29.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Bllokimi i transportin kombëtar/ Shoqata e Operatorëve paralajmëron Ramën: Do përballeni me protestë në të gjithë vendin

Shoqata e Operatorëve Kombëtarë të Transportit, prej disa muajsh ndodhet e bllokuar në aktivitetin e saj prej disa muajsh për shkak të pandemisë së Covid-19.

Por ajo që e bën më dëshpëruese situatën e këtyre operatorëve është fakti se qeveria nuk ka ende një datë se kur do të fillojnë nga puna linja interurbane.

Ndërkohë që në komunikim të fundit kjho shoqatë i kërkon qeverisë të marrë masat e menjëhershme ndryshe do të përballet me një protestë kombëtare të të gjithë operatorëve interurbanë.

‘Të nderuar miq të medias,

Shoqata jonë, përfaqësuese  e operatorëve kombëtarë të Transportit të udhëtarëve, kërkon t’ju bëjë me dije lidhur me situatën aktuale të aktivitetit të Transportit si një prej sektorëve më të rëndësishëm në ekonominë tonë kombëtare.

Përpjekjet tona kanë ndjekur njëra-tjetrën.

Hapi yni i rradhës, është shkresa zyrtare e fundit dërguar Kryeministrit Rama  dhe ministrave përkatës, lidhur me qëndrimet tona sa i përket funksionimit të sektorit tonë post Covid-19! Aktiviteti ynë vazhdon i pezulluar nga masat e Covid-19, duke mos patur në të kaluarën e mos marrë mbështetje nga shteti në asnjë formë suporti, përveç të vetmes ‘pagë-lufte’, kur sapo u mbushën 3 muaj pa asnjë aktivitet. Ndërkohë në emisionin Opinion TV Klan të datës 04/06, kryeministri Rama deklaron se çdo aktivitet është hapur.

Kërkojmë dashamirësisht pasqyrimin nga ju të kërkesave tona, që ky biznes të mund të ketë një frymëmarje në këtë situatë e moment tepër të vështirë, ku vijmë nga një e kaluar të lënë të braktisur dhe harruar  nga  strukturat kompetente shtetërore, përballë konkurencës së pandershme e të paligjshme me flotat informale e jo vetëm.

E ardhmja e aktivitetit tonë duket e zymtë.

Ne kërkojmë të fillojmë aktivitetin e të vazhdojmë me korrektësi punën tonë në shërbim të qytetarëve shqiptarë, me shpresën se me të njëjtën korrektësi e standart, do t’na përgjigjen strukturat e shtetit të së drejtes në TE DREJTEN tonë!

Në rast se kërkesat tona do të injorohen, ne do të jemi të detyruar të përshkallezojmë qëndrimet tona në nivel kombëtar.’

Ju faleminderit paraprakisht.

Me shume respekt;

Drejtuesit e shoqates se trasportit te udhetareve:

Dashnor Memaj – Eneo Sulejmanaj.

Aktorja e mirënjohur: Teatri është histori, u prish memoria…

Aktorja e mirënjohur Roza Anagnosti bën përgjegjës drejtuesit e Teatrit për gjendjen në të cilën ajo godinë ndodhej.

E ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën, ajo thotë se teatri ishte neglizhuar totalisht, asnjë gozhdë nuk ishte vendosur nga drejtuesit e institucionit.

Në ç’kushte keni punuar në skenën e Teatrit, në vitet e fundit. Si ka qenë të punosh për ju në Teatrin Kombëtar dhe a ishte nevoja e prishjes së asaj godine?

Aman mos ma përmend.. nuk mund ta them, e kam të vështirë të them me gjithë ato kontribute… Ndryshe është Nisida, të vije ti, të shkoja në oborrin e Teatrit, të shkoja në kabinën time, në skenë. Ajo është histori, ti prish memorien. Ti prish historinë, identitetin tënd. Nuk e di… Edhe kur kam shkuar që i kam mbështetur ato, i kam mbështetur me gjithë shpirt, sepse e quaj me vlerë të jashtëzakonshme. Dhe këtë nuk e kam thënë unë, e kanë thënë profesionistë në radhë të parë. Teatri sigurisht që kishte ndryshuar, po i kujt është faji? I kujt faji? Ai që drejton institucionin ka përgjegjësi të madhe të krijojë atmosferë.

Edhe në shtëpinë tonë jo të gjithë janë të pasur, por janë të pastër. I krijojnë atë atmosferë që aktori të japë më të mirën. Ishte neglizhuar totalisht. Unë kam punuar me Elektrën, një punë e jashtëzakonshme. Kemi shkuar edhe në Selanik me këtë pjesë, dhe ato janë befasuar me punën tonë, sepse aktori nuk e neglizhon punën. Asnjë nuk duhet të neglizhojë punën e vet, gjithësecili duhet të bëjë punën e vet. Pse e mora ta drejtosh? Cfarë bëre ti? kërkoi llogari vetes në radhë të parë. Duhet të kenë përgjegjësi, cdo njeri ka përgjegjësi në punën e tij.

