23.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Rrëfimi i pacientit të parë të shëruar nga virusi vdekjeprurës, numri i të izoluarve arrin në 33 milionë

Pacienti i parë që është sheruar nga coronavirusi, 23-vjeçari Huang, ka zbuluar se si është dukur procesi i shërimit dhe cilat janë simptomat e sëmundjes që e dërguan në karantinë.

“Disa herë kam vuajtur nga ethet nga 28 dhjetori deri më 2 janar. Jam shëruar në karantinë”, ka filluar rrëfimin e tij Huang, transmeton Telegrafi.

Djaloshi nga qyteti Ëuhan është i punësuar në stacionin e trenave në Hanko, rreth një kilometër larg tregut të peshqve që konsiderohet se është burim i virusit vdekjeprurës.

Te mjeku shkoi pasi ankohej për plogështi, kokëdhembje dhe marramendje. Simptomat e para i ndjeu më 24 dhjetor, megjithatë të nesërmen gjendja shëndetësore iu përkeqësua. Mjekët i kishin përshkruar ampula – penicilin G dhe disa barna të cilat nuk precizoi për çfarë lloji bëhej fjalë – por ato nuk e ndihmuan.

Duke menduar se rikuperimi do të zgjatë, vendosi të largohet nga spitali dhe të kthehet në punë, por qysh gjatë rrugëtimit për në shtëpi – më saktësisht në autobus filloi të ndjen ethet. Më 1 janar shkoi për të marrë një mendim tjetër të mjekut në spitalin e qytetit, pasi dyshonte se mund të ketë pësuar ndezje në mushkëri.

Rezultatet e testeve shtesë treguan se ishte krejt diçka tjetër. Kur mjekët u informuan se vendi i tij i punës është shumë afër tregut ku shiten produkte deti, vendosën ta dërgojnë në spitalin e Jinintan, ku shërohen shumica e pacientëve me coronavirus.

Sipas tij në ato momente ndjehej aq keq sa që nuk ka mundur as të lëviz, sa që mjekët janë detyruar t’i vendosin bombolën me oksigjen afër. Ditët e ardhshme i kaloi në karantinë.

“Asnjë milimetër e lëkurës nuk më është zbuluar. Kam qenë i mbështjellë fort”, ka shtuar ai duke pranuar se punonjësit në spital kanë qenë shumë të sjellshëm me të, të përkushtuar ta ndihmojnë.

Për fat të mirë ka arritur të rimëkëmbet, dhe thotë se një nga gjërat që i ka ndihmuar t’i bëjë ballë virusi është mosha.
“Jam personi i parë që jam këndellur dhe lëshuar nga spitali. Jam shëruar shpejtë sepse isha i ri. I kam vetëm 23 vjet”, shtoi ai. /Telegrafi/

Tërmeti në Turqi, bilanci i viktimave rritet në 14, mbi 225 të plagosur

Një tërmet i fuqishëm prej 6,8 shkallë të Rihterit ka goditur pjesën lindore të Turqisë, ku si pasojë e lëkundjeve të mëdha kanë humbur jetën katër persona dhe dy tjerë janë lënduar.

Epiqendra e tërmetit është lokalizuar rreth 120 kilometra në verilindje të Gaziantep, në një thellësi prej dy kilometrave, transmeton Telegrafi.

Më së shumti është goditur provinca Elazig, e dridhjet janë ndjerë edhe në Irak, Siri, Izrael dhe Liban.

Në lindje të Turqisë janë shkatërruar 5 objekte. Shumë qytetarë të kapluar nga paniku vraponin nëpër të gjitha anët që t’i shpëtojnë më të keqes.

Janë 14 të vdekur dhe 225 persona janë plagosur. Ky është bilanci i deritanishëm zyrtar nga tërmeti i fuqishëm që goditi mbrëmjen e sotme pjesën Lindore të Turqisë. Ministri i Brendshëm turk Süleyman Soylu pohoi se raportohet për 100 ndërtesa të shkatërruara në Elazig.

Sipas mediave turke 8 persona humbën jetën në Elazig dhe 6 të tjerë në Malatya. Pas tërmetit, u raportuan 35 paslëkundje me madhësi që variojnë midis 2.7 dhe 5.4.

Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) të Turqisë, tërmeti goditi qarkun Sivrice të Elazığ në 8:55 p.m. (17:55 GMT) nga një thellësi prej 6.7 kilometra.

