33.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Ankthi Mund t’ju Shkaktojë Tension të Lartë – Kujdesi që duhet të tregoni

Ankthi nuk shkakton hipertension afat-gjatë, megjithatë episodet e shpeshta të ankthit mund të shkaktojnë rritje të përkohshme por dramatike të tensionit të gjakut.

Këtë e thonë studimet të cilave u referohet AgroWeb.org sipas të cilave, shpeshtësia e episodeve të ankthit, sidomos kur bëhet fjalë për çdo ditë, mund të dëmtojë enët e gjakut, zemrën, veshkat, njësoj si hipertensioni kronik.

Për më tepër, njerëzit që janë në ankth apo të stresuar janë më të prirur të ndërmarrin zakone jo të shëndetshme në stilin e tyre të jetesës siç janë:

  • Duhanpirja
  • Alkoli
  • Ushqyerja e tepruar.

Nga ana tjetër, medikamentet që merren për trajtimin e ankthit dhe sëmundjeve apo ccrregullimeve të tjera mendore kanë ndikim duke rritur tensionin e gjakut.

Nëse ju vëreni se keni vështirësi në mbajtjen nën kontroll të ankthit apo ky i fundit ndikon dhe prish aktivitetet tuaja të përditshme, AgroWeb.org ju këshillon të konsultoheni me një mjek apo terapist.

Duke lexuar më poshtë do të mësoni mënyrat e thjeshta se si të zbusni ankthin në mënyra natyrale.

Kujdes Me Alkolin

Një gotë ose dy tingëllojnë një alternativë e pranueshme për qetësimin e emocioneve.

Por nëse e teproni me alkolin, atëherë do të përballeni me një nivel më të lartë të ankthit.

Pirja e tepruar e alkolit ndikon ndjeshëm  në punë e shtëpi por jo vetëm kaq.

Alkoli mund të nxisë probleme të tjera shëndetsore që shtojnë ankthin.

Rregulli i artë është jo më shumë se një pije alkolike, pra një gotë, në ditë për femrat dhe jo më shumë se 2 pije për meshkujt.

Aktiviteti Fizik

Nuk është nevoja të stërviteni si për një maratonë.

Mjafton një ecje prej 10 minutash ose një aktivitet fizik për 45 minuta.

Secila prej këtyre alternativave do t’ju bëjë të ndiheni më mirë, njësoj si aspirina shuan dhimbjen e kokës.

Nëse kryeni një aktivitet të rregullt fizik të paktën 3 herë në javë, do të vini re që krizat e ankthit do të pakësohen.

Kopshtaria

Sipas ekspertëve të AgroWeb.org, Kontakti me natyrën dhe në veçanti përkujdesja për bimët dhe lulet është një kurë që funksionon.

Kopshtaria është një aktivitet stimulues për trurin.

Nëpërmjet këtij aktiviteti do të ndiheni më mirë nga ana emocionale.

Për më tepër, ju do të kaloni më shumë kohë jashtë ambienteve të mbyllura.

Terapia e Aromave

Aroma si ajo e lavandës, kamomilit dhe trëndafilit ju vijnë në ndihmë.

Këto aroma mund t’i gjeni në formën e vajrave esencialë të cilat mund t’i nuhasni ose të fërkoni zona të trupit, kryesisht qafën.

Ekspertët mendojnë se këto aroma dërgojnë mesazhe kimike në tru të cilat ndikojnë për mirë tek humori dhe emocionet.

Gjumi

Gjumi furnizon trurin me energji dhe përmirëson humorin dhe përqendrimin.

Nga të dhënat e AgroWeb.org, nëse flini mjaftueshëm do të jeni më pak të prekur nga ankthi.

Kujdesuni që të flini të paktën 7 deri në 9 orë në ditë.

Përpiquni t’i përmbaheni një orari të caktuar gjumi dhe zgjimi.

Dhoma e gjumit duhet të jetë e freskët, në errësirë dhe pa zhurma.

Aktiviteti fizik përmirëson gjumin, për sa kohë ushtroheni në mëngjes ose pasdite.

Ditari

Përpiquni të identifikoni gjërat që nxisin ankthin, siç mund të jetë familja, puna, shkolla, kafeina apo uria.

