31.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Qershor, 2025

Mallkimi do të të ndjekë…

Vendimi i Edi Ramës nga faqja e tij në Facebook për të mbyllur Shqipërinë në ditën e festës më të rëndësishme të myslimanëve ka shkaktuar zemërim.

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili thotë se, Rama po përdor dy standarde.

Postimi i plotë i Vasilit

Dy standarde dhe turpi i Edi Ramës!

Policët e Edi Ramës me mijëra më 17 maj që prishin Teatrin, nuk i zë koronavirusi!?

Besimtarët myslimanë në ditën e tyre të shenjtë nuk lejohen se i zë koronavirusi!?

Refuzimi i dy standardeve është e drejtë e çdo qytetari!

Ky që luan me ditën e shenjtë, mallkimi do ta ndjekë nga pas gjithë jetën!!!

Fundjavë e kuqe me kritere politike të Albanistanit…!!!

Mjeku i njohur Gëzim Xhepa, përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruan se, masat kufizuese dhe alerti në zonat e kuqe të Covid-19 nuk kanë asnjë kriter epidemiologjik.

Ndërsa e konsideron një parodi torturuese dhe masakruese psikologjike, sociale dhe ekonomike, Xhepa shkruan se, Tirana e Kuqe duhet të kishte 250 të infektuar në javë…!!!

Postimi në Facebook

Fundjavë e kuqe me kritere politike të Albanistanit…!!! Me kritere epidemiologjike Gjermane…, Tirana e Kuqe duhet të kishte 250 të infektuar në javë…!!! Në kërkim të gjermanit të fundit…, Tirana nuk bëhet e gjelbër…!!!

Tentojnë t’i rrëmbejnë nga dora nënës vajzën 4-vjeçare, panik e ulërima në Korçë

Panik e ulërima janë dëgjuar mbrëmjen e djeshme në lagjen 17 të qytetit të Korçës, kur një djalë rreth 20 vjeç ka tentuar t’i rrëmbejë nga duart një nëne, vajzen e saj 4-vjeçare.

Incidenti i rëndë ndodhi rrreth orës 22:00 të së premtes. Fëmija ishte pranë mamasë në momentin që djali i është afruar dhe e ka tërhequr fëmijën për ta marrë me vete, por vetëm disa metra larg nga vendi i ngjarjes i kanë dalë përpara banorët e lagjes, që ia kanë marrë të voglën nga duart.

Banorët kanë njoftuar policinë, e cila e arrestoi menjëherë 20-vjeçarin pasi mori dhe dëshmi nga ata që e panë skenën plot ankth.

Sipas banorëve, jo zyrtarisht nga profesionistë të fushë, 20-vjeçari që sulmoi thuhet se ka probleme të shëndetit mendor. Ende nuk jepet identiteti i tij.

“Europa Nostra” mbështet qëndrimin e Presidentit: Hetim Ndërkombëtar për Teatrin!

“Europa Nostra” ka përshëndetur angazhimin e Presidentit Ilir Meta, i cili kërkon hetim ndërkombëtar lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar.

Në një mesazh në rrjetet sociale, Europa Nostra shkruan se “e duartrokasim zotimin n e fortë të Presidentit ilir Meta për trashëgiminë kulturore, si një aksion kyç për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”.

“Gjithashtu, ne e falënderojmë që njohu rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile për ndërtimin e shoqërive demokratike. Teatri Kombëtar është një simbol i këtyre vlerave!”, thuhet në mesazhin e Europa Nostra.

Ky qëndrim është shoqëruar me shënimin e Presidentit Meta në Twitter, ku thuhet se “ne ramë dakord për domosdoshmërinë e fillimit të një hetimi ndërkombëtar për këtë çështje dhe informimin e mëtejshëm të institucioneve të nivelit më të lartë të Bashkimit Evropian. Nga sot, më konsideroni edhe mua një anëtar të ri të “Europa Nostra”.

Europa Nostra është një nga organizatat që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ndërsa përfshiu godinën e Teatrit Kombëtar si një nga 7 objektet që rrezikoheshin të shembeshin. Europa Nostra kishte ofruar ndihmën e saj për restaurimin e godinës, e cila u rrafshua më 17 maj nga Bashkia e Tiranës.