Pra, ju keni rezerva për drejtimin e atij Teatri?

Po sigurisht. Fajtor në radhë të parë bëj atë që ka drejtuar institucionin, që nuk ka vënë asnjë gozhdë. Nëse e pa në mjerim, atëherë rregulloje. Edhe mua m’u prish shpia nga tërmeti, m’u ça, mora punëtorin. Trishtohesha kur i shihja, por mu rregullua, e ndjeja veten mirë. Ajo sallë kishte nevojë. Kur kemi shkuar ne, ka pas ngrohje në atë Teatër, ishte impresionuese. Kush nuk ka pas dëshirë të interpretonte në atë skenë. Të gjithë ato të mëdhenj, që edhe kanë heshtur një pjesë, ajo skenë i ka bërë.

Çfarë kujtoni ju nga hera e parë në skenën e Teatrit Kombëtar, në paskuinta, në gardeborën tuaj, në paskuinta…

Tani e quajnë stallë, po ajo ishte një magji. Salla ka qenë gjithmonë shumë komunikuese me publikun, kabinat kanë qenë të vogla të pastra, me ndriçim, pasqyra. Kadri Roshi rrinte një orë e gjysmë përpara shfaqjes, një orë përpara të gjithë aktorët dhe kishte mikrona, nuk kishte nevojë të rrije anash. Ishte Gjergj Zagora që ishte inspektor i skenës, njoftonte për aktet në skenë. Më kujtohet Erminia, e cila bënte paruket dhe na shikonte si vajza, pasi visheshim në skenë ajo do na jepte viston. Një qetësi absolute, kishte një disiplinë artistike të mrekullueshme. Unë mundohesha të thithja cdo gjë, nuk kam fol shumë, kam dëgjuar më tepër. Kam punuar me artistë që më kanë dhënë jetë në atë skenë. Një jetë artistike kaq e gjatë ka edhe dhimbje, ka edhe lot, gëzime, duartrokitje.

Dua të ndajmë bashkë disa nga provat gjenerale që ju i bënit gjithmonë…

Më parë ishte prova në tavolinë, ku bëhej zbërthimi i gjithë ideve dhe cdo aktor përflitesh të gjente figurën po nga ana logjike tani, veprimet e aktorit. Puna jonë nuk thuhet edhe me fjalë,është një proces i brendshëm. ndodh në brendësinë tënde, që në momentin që ndan rolet, nis procesi krijues. Në film i thonin u ndezën motorët. Në provën gjenerale ishte këshilli artistik, dhe gjithë kolegët që nuk ishin pjesëtar dhe bëhej një diskutim.

Kur vinte Dhimitri e dija se ishte dita më e rëndë, se e dija që ai ishte i pamëshirshëm në vërejtje por edhe më e bukur. Dhe për të gjithë artistët ishte ditë feste kur jepej premiere, dhe bëhej një ditë pushim e më pas vijoj me shfaqjet. Në provat gjenerale ishin edhe familjarët, sepse ka nevojë aktori, edhe regjizori të ndjejë sallën, është bashkëpunimi shumë i ngushtë. Plus artisti është shumë i brishtë, sa i brishtë aq edhe i fortë është.

Në këtë rrugëtim tuajin kush kanë qenë miqtë kolegët që kanë rrugëtuar bashkë me ju, e keni patur një marrëdhënie mjaft të mirë bashkë?

Unë kam pas fat që kam punuar me një brez të tillë artistësh. Ndër aktoret e para ishte Liza Vorfi, ishte ndër themelueset në Radio Tirana, një artiste me një finesë të jashtëzakonshme, më pas Drita Pelinku, Behije Çela, Logoreci, Violeta Manushi, Marjeta Kallamata, Esma Agolli, Besa Imami, Margarita Xhepa, Afërdita Taçi, Marta Burda, Edi Luarasi, Mimika Luca, Pavlina Mani, Elida Janushi, Marjeta Ljarja, Luiza Xhuvani, Eva Alikaj, çdo brez dhe çdo dekade kishte gjëra të reja. Koha ecën evoluon dhe e bukura ndryshon. Aktorët si Mihal Popi, Loro Kovaci, Pjetër Gjoka, Sandër Prosi, Prokop Mima, Lazer Filipi, Sulejman Pitarka, Ndrek Luca, Roland Trebicka, Ndrenika, Vlashi, Shkezi, Resuli, Qirjaqi… arti jonë ka edhe teknikë.

