39.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Testi që parashikon vdekjen brenda 10 vitesh me saktësi të frikshme

Shkencëtarët kanë zhvilluar një test gjaku që mund të parashikojë predispozitat për vdekje në 10 vitet e ardhshme.

Një ekip shkencëtarësh në Gjermani zbuluan 14 tregues në gjak që duket se ndikojnë në rrezikun për vdekje, pasi analizuan të dhënat e 44 mijë njerëzve.

Këta tregues lidhen me gjithçka, që nga imuniteti deri tek kontrolli i glukozës, kolesterolit dhe inflamacioni.
Pas kryerjes së një testi të këtyre treguesve, rezultoi që ato ishin 83% të saktë në parashikimin nëse dikush do të vdiste në 2-16 vitet e ardhshme.

Shkencëtarët shpresojnë që rezultatet e këtij studimi mund të çojnë në zhvillimin e një testi gjaku që një ditë mund të përdoret si udhëzues për trajtimin e pacientëve.

Ekspertët e kanë cilësuar këtë studim si “hap nxitës”, megjithatë theksojnë që duhet të kryhen më shumë studime derisa ky test të mund të përdoret në “jetën reale”.

Çfarë po e frenon ekonominë gjermane?

As agresiviteti i Donald Trumpit, as kërcënimet e Kinës apo një Brexit pa marrëveshje nuk e rrezikojnë ekonominë gjermane dhe prosperitetin ekonomik sa impulsi i dobët i investimeve, thekson Thomas Straubhaar.

Shqetësimet, nëse dhe kur ekonomia gjermane po futet në recesion nuk po na lenë të flasim për rreziqet e arsyet që e vënë më shumë në pikëpyetje mirëqenien. Që nga koha e krizës financiare në vitin 2008 dhe menjëherë rënien ekonomike që pasoi në këtë vend investohet shumë pak.

Nëse në vitin 1991 investimet përbënin 10% të prodhimit të brendshëm bruto, në vitin 2008 ishin 8%, kurse momentalisht ato arrijnë vetëm 6-7% të prodhimit të brendshëm bruto.

Se sa dramatike është në plan afatgjatë tempi i ngadalë i investimeve në të ardhmen e ekonomisë gjermane, kjo lexohet në produktivitetin e punës. Ai është pasqyra e investimeve, sepse mat vlerën e krijuar mesatarisht për fuqi punëtore apo për orë pune.

Aty duket qartë, nëse punëtorët, themelet e ndërtimit i hapin me dorë, lopata apo me eskavatorë e pajisje të rënda, tjetra – nëse të dhënat përpunohen me dorë, makina llogaritëse, apo përmblidhen e përpunohen nga algoritme komplekse, lazeri apo inteligjenca artificiale.

Sa më shumë kompjutera dhe robotë vihen në punë, aq më i lartë është produktiviteti, edhe sepse me automatët e rinj përparon procesi teknik i prodhimit. Sa më me eficience dhe efektivitet të prodhohet, aq më atraktive bëhen ofertat, aq më të larta xhirot e prodhimit, dhe aq më shumë e ardhur mbetet në fund, që mund të shpërndahet tek puna, kapitali, pra njerëzit dhe makineritë.

Ngadalësi në produktivitetin e punës
Produktiviteti i punës për orë në Gjermani u rrit në fazat e rritjes ekonomike në pjesën e dytë të viteve 70-të – realisht (pra llogaritja e pastër) me 3,4% në vit. Në vitet 80-të me 3,0%, në vitet 90-të afër 2,2% dhe në vitet 2000 deri në fillim të 2008-s me 1,4%. Ndërkohë në dekadën e fundit – nga mesi i viteve 2009 deri në mesin e vitit 2018, fazë e rritjes ekonomike ky produktivitet u rrit me 1,1%.

Kjo zvarritje në produktivitetin e punës si pasojë e investimeve të pakta dhe me këtë edhe ngadalësim të risive, do të ketë pasojat e saj dhe do ta vërë në pikëpyetje më shumë se çdo gjë tjetër prosperitetin ekonomik të Gjermanisë – më shumë se agresiviteti i Trumpit, kërcënimet e Kinës dhe një Brexit pa marrëveshje. Sepse rritja e produktivitetit të punës është baza nga rrjedh rritja e rrogave.

