29.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Masa të shtuara sigurie në derbin Juve-Napoli: Telekamera dhe policë…

Në fillim bllokada e shitjes së biletave për tifozët vizitorë e tani, qindra policisë si siguri e shtuar, dhe survejim i teknologjisë së fundit, i denjë edhe për agjencitë sekrete.

Përballja e kampionatit italian të futbollit mes Juventus dhe Napolit të shtunën ka ngjallur kërshëri por edhe tension, për dy skuadra që në vitet e fundit kanë rivalizuar shumë, dhe simbolizojnë edhe betejën e zakonshme mes veriut dhe jugut, jo vetëm në sport.

Në fushë do të jetë detyra e arbitrit për të mbajtur nën kontroll nervat, por në shkallët e Juventus stadium dhe jashtë tij, do të ketë monitorim shtesë për akte të dhunshme apo incidente të tjera. Skuadra kampione e Italisë ka përfunduar instalimin e 16 telekamerave në rezolucion të lartë dhe mikrofonëve direksionalë.

Të parat për keqbërësit potencialë dhe të dytët për të zbuluar kore raciste dhe sinjale që mund të përshkallëzojnë situatë.

Sistemi i ri Panomera, do ti integrohet 14 kamerave ekzistuese duke kompletuar mbulimin total për stadiumin më modern të futbollit italian. Policia torineze ka angazhuar gjithashtu për të shtunën forca shtesë që do të monitorojnë lëvizjen e tifozëve nga qendra e qytetit drejt impiantit, për t’ia lënë çdo diskutim fushës, dhe jo situatave aspak të këndshme jashtë saj.

Eurostat: Çmimi i mishit në Shqipëri rekord, vetëm për të pasurit

Shqipëria renditet me nivelin më të lartë të çmimit të mishit nërajon, por edhe se disa vende të Bashkimit Europian. Për vitin 2018, indeksi i çmimit të mishit shënoi rritje në raport me një vit më parë, çka do të thotë se për xhepat e shqiptarëve blerja e një kilogrami mish rëndon më shumë. Eurostat ka përllogaritur nivelin e çmimit të mishit në BE dhe në vendet kandidate sipas paritetit të fuqisë blerëse. Mesatarja e BE-së merret niveli 100.

Sipas të dhënave që ka publikuar Eurostat, sipas Paritetit të fuqisëblerëse, çmimi i mishit tek ne ka shënuar një indeks prej 71, nga 67.4 e mesatares europiane që ishte një vit më parë. Kjo e rendit Shqipërinë në vendin me çmimin më të lartë sipas fuqisë blerëse.

Ndryshe nga Shqipëria, Mali i Zi renditet vendi më i lirë në BE dhe në rajon, ku sipas Eurostat shënoi një nivel çmimi prej 61.9, duke u ndjekur nga pas nga Maqedonia e Veriut me një indeks prej 62.3, Serbia 67.4 dhe Bosnja 68.6.

Eurostat ende nuk ka publikuar të dhënat më të fundit për Kosovën, por një vit më parë niveli i çmimit të mishit atje ishte 67.9.

Çmimi i mishit shënoi një nivel më të ulët se Shqipëria dhe nëdisa vende Europiane. Kështu në Poloni, niveli i çmimit të mishit ishte 62.3, duke u renditur e treta, pas Malit të Zi dhe Maqedonisësë Veriut, si më e lira sipas paritetit të fuqisë blerëse. Vlera tëulëta janë shënuar edhe në Rumani, Bullgari dhe Lituani (shiko grafikët), të cilat janë gjithashtu vende anëtare të Bashkimit Europian.

Nivelet më të larta të çmimeve janë regjistruar në Zvicër, me njënivel 2.2 herë më të lartë se mesatarja europiane, apo edhe Islanda me një nivel çmimi prej 165.

Në Itali niveli i çmimit të mishit është 119.5, ndërsa në Greqi 91.4. /Monitor

Çfarë fshihet pas vrasjes së ish efektivit të policisë!

Zbulohen detaje të reja nga ekzekutimi mafioz i ish-policit 26-vjeçar, Santiago Malko, në rrugën “Xhanfize Keko”, në Tiranë. bwhet e ditur se policia ka përjashtuar nga pistat e hetimit konfliktin e ish-policit me vëllezërit Gentian e Edmond Lashi, në vitin 2016, pasi anëtarët e të dy familjeve i kishin dhënë besën njëri-tjetrit se do ta mbyllnin këtë ngjarje.

