37.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Nis protesta në në Lushnje: “Për ju është pandemi, për ne është panhajni”

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka vijuar me turin e takimeve në kuadër të peticionit për mbledhjen e firmave që të ringrihet Teatrit ashtu siç ishte. Pas, Shkodrës, Kukësit, Matit dhe Lezhës, destinacioni i radhës është Lushnja.

Qytetarët janë mbledhur para qendrës së artit “Vaçe Zela” në qendër të qytetit të Lushnjes. Kanë nisur të merren firmat e qytetarëve ndërkohë që vihen re qartë pankartat e krijuara.
Një prej tyre mban fotografinë e Ramës nën logon e virusit Cóvid-19 dhe shkruan: “Për ju është pándemi, për ne është panhajni”. Ndërkohë, në përfundim të mbledhjes së firmave, Aleanca për Teatrin ka paralajmëruar se do të mbajë protestë madhështore në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Shqipëria si Korea e Kimit, shembulli…

Në Shqipëri do të ndalohet qarkullimi i makinave private ditëve të diela.

E tha KM Rama, duke i gjetur edhe një sebep, ruajtjen e ambientit, por vetëm të dielën ama.

Po merremi me këtë deklarim në Facebook të KM, se nuk jemi në dijeni se sa ka avancuar kjo nismë në planin legal, pra vendime Qeverie, projektligje apo ndryshime të Kodit Rrugor.

Sidoqoftë, duke pasur parasysh faktin që në vendin tonë, këto deklaratat në Facebook janë më të rëndësishme edhe se shumë vendime apo mbledhje të institucioneve të larta të shtetit, ia vlen të themi nja dy-tri fjalë edhe ne, si të specializuar që jemi në fushën e makinave. Dhe, për më tepër, kemi këtë obligim në radhë të parë për automobilistët, dashamirësit e automobilizmit, por edhe më gjerë për qytetarët që janë përdorues të rrugës e jo vetëm të dielën, por çdo ditë të javës.

Klubi i Automobilit në Shqipëri, në përfaqësim edhe të Federatës Ndërkombëtare të Automobilit, ka qenë ndër promovuesit e parë dhe më konsekuent në nxitjen e politikave të sigurisë në rrugë, si në uljen e numrit të aksidenteve e veçanërisht fataliteteve në rrugët e vendit, por veçanërisht në kërkesat specifike në përmirësimin e legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit dhe të ajrit që qytetarët thithin në rrugët ku ata lëvizin.

Në botën ku jetojmë dhe që tentojmë gjithmonë e më shumë t’i përafrohemi, liria e individit nuk mund të perceptohet pa lirinë e lëvizjes. Edhe në kohët e pandemisë që po jetojmë, në të gjitha vendet demokratike, një nga temat më të debatuara ishte se sa i drejtë ishte dhe sa rrezik përmbante për rendin demokratik, ky kufizim që po u bëhej qytetarëve, duke i privuar nga aktiviteti i tyre normal.

Por, në asnjë rast prej këtyre vendeve, nuk u pengua lëvizja me makinën private, duke e vlerësuar atë si prekje në themel të së drejtës së privatësisë dhe cenim i lirisë së individit, sa kohë që qëndrimi në makinën e vet nuk rrezikonte infektimin e tij. Po e kufizuan vërtet këtë lëvizje, me makinë apo motor, në një distancë apo zonë që respektonte lockdown-in mbarëkombëtar për mospërhapje virusi.

Dhe kjo, sigurisht në vlerësim edhe të sigurisë së shëndetit e jetës së individit, që në kushtet e pandemisë, të mund të zgjidhte problematikat personale me mjetin e tij, pa u detyruar të përdorë transport publik, i cili konsiderohet si shumë më i rrezikshëm në kuptimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Nuk qe e tillë qasja në Shqipëri, se ne nuk jemi si gjithë dynjaja.

Por kjo e mbylljes së makinës të dielave në Shqipëri, me sebepin e pastrimit të ajrit, është përtej çdo parashikimi dhe kalon çdo arsye njerëzore.

Në botën e qytetëruar, kërkesat për mbrojtjen e mjedisit kanë filluar të rregullohen me legjislacionin adekuat e përkatësisht për automobilin që nga fillimet e viteve 90’ të shekullit të shkuar, koha kur për koincidencë, Shqipëria sapo rinisi historinë me automobilin, pas një ndërprerje gati pesëdhjetëvjeçare.

