29.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Zelensky kërkon vazhdimësi të mbështetjes amerikane gjatë administratës Trump: SHBA, partner strategjik në stabilitetin global

Ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë po i afrohet trevjetorit të saj, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy thekson shpresat e vendit të tij për vazhdimësinë e mbështetjes amerikane edhe gjatë administratës së re Trump.

“Jemi duke pritur inaugurimin e presidentit amerikan. Unë mendoj se e gjithë bota është duke e pritur, sepse Shtetet e Bashkuara janë një partner strategjik në stabilitetin global”, tha Zelenskyy këtë javë gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Varshavë me Kryeministrin polak Donald Tusk.

Presidenti ukrainas Zelenskyy e përshkroi SHBA-në si “donatorin më të madh që mbështet Ukrainën në luftën e saj për mbijetesë përballë agresionit rus” dhe shprehu optimizëm për bashkëpunim të thelluar nën parimin e “paqes përmes forcës”.

Ai tha gjithashtu se qeveria e tij tashmë po koordinon me Uashingtonin në lidhje me takimet e mundshme me Presidentin e zgjedhur Trump, i cili merr detyrën të hënën.

“Ekipet tona janë duke punuar për detajet e këtij diskutimi vendimtar. Ne duam t’i japim fund kësaj lufte, por me kushtet e një paqeje të drejtë”, tha ai.

Fokusi kryesor për Ukrainën në negociatat e ardhshme të paqes do të jetë sigurimi i garancive të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse të sigurisë për të parandaluar një agresion të ardhshëm rus.

Presidenti i zgjedhur Trump ka shprehur skepticizëm për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake amerikane për Kievin, duke u zotuar vazhdimisht se do t’i jepte fund luftës që përpara se të merrte presidencën më 20 janar. Megjithatë, ditët e fundit, ndihmësit e tij kanë thënë se afati i ri kohor për përfundimin e luftës janë 100 ditët e para të administratës së tij, që do të ishte në fund të prillit.

I emëruari për postin e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, tha gjatë seancës së konfirmimit të tij të mërkurën: “Edhe nëse konflikti përfundon, Ukraina duhet të ketë aftësinë për të mbrojtur veten”. Ai shtoi se kjo është një çështje e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë për Ukrainën.

Kryeministri Tusk, duke qëndruar përkrah zotit Zelenskyy në Varshavë, tha se garancia më e mirë e sigurisë për Ukrainën do të ishte anëtarësimi në institucionet euroatlantike. Por, vuri në dukje ai, ideja për anëtarësimin e Ukrainës në NATO mbetet “e diskutueshme në disa vende”, duke e bërë jetike për aleancën perëndimore që t’i sigurojë Ukrainës një zgjidhje të prekshme, për të siguruar paqen në Evropë.

Fuqia e ushtrisë ukrainase

Ukraina nuk mund të përfshihet në “lojëra” duke zvogëluar përmasat e ushtrisë së saj, tha gjithashtu Presidenti Zelenskyy, duke hedhur poshtë idenë për ta bërë këtë.

Ai tha se një ushtri e fortë mbrojtëse është “garancia e vetme e sigurisë” përpara negociatave të mundshme të paqes me Rusinë. Komentet e tij iu referuan njoftimeve nga rrjeti Bloomberg News, se Presidenti rus Vladimir Putin pritet të kërkojë gjatë diskutimit me Presidentin e ardhshëm Trump, që Ukraina të ndërpresë lidhjet me NATO-n dhe të miratojë një status “vendi neutral” me një ushtri të kufizuar.

Duke theksuar fuqinë aktuale të ushtrisë së Ukrainës, zoti Zelenskyy tha se ajo tani përfshin 880,000 ushtarë të ngarkuar me detyrën për t’iu kundërvënë rreth 600,000 forcave ruse të përqendruara në rajone specifike. Sipas tij, Ukraina prodhon mbi 30% të pajisjeve të saj ushtarake, kryesisht dronët. Ai u ka bërë thirrje aleatëve dhe partnerëve që të investojnë për prodhimin ushtarak në Ukrainë.

Rusia dhe Ukraina bëjnë çdo ditë sulme ajrore ndaj njëra-tjetrës. Mijëra civilë ukrainas janë vrarë nga sulmet ruse, krahas viktimave të mëdha në radhët e forcave ukrainase dhe ruse, që nga fillimi i sulmit të Rusisë në shkurt 2022.

Nismat evropiane të sigurisë

Ndër opsionet e propozuara për garancitë e sigurisë është edhe ideja e Presidentit francez Emmanuel Macron për dislokimin e forcave evropiane në Ukrainë.

Gjatë vizitës së tij në Varshavë, Presidenti Zelenskyy konfirmoi se kishte diskutuar mbi propozimin. Duke iu përgjigjur pyetjeve të Zërit të Amerikës, presidenti ukrainas tha se edhe pse ideja mbetet në fazat e hershme, nisma, sipas tij, mund të jetë pjesë e garancive më të gjera të sigurisë për Ukrainën.

“Mbështesim idenë e një kontigjenti që përfshin aleatët dhe partnerët tanë strategjikë si pjesë e garancive të sigurisë. Megjithatë, vetëm kjo nuk do të mjaftojë”, tha zoti Zelenskyy. Si hap i parë, presidenti ukrainas tha se do të ishte efektive të dërgoheshin instruktorë perëndimorë në Ukrainë me një plan përgatitor gjithëpërfshirës, për të forcuar njësitë në terren.

Presidenti Zelenskyy tha gjithashtu se ka në plan ta diskutojë idenë me Kryeministrin britanik Keir Starmer, i cili mbërriti në Kiev të enjten me një zotim për të ndihmuar në garantimin e sigurisë së Ukrainës. Britania dhe Ukraina ranë dakord për një traktat “Partneriteti 100-vjeçar” që mbulon mbrojtjen, shkencën, energjinë dhe tregtinë.

Garancitë e tjera të sigurisë që vuri në dukje zoti Zelenskyy përfshijnë sanksione shtesë, dërgesa të vazhdueshme të armëve dhe investime për industrinë e mbrojtjes. Ai bëri thirrje për veprim urgjent ndërkombëtar, përfshirë me përdorimin e fondeve të ngrira ruse për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. “Mbështetja më e fortë për ushtrinë ukrainase do të ishte lëvrimi i 250 miliardë dollarëve nga pasuritë e ngrira ruse, për të blerë armët që i duhen urgjentisht Ukrainës”, tha ai.

Aspiratat për në BE

Udhëheqësit polakë dhe ukrainas përqafuan aspiratat e Ukrainës për në Bashkimin Evropian, si pjesë e procesit të paqes. Polonia, e cila mban presidencën e rradhës të BE-së, përsëriti angazhimin e saj për të përshpejtuar integrimin evropian të Ukrainës. Kryeministri Tusk e përshkroi presidencën e BE-së si një mundësi për të dalë nga ngërçi dhe për të përshpejtuar pranimin e Ukrainës.

“Do të punojmë pa kushte me Ukrainën dhe partnerët tanë evropianë për ta përshpejtuar këtë detyrë të madhe dhe thelbësore”, tha ai.

