16.5 C
Tirana
E diel, 25 Maj, 2025

Përplasja Veliaj-Klosi për aferën 220 milionë të Kryebashkiakut me inceneratorin

Debati mes Ministrisë së Financave e Ekonomisë (MFE) dhe Ministrisë së Mjedisit për mosparashikimin e fondeve në buxhet dhe si u zgjidh problem me firmën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Financat e kalojnë projektin “pa komente”.

Fillimisht Ministria e Mjedisit pretendoi se investimi do të realizohet nga operatori privat tërësisht me fonde të veta, por buxheti planifikon të paguajë 220 mln euro deri në fund të koncesionit

Raporti i auditimit të koncensioneve ka nxjerrë në pah ndër të tjera edhe përplasjet mes institucioneve për “autorësinë” e koncesioneve të dhëna. Rasti më tipik sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit është miratimi nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për projektin e inceneratorit të Tiranës.

Sigurisht që për një koncesion që i kalon shifrat e 220 milionë eurove, ping-pongu mes institucioneve për të shmangur përgjegjësitë është normal por KLSH ka zbardhur me detaje problematikën dhe përgjegjësit e koncesionit.

Projekti i inceneratorit të Tiranës me objekt “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitim i venddepozitimeve ekzistuese Tiranë” përfshin një procedurë me propozim të pakërkuar për një periudhë 30 – vjeçare për financimin, investimin, operimin dhe transferimin. Nisma është marrë, sipas shkresës nr. 13118 prot. të MFE, datë 28/09/2016, nga ana e Ministrisë së
Mjedisit e cila, ka paraqitur për miratim paraprak studimin ekonomiko – financiar për këtë projekt.

Në lidhje me këtë kërkesë, nga ana e MFE me shkresë nr. 13118/1 prot. datë 17/10/2016 është kthyer përgjigje në të cilën referohet pamundësia për tu shprehur pasi dokumentacioni i paraqitur nuk ka formën e studimit përfundimtar të fizibilitetit.
Në vijim, në dhjetor 2016, Ministria e Mjedisit ka ridërguar kërkesën për miratim mbi studimin e fizibilitetit, ku bëhet një përmbledhje e të ardhurave dhe shpenzimeve të projektit, implementimit të tij, situatës aktuale në menaxhimin e mbetjeve në Qarkun e Tiranës, objektivat e projektit të propozuar situatës të prodhimit të mbetjeve në këtë territor, përshkrimi i projektit, teknologjia që do përdoret, analiza SWOT si dhe pagesat takuese për zhvillimin e koncesionit.

Në këtë shkresë është cituar që studimi i fizibilitetit është përfundimtar dhe përfshin arsyetimin e vendimit për dhënien me koncesion, analizën e riskut dhe çdo element të domosdoshëm referuar legjislacionit në fuqi për koncesionet.

(Mos) kundërshtimi i Financave
Fillimisht MFE me shkresë nr. 13118/3 prot., datë 23.01.2017 ka mbajtur qëndrim kundërshtues dhe janë kërkuar sqarime të mëtejshme në lidhje me çështjet e mëposhtme, duke cituar se nuk ka një argumentim të plotë sipas KSP (Krahasuesit të Sektorit Publik) se dhënia e projektit me koncesion paraqet vlerë më të mirë për para në krahasim me metodën e prokurimit publik.

Financat shprehen se nuk është kryer një analizë ndjeshmërie sasiore në bazë të skenarëve të ndryshëm dhe se nuk është përcaktuar qartë se nga do përballohet kostoja e shpronësimit të tokës private që prek projekti koncesionar. Gjithashtu nga verifikimi i të dhënave të paraqitura, IRR (norma e brendshme e kthimit) dhe NPV (vlera në kohë e parasë) e llogaritur nga MFE është e ndryshme nga ajo e paraqitur në studim fizibiliteti.

Financat kundërshtojnë fillimisht projektin koncesionar, pasi nuk rezulton i planifikuar brenda tavaneve buxhetore të miratuara për Ministrinë e Mjedisit sipas pagesave të parashikuara në studimin e fizibilitetit për një periudhë 30- vjeçare nga Qeveria Shqiptare në shumën 130,883,750 Euro pa TVSH dhe nga buxheti i bashkive 91,784,500 Euro pa TVSH.

KLSH ka zbuluar se ekzistojnë kontradikta në lidhje me financimin nga buxheti duke qenë se sipas shkresës nr. 5474/8 datë 07/11/2016 është cituar që “vetë procedura koncesionare nëse do të ketë një ofertues fitues dhe një kontratë të lidhur, nuk do të ketë efekte shtesë në buxhetin e shtetit, pasi kemi të bëjmë me një investim privat, madje buxhetit të shtetit do t’i shtohet vlera e tarifës koncesionare që do të detyrohet të paguajë subjekti”.

