Protestuesit bllokojnë rrugën mbi parkun “Rinia”
Ndonëse pjesa më e madhe janë shpërndarë për shkak të orëve të gjata që kanë qëndruar pranë Teatrit, temperaturave të larta dhe lodhjes, një pjesë e protestuesve kanë qëndruar në bulevard.
Në imazhet e siguruara nga “BalkanWeb” protestuesit shihen të ulur këmbëkryq në rrugën mbi parkun “Rinia”. Kryesisht janë të rinj. Ndërkohë gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se drejtori i policisë së Tiranës Rebani Jaupaj ka dhënë urdhër që të lirohet rruga “Myslym Shyri” dhe në vazhdim por sapo kanë parë mjetet e policisë protestuesit janë mbledhur dhe janë ulur në tokë.
Ndërkohë policia po negocion me protestuesit të cilët i kanë pritur me ovacione dhe kanë refuzuar t’i binden urdhrit të policisë.
Washington Post: Thirrje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë pas shembjes së Teatrit
Policia u përplas me mbështetësit e opozitës, të cilët ishin duke protestuar kundër prishjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë
Siç shkruan The Washington Post, përcjell Telegrafi, polica largoi nga ndërtesa një grup artistësh dhe disa drejtues të opozitës mëngjesin e së dielës përpara se makineri të rënda të nisnin shembjen e saj.
Vendimi i qeverisë për shkatërrimin e Teatrit të vjetër Kombëtar, të ndërtuar nga italianët kur ata pushtuan Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, u kundërshtua nga artistë dhe të tjerë që kërkonin rinovimin e tij.
Një politikan i opozitës tha se 30 persona, përfshirë një gazetar, u arrestuan nga policia. Autoritetet nuk kanë komentuar mbi këtë raport.
Ajo shkruan më tej se pamjet televizive treguan Monika Kryemadhi, drejtuese e një partie opozitare dhe bashkëshorte e presidentit të vendit, duke u futur në një makinë të policisë. Pozita e presidentit në Shqipëri është më së shumti një post ceremonial.
Kreu Partisë Demokratike dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha, i bëri thirrje qytetarëve të rrëzonin qeverinë për shkatërrimin e teatrit.
Pyetet për shembjen e Teatrit, Kadare: Nuk dëshiroj të përzihem në këtë çështje

Shkrimtari Ismail Kadare ka komentuar për herë të parë çështjen e Teatrit Kombëtar. Në një reagim për televizionin TVT Kadare ka thënë se nuk dëshiron të përzihet në këtë çështje, pasi së pari nuk është në dijeni të situatës dhe së dyti është i sëmurë.
‘Nuk kam mundësi se nuk jam ndjerë mirë. Nuk jam shumë në djeni. Ju lutem të mos më ngatërroni’, tha Kadare.
Reagimi i Kadaresë vjen disa orë pasi është shembur godina e Teatrit Kombëtar. Aksioni për shembjen e kësaj godine ka nisur 04:30 të mëngjesit të sotëm, ku pati përplasje.
Mësohet se në Polici janë shoqëruar Gazment Bardhi, Edi Paloka, aktori Neritan Liçaj, Monika Kryemadhi, Robert Budina, Titi Seranaj, Silva Caka dhe dhjetëra qytetarë.
Por përplasjet vijojnë, pak më parë dhjetëra qytetarë çanë kordonin e policisë, në sheshin pranë teatrit. Basha ka paralajmëruar aksion opozitar, ndërsa Kryemadhi iu bëri thirrje shqiptarëve që braktisin gjendjen e fatkeqësisë natyrore.
Protesta mbarëpopullore, thirrje qytetarëve për bashkim dhe reagim
Pyetje: Zoti Basha duket se u tejkalua ajo që ju e quajtët vija e kuqe. Çfarë do të ndodhë me opozitën në këtë moment? Cilat do të jenë rrugët që do të ndjekë opozita?
Lulzim Basha: Dita e sotme është një tjetër shembull i keq që vendi drejtohet nga një kriminel dhe nga një hajdut ordiner, i cili ka marrë peng shtetin e shqiptarëve, ka marrë peng institucionet e shqiptarëve, ka marrë peng bukën e gojës së shqiptarëve, ka marrë peng kulturën dhe shpirtin e shqiptarëve.
Prej shtatë vitesh Partia Demokratike dhe opozita kanë bërë betejë me këtë të keqe dhe me autorin e kësaj të keqe që është Edi Rama. Me ndihmën e qytetarëve dhe të mediave kemi ekspozuar ditë pas dite korrupsionin, lidhjet me krimin dhe shkatërrimin e rendit kushtetues të sundimit të ligjit dhe të zgjedhjeve të vjedhura e të manipuluara në Shqipëri.
