23.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Një tjetër kryebashkiak i Ramës në rrjetën e Dekriminalizimit, ka fshur hetimin për vjedhje

Kryebashkiaku i emëruar i Gramshit, Klodian Taçe ka qenë në hetim pas një kallëzimi të bërë për vjedhje. Ka qenë viti 2009 kur Taçe është kallëzuar nga recepsionistja e një qendre private shëndetësore, e cila ka denoncuar vjedhjen e shumës 68 mijë lekëve të reja.

“Rreth orës 16:00 në klinikë kishin ardhur shtetasit Klodian Taçe dhe S.V, të cilët janë teknikë“, thuhet në kallëzim.

Megjithatë, prokuroria i ka pushuar hetimet ndaj dy shtetasve të paditur dhe Taçe nuk është dënuar.

Por faktin që ai ka qenë nën hetim, kryebashkiaku e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit.

Taçe preket nga ligji për dekriminalizimin, ku sanksionohet qartë se edhe në rast të fshehjes së hetimit e jo vetëm dënimit, kryebashkiaku humbet mandatin.

Pas lajmit të publikuar në media, Taçe ka reaguar edhe në rrjetet sociale, ku e pranon ngjarjen në të cilën emri i tij është përfshirë dhe thekson:

“Nuk kam qenë kurrë as para një prokurori, as i ndaluar, as i arrestuar, as i dënuar“, thekson Taçe.

Foto/ Maturantët bllokojnë rrugën tek Ministria, thirrje Besës së Ramës: Dil në bulevard, jo biznes privat!

Edhe ditën e sotme maturantët janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit ku i bëjnë thirrje ministres Besa Shahini të dalë në bulevard.

”Dil në bulevard, shkolla është e jona, jo biznes privat”, thërrasin maturantët.

Protestuesit, ndryshe nga dje, ditën e sotme kanë bllokuar rrugën e Durrësit.

Gjatë deklaratave nga protesta, ata u shprehën se ndihen të ofenduar nga deklaratat e ministres së Arsimit Besa Shahini, e cila një ditë më parë e cilësoi protestën e tyre partiake.

Ata do të paraqesin një akt me 10 pika dhe argumente përse provimi i Gjuhë-Letërsisë ishte absurd. Ndërkohë maturantët shprehen të bindur se protestat do të vijojnë në të gjitha qytetet.

“Unë ftoj të gjithë intelektualët që të na bashkohen. Ndoshta nesër do të bëjmë një marshim të madh. Nuk duhet t’u shkatërrohen ëndrra maturanteve”, tha një protestues.

Edhe në qytetin e Fierit dhjetra maturantë po protestojnë para Bashkisë dhe drejtorisë arsimore. Nga nxënësit është kërkuar që të plotësohen kërkesat duke rrëzuar tezën e provimit si dhe vlerësimin me notën përfundimtare në këtë provim duke marrë 40% të notës së provimit dhe 60% të notës së lëndës gjtë vitit shkollor.

Maturantët janë shprehur se do të vijojnë protestat dhe do të bojkotojnë provimin e ardhshem nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre.

Maturantët sërish në protestë para Ministrisë së Arsimit: Të ripërsëritet testi i Gjuhë-Letërsisë

Maturantët kanë nisur sërish sot protestën, për të dytën ditë, para Ministrisë së Arsimit për rivlerësimin e provimit shtetëror të Gjuhë-Letërsisë, testi i të cilit sipas tyre nuk kishte lidhje em programin mësuimor dhe modelet e dhëna.

Protesta vazhdon, ndërkohë që Ministria dje deklaroi se, “teza e privimit kishte qene e hartuar siç duhej”.

Protestuesit mbajna pankarta në duar kundër minisres së Arsimit dhe kërkojnë ripërsëritjen e testit të Gjuhë-Letërsisë.

“Çfarë bëri Turi, se na iku truri”, ishte një nga memet më të goditura që sitgmatizonte testin absurd të Gjuhës dhe Letërsisë, në protestën e djeshme të maturantëve përpara Ministrisë së Arsimit. Jo vetëm “pyetja me Turin”, por edhe mjaft nga pyetjet e tjera, sipas maturantëve ishin përgatitur në mënyrë subjektive nga hartuesit.

