14.5 C
Tirana
E diel, 4 Maj, 2025

‘Toka e shpresës dhe lavdisë’

Nga MAL BERISHA
Ish-Ambasador në Mbretërinë e Bashkuar

Me rastin e 75 Vjetorit të përfundimit të Luftës së II-të Botërore

Në Ditën e Fitorës mbi Fashizmin në Westminster Abbey (Victory DAY) – 2015 – LONDËR

Sot është shtatëdhjetë vjetori i fitores mbi fashizmin. Në Abacinë e Westminsterit arrijnë njëri pas tjetrit veteranë, pjestarë forcash të armatosura, antarë familjesh pjesmarrëse në Luftën e Dytë Botërore, intelektualë, pjestarë të administratës së lartë të shtetit, antarë të kabinetit qeveritar, deputetë të qeverisë dhe opozitës dhe thuajse të gjithë ambasadorët dhe kryekomisionerët e akredituar në Oborrin e Shën Xhejmsit.

Banda muzikore e Uellsit ekzekuton muzikë të kompozuar nga Davidi i Gurit të Bardhë, balladë nga Filip Spark dhe Elegji nga George Thalben – Ball. Nën tingujt e kësaj muzike në Abaci shfaqet ndërkaq Madhëria e Saj, Mbretëresha Elizabeth e II – të me Dukën e Edinburgut, Princin e Uellsit dhe Dukeshën e Kornuellit. Është një moment solemn nga ato kur e tërë makina protokollare shtetërore e këtij vendi është në funksion të plotë. Me dhjetra stuartë, zonja mondane me kapele, ushatarakë me grada, të rinj që shërbejnë në kishë, pjestar të Protokollit të Shtetit, kanë vënë tëra energjitë në shërbim të kësaj dite solemne.

Abacia dhe Parlamenti

Po përse pikërisht në këtë Abaci do të festohet 70- vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore?!

Arsyeja është e thjeshtë: Ajo gjendet pranë Parlamentit Britanik. Në të prehen eshtrat e thuajse tërë mbretërve anglezë. Aty u mbajt edhe Mesha e Fitores mbi Fashizmin. Aty organizohen Lutjet e Falenderimeve për të mirat që iu ka dhënë zoti britanikëve, bashkë me të huajt. Dita e lutjeve në botën anglo – saksone është një ndër ditët më të shënuara. Ajo festohet në Amerikën e Veriut si një festë që i ka rrënjët në traditën angleze që nga koha e Reformës së Protestantëve. Ajo është në fakt edhe si një festë e të lashtave edhe pse ato merren shumë kohë përpara datës së shënuar që është e enjtja e katërt e Nëntorit të çdo viti. Kjo ditë është bërë e rëndësishme gjatë Reformimit nën mbretërimin e Henrit të VIII – të, si reagim ndaj shumë festave fetare të kalendarit katolik. Përpara vitit 1536 kishte 95 festa fetare në kishë plus 52 të djela në të cilat njerëzit duhej të shkonin dhe të merrnin pjesë, madje edhe të paguanin shtrenjtë për to. Kështu lindi një lëvizje për thjeshtimin e tyre deri në dy ose tre siç janë Krishtlindjet, Pashkët dhe Dita e Falenderimeve. Kjo ditë mori këtë emër pas fitores ndaj Armadës Spanjolle në vitin 1588 dhe u pasua prej vendimit të Mbretëreshës Anne në vitin 1705. Një kremtim i përvitshëm i Ditës së Falenderimeve filloi në vitin 1606 fill pas dështimit të Komplotit të Barutit në vitin 1605.

9 maj 1945 – 2015.

Atë ditë, Kryeminstri Uinston Çurçill, pasi njoftoi publikisht dhe zyrtarisht, nëpërmjet të një transmetimi të drejtëpërdrejtë radiofonik kapitullimin pa kushte të Gjermanisë, vajti në Dhomën e Komunave për t’iu drejtuar antarëve të parlamentit. Që aty ai ndoqi një meshë për t’u falur për arritjen e kësaj fitorje dhe për t’u lutur për shpirtërat e tërë atyre që dhanë jetën. Festimet në Londër dhe në tërë Britaninë e Madhe shpërthyen menjëhërë si një vullkan. Populli u lëshua në rrugë. U zbrazën me mijëra fishekzjarre. Njerëzit të mbytur në lotë gëzimi e dhimbje, këndonin pa ndëprerë këngën:

“Unë nga gëzimi do ndizem i tëri gjer n’agim”.