Menjëherë pas tërmetit fillestar, krahina u trondit më tej nga një seri pas goditjesh që shkonin midis magnitudave 5.4 në 3.3.
Sipas raporteve fillestare, tërmeti u ndje në provinca deri në Adananë jugore dhe Samsunin verior, së bashku me Sirinë veriore dhe Irakun.

Pjesa Lindore e Turqisë në një situatë të rëndë pas tërmetit të fuqishëm mbrëmjen e sotme. Në Twitter janë shpërndarë video të ndryshme që tregojnë pallate të shembura dhe forcat e shpëtimit dhe emergjencave në vend duke ndërhyrë.

Njerëz të tjerë nëpër rrugë që kërkojnë të afërmit e tyre, ndërsa vijojnë operacionet e evakuimit. Në këtë pjesë të Turqisë temperaturat shkojnë në disa gradë nën zero.

Aksidenti tragjik, humb jetën vëllai i Kryetarit të PD në Librazhd

Dalin detaje nga aksidenti i ndodhur pasditen e sotme në fshatin Pishkash, në aksin Përrenjas-Librazhd.

Mësohet se viktimë ka mbetur Ardian Vreto, vëllai i kryetarit të degës së PD-së në Librazhd Bujar Vretos.

45-vjeçari Ardian Vreto ka qenë më parë punonjës policie në Librazhd, por prej disa kohësh nuk e ushtronte më këtë detyrë.

Gjithashtu kanë mbetur të plagosur dhe një çift bashkëshortësh nga Durrësi, të quajtur Adnan dhe Frida Sota.

Nga informacionet paraprake, ende nuk bëhet me dije shkaku i përplasjes së dy automjeteve tip “Benz” dhe “Audi”.

Ndërkohë të plagosurit janë dërguar në spital, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ngjarja bëhet edhe më tronditëse pasi mësohet se Ardian Vreto ka mbërritur i gjallë në spitalin e Prrenjasit, por aty nuk kishte energji elektrike. Abc News raporton se, Ardian Vreto bashkë me tre të plagosurit e tjerë janë dërguar menjëherë pas aksidentit në Spitalin e Prrenjasit, por aty nuk kishte drita.

Menjëherë nga Prrenjasi, të plagosurit nisen me ambulancë për në Spitalin e Librazhdit, por rrugës situata e 45 vjeçarit Ardian Vreto përkeqësohet, nisur dhe nga sorollatjet disa minutëshe.

Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Pishkash pasditen e sotme, ku nga përplasja e dy automjeteve ka humbur jetën ish-punonjësi i policisë së Librazhdit, 45-vjeçari Ardian Vreto dhe janë plagosur 3 anëtarët e një familje që ndodheshin në makinën tjetër.

Gazeta RD i shpreh ngushellimet familjes Vreto per humbjen e njeriut te tyre te dashur.

Padia e Ballës përfundon në koshin e plehrave

Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e prokurorisë për pushimin e çështjes CEZ. Vendimi u mor këtë të premte nga gjykatësi Lazër Sallaku. Kjo përderisa hetimet gati 3 vjecare nuk dhanë rezultat, pasi nuk u gjendën elementë të veprave penale për ish-zyrtarët.

Hetimet për procedurën e privatizimit të OSSH nga cekët e CEZ në 2007, e cila u konsiderua korruptive, nisën kohë më parë dhe në pyetje u morën një numër i lartë zyrtarësh, përfshirë edhe Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Berisha.

Për këtë cështje u ngrit edhe një Komision Hetimor Parlamentar i drejtuar nga Taulant Balla, i cili në finale të tij arriti në konkluzionin se nga procedura e privatizimit të shtetit i ishte shkaktuar një dëm prej 414 milionë eurosh.

Mbi këtë konkluzion, gjykata rrëzoi prokurorinë dhe ktheu cështjen për rihetim, duke i lënë detyra shtesë për të përmbushur, sic ishte ndër të tjera pyetja e Shkëlzen Berishës, ish-ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli dhe biznesmenit Nue Kalaj. Me këtë vendim, dosja CEZ konsiderohet e mbyllur.

Bllof i SPAK me testin e drogës për Allën? Mjeku Zihni Sulaj shpjegon…

Asokohe u pa me shqetësim se në Shqipëri për të bërë testin e drogës nuk ka aparaturata sofistikuara, dhe testi përmes gjakut jep të dhëna vetëm për 72 orë, nga momenti i konsumimit, dhe derimë tani nuk dihet që të jetë bërë ndonjë investim në këtë pikëpamje.

Teksa është diskutuar disa vite më parë për të bërë testin e drogës te politikanët, një nga specialistët më të mirë të toksikologjisë në QSUT Zihni Sulaj do të shprehej se për të parë gjurmët e drogës në retrospektivë nevojiten teste shumë të specializuara që mund të kryhen vetëm në laboratore jashtë vendit.

