e rradhës të Turit që vijon në të njëjtin stil aksioni (kompetenca jo të mirëfillta gjuhësore, me natyrë kinematografike), gjeni hyrjen e përshtashme për një ese narrative, zgjidhni nje tezë të përshatshme mbi esenë me temë: “Zgjidhni një grup të cilit ju i përkisni dhe shpjegoni pse përfshirja është e rëndësishme për ju”.
  5. Në sektorin e testimit i cili përmbante pyetje mbi analizën strukturore dhe gjuhësore të teksteve joletrare, ne konstatruam se pyetjet ishin jo të qarta për nga kumtimi dhe nuk na drejtonin drejt një kërkese specifike, por të vërdalliste nëpër alternativa të përafërta. Kësaj i shtohet edhe fakti se tekstet e shkurtra, ose thënë më saktë, paragrafët me mangësi informacioni e vështirësonin deri në kufinjtë e së pamundurës gjetjen e përgjigjes së saktë. Eshtë e udhës të përmendet se ndryshe nga çfarë jemi orientuar për tre vite pune në gjimnaz dhe një periudhe disa javore konsultimesh, kjo pjesë e testimit na vjen në një format krejt të patrajtuar më parë, për rrjedhojë edhe penalizues. Pyetje ilustruese: gjeni fjalë apo togje fjalësh që tregojnë burimin e kumtimit,shprehni titullin e dhënë të fragmentit me një fjali pa folje,cfarë fjalie duhet shtuar në fund të shkrimit për të rritur interesin e lexuesve ndaj qytetit të Sarandës,ku duhen shtuar detajet për besueshmërinë e tekstit, gjeni mesazhin që përcjell fotoja, cili nga fjalitë e paragrafit shpreh qëndrimin e autorit ndaj interest të mikut të tij ndaj natyrës, gjeni modelin organizues me të cilin është ndërtuar struktura e përgjithshme e paragrafit, cila është teza e fragmentit mbi dilemën e të shkruarit histori të shkurtra apo romane.
  6. Shprehim indinjatën ndaj mosrespektimit të sistemit testues i cili na është paraqitur në testin model të Maturës Shtetërore 2020, publikuar nga QSHA NË 25.05.2020, i cili ndryshon tërësisht sa i përket natyrës së pyetjeve nga testi i provimit kombëtar i datës 11.06.2020. Testi model ishte fokusur zbatimin praktik të njohurive tona duke identifikuar në tekste të mirfillta tipare të teksteve joletrare, jo në testin teorik me fragmente me 3-4 fjali maksimumi. Për më tepër, testi model respektonte barazinë mes teksteve letrare prozaike dhe poetike,ndërkohë që provimi kombëtar përmbante vetëm dy tekste letrare poetike cfarë rrjedhimisht rrit vështirësinë e testit mbi nivelin mesatar.
  7. Pyetjet e gramatikës kanë synuar më shumë të na vënë në pozitë, duke na ngatërruar, sesa të testojnë nivelin dhe arritjet tona në fushën e Gjuhës Shqipe.Ilustrimi: pyetja mbi përcaktimin e lidhëzës prandaj, pyetja mbi funksionin e fjalëve të paraprira nga pjesorja, pyetja: “Cila fjali është ndërtuar saktë sipas raporteve sintaksore të gjymtyrëve të saj?”
  8. Për të kaluar në sektorin e Letërsisë, zgjedhja e poezisë “Dritë fshehtësie” e Lasgush Poradecit, vlerësohet nga ana jonë aspak e përshatshme.Kjo pasi kjo poezi ka karakter shumë të lartë filozofiko-poetik, siç vlerësohet nga mësuese Marsela Neni në një ëebsite online. E renditur në një prej shkrimeve poetike, i paanlizuar më parë nga nxënësit nëpër shkolla(kjo jo domosdoshmërisht, por per etike profesionalizmi) kjo poezi ka shfaqur problematikë reale në përceptimin e saj nga ne maturantët.Shpesh e dëgjojmë të artikuluar si poezi e cila i përshatet nivelit të një kritiku letrar. Për më tepër botimi “Ylli i zemrës” është një libër i papërfshirë prej kohësh në tekstet mësimore duke nxjerrë problematika përshtatjeje edhe nga vetë mësimdhënësit.Dëshmojmë se në materialet e aksesueshme nga nxënësit nuk ka asnjë analizë, koment apo shkrim i përshatshëm për nivelin e nxënësve gjimnazistë si material suplementar.
  9. Pa u larguar nga teksti poetik i Lasgush Poradecit,alternativat e këtij teksti ishin të një niveli shumë të lartë duke mos respektuar nivelet e arritjeve dhe koptencave të nxënësve.Ilustrime: nga buron thelbi i përjetësisë në poezi, cili është kuptimi i fjalës dlirnja, gjeni epitetin tipik lasgushian të krijuar sipas frymës organike të gjuhës shqipe,gjeni vargun në kontrast me harmoninë e pafund që “shpaloset vargje”(kujdes: gabim në hartimin e pyetjes), gjeni përqasjen simbolike të dy vargjeve të fundit të strofës së parë të tingujve dhe fjalëve, gjeni vargun e ndërtuar mbi bazën e paradoksit, gjeni motivin kryesor të poezise, gjeni simbolikën e dritës së fshehtë. Ndërkohë, edhe alternativat e tekstit tjetër letrar kishin modele të qasjes jo normale mbi nivelin e pyetjes.Ilustrim: çfarë nxit inversion në vargun e tretë, cilat janë kulmet nëpër të cilat zhvillohet vdekja e Patroklit, duke u nisur nga fragmenti cilat janë tiparet e heronjve të eposit grek (këtu:Patrokli).
  10. Shqetësim që qëndron mbetet formulimi i pasaktë i pyetjeve ose i stërzgjatur që ul performancën e përqëndrimit të cdo maturanti apo personi të testuar dhe orienton krejt gabimisht në rrugën drejt gjetjes së alternativës së saktë. Ilustrime: cila është teza e përshatshme për esenë: “Zgjidhni një grup të cilit i përkisni dhe shpjegoni pse përfshirja është e rëndësishmë për ju”, cili është funksioni I grupit të fjalëve të paraprira nga pjesorja, cili nga artikujt përmban informacion që i duhet treguar burimi, cila nga fjalitë është shembull i një të dhëne të nënkuptuar në fragmentin rreth qëndrimit të fëmijëve pra televizorit,cfarë mesazhi përcjell fotoja,cilat fjalë apo togje fjalësh tregojnë burimin e kumtimit, cili varg krijon kontrast me harmoninë e pafund që shaploset vargje.

