32.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Konflikti për notën e anglishtes/ E rëndë në Peshkopi, vëllai i mësueses masakron studentin, institucionet heshtin!

Një ngjarje e paprecedentë kriminale ka ndodhur dje në qytetin e Peshkopisë.

Gerjan Kaca, student në Fakultetin e Ekonomisë Tiranë, është goditur dhe rrahur sapo ka dalë nga shtëpia nga Ervis Vraniҫi dhe dy persona të tjerë të maskuar. Gerjan Caka është duke u trajtuar në spitalin e Peshkopisë prej goditjeve të marra në kokë dhe në këmbë.

Rastin e kanë denoncuar në redaksinë e Alfapress.al, familjarët e studentit të dhunuar.

Ngjarja e rëndë është pasojë e një konflikti të krijuar nga mësuesja e anglishtes Erjola Lata, mësuese në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Said Najdeni” Peshkopi, me nxënësen Helena Kaca në lidhje me vlerësimin në lëndën e anglishtes.

Dhunuesi, Ervis Vranici, (Në foto), i cili ka kryer veprën penale të “të plagosjes së rëndë me dashje” është vëllai i mësueses së anglishtes Erjola Lata dhe Gerjan Kaca është vëllai i nxënëses.

Që nga shtatori, nxënësja dhe prindërit e saj kanë ndjekur hapat institucionalë për të zgjidhur konfliktin duke iu drejtuar drejtorit të shkollës, Z. Shefki Ҫorja, Përgjegjëses së zyrës arsimore Znj. Lediona Gjoka dhe prefektit të qytetit Z. Nexhbedin Shehu.

Zvarritja e zgjidhjes është dëshmi e mungesës së profesionalizmit dhe vullnetit të Drejtorit të shkollës “Said Najdeni”, duke filluar që nga mënyra aspak profesionale që ka trajtuar problemin duke krijuar presion psikologjik si mbi vajzën, ashtu dhe mbi familjen e saj, dhe në zvarritjen e moszgjidhjes e cila përfundoi në një akt kriminal të dhunimit të vëllait të nxënëses.
Zgjidhja e konflikteve mësues-nxënës, mësues-prind është detyrim institucional i Drejtorisë së shkollës dhe Zyrës Arsimore, të cilat duhet ta kishin prioritet shëndetin mendor dhe të drejtën e një adoleshentje dhe profesionalizmit të mungur të mësueses.
Akti kriminal ka tronditur mësues e nxënës dhe qytetin e Peshkopisë.

Drejtori i shkollës Z. Shefki Ҫorja duket se po shmang përgjegjësinë institucionale, për moszgjidhje të konfliktit dhe precipitim të tij në dhunë kriminale.

Edhe përgjegjësja e Zyrës Arsimore Dibër Znj.Lediona Gjoka duhet të mbajë përgjegjësi instiucionale për zvarritje dhe moszgjidhje të situatës.

Familjarët dhe opinioni publik në qytet kërkijnë nga drejtori i Policisë, Artion Duka, që në mënyrë profesionale të kryejë të gjitha veprimet operacionale në identifikimin dhe arrestimin e të gjithe personave që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje kriminale, sa më shpejt të jetë e mundur duke shmangur kështu arratisjen e tyre.

Prokurori i rrethit Dibër Z. Abaz Muça duhet të merret me hetimin e shpejtë dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes duke përfishirë çdo subjekt, edhe mësuesen, drejtorin e shkollës apo ҫdo funksionar tjetër publik ku nëpërmjet shpërdorimit të detyrës u bënë shkak i prodhimit të një ngjarje tjetër penale, asaj të plagosjes së rëndë me dashje./Alfapress.al

Konflikti për notën e anglishtes/ E rëndë në Peshkopi,

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

Nga Kastriot Kotoni

Shterimi i fakteve historike që çuan drejt thirrjes së Kongresit të Lushnjes për nga kronologjia e ngjarjeve do të ishte i njëjtë si me historinë e flamurit kombëtar apo më thjesht akoma, kush e pruri në Shqipëri himnin kombëtar, i cili ishte kënduar në çdo rast me vargjet e plota: “Në dorë armët do t’i mbajmë / të mbrojmë atdheun në çdo kënd / të drejtat tona ne s’i ndajmë / këtu armiqtë s’kanë më vend.”

Lushnjen nuk duhet ta këmbejmë as me teoritë sempliste të daljes së vajgurit, me etjen e një populli për liri dhe mbrojtjen e trojeve të veta, siç rreken ta denigrojnë ca të ashtuquajtur historianë profanë; as nuk është shumë e rëndësishme dora e fshehtë e kulisave të diplomatëve të botës, thotë ndër të tjera Ali Bej Këlcyra në fjalën e hapjes së seancës së parë të Kuvendit Kushtetues në vitin 1924.

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

Më tej shton Ali Bej Këlcyra: “Në Lushnje u vendos luftë, kundra të gjithëve, luftë kundra kujtdo, sado i fortë të jetë, që guxon të shkelë kufijtë e Shqipërisë, të drejtat e saj vitale minimumin në kufijtë ‘Londinezë’. Në Kongresin e Lushnjes u dëshmua se, në çdo pëllëmbë toke shqiptare, i huaji të mos gjejë veç një kapicë kockash dhe një tokë gërmadhash, të cilat në mes të shkretëtirave të jenë si një shenjë protestimi të përjetshëm në historinë e lirisë kombëtare kundër padrejtësisë së diplomacisë evropiane.”

Pas fjalës së Ali Beut, e cila u përcoll me duartrokitje nga të pranishmit në sallë, e mori fjalën Luigj Gurakuqi, i cili tha: “Parafolësi im, Z. Ali Këlcyra, bëri një pasqyrë sinoptike të historisë së Shqipërisë, të historisë së kombit shqiptar, qysh prej ditës së Skënderbeut e deri në ditët tona. Shkoi me shpejtësi me fjalë të bukura dhe rrëmbyese te të gjitha ngjarjet që shkëlqejnë më tepër në historinë tonë, që tregojnë mundimet e popullit shqiptar për lulëzimin e kombit, që tregojnë se Shqipëria ka jetë, ka gjallëri.