E këtu ka një rregull të thjeshtë: Akvititeti ulët i investimeve sot – të çon nesër në progres të pakët në produktivitetin e punës, gjë që i bën rrogat të mos lëvizin nga niveli që kanë, ose të rriten ngadalë, më ngadalë se në vendet, ku standard është blerja pa para në dorë, ku standard është zyra pa letra e pa sekretari, ku software-t robotikë bëjnë përpunimin e të dhënave për sigurimet, ku inteligjenca artificiale ndihmon në diagnostifikimin mjekësor dhe vlerësimin e pamjeve të grafive.

Ka një sërë arsyesh për aktivitetin e ulët të investimeve dhe progresin e dobët të produktivitetit të punës. Por një aspekt meriton vëmendje të veçantë, sepse ka për të luajtur rol të rëndësishëm për përmirësimin në të ardhmen.

Reformat e ndihmës sociale (Hartz IV) patën efekte anësore
Agenda 2010 që filloi nga mesi i dekadës së kaluar nën kancelarin e atëhershëm, Gerhard Schröder dhe qeverinë socialdemokrate me Të Gjelbrit dhe reformat e tregut të punës që morën emrin e Peter Hartz kishin si synim të fusnin në tregun e punës sa më shumë vetë.

Presioni ndaj atyre pa punë u rrit, pra që të punonin edhe në punë të paguara keq. Si rezultat në Gjermani u rrit punësimi. Papunësia ra nga 5 milionë në fillim të vitti 2005 në aktualisht 2,275 milionë vetë në verën e vitit 2019 – një sukses i madh.

Por suksesi i punësimit në Gjermani pati një efekt anësor. Ai u bazua në rroga të ulta për punëmarrësit si shpërblim për krijimin e ruajtjen e vendeve të punës. Por nëse për firmat fuqia punëtore bëhet e lirë, mungon motivimi në kuptimin ekonomik për të investuar në makineri, robotë dhe teknologji të reja digjitale. Pse të investosh në automatë të shtrenjtë, kur puna është e lirë? Pasoja – Gjermania nuk pati hov modernizimi.

Pra, u punësuan njerëz, por nuk u vunë në përdorim makineri. Kështu ende në këtë vend shumë punë kryhen me dorë dhe nga fuqia punëtore e jo nga robotët dhe automatët – gjë që është e mundur dhe një gjë e zakonte në ekonomitë mjaft të zhvilluara.

Shumë më tepër se në Gjermani, në vende të tjera futen në përdorim software dhe algoritme në përllogaritjen e rrogave, në llogaritë e biznesit, në logjistikë, në financa e sigurime, e tek blerja shitësit apo mjekët tek përcaktimi i diagnozës janë bërë të tepërt.

Si në RDGJ?
Ajo që ishte tipike për RDGJ, punësimi i plotë e garantim e vendit të punës përballë një produktiviteti të ulët të punës, rrogave të ulta e mirëqenies së përgjithshme të dobët – e kërcënon Republikën Federale të Gjermanisë në epokën e digjitalizimit dhe ekonomisë database, – nëse ky vend ende u mbetet dogmave të vjetëruara të shoqërisë industriale.

Në të ardhmen do të bëhet fjalë për produktivitet e jo për punësim masiv me çdo çmim. Një strategji e bazuar në ruajtjen e vendeve të punës, sepse fuqia punëtore është e lirë, gjë që robotët dhe inteligjenca artificiale do ta bënin më mirë e më lirë 24 orë në ditë/7 ditë të javës është e destinuar të dështojë.

Aftësia konkurruese dhe mirëqenia në plan afatgjatë do të sigurohen vetëm me më shumë investime (edhe në arsim e shkencë) dhe me këtë edhe me më shumë inovacion dhe një produktivitet më të lartë të punës.