Në përfundim të akt-konstatimit tonë listojmë pritshëmrinë tonë për trajtimin e materialit (nga ana juaj) të paraqitur nga ana jonë.

Kërkojmë që ky material të studiohet dhe shqyrtohet me detaje dhe pa paragjykime apo abuzime me statusin tonë,të qenurit maturantë.

Shprehim unanimisht se ne jemi ndjerë të abuzuar dhe të tallur në përballje me tezën e paraqitur ditën e enjte 11.06.2020.

“Tirona” do të ketë stadiumin e vet, pa kullë dhe me 14 mijë vende

Refik Halili kërkon të ndërtojë një stadium të ri. Ai do të ngrihet mbi stadiumin aktual “Selman Stërmasi”. Pak ditë më parë Halili zbuloi publikisht këtë ide të tijën.pjimage

“Unë them që do të luajmë në Europë. Ne kemi një projekt për rindërtimin e stadiumit ‘Selman Stërmasi’ dhe do ta diskutojmë me instancat më të larta, por kullë nuk ka. Do të ketë afro 14 mijë vende. Unë kam kaluar një situatë të vështirë.
Në fakt, te klubi ynë nuk kanë munguar ndonjëherë financimet që nga 2014-a. Cilido futbollist, pavarësisht se kemi pasur probleme, kemi pasur një borxh të trashëguar, 260 milionë (të rinj).

Sot kemi akoma 390 mijë euro të tjera borxh dhe bëhemi zero. Jemi përfolur shumë për borxhet. Unë do të thosha diçka, për sa i përket rënies nga kategoria ka qenë një mirorganizim”, tha ditë më parë Refik Halili.

Punonjësit të policisë i vjedhin armën në Tiranë, ngjarja është mbajtur e fshehtë

Një efektiv policie në Tiranë i është vjedhur arma e shërbimit në banesën e tij, teksa persona të paidentifikuar i kanë bastisur banesën.

