15.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Teatri Kombëtar i Kosovës anulon shfaqjen: Dhimbje për rrënimin e Teatrit në Tiranë

Sot në orët e hershme të mëngjesit është shembur ndërtesa e Teatrit Kombëtar në Tiranë, duke ngjallur edhe më shumë debat mes komunitetit të artistëve të cilët kanë shprehur dhimbje të mëdha për këtë gjë që konsiderohet si një humbje e madhe e kulturës shqiptare, shkruan KultPlus.

Për të u zolidarizuar për shembjen e Teatrit, që nga komuniteti i artistëve konsiderohet një tragjedi, Teatri Kombëtar i Kosovës ka anuluar shfaqjen që ka qenë e planifikuar të shfaq sonte.

Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar në Facebook.

Bashkangjitur gjeni postimin e plotë.

‘Me rastin e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, sot anulojmë shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës “Skenderbeu ose Dashuri dhe Liri”, që ishte planifkuar të jepet sonte online / livestream në faqet e të gjitha teatrove të Kosovës, pjesëmarrëse në kalendarin e përbashkët për muajin maj.
Teatri ka ekzituar para nesh dhe do të ekzistojë përgjithmonë.’

Basha: Protesta nga të gjitha anët

Dita e sotme është një tjetër shembull i keq, kur vendi drejtohet nga një kriminel e hajdut ordiner, i cili ka marrë peng shtetin dhe institucionet e bukën e shqiptarëve.

Kemi denoncuar korrupsionin, lidhjet me krimin dhe zgjedhjet e vjedhura e manipuluara në Shqipëri.

E sotmja është një tjetër aferë e radhës, por jo vetëm kaq. Është guri i rëndesës në shpirtin e çdo shqiptari që merakoset për të ardhmen e fëmijës së tij.

Sot para 3 vitesh u ula me këtë njeri, me shpresë për të bërë një marrëveshje për shqiptarët.

Por koha tregoi se unë gabova.

Por ky gabim nuk do të ndodhë më. Opozita do të bëjë çdo veprim demokratik.,

Vendimi ynë i parë është mbështetja e protestave të Aleancës për Teatrin dhe shoqërisë civile dhe nisja e përgatitjes së protestave nga opozita.

Basha: Me shkrim para Aleancës dhe qytetarëve, Teatri do restaurohet, ndëshkim autorëve

Kreu i PD, Lulzim Basha ka siguruar se ai i qëndron marrëveshjes për Teatrin Kombëtar, duke premtuar se kur të vijë në qeveri do e restaurojë siç ishte.

Madje Basha thotë se se për aktin e sotëm do të ndëshkohën të gjithë autorët, nga Rama tek më i keqpëdoruri.

”Me shkrim jo vetëm para Aleancës, por gjithë qytetarëve, angazhimin tonë që nesër në qeveri duke vënë interesat e bashkimit kombëtar dhe mirëqënies së njerëzve, jo vetëm sipas angazhimit, do restaurojmë Teatrin Kombëtar, por do sigurojmë ndëshkimin e autorëve të kësaj ngjarje nga Rama tek i keqpërdoruri i fundit”, tha Basha.

Policia dhunon ish-deputeten Albana Vokshi

Përmes një video shpërndarë mediave, PD thotë se pre e dhunës së policisë në protestën pas shembjes së Teatrit Kombëtar, ka rënë edhe ish deputetja demokrate Albana Vokshi.

Në ndihmë te ish deputetes Vokshi ka shkuar gazetari Enkel Demi, i cili gjithashtu është konfrontuar me efektivët e policisë.

Situata para Teatrit është tensionuar prej mëngjesit të sotëm, pas aksionit për shembjen e godinës.

Sulmet ndaj Bashës, skenar i Ramës

Enver Bytyçi

Teatri u prish. Kalaja e betejës së fundit midis opozitës dhe diktaturës ra. Tashmë kemi një shtet të një diktature pa rregulla, pa ligje, pa kushtetutë, pa gjykata, pa institucione. Një diktaturë siu generis, model i shpikur vetëm në Shqipërinë eksperimentale.

Me këtë rast shoh se shumë “të revoltuar” rinisën sulmet ndaj opozitës, saktësisht ndaj kryetarit të saj, Lulzim Basha. Edhe pse ai ka pranuar se më 17 maj 2017 ishte mashtruar prej Edi Ramës dhe kishtë bërë betimin se për së dyti nuk do të mashtrohej, shumica prej “të revoltuarve” ia përmendin paktin e asaj nate. E vetmja armë që u ka mbet për të fajësuar jo Edi Ramën, por Lulzim Bashën për prishjen e teatrit dhe për shtetin e diktaturës anarkike në Shqipëri.