Politika e tregut të punës në të ardhmen duhet të jetë – të punohet më pak, por më mirë, më me motivim dhe më të shëndetshëm e të balancuar e produktivë se sot. Vetëm kështu do të mund të paguhen ato rroga të larta, që mundësojnë një standard më të lartë jetese për brezat e ardhshëm.

Gjici, pasi zaptoi bashkinë me dhunë menjëherë firmosi 72 milionë lekë për kompaninë e tij (Dokumenti)

Në 22 gusht Bashkia e Kukësit i ka paguar plot 72 milionë lekë detyrime të prapambetura kompanisë Kevin Construction shpk. Kjo kompani, e themeluar në vitin 2007, ka si administrator shtetasin Lavdërim Gjici, por që sipas të dhënave online është në pronësi të kryetarit aktual të bashkisë, Safet Gjici.

Të dhënat janë bërë publike nga Thesari i Shtetit që në datën 22 gusht ka nisur urdhër xhirimin për paratë që duhet të shkojnë te subjekti privat, të cilat janë bërë aktive në datën 23 gusht, pra vetëm ditën e premte.

Sipas sqarimeve të dhëna nga thesari i shtetit, kanë qenë detyrime të prapambetura të Bashkisë së Kukësit ndaj shoqërisë private Kevin Construction shpk, të rrjedhura këto nga një vendim gjykate me numër 9666, datë 23.10.2017, dhe pse ka pasur një marrëveshje mes palëve për likuidimin e faturave të prapambetura në nëntor 2018.

Por siç mund të imagjonohet, për shkak të pozicionimit të Safet Gjicit kundër ish-kryebashkiakut dhe kandidimit të tij në krye të bashkisë Kukës, likuidimi i faturave nuk është bërë.

Ndaj dhe Gjici, me marrjen e detyrës, nuk ka vonuar të fusë në buxhetin e kompanisë së vet detyrimet e prapambetura që i ka pasur ndaj tij bashkia që po drejton aktualisht. Përfitues është, sipas dokumentit Medar Kajolli, për llogari të Kevin Construction, një kompani e themeluar që në vitin 2007 dhe që aktivitetin e ka të shtrirë në fushën e ndërtimeve.

Vazhdojnë protestat në Hong Kong

Policia e Hong Kong-ut përdori të dielën gaz lotësjellës dhe nxorri për herë të parë pompat e ujit në përpjekje për të shpërndarë protestuesit anti-qeveritarë. Mijëra protestues kishin dalë në rrugë.

Të shtunën, protestat u bënë të dhunshme për herë të parë në gati dy javë, pasi qindra demonstrues të veshur me të zeza dhe të armatosur me shkopinj bejsbolli dhe shufra bambuje hodhën bomba me benzinë dhe tulla mbi policinë.

Policia e Hong Kongut vringëlloi shkopinjtë e gomës dhe hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, të cilët kishin krijuar barrikada rrugore të improvizuara duke përdorur skela bambuje jashtë një stacioni policie dhe një qendre tregtare aty pranë.

Ndërkohë, Kina liroi një punonjës të konsullatës britanike, Simon Cheng, ndalimi i të cilit nxiti tensione. Ai u arrestua për 15 ditë në Shenzhen, pak larg kufirit nga Hong Kong, për gjoja shkelje të rregullave të menaxhimit të sigurisë publike.

Autoritetet thanë se respektuan të drejtat ligjore të Simon Chengut, dhe thanë se ai kishte pranuar akuzat për të cilat ishte arrestuar. Kjo është një përgjigje standarte nga policia kineze, përkundër faktit që zotit Cheng nuk iu dha mundësia të mbrohej në gjykatë. Familja e Chengut tha në Facebook se ai ishte kthyer në Hong Kong.

Protestuesit kishin kërkuar lirimin e tij për disa ditë, dhe Britania tha se e mirëpriti lajmin.
Ndërsa tubimet hynë në muajin e tyre të tretë, protestuesit gjithashtu prenë një “pajisje inteligjent” të shqetësuar se po përdorej për mbikëqyrje nga autoritetet kineze.
Qeveria e Hong Kong-ut thotë se pajisja përdoret kryesisht për të mbledhur të dhëna për trafikun, motin dhe cilësinë e ajrit.