Raportohet se ngjarja ka ndodhur 3 ditë më parë, por është mbajtur e fshehtë.

Sapo ka konstatuar që i është vjedhur arma, efektivi ka denoncuar ngjarjen, për të cilën ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Edhe maturantët e Durrësit dhe Fierit në protestë, pritet përshkallëzim në të gjitha rrethet

Protesta e maturantëve po shtrihet në të gjithë vendin. Sot në protestë janë ngritur edhe maturantët e Durrësit dhe të Fierit. Maturantët e këtyre rretheve pasi kanë marshuar në qytetin, janë mbledhur përpara Drejtorive Arsimore.

Maturantët kanë kërkuar të plotësohen kërkesat e tyre afatshkurtra, pasi në të kundërt do të bojkotojnë provimet e radhës të Maturës Shtetërore.

“Të vlerësohet nota mesatare e notës së Gjuhë Letërsisë në shkollë dhe 40% e provimit. Nëse nuk plotësohen kërkesat tona të qarta dhe afatshkurtra, do të ketë bojkot të provimeve. Nëse arrijmë konsensus, do të vazhdojmë provimin”, tha një maturant.

Ndërsa një studente i drejtoi një mesazh të prerë ministres së Arsimit, Besa Shahini, duke i thënë se: “Është e pamundur të shpërbëhet gjithë ajo që kemi lexuar. Ne vërtet jemi të vegjël, por kur mblidhemi bashkë, ne shkatërrojmë botën”.

Shkarkimi i Dvoranit për të shpëtuar reformën në drejtësi dhe zgjedhjet e lira

Roland BEJKO

Ashtu siç pritej, largimi i Ardian Dvoranit “të tmerrshëm” nga pozicioni i titullarit të Gjykatës së Lartë, njëherësh edhe nga kreu i Këshillit të Lartë të Emërimeve, duket se do t’i hapë rrugën përshpejtimit të plotësimit të vendeve vakante në instuticionet e sistemit të drejtësisë, përfshirë këtu Gjykatën e Lartë, dhe Gjykatën Kushtetuese.

Sipas kritikëve, njeriu kyç që ka përdorur Edi Rama për të kontrolluar emërimet në drejtësi dhe për të vonuar plotësimin e vendeve vakante në gjykatat në fjalë ishte pikërisht Ardian Dvorani.

Mirëpo më shumë se lajmi i shkarkimit të Dvoranit, më bëri përshtypje shpërthimi në rrjetet siciale dhe mediat elektronike i teorive të një “komploti” a pazari të rradhës midis Presidentit dhe Kryeministrit.
Sipas konspiracionistëve, Kryeministri e sakrifikoi Dvoranin për tu hapur rrugë kandidaturave të Metës, se me gjasë këta të dy kanë rënë dakord që të kontrollojnë drejtësinë. Ata thonë se nesër pas zgjedhjeve Rama do qeverisë me LSI-në, Meta do marrë mandatin e dytë si president, Rama të tretin si kryeministër e Monika zv. Kryeministre. Dhe Luli Basha gjithmonë sipas tyre, do marrë rreth 60 deputetë dhe të vazhdojë të qëndrojë në opozitë. Etj, etj.
Nisur nga e kaluara e politikës shqiptare teoritë e konspiracionit këtu tek ne kanë prirjen të besohen me shumicë, shpesh dhe me të drejtë.

Në fakt, si Ramës dhe Metës u pëlqen që të qarkullojë një thashethem i tillë. Ramës, se i mban ithtarët e opozitës së bashkuar me dyshimin se çifti Meta mund t’ua “dredhë” sërish. Kështu thyen besimin te kualicioni opozitar në prag të zgjedhjeve dhe rrit nervozizmin brenda tij.

Ndërsa Metës nuk i vjen ndonjë e keqe nga ky thashethem nëse mbështetësit e LSI-së besojnë se do jenë në pushtet si me PD, ashtu dhe me PS në varësi të rrethanave pas zgjedhore. Kështu Ai u përcjell atyre imazhin e një lideri të fortë që di të dalë i fituar në çdo situatë.