(Ja një pjesë e refrenit):

“Kur kombet të humbasin ndjesinë e luftës, mjerim!

Dhe bota prapë të kthehet në të mbarin drejtim,

Oh çfarë ditë feste do të jetë ajo atëherë,

Kur trimat të sjellin të paqës’ pranverë!

Dhe vjen koha që dritat të llamburisin pa pushim

Dhe unë nga gëzimi do ndizem i tëri gjer n’agim.”

Në radhën e parë vetëm tre karrige para meje është ulur Mbretëresha Elizabeth e II – të. Sot ajo ka veshur një rrobë tërësisht të zezë përfshi edhe kapelen. E qetë, e bardhë, e përunjur, ajo ndjek me kujdes meshën. Ngrihet dhe ulet sa herë që pastorët e kërkojnë këtë për të tërë meshtarët.

Ajo sivjet mbush vitin e 63 –të që kur ka ardhur në fron dhe e ndjek këtë meshë që kur ishte një vajzë e re dhe e bukur.

Kjo ditë për Mbretëreshën Elizabeth II.

70 vjet më parë ajo ishte Princesha Elizabeth. Nga gezimi i madh i fitores Ajo kishte dalë nga Pallati Mbretëror, pa u vënë re se kush ishte, bashkë me princeshën tjetër Margaret duke u përfshirë në turmat që gëzonin. Ato ishin të shoqëruara nga roje që nuk binin në sy. Në rrjedhë të ditës Çurçilli kishte mbajtur dy fjalime: Të parin në Ëhite Hall nga ballkoni i Ministrisë së Shëndetësisë ai e filloi me fjalët :

“Kjo është fitorja Juaj!”

Ndërsa turma ju përgjigj atij:

“Jo! Është fitorja Jote!”

Më pas në fjalimin e dytë ai e tërhoqi turmën në këndimin e hymnit: Toka e Shpresës dhe Lavdisë e muzikuar nga legjenda e muzikës angleze, Sir Edëard Ëilliam Elgar,

Tokë e Shpresës dhe Lavdisë, o Nënë e Lirisë,

Si ta shpërblejmë ne që na linde, Ti,

Si t’i zgjerojmë kufijtë e tu të pafundësisë,

Si të mbrojmë atë që Zoti të dhuroi me aq dashuri

Dhe fuqinë tënde ta kthejmë në mrekulli!

Që prej asaj kohe në këtë Abaci, fitorja mbi fashizmin përkujtohet çdo dhjetë vjet me një meshë të tillë. Mbretëresha Elizabeth e përkujton atë për të shtatën here si Mbretëreshë.

Një paralele midis “fitimtarëve”

Në këtë ceremoni përkujtimore super të organizuar deri në mikro detaje dhe kaq mbresëlënësë, e pamundur të mos shkojë mendja tek shumë fjalime që janë mbajtur në atë kohë, pikërisht në këtë datë ose edhe në ditë të shënuara si kjo me çlirimin e vendeve nga nazi – fashizmi.

Tek shoh shoh sesi e festojnë britanikët këtë ditë, mendja shtegëton tek vendi im, atje ku luftrat, kujtesa, protagonistët përbëjnë një amulli që venit fitoret dhe zvetënon të vërtetat që duhet të ndriçojnë kombet.

Edhe në Tiranë, në kryeqytetin tim plot histori, një njeri ka mbajtur një fjalim të cilin na e kanë ngulitur në shkollë si një moment patriotizmi. Edhe shqiptarët kanë patur të drejtë të shpërthejnë në festime pas fitores kundër nazi-fashizmit. Kanë patur arësye të ëndërronin për ditë më të mira… Por eh …dallimi është shumë i madh: Nazizmi në Shqipëri u zevendësua me një formë tjetër diktatoriale po aq të keqe për popullin shqiptar. Ndërsa këta këtu e sollën vendin e tyre në lartësitë më të mëdha që ndonjë komb e ndonjë popull ka arritur, Shqipëria ra në duart e një diktature të quajtur e Proletariatit.