Ky legjislacion në Europë njihet me normat Euro kundër ndotjes së mjedisit dhe që në vitet 90’ filloi me normën Euro 1 dhe synonte uljen e përmbajtjes së oksideve të karbonit në gazrat e daljes nga djegia e karburantit të motorëve të automjeteve. Në bazë të këtyre normave, mjetet që lejohen për qarkullim në territorin e një vendi detyrohen të respektojnë këto nivele të fiksuara të ndotjes së ajrit. Sot, në Europë, kemi arritur nivelet e normave Euro 6, dhe këtu bëhet fjalë jo vetëm për uljen e përmbajtjes së oksideve të karbonit, por veçanërisht të atyre të azotit dhe të grimcave të imta të pluhurit, që vlerësohen së fundi si shumë të rrezikshme për jetën e mirëqenien e popullatës.

Pas shumë përpjekjesh, e këtu Klubi i Automobilit ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë, më në fund në Shqipëri, vitin e shkuar u adoptua për herë të parë një legjislacion kufizues, bazuar në këto norma, të cilat, për të thënë të vërtetën, janë ende mjaft larg atyre që pretendohen si mbrojtëse.

Legjislacioni ynë nuk shkon përtej atij të vitit 2004 të Europës, duke vazhduar të lejojë hyrjen në Shqipëri të mjeteve me vjetërsi mbi 15-vjeçare. E këtu, do të duhet të theksojmë se, me këtë legjislacion ne përsëri mbetemi mbrapa edhe shumicës së vendeve afrikane, të cilat në masën dërmuese kanë zbritur në vjetërsi të lejuar jo më të madhe se 5 vjet (Maroku) dhe deri në 10 vjet (Mali, një vend ku në një të tretën e territorit ka luftë civile).

Për t’u theksuar këtu që, një harmonizim me Kosovën, e cila ka vendosur kufi vjetërsie për importin e mjeteve të përdorura në 10 vjet, do të ishte domosdoshmëri.

Kjo ka qenë dhe mbetet mënyra demokratike dhe reformuese për mbrojtjen e mjedisit dhe ajrit që qytetarët thithin në Europë, e cila është kopjuar për të qenë të saktë edhe nga vende jodemokratike. Ajo ka çuar, në mënyrë graduale dhe pa sforcim për automobilistët, në përmirësimin e flotës së makinave në qarkullim nga pikëpamja ekologjike, duke ju përmirësuar kësisoj edhe ajrin për qytetarët, si për ata që kanë apo përdorin makinë, edhe për pjesën tjetër që nuk përdorin mjete motorike. Nuk është e rastësishme që u nxit kështu prodhimi i automjeteve me motor elektrik e bateri, që po merr gjithmonë e më shumë shtrirje në mbarë botën.

Ky është sugjerimi i Klubit të Automobilit, i frymëzuar e mbështetur nga Federata Ndërkombëtare e Automobilit që, nga ana e saj, ishte edhe një nga promotorët e përdorimit të automobilave elektrike deri edhe në krijimin e eventit sportiv Formula E, i ngjashëm me më të famshmin Formula 1, por me makina garash tërësisht elektrike dhe me performancë të ngjashme me ato me motorët tradicionalë.

Këtë rrugë do të sugjeronim edhe ne për qeverinë tonë, që të përzgjidhte një reformë të menduar e afatgjatë, e cila do të garantonte progres të sigurt në këtë fushë të rëndësishme për shëndetin e qytetarëve të vendit dhe jo me variantin e marifeteve të vogla e afatshkurtra.

Varianti i shpallur i të dielave me makinë të parkuar mund të duket idilik, por është absolutisht pa asnjë vlerë qoftë, edhe për objektivin e shpallur e që pretendon se do të arrijë.

Nëse do të nisemi nga ky objektiv parësor, pra i ndikimit e përmirësimit në ajrin e qyteteve, do të duhet të mbajmë parasysh se ky ajër ndikohet veçanërisht në Tiranë e qytetet e tjera të mëdha të vendit, në ditët e javës, kur aktiviteti e qarkullimi i automjeteve është më i lartë, si për efekt ekonomik, edhe për atë të lëvizjes së fëmijëve vajtje-ardhje në shkolla. E diela është një ditë kur ajri i qytetit e vuan më pak ndotjen, sepse automjetet private lëvizin në rrugë jashtë qytetit e jo brenda tij dhe, pjesa më e madhe e mjeteve të punës nuk janë në qarkullim për uljen e aktivitetit ekonomik që ndodh në këtë ditë që respektohet si ditë pushimi.

Ky është një fakt dhe të dhënat e detajuara për sa thamë, Qeveria i verifikon lehtësisht, qoftë edhe me ata pak aparatet e matjes së ndotjes në dispozicion, por edhe nga informacionet që merr nga dhjetëra burime të tjera.