Shkruani atë që mendoni se nxit ankthin dhe do të dini ta menaxhoni më mirë krizën e ardhshme./AgroWeb.org

Ju rrisin rrezikun e një ataku kardiak, zbuloni tre gabimet që duhet të shmangni gjatë dimrit

Sulmet në zemër zakonisht prekin burrat mbi 50 vjeç dhe gratë mbi 65 vjeç, por vitet e fundit më shumë njerëz në të 20-at, 30-at dhe 40-at vuajnë nga sulmet në zemër.

Edhe pse mjekët paralajmërojnë rregullisht për simptomat, shumë nuk janë të vetëdijshëm se cilat gabime gjatë dimrit mund të rrisin rrezikun e një ataku kardiak.

Temperaturat e ftohta janë problem sepse stresojnë trupin, kështu që zemra duhet të punojë më shumë për të mbajtur ngrohtë.

Rritja e ritmit të zemrës mund të çojë në një atak në zemër dhe gabimet e mëposhtme rrisin rrezikun:

Veshje të papërshtatshme

Shtresimi është çelësi për ruajtjen e nxehtësisë së trupit gjatë temperaturave të ftohta. Nëse nuk vishni rrobat e duhura të ngrohta, kapelën dhe dorezat, zemra do të jetë nën më shumë presion, sepse duhet të pompojë më shumë gjak për t’ju mbajtur ngrohtë.

Aktivitet i tepruar

Ndërsa aktiviteti fizik i moderuar është i dobishëm për shëndetin, aktiviteti i tepërt mund të shkaktojë një rritje të rrahjeve të zemrës dhe presionit të gjakut. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të bëni pushime dhe të lejoni trupin dhe zemrën të rikuperohen.

Dehidratim

Në dimër, njerëzit shpesh pinë më pak ujë, kështu që është më e lehtë të mos vërehen simptomat e dehidrimit. Një trup i dehidratuar streson zemrën, rrit ritmin e zemrës dhe rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, shpjegon një kardiolog për “The Health Site”.

Punonjësit e administratës në Shkup protestojnë për rritje rrogash

Për të katërtën ditë radhazi, Sindikata e Punëtorëve të Administratës, Organeve të Drejtësisë dhe Shoqatave të Qytetarëve (AOGJSH), në Maqedoninë e Veriut vijon me protesta duke kërkuar nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive dhe rritjen e pagave me 30 për qind për nëpunësit e disa ministrive dhe institucioneve shtetërore.

Kryetari i Sindikatës, Trpe Deanoski, në protestën e së premtes përpara Ministrisë së Financave, njoftoi se kanë dorëzuar një kërkesë zyrtare për takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Ai theksoi se nëse nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare me Qeverinë, do të fillojnë me protesta “më radikale, greva”, dhe se do të shfrytëzojnë “çdo mundësi ligjore” deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Nëpunësit presin që Qeveria të tregojë mirëkuptim dhe ta pranojë këtë dorë ndihme nga Sindikata për të gjetur zgjidhje për kërkesat tona”, tha Deanoski.

Por, Qeveria shpreh dyshime se protestat janë të motivuara politikisht. Ajo e pranon se pagat nuk janë të larta, por arsyetohet se buxheti është i kufizuar.

Aktualisht, paga mesatare e punonjësve në Ministrinë e Kulturës, Drejtësisë, Mjedisit, Ekonomisë dhe Punës, Transportit dhe Transformimit Digjital, si dhe Entin Shtetëror të Statistikave, është rreth 471 euro.

Paga mesatare në nivel shtetëror në Maqedoninë e Veriut është 684 euro. Protestuesit kërkojnë një rritje prej 100 eurove.

“Nëse Sindikata (AOGJSH) vërtet kujdesen për pagat e punonjësve, i ftojmë për bisedime me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve reale. Përndryshe, mbetet dyshimi se AOGJSH punon për interesa të partive të caktuara, që synojnë të fitojnë pikë politike në kurriz të qytetarëve,” tha Qeveria në një reagim më 15 janar.

Por, Deanoski tha se “formalisht nuk kemi marrë ftesë për vazhdimin e dialogut”, duke nënvizuar se takimet nuk mund të zhvillohen përmes njoftimeve për media, por përmes kërkesave zyrtare për takim.