Veteranët

I shoh me respekt veteranët britanikë të luftës. Të vjetër, të plakur, por të veshur bukur, të mbushur gjokset me dekorata. Dhe mendja ime prapë më shkon tek mijëra luftëtarë shqiptarë shumë prej të cilëve përfunduan nëpër burgje, kampe, internimi dhe ekzekutime të pashëmbullta. Heronjtë na dolën “tradhëtarë” dhe luftën e paskërkishin bërë armiqtë…

Mesha është përhërë një moment meditimi. Edhe unë sot meditova thellë.

Ndjeva keqardhje.

E dëgjova me endje por jo pa zili

Tokën e Shpresës dhe Lavdisë.

Dhe u luta për vendin tim:

”Kurrë mos pafsh fitimtarë luftërash që të vrasin më shumë se hasmi yt!

Amen!

/ARGUMENTUM/

Operatorët turistikë letër Ramës: Jemi goditur deri në 100% të të ardhurave, të hiqen kufizimet e qytetarëve……

Në një kohë kur sezoni turistik tashmë duhet të kishte nisur, operatorët turistikë në vendin tonë i kanë dërguar një letër kreut të qeverisë Edi Rama, ku i kanë renditur kërkesat e tyre. Unioni Turistik Shqiptar i ka kërkuar kryeministrit Rama që në përgatitje për sezonin turistik, të heqë barrierat që pengojnë ushtrimin e aktivitetit, siç janë kufizimet e lirisë së lëvizjes dhe mos lejimi i hapjes së plazheve dhe më pas hapja e kufirit tokësor për turizmin rajonal.

Ata kërkojnë që deri në fund të muajit Maj të hapet edhe turizmi i organizuar në mënyrë që ky sektor të ketë mundësi të ripërtërihet pas goditjes së dhënë nga pandemia, dhe në mënyrë që të thithë sa më shumë turistë.

Më tej në këtë letër Unioni Turistik Shqiptar shprehet se ka ardhur koha të hiqet fasha e orarit të vendosur për lëvizjet e qytetarëve dhe të rakordohet me vendet kufitare në mënyrë që të hartohet një plan i përbashkët për sa i përket hapjes së turizmit. Në letër thuhet se në rast se kufijtë nuk haper deri në 18 Maj, sektori i turizmit do të goditej rëndë. Më tej ata shprehen se subjektet turistike kanë një rënie nga 90-100% të të ardhurave. Në letër shkruhet se partnerët ndërkombëtar që operojnë me fluturime Charter janë të gatshëm të vijnë duke filluar nga 1 qershori.

“Referuar situatës aktuale, e cila sipas specialisteve konsiderohet me e stabilizuar dhe rënies se virulencës se virusit, ne mendojmë se ka ardhur koha qe të hiqet fasha orari i vendosur për lëvizjen e qytetareve dhe te rakordohet me vendet kufitare në mënyrë qe te hartohet një plan i përbashkët për sa i përket hapjes për qëllime turizmi.

Konstatojmë se në qoftë se nuk hiqen kufizimet e lëvizjes për qytetaret në mënyrë qe te shfrytëzohet turisti vendas dhe së paku nga 18 maj nuk hapen kufijtë me vendet kufitare ky sektor do ndeshet me pasoja shumë të rënda dhe një numër i madh i këtyre subjekteve pritet të falimentojnë”, thuhet në letër ndër të tjera.

A ka vdekur Kim Jong-un? Mediat britanike publikojnë fotot e tij teksa bisedon me sozitë

A ka vdekur Kim Jong-un? Ky spekulim ia doli që të lërë për pak momente mënjanë shqetësimin global për koronavirusin. Spekulimet zgjatën deri në ditën kur agjencia shtetërore publikoi disa foto të Kim Jong-un në një inaugurim.

Por a do të thotë kjo se Kim Jong-un është gjallë? A ishte një sozi që u paraqit përpara koreano-veriorëve? Gazeta britanike Mirror ka publikuar disa pamje, ku duket diktatori teksa flet me sozitë e tij. Pamjet datojnë tre vite më parë, por janë një ilustrim i faktit se diktatori ka mbledhur rreth vetes shumë sozi. Në fakt shumë diktatorë e kanë praktikë që të gjejnë sozitë e tyre.

