25.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Donald Trump merr zyrtarisht detyrën si President më 20 janar, ceremonia e inaugurimit të tij do të mbahet në ambient të mbyllur! Ja arsyeja

Fjalimi i Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump në ceremoninë e inaugurimit të tij si president më 20 janar, do të mbahet në ambiente të mbyllura.

Sipas Trump, ky vendim u mor për shkak të motit të rrezikshëm të ftohtë që parashikohet javën e ardhshme në Uashington.

“Kam urdhëruar që Fjalimi i Inaugurimit, përveç lutjeve dhe fjalimeve të tjera, të mbahet në Kapitol Rotunda të Shteteve të Bashkuara, siç u përdor nga Ronald Reagan në 1985, edhe për shkak të motit shumë të ftohtë”, postoi Trump në Truth Social.

Fjalimi, si dhe fjalimet e tjera, tani do të zhvillohen brenda rotondës së Kapitolit të SHBA-së, dhe jo jashtë ndërtesës.

Parada inauguruese do të mbahet gjithashtu në ambientet e mbyllura në Capitol One Arena të Uashingtonit, së bashku me të tre ballot inauguruese.

“Ne do të hapim Capital One Arena të hënën për shikimin LIVE të kësaj ngjarjeje Historike dhe për të pritur Paradën Presidenciale. Unë do t’i bashkohem turmës në Capital One, pas betimit tim”, shtoi Trump.

Siç e tha edhe Trump, presidenti i fundit që u betua në ambiente të mbyllura ishte Ronald Reagan në 1985, kur moti i ftohtë rrënoi edhe Kapitolin e SHBA.

Trajneri i Granadës sulmon futbollistin shqiptar: Myrto Uzuni më zhgënjeu shumë!

Trajneri i Granadës, Fran Escriba, ka reaguar ashpër lidhur me largimin e sulmuesit shqiptar, Myrto Uzuni, që po përgatitet të transferohet te FC Austin në MLS.

Gjatë një konference për mediat të premten, Escriba nuk ka kursyer kritikat ndaj lojtarit, duke theksuar se është i zhgënjyer nga sjellja e tij.

“Të vetmen herë që fola me të për këtë çështje, i thashë se isha shumë i zhgënjyer. Kjo nuk është rruga për të shkuar, kjo është e qartë. Secili prej nesh mund të mendojë se është i nënvlerësuar dhe të kërkojë përmirësimin e kontratës, por në këtë rast, e kemi të bëjmë me një lojtar të cilit kontrata i është përmirësuar disa herë për performancën e tij”, tha Escriba.

Trajneri vazhdoi duke shtuar se është plotësisht legjitime që Uzuni të kërkojë një klub më të mirë ose më të paguar, por theksoi se detyrimi ndaj klubit duhet të përmbushet deri në fund.

“Nëse do të kishit lënduar, ose nuk do të kishit shënuar gola që kur nënshkruat, klubi do të vazhdonte t’ju paguante, por vetëm njëra palë e ka respektuar kontratën”, theksoi ai.

Escriba ishte i pakënaqur edhe me faktin që Uzuni ka zgjedhur të largohet pa u angazhuar plotësisht me stërvitjen dhe ndeshjet e klubit.

“Ai mund të kishte bërë të njëjtën gjë dhe të stërvitej me shokët e tij deri në fund, por ai nuk e bëri këtë dhe për mua është një zhgënjim i madh”, përfundoi trajneri.

Largimi i Uzunit është një goditje e rëndë për Granadën, pasi ai është rekordmeni i golave të klubit dhe ka qenë një nga lojtarët kyç. Kjo ka ulur shanset e ekipit për ngjitjen në La Liga, një aspekt që trajneri Escriba e ka theksuar me shqetësim.

“The Telegraph”: Si partitë e majta në mbarë botën po prekin fundin që nga Lufta e Ftohtë

Popullariteti i partive të majta në mbarë botën është në nivelin më të ulët historik shkruan gazeta britanike “The Telegraph”.

Sipas një sondazhi të publikuar në gazetën britanike që krahason të dhënat statistikore dhe rezultatet e zgjedhjeve në 73 vende të botës, arrihet në përfundimin se fraksionet e krahut të majtë janë sot më të papëlqyeshëm se në çdo kohë që nga fundi i Luftës së Ftohtë (1947-1991).

Analiza vjen pas një viti triumfesh elektorale për konservatorët në mbarë botën, që kulmuan nga zgjedhja e Donald Trump për president të SHBA.

Primatin e kanë partitë pranë së djathtës, pasi për to kanë votuar mbi 1.5 miliardë njerëz në mbi 70 vende deri në vitin 2024. Partitë e krahut të majtë pësuan një rënie rekord të mesatares së votave me vetëm 45.4% në zgjedhjet e fundit të secilës Republikë të analizuar nga “The Telegraph” në 73 vende demokratike.

Në Evropën Perëndimore dhe SHBA, partitë e krahut të majtë siguruan vetëm 42.3% të votave, ndërsa e djathta mori 55.7%, duke arritur diferencën më të madhe në përqindjen e votave që nga viti 1990. Edhe e djathta ekstreme arriti një përqindje rekord votash prej 14.7%, falë performancës… alarmante në zgjedhjet nga Franca deri në Panama.

Rënia e së majtës ndihet edhe në Amerikën Latine, një bastion i socializmit pas viteve të diktaturave të dhunshme fashiste. Pas inaugurimit të Donald Trump, në horizontin politik pritet të ketë disfata të reja për të majtën në Kanada, Australi dhe Gjermani, ekonomia më e madhe e BE-së.

Çfarë thonë analistët?

“Tendenca e së djathtës është në rritje. Nuk ka asnjë arsye bindëse se kjo tendencë do të ndalet së shpejti”, – tha për “The Telegraph” profesor Matthijs Rooduijn, shkencëtar politik nga Universiteti i Amsterdamit.

Ndërsa Jeremy Cliffe, drejtor editorial dhe bashkëpunëtor për politikën në institutin e mendimit të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se zhvendosja globale drejt së djathtës është rezultat i tre tendencave të ndërlidhura: “Rënia e punës së organizuar e nxitur nga globalizimi, forcimi i politikave identitare e cila shfrytëzohet më me sukses nga e djathta sesa nga e majta dhe tendenca e përgjithshme e forcave të së majtës që më së shumti fragmentohen sesa bashkohen”.

