30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

BE dhe Departamenti i Shtetit kundër ndarjes së Kosovës

Të gjitha shtetet anëtare të BE janë kundër idesë së korrigjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Euobserver një zyrtar i Bashkimit Evropian teksa ka folur për një takim të ambasadorëve të shteteve anëtare në Komitetin për Politika dhe Siguri në Këshillin e Bashkimit Evropian.

“Shumë shtete anëtare… ishin shumë të qarta rreth refuzimit të një ideje të tillë. Nuk kishte asnjë anëtar të vetëm për të thënë ndonjë fjalë në favor të kësaj ideje”, ka thënë ky zyrtar i BE-së, transmeton Gazeta Express.

Gjithashtu për Euobserver nga Departamenti i Shtetit kanë thënë se çështja e shkëmbimit të territoreve s’ka qenë asnjëherë pjesë e diskutimeve të Përfaqësuesit Special Presidencial.

“Ajo që unë mund të iu them, është që shkëmbimi i territoreve asnjëherë s’ka qenë pjesë e bisedimeve të Përfaqësuesit Special presidencial”, ka thënë ky kontakt brenda Departamentit të Shtetit.

Kurti thirrje qytetarëve: Nesër protestë paqësore

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një video të realizuar në sheshin e Prishtinës, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë nesër në tubimin që do të organizojë kjo parti.

Kurti ka thënë se nesër është 21-vjetori i çlirimit të Kosovës dhe 15 vjetori i formimit të LVV-së, transmeton Telegrafi.

“Në këtë përvjetor të dyfishtë, ne ndodhemi në situatën që kërkon durim dhe zgjidhje. Durim për të përballuar pandeminë COVID-19, që nuk ka kaluar, dhe zgjidhje duke hyrë në zgjedhjet që po vijnë. Në këto 15 vite, kemi dëshmuar se e bëjmë opozitën fuqishëm si askush më parë, e sivjet kemi dëshmuar se e bëjmë qeverisjen mirë si askush tjetër”, thotë Kurti në video-mesazhin e tij drejtuar qytetarëve.

Kurti ka pohuar se LVV është duke u rritur shumë dhe se në zgjedhjet tjera do të fitojnë mbi shumën e të tjerëve.

“Nuk ka lëvizje pa popull kurse në Kosovë populli është bërë lëvizje. Ejani nesër në ketë tubim paqësor me muzikë e fjalime, ejani masivisht”, ka thënë ai.

Tubimi i LVV-së, është planifikuar të mbahet në ora 17:00 në sheshin “Skënderbeu”, Prishtinë.

Trafiku i drogës/ SPAK kërkon 12 vjet burg për Tahirin dhe Çelën

Prokurorët e SPAk Vladimir Mata dhe Dritan Prenci kërkojnë dënimin me 12 vite burg për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish drejtorin e Policise së Vlorës, Jaeld Çela.

Në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u lexuan konkluzionet e Prokurorisë.

Ish-minstri Saimir Tahiri u paraqit në gjykatë së bashku me avokati i tij Maks Haxhia, ndërkohë në sallë ishte edhe Jaeld Çela, ish-drejtori i policisë së Vlorës i cili u vetëdorëzua pas një periudhe të gjatë që ishte në kërkim.

Prokuroria kërkon dënimin e tij me 12 vite burg për akuzën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Ish-ministri dhe ish-drejtori i policisë së Vlorës kërkojnë pafajësi. Tahiri ka paraqitur me avokatin e tij tabelat me provat dhe faktet që i ka paraqitur dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë.

Gati 6 muaj më parë Jaeld Cela dhe ish ministri Sajmir Tahiri u shpallën fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për shpërdorim detyre, ndërkohë që Prokuroria kërkoi dënimin për akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Për Saimir Tahirin dënimi u konvertua në 3.5 vite në shërbim prove, ndërsa Jaeld Çela u dënua me 5 vite burg. /Oranews/

Eurobondi/ Reagon ish-zv.ministrja e Ramës: Nuk është sukses, norma e interesit 33 % më e lartë

Ish-zv.ministra e Financave në Qeverinë Rama, Irena Beqiraj, përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehet se nuk është sukses marrja e një borxhi të ri, por norma e interesit me të cilin merret.

Referuar Eurobondit 650 mln euro, Beqiraj thekson se në 2020 norma e interesit është 33 % më e lrtë se ajo e 2018.