E sulmojnë Lulzim Bashën ata që përtuan një natë të vetme të qëndrojnë te teatri. Ata që prej tri vitesh me ose pa vetëdije vazhdojnë të bëjnë lojën e Edi Ramës. Sulmi ndaj Lulzim Bashës është pa asnjë mëdyshje shi në trustin e lulelakrës të kryesuar nga kryeministri i Shqipërisë. Eshtë e drejtë e secilit ta dojë ose mos ta dojë Lulzim Bashën. Eshtë e moralshme gjithashtu ta kritikosh atë. Por askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë kreut të opozitës të marrë armët për të luftuar kundër diktaturës. E drejta dhe detyra e secilit është që ta mbështesin opozitën, para së gjithash me votën e lirë, por edhe duke iu bashkuar aksioneve politike.

Po të ishim të gjithë te teatri, po të ishin dhe ata që sapo lajnë sytë mendjen e kanë si ta denigrojnë opozitën, diktatori nuk do guxonte të çonte sot fadromat aty. Ai e prishi teatrin, sepse artistët u lanë vetëm. Teatri u prish, sepse secili sheh bythën e vet dhe nuk ia ndjen se çfarë ndodh në këtë vend. Kur qytetarëve të këtij vendi, të dashuruar me diktaturën dhe diktatorët e çdo kohe, nuk u bën përshtypje dhuna policore, pse duhet që Lulzim Basha të vetmohohet për këtë popull të shkulur nga rrënjët?!

Këta që sulmojnë Lulzim Bashën hiqen si heronj. Në fakt shumica pre tyre janë frikacë ose nuk duan të sakrifikojnë as sa për një gjobë 10 mijë lekëshe për t’i dalë zot vetes. Ndërkohë marrin një qiri në dorë dhe kërkojnë në skuta fajtorin e jashtëm, atë që u vjen më për shtat. U është prish terezia ndonjëherë nga Lulzim Basha dhe o burra sulm kundër tij. Kjo është e pandershme! Eshtë hipokrizi. Së paku kreu i opozitës ishte në krye të detyrës. Por mos kërko prej tij të sakrifikohet për ty. Ai ka detyrë të mbështesë kauzat, por jo të shkojë drejt bajonetës. Ai ka detyrë të bëhet alternativë, por jo të dalë në mal!

Edhe në vitin 1997 nuk pati guxuar opozita e atëhershme që të deklarohej hapur në krye të kryengritjes së armatosur. Ua la këtë mision komiteteve antishqiptare të shpëtimit. Ne nga një anë nuk jemi të zotë të ngremë komitete kombëtare të shpëtimit dhe nga ana tjetër themi pse nuk na e bën këtë Lulzim Basha. Opozita e ka të shpallur programin e vet politik. Kryengritja e armatosur nuk parashikohet në këtë program. Kush dëshiron të çlirohet nga diktatura dhe nuk i pëlqen opozita le të gjejë rrugë e mjete të tjera joopozitare, d.m.th të dhunshme për ta rrëzuar regjimin diktatorial në Shqipëri. Mos kurseni sulmet kundër diktaturës dhe kurseni ju lutëm sulmet ndaj një opozite demokratike.

Kur duket qartë se shqiptarët pranojnë diktaturën dhe nuk pranojnë dhunën për largimin e saj, çdo opozitë në çdo vend të botës thjesht do të përshtatej si opozitë demokratike në diktaturë. Kush është kundër, në vend të sulmojë Lul Bashën, le të krijojë repartet e luftës!

Revolta e shkrimtares: Natën si hienat, motiv i pamjaftueshëm për të zgjuar ‘delet’ nga gjumi!

Miranda HAXHIA

Pse çuditeni qe e shembën godinën e Teatrit?
Ata erdhën në pushtet per te zhvatur; per te shkaterruar; per te vjedhur e per te mashtruar.
Kjo është pika e dobët e sistemit të tyre. Luftojnë kundër ndershmerise dhe moralitetit, luftojne ne emer te lakmise, kunder njerëzve të ndershëm.

Kështu e shohin ata botën, por po mësojnë, po mësojnë, per sa kohë e keqja është e sigurt dhe paaftësia është praktike!…

Filloni të kuptoni natyrën e së keqes që keni dyshuar, por që ju eshtë dukur një përbindësh i vërtetë për t’i besuar.

Nuk i keni pare ende krimbat e qeverise që janë dhjamur si parazitë mbi trupin e Shqiperise, duke i thithur gjakun pa asnjë të drejtë.

Nuk i keni lexuar dekretet e qeverisë të miratuara për të shkatërruar, sidomos shkaterruar vlerat e per te ngritur koken e dështakëve të fëlliqur.

