26.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

Ish-deputetja e PS: Rilindja s´ka lidhje me PS, deputetëve ua mbylli gojën edhe Ardi Veliu

Arta Dade, ish-deputete e PS, tha se Rilindja nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë përfaqëson Partia Socialiste.

Në këtë kuadër, Dade tha se ajo që ndodhi në Komisionin e Sigurisë, ku një Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, i mbylli gojën deputetëve, ndërsa sulmonte një familje, tregon se ato deputetë atje s´kanë kurajo.

“Imagjinoni pak këta deputetë që s´kanë kurajo të reagojnë ndaj një Drejtori Policie, si qëndrojnë përpara Kryeministrit”, tha Dade në emisionin Tempora.

Sipas saj, policia sot është kthyer në një instrument ku rrëfëhen barcaleta si ajo policia e para viteve ´90.

“Ne nuk jemi në atë kohë dhe policia është trajnuar, por shikoni se çfarë ndodhi. Është e turpshme qoftë ai sulmi që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë i bëri një familjeje, ashtu edhe heshtja e deputetëve, që janë kthyer thjesht në zëdhënësa të Kryeministrit”, tha Dade.

Sipas saj, asnjë prej deputetëve nuk ka sot tagër që të marrë një vendim pa marrë lejen e Kryeministrit.

Në këtë kuadër, ajo tha se ndërsa njerëzit ndodhen në çadra, që prej tërmetit të 26 nëntorit, ministri Arben Ahmetaj, thotë se do nxjerrim nga dheu lekët për Teatrin e ri.

“Pse nuk dalin nga dheu paratë për ndërtimin e banesave që u shkatërruan nga tërmeti? Njerëzit janë ende në çadra dhe nuk dihet sa do të rrijnë”, tha Dade.

Sipas saj, me emrin e PS është abuzuar shumë dhe Edi Rama përmende vetëm Rilindjen.

“Rilindja dështoi dhe Rama iu kthye Partisë Socialiste. Edi Rama edhe punët që ka bërë si Kryebashkiak i ka bërë me Kryeministrat socialistë, Pandeli Majko, Ilir Meta dhe Fatos Nano.

Rama pasi krijoi këtë grupimin e MJAFT, një miku i tij i tha që ti që do të bëhesh Kryeministër i Shqipërisë nuk mund të bëhesh me këto çupëlina. Atëherë, Rama mori PS, Mjaft u transformua në G 99 dhe nën okelion e Rilindjes, u përfshinë në PS”, tha Dade.

Një francez nuk do e kuptonte kurrë Ramën kur të lexonte shkrimin e tij për shembjen e Teatrit

Në Krasta A-Show, në Syri Tv, analisti Genc Burimi, nga Parisi komentoi edhe shkrimin e kryeministrit Rama në ‘Le Monde’ lidhur mbi prishjen e Teatrit, ku edhe njëherë sulmoi opozitën.

‘Ka një kod në Francë që është që në politikë një politikan nuk mund të flasë keq jashtë vendit për një politikan të vendit të tij. Është pikërisht kjo që në fillim të shkrimit bën Rama i cili atakon opozitën e vendit të tij.

Për mua duhet ta kishte evituar këtë sepse i ka ulur të paktën 10 pikë.

Rrëzimi i teatrit në Shqipëri bëri një jehonë të jashtëzakonshme, ishte gati si polemika që shkaktuan amrët e shkatërrimit në masë në Siri.

Në këtë pikëpamje Rama mori portretin e një autoritari. Dhe fillimi i shkrimit në ‘Le Monde’ i dha këtë portret.

E fillova me kodin e parë të francezëve kur një politikan nuk mund të shajë një politikan jashtë vendi të tij sepse ka edhe gurin edhe arrëm.

Por pika e dytë është vlera kulturore që mbart një godinë.

Kurrë, nëse Rama do ia kishte dhënë për lexim një francezi konservator shkrimin e tij, ky i fundit nuk do e kishte kuptuar në këtë mënyrë që ‘godina është e vjetër dhe duhet shembur’.

Pa spital, me “shtet” dhe gjallë akoma!

Nga Elton LASKA

A është shëmbja e spitalit të Kurbinit, peng i tenderit të rradhës?

Godina e Spitalit të Kurbinit mori goditje fatale në termetin e 26 nëntorit dhe u vendos mbyllja e tij.