Në rrjetet sociale nga ana tjetër janë të shumtë ata që po përpiqen të bëjnë krahasime mes fotove të publikuara tani me ato të mëparshmet të diktatorit, në mënyrë që të gjejnë mospërputhje te imazhet. Koreja e Veriut mbetet vendi më i izoluar në planet dhe informacionet që vijnë prej andej janë shumë të pakëta dhe nuk konfirmohen lehtë.

Covid-19/ Ja lehtësimi i masave të lëvizjes duke filluar nga e Hëna

Nga dita e Hënë e javës së ardhshme, pritet një lehtësim në lëvizje i masave kufizuese të marra, sipas autoriteteve, me qëllim parandalim e përhapjes së virusit COVID-19.

Mësohet se nga dita e Hënë, nga ora 5 e mëngjesit deri në 5 e gjysmë pasdite, do lejohet dalja pa qenë i nevojshëm autorizimi, siç ndodh aktualisht. Po ashtu, gjatë këtij orari do lejohet dalja e një personi të shoqëruar nga dy të tjerë, por me kusht që të jenë familjarë.

Pas orës 17:30, do mbyllet lëvizja, siç ndodh aktualisht, me përjashtim të kategorive të personave që punojnë dhe u lejohet lëvizja.

Rama: Nga e hëna e ardhshme do të mbeten vetëm Zonat e Kuqe të përcaktuara në hartën bashkëngjitur, bashkitë Shkodër, Kurbin, Krujë, Durrës, Tiranë dhe Fier, ku do të vazhdojë i njëjti regjim oraresh lëvizjeje dhe rregullash të qarkullimit si deri tani. Këto zona do të blindohen me postblloqe dhe nuk do të lejohet hyrje-dalja e automjeteve të paautorizuara

E gjithë pjesa tjetër e vendit do të jetë e gjelbër dhe qarkullimi ndërqytetas me automjet privat brenda gjithë kësaj pjese do të jetë i lirë, me një regjim orar që do të shtrihet deri në orën 21.00 Për këtë pjesë do të mbeten në fuqi vetëm rregullat që ndalojnë grumbullimin e më shumë se pesë personave, aktivitetet kulturore e sportive të çdo lloji, transportin publik si edhe njësitë ekonomike ende të mbyllura

Këtë fundjavë njësoj si fundjavën e shkuar, në të gjithë vendin do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që kanë autorizim për punë dhe dalja e këmbësorëve do të bëhet me dy fasha: Deri në orën 09.30 vetëm pensionistët dhe nga ora 10.30 deri në 17.30 prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç. Nëse situata me numrat e të infektuarve dhe të të shtruarve në spital vazhdon të jetë e stabilizuar, kjo do të jetë fundjava e fundit me ndalim daljeje për vajzat e djemtë mbi 14 vjeç.

Flet mjeku Ilir Allkja: Komiteti Teknik fantazëm, ishim të papërgatitur për Covid-19, Rama mburret kot…

Bisedoi
Rexhep POLISI

Mjeku Ilir Allkja i njohur tashmë për kurajon e denoncimit të mungesës së veshjes speciale të mjekëve, të cilët shkonin të merrnin dhe të dërgonin tek Infektivi pacientët e dyshuar si të prekur me Covid-19 shprehet se, pas këtij denoncimi ka patur reagime të ashpra nga drejtuesit, por një mbështetje të madhe nga opinioni publik.

Në një intervistë për gazetën “RD”, Allkja flet për përballimin e situatës së koronavirusit, marrëdhëniet me kolegët dhe pacientët, për Komitetin e Ekspertëve, si dhe për sulmet që mori nga kreu i Urgjencës Kombëtare pse kërkoi veshje speciale për mjekët.

Njëkohësisht ai iu përgjigj edhe kryeministrit, i cili e sulmoi mjekun edhe mbrëmë gjatë intervistës me gazetarin Çim Peka në “SyriTv”. Allkja shprehet ndër të tjera se, “një foto e imja me veshje speciale, nuk justifikon nisjen dhjetëra herë pa këtë veshje nëpër raste të dyshuara, por as nuk e justifikon dot menaxhimin e dobët të situatës së epidemisë nga qeveria”!

-Doktor Iliri, ju jeni një nga mjekët ndodheni vijën e parë të “luftës” ndaj koronavirusit, a mund të na thoni si nis dita juaj e punës?