Në një kërkim të thjeshtë rezulton se flokët e njeriut janë ato që mund të tregojnë gjurmët e drogës për një kohë më të gjatë, deri në 90 ditë, ndërkohë që në gjak gjurmët humbasin brenda 72 orësh.

Pra padyshim pasi kanë kaluar të paktën 3 ditë nga publikimi i videos, Allës mund t’i ketë shkuar në mendje dhe ky detaj, dhe të ketë qendruar larg lëndëve narkotike.

Nga ana tjetër mbetet për t’u parë nëse SPAK do ta dërgojë testin e Allës në një laborator jashtë vendit, ku mund të shihen edhe gjurmë më të largëta të lëndëve narkotike.

“Për fat të keq shumë nga këto nuk gjurmohen dot për interval retrospektive, që do të thotë zakonisht këto gjurmohen në praninë e substancave abuzive nga 24 orë deri në 72 orë në përdoruesit rastësore. Mënyra e testimit është e ndryshme për përdoruesit kronike të kanabisit që shkon deri në 1 muaj dhe përdoruesit e kokainës duhet ta bëjnë testin nga 7-10 ditë.

Përdoruesit kronikë, sidomos të kanabisit kjo dritare gjurmëshmërish mund të shkojë deri në një muaj dhe për 7-10 ditë për kokainën. Testet që përdoren janë teste të miratuara, teste të shpejta. Nëse ndonjë politikan apo zyrtar i lartë e ka marrë substancën jashtë këtyre afateve në Shqipëri nuk ka laboratorë që e gjurmojnë.

Këto kanë një dritare gjurmshmërie që shkojnë nga 1-3 muaj, më tej kjo nuk gjërmon asgjë. Gjithësesi vlera diaknostike është e padiskutueshme, këto në praktike janë mjete në ndihmë të terapisë framakollogjikë dhe terapive të tjera psiko-sociale.

Testet e sofistikuara janë gjithashtu të kushtueshme dhe arrijnë të zbulojnë prani të substancave në retrospektivë dhe përdoren kryesisht për kërkime shkencore dhe qëllime kriminalistike.

Për të gjurmuar në mënyrë retrospektive duhen teste të tjera më të sofistikura që nuk bëhen dot me urinën, por kërkojnë gjurmimin e tyre, në flokët e njeriut, në thonjtë apo në indin yndyror.

Në kushtet kur në vendin tonë nuk është i mundur ekzaminimi i përdoruesve të drogës në një periudhë te gjatë perpara mryerjes së testit të drogës mbetet i paqartë dhe i pashpjeguar debati prej më shumë se një viti në radhët e politikës, kur mjafton të ishin pyetur specialistët e fushës për ti kursyer qytetarët nga përplasje politike që janë shkencërisht të pamundura për tu provuar”, shprehej specialisti Sulaj.

KLSH zbulon dështimin e projektit me fondet e BE për statistikat

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit për menaxhimin e fondeve të BE-së në kuadër të instrumentit të parazgjerimit ka arritur në konkluzionin se vonesat e shkaktuara gjatë tenderimit dhe implementimit të projektit “Mbështetje për përmirësimin e Sistemit të Statistikave” kanë penguar realizimin e produkteve të tij brenda afateve të përcaktuara në Termat e Referencës, duke cenuar eficiencën e procesit.

Nga raporti auditimit rezulton se “AA ka refuzuar t’i përgjigjet kërkesave për informacion të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke mos vënë në dispozicion as raportet e auditimit apo të veprimtarisë së saj. Në këtë mënyrë, Agjencia ka shkelur jo vetëm ligjin e KLSH dhe ligjin e vet organik, por edhe standardet INTOSAI, mbi të cilat mbështetet, si dhe mbi të gjitha parimin e transparencës me publikun”

KLSH i ka propozuar Kryeministrit të nisë procedurën e shkarkimit nga detyra të Drejtoreshës së Përgjithshme të këtij institucioni për shkelje të nenit 57 pika 2 e Ligjit 152/2013 “Për Nëpunësin Civil”. Gjithashtu, Departamenti Juridik në KLSH të vijojë përcjelljen dhe ndjekjen në organet përkatëse kompetente të këtij refuzimi.

Projektet IPA janë konceptuar si një instrument orientues e lehtësues drejt anëtarësimit në BE të një vendi me perspektivë europiane. Ndonëse në Shqipëri projekte të tilla po aplikohen prej mëse 10 vjetësh dhe në shuma të konsiderueshme financiare, progresi real i vendit tonë drejt anëtarësimit në BE vijon të jetë i vakët.