Ai gjithashtu i ka bërë thirrje opozitës që të mos përfshihet në këto protesta, duke theksuar se këto parti kishin shtatë vjet në pushtet për ta zgjidhur problemin e pagave.

Protestuesit akuzuan Ministrinë e Financave për mosndërmarrjen e masave të nevojshme dhe për mosmiratimin e propozimeve të tyre.

“Ne nuk e pranojmë diskriminimin dhe do të vazhdojmë të luftojmë për një rritje të drejtë pagash për të gjithë. Ne kërkojmë një shpërndarje të vërtetë dhe të drejtë të burimeve që do t’u mundësojë të gjithë punëtorëve të jetojnë në mënyrë sa më dinjitoz”, tha Zoran Gjorgjievski, anëtari i sindikatës nga Ministria e Drejtësisë.

Kjo është dita e katërt kur mbi 2.400 administratorë nga institucione të ndryshme publike të vendit kërkojnë rritjen e pagave.

Ditë më parë, Sindikata raportoi se në disa ministri kanë nisur edhe kërcënime ndaj punonjësve që të mos marrin pjesë në protestë./rel

Rënia e eksporteve/ Materialet e ndërtimit dhe tekstilet më të prekurat edhe prej rënies së Euros

Tregtia e jashtme nuk është në ditët më të mira.

Shifrat e dhjetorit tregojnë se produktet shqiptare arritën vlerën e 26 miliardë lekëve apo 31.7% më pak se e njëjta periudhë një vit më parë.

Nga krahu tjetër importet nuk pësuan të njëjtin trend duke u rritur me 8.3%, duke përkeqësuar deficitin tregtar.

Grupet kryesore që ndikuan në uljen e eksporteve në Dhjetor janë Materialet e Ndërtimit dhe Metalet me një rënie dyshifrore, ndërsa grupi i dytë janë mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike ndjekur nga sektori i Tekstileve dhe Këpucëve.

Të tre këto industri po vuajnë pasojat e zhvlerësimit të euros në tregun vendas, por edhe kombinimin e një sërë faktorëve të tjerë si mungesa e fuqisë punëtore apo ndryshimi i konjukturave në tregjet ndërkombëtare.

Një tjetër pasqyrë tregojnë importet. Në Shqipëri janë marrë më shumë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, më shumë ushqime dhe minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike.

Përgjatë gjithë vitit Shqipëria eksportoi 68 miliardë lek më pak mallra apo thënë ndryshe 680 milionë euro më pak se një vit më parë. Në të njëjtën kohë vendi importoi 22 miliardë lek më shumë mallra apo 220 milionë euro. Ky është viti i dytë që eksportet vijnë me tkurrje.

INSTAT tregon se Shqipëria pati rritje të ndjeshme të importeve me Kinën, Turqinë dhe Greqinë duke i kthyer në partnerët kryesorë tregtare, ndërsa i uli në mënyrë të ndjeshme me Italinë, Maqedoninë e Veriut dhe Zvicrën.

Pas ngadalësimit në vitin 2024, ecuria e industrisë automotive në dorë të tregjeve globale

Rikuperimi me 15% i eksporteve të grupit ”Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” në nëntor 2024, ku bën pjesë edhe industria automotive, ishte një pikë kthese pozitive pas thuajse një rënie konstante të këtij grupi nga janari në tetor.

Konkretisht, mallrat e këtij grupi në janar-tetor shënuan vlerën 31.6 miliardë lekë, apo rreth 316 milionë euro. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia ishte me 5.1%. Përfaqësuesit e kompanive automotive e cilësuan vitin 2024 sfidues në lidhje me faktorët e brendshëm, por edhe atyre të jashtëm në tregun global të automobilave.

Në të gjithë skenarët e përmirësuar të zhvillimeve të brendshme, duket se vendimtare këtë vit do të jetë ecuria e tregjeve të automobilave në Europë, por edhe më gjerë.

Industria automotive në vend e sheh këtë vit më me optimizëm. Eris Jaçaj, nga kompania “Forschner Albania”, thotë se viti 2025 pritet të jetë më i mirë se viti që lamë pas.