-Unë bashkë me kolegët e mi, ish-urgjenca e Tiranës jemi stafi Urgjencës së Spitalit polivalent të QSUT. Puna jonë konsiston në asistencën mjekësore jashtë spitalit, në vend-ngjarje, në rrugë, punë, shtëpi. Ne asistojmë nga aksidentet rrugorederi tek dhimbjet e gjoksit (infarktet) apo probleme të tjera kërcënuese ndaj jetës. Gjatë periudhës së pandemisë jemi angazhuar në transportin e të sëmurëve të dyshuar me COVID-19 si dhe atyre të konfirmuar të sëmurë nga ky virus. Realisht jemi kontakti i parë i çdo njeriu që është në rrezik për jetën. Jemi vija e parë e mbrojtjes së jetës, për pasojë jemi edhe më të ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme si infeksionet, kushtet e papërshtashme të dhënies së ndihmës, etj.

-Si janë marrëdhëniet tuaja me eprorët?

-Shërbimi jonë ka dy shtylla kryesore, administratën qeveritare dhe stafet mjekësore.

Administrata është një kastë burokratësh të cilët merren me politikat e shërbimit si dhe me financimin. Stafet janë të varura nga administrata, është e pashmangshme. Hera herës të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për dështimet.

Unë do të kritikoja dministrimin, pasi prej andej pres përmirësime, ashtu si edhe eprorët kanë gjithë të drejtën të kritokojnë ne, që japim shërbimin karshi njerëzve në nevojë!

Qoftë si fillim, qoftë si përfundim demokraci do të thotë të kritikosh sistemin, të shfaqësh ide, përmirësime e madje edhe të kundërshtosh, paçka se burokratët duan vetëm lavde dhe jo kritika.

-Si e shikoni përballimin e Covid-19 nga ana e qeverisë?

– Dua të kthehem rreth 6 muaj mbrapa. Personalisht mendoj se strukturat e emergjencave civile dhe mjekësore nuk ishin të përgatitura për kriza si tërmeti i 26 nëntorit dhe aq më pak akoma për epideminë e COVID-19! Dua të shtoj se për epideminë u gjunjëzuan edhe vende me sisteme shumë më solide se sa Shqipëria, por krahasuar me numrin e rasteve për 1 mijë banorë ne mbesim në klasë.

Nëse kujtojmë 26 nëntorin, të gjithë i kemi para syve imazhet e njerzve që lënguan me orë të tëra e dhanë shpirt nën gërmadha, pa u ndihmuar dot, ndërsa ‘specialistët’ e emergjencave që rrinin përballë rrënojave duarbosh, pa mjetet bazë të shpëtimit, pa krikat, pa veshjet, pa kamerat termike, pa qentë e kërkimit, madje pa doreza, e me plot mangësi të tjera. Kjo ishte rrënqethëse për Shqipërinë e viteve 2020!

Qeveria gjithsesi u mburr për menaxhimin ‘perfekt’ të krizës, dhe ne populli jemi mësuar tashmë me fasadën e ‘suksesshme’, por mashtruese dhe gjendjen mizerie.

Në qoftë se kujtojmë kohën kur COVID-19 po gjunjëzonte Italinë, nëpët televizione ‘specialistët’ e qeverisë mezi prisnin që të vinte në Shqipëri epidemia e COVID-19, se gjasme aq të përgatitur ishin për të na mbrojtur.

Në fakt, me mungesat e theksuara, me pajisjet e skaduara që qeveria pajisi mjekët, mua më solli në mend monsieur Thenardieu, një personazh i pashpirt të Hygoit, i cili në kohë lufte vidhte luftëtarët e plagosur.

Kemi parë e dëgjuar për çmime tejet të larta që qeveria blen maska, doreza, material dezinfektimi, ndërkohë që nuk kanë asnjë datë prodhimi apo skadimi, që do të thotë të dyshuara si të pasigurta.

-A funksionon Komiteti Teknik i Ekspertëve?

-Për opinionin tim është një komitet fantazëm! Përbërja dhe lidershipi i Komitetit Teknik të Ekspertëve u bë e njohur për publikun më datë 7 maj 2020, shumë kohë pas formimit. Ne kemi gjithë të drejtat të dyshojmë nëse ka ekzistuar realisht ky komitet, apo politikat e vendimet i prodhonte një njeri i vetëm, kryeministri i vendit!

-Çfarë nuk ka funksionuar mirë, sipas jush?