Aktualisht 74 mijë banorëve të Kurbinit u shërbehet në një godinë të improvizuar që nuk plotëson as kushtet minimale por shërben vetëm si ambulancë fshati.

Në një zonë ku aksidentet rrugore marrin çdo ditë jetë njerëzish, ku vrasjet janë kthyer në një problem duke qënë se komisariati ekziston vetem si godinë, nuk ka spital. Kjo është paradoksale dhe vetëm rilindja mund t’i bëjë dhurata të tilla Kurbinit, zonë që falë krimit e bandave e drejton prej një dekade.

Janë me dhjetëra qytetarë që detyrohen të shkojnë në Tiranë ose ata më me fat në Lezhë për të marrë shërbimet mjekësore bazë.

Kjo është një çmenduri që mund të ndodhë vetëm në Shqipëri, ku paratë e destinuara për shëndetësinë shkojnë për oligarkët.

Godina e spitalit të Kurbinit nuk është shëmbur siç ndodhi me pallatet pasi ende nuk është gjetur sekseri që do ndërmjetësojë me kompaninë e cila do ndërtojë spitalin e ri e të financoje fushatën e radhës!

Mosshëmbja e godinës do të thotë se ende nuk ka një plan për ndërtimin e spitalit të ri, pavarsisht se KM-ja na prezantoj para disa muajsh një 3D që humbi pa namë e pa nishan.

Jeta e mbi 70 mijë banorëve të Kurbinit nuk është më e rëndësishme se ai që do marrë tenderin për spitalin e ri. Kjo është “Rilindja e Shëndetësisë” Shqiptare.

Unë e di se sot bluzat e bardha në Kurbin po bëjnë të pamundurën t’u gjënden pranë qytetarëve, por shteti i ka braktisur.

Pse në Kurbin nuk u shemb spitali zoti Rama, çfarë është me e rëndësishme se jeta e banorëve të kësaj zone për ju?

Kurbini sot është njësoj si me 27 nëntor, një ditë pas termetit tragjik që shumë banorëve të kësaj treve u mori gjithçka kishin, shto këtu edhe Covid-19 dhe “fitoret” e luftës!

Po të mos ishte për Kishën dhe shoqatat humanitare, Kurbini do ishte përballur më një krizë sociale të frikshme.

Për qeverinë Shqiptare, Kurbini është vetëm streha e dy-tre milionerëve që financojnë Ramën nëper fushata. Por, ai gabohet dhe shumë shpejt Kurbinasit do t’i japin përgjigjen e duhur.

Ambasadori britanik: Është thelbësore që votuesit shqiptarë të kenë zgjedhje të lira dhe të sigurta

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Duncan Norman pas mbledhjes me përfaqësuesit e Këshillit Politik ka theksuar se miratimi i Reformës zgjedhore është i rëndësishëm jo vetëm për integrimin në BE, por që shqiptarët të kenë një sistem që garanton zgjedhje të lira.

Ndër të tjera Norman në deklaratën e tij ka theksuar se, nesër pret që një marrëveshje e tillë të bëhet realitet.

“Këshilli Politik u krijua në mënyrë që të përfundojë reformën zgjedhore dhe sot është bërë, por mbetet ende punë për tu bërë. Është thelbësore që këtë ta përfundojmë nesër dhe jo vetëm për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, por në mënyrë që edhe votuesit shqiptarë të kenë zgjedhje të lira dhe të sigurta. Kështu që le ta bëjmë punën”, është shprehur ambasadori Nurman.

Takime mes përfaqësuesve të Këshillit Politik dhe tre ambasadorëve Yuri Kim, Luigi Soreca dhe Duncan Norman, është zhvilluar këtë të martë në rezidencën e ambasadës Amerikane dhe ka zgjatur për rreth 5 orë. Në përfundim të takimit ambasadorët njëzëri kanë theksuar se nesër ngelet për tu parë nëse palët do të bien dakord për Reformën Zgjedhore.

Soreca: Kufijtë janë rekomandimet e vendosura nga OSBE-ODHIR

Kreu i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka folur menjëherë pas takimit të gjatë që pati me Këshillin Politik.

Soreca tha ndër të tjera se ‘Kufijtë për të arritur një marrëveshje për reformën zgjedhore janë rekomandimet e vendosura nga OSBE-ODHIR’.

‘Kemi pasur një ditë shumë të mirë pune, dhe kemi bashkëshoqëruar punën e Këshillit Politik
Kufijtë janë rekomandimet e vendosura nga OSBE-ODHIR.