Për këtë arsye, pistat kryesore të hetimit janë përqendruar në fushën e biznesit të lojërave të fatit të viktimës, si dhe në faktin se ai ka qenë një ndër protagonistët e ngjarjes së 4 tetorit të vitit të kaluar në zonën e ish-Bllokut, ku u vra një person.

Santiago Malko ishte përjashtuar nga Policia e Shtetit në vitin 2014, për shkak të një problemi me lojërat e fatit. Ai kishte një biznes me lojëra fati, me të cilin kishte thyer ligjin. Deri në momentin e përjashtimit nga policia, ai ishte një person pa probleme me drejtësinë.

Por, pas përjashtimit, i riu ka nisur problemet me ligjin, me konfliktin në lokal me vëllezërit Lashi, ku pati tentativë edhe për përdorimin e armëve. Por ky konflikt ishte mbyllur me mirëkuptimin e të dyja familjeve, ndaj dhe është përjashtuar të jetë një ndër arsyet e vrasjes së 26-vjeçarit.

Ngjarja

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20 minuta, në rrugën “Xhanfize Keko”, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri drejt një automjeti në lëvizje tip “BMW X5”. Për pasojë humbi jetën 26-vjeçari Santiago Malko, i cili ishte i vetëm në mjet.

Malko, pak para atentatit kishte lënë makinën e tij tip “BMW X5” në një lavazho të zonës, dhe kur ka dalë në rrugën kryesore rruga i është prerë nga një automjeti tip “Mercedes” nga i cili është lëshuar një breshëri automatiku. Si pasojë, Malko ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur fillimisht me disa kosha plehrash. Më pas, mjeti tip “BMW” ka hyrë në territorin e një biznesi privat. Autorët janë larguar në drejtim të fshatit Ferraj, ku dhe kanë djegur mjetin e tyre, tip “Mercedes Benz”. Burime policore thanë se brenda makinës u gjet një armë tip kallashnikov, që dyshohet se është përdorur në atentat.

1 person në kërkim

Lidhur me krimin, 1 person u shpall në kërkim nga policia. Burime policore thanë se është identifikuar një prej personave që dyshohet se morën pjesë në atentat, me inicialet D.A., i cili është shpallur në kërkim.

E shkuara

Santiago Malko, është një emër i njohur për policinë e Tiranës. Malko përfundoi kursin për Patrullë të Përgjithshme dhe ka qenë pjesë e kësaj strukture në Policinë e Tiranës vetëm për 3 muaj, më pas është tërhequr vetë nga Policia.

Më 16 prill 2016, ai ka pasur një konflikt me vëllezërit Edmond e Gentian Lashi, 34 e 26 vjeç. Të dyja palët, kishin në pronësi lokale bastesh sportive në të njëjtën zonë, por sipas Policisë konflikti ka ndodhur në lokalin e Edmond Lashit. Ka qenë ish-polici Santiago Malko që ka shkuar në pikën e basteve të vëllezërve Lashi dhe është konfrontuar fizikisht me ta. Nga përleshja fizike, 23-vjeçari është plagosur lehtë, pasi është goditur me grusht në hundë. Ish-polici ka tentuar të përdorë armën, madje duke goditur njërin prej vëllezërve me qytën e saj. Më pas dy vëllezërit kanë ndërhyrë dhe ia kanë marrë armën, duke parandaluar përshkallëzimin e dhunës.

Malko njihej edhe si mik i Elvis Martinajt, një nga protagonistët e vrasjes së bujshme në Bllok, madje ishte filmuar si i pranishëm në afërsi të skenës së krimit ku si pasojë u vra Fabian Gaxha, dhe ndërkohë u plagosën Eljon Hato dhe vetë Ervis Martinaj.

Arrestohen 4 pronarë të transportit publik në Tiranë, miliona lekë të përfituara me bileta urbani të falsifikuara

Katër biznesmenë kanë përfunduar në pranga për korrupsion me falsifikimit të biletave të autobusëve urbanë në Tiranë. Policia bëri të ditur se biznesmenët e arrestuar përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhura në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare.