“Në tregun global u përballëm me rënie të kërkesës, e theksuar kryesisht në tremujorin e fundit të vitit 2024, megjithëse pritshmëritë dhe parashikimet ishin për një rritje.

Një pjesë e klientëve kanë shtyrë kërkesat e tyre për tremujorin e parë të këtij viti. Kjo na jep besim se ngadalësimi ka karakter të përkohshëm dhe në vitin 2025 do t’i rikthehemi trendit rritës të industrisë”, vlerëson z. Jaçaj.

Edhe Ertjan Çabiri, nga “Delmon Albania”, thotë se ngadalësimi i reflektuar te kompanitë që prodhojnë pjesë të thjeshta si kabllo dhe gomina për klientët e mëdhenj në industrinë e automobilave vjen si efekt i zhvillimeve te grupet e mëdha, kryesisht europiane.

“Gjatë vitit të shkuar, tregu i automobilave ka pasur një rënie të shitjeve në krahasim me shitjet e buxhetuara për shumicën e kompanive të mëdha europiane si ‘Stellantis’, ‘Renault Group’, ‘Volkswagen’ etj.

Kjo ka ndodhur kryesisht prej rënies së kërkesës, por edhe rritjes së ofertës dhe konkurrencës nga makinat elektrike të markave kineze. Rrjedhimisht, edhe për kompaninë tonë, si furnitor i tyre, ka pasur rënie të shitjeve me rreth 10% nga parashikimi.

Si përgjigje për rënien e porosive, u fokusuam te rritja e produktivitetit dhe ulja e kostove në përgjithësi, për të arritur objektivat e planifikuara financiare”, tha z. Çabiri.

Pritshmëri optimiste, por tregu i automobilave mbetet i paqartë

Tregu europian i automobilave, por edhe më gjerë ai global, duket se sot për sot mbetet i paqartë për drejtimin që do të marrë gjatë këtij viti. Konkretisht, tregu po përballet me atë që shumë njohës të fushës e kanë cilësuar si “stuhia perfekte”.

Ata parashikojnë tkurrje të shitjeve për gjigantët si ‘Volskwagen’ dhe ‘Stellanis’ ndërthurur me kufizimet për emetimet apo problemet e forcës punëtore.

Dilema më e madhe e këtij tregu duket se janë makinat elektrike, që për disa segmente po ecin mjaft mirë, e për të tjerë po duken një tentativë epike pa rezultat.

Gjatë vitit të shkuar, kryefjalë e shumë temave ishte konkurrenca që vinte nga makinat elektrike të prodhuara në Kinë dhe kjo do të mbetet temë kyçe edhe këtë vit.

Për shumë prej prodhuesve, gjasat janë që ky të jetë një tjetër vit i zymtë, kur planet për elektrifikimin kanë ecur ngadalë, si dhe revanshi i Kinës mbetet i palëkundur.

Një industri që mbetet poshtë niveleve të parapandemisë duket se nuk mund të japë asnjë efekt domethënës pozitiv në zinxhirin e saj mbështetës, aty ku në ekstremet e saj bëjnë pjesë edhe kompanitë e vendosura në Shqipëri.

Konkretisht, numri i tyre është rritur vit pas viti, edhe pse zgjerimi i mëtejshëm është vënë në pikëpyetje për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të konsiderueshme që kërkohet për fabrikat e këtij profili.

Sot në vend operojnë disa të tilla, duke nisur nga “Forschner Albania” te “Delmon Group Albania”, “PSZ Albania”, “Yura Corporation”, “SEWS Cabind Albania” apo “Everest Automotive”.

Euro, dhembja e kokës e vitit të shkuar për eksportuesit, përfshi industrinë automotive

Fabrikat shqiptare që prodhojnë fasoneri të thjeshtë (pajisje, gomina apo kabllo) për kompani si “Mercedez Benz”, “KIA”, “Hyundai”, “Peugeot”, “Renault”, “Fiat Group” apo “Sumitomo Electric Industries” kanë kontrata paraprake mbi porositë që duhet të dërgojnë pranë klientëve.

Këto kompani kanë çmime të paracaktuara për punën e tyre dhe pagesat i marrin në Euro, teksa pagesat në tregun vendas për zëra të ndryshëm duhet t’i bëjnë në Lek.