Sqarimet e Ministrisë së Mjedisit
Ministria e Mjedisit ka sqaruar kundërshtimet e Financave duke u shprehur se argumentimi në lidhje me cilësimin si më të favorshme të koncesion/PPP në raport me atë të prokurimit publik, bazohet mbi mundësinë e sigurimit të fondeve nga sektori privat (sektori publik është në pamjaftueshmëri fondesh për sigurimin e fondeve për financimin e objektit), aftësitë më të specializuara teknike të sektorit privat, transferimi i një pjese të risqeve te sektori privat, etj

Mjedisi argumenton koston e skenarit pesimist në rast të mosplotësimit të sasisë minimale të garantuar të mbetjeve prej 700 ton/ditë. Më tej kjo ministri ia kalon përgjegjësinë Bashkisë së Tiranës për koston e shpronësimeve dhe mbështetjes financiare nga qeveria qendrore për një pjesë të financimit për njësitë e vetëqeverisjes vendore të Qarkut Tiranë, që preken nga zbatimi i këtij projekti.

Lidhur me mosplanifikimin e projektit brenda tavaneve buxhetore të miratuara për Ministrinë e Mjedisit, sqarimi është që për këtë rast nuk paguhet koncesionari nga Ministria e Mjedisit, por qeveria subvencionon Bashkinë Tiranë për pjesën e detyrimeve që lindin ndaj shoqërisë për menaxhimin ton/mbetje.

Nga ana e MFE me shkresë nr. 13118/5 datë 14/02/2017 në përgjigje të rikërkesës për miratim është mbajtur i njëjti qëndrim, duke kërkuar të planifikohet brenda tavaneve buxhetore vjetore të Ministrisë së Mjedisit të miratuar nga Kuvendi, brenda tavaneve të shpenzimeve për periudhën afatmesme të miratuar me VKM si dhe reflektimin e rekomandimeve të bëra nga MFE në përgjigjen e mëparshme.

Në vijim të kërkesave të MFE, Ministria e Mjedisit, me shkresë nr. 13118/6 prot. MFE, datë 21.03.2017 sqaron se arsyeja për të cilën nuk është parashikuar projekti brenda tavaneve buxhetore të Ministrisë së Mjedisit lidhet me faktin se investimi do të realizohet nga operatori privat tërësisht me fonde të veta dhe ky institucion nuk do të faturojë asnjë lekë në/dhe për llogari të subjektit që do të shpallet fitues në fund të procedurës.

Dy janë arsyet ku bazohet Ministria e Mjedisit për mos parashikimin dhe miratimin e këtyre fondeve në buxhetin e saj: ministria e Mjedisit nuk do të ketë asnjë financim apo mbulim të detyrimeve të impiantit dhe se Bashkia Tiranë si autoriteti më i madh i përdorimit të impiantit do të përballojë shpenzimet e depozimit të mbetjeve dhe të shpronësimit të tokës me anë të grantit të pakushtëzuar nga qeverisja qendrore e cila nuk ka tavan të miratuar nga Kuvendi.

Ping-pongu mes ministrive
MFE me shkresën nr. 13118/7 prot MFE, datë 02/03/2017 është shprehur se “..duke qenë se në studimin e fizibilitetit shpreheni se Qarku i Tiranës është financuesi dhe përfituesi kryesor i projektit, kërkojmë nga ana juaj marrjen e miratimit me shkrim nga ky Qark, referuar modelit financiar të propozuar në studimin e fizibilitetit”.

Nga ana e Ministrisë së Mjedisit është paraqitur kopje e shkresës së dakordësisë së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, mbi bazën e studimit të fizibilitetit. Në shkresën nr.3275/1 prot. Bashkia Tiranë, datë 27/03/2017, në lidhje me dakordësinë është parashtruar që “…Bashkia Tiranë shprehet parimisht dakord për sa i përket rolit të saj referuar Studimit të Fizibilitetit…”

Bazuar në këto sqarime shtesë, nga ana e MFE me shkresë nr. 13118/9 prot. MFE, datë 06.04.2017 i është kthyer përgjigje Ministrisë së Mjedisit në të cilën është cituar që shprehet pa komente për sa kohë që financuesi dhe përfituesi kryesor i projektit është Bashkia Tiranë, e cila ka shprehur parimisht dakordësinë (këto terma nuk njihen nga VKM nr. 575 datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat” i ndryshuar).

Firmos vetëm Bashkia Tiranës
Nga auditimi konstatohet se shprehja në lidhje me këtë rast është realizuar duke mos adresuar kërkesat e paraqitura më parë, duke qenë se Bashkia Tiranë përbën vetëm një nga njësitë e vetëqeverisjes vendore të Qarkut Tiranë (pra është kryesori por jo i vetmi).

Në vijim, është kërkuar vlerësimi me prioritet i çështjeve të mëposhtme: kostot që materializohen si pasojë e risqeve të kursit të këmbimit dhe inflacionit, të përllogariten plotësisht brenda totalit të parashikuar si mbështetje financiare për këtë projekt; marrjen e miratimit nga ana e MIE si institucion përgjegjës në politikat në fushën e energjisë elektrike për përballimin e riskut nga çmimi i energjisë elektrike dhe marrjen e miratimit nga Njësitë vendore, që përfshihen nga projekti për përballimin nga ana e tyre të riskut të sasisë minimale të garantuar të mbetjeve.

Nga auditimi në lidhje me këtë projekt koncesionar, studimit të fizibilitetit, korrespondencës ndërmjet institucioneve të përfshira në projekt dhe atyre që duhet të ishin përfshirë, bazuar në kriteret e auditimit, KLSH ka konstatuar disa problematika dhe mangësi në drejtim të përballueshmërisë, realizueshmërisë dhe risqeve të marra përsipër nga sektori publik dhe në veçanti për Buxhetin e Shtetit.