Zoti Tusk vuri në dukje se anëtarësimi i Ukrainës në BE do të rrisë sigurinë evropiane dhe ai premtoi ta bënte çështjen një përparësi. “Do ta thyejmë ngërçin që kemi për këtë çështje”, tha ai gjatë konferencës së përbashkët për shtyp. “Do ta përshpejtojmë procesin e anëtarësimit”./VOA

Jamal ndjek rrugën e Mesit, Barcelona e përgatit për ndryshimin e shumëpritur

Jamal do të mbajë veshur fanellën me numrin 10 në sezonin e ardhshëm. Ky është vendimi i marrë nga klubi katalanas, për fanellën që aktualisht e mban Ansu Fati.

Largimi i Ansu Fati është çështje kohe dhe do të jetë nderi i Jamal të mbajë fanellën legjendare. Sulmuesi i përfaqësueses së Spanjës ka numrin 19 mbi supe. Kështu ecën nën hapat e Mesit.

17-vjeçari është tashmë një kryefjalë te Barcelona. Prej dy sezonesh, impakti i tij është i dukshëm në fazën ofensive. Shpërthimin e pati në verë te Spanja me të cilën fitoi Europianin e Gjermanisë.

Duke mbajtur numrin 10, Jamal do të veshë një fanellë që e kanë pasur më parë dhe lojtari si Ronaldinjo dhe Romario.

Numri i personave që kalojnë gripin me infeksion po rritet nga viti në vit, shkak plakja e popullsisë dhe pandemia Covid

Barra e sëmundjeve të transmetueshme dhe të patransmetueshme në popullatë po rritet nga viti në vit.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se në tre muajt e fundit të vitit 2024, numri i personave që kishin pësuar infeksion të rrugëve respiratore ishte ndjeshëm më i lartë se në vitin e kaluar (shiko grafikun bashkëngjitur).

Të dhënat zyrtare tregojnë se nga shtatori në dhjetor 2024, numri personave që kishin infeksione respiratore nga virozat ishte mesatarisht 12,500 në javë, nga më pak se 10 mijë në javë që ishin vitin e kaluar në të njëjtën periudhë.

Mjekët e specializuar për sëmundjet respiratore shpjegojnë se, numri i personave që kalojnë gripin me infeksion po rritet nga viti në vit. Shkaqet madhore për këtë situatë janë plakja e popullsisë dhe pandemia Covid-19.

Një pjesë personash që e kanë kaluar me simptoma të rënda Covid-19, tani janë më shumë të ekspozuar ndaj virozave. Gjithashtu plakja e popullsisë i bën më të brishtë në përballimin e gripit.

Numri i personave me më shumë se një diagnozë po rritet shumë shpejt, pasi kjo lidhet edhe me plakjen e brezit të bumit të lindjeve në vitet 1960 dhe me stilin e jetesës, ndotjen etj.

Shumica e personave mbi 60 vjeç vuajnë nga diabeti dhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese që krijojnë një gjendje të rënduar të pacientët mbi 60 vjeç duke shtuar nevojën për trajtim me medikamente edhe te gripit.

Gjithashtu të dhëna të tjera nga ISHP tregojnë se në vitin 2023 numri i rasteve me kancer të gjirit u rrit.

Në vitin 2023, u diagnostikuan 744 femra me kancer të gjirit në të gjithë vendin ose 61.4 për 100,000 femra. Kjo sëmundje po zhvillohet edhe te meshkujt pasi në 2023 u diagnostikuan gjithashtu edhe 15 kancere gjiri te meshkujt. Numri absolut i rasteve të diagnostikuara në 2023 u rrit me 4.8% në krahasim me 2022.

Sipas ISHP vlerësohet të jenë rreth 5,000 gra që jetojnë me kancer të gjirit në vendin tonë. Risku për t`u diagnostikuar nga kanceri i gjirit rritet me moshën deri në 70 vjeç. Risku maksimal është në moshën 50 deri në 70 vjeç. Pas kësaj moshe vërehet një rënie. Risku është shumë i ulët, por jo zero në moshën 20-30 vjeç.

Mosha mediane e rasteve të reja në momentin e diagnozës është në 57,6 vjeç në vitin 2023. Rritja e moshës mediane është një prirje e ndikuar nga rritja e moshës mesatare të popullatës apo “plakja” relative e popullatës dhe raportohet kudo në botë, thuhet ne raportin e ISHP-së./Monitor

Nga Gaza, në Hënë/ Ja 25 vendet e rrezikuara, pjesë e listës edhe Shqipëria!

Manastiret e Luginës së Drinos në vendin tonë janë pjesë e listës së 25 vendeve të rrezikuara të World Monuments Watch për vitin 2025.

Në listën e vendeve të rrezikuara janë jo vetëm vendet në Tokë, por, për herë të parë, futet edhe një tjetër përtej saj, Hëna. Që nga fillimi i saj në 1996, nisma jofitimprurëse ka vënë në pah 904 vende në 135 lokacione dhe madje edhe në Antarktidë, duke synuar të rrisë ndërgjegjësimin dhe financimin për të mbrojtur monumentet kulturore dhe historike nën kërcënim.

Dhe ndoshta shtimi më befasues në listë është Hëna. Dikur një simbol i aspiratës njerëzore, tani sateliti përballet me rreziqe të mundshme nga aktivitetet e ardhshme njerëzore, veçanërisht nga udhëtimet komerciale hapësinore.

“Megjithëse Hëna mund të duket se qëndron jashtë këtyre çështjeve, ajo përfaqëson një trashëgimi të përbashkët njerëzore nga prania e saj në narrativat kulturore deri te roli i saj në historinë e fundit dhe përballet me presione në rritje nga interesat private”, tha presidenti dhe CEO i WMF, Benedicte de Montlaur.

Bëhet e ditur se ky paralajmërim vjen pasi SpaceX lëshoi dy roverë privatë në Hënë më 15 janar, në të njëjtën ditë që WMW publikoi raportin e saj. Programi Artemis i NASA-s synon gjithashtu të kthejë njerëzit në Hënë këtë dekadë, me plane për një bazë të përhershme hënore për të mbështetur misionet e Marsit.

Cilat vende të tjera janë në listën e të rrezikuarave?

Lista e këtij viti thekson një sërë sfidash me të cilat përballet trashëgimia globale, duke përfshirë konfliktin njerëzor, ndryshimet klimatike, urbanizimin e shpejtë dhe mbiturizmin.

Vendet në listë që bien nën kërcënimet e ndryshimeve klimatike përfshijnë Bregun Suahili të Afrikës, ku rritja e nivelit të detit dhe moti ekstrem rrezikojnë peizazhet shekullore duke përfshirë xhamitë dhe varret, si dhe 67 fanarë historikë përgjatë vijës bregdetare të Maine, të cilët përballen me rreziqe të ngjashme nga erozioni dhe intensifikimi i bregdetit.

Por, edhe fatkeqësitë natyrore kanë lënë gjurmë. Qyteti historik i Antakias në Turqi është shtuar në listë, pasi është dëmtuar rëndë nga tërmeti shkatërrues me magnitudë 7.8 në vitin 2023. Lista përfshin gjithashtu disa vende të prekura nga lufta, si Shtëpia e Mësuesve në Kiev, Ukrainë. Ndërtesa e madhe me kube, e cila strehon Muzeun Pedagogjik, pësoi dëmtime të mëdha kur një raketë ruse theu dritaret, dyert dhe kupolën ikonë prej xhami në vitin 2022.

“Është një nga mijëra objektet kulturore të Ukrainës që janë dëmtuar ose shkatërruar që nga fillimi i luftës me Rusinë në vitin 2022”, vëren WMF në faqen e saj të internetit.