Në rastin konkret, këtë skenar komploti nuk mund ta besoj dot.Nuk është aq i thjeshtë të ndodhë. E pengojnë faktorë madhorë.

Të gjithëve u kujtohet se si dy javë më parë ambasadoria amerikane Yuri Kim u shpreh e prerë kundër një “komploti” që synonte të kapte drejtësinë. Të gjithë menduan se bëhej fjalë për një « pazar » Rama-Meta duke e përjashtuar tërësisht Bashën. Por Meta u distancua dhe ja la topin në derë Ramës. Vet ambasadoria doli në ekrane TV-sh përkrah Dvoranit, duke u bërë karshillëk 14 propozimeve të Metës dhe pretendimit të tij që kërkonte ndërprerjen e mandatit të zotërisë në fjalë pasi kishte mbi gjashtë vite që i kish mbaruar afati kushtetues i qëndrimit në detyrë.
Ndërkombëtarët janë të vetëdijshëm se reforma në drejtësi ka bërë përparime, por duhet të përshpejtohet më shumë pasi ka ngecur në plotësimin e vendeve vakante në gjykata dhe institucione të tjera.

Pra, për këtë akt, pa mirëkuptimin dhe dakordësinë ndërkombëtare, veçanërisht të ambasadës amerikane, si do të mund të guxonte Rama të bënte pazare me Metën në kurriz të reformës në drejtësi sipas interesave të tyre politike, a personale?!

Por, nëse shikojmë kontekstin e shumë reagimeve të fundit të faktorit dhe institucioneve ndërkombëtare për Shqipërinë na del dhe argumenti i vërtetë i largimit të Dvoranit jo si një pazar banal midis dy drejtuesve të lartë të shtetit, por si një dakordësi midis të gjithëve për ti dhënë mundësi përmbylljes sa më shpejt të reformës në drejtësi dhe funksionalitetit të gjykatave e SPAK-ut pa të cilat nuk mund të fillojnë as hetimet për vënien para drejtësisë të autorëve të masakrës zgjedhore të dosjeve 339 dhe 184.

Ndërkohë Partitë Popullore Evropiane kanë përsëritur sërish për herë të dytë brenda disa ditëve, kërkesën që Shqipëria të përmbyllë sa më shpejt reformën zgjedhore dhe “të zhvillojë zgjedhjet lokale në një ditë me zgjedhjet e përgjithshme, pasi qeverisja lokale është në dorë të një partie të vetme.”
I qartë dhe i prerë për përmbylljen e reformës zgjedhore ka qenë disa ditë më parë në deklaratën e tij të pazakontë edhe vet Sekretari i Shtetit Amerikan M. Pompeo, që e vuri theksin edhe te « kodifikimi i shpejtë i saj».

Por nëse nuk do ketë një Gjykatë Kushtetuese aktive në vend, kush do ta merrte vendimin për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale, mbi të cilin vendim Presidenti të ketë mundësi të dekretojë zgjedhjet lokale të kërkuara nga ndërkombëtarët dhe nga opozita politike?!

Prandaj largimi i Dvoranit, nuk më duket aspak si komplot dhe pazar dysh midis krerëve të shtetit për të dalë e fituar LSI në dëm të Partisë Demokratike, por së pari si një vendim i drejtë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë pasi Dvorani kishte gjashtë vite që punonte jashtë afateve kushtetuese, dhe më tej si një vendim i qartë i ndërkombëtarëve që nëpërmjet drejtësisë funksionale të kthehen të gjitha pushtetet që kanë dalë nga binarët, brenda kornizave institucionale.

Dihet që pa drejtësinë e pavarur s’mund të kemi zgjedhje të lira e të ndershme. Pa Gjykatën Kushtetuese s’mund të kemi përgjigje mbi ligjshmërinë apo jo të votimeve të 30 qershorit të vitit të kaluar, e për pasojë s’mund të kemi as zgjedhje lokale në një ditë me ato qëndroret siç i kërkon me ngulm këto kohë CDU dhe PPE-të.
Pa zgjedhje të lira të garantuara nga institucionet e drejtësisë, nuk mund të kemi futjen në institucione (parlament) të opozitës.

Ndaj, besimi i verbër i çdo dyshimi të hedhur për konsum publik pa prova, na bën të kthehemi në një shoqëri paranojake.