Në gjykimin tonë, e diela me makina të parkuara, dëmin më të madh e shkakton duke mbajtur të bllokuar e mbyllur njerëz, të cilët të dielën e kanë ditën e vetme të pushimit dhe në këtë ditë, realizojnë ëndrrën e javës për të kaluar disa orë të këndshme me familjen, por edhe në shoqërinë e të afërmve apo miqve të tyre. E, në kushtet e vendit tonë, me transport urban e ndërurban mizerabël, ua bën këtë, thjesht të pamundur.

Kjo masë kufizuese është veçse një heqje e një shkalle lirie për qytetarët e vendit. Ajo do të ishte me pasoja, jo vetëm ekonomike për një vend të bukur, me diell e det, me një numër të madh njerëzish që e bazojnë mirëqenien e tyre në aktivitetet e hoteleri-restoracion, por edhe një goditje e rëndë për pavarësinë e lirinë e individit, në një shoqëri që ka kaluar rreth gjysmëshekulli diktaturë të dhunshme e, që vetëm tridhjetë vjet më parë, e kishte mungesën e makinave private shprehjen e vet emblematike, si asnjë vend tjetër i botës.

E diela pa makina do të ishte një kthim mbrapa në demokraci.

Kjo është thjesht një përpjekje që të dielave, ne të jemi një ditë të javës, …si Koreja e Kimit.

Ashpërsohet beteja mes SHBA dhe Kinës, vajza e themeluesit të Huawei do të ekstradohet në SHBA

VANKUVER/TORONTO (Reuters) – Meng Wanzhou, shefja kryesore e financave të kompanisë kineze Huawei Technologies, u përball me një pengesë nga një gjykatë kanadeze të mërkurën ndërsa ajo përpiqet të shmangë ekstradimin në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për mashtrime bankare, duke i zbehur shpresat për përfundimin e arrestit të saj 18-mujor në shtëpi në Vankuver.

Vendimi, i cili mund të përkeqësojë marrëdhëniet midis Otavës dhe Pekinit, nxiti një reagim të menjëhershëm të fortë nga ambasada e Kinës në Kanada, e cila tha se Kanada është “bashkëpunëtore e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të rrëzuar Huawei dhe kompanitë e teknologjisë së lartë kineze.”

Meng, një qytetare kineze dhe vajza e themeluesit të kompanisë Huawei, miliarderit Ren Zheng, u arrestua në dhjetor të vitit 2018 me një urdhër të lëshuar nga autoritetet amerikane. Ata e akuzojnë atë për mashtrim bankar për informacionet e dhëna ndaj bankës HSBC në lidhje me marrëdhëniet e Huawei me një kompani që operon në Iran, duke e vënë HSBC në rrezik gjobash për shkeljen e sanksioneve amerikane ndaj Teheranit.

Skandali në Twitter pas postimit të Trump, vjen kundërpërgjigja: Kush censuron…

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të nxjerrë një urdhër ekzekutiv për rishikimin e një ligji, i cili prej kohësh mbron kompanitë Twitter, Facebook dhe Google që ato të mos mbajnë përgjegjësi për materialin e postuar nga përdoruesit.

Njoftimi vjen pasi kërcënimeve të Presidentit se do të mbyllte faqe të caktuara interneti që ai i akuzon se po mbysin zërat konservatorë.

Dy ditë më parë zoti Trump u përfshi në një debat me kompaninë e rrjeteve sociale Twitter, kur ajo vendosi t’u shtojë shënime tweeteve të Presidentit rreth pretendimeve të tij, të pa mbështetura në fakte, për manipulime në votimin me postë.

Kompania u kishte shtuar tweeteve të presidentit një paralajmërim, ku i nxiste lexuesit të kontrollonin faktet.

Urdhri ekzekutiv do t’i kërkonte Komisionit Federal të Komunikimit të propozojë apo sqarojë disa rregullore të kapitullit 230 në Ligjin për Komunikimin e Qytetëruar, sipas të cilave platformat e internetit nuk mbajnë përgjegjësi ligjore për materialin që postojnë përdoruesit e tyre.

Ndryshime të tilla mund t’i ekspozojnë kompanitë e teknologjisë ndaj padive të reja ligjore.

Në projekt-urdhrin ekzekutiv i kërkohet Komisionit Federal të Komunikimit të shqyrtojë nëse veprimet të cilat lidhen me ndryshimet që kompanitë e mediave sociale vendosin t’i bëjnë përmbajtjes së postuar në platformat e tyre, duhet të çojnë në humbjen e mbrojtjes që ato gëzojnë sipas kapitullit 230 të ligjit.