Në SHBA, Trump fitoi votën popullore në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, duke marrë 77 milionë vota ndaj 75 milionë votave të demokrates Kamala Harris. Në Kanada, sondazhet tregojnë se Pierre Poillievre, një politikan populist me nofkën “Trumpi i Kanadasë”, është favoriti për të zëvendësuar Justin Trudeau si kryeministër. Në Australi, konservatorët kanë kaluar përpara qeverisë laburiste në sondazhet e opinionit përpara zgjedhjeve që do të mbahen në vitin 2025.

Panorama e Evropës

Në të njëjtën kohë, partitë e djathta në Europë “thelluan” një diferencë thuajse historike nga kundërshtarët e tyre të majtë, që shkon pranë 14%, në garat e fundit elektorale në Kontinentin e Vjetër. Fitorja gjithëpërfshirëse e Laburistëve në Britaninë e Madhe ishte i vetmi ngushëllim për të majtën. Megjithatë, buzëqeshja nuk pritet të zgjasë shumë, pasi sondazhi i parë i YouGov/Times pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2024-ës tregoi një garë kokë e kokë midis Laburistëve (26%) dhe Reformistëve (25%). Partia Konservatore ka zbritur në vendin e tretë me 22%.

Në Evropën Perëndimore, e djathta ekstreme bëri një përparim, duke shënuar një përqindje mesatare rekord votash prej 16.9% në Francë, Austri, Gjermani dhe gjetkë. Votuesit në të gjithë BE-në u dhanë fitore partive të qendrës së djathtë në zgjedhjet evropiane të qershorit të kaluar, por ekstremet e Alternativës për Gjermaninë (AfD), Fronti Kombëtar i Francës dhe Partia e Lirisë së Austrisë arritën rezultate të mira.

Në Francë, vendimi i Emmanuel Macron për të thirrur zgjedhje të parakohshme pasi Fronti Kombëtar i Marine Le Pen fitoi zgjedhjet evropiane të vendit, ka futur në rrëmujë politikën franceze dhe e ka bërë vetë Macron të pafuqishëm. Fronti Kombëtar u pengua të merrte pushtetin falë koalicionit të të gjitha partive të majta. Por partia e Le Pen është më e madhja në parlamentin francez dhe rrëzoi qeverinë e pakicës së Barnier në vetëm tre muaj.

Në Austri, Partia e Lirisë së ekstremit të djathtë pro-Putin fitoi zgjedhjet parlamentare për herë të parë dhe tani pritet të formojë një qeveri koalicioni. Në Gjermani, CDU konservatore pritet të fitojë zgjedhjet parlamentare të shkurtit të ardhshëm. AfD e ekstremit të djathtë është në vend të dytë, përpara Partisë Social Demokratike jopopullore të krahut të majtë të Olaf Scholz. Vitin e kaluar, AfD fitoi zgjedhjet rajonale, partia e parë e ekstremit të djathtë që e bën këtë në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore dhe që nga rënia e partisë naziste.

2024 ishte viti më i keq për partitë e majta në Evropën Qendrore dhe Lindore që nga rënia e Perdes së Hekurt. Qendra e djathtë fitoi në Kroaci dhe Bullgari. E djathta ekstreme fitoi zgjedhjet tashmë të anuluara në Rumani. Në Republikën Çeke, Andrej Babic, një biznesmen populist i së djathtës ekstreme dhe imitues i Trump, pritet të fitojë zgjedhjet e këtij viti, duke kryesuar me të paktën 14 pikë në sondazhet e fundit.

Ekspertët thonë se suksesi i së djathtës populiste është për shkak të forcimit të qëndrimeve kundër emigracionit në Evropë. Në të njëjtën kohë, politikanët e ekstremit të djathtë po fitojnë më shumë akses dhe mesazhet e tyre po arrijnë të kenë një ndikim më të madh në shoqëri përmes mediave sociale, një mundësi që nuk e kishin në të kaluarën.

Fortesat historike po “shemben” edhe në Amerikën Latine

Në të njëjtën kohë, përqafimi mbytës i skenës politike të Amerikës Latine nga e majta, ka ardhur në dobësim që nga fundi i viteve 2000, pas fitoreve të liderëve si argjentinasi Javier Milei. Pas zgjedhjeve të vitit 2024, përqindja e votave të së majtës ishte 51.6%, më e ulëta në mbi 30 vjet. Në të njëjtën kohë, vota e së djathtës ka mbetur në 40% që nga viti 2018.

Në vitin 2023, Paraguai zgjodhi konservatorin Santiago Peña dhe Ekuadori zgjodhi kandidatin e qendrës së djathtë Daniel Noboa. Në të njëjtin vit, Milei eksentrik u bë president i Argjentinës me premtime për shkurtime në sektorin publik. Ai do të përballet me zgjedhjet afatmesme në vitin 2025, por deri më tani partia e tij po ecën mirë në sondazhe.

Sipas Dr. Christopher Sabatini, hulumtues për Amerikën Latine dhe SHBA në Chatham House, partitë e krahut të majtë kanë parë rënie të votave të tyre si rezultat i paaftësisë së qeverive, premtimeve të tepërta dhe korrupsionit. “Gjatë dy dekadave të fundit, shqetësimet e votuesve për krimin dhe dhunën janë rritur. Kjo është një fushë ku e majta nuk ka arritur dot të prodhojë shumë rezultate ose një përgjigje të qëndrueshme” – tha ai për “The Telegraph”.

Jair Bolsonaro i quajtur “Trump i tropikëve” humbi zgjedhjet e vitit 2022, por partia e tij mbetet më e madhja në parlamentin brazilian. Analistët vlerësojnë se ardhja e Trump në pushtet në SHBA do të favorizojë edhe “mini-Trumpët” në vendet e Amerikës Latine.

Ngjarjet në Azi dhe Australi

Në Azi dhe Australi, e djathta ruajti dominimin e saj në politikë me 55.6% të votave, mesatarja më e lartë që nga viti 2017. Jacinda Ardern, kryeministrja e majtë e Zelandës së Re dha dorëheqjen në vitin 2023 dhe u zëvendësua nga Christopher Luxon, udhëheqës të Partisë Kombëtare të qendrës së djathtë. Në Australi, koalicioni i krahut të djathtë të Partisë Liberale-Nacionale ka marrë kryesimin në sondazhe përpara zgjedhjeve që do të mbahen këtë vit.

Vitin e kaluar, Partia Liberal Demokratike e krahut të djathtë të Japonisë humbi shumicën, por rritja e partive të reja, më të vogla të ekstremit të djathtë ndihmoi në rritjen e votave të krahut të djathtë të vendit në 63.87%. Në Indi, demokracia më e madhe në botë, Narendra Modi dhe Partia Bharatiya Janata (BJP) u zgjodhën për një mandat të tretë në qershor 2024. Megjithatë, koalicioni opozitar i qendrës dhe i qendrës së majtë të Kongresit Kombëtar Indian pa një rritje të votave.