Niveli i ri i Euros, që në vitin 2024 njohu rekorde të tjera të minimumit historik në raport me Lekun, rriti presionin për këto kompani, ashtu siç ka ndodhur me shumicën e eksportuesve.

“Trendi shqetësues i Euros pa diskutim që ka ndikim negativ të drejtpërdrejtë në rezultatet e kompanisë, kryesisht bazuar në faktin që mbi 75% e kostove tona operacionale janë në monedhën vendase, duke na krijuar pamundësinë e marrjes së masave për të shmangur këtë efekt.

Ky faktor shoqërohet edhe me presionin e vazhduar të klientëve për të mbajtur një çmim të pandryshuar, pavarësisht ndryshimit të kostove, e vendos edhe sektorin automotiv në të njëjtën linjë rreziku si gjithë bizneset eksportuese në vend”, pohon Eris Jaçaj, Drejtor Menaxherial i “Forschner Albania”.

Duke qenë të destinuara të prodhojnë vetëm për tregjet e huaja, thuajse të gjitha kompanitë automotive në vend janë të ndikuara nga zhvlerësimi i Euros.

“Efektet e rritjes së vlerës së Lekut në krahasim me Euron janë negative për bizneset eksportuese, që kanë kontrata të rëna dakord për shitje në Euro.

Për çdo euro shitje, kostot e prodhimit në Shqipëri, nëse konvertohen në Euro, janë rritur prej forcimit të Lekut me hapa galopantë.

Sigurisht kjo ndikon negativisht në konkurrueshmërinë e Shqipërisë për projektet e reja”, – shprehet Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial i “Delmon Group Shqipëri”./ Nertila Maho/monitor.al

Ironi e fatit, UNECSO e cilësoi si jo efikase kalimin e kopshteve dhe çerdheve në varësi të bashkive, Erion Veliaj propagandon të kundërtën

Nga Mirela Karabina

Raporti i UNESCO-s 2024 (Organizata e Kombeve të Bashkuara pë r Arsim, Shkencë e Kulturë), krahas theksit se Shqipëria është përpara një nevoje urgjente të përmirësimit të financimit në sektorin e arsimit por cilësoi si jo efiakase procesin e decentralizmit më 2015-ën të ndarjes së përgjegjësive operacionale për shkollat, kopshtet e çerdhet mes pushtetit qendror, Ministrisë së Arsimit, dhe atij vendor, bashkitë .

E sot, si për ironi të fatit, Erion Veliaj shfaqet në një aktivitet propagandistik, në ceremoninë e çeljes së programit për certifikimin e drejtorëve të arsimit parashkollor për të ndarë “suksesin” e Bashkisë së Tiranës, tha, në administrimin e çerdheve dhe kopshteve.

Në fakt, Erion Veliaj do të mbahet mend si kryebashkiaku që shembi të gjitha shkollat e Tiranës duke ia gllabwruar oborret nw metwr ndwrtim dhe nuk ndërtoi kopshte dhe çerdhe, madje duke ulur dhe numrin e kopshteve dhe çerdheve krahasuar me kohën e diktaturës.

Kështu, nëse në 1990-ën në Tirana kishte 60 kopshte me nga 30 fëmijë grupi, më 2023-in e në vazhdim ka 53 kopshte shtetërore (Open Data), me nga 45-55 fëmijë grupi, jashtë standartit të shërbimit cilësor pasi janë të mbipopulluara e me ambjente të kufizuara në mungesë punonjësish arsimorë.

Duhet të kujtojmë se në vitin 1989 Tirana qytet regjistronte një popullsi prej 195 mijë banorësh e sot është me rreth 650 mijë banorë, por kopshtet e çerdhet janë ulur në numër duke lënë prindërit të vetëm në këtë hall, një pjesë e mirë e të cilëve, nënat, janë detyruar të lënë punën pasi nuk kanë pasur mundësi ku të lënë fëmijët e tyre.

Ndërkohë që Tirana ndër vite ka zona të pambuluara me kopshte e çerdhe, si ASTIR me 70 mijë banorë , për shkak të keqmenaxhimit, abuzimit e korrupsionit të lartë të Bashkisë Tiranë dhe keqadministrimit të Ministrisë së Arsimit.