“Bankieri, shpjegon që kur tregjet kanë shumë likujditete (sidomos pas njoftimit të paketës 750 billion euro të Bankës Europiane) dhe interesat apo kthimet e klasave të tjera të letrave me vlerë janë shumë të luhatshme apo janë negative, të huajt do të jenë gati ti japin Shqipërisë borxh me ketë normë .Norma e interesit 3.625% nuk ka asgjë spektakolare”, shkruan Beqiraj.

Postimi nga Irena Beqiraj

Eurobondi dhe Krahasimi me Gjermaninë.

Nëse pyet një bankier do të shpjegonte: “për vlersimin e Eurobondit na duhet të krahasohemi me Gjermaninë dhe të gjithë vendet obligacionet qeveritare të të cilave janë të klasifikuara AAA.

Norma e interesit të portofolit të obligacioneve AAA konsiderohet norma e interesit pa risk ose norma baze. Normat e interesit të portofolit të obligacioneve AAA i gjeni tek Banka Qendrore Europiane”.

Norma e interesit të Eurobondit e vendit = Norma e interesit pa risk + Cmimi i riskut te vendit.

Eshtë pikërisht cmimi i riskut ai që tregon perceptimin që kanë investitorët për riskun e Shqipërisë. Po a është rritur apo ulur ky cmim per vitin 2020? Kjo është cështja.

2020

Norma e interesit të Eurobondit Shqiptar 3.625

Norma e pa risk -0.239% nga del Cmimi i riskut për Eurobondin 2020 = 3.864%

2018
Norma e interesit të Eurobondit Shqiptar 3.55%
Norma e pa risk +0.54 % nga del Cmimi i riskut për Eurobondin 2018 = 3.01% . Pra në 2020 cmimi i riskut rezulton 0,85% , ose 33% më i lartë se në 2018.

Por a është ky një rezultat spetakolar? Këtë nuk di ta them. Taksisti im mendon që është besim i madh që të huajt jane gati ti japin hua Shqipërisë. E drejtë, fundja të huajt njësoj si taksisti nuk janë budallenj.

Ndërsa bankieri, shpjegon që kur tregjet kanë shumë likujditete (sidomos pas njoftimit të paketës 750 billion euro të Bankës Europiane) dhe interesat apo kthimet e klasave të tjera të letrave me vlerë janë shumë të luhatshme apo janë negative, të huajt do të jenë gati ti japin Shqipërisë borxh me ketë normë .Norma e interesit 3.625% nuk ka asgjë spektakolare.

Vazhdon më shpjegon edhe disa opsione që përdoren në këto raste nga investitorët për të mbuluar riskun. Burrë i komplikuar edhe shumë i mllefosur duket ky bankeri .

Unë i rashe shkurt. Do bashkohem me mendimin e Taksistit. Të huajt e mencëm na besuan, ne nuk jemi Gjermania.

Rënia e statujave në Perëndim dhe kulti i individit në Tiranë

Nga Ilir NIKOLLA

Opinioni publik në Evropë dhe SHBA është tronditur këto ditë nga orientimi i protestave për barazi sociale e raciale drejt një lëvizjeje për revizionimin e të gjithë historisë së Perëndimit. Viktima të këtij revizionizmi kanë rënë simbole të Perëndimit si Kristofor Kolombi, statujat e të cilit po kërkohet të largohen nga sheshet e qyteteve kryesore të SHBA-së, kurse filmi-kult “Bashkë me erën” u hoq këto ditë nga portofoli i rrjetit televiziv HBO, sepse qenka një himn për shoqërinë raciste të SHBA. Në Evropë po kërkohet të lahen hesapet me simbole të kapitalizmit në Britaninë e Madhe, ndërsa në Itali, protestues të pilotuar po kërkojnë çuditërisht largimin e statujës së Indro Montanellit nga Milano.

Ky revizionizëm që ka përfshirë Perëndimin nuk e lë dorëjashtë edhe Shqipërinë.
Por si gjithmonë, zhvillimet tek ne marrin një drejtim të vonuar dhe me kosto gjithmonë e më të larta. Në Tiranë jemi akoma në fazën e ngritjes së kultit të individit, në fazën e ngritjes së statujave të regjimit, si një avatar i kullave dhe i instalimit të egër të oligarkisë.