Gaza është gjithashtu në listë, një rajon i shkatërruar nga konflikti. Pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023 dhe reagimit të mëpasshëm ushtarak izraelit, trashëgimia kulturore e Gazës ka qenë nën kërcënim të jashtëzakonshëm. Megjithatë, një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit të shpallur më 15 janar shpreson për një pauzë në armiqësitë dhe lirimin e pengjeve.

“Siç e dimë të gjithë, Lindja e Mesme është një djep qytetërimi. Dhe në Gaza, ju keni shembuj të atyre komuniteteve të ndryshme dhe trashëgimisë së tyre që kanë jetuar atje”, tha De Montlaur.

Vende të tjera në listë përfshijnë skulpturat terrakote të Manastirit Alcobaça në Portugali, Kupolën historike të Sorbonës në Francë dhe Dhomat e Asamblesë në Belfast në Irlandën e Veriut.

Kontratat PPP të miratuara me ligje “speciale”! Si u favorizua firma e vëllait të ish-deputetit socialist! Eksperti: Procedura për Aeroportin e Vlorës u bënë për 18 ditë! Çështja në SPAK

EMISIONI VETTING

Rreth 42% e popullsisë shqiptare ose 1.1 milionë shqiptarë janë në prag të varfërisë, duke u përballur me vështirësi të mëdha financiare për të mbijetuar. Shifra alarmante e publikuar nga INSTAT e pozicionon Shqipërinë ndër vendet më të varfra të Europës.

Por rezultatet e Prokurorisë së Posaçme së bashku me raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulojnë se shqiptarët nuk janë të varfër, por të vjedhur nga një klasë politike e korruptuar.

Janë fondet për tenderat dhe koncesionet, ato që zbulojnë se si grupe apo individë të lidhur me zyrtarë të lartë të mazhorancës qeverisëse organizohen për të kapur këto fonde në dëm të interesit publik.

Sipas të dhënave të përpunuara nga Open Data Albania, “Vetting” ka analizuar procedurat për 1000 tenderat me vlerën më të lartë për periudhën 2014-2023, ku rezulton se 65% e tyre ose 3,49 miliardë euro kanë indicie për korrupsion dhe mungesë gare.

Për të njëjtën periudhë, totali i dëmeve sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit është 8 miliardë e 224 milionë euro dëme nga keqmenaxhimi i fondeve dhe institucioneve publike. Pra, dëmi i bërë nga qeveria shqiptare është sa buxheti aktual i Shqipërisë për 2025 ose gati 60% e borxhit publik.

Sipas raportit: “Zbërthimi i kapjes së shtetit në Shqipëri” nga Transparency International në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), politikanët kryesisht në qeveri, por edhe te bashkitë bashkëpunojnë me biznesin privat për të shfrytëzuar burimet e vendit, ndërkohë që një gjyqësor i korruptuar siguron pandëshkueshmëri dhe zgjat skemat fitimprurëse korruptive.

Në raportin e publikuar në vitin 2021 theksohet se dekada e fundit ka dëshmuar një forcim të bashkëpunimit midis politikës, biznesit dhe krimit të organizuar, që ka arritur kulmin e tij gjatë viteve të fundit.

Sipas njërit të autorëve të raportit Gjergji Vurmo, korrupsioni ka filluar të ndëshkohet falë SPAK-ut, por ka edhe probleme të tjera në rastin e Shqipërisë.

“Problemi kryesor është se Shqipëria prodhon shumë më shumë korrupsion se çmund të ndëshkojë vet si shtet, si institucione dhe kjo është tragjedia e madhe”, tha për “Vetting” Drejtori i Programit në IDM, Gjergji Vurmo.

Në fakt korrupsioni dhe metodat e tij për të kapur fondet publike janë zhvilluar, duke u përpjekur që të sigurohet mbrojtje nga ligji nëpërmjet një ligji tjetër, gjë e cila i bën të paprekshëm zyrtarët nga SPAK-u.

Kapja e koncesioneve me ligje me porosi

Disa nga shembujt e ligjeve të bëra me porosi në Shqipëri lidhen me projektet e partneritetit publik privat ose koncesionet, të cilat në shumicën e rasteve kanë marrë zhvillim në përgjigje ndaj një propozimi të pakërkuar nga një kompani private dhe janë miratuar përfundimisht me ligje speciale.

Sipas ekspertit ligjor, Gjergji Vurmo, në raportin “Zbërthimi i kapjes së shtetit në Shqipëri” janë evidentuar disa kategori të ligjeve me porosi.

“Ka pasur një kategori, e cila synonte mbrojtjen e disa kontratave koncesionare apo e kontratave të prokurimit publik, duke ju ofruar një mbrojtje shtesë, që është mbrojtja e ligjit”, u shpreh eksperti ligjor Gjergji Vurmo.

Capture 7

Sipas Transparency International dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ligji special 52/2019 që miratoi kontratën PPP për koncesionin e autostradës Milot–Balldren i fituar nga kompania “A.N.K” shpk është shembull domethënës i një ligji të tillë.

Kjo kompani është në pronësi të Agim Kolës, vëllai i ish-deputetit socialist Ndue Kola, i cili ka qenë pronari i kompanisë deri në momentin e marrjes së mandatit të deputetit në 2009. Aktualisht kompania “A.N.K” shpk e Agim Kolës është nën hetim nga SPAK për shembjen e rrugës Korçë- Ersekë.

Sipas ekspertit të ekonomsië, Zef Preci, një pjesë e administratës dhe një pjesë e elitës politike, për t’u pasuruar shpejt duke shkelur mbi normat dhe rregullat e shkruara ka bërë që të ketë një fenomen që quhem monopolizim i tenderave nga një grup kompanish që janë kliente të qeverisë.

Të njëjtin qendrim ka edhe deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, e cila thotë se është sistemi që ka përqendruar tenderimet, koncesionet publike në një grup të caktuar individësh.

Capture 8 (1)

“Kjo mungesë meritokracie, është dëmi më i madh që i bëhet jo vetëm te buxheti i shtetit, por është dëmi që bëhet te besimi te ekonomia në përgjithësi”, tha për “Vetting” deputetja e PD Jorida Tabaku.

Në fillim të vitit 2018, qeveria shqiptare mori një propozim të pakërkuar nga kompania “A.N.K” për ndërtimin e autostradës Milot–Balldren. Me anë të Vendimit Nr. 387 të Këshillit të Ministrave në 27 qershor 2018, “A.N.K” shpk mori një bonus prej 8.5% më shumë në procedurën e tenderimit.

Në tetor 2018, Ministria e Infrastrukturës nën drejtimin e Damian Gjiknurit njoftoi se koncesioni 13-vjeçar për autostradën Milot-Balldren do t’i jepej A.N.K-së.

Bazuar në kontratën përfundimtare, e cila u miratua me Ligjin 52/2019 – për ndërtimin e një rruge 17.2 km të gjatë me vlerë 256 milionë euro, projekti zbulonte se 1 km rrugë kushtonte gati 15 milionë euro.

Por sipas Strategjisë së Sektorit të Transportit 2016-2020, preventivi për ndërtimin e kësaj rruge mes Milotit dhe Balldrenit ishte rreth 6 milionë euro për km (gati 102 milion euro në total) ndërkohë që projekti i miratuar kushtonte 2.5 herë më shumë.

Ky projekt u kundërshtua nga opozita për kostot e larta ndërsa sipas raportit të 2019 nga Presidenca, procedura për miratimin e projektit ishte realizuar në shkelje nga ish ministri Damian Gjiknuri. Asokohe mazhoranca socialiste e rrëzoi dekretin presidencial duke e kaluar kontratën në Parlament.

Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit që ka konfirmuar problemet me projektin Milot-Balldren, i cili ka zbuluar se struktura e financimit paraqitet e paqendrueshme dhe me gabime në projeksione.

Gjithashtu audituesit evidentuan se projekti ishte miratuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë edhe pse parashikohen risqe financiare shtesë për Buxhetin e Shtetit pa u analizuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Por projekti Milot-Balldren nuk mori asnjëherë zhvillim dhe çeshtja përfundoi në Gjykatë ku janë ezauruar të gjitha shkallët e Gjyqësorit në Shqipëri, duke u mbyllur me vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese në tetor 2024.

Fillimisht në raportin vjetor të koncesioneve për vitin 2021, Ministria e Infrastrukturës do të deklaronte se marrëveshja ishte ndërprerë, si rezultat i mospërmbushjes së kushteve të kontratës së koncesionit nga kompania private dhe kjo e fundit ishte njoftuar në dhjetor 2021.

Me anë të shkresës nr. 1074/4 prot., në 13 shtator 2022 Ministria e Infrastrukturës do t’i kërkonte transferimin e primit kompanisë së sigurimeve, e cila ishte shuma e garancisë që paguhet nga kompania koncesionare si garanci për zhvillimin e kontratës së koncesionit.

Por në momentin që Ministria ka kërkuar transferimin e primit, kompania e sigurimeve që kishte garantuar primin për kompaninë koncesionare e ka dërguar çështjen në gjykatë në 2023.

Ndërkohë koncesionari “Bardh Konstruksion”, i cili është krijuar nga “A.N.K”-ja ka paditur në Gjykatë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për ta detyruar për vijimin e procedurave të zbatimit të kontratës pasi sipas kompanisë nuk janë plotësuar kushtet, të cilat i mundësonin marrjen e kredisë për realizimin e projektit.

Të treja Gjykatat; Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese kanë rrëzuar padinë e shoqërisë koncesionare. Ka pikëpyetje nëse çeshtja ka përfunduar në Arbitrazhin Ndërkombëtar, pasi nëse kompania nuk e ka ankimuar, atëhere ajo është e penalizuar automatikisht për të marrë pjesë në procedurat e tenderave publikë.

Sipas raportit nga Transparency International dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, disa projekte PPP ose koncesione që kanë ndjekur të njëjtën procedure (miratimi nga Kuvendi i një kontrate përmes një ligji special) dhe ngrenë shqetësime serioze rreth korrupsionit është “Koncesioni i Orikumit” i fituar nga Gjikuria shpk në pronësi të Florenc dhe Milo Gjikurias dhe “Rruga e Arbrit” e fituar nga “Gjoka Konstruksion” e Rrok Gjokës.

Sipas ekspertit ligjor Gjergji Vurmo, ligjet speciale nuk shkelin ligjin domosdoshmërisht ligjet apo kushtetutën, por shkelin parime që kanë të bëjnë me integritetin e ligjbërjes dhe me integritetin e procedurave të ndryshme vendimmarrëse.

Në raport si ligj me porosi evidentohet rasti për Aeroportin e Vlorës. Për këtë të fundit është lidhur kontrata me “Mabco Constructions SA” në pronësi të Behgjet Pacollit dhe “2A Group” shpk në pronësi të Valon Imerit, djali i biznesmenit nga Kosova Imer Ademi që ka në zotërim kompaninë ALKO-IMPEX General Construcion në Shqipëri. Bie në sy fakti se ligji për Aeroportin e Vlorës është hartuar dhe miratuar në kohë rekord sipas Drejtorit të Programit në IDM Gjergji Vurmo.

“Ligji për Aeroportin e Vlorës është bërë për 18 ditë, nga momenti që është anoncuar për herë të parë nga kryeministri deri në momentin që ka shkuar dhe është miratuar në parlament, kanë kaluar vetëm 18 ditë dhe 18 ditë nuk mjaftojnë për të ngritur një grup pune për t’u mbledhur një ose dy herë.” tha eksperti ligjor Gjergji Vurmo.

Por Aeroporti i Vlorës ka ardhur si paketë me themelimin e kompanisë së fluturimeve“Air Albania” që ka një lidhje me planet për aeroportin e Vlorës. Më 12 shtator 2018 qeveria shqiptare krijoi kompaninë duke përdorur kapital të përbashkët me kompaninë turke “TÜRK HAVA YOLLARI A.O”, Albcontrol dhe kompaninë shqiptare “MDN Investment” në pronësi të Najada dhe Rejana Idrizit, e cila u krijua vetëm disa ditë para themelimit të vet kompanisë “Air Albania”.

Sipas Transparency International dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, nuk është e qartë pse qeveria e zgjodhi këtë kompani private, çfarë procedure u përdor, dhe pse refuzoi të hapet konkurs.

Statuti i kompanisë “MDN Investment” zbulon se kompania do të operojë me qëllim zhvillimin dhe menaxhimin e Aeroportit të Vlorës, e cila lë të kuptohet se aeroporti i Vlorës dhe “Air Albania” u bënë me porosi si një paketë.

Por disa nga kontratat për ligjet me porosi të evidentuara në raport kanë patur probleme me procedurat, disa me garën dhe disa prej tyre me zbatimin sipas auditit.

Konkretisht Aeroporti i Vlorës ka patur ankesa për garën, është rishpallur si garë dhe çeshtja ka përfunduar në SPAK. Në shkurt 2019 Paul Rübig, anëtar i Parlamentit Europian nga Partia Popullore Europiane, i dërgoi një letër Komisionit Europian në lidhje me shqetësimet për projektin e aeroportit të Vlorës në Shqipëri.

Në letër Rübig ngre pikëpyetje për qendrimin e Komisionit Europian ndaj raportimeve mediatike që pretendonin shkelje të prokurimit publik dhe ligjit të konkurrencës në Shqipëri për dy rastet, krijimi i linjës së re ajrore ‘Air Albania’ dhe ndërtimi i aeroportit në Vlorë.

Në kthim-përgjigje, Komisioneri Johannes Hahn u shpreh se Komisioni Europian ishte në dijeni të ankesave në lidhje me shkeljen e mundshme të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) midis BE-së dhe Shqipërisë përsa i përket ndërtimit të aeroportit në Vlorë dhe krijimit të linjës ajrore “Air Albania” dhe do të shprehej në lidhje me këtë cështje në muajt në vijim.

Në progres raportin e 2020 për Shqipërinë, Komisioni Europian deklaroi se Shqipëria nënshkroi kontratën për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës brenda Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë, në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e biodiversitetit që vendi ynë ka ratifikuar.

Një tjetër kontratë koncesionare me probleme është koncesioni /PPP “Orikum – Dukat” i fituar nga “Gjikuria” shpk, ku struktura e financimit paraqitet e paqendrueshme, duke shkaktuar kosto të panevojshme interesi dhe njëkohësisht ka patur gabime në vlerat e pretenduara për t’u investuar.