Pagesat, 7.42 milionë euro në vit
Koncesioni përpin 130 milionë euro nga buxhetit shtetit dhe 91.7 milionë euro nga 4 bashkitë e qarkut të Tiranës

Projekti koncesionar/PPP, i paraqitur, ka parashikuar kryerjen e pagesave për ofrimin e shërbimit në shumën 7.422.275 euro në vit pa TVSH, nëpërmjet garantimit të një minimumi ditor prej 700 ton/mbetje në ditë me tarifë prej 29.05 euro/ton, që për të gjithë kohëzgjatjen e koncesionit parashikohen në shumën 222,668,250 euro pa tvsh.

Këto pagesa, sipas studimit të fizibilitetit dhe kërkesës së MFE për parashikimin në tavanet buxhetore, janë të detajuara në shumën 130,883,750 euro mbështetje nga qeveria shqiptare dhe 91,784,500 euro pa tvsh nga buxheti i bashkive në përbërje të Qarkut Tiranë, për të gjithë kohëzgjatjen 30 vjeçare.

Megjithëse është parashikuar mbështetje buxhetore nga qeveria në studimin e fizibilietit, nëpërmjet parashikimit të këtyre kostove në tavanet buxhetore të miratuara për Ministrinë e Mjedisit, për realizimin e projektit nga qeverisja qendrore për njësitë e qeverisjes vendore për pagesën e tarifave të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Tiranë, konstatohet se në momentin e miratimit të studimit, nga ana e MFE është dhënë miratimi edhe pse këto fonde nuk kanë qenë disponibël.

Në lidhje me këtë konstatim, nga ana e MFE janë paraqitur observacione me shkresën nr. 5929/9 datë 28/08/2019 në të cilën është sqaruar se Studimi i Fizibilitetit i dërguar me shkresën nr.5474/25 datë 21.02.2017 nga ana e Ministrisë së Mjedisit në faqen 99 shprehet qartësisht se ministria e Mjedisit nuk do të ketë asnjë lloj financimi apo mbulim të detyrimeve të ndërtimit apo mbajtjes së impiantit.

Bashkia Tiranë, si autoriteti më i madh i përdorimit të këtij impjanti, do të përballojë shpenzimet përkatëse të depozitimit të mbetjeve dhe të shpronësimit të tokës ku do të ndërtohet impianti me anë të grantit të pakushtëzuar që qeveria qendrore alokon për qeverisjen lokale.

Ky grant nuk ka në asnjë rast tavane të miratuara me ligj nga Kuvendi. Për këtë arsye shpenzimi nuk është as brenda tavaneve të bashkisë së Tiranës për vitin 2017. Nga ana tjetër, granti i pakushtëzuar, një ndër prioritetet që ka është se mund të përdoret nga përfituesi i saj për nevojat e tij.

Pra, me fjalë të tjera, Ministria e Mjedisit siguron Ministrinë e Financave se kostot e këtij projekti koncesionar do të mbulohen kryesisht nga Bashkia Tiranë, dhe si rrjedhojë nuk ka asnjë kosto për t’u parashikuar nga Ministria e Mjedisit për këtë projekt në Programin Buxhetor Afatmesëm ( PBA) dhe në ligjin e buxhetit vjetor.

Në këtë kuptim, dhe tabela e kostove e evidentuar në faqen 98 të Studimit të Fizibilitetit shpreh pikërisht ndarjen e burimit të financimit të këtij projekti në dy komponentë, Qeveria nëpërmjet Grantit të Pakushtëzuar, dhe bashkitë nëpërmjet të ardhurave të veta që gjenerojnë nga taksat dhe tarifat vendore.

Si mbulohen kostot me akte normative
Në lidhje me këto pretendime të dërguara nga ana e MFE, KLSH shprehet se dy burimet e financimit të projektit kanë parashikuar financim nga qeverisja qendrore dhe nga të ardhurat e veta të autoriteteve publike të prekura nga ky projekt. Konstatimi në lidhje me grantin e dhënë nga qeverisja qendrore i referohet mbështetjes së dhënë në formën e transfertës së pakushtëzuar, sikurse është evidentuar në observacione.

Në rastin e miratimit të projektit, shtesa që kërkon implementimi i tij do të duhej të përfshihej në të njëjtën masë në rritjen e transfertës së pakushtëzuar për këto bashki, rreth 6.5 milion euro në vitin e parë sipas studimit të fizibilitetit (ndërkohë që totali i tranfertës së pakushtëzuar për vitin 2017 të akorduar për Bashkinë Tiranë është rreth 14 milion euro, pra rreth gjysmën e transfertës aktuale.)

Në 14 milion euro që përfshin transferta e vitit 2017 sipas ligjit të buxhetit të vitit 2017, janë të përfshira shpenzime dhe investime në vazhdim nga viti i kaluar, të cilat nuk mund të ndërpriten duke qenë se përfshijnë projekte shumëvjeçare të financuara nga ky burim financimi. Nga ana tjetër, granti i pakushtëzuar ka tavan të miratuar nga Kuvendi në total për shpenzimet për buxhetin vendor dhe në të njëjtën kohë shpërndahet me formulë në të gjitha njësitë e vetqeverisjes vendore.