Në Tiranë po ngremë këto ditë këngë për suksesin e Edi Ramës në marrjen e qindra milionë eurove të tjera borxh, në Tiranë po arrijmë të bëjmë propagandë pozitive edhe për përmbytjen e Parkut Rinia, duke e paraqitur atë si një arritje që u zë sytë nihilistëve, në Vlorë, në Shkodër e në Elbasan po arrijmë të imponojmë narrativën se situata e sigurisë është nën kontroll, pasi s’ka asgjë për t’u shqetësuar, sepse thjesht po ndodh një ndryshim drejtimi tek grupet më të mëdha kriminale që kontrollojnë qytetet.

Kjo propagandë inkuadrohet e gëlon në suazën e ngritjes së kultit të individit të kryeministrit, si i vetmi njeri që mund ta bëjë zap këtë vend e që për këtë meriton pushtetin, të paktën deri në 2030-n. Këtij kulti i drejtohet opozita buratine në parlament, për mandate deputeti në legjislaturën e ardhshme, atij i luten oligarkët për pasuritë e bregut të Jugut, bile tek ai të çojnë edhe fijet që kërkojnë privatizimin e pasurive arkeologjike, nën emrin e “vetëadministrimit” të qytezave “greke”, “romane” a “bizantine”.

Hallet e Shqipërisë lidhen me revizionimin e përgjithshëm që po synohet të kryhet në Perëndim, veç kur vjen puna për të na pasuar kostot. Skllavëria moderne në Britaninë e Madhe ka si protagoniste të dorës së parë shqiptarët, të cilët janë të padukshmit që kultivojnë lëndë narkotike, me një kosto skandalozisht të ulët të jetës. Vit pas viti shqiptarët janë në krye të listave që Britania publikon si kategoritë që furnizojnë skllavopronarët e rinj.

Këto kosto shtesë marrin në Tiranë trajtat e përçudnuara që i interesojnë superstrukturës që po ngre kultin e individit të kryeministrit. Kështu azilantët e panumërt në dyert e Evropës janë thjesht tregues i lirisë së lëvizjes, marrja e borxhit që shtyn drejt skllavërisë edhe brezat e ardhshëm është tregues i kompetencës në qeverim, kurse përvjetori i rënies së simbolit kryesor të Perëndimit, Kostandinopojës, një ëmër-blatim i perandorit me origjinë ilire, shndërrohet në një nderim shqiptar për pushtuesin e qytetit.

Revizionizmi oksidental, sado i egër qoftë, po na nxjerr edhe njëherë si të vonuar. Ne po rreshtohemi në radhën e mohuesve, po u biem hasha kontributeve tona dhe po shfaqemi si ithtarët e skllavërisë moderne. Post-covid-i po e orienton botën drejt një revizionimi të egër të pabarazive shoqërore, ndërkohë që në trojet tona jemi shumë të shqetësuar për ngritjen e kultit të individit. Dihet se rënia e statujave nuk parathotë edhe ndryshimin e shoqërive (e pamë në Irak me rrëzimin e statujës së Sadam Huseinit), por në shoqëritë moderne kaq interaktive, të rreshtohesh me vullnet në llogoret e kultit të individit, sjell me vete kosto mjaft të rënda.

Kur shohim se rrëzohen statuja në SHBA, Londër a Milano s’do të thotë se ngjarjet janë një trill perëndimor që s’na përket. Ato janë tregues i një krize të përgjithshme, e cila pason tek ne kosto shtesë. Këto kosto mund të mbulohen për pak kohë nga superstrukturat që po ngrenë kultin e individit të Edi Ramës, por historia na mëson se vonesat gjithmonë prodhojnë zgjidhje, duke rritur koeficentin e egërsisë. Parë në këtë këndvështrim, qendrimi dorëjashtë i shqiptarëve nga kjo lëvizje globale është një lajm i keq për ata që po nanuriten nën tingujt që lëshon paradhoma e “faraonit”.

Tiranë, ja cilat zona konsiderohen si vatra aktive të infektimit me koronavirus

Përgjysmohet numri i vatrave me COVID-19 në Tiranë. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se aktualisht në kryeqytet janë 9 vatra aktive nga 17 që ishin pak ditë më parë. Të njëjtat burime bëjnë me dije se 9 vatrat aktive janë tek: Rr. Dibres, rr. Ura, Tirana e Re, rr. Sami Frasheri, rr. Dalip Topi, Shkoze, rr. Kole Kamsi, Mozaiku i Tiranes, Qytet Studenti, Lunder, Teleferik, ish teatri, Vasil Shanto, Kodra e Diellit 2.

Po kështu, burime nga ISHP bëjnë me dije se gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë janë hetuar 44 raste, nga të cilat 17 janë referuar nga Ugjenca Kombëtare, 1 nga mjeku i familjes dhe 26 të tjera janë kontakte të personave pozitivë. Ndërsa në total janë analizuar 122 monstra, ku 96 personave u është marrë tamponi, 26 kanë qenë në kontakt me virusin dhe 32 të tjerë janë ritestuar. Sakaq 26 punonjësve të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u janë marrë monstrat. Këta të fundit kanë qenë në kontakt me një person të infektuar.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndërkohë, ditët e fundit është rritur ndjeshëm numri i të infektuarve me koronavirus. Ministria e Shëndetësisë bëri me dije një ditë më parë se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar me koronavirus 42 persona.Mes të infektuarve 5 janë personel shëndetësor. Së fundmi janë shtruar edhe 9 persona të tjerë tek Infektivi, duke e çuar në 46 numri e të shtruarve. Numri i të shëruarve ka shkuar në 980. Dje humbi jetën edhe një 81-vjeçare tek infektivi, e cila ishte asimptomatike

“Kam votuar për Edi Ramën, nuk kam bukë në shtëpi. Ai më thotë mua dua 500 euro për të të futur në punë”

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka takuar bizneset në njësinë numër 4 në Tiranë. Basha ëshë ndalur në disa biznese, duke i pyetur për xhiron që kanë pasur, dhe rënien që kanë pësuar si pasojë e pandemisë. Ndërkohë që një qytetar i është ankuar kreut të PD-së se është i papunë, edhe pse në zgjedhjet e 2013-tës ka votuar për Edi Ramën.

“Pa punë fare, jam vetë i 7, kam 5 kalamaj, kur kanë qenë zgjedhjet në 2013 kam votuar për Edi Ramën, edhe sot më lënë në mes të rrugës. I kam shkuar për punë dhe duan nga 500 euro. Unë nuk kam bukë në shtëpi, ai më thotë mua dua 500 euro për të futur në punë. Unë nuk e bëj këtë për parti, o vëlla, e bëj këtë se më qan shpirti, nuk kam bukë, dhe nuk na sjellin asnjë ndihmë, unë pi duhan të dredhur”, u shpreh qytetari.

Shembja e Teatrit/ Tjetër padi në SPAK, Budina: Do të përgjigjen të gjithë ata që kanë kryer atë krim monstruoz

Aleanca për Mbrojten e Teatrit ka dorëzuar një tjetër padi në SPAK lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar.

Në fjalën e tij, regjisori Edmond Budina tha se artistët do tu rrinë pas qafe atyre që kryen këtë krim monstruoz sipas tij, për të cilën ka lemerisur e gjithë bota.

”Njerëzit do të përgjigjen për atë që dinë. Do jepen dëshmitë e tyre për gjithçka që ka ndodhur atë natë. Ne kemi një shprehje nga anët tona, të ardhtë pas qafe. Edhe ne do t’u rrimë pas qafe këtyre, të gjithë atyre që kanë kryer atë krim monstruoz për të cilën është lemerisur e gjithë bota, ne do t’u rrimë pas qafe, nuk do të heshtim”, u shpreh Budina.

Budina tha gjithashtu se policia është kthyer në një polici baxhibuzukësh pasi kanë vjedhur rrobat e tyre personale madje dhe biçikletat atë natë.

”Këta gënjejnë nga mëngjesi deri në darkë. Kryeministri ka thënë forcat Renea nuk kanë qenë fare në teatër ndërsa Ministri i Brendshëm tha kanë qenë sepse kishin të dhëna për ekploziv. Si e shembe atë duke menduar se aty kishe eksploziv? Këtu ka një monstruozitet të jashtëzakonshëm. Policia është kthyer në një polici bashibozukësh. Edhe objeket tona personale janë vjedhur atë nate, vlera është e konsiderueshme, kalon mijëra euro dhe asgjë nuk është kthyer. Ata të gjitha i shkatërruan aty, edhe biçikletat tona janë gjetur të shitura në pazarin e Tiranës. Ne do t’i qëndrojmë prapa”, tha Budina.

Teatri Kombëtar u shemb më 17 maj në orën 04:30 të mëngjesit. Prej asaj dite e deri më sot, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka zhvilluar disa protesta dhe po mbledh firma në të gjithë vendin për peticionin ku kërkohet rindërtimi i teatrit aty ku ishte dhe siç ishte.

Drogë me skafe dhe gomone nga Shqipëria drejt Italisë në kohë pandemie

Autoritetet e Guardia Di Finanza në Itali kanë ekzekutuar operacionin e koduar “Beached” i cili ka çuar në shkatërrimin e një grupi trafikantësh që trasportonin drogë me skafe e gomone përmes rrugës së Adriatikut.

Burimet e RTV Ora kanë konfirmuar se janë firmosur 17 urdhërarreste, 9 prej të cilëve janë për shtetas shqiptarë. Pese prej tyre janë ndaluar dhe janë nën masën e arrestit shtëpiak ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Të ndaluarit banonin në territoret e Brindisi, Taranto, Roma, Arezzo, Rimini, Forlì dhe Matera.

5 shqiptarë në arrest shtëpiak, 3 shpëtuan prej Covid-19

Sipas burimeve të Rtv Ora ndër 9 shqiptarët nën urdhër arresti, 5 janë në arrest shtëpiak dhe 4 janë shpallur në kërkim. 3 prej tyre figurojnë të jenë kthyer ne Shqipëri dhe për shkak të Covid nuk kanë udhëtuar më drejt Italisë. Ndërsa shqiptari i katërt i shpallur në kërkim ndodhet në SHBA ku ka udhëtuar duke u nisur nga Shqipëria.

Si kryhej transporti i drogës

Hetimet e operacionit të nisura më 2017 nga reparti i Guardia di Finanzia në Brindizi kanë dokumentuar një trafik të madh të marijuanës përmes Andriatikut nga Ballkani drejt brigjeve italiane përmes gomoneve e skafeve. Pasi mbërrinte në brigjet italiane droga shpërndahej në provincat e Brindisit e Tarantos si dhe rajone të tjera qëndrore e veriore italiane.

Çfarë u sekuestrua

Gjatë hetimeve janë sekuestruar 4000 kg marijuanë, 0,5 kg kokainë, 27 mijë euro cash, 1 gomone, 3 automjete, 1 motorr dhe armë. Janë arrestuar në flagrancë 6 korrierë droge dhe 32 të tjerë janë denoncuar.

Për RTV Ora, autoritetet e Guardia di Finanza informojnë se operacioni është ekzekutuar falë bashkëpunimit me përfaqësuesve dhe autoriteteve policore shqiptare në Bari.

Shtimi i rasteve me Covid-19, Vasili: Rama gënjen pa ju dridhur syri…

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka reaguar pas rasteve të shtuara me COVID-19 në vend ku akuzon kreun e qeverisë si një genjeshtar pa shërim.

Sot 44 raste të reja me COVID-19.

Në pikun e pandemisë numri më i lartë ishte në 3 prill 27 raste.

Studimi i Forbes tregon qartë se çfarë genjeshtari pa shërim është Edi Rama.

Postimi i plotë në Facebook

Rama çfarë genjeshtari dhe studimi i Forbes për Pandeminë!?

Sot 44 raste të reja me COVID-19.

Në pikun e pandemisë numri me i lartë ishte në 3 prill 27 raste.

“Suksesi madhështor” i Edi Ramës pas izolimit idiot 2 muaj e gjysëm është rritja me 62%.

Ja në çfarë duar është shendeti i shqiptarëve.

Edi Rama genjente pak javë më parë pa ju dridhur syri se kishte bërë mrekulli botërore në menaxhimin e pandemisë. Ja çfarë thoshte:

“Albania the Best. Çudi e madhe ëëë?! Strategji jo, plan jo, teste jo e jo, mjekësi jo që jo, qeverisje jo dhe jo, po ja që kur hap sytë e shikon, na del Shqipëria më mirë se tërë dynjaja deri tani në bilancin e kësaj lufte të mallkuar”,- shprehej Rama.

Studimi i Forbes tregon qartë se çfarë genjeshtari pa shërim është Edi Rama.