30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Komisioni i Venecias: Shkarkimi i Presidentit nuk mund të justifikohet

Komisioni i Venecias ka publikuar raportin e tij lidhur me veprimtarinë e Ilir Metës dhe ka dalë në konkluzionin se shkarkimi i Presidentit nuk mund të justifikohet. Burime bëjnë me dije se Venecia është shprehur se edhe nëse vërtetohet se mund të ketë tejkaluar kompetencat me shtyrjen e zgjedhjeve lokale, sërish nuk mund të flasim për shkarkim.

“Edhe pse Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat duke shtyrë zgjedhjet vendore, nisja e procedurave të shkarkimit mund të mos jetë e justifikuar.

Ekspertët e Komisionit të Venecias dalin në përfundimin se, pavarësisht se Presidenti mund të ketë vepruar në tejkalim të fuqive të veta Kushtetuese, ka indikacione se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre të atillë sa të justifikojnë nisjen e procedurave të shkarkimit.

Në opinionin e miratuar sot, që është kërkuar nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, Komisioni i Venecias vëren se Presidenti i Shqipërisë nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik. Edhe në rast të një gjendjeje të jashtëzakonshme, si luftë apo katastrofë natyrore, Parlamenti duhet të miratojë një ligj të posaçëm për të shtyrë zgjedhjet.

Si kundërpërgjigje ndaj krizës politike në vend dhe bojkotit nga disa parti politike kryesore, Presidenti në fillim i anuloi zgjedhjet e më pas i shtyu ato. Pavarësisht se Parlamenti vendos se Presidenti tejkaloi kompetencat e tij, Komisioni i Venecias ka dyshime nëse këto ishin të atilla sa të konsideroheshin “shkelje të rënda”.

Ekspertët nënvijëzojnë thirrjen e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë se shtyrja e zgjedhjeve do të kishte kontribuar në arritjen e një kompromisi mes partive. Ata theksojnë mungesën e ankimimit të dekreteve të Presidentit në Gjykatë.

Për më tepër, zgjedhjet vendore nuk kanë të njëjtin status kushtetutshmërie si zgjedhjet parlamentare. Ekspertët thonë që, pavarësisht se Parlamenti do të vendose se shkeljet ishin të rënda, kjo nuk do të duhet të sillte domosdoshmërish nisjen e procedurave të shkarkimit, duke marrë në konsideratë objektiva të tjerë kushtetues, si ruajtja e balancave dhe stabiliteti i vendit.

Nëse Parlamenti vendos pro shkarkimit do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese që të konfirmojë nëse vendimet e Presidentit përbëjnë shkelje aq “të rënda” sa për të justifikuar shkarkimin e tij”.

Ky sillet fiks si baron droge dhe jo si kryeministër…

Ish-Kryeministri Sali Berisha i ka drejtuar publikisht, kryeministrit Edi Rama, pyetjen e ngritur nga një qytetar për shpenzimet e luksit, në raste takimesh zyrtare jashtë vendit. “Baron droge e cilëson qytetari dixhital Edvin Mafinë! Ai ka një pyetje interesante për Edvin Drogën! Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e tij”, shkruan Berisha.

Postimi i ish-Kryeministrit Berisha 

Baron droge e cileson qytetari dixhital Edvin Mafine!

Ai ka nje pyetje interesante per Edvin Drogen!
Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e tij. sb

Ky sillet fiks si Baron Droge dhe jo si KM me avion privat
Besoj se ka shkelur Ligjin nr 9367 date 07.04.2005 Neni 23/1 “PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESAVE NË USHTRIMIN E FUNKSIONEVE PUBLIKE”
Meqenese justifikohet se avionin ja sjellin dhurate, por ne kosto eshte dhurate qe e kalon limitin e ligjit.

BE: Rezolutë për strategji më të fortë ndaj influencës ruse

Parlamenti i BE adoptoi një rezolutë, që e quan Rusinë burim kryesor të dizinformimit në Europë. Prandaj, kërkohet një strategji më e ashpër për të ndaluar përpjekjet për ndërhyrje.

Në vazhdën e zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2016, përpjekjet ruse për të ndërhyrë në zgjedhjet që zhvillohen në vende të tjera janë kthyer në një çështje të rëndësishme.