Me mijëra leje ndërtimi të dhëna nga Erion Veliaj për kulla e pallate në Tiranë duhej të ishin ndë rtuar qindra kopshte e çerdhe që të përmbushnin nevojat në rritje të kryeqytetit.

Dhe sot në këtë ceremoni, si drejtues politikë të Tiranës ku parësore është fushata zgjedhore e 11 majit, Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu dhe Erion Veliaj të dy së bashku u shfaqën si partiakë të zellshëm duke gënjyer dhe mashtruar prindërit dhe opinionin publik me shifra të gënjeshtra të kopshteve dhe çerdheve.

Edhe “Open Data”, platformë shtetërore e të dhënave, rrëzon manipulimin e shifrave si të Veliajt, ashtu dhe të Manastirliut.

Por kryebashkiaku Veliaj vazhdon me propagandën kalimtare që veç dëm ka sjellë dhe Tirana vuan nga mungesa e kopshteve dhe çerdheve.

BKH nis gjuetinë e ”Harabelave”/ Zgjerohet hetimi për banesa të tjera të padeklaruara nga çifti Veliaj-Xoxa

Kur kanë kaluar pak ditë nga zbulimi i një apartamenti sekret që përdorej nga Ajola Xoxa në zonën e ish-bllokut në Tiranë, agjentët e BKH-së dhe SPAK, tashmë kanë nisur “gjuetinë” për lokalizimin dhe gjetjen e banesave të tjera që përdoren nga çifti Veliaj-Xoxe.

Vetëm gjatë një kontrolli të dytë të një apartamenti që konsiderohej si sekret, SPAK sekuestroi dhjetëra dokumenta, prova të ndryshme dhe një shumë të konsiderueshme euro, pa përcaktuar shifrën e saktë si dhe janë hapur dy kasaforta.

Ky apartament është gjetur falë ekspertimit të telefonit të sekuestruar zonjës Ajola Xoxe, ku nga komunikimet e zhvilluara në disa aplikacione është mësuar për disa apartamente sekrete që Xoxe dhe Veliaj kanë në Tiranë.

I pari dhe më i lehti për tu gjetur nga SPAK, ishte pikërisht apartamenti që ndodhej mbi zyrën e kompanisë “Harabel” të Ajola Xoxes.

Ndërsa shtëpitë e tjera që ndodhen në Tiranë dhe ku mendohet se ekzistojnë prova, ende nuk janë lokalizuar nga hetuesit,megjithëse ata kanë nisur tashmë një skanim të informacionit për gjetjen e këtyre banesave.

Në datën 14 Janar 2025, ka dalë vendimi dhe rreth një orë nga dalja, oficerët e BKH, kanë vajtur te apartamenti.

Hetimi ndaj Erjon Veliaj, vëllait të tij Arbërit dhe bashkëshortes Ajola Xoxe, ka nisur nga SPAK në muajin Mars 2024, ku pas një letre të një personi anonim Anesti Angoni, është çuar informacion i hollësishëm për lëvizjet bankare dhe pasuritë e Veliaj, bashkëshortes dhe vëllait të tij./OraNews