Demonstratat disa javore në Hong Kong filluan me thirrjet për të ndaluar një projekt-ligj ekstradimi, i cili tani është hequr. Por protestat janë zgjeruar duke përfshirë kërkesa për demokraci të plotë.

Trump: Nuk jemi të interesuar për ndryshimin e regjimit iranian

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të hënën se vizita e ministrit të Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif në Biarritz, ku po mbahet takimi i lartë i G-7, nuk ishte befasi.

Presidenti Trump u tha gazetarëve, derisa po fillonte një takim me presidentin egjiptian, Abdel Fattah El-Sissi, se e respekton faktin që ministri Zarif qëndroi në Biarritz për të takuar presidentin francez Emmanuel Macron dhe të tjerët.

Ai tha se ishte në kontakt me presidentin Macron, “E dija çdo gjë që bënte ai dhe e kam miratuar çdo veprim të tij”. Marrëdhëniet ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë shumë të tensionuara që kur presidenti Trump u tërhoq vitin e kaluar nga marrëveshja ndërkombëtare që frenonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Presidenti Trump më pas shtoi më shumë sanksione, veçanërisht duke synuar sektorin e naftës në Iran, gjë që ka dëmtuar rëndë ekonominë iraniane. Ai tha të hënën se nuk kërkon “ndryshimin e regjimit” në Iran, por, kërkon që ai “t’i jap fund terrorizmit”.

“Mendoj se do të ndryshojnë. Vërtetë mendoj. Besoj se kanë shansin të shndërrohen në një komb të veçantë”, tha presidenti Trump. Ai nënvizoi se çdo marrëveshje e re me Iranin do të kërkonte që programi bërthamor i Iranit të mos përdoret për zhvillimin e armëve, dhe ndryshe nga marrëveshja e vitit 2015, do të përfshinte kufizimin e programit të raketave balistike të Iranit.

Presidenti Trump tha se nuk ishte i interesuar të takohej të dielën më ministrin Zarif, meqë “do të ishte shumë herët” për bisedime të tilla. Presidenti Macron takoi të premten ministrin Zarif në Paris, para fillimit të takimit të G-7-tës, por më pas e ftoi atë të dielën në qytetin bregdetar Biarritz, ku po mbahet takimit pas diskutimeve të rrepta të së shtunës mbrëma ndërmjet udhëheqësve botëror rreth Iranit.

Në samit, Macron prezantoi një plan për të ulur tensionet në rritje në Gjirin Persik duke hequr pjesërisht embargon e naftës amerikane ndaj Iranit në këmbim të kthimit të Teheranit për të zbatuar në përputhje të plotë marrëveshjen e vitit 2015 që kufizon programin e tij bërthamor.

Dokumentat! Kajmaku i arrestuar në 2003 në Greqi për para të falsifikuara, ligji grek parashikon 10 vjet burg

Ky është dokumenti i plotë i Prokurorisë dhe vendimi i Gjykatës së Janinës, Greqi, për të arrestuarin Agim Kajmaku në vitin 2003 për krimin e përdorimit të parave të fallsifikuara, nën identitetin Jorgo Toto, me atesi Thanas dhe amësi Parashevi.

Dokumenti u publikua sot nga Partia Demokratike si një provë e pakundërshtueshme që kryebashkiaku i zgjedhur nga Edi Rama për bashkinë e Vorës, është tashmë i rrëzuar në bazë të ligjit të dekriminalizimit.

Partia Demokratike ka publikuar dokumentet që tregojnë se Kajmaku i Ramës është arrestuar nga policia greke për falsifikim parash.

Në një deklaratë nga selia blu, Bardhi, duke iu referuar një vendimi të gjykatës së Janinës, tha se nën emrin Jorgo Toto, Kajmaku u arrestua në Janinë në janar 2003 dhe më pas u arratis nga shteti grek, duke iu shmangur drejtësisë. Bardhi kërkoi dorëheqjen e Kajmakut nga posti i kryebashkiakut, që e mori pas votimeve të 30 qershorit.