Emrat/ Si e shpërndau Rama tortën e miliardave në vitin 2024

Kompania e ndërtimit të rrugëve Gjoka Konstruksion udhëhoqi listën e kontratave të prokurimeve publike gjatë vitit 2024, duke fituar gjashtë kontrata me vlerë të përgjithshme 8.8 miliardë lekë (rreth 89 milionë euro), ku projekti më i madh ishte kontrata për rehabilitimin e rrugës Fier – Frataj me vlerë 3.6 miliardë lekë.

Kompania Gjoka fitoi tenderë për ndërtim rrugësh si dhe për ndërtim ujësjellësish. Projekti më i kushtueshëm sa i përket ujësjellësave është ai i titulluar: “Furnizim me ujë i zonave bregdetare Zonat e Investimit Strategjik  Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi Faza e III”, për të cilin taksapaguesit po shpenzojnë rreth 800 milionë lekë pa TVSH (rreth 8 milionë euro).

Kompania “Salillari” u rendit në vend të dytë me tetë kontrata me vlerë të përgjithshme 4.6 miliardë lekë. Kontrata më e madhe titullohet: Ndërtim aksi rrugor Elbasan – Papërr Faza I me vlerë 2 miliardë lekë.

Kompania “Fusha” u  kthye në majë të renditjes së kontraktorëve vitin e kaluar pas disa vite mungesash. Ajo fitoi shtatë kontrata me vlerë të përgjithshme 4 miliardë lekë, duke u renditur në vend të tretë. Kontrata më e madhe është Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafë- Thanë (Faza VIII) me vlerë 2.2 miliardë lekë.

Kompania BE  –  IS   SH.P.K fitoi 11 kontrata me vlerë të përgjithshme 3.7 miliardë lekë. Kontrata më e madhe është “Ndërtim aksi rrugor Papërr – Ura e Grykshit, Faza II” me vlerë 2.1 miliardë lekë.

Në vend të pestë u rendit kompania Agbes Konstruksion, e cila fitoi dy kontrata me vlerë të përgjithshme 3.5 miliardë lekë. Njëra kontratë titullohet “Ndërtim aksi rrugor Papërr – Ura e Grykshit, Faza I” ndërsa kontrata tjetër ka të bëjë me zgjerimin e rrugës së Ksamilit.

Kompania Geci fitoi gjashtë procedura prokurimi me vlerë të përgjithshme 3.1 miliardë lekë. Kontrata më e madhe është “Ndërtim aksi rrugor Elbasan – Papërr Faza II”.

Në vend të shtatë u rendit kompania 2 T me gjashtë kontrata me vlerë të përgjithshme 2.9 miliardë lekë. Kontrata më e madhe është për “Ndërtim aksi rrugor Elbasan – Papërr Faza III” me vlerë 2.2 miliardë lekë.

Kompania G.P.G. COMPANY fitoi katër procedura prokurimi me vlerë të përgjithshme 2.8 miliardë lekë. “Ndërtim rruga Berat – Ballaban, Loti 1” me vlerë 1.7 miliardë lekë.

Kompania Albstar u rendit e nënta me një kontratë të vetme, kontratën “Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafë- Thanë (Faza VI)” me vlerë 2.3 miliardë lekë.

Në vend të dhjetë u rendit kompania ANK, gjithashtu me një kontratë të vetme “Zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë (Faza VII)” me vlerë 2.8 miliardë lekë.

Në tenderët e sektorit publik gjatë vitit të kaluar u shpallën fitues 2216 kompani, por dhjetë kompanitë e mëdha fituan 29% të të gjithë fondit të prokurimit, ndërsa 50 kompanitë e mëdha fituan mbi 800 milionë euro kontrata ose 62% të fondit limit./ BIRN

Emrat/ Si e shpërndau Rama tortën e miliardave në vitin 2024

Emrat/ Si e shpërndau Rama tortën e miliardave në vitin 2024

Emrat/ Si e shpërndau Rama tortën e miliardave në vitin 2024

Emrat/ Si e shpërndau Rama tortën e miliardave në vitin 2024

Mbetjet në Porto Romano/ Myshketa: Jemi në terr informativ. Banorët të shqetësuar, por kanë frikë të reagojnë (VIDEO)

Joni Myshketa, kryetar i PD-Demokratët Euroatlantikë dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të PD në Durrës, tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se jemi në “terr informativ” lidhur me kontejnerët me mbetjet e dyshuara toksike në Porto Romano. Ai theksoi se banorët janë shumë të shqetësuar dhe duan të dinë rezultatet e mbetjeve, dhe sa rrezikohen, por kanë frikë t’i kundërvihen pushtetit. Myshketa vuri në dukje se nuk është dhënë asnjë informacion as nga Prokuroria, as nga Këshilli Bashkiak.

“Dihet që ndodhen në Porto Romano të Durrësit, por është pranë zonave të banuara, monitorohet më kamera, por s’kemi informacion nëse janë marrë kampione nga kontejnerët dhe nëse janë dërguar në laboratorë të ndryshëm. Ndodhemi në një terr informativ. Edhe gjatë mbledhjes së fundmit të Këshillit Bashkiak u kërkua nga unë se çfarë bëhet me këtë çështje, por ata ia përcollën gjithë përgjegjësinë Prokurorisë. Nuk dihet a ka një laborator që merret me analiza specifike, duke supozuar që mbetjet janë tejet të rrezikshme. Kemi kërkuar që të merren mostrat dhe të dërgohen në disa laboratorë të ndryshëm jashtë vendit, dhe të bëhet kryqëzimi i tyre, për një përfundim sa më të saktë. Kanë kaluar me muaj dhe s’kemi asnjë lloj informacioni. Nuk kemi patur kontakte me organizatën, por aktorë dhe faktorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit. Organizata (Rrjeti i Bazelit) ndodhet në të njëjtën situatë si ne, në terr informativ. Do t’i drejtohemi sërish Prokurorisë për të marrë informacion për këtë çështje kaq sensibël. Dyshohet për trafik ndërkombëtar të mbetjeve toksike. Dyshojmë se ato janë rrezik për banorët. Banorët duan të dinë rezultatin e mbetjeve, ta dimë sa rrezikohemi. Banorët e zonës janë shumë të shqetësuar. Ata që ndodhen shumë pranë këtyre mbetjeve. Është skandal i dyfishtë. Ka një frikë karshi pushtetit, nuk po flas për këtë çështje se më heqin nga puna, është kthyer në kulturë të përgjithshme mos reagimi”.

“Ilir Meta në listën e sigurt të PD-së”/ Lapardhaja: PD nuk mund të bëhet kosh që të mbledhë të gjithë të korruptuarit dhe hallexhinjtë e SPAK-ut

Analisti Namir Lapardhaja thotë për Report Tv se Sali Berisha ka marrë peng Partinë Demokratike për interesat e tij personale. Në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, Lapardhaja komenton edhe goditjet e drejtësisë.

Sipas tij, çdo opozitë në botë do e kishte kthyer në favor dhe mbështetje elektorale të gjithë goditjet që drejtësia i ka dhënë qeverisë, por kjo nuk ndodh me PD ku Berisha po e përdor atë për t’u përballur me drejtësinë dhe për të shpëtuar nga dënimi.