-Unë nuk jam epidemiolog, por do të gjykoj në kufijtë e profesionit dhe detyrës që bëj.

Çentralizimi i informacionit nëpërmjet njësisë 127 për mua ishte gabim, ose është kryer me qëllim të qartë ndoshta. Kontakti i parë i personave që kishin simptoma apo dyshoheshin të kishin koronavirus u la numri i telefonit 127 dhe jo mjeku i familjes.

Kjo së pari solli çorientim dhe panik në popull, por edhe mbingarkesë në njësinë operative 127 e cila ndoshta mund të ketë kapacitete virtual për marrjen e qindra apo mijëra telefonatave, por ka kufizime në burime njerëzore, sidomos në staf të trajnuar. Numri i punonjësve në sallë ishte i vogël në krahasim me telefonatat në pritje. Një telefonuesi i është dashur të presë mbi 30 minuta në linjë dhe ndodhte që telefonuesit lodheshin në pritje dhe hiqnin dorë së kërkuari ndihmë në numrin 127.

-Si mendoni ju, pse e gjithë përgjegjësia iu ngarkua Urgjencës Kombëtare për përballimin e pandemisë, ndërsa u shmang mjeku i familjes?

-Uroj të ketë qenë një keqmenaxhim, keqkëshillim! Është fakt që numri i operatorëve në sallën e njësisë së koordinimit të Urgjencës Kombëtare është shumë herë më i ulët se sa 1600 mjekë të familjes, por operatorët e njësisë së koordinimit në shumicë janë infermierë dhe shumë pak mjekë.

Në gjithë botën, nga Alaska deri në Tibet, mjeku i familjes njoftohet i pari, si person që jo vetëm që njeh gjendjen e përgjithshme shëndetësore, por edhe ka vëzhguar më për së afërmi pacientin. Mjeku i familjes ka një rol të rëndësishëm dhe primar në shëndetësi; prandaj quhet shërbimi parësor. Ndërsa një operator i 127 është maksimumi një infermier, i cili shpesh nuk ka asnjë përvojë reale pune me të sëmurët përveç asaj nga telefoni.

Mjeku i familjes ka ndjekur e menaxhuar me sukses gjithë epidemitë deri më tani, përse duhej që të anashkalohej në rastin e epidemisë së COVID-19?!

Mjeku i familjes është në gjendje të përcaktojë diagnozën e të gjitha sëmundjeve dhe t’i ndjekë e t’i mjekojë ato vetë, ndërsa operatorët e 127 nuk kanë asnjë qasje me pacientin, maksimumi që mund të bëjnë është të dërgojnë një ekip mjekësor tek pacienti. Por ekipet e mjekëve që monitorohen nga 127-ta janë të papërfillshëm në krahasim me mjekët e familjes. Në rrethin e Tiranës ka maksimumi 7 ekipe të lëvizshme me mjekë për turn, ndërsa mjekë familje ka mbi 450 dhe mbi 1600 të tillë në të gjithë Shqipërinë! Mjeku i familjes ka për detyrë që në raste urgjencash, të shkojë të bëjë vizitën mjekësore në shtëpinë e pacientëve. Përse duhej të shmangej?!

-Si janë marrëdhëniet mes mjekëve dhe pacientëve?

-Mes mjekëve e pcientëve marrëdhinet janë të tronditura. Realisht ka një klimë mosbesimi. Kontribut në këtë klimë kanë padyshim politka, burokracia shtetërore, por edhe media. Nuk përjashtoj edhe sjelljen e papërshtatshme të ndonjë kolegu që keqpërdor profesionin.

Por më thoni ju, a ka mjekë të korruptuar apo politikanë të korruptuar më shumë?

Të gjithë e kanë parë standartin që trajtohen mjekët, për një kallëzim të çfarëdoshëm mjekët kanë përfunduar në pranga, ndërsa asnjë politkan nuk ka përfunduar në pranga pavarsisht denoncimeve për miliona të grabitura.

-Doktor, në ditët e para të luftës ndaj koronavirusit ju denoncuat publikisht mungesën e paisjeve të mjekëve, ndërsa pushteti u hakmorr duke ju pushuar nga puna, ndërkohë pas dy ditësh u riktheu përsëri pas presionit të opinionit publik, a mund të thoni diçka çfarë ndodhi konkretisht?

