29.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Enriketa Papa propozon nderimin e Ina Kasimatit dhe uljen e taksave për libraritë në Tiranë

Këshilltarja e Demokratëve Euroatlantikë në Bashkinë e Tiranës, Enriketa Papa, në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak kërkoi që të nderohet figura e aktivistes dhe mësueses Ina Kasimati, duke propozuar që emri i saj të vendoset në një institucion publik, shesh apo rrugicë, si një akt respekti për kontributin e saj.

Ajo theksoi se propozimi për këtë nuk është reflektuar ende nga këshilli bashkiak, pavarësisht angazhimit të saj dhe dakordësisë në Komisionin e Kulturës. Po ashtu, Papa kërkoi që të mbështeten libraritë në Tiranë, duke propozuar uljen e taksave për to me 30%, si një alternativë për ndihmën e tyre në vend të zbritjes së qerasë, në mënyrë që të nxisin shpërndarjen e librit.

“Siç kam dërguar dhe unë bashkë me zonjën Zhulali po ashtu për rendin e ditës propozimet të cilat i dërguan dhe për mbledhjen tjetër. Na u tha që nuk keni respektuar afatet. Kësaj radhe besoj se kam respektuar afatet fare mirë, janë tre pika propozimi që kam çuar të cilat nuk i gjej të reflektuara. Megjithatë, ju lutem për të qenë edhe në aspektin e sensibilitetit human, sidomos institoj për vendosjen e emrit “Ina Kasimati” të ndonjë institucioni publik, ndoshta të ndonjë sheshi, të një rrugice, mendoj që është një lloj respekti që tregojmë për këtë figurë, këtë aktiviste civile, një mësuese e dedikuar dhe një njeri që vjen nga një familje e nderuar. Është një sensibilitet që e kërkoj me urgjencë të bëhet, qoftë edhe në komisionin e Kulturës ne kemi rënë dakord për të përshpejtuar, kemi rënë dakord në një far mënyre si përgjegjshmëri drejtorisë përkatëse për t’u marrë sa më urgjentë. Por kanë kaluar disa muaj nga shtatori që unë kam bërë propozimin dhe nuk e gjej të reflektuar. Prandaj nuk insistoj për ta vënë në rendin e ditës, por diçka që unë kam propozuar për t’u ndryshuar, që ka të bëjë me kërkesat që kam çuar me email, ka të bëjë me 30% që kam kërkuar për libraritë në Tiranë të qerasë. Meqë ne keme një pikë në redin e ditës ku është parashikuar 30% zbritja e taksave, mund të propozoj që 30% të ulen taksat për libra shitësit në Tiranë, të librarive, në vend të mbështetjes 30% të qerasë. Pra, t’i ulim taksat me 30% librarive në Tiranë, në mënyrë që të nxisim librin” – u shpreh Enriketa Papa.

Nis zbatimi i skemës së zhvatjes së shqiptarëve: Rriten me 30 % çmimet e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve

Nisja e aplikimit të sistemit të ri për përcaktimin e primeve të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve ka sjellë një rritje të çmimeve për përdoruesit.

Mbështetur në tarifat e llogaritura me aplikacionet e ofruara prej kompanive të sigurimeve në faqet e tyre të internetit, rritja e çmimeve krahasuar me vitin e kaluar mund të arrijë më shumë se 30%.

Për shembull, për një automjet të prodhuar në vitin 2007, me fuqi motorike 2500 cc, me drejtues mjeti mbi 21 vjeç, të regjistruar në Tiranë, sigurimi vjetor TPL (përfshirë taksat) kushton rreth 21,700 lekë, në rritje me afërsisht 15% krahasuar me vitin e kaluar (çmimet kanë ndryshime shumë të vogla mes kompanive të ndryshme).

Në rast se drejtuesi i mjetit është nën 21 vjeç, çmimi arrin në pothuajse 25 mijë lekë ose gati 32% krahasuar me vitin e kaluar.

Për një automjet me motor 2000 cc, prodhim i vitit 2013, regjistruar në Tiranë në pronësi individuale, me drejtues mjeti mbi 21 vjeç, çmimi i ri i sigurimit, përfshirë taksat, është rreth 21 mijë lekë, afërsisht 10% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Për një drejtues mjeti nën 21 vjeç, çmimi arrin në rreth 23,100 lekë ose 21% më shumë se vitin e kaluar.

Ndërkohë, për automjetet në pronësi të bizneseve, shtrenjtimi është më i lartë, për shkak të një koeficienti bazë rritjeje 20% të përcaktuar për këtë kategori. Kjo lidhet me faktin që për automjetet e biznesit rreziku i dëmeve vlerësohet më i lartë, për shkak se ato mund të përdoren nga drejtues të ndryshëm. Duke shtuar edhe koeficientët e tjerë të rritjes, për mjetet e bizneseve rritja e çmimit të siguracionit mund të arrijë në më shumë se 30% krahasuar me vitin e kaluar.

Që nga fillimi i këtij viti ka hyrë në fuqi rregullorja “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, që parashikon se në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit.

Përveç faktorëve të mësipërm, rregullorja parashikon që shoqëritë e sigurimit mund të zbatojnë edhe faktorë të tjerë risku, të përcaktuara prej tyre.

Megjithatë, sistemi aktualisht në përdorim nuk ka një nivel shumë të detajuar diferencimi në disa prej faktorëve të parashikuar në rregullore.

Për shembull, sistemi përcakton çmime më të larta për drejtuesit e mjeteve në moshën 18-21 vjeç, ndërsa nuk parashikon diferencime të mëtejshme për drejtuesit në moshë më të madhe. Gjithashtu, sistemi nuk merr parasysh eksperiencën e drejtuesve të mjetit, për shembull, vitin e marrjes së lejes së drejtimit.

Gjithashtu, diferencimi sipas qarqeve konsiston vetëm në aplikimin e një koeficienti më të ulët për qarqet Berat, Dibër e Kukës, ndërsa për të gjitha qarqet e tjera të vendit koeficienti përkatës është i njëjtë dhe më i lartë.

Një faktor tjetër që do të përcaktojë primet është edhe sistemi bonus-malus ose historiku i dëmeve. Megjithatë, ky element do të fillojë të zbatohet duke filluar nga viti 2026, bazuar në historikun e dëmeve të vitit 2025. Por, mënyra se si është konceptuar sistemi parashikon vetëm faktorin malus, pra, penalizimin e drejtuesve të mjeteve që shkaktojnë dëme, por nuk ka një element bonusi, pra, ulje të primit për ata drejtues që nuk shkaktojnë dëme. Bonusi, në fakt, do të jetë ruajtja e koeficientit të njëjtë.