Njerëzit me simptomt që shikojnë komplot kudo, shoqëri të ndryshme, i kanë trajtuar si raste klinike.

Presion maturantëve që protestojnë: Po na merren emrat shënim, ne nuk frikësohemi!

Maturantët po protestojnë për të dytën ditë radhazi përpara Ministrisë së Arsimit kundër testimit skandaloz të Gjuhë-Letërsisë.

Por edhe pse protesta e tyre është e paqtë dhe e sinqertë, ministrja e Arsimit, Besa Shahini u përgjigj në mënyrë brutale, duke i akuzuar se janë protestues të opozitës. Por nuk është ky skandali i vetëm.

Sot, këta adoleshentë deklaruan se kanë nisur t’u marrin emrat shënim, duke u bërë presion.

“Ne nuk e kemi fare frikë që të identifikohemi. Por protestuesve iu është kërkuar emri dhe mbiemri”, tha një protestuese.

Si mund të guxojë një pushtet të bëjë diçka të tillë, kjo nuk mund të imagjinohet.

Përveçse po u dëmtojnë të ardhmen, po u shkaktojnë edhe një dëm psikologjik.

Në vend që t’i përkrahin që po ngrenë zërin dhe po ankohen për një të drejtë, i kërcënojnë. Ky është fundi i një pushteti arrogant.

Zbulohet tuneli dizinfektues që vret virusin për disa sekonda, ndeshjet në Angli me tifozë

Elita e futbollit anglez do të rikthehet zyrtarisht me 17 qershor pas një pauze prej tre muajsh për shkak të pandemisë Covid-19.

Natyrisht thuajse në gjithë Evropën edhe ndeshjet e kampionatit anglez do të zhvillohen pa praninë e tifozëve.

Por drejtuesit e Ligës Premier kanë filluar bisedimet me kompaninë Trimite që ka zbuluar një pajisje që e vret coronavirusin.

Pajisja ShieldMe duket si një skaner i aeroportit, me presion të lartë që lëshon dezinfektues natyral që e mposhtë Covid-19.

Liga Premier po beson që mund t’i rikthejë brenda disa javëve tifozët e futbollit në shkallët e stadiumeve, pasi në këtë mënyrë edhe klubet do t’i shmangen kolapsit financiar.

Tunelet e kësaj kompanie janë aprovuar nga rregullatorët amerikanë të FDA ndërsa kanë shenjën e certifikimit të BE-së, që do të thotë se janë të gatshëm për përdorim.

“Ju ecni nëpër tunel dhe në fund e dini që 100 për qind jeni të pastër. Dezinfektuesi është natyral dhe e vret coronavirusin”.

“Do të thotë se secili person që futet në stadium nëpërmjet tunelit e di që nuk ka coronavirus te ai apo te personat e tjerë”.

“Nëse vije ndonjë tifozë që ka coronavirus, por që mbanë maskë mjafton të kaloj nëpër tunel dhe nuk do t’i infektojë të tjerët”, ka deklaruar drejtori i kësaj kompanie David Roberts për Daily Mail.

Pronarët e kësaj kompanie janë në bisedime me Ligën Premier për të vendosur tunele të shumta në të gjitha hyrjet e stadiumeve në Angli.

Nëse një gjë e tillë ndodhë, atëherë më shpejtë se që e kemi menduar mund të rikthehen tifozët në shkallët e stadiumit në Ligën Premier.

Shefja e Departamentit të Letërsisë: As unë nuk e di çfarë bëri Turi! Ky test ka destinuar dështimin e vet

Provimi i testit të Letërsisë është kthyer në një debat ditët e fundit, ndërsa mënyra e hartimit të tij ngriti në protestë edhe vetë maturantët. Për të folur për këtë situatë ishte në studion e Abc News, shefja e Departamentit të Letërsisë në Univerisitetin e Tiranës, Lili Sula.

Ajo u shpreh mes të tjerash se testi është hartuar në atë mënyrë jo për të parë sa janë përgatitur maturantët, por për të parë sa nuk dinë. Sipas saj duhet të dalë menjëherë çelësi i përgjigjeve, ndërsa shton se ky test ka destinuar dështimin e vet.

