27.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Të shikosh futboll të bën mirë për shëndetin

Në një fazë apo tjetër të jetës sonë, me siguri se dikush na ka thënë se shikojmë shumë futboll. Pas së gjithash, e kemi shumë të lehtë t’i shpenzojmë vikendet para televizorit duke i shikuar ndeshjet më interesante.

Pastaj është edhe argumenti që sugjeron se futbolli mund të jetë i dëmshëm për shëndetin.
Pëllëmbët e djersitura, zemërimi e neveria janë disa prej gjërave që shikuesit e futbollit më së shpeshti i përjetojnë.

Por, këto ‘simptoma’ negative faktikisht nuk janë dëshmuar asnjëherë dhe, një studim i ri shkencor, faktikisht ka konfirmuar se futbolli është i mirë për shëndetin tuaj.

Shkencëtarët, përmes eksperimenteve të ndryshme, kanë zbuluar se rritja e pulsit të zemrës që ndodh gjatë shikimit të futbollit shpie në “stres pozitiv” – pra rezultat i njëjtë që arrihet gjatë një sesioni ushtrimor kardio.

Kështu, ata kanë konstatuar se shikimi i futbollit mund të ketë përfitim pozitiv në shëndet.
Një tjetër efekt është se, kur ekipi i preferuar fiton, fansave të atij ekipi iu zvogëlohet shtypja e gjakut dhe kjo ka efekt pozitiv në disponim për të paktën 24 orë pas fitores.

Wijnaldum zbulon të qeshurat para finales së Championsit: Kloppi kishte veshur brekët e Ronaldos

Georginio Wijnaldum ka zbuluar se si trajneri i Liverpoolit, Jurgen Kloppit, e kishte mbajtur fjalimin para finales së Ligës së Kampionëve me brekët e Cristiano Ronaldos të veshura, para përballjes me Real Madridin në finalen e vitit 2018.

Presioni mbi Liverpoolit ishte i madh, pasi që “Reds” ishin kualifikuar në finalen e Ligës së Kampionëve për herë të parë që nga viti 2007, përderisa Real Madridi kërkonte ta fitonte titullin e tretë radhazi të këtij turneu.

Por, i vetëdijshëm për presionin që mund të kenë qenë duke e ndjerë lojtarët e tij para finales në Kiev, Wijnaldum e ka zbuluar se si Kloppi i kishte qetësuar të gjithë në takimin e skuadrës, duke i veshur brekët e Ronaldos.

“Ne e pamë se ai i kishte veshur brekët e Cristiano Ronaldo”, u shpreh holandezi për The Athletic. “Ai e mbajti të gjithë takimin dhe bluzën e futur nën brekët e tij “CR7”. Të gjithë në zhveshtore mbetëm të shtrirë në dysheme nga të qeshurat”.

“Kjo me të vërtetë e theu akullin. Zakonisht në situata të tilla, të gjithë janë shumë seriozë dhe plotësisht të përqendruar. Por, ai ishte i relaksuar dhe e bëri këtë shaka”.

“Ai i ka bërë qindra shaka të tilla. Kur ti e sheh se trajneri yt është i relaksuar dhe ka vetëbesim, kjo do të ketë gjithmonë efekt te lojtarët. Ai është si baba në këto gjëra për lojtarët. Me shakatë e tij dhe gjuhën e trupit, ai e largon presionin nga lojtarët”.

Përkundër që skuadra e Kloppit kishte humbur në atë ndeshje – me rezultat 3:1, ku Gareth Bale i kishte shënuar dy gola – Liverpooli arriti ta fitojë trofeun e shumëpritur sezonin vijues, 2018/19, duke e mposhtur Tottenhamin në finale.

Çmenduri- DeepFace mund të krijojë fytyrën e çdokujt vetëm me anë të dëgjimit të zërit

DeepFace është një sistem i njohjes së fytyrës i krijuar nga një grup i hulumtuesve në Facebook. Ajo identifikon fytyrat njerëzore në imazhe digjitale.

Ajo ka lë rrjetë neurale prej nëntë shtresave me më shumë se 120 milionë lidhje, të organizuara si një rrjet siamez, dhe është trajnuar në mbi 4 milionë imazhe të ngarkuara nga përdoruesit e Facebook.

Ekipi i hulumtuesve të Facebook ka cekur se motoda DeepFace mbërrin një saktësi prej 97.35%, në krahasim me sistemin e gjeneratës së re të FBI’së. Një nga krijuesit e souftuerit, Yaniv Taigman, erdhi në Facebook pas blerjes së aplikacionit të tij Face.com nga kompania gjigande.

Teknikat e DeepFace mund të sintetizojnë imazhet njerëzore duke ëprdorur intelegjencën artificiale. Kjo ka bërë që përdoruesit e mediave sociale të mbesin të habitur. Por gjithashtu ka hapur shumë pyetje për mënyrën se si ky lloj i teknologjisë mund të përdoret.

Vetëm duke dëgjuar zërin, fytyra e një personi mund të sintetizphet dhe do i përngjajë personit tjetër. Kjo ka bërë që mundësia për tu përdorur ky aplikacion për lajme të rreme të jetë e madhe.

Shikoni videon në vijim ku tregon se si një aktor sintetizon fytyrën e Tom Cruise vetëm duke i përshtatur zërin.

Forca paramilitare në duart e regjimit

Në prill 2019, Këshilli i Ministrave vendosi të krijojë Illyrian Guard, një kompani sigurie shtetërore, direkt nën varësinë e Ministrisë së Brendshme. Kompania është 100 për qind në pronësi të ministrisë dhe ka një kapital themeltar prej 10 milionë lekë, rreth 83 mijë euro.
Sipas përshkrimit në vendimin e qeverisë, Illyrian Guard:

“[O]fron shërbime me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

Shoqëria “Illyrian Guard” sh.a. ofron shërbime mbështetëse në Ministrinë e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj, në zbatim të kompetencave që i njihen kësaj të fundit sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.”

Përmbedhtas: Illyrian Guard do të jetë një firmë private sigurie në pronësi të shtetit që do të kujdeset për sigurimin e pronës shtetërore dhe të ndihmojë Policinë e Shtetit.

Sipas dokumenteve të regjistrimit në Regjistrin e Biznesit, Illyrian Guard drejtohet nga Henrik Elmazaj. Elmazaj, më parë ka qenë komandant i RENEA-s dhe Forcave Speciale, veçanërisht gjatë trazirave të vitit 1997. Ai ka qenë gjithashtu dhe ish-presidenti i firmës së sigurisë fizike ALSIG.

Në Bordin e kompanisë janë Zëvendësministri i Brendshëm Julian Hodaj, Drejtorja e Kabinetit të Ministrit të Brendshëm Elora Kokalari, dhe këshilltari i Kryeministrit Dritan Palnikaj, i cili ka qenë më parë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme.
Duke vlerësuar përbërjen e bordit, është e qartë se Kryeministri Rama ka interesa personalë në krijimin e Illyrian Guard.

Tenderi i parë i hapur nga kompania, i publikuar më 3 korrik, për uniformat e policisë, me një vlerë prej 3,5 milionë lekësh (rreth 28 mijë eurosh) u anulua në fillim të gushtit.
Në një deklaratë publike, Zëvendësministri Hodaj deklaroi se Illyrian Guard është themeluar për tre arsye

për të ofruar një standard të ri cilësie në tregun e sigurisë dhe rendit publik;
për të kursyer nga buxheti i shtetit shuma të konsiderueshme që shkojnë sot për ruajtjen dhe sigurinë fizike nga institucionet shtetërore;

për të ofruar një mundësi të mirë ‘freskimi’ për personelin e Policisë së Shtetit.
Në të vërtetë, arsyeja e dytë duket me vend—sektori i sigurisë sundohet nga disa kompani, të cilat kanë formuar një kartel të paligjshëm, i cili përcakton me marrëveshje çmimet e shërbimeve, duke i mbajtur ato artificialisht të larta dhe bllokon konkurrencën.

Por qeveria Rama ka dështuar t’i prishë këto kartele dhe vazhdon t’u sigurojë atyre plot tendera fitimprurës nga buxheti i shtetit. Ministri i vetëm që u përpoq të vendoste disa standarde në këtë industri, ishte ish-ministri teknik Dritan Demiraj që qendroi vetëm tre muaj në detyrë.

Ndaj kursimi i parave nuk mund të ketë qenë arsyeja e vërtetë e krijimit të Illyrian Guard—nëse shpenzimet publike do të ishin shqetësimi i vërtetë, qeveria mund të kishte vepruar vite më parë.

Arsyeja e tretë e përmendur nga Zoti Hodaj është po ashtu e dyshimtë. Një prej rregulloreve të miratuara nga Demiraj, parashikonte ndalimin e (ish) oficerëve të policisë, ushtarakëve ose personelit të shërbimit sekret nga mbajtja e funksioneve menaxhuese apo drejtuese në firmat e sigurisë, me qëllim shmangjen e korrupsionit dhe nepotizmit dhe parandalimin e krijimit të një “derë rrotulluese” midis Policisë së Shtetit dhe firmave private të sigurisë.

Por Zëvendës Ministri Hodaj në fakt e sheh Illyrian Guard pikërisht një mënyrë për të “promovuar” oficerët e Policisë së Shtetit:

“Në Policinë e Shtetit ka shumë njerëz me eksperiencë, të cilët për një arsye ose për një tjetër, nuk kanë pasur atë ecuri në karrierë. Flasim për ata që kanë po themi 20-25 vite eksperiencë në Policinë e Shtetit. Mund të jetë një mundësi shumë e mirë për ta që të punojnë për një entitet që garanton edhe kushte ndoshta të mira pune dhe duke vazhduar pak a shumë të punojnë në të njëjtin profil.”

Me pak fjalë, Illyrian Guard do të jetë pikërisht “dera rrotulluese” që do t’i lejojë oficerët e Policisë së Shtetit ‘që nuk kanë ecur në karrierë’ të marrin një pozicion pune të rehatshëm dhe të shtyjnë kohën e tyre.

Momenti i krijimit të kompanisë është natyrisht i dyshimtë, pasi Ministria e Brendshme kohët e fundit ka nisur procesin për “vetingun” e policëve. Nuk ka dyshim se shumë oficerëve, që nuk do të kalojnë vetingun, do t’u ofrohet një vend punë në Illyrian Guard.

Kështu do të krijohet një Polici të Shteti “të pastër”, duke mbajtur forcat “e pista” në një kompani tregtare shtetërore, larg nga mbikëqyrja dhe llogaridhënia publike.

Në të njëjtën kohë, kjo politikë parandalon firmat e sigurisë private të përfitojnë nga fluksi i policëve të larguar nga puna, duke i mbajtur ata sërish nën kontrollin e qeverisë.

Kjo është një recetë perfekte për korrupsion, nepotizëm dhe shpërdorim pushteti, dhe kjo gjë shihet se si po gatuhet përpara syve tanë.

Arsyeja e parë që përmend Hodaj duket se është shtysa kryesore për marrjen e këtij vendimi. Muajt e fundit, ka pasur një rritje të vazhdueshme të përdorimit të firmave private të sigurisë në përballjen me protestat civile.

Përdorimi i parë në shkallë të gjerë ishte gjatë protestave të studentëve, që nisën në dhjetor 2018. Ndërsa javët e fundit, firmat private të sigurisë u përdorën kundër protestuesve që mbronin Teatrin Kombëtar nga shembja.

Dhuna e policëve privatë ndaj artistëve dhe qytetarëve është e dokumentuar në dhjetëra fotografi e filmime.

Kjo vijë tregon ndoshta aspektin më shqetësues të formimit të Illyrian Guard. Ndryshe nga Policia e Shtetit, Illyrian Guard është një firmë tregtare dhe nuk i nënshtrohet Ligjit për Policinë e Shtetit. Si e tillë, ajo nuk është nën kontrollin përfundimtar të Kuvendit, nuk ka pse të respektojë parimet e Policisë së Shtetit dhe nuk ka nevojë të jetë transparente për financat e saj dhe mënyrën si i shpenzon ato.

Ashtu siç zëvendësministri Hodaj pranon: “Avantazhet në krahasim me një organ shtetëror, ka avantazhe, sepse duke qenë një shoqëri tregtare, ka një organizim dinamik. Pra, nuk është e kushtëzuar nga ato skema që sot ndjekin agjencitë shtetërore apo institucionet shtetërore.”

Kjo hap derën për krijimin e asaj që është në thelb një forcë paraushtarake që funksionon kryesisht jashtë vëzhgimit të publikut, që përbëhet nga ish -oficerë të Policisë së Shtetit (të dalë në pension ose të shkarkuar), nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Brendshme.

Çfarë skeme tjetër më të mirë se kjo mund të gjendet për të abuzuar pushtetin shtetëror?!

Valdrin Pjetri s’do hyjë në zyrë, Rama tërhiqet

Fati i Valdrin Pjetrit, i cili mori mandatin e kryebashkiakut të Shkodrës, në votimet e 30 qershorit, do të vendoset pasi Prokuroria e Përgjithshme do të shprehet lidhur me akuzat në drejtim të tij të bëra nga opozita.

Opozita ka publikuar dokumente që provojnë dënimin e Pjetrit me 18 muaj burg nga drejtësia italiane, çka do të thotë se ai është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe s’mund të zgjidhet.

Prokuroria ka deklaruar se ka nisur verifikimet, ndërsa Kryeministri Edi Rama është distancuar duke deklaruar një ditë më parë pezullimin e Pjetrit nga funksionet në PS-, por edhe ka bërë të ditur se ai s’ka ndërmend të marrë në mbrojtje atë që para pak muajsh e paraqiti në publik si “shpëtimtarin” e Shkodrës dhe shkodranëve.

Ndërkohë që Pjetri ka marrë mandatin dhe priste të hynte në zyrën e kryebashkiakut në 20 gusht, duket se mazhoranca e Edi Ramës ka marrë një vendim, për të shtyrë mbledhjen e konstituimit të Këshillit Bashkiak.

Në kushte të tilla, Pjetri nuk mund të bëjë betimin para Këshillit dhe rrjedhimisht nuk mund të marrë detyrën e kryebashkiakut, edhe pse mandatin e ka konfirmuar në Gjykatë.

Zhvatja e miliona eurove, SHBA dhe BE po kërkojnë arrestimin e Prokurores Speciale?

Autoritetet maqedonase po shprehin shqetësim, disa javë pas zbardhjes së skandalit të korrupsionit, të njohur si “zhvatja” ku përflitet përfshirja e mundëshme e Prokurores së posaçme. Ndërkaq, komuniteti ndërkombëtar bëri thirrje për luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në Maqedoninë e Veriut, që së shpejti pritet të bëhet anëtari i tridhjetë i NATO-s.

Zyrtarë të lartë të pushtetit në Maqedoninë e Veriut po tregohen të angazhuar për të shtuar masat kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, pas skandalit të publikuar në shtypin italian.
Qeveria ka formuar të martën një ekip operativ për luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit me qëllim të arritjes së drejtësisë, siç thuhet në një komunkiatë të qeverisë.

Ekipi do të drejtohet nga nënkryetari i qeverisë dhe ministër i brendëshëm, Oliver Spasovski, ndërsa aty do të bëjnë pjesë ministrja e Drejtësisë, zëvendës-ministri i Punëve të brendshme, drejtorët e Byrosë për siguri publike, të Policisë financiare, të Doganave, të Drejtorisë së të hyrave publike dhe zyrtarë e ish-zyrtarë të shërbimit sekret.

Autoritetet qeveritare me këtë mbase vënë në pikëpyetje besimin e prokurorisë dhe organeve të hetuesisë, apo mund të kenë ndonjë tjetër motiv, por është ky pushtet që bëri para disa muajsh ligjin e amnistisë për lirimin e një duzine personash, ndër ta deputetë të parlamentit të akuzuar për vepra të rënda siç ishte nxitja e dhunës së përgjakshme në parlament.

Ndërkaq, Kabineti i Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka lënë të kuptohet se presidenti nuk ka diskredituar prokurorinë publike kur u shpreh të hënën se duhet që hetimet të jenë të efektshme, të shpejta dhe të plota. Përkundrazi, presidenti ofron mbështetje dhe do të bëjë ç’mos që të mbrojë prokurorët nga trysnia eventuale gjatë procesit të hetimeve dhe zbardhjes së plotë të rastit “zhvatja”, thekson kabineti i presidentit Pendarovski.

Lidhur me skandalin kanë reaguar edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.
Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn shkruan në tëitter se lufta kundër nivelit të lartë të korupsionit duhet të vazhdojë pa ndërprerje. Në lidhje me rastin e ri, komisioneri shkruan se “është me rëndësi të vendoset përgjegjësia ligjore për të gjitha krimet, përfshirë ato që dalin nga përgjimi joligjor i telefonatave”.

Edhe ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Byrnes ka shkruajtur në tëitter se “këto janë akuza të rënda të cilat kërkojnë përgjigje serioze, të plota, transparente dhe në kohë. Tash është koha për Maqedoninë e Veriut që të tregojë zotimin ndaj mbështetjes së sundimit të ligjit”, shkruan ambasadorja Byrnes.

Ndërkohë, gazetari me origjinë sllovene Laris Gaiser i cili publikoi skandalin në gazetën italiane La Verita, i ka thënë sot një radioje italiane se nuk është vegël e askujt, duke hedhur poshtë akuzat që vijnë nga Shkupi se ai kishte lidhje të ngushta me partinë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, eventualisht të ishte bërë pjesë edhe e një komploti italo-hungarez, sipas shtypit në Shkup, për rrëzimin e kryeministrit Zoran Zaev nga posti.

Në videon e publikuar në La Verita duken shuma të mëdha parashë që biznesmeni Jordan Kamçev i jep një personi kontravers të quajtur Bojan Jovanovski i njohur si Boki 13 në shou-biznesin e Maqedonisë dhe Serbisë. Por në audio-regjistrime dëgjohet edhe zëri i Prokurores së posaçme në largim Katica Janeva, që dyshohet si pjesëmarrëse në skandal. Akti është cilësuar si zhvatje ndaj biznesmenit Kamçev, i cili auzohet për një tjetër vepër penale ndërsa me këto para synonte blerjen e lirisë së tij nga paraburgimi.

Deklarata e fortë e Phillips : SHBA, angazhim për demokracinë në Shqipëri me ambasadoren e re amerikane

Analisti amerikan David Phillips thotë se memoriali për viktimat e grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, nuk kishte vend në Tiranë dhe se autoritetet duhet të sqarojnë rrethanat e ngritjes së tij. Profesori i Kolumbias i tha Zërit të Amerikës se e sheh ngritjen e memorialit në vazhdën e afërsisë së kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit turk Recep Tayyp Erdogan. Kolegia Keida Kostreci bisedoi me Profesorin Phillips:

Zëri i Amerikës: Prof. Phillips, së fundmi në Shqipëri po zhvillohet një debat, pasi muajin e kaluar u ngrit një memorial por qytetarët turq që humbën jetën në grushtin e shtetit të dështuar para tre vjetësh në Turqi. Debati ka të bëjë me disa arsye, përfshirë faktin që Bashkia nuk po pranon të flasë për rolin e saj në ngritjen e memorialit, për të cilin nuk thuhet asgjë në faqen e saj të internetit dhe për vetë faktin që ngrihet një memorial për qytetarë të huaj në Parkun e Tiranës. Cilat janë komentet tuaja?

David Phillips: Viktima e vërtetë e të ashtuquajturit grusht shteti në Turqi, është populli turk. 100 mijë vetë u hoqën nga puna, 50 mijë janë vendosur në ndalim administrativ, 151 gazetarë janë arrestuar – Turqia ka më shumë gazetarë në burgje sesa çdo vend tjetër – dhe ka disa pikëpyetje të vërteta lidhur me faktin nëse kishte vërtet një grusht shteti.

Disa thonë se ishte një grusht shteti i kontrolluar, që e menaxhoi (presidenti) Erdogan dhe që u përdor për të justifikuar shtypjen kundër shoqërisë, duke e kthyer Turqinë në një gulag gjigant. Ngritja e memorialit në Shqipëri është e gabuar, nuk i nderon viktimat e vërteta të tiranisë së Erdoganit dhe procesi nuk ishte transparent.

Zëri i Amerikës: 251 personat që humbën jetën janë cilësuar gjerësisht si kryesisht viktima të pafajshme. Po ashtu megjithëse ju thoni që grushti i shtetit mund të ketë qenë orkestruar nga zoti Erdogan, por kjo nuk është provuar. Megjithatë ajo që po diskutojmë sot është nëse duhej ngritur një memorial i tillë në një vend tjetër që nuk është Turqia, pse dhe pse mënyra e fshehtë e procesit në Shqipëri?

David Phillips: Nuk duhej bërë fshehtas, duhet të ketë transparencë për vendimin dhe pse ngrihet memoriali në Shqipëri? Nëse Turqia do që të ketë memoriale për qytetarët e vet, le ta bëjë në Marmaros ose në ndonjë vend tjetër në Turqi, ku do të kishte më shumë kuptim. Ç’mund të themi për sovranitetin e Shqipërisë? A është bërë koloni e Turqisë, kur Turqia kontrollon politikën dhe ekonominë? Kjo është një deklaratë flagrante e tiranisë së Turqisë, jo vetëm ndaj qytetarëve të vet, por edhe tek fqinjët, në rajon. Populli shqiptar nuk duhet ta pranojë një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Zëri i Amerikës pyeti Bashkinë për komente nga drejtuesit e saj lidhur me vendim-marrjen dhe ata e drejtuan Zërin e Amerikës tek Ministria e Jashtme, e cila tha se nuk kishte të bënte fare me të. Pse mendoni ju ata nuk sqarojnë se cili ishte procesi?

David Phillips: Duket se Bashkia nuk ka informacion. Ministria e Jashtme nuk do që të flasë lidhur me këtë. Duket që kjo të ketë qenë një marrëveshje direkte mes Erdoganit dhe Edi Ramës. Në fotografite mes Erdoganit dhe Edi Ramës, kryeministri i Shqipërisë duket si një qenush i bindur para Erdoganit. Në radhë të parë pse ishte aty? A ishte për t’i shërbyer popullit? Kush pagoi për memorialin?

Të gjitha këto investime që po bën Turqia në ekonominë shqiptare, a janë transparente? Ku shkojnë paratë? A janë marrë dhe korruptuar nga zyrtarët? I gjithë ky incident për memorialin ngre shumë pyetje për Shqipërinë dhe marrëdhëniet e saj me Turqinë. Duhet të ketë shumë më tepër informacione publike dhe diskutime për atë marrëdhënie, në mënyrë që Shqipëria të mbrojë sovranitetin e vet dhe të mos manipulohet nga Turqia për qëllime të marrëdhënieve publike dhe propagandë.

Zëri i Amerikës: Ju thoni se ndoshta Bashkia nuk ka informacion por në fakt nënkryetari i Bashkisë ishte i pranishëm në ceremoni. Pra kjo duket më shumë si një rast kur ata nuk duan të flasin hapur dhe publikisht sesa mosdije. Nga ana tjetër Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, në përgjigje të pyetjeve e shmangu plotësisht thelbin e problemit pa folur për procesin e vendim-marrjes, duke thënë pak a shumë vetëm “le të respektojmë të vdekurit”. Cili është mendimi juaj?

David Phillips: Ai nuk di gjë për procesin e vendim-marrjes. Ndoshta ai mori udhëzime që të lejojë ndërtimin e memorialit, për të marrë pjesë (nënkryetari) në ceremoni, pra ne me të vërtetë nuk e dimë historinë e vërtetë për gjithë këtë ngjarje. Ku e pati zanafillën projekti? A ishte një marrëveshje mes krerëve të qeverive? A ishte Bashkia e përfshirë? Jo më kot po i përgjigjem pyetjeve me pyetje sepse ka aq shumë që ne nuk dime.

Në një shoqëri të hapur ku ka liri dhe demokraci, duhet të ketë njoftim publik dhe një seancë publike në mënyrë që qytetarët e Tiranës, të kenë mundësinë të shprehin mendimet e tyre. Asgjë nga këto nuk ndodhi dhe vërtet nuk e dimë se si u arrit në këtë pikë. Duhet të ketë transparencë dhe informim në mënyrë që ata që morën vendimin të mbahen para përgjegjësisë.

Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj, sa e pazakontë është që të ngrihen memoriale për qytetarë të hyuaj në një vend tjetër?

David Phillips: Nuk di që të ketë memoriale të ngjashme në Shqipëri për një vend tjetër. As nuk di të ketë vende të tjera që ngrenë memorial për qytetarë të një vendi tjetër. Është jashtëzakonisht e pazakontë. Dhe ndodh paralelisht me një përpjekje të qeverisë turke për të bërë edhe më shumë presion ndaj organizatës Gulen dhe për të mbyllur shkollat e tyre. Prandaj mendoj se është pjesë e një fushate më të gjerë për të komprometuar sovranitetin e Shqipërisë dhe për ta bërë qeverinë e Shqipërisë të veprojë për interes të Erdoganit. Nuk është aspak në interesin e popullit shqiptar, që kryeministri i tij të bëhet qenush i bindur i Erdoganit. Zoti Rama duhet të mbrojë interesat e popullit të vet, në vend që të bëjë ç’të dojë Turqia.

Zëri i Amerikës: A duhet të kishte pasur hezitim për marrjen e vendimit edhe duke pasur parasysh shqetësimet lidhur me masat shtypëse të Erdoganit, pas grushtit të dështuar të shtetit dhe kritikat e ashpra ndaj tij nga perëndimi për këto masa?

David Phillips: Sigurisht që duhet të ishte shqyrtuar në kontekstin më të gjerë të ngjarjeve në Turqi. Turqia është kthyer në një gulag gjigant. Kjo gjithashtu i dërgon një sinjal shumë negativ edhe Perëndimit dhe Bashkimit Evropian kur kandidatura e Shqipërisë analizohet në Bruksel. Të jeni të sigurt që Komisioni Evropian do ta shohë ngritjen e memorialit dhe do të shtrojë pyetjen nëse Shqipëria aspiron për një identitet evropian apo preferon besnikëri ndaj Turqisë.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se mendoni se zyrtarët e Bashkisë nuk dinë shumë hollësi për procesin dhe se po marrin urdhra. Ku e mbështesni këtë?

David Phillips: Askush, përfshirë mua nuk e di se çfarë ndodhi. Unë thjesht po ndjek rrjedhën e ngjarjeve dhe po nxjerr përfundime nga përvoja e kaluar në situata të krahasueshme dhe po bëj hamendje për financimin e memorialit dhe si u mor vendimi. Duhet të mbahen seanca në Parlament. Duhet të ketë transparencë. Njerëzit duhet të kërkojë transparence. I duhet shkuar deri në fund dhe nëse është bërë diçka pas shpine në dëm të publikut, personat e përfshirë duhet të vendosen para përgjegjësisë.

Zëri i Amerikës: Cili është mendimi juaj për faktin që Kryeministri Rama vetëm pak ditë pas ngritjes së memorialit, ishte në Turqi si mik I zotit Erdogan?

David Phillips: Shqipëria dhe Turqia kanë një afërsi të tepruar dhe Rama dhe Erdogan kanë një marrëdhënie tepër miqësore. Marrëdhëniet dypalëshe duhen mbështetur në interesat kombëtare, jo ato personale. Edi Rama duhet të mbrojë interesat e popullit shqiptar. Interesat kombëtare të Turqisë dhe marrëdhënia e tij personale, duhet të kenë shumë më pak rëndësi.

Por kur Rama shkon në dasmën e vajzës së Erdoganit, kjo ngre pyetje për sovranitetin e Shqipërisë dhe pavarosinë e Ramës. Duhet të hetohen të gjitha këto ngjarje. Parlamenti duhet të ngrejë një komision për të hetuar investimet e Turqisë në Shqipëri. Dhe nëse ka keqbërje dhe korrupsion duhet të ekspozohet.

Zëri i Amerikës: Qeveria ka thënë vazhdimisht se nuk ka asnjë qëllim të mbrapshtë dhe për t’u druajtur nga marrëdhënia mes kryeministrit Rama dhe zotit Erdogan dhe mes Turqisë dhe Shqipërisë. Ajo thotë se është një nga marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë. Vetë zoti Rama ka shprehur pakënaqësinë lidhur me komentet tuaja të mëparshme. Cili do të ishte komenti juaj?

David Phillips: Unë dhe ai kemi folur për mosmarrëveshjet tona të mëparshme. Jo, unë nuk kam ndryshuar qëndrim. Do të isha I lumtur të pija kafe me kryeministrin dhe ta diskutoja. Por si dikush që e do Shqipërinë dhe popullin shqiptar, dua ta shoh vendin të shkojë në drejtimin e duhur dhe një bashkëpunim më i afërt dhe nënshtrim i Shqipërisë ndaj Turqisë nuk është në interesin kombëtar të Shqipërisë.

Do të doja të shihja që Shqiëria adhe SHBA të punojnë më ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe që Shqipëria të bëhet një kandidate e denjë e anëtarësimit në BE. Aty qëndron e ardhmja e Shqipërisë. Dhe Shtetet e Bashkuara, çdo gjë që mund të bëjë për ta inkurajuar këtë proces, duhet ta bëjë. Ambasadorja e re amerikane do të shkojë së shpejti në Tiranë dhe ajo dhe qeveria amerikane janë të angazhuara ndaj demokracisë së Shqipërisë dhe bashkëpunimit më të ngushtë, Tani është koha për veprime, jo për fjalë.

Këto veprime duhet të jenë hapa konkrete që qeveria merr për t’u integruar në institucionet Euro-Atlantike dhe për të fuqizuar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara. E ardhmja e saj nuk është në Azi me Turqinë. Është në perëndim dhe duhet të bëjmë gjithçka për të inkurajuar një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Dhe së fundmi, në kontekstin më të gjerë Turqia ka bërë përpjekje për t’u afruar edhe me vende të tjera të Ballkanit. A është shqetësuese kjo për ju dhe si i shihni veprimet e saj?

David Phillips: Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë për shitje. Besnikëria e tyre nuk mund të blihet. Politikanët duhet t’i shërbejnë publikut dhe të mbrojnë interesat e qytetarëve të tyre. Dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë të qartë se presin që këto vende të veprojnë në përputhje me praktikat më të mira të demokracisë. Në këtë mënyrë forcohen partneritetet dhe integrohen këto vende në strukturat euro-atlantike. Ne nuk duam të shohim Shqipërinë apo vende të tjera të Ballkanit Perëndimor të blihen dhe të shiten dhe të afrohen edhe më shumë në orbitën e Turqisë. Duam që ato vende të kenë demokraci të fortë dhe tregje të lira. Shtetet e Bashkuara duhet të jenë më pro-aktive për ta afruar më shumë Shqipërinë dhe për të punuar më shumë në partneritet me të, në mënyrë që t’u shërbehet më mirë interesave të popullit shqiptar.

VOA: Prokuroria ende nuk i ka marrë shenjat e gishtërinjve Valdrin Pjetrit, rrezikon dënimin për…

Në Shqipëri Partia Demokratike publikoi sot dokumenta të autoriteteve italiane të cilat dëshmojnë se i zgjedhuri i Partisë socialiste për kryetar të Bashkisë së Shkodrës Valdrin Pjetri, ka qenë i dënuar në Itali nën akuzën e prodhimit dhe trafikimit të substancave narkotike.

Një dënim të cilin ai nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Prej disa ditësh Pjetri ka mohuar akuzat se ka qenë i dënuar dhe vijoi ta bëjë këtë dhe sot pas publikimit të dokumentave italiane. Ndërsa në një reagim të tij kryeministri Edi Ram u shpreh se “deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht”.

Kandidati socialist Valdrin Pjetri duket se nuk do ta gëzojë karrigen e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, ku ai nuk është ulur ende. Dokumentat e publikuara sot nga Partia Demokratike dëshmojnë se ai ka qenë i dënuar në Itali dhe për më tepër e ka mbajtur të fshehtë këtë dënim. Valdrin Pjetri rezulton të jetë arrestuar më 27 Janar 2003 në Firence, dhe një ditë më pas, përpara gjykatës, ka pranuar fajësinë.

“Ai është dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim. Për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit. Më datë 3 Shkurt 2003 Vladrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më datë 4 Shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga shteti italian”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Ai deklaroi më tej se “të gjitha këto të dhëna provojnë se Valdrin Pjetri është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit. Sipas ligjit për dekriminalizimin nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për: “Prodhimin shitjen dhe trafikimin e e narkotikëve” dhe

“Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie as personat që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së”, siç është Italia në rastin e Valdrin Pjetrit, në lidhje me këto vepra penale. Për këtë kategori personash, sipas ligjit të dekriminalizimit (neni 4), ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit, zgjat gjatë gjithë jetës”.

Zoti Pjetri ka mohuar në vijimësi akuzat se ka qenë i dënuar duke deklaruar se “jam mëse i hapur për çdo verifikim”. Ai nxorri më pas dhe dy dokumenta të lëshuara nga autoritetet italiane, me anë të të cilave pretendoi pastërtinë e të kaluarës së tij. Por certifikatat flasin për gjendjen aktuale dhe për me tepër që periudha brenda së cilës ai mund të quhej i rehabilituar ka qenë deri në vitin 2015.

Edhe sot përmes një statusi në Facebook, ai mohoi sërish akuzat, duke u shprehur se “e vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjencive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e Partisë Demokratike”. Zëri i Amerikës mundi të verifikojë përmes burimeve të veta se dokumentat e publikuara sot nga Partia demokratike janë origjinale, siç ndodhen në regjistrat e autoriteteve italiane.

Zoti Pjetri duket se ka qenë në dijeni të faktit se e kaluara e fshehur mund t’i rishfaqej para syve, ndyshe nuk ka si shpjegohet se përse me 19 korrik ai ka kërkuar të marrë certifikat nga autoritetet gjyqësore italiane, ndërkohë që denoncimet publike të opozitës nisën disa ditë më vonë, në fillim të gushtit, ndërsa më 23 korrik ai mori nga kryeministri Rama dhe një tjetër shenjë besimi dhe mbështetje të fortë “për të përmirësuar drejtimin politik në Qarkun e Shkodrës, atë do ta drejtojë kryetari i ri I Bashkisë së Shkodrës”.

Zoti Rama reagoi përmes një statusi në Twitter pas zhvillimeve të sotme duke u shprehur se “kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht”. Nuk është e qartë se deri ku shkon kjo ndarje dhe nëse Partia socialiste do të jetë dakort që Pjetri të marrë apo jo detyrën javën e ardhshme.

Pavarësisht distancimit që kryeministri duket se po bën, dhe deklarimit të tij se “kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS”, ky nuk është rasti i parë, dhe fakti që forca që udhëheq vendin nuk arrin dot të gjejë 61 kandidatë ku askush të mos ketë hije mbi të kaluarën është një kosto që kryeministri vetë, si personi që ka dhënë bekimin për secilin prej tyre, e ka tanimë mbi shpinë.

Zoti Valdrin Pjetri, ka një karrierë për t’u patur zili, e nsur që në kohën e qeverisë Berisha, ku sipas curriculumit të tij, rezulton se nga viti 2010 deri në vitin 2014 ka mbajtur detyrën e Administratorit të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (ligji Anti Mafia dhe Financim Terrorizmi). Më pas ka mbuluar disa detyra drejtuese në Ministrinë e Mbrojtjes deri në vitin 2018, kur u emërua drejtues i Hipotekës e më pas Prefekt i Shkodrës.

Për rastin e tij Prokuoria tha sot se ka nisur procedurat e verifikimeve, menjëherë pas denoncimit të dorëzuar pranë saj nga PD-ja, dhe se është në pritje të përgjigjeve drejtuar Interpol-it dhe Europol-it, ndërsa ende nuk ka kërkuar nga zoti Pjetri t’i marrë shenjat e gishtërinjve. Ai rrezikon të akuzohet për “Falsifikim të dokumentave zyratre dhe “Deklarim të rremë”.

Pas Valdrin Pjetrit, Rama do të dorëzojë edhe Olsi Ramën!

Pas Valdrin Pjetrit, Rama po përgatitet të dorëzojë edhe vëllanë etij Olsi Rama për të cilin ka dokuemhta të plota për lidhjen me trafikun e kokainës. Edi Rama për të shpëtuar lëkurën e tij po shet edhe vëllain e tij, Olsi Ramën. Kështu shkruan në një postim të tijin në Facebook ish kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, kryeministrit po i shtrëngrohet laku në fyt.

Berisha shton se, Rama është i informuar për lidhjet e vëllait të tij me grupin e kokainës së Xibrakës.
Postimi i plotë i ish kryeministrit Sali Berisha:
Edvin Mafia per lekuren e tij po shet Olsi Drogen! Miq, Edvin Droges po i shtrengohet laku ne fyt!
Pasi e kishte mbrojtur deri sot Valdrin Drogen dhe kishte bllokuar hetimet, sot ai ne nje postim ne tëitter deklaro:

“Jo Valdrini, po vëllai im të jetë ( fjala eshte per Olsin), s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua, në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale,( me fjale tjera eshte e Olsit dhe jo familjare)

Edvin je i pashprese, cfare eshte e Olsit eshte edhe e jotja dhe kjo eshte e dokumentuar.
Miq, kete deklarate Edvin Droga e beri per Olsin sepse duket se eshte informuar se eshte i dokumentuar me ze dhe figure bashkepunimi i ngushte i Olsit me kreun e grupit te Xibrakes, Genti Xhixha, te cilin vellaçko Olsi e percolli nga Shqiperia pas leshimit te urdher arrestit nga prokuroria. Perveç kesaj, vet Edvini eshte ne tave por duket se po pregatit Olsin qe te deshmoje kunder pergjegjesise dhe implikimit familjar.

Ndaj dhe Edvini mbyll postimin e tij ne tëitter: “Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual!”! Edvin, akuzoje sa te duash Olsi drogen, vete nuk ke shpetim. Rama ik! sb