-Realisht unë denoncova trizhimin aspak profesional dhe nisjen në urgjencë të pacientëve të dyshuar për sëmundje infektive, me kod kardiak, neurologjik, gastroenterologjik, ndërkohë që simptoma (shenja) kryesore e pacientëve ishte temperatura e kolla, shenja që të bëjnë të dyshosh për COVID-19. Rrjedhimisht na nisnin pa veshjen speciale mbrojtëse.

Nuk jam i qartë nëse ky ishte keqmenxhim apo mungesë veshjesh speciale.

Siç dhe e ka vërtetuar vetë drejtori i Urgjencës Kombëtare, me zë dhe figurë në deklaratën e tij më datë 21 prill, në faqen e QKUM (minuta e 9-të e videomesazhit të tij) ishte ky që kishte porositur përgjegjësin tim që unë të pezullohesha.

U riktheva në punë sepse pezullimi im ishte i paligjshëm dhe se në Drejtorinë e QSUT nuk kishte asnjë urdhër pezullimi apo pushimi. Gjithçka e kishte porositur drejtori i Urgjencës Kombëtare.

 -Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Brataj arriti deri aty sa të përdorte sulme personale ndaj jush duke përdorur edhe mediat pranë qeverisë, ndërsa ju nuk patët asnjë reagim, pse?

-Personalisht megjithëse nuk kam patur asnjë njohje me Bratajn, e kam përshëndetur ardhjen e tij në krye të Urgjencës Kombëtare pasi besoja që meqenëse kishte punuar disa vite si paramedikal në Torino, Itali do të kish marrë disi nga kultura perëndimore e punës dhe do ta aplikonte këtu.

Unë jam sulmuar në mënyrë të paprinciptë prej tij vetëm sepse kam kritikuar lidershipin, organizimin dhe funksionimin e Urgjencës. Del që është i pazoti që të pranojë mendimin ndryshe e sidomos një zë kritik. Kaq!

 -Kryeministri ju përmendi sërish mbrëmë gjatë intervistës me gazetarit Çim Peka, në Syri Tv, cili është reagimi juaj?

-Dua të sqaroj për të dhjetën herë se, unë kam denoncuar rastet që më kanë nisur pa veshjen speciale në rastet e pacientëve të dyshuar për COVID-19.

Një foto e imja me veshje speciale, nuk justifikon nisjen dhjetëra herë pa këtë veshje nëpër raste të dyshuara, por as nuk e justifikon dot menaxhimin e dobët të situatës së epidemisë nga qeveria!

Videomesazhi im është i qartë dhe i thjeshtë, por kryeministri i vendit tim nuk ka veshë, ka vetëm gojë, si krokodili…

-Faleminderit doktor!

-Faleminderit ju për hapësirën që më jepni në gazetën ”RD”!

Publikohet dokumenti: Afera 30 milionë euro që shpërfytyroi Ramën mbrëmë në “Syri Tv”

Intervista e mbrëmshme e kryeministrit Edi Rama në “Syri Tv” pati disa momente kulmore.

Por në një moment, Rama jo vetëm shmangu përgjigjet, por doli jashtë kontrollit për shkak të një dokumenti që rrëzon të gjithë strategjinë e koncesioneve, sidomos kur bie fjala te inceneratorët.

Në dokumentin për inceneratorin e Elbasanit shihet se si dy persona kanë marrë tenderin 30 milionë euro dhe më pas e kanë rishitur kontratën e tyre për 15 milionë euro.

Një fitim i përbindshëm, kur mendon se për të hyrë në garë atyre iu është kërkuar vetëm një depozitë nga 1 mijë dollarë.

Dokumentin e ka publikuar kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi.

“Ja pse u shfytyrua Rama për aferën e inceneratorëve! I ka dhënë 30 milionë euro nga buxheti i shtetit (para publike) 2 sekserëve të PS me duar në xhepa për të ndërtuar incenerator me çelësa në dorë, dhe brenda 2 javësh kanë gjetë italian që ta ndërtojë për 15 milionë euro me çelësa në dorë. Dhe nuk dihet nëse italianët kanë gjetur ndonjë kinez ta ndërtojë për veç 3 milionë euro!!! Vjedhje 15 milionë euroshe për 2 javë. Veç kjo foto mjafton që SPAK të veprojë”,shkruan Malltezi.