“Kam qenë në pritje që të dalë testi zyrtarisht për të mbajtur qëndrim. Tashmë është kthyer në fenomen që provimi i Maturës Shtetërore vit pas viti ka probleme. Unë theksoj mbështetjen time. Nuk është thjesht nota, por fyerja që u bëhet atyre nxënësve. Një test që bëhet jashtë normave. Është një test që e ka të destinuar dështimin e vet dhe kapjen e maturantëve në kurth”.

“Çelësi nuk del se vetë hartuesit e çelësit janë në dilemë për të vendosur cilat kanë qenë përgjigjet e sakta. Unë e di që një pjesë të alternativave janë me mëdyshje”.

“Prej vitesh e kam theksuar se nxënësit dhe studentët janë shumë të mirë, kanë një artikulim mendimi të jashtëzakonshëm. Unë jam e bindur se ka. Një nxënës shumë i mirë zhgënjehet, i humbet besimi për të vijuar studimet. Por njohuritë e tij janë asgjë kur testi është me nivel vështirësie”, u shpreh ajo.

Më tej Sula u ndal në pyetjen që i ka munduar të gjithë dhe jo vetëm maturantët, atë të Turit.  Ajo thekson se edhe vetë nuk di të japë një përgjigje, pasi i duken të gjitha të sakta. Ndërkohë që nënvizon se alternativat nuk duhet të fusin në grackë nxënësit.

“Unë kam idenë se letërsia e vërtetë është subjektive. Por mënyra e të kontrolluarit të dijeve nuk duhet të jetë subjektive. Edhe pyetjen e parë të Lasgushit nuk e gjej dot. Pyes kolegët edhe ata ngrenë supet. Të kontrollojmë sa dinë maturantët dhe jo sa nuk dinë”. 

“Alternativat se si përfundon aksioni i Turit janë të vërteta. Unë  nuk e di se cila mund të jetë alternativa e saktë. Unë mund t’i zgjidhja të katërta. Alternativat nuk mund të jenë grackë, nuk mund të diktosh përfundimin, jo ato janë të gjitha të sakta. Nxënësi ka të drejtë të ketë lirinë e tij në raportin me artin”, u shpreh Sula.

Një personazh atipik dhe më i buti në Mallakastrën e egër…

Nga Albert AVDULI

Hirrën ku e çoni?
Zanua, vetëm këtë pyetje i drejtoi presidiumit të mbledhjes.
Kush është Zanua ? – do të pyesni ju.
Keni të drejtë. Që të kuptohet pyetja, duhet njohur Zanua.
E mbasi ta njihni, s’do kërkoni përgjigjen e pyetjes.

Zanua . . .
Një personazh atipik dhe më i buti në Mallakastrën e egër.
Në fëmijëri ndoshta, kishte pësuar goditje nga temperatura e lartë apo fizike dhe trajtohej me pension si jo i aftë për punë.

Me trup të dobët, fytyrë pa moshë dhe flokët alla shangai, vërtitej nga njëra zyrë te tjetra.
Vetullat e dëndura dhe vështrimi shpues të krijonin idenë se ishte një akademik.
Balli i ngushtë i tij ta rrëzonte përshtypjen e parë dhe kjo ishte zhgënjyese. Jo për Zanon, por për atë që rastiste të takohej.
Rrallëherë e kisha takuar dhe unë.

Besoj se në gjykimin e tij, çdo tjetër ishte “similia similbus”, një i ngjashëm.
Kishte krijuar stilin e tij në paraqitje, ecje, përshëndetje, rrufitjen e kafes, mbartjen e halleve dhe gjykimin e realitetit.
Duket ironike të shprehesh për individualitet tek një njeri me epikrizën e tij, por për aq sa e njihja, kështu e përcaktoja.

Gjithësesi në çdo vlerësim ka subjektivitet.
Në raport me kohën, vishej kujdesshëm. Kostumin e drobitur nuk e hiqte kurrë. Nën sqetull mbante një çantë zyrtari sikurse personifikohej dikur.
Brenda saj mbante raportin mjeko – ligjor të cungimit të vetë.
Atë fletë me disa vula e tundte si dekoratë, por edhe si imunitet.