Historikisht lart… rënie në Afrikë dhe Lindjen e Mesme

Në 8 demokracitë afrikane dhe të Lindjes së Mesme, përqindja e votave të së majtës ra në një rekord prej 54.2% në 2024-ën. Për shumicën e 30 viteve të fundit, pjesa e partive të krahut të majtë ka qenë gjithmonë mbi 60%, por kjo ka rënë, pas një periudhe të gjatë skandalesh të keqmenaxhimit financiar.

Në Afrikën e Jugut, ekonomia më e madhe e kontinentit, Kongresi Kombëtar Afrikan i qendrës së majtë nuk arriti të fitojë shumicën parlamentare që mbante që nga zgjedhjet e para pas aparteidit në 1994-ën.

Partia e djathtë Likud e Benjamin Netanyahut ka qenë në pushtet në Izrael që nga viti 2020. Zgjedhjet e ardhshme nuk do të mbahen më herët se 2027, por Likud, i cili është në koalicioni me 4 parti të ekstremit të djathtë, është ende përpara në sondazhe, pavarësisht mënyrës së trajtimit të Gazës nga Netanyahu dhe krizës së pengjeve pas sulmit terrorist të 7 tetorit 2023 nga Hamasi.

Përjashtim bën Britania

Përkundër gjithë kësaj, fitorja gjithëpërfshirëse e Laburistëve në Britaninë e Madhe ishte një nga triumfet e pakta të së Majtës në vitin 2024, por edhe ky fenomen, megjithatë nuk pritet të zgjasë. Sondazhi i YouGov/Times tregon një garë të ngushtë mes Laburistëve dhe Reformistëve të Mbretërisë së Bashkuar, me 26% dhe 25%. Partia Konservatore është shumë afër, në vendin e tretë, duke marrë 22% të votave.

Të gjitha sa më sipër tregojnë qartë se e majta do të duhet të rishikojë politikat e saj në mbarë botën dhe të kërkojë partneritete, në kundërshtim ndoshta edhe me logjikat përçarëse që mbizotërojnë në ADN-në e saj. Një ndryshim fytyrash shihet gjithashtu si imperativ me qëllim frymëzimin e votuesve të rinj. Përndryshe, viti 2025 mund të jetë edhe më i keq për partitë e majta në mbarë botën.

“United Towers of Tirana”, kullat që po rrethojnë Liqenin Artificial

Nga Arbjona Çibuku – citizens.al

Zona rreth Liqenit Artificial të Tiranës, dikur një hapësirë e gjelbër dhe e qetë, po transformohet me shpejtësi në një zonë të mbushur me kulla shumëkatëshe.

Një nga projektet që e simbolizon këtë ndryshim është “United Towers of Tirana” një kullë 25-katëshe që ka nisur të ngrihet përballë Parkut Olimpik poshtë digës së liqenit.

Konceptuar nga arkitekti italian Marco Casamonti me zyrë lokale X-Plan Studio, kulla parashikon rreth 72 mijë metra katrorë ndërtim, ku rreth 50 mijë do të jenë sipërfaqe mbi tokë.

Ajo po ngrihet në një truall prej 4,628 metrash katrorë ku deri në vitin 2023 gjendeshin tre vila 2-3 katëshe. Sipas lejes së ndërtimit, të miratuar në gusht 2023 nga qeveria, projekti shfrytëzon 60.3% hapësirën e truallit dhe ka një intensitet ndërtimi (10.9) dukshëm mbi normat e parashikuara më herët nga plani i përgjithshëm vendor.

Koeficenti i vogël prej 29.7% i lënë për rrugë dhe hapësira publike ngre shqetësime mbi ndikimin në mjedisin dhe projektet e zhvillimit që do të ketë në të ardhmen zona.

Citizens.al/Pamje e renderave të projektit “United Towers of Tirana”.

Projekti është porositur nga kompania “Unico Construction”, e zotëruar në ortakëri nga Pëllumb Brari dhe Armand Lilo, ky i fundit si aksioner i “Armaar Group”. Lilo është figurë e njohur në sektorin e ndërtimit, shpesh i përfolur për marrëdhënie të afërta me pushtetin.

Lexo më shumë rreth serisë “Tirana Vertikale” që shpjegon ndërtimet në kryeqytet.

Në vitin 2019, kompania e tij “Arlis Ndërtim” përfitoi përmes një procedure të diskutueshme 30,000 metra katrorë truall në zonën e ish-Uzinës Mekanike në Tiranë. Kjo hapësirë u zhvillua në kompleksin rezidencial “Square 21”, duke zënë lulishten dhe godinën e ish-uzinës, – një pjesë përdorej si zyra për Policinë Bashkiake.

Ndërhyrjet urbane përreth Liqenit Artificial kanë ndryshuar rrënjësisht identitetin e zonës. Nga një hapësirë e qetë dhe e gjelbër, ajo është kthyer në zonë thellësisht e urbanizuar me ndërtesa luksoze dhe apartamente të kushtueshme.

Citizens.al/Pamje nga Google Earth e vendit ku po ndërtohet “United Towers of Tirana”.

Sipas Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Tiranë, Parku i Madh i Liqenit është pjesë e njësisë strukturore TR/2, që shtrihet në një sipërfaqe prej 255.75 hektarësh. Megjithatë, ky park nuk ka status mbrojtjeje ligjore.

Ndërtimet e shumta janë përqendruar në zonat rreth liqenit, ose poshtë digës (TR/169, TR/592, TR/35, TR/34 dhe TR/42), ku aktualisht po ndërtohet edhe “United Towers of Tirana”. Sipas planit të përgjithshëm, lartësia maksimale e lejuar në këto zona është 9 kate, një kufizim që dukshëm është tejkaluar me ndërhyrjen e qeverisë.

Parku i Liqenit ka pësuar tkurrje të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Sipas raportit “Linjat bazë për mbrojtjen dhe zhvillimin e parkut të Tiranës”, sipërfaqja e parkut është zvogëluar me 40-45 hektarë, një humbje që bie ndesh me parimin që kërkon zgjerimin e hapësirave të gjelbra përballë rritjes së popullsisë.