Si rrjedhim BE iu desh një vit e gjysmë përgatitje për të mbrojtur zgjedhjet e veta, ato të zhvilluara në maj të këtij viti për Parlamentin Europian. Tani, legjislatura e re vendosi të merret me këto përpjekje për ndërhyrje.

Gjatë sesionit plenar të mbajtur në Bruksel më 10 tetor, ligjbërësit e BE përgatitën një rezolutë për ndërhyrjet në fushata elektorale të vendeve të huaja dhe për dizinformimin. 469 deputetë europianë votuan për rezolutën, 143 ishin kundër saj dhe 47 abstenuan.

Zgjedhjet europiane nuk kanë qenë zonë e paprekur nga fallsifitetet
Parlamenti i BE thekson në rezolutë se vazhdimisht dalin në dritë dëshmi që tregojnë për ndërhyrje në të gjitha zgjedhjet kombëtare dhe europiane, “shpesh me tregues që flasin për ndikim të huaj”.

Komisioneri i BE për çështjet e Sigurisë, Julian King tha gjatë debatit që u zhvillua në kuadër të përgatitjes së rezolutës. se gjatë zgjedhjeve për Parlamentin e BE “nuk ka pasur sulme dizinformimi të koordinuara në shkallë të gjerë”. “Por, për fat të keq kjo nuk do të thotë se këto zgjedhje janë zhvilluar pa dizinformime.”

King ofroi një shembull nga Gjermania, ku promovimi online i një partie të përfaqësuar është bërë duke pasqyruar 86 përqind të gjithë aktiviteteve të partisë në Facebook, me katër herë më shumë komente, dhe gjashtë herë më shumë shpërndarje, se të gjithë partitë politike të kombinuara bashkë.

Problemi këtu është thotë Komisioneri, se pëlqimet dhe shpërndarjet janë bërë nga një grumbull adresash prej 80 mijë kontosh, pa emra të vërtetë por me iniciale. “Propaganda dhe dizinformimi i automatizuar në shkallë të gjerë është një fakt i jetës sonë politike moderne”.

King nuk e përmendi emrin e partisë, por me sa duket ai flet për Alternativën për Gjermani, AfD ekstremiste e djathtë, sepse edhe më parë është raportuar se AfD është shumë përpara në përdorimin e mediave sociale. Kjo parti shpesh është akuzuar për lidhjet që ka me Rusinë.

BE-së i duhet një strategji më e fortë
Parlamentarët vënë theksin në rezolutë tek „rrezikshmëria e lartë e natyrës që ka propaganda ruse”. Prandaj, ata i kërkuan Komisionit të BE-së dhe Këshillit të BE që të përgatisë një strategji më efektive për t’iu përgjigjur dizinformimit rus “në mënyrë më të shpejtë dhe më të ashpër”.

Parlamenti i BE-së është i shqetësuar për ndërhyrjet jo vetëm në BE, por edhe në vendet fqinjë. Në rezolutë dënohen “aksionet agresive në rritje” nga vende të treta, aksione që kërkojnë të dëmtojnë demokracinë dhe sovranitetin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve partnere lindore.

Vendet partnere lindore janë gjashtë vendet, përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Për të ndihmuar këto vende, BE duhet të mbështesë pavarësinë dhe mediat e ndryshme në to, thotë Parlamenti i BE.

Rezoluta përmend Rusinë si “burimin kryesor prej nga vijnë dizinformimet në Europë”. Po ashtu flitet edhe për dy vende të tjera, por emrat e tyre nuk përmenden. Disa deputetë propozuan që në rezolutë të futen edhe këto dy emra, por gjatë vitimit ky propozim nuk morri mbështetjen e duhur.

Diskutime për burimin kryesor të dizinformimit
Gjatë diskutimeve që u mbajtën në mbledhjen e mëparshme plenare në Strazburg, më 17 shtator, u fol shumë për çështjen se prej nga vijnë dizinformimet. Ndërkohë që përfaqësuesit e Komisionit të BE dhe të Këshillit të BE qëndruan neutralë, deputetët nuk donin të pushonin duke përmendur emrat e vendeve të treta.

