20.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Ndërhyrja amerikane që po shpëton Ballkanin

Nga Red VARAKU

Sa herë që vëmendja e Perëndimit largohet nga Ballkani, kemi gjithmonë një rritje të rolit të Beogradit në rajon, thënë ndryshe një rritje të influencës ruse në Ballkan. Si pasojë, në të gjithë rajonin kemi një përkeqësim të ekonomisë dhe një rrëshqitje totale drejt autoritarizmit si dhe asgjësim të vlerave demokratike, që më pas degradojnë në vatra konfliktesh dhe destabiliteti ,korrupsioni kapilar, kriza ekonomike dhe rritje te emigracionit.

Por, shqetësimi që mbërriti në Washington kësaj rradhe nuk lidhej vetëm me prezencën e rritur ruse, por edhe investimet e rrezikshme kineze në Serbi, Bosnjë dhe në Malin e Zi.

Rikthimi i idesë së Moskës dhe Pekinit për një Jugosllavi të Re, e alarmoi seriozisht Departamentin e Shtetit, i cili menjëherë, si asnjëherë tjetër, me një urgjencë të padëgjuar, ndërmori disa hapa që konsiderohen radikale në diplomaci. Shkarkimi i Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare Bolton, një filorus dhe mbështetës i i hapur i ndarjes së Kosovës, emërimi i z. Palmer si i dërguar special i SHBA-ve për Ballkanin, mandatimi i ambasadorit amerikan në Berlin z. Grennell si përfaqësues special i Presidentit Trump për një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, turi i jashtëzakonshëm i Sekretarit Amerikan të Shtetit Mike Pompeo në Ballkan, dëshmojnë vëmendjen e jashtëzakonshme, që SHBA-të kanë vendosur të kenë në rajon.

Sigurisht, që kjo ndërhyrje ishte pasojë e rrezikut të shndërrimit të Ballkanit në një arenë të re përplasjesh interesash gjeopolitike ndërmjet Perëndimit (SHBA dhe BE) dhe Lindjes (Rusi, Kinë). Nevoja për një ndërhyrje radikale ishte pasojë influencës në rritje të Moskës në Ballkan, sidomos pas krizës në Ukrahinë në 2014, sigurisht nëpërmjet vëllait të saj të vogël Serbisë. Ndërsa prezenca ekonomike kineze, në Serbi, Bosnjë dhe në Malin e Zi, e cila bëhet me qëllim zgjerimin e projektit të saj ekonomik konkurues me Europën pikërisht në Ballkan, po bëhej jo vetëm shumë shqetësuese, por rrezikonte ta kthente rajonin në një treg privat të Kinës mu në derë të Europës.

Nëse do të lejohej dhe nuk do të ndërhyej në kohë, situata mund të përkeqësohej deri në pikën që mund të kthehej në një arenë të re përplasjesh mbase jo deri ushtarake si në Siri, por që mund ta fusnin rajonin në një paralizë totale, që do të thotë në vatër lehtësisht të destabilizueshme shumë pranë Europës, gjë të cilës Europa i druhet shumë.

Jo rastësisht ndërhyrja filloi në Kosovë, me largimin e establishmentit të vjetër politik, në shtetin më të ri në Ballkan por njëkohësisht edhe më të rrezikuar, sepse ishte pikërisht në Kosovë ku kishte filluar të ngrinte kokë edhe ideja e shkëmbimit të territoreve, e cila në fakt nuk ishte tjetër vetëm se një ide ruse, dhe implementimi i saj nuk do të ishte tjetër, vetëm se një rimarrje e drejtimit të rajonit nga Moska nëpërmjet Beogradit. Në mënyrë që problemi të konsiderohet i zgjidhur, ndërhyrja pritet të zgjerohet edhe në Shqipëri, me largimin e Edi Ramës, mikut personal të presidentit serb Vuçiç, një politikan i korruptuar që ka bërë gjithçka për ta mbajtur Shqipërinë jashtë Europës dhe ka treguar një vasalitet të plotë ndaj Serbisë ( Rusisë) duke shantazhuar shpesh Europën dhe Perëndimin me idenë e krijimit të Jugosllavisë së Re dhe me kthimin e timonit nga Lindja.