Edhe vajza e Peleshit shpërthen kundër ministres së Ramës: U tallët me djersën e maturantëve!

Ditën e djeshme qindra maturantë kanë protestuar përpara ministrisë së Arsimit Matur një ditë pas provimit të Gjuhë-Letërsisë, duke akuzuar se teza ishte absurde, e vështirë dhe ndërtuar jashtë programit. Pas kësaj protesta ka pasur edhe një reagim nga ana e ministres së arsimit Besa Shahini, e cila e ka cilësuar protestën e maturantëve si “politike” duke lënë për të kuptuar edhe se është nxitur nga opozita. Mes reagimeve të shumta për këtë reagim të paprecedentë të ministres, spikat edhe ai i Aleksias, vajzës së deputetit dhe ish-zv/kryeministrit Niko Peleshi.

Duke qenë edhe vetë maturante dhe “viktimë” e këtij testi që maturantët e kanë cilësuar si “për alienë”, Akeksia i shkruan ministres se revolta e tyre nuk ka të bëjë aspak me politikë dhe opozitarizëm, por thjesht me një provim të hartuar në mënyrë jo dinjitoze.

Letra e plotë e Aleksia Peleshit

E nderuar znj. Ministre.

Pasi lexova përgjigjen tuaj, më lejoni t’ju siguroj se revolta e maturantëve nuk është një lëvizje opozitare. Është e lehtë që të trajtohet si çështje politike dhe të injorohet sepse shihet si një justifikim më tepër i opozitës për t’u hedhur në sulm. Por nuk bëhet fjalë për këtë. Nëse ne po protestojmë sot, nuk na ka nxitur askush përveç mundit tonë trevjeçar për të arritur synime të larta, që po na hidhet poshtë nga një provim i hartuar në një mënyrë aspak dinjitoze që po penalizon jo 5, 10 apo 100 maturantë, por 30 mijë.

30 mijë maturantë që kemi kaluar një vit shkollor plot peripeci, duke filluar nga tërmeti deri te pandemia. Një vit ku si ne, si mësuesit tanë, ndryshe nga çdo brez i mëparshëm, jemi shkëputur vazhdimisht nga shkolla, jemi perballur me situata tronditese e per muaj me radhe s’kemi pasur askend te koka vec vullnetit qo na nevojitej per te bëre me te miren ne kater provime qe jane vendimtare per te ardhmen tone.

Logjikisht shpresonim që, shumica e shteteve evropiane, provimet e matures te na anulloheshin dhe notat të na llogariteshin me mesatare, por edhe pse kjo nuk ndodhi, nuk bëmë zë dhe vazhduam përgatitjen me sforco. Na u tha se do të kishte lehtesime, nderkohe na u dyfishua numri i pyetjeve, na u shkurtua afati kohor dhe na u ngushtua kufiri i pikeve midis notave. E megjithate, perseri nuk bëmë zë. Por kur ne fund na jepet nje provim i nje niveli veshtiresie te pajustifikuar edhe ne nje situate normale, jashte programit te cilit kemi punuar, me pyetje te formuluara ne menyre absurde dhe me alternativa pergjigjesh tejet subjektive, atehere nuk mund te qendrojme me pa bere ze.

Jo, nuk po protestojme thjesht per “provimet e veshtira”, po protestojme sepse ndihemi sikur po talleni me djersen tone. Nje note e ulet provimi per hartuesit e tezave tona, (që meqë ra fjala, ende s’na e kanë shuar kureshtjen se çfarë bëri Turi me barkën), mund të mos jetë asgjë, por për ne është një derë me shume e mbyllur. Nje dere qe nuk na e hapin dot ne as opozitaret, e as forumet politike. Nuk po kerkojme as notat e as diplomat fallco te qeverise se meparshme, po kerkojme vetem te mos trajtohemi si brez eksperimental kur ne loje eshte e ardhmja jone. Uroj qe dy provimet ne vijim, te pakten, mos te rezultojne ne studente te deshperuar per tre vite arsimi te hedhura ne kosh.