Jo për politikë, por për drejtësi! Nesër…

Nga Albert AVDYLI

Mbaj shënime mik!
Vitet e tranzicioneve politike, por jo vetëm, e ballafaqojnë individin, familjen, shoqërinë me një mijë vështirësi. Përshtatja me të renë dhe lëkundja e legjislacionit krijojnë pengesa. Në disa raste, pushteti i uzurpuar nga sharlatanë, të vë në sprova durimi dhe zhgënjimesh.

Periudhat e ndërmjetme janë edhe mundësi suksesi për të tjerë njerëz me inisiativë, vizionar, guximtar apo matrapaz.

Në tranzicionin e pafund të Shqipërisë, ku ndërrimi i pushteteve shndërrohet në shkrirje dhe ribërje të strukturës administrative, problemet theksohen më tepër.

Spikat në këto dekada katrahura, që ndodh kur e majta merr pushtet. Brenda pak ditëve, me dorë të hekurt, spastrojnë administratën shtetërore nga ata, të cilët nuk i kanë në lista partiake.
A ka ndodhur me pushtetin e PD – së ?

Po, në vitin 1992. Kushtet ishin të justifikueshme sepse u ndërrua regjimi jo pushteti. Gjithësesi dhe në atë kohë nuk është se qëndrimet ishin radikale.

Me rikthimin në vitin 1997 të së majtës në qeverisje, fshesë gjithë kundërshtarëve.
Partia Demokratike u rikthye në vitin 2005.

Bëri lëvizje sigurisht, por me kujdes dhe ligjore. Të korruptuarit, të inkriminuarit, të paaftët do të largoheshin nga administrata shtetërore. Slogani i atëhershëm ishte ” Me duar të pastra”. Kjo thirrje u bë promotori i lëvizjes, por askush nuk u ndëshkua për duart e zhytura në buxhetin e shtetit, në xhepat e shqiptarëve.

Në lëvizjet e administratës ka patur dhe gabime, por nuk ishin kurrë fenomen.
Ligjin e kanë dritë konservatorët. Si shenjt i falen shtetit dhe ligjit.
E majta u rikthye me revansh në vitin 2013.

Terror në administratë e në polici.

U morën me cilindo dhe penalizuan nëpunës e ministra.

Kujtoni listat e firmosura për një ditë e specialstë të hedhur në rrugë nga çdo institucion.
Kujtoni firmën si rrufe të shkarkimit të gjithë drejtuesve të policisë brenda një nate. Etjer, etjer…

Le të vijmë te e sotmja.

PD po vjen në pushtet. Veç zbatimit të programit qeverisës dhe spastrimit të hallkave shtetërore nga elementët e kriminalizuar duhet, si profilaksi: verifikimi i çdo akti ku kanë akorduar fondet, pasuritë, lidhjet me krimin.

Revizionim i plotë i shtetit, në çdo detaj.

Mbi të gjitha ne duhet të jemi me shpirt të pastër, arsye të plotë e gjak të ftohtë.
Për zbatimin korrekt të ligjit mjafton njeriu i ditur dhe korrekt.

Pushtetin e monitoron jo vetëm opozita, por çdo qytetar, pavarësisht bindjeve.

Për zbatimin e ligjeve të ashpra mjafton njeriu i butë dhe s’ka pse duhet rrugaçi agresiv i lagjes.
Në funksion të ligjit, ne duhet të evidentojmë emër për emër nëpunës dhe policë që kanë tejkuar ligjet. Po, po tejkaluar. . .

Nominimi i policit që shqelmonte studentin Shahu, gazetarin Lela, arkitektin Seranaj, aktorët Budina, Liçaj dhe Emiri, kryetarin e forumit rinor Këlliçi, ish deputeten Kërpaçi e Cakaj, studentin fierak Baçi, Hanku, Darvinin, Zekri, Bathorja, të rinjtë e Vaut Dejës, Urës Vajgurore, Peqinit, kryetarin e degës Vreto, Ujkun e Cërrikut, Gent Ndoj, deputetin Balliu, Protoduarin me shokë te unaza.
Mos harro adoleshentin Ardit Gjoklaj.