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

Deri në ditët e fundit ka qenë hapur një fjalë se shqiptarët nuk dinë të mblidhen, nuk dinë të bashkohen e nuk dinë t’i shtrijnë dorën njëri-tjetrit në ditët e rrezikut, e po kaloi rreziku, shqiptarët shpërndahen dhe nuk kanë qëndrim në besën e dhënë, e nuk dinë të vazhdojnë për të mirën e kombit. Këto tre vjetët e fundit, populli shqiptar ka treguar se jo vetëm është i gatshëm që të mblidhet në kohët e rrezikut, por është i gatshëm të mendojë për të ardhmen, është i zoti të bëjë ligje që i përkasin përmirësimit të gjendjes së tij. Mbledhja e Vlorës, Mbledhja e Durrësit dhe Mbledhja e Lushnjes u bënë me qëllim që të shpëtojnë atdheun nga kërcënimet e të huajve, me qëllim që t’u tregojmë atyre se shqiptarët nuk ndrydhen aq lehtë e se Shqipëria do të rrojë.”

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

Patriotët shqiptarë më 31 janar të vitit 1919 vendosën mbledhjen e Kongresit të Lushnjes. Në vendimin përkatës thuhet: “Duke parë se në këtë kohë në Konferencën e Paqes do të caktohet fati i atdheut tonë, nga ana tjetër duke parë se turbullirat e brendshme dhe paqetësia në vend janë të dëmshme për të ardhmen e Shqipërisë dhe në dobi të synimeve të fqinjëve, të gjitha krahinat e Shqipërisë shfaqin dëshirën e plotë për një mbledhje kombëtare të përgjithshme. Për vendin e mbledhjes kanë pëlqyer Lushnjën, që ndodhet në kufijtë e Shqipërisë së Veriut dhe të Jugut. Lushnja, me gjithë krahinat e saj, është anëtare e plotë e kësaj mbledhjeje.”

Mbledhja caktoi një komision të posaçëm, i cili merrej me organizimin e kongresit. Komisioni formuloi thirrjen dhe programin, të cilin më 1 janar të vitit 1920 ua nisi gjithë katundarisë (bashkive) të Shqipërisë për të zgjedhur delegatët. Në pikën e parë të thirrjes së Kongresit thuhet: “Qëllimi i mbledhjes së përgjithshme është sigurimi i bashkimit shqiptar.”

Populli i Lushnjes i priti mysafirët krahëhapur dhe siguroi të gjitha kushtet për zhvillimin normal të Kongresit. Në deklaratën e parë që nënshkroi Kongresi ishte protesta kundër Italisë, ku thuhej: “Shqiptarët dinë të vdesin për të mos shkuar nga njëra dorë te tjetra si tufë delesh e të bëhen plaçkë e atyre që drejtojnë sot diplomacinë e Evropës.”

Kongresi, pasi analizoi veprimtarinë e Qeverisë së Durrësit, e rrëzoi atë dhe në vend të saj zgjodhi qeverinë kombëtare të kryesuar nga Sulejman Delvina. Zëvendëskryetar i saj u zgjodh Eshref Frashëri, dhe anëtarë të qeverisë ishin: Mehmet Konica për punët e jashtme, Sotir Peci për arsimin, Hoxhë Kadriu për drejtësinë, Ndoc Çoba për financat, dhe ministër i brendshëm u zgjodh Ahmet Zogu.

U caktua një delegacion me emra të rinj për në Konferencën e Paqes, i përbërë nga Mihal Turtulli, Imzot Bumçi dhe Mehmet Konica. Çështja e vendosjes së regjimit u vendos që të mos dilej kundër vendimit të Fuqive të Mëdha të nënshkruar më 29 korrik 1913, dhe më vonë statusi organik i Shqipërisë më 10 prill të vitit 1914, kishte vendosur regjimin monarkik. Për këtë arsye u mendua për një regjencë prej katër vetësh, që do të emërtohej si Këshilli i Lartë dhe do të përfaqësohej nga Aqif Pashë Elbasani, Mihal Turtulli, Luigj Bumçi dhe Abdi Bej Toptani.

Kongresi zgjodhi një Këshill Kombëtar prej 37 vetësh. Të drejtat dhe detyrat e organeve të larta të shtetit u përcaktuan me një akt kushtetues prej 6 nenesh, të quajtur “Bazat e Kanunores.”

Në të gjitha këto veprimtari shquhej edhe mendja e Ferit Vokopolës si një politikan i mprehtë dhe largpamës, bashkë me patriotë të tjerë. Kjo figurë emblematike e Kongresit të Lushnjes nuk duhet harruar. Kur themi këngën e Kongresit, kemi thënë edhe emrin e autorit të vargjeve të saj, që e bëri Lushnjen të hyjë në historinë e kombit shqiptar.

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

Ferit Vokopola, i lindur më 18 gusht të vitit 1887 në fshatin Vokopolë të Beratit, ishte një nga figurat qendrore të pavarësisë dhe të shtetndërtimit të Shqipërisë. Ai kreu shkollën fillore në qytetin e Beratit dhe të mesmen dhe studimet e larta për jurisprudencë dhe ekonomi në Stamboll. Pas kthimit në atdhe, ushtroi për disa vite profesionin e avokatit në qytetin e Beratit.

Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Lushnjës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Mori pjesë në të gjitha mbledhjet e tij dhe firmosi Deklaratën e Pavarësisë. Qeveria e Vlorës e ngarkoi me detyrën e organizimit të furnizimit të ushtrisë kombëtare në zonën e Myzeqesë, duke bashkëpunuar ngushtë me ministrin e Luftës, Mehemet pashë Drallën, dhe Azis pashë Vrionin. Ishte korrespondent i gazetës “Përlindja e Shqipërisë” dhe botoi shumë artikuj me tema politike, për bujqësinë dhe tregtinë.

Në qeverinë e Princ Vidit, mori postin e kryesekretarit në Ministrinë e Industrisë së Minierave. Në janar të vitit 1920 ishte një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjës, ku mori pjesë si përfaqësues i prefekturës së Beratit, Lushnjës dhe Skraparit. Ferit Vokopola mbajti fjalën e hapjes së Kongresit dhe u zgjodh sekretar për mbarëvajtjen e punimeve të tij. I takon atij merita, sepse shkroi “Himnin e Kongresit të Lushnjës”.

Punoi në sekretarinë e Kryeministrisë nga viti 1920 deri në vitin 1923, kur nisi veprimtarinë si deputet i Beratit. F. Vokopola u zgjodh disa herë deputet, deri në vitin 1939, dhe ishte një nga zërat më aktivë të parlamentit të kohës, duke dhënë një ndihmesë të çmuar në fushën legjislative. Së bashku me disa deputetë të tjerë, ishte njëri nga hartuesit e Kodit Civil. Si Ministër i Bujqësisë, propozoi ligje që janë ende sot në fuqi.

