35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Trump nga Davosi: Nuk do ti lejojmë kurrë socialistët radikalë të na shkatërrojnë ekonominë

Presidenti i SHBA Donald Trump përshëndeti arritjen e dy marrëveshjeve të mëdha tregtare dhe tha se amerikanët po “fitojnë përsëri si kurrë më parë”, ndërkohë që mbajti fjalimin e hapjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Fjalimi mbahet pak orë përpara se në Senatin e SHBA të fillojë në formën e plotë gjyqi rreth akuzave të ngritura nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve që synojnë shkarkimin e tij.

Presidenti Trump bëri një përshkrim të atyre që i quajti fitore për punonjësit e shtresës së mesme dhe bizneset, përfshirë fazën e parë të një marrëveshjeje tregtare me Kinën dhe miratimin nga Senati të një marrëveshjeje të re tregtare me Kanadanë dhe Meksikën.

“Kur fola në këtë forum dy vjet më parë, ju thashë se kishim filluar rimëkëmbjen e madhe të Amerikës” tha Presidenti Trump. “Sot jam krenar të deklaroj se Shtetet e Bashkuara janë në mesin e një bumi ekonomik, të tillë që bota nuk ka parë kurrë më parë.”

Ai u bëri thirrje vendeve të tjera të ndjekin shembullin e tij dhe të çlirojnë qytetarët e tyre nga “burokracia shtypëse”.

Në agjendën e Presidentit Trump para kthimit në Uashington të martën pasdite ishin takimet me disa udhëheqës botërorë, mes të cilëve Presidenti i Irakut Barham Salih, Kryeministri pakistanez Imran Khan, Presidentja e Konfederatës Zvicerane Simonetta Sommaruga, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, si dhe presidenti i qeverisë rajonale të Kurdistanit, Nechirvan Barzani.

Në konferencën vjetore të Davosit janë ftuar më shumë se 3,000 pjesëmarrës, ndërkohë që numri i personelit ushtarak dhe policisë për masat e sigurisë arrin në 5,000.

Qindra protestues, disa të veshur me kostume të koalave për të rritur ndërgjegjësimin për zjarret shkatërruese në Australi, u drejtuan për në Davos duke marshuar përmes një shtegu malor dhe pastaj me tren, pasi autoritetet kanë ndaluar hyrjen në këmbë në këtë qytet alpin. Ata kërkojnë që udhëheqësit globalë në forum të tregohen më agresivë lidhur me ndryshimin e klimës.

Presidenti Trump foli gjithashtu mbi përqëndrimin te rritja ekonomike dhe kundërshtoi ata që i quajti “profetë të pesimizmit me parashikimet e tyre të apokalipsit”.

“Ata parashikuan një krizë të mbipopullimit në vitet ’60, uri masive në vitet ’70 dhe fundin e naftës në vitet 90. Këta alarmistë kërkojnë gjithmonë të njëjtën gjë: fuqi absolute për të dominuar, transformuar dhe kontrolluar çdo aspekt të jetës sonë.

Ne nuk do t’i lejojmë kurrë socialistët radikalë të shkatërrojnë ekonominë tonë, vendin tonë ose të zhdukin lirinë tonë”, tha Presidenti Trump.

I pyetur për aktivisten e mjedisit Greta Thunberg, e cila do të hapte një debat për shmangien e një “apokalipsi klimatik” menjëherë pas fjalimit të Presidentit Trump, udhëheqësi amerikan tha se ishte njeri që besonte shumë te mjedisi dhe shtoi se dëshironte ajër dhe ujë të pastër.

I dërguari special i Trump të enjten në Kosovë pa Palmer, merr në dorë negociatat

Richard Grenell, emisar special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi ka nisur të jap frytet e para të angazhimit të tij.

Pas marrëveshjes së papritur të linjës së fluturimit Prishtinë – Beograd, këtë javë, siç konfirmon Zyra e tij për Gazetën Express, diplomati amerikan do të qëndrojë në Kosovë. Nuk dihet se cilat janë planet e ambasadorit, që Trump e falënderoi marrëveshjen e fundit.

Njeriut që iu dhanë meritat për arritjen e marrëveshjes së quajtur historike për linjë të fluturimit Prishtinë – Serbi do të vijë këtë javë në Kosovë.

Zëdhënësi i Zyrës së Grenellit në Berlin e ka konfirmuar për Gazetën Express se diplomati do ta vizitojë Kosovën të enjten më 23 janar, por nuk ka dhënë më shumë detaje se për çka saktësisht Grenell do të vijë në Kosovë.

Në Prishtinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikan kanë disa kërkesa së fundmi.

Rinisja e dialogut është një nga kërkesat. Ndërkaq, akoma nuk është formuar Qeveria, e ambasadori amerikan, Philip Kosnett, shkon rregullisht në zyrat e Vetëvendosjes e LDK’së. Edhe kreu i LDK’së, Isa Mustafa, sot pranoi se ndërkombëtarët po bëjnë presion për formimin sa më të shpejtë të Qeverisë.