Në vazhdim të këtyre argumentave, KLSH sqaron se edhe nga analiza e kryer në lidhje me financimin aktual të këtij projekti për pjesën që financohet nga qeverisja qendrore, konstatohet se përdoren fondet e planifikuara në programin 6220 të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në shumën e planifikuar 753,000 mijë lekë, të akorduara me Aktin Normativ nr. 1 datë 26/07/2018.

Ky argument fakton konstatimin se këto fonde duhej të ishin pjesë e fondeve të planifikuara dhe jo të shtohen me akte normative si pasojë e kërkesave kontraktuale detyruese, duke e vendosur Buxhetin e Shtetit ndaj risqeve të marra përsipër por të buxhetuara. Për këto arsye, observacionet e bëra nga MFE nuk merren në konsideratë, thotë KLSH.

Nga auditimi konstatohet se MFE, për pjesën e projektit të financuar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, është shprehur pa koment, duke mos e kundërshtuar projektin, bazuar vetëm në “dakordësinë në parim mbi studimin e fizibilitetit” të kryetarit të Bashkisë Tiranë.

Angazhimi për dakordësinë duhet të përfshijë marrjen e vendimit nga Këshilli Bashkiak përkatës, si autoriteti kompetent për miratimin e buxhetit, ndërkohë që aprovimi është dhënë nga autoriteti i kryetarit të Bashkisë që ka për kompetencë vetëm propozimin e buxhetit në këshill.

Problemet me shpronësimet e tokës
Raporti i KLSH ka konkluduar se Autoriteti Kontraktues përgjegjës për procedurën e dhënies me koncesion/PPP nuk e ka përfshirë sipërfaqen e pronës private në procedurën për dhënie të kontratës, gjë kjo në përputhje me përcaktimin e mësipërm ligjor.

Studimi i fizibilitetit i dorëzuar në Dhjetor 2016 në MFE ka parashikuar që 39.9% e sipërfaqes së tokës është në pronë private për të cilën duhet të kryhen procedurat e shpronësimit. Konkretisht sipërfaqja private përcaktohet në masën 478,800 m2 (1,200,000 m2 *39.9%), për të cilën është parashikuar një kosto shpronësimi në shumën 214,502,400 lekë, duke marrë në konsideratë çmimin 448 lekë/ m2 referuar VKM nr. 89 datë 03.02.2016 “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”.

Nga auditimi konstatohet se kjo vlerë e parashikuar për shpronësimin për interes publik me qëllim realizimin e projektit nuk është parashikuar në buxhetin e nevojshëm, që kërkon ky projekt dhe as nuk është pjesë e analizës ekonomike dhe finanaciare në flukset e parasë dhe treguesit financiarë të projektit.

Në lidhje me këtë konstatim, nga ana e MFE janë paraqitur observacione me shkresën nr. 5929/9 datë 28/08/2019 në të cilën është sqaruar se..Me anë të shkresës nr. 13118/3 datë 23.01.2017 Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka kërkuar Autoritetit Kontraktues që të sqarojë se …në tokën në të cilën do të ndërtohet impianti i riciklimit, ku shteti është pronar për 60.1% të sipërfaqes, kurse pjesa tjetër prej 39.9% është pronë private, e cila do të shpronësohet me një kosto totale prej 214 milionë lekë, kosto e cila nuk del qartë se nga do të përballohet.

Nëse kjo kosto do të përballohet nga buxheti i shtetit, duhet të garantohet krahas mbështetjes buxhetore dhe përballimi i kësaj kostoje brenda fondeve buxhetore të miratuara të institucionit përgjegjës.”.

Në përgjigje të kësaj shkrese, me anën e shkresës nr 5474/25 prot., datë 21.02.2017, Autoriteti Kontraktues ka riargumentuar se në tokën në të cilën do të ndërtohet impianti i ricikimit në 60.1% të sipërfaqes pronar është shteti, ndërsa pjesa tjetër prej 39.9% është pronë private e cila do të shpronësohet referuar legjislacionit në fuqi, konkretisht ligjit nr 8561 datë 22.12.1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë private”.

Në ligjin nr.125/2013 “Për koncesionet/PPP”, i ndryshuar, i cili është akti bazë që rregullon koncesionet/PPP, në nenin 37 “Marrëdhëniet e pronësisë” është përcaktuar se: “Në rast se një kontratë koncesioni/partneriteti publik privat përfshin përdorimin e pasurisë në pronësi të një personi, që nuk është i përfshirë në procedurën për dhënie të kontratës, marrëdhëniet e pronësisë që shoqërojnë një pasuri të tillë duhet të zgjidhen sipas legjislacionit në fuqi, në mënyrë që të mos pengohet realizimi i projektit gjatë periudhës së kontraktuar….”

Në lidhje me këto observacione të dërguara nga ana e MFE, KLSH shprehet se kostoja e shpronësimit për pjesën e tokës private të projektit është pjesë përbërëse e kostove të investimit që ka nevojë për financim me flukse hyrëse në mënyrë që të angazhohen fonde për përballimin e flukseve dalëse që kërkon projekti në tërësi.