“Në të gjithë vende e botës kjo që po ndodh pushtet në Shqipëri, me hetime e qeveritarëve të niveleve të larta, gjykime e dënime, do kishin favorizuar çdo lloj opozite në botë. Opozita do ta kishte kapitalizuar në mbështetje elektorale këtë lloj goditje që drejtësia po i jep Shqipërisë, veçse në Shqipëri. Është kuptueshme pse ndodh, për shkakun se Berisha ka marrë opozitën peng për hallin e tij personal për përballjen e tij me drejtësinë. Berisha është kryetari dhe ata që janë aty rresht edhe për shkak të bërjes së listave dhe zgjedhjeve janë të detyruar të hedhin ballin që e drejton Berisha dhe të ripërtypin dhe riciklojnë të gjitha akuzat e tij, qoftë ndaj Dumanit, SPAK por edhe GJKKO. Është për të ardhur keq që kjo lloj situatë e favorshme goditjesh në qeveri nuk përkthehet si mbështetje për opozitën.

Nga njëra anë SPAK e kanë shpallur organizatë kriminale, kur vjen problemi pastaj vetë thonë që do ti çojën në SPAK të gjitha lidhjet e qeverisë me krimin, ose shkelet ose abuzimet e mundshme. Është situatë paradoksale, por në këtë situatë e ka çuar PD-në halli i një personi të vetëm. Jemi në kushtet e mbijetesës për shkak të përpjekjeve për të shpëtuar Berishën nga dënimi dhe nga burgu”, tha Lapardhaja në Report Tv.

Rezultat katastrofal paralajmëron për PD në zgjedhjet parlamentare të 2025.

Ka një qetësi para furtunës në PD se të gjithë presin listat, pro në fund ato primaret që Berisha i mban si kambanë për ata që ende kanë ndonjë iluzion për të mos iu bindur, por me përmbylljen e fushatës zgjedhore, ajo parti që do ketë humbje katastrofike do ketë probleme të tjera e ato pakënaqësi që deri tani janë të venitura për shkak të listës.
Duke iu referuar një deklarate të Flamur Nokës se Metën do ta fusin në listat e sigurta të PD, Lapardhaja thotë se PD është kthyer në një kosh për të korruptuarit.

“Dje PD ka deklaruar zyrtarisht që do ta vendosë në listë të sigurt Metën që është brenda në burg duke u hetuar për korrupsion. Kjo forcë opozitare që të gjithë kemi shpresuar duket sikur është bërë një kosh për të mbledhur të gjithë të korruptuarit dhe për të bërë përballjen e tyre me drejtësinë. Ndërkohë që duhej të ishte e kundërta”, tha analisti Lapardhaja.

Merr çantën e largohesh me kokën mbrapa se do të kthehesh!

Nga Alban Daci 

Emigracioni si fenomen është i vjetër sa vetë historia njerëzore!

Emigracioni ka qenë një ndër faktorët kryesor të shpërndarjes së njerëzve në Botë, të shkëmbimit të kulturave, krijimin e “botëve” të reja dhe shpesh ky fenomen është vetë evolucioni i qenies njerëzore. Edhe pse duket sikur jemi modernizuar në mjetet e punës, mjetet e udhëtimit apo edhe në ato të informacionit, shkaqet e emigracionit mbetet po të njëjtat dhe të pandryshueshme:
– Kurioziteti për të eksploruar
– Konfliktet dhe luftërat
– Burimet e limituara
– Varfëria
– Pasiguria
– Regjimet dhe modelet politike
– Ëndrra për një jetë më të mirë
– Mundësia për një formim më të mirë profesional
– Konfliktet fetare
– Çështjet e lirisë
– Fatkeqësitë natyrore
– Çështjet klimatike
Emigracioni është një ndër temat më të rëndësishme sot në diskursin publik, po thuajse në të gjitha vendet e Botës. Kjo nuk ndodh vetëm për faktin, se flukset sot janë më masive që kjo është edhe vërtetë dhe lidhet me faktin se kemi përmisuar mjetet e udhëtimeve duke shkurtuar distancat në hapësirë dhe në kohë, por edhe për faktin, se tashmë kemi arritur një nivel të lartë të informimit dhe çështje të kësaj natyre që më parë do të donin shumë kohë të merreshin veshtë, tashmë me një smartphone mund t’i marrim veshtë në kohë reale, mund të jemi vetë dëshmitar dhe protagonist.
Shqiptarët ashtu edhe si pjesa tjetër e Botës janë bërë pjesë e rëndësishme e fenomenit të emigracionit e kjo lidhet me faktin historik të tyre që kaluan nga një regjim diktatorial që emigrimin e konsideronte vepër penale me burg në një demokraci hibride ku institucionet e shtetit ishin të brishta dhe jo në lartësinë e kërkesave apo të nevojave të qytetarëve.
Shqiptarët niset flukset e tyre të emigracionit me shpresën, ëndrrën dhe kuriozitetin për të prekur kryesisht Perëndimi që ishte një tabu e ndaluar, nga dëshira për liri që kishte munguar thellësisht falë represionit, nga varfëria që i kishte kapluar falë një modeli ekonomie kolektive dhe të shtetëzuar e shpesh herë edhe për shkak se politika edhe pse teorikisht në mjedis demokratik ishte opresive kundër mendimit ndryshe.
Flukset e emigracionit shqiptar në fillimet e tij është trajtuar vetëm një kronikë sipas ngjarjeve të zbarkimeve të viteve 90 pa i dhënë seriozitetin e merituar. Madje, lajmet për emigrantët shpesh më parë kalonin në mediat e vendeve që kishin emigruar e shpesh të mbushura me steriotipe e paragjykime e pastaj kalonin thjeshtë në kuadër të një kronike informimi edhe në mediat tona.
Shqiptarët që nuk emigronin i ka parë në fillimet e tyre ata që kishin emigruar me admirim duke aluduar për jetën e mirë që po bënin dhe për faktin se jetonin në vende me standard të lartë ekonomik. Me kalimin e kohës pasi shumica e shqiptarëve e provuan të qenit emigrant dhe disa prej tyre pas eksperiencave vetjake u rikthyen e kuptuan se jeta e emigrantëve nuk është në fakt për tu admiruar, por përkundrazi me plotë sfida e probleme sociale, ekonomike që lidhet me çështjet e integrimit, punësimit, pa llogaritur boshllëkun shpirtëror për vendin dhe njerëzit që nuk mbushet asnjëherë edhe pse vitet kalojnë e gjerat fillojnë të rrjedhin në monotoninë e re të përditshme.
Për historitë e shqiptarëve që kanë emigruar ka filluar të shkruhet dhe të thuhet vonë dhe jo mjaftueshëm. Heqja e vizave dhe përfitimi i lëvizjes së lirë me vendet e BE rriten kontaktet mes emigrantëve dhe familjarëve të tyre e këta të fundit përtej iluzioneve dhe admirimeve që mund të kishin imagjinuar për të afërmit e tyre, me ti vizituar nga afër realitet e tyre jetësore, kuptuan se gjerat nuk shin vetëm të bardha siç i kishin menduar, por shpesh edhe me pengesa e vështirësi të mëdha.
Çdo emigrant duke përfshirë edhe shqiptarët e kanë marrë çantë për të nisur këtë rrugë me ide, se do të punojë ca kohë, të bëj lekët për të bërë ose blerë një shpi, për të bërë lekët për të shkolluar ose martuar fëmijët e do të kthehem. Kështu e kanë nisur rrugtimin e tyre edhe ata që janë larguar në cilësinë e studentit duke shpresuar në konkludimin me sukses të studimeve dhe pastaj për tu rikthyer në Shqipëri, me dëshirën e madhe për të kontribuar për vendit dhe për të ndihmuar prindërit për sakrificën e bërë për shkollimin e tij. Pra, thuajse asnjë nuk e ka marrë rrugën e emigrimit me të vetëdijes që do të ishte udhëtimi i parë dhe i fundit dhe për tu mos kthyer më kurrë, duke përjashtuar udhëtimet periodike në kuadër të emigrantit, familjarit dhe turistit.
Kushdo nga ne mund të kujtojë sesi linda ideja dhe nevoja për tu larguar, mund të kujtojë darkën e fundit me familjarët dhe të afërmit që kishin ardhur për ta përcjellë, pasigurinë dhe mijëra mendime për atë që do priste, por me siguri asnjëherë prej nesh nuk e kishte menduar, se Shqipëria do të kthehej një çështje e madhe emocionale, nostalgjike e do të konvertohej si një ndjenjë e fortë patriotike dashurie për vendin, por gjithnjë e më largët si pjesë e jetesës tonë të përditshme.
Historitë e shumicës tonë janë që morën çantën dhe para se të ndaheshim nga familjarët kthyem kokën mbrapa duke bërë edhe një betim me vetën, që nuk e mbajtëm kurrë, që shpejt do të kthehem e aty do të jetojmë.
Me marrjen e statusit të emigrantit, koha kalon, ti transformohesh kulturalisht për shkak të nevojës e ndonjëherë edhe të diktatit të integrimit social, jeta merr një trajektore të re, punësimi, profesionale e pse jo, shpesh edhe sentimentale. Thonë se dikush arrin integrimin e plotë social në vendin që ka emigruar kur edhe ëndrrat nuk i shikon më shqip, por në gjuhën e vendit që jeton. Kjo është për ta hiperbolizuar, sepse kur jemi në gjumë e kur bëhemi nervoz flasim vetëm gjuhën tonë. Në gjumë shohim ëndrra shqip, sepse ndoshta është i vetmi momenti që fantazia na dërgon atje ku zemra rreh me fort dhe pikërisht në Atdheun tonë. Ndoshta edhe për faktin, se gjumi është i vetmi moment që nuk kemi nevojë të flasim në gjuhën e vendit ku kemi emigruar. Ndërsa, kur jemi nervoz, natyrshëm fjalët na dalin shpesh shqip, sepse kjo është gjuha jonë e natyrshme dhe nuk kemi kohë të mendojnë për të nxjerrë sa më korrekte frazat në gjuhën e vendit ku kemi emigruar.
Rruga e emigracioni dy gjëra ka të sigurta, nisjen dhe faktin se ndoshta nuk do të mund të rikhehesh më kurrë. Jeta e emigrantit, sidomos në vitet e para të emigrimit është e mbushur me përplasje ndjenjash, sfidash, problemesh mes nostalgjisë për të kaluar dhe pasigurisë për të ardhmen. Ndoshta ndodh shpesh që pyetje më torturuese për një emigrant mund të jetë pyetja që i bën vetës: Po sikur të mos isha larguar si do të ishte jeta ime? Kjo është një pyetje që na shoqëron për gjithë kohën e ndoshta për gjithë jetën.
Integrimi në një realitet të ri dhe shkëputja nga realiteti që për ty ishte krejt i natyrshëm nuk është aspak i thjeshtë e shpesh për faktin që nuk gjejmë zgjidhje për sfidat merremi me vendin pritësi a thua sikur të gjitha fajet i ka ai. Në fakt, për përjashtime të vogla, vendi mikpritës nuk ka na ka asnjë faj, por na ka mirëpritur duke na dhënë mundësi që bëhemi pjesë e tij. Ndoshta, fajet mund t’i ketë vendi i origjinës do të thoshte dikush nga ju, por edhe kjo është relative, sepse duhen parë gjëra në kohë dhe në hapësirë. Sigurisht, përtej dëshirës për të gjetur fajtorin edhe si justifikim të zgjedhjeve tona personale, emigracioni është një fenomen sa vetë njerëzimi dhe nëse shikojmë historinë tonë njerëzore, ai nuk është kaq i zi dhe negativë siç na rrëfehet. Kjo nuk përjashton faktin, sesi çdo fenomen njerëzor edhe emigracioni është me plotë vështirësi e sfida.
Thonë se gjithçka mund të gjesh në emigracion, por nuk do të gjesh kurrë vendin tënd. Kjo është e vërtetë, por mos vallë ne që u larguam me betimin për tu kthyer e bëmë këtë nga fakti se vendi ynë nuk na mjaftonte e për pasojë ndoshta ne nuk e kërkojmë kaq shumë si diçka të pazëvendësueshme?! A ndodh që vendi i ri që ke emigruar të vend vendi “Atdheu dytë” që shpesh mund të zëvendësojë edhe atë të parin, të origjinës dhe natyralin? Sigurisht ky është një këndvështrim personal dhe varet nga niveli i integrimit që gjithë secili prej nesh ka arritur në jetën e re që ka ndërtuar me plotë munde. Megjithatë përgjigja është: Vendi mikpritës bëhet “Atdheu i dytë” që shpesh e zëvendëson të parin sidomos fizikisht, por emocionalisht mbetet një çështje e hapur ndoshta për gjithë jetën. Nëse vendi mikpritës të ka dhënë të gjitha mundësitë që e jetës që në optikën tende të kishin munguar, nëse kur ti del në lagje i njeh të gjithë banorët që të përshëndesin dhe i përshëndet, aty e kupton se ti ndjehesh si në shpi dhe se ajo është shtëpia jote. Kjo lloj situate nuk mund të ndodh me vitet e para të emigrimit, por me kalimin e kohës dhe duke dëshmuar me prezencën tënde respekt. Pra, çështja e integrimit të plotë social deri diku është edhe çështje kohe.
Deri para ca kohësh raporti me emigrantëve dhe atyre që nuk kishin emigruar ishte një marrëdhënie “paqësore” e deri diku admiruese nga këta të fundit me të parët. Thonë, se problemet nuk ekzistojnë për sa kohë emigrantët nuk marrin asgjë nga vend i origjinës, por vetëm japin thuajse gjithçka për të sikur të ishin një obligim.
Raportet mes njerëzve ndryshojnë kur fillojnë edhe pretendimet. Me nisjen e debatit të madh për ushtrimin e të drejtës të votës të shqiptarëve që jetojnë jashtë ka nisur edhe disa ide apo paragjykime ndaj emigrantëve e shpesh nga ata që nuk kanë emigruar kurrë. Për sa kohë këto debate janë në mesin e shoqërisë, janë të papranueshme, por jo shqetësuese. Kur opinion të tilla paragjykuese ndaj emigrantëve kalojnë edhe në publik në studio televizive, atëherë situate bëhet shqetësuese. Ndoshta nga naiviteti dhe paranoja se emigrantët kanë marrë votën e do na kërkojnë tani edhe pushtetin që e kishin ekskluzive vetëm ne, kanë filluar të bëjnë komente, jo reale, krahasuese e dashakeqëse si:
– Shqiptarët që kanë dy shtetësi nuk duhet të kenë të drejtë vote. Pra, sipas kësaj teorie kush ka dy shtetësi nuk është patriot sa duhet e për pasojë nuk ka pse të votojë
– Emigrantët nuk kontribuojnë në Shqipëri, sepse nuk paguajnë taksa e për pasojë nuk kanë pse të kërkojnë të votojnë ose edhe të “kthehen”.
Lidhja e emigrantëve me Shqipërinë është përmes kombësisë, që është lidhja më e fortë, sepse është vetë gjeneza dhe ADN-ja e tyre. Ata, flasin shqip në familjet ku jetojnë, festojnë shqip, fejohen ndoshta shqip e martohen po shqip. Shtetësinë mund t’ia heqësh dikujt, por kombësinë e ke të pamundur ta bësh, vetës arrin shkenca ti axerojë mendimet e jetuara, identitetin e tij e po përmes një disku të ri, ti jap një identitetit të ri. Izralitët kishin të gjitha shtetësitë botërore, sepse ishin të shpërndarë në gjithë botën. Ata nuk kishin shtetësi izraliane, sepse nuk kishte ekzistuar si formë juridike kurrë shteti izralian. Megjithatë, ata u kthyen, krijuan shtetin e pasaportën e izraelit duke e bërë vendin e tyre një ndër vendet më të fuqishme në botë. Pra, nuk është shtetësi që krijon identitetin e dikujt, por është përkatësia kombëtare që shpesh justifikon ekzistencën dhe të krijon objektiva për atë që kërkon të jesh në të ardhmen. Mendoj, se tashmë jemi në brezin e tretë të Diasporës, sepse kemi fëmijë që lindin e rriten jashtë Shqipërisë. Këta për nevoja sociale dhe ekonomike apo për të mbrojtur të drejtat e tyre nuk kanë asnjë lloj nevoje për tu pajisur me pasaportën shqiptare, por thuajse të gjithë e bëjnë, sepse AND e tyre është “shqiptar”. Mendoj, se shteti shqiptar duhet ta promovojë pasaportën shqiptare dhe duhet të rris lidhjet e tij me të rinj që lindin e rriten jashtë shtetit. Sa më shumë të rinj shqiptarë, edhe pse të lindur jashtë, pajisen me pasaportë shqiptare, aq më e fortë bëhet Shqipëria dhe aq i rëndësishëm është impakti i saj në Botë. Për Armeninë ka një shprehje: Diaspora armene është më e rëndësishme sesa vetë Armenia! Nuk mund të pretendojë një gjë të tillë edhe për Shqipërinë, por roli dhe kontributi i shqiptarëve që jetojnë jashtë mbetet i rëndësishëm, por përsëri larg potencialeve reale që kanë ata. Është detyre e shtetit shqiptar që përmes politikave të saj ta maksimalizojë këtë potencial.
Emigrantët që jetojnë jashtë nuk duhet të votojnë, sepse nuk kanë kontribute. Në fakt nuk duhet të ketë ndonjë garë se kush kontribuuan më shumë. Mjafton të rikujtojmë thënien e John Kennedy duke ju drejtues shtetasve amerikanë se: Mos pyesni çfarë bën Amerika për Ju, por çfarë do të bëni ju për të! Gjithsesi prej nesh kontribuon ose duhet të kontribuoj për vendin! Dikush më shumë për shkak të rrethanave e dikush më pak, por të gjithë duhet të kontribuojmë. Megjithatë, emigrantët janë kontribuues më të rëndësishëm në këto vite e shpesh ja kalojnë edhe vetë Shtetit me remitancat që dërgojnë vazhdimisht, përmes të cilave kanë ndryshuar e zhvilluar ekonominë e vendit e kanë mbështetur seriozisht familjarët e tyre.
Ajo që i bashkon dhe mban bashkë shqiptarët, qoftë emigrantë ose jo është pikërisht fakti i të qenit shqiptarë. Kjo është lidhja më e fortë që na mban të bashkuar duke sfiduar distancat apo problematika të tjera që lidhen me realitete jetësore.

“SPAK po godet politikanët e establishmentit”/ Mërtiri: Berisha nuk do përmbysjen e Ramës. Pse partitë e reja duhet të bashkohen në një front

Analisti Ergys Mërtiri, në një intervistë me Skype në News 24 komentoi aktualitetin politik në vend. Mërtiri tha se SPAK po godet politikanët e establishmentit. Ai u shpreh se e shikon qeverinë dhe opozitën të distancuar nga problemet e qytetarëve.

“Qeveria prej kohësh iu shërben oligarkëve dhe jo qytetarëve. Kryeministri Rama qeverisjen e ka online. Rama nuk ka çfarë t’ju thotë më qytetarëve. Edhe Berisha nuk ka çfarë t’ju thotë qytetarëve, përkundrazi ai iu bllokon trafikun shqiptarëve. Berisha sulmon të vetmin institucion që po sulmon të korruptuarit, SPAK. Mazhoranca dhe opozita janë të distancuara nga qytetarët”, tha Mërtiri.

Më tej, Mërtiri u shpreh se partitë e reja duhet të sillen me pjekuri politike. Sipas tij, partitë e reja në skenën politike shqiptare duhet të bashkohen.

Partitë e reja kanë përfituar nga rrjetet sociale. Partitë e reja duhet të sillen me pjekuri politike. Ata duhet të bashkohen e të jenë një pol. Endri Shabanin e shoh më të predispozuar për bashkim. Shehajn dhe Qorin i shoh si kapriçozë. Rama e Berisha po luajnë mirë lojën e vet, edhe pala tjetër duhet të bashkohet që të bëjë mirë pjesën që i takon. Bashkimi nuk është pazar, kjo është detyrë, është veprim patriotik. Duke mos u bashkuar, vota e tyre nuk prodhon mandate”, tha ai.

Mërtiri vlerësoi se SPAK ka hapur rrugën për një politikë ndryshe.

“Mes Ramës dhe Berishës, unë do votoja Berishën. Rama është më i keqi. Por edhe Berisha qëndron nga ana e së keqes. Sot kemi mundësinë e një politike antiestablishment, pasi SPAK po godet politikanët e establishmentit. SPAK ka hapur rrugën për një politike të re. SPAK i ka dhënë mundësinë politikës shqiptare që të pastrohet, duke goditur njerëzit më të korruptuar të sistemit. Të largojmë të vjetrit, jo se janë të vjetër, por se janë fajtorë për korrupsionin në mbi 30 vjet. PD është kalbur nga Berisha. Edhe PS duhet ta largojë Ramën, pasi pjesa më e madhe e ministrave të tij janë sot në burg. Partitë e reja kanë shans të artë për pol më vete. Nëse bashkë pastaj marrin 25 përqind të votave, atëherë PD do detyrohet që të reformohet dhe të largojë Berishën. Më pas, ekziston mundësia që të përmbyset Berisha, e nëse përmbyset Sali Berisha, përmbyset më pas edhe Edi Rama. Berisha nuk do përmbysjen e Ramës, do që të jetë numri 2, që të mos bjerë në burg”, u shpreh ai.

Gjithashtu, Mërtiri theksoi se nuk ka dëgjuar opozitën të bëjë tashmë kritika për projektin e Sazanit, pasi Berisha sa duket nuk do që të kritikojë Trump, tek i cili ka një shpresë, se do ta shpëtojë nga burgu.

“Opozita nuk kam dëgjuar që të kërkojë transparencë, që projekti i Sazanit të bëhej me garë. Projekti duhet të bëhej me garë dhe kërkohej investitor dhe kush është më i mirë duhet të bëhej ai investitori. Berisha sa duket nuk do që të kritikojë Donald Trumpin, sepse ka shpresë që ai do ta shpëtojë nga burgu”, përmbylli Mërtiri.