Grenell nga ana tjetër në Gjermani ka takuar tre prej zyrtarëve të lartë të LDK’së, Agim Veliun, Avdullah Hotin dhe Skender Hysenin. Atje kishin folur për formim të Qeverisë.

Diplomati amerikan e kishte paralajmëruar më parë një vizitë në Kosovë, por të njëjtën e kishte anuluar.

Ndërkaq Grenell këtë javë kurorëzoi një marrëveshje për linjë fluturimit Prishtinë – Beograd, të cilën do ta realizojë kompania gjermane Lufthansa.

“Të gjithë thanë se nuk do të bëhet. Por, për herë të parë në një gjeneratë do të këtë linja direkte ajrore në mes të Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore. Faleminderit për @ËHNSC, ambasador Robert O’Brien dhe ambasador @RichardGrenell!”, ka shkruar Trump në Twitter.

Lajmi për hapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd është bërë në kryeqytetin gjerman ku janë duke qëndruar zyrtarë të lartë të administratës amerikane në Konferencën për Libinë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien.

KPA ‘censurohen’ vëzhguesit e ONM-së, s’pranohet mendimi ndryshe

Gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit u mblodhën më 25 prill 2019, për të shqyrtuar kërkesën e një prej vëzhguesve ndërkombëtarë të ONM-së, që donte të publikonte bashkë me vendimin e KPA-së mendimin e tij kundër për ish-prokuroren Antoneta Sevdari.

Kërkesa iu dërgua Mbledhjes së Gjyqtarëve përmes njërit prej anëtarëve të trupës, i cili ndër të tjera parashtroi se marrja e një vendimi nëse KPA do të lejonte bashkëlidhjen e qëndrimeve paralele apo të ndryshme të ONM-së me vendimet e Kolegjit “ishte urgjente”, për shkak të afatit që gjykata kishte për të zbardhur vendimin e shkarkimit të Sevdarit, i marrë në shkurt 2019.

Nga dokumentet që BIRN mori përmes ligjit për të drejtës për informim, rezulton se Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila kryesisht merret me caktimin e procedurave dhe rregulloreve të brendshme të KPA-së, u mblodh po atë ditë dhe vendosi 6 me 1, kundër kërkesës së vëzhguesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Ferdinando Buatier de Mongeot. Mbledhja përcaktoi se mendimet ndryshe të ONM-së nuk do të publikoheshin dhe as do të bëheshin pjesë e dosjes gjyqësore.

Mendimi që KPA refuzoi të publikonte, kritikonte shumicën në Kolegj se i kishte bërë interpretim të gabuar ligjit duke e kthyer atë në një mjet që mund të “bëjë mutacionin gjenetik” të procesit në vendimarrjen për shkarkimin e Antoneta Sevdarit. Vëzhguesi shprehet po ashtu se nuk kishte pasur prova të mjaftueshme për të ndëshkuar subjektin e rivlerësimit dhe se gjetjet lidheshin kryesisht me pamundësinë për të provuar pagesën e tatimeve.

E pyetur nga BIRN, ish-prokurorja Antoneta Sevdari tha në një bisedë telefonike se ajo kishte dëgjuar për ekzistencën e këtij mendimi dhe kishte pritur që ai të publikohej. Sevdari tha se bëri përpjekje për të marrë këtë qëndrim, por Kolegji refuzoi duke i thënë se ia kishte kthyer dosjen Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

“E mësova vetëm pasi u publikua në media,” tha Sevdari.

Mendimi i ndryshëm i vëzhguesit të ONM u publikua rreth 2 muaj më vonë, në korrik të vitin 2019 në një seksion të faqes online të Delegacionit të Bashkimit Europian për Shqipërinë.

Nga ana e tij, Kolegji i Posaçëm i Apelimit refuzoi të bënte publik arsyetimin e gjyqtarëve për të bllokuar publikimin e opinioneve ndryshe të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, bashkëlidhur me vendimet e Kolegjit.

Në përgjigjen, e cila u cilësua e rregullt prej Komisionerit për të Drejtën e Informimit, drejtuesja e KPA, Natasha Mulaj, shprehet se publikimi i qëndrimit të gjyqtarëve në këtë rast qoftë edhe në mënyrë të anonimizuar dhe përmbledhur “jo vetëm që nuk do të ishte në interes të publikut, por do të shkaktonte edhe keqinformimin e tij”.