Skënderbeu, Heroi Kombëtar dhe shembulli i humbur i politikanëve shqiptarë

Nga Rigels Seliman

Sot më 17 janar, shqiptarët kujtojnë me nderim e krenari ndarjen nga jeta të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Skënderbeu lindi në 6 maj të vitit 1405 dhe u nda nga jeta në 17 janar të vitit 1468. Ai nuk ishte thjesht një luftëtar i madh, por një udhëheqës me një vizion të qartë: lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Në një epokë të errët, kur interesat personale ishin shpesh mbi ato kolektive, Skënderbeu përbënte përjashtimin e shkëlqyer që vuri Shqipërinë dhe shqiptarët mbi gjithçka tjetër.
Skënderbeu nuk luftoi për pasuri, nuk ndërtoi pallate luksoze dhe nuk pasuroi familjen e tij me plaçkë lufte. Ai luftoi për një kauzë më të madhe se vetja: për lirinë dhe dinjitetin e një kombi të vogël, por me zemër të madhe. Nëse shikojmë politikanët e sotëm, është e pamundur të mos pyesim veten: ku janë trashëgimtarët e Skënderbeut?
Sot, në vend të përkushtimit për Shqipërinë, shohim interesa të ngushta që mbizotërojnë. Aty ku Skënderbeu ngriti flamurin për të bashkuar, politikanët e sotëm ndajnë dhe përçajnë. Aty ku Skënderbeu luftoi për liri dhe pavarësi, disa liderë shesin interesat kombëtare për përfitime personale. Aty ku Skënderbeu sfidoi fuqitë e mëdha për të mbrojtur tokat shqiptare, politikanët tanë dorëzohen përballë sfidave më të vogla.
Skënderbeu është një pasqyrë e qartë për të gjithë ata që pretendojnë të jenë udhëheqës. Por në këtë pasqyrë, shumë pak nga politikanët tanë kanë guximin të shohin veten. Ai nuk kishte ushtri të madhe, por kishte zemër të madhe dhe besnikëri ndaj popullit të tij. Ndërsa sot, kemi liderë që kanë pasuri të mëdha, por zemra të vogla dhe mungesë vizioni.
Si mund ta nderojmë vërtet Skënderbeun? Jo vetëm duke vendosur lule pranë shtatoreve të tij, por duke ndjekur shembullin e tij. Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë fjalë boshe, por për më shumë Skënderbej. Për liderë që e duan këtë vend jo vetëm me fjalë, por me vepra. Për ata që i shërbejnë Shqipërisë, dhe jo interesave personale.
Në këtë 17 janar, le të rikujtojmë jo vetëm madhështinë e tij, por edhe turpin tonë si komb që ende nuk kemi gjetur një udhëheqës që të ngjasojë me të. Politikanëve të sotëm, do t’u thoshte: “Për shqiptarët, gjithçka. Për veten, asgjë.” Dhe nëse nuk mund të ndjekin këtë ideal, atëherë le të lënë vendin për ata që mund ta bëjnë.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu është dhe do të mbetet një shembull frymëzimi. Por frymëzimi pa veprim është i kotë. Le ta kthejmë idealin e tij në realitet, që kështu, brezat e ardhshëm të kenë jo vetëm një hero për të nderuar, por edhe një të tashme për të jetuar me krenari.

Izraelitët dhe palestinezët, shpresë dhe drojë për marrëveshjen e armëpushimit

Kabineti izraelit i sigurisë i rekomandoi sot qeverisë miratimin e marrëveshjes që do të pezullonte luftimet në Gazë dhe siguronte lirimin e dhjetëra pengjeve që po mbahen nga Hamasi.

Tani i mbetet qeverisë izraelite ta miratojë marrëveshjen para se ajo të hyjë në fuqi. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës në Jerusalem, Linda Gradstein, nëse marrëveshja miratohet, ajo hyn në fuqi të dielën me këmbimin e pengjeve izraelite me të burgosurit palestinezë, duke i hapur rrugën finalizimit të parimeve në bazë të cilave do t’i jepet përfundimisht fund konfliktit.

Izraelitët po presin me padurim lirimin e 98 pengjeve – të gjallë dhe të vdekur – të cilët po mbahen nga Hamasi që nga 7 tetori i vitit 2023, kur ky grup militant vrau 1,200 persona gjatë një sulmi në pjesën jugore të Izraelit.

Në fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit, që parashikohet të fillojë të dielën, Hamasi do të lirojë 33 pengje – gra, fëmijë dhe të moshuar, përfshirë dy shtetas amerikano-izraelitë. Izraeli do të lirojë qindra të burgosur palestinezë.

Por në Izrael ka edhe prej atyre që shprehen skeptik nëse Hamasi do t’u përmbahet zotimeve. Deri më tani, Hamasi ka refuzuar të japë një listë me emrat e pengjeve që janë ende të gjallë.

Kushëriri i Udi Gorem, Tal Haimi, u vra gjatë luftimeve më 7 tetor dhe trupi i tij u rrëmbye dhe u dërgua në Gazë.