Në vitet 1920-1928, ishte një nga nismëtarët kryesorë për themelimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe dha kontribut të ndjeshëm për ngritjen e Medresesë së Përgjithshme të Tiranës. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939, u tërhoq nga jeta politike dhe shtetërore dhe iu kushtua krejtësisht aktivitetit fetar. Drejtoi revistën “Njeriu”, e cila doli rregullisht nga viti 1942 deri në qershor të vitit 1944.

Ky intelektual shqiptar ishte ndër të parët që përktheu Kuranin nga osmanishtja e vjetër për një kohë dhjetëvjeçare. Pas çlirimit të vendit, ai u burgos nga pushteti komunist për dhjetë vjet. Edhe pas daljes nga burgu, e lanë pa punë. Në vitet e fundit të jetës punoi për pesë vjet si përkthyes nga osmanishtja në Institutin e Historisë. Vdiq i harruar në vitin 1969 dhe u nderua, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

Jorgji Karbunara (Babë Dudë Karbunara), një tjetër veprimtar i Rilindjes Kombëtare, lindi më 5 maj të vitit 1842 në lagjen “Kala” të Beratit. Në moshë të thyer e thërrisnin, për respektin që gëzonte në popull, “Babë Dudë”. Mësimet e para i kreu në Berat, ku përdorej gjuha greke, dhe më pas shkoi në Korfuz në një shkollë për mësues. Prej këtej shkoi në Trieste (Itali), ku përfundoi gjimnazin klasik dhe mori një kulturë të gjerë për kohën. Njihej mirë greqishtja e vjetër dhe latinishtja, greqishtja e re dhe italishtja, si dhe frëngjishtja; ishte i kompletuar me njohjen e kulturës antike greke dhe asaj romake.

Në vitin 1870 filloi punë si mësues në shkollën Unike të Beratit. Nuk e ndërpreu aktivitetin e tij patriotik dhe u bë një nga veprimtarët e rëndësishëm të degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Berat. Ai punoi pa u lodhur për përhapjen e gjuhës shqipe dhe ideve kombëtare në shkollat e Beratit dhe fshatrat përreth, në zonën e Shpiragut dhe të Muzeqesë. Viti 1895 e gjen duke psalur Ungjillin në gjuhën amtare, por kjo u ndalua. Shqiptarizmi i tij ra në sy të autoriteteve turke të cilët e përndoqën dhe i dogjën shtëpinë bashkë me të edhe librat.

Në vitin 1898 ai ishte një nga nismëtarët e Shoqërisë “Bashkimi” në Berat. Me nismën e kësaj dege u hap gjimnazi në lagjen “Goricë” ku drejtor ishte patrioti i shquar beratas Llambi Goxhomani delegat i Kongresit të Lushnjës dhe deputet në parlamentin e parë shqiptar. Babë Dudë Karbunara u bë pjesë e trupës mësimore të këtij gjimnazi. Me shpalljen e Kushtetutës Turke  në vitin 1908 me mbështetjen e patriotëve shqiptar Babë Dudë Karbunara hapi dy shkolla shqipe së bashku me patriotin Sulo Resulin jepnin mësim.

Më 1908 ai u zgjodh nënkryetar i klubit “Bashkimi” të Beratit. Babë Dudë Karbunara njihet për veprimtarinë e tij patriotike të viteve 1911-1912, ku ai ishte nismëtari i krijimit të Komitetit të Shqiptarëve që vendosi lidhje me Komitet e tjera që vepronin në gjithë Shqipërinë. Ai dha ndihmesë të madhe në thirrjen e Kuvendit të Sinjës më 23 korrik1912.

Në nëntor u zgjodh delegat i Kuvendit të Vlorës si përfaqësues i Beratit dhe njëkohësisht është firmëtar i Shpalljes së Pavarsisë. Si anëtar i Pleqësisë ai bashkëpunoi ngushtë me Luigj Gurakuqin dhe Jani Mingën për çështjet e arsimit. Esad pashë Toptani ishte armiku i tij kryesor, i cili me mercenarët e tij i dogji shtëpinë dhe e arrestoi duke e torturuar.

Babë Dudë Karbunara mbylli sytë në moshën 75 vjeçare në vitin 1917, pra 3 vjet përpara Kongresit të Lusnjës, në të cilin padyshim po të kish jetuar më gjatë do të ishte delegat dhe përfaqësues i popullit të Beratit, Skraparit dhe Myzeqesë, të cilët e respektuan gjatë ceremonisë së përcjelljes për në banesën e fundit. Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarsisë është nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

Nebi Sefa lindi në Lushnjë në vitin 1861. Mësimet e para i mori në vendlindjen e tij dhe në Berat. Si bir i një pronari të madh tokash, Ismail bej Sefës, por edhe një veprimtari patriot, i cili fuste libra shqip nga Bukureshti dhe Sofja, Nebiu u ndikua shumë në formimin e tij patriotik. Gjatë udhëtimeve që bënte me të atin në Sofje dhe në Bukuresht për punë tregtie, ai ra në kontakt me atdhetarët e kolonive shqiptare dhe nisi një propagandë pro ideve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në Lushnjë.

Në vitin 1908 mbështeti Kongresin e Manastirit dhe propagandoi vendimet e tij për përhapjen e gjuhës shqipe me alfabetin latin. Ai u ftua në ceremoninë e hapjes së shkollës “Normale” të Elbasanit. Nebi Sefa u bë një veprimtar i flaktë i çështjes kombëtare kundër zgjedhës turke, dhe me shumë patriotë lushnjarë mbështeti Memorandumin e Greçës, si dhe nënshkroi një sërë peticionesh në përkrahje të autonomisë së Shqipërisë.

Në nëntor të vitit 1912, ai priti në Kavajë Ismail Qemalin dhe delegatët që shkonin drejt Vlorës, dhe falë njohjeve që kishte në zonën e Lushnjës, bëri që të shmangeshin përplasjet me xhandarmarinë osmane, e cila kishte marrë urdhër për arrestimin e Ismail Qemalit. Në Kuvendin e Vlorës ai u zgjodh delegat i Lushnjës dhe nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë. Qeveria e Përkohshme e Vlorës e ngarkoi me detyrën e organizimit të ushtrisë në zonën e Lushnjës, Fierit dhe Mallakastrës.