Dokumenti/ Artur Bushi tender 25 milionë lekë për ruajtjen e buldozierit!

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar një tjetër skandal të kryebashkiakut të Ramës për Krujën, Artur Bushi.

Berisha shkruan në një postim në Facebook se, Artur Bushi ka bërë një tender prej 25 milionë lekësh për ruajtjen e buldozierit të bashkisë Krujë!

Postimi i ish-Kryeministrit Berisha

Artur Bushi, njeriu qe mbushi Krujen me kanabis nuk ngopet kurre!

Ketu me poshte keni tenderin e tij prej 25 milione lekesh per ruajtjen e buldozierit te bashkise Kruje! KÇK, kap ç’te kapim! Ndryshe, vidh ç’te mundemi! sb

Zbardhet biseda mes kancelares Merkel dhe Papës

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Papa Françesku diskutuan të enjten efektet që ka pasur në botë pandemia e koronavirusit dhe ranë dakord për nevojën që të ndihmohen vendet më të varfra, tha zëdhënësi i Merkelit.

“Biseda u përqëndrua në situatën humanitare dhe politike gjatë pandemisë dhe rëndësinë e solidaritetit në Evropë dhe në botë”, tha zëdhënësi Steffen Seibert përmes një deklarate.

“Të dy ishin të një qëndrimi, se gjatë pandemisë, duhet përkrahur në veçanti vendet më të varfra në botë”, shtoi ai.

Merkel, e ka ftuar Papa Françeskun të vizitojë Gjermaninë, sapo të lejojnë rrethanat.

Më 1 maj, edhe sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka ngritur shqetësimin për mungesën e ndihmës për vendet e varfra.

Guterres ka thënë në një konferencë për media se bashkësia ndërkombëtare ishte e ndarë në momentet më të rëndësishme të luftimit të koronavirusit.

“Ekziston një shkëputje midis udhëheqjes dhe pushtetit. Ne shohim shembuj të mrekullueshëm të udhëheqjes, por ato zakonisht nuk shoqërohen me pushtetin. Dhe, ku ne shohim pushtetin, ndonjëherë nuk shohim udhëheqjen e nevojshme”, ka thënë Guterres./REL

Mesazhi i ndjerë i Berishës: Drita u shua për Maks Velon!

Miq, Maks Velo, piktori dhe arkitekti i mirenjohur, intelektuali i shquar qe sakrifikoi vite ne burgjet e diktatures per te qene vetja e tij mbylli syte pergjithmone.

Me kete rast shpreh ngushellimet me te ndjera familjes, miqve dhe te afermve te tij dhe lutem qe shpirti i tij te gjeje paqen e merituar. Ngushellime! sb

Shtyhen zgjedhjet në Universitete, pas reagimit të pedagogëve e studentëve

Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka vendosur për shtyrjen e zgjedhjeve në Universitete. Vendimi është marrë pas kontestimeve të shumta që janë bërë nga ana e studentëve dhe pedagogëve, që zgjedhjet nuk mund të mbahen në kushtet e pandemisë.

“Data e zgjedhjeve për organet drejtuese të IAL-ve shtyhet deri në një moment të dytë kur mund të sigurohet pjesëmarrje më gjithëpërfshirëse e studentëve”, deklaron Shahini, ndërsa thekson se “Procesi përgatitor i zgjedhjeve duhet të vazhdojë në mënyrë që IAL-të të jenë gati të fillojnë fushatën zgjedhore menjëherë pas shpalljes së datës”.

“Shpresoj që ky urdhër të mundësojë kthimin e vëmendjes së udhëheqësve të arsimit të lartë publik tek planifikimi i mbylljes së suksesshme të vitit akademik për studentët. #PaktiPërUniversitetin”, mbyll njoftimin e saj Shahini.

Zgjedhjet për drejtuesit e rinj të universiteteve publike ishin kthyer në një debat për shkak të pamundësisë së studentëve për të marrë pjesë në këto zgjedhje, pasi sipas urdhrit të Ministrisë së Arsimit, fushata duhet të niste më 11 maj dhe zgjedhjet të mbahen më 12 qershor.

Ekspertët dhe Universiteti i Tiranës kanë dalë kundër këtij vendimi, ndërsa ditën e sotme pati dhe një padi ndaj ministres Shahini nga ana e Qendresës Qytetare.