Në këtë mënyrë, sikurse është shprehur edhe në konstatim, rezulton se kjo kosto nuk është e planifikuar në formën e fondeve për investime për Buxhetin e Shtetit, që përfshin të gjithë autoritetet e përfshira në procedurën për dhënie me koncesion.

Një studim fizibiliteti nuk mund të kalojë pa përfshirjen e të gjitha njësive, të cilave u preken fondet përkatëse si rezultat i zbatimit të projektit koncesionar dhe pa siguruar që këto njësi i kanë këto fonde disponibël. Detyra e MFE lidhet pikësisht me vlerësimin e përballueshmërisë së projektit për Buxhetin e Shtetit (dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore të prekura nga ky projekt janë pjesë e Buxhetit të Shtetit).

Përdorimi i fondit rezervë të Buxhetit të Shtetit në vitin 2018 sipas VKM nr. 811 datë 26/12/2018 për përballimin e kostove të shpronësimit të inceneratorit është pikërisht fakti që tregon “mos parashikim e këtyre kostove në momentin e miratimit nga MFE të projektit” dhe miratimin megjithë papërballueshmërinë e tij për Buxhetin e Shtetit, thekson KLSH.

Për analogji, në rastin e projektit koncesionar/PPP “Përmirësimi i infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës”, këto kosto janë pjesë e analizës ekonomike dhe financiare të studimit të fizibilitetit, ndërsa në këtë projekt koncesionar/PPP nuk janë.

Gjithashtu në pikën 3 të nenit 7 të VKM nr. 575 datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat” i ndryshuar është përcaktuar qartë që “Kostot e drejtpërdrejta të investimeve lidhen në mënyrë specifike me ndërtimin e objekteve të reja dhe mund të përmbajnë, por nuk kufizohen në shpenzimet fillestare për përgatitjen e projektit, duke përfshirë shërbimet financiare, ligjore, të prokurimit, teknike dhe të menaxhimit të projektit, kostot e projektimit, kostot e tokës apo të blerjes së një aseti të ri, kostot e përgatitjes së truallit, kostot e ndërtimeve dhe të vënies në funksionim, duke përfshirë edhe lëndët e para, pajisjet, instalimet, fuqinë punëtore, menaxhimin dhe trajnimin, dhe rrethana të tjera”.

Për këto arsye, observacionet e MFE nuk merren në konsideratë nga ana e KLSH duke konkluduar se projekti ka problematika dhe mangësi në drejtim të përballueshmërisë, realizueshmërisë dhe risqeve të marra përsipër nga sektori publik dhe në veçanti për Buxhetin e Shtetit.

“Monitor”

Pedagogët drejt mbylljes në Garnizon

Nga Luçiano BOÇI

Pas rrënimit të lirisë akademike, pagave diskriminuese dhe këto të papaguara, lincimit publik nga Kryeministri, pedagogët rrasen me përdhunë nën rresht në garnizonin e quajtur Universitet.

Kjo ka ndodhur në Universitetin Bujqësor.

Një urdhër absurd i dalë nga Rektori, pra pa vendim Senati, me argumenta qesharakë, detyron pedagogët të paraqesin një axhendë personale javore, ndryshe nuk paguhen për punën e tyre.

Urdhëri nuk merr në konsideratë që puna akademike është alternim midis mësimdhënies dhe anës kërkimore shkencore.

Aq më tepër Rektori nuk është më me ligjin që i ka thurur vetë lavde, autoriteti financiar i Universitetit.

Shpikja e Rektorit, synon kontrollin politik në cdo hapësirë të jetës akademike dhe mbyll cdo dritare lirie.

Senati dhe pedagogët nuk mund të shndërrohen në skllevër të absurditeteve politike që i dalin në ëndrra drejtuesve të mykur të Universiteteve.

Macron tërhiqet ndaj protestuesve, heq dorë nga reforma e pensioneve

Franca përkohësisht do të heqë dorë nga zbatimi i moshës 64 vjeç për marrjen e pensionit të plotë në kuadër të reformës së pensioneve, e cila ka shkaktuar protesta masive dhe greva në vend.

Në një letër drejtuar përfaqësuesve të sindikatave, kryeministri Edouard Philippe ka theksuar se në Francë do të zbatohet një rend i vetëm i sistemit të pensionimit dhe se do të hiqen prioritetet sipas sektorëve dhe 42 llojet e pensionimit.

Ai ka thënë se zbatimi i moshës 64 vjeç për marrjen e pensionit nuk do të jetë në fuqi përkohësisht, duke shtuar se në vend të kësaj, në një konferencë që do të organizohet do të diskutohet financimi në kuadër të reformës.

Philippe ka njoftuar se vendimet e kësaj konference do të shpalosen në muajin prill dhe se në rast të një marrëveshjeje me sindikatat para këtij muaji, pikat e saj do të shtohen në reformën kontroverse.

Nga ana tjetër, Konfederata e Përgjithshme e Punës e ka konsideruar si të pamjaftueshme këtë deklaratë dhe ka kërkuar heqjen e plotë të reformës, duke bërë thirrje për protesta në tërë vendin më 16 janar.

Ndryshe, Philippe më herët kishte njoftuar se mosha e pensionimit do të ngelet 62 vjeç, por paga e plotë do të mund të merret nga mosha 64 vjeç, ndërkohë që sistemi i ri nuk do të përfshinte personat e lindur para vitit 1975.