Tomas Tobé nga Suedia shprehu pikëpamjen e EPP, grupit të qendrës së djathtë të parlamentit, sipas të cilit veçanërisht Rusia “është duke bërë luftë me intensitet të ulët informimi kundër Europës” nëpërmjet mediave dhe prokatorëve të sponsorizuar nga shteti.

“Por, ne shohim shtete të tjera totalitare si Kina, Irani dhe Korea e Veriut, që përpiqen të dobësojnë marrjen e vendimeve në mënyrë demokratike tek ne”, shtoi ai. Paratë që shpenzojnë vendet e BE për të përballuar dizinformimin e huaj nuk janë asgjë në krahasim me paratë, që përdorin vendet e tjera për të ushtruar ndikim në BE, mendon Pascal Durand nga grupi liberal Renew Europe.

Ai thotë se Rusia financon fushatat dhe i jep donacione partive politike të cilat “duan të shkatërrojnë BE”, për shembull në Francë dhe Itali, në nivelin e 1 miliardë eurove. Në krahasim me 3 milionë euro që merr çdo vit StratCom, një grup i BE-së i krijuar për të shpërbërë dizinformimet e huaja, tha Durand.

Deputeti gjerman Reinhard Bütikofer, nga Të Gjelbërit i bëri thirrje kollegëve të tij të jenë vigjilentë jo vetëm ndaj ndërhyrjeve ruse, të cilat janë “dëshmuar”. E njëjta gjë duhet bërë edhe ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, “udhëheqjes totalitare të Kinës” dhe “grupeve reaksionare nga SHBA”, shtoi Bütikofer.

Pikëpamje krejt të ndryshme kanë deputetët e grupit ekstremist të djathtë, Identity and Democracy. Anëtarja e grupit, Christine Anderson nga Gjermania pyeti, nëse është shaka kjo që po thuhet se Komisioni i BE-së po përpiqet të luftojë dizinformimin.

“Komisioni i BE, e konsideron veten të jetë në gjendje të luftojë fake news, por është ai vetë selia kryesore që prodhon fake news!”, thotë Anderson. Ajo tregon si shembull broshurën 60 arsye pse duhet të mbështesim BE-në, (60 reasons for the EU), publikuar nga Komisioni i BE.

Sipas Anderson, është fake news që të thuash se falë politikave të Bankës Qendrore Europiane vendet e BE kanë kursyer 50 miliardë euro. Sidoqoftë, jo të gjithë anëtarët e grupit të saj janë dakord me ato që thotë ajo. Laura Huhtasaari nga Finlanda, mendon se ekzistojnë përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet e BE nga Rusia, nga SHBA dhe nga Kina.

Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, pajtohen për bashkëqeverisje

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, bashkë me kandidaten e kësaj partie për postin e kryeministrit, Vjosa Osmani, janë pajtuar të enjten për formimin e koalicionit qeverisës, por do të presin rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të së dielës për hollësitë e tij.

Pas takimit zonja Osmani tha se është diskutuar më shumë në nivel të parimeve dhe jo të hollësive, por më e rëndësishme është që të dyja partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë.

“Ka disa gjëra që filluam diskutimet tona kryesisht sa i përket një qeverie e cila do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive mirëpo që patjetër do të rritet sa i përket punës së mirë që do ta bëjmë në të qytetarëve”, tha ajo duke nënvizuar se “për ne është me rëndësi që të presim numërimin e të gjitha votave para se ta arrijmë marrëveshjen finale por siç e thash në fillim e mira është se ka vullnet të mirë në të dyja palët, në të dyja partitë që kjo marrëveshje të arrihet”.

Zoti Kurti tha ndërkaq se “Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta prandaj pa humbur kohë ne kemi filluar bisedimet duke u nisur me idenë e përbashkët që do ta zbatojmë për qeveri sa më efikase e për shtet sa më të fuqishëm”.

Ai tha se është synim i përbashkët që t’u dilet zot nevojave të qytetarëve, të respektohen të drejtat e tyre dhe shteti të orientohet nga drejtësia, zhvillimi, demokracia dhe mirëqenia për të gjithë.