Njoftimi i Policise

Në kuadër të Planit të Masave “Mbi informalitetin në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, trajtimi i mallrave me akcizë dhe evazionin fiskal”, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, pas një hetimi njëmujor me metoda speciale të hetimit, për goditjen e evazionit fiskal dhe informalitetit, finalizoi operacioni policor “Bileta e falsifikuar”, duke bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

1-I., 60 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i një shoqërie transporti;

2-V., 60 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i një shoqërie transporti;

3-V., 51 vjeçe, banuese në Tiranë, me funksion administratore dhe ortake e një shoqërie transporti;

4-V., 33 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë administratore e një shoqërie transporti;

5-A., 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë dispeçer i një linje autobuzash;

6-D., 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyre dispeçer i një linje autobuzash;

7-Q, 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë ekonomiste në një shoqëri autobusash;

8-I., 20 vjeç, banues në Tiranë, të cilit iu gjetën të fshehura provat materiale, në tentativë për t’i asgjësuar.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri -tjetrin kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në trasportin urban në qarkun Tiranë.

Këta shtetas përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhura në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare. Nëpërmjet këtyre veprimeve i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik, i cili do të përllogaritet në vazhdimësi nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 150 000 bileta urbani të falsifikuara, vënia në përdorim e të cilave kap vlerën 6 000 000 lekë të reja.

Gjithashtu u sekuetruan në cilesinë e provës materiale: një automjet i markës “Masserati”, 4 aparate celulare, në posedim nga personat nën hetim, kartela të ndyshme financiare të plotësuara me shkrim dore, 5 libra arkash, 62 blloqe mandatesh arkëtimi, 350 kopje mandatesh arkëtimi , si dhe dokumente të tjera me shënime të ndyshme.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor vijojnë hetimet me intesitet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i letrave me vlerë” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Bild shpërfill avokatin e Ramës, nuk i kthen përgjigje

Peter Tiede, gazetari gjerman që publikoi përgjimet për blerjen e votave në Durrës dhe Dibër, pohoi për Exit.al se gazeta Bild e ka shpërfillur dhe nuk i ka kthyer përgjigje një kërkese dërguar redaksisë nga avokati i Edi Ramës.

Tiede publikoi një seri audio-përgjimesh ekskluzive muajt e fundit, në të cilat dëgjohen Kryeministri Edi Rama, ministra dhe zyrtarë të lartë të qeverisë teksa flisnin për blerje votash, korrupsion dhe frikësim të votuesve për t’i detyruar të votonin kandidatët socialistë në zgjedhjet në Dibër dhe Durrës.

Në audio-përgjime, Rama dhe të tjerët dëgjoheshin teksa bashkëpunonin për të siguruar që Partia Socialiste të fitonte zgjedhjet. Në përgjime dëgjoheshin dhe biseda mes politikanëve dhe trafikantëve të drogës, ku kuptohet se ata do të siguronin vota në favor të PS-në në shkëmbim të favoreve.

Megjithëse Rama pranoi se ishte zëri i tij në ato përgjime, dhe se ai i kishte bërë ato biseda, ai tha se kishte punësuar avokatin gjerman Matthias Prinz për të paditur BILD-in dhe gazetarin Peter Tiede.

I kontaktuar nga Exit.al, Peter Tiede pranoi se redaksia e BILD-it ka marrë një letër nga ana e përfaqësuesve ligjorë të Ramës, por redaksia ka vendosur ta injorojë atë.

Avokati i punësuar nga Rama është i specializuar për menaxhimin e reputacionit dhe rastet e shfipjes. Më herët ai ka mbrojtur dhe Familjen Mbretërore Suedeze, Sulltanin e Bruneit, futbollistin e famshëm David Beckham dhe kompaninë Volkswagen.

Ai paguhet rreth 750 euro në orë – një shumë e lartë për një kryeministër që fiton rreth 1400 euro në muaj. Postimit të Ramës në Twitter, ku ky lajmëroi se kishte punësuar një avokat kundër tij, gazetari Tiede iu përgjigj duke shkruar: “Për cfarë po akuzohem? Se paskam publikuar audio-përgjime të vërteta?”

Më vonë Tiede tha se duhet të ishte ai vetë që duhej ta padiste Ramën për akuzat ndaj tij dhe BILD-it, “nëse do të kisha qenë lule-mos-më-prek si ai”. Më pas ai shtoi se “Kush është i zhytur në m…, natyrisht që gjuan me m…”.