Kërkesa për publikim e mendimit ndryshe

Antoneta Sevdari u shkarkua më 28 shkurt nga KPA me shumicë votash, pasi vendimi për konfirmimin e saj nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ishte apeluar nga Komisioneri Publik. Sipas vendimit të zbardhur me 26 prill, relatori Sokol Çomo, kryesuesi Luan Daci, anëtarët Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz votuan për shkarkimin e Sevdarit, me arsyetimin se kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë dhe kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Në pakicë, gjyqtarja Ina Rama u shpreh se ish-prokurorja kishte provuar burimin e ligjshëm të të ardhurave të bashkëshortit dhe se megjithëse nuk mund të provonte pagimin e tatimeve, ky nuk mund të ishte shkak për shkarkimin.

Vendimi për Sevdari është vendimi i parë i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që u kundërshua nga vëzhguesi i ONM-së. Ky i fundit – siç del nga kërkesa e bërë më 25 prill 2019 prej një gjyqtari të KPA-së për të thirrur mbledhjen e gjyqtarëve, kërkoi që mendimi i tij ndryshe t’i bashkëlidhej vendimit.

“Do të paraqitet një mendim ndryshe ndaj vendimit të Kolegjit Nr.6/2019,” thuhet në kërkesë, në të cilën më pas shtjellohet se Buatier kishte kërkuar “që ky mendim me shkrim të publikohet së bashku me vendimin e Kolegjit në dy gjuhët, anglisht dhe shqip,” thuhet në kërkesë.

Kërkesa parashtronte tre pyetje për Mbledhjen e Gjyqtarëve: A mundet t’i bashkohet një vendimi të Kolegjit një mendim me shkrim ndryshe/paralel i vëzhguesit ndërkombëtar, a mund të bëhet ky mendim pjesë e fashikullit gjyqësor të çështjes, a duhej publikuar ky mendim së bashku me vendimin dhe në çfarë gjuhe do të publikohej ai dhe çfarë do të konsiderohej përkthim zyrtar.

Në kërkesë vihej në dukje se duhej një vendim sa më i shpejtë i Mbledhjes së Gjyqtarëve, për shkak se thuajse menjëherë pas kësaj kërkesë, përfundonte afati për publikimin e vendimit të zbardhur të KPA-së mbi ish-prokuroren Sevdari.

Në kërkesë thuhet se as ligji dhe as Kolegji në rregulloret e brendshme nuk kishin parashikim se si mund të administrohej një rast i tillë.

Ligji 84/2016, ku përcaktohet roli i vëzhguesve ndërkombëtar në proces, parashikon se këta të fundit kanë të drejtë të japin mendime për procesin dhe se në rastin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit mendimet ndryshe ose paralele i bashkalidhen vendimit të KPK-së. “Vëzhguesi ndërkombëtar ka të drejtë të shkruajë një mendim ndryshe/paralel që i bashkohet vendimit,” thuhet në nenin 55 të ligjit.

Ligji po ashtu parashikon të drejtën e vëzhguesve për të bërë rekomandime për të apeluar çështje të caktuara të cilat publikohen në faqen e Komisionerit Publik.

Një përcaktim i ngjashëm apo i ndryshëm mungon në pjesën për KPA-në. E vetmja referencë në këtë rast është Kushtetuta, aneksi i së cilës mbi ONM parashikon të drejtën e vëzhguesve për të dhënë mendime në çështjet që shqyrton KPA, po pa specifikuar se si procedohet me to.

Në nenin B të aneksit të Kushtetutës mbi rivlerësimin kalimtar, në pikën 3 gërma b thuhet: “(Vëzhguesi ndërkombëtar) Paraqet gjetje dhe mendime mbi çështje që shqyrtohen nga Komisioni dhe nga Kolegji i Apelimit, si dhe kontribuon për kontrollin e figurës sipas nenit DH”.

Refuzimi për të bërë transparence

Kërkesa e bërë nga vëzhguesi i ONM u refuzua në KPA. Kolegji vendosi se mendimi ndryshe apo paralel i vëzhguesve ndërkombëtarë: “Nuk mund t’i bashkohet vendimit përfundimtar të Kolegjit”. Po ashtu në vendim u specifikua se ai “nuk mund të bëhet pjesë e fashikullit gjyqësor të çështjes, si dhe, mendimi i vëzhguesit ndërkombëtar nuk mund të publikohet së bashku me vendimin përfundimtar në faqen zyrtare të Kolegjit”.

Pas marrjes dijeni për mendimin ndryshe të ONM-së, i cili del se u publikua në ditët e para të korrikut në faqen zyrtare të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, BIRN i kërkoi KPA-së fillimisht përmbajtjen e vendimit dhe në një kërkesë të mëvonshme procesverbalin e mbledhjes së gjyqtarëve në të cilat ishte diskutuar ky vendim.

Informacioni shtesë u kërkua pasi vendimi i Mbledhjes së Gjyqtarëve nuk kishte arsyetim se pse Kolegji nuk pranonte bashkëlidhjen e qëndrimit të vëzhguesve ndërkombëtarë me vendimet e tij dhe as referimet ligjore. Po ashtu, BIRN kërkoi edhe mënyrën se si ishte votuar ky qëndrim i Kolegjit.