Javën e kaluar, deputeti Erion Braçe me një deklaratë publike e cilësoi rritjen e çmimeve të sigurimit TPL si abuzim në kurriz të konsumatorit dhe shtoi se do t’i kërkojë Komisionit Kuvendor të Ekonomisë të ushtrojë ndikim mbi AMF-në për anullimin e çmimeve të reja.

Sipas ligjit, shoqëritë e sigurimit i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit TPL, por janë të detyruara të njoftojnë AMF-në të paktën 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit.

Së bashku me njoftimin për aplikimin e tarifave të reja të primit, shoqëritë e sigurimit duhet të depozitojnë pranë Autoritetit bazën teknike të të dhënave, faktorët e riskut dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e primeve të sigurimit, të shoqëruara me opinionin e aktuarit të autorizuar të shoqërisë, të paraqitur në formën e një raporti me shkrim.

Autoriteti, në funksion të mbikëqyrjes së veprimtarisë së shoqërisë së sigurimit, mund të urdhërojë rishikimin e tarifave të reja të primeve, nëse konstaton se baza e të dhënave për hartimin e tabelave të primit të sigurimit nuk është e saktë, ose shoqëria e sigurimit nuk ka vepruar në përputhje me parimet aktuariale dhe metodologjinë e përdorur për përfshirjen e faktorëve të riskut të përcaktuar me këtë rregullore.

Fitimi nga sigurimi TPL u rrit me 130% për 2023

Përpjekjet e kompanive për të rritur çmimin e sigurimit të brendshëm TPL nisën që në vitin 2021, me miratimin e ligjit të “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që rriti edhe limitet e përgjegjësive. Pas vitit 2022, nevoja për rritjen e çmimeve u argumentua me shtrenjtimin e çmimeve të pjesëve të këmbimit, shërbimeve për automjetet dhe me rritjen e kostove në përgjithësi nga inflacioni i lartë.

Megjithatë, të dhënat e AMF-së tregojnë se pavarësisht faktorëve të mësipërm, produkti TPL ka qenë një produkt fitimprurës për kompanitë.

Të dhënat e raportit të mbikëqyrjes 2023 tregojnë se bilanci i llogarisë teknike për produktin e brendshëm TPL ishte pozitiv në vlerën e 1.6 miliardë lekëve, me një rritje prej 130% krahasuar me vitin 2022. Ky ishte fitimi më i lartë i të gjitha kohërave i raportuar për produktin në fjalë.

Efektin kryesor në rritjen e fitimeve nga sigurimi TPL e ka dhënë rritja e primeve të fituara neto, ulja e shpenzimeve të marrjes në sigurim, paralelisht me një rritje shumë të vogël të shpenzimeve për dëme të paguara. Primi i fituar neto vitin e kaluar arriti në 9.82 miliardë lekë, në rritje me 7.7% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, një ndikim të rëndësishëm ka sjellë edhe ulja e shpenzimeve operative të lidhura me produktin. Ato zbritën në 4.7 miliardë lekë, në rënie me 9% krahasuar me një vit më parë.

Megjithëse shpenzimet operative pësuan rënie, ato vazhdojnë të kenë një vlerë ndjeshëm më të lartë krahasuar me shpenzimet për dëme.

Megjithëse shpenzimet operative pësuan rënie, ato vazhdojnë të kenë një vlerë ndjeshëm më të lartë krahasuar me shpenzimet për dëme.

Shpenzimet për dëme shënuan një rritje të vogël vitin e kaluar. Dëmet e paguara bruto arritën në 3.38 miliard lekë, 3.4% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndërsa dëmet e paguara neto (duke hequr pjesën e paguar nga risiguruesit) arritën në 2.91 miliard lekë, në rritje me vetëm 0.9% krahasuar me një vit më parë. Raporti dëme-prime neto u rrit shumë lehtë në 36.14%, nga 36.06% që kishte qenë në vitin 2022.

Sigurimet e detyrueshme motorike kanë një peshë shumë të lartë në strukturën e primeve të shkruara bruto në sigurimet e Jo-Jetës. Për vitin 2023, sigurimi i brendshëm TPL, Kartoni Jeshil dhe Polica Kufitare përbënin pothuajse 67% të primeve të shkruara bruto të këtij tregu. Edhe fitimi i këtyre produkteve ka një rëndësi përcaktuese në ecurinë e rezultatit total të tregut.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në total fitimi i tregut të sigurimeve vitin e kaluar arriti vlerën e 2.76 miliardë lekëve ose 266 milionë eurove.

Krahasuar me vitin 2022, fitimi i siguruesve shqiptarë u rrit me pothuajse 70%./ Monitor

Fjori Dardha: Lulzim Basha, i vetmi politikan me një program të mirëfilltë!

Drejtuesja e emisionit “Breaking” në Top News, Fjori Dardha, gjatë diskutimit të sotëm për situatën politike në vend dhe fushatën zgjedhore, tha se Demokratët Euroatlantikë të drejtuar nga Lulzim Basha, janë të vetmit që kanë një program të mirëfilltë.

Lulzim Basha, sot është një nga të paktët politikanë që ka mbështetjen, pra ka një lëvizje siç është ajo e Demokratëve Euroatlantikë, që ka një program të mirëfillt. Pavarësisht kontributit të pamohueshëm të zotit Kthupi dhe kolegëve të tij, programi ekziston dhe është i vetmi që ka këtë program”, u shpreh gazetarja Fjori Dardha.

“Para se të vdiste nga torturat thërriste nënën, i mjeri…”, fundi tragjik i Qemal Draçinit në 1947: E masakruan për 12 muaj me radhë

ENVER KUSHI

Qemal Draçini është prologu i krijuesit shqiptar në vitet e diktaturës komuniste dhe shpirti i lirë i vrarë pabesisht, ose thënë ndryshe zhgënjimi i atyre që besuan në një botë të re. Ai lindi në qytetin e Shkodrës në vitin 1922. Në këtë qytet të kulturës dhe artit kreu studimet e para në shkollë dhe në vitet 1941–1943, ndoqi studimet universitare për drejtësi në Firence. Më 1945 punoi si mësues i letërsisë në Tiranë e Shkodër dhe më vonë në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, për tekstet e reja shkollore. Që i ri, pra në fillim të viteve ’40 u shqua në fushën e krijimtarisë dhe të mendimit letrar. Ai shquhet për studimet mbi Naim Frashërin, Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën, Migjenin, Gaspër Palin, Kol Mirditën, Veli Stafën, Sterjo Spassen. Qemal Draçini edhe në shkrimet për disa autorë të huaj bie në sy për origjinalitetin, erudicionin, mprehtësinë e gjykimit dhe të analizës.

Ai u arrestua në vitin 1946 dhe vdiq në qeli nga torturat e tmerrshme më 1947.

Kam pasur fatin të marr pjesë në promovimin e përmbledhjes së veprës së tij ‘Era”, që është botuar në Shkodër, në vitin 1995. Mbaj mend, që në këtë promovim kam shkuar bashkë me profesor Ramadan Sokolin, që ka qenë nga miqtë e rinisë së Draçinit.