Marrja e masave ligjore nga Rama kundër Tiedes ëshë dënuar gjerësisht nga organizatat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat dhe lirinë e medias, sipas të cilave Rama “i kupton çuditshëm demokracinë dhe të drejtat e njeriut.” Ata i kanë kërkuar Ramës që të tërhiqet nga nisma për të paditur gazetarin dhe gazetën BILD.

Duket se përpjekja e Ramës për të frikësuar BILD-in dhe Tieden ka pasur pak ndikim tek ata, pasi nuk duket se po e marrin seriozisht kërcënimin për ndjekje ligjore. Në fakt, kohët e fundit po qarkullojnë thashetheme se gazeta BILD do të publikojë përgjime të reja në shtator.

Ligji për mafien nuk ekziston, zaptohet edhe deti tek Currilat

Një qytetar nga Durrësi i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku I shkruan se në Currila njerëzit e Rilindjes kanë zaptuar edhe detin duke ndërtuar pa leje.

“Ligji per mafien nuk ekziston. Kur nuk i mjafton toka merr edhe detin. Ne narkoshtet te gjitha te mafies jane. sb”, shkruan Berisha.

Meta takohet me zv.Kryetaren e Grupit CDU-CSU për zgjidhjen e krizës

E vetmja zgjidhje e kësaj krize janë zgjedhjet, dhe se 13 tetori është një mundësi që nuk duhet humbur pasi vetëm do e përshkallëzonte më tej atë.

Kështu ka deklaruar Presidenti Ilir Meta gjatë takimit të zhvilluar me zv.Kryetaren e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, deputeten gjermane Katja Leikert.

“Nëse politikanët vendas e kanë të pamundur të mësojnë nga vendet me përvojë të konsoliduar demokratike se si zgjidhen krizat, kanë rastin të mesojnë nga një shtet i ri si Kosova se si u jepet mundësia qytetarëve të thonë fjalën e tyre përmes zgjedhjeve të parakohshme për të ardhmen e institucioneve qeverisëse”, theksoi Kreu i Shtetit.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, dhe vëmendjen e posaçme që Gjermania po i kushton Shqipërisë, rajonit dhe perspektivës sonë europiane.

Kreu i Shtetit e falenderoi për angazhimin e posaçëm të Bundestagut dhe veçanërisht të grupit parlamentar CDU/CSU për parandalimin e thellimit të krizës politike ku ndodhet vendi, dhe theksoi se nëse do të ishin dëgjuar në kohë sugjerimet dashamirëse të drejtuesve të lartë të CDU, gjendja sot do të ishte krejt e ndryshme.

At Zef Pllumi, frymëzimi për të triumfuar ndaj të keqes

Lulzim BASHA

28 gushti i sivjetëm është përvjetori i 95-të i lindjes së françeskanit të madh, shkrimtarit të pazakontë dhe prijësit shpirtëror që aq shumë iu desh shqiptarëve At Zef Pllumit. Në 45 vitet e diktaturës si rojtari i kujtesës, dhe pas vitit 1990, si kleriku këmbëngulës ai bashkë me kolegët e tjerë mbijetues kreu rimëkëmbjen madhështore të Kishës, dhe si mësuesi i mirë ndihmoi qindra të rinj të gjenin rrugën e tyre drejt dijes në ato vite të trazuara, kur rruga dhe keqbërja ishin një joshje fatale e tranzicionit.

At Zef Pllumi mori nga plejada e shquar e patriotëve klerikë që në vitin 1945 u ndeshën me diktaturën e egër orientale, antikatolike e antikombëtare, amanetin për të qëndruar, për të jetuar e për të dëshmuar epopenë e qëndresës dhe të ringjalljes. Nxënësi i Gjergj Fishtës, Anton Harapit, Gjon Shllakut e Martin Gjokës e mori këtë detyrë, shumë herët, së bashku me shugurimin e tij meshtar, në atë kohë të zezë, kur shumëkush largohej nga Kisha për të mos u shndërruar shënjestër e diktaturës.