Ngjarjet e vitit të mbrapshtë e gjejnë patriotin Nebi Sefa në krye të mbrojtjes së qytetit të Lushnjës nga forcat e Esad pashë Toptanit. Po ashtu, në vitin 1914, për shkak të aktivitetit të tij patriotik, forcat rebele të Haxhi Qamilit i dogjën shtëpinë dhe një pjesë të pronave iu vu zjarri, ndërsa Nebiun e dënuan me vdekje.

Në Kongresin e Lushnjës, e gjejmë Nebi Sefën si një nga organizatorët e tij në komisionin nismëtar për mbajtjen e kongresit. Gjatë zhvillimit të punimeve, ai u kujdes për mbarëvajtjen e tyre dhe për strehimin e delegatëve. Mund të thuhet se të gjitha shpenzimet e mbajtjes së Kongresit u përballuan nga financat personale të këtij patrioti.

Pas këtij kontributi në jetën e tij, ai u tërhoq për t’u marrë me biznes dhe përkrahu fuqimisht qeverinë e Fan Nolit. Mbylli sytë në qytetin e Lushnjës në vitin 1942 dhe u nderua, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

Qemal Karaosmani, një tjetër patriot nga Elbasani, mbështeti qeverinë e Sulejman Delvinës, të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Qemali shkollën fillore e mbaroi në Elbasan, më pas studimet e mesme dhe të larta i kreu në Stamboll. Pas studimeve, u emërua në Berat si shef i kadastrës dhe u lidh shumë me patriotët Babë Dudë Karbunara, Azis pashë Vrionin dhe Iliaz Vrionin për përhapjen e gjuhës shqipe. Q. Karaosmani u zgjodh delegat në Kongresin e Manastirit dhe mbrojti alfabetin latin.

Një ndikim të madh në jetën e tij pati edhe (kushëriri) Aqif pashë Elbasani, një tjetër delegat i shquar i Kongresit të Lushnjës, me të cilin bashkëpunoi në Kongresin e Elbasanit të vitit 1909 dhe për çeljen e shkollës “Normale” në këtë qytet. Në Kuvendin e Vlorës ai ishte delegat i Elbasanit dhe ka nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë nën siglën Qemal Elbasani.

Ai u emërua nga Kuvendi i Vlorës si kryesekretar i Qeverisë së Përkohshme dhe në fund të vitit 1913 mori postin si Ministër i Bujqësisë. U zgjodh disa herë deputet dhe, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, u tërhoq nga jeta politike. U gjend pas çlirimit të vendit në Kavajë, ku jetoi deri në fund të jetës së tij dhe mbylli sytë përgjithmonë në vjeshtën e vitit 1949. U nderua me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

 

Xhemal Naipi, përfaqësues i Shkodrës dhe kryetar i Këshillit Kombëtar, ishte delegat i Kongresit të Lushnjës. Xhemali, i shkolluar mirë për teologji dhe jurisprudencë, u kthye në atdhe nga Stambolli dhe nisi të kryejë detyra të rëndësishme fetare dhe shtetërore. Ai ka qenë kadi, myfti dhe kryetar për arsimin në Shkodër.

Me krijimin e Drejtorisë së Vakëfeve, u bë drejtuesi i saj dhe grumbulloi ndihma për ngritjen e shkollës së “Medresesë” në Tiranë, në vitin 1922. Ai punoi shumë për forcimin e një miqësie të sinqertë mes drejtuesve të tri besimeve që bashkëjetonin në qytetin e Shkodrës. Si veprimtar i çështjes kombëtare, ai përkrahu dhe ndihmoi në krijimin e “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, më 7 nëntor 1918. Mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si një nga delegatët më aktivë të tij.

Në një nga mbledhjet e Kongresit të Lushnjës, u vendos që Shkodra të përfaqësohej me katër senatorë (Senat) në Këshillin Kombëtar, dhe një ndër ta ishte edhe Xhemal Naipi. Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar, që u mbajt më 27 mars të vitit 1920 në Tiranë, u zgjodh edhe komisioni prej pesë vetash. Kryetar i këtij Këshilli u zgjodh Xhemal Naipi deri në shtator të 1920-s; më pas u zgjodh Dhimitër Kacimba.

Xhemal Naipi bashkëpunoi ngushtë me Hil Mosin, që ishte sekretar i Këshillit Kombëtar, për mbarëvajtjen e punimeve të legjislaturës së parë. Ai kundërshtoi pushtimin fashist të Shqipërisë dhe nuk u bë pjesëtar i delegacionit që i dërgoi kurorën e Skënderbeut në Romë, Mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit III. Për këtë akt, u burgos si antifashist në burgjet e Italisë.

Në vitin 1943 u zgjodh kryetar i Lëvizjes së Legalitetit dhe qëndroi në ilegalitet deri në vitin 1946. Më pas fillon kalvari tjetër i vuajtjeve të tij: i konfiskojnë pasurinë, i internojnë familjen në Berat, e dënojnë me pushkatim, por ia kthejnë në burgim të përjetshëm, për shkak të qëndrimit të tij politik ndaj regjimit komunist në fuqi. Ai njohu të gjitha kampet e punës dhe burgun e Burrelit.

Vdiq pa dijeninë e familjes në vitin 1955, në moshën 77-vjeçare. U dekorua me rastin e 75-vjetorit të Kongresit të Lushnjës me urdhrin “Për Veprimtari Patriotike të Klasit të Parë”, ndërsa me rastin e dekorimit të një grupi klerikësh është nderuar me medaljen “Pishtar i Demokracisë”.

Përgatiti
Kastriot Kotoni

Dështimi i impiantit të Shkumbinit, mbetjet vijojnë të vërshojnë në grykëderdhje

Autor: Fatjon Biba | Citizens.al

Në maj të vitit 2017, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, sot i dënuar me 6.9 vite burg për korrupsion e pastrim parashë, përuroi impiantin e pastrimit të grykëderdhjes së lumit Shkumbin. Kjo grykëderdhje, pranë fshatit Vilë Bashtovë në Rrogozhinë është e njohur si një nga më problematiket në vend, duke sjellë prurje mbeturinash drejt plazhit të Vilë Bashtovës dhe Spillesë.

“Ky është një investim në grykëderdhjen e Shkumbinit, është një nga lumenjtë që ka pasur dhe vazhdon të ketë problematikë, është një nga lumenjtë që krijon ndotjen më të madhe detare,” u shpreh asokohe ish-ministri Koka.

Ndërsa vijoi më tej se ky “investim i përkryer” disiplinon mbetjet e ngurta, ato plastike dhe vajrat, duke njoftuar se puna ka filluar edhe për rehabilitimin e grykëderdhjes së Ishmit.