“Jemi dakorduar që të kemi një dysheme prej 30 për qind të përfaqësimit gjinor minimalisht, pra do të jenë 30 për qind gra edhe në mesin e ministrave edhe në mesin e zëvendësministrave.

Do të kemi shumë më pak ministri, shumë më pak zëvendësministra por do të kemi shumë më tepër angazhim, përkushtim, punë. Ekipet tona profesionale edhe të lëvizjes Vetëvendosje edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të takohen për të harmonizuar programet tona dhe për t’u dakorduar për projektet tona”.

Të dy thanë se hollësitë dhe ndarja e pushtetit do të ndodhë pasi të përfundojë procesi i numërimit të votave. “Në radhë të parë ne si Lidhje Demokratike e kemi deklaruar edhe më parë që po presim rezultatin final dhe natyrisht në qoftë se rezultati konfirmohet kushdo që del se ka marr më së shumti vota në atë moment, ne në asnjë mënyrë nuk do të hezitojmë që në bashkëqeverisje të pranojmë kushdo që ka fituar ta merr pozitën e kryeministrit. Sa i përket asaj se ku do të jem unë ku është vendim që do ta marr unë së bashku me partinë që e përfaqësoj”, tha zonja Osmani.

Ndërsa Zoti Kurti tha se “tash për tash e dini cili është rezultati, unë nuk besoj se do të mund të ndryshoj ai por për dakordim e për korrektësi natyrisht që e kuptoj që fjala e fundit është certifikimi në fund i zgjedhjeve nga KQZ-ja. Por besoj që PDK-ja është në opozitë dhe kjo nuk do të ndryshoj.

Vetëvendosja dhe LDK-ja do të qeverisin së bashku as kjo nuk do të ndryshoj dhe mund t’i ruajmë fjalët e fundit për fund, por mendoj se shumëçka, për të mos thënë gjithçka është e qartë”, tha ai. Sipas rezultateve paraprake lëvizja Vetëvendosje kryeson në këto zgjedhje e pasuar nga Lidhja Demokratike.

Të dyja palët kishin lënë të hapur mundësinë për një koalicion pas zgjedhjeve, pasi nuk arritën të merren vesh që të dalin bashkë në votime. Pas zgjedhjeve, zoti Kurti tha se është e domosdoshme që këto dy parti të punojnë së bashku, ndërsa edhe zonja Osmani tha se qytetarët e Kosovës “përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”.

Mediat në Serbi: Grenell i solli Vuçiç porosi shumë të rënda nga Trump, pas takimit…

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, mori porosi shumë të rënda të Donald Trump, nga i dërguari special i presidentit amerikan, Richard Grenell.

Kështu raportojnë mediat serbe, të cilat, edhe pse nuk kanë dhënë shumë detaje, kanë thënë se takimi midis Vuçiq dhe Grenell ishte shumë i vështirë, përcjell Telegrafi.

Sipas Blic.rs, pas takimit, Vuçiq nuk donte as të bënte deklaratë për shtyp.

Ndryshe Grenell vizitoi Beogradin, disa ditë pasi mori përsipër rolin e të Dërguarit Special të SHBA-së për Kosovën.
Grenell është një njeri me besimin më të lartë nga Trump dhe erdhi me një mandat të drejtpërdrejtë nga presidenti amerikan, shkruan Blic.rs.

Siç mëson mediumi në fjalë, porositë që Vuçiq mori nga Grenell mbajnë peshë të madhe për Serbinë.
“Takimi, ku u diskutua zgjidhja e çështjes së Kosovës, zgjati më shumë se një orë”, thuhet ndër tjerash në shkrimin e këtij mediumi, përcjell Telegrafi.

Se takimi nuk ka qenë i lehtë e ka konfirmuar edhe këshilltarja e presidentit serb, Suzana Vasiljeviq, e cila ka thënë se takimi midis Aleksandar Vuçiqit dhe të dërguarit special të SHBA-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Richard Grenell ishte shumë i vështirë, por nuk mund të jepte shumë detaje.

Ajo i ka thënë “TV Prva” se Vuçiq dhe Grenell biseduan për dhjetë minutat e para, “sy më sy” – dhe më pas atyre iu bashkua drejtori i të ashtuquajturës Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq.