Duke marrë në sy çmimin e gjakut e të martirizimit, ai u mbijetoi 25 viteve të burgut komunist dhe doli më 1990-n, për t’i udhëhequr shqiptarët në rrugën e kujtesës, dijes, moralit e ringjalljes. Qëndresa e At Zef Pllumit në diktaturë ishte madhështore. Për të kanë rrëfyer bashkëkohës e dëshmitarë të vuajtjeve në gulagët e diktaturës. Por puna dhe aktiviteti i At Zef Pllumit në liri, pas ’90, ishte frymëzues dhe i pashoq.

Kontributi për ringritjen e Kishës, rinxjerrja e Hyllit të Dritës, si një rojtare e kulturës kombëtare, e denjë për historinë që trashëgonte para 1944-s, por edhe prijëse në hullitë e vështira të tranzicionit, ndihma ndaj qindra të rinjve për të marrë rrugën e dijes, duke i dërguar veçanërisht në universitetet më të mira të Italisë e Austrisë, si dhe kontributi personal për publikimin e gjithë korpusit të veprave të françeskanëve të mëdhenj, janë shembulli si një klerik i sapodalë nga burgjet komuniste tregon rrugën si duhet të jetë një patriot i mirë, një qytetar i angazhuar dhe një mësues e devotshëm.

Kurora e kontributit frymëzues të At Zef Pllumit në tranzicionin shqiptar janë kujtimet e tij, të përmbledhura në veprën “Rrno vetëm për me tregue”. Si të gjitha punët e padër Zefit, edhe këtu ai eci në një rrugë të pashkelur, pa shembuj e pa sprova të regjistruara, duke na lënë një kryevepër të dëshmisë, të shkrimit, të gjuhës, të historisë e të moralit.

Nuk shtoj diçka të re, kur përsëris se në çdo shkollë të mesme duhet lexuar vepra e padër Zefit. Ajo rizgjoi nevojën ulëritëse të shoqërisë tonë për të reflektuar, për t’u penduar e për të bërë drejtësi.

Ato dëshmi të guximshme na dhanë shembullin se e keqja duhet nxjerrë nga institucionet e shtetit, nga politika, drejtësia e shkollat, pasi bashkëjetesa me të vetëm na pengon në rrugën tonë, e shndërron demokracinë tonë në një monstër që s’ka as drejtësi e as moral.

Këtë leksion s’e kemi nxënë mirë, politika sidomos s’e ka nxënë, sepse ajo për 30 vjet, u end mes marrëveshjeve që kanë sjellë një qeverisje korruptive, rritje të varfërisë dhe rikthim në linjën e parë të politikës, ekonomisë e të njerëzve të suksesshëm të hajdutit, dallkaukut, të paaftit dhe këto vitet e fundit edhe në një emulacion të kriminelit, si një njeri i zoti e që vetëm ai bën hajër në këtë vend.

Në 95-vjetorin e Padër Zefit e ndjej me vend të përsëris se nuk do të heshtim dhe nuk do të pranojmë kurrfarë kompromisi me të keqen. E keqja po e shkatërron shoqërinë dhe ne nuk do të reshtim duke e kundërshtuar atë.

Duke analizuar dallimet mes komunizmit dhe katolicizmit, Padër Zefi shkruan: “Janë dy doktrina krejtësisht të kundërta komunizmi dhe katolicizmi. Ne nuk pranojmë dhunë, baza asht dashunija. Gjithçka me e ba me dashuni, me vullnet, me të mbushun mendjet, me ndërgjegje, ndërsa baza e komunizmit asht dhuna, lufta e klasave dhe tanë marrinat”.

Është pikërisht kjo mendësi e marrëzive, e luftës së klasave ndaj punëtorit, ndaj të ndershmit dhe ndaj të drejtit, që po ringjallet sot më shumë se kurrë dhe po rrënon të gjitha arritjet e 30 viteve tranzicion.

Ky regjim që dekoron torturuesin e Padër Zefit, nuk e quan për gjë të nxjerrë nga zyrat shtetërore edhe të fundit përfaqësues të shtresës së të përndjekurve politikë, të inkurajojë mësymjen drejt pushtetit të bijve të etërve xhelatë si dhe të vjedhë vullnetin e shqiptarëve, në mënyrë që të vrasë rotacionin dhe demokracinë.

Këtë mësymje antidemokratike nuk kemi për ta pranuar kurrë. Beteja në mbrojtje të aspiratave shqiptare për demokraci dhe integrim në Europë prej dekadash ka dëshmorët e saj, por ka tek Padër Zef Pllumi apostullin e vet.