Me eliminimin dhe pastrimin e metastazave të kancerit pro-rus nga trojet shqiptare, që përfaqësohet nga aleanca Thaçi-Rama, SHBA-të kanë për qëllim rikthimin e ekuilibrave gjeopolitikë në Ballkan, ku kombi shqiptar të rimarrë rolin që i takon si një faktor i fortë paqeje dhe stabiliteti, si një aleat i padiskutueshëm i forcave euroatlantike dhe besnik i vlerave perëndimore.

Albin Kurti shpërthen ndaj Ramës: Bashkëpunon me njerëzit më të urryer në Kosovë, që punojnë për serbët

Albin Kurti, drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosja që doli partia e parë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj bashkëpunëtorëve të kryeministrit Edi Rama.

Kurti, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, e quajti Baton Haxhiun, këshilltarin e kryeministrit Rama, “njeriun më të urryer në Kosovë, që punon për serbët”. Ndërsa për Gent Cakajn, të ngarkuarin me punë në krye të ministrisë së Jashtme, tha se “shpërtheu si rrena”.

“Nuk mendoj që kryeministri i Shqipërisë është pro ndarjes së Kosovës, por mendoj që ai ka zgjedhur për miq e bashkëpunëtorë në Kosovë njerëz të papërshtatshëm të cilët përfitojnë për vete dhe nuk kane në fokus as interesin kombëtar dhe as shtetin e Kosovës. Baton Haxhiu, është një nder njerëzit me të urryer në Kosovë, për shkak të lidhjeve të tij me shefin e shërbimit sekret shtetëror serb, i cili i ka formuar edhe tigrat e Arkanit dhe skorpjonët edhe dritat e kuqe, tri formacione famëkeqe që kanë bere masakra në Kroaci, Bosnje dhe në Kosovë dhe ky person të ketë kaq shumë ndikim, nuk ka shpjegim ndryshe, përveçse vazhdon shteti i Serbisë të qëndrojë pas tij”, deklaroi Kurti për gazetarët.

 “Gent Cakaj shpërtheu si rrena. Besoj se edhe në Republikën e Kosovës edhe në Shqipëri ka panumër njerëz cilësor, më të përgatitur, më të ditur, më patriotë, që të jenë në krye te politikës së jashtme”, shtoi.

Si u dyfishua numri i votave të Vetëvendosjes brenda 5 viteve, gremina e PDK dhe stabiliteti i LDK-së

Zgjedhjet e 6 tetorit kanë shënuar kthesë të madhe për Kosovën. Ndryshe nga herët e kaluara, kur konstantja e qeverisë ishte Partia Demokratike e Kosovës, ky subjekt tashmë ka shkuar në opozitë. Ndërsa është opozita Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që kanë shënuar fitore.

Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin kryeson zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, të mbajtura dje, 6 tetor, me 25.60 për qind, duke lënë pas, pas një gare të ngushtë, LDK-në me 24.90 për qind të votave.

Vetëvendosje në vitin 2017 kishte arritur të sigurojë 27.49 për qind të votave ndërsa koalicioni LDK-AKR-Alternativa 25.53 për qind. E para, LVV në zgjedhjet e vitit 2014 kishte arritur të sigurojë vetëm 13.59 për qind apo 99 mijë e 298 vota, kurse LDK 25.24 për qind apo 184.594 vota.

Ajo që bie në sy është se Lëvizja Vetëvendosje nuk u dëmtua nga ndarja që pësoi nga një pjesë e saj, PSD-ja, duke qëndruar në një rezultat të përafërt në dy palë zgjedhjet e fundit.

Në anën tjetër, PDK-AAK-Nisma që në zgjedhjet e 11 qershorit 2017 dolën fituese si koalicioni PAN me 33.74 për qind të votave, këtë herë kanë shënuar rënie.

PDK, e cila në këto zgjedhje është renditur e treta, ka arritur të marrë 21.05 për qind, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2014 pati arritur të marrë 30.38 apo 222.181 vota. Ndërsa AAK e cila në këto zgjedhje hyri në garë në koalicion me PSD, së bashku morën 11.53 për qind të votave, kurse në vitin 2014 kur edhe garoi e vetme, AAK kishte arritur të sigurojë vetëm 9.54 për qind apo 69 mijë e 793 vota.

Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate e cila në këto zgjedhje garoi si koalicion NISMA-AKR-PD sipas rezultateve të deritashme nuk ka arritur të kalojë pragun, duke siguruar vetëm 4.88 për qind apo 38 mijë e 55 vota. Kjo e fundit më mirë ishte në zgjedhjet e vitit 2014, kur kishte siguruar 37 mijë e 680 vota apo 5.15 për qind.

Në anën tjetër, 6.72 për qind të votave ka siguruar Lista Serbe, duke shënuar rritje nga zgjedhjet e kaluara. LS, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 pati siguruar 6.11 për qind të votave apo 44 mijë e 499 vota, duke tejkaluar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2014, kur kishte grumbulluar 5.22 për qind të votave.

Ndërkaq Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tash ka numëruar 97.37 për qind të votave, ndërsa në proces të numërimit janë edhe 2.63 për qind.

Kujtojmë se në rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit, nuk janë numëruar votat me kusht, ato të diasporës dhe personave me aftësi të kufizuara.

Kosova i dha leksion qeverisë shqiptare, pa u larguar Edi Rama nuk ka zgjedhje demokratike

• Kosova i dha leksion qeverisë shqiptare me zgjedhjet. Vullneti politik garanton zgjedhje demokratike dhe rotacion politik paqësor.

• Pa u larguar pengesa e zgjedhjeve demokratike, Edi Rama, zgjedhjet e Kosovës apo çdo reformë zgjedhore e jona, do të mbeten një leksion në letër.

DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, OERD BYLYKBASHI

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë një leksion i madh për politikën ‎shqiptare, por mbi të gjitha janë një këmbanë e fortë për qeverinë. Zgjedhjet demokratike kërkojnë vullnet politik.

Kosova dha një mësim të madh se zgjedhjet bëhen demokatike, kur në vend të parë vjen interesi i zgjedhësve dhe kur qeveria ka vullnet për të zbatuar ligjin,‎ që garanton të drejtën e zgjedhësve dhe të kandidatëve që konkurojnë të lirë e pa presion.

Askush nuk ka dëgjuar zhurmë për reformë zgjedhore në Kosovë, por të gjithë pamë se si Kosova bëri zgjedhje demokratike që garantuan rotacion politik paqësor, ku fituesi angazhohet për ndryshim dhe humbësi nuk manipulon numërimin, por pranon humbjen.

Zgjedhjet demokratike në Shqipëri i vrasin:

• Qeveritarët e korruptuar që blejnë vota për të vazhduar të mbajnë pushtetin
• ‎Kriminelët që qeveritarët i angazhojnë për të blerë vota dhe frikësuar zgjedhësit në këmbim të tenderave dhe pasurive publike
• Kandidatët me rekorde kriminale apo ushtarë të krimit
• Oligarkët që financojnë partinë në pushtet që të vijojnë vjedhjen e shqiptarëve me PPP dhe konçensione
• Komisionerët militantë që shkelin ligjin me dy këmbë duke mbushur kutitë apo manipuluar numërimin
• Mediat e kapura nga pushteti me interesa biznesi apo licenca të paligjshme

ODIHR dhe Bashkimi Europian në 2019 kërkon të luftohet:

• Shitblerja e votës dhe të ndëshkohen ata që blejnë vota
• Presioni mbi zgjedhësit
• Presioni mbi administraten
• Cënimi i sekretit të votes
• ‎Cënimi i lirisë së votës
• Abuzimi me burimet shtetërore në favor të partisë në pushtet‎
• Që partitë politike të jenë transparente me financat e tyre.

Partia Demokratike është e angazhuar për të gjitha këto, në mënyrë që t’u sigurojë shqiptarëve zgjedhje demokratike dhe rotacion demokratik me votë.‎ Partia Demokratike është e bindur që vetëm zbatimi i plotë dhe i vërtetë i rekomandimeve të ODIHR na hap rrugën për zgjedhje demokratike dhe për këtë ka propozar një plan me pesë pika, në bazë të të cilit qendron vullneti politik për zgjedhje të lira e të ndershme.

E vetmja pengesë në rrugën e shqiptarëve për zbatimin e rekomandimeve, si dhe garantimin e zgjedhje si gjithë Europa, është Edi Rama dhe qeveria e tij‎. Pa u larguar Edi Rama, zgjedhjet e Kosovës apo çdo reformë zgjedhore e jona, do të mbeten një leksion në letër.