Zëri i kohës në këtë libër vjen pak i ngjirur dhe herë – herë i qartë dhe kumbues… Ndjehet kjo kur shfleton edhe revistën “Fryma”, e përmuajshme letrare dhe kulturore, numri i parë i të cilës ka dalë në Shkodër në janar të vitit 1944. Drejtues i revistës ishte Myzafer Pipa dhe kryeredaktor dhe redaktor Qemal Draçini.

Në një atmosferë të rëndë pushtimi nazist, llogoresh dhe gjaku që kishte përfshirë jo vetëm Shkodrën dhe Shqipërinë, por tërë Evropën dhe botën. Qemal Draçini me botimin e revistës sfidonte pushtimin, duke u përpjekur të sillte frymën e ngrohtë të kulturës dhe artit. Dhe Draçini 22 vjeçar, në kryeartikullin e numrit të parë, do të shkruante: “Ishte nevoja e një tribune si kjo jona, për me çelë sytë kah horizonte të reja. U pa e dobishme kjo lidhje mendimesh e gjykimesh për shprehjen e ndjesive në botën e letrave”.

“Fryma” është ndoshta revista e fundit e shtypit të lirë shqiptar në prag të vendosjes së diktaturës komuniste.

Nuk është aspak e rastit që Qemali, po në të njëjtën numër, në artikullin “Një grishje”, do të ftonte shoqet tona intelektuale, që të bashkëpunojnë me ne pa dallim për me rrahë së bashku mendje të reja -problemet e ndryshme kulturore në dritën e nën prizmin e pamjes së qytetnisë moderne perëndimore” Në tetë numrat e revistës “Fryma”, Draçini shpalos kulturë të gjerë, thellësi gjykimi, përgjithësime të sakta për probleme të ndryshme të procesit letrar apo krijues: Vlen të përmendim shkrimin e botuar në numrin 2 “Për një sistem të përkthimeve”, ku ai parashtron disa kërkesa dhe kritere në përkthimin e veprave të letërsisë dhe kulturës botërore, studimin “Vepra poetike e Migjenit” (në numrin 3 dhe 4), që do ta kishte zili edhe sot çdo studiues serioz për poetin tonë të madh, apo shkrimi “Romani i një mësueseje”, për “Afërditën” e Sterjo Spasses.

Me botimin e revistës “Fryma”, Draçini shpalos kredon e tij artistike, thënë në një letër, që i dërgon shokut të fëminisë të shkollës Ramadan Sokoli, në dhjetor të vitit 1940: “Ti e din ma mirë se unë se një artist i vërtetë duhet të krijojë, të krijojë o të shkallmojë. Amull nuk rrihet”.

KUJTIMI I MUZGJEVE TË KALUEME…

Nuk kam jetuar në Shkodër, por jam i bindur se në atë qytet muzgjet, veçanërisht ato të vjeshtës, duhet të jenë një mrekulli. Atje edhe shiu, edhe erërat, edhe aroma e pranverës apo vetëtimat dhe bubullimat, duhet të jenë të veçanta. Sepse ky qytet, ndoshta si askush tjetër në Shqipëri e më gjerë, ka pranë edhe malet, edhe kodrat e buta, edhe fushën, edhe lumenjtë, edhe liqenin, edhe detin… Në prozën e shkurtër të Draçinit, Shkodra me natyrën e saj të çuditshme, zë vend kryesor. Natyra shihet nga shkrimtari nga e njëjta pamje: nga dritarja. Dritarja e shtëpisë e lidh atë me botën përreth, me “kopshtijet e jeshilta të Shkodrës sime rrahin në mallime stinësh të dekuna”. Qemal Draçini është mjeshtër i përshkrimit të natyrës dhe detajit. Vëzhgues i mprehtë, me një ndjeshmëri të hollë, stil të rrjedhshëm, frazë elegante, ai fikson tablo të ndryshme të natyrës, shiun dhe erën, fillimin e pranverës, gjëmimet e bubullimave. I pajisur me dhuntitë e artistit, i ndjeshëm dhe herë-herë melankolik. Draçini parapëlqen veçanërisht vjeshtën. “Muget vjeshte”, “Lotvjeshte”, “Kopshtije të Shkodrës s’ime” etj., të shkruara në shtator – tetor 1939, pra në moshën 17 -vjeçare, fiksojnë me mjeshtëri tablo të veçanta të natyrës shkodrane. Ato të rrëmbejnë me vërtetësinë e tyre, të bëjnë të ndjesh të rrahurat e zemrës djaloshare të Draçinit, shpirtin melankolik të tij. Në këtë funksion është edhe leksiku i zgjedhur, fjalët me ngarkesë të veçantë emocionale si mugeti, mugëti ugur-zeza, mugëti të zeza, mugëti orëzezë, mugëti vjeshte, zhvarrime, gjamët e bubullimave, rropama e bubullimave, parafolje ugur-zezë, stinët e dekuna prandvera të vyshkuna, kohë të mbarueme, silueta të çmenduna, gjamë e ulërima të shkyeme…

Rilexoj prozën e shkurtër të Qemalit dhe ngadalë, fare ngadalë zhytem përmes gërmadhave të kohës dhe një dorë e padukshme më hap një dritare nga ku vështroj “muzgjet e kalueme” të Shkodrës dhe ndjej “gjamën e bubullimave që vjen tue u langue”…

VARRET E VETMUAR

Në krijimtarinë e Draçinit mbizotëron grija e kohës, grija e mbyllur dhe hapësirat e gjëra të jetës shqiptare, tragjizmi karakteristik shqiptar dhe ai ballkanik. Le të ndalemi vetëm në njërin prej tregimeve, shkruar në gusht të vitit 1939. Titullohet “Ligjet e malit” dhe nuk është më shumë se një faqe. Mund të ishte edhe më i gjatë. Sepse tregimi ka shtratin e një novele apo drama…

Që në fillim, me një frazë ku ndjehet ftohtësia, vetmia e një peizazhi të gurtë, shfaqet varri. Është një vend ku fryjnë erëra dhe netëve me siguri edhe gurët nisin e tregojnë historinë e varrit të vetmuar… Draçini 17 vjeçar na fut në një atmosferë të rëndë. Personazhet lëvizin në peizazhin e thatë e të gurtë, që shtrihet mes dy katundeve pa emër. Edhe ata janë pa emër: një vajzë e re, e bukur si dielli, e hijshme si nata e pranverës, me dy sy të thellë si vetë thellësia e dritës, së parë të agimit e dy vetulla të holla si vijat e gjurmës së gjarprit dhe një djalë i pashëm. Ata e duan njëri-tjetrin dhe takohen netëve në kufirin midis dy fshatrave, ndoshta në vendin me gurë e të zhveshur. Janë të vetmet krijesa të gjalla, gjatë gjithë tregimit, që mbushin me dritë dhe ngrohin natyrën e egër dhe të gurtë… Por atë, vajzën e bukur si dielli, e vrasin.