Vasiljeviq gjithashtu ka thënë se shpesh ndodh që takimet të jenë të vështira kur bëhet fjalë për Kosovën, por siç shtoi ajo, përcjell Telegrafi, nuk kanë qenë asnjëherë në atë masë që presidenti të mos dëshirojë të flasë as me bashkëpunëtorët e tij dhe të kërkojë kohë për të menduar se si të komunikojë atë se çfarë mund të jetë një zgjidhje për atë që mund të ketë dëgjuar nga Grenell.

Ndryshe, Richard Grenell ka vizituar edhe Kosovën ku pati takime me të krerët e partive kryesore politike në vend, si dhe me presidentin Thaçi.

Grenell, i cili do të mbetet edhe ambasador në Gjermani, do t’i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t’iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Këshilltarja: Vuçiç doli i trullosur nga takimi me të dërguarin e Trump, bisedime…

Këshilltarja për media e presidentit të Serbisë, Suzana Vasiljevic, ka dhënë detaje rreth takimit që Aleksander Vucic ka pasur me emisarin e Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Ajo ka thënë se një takim i tillë ka qenë jashtëzakonisht sfidues, megjithatë ka thënë se nuk mund të lëshohet në detaje, rreth asaj që është biseduar, raporton Gazeta Express.

Vasiljevic ka thënë se në dhjetë minutat e parë në takim kanë qenë kokë më kokë, vetëm Vuçiq dhe Grenell, dhe më pas në takim është bashkuar edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq.

Vasiljevic ka thënë se ajo që ka qenë e pazakontë nga takimi me emisarin e Trumpit, është që Vuçiq ka mbajtur shënime edhe për veten e tij, gjë që, sipas saj, nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

“Çfarë ishte e pazakontë, ishte që presidenti po mbante shënime edhe për veten e tij për herë të parë. Bisedimet duket se ishin jashtëzakonisht të vështira”, ka thënë ajo.

Përveç tjerash Vasiljevic ka thënë se pas takimit me Grenell ka qenë në një disponim jashtëzakonisht të keq, sa që nuk ka folur me asnjë prej stafit për disa minuta.

Këshilltarja e Vuçiq ka thënë se edhe më parë ka ndodhur që takimet rreth çështjes së Kosovës të jenë të vështira, megjithatë thotë se asnjëherë në atë nivel të vështirësisë sa që presidenti të mos flasë me asnjë prej bashkëpunëtorëve të tij.

Tutje, Vasiljevic ka thënë se Vuçiqit i janë dashur disa minuta që të mendojë e ta marrë veten dhe të zbërthejë gjithë atë që e ka dëgjuar nga Grenell.

Më pas nga zyra e Vucicit, pas takimit me Grenell është lëshuar një komunikatë në të cilën thuhej se Vucic i ka thënë emisarit të Trumpit se një kompromis që do të jetë në interes të stabilitetit dhe të ardhmes së rajonit, mund të arrihet duke respektuar interesat legjitime të Serbisë.

Në këtë njoftim është cituar Grenell i cili ka thënë se dy palët “duhet të bashkëpunojnë shpejt dhe ngushtë, duke shikuar drejt të ardhmes”.

Shqipërinë e shpëton veç fitorja në Stamboll

Kombëtarja e Shqipërisë sonte do të takohet me Turqinë sonte në Stamboll, në një sfidë tepër të rëndësishme për të dyja ekipet në kualifikimet për “Euro 2020”.

Shqipëria do t’i mbante gjallë shpresat për kualifikim vetëm me fitore ndaj Turqisë, shkruan Gazeta Express.

“Turqia ka lojtarë të rëndësishëm si Burak Yılmaz apo Hakan Çalhanoglu dhe Tosun. Është e qartë se për një ndeshje të madhe duhet të jemi në 100% të formës, pasi në të kundërt nuk evitojmë dot humbjen”, ka thënë trajneri i Shqipërisë, Reja.