Nga kjo pikëpamje e sotmja është një tjetër aferë e radhës. Por nuk është vetëm kaq, është guri i rëndesës në shpirtin e çdo shqiptari që merakoset për të ardhmen e fëmijëve të vet, që vuan sot për pamundësitë ekonomike të shkaktuara prej hajdutërisë dhe babëzisë së Edi Ramës, i cili për xhepat e tij dhe pushtetin e tij ka sakrifikuar mirëqenien e çdo shqiptari edhe në këto kohë të pandemisë dhe të vuajtjeve të shtuara për njerëzit.
Si sot tre vjet më parë unë u ula me këtë njeri, me shpresën dhe besimin se forcat politike në vend mund të arrinin një marrëveshje në të mirë të popullit, në të mirë të unitetit të kombit dhe për të garantuar një proces të lirë zgjedhor. Koha tregoi shumë shpejt se u gabova.
Dua të garantoj sot shqiptarët se ky gabim nuk do të përsëritet më kurrë! Se opozita është e vendosur për të ndërmarrë të gjitha hapat demokratikë, por të vendosur për largimin një orë e më parë të së keqes së shqiptarëve, të së keqes së Shqipërisë, të së keqes së fëmijëve tuaj që është Edi Rama.
Vendimi ynë i parë sot është mbështetja për të gjitha protestat e Aleancës për Teatrin, shoqërisë civile dhe qytetarëve kudo ku ndodhen, dhe nisja e organizimit po kështu nga ana e opozitës e protestave qytetare dhe mbarëpopullore.
Pyetje: Zoti Basha ka një datë?
Lulzim Basha: Duke nisur me efekt të menjëhershëm. Sepse aty ku sot u dhunua Teatri u përgatit flijimi i lirive dhe të drejtave elementare të çdo qytetari; të varfër apo të pasur, të punësuar apo të shpunësuar, të djathtë apo të majtë. Ky është vendimi ynë i parë.
Dua, po kështu, të ritheksoj angazhimin e marrë me shkrim në emër të opozitës së bashkuar, jo vetëm para Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe gjithë artistëve e njerëzve të kulturës dhe artit shqiptar, por përpara të gjithë qytetarëve shqiptarë angazhimin tonë që nesër në pushtet në qeveri e zgjedhur nga vota e qytetarëve, duke vendosur interesat e bashkimit kombëtar dhe të mirëqenies së njerëzve dhe mirëqenies së shpirtit të kombit, jo vetëm sipas angazhimit me shkrim që kemi bërë verën e kaluar, do të restaurojë në gjendjen e mëparshme Teatrin Kombëtar, por do të sigurojë me të gjitha format dhe mënyrat ndëshkimin shembullor të autorëve të kësaj ngjarje të tmerrshme, nga Edi Rama deri tek i keqpërdoruri i fundit në këtë batërdi që prapë se prapë ka një emër, emrin e të keqes që ka zënë vendin prej fyti, emrin e Edi Ramës.
Synimi ynë, objektivi ynë dhe stacioni ynë final është që këtë zemërim që e ndjejmë të gjithë sot në shpirtrat tanë kur kemi parë njerëzit që kanë mbrojtur me vetëmohim një pasuri kombëtare, që mund të ishin motrat, vëllezërit, nënat tona, të trajtoheshin në këtë mënyrë nga mafia dhe krimineli ordiner, hajduti Edi Rama, se rruga për ta shporrur këtë bandit dhe këtë të keqe, është rruga e bashkimit të shqiptarëve dhe largimit të tij me votën më masive që ka njohur vendi në këto 30 vite pluralizëm.
Pyetje: Domethënë do të prisni zgjedhjet e vitit 2021?
Lulzim Basha: Padyshim një orë e më parë. Një orë e më parë. Dhe ky nuk është komunikimi im i fundit me ju, është komunikimi i parë pas vendimeve të rëndësishme që ka marrë opozita sot. Siç e thashë duke nisur me vendimin për të mbështetur të gjitha protestat qytetare dhe për të organizuar edhe ne, bashkë me ta, një rezistencë shembullore popullore kundër këtij regjimi, kundër këtij krimineli dhe hajduti ordiner.
Pyetje: Deri në datën 23 qershor ka një gjendje të jashtëzakonshme, kërkesë që ju e keni artikuluar përpara se qeveria ta miratonte. Si do ti mbani këto protesta në mbështetje të Shoqërisë Civile, artistëve por edhe vetë si opozitë e bashkuar?
Lulzim Basha: Duke respektuar kushtet higjenike. Do t’i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të na bashkohen masivisht me efekt të menjëhershëm për të kundërshtuar e për të protestuar kundër këtij regjimi.
Pyetje: Do të braktisni tryezën e reformës zgjedhore nesër?
Lulzim Basha: Sot për sot e gjithë vëmendja jonë është të jemi në krah të njerëzve, në krah të atyre që u dhunuan atje, në krah të çdo qytetari që dhunohet ditë për ditë me mungesën e bukës së gojës, nga diktatura e çapës së bukës. Kjo është diktatura e çapës së bukës dhe kjo duhet dhe do të marrë fund një orë e më parë.
Do të kemi sëbashku komunikime të tjera, ju faleminderit.
Rovoltohuni! Shpëtojeni Shqipërinë!
Nga Nezir Kraki
Teatri shkoi sepse gjendej në vendin e gabuar, jo sepse ishte në godinen e gabuar. E morrën bandat parapolitike që karrieren e pushtetin i kanë hipotekë pranë rrjeteve më të rrezikshme kriminale që ka Evropa sot.
Edi Rama ka shumë borxhe ndaj mafias sepse falë saj erdhi dhe qëndroi me dhunë e vjedhje në pushtet. Borxhi më së lehti kthehet me tokë sidomos kur parcela gjendet në zemër të kryeqytetit. Bota mbarë e di tashmë që ky njeri është në fazen finale të vetshkatërrimit pasi i dështuan të gjitha idetë politike dhe iu demaskuan të gjitha lidhjet dhe varësitë kriminale. Dhe tash që Evropa e bota kanë halle tjera, momenti është ideal për vjedhje e tjetërsime masive të pasurive publike.
Por populli shqiptar nuk duhet ta pranojë shkatërrimin as shembjen e Shqipërisë sepse Shqipëria s’eshte e bandave as e feudëve skllavopronarë që e kanë kthyer atë vend në një kartel gjigand, të izoluar nga bota.
Populli shqiptar duhet të revoltohet sot sepse me këtë turrje olikarko-diktatoriale nesër s’do ketë më as të drejta themelore për shprehje e mendim. E vetmja shpresë do mbetet ikja nga ai vend në pronësi të oligarkëve të modelit rus të viteve 1990.
Populli duhet ta shpëtojë Shqipërinë nga skizoftenia politike e një lideri të çmendur nga megalomania.
Mos prisni gjë nga Evropa as nga Amerika sepse bota ka ndryshuar dhe asnjëra s’janë më të forta sesa fuqia dhe vullneti i një populli që kërkon dinjitet.
Mos i shikoni me indiferencë devijimet diktatoriale sepse nesër kjo çorodi do e kap secilin, secilin që nuk pranon t’i shërbejë kartelit kriminal.
Mos pranoni qëndrimin në kafazin çnjerëzues ku liria dhe dinjiteti nuk vlejnë asgjë, ku siguria është ëndërr dhe shpresa inekzistente.
Rovoltohuni!
Shpëtojeni Shqipërinë!
Nji requiem për Teatrin Kombëtar, ditën e shembjes së tij nga dora e njeriut
Nga Primo Shllaku
MOSPRANÍ
Dora ime shpërdan heshtjen,
nji heshtje të rrasun
si njimbasnjishmënia e trungjeve të shtyllave në tempull.
Ajo e di se kjo heshtje
ndrit si hanë lirike
në nji qiell prej guri.
(Qielli asht i dhimbshëm.
Ai na mëson dashuninë.
Retë janë letrat e tij të parat. )
Dora në letër shpërdan heshtjen,
dita largohet
dhe nata hyn si sallë e vjetër teatri,
që mërdhet në orët e shurdhëta të mëngjesit.
Kurse mbi pullazet e shtëpive
deri te vetulla ime
naltohet nji oxhak i pamatë, pingul,
që shqisat e mia ma përkthejnë të pjerrët,
eshtnat në ramje,
mushknitë në pluhun.
Në këtë orë teatri hap.
Karrigat hanë pluhnin me nofulla pa dhambë.
Nxehtësia njerëzore asht tjetërkund.
Në skenë heshtja, me gjeste foshnjore, zhveshet lakuriq.
Veshi fillon të shofë.
(Sepse çdo lule qiellit të vet i përngjet. )
Kadifja bahet qiell vertikal.
Kandilat e vemendshëm na mësojnë
se heshtja nuk asht gjithnji e ftoftë.
Në fundin e sallës nji heshtje tjetër po lén.
E imja.