Kjo është ajo që Këshilli i Europës po i kërkon Shqipërisë.

Shumë shpejt Bashkimi Evropian do të ketë një kornizë të arritjeve të Shqipërisë dhe një arritje në reformën zgjedhore do ta bëjë këtë punë me të lehtë.

Dëshiroj të falenderoj të gjitha palët për qasjen e tyre pozitive dhe të vazhdojmë me të njëjtën qasje positive. Kemi arritur një pikë dhe të mos e shpërdorojmë’, u shpreh Soreca.

Ambasadorja e SHBA: Reforma është kusht për integrimin…

Në një konferencë për shtyp, në krah të ambasadorëve të BE dhe Britanisë së Madhe, Yuri Kim foli mbi situatën politike në vend, kryesisht duke vënë theksin te Reforma Zgjedhore dhe mosarritja e një akordi mes palëve politike.

Sipas diplomates amerikane, reforma zgjedhore, si një prej kushteve për çeljen e negociatave, afron Shqipërinë me Bashkimin Europian.

“Duhet të japin që Shqipëria të fitojë. Është një votë për Shqipërinë në Europë. BE ka vendosur një sërë kushtesh për vazhdimin e negociatave. Mes tyre është reforma zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR. Qëllimi ynë sot dhe nesër është që Shqipëria të përmbushë të gjitha rekomandimet që të jetë anëtare me të drejta të plota në BE”.

Ambasadorja u shpreh për mediat se “është bërë progres” për konsensusin për Reformën Zgjedhore, por shtoi se çdo kërkesë që bie ndesh me rekomandimet e ODIHR-it, duhet të lëshohet nga palët.

“Kaluam pothuajse 9 orë me anëtarët e Këshillit Politik, ka qenë një ditë e vështirë, por është bërë progres. Ka qenë e vështirë për të gjitha palët e përfshira. Të gjithëve u është kërkuar që të japin në mënyrë që Shqipëria të fitojë. Shqipëria është në fazë kritike në historinë e saj. BE ka vendosur disa kushte për të nisur negociatat për anëtarësim, mes tyre edhe Reforma Zgjedhore. Kështu që, qëllimi ynë sot dhe nesër, sepse do të takohemi prapë, është të përmbushim rekomandimet e ODIHR”, tha Kim.

“Nëse arrihet konsensusi edhe për gjëra të tjera përtej rekomandimeve të ODIHR, jemi dakord. Por, nëse kërkesat e palëve bien ndesh me rekomandimet e ODIHR, duhet t’i lëshojnë kërkesat”, shtoi ambasadorja amerikane.

Lirimi i organizuar i bandës/ Si u rrëzuan akuzat për krim të organizuar ndaj grupit “Bajri”

Gati dy vjet pas operacionit të bujshëm, SPAK dështoi të vërtetonte ekzistencën e një grupi të strukturuar me emrin “Bajri”, ndërsa dosja po shkon drejt gjykatës së Shkodrës me akuza të rrudhura dhe shumicën e të pandehurve në liri.

Mbrëmjen e 21 shtatorit 2018, një grup policësh me maska të Forcës Operacionale të Policisë së Shtetit zbarkuan në ambientet e një bilardoje në zonën e Xhamllikut në Tiranë dhe nxorrën që andej me pranga në duar Safet Bajrin [Rustemi] – ndër më të kërkuarit e autoriteteve belge në atë kohë.

Paralelisht me Tiranën, operacioni u shtri edhe në Shkodër dhe Roterdam të Holandës, duke arrestuar 11 persona të akuzuar si pjesë e grupit kriminal “Bajri” me qendër në lagjen Dobraç të Shkodrës.

Operacioni u trumbetua si një goditje e suksesshme kundër krimit të organizuar nga Shqipëri nga kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

“Janë kryer dhjetra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, janë analizuar mijëra faqe të dhëna, si edhe janë kryer veprime pro-aktive në terren, përmes kontrollit nga ajri (dron) dhe vëzhgimit intensiv,” thanë ata në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Pas arrestimit të Safet Bajrit në Tiranë, Behar Bajrit në Holandë dhe Enver Bajrit në Spanjë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti një mori akuzash; mes të cilave përfshirje në gjobëvënie, lotari të paligjshme e trukim ndeshjesh si dhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm mbi administratën shtetërore, krime që sipas saj u kryen në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Por gati dy vjet pas nisjes së hetimeve, drejtësia dështoi të vërtetonte ekzistencën e një grupi të strukturuar me emrin “Bajri”, ndërsa dosja po shkon drejt gjykatës me akuza të rrudhura dhe shumicën e të pandehurve në liri.