Qëllimi i pabesisë ndaj maturantëve, mbyllja e dyerve të universiteteve!

Nga Sali BERISHA

Edvin Kristaq Gënjeshtra përdori armën më të keqe, më amorale të njeriut, pabesinë, për të goditur në provimin e Maturës Shtetërore, duke iu ulur sa më shumë notën dhe për të mbyllur kështu dyert e universiteteve të vendit për dhjetëramijëra maturantë.
Në këtë provim, për realizimin e këtij qëllimi çnjerëzor dhe antikombëtar, u shkelën pabesisht rregulloret e shpallura për provimin e Gjuhës dhe Letërsisë.

Po me qëllimin e vetëm që të ulen në maksimum shanset e suksesit, u zgjodhën kurthe të tjera me kuptime falso fjalësh, u shmangën provat paraprake dhe një pjesë e mirë e nxënësve u përjashtuan nga mundësia e ndjekjes së mësimeve online, sepse interneti falas i Edvinit ishte vetëm gënjeshtra e tij e radhës.

Edvin Kristaq Xhahili i ka shpallur luftë rinisë shqiptare. Ai do t’ju shkatërrojë atyre me çdo kusht ëndrrën më të bukur, atë universitare dhe në zbatim të platformës së Çubrilloviçit, t’i detyrojë ata të largohen sa më shumë nga Shqipëria.

Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim çnjerëzor dhe antikombëtar të Zografit bis dhe mbështetur plotësisht kërkesat e maturantëve të prerë në besë nga Ndrikull Pabesia me urdhër të bosit të saj, kërkoj plotësimin e menjëhershëm të tyre.

Këtu më poshtë keni mesazhin prekës të një maturanti dixhital.

Përshëndetje.

Mendoj se jeni në dijeni për atë çfarë iu është bërë maturantëve dje, çdo gjë jashtë formatit ku ne jemi mësuar të kemi provime, për më tepër zonja ministre është shprehur që do të kishte lehtësira dhe fut në provim autorin më të vështirë për t’u analizuar.

Nuk është pak për të thënë që hajt se veç 1 provim është, ai provim dje më dogji ëndrrën për shkollën e lartë, gjithmonë ëndërroja për mjekësinë, mesatare 9.83 dhe vetëm lëndët shoqërore e Gjuha e huaj e dytë më kanë ulur nga 10.00 .

Provimi i djeshëm më hodhi poshtë jo vetëm mua, po gjithe maturantëve në Shqipëri, punën e 12 vjetëve.

Po na detyrojnë të largohemi nga vendi, të lëmë familjen e jetën këtu vetëm se janë të papërgjegjshëm.

Ministrja duhet ta dijë dhe të jetë e ndërgjegjshme se as 10% e mësuesve të letërsisë që ka, nuk ia del dot me atë test.

Largimi shembullor i Dvoranit shprehje e qartë e vullnetit të SHBA dhe BE

Nga Red VARAKU

Ardian Dvorani, njeriu më besnik i kryeministrit Rama, përmes duarve të pisëta të të cilit ai kontrollonte emërimet në Reformën në Drejtësi, u lirua menjëherë nga detyra me një lehtësi që na befasoi të gjithëve.

Them na befasoi, sepse me të gjitha përpjekjet që ishin bërë , askush nuk ia kishte dalë deri tani ta lironte nga puna njeriun e kryeministrit, i cili qëndronte aty në mënyrë të paligjshme dhe me një mandat të skaduar dhe në kundërshtim me kushtetutën.

Sigurisht, kështu si u bë, kuptohet që kjo mund të kishte ndodhur edhe më parë dhe këtë e dimë të gjithë, pavarësisht interpretimeve.

Por e vërteta është që ai nuk “u lirua”, por u ‘eliminua’ para syve të opinionit publik, duke dhënë një mesazh të fortë publik, për fatin e atyre që guxojnë të luajnë me investimin më të madh amerikan , Reformën në Drejtësi.