Nuk e dalloni lakminë për të grabitur pasurinë e tjetrit dhe vjedhur çdo prone publike.
Vështroni dhe kuptoni se sa më shumë te punoni, aq më tepër shtrëngohet laku në fytin tuaj.
Shembja e Teatrit Kombetar ndodhi ne formen me te peshtire dhe me te neveritshme qe mund te imagjinohet.

Naten, si hienat.
Sigurisht qe Teatri do prishej. Eshte motiv i pamjaftueshem per te zgjuar ‘delet’ nga gjumi. Dhe ujku vazhdon e do vazhdoje të bëjë kerdine.

Reagimi i fortë i Berishës: Ju bëj thirrje qytetarëve të kalojnë në mosbindje civile deri në përmbysje

Sali BERISHA

Shumbja e Theatrit Kombetar, akt genocidi kulturor ndaj kombit shqiptar!

Te dashur miq, ne nje akt antikombetar, bastardi i bllokmeneve hoxhist antishqiptar kreu ne terrin e nates qe kaloi nje akt genocidi te vertet kulturor, rrafshoi njerin nga simbolet kombetare historike, Theatrin Kombetar dhe i zhduku Tiranes monumentin me kryesor historik dhe kulturor te saj dhe mbare kombit.

Me kete akt ky armik i eger i qeniesdhe identitetit kombetar ka fyer dhe poshteruar çdo qytetar shqiptar qe konsideron kulturen e kombit tone si njeren nga shtyllat baze te identitetit kombetar.

Nje akt te tille barabarie dhe genocidi kulturor nuk do guxonte ta ndermerrte asnje pushtues i huaj sado barbar qe te ishte ai.Ky akt eshte vazhdim ne shekullin e 21te i genocidit kulturor te Enver Hoxhes te shekullit te 20te.

Pas ketij akti lufte Edvin Kristaq Xhelati renditet ne radhen e armiqeve me te eger te kombit, identitetit dhe qenies se tij.

Duke denuar me ashpersine me te madhe aktin antikombetar te ketij armiku te eger dhe primitv te shqiptareve, ju bej thirrje shqiptareve te kalojne ne mosbindje totale civile gjer ne momentin e permbysjes dhe flakjes ne koshin e plehrave te historise te armikut kryesor te tyre Edvin Kristaq Xhelatit!

Zëri i Amerikës: Teatri u prish me forcë, tensionet janë të larta

Në Shqipëri, në orët e para të mëngjesit, mjetet e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit ndërhynë duke shembur godinën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, ndërsa e gjithë zona u rrethua me forca të shumta policie, të cilat ndërhynë më parë forcërisht duke shpërndarë grupet e artistëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës që ndodheshin me ta.

Tensionet kanë vijuar për orë të tëra ndërsa mësohet se disa dhjetra persona, mes tyre artistë të ndryshëm që kundërshtojnë prej gati dy vitesh projektin për prishjen e Teatrit, si dhe drejtuesja e Lëvizjes socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, janë shoqëruar në polici. Mes të shoqëruarve dhe gazetari dhe analisti Alfred Lela.

Ndërsa e gjithë zona vijon të mbetet e rrethuar dhe mjetet e rënda avancojnë me prishjen e godinës, tensionet mbeten të larta, me qindra persona po protestojnë ndaj veprimeve të autoriteteve.

Kryetari demokrat Lulzim Basha foli per dhunë barbare dhe paligjshmëri dhe njoftoi një mbledhje të opozitës për të vendosur qëndrimin që do të mbahet pas këtyre zhvillimeve: “Opozita do të mblidhet sot, koalicioni opozitar do të mblidhet sot dhe do të ndërmarrë veprimet politike.

Ajo që çdo shqiptar e kupton sot nga kjo ngjarje është se me Edi Ramën paligjshmëria, dhuna dhe pabesia do të vazhdojnë. Nuk do të ketë fund dhuna, paligjshmëria edhe padrejtësia pa marrë fund kjo qeveri dhe pa u larguar ky njeri. Nuk ka rrugë tjetër”, deklaroi zoti Basha.

Pasi u lirua nga policia ku u mbajt disa orë, zonja Kryemadhi foli me tone të ashpra. “Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos e njohin shtetin e Edi Ramës. Mos të njohin asnjë gjë, që është mbijetesë. Mos e përdorni fjalën revolucion se na shqetësohen ambasadat, iu duket fjalë e keqe por harrojnë që këlyshët e komunizmit i kanë aty dhe me ndihmën dhe pazaret e tyre”.

Presidenti Ilir Meta, i cili ka kundërshtuar publikisht projektin për shembjen e Teatrt Kombëtar reagoi sot me tone të ashpra. “Mafia urdhëroi shkatërrimin, jo vetëm të një prej monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara të Europës, por edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Dhunimi i njëkohshëm i artistëve dhe gazetarëve është një damkë e zezë për Mafien në pushtet. Ky është një krim kushtetues, ligjor dhe moral i paamnistueshëm”, shkroi zoti Meta në një postim në Facebook.