Ai akuzoi dhe kryeministrin Rama se ishte në dijeni të precedentëve të Kajmakut, megjithatë e kandidoi si kryebashkiak, pasi ai i siguronte vota. Bardhi i bëri thirrje autoriteteve ligjzbatuese shqiptare të veprojnë për rastin e Agim Kajmakut.

Reforma e dështuar në drejtësi, shpëtim për kriminelët e drogës dhe të zgjedhjeve

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

Opozita reagoi ashpër së fundmi për transferimin (ose “varrosjen”) e Dosjes 184 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Rajonale të Dibrës. Kreu i opozitës Lulzim Basha akuzoi Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe krahun e saj të djathtë në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, për “mbulimin e një grupi të strukturuar kriminal”.

Grupi në fjalë do të përfshinte rrjetin e madh të zyrtarëve të Partisë Socialiste (përfshirë kryeministrin Edi Rama), nëpunësit e administratës dhe figura të krimit të angazhuara në blerjen e votave dhe frikësimin e votuesve, siç u dëshmuan nga përgjimet e publikuara nga Zëri i Amerikës dhe Bild.

Por pikërisht ky “grup kriminal” është një nga arsyet që kjo dosje e nxehtë iu transferua për hetim Prokurorisë së Dibrës, e cila ka më pak staf dhe ekspertizë për t’u marrë me një hetim kaq të rëndësishëm dhe të gjerë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda arriti në përfindimin se të dyshuarit e përfshirë në Dosjen 184 nuk përbënin një “grup të strukturuar kriminal”. Rrjedhimisht, hetimet për këtë çështje bien jashtë kompetencave të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Kjo duket jo e arsyeshme, pasi grupi kriminal në skemën e mësipërme duket mjaft “i strukturuar”. Përbërja e tij i përmbahet kryesisht linjave të hierarkisë politike dhe partiake të Partisë Socialiste. Çështja është se kjo duhet provuar, dhe pikërisht këtu qëndron problemi.

Për ta kuptuar më mirë këtë, duhet të kthehemi në vitin 2017.
Sipas kornizës logjike të misionit EURALIUS IV, një nga objektivat e tij specifike ishte të “përafronte sistemin e drejtësisë penale shqiptare me standardet e BE-së”. Për arritjen e këtij objektivi, EURALIUS ndihmoi

“[…] Ministrinë e Drejtësisë (veçanërisht Drejtorinë e Kodifikimit) në rishikimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, në veçanti për të përfunduar punën e “Task Force” dhe të grupit të punës për Kodin e Procedurës Penale gjatë dy viteve të fundit, në përputhje me Standardet e BE-së dhe Këshillit të Evropës, dhe veçanërisht në lidhje me zbatimin e reformës kushtetuese të vitit 2012, që kufizon imunitetin e gjyqtarëve dhe deputetëve.”

‘Rezultatet e shkëlqyera’ të EURALIUS-it në përpjekjen e tyre për të “kufizuar imunitetin e […] deputetëve” i dimë tashmë. Prandaj, le të shohim se si funksionuan në praktikë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale.

Në Dhjetor 2016, Parlamenti miratoi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale me votat e koalicionit qeverisës të atëhershëm midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Partia Demokratike votoi kundër.

Këto ndryshime prekën juridiksionin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila do të kthehet në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, dhe për këtë arsye ndryshuan edhe kompetencat e Prokurorisë për Krime të Rënda (dhe SPAK-ut të ardhshëm).

Sipas nenit 75/a(b) të Kodit të ri të Procedurës Penale:
“Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykon […] çdo vepër penale [të] kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda [të] armatosur[a], sipas përcaktimeve të Kodit Penal.”
Këto katër lloje të veprave penale përcaktohen në nenin 28 të Kodit Penal. Ai që është i rëndësishëm për argumentin tonë këtu është përkufizimi i “grupit të strukturuar kriminal”:

“Grupi i strukturuar kriminal është formë e veçantë bashkëpunimi, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale.
Grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një vepre penale nuk formohet rastësisht e nuk është e nevojshme të dallohet për anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash, organizim dhe strukturim të zhvilluar.”