Kjo sipas deklaratës së ambasadores amerikane Yuri Kim, ku ajo fliste për një marrëveshje/ tradhëti ‘prapa krahëve’ të tyre në dëm të Reformës dhe interesit publik. Pra, është e qartë që “egzekutimi” i tij shembullor është vullnet i qartë perëndimor.

Me sa duket janë të vërteta dyshimet që ai ishte shndërruar në njeriun që po pengonte me “urdhër” të kryeministrit, avancimin e Reformës, përkatësisht krijimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, dy kërkesave kryesore të faktorit ndërkombëtar pas zgjedhjeve moniste të 30 qershorit dhe e gjitha kjo në funksion të “një pazari” për të mbajtur në pushtet Ramën.

Që e ka bërë me “urdhër” të kryeministrit nuk besoj se ka ndonjë dyshim, sepse dihet që kryeministri është njeriu i cili deri tani ka pasur plotfuqi mbi këtë Reformë.

Faktin që ky po e bllokonte procesin na e konfirmojnë vendimet e Komisionit të Venecias, të cilat në raportet e tyre e konstatojnë një vullnet të hapur për bllokim të Reformës . Ndërsa, vendimin për të mos e lejuar një pazar të tillë na e dëshmon vendosmëria e faktorit ndërkombëtar.

Kjo vendosmëri për të mos e lejuar një pazar të tillë dhe për të çuar përpara Reformën, u përkthye edhe në dy deklarata të njëpasnjëshme të dy partnerëve tanë më të rëndësishëm , atë të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët për herë të parë u shprehën në nivele kaq të larta në lidhje me krizën shqiptare.

Parlamenti Europian, institucioni më li lartë i BE, kërkoi zgjedhje të njëkohshme parlamentare dhe lokale menjëherë pas kodifikimit të reformës zgjedhore. Por, dihet që të kemi përsëritje të zgjedhjeve lokale duhet formalisht një vendim i Gjykatës Kushtetuese, të cilën prej një viti Rama nëpërmjet Dvoranit po e mbante të bllokuar.

Ndërsa, në deklaratën më të fortë amerikane në lidhje me krizën shqiptare, përfaqësuesi më i lartë i politikës së jashtme amerikane, krahu i djathtë i Presidentit Trump, Sekretari Shtetit Mike Pompeo, i cili para një viti kishte futur Vangjush Dakon, krahun e djathtë të Ramës, në listën e zezë të SHBA-ve, kërkon rikthimin e Shqipërisë në kornizat demokratike dhe avancimin e integrimit të Shqipërisë drejt BE.

Pra, me fjalë të tjera zgjedhje të lira dhe plotësimin e 15 kushteve, pjesa më e madhe e të cilave lidhen me krijimin e institucioneve të drejtësisë dhe nisjen e funksionimit të tyre.

Nga ky këndvështrim, nuk ka dyshim që “eliminimi” i Dvoranit nuk është vetëm një pastrim dhe zhbllokim i Reformës në Drejtësi nga një njeri që e dëmtonte seriozisht cilësinë dhe besueshmërinë e saj, por ajo është një shprehje e qartë e vullnetit perëndimor për t’ia hequr nga duart e pisëta këtë Reformë kryeministrit, që do të thotë të vetmin argument nëpërmjet të cilit ai justifikonte të gjitha “pazaret dhe mashtrimet” e tij.

Është e qartë që aleatët tanë më të rëndësishëm, BE dhe SHBA e kanë kuptuar që ky kryeministër e ka përdorur këtë Reformë në interes avancimit të axhendës së tij , për të shkatërruar opozitën dhe për të asgjësuar demokracinë dhe eliminimi shembullor i Dvoranit është prova më kokëfortë për këtë.

Banorët e Labinotit në protestë për zaptimin e pronës: Po na shtypin, po na marrin djersën e kalamajve. Na kanë kërcënuar…

Banorët e Labinotit kanë dalë sërish në protestë për zaptimin e pronës publike dhe private, ndotjen e ajrit dhe lumin Shkumbin nga fabrika e peshkut që operon në Labinot. Banorët thonë se ndihen të kèrcënuar nga drejtuesit e biznesit dhe kanë kryer denòncime në pòlicinë e Elbasanit.