Pas kësaj kërkese, KPA vuri në dispozicion kërkesën e bërë nga një prej anëtarëve të saj dhe faktin që vendimi ishte marrë me shumicë 6 me 1 nga Mbledhja e Gjyqtarëve, por refuzoi të lëshonte procesverbalin e mbledhjes.

Në përgjigje Kolegji arsyetoi se kishte “pengesë ligjore, sipas parashikimeve te nenit 4, pika 7 të ligjit nr. 84/2016 dhe të nenit 17, pika 1 të ligjit nr. 119/2014, për t’ju vënë në dispozicion procesverbalin e mbledhjes se gjyqtarëve”.

Kolegji pretendoi specifikisht se publikimi i procesverbalit cënonte në ndonjë mënyrë “të drejtën për një jetë private apo sekretin tregtar e patentat” siç specifikohej në ligjin për të drejtën e informimit. Po ashtu, KPA pretendonte se publikimi do të shkaktonte “një dëm të qartë dhe të rëndë për administrimin e procesit të rivlerësimit”.

Pas ankimit të BIRN, pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, kryetarja e KPA-së, Natasha Mulaj hoqi dorë nga arsyet e përmendura më herët që i referoheshin ligjit për të drejtën e informimit, por këmbënguli se publikimi do të dëmtonte rëndë procesin e rivlerësimit dhe refuzoi sërish dhënien e informacionit.

Në përgjigjen e Kolegjit shkruhet se vendimi i marrë dhe kërkesa e gjyqtarit për të thirrur Mbledhjen e Gjyqtarëve ishin mjaftueshëm informuese. “Informacioni i përmbajtur në këto dokumente , duke qenë i qartë dhe i arsyetuar, plotëson nevojat e kërkuesit dhe të publikut”, thuhet në përgigjen që KPA i dërgoi Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Më tutje në të njëjtën letër të firmosur nga kryetarja e Kolegjit arsyetohet se dokumenti në fjalë nuk mund të anonimizohej dhe as përmblidhej, pasi në këtë rast jo vetëm që nuk do ishte informues, por do të keqinformonte publikun.

“Publikimi i këtij materiali të përmbledhur jo vetëm që nuk do të ishte në interes të publikut, por do të shkaktonte keqinformim të tij”, thuhet në letër.

Në letër bëhet megjithatë një përmbledhje e materialeve që ndodheshin në procesverbal. “Në rastin konkret, në procesverbalin e mbledhjes pasqyrohen diskutime dhe mendimet që kanë ndihmuar në krijimin e bindjes së gjyqtarëve. Si të tilla, mendimet e shprehura në funksion dhe përpara vendimmarrjes përfshijnë interpretime, opinione individuale, vlerësime, deduksione, që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me palët në procesin e rivlerësimit, si dhe me institucione të tjera, me të cilat Kolegji bashkëpunon në kuadër të këtij procesi,” thuhet në letër.

KPA po ashtu i referohet disa herë vendimit të arsyetuar, i cili sipas letrës është vënë në dispozicion. BIRN nuk ka një vendim të arsyetuar. I vetmi vendim i dërguar nga KPA është ai në të cilin bëhet me dije se mendimet e ONM-së nuk do i bashkalidhen vendimeve të Kolegjit, por pa ndonjë arsyetim.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN, se si ky vendim mund të ndikonte punën e vëzhguesve dhe nëse e shihnin këtë si një përpjekje për censurë nga Kolegji i Apelimit. ONM tha se do të vijonte të publikonte qëndrimet ndryshe të gjyqtarëve pranë saj, në faqen përkatëse të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë.

“Kjo praktikë do të ndiqet për t’i dhënë publikut akses mbi qëndrimet e vëzhguesve ndërkombëtarë të ONM-së,” shpjeguan vëzhguesit në një përgjigje me shkrim.
Marrë nga Reporter.al

Reflektimi i Lubonjës: Unë isha atje, Rama i çoi njerëzit të vriten me 21 Janar

Analisti Fatos Lubonja komentoi në rubrikën “Opinion”, në Neës24, ngjarjen e bujshme të “21 Janarit”, ku nëntë vite më parë u vranë në një protestë të përgjakshme 4 qytetarë të pafajshëm, por që vijon të mbetet në “errësirë”.

Për analistin Lubonja “21 Janari” është një krim i dyfishtë, duke veshur me faj, në këtë mënyrë, të dyja kahet politike, ndonëse prej nëntë vitesh kjo ngjarje vijon të përplasë palët dhe të mos gjejë fajtorët e vërtetë.

Fatos Lubonja deklaroi se Partia Socialiste është fajtore dhe përgjegjëse po aq sa Partia Demokratike për vrasjen e katërfishtë në bulevard, pasi sipas tij, ishte pikërisht PS që i çoi njerëzit aty, me qëllimin e keq për t’u vrarë.