Ajo që ndodhi në rastin e dosjes 184 është se Prokurori i Krimeve të Rënda në ngarkim të dosjes (njëkohësisht edhe kandidat për në SPAK), Klodian Braho, e ndryshoi i vetëm akuzën për “grup të strukturuar kriminal” në akuzën për “bashkëpunim”, të përcaktuar si më poshtë në nenin 25 të Kodit Penal:

“Bashkëpunim quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë persona me marrëveshje ndërmjet tyre.”
Kushdo mund ta vërejë lehtësisht se sa e thjeshtë është të mbrohet manovrimi për ta ndryshuar akuzën nga “grup i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim”, pothuajse për çdo rast, pasi nuk ka legjislacion të qartë për dallimin e tyre.

Por efekti i këtij ndryshimi të thjeshtë të akuzës penale është shumë i madh: ai justifikon heqjen e dosjes nga fusha e privilegjuar dhe e mbrojtur e SPAK-ut të ardhshëm dhe kalimin e saj te një prokurori e rrethit (të Dibrës në këtë rast), të cilat kanë më pak buxhet dhe punonjës nga sa nevojitet.

Pra, këtu kemi saktësisht recetën që siguruar që politikanët dhe grupet kriminale të mos preken kurrë nga prokuroria speciale SPAK, deri në formimin e saj.

Për sa kohë që ndaj askujt nuk janë paraqitur akuza në gjykatë, çështjet në hetim mund të transferohen lehtësisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda te prokuroritë e rretheve, duke i lehtësuar akuzat (pas hetimeve disavjeçare) nga “grup i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim”. Kjo mund të ndodhë thjesht dhe vetëm më një vendim të prokurorit të çështjes, që nuk mund të kundërshtohet dhe as të ndryshohet nga një autoritet më i lartë.

Në Exit kemi paralajmëruar në shkurt 2017 për këtë problem të përkufizimeve të paqarta dhe të hapësirave në ligj, që do të dëmtojnë efektivitetin e SPAK-ut.

Në vitin 2018 kemi raportuar për numrin e madh të dosjeve të trafikut të drogës që janë transferuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në prokuroritë e rretheve, pasi prokurorët kanë shpallur mungesë kompetence, në të njëjtën mënyrë siç bëri prokurori Klodian Braho.

Ndoshta çështja më e rëndë ishte ajo e trafikimit të një sasie rekord kokaine prej 613 kg në vitin 2018 nga Kolumbia në Durrës. Hetimet u transferuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Durrësit, sepse, me sa duket përsëri nuk kishte “grup të strukturuar kriminal”. Dosje të shumta hetimore u vodhën më pas nga Prokuroria e Durrësit, gjë që u pasua nga ngritja në detyrë e drejtueses së kësaj prokurori Donika Prela, e cila u bë drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Këtu ajo tani po mbikëqyr “varrosjen” e Dosjes 184 të vjedhjes së votave në Dibër.

Të gjitha këto manovra kanë qenë të mundura nga dy faktorë të ndërlidhur: 1) legjislacioni i hartuar keq, që me sa duket lejon zbutjen e akuzave dhe transferimin e çështjeve nga juridiksioni i institucioneve kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar drejt juridiksionit të gjykatave të rregullta (ku është edhe sfera e ndikimit politik); 2) mospërputhja midis legjislacionit të ri dhe afateve të shkelura për krijimin e SPAK-ut, duke lejuar që dosjet të bien në mënyrë të volitshme “midis hapësirave bosh”.

Me pak fat, SPAK-u do të ngrihet vetëm kur e gjithë veprimtaria e Partisë Socialiste për blerjen e votave të jetë “siguruar” te prokuroritë e rretheve, të cilat janë pa buxhetin dhe personelin e duhur, dhe të ekspozuara ndaj presionit politik nga të gjitha anët.