Projekt-urdhri i kërkon gjithashtu agjencisë në fjalë të shqyrtojë nëse një platformë e medias sociale përdor praktika mashtruese për të ndryshuar përmbajtjen e postuar dhe nëse këto praktika nuk janë në përputhje me statutin e saj.

Në projekt-urdhër thuhet se Zyra e Strategjisë Dixhitale pranë Shtëpisë së Bardhë do të ngrejë një mekanizëm për të ndihmuar qytetarët të raportojnë raste të censurës në internet.

REAGIMET

Shefi ekzekutiv i firmës Twitter Jack Dorsey tha në faqen e internetit të kompanisë se tweetet e presidentit “mund t’i bëjnë njerëzit të mendojnë gabimisht se ata nuk kanë nevojë të regjistrohen për të marrë një fletëvotimi me postë. Synimi ynë është të sqarojmë deklarimet konfliktuale dhe të japim informacionet për të cilat ka debate, në mënyrë që njerëzit të mund të gjykojnë vetë.”

Steve DelBianco, president i NetChoice, një grup komercial që ka në klientelën e tij edhe kompanitë Twitter, Facebook dhe Google, tha se “presidenti është duke shkelur Amendamentin e Parë të Kushtetutës, duke kërcënuar të drejtat themelore të fjalës së lirë për platformat e mediave sociale”. Ky hap i administratës “i nxit qeveritë e huaja të kontrollojnë lirinë e shprehjes në internet,” tha ai në një deklaratë të enjten.

Fasonët drejt falimentimit, rrezikohen mijëra vende pune, Basha jep alarmin nga Fushë-Kruja

Kreu i PD, Lulzim Basha pas Krujës është ndalur dhe tek fasoneritë e Fushë- Krujës për të bashkëbiseduar e pronarët dhe punonjësit për përballimin që ky sektor i bëri pandemisë.

Basha thotë se qeveria iu vetëm nuk ka dhënë asnjë ndihmë për këtë sektor duke rritur ndjeshëm papunësinë, por ulja e kërkesës në treg mund të sjellë falimentimin e këtij sektori.

STATUSI I LULZIM BASHËS

Qytetarët po zhyten çdo ditë e më shumë në varfëri. Edi Rama nuk ka respekt për punën dhe as për ndershmërinë sepse ai nuk ka hallin e shqiptarëve por të oligarkëve.

RAMAVIRUSI ka prekur rëndë biznesin fason në Shqipëri. Punonjësit dhe pronarët e disa fasonerive në Fushë-Krujë ndanë shqetësimin dhe ngritën alarmin që lënia pa ndihmë e këtij sektori përveç rritjes së ndjeshme të papunësisë si pasojë e uljes së kërkesës së tregut për produkte, po e çon drejt falimentimit këtë sektor kaq jetik për shumë familje të kësaj zone.

Si pastrohen paratë, kulla me 25 kate do ngrihet nga kompania që ka 5.7 milionë euro detyrime, fitimi 120 milionë euro

Qendra e Tiranës rreth e qark sheshit “Skënderbej” po kthehet në një zonë me ndërtesa të larta, dendësia e të cilave, nuk i përgjigjet shtysave të tregut ku kërkesa që rrjedh nga bumi ekonomik do të çonte vetvetiu në ndryshime kaq të hovshme.

Në anë të Hotel Tiranës në vend të ndërtesës monument kulture ku nisi fillimisht të funksionoje Banka e Shtetit Shqiptar do të ngrihet një kullë 25 katëshe që imiton bustin e heroit kombëtar, Skënderbeut.

Projekti i kullës, i quajtur “Tirana’s Rock” është publikuar nga Portali Shqiptar i ndërtuesve, por objekti ka marrë edhe miratimin e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit. Këto ditë janë prishur objektet ekzistuese për t’i lënë vend kullës së radhës.

Objekti, i cili ngrihet mbi një parking nëntokësor 5 katësh, konsiston në rreth 29,300 metër katror ambiente tregtare, zyra dhe njësi banimi. Apartamentet përbëjnë pjesën kryesore të projektit. Ndërsa ambientet tregtare do të jenë të aksesueshme nga ana e sheshit Skënderbe.

Trualli ku do të zhvillohet projekti që propozohet, kufizohet nga rruga e “DIBRES” që ndodhet në Jug, Unaza e Vogël në Veri. Trualli është pjesë e zemrës së qytetit të Tiranës.