Sot janë ngritur në këmbë, pavarësisht pándemisë dhe shtimit të rasteve pozitive. Një prej pròtestuesve ka folur për Fax News duke thënë se është kèrcënuar dhe për këtë ka bërë kallëzim.

“Bashkia të na japë përgjigje me shkrim, jo sic na dha kryetari para 10 ditësh apo një jave. Ne i kemi kërkuar tokën tonë të na japë me qera, as atë nuk na e japin, atëherë ku do të shkojnë investimet tona prej 30 vitesh. Përse pylli do të prishet që ta marrë Bashkia dhe të bëjë një rrugë pa plan urbanistik. Kërcënimin e parë e kam bërë kallëzim penal në prokurori, të shohë çfarë pozicioni kanë ata persona që më kanë kërcënuar me jetë mua, i jap me emër. Ne do të vazhdojmë me protestat derisa të zgjidhet problemi, derisa kryetari i Bashkisë të japë shkresë zyrtare”, tha banori.

“Po na shtypin, po na marrin djersën e kalamajve”, thotë një tjetër pròtestues. Ata thonë se i kanë çuar shkresë kryeministrit, presidentit dhe avokatit të popullit por nuk kanë marrë një përgjigje.

48 raste të reja me Covid-19, zgjerohet harta e të prekurve

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar shifrën më të lartë të të infektuarve me koronavirus që prej nisjes së pandemisë, 48 raste të reja gjatë 24 orëve të fundit. Është rritur edhe numri i pacientëve të shtruar në spital, 52 të shtruar, nga të cilët 7 janë në terapi intensive dhe 1 i intubuar.

Deklarata e plotë
Dr. Flutura Beqo
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike në vend në 24 orët e fundit. Kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, hetimi dhe gjurmimi aktiv i rasteve në terren.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 270 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19 nga të cilat janë konfirmuar 48 raste pozitive, kontakte të rasteve të konfirmuara pozitivë, por ka shumë të reja në proces hetimi në Tiranë, Krujë, Fier, Durrës, Kamëz.

Shpërndarja e rasteve të reja është si vijon: 24 raste në Tiranë, 8 në Krujë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 2 Lezhë, 2 Pukë, 3 Kamëz, 1 Gjirokastër, 1 Elbasan.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 5 qytetarë dhe aktualisht më shumë se 70% e të prekurve që nga fillimi i epidemisë janë shëruar.

Por vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv. Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 52 pacientë, prej tyre 7 janë në terapi intensive dhe një i intubuar.

Në vendin tonë janë aktualisht 389 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.

Ditët e fundit është vënë re rritje e numrit të rasteve në disa aktivitete biznesi, në institucione të ndryshme, në pjesëmarrje në ceremoni mortore dhe grumbullime.

Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët, bizneset, që në mënyrë strikte të respektojnë zbatimin e masave të rekomanduara: distancën fizike, përdorimin e maskave në shërbim dhe kur nuk është e mundur të respektohet distanca, higjienën personale, dezinfektimin e ambienteve, ajrosjen e tyre, në menyrë që të kufizohet përhapja e COVID-19.

Inspektorët e Task-Forcës anti-Covid do të vijojnë kontrollet në çdo subjekt, në institucione apo biznese tregtare të çdo lloji, për zbatimin e protokolleve të sigurisë.

Do të vijojë bashkëpunimi me forcat e rendit për kontrollin e vazhdueshëm  për zbatimin e karantinës të qytetarëve të konfirmuar pozitive që janë pa shenja dhe që duhet të respektojnë detyrimin për të qëndruar të izoluar.

Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale edhe një herë ka një lutje për qytetarët dhe bizneset të tregojnë kujdes sepse virusi është ende mes nesh.

Mos i neglizhoni shenjat e sëmundjes. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid19.