“Unë e kam pak të ndryshëm mendimin për “21 Janarin”, sepse ndodh sikur një pjesë janë me PD dhe vënë theksin te opozita, dhe veçanërisht për faktin pse PS nuk bëri asgjë për të vënë drejtësi dhe akuzohet PS se nuk iu qëndroi protestuesve, si dhe PD për sulmin e dhunshëm që u përdor atëherë dhe faktin që u sulmuan institucionet, pra legjitimimi i asaj që u bë.

Ajo që ndodh për mua është kjo, që sot jemi në këtë pikë, sepse 21 janari ishte një krim i dyfishtë, jo i njëfishtë, siç e shohin një pjesë, që e bëri njëra ose tjetra palë.

Ata njerëzit që u çuan atje nga PS, dhe këtu është përgjegjësia që ka PS, që e përgatiti një ditë më parë dhe duke paralajmëruar se populli është aq i zemër4uar dhe nuk mbajmë ne përgjegjësi.

Ata njerëz u çuan qëllimit për t’u vrarë ndonjëri. Pra, kishte një qëllim të mbrapsht, me shpresën që përballë kishin një njeri të mbrapsht që mund të binte në këtë grackën dhe të qëllonte ndonjërin, siç edhe ndodhi.

Pra, nëse ne do bëjmë gjyq të paanshëm për fajtorët, nuk lahen edhe këta që i çuan njerëzit atje. Sepse është njëlloj si të çosh ca njerëz tek ariu, ariu do t’i hajë ata, dihet.

Kjo është eliminuar fare nga PS, por ata e kanë brenda atë pjesë, sepse nuk ishte një protestë e vërtetë popullore, psesë po të ishte kështu të nesërmen do të ishte djegur kryeministria, se u vranë 4 veta, por nuk ndodhi, sepse deshën ta shesin si protestën e pranverës. Tani iu intereson heshtja dhe kaq.

Pastaj, çështja komplikohet, nëse do ta ngremë në parim lidhur me atë sa dhuna mund të përdoret në protesta, dhuna, mosbindja civile, sa janë të legjitimuara dhe sa jo.

Kur të bëhet gjyqi ndoshta dënohet më shumë vrasjet, sesa ata që i shtynë, por ama janë të dyja palët. Ata u çuan atje për t’u vrarë. PS i ngarkohet më shumë pse s’bëri drejtësi? Por, nuk bëri drejtësi se ka qenë qëllimi i keq që në fillim dhe nuk i intereson fare.

Unë kamë qenë në protestë, aty ishin një masë e madhe, jo aq e madhe, siç nxjerr PD sot, si dhe një grup sulmi i veçantë, që do të destabilizonte, që do sulmonte kryeministrinë, do krijonte një situatë, që do tregonte një urrejtje të madhe popullore. Ishte shpresa që dikush do gjuante dhe do vriste ndonjë dhe kjo do instrumentalizohej dhe do bëhej mjet lufte politike, siç u bë”, deklaroi Lubonja.

Më tej, analisti komentoi dhe protestat e opozitës, përgjatë këtij viti, ku policia ka përdorur shpeshherë gaz lotsjellës ndaj protestuesve, duke thënë se politika tashmë e ka nxjerrë një mësim, që të mos vrasë njerëzit, ndonëse sipas tij, edhe përdorimi i gazit është abuzim me forcën e pushtetit.

“Një mësim është nxjerrë, që pala në mbrojtje, që në këtë rast është në pushtet dhe ka policinë duhet të bëjë shumë kujdes, që të mos vrasë, se pastaj i kthehet në bumerang, siç ndodhi në 21 janar.

Mendoj se pala mbrojtëse e ka mësuar këtë dhe ka përdorur gazin. Edhe këtu kemi abuzim me forcën e pushtetit, por jo deri te vrasja, por që është për t’u kritikuar”, u shpreh analisti.

Por edhe kryeministrisë iu vu flaka, a justifikohet…?
Nëse iu referohemi ligjeve, ato janë të shkruara. Ligjet e kanë përcaktuar sa dhe si mbrohen institucionet. Mendoj se 21 janari kishte kapërcim të mbrojtjes së nevojshme, edhe pse ishin provokuar.

Kur u vu flaka tani, përdorimi i gazit, këtu ngelet për t’u diskutuar. Tek e fundit, ngelet gjithmonë e hapur çështja e përdorimit të forcës, deri ku përdoret ajo. Për të dy palët kam parasysh një parim, që e ka trajtuar edhe Maks Veberi, që bën diferencë mes pushtetit dhe forcës.

Sipas tyre, pushteti ka një dallim me forcën, në kuptimin që pushteti nuk është që ti ke mjetet e forcës, dhe sa më pak të kesh pushtet, aq më tepër i drejtohesh forcës. Pra, forca është shenjë e mungesës së pushtetit. Ne vëmë re në përgjithësi, që forcat politike tona shpesh i referohen forcës, sepse nuk kanë pushtet, në kuptimin e legjitimitetit. Tendenca është që, edhe kjo qeveri, i drejtohet forcës, zgjidhjes me forcë.

Kam parasysh këtu Astirin, mjetet e dhunës, prishja e stadiumit në mënyrë të paligjshme, janë të gjitha akte dhune që tregojnë dobësim të pushtetit.

Shqiptarët kanë mësuar nga kjo. Mësimin e parë e patëm më 1997, që dolën edhe për pakënaqësinë e tyre, por edhe për të reaguar, dhe patën një pushtet që erdhi pas dhe i zhgënjeu. Fatos Nano tha se do iu kthente 100% paratë e humbura atyre që protestonin, por që ato para u shpërndanë nëpër xhepat e tyre.

Ka pasur mësime edhe kur erdhi Berisha në pushtet, me disa premtime, ashtu si dhe me rastin e Ramës, më 21 janarin, apo edhe tani që njëherë premtohet “revolucioni”, lëvizja e fortë që s’do lejojë zgjedhje…

Ajo që ka mësuar qytetari është që instrumentalizohet, pra që përdoret si “mish për top”. Kush nuk e ka mësuar, është ai militanti që mendon se do të ketë një përfitim, kur partia e tij të jetë në pushtet.

Tryeza për Reformën Zgjedhore, gjërat kanë ndryshuar, palët u ulën, por opozitarët thonë se nuk i kanë lënë protestat, por a kanë vlerë tani?
Kjo që s’kemi hequr dorë nga protestat, që Rama duhet të largohet, përdoret për t’u justifikuar para militantëve, por do të gjenden mënyra për t’i zvarritur, për t’i shmangur.

Apo ndoshta edhe duke parë reagimin e një pjese shumë të madhe, kanë ndërruar mendim dhe duan të krijojnë një lloj sinteze të protestave me këtë uljen në tryezë.

Reagimi i Milos: S’kanë të krahasuar deputetët e 100 viteve më parë me këta të sotmit

21 janari i këtij viti shënon 100-vjetorin e parlamentarizimit shqiptar. Një ditë kur më së shumti vlerësohet puna e intelektualëve dhe elitave, të cilat kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në formimin e shtetit shqiptar.

Nëpërmjet historisë jemi njohur me kontributin, veprimtarinë dhe CV-të e shumë prej figurave më të rëndësishme të asaj kohe. Duke folur për parlamentaret e sotëm natyrshëm del pyetja: A janë këta elita intelektuale e popullit shqiptar?

Po debatet që zhvillohen në parlament të çfarë niveli janë? Për historianin Paskal Milo diferencat mes deputetëve të parë të Shqipërisë dhe deputetëve të tranzicionit janë shumë të mëdha.

“Kemi zhvillime që i ka sjellë koha, por nuk mund të bëhen krahasime me cilësinë dhe përgjegjshmërinë e atyre viteve parlamentare, me deputetët e asaj kohe, me një shumicë parlamentarësh aktualë, që rastësia i ka sjellë në Kuvend, ose një mënyrë jo e përshtatshme dhe aspak demokratike në radhët e Kuvendit të Shqipërisë.

Po të krahasohen me përgjegjshmërinë, përkushtimin e angazhimin e parlamentarëve të 100 viteve më parë lënë shumë për të dëshiruar. Është për të ardhur keq, po nuk është konstatim i njëanshëm”, deklaron Milo.

Për politologon Afrim Krasniqi niveli i deputetëve të sotëm në Kuvendin e Shqipërisë lë për të dëshiruar, për shkak se ata nuk kanë dhënë asnjë kontribut dhe nuk kanë asnjë CV të pasur për të marrë karrigen e deputetit.

“Problemi i madh është se në legjislaturat e fundit deputetët e shohin zgjedhjen e tyre si një dhuratë nga partia politike ose e konjukturës personale e liderit politik, dhe si e tillë nuk ndjenjë ndonjë detyrim publik për të lënë një CV.

Është shumë e vështirë të gjesh individë që kanë lënë gjurmë në parlamentin e tranzicionit, për arsye se kanë qenë gjithmonë dakord me liderin, pasi kanë pasur qëllim rizgjedhjen.

Ndaj dhe ne jemi përballur me dy fenomene të reja në dy legjislaturat e fundit, prurjen e madhe të biznesmenëve në politikë, që s’kanë lënë gjurmë në politikë, me përjashtim të skandaleve ose lajmeve negative, dhe njerëzve anonimë pa asnjë arritje në jetët e tyre. Këto dy kategori rezultojnë më pak aktive në parlament dhe me më pak gjurmë”, thotë Krasniqi.

Për nivelin e ulët të parlamentarizimit të ditëve të sotme, Krasniqi bën me faj kryetarët e partive, të cilët duke pasur mundësi zgjedhjeje në 3 milionë banorë, piketojnë persona që nuk e meritojnë xhaketën e deputetit.

E pabesueshme! Policia ndalon 82-vjeçarin për një xham të thyer…

Policia në Mat, ka shoqëruar nga ora 10 e paradites 82 vjeçarin Hajredin Rami. I moshuari ka thyer një xham te dera e Bashkisë pasi kërkonte ndërhyrjen e saj për zgjidhjen e një konflikti për një ndërtim të paligjshëm.

I biri Sokoli, pohoi se ka marrë dijeni pasdite për këtë veprim radikal policor. Rami kërkon ndihmë nga forcat e rendit.

Duket se 82 vjeçari, një familje e njohur e djathtë, ka alarmuar qeverisjen e rendit dhe atë lokale në Mat, pasi nuk merren dot me denoncimin e bëre prej tij.

Forumi Ekonomik Botëror: Shqipëria vendi më i keq në botë për mundësi punësimi

Forumi Ekonomik Botëror (WEF) ka bërë një renditje të shteteve për mundësitë e punësimit. Në të përfshihet edhe Shqipëria, e cila vendoset në vendin e parafundit në raportin botëror të lëvizshmërisë sociale 2020.

Theksohet se në raport bëjnë pjesë 82 vende. Gjithashtu, janë marrë në shqyrtim disa faktor, konkretisht 10 tregues të ndryshëm të shtrirjes së kujdesit shëndetësor, arsimit, teknologjisë, punës, qëndrueshmërisë dhe efektivitetit të institucioneve për të dalë me një vlerësim të përgjithshëm me pikë, ku 100 ishte vlerësimi më i lartë.

Shqipëria arriti vlerësim mesatar prej 56 pikësh duke u renditur së bashku me Gjeorgjinë dhe Tajlandën, por poshtë Arabisë Saudite, Ukrainës, Moldavisë dhe Serbisë.

Vlerësimi më i dobët ishte për çështjet e punësimit. Për mundësi të punësimit Shqipëria u vlerësua vetëm me 32.5 pikë duke u pozicionuar në vendin e parafundit (vendi 81 nga 82 shtete).

Në raport thuhet se rreth 19% e atyre që kanë diploma janë të papunë, së bashku me 20.4% të atyre me arsim të mesëm dhe 13.8% të atyre me arsim bazë. Këto tregues shprehin qartë se ata me arsim më të lartë kanë më shumë gjasa të jenë të papunë, çka kontribuon në situatën e “rrjedhjes së trurit” – emigrimit. Mjerisht, mbi gjysma e punëtorëve janë në punësim të cenueshëm dhe rrezikojnë të humbasin punën e tyre.

Më pak se gjysma e punëdhënësve ofruan trajnime dhe popullsia ka më pak se aftësia optimale e njohurive dixhitale. Raporti gjithashtu vuri në dukje një rezultat të ulët për politikat aktive të tregut të punës, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 62.

Në çështjet e shëndetit të popullatës, Shqipëria u vlerësua mirë, me nivele të ulëta të kequshqyerjes, qasje të mirë në kujdesin shëndetësor dhe një normë mesatare të lindjeve ndër adoleshentë. Ajo u rendit në vend të 37.

Për sa i përket arsimit, Shqipëria shënoi pak më shumë se gjysmën e pikëve në dispozicion. Rreth 70.7% e nxënësve të pafavorizuar në shkolla raportuan mungesë të materialeve arsimore dhe u vu re nivel i ulët i diversitetit shoqëror. Sipas WEF-së mund të bëhet më shumë për të përmirësuar raportin e mësuesve për nxënës në arsimin fillor dhe të mesëm.

Për sa i përket lidhjes në internet, 71.8% e popullsisë përdorin internetin dhe 99.2% e vendit është e mbuluar nga 3G. Ndërsa 100% e popullsisë ka qasje në energji elektrike, por sipas raportit jo të gjitha shkollat kanë qasje në internet.

Për sa i përket mbrojtjes sociale, vendi renditet keq me vetëm 11,9% të PBB-së të shpenzuar për këto çështje. Rrjeti i përgjithshëm i sigurimeve shoqërore për punëtorët shqiptarë u vlerësua me vetëm 2.3 nga 7 pikë, duke u renditur në numrin 72 në të gjithë botën.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, është vlerësimi për perceptimin rreth korrupsionit ku Shqipëria nuk befason aspak me rezultatin. Ajo ka marrë vetëm 36 nga 100 pikë të mundshme. /Exit.al

BE, ultimatum Ramës: Jo ligjit për censurën në media, të ndryshojë!

Qeveria shqiptare duhet të rishikojë të ashtuquajturën “Paketa anti-shpifje” duke marrë parasysh të gjitha rekomandimet e Këshillit të Europës.