Reforma e pensioneve do të paraqitet në Këshillin e Ministrave më 24 janar dhe në Asamblenë Kombëtare më 17 shkurt.

PD do anulojë ligjin e censurës që i shërben Ramës për të fshehur të vërtetën e aferave korruptive dhe lidhjeve me krimin

ish-Kryetare e Komisionit të Medias në Kuvend, Albana Vokshi deklaroi në një konferencë pë mediat se, vendimi i Presidentit për të kthyer ligjet e censurës, i drejtë. Vokshi tha se, angazhimi i PD-së është anullimi i 2 ligjeve, që i shërbejnë Ramës për të fshehur të vërtetën e aferave korruptive dhe lidhjeve me krimin.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI

Kthimi i dy ligjeve të censurës së medias online nga Presidenti i Republikës, është një hap i duhur në mbrojtje të fjalës së lirë.

Ky është një vendim i drejtë, që, një kryeministër normal do ta shikonte si mundësi për t’i tërhequr ligjet antidemokratike. Por të gjithë e dimë mirë, se Edi Rama nuk ka për ta bërë këtë. Ai e ka sot jetike mbylljen e gojës së mediave, sidomos ato kritike online. Misioni i Edi Ramës është të censurojë të vërtetën e keqqeverisjes së tij dhe bashkëdrejtimin e vendit me një grusht oligarkësh dhe kriminelësh.

Edi Rama e ka sot jetike te fshehë të vërtetën e një krize të rëndë ekonomike, që ka përfshirë vendin, të vërteten për mijëra familje që janë në të ftohtë, pa strehë, pa ujë, pa drita, pa ngrohje, pa ilaçe e pa vakte të plota për fëmijët e tyre.

Sot, kur duhet të dalin para drejtësisë zyrtarë të kësaj qeverie përgjegjës për 24 jetët e humbura në Thumanë, Edi Rama e ka domosdoshmëri të fshehë të çdo gjurme të krimit shtetëror, duke censuruar median.

Edi Ramës i duhet censura ndërsa po përgatit vjedhjen e rradhës, këtë herë përmes koncesioneve e tenderave mbi rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit.

Në kohën kur njeri pas tjetrit po faktohen me të shkuar kriminale personat e emëruar prej Edi Ramës në krye të Bashkive, ai e ka domosdoshmëri censurën me ligj të mediave.

Sot kur drejtësia duhet të veprojë për të dënuar zyrtarët e përfshirë në blerje votash, lidhjet me krimin, që janë kushtet e Bundestagut për hapjen e negociatave, Edi Ramës i duhet një mekanizëm ndëshkimi për këdo që thotë të vërtetën.

Në kohën kur i duhet të përmbushë detyrimet e Bundestagut për hapjen e negociatave, duke nisur me reformën zgjedhore që i hap rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme, Ramës i duhet vetëm propaganda e tij dhe heshtja e çdo ujt që thotë të vërtetën për aferat korruptive apo lidhjet e qeverisë më krimin.

Për këto e shumë afera të tjera që rëndojnë mbi këtë qeveri, Edi Rama do të kërkojë ta miratojë me shpejtësi dhe pa asnjë ndryshim këtë ligj të kthyer nga Presidenti.

Asnjë ligj censure nuk do të arrijë të fshehë të vërtetat e korrupsionit, krimit, varfërisë dhe mjerimit që ka mbërthyer Shqipërinë.

Partia Demokratike i konsideron këto dy ligje si antikushtetues, që shkelin konventat ndërkombëtare, që censurojnë lirinë e fjalës dhe të drejtën e qytetarëve për informim.

Duke inkurajuar gazetarët të mos tremben nga censura qeveritare, Partia Demokratike angazhohet për të anulluar këto dy ligje në momentin e parë që ajo do të ketë besimin për të qeverisur vendin

Kina humbet zgjedhjet në Tajvan

Kina nuk do të ndryshojë pozicionin se Tajvani është pjesë e saj, deklaroi Bejingu zyrtar, pas fitores së edhe një mandati nga presidentja Tsai Ing-wen e cila u kundërpërgjigj duke thënë se nuk do t’i marrë parasysh këto kërcënime.

Fushata zgjedhore u dominua nga përpjekjet e Kinës që ta bind ishullin demokratik të pranojë modelin e qeverisjes së Bejingut “një shtet, dy sisteme”, si dhe përmes protestave anti-qeveritare në Hong Kong.

“Pa marrë parasysh ndryshimet brenda Tajvanit, fakti se ekziston vetëm një Kinë dhe Tajvani është pjesë e saj nuk do të ndryshojë”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme.

Përderisa Kina thotë se Tajvani është pjesë e saj, ky i fundit konsiderohet vend i pavarur dhe emrin formal e ka Republika e Kinës.

Tsai, liderja që ka kundërshtuar sistemin qeveritar “një shtet, dy sisteme”, ka fituar edhe një mandat katërvjecar të shtunën dhe ka siguruar shumicën edhe në parlament.

Të shtunën, Tsai bëri thirrje për vazhdimin e bisedimeve me Kinën.