Sipas KLSH, pala shqiptare në përgjithësi dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Financave të Ekonomisë në veçanti, kanë dëshmuar:

a) pasivitet në aplikimin për projekte të tilla, duke treguar se qasja jonë europiane vijon të mbështetet më shumë në slogane sesa në punë;

b) menaxhim të dobët në nivel strategjik, taktik e operacional të projekteve të ndërmarra, ku mungojnë struktura që duhet të ishin ngritur me kohë, mungon dedikimi ekskluziv i njësive IPA në përputhje me prioritetin politik e social, mungon monitorimi eficient në dimensionin financiar dhe atë performant, duke treguar rrjedhimisht për një proces më së shumti fiktiv të rritjes së kapaciteteve administrative dhe integrimi europian;

c) proces i mangët feedback-u në nxjerrjen e mësimeve nga gabimet e kaluara, korrigjimin e tyre në kohë dhe parandalimin e rindodhjes së tyre në ardhmen, duke treguar mungesë përgjegjësie dhe shkaktuar dëme financiare.

Në linjë me Marrëveshjen Kuadër dhe investimin e fuqishëm financiar të BE-së për integrimin europian të Shqipërisë, projektet IPA mund dhe do ta japin efektin e tyre të plotë vetëm pasi të ngrihen të gjitha strukturat e nevojshme, të dedikohen ato në përputhje me rëndësinë strategjike që kanë dhe të monitorohen e auditohen me përgjegjshmëri, koordinim dhe qasje pro-aktive.

Trajnimi i plotë dhe i përshtatshëm i personave përgjegjës për të gjithë ecurinë e projektit, e veçanërisht procesit të prokurimit, është i një rëndësie thelbësore për realizimin me sukses të projektit të Censusit 2020, të cilin INSTAT do ta implementojë në vazhdim.

Sipas raportit, trajnimet jo adekuate, lëvizja e shumtë e stafit dhe mungesa e burimeve njerëzore të dedikuara për projektet IPA bëjnë që realizimi i objektivave të projekteve të mos bëhet brenda afateve të përcaktuara dhe/ose të mos bëhet me një cilësi të kënaqshme.

Në konkludim KLSH ka rekomanduar njësia IPA pranë INSTAT, duke kërkuar edhe asistencën e strukturave të tjera të menaxhimit indirekt, të sigurojë trajnim të plotë dhe të përshtatshëm për stafin e përfshirë në implementimin e projekteve të ardhshme IPA, në të cilat institucioni do të jetë përfitues.

Njësia IPA pranë INSTAT, me qëllim përmirësimin e punës dhe rritjen e eficiencës në projektet e ardhshme që do të përfitojë, sipas KLSH duhet të hartojë dhe të përditësojë vazhdimisht Regjistrin për dobësitë e kontrollit të brendshëm dhe bazën e të dhënave kronologjike të ndryshimeve gjatë projektit. Në vazhdimësi

Sipas raportit, mungesa e Indikatorëve Kyç të Performancës (KPI) përpara 2019 kanë cenuar efektivitetin e procesit të vlerësimit të performancës së strukturave të menaxhimit indirekt të fondeve IPA.

Del botimi për fëmijë “Botë e larmishme”

“Botë e larmishme” është libri më i ri i hedhur në qarkullim nga Shtëpia Botuese “Muza”. Fëmijët mund të mësojnë nëpërmjet lojërave dhe ilustrimeve – ky është qëllimi i këtij botimi.

Plot 44 ngjarje, tregime, zakone, tradita, ndryshime dhe ngjashmëri! Megjithëse ka shumë gjëra që na bëjnë të dukemi njësoj, ka edhe shumë të tjera që na bëjnë të ndryshëm.

Jetojmë në një botë të larmishme. Që t’i përqafojmë ndryshimet midis nesh, t’i kuptojmë dhe t’i vlerësojmë të veçantat tona, para së gjithash duhet t’i njohim ato.

Mesazhi që duam të përcjellim me këtë libër nuk është vetëm që t’u gëzohemi ndryshimeve tona, por edhe t’i vëmë në dukje ato. Këto dallime përfshijnë fushën kulturore, funksionale, biologjike, linguistike, familjare dhe fetare.

Në disa vende të botës, ky libër është këshilluar të futet në metodikën edukuese të arsimit parashkollor dhe të ciklit të ulët.