“Çfarë do të ndodhë nëse Hamasi thotë ‘Nuk po e gjejmë kushëririn tënd. Na falni. Nuk dimë ku është.’ Çfarë do të bëjmë ne? A do ta prishim marrëveshjen?

A do ta kemi përkrahjen ndërkombëtare? Garancitë që na janë dhënë neve janë që nëse Hamasi e bën një gjë të tillë, atëherë marrëveshja merr fund”, thotë ai.

Sipas marrëveshjes, diskutimet për një armëpushim afatgjatë planifikohet të fillojnë në ditën e 16 të armëpushimit. Disa analistë izraelitë thonë se nuk ka garanci se dy palët do të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.

“E dimë që armëpushimet shndërrohen nga të përkohshme, në më pak të përkohshme, e më pas në më të përhershme. Ky do të ishte një skenar shumë i keq për Izraelin, për sigurinë e tij.

Do të ishte edhe më i keq për banorët e Gazës ngaqë do t’i linte në një situatë të ndërmjetme, me Hamasin që vazhdon të qeverisë dhe ende mban kontrollin, por Hamasi është shumë i dobësuar për të bërë diçka të dobishme në Gazë”, thotë ish zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Jonathan Conricus.

Palestinezët në Gazë shprehen të gëzuar për fundin e sulmeve izraelite, që sipas Hamasit, shkaktuan vdekjen e 46,000 personave dhe shkatërrime të shumta në këtë territor.

“Jam shumë i gëzuar, por njëkohësisht, ndjej një pikëllim të thellë. Po kthehemi në shtëpitë tona, por i kemi humbur mbesat dhe nipat, baballarët, vëllezërit, kushërinjtë, fqinjët dhe shtëpitë tona”, thotë Fadi Naeem, banor i Gazës.

Armëpushimi nënkupton gjithashtu një shtim të madh të ndihmave humanitare që do të futen në Gazë. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin thotë se 80,000 tonë ushqime janë gati të futen në Gazë.

Ndërkohë, palestinezët thonë se sulmet e Izraelit në Gazë po vazhdojnë. Ministria e Shëndetësisë në Gazë, e udhëhequr nga Hamasi, thotë se të paktën 80 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite që nga e mërkura./VOA

Shënim/ Përveçse në komunizëm, administrat shtetërore nuk ka qenë asnjëherë më parë kaq shumë e politizuar

Përveçse në komunizëm, administrata shqiptare nuk ka qenë asnjëherë më shumë se sot e politizuar dhe më shumë e angazhuar në funksion të një partie politike, asaj në pushtet. I kanë mbushur të gjithë organizatat e Partisë Socialiste, duke filluar nga qeliza më e parëndësishme e deri te Asambletë e rretheve me punonjës të administratës. Mjafton t’u hedhësh një sy fotove dhe do shohësh aty të gjithë administratën lokale, duke filluar nga pastruesit, mësuesit, drejtuesit e shkollave e deri te drejtuesit e njësive vendore. Për të vijuar pastaj me ushtrinë, policinë e të gjithë institucionet që do duhet të ishin të depolitizuara. I gjithë shteti në funksion të pushtetit. Asnjë angazhim tjetër përveçse evidentimit të çdo vote dhe mbledhjes së tyre. Praktikisht, kemi rënie të shtetit. Vazhduesja e Partisë së Punës ka kthyer të njëjtat metoda për të kontrolluar me çdo mënyrë mbajtjen e pushtetit. Sistemi i patronazhimit nuk është gjë tjetër vetëm se kontrolli i votës nëpërmjet punonjësve të administratës. (Pa përmendur këtu, kontrollin dhe presionin nëpërmjet krimit të organizuar, sepse ajo vjen në një fazë të dytë, me afrimit e zgjedhjeve). Kushdo është i lirë të aderojë në partitë politike, por kush sheh të gjithë administratën të angazhuar, e cila e ka të ndaluar me ligj gjatë orarit zyrtar të punës, e kupton që ka diçka që nuk shkon dhe mban erë. Për të mos thënë pastaj për drejtuesit e shkollave që në këmbim të mbajtjes së vendit të punës, i mbushin si ‘trofe’ sallat partiake me nxënës shkollash. Pastaj vret mendjen se pse arsimi shkon për dreq në këtë vend. / Namir Lapardhaja