Ndërsa numri i qytetarëve që kanë sfiduar rregullat e ndalimit të lëvizjes për shkak të pandemisë COVID 19, e që po grumbullohen në zonën rreth Teatrit po shtohet, tensionet vijojnë të mbeten të larta. Herë pas here ka përpjekje për të çarë kordonin e policisë, të cilat sprapsen me forcë nga policia. Në zonë janë shfaqur dhe njësitë e trupave speciale.

/VOA

Reagon BE: Tirana nuk zbatoi kërkesën tonë, Teatri nuk duhej shembur

Ambasada e BE në Tiranë ka reaguar pas shembjes së Teatrit Kombëtar. Në një postim në “Twitter”, BE deklaron se prishja erdhi në një kohë që kishin kërkuar dialog para një vendimi të pakthyeshëm dhe shpreh keqardhjen që thirrja nuk u ndoq nga institucionet kombëtare e vendore.

“Prishja e Teatrit Kombëtar erdhi në një kohë kur ne kërkuam dialog midis autoriteteve dhe shoqërisë civile para se të merrej një vendim i pakthyeshëm. Na vjen keq që kjo thirrje nuk u ndoq nga institucionet përkatëse kombëtare dhe vendore.

Që në orët e para të këtij mëngjesi, kemi ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet e situatës në terren. Ne u bëjmë thirrje palëve të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin një përshkallëzimin të situatës”, deklaron zyra e BE.

Aktorja e madhe Roza Anagnosti në lot: Nuk kam fjalë…

Me zë të emocionuar, në lot, artistja e madhe, aktorja Roza Anagnosti nuk ka mundur të mos e shfaqë trishtimin për atë që po ndodh tek Teatri. Nuk ka pritur as një pyetje nga gazetarja Fatmira Nikolli teksa ka shprehur zemërimin e saj ashtu siç vetëm një artiste e kalibrit të saj mund ta shprehë.

“Ça të jem, e trishtuar me këtë pamje që shikoj. Jam shumë e trishtuar, nuk kam fjalë që të them, më vjen keq,. nuk kam fjalë. Është dhimbshme, nuk e justifikoj Policinë e Shtetit dhe njerëzit që janë aty pranë kanë bindjen e tyre, duhet respektuar gjithsecili.

Policia nuk duhet t’i prekë me dorë asnjëri. Ata kolegët e mi nuk duhet t’i prekë me dorë se kanë treguar vlerë, nuk kanë bërë asgjë të keqe që kanë mbrojtur diçka që iu dhemb brenda. Jam shumë e trishtuar, jam e trishtuar. Nuk kam fjalë, nuk e gjej logjikën e këtij veprimi.

Pse shqiptarët duhet të zihen, më duket e trishtueshme, duhet të ishte gjetur një…Nuk është ndonjë krim i madh që të bëhej një teatër i ri. Çfarë të keqe kishte. Mund të zgjidhje kështu, kur e sheh që ka ndjeshmëri për këtë gjë. Nuk është se është një ditë e dy por janë muaj, vite”, tha ajo.

Aktorja e madhe e ka quajtur të turpshme atë po ndodh dhe i ka bërë thirrje policisë të lirojë kolegët dhe të mos i prekë gazetarët.

Unë nuk kam gjë për të fshehur e kam thënë të sinqertë. Asnjëherë nuk kam qenë hipokrite dhe nuk kam qenë për konflikt. Kam qenë për mirëkuptim, për ulje dhe për bisedë. Më trishton të shoh qytetarët e mi që në fund të fundit kanë të drejtën e tyre.

Nuk mund të bëhet kjo gjë, është e turpshme, e padrejtë dhe kolegët e mi t’i lirojnë sa më shpejtë. Duhet respektuar ndjeshmëria e gjithsecilit. Policia ju lutem shumë, kanë bashkatdhetarët e tyre, duhen mirëkuptuar, nuk duhet bërë kjo. Nuk e justifikoj dot, natën, në kohë pandemie…Gjërat duhet të bëhen të hapura, me argumente, në respektim të gjithsecilit.

Në mëngjes i kam parë. Nuk ma mori mendja Fatmira. Konflikti brenda vetes kjo më dëshpëron akoma më tepër. Duhet respektuar gjithsecili, as gazetarët nuk duhen prekur. Kanë detyrën e tyre. Në qoftë se jemi në demokraci nuk duhet të dhunohen njerëzit. Zoti i ruajtë dhe duhet me u lut për këta njerëz që bëjnë veprime të tilla”, tha artistja e njohur.