Ndoshta e mbysin vëllezërit natën ose ia shtypin kokën me gurët e kodrës së zhveshur. Sepse nuk dëgjohej asnjë krisme arme. Vrasësit, shkruan autori i dhanë me kuptue së ndër malet tona, nuk ka vend butësia fisnike e dashunisë, pse, vetë të ashpra, ato male, nuk durojnë me rritë në gjiun e tyne bustin e paraqitun në rrahje zemrat e kreatyrave të reja. Pastaj vjen varrimi. Edhe ai i fshehtë, ndoshta natën dhe larg varrezave të katundit, sa më larg, duke mbyllur turpin. Dhe … vetëm kaq. Fundi i tregimit është tronditës: varret e vetmuar shtohen. Ata shfaqen mbi kodra të zhveshura e të thata. Përfytyroni një peisazh të thatë me varre të vetmuara që shtohen e shtohen vazhdimisht. Djaloshi 17 vjeçar që quhet Qemal Draçini, në gusht të vitit 1939, kur ka shkruar frazën e fundit të tregimit: “Pushofshi në paq viktima të pafajë të ligjeve të shkrepave! …Pushofshi në paqë, heroina fat-zeza të dashurisë bujare…”, me siguri ka rënë përmbys në dhomën e tij, duke qarë në heshtje, në vetminë e një adoleshenti.

PËRTEJ REVE…

“Përtej reve” është poezia e Lame Kodrës (Sejfulla Malëshovës), shkruar në vitin 1942. Nuk e di ku është botuar poezia dhe si është njohur me të Qemal Draçini.

Gjithashtu, nuk kam lexuar ndonjë fakt për njohje personale të tij me Lame Kodrën. E them këtë, sepse në shkrimin kritik ose më saktë në analizën që Draçini bën për poezinë “Përtej reve” të Lame Kodrës, nuk jepet asnjë fakt për takim ose njohje me të. Në këtë analizë Draçini duket se ka lexuar krijimtarinë poetike të Lame Kodrës të botuar në mërgim, në organe të ndryshme të kolonive shqiptare nëpër botë si në “Dielli”, “Bashkimi”, “Shqipëria e lirë”, etj. Kjo del që në fillim të analizës për poezinë ”Përtej reve” ku ai shkruan: “Përgjithësisht poezitë e Lame Kodrës janë vargje të vrullta, në të cilat pasqyrohet vullneti heroik i turmës shqiptare për liri”. Pra, Draçini është njohës i mirë i krijimtarisë së Lame Kodrës. Mendoj se nuk është rastësi analiza që autori i bën poezisë së Lame Kodrës. Jemi në vitet e luftës botërore, në vitet e përgjakjes së madhe të botës, të mijëra e mijëra varreve, të kampeve të përqendrimit, të egërsisë shtazarake nazi-fashiste. Edhe Shqipëria ishte përfshirë në këtë lufte. Draçini nuk është jashtë këtij realiteti. Përkundrazi, Ramadan Sokoli, në kujtimet e tij shkruan se në verën e vitit 1944 Qemalin dhe mua me disa bashkëmoshatarë, na patën lajmëruar se ishim përfshirë në listën e kampit nazist të Prishtinës, prandaj përkohësisht u fshehëm diku sa për t’i shpëtuar atij rreziku.

Analiza e thellë, depërtimi në nënshtresat kuptimore të poezisë, përqasjet në kohë duke shpalosur dramën e madhe njerëzore, e bëjnë këtë studim nga më seriozet të Draçinit. Konkluzioni në mbyllje të analizës se e bamë në një natë të qetë pushimi të 1942-ës, ndërsa mbi Atdheun tonë vinte tue u ndezë përherë ma e fuqishme e tue marrë gjithmonë përpjesëtime ma të gjana lufta çlirimtare e popullit shqiptar kundër hordhive zaptuese të fashizmit italian. “Përtej reve” asht pa dyshim poezia ma sugjestive e letërsisë sonë të re, tregon simpatinë e Draçinit për luftën çlirimtare dhe respektin për Lame Kodrën, që vite më vonë do të pësonte nga diktatura komuniste burgun dhe internimin…

Qemal Draçini vështronte përtej reve. I rritur në idealet e humanizmit, me një formim kulturor perëndimor, idealist i kulluar, shpejt parandjeu se bota e re e premtuar dhe nuk u thye, duke u bërë simbol i antikonformizmit. Në qelitë e errëta, atë e rrahën, e masakruan barbarisht për 12 muaj me radhë…

Duke lexuar kujtimet e prof. Sami Repishtit, më kanë rrëqethur përshkrimet e çasteve të fundit të Qemal Draçinit: “Nga dhoma e studentit vinin tashti të qarta gjamët e dhimbjes e zhurma që bante shtrati nga lëvizjet e tij pa pushim. Thirrte nanën i mjeri, dukej se i kërkonte të falun… Më vonë nisi të përpiqej në shtrat, të kolleje randë e të villte me aq fuqi që u lëkundte shtrati…”

Kriminelët, në një natë të errët, do të nxirrnin nga qelia trupin pa jetë të Qemalit. Dhe po atë natë ata do ta zhduknin atë duke menduar se në këtë mënyrë mund të zhduknin emrin dhe veprën e tij. Por harruan se kishte një qytet legjendë që quhej Shkodër dhe një kujtesë që nuk vdiste e që quhej popull, harruan se kishte një nënë, që me mallin e pashuar të saj sa jetoi, linte hapur derën dhe dritaren e shtëpisë për të hyrë shpirti i Qemalit. Dhe shpirti i Qemalit vërtetë vinte i lirë, pa pranga. Sepse shpirti nuk mund ta bëjë këtë. Qemal Draçini vjen në ditët tona me shpirtin e tij të madh. Krijimtaria, ku ai derdhi botën e tij të trazuar, është tregues i pavdekësisë./

EMRI/ “Përfitonte vjehrri i tij”- Akuzohet për korrupsion, pezullohet nga detyra kryeprokurori i Sarandës

Prokuroria e Posaçme ka nisur procedimin penal ndaj kryeprokurorit të Sarandës, Kledian Llaho, i cili akuzohet për korrupsion.

 

Ndaj magjistratit është caktuar masa e sigurimit personal “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.

Drejtuesi i Prokurorisë së Sarandë dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive, duke kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij me iniciale V.GJ, si dhe ka dyshime për veprime të kundraligjshme edhe në raport me persona të tjerë.

Kledian Llaho dyshohet se ka abuzuar me funksionin e tij dhe ndaj tij është ngritur akuza për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rregjistruar procedimin penal nr.73 të vitit 2024* për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.