25 katëshi është projektuar nga studio holandezë MVRD për llogari të kompanisë së ndërtimit Ana shpk.

Kompania ANA është krijuar në vitin 2003, me aktivitet në import-eksport, sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Kompania kishte rreth 38 milionë lekë të ardhura në vitin 2018 (rreth 312 mijë euro), me një përgjysmim në raport me vitin e mëparshëm, sipas bilancit zyrtar.

Totali i kapitalit të kompanisë është rreth 850 mijë euro. Detyrimet totale janë 5.7 mln euro (1.4 mln euro kredi dhe pjesa tjetër kryesisht arkëtime në avancë për porosi), çka bën që raporti detyrime/kapital të jetë 6.7, shumë më i lartë se mesatarja prej 0.5-1, që preferojnë bankat për të dhënë kredi.

Në kahun e aktiveve (total 6.5 mln euro), kompania ka aktive afatgjata në formën e makinerive dhe pajisjeve me vlerë rreth 3 mijë euro, ndërsa pjesa më e madhe e aktiveve janë të drejta të arkëtueshme dhe shpenzime të shtyra (shih bilancin në fund).

Nuk ka një vlerë se sa do të jetë investimi për ndërtimin, por sipas të dhënave sipërfaqja e ndërtimit në total do të jetë rreth 38 mijë metra katror. Sipas ndërtuesve, në atë zonë kosto e ndërtimit është minimumi 400 euro/metër katror pa tokën dhe rreth 1000-1500 euro përfshirë tokën. Me këto kosto, investimi maksimal shkon në mbi 50 milionë euro.

Në qendër të Tiranës, çmimet e shitjes së apartamenteve luhaten në 3000-4000 euro për metër katror, ndërsa për zyra nga 10 mijë deri në 15 mijë euro për metër katror. Duke e llogaritur vetëm me një çmim të shitjes së apartamenteve prej 4000 euro/m2, për një sipërfaqe ndërtimi mbi tokë prej 29 mijë metrash katror, të ardhurat do t’i kalonin 120 milionë euro.

Ndërtuesit pohojnë se për projekte të tilla, ku toka është në një vend me vlerë, dhe ka një projekt me një leje ndërtimi, gjetja e investitorëve është e lehtë.

7 kulla po ngrihen në zemër të Tiranës

Aktualisht rreth sheshit Skendërbej ngjitur me të janë duke u zhvilluar 7 kulla të larta mbi 20 kate, të cilat aktualisht janë në fazë zhvillimi. Ndërsa pas prishjes se godinës së teatrit është hapur rruga për ndërtimin e një kompleksi me ndërtesa të larta të cila janë afërsi të zonës së qendrës.

Projekti Book Building, 4-5-11-21 kate

Është një kompleks me godina polifunksionale 4, 5, 11 dhe 21 kate, me 3 kate nëntokë. Book Building ndërmjet rrugës 28 Nëntori dhe rrugës “Abdi Toptani”, me subjekt zhvillues Techno-Alb sh.p.k. Projekti parashikon ndërtimin e tre objekteve në një sipërfaqe mbi 40 mijë metra katrorë

“Eyes Tirana”, 26 kate

Eyes of Tirana është projektuar si një ndërtesë e madhe, 26 kate e lartë në 55.444 m². Punimet për ndërtimin e kullës pritet të nisin këtë vit. Godina do të operojë si hotel nga Marka ndërkombëtare e hotelerisë Melia, teksa zhvilluesi në Tiranë është Edil Al.

Tirana “Forever Green”, 20 kate

Pas disa kohësh pezullimi, punimet niswn për objektin 20- katësh në afërsi të qendrës përballë Kishës Ortodokse, e cilësuar Tirana Forever Green, por po ecin me ritëm të avashtë.

Objekti, tani një karabina, zë një sipërfaqe prej më shumë se 12.400 m² dhe ka 20 kate, në të cilat katër nëntokë.

Kulla do të ketë 4 nivele parking nëntokësor, hapësira komerciale, dyqane, 7 nivele zyra, 8 nivele banimi dhe një hotel super luksoz, me një investim 25 milionë euro.

Hotel Tirana i ri, 30 kate

Kompania GECI shpk që ka në administrim dhe pronësi hotel Tiranën, nisi këto ditë projektin për zgjerimin e tij me një objekt të ri rreth 30 kate. Punimet për projektin po vazhdojnë dhe parashikohet të ndërtohet brenda një periudhe pesë vjeçare, për shkak të vështirësive të punimeve në pjesën e nëntokës. Hoteli i ri do të administrohet nën emrin e Hotel Tiranës dhe jo nën një markë të njohur ndërkombëtare. Objekti i ri është konceptuar si shumëfunksional, por kryesisht hotel. Në katet e para të saj do të ketë dyqane të luksit, zyra biznesi dhe në katet e sipërme dhoma, suita hoteli dhe salla të mëdha konferencash.