Shpërthejnë protestat në Iran, Trump: Ndaloni vrasjen e popullit tuaj të madh iranian

Protesta antiqeveritare shpërthyen sërish të dielën në mbrëmje në Iran duke shënuar të dytën ditë me radhë të demonstratave kundër ushtrisë, që fillimisht e pati mohuar se kishte gisht në rrëzimin e avionit ukrainas.

“Ata gënjejnë se armiku ynë është Amerika, armiku ynë është këtu”, thërriste një grup protestuesish përpara një universiteti në Teheran.

Më herët të dielën autoritetet dislokuan në Teheran forcat speciale në pritje të protesta të reja pas atyre të së shtunës të zhvilluara në disa qytete pasi zyrtarë të lartë të vendit pranuan se një raketë iraniane kishte goditur gabimisht aeroplanin civil ukrainas, duke vrarë të 176 personat në bord.

Forca të policisë të veshur me të zeza e me helmeta mbrojtëse, u vendosën në sheshin e njohur Azadi në jug të qytetit si dhe pranë disa pikave kryesore të Teheranit.

Të shtunën u zhvilluan protesta në disa qytete iraniane. Protestuesit u shprehën të zemëruar pas lajmit se zyrtarët iranianë kishin gënjyer fillimisht mbi rolin e vendit në incidentin e së mërkurës.

Zyrtarët iranianë treguan të vërtetën mbi rrethanat e rrëzimit të avionit, vetëm pasi u bë e qartë se provat e mbledhura në terren, nuk do t’i lejonin më të vazhdonin të gënjenin, thuhej në një nga gazetat kryesore amerikane.

Në një postim në twitter të dielën Presidenti Donald Trump paralajmëroi Teheranin të mos sulmojë demonstruesit.

“Për udhëheqësit e Iranit…..mos i vrisni protestuesit. Me mijëra tashmë janë vrarë apo burgosur nga ju dhe bota po shikon. Më e rëndësishmja është që SHBA-ja po ju sheh. Rivendosni qasjen në internet dhe lini gazetarët që të lëvizin të lirë! Ndaloni vrasjen e popullit tuaj të madh iranian!”, shkruante Presidenti amerikan.

Avioni u rrëzua të mërkurën, por për disa ditë Irani nuk tha asgjë se ishte një raketë iraniane ajo që kishte goditur avionin, duke vrarë të gjithë 176 pasagjerët. Por të shtunën autoritetet në Teheran e pranuan më në fund përgjegjësinë.

Zbulimi se qeveria pati gënjyer për disa ditë rresht përpara se të rrëfente të vërtetën, shtyu qindra njerëz në disa qytete të vendit të dalin në protesta. Ata kërkojnë dorëheqjen e udhëheqësit Suprem Ajatollahut Ali Khamenei dhe hodhën thirrje si “poshtë mashtruesit” dhe “vdekje diktatorit”.

Të shtunën, Garda Revolucionare Islamike e Iranit pranoi se rrëzoi gabimisht avionin e Linjës Ndërkombëtare Ukrainase.

Komandanti i forcave ajrore të Gardës, Amir Ali Hajizadeh u shpreh në televizionin shtetëror se “merrte përgjegjësinë e plotë dhe se do t’i bindej çfarëdolloj vendimi që do të merrej”. Ai shtoi se do të kishte dashur më mirë të “kishte vdekur” sesa të mësonte lajmin mbi atë që i ndodhi avionit.

“Atë natë ishim në gatishmëri të plotë për luftë”, tha ai dhe shtoi se Garda Revolucionare kishte kërkuar që të anulloheshin fluturimet komerciale, por kërkesa ishte refuzuar.
Sipas një raporti në gazetën The New York Times, zyrtarët iranianë u detyruan të thonë të vërtetën “sepse provat për goditjen me raketë ishte bërë tepër e qartë për hetuesit ndërkombëtarë”.

Një zyrtar ukrainas i tha gazetës se ekspertët e vendit të tij kishin mbledhur informacione në vendin e përplasjes “megjithë përpjekjet e dukshme të iranianëve për të ndërlikuar hetimin, madje edhe duke i mbledhur stivë mbetjet, në vend që t’i dokumentonin me kujdes”, siç tha ai.

Rrëzimi i avionit Boeing 737 ndodhi vetëm pak orë pasi Irani zhvilloi një sulm me raketa balistike ndaj bazave irakiane ku ndodhen forcat amerikane, si reagim ndaj një sulmi ajror amerikan me dron javën e kaluar që vrau komandantin e Forcave Quds, Gjeneral Qassem Soleimani.

Ukraina tha se fluturimi drejt Kievit ishte nisur si zakonisht dhe se ekuipazhi nuk ishte informuar për sulmet me raketa balistike.

Oleksiy Danilov, zyrtari ukrainas që drejton hetimet në vendin e përplasjes, i tha gazetës The New York Times se iranianët nuk mund të vazhdonin të gënjenin për rrethanat pasi “hetuesit ukrainas gjetën fragmente në pjesën e lartme të kabinës së avionit, të cilat ishin shpuar nga copëzat e një rakete”.

Shqiptari kapet në Itali me 333 kg kokainë

Policia italiane në Xhenova dhe personeli i Agjencisë së doganave sekuestruan 333 kilogramë kokainë të pastër e cila vinte nga Brazili.

Droga mbërriti në Specia të Italisë e fshehur në disa shufra graniti të transportuara në një kontenier deri në port.