Këshilla e shkrimtarit për Vetëvendosjen: Vihuni në shërbim të popullit, jo në sundim të tij

Publicisti i njohur Kim Mehmeti ka reaguar pas procesit zgjedhor të zhvilluar fundjavën e kaluar në Kosovë nga i cili doli fitues kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të cilin thotë se ka mundësinë të bëjë tashmë për Kosovën dhe kombin atë për të cilën shqiptarët ëndërrojnë.

Pasi shpreh urimet e tij për gjithë procesin si dhe fitoren për “Vetëvendosjen”, Mehmeti thekson se VV i është dhënë mundësia të dëshmojë se çka e dallon partinë që i shërben popullit e shtetit nga ajo që i sundon ato.

“Dhe Lëvizja Vetëvendosje ka mundësinë të bëhet fytyra e mençurisë politike mbarëshqiptare, por vetëm nëse arrin që Kosovën ta bëjë atë që të gjithë e ëndërronim – shtet të mirë për qytetarët, e jo për politikanët”, shkruan mes të tjerave Mehmeti.

Reagimi i plotë:
Urime fitoren Kosovë! Edhe pse të njollosën me korrupsion, edhe pse të lënduan rëndë duke shkelur mbi ëndrrat e rinisë tënde, edhe pse të bënë të dukesh se nuk ia del ta jetosh lirinë, megjithatë ty të ka hije Pavarësia dhe do mbetesh gjithmonë ajo që ke qenë – boshti i patriotizmit shqiptar!

Dhe Lëvizja Vetëvendosje ka mundësinë të bëhet fytyra e mençurisë politike mbarëshqiptare, por vetëm nëse arrin që Kosovën ta bëjë atë që të gjithë e ëndërronim – shtet të mirë për qytetarët, e jo për politikanët.

Pra VV i është dhënë mundësia të dëshmojë se çka e dallon partinë që i shërben popullit e shtetit nga ajo që i sundon ato.

Dhe pa dyshim se kryetari i VV do i tregojë mbarë shqiptarisë se çka e dallon politikanin që i është përkushtuar idesë dhe të mirës kombëtare, nga ata që të mirën dhe fatin e popullit, e barazojnë me karrierën e tyre politike dhe me mirëqenien e vet personale!

Gjermania paralajmëron për një krizë të re refugjatësh

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Seehofer kërkon më shumë solidaritet nga BE në politikën e refugjatëve. Përndryshe, së shpejti në Evropë mund të vijnë më shumë refugjatë sesa në vitin 2015, tha ai në një intervistë.

“Duhet t’i ndihmojmë më shumë partnerët tanë evropianë në kontrollet në kufijtë e jashtëm të BE”, i tha Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer gazetës “Bild am Sonntag” dhe shtoi: “I kemi lënë shumë kohë vetëm”. Po të mos jepet kjo ndihmë, “ne do të përjetojmë një valë refugjatësh si në 2015-ën – mbase edhe më të madhe se katër vjet më parë”, tha i bindur politikani i CSU-së.

Së bashku me Presidenten e re të Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen (CDU), ai “do të kontribuojë me gjithçka për të siguruar që kjo të mos ndodhë përsëri”, deklaroi në të njëjtën kohë Seehoferi. Ai tha se ka “mbështetje të plotë” nga kancelarja Angela Merkel (CDU).

Përveç kësaj, Seehoferi u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së të bëjnë më shumë për Turqinë. “Turqia bën tepër shumë në pranimin e refugjatëve,” i tha ai gazetës Welt am Sonntag. Prandaj ai dëshiron ta “forcojë më tej bashkëpunimin me Turqinë”.

Kur u pyetën sa para duhet të marrë Ankaraja, përtej gjashtë miliardëve që BE premtoi të paguante me marrëveshjen e refugjatëve të vitit 2016, Seehoferi tha: “Si ministër i Brendshëm gjerman, unë nuk mund ta marr i vetëm këtë vendim”.

Rritje e konsiderueshme e numrit të refugjatëve
Seehoferi vizitoi ditët e fundit Greqinë dhe Turqinë dhe u premtoi të dyja vendeve mbështetje më të madhe në përballimin e migracionit. Si Turqia ashtu edhe Greqia kanë qenë të ngarkuara rëndë në kufirin e jashtëm të BE për vite me radhë, numri i emigrantëve atje është rritur masivisht, theksoi ai në udhëtimin e tij.

Sipas gazetës “Welt am Sonntag”, numri i refugjatëve që kanë mbërritur në BE përmes Turqisë deri në fund të shtatorit tashmë ka arritur 46.546. Gazeta i referohet një raporti të brendshëm dhe konfidencial të Komisionit Evropian.

Kjo paraqet një rritje prej 23 përqind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas parashikimit të qeverisë greke, deri në fund të vitit priten rreth 25.000 migrantë të tjerë.

Erdogan kërcënon BE-në
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kohët e fundit ka kërcënuar se do t’u hapë refugjatëve dyert për në Evropë, po të mos vijë prej Evropës ndihmë më e madhe financiare.

Njëkohësisht, ai bëri thirrje për ndihmë për krijimin e një zone të ashtuquajtur sigure në veri të Sirisë. Turqia ka nënshkruar në vitin 2016 një marrëveshje me Bashkimin Evropian, e cila ndër të tjera i garanton asaj miliarda euro ndihmë për refugjatët.

Erdogan dëshiron të krijojë një zonë sigurie për dy milion vetë në veri të Sirisë. Me ndihmë ndërkombëtare atje synohet të ndërtohen 140 fshatra. Për financimin do të organizohet një takim donatorësh ndërkombëtarë, sapo territori të jetë “çliruar nga grupet terroriste”, tha ai së fundi në parlament në Ankara.

SHBA le të kalojë afati
Turqia ka dashur prej kohësh një zonë që ta kontrollojë e vetme në kufirin sirian-turk, fillimisht ato zona i kontrollon milicia kurde YPG. Turqia e konsideron YPG-në si një organizatë terroriste.

SHBA, e cila po lufton në Siri me YPG kundër terrorizmit të Shtetit Islamik, ishte zotuar të ndihmojë në ngritjen e zonës – edhe për të parandaluar një sulm të Turqisë ndaj aleatëve kurdë, të shpallur prej kohësh. Një afat, të cilin Erdogani e caktoi deri në fund të shtatorit ndërkohë ka kaluar. Ditët e fundit, Erdogan ka kërcënuar vazhdimisht se do ta pushojë zonën.

Deshtojnë bisedimet bërthamore në Stokholm, Korea e Veriut largohet me zemërim

Koreja e Veriut është larguar me zemërim nga bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara në nivel ekspertësh. Kryenegociatori i Phenianit tha të shtunën se ishte shumë i zhgënjyer me qasjen e ngurtë të Uashingtonit.

Prishja e shpejtë e negociatave të para thelbësore në disa muaj, shton mundësitë që Koreja e Veriut të intensifikojë provokimet e saj. Ditë më parë Pheniani testoi një raketë të re balistike me rreze të mesme që mund të lëshohet nga nëndetëset.

Vendimi i Koresë së Veriut për të braktisur bisedimet mund të jetë më shumë se sa një taktikë e vjetër për negociatat me synimin për të shkaktuar trysni ndaj Uashingtonit. Disa analistë parashikojnë se Pheniani mund të rikthehet së shpejti në tryezën e bisedimeve.

Pas një ditë negociatash në Stokholm të Suedisë, i dërguari i lartë bërthamor i Koresë së Veriut Kim Myong Gil, fajësoi Uashingtonin për dështimin e bisedimeve, duke e cilësuar si qëndrim dhe pozitë të vjetër. “Uashingtoni erdhi në negociata me duar bosh dhe mbi të gjitha tregon se nuk është i gatshëm të zgjidhë çështjen”, tha Kim.

Diskutime të mira
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus hodhi poshtë karakterizimin e Phenianit, duke thënë se komentet e Kimit nuk refletojnë përmbajtjen apo shpirtin e diskutimit të sotëm prej 8 orë e gjysmë.

“Shtetet e Bashkuara sollën ide krijuese dhe zhvilluan diskutime të mira me homologët koreanoveriorë”, tha zonja Ortagus.

“Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut nuk do të kapërcejnë një histori 70 vjeçare lufte dhe armiqësie në Gadishullin Korean, gjatë një të shtune të vetme. Këto janë çështje me peshë, dhe kërkojnë angazhim të fortë nga të dy vendet. Shtetet e Bashkuara e kanë këtë angazhim”, tha zonja Ortagus.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara pranuan ftesën e Suedisë për të vazhduar bisedimet pas dy javësh, Pheniani tha të dielën se nuk ka plane për të vazhduar bisedimet nëse Shtetet e Bashkuara nuk i japin fund politikave të tyre armiqësore.

Deklarata e publikuar në Agjencinë Qendrore të Lajmeve të Koresë së Veriut dhe që i atribuohet Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut, po ashtu përsëriti afatin e fundvitit që Pheniani ka caktuar që Shtetet e Bashkuara të ndryshojnë qasjen ndaj bisedimeve.

Bllokimi
Raundi i mëparshëm i bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut u prish në muajin shkurt, pasi Presidenti Donald Trump përfundoi papritur takimin me udhëheqësin Kim Jong Un në Hanoi të Vjetnamit.

Në atë takim, Presidenti Trump hodhi poshtë ofertën e udhëheqësit Kim për të çmontuar një kompleks të rëndësishëm bërthamor në shkëmbim të heqjes së pesë sanskioneve të Kombeve të Bashkuara që po dëmtojnë ekonominë e Koresë së Veriut.

Përkundrazi, zoti Trump dëshironte që udhëheqësi Kim të binte dakord për të hequr dorë nga i gjithë programi i tij bërthamor në të ashtuquajturën “marrëveshja e madhe”.

Gjatë muajve të fundit, Presidenti Trump pati lënë të kuptohet për një shtim të fleksibilitetit. Muajin e kaluar ai foli për nevojën e “një metode të re” për bisedimet, gjuhë e ngjashme me thirrjen e Phenianit ndaj Uashingtonit për të bërë më shumë lëshime.

Presidenti Trump po ashtu shkarkoi këshilltarin e tij të sigurisë, John Bolton, i cili kishte kundërshtuar bisedimet me Korenë e Veriut.

“Duke aluduar për një qasje të lakueshme, metodë të re dhe zgjidhje krijuese, Shtetet e Bashkuara kanë rritur pritshmërinë”, tha Kim kryenegociatori koreanoverior të shtunën. “Por doli pa asgjë, duke na zhgënjyer shumë dhe ndërprerë dëshirën tonë për negociata”.

Përshkallëzimi i protestave në Hong Kong

Policia e Hong Kongut përdori gaz lotësjellës në disa zona të dielën ndërsa dhjetëra mijëra protestues pro demokracisë dolën në rrugë, duke kundërshtuar ndalimin e maskave të fytyrës.

Protestuesit mund të shiheshin duke përshkuar qytetin me ambrella ndërsa shiu binte mbi ta. Qeveria e Hong Kongut të premten i ndaloi njerëzit të mbanin maska në protestat publike duke cituar një nen të epokës koloniale britanike për emergjencat që është përdorur për herë të fundit për të shuar trazirat në vitin 1967.

Protestuesit, përfshi disa me maska, marshuan nëpër qytet pas vendimit, duke çuar në mitingje, si dhe përleshje të dhunshme. Ligjvënësit pro-demokracisë shkuan në Gjykatën e Lartë të dielën në mëngjes duke kërkuar një urdhër urgjent kundër ndalimit të maskave por kërkesa e tyre u hodh poshtë.

Carrie Lam, shefja ekzekutive e Hong Kongut tha se rregullorja e re, e cila hyri në fuqi të shtunën, është një “ndalim për mbulimin e fytyrës” dhe ka për qëllim “të verë në shënjestër rebelët ose ata që përdorin dhunën”.

Ligji i ri kërcënon këdo që vesh maska në protesta me burgim deri në një vit. Banorët e Hong Kongut ende mund të veshin maska në rrugë, por sipas ligjit të ri, ata duhet të heqin maskat nëse u kërkohet nga policia.

Ndalimi i maskës për fytyrën ka edhe përjashtime për ata që kanë nevoja të ligjshme të veshin maskë. Maskat për fytyrën janë bërë të zakonshme gjatë protestave në Hong Kong, madje edhe në marshime paqësore, pasi njerëzit kanë frikë nga ndëshkimi nga zyrtarët e qeverisë ose nëse identiteti i tyre mund të ndahej me Kinën kontinentale.

Shumë banorë të Hong Kong-ut gjithashtu mbajnë maska për të mbrojtur nga ndotjet ose infeksionet, siç është shpërthimi i sindromës vdekjeprurëse të rëndë të frymëmarrjes (SARS) që goditi qytetin në vitin 2003.

Për katër muajt e fundit, qyteti është përfshirë në trazirat ndërsa mbrojtësit e demokracisë u angazhuan në taktika gjithnjë e më konfrontuese për të luftuar kundër asaj që ata shohin si përpjekje të Kinës për të kufizuar autonominë e Hong Kongut dhe liritë civile.

Qyteti i Patosit pa treg, tregtarët: Pagujamë taksat rregullisht, por punojmë në kushte mjerane

Rreth 300 tregtarë ambulantë të qytetit të Patosit shesin mallrat e tyre industrial por dhe të fruta perimeve në trotuare. Për 30 vjet ende nuk kanë një treg por shesin në trotuare  në dimër mes shiut e baltës dhe gjatë verës mes diellit e pluhurit.

Ata pohojnë se duan një treg ku të bëhet e mundur që ata të shesin, të kenë një banak, të kenë një strehë, ta jetë dhe si magazinë ku të mbyllin mallin. Nuk kuptojnë, pohojnë ata, se taksën prej 100 dhe 200 lekë të reja e paguajmë cdo ditë, por asgjë nuk është bërë për ne në këto 30 vjet. Policia bashkiake, vijnë, na shtyjnë mallin, marrin taksën, ikin dhe sbëjnë asgjë.

Nga njëra anë tregëtarët shesin mallra industrial, fruta perime në trotuare dhe pranë koshave të plehrave jashtë çdo kushti higjeno sanitar. Ata paguajnë taksën  dhe nga ana tjetër bashkia e Patosit që në këto 30 vjet vetëm një mandat është qeverisur nga PD, ende nuk u ka bërë një treg tregtarëve të këtij qyteti naftëtarësh. Ky treg u është premtuar në cdo fushatë elektorale për kryebashkiak apo deputetë për në parlamentin shqiptar.

Derisa kryebashkiakëve të Patosit do tu mbushet mendja për një treg, këta tregtarë do enden mes shiut , pluhurit, vapës, të ftohtit  për të siguruar të ardhura për familjet e tyre. Bashkia Patos ka një popullsi prej afro 30 mijë banorë ndërsa si qytet Patosi numuron afro 18 mijë banorë.

Banorët përplasen me policinë e Veliajt tek Liqeni, sulmohet edhe gazetari

Inspektoret e Mbrojtjes se Territorit të Bashkisë së Tiranës janë përplasen me banorët e rrugës “Muharrem Butka” në zonën e liqenit, gjatë ndërhyrjes për prishjen e mureve rrethuese të disa banesave.

Banorët ankohen se nuk janë njoftuar më parë për këtë ndërhyrje dhe pretendojnë se muri është brenda pronës së tyre, se ata nuk janë njoftuar dhe IKMT u ka ardhur befas pa urdhër shpronësimi.

Gjatë ndërhyrjes ka pasur përplasje të forta. Banorët janë shtyrë nga inspektorët e baskisë dhe një prej tyre është lënduar në kokë dhe krah.

Të gjendur përballë dhunës së inspektorëve të bashkisë, banorët janë tërhequr dhe kanë lejuar vijimin e punës.

Por jo vetëm banorët kanë rënë pre e agresivitetit të të dërguarve të Erion Veliajt. Një prej inspektorëve është bezdisur nga prania e kamerës së SYRI TV dhe në mënyrë harbute ka shtyrë operatorin dhe gazetaren që po dëgjonte shqetësimin e qytetarëve.

Ndërkohë që inspektori i IMT-së shpjegoi për kamerat e SYRI.NET se këta banorë kanë që prej pesë vjetësh me këtë problem, rrugën pa trotuar që u duhej për veten e tyre, siç u shpreh, banorët në fjalë theksuan se ata që prisnin që zyrtarët t’u vinin me një leje dhe urdhër, por jo pa asnjë dokument dhe t’u vinin rruspën pronave të tyre.

Pavarësisht kësaj, inspektorët e IMT Tiranë, jo vetëm s’i kanë dëgjuar, por i kanë shtyrë me forcë duke mos i lejuar t’u afrohen kangjellave të shtëpive dhe nga ana tjetër, nuk kanë kursyer as gazetaren dhe operatorin e SYRI TV për të mos lejuar të filmonin atë sjellje agresive të shtetit ndaj qytetarit.