Një tjetër projekt i madh, “Lake View Residences”, është ndërtuar përballë Liqenit Artificial, duke zënë një hapësirë prej 129,000 metrash katrorë. Këto zhvillime të mëdha kanë ngjallur shqetësime për ndikimin që kanë mbi hapësirat publike dhe cilësinë e jetës në qytet.

Ndërsa Tirana vazhdon të zgjerohet, dilemat mbi balancimin e zhvillimit urban dhe ruajtjen e hapësirave të gjelbra mbeten shqetësuese se kurrë.

Degradimi i parlamentarizmit

NGA ARDIAN NDRECA

Bertrand Russell rrëfente në nji intervistë të vitit 1952 sesi gjyshja e tij, grue e nji politikani në shenj të Mbretnisë së Bashkueme të shekullit XIX, i ishte drejtue njiherë nji ambasadori të Rusisë cariste, duke i thanë se nji ditë edhe ata mund të kishin parlamentin e tyne. Ambasadori i Carit i ishte përgjigjë flakë për flakë:”Zoti mos e dhashtë zonjë…”. Kanë kalue shumë dekada qysh atëherë, shton Russell tek intervista e tij, e përgjigja nga ai krah asht po ajo, vetëm se prej togfjalëshit të masipërm ia kanë heqë fjalën Zot. Sot kanë kalue edhe ma shumë dekada prej intervistës së filozofit anglez dhe përgjigja mbetet po ajo e vitit 1952, i vetmi ndryshim në diskurset e sotme politike janë bekimet e patriarkut të Moskës dhe futja krejt pa vend e fjalës Zot në diskurset agresive e imperialiste të atij krahu.

Gjithsesi do të ishte humbje kohe për ne me i qa hallet Rusisë, pse sidoqoftë Rusia mbetet nji vend që ka nxjerrë gjeni dhe figura të përmasave botnore që të keqen – ndryshe prej nesh – e kanë përpunue, kundërshtue dhe tejkalue në shumë forma, mjaft me kujtue personalitete si Pavel Florenskij, Mikhail Bulgakov, Aleksandër Solzhenicin, Andrej Saharov, Anna Politkovskaja etj.. Ka disa vende si ky i yni që kanë tundimin, tendencën apo mallkimin me e përbuzë demokracinë e edhe atëherë kur janë të detyruem prej rrethanave me e pranue institutin e parlamentit e kthejnë atë menjiherë nga kazermë që ishte nën diktaturë, në nji cirk qesharak plot me kllounë e figura të pakuptimta politike. Gjendja e sotme e parlamentarizmit tek ne nuk asht shenj e dobësimit të nji institucioni themelor të sistemit demokratik, ajo dëshmon në mënyrë të qartë arritjet e nji klase politike që gjithnji e ma shumë injoron jetën parlamentare dhe i jep hapsinë vullnetit të plotfuqishëm të “njishit”. Antikët dështimin e institucionit kolegjial, për shembull të senatit romak, e shprehnin me thanjen: “Senatorët janë burra të mirë, senati asht nji kafshë e keqe” (Senatores boni viri, senatus mala bestia).

Ka diçka të vërtetë këtu, pse senatorët, deputetët të marrun nji nga nji mund të jenë simpatikë e madje edhe të padamshëm, por ajo që ndikon në degradimin e institucionit asht funksionalizmi i tyne personal, të qenit aty të ngarkuem me nji “detyrë” dhe jo konvergjenca në drejtimin e vendit në bazë të nji arsyeje politike. Kjo merr ngjyrime dramatike në jetën parlamentare, ku jo rrallë del në pah mungesa e respektit për pakicën. Nuk mund të jetë qëllim i vetëm i debatit parlamentar frustrimi i pakicës parlamentare me anën e forcës së numrave. Në jetën politike në nji sistem demokratik nuk janë numrat, ato që kanë fjalën e fundit, por arsyeja politike, e cila duhet të shpaloset me të njejtin rigorozitet logjik edhe prej atyne që e kanë të sigurt fitoren në bazë të përqindjeve. Çdo vendim “bipartizan” në demokraci do ta forconte atë dhe do t’u tregonte të gjithëve se dialektika parlamentare nuk ndërtohet me bazë anmiqsije personale apo partiake, por vetëm me bazë kundërshtie publike. Pikërisht sferës publike duhet t’i nënshtrohen edhe interesat, simpatitë, problematikat e karakterit privat dhe personal.

Nuk asht as urrejtja dhe as dashunia që e çojnë përpara “luftën” parlamentare, por vetëm kundërshtitë dhe respekti, vetëdija se mbas kundërshtarit politik qëndron gjithnji nji person, bashkëpunimi institucional me të cilin duhet të jetë në parim të çdo lëvizje politike që i përmbahet frymës kushtetuese. Forca e numrit nganjiherë komprometohet prej faktit se në fillim qëndron gjithmonë po e njejta zero. Ne këtë gja e kemi provue tashma ma së miri. Në vitin 1936, filozofi Miguel de Unamuno shprehej publikisht para fitimtarëve të radhës: “Keni fitue, por nuk i keni fitue|! (Venceréis, pero no convenceréis). Tri legjislatura mjaftojnë me largue çdo dyshim. Sado zero të rreshtohen në fillim, çdo numër që vjen mbas tyne nuk do ta ketë kurrë vlerën që meriton.

Spahiu: Çmimet e ushqimeve në supermarketet shqiptare 3 herë më të shtrenjta se në Europë

Kreshnik Spahiu komentoi në ‘Frontline’ sondazhin e përmuajshëm.

Spahiu thekson se çmimet në Shqipëri janë 3 herë më të shtrenjta se në supermarketet gjermane. Kjo ka bërë pjesa më e madhe e personave të pyetur në sondazh kanë një mendim negativ për punët e qeverisë.

”Mendoj se është një civilizim që shumica e popullit të jenë të pakënaqur nga qeveria. Nga shenjat më të mira. Ka një pritshmëri më të lartë nga pushtetit. Çdo populli do ishin në shumicë kundër pushtetit pas 12 vjetësh.

Përfshi krizën globale, pandeminë, luftën. Mendoj se pushteti socialist nuk ka çfarë jep. Në 12 vjet dështuan për një shtet social. Kanë qenë të suksesshëm në fasadë dhe në ndërkombëtarëzimin e Shqipërisë në imazhin e saj për të bërë miliona të huaj të njohin Shqipërinë dhe kemi një gjë plus. Por ka dështuar në bukën e gojës. Sistem i kapur i monopoleve.