Tirana’s Rock, 25 kate

Është projekti ri gati për nisje. Një kulle rreth 80 metra e gjatë me 25 kate në formën e fytyrës së Skënderbeut do të shërbejë më së shumti apartamente luksi. / monitor.al

Banka Europiane e Investimeve nuk do të japë 30 milionë euro borxh për kullën-Teatër

Genc POLLO

Banka Europiane e Investimeve nuk do të financojë Barbarinë nr 2 !!! Barbaria 1 e lalit të madh e të vogël ishte shembja e kompleksit historik të Teatrit Kombëtar; Barbaria 2 është ndërtimi po aty i një blloku me xham e çelik pa përmendur kulla e aferat.

Këtë të fundit duan t’a bëjnë me një hua nga Banka Europiane e Investimeve. Kjo nuk duhet të ndodhë dhe besoj se nuk do të ndodhë.

Opozita, shoqëria civile dhe miqtë europianë e një Shqipërie europiane do e sqarojnë Bankën se lalët duan t’a zhysin edhe atë në batakun e tyre. Dhe nuk do të lejojnë financim europian për barbarinë! Ashtu siç bënë që të deshtonte plani hiperkorruptiv i rrugës Milot Balldren (12 milionë Euro për km).

Duke ndalur Barbarinë 2 do të mundemi të zhbëjmë edhe Barabrinë 1! Duke e rindërtuar dhe restauruar me respekt e dashuri kompleksin historik. GP

Norvegjia: Virusi po largohej kur nisi izolimi, ekonomia u shkatërrua më kot

Fraser Nelson, Spectator

Norvegjia po mbledh të dhëna për të krijuar një panoramë të asaj që ndodhi përpara izolimit total dhe zbulimi i fundit është mjaft domethënës. Duke përdorur të dhëna të vëzhguara, shifra nga spitalet, numrat e infeksioneve dhe kështu me radhë- po ndërtohet një panoramë e asaj që po ndodhte në mars. Në atë kohë, askush nuk dinte gjë. Ekzistonte frika se virusi ishte i shfrenuar dhe çdo njeri infektonte nga dy deri në tre persona të tjerë- dhe vetëm bllokimi mund të ulte në një nivel të sigurt shkallën e rritjes eksponenciale, të ashtuquajturin numri R. Kjo hipotezë u hodh nga Imperial College London për Britaninë, Norvegjinë dhe disa vende evropiane.

Por autoriteti publik shëndetësor norvegjez ka publikuar një raport me një përfundim befasues: virusi nuk po përhapej me atë shpejtësi nga sa ishte frika, dhe se ishte drejt largimit në kohën kur u urdhërua izolimi. “Duket sikur shkalla efektive e riprodhimit kishte rënë në 1.1 përpara se të zbatoheshin masat e izolimit. Në retrospektivë, infeksioni kishte nisur rënien”.

Kjo shtron një pyetje të vështirë: a ishte i nevojshëm izolimi? Çfarë u arrit, që nuk mund të ishte arritur nga distancimi social vullnetar? Camilla Stoltenberg, drejtoresha e agjencisë së shëndetit publik në Norvegji ka dhënë një intervistë ku ajo është e sinqertë për pasojat e këtij zbulimi.

“Vlerësimi ynë tani, dhe mendoj se ka konsensus të gjerë për rihapjen- është se ndoshta do kishim pasur të njëjtin efekt- dhe të shmangnim pasojat e rënda- duke mos u mbyllur”. Ajo thotë se kjo është e rëndësishme të pranohet tani, për shkak se nëse ka një valë të dytë në dimër, duhet të jemi thellësisht të sinqertë mbi faktin nëse bllokimi ishte efikas.

Agjencia e statistikave në Norvegji po ashtu është e para në botë që përllogarit dëmin e përhershëm të shkaktuar nga mbyllja e shkollave: çdo javë arsimim i mohuar në shkolla, vështirëson shanset në jetë dhe ul përgjithmonë potencialin për fitime. Pra, një vend duhet të zbatojë këtë masë drakoniane vetëm nëse është i sigurt se baza për mbylljen akademike është e shëndoshë. Dhe sipas mendimit të Stoltenberg, baza për këtë nuk ishte e mirë.