COVID-19 – Statistika (13 Qershor 2020)
Testime totale- 20132
Raste pozitive- 1464
Raste të shëruara- 1039
Raste aktive- 389
Humbje jete- 36 (Qarku Tiranë 21, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë- 220
Shkodër- 45
Krujë- 40
Kamëz- 26
Durrës-19
Pukë-9
Lushnje-6
Vlorë-6
Elbasan-4
Lezhë-3
Fier-3
Tropojë-2
Korçë-1
Librazhd-1
Mallakastër-1
Berat-1
Ura Vajgurore-1
Gjirokastër-1

Protesta në shkollën e mësuesit pedofil në Fier, Luan Baçi publikon letrën për ministren: Të shkarkohet drejtoresha militante!

Shkolla “Janaq Kilica”, shkolla më me traditë në Fier, e shumëpëlqyer nga nxënës dhe prindër të tyre, tashmë është kthyer në shkollën e skandaleve dhe të padrejtësive.

U be e famshme me helmimin e nxenesve, para disa muajsh, per disa dite rreshte, duke nderprere mesimin dhe duke bllokuar spitalin me femije te shtruar me urgjence.
Minister Shahini, pa pike turpi dhe me injorancen qe e karakterizon, akuzoi opoziten dhe ne deputetet e PD ne Fier, per inskenim dhe organizim te ketyre veprimeve, na premtoi se se shpejti, hetimet do te nxirrnin ne shesh, pergjegjesit, por e harroi dhe asgje nuk na tregoi, e hengri nga goja, turpin me buke

Tashme ne kete shkolle po ndodh komedia dhe padrejtesia e radhes. Drejtuesit e shkolles ne kordinim perfekt me drejtorine arsimore dhe ministrine e arsimit, po bejne gati skenarin, per hakmarrje ndaj mesuesve, qe nuk jane pjese e rilindjes dhe qe kritikojne, dhe denoncojne veprimet abuzive te drejtuesve.

Per me shume po ve ne dispozicion, LETER ANKESEN e mesuesve te shkolles “Janaq Kilica” drejtuar drejtuesve te arsimit, me kerkesen e tyre per ta bere publike, pasi siç ndodh gjithmone, pushteti i korruptuar i rilindjes, ndalon çdo publikim dhe mban ne terr informativ, çdo shqetesim dhe problem, qe diskrediton dhe nxjerr ne pah, fytyren e vertet te rilindjes se Ramisteve.

“LETER ANKESA”

ANKESË
DREJTUAR: DREJTORIT TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR, TIRANË, ZOTIT SELMAN HODAJ

PËR DIJENI: MINISTRES SË ARSIMIT, ZONJA BESA SHAHINI

KRYETARIT TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, ZOTIT EDI RAMA

I Nderuar Zoti Hodaj,
Në Gjimnazin “Janaq Kilica”, Fier, ditën e premte, datë 5 qershor 2020, është zhvilluar një mbledhje e drejtorisë së shkollës me këshillin e mësuesve, në të cilën drejtoresha e shkollës, zonja Fereniqi Fuli u ka paraqitur mësuesve planifikimin për numrin e klasave dhe normave mësimore për vitin shkollor 2020-2021. Në parashikimin e bërë, drejtoresha komunikoi se për vitin që vjen do të ketë më pak regjistrime të nxënësve në shkollë dhe për rrjedhojë do të mbyllen disa klasa. Nisur nga kjo, drejtoresha u komunikoi mësuesve se do të niste vlerësimi i dosjeve të mësuesve për çdo ekip lëndor, si procedurë për largimin nga puna të mësuesve që dalin tepër.

Një vendim i tillë i drejtorisë së shkollës ka sjellë reagimin e mësuesve, të cilët kanë shprehur mospranimin e tyre dhe e kanë paraqitur shqetësimin në ZVAP Fier .
I nderuar Zoti Hodaj,

Ne mësuesit e Gjimnazit “Janaq Kilica” Fier , paraqesim objeksionet tona për mbylljen e klasave si më poshtë:

-Gjimnazi “Janaq Kilica” funksionon me dy godina bashkëkohore dhe ka mjedise të mjaftueshme për zhvillimin e mësimit.