Përktheu: Tea Metani

Vuçiç kundër të dërguarit të Trump: Nuk e tërheqim lobimin kundër pavarësisë së Kosovës

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha të premten në Beograd që nëse palët vendosin se nuk kanë për çfarë të bisedojnë, atëherë Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin serb. Aleksandër Vuçiç, duke ritheksuar qëndrimin e shprehur edhe gjatë vizitës në Prishtinë se Kosova duhet te heqë tarifat ndaj mallrave serbe, ndërsa Serbia duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Kur isha në Kosovë dje e bëra shumë të qartë para çdo udhëheqësi që takova, si edhe para medieve e komunitetit të biznesit se tarifat duhet të hiqen. Tarifat janë të papranueshme, dhe e bëj të njëjtën kërkesë këtu, që fushata për tërheqjen e njohjeve të Kosovës duhet të ndalet. Prandaj mendoj se ajo çka do të bëjmë është të vazhdojmë të lëvizim në këtë drejtim të përqendrimit në ekonomi”, tha ambasadori Grenell.

“E ndjej që ka energji meqë po bisedojmë për të arritur përparime të caktuara. Nëse palët vendosin që nuk duan të bisedojnë, atëherë do të tërhiqemi”, tha ambasadori Grenell.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se nuk mund të pranojë barazimin e heqjes së tarifave dhe ndërprerjes së fushatës për tërheqjen e njohjeve.

“Ne kemi qëndrim tjetër për njohjen e Kosovës nga Amerika dhe Prishtina. Ata duan që pavarësia e saj të njihet e në nuk duam. Sa u përket tarifave, ato janë vënë pas asnjë arsye”, tha presidenti serb sipas të cilit Serbia vetëm brenda një viti ka humbur 435 milionë euro për shkak të tarifave.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

Ambasadori Grenell tha se nuk i takon atij të vendosë nëse është apo nuk është e drejtë që këto gjëra të krahasohen, por ai përpiqet të përqendrohet në një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë.

“Unë jam këtu për të nxitur të dyja palët për bashkëpunim ekonomik, po ua lë politikën juve”, tha ambasadori Grenell. Në këtë kuadër gjatë takimit është diskutuar edhe për vendosjen e trafikut hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai po qëndron në rajon pak ditë pasi bashkë më këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, ndërmjetësoi një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, në një përpjekje për përmirësimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve.

Babëzia, Veliaj burgos mbledhësit e kanaçeve në kazanët e plehrave që punojnë për bukën e gojës

Reporter.al

Në një malore mbi tregun Elektrik në Tiranë, Fatmiri, 32 vjeç po shtyn me përtesë një karrocë të sajuar me një kuti kartoni, brenda së cilës gjendet një kanoçe e vetme. Pak metra larg tij ndalon një makinë ngjyrë portokalli me targa të huaja.
Një djalë mjekrosh rreth të 30-ave ia bën me dorë të ndalojë.

“Jam oficer i policisë kriminale,” i thotë dhe nxjerr nga xhepi një portofol me stemë të Policisë së Shtetit. “Më ngjave me dikë që kemi në kërkim. Më jep pak kartën e identitetit”!

Fatmiri, pjestar i komunitetit rom në Tiranë i zgjat kartën me një buzëqeshje në fytyrë dhe me moskokëçarjen e atij që i ndodh shpesh një episod i tillë.

Polici “verifikon” me disa lëvizje të kokës nga karta e identitetit tek një foto që kishte në celular. Pyet për numër telefoni dhe largohet pa kërkuar ndjesë.

“Ndonjëherë më ndalojnë dy-tre herë në ditë. Prandaj e mbaj kartën e identitetit në xhep. Po të mos e kisha, do më shoqëronin, do rrija tre orë në polici kot,” thotë burri, baba i katër fëmijëve, i cili e siguron jetesën duke mbledhur mbetje të riciklueshme nëpër kazanët e Tiranës.

Prej vitesh, Fatmiri dhe të tjerë mbledhës mbetjesh të komunitetit rom janë në një betejë të vazhdueshme me Bashkinë e Tiranës dhe Policinë e Shtetit, të cilët i luftojnë duke u sekuestruar motorët, duke u vënë gjoba të kripura dhe në ndonjë rast, duke i mbajtur në komisariate për verifikim.

Gentjan Serjani, jurist dhe aktivist i të drejtave të komunitetit Rom dhe Egjiptian denoncoi për BIRN arrestimin dhe dënimin e dhjetra ricikluesve të vegjël për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor gjatë viteve të fundit. Serjani tha se mjaft prej tyre janë të detyruar të paraqiten pranë oficerëve të Policisë Gjyqësore për t’u shpëtuar rindalimeve.