Më dt.6 Janar 2025 është bërë regjistrimi i emrit të personit nën hetim, magjistratit K.Ll, me detyrë prokuror dhe njëkohësisht drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”, parashikuar nga nga neni 319/ç i Kodit Penal.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.3, dt. 14.01.2025 ka vendosur:

  • Caktimin e masës së sigurimit personal “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, në ngarkim të personit nën hetim, K.Ll.

Nga analiza e veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi penal, në mënyrë të përmbledhur, ka rezultuar se:

Personi nën hetim, magjistrati, K.Ll dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive, duke kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij, shtetasi. V.GJ, si dhe ka dyshime për veprime të kundraligjshme edhe në raport me persona të tjerë. Magjistrati K.Ll, në cilësinë e prokurorit të çështjes penale, nr 774/2021 dhe asaj me nr.720/2024, dyshohet se ka abuzuar me funksionin e tij.

ILD kërkoi masë disiplinore ndaj Kledian Llahos

BIRN informon se Inspektori i Lartë i Drejtësisë parashtroi më 10 janar konkluzionet e hetimit disiplinor të filluar ndaj prokurorit të Sarandës, Kledian Llaho lidhur me veprimet dhe mosveprimet e tij duke sjellë zvarritje në një çështje penale, si dhe për moszbatimin e detyrave të lëna nga gjykata. Përfaqësuesit e ILD-së pretenduan se Llaho kishte bërë shkelje të rëndë disiplinore dhe kërkuan të caktohet masa e uljes së pagës në masën 40% për një periudhë njëvjeçare.

Kledian Llaho i cilësoi të pabazuara konstatimet dhe kërkimet e ILD-së dhe procesin disiplinor të ngritur ndaj tij si fyes. Ndërkohë, disa anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë i drejtuan pyetje të shumta përfaqësuesve të ILD-së dhe prokurorit Llaho.

Kledian Llaho u konfirmua me shumicë votash më 22 dhjetor 2022 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, pasi shpjegimet dhe provat e dorëzuara prej tij për balancën negative dhe gjetjet në kriterin e figurës dhe pasurisë, u gjetën bindëse nga shumica e trupës së KPK.

Vendimi i KPK u ankimua pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili kërkoi shkarkimin me argumentin se ai nuk arrin nivel të besueshëm dhe se ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Çështja e tij nuk është shqyrtuar ende në KPA.

Gjatë seancës dëgjimore të premten, përfaqësuesit e ILD parashtruan se hetimi disiplinor ka filluar bazuar në ankesën e një qytetareje për zvarritje të një procedimi të Prokurorisë së Vlorës në vitin 2018, e cila kishte depozituar kallëzimin penal për këtë çështje.

ILD ka konkluduar se prokurori Llaho, përveç zvarritjeve të pajustifikuara të akteve procedurale, nuk ka zbatuar as vendimet e gjykatave që kanë rrëzuar kërkesën e tij për pushimin e çështjes duke i kërkuar kryerjen e veprimeve të reja hetimore konkrete.

Edhe pse ILD konstatoi se ky është një rast i izoluar, nënvizoi se qëndrimi i Llahos gjatë hetimit evidenton faktin se ai me dashje nuk i është bindur vendimit gjyqësor që është detyrues për të. Sipas ILD-së, mosveprimet e prokurorit për një periudhë mbi 2-vjeçare janë kryer me dashje direkte, duke mos përmbushur detyrat e lëna nga gjykatat, e duke e çuar ndjekjen penale në parashkrimin e saj.

ILD vlerëson se si pasojë e shkeljes është cënuar prestigji i figurës së prokurorit, si dhe është cënuar besimi i publikut të drejtësia. Në përfundim, ILD vlerëson se veprimet dhe mosveprimet e prokurorit Kledian Llaho përbëjnë “Shkelje të rëndë disiplinore” dhe i propozoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë që ndaj tij të merret masa disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës” në masën 40 % për një afat një vjeçar.

Prokurori Kledian Llaho solli në vëmendje të Këshillit se nuk kishte marrë asnjëherë vërejtje më parë dhe se kishte marrë gjithmonë vlerësime maksimale. Ai e cilësoi fyes procesin e nisur nga ILD dhe shpjegoi se bëhej fjalë për një ankesë të kryer nga një shtetase që kishte depozituar pesë kallëzime penale në Prokurorinë e Vlorës, për mosrespektimin e distancës nga ana e një subjekti që po kryente ndërtime pranë shtëpisë së saj.

Llaho deklaroi se i kishte kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore, por se një gjë e tillë nuk ishte kuptuar nga kush kishte verifikuar çështjen. Sipas Llahos, duket se ILD nuk e ka kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Ai deklaroi se kallëzuesja e kishte kryer kallëzimin penal pasi kishte humbur çështjen civile në Gjykatën e Apelit duke tentuar të përdorë Prokurorinë.

Prokurori Llaho shpjegoi në seancë se kiste marrë akte nga dosje të tjera që u jepnin përgjigje detyrave të lëna nga gjykata. Ai e cilësoi marjen e akteve nga dosjet e tjera si veprime hetimore dhe theksoi se kundërshtonte kategorikisht konstatimin e ILD-së për refuzim të zbatimit të vendimit të gjykatave.

“Hetimi është i pabazuar në ligj dhe në prova dhe kërkoj që të rrëzohet unanimisht nga këshilli”, kërkoi Llaho.

Sipas prokurorit, në periudhën kur ILD konstaton moskryerje të veprime ka qenë dhe situata e pandemisë COVID-19.

Apeli i Posaçëm zbardh arsyet përse caktoi “detyrim paraqitje” për Sali Berishën

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka zbardhur arsyet përse caktoi masë të re për Sali Berishën, duke vendosur “detyrim paraqitje”.

GJKKO me vendimin e datës 27 nëntor i hoqi Berishës “arrestin shtëpiak” pas 333 ditësh, me pretendimin se nuk ka më kushte për ta mbajtur në masë të shtrënguar.

Ndërsa në 3 janar 2025, Apeli i Posaçëm me vendim të gjyqtarit Engert Pëllumbi riktheu masën “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin, në mënyrë që ai të paraqitet 2 herë në muaj para oficerit të Policisë Gjyqësore.

Duket se argumenti i Apelit të GJKKO ka qenë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Sali Berishën i datës 21 nëntor 2024, ku masa e SPAK për detyrim paraqitje u vlerësua në përputhje me Kushtetutën.

Lidhur me zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga ajo e “Arrest në shtëpi” në “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, duke marrë parasysh:
– faktin se kërkuesi kishte një vit me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”,
– faktin se moszbatimi i detyrimeve që lidheshin me masës e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” bazoheshin mbi një alibi për antikushtetuetshmërinë e kësaj mase, të rrëzuar tashmë nga Gjykata Kushtetuese,
– moshën dhe rrethana e tjera që kanë qenë në konsideratë të gjyqtarit të hetimeve paraprake, por të vlerësuara tashmë në raport me këto rrethana të tjera,
– si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që jemi në periudhën para fushatës zgjedhore dhe kërkuesi është konsideruar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese si lideri i opozitës, ose kryetar i partisë kryesore opozitare, u arrit në përfundimin që masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme.”, thuhet në vendimin e zbardhur të Apelit të Posaçëm.

“Gjyqtari i seancës paraprake nuk ka sjellë ndonjë element të ri që tregon mungesën e kushteve të veçanta si rreziku i ikjes dhe rreziku i dëmtimit të provave.
Vendimi i gjyqtarit të hetimeve paraprake (lidhur me caktimin masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”), i ka kaluar të tre shkallët e gjykimit madje dhe Gjykatën Kushtetuese dhe është konfirmuar”, vijon arsyetimin Apeli i GJKKO.

Vendimi i zbardhur

Lidhur me kushtet e veçanta për caktimin e masës së sigurimit personal, nga vendimmarrja e gjyqtarit të hetimeve paraprake nuk ka ndryshuar asgjë, dhe gjyqtari i seancës paraprake nuk ka sjellë ndonjë element të ri që tregon mungesën e kushteve të veçanta si rreziku i ikjes dhe rreziku i dëmtimit të provave.
Vendimi i gjyqtarit të hetimeve paraprake (lidhur me caktimin masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”), i ka kaluar të tre shkallët e gjykimit madje dhe Gjykatën Kushtetuese dhe është konfirmuar.

Ndërkohë, masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” është vendosur jo për shkak të shtimit të nevojave të sigurimit por për shkak të thyerjes së detyrimeve të masës së mëparshme të sigurimit, ajo e “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.

Kërkuesi z. S.B. e ka tentuar duke paraqitur edhe më parë pranë gjyqtarit të hetimeve paraprake, kërkesën për shuarjen e masës së sigurimit personal, ku e tillë kërkesë është rrëzuar me vendim të konfirmuar në të tre shkallët e gjykimit.

Si rezultat, nuk ka vend për shuarjen e masës së sigurimit personal.

Gjyqtari i seancës paraprake në marrjen e vendimit të tij, thjesht ka bërë një rivlerësim të elementëve që janë marrë një herë në konsideratë nga gjyqtari i hetimeve paraprake, pa shtuar ndonjë element të ri, gjë e cila nuk i lejohet pasi përbën gjë të gjykuar.

2. Lidhur me zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga ajo e “Arrest në shtëpi” në “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, duke marrë parasysh:
– faktin se kërkuesi kishte një vit me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”,
– faktin se moszbatimi i detyrimeve që lidheshin me masës e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” bazoheshin mbi një alibi për antikushtetuetshmërinë e kësaj mase, të rrëzuar tashmë nga Gjykata Kushtetuese,
– moshën dhe rrethana e tjera që kanë qenë në konsideratë të gjyqtarit të hetimeve paraprake, por të vlerësuara tashmë në raport me këto rrethana të tjera,
– si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që jemi në periudhën para fushatës zgjedhore dhe kërkuesi është konsideruar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese si lideri i opozitës, ose kryetar i partisë kryesore opozitare, u arrit në përfundimin që masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme.

Me anë të kësaj mase (“Arrest në shtëpi”) kërkuesi e ka shlyer në një farë mënyre pasojën e dhënë nga dispozitat ligjore për moszbatimin e masës së mëparshme të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, dhe për rrjedhojë kjo masë sigurimi duhej zëvendësuar, duke i’u dhënë edhe një herë mundësia kërkuesit që të respektojë detyrimet qe lidhet me masën e re të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.

Ne rast se kërkuesi nuk do të zbatojë detyrimet që lidhen me masën e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, atëherë organi i akuzës do të ketë të drejtën të kërkojë serish zëvendësimin e kësaj mase sigurimi, me një masë sigurimi më të rëndë.

Pse keni më shumë ftohtë me kalimin e moshës? Këshillat se çfarë mund të bëni

Në moshtë të re, një xhakete e lehtë në fund të dimrit, mjaftonte për të të mbajtur ngrohtë dhe komod. Por me kalimin e moshës kjo gjë mund të ndryshojë, dhe ju mund ta gjeni veten duke e rritur nxehtësinë në shtëpinë tuaj dhe duke u veshur me pulovra shtesë për të qëndruar ngrohtë.

 

Temperatura e trupit tuaj bëhet më e ftohtë me kalimin e moshës. Dhe kështu rritja e ndjeshmërisë ndaj të ftohtit shpesh është vetëm një fazë tjetër normale e procesit të plakjes. Por ndonjëherë mund të sinjalizojë edhe një problem më serioz shëndetësor.Më poshtë, shpjegohen shkaqet dhe ju njeh me disa këshilla që mund t’ju vijnë në ndihmë.Qarkullimi i gjakut ngadalësohet 

Me kalimin e moshës, enët e gjakut bëhen më pak fleksibël dhe nuk mund të funksionojnë në mënyrë optimale. Ato nuk mund t’a qarkullojnë gjakun si më parë, prandaj trupi e ka më të vështirë të ruajë nxehtësinë. Në veçanti, duart dhe këmbët e ftohta, mund të tregojnë se keni një problem të qarkullimit të gjakut.Lëkura bëhet më e hollë

Kur mendoni për plakjen dhe lëkurën tuaj, me shumë mundësi ju vijnë në mendje rrudhat. Por ndodh që ndërsa plakemi, shtresat më të thella të lëkurës hollohen, duke e bërë më të vështirë që trupi të ruajë nxehtësinë.Metabolizmi ngadalësohet

Sipas studiuesëve, deri në moshën 50 vjeç, numri i kalorive që trupi juaj djeg gjatë pushimit ulet me 30%. Edhe pse zakonisht një metabolizëm të ngadalësuar e lidhim me shtimin në peshë, ai gjithashtu mund të ndikojë në mënyrën se si trupi juaj rregullon temperaturën. Kjo për shkak se metabolizmi është përgjegjës për shumë procese kimike që mbajnë trupin tuaj funksional.

Kur shkalla juaj metabolike bie, këto procese do të ndikohen, duke çuanr në një ndjeshmëri të shtuar ndaj të ftohtit. Për shembull, ndërsa metabolizmi ngadalësohet, enët e gjakut mund të ngushtohen më ngadalë për të ruajtur nxehtësinë e trupit në temperatura të ftohta.Keni një problem të rëndë shëndetësor 

Disa çrregullime të zakonshme tek të moshuarit, si sëmundjet e zemrës, sëmundjet e veshkave dhe anemia, mund të pengojnë rrjedhjen e gjakut dhe të ulin temperaturën e trupit. Përveç kësaj, problemet e tiroides si hipotiroidizmi ndikojnë në shkallën tuaj metabolike dhe aftësinë për të rregulluar temperaturën e trupit.Është një efekt anësor i mjekimit tuaj

Ndërsa rritemi, kemi më shumë gjasa të përballemi me disa probleme shëndetësore që kërkojnë mjekim. Dhe ndonjëherë, barnat që marrim janë arsyeja se përse ndjeni më shumë të ftohtë.
Medikamentet që përdoren për të trajtuar presionin e lartë të gjakut, janë një fajtorët e zakonshëm që mund t’a shkaktojnë këtë ndjesi. Kjo për shkak se këto lloj ilaçesh mund të ulin rrjedhjen e gjakut në duar dhe këmbë.Këshilla për të qëndruar ngrohtë

Edhe pse mund të mos jeni në gjendje të kontrolloni aftësinë e trupit tuaj për të ruajtur nxehtësinë, mund të provoni këto mënyra për të qëndruar ngrohtë.

Sigurohni që dritatet të jenë të mirë izoluara, në mënyrë që të ruajnë nxehtësinë.

Vishuni trashë në ditët e ftohta ose qëndroni brenda në shtëpi.

Kur flini vishni pizhame dhe përdorni mbulesa shtesë.

Mbani një peshë të shëndetshme për t’u siguruar që keni mjaftueshëm yndyrë, e cila do të ndihmojnë të qëndroni ngrohtë.

Kufizoni alkoolin, i cili mund t’ju bëjë të humbni nxehtësinë e trupit.

Nëse jashtë është shi, vishni një pallto ose xhaketë të papërshkueshme nga uji dhe ndërroni menjëherë rrobat nëse ato janë lagur.

Kur duhet të shkoni tek mjeku

Ndërsa rritja e ndjeshmërisë ndaj të ftohtit është një pjesë e zakonshme e procesit të plakjes, merrni në koonsideratë të vizitoheni nëse simptomat tuaja shfaqen papritur ose përkeqësohen, ndjeni të ftohtë kur të tjerët jo ose kur ndjeshmëria juaj ndaj të ftohtit dëmton cilësinë e jetës tuaj.

“T’i dalim përpara kërcënimeve globale që vijnë nga kundërshtarët”- I emëruari i Trump për kreun e CIA: Agjencia nuk është në pozitat e duhura

John Ratcliffe, i emëruari i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të drejtuar Agjencinë Qendrore të Zbulimit, CIA, u tha senatorëve gjatës seancës së konfirmimit të mërkurën, se agjencia kryesore e spiunazhit duhet të bëjë një punë më të mirë për t’u dalë përpara kërcënimeve globale që vijnë nga Rusia, Kina dhe vende të tjera kundërshtare.

 

Ish Drejtor i Zbulimit Kombëtar gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, ish ligjvënësi John Ratcliffe, u tha senatorëve se nëse konfirmohet në postin e drejtorit të CIA-s, agjencia e zbulimit do të bënte më shumë për të shfrytëzuar teknologji si inteligjenca artificiale dhe kompjuterët kuantikë ndërsa do të zgjeronte aftësitë e agjencisë për të mbledhur më shumë të dhëna nga burimet njerëzore.

“Ne nuk jemi aty ku supozohet të jemi”, i tha zoti Ratcliffe Komisionit të Senatit për Zbulimin.

Zoti Ratcliffe tha se ai e sheh Kinën si rivalin më të madh gjeopolitik të Amerikës, me Rusinë, Iranin, Korenë e Veriut dhe kartelet e drogës, bandat e hakerave dhe organizatat terroriste që paraqesin gjithashtu sfida për sigurinë kombëtare.

Ndërsa ligjvënësit republikanë e vlerësuan përvojën e zotit Ratcliffe, demokratët dhe një senator i pavarur u shprehën me tone skepticizmi. Ata e pyetën zotin Ratcliffe nëse besnikëria e tij ndaj zotit Trump do të binte ndesh me detyrat e tij për të ndjekur të dhënat e zbulimit pavarësisht se ku e çojnë. Zoti Ratcliffe i siguroi ligjvënësit se misioni i CIA-s do të ishte në plan të parë.

“A do të impononi ju ose ndonjë nga stafi juaj një provë lakmusi politik për punonjësit e CIA-s?”, shtroi pyetjen Senatori i pavarur Angus King, i cili përfaqëson shtetin Mein. “Jo”, ishte përgjigja e zotit Ratcliffe.

Zoti Ratcliffe u tha ligjvënësve se ai e mbështet Ligjin për Përgjimet e Zbulimit të Jashtëm, si një program që i lejon autoritetet të mbledhin të dhëna zbulimi të komunikimeve të jo-amerikanëve që ndodhen jashtë Shteteve të Bashkuara. Nëse këta individë komunikojnë me amerikanët, bisedat e regjistruara mund të fshihen, një fakt që ka ngritur pikëpyetje lidhur me shkeljen e të drejtave personale.

Zoti Ratcliffe tha se rregullat në fuqi janë hartuar për të siguruar mbrojtjen e privatësisë së amerikanëve. Nuk është i përkryer, tha zoti Ratcliffe për ligjin por: “Është kritik dhe i domosdoshëm”.

Një ish prokuror federal, zoti Ratcliffe ka shërbyer gjithashtu në Kongresin amerikan si përfaqësues i një zone të Teksasit. Ai ishte një mbrojtës i ashpër i Presidentit Trump gjatë procedurave të para për hapjen e procesit të shkarkimit të tij në Dhomën e Përfaqësuesve.

Pas seancës prej dy orësh me pyetje për zotin Ratcliffe, komisioni i vazhdoi punimet me dyer të mbyllura për të diskutuar çështje të ndjeshme ose të fshehta të zbulimit.

Seanca dëgjimore është pjesë e një maratone njëjavore, ndërsa Senati i udhëhequr nga republikanët nxiton konfirmimin e figurave kyçe të kabinetit të ri qeveritar nga Senati i plotë përpara ditës së hënë, kur zoti Trump bën betimin si presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara.

Zoti Trump dhe republikanë të tjerë e kanë kritikuar punën e CIA-s dhe agjencive të tjera të zbulimit, duke thënë se është përqendruar shumë në çështje si ndryshimet klimatike ose larmia e punonjësve.

Kryetari i komisionit, Senatori Tom Cotton, i cili përfaqëson shtetin Arkansas, përmendi rastin e fundit në Nju Orleans si një shembull të një sulmi vdekjeprurës që ndodhi pa asnjë paralajmërim nga organet e zbulimit.

“Në këto kohë të rrezikshme, agjencitë tona të zbulimit nuk kanë parashikuar ngjarje të mëdha apo nuk kanë zbuluar sulme të mundshme”, tha ligjvënësi Cotton gjatë seancës dëgjimore të mërkurën. “Mund të jap shembuj të tjerë, por mjafton të themi se shumë shpesh jemi në errësirë…..CIA ka neglizhuar misionin e saj kryesor”.

Thirrjet për ndryshime gjithëpërfshirëse i kanë shqetësuar disa zyrtarë aktualë të zbulimit dhe disa që kanë punuar në këtë fushë në të kaluarën, të cilët thonë se ndryshimet mund ta bëjnë vendin më pak të sigurt.

Nëse miratohet, zoti Ratcliffe do të zëvendësojë drejtorin në largim të CIA-s, William Burns. Ai do të bëhej drejtori i parë i Agjencisë Qendrore të Zbulimit që ka drejtuar më parë Zbulimin Kombëtar./VOA

Basha: Programi ekonomik i Demokratëve Euroatlantikë zgjidh problemet e mëdha që godasin sipërmarrjen dhe xhepat e çdo familje shqiptare

Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka deklaruar se kostot e papërballueshme të jetesës, taksat e larta, klientelizimi i qeverisë dhe korrupsioni janë pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e familjeve shqiptare. Ai shton se, në bashkëpunim me ekspertët më të mirë, PD ka përgatitur një program ambicioz që synon mbështetje për sipërmarrësit dhe krijimin e mundësive për punësim.

Sipas tij, programi i PD synon uljen e taksave, rritjen e prodhimit vendas dhe përmirësimin e kushteve për bizneset, me qëllim rritjen e pagave dhe përmirësimin e jetesës për familjet shqiptare. Basha i fton qytetarët që të shfrytëzojnë mundësinë e votës më 11 maj për të ndryshuar kursin e vendit dhe për të ndihmuar në krijimin e një ekonomie më të fortë.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

Kostot e papërballueshme të jetesës, taksat e larta, klientelizimi i qeverisë, mungesa e konkurrencës, korrupsioni që frenon zhvillimin ekonomik, janë plagët e mëdha që godasin sipërmarrjen dhe xhepat e çdo familje shqiptare. Për t’u dhënë zgjidhje këtyre sfidave, në bashkëpunim me ekspertët më të mirë vendas e të huaj, kemi përgatitur një program ambicioz, që e vendos qeverisjen në krah të sipërmarrësve të ndershëm dhe qytetarëve, jo kundër tyre.

Në qendër të programit ekonomik që propozojmë është mirëqenia juaj: ne besojmë në një ekonomi që frymëzon sipërmarrjen, tërheq investitorë të huaj dhe krijon vende të reja pune. Me taksat e ulëta, bizneset zgjerojnë investimet, fuqizohet prodhimi vendas, zgjerohet shtresa e mesme, rriten pagat dhe konsumi familjar. Kështu familjet shqiptare, në veçanti gjysma që jeton në rrezik varfërie, do të kenë mundësi të ndërtojnë një jetë më të mirë këtu, në vendin tonë.

Ju keni fuqinë ta bëni të mundur këtë përmes votës tuaj më 11 maj, të vetëdijshëm se Shqipëria meriton më shumë.

Disa prej pikave të programit ekonomik të Demokratëve Euroatlantikë të prezantuara në videon e programit:

– 9% taksë e sheshtë
– 9% tatim fitimi
– 9% dividenti
– 0 taksa për biznesin e vogël deri në 14 milionë lekë të reja
– Ulim detyrimet që bizneset e vogla paguajnë ndaj pushtetit lokal në vlerën jo më të lartë se 1% e xhiros vjetore
– Duke aplikuar pullën fiskale, do të përjashtohen nga kontrollet tatimore bizneset e vogla
– Kompensimi, apo rimbursimi automatik nga sistemi i TVSH-së për çdo tatimpagues përfitues
– Bashkojmë në një institucion të vetëm tatimet dhe doganat, duke përgjysmuar burokracinë
– Eliminojmë privilegjet fiskale për investitorët strategjik
– Heqim “taksën Rama” 240 lekë të vjetra për litër të karburanteve

Gazetarja zbulon si Rama vodhi programin e Bashës, por nuk e realizoi dot

Në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, u analizuan premtimet politike të Partisë Socialiste dhe realizimi i tyre gjatë qeverisjes së të majtëve. Sipas gazetares Arestina Skënderi, kryeministri Edi Rama ka përvetësuar një pjesë të konsiderueshme të premtimeve të kundërshtarit të tij politik, Lulzim Basha, nga fushata e vitit 2021.

Në atë kohë Edi Rama ka sulmuar programin e prezantuar nga Lulzim Basha, duke e cilësuar të ngjashëm me ato të firmave piramidale, mirëpo pas fushatës ka mbajtur shënim propozimet dhe është përpjekur ta imlementojë, duke dëshmuar seriozitetin e propozimeve të kundërshtarit të tij dhe duke dëshmuar mungesën e ideve nga ana e kryesocialistit, që pas tre mandatesh kopjen ka armë të vetme.

Megjithatë, edhe pse ka ‘vjedhur’ disa prej premtimeve të Bashës, Rama nuk ka mundur t’i realizojë ato plotësisht:

“Program pas shkollës dhe ushqim në orët shtesë”. Ky projekt është aplikuar vetëm në disa shkolla nga mazhoranca.

“Ulimi i licensave dhe lejeve të biznesit”. Premtimi për të ulur numrin e licensave dhe lejeve të biznesit, si dhe për të përgjysmuar afatet ligjore për çdo leje nga 60 në 30 ditë, është realizuar plotësisht.

“Krijimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit”. Partia Socialiste ngriti Komisionin Parlamentar Anti-Korrupsion, megjithëse ky hap është shoqëruar me polemika nga ndërkombëtarët dhe institucionet e drejtësisë.

“Subvencionimi i fermerëve”. Qeveria e PS-së ka arritur të subvencionojë fermerët deri në 80 milionë euro, ndonëse ishte parashikuar një buxhet prej 100 milionë eurosh.

“TVSH prej 6% për sektorin e turizmit”. Ky tatim është aplikuar vetëm për akomodimin në sektorin e turizmit.

Pra përvetësimi i premtimeve nga programi i Partisë Demokratike të vitit 2021 tregon se, pavarësisht etiketimeve dhe deklaratave të ashpra ndaj Bashës, Rama ka marrë parasysh iniciativat e Bashës, i cili edhe për zgjedhjet e 11 majit 2025 ka prezantuar një program serioz, të hartuar nga ekspertët më të mirë vendas e të huaj, të prezantuar në kohë rekord, gati 1 vit para zgjedhjeve.

Ndoshta edhe këtë fushatë Rama do përpiqet ta anatemojë programin e prezantuar nga Basha, por huazimi i programit të mëparshëm nga ana e kryeministrit, e bën hipokrite çdo sulm.