Është një betejë që ka vetëm një përfundim, fitoren. Është një betejë që duhet fituar, që fëmijët tanë, të rinjtë tanë të mos e braktisin vendin, por të rrinë këtu, për të treguar triumfin mbi një të keqe që i pat zënë pritë Shqipërisë në stacionin final të tranzicionit.

Çdo 28 gusht duhet të jetë një ditë që shqiptarët të ndalin e të mendojnë a kanë bërë sa duhet për të nderuar dëshminë dhe kontributin e Padër Zef Pllumit. Nëse gjenden keq, le të lexojnë “Rrno vetëm për me tregue”. Më pas, do të jetë më i thjeshtë orientimi, e keqja do të duket sheshit dhe ushtria e së mirës do të ketë në anën e vet edhe kontributin e një tjetër shqiptari të mirë.

Dëshmia: I njoha në burg, çfarë më kërkoi vrasësi i 26 vjeçarit pas krimit

Pesë ditë më parë kryeqyteti u trondit nga një ngjarje e rëndë kriminale. Një i ri 26-vjeçar u qëllua për vdekje në zëmër të Tiranës, ndërsa ishte duke punuar për kondicionimin e një vile trekatëshe në zonën e “Myslim Shyrit”. Bëhet fjalë për të riun nga Mallakastra, Indrit Çela, i cili u godit me plumb në kokë dhe për pasojë disa orë më vonë humbi jetën në Spitalin e Traumës. Ndërkohë, për këtë ngjarjen të rëndë u arrestuan katër persona dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim.

Njëri prej katër personave të arrestuar, Lorenc Veliaj ka dëshmuar para organit të akuzës faktin se si është njohur me vëllezërit Griseldo dhe Armando Kusi, të cilët janë shpallur në kërkim dhe dyshohen si autorë të vrasjes së teknikut të kondicionerëve, Indrit Çelajt.

Dëshmia e plotë e Lorenc Veliajt:
Unë aktualisht jam në kërkim për një ngjarje në Komisariatin e Policisë nr. 4, Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Që prej asaj date unë jam fshehur organeve të drejtësisë duke qëndruar në pronën (ish-piceri) të shtetasit Ali (Edmond) Sula, në Bërxullë, Tiranë.

Unë ditën e djeshme më datë 22.08.2019, kam qenë në pronën e Ali Sulës dhe rreth orës 11:40, aty ka ardhur shtetasi Griseldo Kusi, të cilin unë e njoh pasi kemi qenë në burg me vëllain e tij, Albano Kusi dhe prej asaj kohe kemi vazhduar shoqërinë.

Griseldo ka ardhur i vetëm dhe më ka takuar, ku gjatë takimit ai më ka treguar se kishte ardhur pasi kishte një hall për të cilin unë mund ta ndihmoja dhe më ka treguar se “tek vila e tij tre katëshe e cila ndodhet në afërsi të shkollës Sabaudin Gabrani, ai (Griseldi) kishte qëlluar me qytën e pistoletës një person të cilit nuk ja dinte emrin, por më ka treguar se ishte punëtori i tij i cili po montonte kondicionerët”, më pas Griseldo më ka shpjeguar se personin e kishin dërguar në spital pasi ishte çarë në kokë.

Po kështu, Griseldo në mënyrë shoqërohet më ka kërkuar që unë të marr përsipër këtë ngjarje (krim) duke qenë se kisha edhe një problem të hapur me drejtësinë dhe ai më ka mbushur mendje duke më thënë që nuk është vepër e rëndë. Griseldo më ka thënë se me personin të cilin e kishte qëlluar me qytën e armës, do e mbyllte vetë problemin ndërsa për drejtësinë më ka kërkuar mua ta marr përsipër. Unë e kam pyetur Griseldon mos kishte bërë ndonjë gabim dhe e kishte qëlluar me plumb këtë person, por ai më ka thënë se jo, e kam qëlluar vetëm me qytën e pistoletës.