Të dhënat e mbledhura nga Serjani përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se Bashkia e Tiranës ka vendosur mbi 2 mijë gjoba ndaj grumbulluesve individualë në 5 vjet, ndërsa Policia e Shtetit ka bllokuar mbi 168 mjete në dy vitet e fundit me pretekstin e mungesës së patentës apo lejes së qarkullimit, përfshi triçikla dhe motorë që përdoren për të mbledhur mbeturinat.

Masat administrative nga bashkia shkojnë deri në 5 mijë lekë të reja dhe gjobat e Policisë Rrugore apo pagesat e parkimit të vendeve janë të papërballueshme nga anëtarët e këtij komuniteti, të cilët detyrohen t’i braktisin ato.

E pyetur nga BIRN mbi akuzat për përndjekje të mbledhësve individualë, Bashkia e Tiranës nuk ktheu përgjigje deri në botimin e këtij shkrimi.

Përndjekje deri në shtëpi
Përfshirja e Bashkisë së Tiranës në biznesin e riciklimit dhe më pas koncesioni i inceneratorit ua ka vështirësuar jetën dhjetra personave, shumica nga komuniteti rom, që mbijetojnë përmes mbledhjes së materialeve të riciklueshme nëpër kazanët e mbeturinave.

Megjithatë, Fatmiri nuk është dorëzuar.
Të ardhurat e siguruara prej tij, vëllait dhe kunatës nga mbledhja e kanoçeve mbajnë familjen. Ai vetë po rrit katër fëmijë, më i madhi 12-vjeç, ndërsa thotë se ndryshe prej tij, fëmijët i ka në shkollë.

Mundësitë e Fatmirit për të përballuar jetesën përmes mbledhjes së mbetjeve të riciklueshme megjithatë janë kufizuar. Ai i tha BIRN se më herët ka pasur një triçikël me të cilin siguronte deri në 1500 lekë të reja në ditë, por me karrocën e dorës ai thotë se bën maksimumi 600 lekë.

Fatmiri thotë se triçiklin e tij e sekuestroi policia për mungesë dokumentacioni, leje drejtimi dhe leje qarkullimi. Ai u arrestua dhe qëndroi 72 orë në qeli dhe më pas u dënua me kusht dhe detyrim paraqitjeje pranë Policisë Gjyqësore.

Grumbullues të mbetjeve të riciklueshme i thanë BIRN përmes intervistave të veçanta se përndjekja nga Bashkia dhe Policia Rrugore i kanë detyruar të heqin dorë nga motorët dhe t’u rikthehen biçikletave apo karrocave të dorës. Ata thanë se kjo gjë u ka përgjysmuar fitimin, por i ka bërë të padukshëm për policinë.

Aleks Shabaj, 26 vjeç i tha BIRN ndërsa shtynte një karrocë pranë ish-Agjencisë Telegrafike Shqiptare se motorin e tij e shiti para dy vitesh për të shmangur andrallat. Njësoj si Fatmiri, ai ankohet se tani mbledh shumë më pak materiale se më parë.
“Kur kisha motorin fitoja 10 deri 15 mijë lekë (të vjetra) në ditë. Me karrocë shumë dobët, mezi bëj 5 mijë lekë (të vjetra) në ditë”, thotë ai.

Ndonëse i shmang në maksimum zonat në qendër të Tiranës, Aleksi thotë se është bërë shpesh objekt i ndalimeve nga policia bashkiake, ndërsa nuk harron të kujtojë se në nja dy raste e kanë falur.

“U jam lutur dhe më kanë lënë,” thotë ai.
Të tjerë nuk kanë pasur të njëjtin fat.

Hekuran Shaqiri, 33 vjeç i tha BIRN se ka qëndruar deri në 72 orë në rajonin e policisë.
“Kundërshtova për materialet, për bukën e gojës. Policia bashkiake ushtroi edhe presion, edhe dhunë. Ata po i kundërshtove, e di si të marrin, të fusin brenda në furgon? Dhe s’ke ca i bën,” tha Hekurani.

Bashkë me të shoqen Trëndelina, Hekurani thotë se i ruhen policisë bashkiake, pasi po t’i shohin në rrugë me karroca apo motor, menjëherë vjen policia rrugore dhe ua sekuestron.

Të tjerë të intervistuar thonë se i tremben shumë arrestimeve. Ata shpesh janë të vetmit që punojnë dhe mbajnë me ushqim familjet dhe koha e burgut është kosto shtesë.