Dokumentet gjyqësore të siguruara nga BIRN tregojnë se rekordet kriminale në Europë dhe në Shqipëri të të akuzuarve u konsideruan të pamjaftueshme nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK – e cila pasi pushoi akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”, e përcolli dosjen në drejtim të Prokurorisë së Shkodrës në shkurt 2020.

Vendimarrja e SPAK u bazua te kriteri numerik formal i bashkëpunimit mes tre anëtarësh- i përcaktuar në Kodin Penal si kusht për ekzistencën e grupit të strukturuar kriminal. SPAK argumenton se në të gjitha episodet [me përjashtim të trukimit të ndeshjeve] vërtetohej bashkëpunim vetëm mes dy anëtarësh.

Vendime të ngjashme të diskutueshme janë marrë më parë edhe për të ashtuquajturën dosja 184 mbi manipulimin e votave në Dibër apo për dosjen “Toyota Auris” të sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit.

Nga shkurti në maj 2020, dosja “Bajri” bëri disa herë ecejake mes Tiranës dhe Shkodrës para se Gjykata e Lartë të ndërhynte në konfiktin e kompetencës, duke i dhënë të drejtë SPAK-ut.
Prokurorët Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili nga SPAK e mbrojtën vendimarrjen e tyre për rrëzimin e akuzave të grupit të strukturuar kriminal në një komunikim me BIRN.

“Vendimarrja jonë është e bazuar në ligj dhe prova, ashtu si e tregoi edhe Gjykata e Lartë,” thanë ata.

Bashkëpunim dysh apo tresh?

Në vjeshtën e vitit 2018, Prokuroria e Krimeve të Rënda i nisi hetimet për grupin “Bajri” e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët kishin dyshime për përfshirjen e tyre në shfrytëzim prostitucioni, trafik droge dhe qëniesh njerëzore në disa vende të Bashkimit Europian.

Safet Bajri ishte dënuar dy herë në Belgjikë si anëtar i një grupi kriminal në fushën e prostitucionit, ndërsa ndaj vëllait të tij, Ilir Bajri rëndonte një dënim në Itali prej 5 vitesh e gjysmë burg për “trafik narkotikësh” dhe “shfrytëzim prostitucioni”.

I akuzuari si kreu i grupit, Enver Bajri u arrestua në Alicante të Spanjës më 27 tetor 2018, ndërsa ishte i armatosur me një pistoletë. Edhe ndaj tij rëndonte një dënim i mëparshëm në Itali për veprat penale të emigracionit të paligjshëm, shfrytëzimit të prostitucionit dhe falsifikimit.

Precedentët penalë të Behar Bajrit shtrihen gjithashtu herët në kohë, në fillim të viteve 2000, kur ai akuzohet se vrau gruan e tij të mitur si dhe një biznesmen në Shkodër. I arrestuar në Roterdam të Holandës, ai u ekstradua në Shqipëri në korrik 2019.

Behar Bajri dhe Ilir Bajri [Rustemi] ishin arrestuar më parë në Shkodër në vitin 2016, si të dyshuar për goditjen me armë të makinës me të cilën udhëtonte Donald Shtjefni. Megjithatë, akuzat u rrëzuan dhe ata u liruan pa pasoja.

Me shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dosja i kaloi më 20 dhjetor 2019 Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Por brenda pak javësh, SPAK vendosi shpalljen e moskompetencës dhe ia kaloi aktet Prokurorisë së Shkodrës.

Prokuroria e Posaçme argumentoi se ndonëse të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, ata nuk kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për kryerjen e tyre –të paktën jo më shumë se dy veta për episod.

“Për të qenë para grupit të strukturuar kriminal kërkohet që të ekzistojë bashkëpunimi për kryerjen e një ose disa veprave penale, të paktën ndërmjet tre personave, në rast të kundërt, në qoftë se bashkëpunimi ekziston vetëm ndërmjet dy personave, nuk mund të jemi para grupit të strukturuar kriminal, por para formave të tjera të bashkëpunimit,” argumentojnë prokurorët e SPAK, Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili.