Operacioni me emrin “Samba 2020”, erdhi pas kontrolleve të shumta që Guardia di Finanza në Specia ushtronte ndaj kontenierëve që vinin nga brazili, duke konstatuar një numër të madh shufrash graniti.

Mes shufrave ishte krijuar një hapësirë ku u gjetën 300 pako me drogë për nëj total prej 333 kilogram kokaine të pastër me një vlerë prej 100 milion eurosh. Policia italiane arrestoi katër persona: një shqiptar, një Italian, një kroat dhe një brazilian.

“Ne nuk të japim Kosovo, ke qenë gjithmonë e jona”, tenisti serb provokon me këngë ultranacionaliste

Tenisti serb Novak Djokovic, që fitoi turneun e Australisë në këtë sport ka vendosur të provokojë shqiptarët me këngë ultranacionaliste. Në dhomat e zhveshjes, Djokovic u shfaq në video bashkë me ekipin e tij i ekzaltuar duke kënduar një pjesë të këngës ultranacionaliste, ku theksohet se Kosova është pjesë e serbisë.

‘Ne nuk të japim, Kosovo. Ke qenë gjithmonë e jona që nga fillimi’. Në një reagim në rrjete sociale, ambasadori i Kosovës ne Bullgari shkrunte se ai mund të jetë kampion tenisi, por mbetet një primitiv.

“Pas marshimit ushtarak, ata vazhduan me Kosovën. Ju mund të jeni një fitues i ATP, por ju mbeteni një nacionalist dhe shovinist primitiv, i prapambetur dhe i zakonshëm i Ballkanit. Nuk është rastësi që Novak Gjokoviç është kampioni më pak i dashur i tenisit në histori,” shkruante Cana në rrjete sociale.

Kriza ekonomike dhe pasojat e tërmetit kanë gjunjëzuar Durrësin, 5 masat që propozon Basha për qeverinë

Lulzim BASHA

Kriza ekonomike që ka përfshirë vendin dhe pasojat e tërmetit, kanë gjunjëzuar biznesin e Durrësit, një prej ekonomive më të rëndësishme të vendit. Shteti deri tani ka qene inegzistent për të ndihmuar në ringritjen e biznesit.

Sot u takova me pronarë dhe punonjës fasonerie dhe të një punishte perpunimi qumeshti. Ata më shprehën shqetësimin e tyre se situata po i con drejt falimentimit. Shumë punonjës ende nuk janë rikthyer në punë pasi janë detyruar të strehohen larg vendbanimit të tyre në pamundësi të përballimit të kostove të një shtëpie me qera apo të jetojne në çadra.

Deri tani nuk kanë marrë asnjë bonus qeraje, ndërsa i sorollasin nga njëra zyrë në tjetrën. Bizneset nuk kanë patur asnjë mbështetje nga shteti për dëmet e shkaktuara ndërkohe që duhet të paguajnë taksat e rritura dhe fuqia blerëse është në nivelet minimale.

Mosmarrja e masave të menjëherëshme, do të sjellë pasoja të rënda për ekonominë dhe punësimin në Durrës dhe gjithë Shqipërinë. Edhe njëherë i kërkoj qeverisë të marrë masa të menjëhershme për ringritjen e biznesit në zonat e prekura nga tërmeti duke nisur me:

1.Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.

2. Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.

3. Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit.

4. Përjashtimin nga tvsh për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve.

5. Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Alibeaj reagon ndaj Ramës: Vlerësim për policinë që e shpartalloi vetë, pasi i shërbeu krimit dhe Mafias

Ish-deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas deklaratës së Ramës, se “Policia e Shtetit po kalon një proces pastrimi ose si thoshte Ismail Qemali po qëron nga radha e saj të gjithë ata që nuk janë të denjë”.

Alibeaj shprehet se, Rama e krahasoi me Policinë e Ismail Qemalit por nuk gjeti guximin të përballet me 57 ngjarjet me vdekje dhe 63 viktimat e vitit 2019.

Përmes një postimi në faqen e tij në rrjetet sociale, Alibeaj shprehet se vlerësimi i vërtetë për policinë që deshi dhe që e shpartalloi vetë, është pasi i shërbeu krimit dhe Mafias.

Reagimi i plotë

Rama, ne 107 vjetorin e Policise se Shtetit qenka krahasuar me Policine e Ismail Qemalit!
E megjithe kete krahasim te mundimshem, kryeministri nuk paska gjetur guxim te perballet me 57 ngjarjet me vdekje dhe 63 viktimat e 2019;

nuk i paskan ardhur nder mend qe 128 drejtues te “Policise qe deshi” iu perfshine ne kanabizikin e vendit;

se 3 drejtuesit e larte te tij ne Vlore i ka ende ne arrati;

asnje fjale per oret shtese te papaguara dhe kushtet mizerabel;

asnje grimase per viktimat e krimit te ketij fillimviti.

Vleresimi i vertete per policine qe deshi dhe qe e shpartalloi dora vete ai, per te lartesuar krimin dhe Mafian, eshte se e ka shnderruar policine thjesht ne nje sherbim funerali qe vecse mbledh kufomat e krimit!

E ne fakt perse i duhet Policia, perderisa per te mjafton qe kriminelet “hengshin kokat e veta”?!