Demi Abdillari i tha BIRN se ishte dënuar me dy muaj burg, por e kishin liruar më pas me detyrim paraqitje.
“Jam 19 vjeç, jam vet’ i pesti në familje, me çfarë do e mbaj familjen,” thotë ai i irrituar.

Aktivisti Serjani i tha BIRN se së fundmi policia bashkiake nuk po mjaftohej me ndalimet në rrugë, por ndonjëherë i ndiqte mbledhësit deri në shtëpitë e tyre.

“Kemi një video që tregon se si e kanë tmerruar një familje,” thotë Serjani, duke shtuar se policia u kishte sekuestruar bidonat dhe mallin në oborrin e shtëpisë.

Në “ilegalitet” prej kohësh duket se janë edhe një pjesë e mirë e atyre që blejnë mbetjet të riciklueshme nga grumbulluesit. BIRN vizitoi disa pika në Tiranë, një prej të cilave rezultoi e mbyllur, ndërsa i zoti i një pike tjetër mohoi të blinte materiale nga grumbulluesit, ndonëse kishte hekurishte dhe një sasi kanaçesh në oborr.

Të paktën dy biznesmenë që kishin vepruar në këtë fushë i thanë BIRN në biseda telefonike se kishin mbyllur aktivitetin.
Ndërsa Reshat Mansaku, biznesmen i riciklimit të metaleve me ngjyrë tha se fushatat kundër grumbulluesve kanë ndikuar edhe në biznesin e tij.

“Kjo [përndjekja] bëhet me fushata, si të gjitha gjërat këtu. Vazhdimisht ka pasur fushata sipas interesit të momentit. Herë pas here na ka krijuar probleme, por nuk mund të them sa, nuk mund t’a llogaris,” tha Mansaku. “Te sektorë të tjerë të riciklimit ka qenë më e ndjeshme,” shtoi ai.

Buka e pasigurt
Sanie Shaqiri, 53 vjeç kujdeset për 3 mbesat e saj të vogla, të braktisura nga e ëma. Gërmimi nëpër kazanë është për Sanijen mundësia për të marrë 3-4 mijë lekë të vjetra për të blerë një pako makarona që t’i gatuajë për mbesat.

“Kur shkoj tek kazanat e plehrave, e di si kruhem apo jo? Çdo natë pi incidal [antialergjik], çdo natë”, thotë gruaja me lot në sy.
Të martën më 21 janar, të gjitha përpjekjet e saj për të siguruar një vakt në shtëpi u shuan. Sanija tha se policia bashkiake i kishte sekuestruar dy thasë me shishe plastike dhe se atë ditë nuk do të mund të çonte asgjë në shtëpi.

I revoltuar me sekuestrot është edhe Tomorri, rreth të 50-ave, i cili shtyn një karrocë fëmijësh mbushur me kanaçe që herët në mëngjes. Ai tha se atij dhe të vëllait, Policia Bashkiake u kishte sekuestruar në Qytetin Studenti gati një makinë me shishe plastike e kanaçe.

“Atij të madhit (kryetarit të bashkisë), Zoti e nimoft atë të madhin, por ça ka me romët? T’i lejë romët të punojnë, ne kanaçe po mbledhim, nuk vjedhim njeri. Ne të gjithë kaq do marrim (bën me shenjë nga toka) dy metra dhe,” thotë ai.
Por Tomorri e di që lufta është e humbur.

“Me shtetin dhe me zjarrin nuk luhet”, thotë ai, ndërsa bën me duar gjestin e arrestimit. Mundësi të tjera për të dhe tre fëmijët që ka në shtëpi, nuk ka. Ai thotë se merr një ndihmë sociale për një fëmijë të sëmurë, por ajo nuk mjafton për të vënë ushqim çdo ditë në tavolinë.

Hekuran Shaqiri i tha BIRN se kishte provuar të dilte nga ilegaliteti, por pa sukses. Ai tha se kishte punuar për një farë kohe në impiantin e mbetjeve në Sharrë, por puna atje kishte qenë mjaft më e rëndë dhe më pak e paguar se ajo e mbledhjes në kazanë.
“Kam punuar për 7 muaj në landfillin e Sharrës, po atje nuk punohet.

Të keqen e kazanave,” thotë Hekurani. “Plus paga është shumë e keqe për atë lloj pune. Për më tepër më mbanin 3.000 lekë të reja nga paga për sigurimet shëndetësore,” thotë ai me ironi. Ai dhe e shoqja i thanë BIRN se jetonin në kushte të këqija dhe se kishin humbur një fëmijë 9-muajsh për shkak të mungesës së kujdesit shëndetësor.