“…Për personat nën hetim Behar Brajoviq (Bajri), Enver Bajri, Safet Rustemi, Ilir RUSTEMI(BAJRI), Asmer Bilali, pavarësisht se hetohen për kryerjen e më shumë se një vepre penale, në asnjë rast nuk i kanë kryer veprat penale në bashkëpunim, me më shumë se dy persona, element formal por thelbësor për ekzistencën e grupit të struktuar kriminal,” shtojnë prokurorët.

Prokurorët e SPAK arrijnë në përfundimin se të akuzuarit duhet të hetohen më tej nga Prokuroria e Shkodrës për veprat respektive, duke e konsideruar bashkëpunimin mes tyre të thjeshtë.

Gjykata e Shkodrës nuk e mikpriti këtë vendim dhe i ktheu dy herë aktet në Tiranë, deri në ndërhyrjen e Gjykatës së Lartë.

Pingpongu në gjykata

Më 19 shkurt 2020, Gjykata e Shkodrës kundërshton vendimarrjen e Prokurorisë së Posaçme dhe vendos t’i kthejë sërish aktet në Tiranë.

“Nga aktet e ndodhura në dosje, nuk rezulton që Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar t´i jetë drejtuar gjyqtarit të seancës paraprake…me kërkesë për pushimin e akuzave përkatëse në ngarkim të të hetuarve, në zbatim të nenit 329/a të K.Pr.Penale,” thuhet në vendim.

Gjykata e Shkodrës argumenton më tej se neni 329 i Kodit të Procedurës Penale e detyron Prokurorinë që t’i drejtohet gjyqtarit paraprak në rastin e pushimit të një çështjeje apo pushimit të akuzave. Ajo shton në vendim se akuza për kryerjen e veprave penale në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal vazhdon të qëndrojë, përsa kohë nuk është pushuar nga gjyqtari i seancës paraprake.

Më 2 mars, gjyqtarja Iliriana Olldashi e Gjykatës së Posaçme nuk e pranoi këtë vendim dhe i ktheu administrativisht aktet në Shkodër.

Pingpongu vazhdoi një javë më vonë, kur zv. kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër ia pasoi dosjen Gjykatës së Posaçme me argumenton se Gjykata e Shkodrës kishte deklaruar më parë moskompetencën.

Më datë 12 mars, Gjykata e Posaçme shpalli sërish kompetencën dhe ngriti përpara Gjykatës së Lartë çështjen e mosmarrëveshjes për kompetencë lëndore me Gjykatën e Shkodrës.

Më 30 prill 2020, Gjykata e Lartë i jep të drejtë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo e fundit shton se në kushtet kur SPAK nuk ka më procedim penal pranë saj për këtë çështje, as kjo gjykatë nuk ka më lëndë, duke mos pasur më kompetencë lëndore.

“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dhënë arsyet ligjore të mjaftueshme mbi të cilat e bazon mungesën e kompetencës së saj. Ndërkohë që një gjë e tillë nuk argumentohet në arsyetimin e vendimit nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila ka shpallur moskompetencën,” thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.

Zvarritja e hetimeve dhe konsumimi i 4 muajve në përplasje për kompetencën sollën djegien e afateve të paraburgimit për tetë të akuzuarit e grupit “Bajri”. Më 20 maj 2020, Gjykata e Shkodrës liroi nga qelia 5 prej të akuzuarve dhe zgjati me 1 muaj afatet për Behar Bajrin dhe vëllezërit Ilir dhe Safet Bajri [Rustemi]. [Lexo vendimin e Gjykatës]

Afatet e reja të paraburgimit për 3 personat e fundit të mbetur në burg skadojnë më 20 qershor. Por Prokuroria e Shkodrës zotohet që ta çojë çështjen në gjykatë përpara kësaj date.

Prokurori Xhevahir Lita i tha BIRN se çështja e Bajrave do të përfundohet brenda datës 20 qershor, kur skadojnë masat e sigurisë për Behar Bajrin dhe Ilir Bajri [Rustemin].

“Jemi në përfundim të hetimit. Së bashku me prokuroren tjetër dhe pesë oficerë të policisë gjyqësore jemi duke punuar, që t’i japim zgjidhje brenda datës 20 qershor dhe do ta dërgojmë për gjykim,” përfundoi prokurori i Shkodrës. /BIRN/

Hetimet/ Prokuroria e Stambollit kërkon 10 vite burg për mikun e Ramës, Sinan Idrizi

10 vite burg për akuzën e mashtrimit për mikun e Ramës, Sinan Idrizi. Prokuroria e Stambollit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar dosjen në gjykatë, me akuzën e mashtrimit të kualifikuar bashkë me kërkesën për një dënim me 10 vite heqje lirie për Idrizi.

Ai u padit nga ish-Presidenti i Galatasarajit, biznesmeni i njohur si i afërt me Presidenti Erdogan, Adnan Polat, se e ka mashtruar me 3.5 milionë Dollarë si kapar për blerjen e një kompanie karburantesh në vendin tonë. Idrizi pritet që të thirret në ditët në vijim nga Gjykata e Stambollit për t’u njohur me masën e sigurisë.

Kujtojmë që edhe Idrizi ka bërë një padi në organet turke pasi e akuzon Polatin për prishje të imazhit dhe se nuk i është përmbajtur marrëveshjes së nënshkruar.

Në qëndrimet publike në Shqipëri, Idrizi ka pohuar se nuk ka shkelur asnjë ligj, dhe se gjyqi në Stamboll do ta nxjerrë të pastër.

Miku i Ramës rrezikon 10 vjet burg në Turqi, Agron Shehaj: Prokuroria shqiptare të hetojë kryeministrin

Sinan Idrizi është një mashtrues dhe ndoshta riciklues parash të pista. Këtë tashmë e ka vërtetuar prokuroria turke e cila sapo ka kërkuar dënimin e tij me 10 vjet burg për mashtrim miliona eurosh. Biznesmeni turk, që filloi hetimin duke kallzuar Idrizin, ka përfshirë në skemë edhe kryeministrin Edi Rama.

Tani, duhet që Prokuroria shqiptare të hetojë të gjitha veprimet në lidhje me përfshirjen e Edi Ramës në skemën mashtruese për shitjen e GFI. Prokuroria duhet gjithashtu të hetojë se si u bë Sinani, pa kontribuar asnjë qindarkë, partner i shtetit në Air Albania. A është ai fasada pas aksionerit e pronarit të vërtetë, Edi Ramës në Air Albania? A po riciklon ai paratë e korrupsionit qeveritar apo të krimit të organizuar përmes Air Albania?

Këto pyetje duhet të marrin përgjigje menjëherë!

Alibeaj publikon dokumentin: Drejtori që Rama i ngriti lapidar i implikuar në veprimtari të paligjëshme!

Ish-deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas mbrojtjes që i bëri sot publikisht kryeministri Edi Rama drejtorit të përgjithshëm të policies, Ardi Veliu pas skandalit të këtij të fundit pak ditë më pare.

Alibeaj ka publikuar edhe një document ku vërtetohet se Veliu ka qënë i implikuar në veprimtari të paligjëshme në vitin 2002-2003

Sipas tij, Edi Rama dhe Ardi Veliu janë një, ndërsa akuzon se drejtori që Rama i ngriti lapidar i implikuar në veprimtari të paligjshme në vitin 2002-2003.

Reagimi i plotë i ish-deputetit Alibeaj

Kush ka patur ndonjë shpresë sado të vogël se Edi Rama do të distancohej nga drejtori i tij i policisë, sot e ka kuptuar se Ardi Veliu dhe Edi Rama janë një.

“Integriteti” i Ardi Veliut, të cilit Edi Rama i ngriti lapidar sot, sqarohet në dokumentin e shërbimit sekret, që gjendet në dosjen e vetingut të Ardi Veliut. Skeda e policit që Rama dashuron, është si me poshtë:

“Në vitin 2002-2003, kur shërbente më policinë e Vlorës, ka qenë i implikuar në veprimtari të paligjshme. Ka qenë i implikuar në lëvizjet klandestine. Ka favorizuar kontrabandën e naftës. Ka ndihmuar një polic për pasaporta fallco”.

Skedës së integritetit të policit ideal të Ramës, i mungon edhe funksionimi si shofer i trafikantit të drogës Klement Balili apo bashkëpunimi me trafikantin tjetër ndërkombëtar të drogës, Agron Xhafaj, prej të cilit mban sot edhe detyrën më të lartë në policinë e shtetit.

Mbrojtja e Ardi Veliut nuk është risi për Edi Ramën. Kështu ka bërë me të gjithë ata që i shërbejnë për pasurimin dhe pushtetin e tij të paligjshëm, nga Vangjush Dako, tek Elvis Roshi, Mark Frroku, Arben Ndoka e deri tek Agim Kajmaku e Valdrin Pjetri.