Nuk mund t’i harrosh, drejtuesit e parë, një njeri i jashtëzakonshëm i Xhemal Broja etj. Riza Hajro e bëri gjithë skenën dhe studio laborator, varet shumë nga ai që drejton, apo Muharrem Shtylla, Pirro Mani, janë shumë. Ka shumë rëndësi drejtimi i institucionit, cfarë vizioni ka, ku do ta cojë, sepse është Teatri Kombëtar, nuk është shaka. Teatri Kombëtar ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me fjalën, me gjuhën shqipe, me fol bukur. Në Radio Tirana, gjithmonë fillonte me orën gazmore e pastaj me Teatrin në ekran, poezi, historia e popullit ndër shekuj etj. Për këtë punë që ndodhi tani duhet të ishin të gjithë sensibël. Aty ëshë realizuar teatri i operas për herë të parë, Ansambli, Instituti i Arteve. Ajo është histori. Nuk fshihet me gomë historia!

Kompania e mikut të Ramës dhe Veliajt ortake në pastrimin e mbetjeve në Tiranë, PD: SPAK nuk mund të bëjë sikur nuk dëgjon dhe nuk sheh

• Kompania e mikut të Ramës dhe Veliajt, Flavio Tosi, ortake në pastrimin e mbetjeve në Tiranë, nën akuzë për pastrimin e parave të pista të mafias italiane Ndragheta. 4 milion euro të shqiptarëve për Eco Tirana pa bërë asnjë punë

• Pastrimi i parave të krimit nëpërmjet pastrimit të Tiranës të hetohet edhe nga drejtësia shqiptare. SPAK nuk mund të bëjë sikur nuk dëgjon dhe sikur nuk sheh.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, INA ZHUPA

Bashkia e Tiranës mund të jetë përdorur për të pastruar paratë e një prej klaneve më të rrezikshme mafioze italiane, përmes kompanisë së krijuar nga Erion Veliaj, Eco Tiarana. Ortakët italianë të kompanisë, miq të Erion Veliajt dhe Edi Ramës, janë vendosur sot nën akuzë për pastrimin e parave të mafias italiane.

Ata kanë përdorur për këtë aktivitet kriminal kompaninë publike të pastrimit të Veronës, Amia, e cila është ortake me 49 përqind të aksioneve në kompaninë e pastrimit të Tiranës, Eco Tirana. Kjo kompani u propagandua me shumë bujë si kompania që jo vetëm do ta bënte Tiranën qytetin më të pastër në rajon, por ishte pjesë e projektit të madh për diferencimin e mbetjeve që në burim dhe grumbullimin e tyre.

Ky është momenti i firmosjes së marrëveshjes mes Erion Veliajt dhe kryebashkiakut të Veronës, Flavio Tosi 4 vjet më parë. Sipas kësaj marrëveshje me kumbar Edi Ramën, Eco Tirana krijohet sipas modelit të kompanisë publike të pastrimit të Veronës, Amia. Sot zbulohet se kjo kompani i ka shërbyer mafias së plehrave për pastrimin e parave, duke e bërë edhe funksionimin e saj në Shqipëri të dyshuar kryesore për aktivitet kriminal.

Hetimet e prokurorisë italiane kanë zbuluar se ortakja e kompanisë së plehrave të Tiranës ka qenë një mekanizëm për mafian e plehrave në Itali dhe pastrimin e parave të klanit mafioz Ndragheta. Prokuroria ka akuzuar 26 persona ndër to ish-kryebashkiakun Tosi dhe Andrea Miglioranzi për bashkëpunim në organizatë kriminale, mashtrim, pastrim parash, rryshfet, trafik droge, korrupsion, transferim të mirash materiale në shkelje me ligjin.

Afera me mafian e plehrave duhet hetuar edhe në Shqipëri. Nuk duhet hetuar vetëm Erion Veliaj që e ka firmosur marrëveshjen me bashkëpunëtporin e Ndraghetës, por duhet hetuar edhe Edi Rama, i cili është nismëtari i kësaj marrëveshjeje mes mafiozësh. Deri tani, Eco Tirana, me ortake kompaninë publike të Veronës, të përdorur nga mafia kalabreze është paguar rreth 4 milionë euro nga Erion Veliaj, duke përfshirë edhe pagesën për diferencimin e mbetjeve, kur ky proces nuk ekziston në Tiranë.

Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet të hetohen nga SPAK për lidhjet e mundshme me aferën mafioze të plehrave dhe pastrimit të parave të mafias italiane me kompaninë publike EcoTirana. Fushata e Edi Ramës dhe Erion Veliajt për diferencimin e mbetjeve ishte vetëm një mashtrim për t’i hapur rrugë ortakërisë në kompaninë e plehrave me ata që sot akuzohen se e përdorën këtë kompani për të qarkullyar paratë e mafias italiane. SPAK nuk mund të bëjë sikur nuk dëgjon dhe sikur nuk sheh.

Vetëm Partia Demokratike e Shqipërisë mundet të jetë shpëtimi ynë

Nga Erl KODRA

Shqipëria përballë Edi Ramës

–Vetëm Partia Demokratike e Shqipërisë mundet të jetë shpëtimi ynë–

Kur Partia Demokratike humbi zgjedhjet e vitit 2013 dhe Sali Berisha dha dorëheqjen, shumë prej figurave të saj natyrshëm projektuan ambiciet për karrierat e tyre politike. Dhe nuk ishte një garë dosido, por ishte hapur vendi për të zëvëndësuar Sali Berishën, njeriun që themeloi Partinë Demokratike dhe fitoi mbi Partinë e Punës, duke thyer kështu hegjemoninë e terrorit komunist në Shqipëri.

Partia Demokratike i ka dhënë shumë vendit 30 vitet e fundit. Shembja e pushtetit të partisë-shtet, me një ndër policitë sekrete më të frikshme të planetit nuk ishte e lehtë. Historia do të shkruhet, dhe me siguri do të dalin në dritë ngjarje të jashtëzakonshme, që kanë shenjuar fort luftën e paprinciptë që është bërë kundër Partisë Demokratike dhe interesave të vendit. Reformat e mëdha politike dhe ekonomike kanë vulën e Partisë Demokratike, që pavarësisht disa gabimeve serioze, këto reforma kanë qenë në themel të orientimit euroatlantik të vendit. Në këtë kuptim, askush nuk mund të mohojë vlerat perëndimore të Partisë Demokratike.

Ardhja e një lideri të ri në krye të një partie politike gjithmonë përkon me ridimensionimin e saj, me një proces të thellë reflektimi, me kohezionin për të mbajtur gjallë frymën e themelimit, por edhe për të “larë mëkatet” e së kaluarës. Askush nuk është i pagabueshëm, për më tepër në rrethanat e Shqipërisë së viteve të vështira të tranzicionit. Shqiptarët janë një popull i vogël, që për 45 vjet u sunduan me dhunë dhe gjak nga një parti terroriste. Në këto rrethana, sigurisht që punët nuk do të ishin të thjeshta.

Lulzim Basha mori përsipër barrën e rëndë të liderit të një partie që kishte bërë epokë në Shqipëri. Një punë tejet e vështirë, duke patur në vëmendje të gjitha rrethanat që po kalonte vendi, por mbi të gjitha, fitoren e padiskutueshme të Rilindjes së Edi Ramës.

Pas largimit të Fatos Nanos në vitin 2005 si Kryetar i PS-së, Partia Socialiste filloi një fazë transformimi të thellë, që për fat të keq rezultoi në një operacion të rrezikshëm mafioz, ku politika “socialiste” u përzie me Mafian e Drogës dhe Ndërtimit. Të gjithë shqiptarët e dinë dhe kanë prova të pakundërshtyeshme se Edi Rama, Kryetar i Bashkisë Tiranë, dhe Edi Rama Kryetar i Partisë Socialiste krijoi një grupim të rrezikshëm financiaro-politik, grup që menaxhonte sektorin e ndërtimit dhe sektorin e narkotikëve, si dhe të tjera aktivitete të paligjshme. Fitorja e Rilindjes në zgjedhjet e vitit 2013 erdhi edhe për shkak të presionit financiar që realizoi ky grup mafioz i drejtuar me dorë të hekurt nga Edi Rama. Propaganda e shfrenuar nëpërmjet shumicës mediatike të vendit dha rezultate; dhe Edi Rama zyrtarisht u shpallë Kryeministri i shtetit 100 vjeçarë të shqiptarëve.

Në rrethana të caktuara, njerëzit janë të prirur të harrojnë të vertetat e mëdha, sidomos kur propaganda përsëritet dhe u serviret atyre në forma të ndryshme. Në të vertetë, propaganda kundër Partisë Demokratike nuk kishte rreshtur asnjëherë, sepse ish-terroristët e Partisë së Punës nuk do t’ia falnin kurrë rrëzimin e regjimit të tyre. Për më tepër, tani që pinjolli Edi Rama, një artist liberal i artikuluar, ia kishte dalë të rilindë pushtetin e tyre, duke grumbulluar para dhe pasuri të madhe, me synimin e qartë për t’a bërë akoma më të madhe.

Historia shtatë vjeçare e pushtetit të Edi Ramës është e mbushur fund e krye me krime kundër shtetit, kundër pronës dhe kundër interesave të shumicës absolute të qytetarëve shqiptarë. Për çdo ngjarje politike dhe ekonomike të prodhuar nga Edi Rama, mund të gjenden lehtësisht disa vepra penale. Aktiviteti i tij politik është i përzier me krim dhe korrupsion, me konspiracion dhe aktivitet të hapur antikombëtar. Dëmet e pariparueshme që ka pësuar vendi zor se mund të rikuperohen edhe për një dekadë. Në këto rrethana çështja është se si mund të ndalet regjimi i Rilindjes, pa shkaktuar dëme të tjera, të krahasueshme vetëm me dëmet që pësoi vendi përgjatë regjimit komunist.

Opozita e Partisë Demokratike nuk ishte një opozicion i zakonshëm, ku mund të konkurosh me programe, frymë dhe ide. Ajo u gjend e mbërthyer brenda një Parlamenti kriminal, ku kapot e krimit lokal kishin marrë fuqi politike. Të gjithëve u kujtohet Parlamenti i 2013-tës ku ligjin e bënin vrasës dhe trafikantë qeniesh njerëzore, mafiozë brutalë që kishin vrarë dhe vrisnin pa pikë mëshire. Ata ishin “figurat politike” të Kryeministrit artist, me të cilët Edi do të ndante pasuritë publike dhe financat e shtetit. Mafia e Ndërtimit, Trafikut të Drogës dhe Qenieve Njerëzore kishte marrë pushtet polititik; ku tashmë, nuk do të ishte nevoja për të vënë gjoba “jashtë ligjit” siç mafia vepron rëndomë, sepse gjobat do t’i vilte nëpërmjet taksave të shtetit. E shkrova edhe më sipër, historia do të zbardhet një ditë, dhe krime të tilla nuk mund të parashkruhen.

Në vitin 2013 dikush ishte kujtuar të dokumentonte një listë me emra mafiozësh të përfshirë në politikë, kryesisht nën patronazhin direkt të Edi Ramës. Ajo listë me emra dhe mbiemra u përfshi në një Raport Konfidencial të OSCE, raport i cili “rrodhi” në media në vitin 2015. Partia Demokratike ndërkohë kishte filluar betejën e saj me Mafian parlamentare të Edi Ramës, betejë e cila u kurorzua me sukses të plotë. Partnerët e Ramës në Parlament filluan të binin njëri pas tjetrit, por ndërkohë, Kryeministri kishte filluar operacionin gjigand të kanabizimit të Shqipërisë nën kujdesin personal të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Lufta është për jetë a vdekje. Ramës i duhet të angazhojë të gjitha burimet e tij njerëzore dhe financiare për t’u përballur me opozitën, për t’a denigruar atë, për t’a delegjitimuar. Operacioni duhet të jetë shumë planësh dhe i egër. Do të blihen me çdo çmim figura afër opozitës, mundësisht figura kryesore të saj. Mediat dhe gazetarët duhet të blihen me çdo kusht, po ashtu edhe shoqëria civile. Lulzim Basha duhet të portretizohet si njeri dembel, që fle shumë, që gënjen edhe për orën, dhe që mundësisht nuk është i aftë për të ngjallur shpresë. Ai duhet tallur keq në aspektin personal, dhe për këtë nevojiten njerëz. Dhe njerëzit joshen me para. Vetëm për para Edi Rama nuk ka problem. Ai investon shumë, ai është investitori më i madh në Shqipëri. Prandaj nuk është e çuditshme pse kaq shumë media, individë dhe portale, përfshirë edhe shoqërinë civile janë kundër Partisë Demokratike; duke kryer sulme të paprincipta kundër saj.

Një informacion i dorës së parë thotë se Edi Rama ka interesa direkte në të gjitha fushat kryesore të ekonomisë shqiptare; duke filluar që nga ndërtimi, portet, aeroportet, mineralet, resortet turistike dhe bankat. I njëjti burim e përcakton atë si kumbarin më të fuqishëm të mafias në botën shqiptare, me një pasuri që përllogaritet në miliarda euro. Për arsye objektive, sepse përllogaritje të tilla janë shumë të vështira që të jenë ekzakte, nuk mund të flitet me shifra të sakta, por me siguri që flitet për miliarda euro.

Një pasuri e tillë vjen vetëm nga një burim: Mafia!

Sigurisht që Partia Demokratike do të gjendej në këtë situatë, jo për faj të saj, jo për paaftësi të saj, por saktësisht se ajo ka luftuar me Mafian e Kryeministrit Edi Rama. Dhe më besoni, nuk ka luftë më të ndyrë se sa lufta me Mafian. Poshtërsisht, Edi Rama nuk kurseu as trupën diplomatike në Shqipëri, duke e blerë atë, duke e shantazhuar me video dhe me afera korruptive, aq sa ambasadorë të rëndësishëm u kthuen në zëdhënës të Kryeministrit, ndërsa zbatonin egërsisht Reformën në Drejtësi, duke e kthyer vendin në një shkretëtirë ligjore, dhe duke i lënë fushë të hapur vullnetit pervers të një njeriu të lig.

Vjedhja e zgjedhjeve të 2015-të, 2017-tës dhe votimet moniste të 30 Qershorit 2019 janë provat e pakundërshtueshme se Edi Rama i ka kapur të gjithë; perderisa akoma nuk u gjend një ambasador i huaj që të dënojë me gjysëm fjale.

Po ashtu, “opozita” parlamentare e Edi Ramës është investimi direkt i tij, investim që me gjasë do t’a përdorë në kohën e duhur. Dhe koha është tani. Shënojeni mirë; unë dyshoj se Reforma Zgjedhore do të votohet në Parlament.

***

Kritika kundër Partisë Demokratike është normale, por sulmet kundër saj duhen dekriptuar. Edi Rama është i pamëshirshëm në përdorimin e qenieve njerëzore; ai i blenë, i shet, i shtypë me këmbë dhe i dhjet në parlament. Ai nuk udhëhiqet nga parime, por nga instinkte. Ai është varianti “demokratik” i Enver Hoxhës që realizonte “zgjedhje të lira” me një Parti, ku gjithmonë fitonte me 99.999 % të votave.

Diçka duhet t’a keni mirë në vëmendje këto kohë; për 1000 arsye kjo luftë është ndër më të ndyrat në Historinë e Shqipërisë. Në fakt është në lojë e ardhmja e vendit për disa dekada me rradhë. Ju që sulmoni opozitën nga naiviteti, ose të nxitur nga propaganda e stërholluar e Edi Ramës, dijeni se po i bëni shërbimin më të mirë një bastardi të neveritur. Përndryshe, vetëm Lufta Civile mund ta rrëzojë këtë përbindësh.

Ndaj mendohuni mirë. Vetëm Partia Demokratike e Shqipërisë mundet të jetë shpëtimi ynë.

Të tjerat janë dokrra hini.

Basha: 60 biznese mbyllen në ditë. Njerëzit po humbasin vendet e punës ndërsa qeveria nuk ka asnjë plan për ta!

Kryetari Basha takim me biznese dhe qytetarë të Njësisë Administrative nr. 9 në Tiranë

Sot bisedova me sipërmarrës të vegjël, dhe banorë të njësisë 9 në kryeqytet.

Kriza ekonomike po thellohet çdo ditë. Fuqia blerëse ka rënë, faturat e dritave dhe të ujit janë dyfishuar gjatë muajve të pandemisë dhe bizneset nuk kanë asnjë mundësi të paguajnë qiratë apo punonjësit. Pronarët përplasen me qiramarrësit sepse nuk kanë marrë qiratë me të cilat jetojnë dhe asnjë dëmshpërblim nga qeveria edhe pse iu premtua.

Mijëra sipërmarrje dhe të vetëpunësuar janë në prag falimenti. Bilanci është tronditës. 60 biznese mbyllen në ditë. Njerëzit po humbasin vendet e punës ndërsa qeveria nuk ka asnjë plan për ta. Shumë familjeve po u sosen mundësitë për mbijetesë.

RAMAVIRUSI shkatërroi ekonominë dhe varfëroi shqiptarët. Edi Rama përdori lekët e shqiptarëve për të paguar oligarkët dhe jo për të ndihmuar familjet shqiptare, që sot jo vetëm në Tiranë po në çdo cep të Shqipërisë i kanë tryezat bosh dhe shpresën të copëtuar nga lënia pas dore.

Kjo situatë mund të ndryshojë vetëm duke kthyer vëmendjen tek qytetarët, duke i’u kthyer paratë e vjedhura e të grabitura nga kjo qeveri gjatë viteve dhe në veçanti gjatë muajve të fundit të pandemisë. Duke i kthyer qytetarëve një qeverisje normale, duke ulur taksat, duke thithur investime të huaja, duke hapur ekonominë dhe duke bërë të mundur që të mirat materiale të këtij vendi t’i gëzojnë shqiptarët dhe jo vetëm një grusht oligarkësh.

Bardhi i përgjigjet Ramës: Frika dhe mllefi tregon qartë se nuk i mjaftojnë më as paratë e pista dhe krimi i organizuar për të vjedhur zgjedhjet

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhin ka reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama. Bardhi shprehet ndër të tjera se, frika dhe mllefi sot dhe mbrëmë tregon qartë se nuk i mjaftojnë më as paratë e pista dhe krimi i organizuar për të vjedhur zgjedhjet.
“Bashkimi i qytetarëve kundër tij e ka tmerruar, duke e kthyer në një komentator qesharak, që flet me veten!”, shkruan Bardhi në reagimin e tij.

Reagimi i plotë i Bardhit

Edi Rama bën mirë të rrisë dozën e qetësuesve për të mbajtur nën kontroll nervozizmin pas tërheqjes me bisht ndër shalë nga skema mafioze për kapjen e komisioneve zgjedhore.

Frika dhe mllefi sot dhe mbrëmë tregon qartë se nuk i mjaftojnë më as paratë e pista dhe krimi i organizuar për të vjedhur zgjedhjet. Bashkimi i qytetarëve kundër tij e ka tmerruar, duke e kthyer në një komentator qesharak, që flet me veten!

Sa për vjedhjen e zgjedhjeve e 2017-ës, Edi Rama nuk do ketë më mundësi t’i fshihet kushtit nr.5 të BE për hetimin dhe dënimin e hajdutëve të zgjedhjeve të 2017-ës. Përgjimet e publikuara nga BILD i ka dëgjuar bota mbarë, që nga Niçja i drogës tek Gjushi i Ramës, i shpallur non grata nga SHBA.

PD dhe Opozita e Bashkuar nuk tërhiqet asnjë hap nga presioni dhe kurthet e Edi Ramës. Mbrëmë i çmontuam kapjen e komisioneve zgjedhore. Bashkë me shqiptarët do të mbrojmë çdo votë dhe do të fitojmë! ✌️#ditëmëtëmira

Basha, në oborrin e familjes Petrela, një nga më të vjetrat në Tiranë…

Sot, në oborrin e familjes Petrela, një nga më të vjetrat në Tiranë, duke biseduar jo vetëm për hallet e tyre sot nga ekonomia në krizë tek problemi i pronave, por edhe për planin tonë për ringritjen e ekonomisë dhe mirëqenien e gjithë shqiptarëve nesër. #ditemetemira

Trafikanti i armëve, militant i flaktë i rilindjes dhe mik i ministrit Çuçi

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari i cili shkruan se, arsenali i armëve që u kap në Gjirokastër,i perket Ilirjan Içit. Ai shkruan se, militanti i flaktë i rilindjes shumë shpejt do lirohet me ndërhyrjen e ministrit Çuçi i cili e ka mik familjar personin në fjalë.

Postimi i ish-Kryeministrit Berisha

Trafikanti i armve Içi i lidhur me narkoministrin Çuçi!

Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital. sb

Pershendetje doktor!

Arsenali i armeve qe u kap ne Gjirokaster,i perket Ilirjan Içit.

Personi militant i flakt i rilindjes shume shpejt do lirohet me nderhyrjen e ministrit Çuçi i cili e ka mik familjar personin ne fjale.

Mbesa e Ilirjan Içit eshte sekretare e Çuçit dhe guret kane filluar te levizin,prandaj dhe a’snje medja lokale nuk e jep me emer,por vetem me iniciale.

Ju lutem anonim.
Respekte doktor

Rama gabohet, revolucioni sapo ka filluar

Nga Luçiano BOÇI

REVOLUCIONI SAPO KA FILLUAR

Duke dashur të delegjitimojë fitoren e opozitës ndaj tentativës së tij për të kapur procesin zgjedhor dhe për t’iu shmangur identifikimit biometrik, Rama nxitoi të hedhë stigmën për revolucionin e mbaruar.

Jo zoti RAMAVIRUS gaboheni!

Revolucioni sapo ka filluar!

Gongu i djeshëm i “konsensusit”, ishte paralajmërimi i këmbanave të zemërimit qytetar dhe fillimi i një shndërrimi politik të pakthim.

Ka nisur era e re e shporrjes nga drejtimi i vendit, të bandës më famëkeqe politiko-kriminale, që mbajti peng për shtatë vite integrimin evropian.

E largimit me çdo kusht të atyre që e zhveshën e ropën, e katandisën këtë vend në parajsën e krimit dhe ferrin e jetës normale.

E përzënies me votë të regjimit që varfëroi shqiptarët, i mori liritë, dinjitetin e nderin, i degdisi me përdhunë nga sytë këmbët, i mashtroi, i sundoi e grabiti për hir të karriges së një njeriu dhe interesave babëzitëse të një kaste.

E kthimit të normalitetit, përkundrejt çmendurisë, harbutërisë, dhunës e përdhunimit sistematik nga kllounët me veladon politik.

Mirësevjen revolucion!

Po-ja europiane e Bashës

Nga Gentian GABA

Dakordësia e arritur mbrëmjen e së premtes nuk është fundi i rrugëtimit drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por është një hap më shumë drejt tyre. Në ‘ditën ndërkombëtare të mjedisit’, ndër të tjera, u vendos se vota e shqiptarëve do të jetë ‘bio’, në gjurmën e identifikimit elektronik, dhe depolitizimi, një term që nuk mund të lidhet lehtë me administratën shqiptare, do të mbetet për ditë më të mira të gjësë sonë publike.

Është një gotë gjysmë plotë për interesin publilk, ngase ajo që u nënshkrua, nuk ka të bëjë vetëm me aspekte teknike të administrimit zgjedhor, por me nisjen e një procesi politik, zbatimi i 15 kushteve, që do t’i japë jetë një rrethi virtuoz nga i cili do të përfitojë e gjithë shoqëria jonë. Sepse çdo kusht përfaqëson një hap, ndoshta të ngadaltë, por të sigurtë drejt normalitetit politik dhe institucional.

I rrezikuari i madh nga ky pushtim i butë është ai që ka kapur në mënyrë arbitrare të gjitha pushtetet në vend. Krejt i vetëdijshëm se implementimi i urdhëresave europiane përbën një demontim të pushtetit të tij, Rama përfitoi nga çdo vjegë, natyrore apo politike, për të vonuar zbatimin e tyre ose për ta bërë opozitën refraktare.

‘Në këtë proces janë dy tema faktikisht. Eshtë tema e vendosur në tryezën e forcave politike nga Bashkimi Europian, që për herë të parë në historinë e vet ndërhyn në një çështje ekskluzive të politikës së brendshme që zgjedhja e një sistemi dhe një kodi zgjedhor që të gjitha vendet e kanë sipas vullnetit të parlamenteve të tyre.’- do të shprehej Rama të enjten në Parlament, i ngashëryer nga fakti që BE po i imponon atij i cili e ka të shkruar në historinë e tij alergjinë ndaj konsensusit, ndjekjen e një udhe të përcaktuar nga opozita shqiptare. Anispe, përpara se të përpiqej ta zbehte këtë shtrëngim në sytë e qytetarëve, do të ishte e udhës që të pyeste ‘gurunë’ e tij zgjedhor, Gjiknurin, i cili është familjar me konceptin hinduist të karmës. Parimit shpirtëror të kauzës dhe efektit ku qëllimi dhe veprimet e një individi (shkaku) ndikojnë në të ardhmen e atij individi (efekti).

Kësisoj karma e keqe e Ramës është pasojë e makutërisë së tij për pushtet, e shkeljeve të njëpasnjëshme, zgjedhore dhe jo, që bota tashmë di, efekti i të cilave u mishërua në detyrimin për të mos hedhur asnjë hap përpara pa opozitën. Andaj erdhi në jetë edhe ‘Këshilli Politik’, si një gjetje sui generis, për të adresuar jashtë një Parlamenti të bërë de facto nul në çështjet zgjedhore. Një tryezë ndërpartiake që dëshmon me vetë ekzistencë e saj, se akuzat e ngritura nga Basha janë publikisht të pranuara, jo vetëm nga ndërkombëtarët, por edhe nga autorët e tyre; të cilët, me shkuarjen te Pallati i Kongreseve u detyruan ta ndiqnin agjendën e opozitës.

Kjo e fundit, e ngarkuar gjithashtu me përgjegjësi nga dora që i zgjatën aleatët, dha në këmbim një ‘Po’ që nuk është vetëm në dobi të saj, por edhe të agjendës europiane të Shqipërisë. Shumëkush mund të kishte kërkuar një betejë të paepur me shëmbësin e zgjedhjeve dhe rendit ligjor, përshkallëzimi i të cilës do ta mbante vendin në një gjendje konstante instabiliteti; por ato janë hesape që bëhen pa pasur parasysh realpolitikën e fuqive të mëdha. Të cilat nuk do të lejonin që vendi të kthehej në një fushëbetejë midis palëve, kur institucionet e drejtësisë janë një ‘ground zero’ edhe për shkak të tyre. Etaloni i këtij ngërci në të cilët vetë të huajt janë pjesë, është cështja Dako. I shpallur ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara për akte të rënda korrupsioni, veçse i paandrallur nga drejtësia e re shqiptare.

‘Raison de l’état’, dhe arsyeja qytetare, sugjeronte se pas votimit të kushteve në Bundestag, të merreshin vendime të bazuara në realitetin e marrëdhënieve të forcës dhe kontekstit historik. Nëse kriza do t’i shpëtonte këtij realizmi, ajo do të kthehej në një konflikt të pafundmë, që do të shpërblente vetëm mbajtësin dhe përqëndruesin aktual të tij.

Tani hapet një faqe e re për të ardhmen. Oreksi i shoqërisë është më i madh se ai që mund të ofrojë marrëveshja e së premtes. Megjithatë ky është një fillim i mbarë nga i cili do të lindin mundësi të reja, sidomos nëse kemi parasysh se agjenda e parashtruar nga sfiduesit e Ramës, përmban edhe 14 pika të tjera. Dhe e vërteta është se kur ato të jenë përmbushur, fituesit do jenë qytetarët.