Në gjithë Europën në supermarkete, janë çmimet 3 4 herë më të lira se në supermarketet shqiptare. Ushqimet bazike nuk di si i përballojnë pensionistët në Shqipëri. Tregon kapjen e sistemit ekonomik. Nuk bëhet një emision televiziv në Shqipëri për çmimet në supermarketet.

Me rënien e euros duhet të kishim rënie të çmimeve, në vend të kishim ulje të çmimeve këta i rritën. Kjo vjen si monopol i ekonomisë dhe i kanë bërë bllok supermarketeve që kanë ulur çmimet në gjithë Europën. Pas sheqerit është një ministër, pas miellit një deputet”, tha Spahiu.

“Rritja e ekonomisë në BE pritet të shkojë deri në 1.5% në vitin 2025!” Analiza: Europa, një ripërtëritje e përshkallëzuar në një mjedis të pafavorshëm

Sipas parashikimit të Komisionit Europian, rritja e ekonomisë në Bashkimin Europian pritet të shkojë deri në 1.5% në vitin 2025, pasi konsumi po përmirësohet me shpejtësi dhe investimet pritet të rimëkëmben pas tkurrjes së vitit 2024. Në vitin 2026, aktiviteti ekonomik pritet të zgjerohet me 1.8%, falë rritjes së vazhdueshme të kërkesës. Rritja në Eurozonë pritet të ndjekë një prirje të ngjashme dhe të arrijë në 1.3% në vitin 2025 dhe 1.6% në vitin 2026.

Procesi i uljes së inflacionit nisi nga fundi i vitit 2022 dhe vazhdoi gjatë verës 2024. Pavarësisht një rritjeje të lehtë në tetor, e nxitur kryesisht nga çmimet e energjisë, inflacioni total në Eurozonë u përgjysmua deri në fund të vitit 2024, në 2.4%, nga 5.4% në vitin 2023 dhe më pas pritet të zbutet në mënyrë më të përshkallëzuar në 2.1% në vitin 2025 dhe 1.9 % në vitin 2026.

Në BE, procesi i dezinflacionit ishte më i mprehtë në vitin 2024, me një rënie të tij në 2.6%, nga 6.4% në vitin 2023, duke vazhduar uljen në 2.4% në vitin 2025 dhe 2.0% në vitin 2026. Inflacioni i konsumatorit rifilloi rënien në gusht 2024, nga ndikimi i energjisë dhe ulja e inflacionit të mallrave të tjerë. Inflacioni i Eurozonës ra në 1.7% në shtator, dhe u rrit në 2% në muajin tetor, pasi inflacioni i energjisë u rrit sërish për shkak të një rritjeje të çmimeve të naftës.

Pavarësisht nga disa paqëndrueshmëri të pritshme të shkaktuara nga efektet bazë dhe skadimi i masave mbështetëse për energjinë, procesi i dezinflacionit duket i qëndrueshëm. Inflacioni i energjisë parashikohet të japë një kontribut të papërfillshëm në inflacionin total, pavarësisht një rritjeje të lehtë në vitin 2026.

Trysnitë e çmimeve të mallrave që nuk lidhen me energjinë, pritet të zbuten edhe më tej dhe inflacioni i mallrave industriale ushqimore dhe joenergjetike, pritet të bëhet i qëndrueshëm duke arritur mesataren historike nga fundi i horizontit të parashikimi. Më e rëndësishmja, trysnitë e forta inflacioniste në sektorin e shërbimeve pritet të vazhdojnë deri në fillim të vitit 2025 dhe të fillojnë të zbuten më pas, për shkak të ngadalësimit të rritjes së pagave dhe rritjes së produktivitetit.

Në tetor 2024, Banka Qendrore Europiane uli normën bazë për të tretën herë që nga fillimi i ciklit të zbutjes në maj. Tregjet e vlerësuan normën e lehtësimit të depozitave në Eurozonë nën nivelin 3% deri në fund të vitit. Deri në fund të vitit 2025, norma e politikës monetare pritet të bjerë më tej në rreth 2%, rreth 60 pikë bazë më poshtë se sa pritej në pranverë. Shumica e bankave qendrore në shtetet anëtare të BE-së, por jashtë Eurozonës, pritet të zbusin qëndrimin monetar.

Priten shkurtime disi më të theksuara në Poloni dhe veçanërisht në Rumani. Normat afatgjata (10-vjeçare) në Eurozonë janë ulur në muajt e fundit, por shumë më pak se normat afatshkurtra. Tani ato pritet të qëndrojnë paksa mbi nivelin 2% gjatë horizontit të parashikimit. Ndërkohë, të dhënat e kreditimit të bankave për Eurozonën tregojnë shenja rigjallërimi. Kreditimi neto po zgjerohet sërish, por mbetet i dobët në terma nominalë. Kërkesa për kredi për banesa po rritet sërish dhe standardet e kredisë po lehtësohen.

Për ndërmarrjet, standardet e kredisë nuk kanë filluar ende të lirohen, por në tremujorin e fundit, ato ndalën shtrëngimin, duke dhënë shenjë se mund të ketë një kthesë në flukset e kredisë. Norma e papunësisë pritet të ulet më tej, duke arritur në 5.9% në BE dhe 6.3% në Eurozonë në vitin 2026. Pas kulmit të arritur në vitin 2023 (6.1%), rritja e pagave në BE pritet të vazhdojë të ketë një ritëm të shëndetshëm në vitin 2024 (4.9%). Më pas ajo pritet të ngadalësohet ndjeshëm në 3.5% dhe 3% në vitet 2025 dhe 2026. Sidoqoftë, rritja e pagave do të jetë mjaftueshëm e lartë mbi inflacionin, për të lejuar rimëkëmbjen e plotë të pagave reale deri në vitin e ardhshëm në BE dhe në Eurozonë.

Perspektiva ekonomike e BE-së mbetet shumë e pasigurt. Lufta e zgjatur e Rusisë kundër Ukrainës dhe zgjerimi i konflikteve në Lindjen e Mesme rrisin rreziqet gjeopolitike dhe të sigurisë energjetike europiane. Një rritje e mëtejshme e masave proteksioniste nga partnerët tregtarë mund të rëndojë mbi tregtinë globale, me ndikim negativ në ekonominë e BE-së.

Rritja e ulët e produktivitetit mund ta bëjë gjithnjë e më të vështirë për kompanitë që të mbështesin rritjen e pagave, duke i shtyrë ato të pakësojnë fuqinë punëtore ose të kalojnë kostot tek konsumatorët.