Mos harro alkimistin që ju mbyti me gaz helmues kur protestoje.

Mos harro kryetarin e bashkisë së uzurpuar që tjetërson pronën publike.

Kujto që nga drejtoruci i Asllan Rusit, i cili flakte në rrugë puntorët se nuk i pëlqente mbiemri e deri te shefi madh. Duhet hapur e kontrolluar çdo firmë e hedhur e çdo pasuri e vënë.

Aktet e miliardave të raportuara nga Kontrolli Lart i Shtetit si abuzime duhen gjykuar një ditë.
Misteret shtetërore zakonisht krijohen si mite aty ku vidhet.

E ky mit duhet shëmbur.

Një administratë me ekspertë është më shërbyese sesa një zinxhir lidhjesh me ndryshk miqësie e interesash.

Alternimi i të rinjve me administratorët, të cilët kanë përvojë dhe që u flakën në rrugë më 2013.
Gjyqet e fituara për largimet e padrejta nga puna kanë rënduar skajshëm buxhetin e shtetit. Firmëtarët duhet të japin llogari.

Ata që kanë veshur çizmet e pushtetit dhe janë shndërruar në thundra shpuese, duhet të ndjejnë ato gozhdë në mishin e tyre.

Mba shënime mik, i njohur, i pa njohur, demokrat, socialist, i paangazhuar.

Shënime për drejtorin e shkollës, që mbushi muret e shkollës me posterat e partive.

Shënime jo për mesuesen me bindje socialiste, por për arsimtaren që ju thotë nxënësve të klasës së tretë se perspektiva e Shqipërisë u çel më 8 nëntor 1941.

Sigurisht, shënime dhe për mësuesen që ju thotë nxënësve se atdheun e krijoi Sali Berisha.
Shënime për inspektorin e tatimeve, i cili ju turr biznesit të demokratit me urdhër partie.
Shënime, qartësisht të dukshme, për policin bashkiak arrogant.

Shënime mba jo për nëpunësin socialist, por për nëpunësin që blen vota me trajca mielli apo 5 mijë leksha.

Shënime jo për komisionerin socialist apo demokrat, por për komisionerin që mbush kutinë me fletë votimi e fallsifikon nr e votuesve.

Shënime mba për ekspertin që ka firmosur mbushjen e trotuareve me kioska apo i ka dhënë hapësirat publike për pazare pallatesh.

Qeveria aktuale, riktheu si vlerë spiunimin e kolegut me bilbilfryrës.

Spiunimi nuk është virtyt, denoncimi është detyrë.

I vetmi shërbim spiunimi që nderohet janë shërbimet e posaçme dhe strukturat investigative ligjore.
Evidentimet dhe deklarimet publike për shkeljen e ligjit apo tejkalimin e tij është qytetare.
Po, emër për emër, jo thjesht për ndëshkimin e shkelësve, por edhe si profilaksi dhe kujtesë për administratorët e rinj.

Për t’ju thënë atyre se po shkele ligjin nuk ka parti që të mbron.

Mba shënime dhe ji mirënjohës për brezin e 50 apo 60 vjeçarëve të PD. Intelektual dhe idealistë, kocka e partisë janë këta thinjosh.

Shumë prej tyre, pa asnjë dilemë, jetën e investuan dhe aksionet i kanë tek kjo parti si simbol i pluralizmit, lirisë, ekonomisë së tregut.

Mba shënim . . .

Në politikë, në drejtësi sikurse në jetë, fakti është i rëndësishëm, jo hipteza.

Nëse faktin e zotëron ti, alibia e të tjerëve bëhet nul.

Se Tirana nuk është qyteti i parë as në botë, as në Shqipëri.

Tirana është kryqyteti i vetëm dhe i parë në botë që shkallmon historinë e saj të vjetër e vjell histori të reja.

Mba shënim. . .

Jo për politikë, por për drejtësi.

Nesër do të ketë dhe gjykata…

Sot në orën 17:00 Shkodra në protestë për Teatrin Kombëtar

Me thirrjen “Duam Drejtësi”, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar do të zhvillojë sot në orën 13:00, protestën e radhës në Shkodër, përballë Teatrit Migjeni.

“Të shtunën Shkodra na mirëpret. Protestë, njofton Aleanca. Në ora 17:00. Teatri Migjeni do të jetë “agoraja” jonë. Demokracia nuk është dhuratë, demokracia është kusht. Vendos. Duam drejtësi”.

Artistët e Teatrit Migjeni të Shkodrës qenë të parët që mbështetën protestën e artistëve dhe qytetarëve ditën e shembjes së Teatrit Kombëtar. Ata dolën përpara godinës dhe mjeshtra të vjetër të skenës e kryesuan revoltën e tyre.

Taksat tona, jo si shërbime për qytetarët, por si qoka për firmëtarët…

Nga Marinela ZIU

Nga shtatori 2013, administrata publike nga 85 mijë u tejfry në 170 mijë punonjës; për blerje vote 14 mijë pozicione të tjera përdoren në kohë fushatash nëpërmjet kontratave të përkohshme të punës; nga ana tjetër, deri tani dëmi si pasojë e vendimeve të Gjykatave për largime të padrejta nga puna, shkon të paktën 140 milionë euro.

E pavarësisht miliardave për vende pune që shërbejnë vetëm për “postimet që duhen pëlqyer” e “fjalime apo video që duhen shpërndarë”, taksat tona keqpërdoren edhe që një grusht firmëtarësh të shkatërojnë trashëgimninë kulturore kombëtare dhe europiane, duke përfituar deri në 5 rroga shteti.

Ndërkohë, kjo është vetëm një pjesë e vogël e armatës me 5 rroga, që janë gati të bëjnë gjithcka për të mbajtur në këmbë rregjimin.
#KundërKorrupsionit
#KundërDiktaturës

Prova e Gazsjellësit në Shqipëri del me sukses, Berisha: Pas NATO-s, arritja më e madhe strategjike!

Ish-Kryeminstri Sali Berisha ka përshëndetur provën e injektimit të gazit nga Azerbajxhani në segmentin e tij në Shqipëri, në kuadrin e Gazsjellësit TAP.

Kjo provë e bërë dje ka qënë e suksesshme dhe Berisha e ka konsideruar projektin në fjalë, firmosur nga qeveria e PD-së, si arritjen e dytë më të madhe strategjike të Shqipërisë pas anëtarësimit të saj në NATO.

“Historike!
Gazsjellësi TAP, që sjell gazin nga deti Kaspik në Itali, bëri me sukses të plotë provën e injektimit të gazit azer në segmentin e tij të Shqipërisë. U krye nga TAP, prova e suksesshme e injektimit të gazit azer në të tërë trajektoren e tij në territorin e Shqipërisë. Kjo është një arritje historike me rëndësi të madhe strategjike për Shqipërinë, rajonin dhe Europën.

Në maratonen e suksesshme të këtij projekti gjigand, që në kompleks kap shumën e një investimi prej 40 miliardë euro dhe që u firmos nga qeveria në vitin 2012, Shqipëria dhe qeveria e saj pati pas Azerbajxhanit, rolin më kryesor.

Një mirënjohje të thellë këtë ditë për qeverinë e Azerbajxhanit dhe presidentin Alijev dhe për të gjithë ata që kontribuan dhe bënë të mundur këtë projekt energjitik gjigant, konsorciumit të Gazsjellësit TAP, financuesve, projektuesve, zbatuesve të këtij projekti të një rëndësie gjeostrategjike për Europën, në të cilin Shqipëria fiton një pozicion nevralgjik që kurrë nuk e ka pasur më parë.

Korridori Jugor i Gazit apo TAP përjashtoi garën politike të gazit rus për Europën dhe kjo është historike. Pas anëtarësimit në NATO, Gazsjellësi TAP përbën arritjen më të madhe strategjike të Shqipërisë”, shkruan Berisha.

Presidenti kthen ligjin për portin e ri në Porto Romano: Cënohet gara…

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar kthimin në Kuvend të ligjit të maxhorancës për portin e ri të hidrokarbureve në Porto Romano.

Në 10 faqe arsyetim të dekretit, Kreu i Shtetit shpjegon se për ndryshimet e kontratës koncesionare që miraton ky ligj, jo vetëm që nuk jepen argumente për sa u përket përfitimeve dhe interesave që ka shteti për zgjerimin e objektit të koncesionit, në mes të vazhdimësisë së kontratës, por eshtë cenuar gara e lirë dhe e ndershme, si dhe parimet bazë që duhet të udhëheqin një procedurë koncesioni, në kushtet kur ndryshimi i objektit të kontratës ekzistuese përbën një koncesion të ri.

Sipas Kreut të Shtetit, “Ligji nr. 58/2020, miraton një kontratë të nënshkruar në kundërshtim me përcaktimet e nenit 31, të ligjit nr. 125/2013, duke shkelur njëkohësisht parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga nenet 11/1 dhe 18/1 të Kushtetutës”.

Me tej, presidenti arsyeton se “me ndryshimet më të fundit të Kontratës Koncesionare të miratuara me ligjin nr. 58/2020, objekti i kontratës koncesionare ndryshon duke i dhënë koncesionarit mundësinë që në këtë port të ngarkojë, të shkarkojë dhe të përpunojë anije që transportojnë mallra të tjera. Nëse këto ndryshime do të kishin qenë të përfshira në njoftimin fillestar të kontratës ose në dokumentacionin e tenderit, do të kishin bërë të mundur që ofertuesit të dorëzonin një ofertë në thelb të ndryshme”.

“Për gjithë sa u parashtrua më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1, të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 58/2020 ‘Për miratimin e shtesës së kontratës së koncesionit të formës ‘BOT’ (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në Porto-Romano, Durrës, miratuar me ligjin nr. 104/2015, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë koncesionare ‘Porti MBM (Multy Buoy Mooring)’, të ndryshuar’, pasi ky ligj bie ndesh me parimet e mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, shprehet Presidenti Meta në arsyetimin e tij.

8 raste të reja me Covid-19, harta e qyteteve të prekura

Ministria e Shëndetësisë raporton 8 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit.
5 raste të reja janë konstatuar në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Krujë.

ISHP konfirmon se gjatë 24 orëvë të fundit janë shëruar 6 persona, ndërsa në spitale gjenden të shtruar 16 persona, 5 prej të cilëve janë në terapi intensive.

DEKLARATA E PLOTE
Dr. Rovena Daja
Instituti i Shëndetit Publik

Ju paraqesim situatën epidemiologjike të Covid19 në Shqipëri, në 24 orët e fundit. Duke analizuar të dhënat epidemiologjike, numrin e rasteve të reja në 24 orët e fundit, numrin e vdekjeve dhe numrin e personave të hospitalizuar, mund të themi se situata epidemiologjike e Covid19 në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme.

Aktualisht në shërbimin infektiv janë 16 pacientë të shtruar dhe vetëm 5 prej tyre në terapi intensive. Fatmirësisht gjatë 3 javëve të fundit nuk kemi asnjë humbje jetë nga Covid-19 dhe ky është një indikator që tregon qëndrueshmërinë e këtij shpërthimi epidemik.

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 200 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid-19 dhe janë konfirmuar pozitivë 8 raste.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 5 raste në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Krujë, kontakte të rasteve të mëparshme pozitive. Të shëruar janë 6 qytetarë.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14 mijë testime molekulare dhe serologjike.

Deri më sot janë konfirmuar pozitivë 989 qytetarë me COVID-19. Prej tyre, rreth 79% janë të shëruar.

Në vendin tonë aktualisht janë 175 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar masat e vendosura. Nëse keni shenja të Covid19 telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (23 Maj 2020)
Testime totale- 14459
Testime molekulare- 13133
Testime serologjike- 1326
Raste pozitive- 989
Raste të shëruara- 783
Raste aktive- 175

Humbje jete- 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë-62
Durrës-50
Krujë-27
Shkodër-10
Berat-10
Kamëz-9
Fier-4
Elbasan-1
Mirditë-1
Korçë-1