Demi Abdillari po ashtu thotë se rroga për punë krahu që mund të gjejë ai është shumë e vogël për të mbajtur familjen. Ndërsa Fatmiri i tha BIRN se përpjekjet e tij për të siguruar një punë kishin përfunduar me marrjen e një cope letre nga Zyra e Punës dhe përcjelljen duar bosh.

Aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve të margjinalizuara i thanë BIRN se përpjekjet për punë të rregullt dështonin edhe për shkak të kulturës së jetesës së grumbulluesve.

“Këta persona janë mësuar me një pagë ditore, dhe një pagesë mujore e marrë vetëm një herë në muaj, si edhe një orar fiks, do të thotë komplet ndryshim stili jetese për ta. Shumica e tyre nuk e menaxhojnë dot këtë situatë,” tha Sebastiani, një prej aktivistëve që BIRN takoi në zonën e Kombinatit.

Titulli i autorit: Lufta për një kafshatë bukë: Mbledhësit e mbeturinave përndiqen në Tiranë

Vladimir KARAJ
Nensi Bogdani

Dosja 120 milionë euro që PD dorëzoi sot në SPAK, shifrat e panjohura të një megaskandali

ALBANA VOKSHI

Koncesioni 120 milionë euro i checkup-it është një nga vendimet më korruptive të Edi Ramës, që ka dëmtuar rëndë sistemin e shëndetësisë në Shqipëri. Edi Rama, Vilma Nushi dhe kushdo zyrtar tjetër që ka firmosur për këtë koncesion që vjedh shqiptarët duhet të përgjigjet përpara drejtësisë.

Për këtë arsye, Partia Demokratike ka vendosur të dorëzojë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion provat e reja që disponon dhe që provojnë se koncesioni manipulon formularët ndër vite për bërjen e analizave.

Këto të dhëna faktojnë se në Qendrat Shëndetësore janë shpërndarë me mijëra formularë të vitit 2015, të cilët duhen mbushur sipas informacioneve që po çon koncesionari këto muajt e fundit. Partia Demokratike disponon, gjithashtu, fakte se përfundimi i analizave që bëhen nga koncesioni korruptiv i Edi Ramës është i ndryshëm nga të njëjtat analiza të kryera në privat apo në shtet.

Partia Demokratike u bën thirrje të gjithë mjekëve të qendrave shëndetësore të mos plotësojnë asnjë formular të analizave të checkup-it për vitet e shkuara, të mos bëhen pjesë e manipulimit, pasi ky koncesion korruptiv do të shkojë para drejtësisë.

Ka edhe një mashtrim tjetër të madh nga Edi Rama. Checkup-i nuk është falas, siç propogandon ai. Shqiptarët jo vetëm paguajnë rreth 15 euro për një analizë, shumë më shtrenjtë se në privat, por paguajnë edhe për qindra mijë analiza të tjera që nuk bëhen kurrë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se për tre vitet e para, Vilma Nushi është paguar në mënyrë abuzive me 12.6 mln Euro për rreth 500 mijë analiza të pabëra asnjëherë. Po ashtu, financuesja e Edi Ramës ka marrë pagesë TVSH-je në mënyrë të paligjshme për shërbime që përjashtohen nga ky tatim.

Për të mbuluar skandalin e Checkup-it, të firmosur prej tij vetë dhe duke mbrojtur aferat e tjera korruptive, Edi Rama kërcënon me padi kundërshtarët politikë dhe me mbyllje mediat që i denoncojnë ato. Vjedhja, manipulimi i formularëve për të rritur milionat që futen në xhepin e Vilma Nushit dhe atyre që e kanë ndihmuar për të marrë këtë tender korruptiv janë shkaqet kryesore pse Edi Rama e mban të fshehur si sekret tregtar kontratën e checkup-it.

Të gjitha këto janë fakte publike që SPAK duhet t’i hetojë pa vonesë, të çojë prapa hekurave këdo që ka vjedhur dhe t’u kthejë shqiptarëve paratë e vjedhura.

Duke i kërkuar Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion ta hetojë me prioritet këtë koncesion që ka llogaritur t’u vjedhë shqiptarëve rreth 120 milionë euro, Partia Demokratike siguron qytetarët, se anullimi i këtij koncesioni hajdut dhe shkatërrues për shëndetësinë do të jetë një nga aktet e para të Partisë Demokratike në krye të qeverisë.

*Bashkëngjitur, formularët e dërguar këto muaj nga koncesionari për të plotësuar të dhënat e 2015-ës.