Sot, ajo çfarë ka mbetur nga impianti i pastrimit pranë grykëderdhjes së Lumit Shkumbin janë vetëm disa mbetje të copëtuara, të cilat nuk bien në sy pasi janë mbuluar nga bimësia e zonës.

Impianti, si një përpjekje e vetme për të adresuar ndotjen e lumit Shkumbin nuk arriti të plotësojë as vitin, pasi u shkatërrua nga rrjedha e lumit.

Impianti bashkë me rikualifikimin e vijës bregdetare kushtoi rreth 1 milion dollarë, ndërsa fituese e tenderit ishte kompania “Integrated Technology Services” (ITS sh.p.k).

Shkatërrimi që në vitin e parë të barrierës dhe marrjen nga lumi të 1 milion dollarëve e ktheu shumë shpejt situatën në gjendjen e mëparshme. Pas gati tetë vitesh, sot ende nuk ka një projekt serioz për ti dhënë zgjidhje situatës alarmante të ndotjes.

Citizens.al iu drejtua me një kërkesë për informacion bashkisë Rrogozhinë dhe Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit, duke kërkuar detaje mbi menaxhimin e mbetjeve, situatën aktuale të ndotjes dhe projektet për zgjidhjen e saj. Mirëpo, institucionet refuzuan të përgjigjen.

Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT) në vitin 2022 sasia e mbetjeve urbane të menaxhuara është 820,322 tonë, ndërsa 10,8% e popullsisë në Shqipëri nuk mbulohet me shërbime komunitare për menaxhimin e mbetjeve urbane.

Në vitin 2023 sipas INSTAT u menaxhuan 844,157 tonë mbetje urbane, duke shënuar një rritje prej 0,03% krahasuar me një vit më parë.

Sipas ekspertëve të mjedisit duhet të ketë veprime të menjëhershme për të identifikuar burimet e ndotjes dhe se situata e ndotjes mund të zgjidhet pa shumë kosto.

Nga studimi dhe analiza që kam zhvilluar për pastrimin e lumit Ishëm, i cili ka ngjashmëri në strukturë dhe ndotje me lumin Shkumbin, kam arritur në përfundimin se nuk është e domosdoshme të investohet në vlera të larta për impiante pastrimi apo prita. Situata mund të zgjidhet më thjeshtë, duke identifikuar burimet kryesore të ndotjes, sikurse depozitimet e mbetjeve urbane,” u shpreh Lulzim Bauman, i angazhuar në çështjet mjedisore dhe ndotjen e lumenjve në Shqipëri.

Sipas Bauman, situata kërkon jo domosdoshmërish investime të mëdha, por angazhim dhe seriozitet nga institucionet për të siguruar zgjidhje.

“Kjo duhet të shoqërohet me fushata ndërgjegjësimi dhe, nëse është e nevojshme, me masa ndëshkuese kundër ndotësve,”- shprehet Bauman.

Ai thekson se ndotja e lumenjve ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme, duke përmendur si shembull përdorimin e ujërave të ndotura për bujqësi.

“Një shembull konkret është konsumimi i produkteve bujqësore, të cilat ujiten me ujërat e ndotur të këtyre lumenjve ose prodhohen në afërsi të tyre. Kjo e kthen ndotjen e lumenjve në një kërcënim serioz për shëndetin publik,” -përfundon Bauman.

Ndotja e Lumit Shkumbin, si dhe e lumenjve të tjerë në vend, është një problem madhor që kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe serioze nga të gjitha nivelet e qeverisjes. Dështimi i impiantit të pastrimit në grykëderdhjen e Lumit Shkumbin është një pasqyrë e qartë e mangësive në menaxhimin e projekteve mjedisore dhe dëshmon për nevojën e një reforme të thellë në këtë fushë.

Për të shpëtuar këtë pasuri natyrore, kërkohet një angazhim i përbashkët dhe një koordinim më i mirë midis institucioneve lokale dhe qendrore, për të siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët dhe mjedisin në Shqipëri.

Inaugurimi i presidentit Trump, Uashingtoni kthehet në një ‘Fortesë’, plani i sigurisë me 25,000 policë dhe 48 km barriera sigurie prej hekuri

Kryeqyteti federal i SHBA-së po përgatitet për inaugurimin e Donald Trump, me autoritetet që kanë marrë masa të paprecedentë sigurie, pas një fushate zgjedhore të karakterizuar nga dhuna. Inaugurimi i Trump të hënën do të jetë “ngjarja e tretë më e rëndësishme e sigurisë kombëtare” në dy javë, pas ratifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale nga Kongresi dhe funeralit të ish-presidentit amerikan Jimmy Carter.

Uashingtoni është mësuar me këto lloj ngjarjesh, por rrallëherë ndodhin kaq shumë në një periudhë kaq të shkurtër kohore. Zyrtarët e qytetit po përgatiten të mirëpresin më pak vizitorë sesa ata që morën pjesë në inaugurimin e parë të Trump tetë vjet më parë, kur zyrtarët parashikuan se deri në një milion njerëz do të dynden në Uashington.

Tashmë janë ngritur barrikada në rrugët përreth Shtëpisë së Bardhë, Kapitolit dhe një pjesë të rrugës që do të ndjekë presidenti i ri amerikan. Në perimetrin e sigurisë janë vendosur një numër rekord prej 48 kilometrash barriera sigurie me hekura.

Përveç kësaj, rreth 25,000 policë dhe personel ushtarak do të vendosen në Uashington, sipas Matt McCool, një agjent i Shërbimit Sekret, i cili është përgjegjës për mbrojtjen e figurave të rëndësishme politike dhe natyrisht të presidentëve.

“Ne kemi një plan sigurie më solide se në vitet e mëparshme”, tha ai këtë javë, duke shtuar se “janë marrë një sërë masash sigurie, disa prej të cilave janë të dukshme dhe disa jo”.

Përveç kësaj, të ftuarit në betim do t’i nënshtrohen kontrolleve të imta, snajperët do të kenë zënë pozicione në çatitë e ndërtesave fqinje, dronët do të mbikëqyrin eventin nga lart, ndërsa në terren do të ketë ekipe sigurie. “Ajo që ka ndryshuar është se ne jemi në një mjedis që është më kërcënues,” tha Makoul.

Fushata u dëmtua nga dhuna. Trump i shpëtoi për pak një tentative për jetën e tij në korrik në një tubim në Pensilvani, ku u vra një spektator. Dy muaj më vonë ai ishte objektivi i një atentati të dytë në një fushë golfi në Florida.

Shërbimi Sekret u kritikua ashpër për veprimet e tij pas këtyre dy incidenteve. Gjithashtu më 1 janar, një burrë futi makinën e tij në një turmë në New Orleans, duke vrarë të paktën 14 njerëz dhe një shpërthim ndodhi në një automjet Tesla përpara hotelit të Trump në Las Vegas. Këto dy incidente kanë shkaktuar shqetësim tek autoritetet.

Sipas shefit të policisë së Kapitolit, Thomas Munger, rreth 250,000 të ftuar do të marrin pjesë në inaugurim.

“Kërcënimi më i madh për të gjithë ne mbetet ai i ujkut të vetmuar ”, tha ai, duke iu referuar sulmeve nga individë. Por për autoritetet deri më tani nuk ka asnjë kërcënim të njohur dhe specifik për ceremoninë.

“Çdo katër vjet qyteti ynë merr pjesë në transferimin paqësor të pushtetit. Ne jemi krenarë për këtë përgjegjësi”, tha kryebashkiaku i Uashingtonit, Miriel Bowser.

Vizitorët marrin një email me udhëzime të hollësishme. Ata që kanë një ftesë për betimin marrin një email me lidhje në faqet që përfshijnë udhëzime të hollësishme për ditën e madhe.

Ndër të tjera, të ftuarit inkurajohen të vishen trashë, pasi temperaturat janë veçanërisht të ftohta në Uashington këtë kohë të vitit, dhe të përdorin metro – jo makinat e tyre – për të shkuar në vendin e ceremonisë.

Në këtë faqe ka udhëzime për kohën e mbërritjes, procesin e check-in-it, madje edhe një hartë se ku do të jenë tualetet kimike.

Protestat kundër Trump

Mijëra protestues anti-Trump do të jenë të pranishëm në Uashington, por shumë më pak se qindra mijëra që demonstruan një ditë pas inaugurimit të mëparshëm të republikanëve në 2017. Autoritetet presin rreth 25,000 njerëz në një demonstratë të planifikuar për të shtunën.

Demonstrata të tjera në shkallë më të vogël janë planifikuar për ditën e inaugurimit.

Policia do të sigurohet që njerëzit të “demonstrojnë dhe të mblidhen në mënyrë paqësore”, tha Bowser. Por “dhuna, shkatërrimi dhe sjellja e paligjshme nuk do të tolerohen”, theksoi ai. Të dielën, mijëra mbështetës të Trump do të dynden në Uashington për një tubim republikan.

Javën e kaluar shkalla e rezervimit së hoteleve në Uashington për të dielën ishte 70%, megjithëse pritet të rritet. Megjithatë, kjo është një përqindje më e ulët se 92% e regjistruar në inaugurimin e parë të Trump, theksoi kompania STR.

Shumë hotele kanë shpallur ‘oferta’ speciale për inaugurimin, duke përfshirë Watergate: Për 73,500 dollarë mund të flini në suitën presidenciale dhe të keni në dispozicion një helikopter, thuhet në një njoftim.

Rritet siguracioni i makinave/ Automjetet e bizneseve, shoferët e rinj dhe makinat e vjetra me çmim më të lartë

Sigurimi i detyrueshëm i makinës do të bëhet më i kushtueshëm gjatë 2025-ës. Me hyrjen në fuqi të rregullores së re kompanitë e sigurimeve e kanë të përcaktuar të vendosin për çmimin e primit mbi ato që quhen faktorë risku.

Duke marrë shembullin e një makinë të zakonshme me fuqi cilindrike deri në 2000 cm3, që janë motorët 2-mijësh, siç quhen në gjuhën e përditshme, në rajonin e Tiranës me moshën e shoferit mbi 21 vjeç dhe eksperiencë mbi dy vite në drejtimin e mjeti si dhe me vjetërsi mjeti mbi 15 vite, atëherë primi do të rezultojë 20 705 lek apo thënë ndryshe gati 10% më shtrenjtë se një vit më parë.

Vlera e primit mund të jetë deri në 30% më e shtrenjtë nëse siguracioni do të blihet për një shofer të moshës 18 – 21 vjeç. Për të njëjtën model makine primi shkon automatikisht në 23 811 lek.

Çmimi i siguracionit rritet në mënyrë të qenësishme nëse makina do të përdoret nga bizneset. Me rregullat e reja ka një koeficent 20% rritje për bizneset pasi llogaritet që rreziku është më i lartë në rastet kur ka disa përdorues.

Me sistemin e ri kompanitë e sigurimit ofrojnë edhe zbritje çmimi. Shoferët e qarkut Dibrës, Kukës dhe Berat përfitojnë një ulje minimale prej 500 lek sipas rregullave të reja.

Ndërkohë ende nuk është aktivizuar sistemi Bonus Malus i përcaktuar sipas ligjit të ri për siguracionin e detyrueshëm, ku shoferët që janë të kujdesshëm dhe me historik të mirë përfitojnë ulje në pagesën e primit.

Sipas rregullores ky sistem shpërblyes do të fillojë nga 2026-ta bazuar mbi historikun e 2025-ës. Për shoferët që kanë historik të gjatë aksidentesh primi do të jetë më i shtrenjtë.

Drejtoria e Transportit Rrugor bën me dije se janë 914 mijë mjete motorike të regjistruara në Shqipëri. 80.7% janë autovetura ndërsa 541 mijë prej tyre apo pothuajse 73% e tyre janë me vjetërsi mbi 15 vite.

Tarifat e reja ende duhet të miratohen nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, që mund t’i kërkojë kompanive të rishikojnë çmimet nëse konstaton se arsyetimi për rritjen nuk qëndron./TCH

Çfarë përmban marrëveshja 100-vjeçare mes Ukrainës dhe Britanisë?

Britania dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje 100-vjeçare të enjten, ku Britania zotohet t’i sigurojë Ukrainës 3.6 miliardë dollarë ndihma ushtarake këtë vit.

Marrëveshja u njoftua gjatë një konference të përbashkët për shtypin në pallatin presidencial në Kiev, ku Kryeministri britanik Keir Starmer iu bashkua Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Zoti Starmer është në udhëtimin e tij të parë në Ukrainë që nga marrja e detyrës.

Kryeministri Starmer e quajti marrëveshjen historike dhe tha se partneriteti i ri “pasqyron lidhjet e forta mes dy vendeve tona”. Partneriteti do të përfshijë bashkëpunimin në fushat e kulturës, arsimit, shkencës dhe teknologjisë.

“Po të ishte djali i Ramës, Saliu e therte” – Ylli Rakipi: Kjo opozitë është e kapur nga oligarkët dhe e qep gojën, si mund të besohen këta

Polici i qarkullimit rrugor, Azbi Spahiu, u hodh nga lartësia në një ngjarje të mbushur me mister, ku policia vetë nuk po jep asnjë informacion, ndërkohë që në media ka heshtje thuajse totale. Spahiu është një nga policët që ndaloi pak ditë më parë Martin Manen, djalin e biznesmenit të fuqishëm, Samir Mane.

Ndërkohë ajo që bën shumë përshtypje dhe çuditi edhe panelin në emisionin “Të Paekspozuarit” ishte heshtja totale e opozitës, veçanërisht e Sali Berishës, i cili di gjithçka, por tani i është “fikur” fare edhe qytetari dixhital.

Ylli Rakipi: Po të kishte qenë djali i Edi Ramës, Sali Berisha do të “therte” vetë Edi Ramën, me qytetar dixhital e me këto që nxjerr ai. Edhe Policia në këtë rast është turp, është polici fashiste, nuk jep informacion kur kolegu i tyre po vdes.

Andi Bushati: Arlind Qori është i kësaj teorie që oligarkët janë më të fuqishëm se politikanët. Po ti ndodhte Ramës apo Ballukut do e kishe titull në të gjithë mediat. Kjo shpjegon atë gjënë.
Nëse janë hedhur disa hipoteza, disa media periferike që kanë ngritur tezën që polici gati u vra sepse mbi të u ushtrua presion për faktin që ishte prezent në arrestimin e djalit të Samir Manes, kjo heshtje jep më tepër jehonë, i nge këto teza.

Kush akuzohet duhet të kundërpërgjigjet. Kur duket sikur blihet heshtja, teorinë konspirative e forcon. Njerëzit që nuk e kanë parë të debatuar në ekranet kryesore, mendja u ka shkuar, ka diçka për të fshehur. Prandaj këtu, e vetmja, edhe nëse Policia apo Prokuroria do të mbrojë Samir Manës, mbrojtja është përmes transparencës.

Ola Xama: Ajo që më bën përshtypje përtej mediave, për mua pyetja është po media opozitare çfarë bën? Portalet që bëjnë çdo gjë që ndodh në Shqipëri. Për biznesmenët e mëdhenj kur bien ngjarje të tilla, nuk i bëjnë lajmet. Kjo frymë opozitare do të pretendojë të dalë në zgjedhje? Nëse ka edhe 1% të vërtetë që dikush me pozitë të fuqishme ka çuar një polic drejt vetvrasjes… Është indiferencë totale, ndërkohë çfarë ndodhi me rastin e Xhisielës me fisin Raja? Nuk ngeli emision në darkë, portal, media, deputet i opozitës pa folur…

“2 mijë euro për çdo bebe të lindur, 20 mijë euro për fëmijën e tretë”, Basha: Familja në qendër të programit të Demokratëve Euroatlantikë për të ndalur shpopullimin

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se shpopullimi dhe rënien e lindshmërisë janë kërcënime serioze për të ardhmen e vendit. Ai thekson nevojën për politika konkrete që mbështesin rininë dhe familjet, duke promovuar një ekonomi që garanton dinjitet dhe zhvillim.

Sipas tij, në programin e Demokratëve Euroatlantikë, familja zë një vend qendror. Përmes Fondit për Mirëqenien e Familjes, Basha premton masa konkrete si:
• 2,000 euro për çdo bebe të lindur;
• 20 mijë euro për fëmijën e tretë;
• Mbulim të plotë të interesit të kredisë së banesës për 30 mijë çifte të reja.

“Familja shqiptare është e para për ne, sepse Shqipëria meriton më shumë,” deklaron Basha, duke bërë thirrje për një qeverisje të re që lufton korrupsionin dhe administron me përgjegjsh

Postimi i plotë i Bashës:

Shpopullimi dhe rënia e lindshmërisë po kërcënojnë të ardhmen e vendit tonë. Në një realitet ku kostoja e lartë e jetesës, pagat e ulëta dhe pamundësia për të siguruar një banesë të parë po i detyron të rinjtë të shtyjnë planet familjare, është koha për politika konkrete që mbështesin rininë dhe familjet. Vetëm me një ekonomi që krijon kushte për të jetuar e punuar me dinjitet, produkt i një qeverie të re që lufton frontalisht korrupsionin dhe administron me përgjegjshmëri dhe transparencë taksat e qytetarëve, do të mund të frenohet ky trend i rrezikshëm dhe të sigurojmë një Shqipëri më të fortë e më të begatë.

Familja është në qendër të programit të Demokratëve Euroatlantikë për zgjedhjet e 11 majit ️.

Përmes Fondit për Mirëqenien e Familjes –i japim fund harxhimeve të kota në koncesione e PPP korruptive, duke i vendosur paratë e taksave në shërbim të familjeve shqiptare. Ne propozojmë subvencione konkrete dhe të drejtpërdrejta:
2,000 euro për çdo bebe;
20 mijë euro për fëmijën e tretë;
Mbulim i plotë i interesit të kredisë së banesës për 30 mijë çifte të reja.

Familja shqiptare është e para për ne, sepse Shqipëria meriton më shumë

UNESCO: Ankthi i nxënësve shqiptarë për matematikën ka pësuar rënie

UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë) ka vënë re se niveli i ankthit të nxënësve shqiptarë për lëndën e matematikës ka pësuar rënie të dukshme ndërmjet vitit 2012 dhe 2022.

Sipas UNESCO, indeksi i ankthit të nxënësve shqiptarë për matematikën nga viti 2012 deri më 2022 ra me rreth 0.13 pikë. Gjithashtu nxënësit shqiptarë sipas testimit PISA të kryer në vitin 2022 morën 368 pikë në matematikë, 69 pikë më pak se në testin e 2018 dhe 21 pikë më pak se më 2012.

Që nga viti 2003, testi global i njohurive të 15-vjeçarëve “PISA” ka tentuar të vlerësojë ankthin për matematikën.

Ankthi për matematikën u mat, duke u kërkuar nxënësve t’u përgjigjen gjashtë pyetjeve “nuk jam dakord plotësisht”, “nuk pajtohem”, “pajtohem” ose “plotësisht dakord”.

Pohimet e nxënësve ishin “Shpesh shqetësohem se do të jetë e vështirë për mua matematika’; “Unë shqetësohem se do të marr nota të dobëta në matematikë”, ‘Tensionohem shumë kur më duhet të bëj detyrat e matematikës”, “Bëhem shumë nervoz duke bërë problemet e matematikës”, “Ndihem i pafuqishëm kur bëj një ushtrim matematike” dhe “Ndihem në ankth për dështimin në matematikë”.

Përgjigjet janë agreguar për të formuar indeksin PISA të ankthit të matematikës, duke ofruar një masë të standardizuar për të krahasuar ankthin në nivele të ndryshme dhe me kalimin e kohës.

UNESCO raportoi së fundmi se indeksi i ankthit të matematikës është rritur në mënyrë domethënëse në 37 vende dhe ekonomi ndërmjet 2012 dhe 2022, më së shumti në Austri, Danimarkë, Gjermani, Islandë, Lituani, Poloni, Sllovaki, Suedi, Turqi, Shtetet e Bashkuara dhe Vietnam.

Në Poloni dhe Suedi, për shembull, nxënësit 15-vjeçarë në vitin 2022 ishin të paktën 10 pikë përqindje më të tensionuar për matematikën sesa bashkëmoshatarët e tyre në vitin 2012.

Në të kundërt, ankthi ndaj matematikës ka rënë ndjeshëm në Shqipëri, Francë, Hungari, Jordania, Republika e Koresë, Katar, Rumani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

UNESCO e konsideron si pengesë për arritjet mësimore ankthin ndaj matematikës. Ankthi në matematikë, jo vetëm që i pengon nxënësit të ndjekin studimet e mëtejshme për matematikën, por i pengon ata edhe në dhe rrugët e karrierës drejt shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. Ankthi ka ndikim negativ në shëndetin mendor dhe mirqenien e përgjithshme në të gjitha grup-moshat.

Gjatë dekadave të fundit, ka pasur më shumë interes në të kuptuarit se kur dhe si zhvillohet ankthi i matematikës.

Hulumtimet tregojnë se shenjat e para të shfaqen që në moshën 6-vjeçare me implikime të rëndësishme për zhvillimin e mëvonshëm, pasi ankthi tenton të mbetet i qëndrueshëm ose të rritet me kalimin e kohës.

Por nga krahasimi i të dhënave vendet që kanë rënie të ankthit të matematikës të nxënësit kanë edhe rezultate të dobëta të njohurive në këtë lëndë sipas PISA.

Kjo lidhje vlen për Shqipërinë, Jordaninë, Katarin, Rumaninë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe./Monitor

Pakti i katërt Rama-Berisha përpara zbardhjes së listës së re Non-Grata nga SHBA

Brenda kësaj fundjave, siç është bërë e ditur nga Departamenti Amerikan i Shtetit pritet një listë e re Non- Grata në Ballkan. Ku përveç Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës, Serbisë e Malit të Zi, flitet edhe për një numër të konsiderueshëm të sanksinuarish nga Shqipëria.

Në listë flitet se janë politikanë, biznesmenë e botues të njohur. Të cilët akuzohen për korrupsion madhor dhe financim të destabilizimit të rajonit.

Pikërisht përpara publikimit të kësaj liste që mësohet se do të jetë shpërthyese, Sali Berisha dhe Edi Rama kanë arritur paktin e tyre të katërt për të mbetur në pushtet.

Pakti 4 ka një sërë klauzolash dhe një numër bashkëpuntorësh që kanë ndërhyrë dhe përfitojnë nga kjo marrëveshje.

Siç mësohet, në këtë batak, pra në marrëdhënien mes Berishës dhe Ramës, janë të njëjtët oligarkë që kanë përfituar gjithmonë fonde e koncensione publike prej këtij pakti.

Në krye qëndron Bashkim Ulaj, biznesmeni afër Sali Berishës, i cili është gjithashtu edhe klienti më i ngushtë i Edi Ramës si kur drejtonte bashkinë e Tiranës, ashtu edhe në qeverinë e tij 12 vjeçare.

Po të shohësh sjelljen e mediave të oligarkëve, kupton qartë se ku lëviz interesi i tyre në këtë marrëveshje, apo në çdo pakt të dinozaurëve.

Në prag të publikimit të listës së re Non- Grata, që mund të jetë tronditëse për elitën politike në vend, Sali Berisha dhe Edi Rama janë afruar aq shumë, sa janë gati të miratojnë çdo vendim për të ndaluar dëmin para zgjedhjeve të 11 majit. Nëse shihen vetëm mediat e oligarkëve që bashkojnë Edi Ramën dhe Sali Berishën, kupton thjesht se si paniku i ka pushtuar dy personazhet dhe enturazhin e tyre.

Më 10 janar, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, bëri publike në Zërin e Amerikës se Presidenti Biden do të publikojë një listë të re Non- Grata.

Në një letër drejtuar Kongresit amerikan, Presidenti Biden tha se ka vendosur ta mbajë në fuqi urdhrin ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor, të shpallur fillimisht në vitin 2001 dhe të ndryshuar në vitet 2003 dhe 2021. Ai e mori këtë vendim duke pasur parasysh “aktet e dhunshme ekstremiste, veprimet penguese dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, që pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike që vazhdojnë të paraqesin kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme amerikane”.

Urdhri, u zgjerua me disa elemente, përfshirë “përpjekjen, si bazë për përcaktim”- ndërsa më parë ishin parashikuar vetëm aktet e kryera. Po ashtu shtohen edhe kategori të reja për sanksionim si të qenurit anëtar “i një entiteti të sanksionuar”, përfshirja në sanksione e rrjetit të personave që kanë pronësi ose kontroll të përbashkët me persona të sanksionuar, si edhe e bashkëshortes/it apo fëmijëve të rritur të personit të përcaktuar.

Këto ndryshime të reja sugjerojnë që qeveria amerikane ka parasysh individë të caktuar të cilët po i konsideron nën masat e reja.

Qeveria amerikane ka menduar t’u dërgojë atyre një mesazh të fuqishëm që duhet të ndryshojnë qasje apo do të rrezikojnë të përballen me sanksionet e Shteteve të Bashkuara.

Përpara 20 janarit, logjikisht brenda kësaj jave lista pritet të publikohet zyrtarisht nga DASH. Listë që e dinë edhe Edi Rama e Sali Berisha, e që mund të sjellë një tërmet politik të përmasave të mëdha. Ndaj po përpiqen që të krijojnë lajme sensacionale, që të ushqehet media, një pjesë e së cilës, sipas informacioneve, është në listën e zezë të SHBA./Pamfleti