Artikulli kryesor nesër në revistën Spectator argumenton se edhe britanikët meritojnë të njëjtin sinqeritet. Ka plot të dhëna në Mbretërinë e Bashkuar ku mund të bazohet raporti. Dhe nuk është e vështirë që qeveria të bëjë atë që kanë bërë autoritetet suedeze dhe norvegjeze: të prodhojnë një vlerësim për numrin R që në shkurt ose në mars. Dhe më pas përdorni këto të dhëna- dhe jo supozimet dhe modelet- për të matur efektin e izolimit total. Rezultatet e një studimi të tillë mund të jenë të pakëndshme për një qeveri, që ende kërkon të zbatojë izolimin. Por këto gjëra duhen bërë publike përfundimisht.

Mund të ketë një histori të fortë për të treguar. Të dhënat e Mbretërisë së Bashkuar mund të tregojnë se qindra-mijëra do të kishin vdekur edhe pa bllokim- dhe, edhe pse duket brutale, kjo ishte jetike. Por nëse të dhënat tregojnë diçka si në Norvegji, atëherë ky është një diskutim që duhet bërë. Artikulli ynë kryesor përfundon me këtë pikë:

“Tani është koha për të rimarrë liritë dhe për të kaluar në një sistem vullnetar: të kërkojmë kujdes të vazhdueshëm, por të kërkojmë nga njerëzit që të përdorin sensin e përbashkët. Vendi është gati që të marrë besimin përsipër. Pyetja është nëse kryeministri ndjehet i gatshëm që të na besojë”.

Kroaci: “Korridore turistike” tokësore vetëm për turistët nga rajoni

Qeveria e Andrej Plenkoviç publikoi vlerësimet e para të performancës ekonomike të Kroacisë për vitin 2020 dhe 2021. Qeveria këtë vit pret një rënie prej 9.4% të PBB-së dhe një rritje prej 6.1% vitin e ardhshëm (në Europë, vetëm Greqia dhe Italia pritet të kenë performancë më të dobët se Kroacia, sipas FMN-së).

Në një artikull të publikuar së fundmi, Jutarnji List paralajmëron se “çmimet e pronave do të bien në të gjithë Kroacinë”. Gazeta, e cila intervistoi agjentët e pasurive të patundshme dhe ekspertët e industrisë, parashikoi një rënie të çmimeve nga 10% deri në 30% në muajt e ardhshëm, të lidhura me tërmetin e Zagrebit (pas të cilit ndërtesat e dëmtuara u vunë në shitje me çmime të ulëta) dhe rënien e turizmit, në funksion të të cilit u ndërtuan apartamente të reja, transmeton Monitor.

“Tregu i pasurive të patundshme aktualisht e ka ndalur aktivitetin, është herët të flasim për rënien e çmimeve. Tani, njerëzit shesin vetëm nëse është vërtet e nevojshme”, thotë për gazetën Jutarnji List, Dubravko Ranilović, kryetari i Shoqatës së Agjencive të Pasurive të Patundshme në Dhomën e Tregtisë Kroate. Por ndalja e tregut nuk është sinonim i normalitetit. Çfarë do të ndodhë në tregun kroat të pasurive të patundshme kur të rifillojnë transaksionet? A ishin të shëndetshme nivelet e çmimeve në vitet e fundit apo po fshihnin një flluskë që është gati të shpërthejë?

Sektori i turizmit mbetet në vend

Pyetjet më të rëndësishme për sezonin turistik: Kur do të rihapen kufijtë në Europë? Kur dhe si mund të rifillojnë udhëtimet? Dhe kush e dëshiron me të vërtetë këtë rifillim? Ministri kroat i Turizmit, Gari Cappelli tha se pritet “një e treta e të ardhurave në krahasim me vitin e kaluar”. “Ne ende mund të diskutojmë për ardhjet e turistëve në korrik, gusht dhe shtator”, deklaroi ministri, i cili po bisedon me vendet fqinje si të organizojnë “korridore turistike” për të lejuar udhëtarët e huaj të vijnë në Kroaci me makinë.

Cappelli gjithashtu shpreson që të mbështeten në turizmin e brendshëm dhe për këtë arsye, që nga 1 qershori, do të nisë një program “CroCard”, i cili do t’u lejojë punëdhënësve t’u ofrojnë punonjësve të tyre një bonus prej 2.500 kuna (afërsisht 320 euro) për shpenzime në akomodim dhe katering, në Kroaci. Në këtë kontekst, është e vështirë të thuhet sa kompani do të vendosin ta përdorin këtë mjet dhe cili do të jetë ndikimi i tij.