Po, po, njëjtë me deputetët e sotëm.
Në kutinë e tij të Pandorës, gjendej gjithashtu, çdo akt ligjor apo vendim qeverie që mund t’i binte në dorë
I lexonte dhe kishte krijuar njëfarë rrjedhshmërie në artikulim proçedurash.
Ishin vitet 1986 apo 1987. Ekonomia ishte në zgrip dhe anemia zverdhte çdo hallkë në zinxhirin e jetës.

Familjet luftonin për ekzistencën biologjike. . . Ushqimi i pamjaftueshëm dhe raftet e njësive tregtare të dërrmonin me boshësinë e tyre.
Drejtuesit vendorë përpëliteshin midis gjëmës së madhe e nuk ndryshonin dot gjë.
Dhimbeshin dhe ata, pavarësisht indoktrinimit, sepse bijë të zonës ishin dhe e shihnin me sy greminën ku po rrëshqiste vendi.

Fratari ishte qendër kooperative dhe qytezë për fshatrat e sipërm të krahinës tonë.
Para shumë vitesh, kjo ngjarje, më ka ardhur në vëmendje kështu si do ta rrëfej më poshtë.
Mund të ketë ndonjë mangësi, por unë nuk po përcjell procesverbalin e mbledhjes.
Bëhej takim i zgjeruar i popullit.

Qëllimin e thirrjes së atij kuvendi, veç mund ta hamendësoj.
Mos përmbushje e detyrave të planit pesë vjeçar.
Nga Fieri, kishte ardhur një nga drejtuesit e lartë të pushtetit të kohës.
Trajtesa, pyetjet dhe shpjegimet u kryen në rutinën e zakonshme.
Ata nuk mund të hidhnin mbulesë të purpurtë mbi gjëndjen e rëndë ekonomike.
U dhanë sqarimet me formulime standarte; bllokada, armiqtë, revizionistët, sabotatorët, imperializmi, fanar ndriçues, krenar e të papërkulur etj.

Duartrokitjet . . .
Heshtje. . .
Gratë çuçurisnin me njëra tjetrën.
Burrat dridhnin duhan, gërvishtnin tokën midis gjunjëve ose gërmonin veshët e tyre me sytë ulur mbi opingat e damllosura.
Shumëkush mendonte shumëçka, por kurrkush nuk e zbrazte një zanore nga honet e trurit e shpirtit.

Qetësinë e prishi togfjalëshi, epo mjaft . . .
Zanua e mori fjalën pa leje.
Zëri i hollë i tij nuk u dëgjua si gërvimë e bravës së ndryshkur.
Jo, ai zë ushtoi si minë në gurore.
” I nderuar presidium. I nderuar shoku filan. Një pyetje kam : Po mirë se djathin dhe mishin e kuptojmë ku shkon, po hirrën ku e çoni ?
Hirrën, hirrën po kërkojmë, të gjerbim kafshtën e bukës”.
Kaq foli. Vetëm kaq.

Vuri çantën nën sqetullën e djersitur dhe iku si një korrier që e ka dorëzuar telegramin.
Ajo mbledhje kishte shumë burra të mënçëm e trima, por emrat e tyre vijnë zbehtë, krahasuar me njeriun “e mangët”.
Ata heshtën sepse prangat lëshonin tingujt e tyre metalik edhe pa u tundur.
Kllapat e çelikta mund t’i thyente vetëm ai me çartjen e tij filozofike.
Zanua ishte sipërori në atë takim.
Jo si i marrë, por si arbitër i drejtë, si një njeri, i cili, frikën e kish mbyllur brenda çantës së tij proverbiale.

Tension në protestë, banorët me fëmijë në duar përplasen me policinë

Përplasje të forta mes forcave të policisë dhe protestuesve në Labinot-Fushë. Banorët me fëmijë në duar janë konfrontuar me efektivët që kërkojnë t’i shpërndajnë. Janë dëgjuar edhe thirrjet e protestueve që thonë, “turp, turp, turp” dhe “policia e krimit”.

Që prej paradites, banorët e Labinot-Fushës pròtestojnë për zaptimin e pronës publike dhe private, ndotjen e ajrit dhe lumin Shkumbin nga fabrika e peshkut Rozafa që operon në Labinot. Banorët thonë se ndihen të kèrcënuar nga drejtuesit e biznesit dhe kanë kryer denòncime në pòlicinë e Elbasanit.