“Exit.al”

Çmimet e harbuara të dhomave të ministres edhe në Londër e Bruksel, dy herë më shtrenjtë se vetë hotelet

Luksi i Ministres së Drejtësisë, ia ka kushtuar shtetit shqiptarë mijëra euro në vit.
Apo thënë ndryshe mijëra euro në vit u janë grabitur qytetarëve për të siguruar komoditetin dhe luksin e ministres jashtë vendit.
Së fundmi në media janë publikuar shifrat marramendësi të shpenzimeve të Gjonaj, përgjatë vitit 2018-2019.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj në të shumtën e rasteve ka piketuar hotelet me pesë, që sipas faturave të publikuara tashmë në media, rezultojnë çmime të kripura.

Mirë që ka fjetur në hotele luksi me paratë e shqiptarëve, por ka edhe një detaj. Në ofertat online vlera e fjetjes është shumë me e ulët, se sa faturat e ministres.

Çmimet e faturave nuk përkojnë me çmimet reale që ofrojnë këto hotele.
Në një prej udhëtimeve të saj të punës në Bruksel, nga data 19 deri në 21 qershor të vitit 2018, Gjonaj ka paguar 1320 euro për dy netë ose 660 euro nata në hotelin e quajtur “The Hotel Brussels”.

Por, në fakt në këtë hotel, çmimi për dy netë, është as më pak dhe as më shumë, por, 34 mijë e 20 lekë të reja.
Gjithashtu në Bruksel, Gjonaj është akomoduar për një natë në një hotel me pesë yje i quajtur “Steigenberger Ëiltchers” me kosto 543 euro. Ndërkohë që në këtë hotel, një natë kushton 21 mijë e dyqind lekë të reja nata.

Në datat 4 deri më 6 shkurt të vitit 2019 ministrja ka udhëtuar drejt Londrës ku është akomoduar në një prej hoteleve më të shtrenjta të kryeqytetit britanik. Rezervimi për dy netë i ka kushtuar ministres 1291 paundë ose e përkthyer në euro rezulton se ministrja e Drejtësisë ka shpenzuar 706 euro për një natë. Ndërkaq çmimi për një natë në Ambasciatori Palace Hotel është 20 mijë lekë të reja nata.

Gjithashtu ministrja ka qëndruar për tre netë nga data 4-7 maj të këtij viti në hotelin me pesë yje “Majestic Hotel Spa”. I gjithë rezervimi shkon në shumën 2014 euro, ose 670 euro nata.

Edhe në këtë rast fatura e ministres ndryshon me çmimin që ofron Hoteli në fjalë. Në këtë hotel çmimi për tre netë është 129 mijë të reja. Nëse krahasojmë faturat e ministres me çmimet online, lind një tjetër dyshim, se përse çmimet janë më të shtrenjta se ofertat online.

Diferencat e parave, duken qartë se janë vjedhur.
Ministrja, apo dikush nga stafi që bën qoka e ndan para me agjencitë, apo agjencia e përzgjedhur që abuzon, sepse Ministrja do hotele të shtrenjta dhe luks.

Pa shkuar më thellë në këtë histori se me kë ka qenë e kush e shoqëronte në këto hotele të shtrenjta, duhet të sqarohet fakti se kush i ka vjedhur paratë.
Pyetja që do përgjigje është se në xhepin e kujt kanë përfunduar mijëra eurot e diferencave të faturuara?

“CNA.al”

Sa vite duhen që zemra të rikuperohet pas lënies së duhanit

Kur ndaloni së piri duhan, zemra fillon të rikuperohet menjëherë, por një rikuperim i plotë mund të merr kohë deri në 15 vite – thotë një studim i ri.

Ekspertët thonë se përfitimi i lënies së duhanit nuk mund të nënvlerësohet sepse sistemi kardiovaskulare fillon të rikuperohet menjëherë, ndërkaq disa ndryshime fiziologjike ndodhin brenda pak orëve.

Meredith Duncan, ekspertja që e ka udhëhequr këtë studim, thotë se brenda pesë viteve që e lini duhanin, rreziku i sëmundjeve të zemrës është dukshëm më i ulët sesa te njerëzit që vazhdojnë të pinë.

Por, sipas saj, nevojiten 10 deri në 15 vjet kohë që rreziku të jetë i njëjtë me të atyre që asnjëherë nuk kanë pirë duhan.