Për më tepër, vonesat në zbatimin e Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë ose një qëndrim më i rreptë fiskal në vitin 2026, mund të zbehë më tej veprimtarinë ekonomike. Së fundi, përmbytjet në Spanjë tregojnë edhe një herë pasojat e mëdha që mund të kenë rreziqet natyrore, jo vetëm për njerëzit e prekur dhe habitatin e tyre, por edhe për ekonominë.

Parashikimi ekonomik për Italinë

PBB-ja reale pritet të rritet me 0.7% në vitin 2024, e mbështetur nga investimet dhe rënia e importeve, sipas Komisionit Europian. Aktiviteti ekonomik pritet të zgjerohet me 1% dhe 1.2% përkatësisht në vitin 2025 dhe 2026, me rritjen e konsumit dhe shpenzimeve, falë Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë.

Inflacioni parashikohet të arrijë në 1.9% në vitin 2025 dhe të ulet paksa përsëri në vitin 2026. Me heqjen e përshkallëzuar të taksave për banesat dhe të ardhurat e larta, pritet të ulet ndjeshëm deficiti i qeverisë në vitin 2024, në 3.8% të PBB-së. Deficiti parashikohet të ulet më tej në vitet 2025 dhe 2026, vetëm nën 3% të PBB-së.

Në të kundërt, raporti i borxhit ndaj PBB-së, pritet të rritet, duke arritur në 139.3% të PBB-së në vitin 2026 (nga 134.8% në vitin 2023), për shkak të ndikimit të kredive tatimore për rinovimin e banesave, të përllogaritura në deficit deri në vitin 2023. Në vitin 2025, zbatimi i Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë në Itali pritet të përshpejtohet, duke kompensuar gjendjen e rëndë fiskale të vendit.

Rritja e konsumit privat parashikohet të marrë vrull, ndërkohë që investimet e përgjithshme pritet të bien. Në vitin 2026, shpenzimet e lidhura me Planin e Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë dhe kushtet më të lehta të financimit, pritet të nxisin investimet, së bashku me rritjen e konsumit. Në përgjithësi, PBB-ja parashikohet të rritet me 1.0% në vitin 2025 dhe 1.2% në 2026.

Punësimi u rrit me 1.6% në 2024, pasi ishte zgjeruar me 1.9% në vitin 2023 dhe pritet të ngadalësohet më tej në periudhën 2025-2026. Ndërsa mundësitë e punësimit vazhdojnë të përmirësohen, rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës do të tejkalojë rënien e parashikuar të popullsisë në moshë pune, gjatë horizontit të parashikuar.

Kështu, shkalla e papunësisë do të ulet në 6.2% në vitin 2026, nga 7.7% në vitin 2023. Rritja nominale e pagave ishte deri në 4% në 2024-n, kur shumica e rinovimeve të kontratave do të kenë reflektuar rritjet e çmimeve të kaluara. Më pas, rritja e pagave do të zbutet në mënyrë të përshkallëzuar.

Pas rënies së vazhdueshme të çmimeve të energjisë deri në tetor 2024, inflacioni total për gjithë vitin, ra në 1.1%. Qëndrueshmëria e çmimeve të energjisë që pritet për periudhën 2025-2026 ka rritur parashikimet për elementet e tjera të Treguesit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, me përjashtim të sektorit të shërbimeve, ku pagat pritet të ushtrojnë ende trysni në rritjen e çmimeve. Inflacioni total parashikohet të shkojë në 1.9% në vitin 2025 dhe 1.7% në vitin 2026.

Parashikimi ekonomik për Greqinë

Aktiviteti ekonomik vlerësohet të jetë zgjeruar me 2.1% në vitin 2024 dhe të ruajë një rritje të ngjashme në vitet 2025 dhe 2026, mbështetur nga zbatimi i Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (RRP). Tani papunësia është nën 10% dhe pritet të vazhdojë të bjerë, por më ngadalë se në të kaluarën.

Inflacioni ishte 3.0% në vitin 2024 dhe të zbutet ngadalë në rreth 1.9% deri në vitin 2026. Deficiti i qeverisë pritet të ulet, i nxitur nga rritja e shpenzimeve. Së bashku me rritjen e qëndrueshme nominale të PBB-së, kjo do të ndikojë në rënien e vazhdueshme të borxhit publik ndaj PBB-së, duke arritur në afërsisht 140% të PBB-së deri në vitin 2026.

Në të ardhmen e afërt, konsumi privat do të vazhdojë të zgjerohet me një ritëm të fortë, mbështetur nga rritja e qëndrueshme e të ardhurave reale. Investimet parashikohen të përshpejtohen, duke arritur kulmin në afërsisht 9% në vitin 2025, pasi zbatimi i Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt reformave për investime dhe kushtet e financimit. Rimëkëmbja e kërkesës së jashtme do të ndikohet nga rritja e eksporteve dhe e konkurrencës dhe nga reformat strukturore që synojnë të përmirësojnë ecurinë e eksporteve. Rritja e importit pritet të mbetet e fortë. Në përgjithësi, rritja e PBB-së pritet të mbetet mbi potencialin afatgjatë dhe parashikohet të shkojë në 2.3% dhe 2.2% përkatësisht në vitet 2025 dhe 2026.

Rritja e punësimit do të vazhdojë, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë, pasi mospërputhjet e aftësive dhe pengesat strukturore, si mungesa e kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit, ose kuadri i shtrënguar rregullator për punësimin me kohë të pjesshme, po kufizojnë rritjen e punës. Shkalla e papunësisë parashikohet të bjerë në rreth 9.0% deri në vitin 2026, niveli i saj më i ulët në një dekadë. Pagat reale për punonjës pritet të rriten mesatarisht me 1.1% në vit gjatë horizontit të parashikimit, mbështetur edhe nga një ulje e kontributit të sigurimeve shoqërore.

Parashikimi ekonomik për Gjermaninë

Aktiviteti ekonomik në Gjermani vlerësohet të ketë rënë me 0.1% në vitin 2024. Pasiguria e lartë ka ndikuar mbi konsumin dhe investimet dhe perspektiva e tregtisë është përkeqësuar, pasi kërkesa globale për mallra industriale është dobësuar. Kërkesa e brendshme pritet të rritet, e nxitur nga rritja e pagave reale.

Kjo pritet të ndihmojë rritjen e PBB-së në 0.7% në vitin 2025 dhe 1.3% në vitin 2026. Deficiti i qeverisë parashikohet të ulet dhe raporti i borxhit të qeverisë pritet të bëhet i qëndrueshëm në rreth 63% të PBB-së. Ekonomia gjermane është përballur me vështirësi gjatë gjithë vitit 2024. Në gjysmën e parë të vitit, ajo u tkurr me 0.2% krahasuar me gjysmën e parë të një viti më parë.

Kërkesa e dobët e brendshme dhe e huaj për mallrat e manifakturës, e kombinuar me pasigurinë e lartë, ka ndikuar në investimet në pajisje. Gjithashtu, sektori i ndërtimit ka hasur vështirësi nga mungesa e fuqisë punëtore dhe kërkesa e dobët e brendshme. Me rritjen e pesimizmit të konsumatorëve, janë rritur edhe kursimet e tyre.

Kështu, konsumi privat nuk ka mbështetur rritjen ekonomike, pavarësisht rritjes së të ardhurave reale. Nga ana tjetër, konsumi i familjeve duket se është rimëkëmbur në tremujorin e tretë të vitit 2024. Së bashku me një rritje të mëtejshme të konsumit të qeverisë, kjo vlerësohet të ketë rritur PBB-në reale me 0.2% krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Në përgjithësi, PBB-ja reale pritet të tkurret me 0.1% në vitin 2024. Pas një rënieje prej 0.3% në vitin 2023, ky do të ishte viti i dytë radhazi me një rritje negative. Me lehtësimin e inflacionit, pritet rritja e të ardhurave reale të familjeve. Konsumi privat pritet të vazhdojë të rritet, ndonëse me ritme më të ngadalta.

Lehtësimi i politikës monetare dhe kostot më të ulëta të financimit pritet të mbështesin rritjen e investimeve. Sektori i ndërtimit do të rritet sërish në fillim të vitit 2025, i mbështetur nga rimëkëmbja e kërkesës për banesa dhe infrastrukturë, si dhe nga kreditë hipotekore.

Në përgjigje të rritjes së stimujve tatimorë për investime në vitin 2025, të shpallura në korrik 2024, investimi në pajisje pritet të rimëkëmbet. Në përgjithësi, kërkesa e brendshme parashikohet të bëhet sërish shtytësi kryesor i rritjes ekonomike në vitet 2025 dhe 2026. Meqenëse kostot e energjisë do të mbeten mbi nivelet para pandemisë, ato do të vazhdojnë të ndikojnë negativisht në konkurrencën e industrive që përdorin shumë energji.

Kështu, kontributi i eksporteve neto parashikohet të jetë paksa negativ në vitin 2025 dhe asnjanës në vitin 2026, pavarësisht rritjes së kërkesës nga partnerët kryesorë tregtarë të Gjermanisë. Suficiti i llogarisë korente pritet të mbetet i lartë, por ende nën nivelet para pandemisë. Në përgjithësi, ekonomia parashikohet të rritet me 0.7% në vitin 2025 dhe 1.3% në vitin 2026, vlerëson Komisioni Europian./ Monitor

Planet e Donald Trump për Lindjen e Mesme

Nga Paul Wood

Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter vdiq në moshën 100-vjeçare, pak para lajmit mbi një marrëveshje të afërt për lirimin e pengjeve të fundit të Izraelit në Gaza. Presidenca e Carter u dëmtua shumë nga kriza e diplomatëve amerikanë të mbajtur peng në Teheran.

Lirimi i tyre, u bë prioriteti më i madh i administratës së tij, dhe ai punoi për të në secilën nga 444 ditët që zgjati kriza, shpeshherë duke përjashtuar çdo gjë tjetër. Në të kundërt, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i rezistoi presionit të madh të brendshëm për të arritur një marrëveshje për pengjet e tij, që të ndjekë qëllimin e shkatërrimit të Hamasit.

Mund ta quani këtë veprim prej burri shteti ose diçka tjetër, por kjo është një lloj fitoreje për Netanyahun. Marrëveshja është me sa duket e njëjta, e ndërmjetësuar nga SHBA-ja në maj 2024. Po çfarë ndryshoi? Faktori Trump. Presidenti i zgjedhur e kërcënoi publikisht Hamasin me asgjësim, nëse pengjet izraelite nuk lirohen para ceremonisë së inaugurimit të tij në detyrë javën e ardhshme.

Megjithatë, mund të kenë qenë kërcënimet private – apo premtimet – ndaj Netanyahut, ato që i dhanë fund ngërçit. Edhe pse nuk është ende president, Trump e dërgoi të dërguarin e tij të ri për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, në bisedimet mbi pengjet në Katar dhe në Izrael.

Witkoff pati sukses aty ku për 15 muajt e fundit dështoi administrata Biden. Ashtu si Trump, ai është një miliarder i pasurive të paluajtshme në Nju Jork. Ndërkaq, është një nga miqtë e Trump në klubin e golfit, dhe ky i fundit i beson aq shumë sa që e ndihmoi në hapjen e sipërmarrjes së tij të re të kriptomonedhave.

Witkoff nuk ka përvojë si diplomat, por si Trump është një marrëveshje-bërës, që e di se kur të ngrejë zërin. Kur ishte i ri thuhet se mbante një pistoletë me vete për të mbledhur qiratë e banorëve, teksa mbante në tryezën e tij librin “Hebrenjtë e ashpër” mbi mafiozët hebrenj të Murder, Inc. në Brooklyn. (Vetë Witkoff është hebre dhe nga Bruklini).

Siç raporton gazeta izraelite “Haaretz”, Witkoff u telefonoi ndihmësve të Netanyahut të premten e  10 janarit për t’u thënë se do të mbërrinte në Izrael pasditen e të nesërmes. Ndihmësit i shpjeguan me mirësjellje se do të ishte mesi i Shabatit, dhe kryeministri do ta takonte me kënaqësi të shtunën në mbrëmje.

Reagimi i ashpër i Witkoff i befasoi. Ai u tha prerë se nuk i interesonte aspak Shabati. Kështu,

në “një distancim të pazakontë nga praktika zyrtare”, kryeministri izraelit shkoi në zyrën e tij të shtunën pasdite, dhe duke e marrë personalisht mesazhin “me zë të lartë dhe të qartë” të Witkoff, ra dakord për të njëjtën marrëveshje që e kishte refuzuar gjatë 8 muajve të fundit.

Siç raportohet, pakti parashikon që pengjet të lirohen në disa faza, me hyrjen në fuqi të armëpushimit dhe tërheqjen e forcave izraelite. Do të nisë ndihma dhe rindërtimi i Gazës. Kur të pastrohen rrënojat, mund të kemi një ide më të saktë se sa mijëra gazanë kanë vdekur në fushatën izraelite.

Të uritur dhe të pastrehë, njerëzit atje janë të dëshpëruar për një armëpushim. Ndoshta Netanyahu ra dakord mbi një marrëveshje të tillë, sepse Witkoff premtoi se do të ishte në gjendje të kthente forcat izraelite në Gaza nëse do të ishte e nevojshme. Një klauzolë të ngjashme ka edhe armëpushimit me Hezbollahun në Liban.

Por edhe pse Hamasi është dëmtuar rëndë dhe është vrarë lideri i tij Yahya Sinwar – arkitekti i masakrës së 7 tetorit – Netanyahu nuk e ka përmbushur ene premtimin e tij për ta “çrrënjosur” atë dhe për të vazhduar luftën ”deri në fitoren e plotë”. Hamasi mbetet mjaftueshëm i fortë për të qenë pala me të cilën Izraeli duhet të negociojë lirimin e pengjeve.

Është ende e paqartë se kush duhet të sundojë Gazën pasi të largohet Izraeli. Pa këtë zgjidhje politike, Hamasi ose një pasardhës më radikal, nuk do ta ketë problem të gjejë të rinj të vendosur për hakmarrje kundër Izraelit. Sepse Gaza ka shumë jetimë. Për momentin, Netanyahu mund t’u thotë të djathtëve në kabinetin e tij se fajtori për ndalimin e fushatës është Trump.

Por Ministri i Sigurisë, Itamar Ben-Gvir, ka kërcënuar me dorëheqje, duke e quajtur paktin si “kapitullim të Izraelit ndaj Hamasit”. Ndoshta Netanyahu mund t’i mbijetojë largimit të Ben-Gvir. Por Bibi do të duhet të përballet edhe me një hetim për të gjitha dështimet që çuan tek masakra e 7 tetorit 2023.

Ndërkaq do të rinisë edhe gjyqi ndaj tij për akuzat për korrupsion. Kritikët e akuzojnë se dëshiron një luftë tjetër për të qëndruar në detyrë dhe për të dalë nga burgu. Objektivi tjetër është Irani. Basti i Netanyahut për shkatërrimin e Hezbollahut në Liban pati vështirësitë e veta, megjithatë e la Teheranin pa “parandaluesin e tij strategjik”.

Tani disa kanë frikë se Irani tani mund të nxitojë të prodhojë një bombë bërthamore, dhe ta vendosë atë në një nga raketat e tij hipersonike. Benjamin Netanyahu ka shpenzuar dekada të tëra duke thënë se duhet të ndalet një “holokaust fluturues”.

Pas vitesh luftë të fshehtë përmes vrasjeve dhe sabotimeve, kjo mund të nënkuptojë bombardimin e industrisë së naftës të Iranit, të objekteve të tij bërthamore, ose të dyja bashkë.

Për ta arritur këtë Netanyahu do të ketë nevojë për mbështetjen e Trump.

Presidenti i ri i SHBA-së është një njeri shumë i ndryshëm nga Jimmy Carter, që ishte i kujdesshëm dhe i devotshëm ndaj parimeve. Sa larg do të shkonte Donald Trump në një luftë kundër Iranit përkrah Izraelit? Apo ai imagjinon të fitojë çmimin Nobel për paqen për gjetjen e një zgjidhje të konflikteve në Lindjen e Mesme, dhe për arritjen e një marrëveshje të re bërthamore me Iranin? Pak a shumë si Obama!

Thuhet se i dërguari i tij Witkoff, e sheh gjeopolitikën në rajon si “një marrëveshje gjigante të pasurive të paluajtshme”, dhe ka shumë të ngjarë që Trump të mendojë në të njëjtën mënyrë. Megjithatë, marrëveshja mbi lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, nuk do të thotë se paqja është e sigurt në Lindjen e Mesme.

Shënim: Paul Wood korrespondent i BBC-së për 25 vjet, në Beograd, Athinë, Kajro, Jerusalem, Kabul dhe Uashington. /Përshtatur nga “The Spectator”/

Situata e Brojës, flet përsëri trajneri i Evertonit: Klubi po bisedon me Çelsin, nuk është përfundimtare

Dëmtimi i Armando Brojës i ka hapur rrugë hipotezës së kthimit të sulmuesit shqiptar te Çelsi duke mbyllur para kohe huazimin e tij në radhët e kësaj skuadre. Një ide e Evertonit për të liruar një vend në listën e huazimeve që i lejohet të kryejë brenda sezonit, por që ka hasur në pengesë nga londinezët, të cilët presin ta marrin mbrapsht vetëm me rrogën e paguar deri në fund të edicionit.

Një situatë e komplikuar që ka nisur negociata mes klubeve, siç e ka konfirmuar sot në konferencë për mediat edhe trajneri Devin Mojes, i cili është ndalur mbi situatën e sulmuesit.

“Kthimi i Brojës? Nuk mendoj se është absolut. Unë e thashë në konferencën për mediat pas ndeshjes kur m’u bë pyetja se dëmtimi i tij mund të zgjaste shumë më tepër se sa shpresonim, por është një nga opsionet që mund të ishte në dispozicion. Ka njerëz të klubit që po flasin me Çelsin në këto momente”, tha ai duke konfirmuar hipotezën që kishte ngritur pak ditë më parë.

Tani mbetet të shihet si do të trajtohet kjo çështje në ditët në vijim, kur palët udhët të marrin një vendim rreth Brojës, të cilin e presin deri në 3 muaj jashtë fushave të lojës në varësi të evoluimit të riaftësimit të tij pas dëmtimit në kyçin e këmbës së djathtë.

Shifra e majme/ Futbollisti 25-vjeçar do t’i tetëfishohet paga me kalimin te Siti

Omar Marmoush ka arritur akordin total për transferimin e tij te Mançester Siti. Pasi ka shënuar 15 gola në 17 ndeshje të Bundesligës këtë sezon për Ajntraht Frankfurt, egjiptiani mori vëmendjen e të gjitha klubeve të mëdha evropiane, ndërkohë që mbrëmjen e sotme pas ndeshjes ndaj Dortmundit, ku skuadra e tij triumfoi 2-0, ai u përshëndet me tifozët, duke iu dhënë lamtumirën.

Sipas reporterit gjerman, Patrick Berger , 25-vjeçari do të fitojë rreth 16 milionë euro në vit pas transferimit te Siti. Te Frankfurti ai fitonte 2 milionë euro në sezon, teksa rroga e tij tashmë do të 8 fishohet.

Siti do të paguajë rreth 75 milionë euro plus 5 milionë euro shtesë për egjiptianin. Marmoush do të prezantohet te “qytetarët” në fund të javës së ardhshme.