Ky është reagimi i Komisionit Europian ndaj pyetjes së drejtuar nga “ABC News” mbi shqetësimet që ngre kjo paketë dhe rrëzimin e saj nga presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Qeveria e Bashkimit Europian thekson se, kthimi mbrapsht i “paketës anti-shpifje” nga presidenti i Republikës në Kuvendin e Shqipërisë përbën një rast për qeverinë shqiptare për të pranuar rekomandimet e Këshillit të Europës.

“Ne e kemi bërë të qartë se Bashkimi Europian mbështet rekomandimet e Këshillit të Europës në rastin e ligjit të medias në Shqipëri. Ne pranojmë se shqetësimet dhe rekomandimet përkatëse janë sërish të vlefshme dhe ato duhen adresuar sërish. Faktin që Presidenti i Shqipërisë ka kthyer ligjin në Parlament e shohim si një mundësi për t’i pranuar ato. Ne shpresojmë që kjo të realizohet”, deklaroi zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero.

Lidhur me pyetjen specifike, nëse Komisioni Europian mbështet shprehimisht vetërregullimin në sektorin e medias, ky institucion është përgjigjur qartë, duke renditur edhe disa nga rekomandimet kryesore të Këshillit të Europës, zyrtarja e Brukselit dha këtë përgjigje:

“Absolutisht që ne e mbështesim këtë. Ne mbështesim disa rekomandime të Këshillit të Europës jo vetëm për promovimin e vetëregullimit. Por ne e mbështesim qëllimin për ta kufizuar qëllimin e rregullimit vetëm për serviset e mediave audiovizive online, trajtimin gjyqësor të pavarur të ankesave lidhur me mediat, forcimin për transparencën e pronësisë sëë mediave në vend.

Pra, ne mbështesim të gjita rekomandimet e Këshillit të Europës. Ato janë në përputhje me pritshmërinë tonë, që duhet ndjekur nga një vend aspirant”.

Edi Rama merret me Ukrainën dhe harron Shqipërinë!

Nga Qamil Gjyrezi

Vizita e parë zyrtare e Kryeminsitrit të dështuar Edi Rama, si kreu i O.S.B.E.-së për të zgjidhur krizën në Ukrainë, “tingëllon” shumë kontradiktore, mbasi Rama ka krijuar një krizë të thellë politike dhe ekonomike në Shqipëri!
Drejtimi i një organizate të rëndësishme ndërkombëtare, sic është O.S.B.E. është një ngjarje me rëndësi për neve, por nëse kryeministri i vendit tonë do të drejtonte dhe qeveriste mirë vendin e tij!

Por Edi Rama, të cilit i ra radha ta drejtojë këtë organizëm, ka blerë zgjedhjet në Shqipëri dhe ka implementuar një shtet autoritar ku shkelen ditë për ditë të drejtat e qytetarëve.

I gjithë shteti është kapur nga pushteti i një pakice oligarkësh të konfirmuar zyrtarisht. Parlamenti shqiptar ëshë ilegjitim. Drejtësia në vend është paralizuar, nga reformat gjysmake të Edi Ramës. Politika e Rilindjes është e inkriminuar dhe ekonomia ka falimentuar.

Shtrohet pyetja si ka mundësi kryeminstri i një vendi në kolaps në të gjitha planet të zgjidhi kriza botërore?!

Një kryeministër që e ka cuar vendin e tij drejt kolapsit ekonomik dhe social e ka të vështirë të respektojë parimet dhe angazhimet e O.S.B.E.-së dhe të inkurajojë zbatimin e plotë të marrëveshjes së Minskut.

A përdor Edi Rama dy standarte për të drejtuar punët e botës dhe qeverisur në vend? Një standart në ceshtjet ndërkombëtare dhe një standart tjetër në qeverisjen e vendit, që ka paralizurar ekonominë dhe po humbet shpresën për të ardhmen.

Apo Edi Rama vazhdon “traditën e shqiptarëve”, në kohën e perandorisë osmane që kanë drejtuar mirë shtete të tjera dhe vendit tonë i kanë sjellë me “qindra zullume” dhe i kanë bërë dëme historike?!

Sipas meje një politikan që i ka bërë dëme vendit të tij, me qeverisjen e tij të dështuar, e ka të vështirë të drejtojë kriza të cilat këkojnë formim dhe angazhim të vecantë!

Shpresoj se këshilli politik aktual, do të përfundojë reformën zgjedhore dhe pastaj zgjedhjet e parakohëshme kombëtare dhe lokale janë të domosdoshme!

Gjysmën e mbetur të drejtimit të O.S.B.E.-së do ta bëjë një kryeminsitër i përgjegjshëm, sic është Lulzim Basha që shkruan në statusin e tij “Shqipëria e para” dhe pastaj ka të drejtën morale dhe politike të zgjidhi krizat europiane dhe botërore.