“Detyra jonë është të bëjmë një prezantim dinjitoz. Përmes kësaj ndeshjeje do bëjmë vlerësime, do na japë disa përgjigje që shpresoj se do jenë pozitive. Kemi ndryshuar disa lojtarë dhe pres përmirësime të tjera. Nëse do të ndodhin, atëherë tregon se jemi në rrugën e duhur” tha trajneri Reja, i cili dje i mbushi 74 vjet dhe u organizua një festë në kampin kuq e zi.

Lojtarët dhe stafi i Kombëtares uruan teknikun italian për përvjetorin ndërsa mes fjalëve motivuese nga trajneri ishte dhe kërkesa për një dhuratë të vogël në ndeshjen ndaj Turqisë.

Wenger: Hazard nuk mund ta zëvendësojë Ronaldon

Arsene Wenger insiston se Eden Hazard nuk mund ta zëvendësojë Cristiano Ronaldon në Real Madrid.

Trajneri francez thotë se “Los Blancos” nuk e kanë shijuar ende Hazardin e vërtetë, por që edhe kur ta bëjnë këtë, ai nuk do të mund ta zëvendësojë asnjëherë Ronaldon.

Pas largimit të yllit portugez, Reali pati rënie dhe po has në vështirësi të arrijë suksese, përkundër përforcimeve që i bëri këtë verë.

“Ai do të jetë përgjigja, por jo duke e zëvendësuar Ronaldon, kjo është e sigurt. Ai nuk do t’i shënojë 50 gola në vit sepse tash po luhet ndryshe futbolli”, ka thënë Wenger për beIN Sports.

“Eden Hazard është lojtar i shkëlqyer për të krijuar raste për të tjerët dhe këtë mund ta bëjë në ndeshje të mëdha. Ai nuk ka frikë nga ndokush, nuk mendoj se Reali e ka parë ende Hazardin e vërtetë. Ai nuk është ende në gjendjen fizike në të cilën mund të jetë. Kjo është arsyeja se përse nuk e kemi parë ende Hazardin e vërtetë”, ka përfunduar trajneri francez.

Hazard e regjistroi golin e parë dhe asistin e parë në La Liga në fitoren e Real Madridit ndaj Granadas me rezultat 4:2, para ndeshjeve të Kombëtareve.

 

“Propozimet e Tao Tao-s gajasën sot të madh e të vogël në Komisionin e Venecias”

Presidenca ka reaguar pas raportit përfundimtar të Komisionit të Venecias dhe propozimeve të reja të bëra nga Taulant Balla.

‘Propozimet e Tao Tao-s gajasën sot të madh e të vogël në Komisionin e Venecias.

Hëngri një dajak të fortë, por mënd nuk zuri, dhe vazhdon propagandën bajate me titra të porositura.

I kujtoj Tao Tao-s ‘hurin’ që mori nga raporteri i çështjes për rrjedhjen në media të Draf-Opinionit, për keqpërdorim politik.

Dhe nëse nuk është ftilluar akoma, ai dhe delegacioni që e shoqëron, le të bëjnë një vizitë në Bienalen e Venecias, se ndoshta u bie stresi.

Sa për Presidentin, çështja është e qartë si kristali: ZERO SHKELJE TË KUSHTETUTËS.

Tani të gjithë të bashkuar të mbështesim kuqezinjtë në sfidën e mbrëmjes’, shkruan në Facebook zëdhënësi i presidencës, Tedi Blushi.

Nobeli për Letërsinë/ Basha: Tronditëse dhe e tmerrshme! Ditë trishtuese për vlerat tona…

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka reaguar pas dhënies së çmimit Nobel për Letërsinë, austriakut Peter Handke.

Basha shkruan se, të shohësh që Çmimi Nobel shkon te dikush që mbrojti dhe justifikoi autorin e tmerreve më të mëdha në Evropë pas Holokaustit është tronditëse dhe e tmerrshme.

Postimi i Bashës

20 vjet më parë shërbeja në ekipin e Gjykatës Ndërkombëtare të OKB-së për ish-Jugosllavinë që ngriti padinë kundër Milosheviçit për krime lufte dhe gjenocid.

Të shohësh që Çmimi Nobel shkon te dikush që mbrojti dhe justifikoi autorin e tmerreve më të mëdha në Evropë pas Holokaustit është tronditëse dhe e tmerrshme.

Ditë e trishtuar për vlerat tona.