-Gjimnazi “Janaq Kilica” është shkolla e mesme më me traditë në Fier, e ndodhur në qendër të Fierit, me rezultate dhe arritje të shkëlqyera ndër vite dhe si e tillë ka qenë gjithmonë e parapëlqyer prej nxënësve dhe ka pasur rritje të regjistrimeve nga viti në vit.
Ndaj, ne e gjykojmë si të qëllimshëm vendimin e zonjës Fuli për mbylljen e klasave për të larguar mësues nga puna.

Ju vëmë në dijeni se shqetësimi i paraqitur më lart është vetëm një nga problemet e shumta që ka shkolla jonë që nga moment i ardhjes së zonjës Fuli si drejtore në dhjetor 2019.

– Klima e krijuar në shkollë është jomiqësore, jobashkëpunuese. Drejtoresha ushtron autoritetin e saj duke tejkaluar kompetencat. Nuk respekton figurën e mësuesit, përdor ironi dhe përgjigjet me cinizëm ndaj ankesave të mësuesve.

– Nuk u kthen përgjigje ankesave të bëra me gojë apo shkrim prej mësuesve .

– Bën kontrolle në orët e mësimit të papritura dhe rastësore, pa afishuar në këndin e mësuesit planifikimin e vëzhgimeve dhe grafikun përkatës.

– Vendimet që merr nuk i diskuton dhe nuk miratohen në Këshillin e Mësuesve.

– Ka detyruar zhvillimin e mësimit në klasa shumë të vogla, jashtë kritereve të përcaktuara, sepse kërkon të mbledhë gjithë shkollën në një godinë të vetme, pasi kështu mendon se e kontrollon më mirë.

– Në muajin mars 2020 në shkollën tonë pati incidente, si pasojë e të cilave u helmuan nxënës dhe mësues; e për këto nuk u zhvillua asnjë mbledhje me Këshillin e Mësuesve për të analizuar shkaqet dhe për të marrë bashkarisht masa për mbarëvajtjen e një procesi mësimor normal. Madje, është kërkuar prej mësuesve të caktuar një mbledhje për të sqaruar situatën, por drejtoresha nuk ka pranuar.

Për sa më sipër, ne mësuesit e Gjimnazit “Janaq Kilica” kërkojmë largimin e drejtores Zonjës Fereniqi Fuli, për arsye se drejtimi i saj ka cënuar klimën e përgjithshme të komunikimit në shkollë, ka sjellë mungesë bashkëpunimi drejtues – mësues dhe ka krijuar pasiguri përmes presioneve për largime të mësuesve nga puna.

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj,

Me respekt,
Mësuesit e Gjimnazit “Janaq Kilica”, Fier

Nuk kam ndërmend të hedh në gjyq Bazen për vjedhje…

Nga Elona CASLLI

Kthjellim

Nuk kam ndërmend të hedh në gjyq Bazen për dy artikujt e mi. Në dyert e gjykatës nuk kam shkelur kurrë dhe nuk kam më të voglin qëllim, të shkel për shkak të Bazes. Në kushte normale, as nuk do të merrja mundimin të shkruaja për këtë të fundit, pasi njihet botërisht kush është dhe ç’funksion kryen në mediat shqiptare.

Në një vend, ku vidhet prona, banesa, vota, vendi i punës, me pak fjalë vidhet jeta, vjedhja e një shkrimi është më e pakta që mund të të ndodhë.

Duke qenë se unë nuk e lexoj ndonjëherë “Temën” më informuan se dy shkrimet e mia, ishin botuar atje

Unë kam në dorë të refuzoj publikisht botimin e shkrimeve në atë gazetë.

Hedhja në gjyq e Bazes më duket krejt e pakuptimtë për sa kohë fjala “drejtësi” dhe fjala “liri” në shoqërinë shqiptare ekzistojnë veçse në fjalor.

Dyert e gjykatës nuk përkojnë as me vullnetin dhe as me energjinë time.

Post Scriptum- Një fakt tjetër kokëfortë që përkon me protestën e 4 qeshorit është se shkrimi im “Përdhunuesit jemi ne” lidhur mbi ngjarjen botohet nga Tema. Pra, protesta e qeverisë kundër qeverisë mbështetet edhe nga media e qeverisë.

Rroftë Partia! ✊✊✊