Griseldo ka qëndruar me mua deri në orën 13:30 dhe gjatë kësaj kohe ka ardhur edhe shtetasi Ali (Edmond) Sula, i cili me sa kuptova unë ishte në dijeni të kësaj ngjarje dhe Aliu ka marrë Griseldon dhe janë larguar së bashku me makinën e Aliut. Pasi ka ikur Griseldo, unë jam menduar dhe pas disa kohësh për ngjarjen që më tregoi Griseldo dhe duke qenë se unë kam në përdorim një aparat celular Samsung, kam hyrë në “Google” dhe aty kam parë lajmin ku kam lexuar se personi i cili më kishte treguar Griseldo ishte goditur me plumb në kokë dhe ndodhej në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak.

Menjëherë pas këtij lajmi që lexova, kuptova se Griseldo më kishte mashtruar dhe unë jam frikësuar dhe s’kisha pse të merrja këtë risk mbi vete dhe kam vendosur të vetëdorëzohem në Policinë e Tiranës dhe për të treguar të vërtetën në lidhje me këtë ngjarje. Unë që kur jam shpallur në kërkim jam fshehur në ish-picerinë e këtij shtetasi duke qenë se kam shok shtetasin Ali Sula, pasi i tregova se kam disa probleme me drejtësinë.

Griseldon unë e kam njohur prej vëllait të tij, me të cilin kemi qenë së bashku në burgun e Vaqarrit, pasi kemi dalë nga burgu me vëllain e tij Albanon dhe kemi përforcuar shoqërinë, po kështu me Griseldon. Unë di se Griseldo merret me persona pasi ka dyqane si dhe një vilë, e cila po rikonstruktohej dhe që për rikonstruksionin e saj, kujdesej zakonisht Griseldo, i cili më ka treguar se shkonte shpesh dhe kontrollonte punëtorët, vilë në të cilën më tregoi se kishte ndodhur edhe ngjarja e djeshme.

Griseldo vinte shpesh në një lokal afër vendit ku unë fshihesha nga policia gjatë kësaj kohe dhe pinim kafe së bashku me vëllain e tij Albanon si dhe Aliun. Griseldo mbante në shumicën e rasteve armë zjarri me vetë të llojit pistoletë, zakonisht e mbante në një çantë me ngjyrë të zezë.

Nuk e di çfarë lloji por nuk ishte pistoletë TT. Griseldo me Aliun janë shokë të ngushtë, qëndronin së bashku shpesh si në afërsi të banesës së Aliut, ashtu edhe në zonën e Myslym Shyrit apo edhe tel Vila 88, ku qëndronte shpesh Griseldo me njerëzit e vet.

Atje kam pirë edhe unë kafe së bashku me Griseldon si dhe Albanon dhe Aliun. Ka pasur raste që aty kishte edhe shokë të tjerë të tyre të cilët i njoh vetëm me fytyra. Aliun e kam takuar kur ai ka ardhur pasi në ish-biznesin e tij kishte ardhur Griseldo, gjatë kësaj kohe unë nuk e di se ku ndodhej Aliu. Pasi kemi mbaruar bisedon, kur jam larguar, Griseldo dhe Aliu kanë ikur të dy së bashku me një automjet të cilin unë nuk e kam fiksuar.

Tirana tronditet nga atentatet mafioze, kush është ish efektivi i policisë i ekzekutuar

Tirana është tronditur në orët e vona nga një tjetër atentat mafioz. Raportohet se deri në këto moment ka një të vrarë. Atentati ka ndodhur në zonën e “Kinostudios” dhe personi që qëlluar ka qenë Brenda në makinën e tij. Ende nuk bëhet i ditur emri i viktimës, ndërsa nuk muhnd të thuhet se autorët e atentatit të jenë kapur.

Trupi i viktimës sikurse raportohet është ende në makinën e vet dhe nuk është bërë asnjë lëvizje e tij në drejtim të spitalit. Atentatoret jane larguar duke marre rrugen drejt zones së njohur me emrin “Fresku”.

Nga raportimet e fundit mësohet se viktimë e atentatit me armë ka mbetur shtetasi S.Malko, njw ish efektiv policie.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Xhanfizo Keko” në kryeqytet. Autori i vrasjes është larguar drejt zonës së Freskut.

Në prill të 2016-ën ky person ka punuar për pak kohë si pjesë e policisë së shtetit pjesë e patrullave. Në këtë kohë ai ka paur një konflikt që lidhej me çështjen e basteve sportive.

Burime në vendin e ngjarjes thonë se autorët janë larguar më pas për të humbur gjurmët në drejtim të Freskut. Në vendin e ngjarjes ndodhen forca të shumta të policisë.