Një gjë është e sigurt: turizmi i brendshëm praktikisht ka mbetur në vend në njëzet vitet e fundit dhe përbën një pjesë shumë të vogël të vëllimit të përgjithshëm të flukseve turistike. Sot, kroatët përfaqësojnë vetëm 12% të turistëve dhe 8% të qëndrimeve në hotel – shifra të cilat nuk duken premtuese për sezonin turistik 2020.

Masat e para

Së pari, qeveria ka vendosur të sigurojë të ardhura për tre muaj (3,250 kuna ose 425 euro për muajin mars, 4,000 kuna për muajt prill dhe maj) për punonjësit dhe personat e vetëpunësuar që janë prekur nga kriza: 80,000 ndërmarrje kanë kërkuar subvencion, gjithsej gjysmë milion punëtorë. Gjithashtu janë hequr taksat për kompanitë që kanë pësuar një rënie të fitimit mbi 50% për muajin mars dhe propozohet një shtyrje e taksave për kompanitë që kanë humbur midis 20% dhe 50% të xhiros së tyre.

I gjithë ky operacion do t’i kushtojë arkës së shtetit 30 miliardë kuna (4 miliardë euro), dhe për shkak të tij, borxhi pritet të rritet me 13.5% këtë vit, duke arritur në 86.7% të PBB-së në fund të vitit 2020. Objektivi kryesor i qeverisë nuk është të përmbajë deficitin dhe borxhin, por të kufizojë papunësinë, e cila gjithsesi pritet të arrijë në 9.5% në vitin 2020 dhe në 9% në vitin 2021.

Nëse këto janë masa afatmesme, në një periudhë afatgjatë, duhet vënë në pikëpyetje një sistem i tërë. Pabarazia midis bregdetit dhe kryeqytetit nga njëra anë dhe zonave të thella dhe lindjes së vendit nga ana tjetër. Roli disproporcional i turizmit dhe në veçanti i turizmit veror dhe masiv, i cili ka deformuar shumë qytete, duke rritur qiratë dhe çmimet e pronave dhe duke detyruar banorët të zhvendosen jashtë qendrave historike.

Nepotizmi, korrupsioni dhe një administratë e fryrë publike shpesh janë çështje të lidhura me njëra-tjetrën dhe një ndër shkaqet e emigrimit të vazhdueshëm, veçanërisht mes të rinjve. Me pak fjalë, nyjet e pranishme për vite me radhë brenda republikës së re, tani rrezikojnë ta zhysin vendin në një krizë. Qeveria njoftoi një sërë reformash të gjera që do të zbatohen këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Tani që po i afrohet fundit të mandatit, (zgjedhjet duhet të ishin kryer këtë vit), pasi përjetoi shumë skandale, dorëheqje të ministrave dhe një riorganizim, qeveria e Plenković-it tani ka mundësinë të ndjekë një rrugë të re.

Kur do të mund të shkohet për turizëm në Itali?

Italia do t’i hapë kufijtë më 3 qershor, megjithatë janë vendosur disa rregulla.

A mund të udhëtojë në Itali tani?

Gjatë muajit maj udhëtimi ndërkombëtar në Itali mbetet i mundur në rrethana të caktuara, megjithëse jo për turizëm.

Njerëzit që banojnë zyrtarisht në Itali, por që aktualisht janë jashtë shtetit, mund të kthehen në shtëpinë e tyre italiane, ndërsa kushdo që mund të demonstrojë se duhet të hyjë në vend për punë urgjente ose arsye shëndetësore ose në raste urgjente, gjithashtu do të lejohet të hyjë brenda.

Pas mbërritjes ata duhet të respektojnë një karantinë të detyrueshme 14-ditore, duke dhënë adresën ku ata do të izolohen dhe informojnë autoritetet lokale shëndetësore, shkruan The Local.

Të ardhurit nuk lejohen të përdorin transportin publik, kështu që ata duhet të kenë një makinë ose taksi.

Kur do të lejohet përsëri turizmi?

Shumica e kufizimeve të udhëtimit në Itali do të bien nga 3 qershori, që do të thotë se banorët dhe vizitorët njësoj mund të lëvizin lirshëm në të gjithë vendin për çfarëdo arsye – përfshirë turizmin.

Por, për turistët ndërkombëtarë, rregullat varen nga vendi ku po udhëtoni.

Dhe për çdo rregull bllokimi që heq, qeveria italiane ka theksuar se kufizimet mund të rimarrin nëse infeksionet rriten. Është e mundur që udhëtimi të jetë i kufizuar në pjesë të vendit edhe pas 3 qershorit, kështu që këshillohet kujdes para se të rezervoni ndonjë udhëtim.