“Duke marrë parasysh se rikuperimi i plotë merr kohë shumë vite, sot është dita më e mirë që duhanpirësit ta lënë duhanin”, ka këshilluar ajo. Vlen të ceket se për studimin e saj, ajo i ka analizuar të dhënat e rreth 9,000 personave.

PD publikon dokumentat për arrestimin në Greqi të Agim Kajmakut. Po bënte biznes fidanësh me para të falsifikuara…

Duke qenë se Prokuroria po e zvarrit çështjen, njësoj siç bëri me Vakdrin Pjetrin, për të cilin akoma nuk ka një përgjigje zyrtare, Partia Demokratike po sjell prova autentike të dosjes penale të kandidatit të Edi Ramës për Bashkinë Vorë.

Ky që shikoni këtu është vendimi i Prokurorisë dhe i Gjykatës së Janinës, i Qershorit 2003.

[SHFAQEN DOKUMENTET NË EKRAN]

Sipas këtij dokumenti zyrtar, rezulton se:

Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, i datëlindjes 1971, banues në Tiranë Shqipëri, është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje kartmonedhash të falsifikuara”. Ai është arrestuar në flagrancë, duke u arratisur nga territori i shtetit grek.

Krimi është kryer gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera, dhe Agim Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi.

Pasi është marrë në pyetje nga hetuesi paraprak dhe ka qëndruar disa ditë në burg, oficeri i policisë gjyqësore ka vendosur që hetimet ndaj tij të zhvilloheshin nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, derisa çështja t’i përcillej prokurorisë dhe gjykatës.

Pasi dosja është përcjellë në prokurori, Prokuroria e Janinës ka konstatuar se jemi përpara një krimi të nivelit të parë (shkalla më e rëndë e klasifikimit të veprave penale), dhe nga provat e administruara ka vlerësuar se rezultonte e provuar që krimi ishte kryer nga shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto.

Krimi i kryer nga Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sipas prokurorisë greke, duhet të dënohej me jo më pak se 10 vjet burgim.

Për këtë arsye, Prokuroria ka urdhëruar arrestin e tij të menjëhershëm dhe ka përcjellë dosjen në gjykatë. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka vendosur arrest me burg të menjëhershëm dhe marrjen të pandehur të shtetasit Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, për fallsifikim parash, si dhe dërgimin e çështjes për gjykim.

Vendimi i gjykatës për arrestimin e Agim Kajmakut nuk është ekzekutuarj, për shkak se gjatë periudhës së shqyrtimit gjyqësor, ai ishte arratisur menjëherë nga territori i shtetit grek dhe ka ardhur në Shqipër. Këtu ka ndryshuar menjëherë edhe identitetin, nga Jorgo Toto, përdoruesi i parave të fallsifikuara në kërkim në Greqi, në Agim Kajmaku, biznesmeni i duhur për politikën kriminale të Edi Ramës.

Sipas legjislacionit penal grek, gjykata ka vendosur pezullimin e gjykimit derisa ky shtetas të arrestohet ose t’i gjendet një adresë e saktë për t’i komunikuar akuzën. Sipas ligjit grek në këtë lloj gjykimi, shtetasi duhet të jetë vetë prezent në gjykim, për shkak se bëhet fjalë për krime të rënda.

Më duhet të theksoj edhe një herë, se urdhri i arrestit të gjykatës greke nuk është ekzekutuar, pasi shtetasi Jorgo Toto nuk është gjendur në Greqi.

Sipas dokumentacionit zyrtar të autoriteteve greke rezulton e provuar se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto i është shmangur drejtësisë greke për përballjen me një akuzë, që parashikon të paktën 10 vjet burg. Ai ka të paekzekutuar një masë arresti me burg dhe nuk ka marrë kurrë pafajësinë mbi akuzën e ngritur nga Prokuroria greke. Pra, praktikisht është edhe sot nën procedim penal nga autoritetet greke, me një masë “arresti në burg” në fuqi.

Të gjitha këto të dhëna provojnë se Agim Kajmaku është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit.