29.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Zëri i Amerikës: Rama i besoi drejtimin politik të Qarkut të Shkodrës trafikantit të drogës

Zëri i Amerikës publikoi një raportim me tone të forta pas publikimit të dokumenteve nga opozita për Valdrin Pjetrin, kandidatin socialist për Bashkinë e Shkodrës. Në raportim thuhet se VOA ka bërë verifikimet e veta dhe rezulton se doumentet që tregojnë se Pjetri ka qenë i dënuar në Itali, janë origjinale.

Jo vetëm kaq, por VOA lëshon kritika ndaj kryeministrit Edi Rama.
Fillimisht thuhet se Pjetri ka qenë në dijeni të këtij fakti, pasi e ka kërkuar certifikatën më 19 korrik, përpara se të nisin denoncimet e opozitës. Ndërkohë më 23 korrik, VOA raporton se Rama i dha një tjetër shenjë besimi dhe mbështetje të fortë duke i besuar drejtimin politik të qarkut të Shkodrës.

“Zoti Pjetri duket se ka qenë në dijeni të faktit se e kaluara e fshehur mund t’i rishfaqej para syve, ndyshe nuk ka si shpjegohet se përse me 19 korrik ai ka kërkuar të marrë certifikat nga autoritetet gjyqësore italiane, ndërkohë që denoncimet publike të opozitës nisën disa ditë më vonë, në fillim të gushtit, ndërsa më 23 korrik ai mori nga kryeministri Rama dhe një tjetër shenjë besimi dhe mbështetje të fortë “për të përmirësuar drejtimin politik në Qarkun e Shkodrës, atë do ta drejtojë kryetari i ri i Bashkisë së Shkodrës”.

Më tej, VOA thekson se kostot e përzgjedhjes së këtyre kandidaturave bien mbi Ramën.
“Pavarësisht distancimit që kryeministri duket se po bën, dhe deklarimit të tij se “kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS”, ky nuk është rasti i parë, dhe fakti që forca që udhëheq vendin nuk arrin dot të gjejë 61 kandidatë ku askush të mos ketë hije mbi të kaluarën është një kosto që kryeministri vetë, si personi që ka dhënë bekimin për secilin prej tyre, e ka tanimë mbi shpinë,” raporton VOA.

Denoncimi i KLSH: Prerje masive e pyjeve, dërgohen për eksport, moratoriumi ka vdekur

KLSH përfundoi auditimin e performancës me temë “Efektiviteti i menaxhimit dhe administrimit të fondit pyjor dhe kullosor” të ushtruar në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit , Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit si dhe Bashkitë Tiranë, Shkodër, Vlorë; auditim ky i miratuar nga Kryetari me Vendimin nr. 30 datë 30.07.2019.

Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se për periudhën e auditimit 2016 – 2018 problemet me kuadrin strategjik, rregullator dhe burimet njerëzore të reduktuara kanë cenuar realizimin me efektivitet dhe eficiencë të detyrave të MTM në sektorin e pyjeve. Strategjia për zhvillimin e sektorit të pyjeve dhe kullotave në Shqipëri ka qenë tërësisht e pa përditësuar e rrjedhimisht jofunksionale, duke bërë që prej disa vitesh sektori i pyjeve të funksionojë pa objektiva dhe drejtime të qarta strategjike.

Numri i lartë i shkeljeve të konstatuara dhe niveli shumë i ulët i arkëtimit të sanksioneve administrative kanë cenuar zbatimin e moratoriumit për pyjet në Shqipëri. Mungesa e strukturave profesionale në bashkitë, bashkëkomunikimi dhe bashkëpunimi pasiv me ministrinë, mosshfrytëzimi i burimeve dhe të ardhurave që fondi pyjor gjeneron, duke e çuar atë në degradim, tregon qartë për mungesë eficience dhe efektiviteti të bashkive në administrimin e pyjeve si pasuri kombëtare. Për më tepër, mungesa e inventarizimit të pyjeve për një periudhë prej më shumë se tre dekadash, ka bërë që informacioni mbi fondin pyjor të jetë jo plotësisht i saktë dhe i pa përditësuar.

Gjatë periudhës objekt auditimi, por edhe përpara vitit 2016, në Shqipëri ka munguar një strategji e mirëfilltë dhe funksionale e sektorit, e bazuar në analiza të thelluara dhe të përditësuara të gjendjes së pyjeve. Dokumenti i fundit strategjik i fushës hartuar nga qeveria ishte “Strategjia për zhvillimin e sektorit të pyjeve dhe kullotave në Shqipëri”, e cila është miratuar që në prillin e vitit 2004. Nga auditimi rezultoi se objektivat e vendosura nga strategjia në fjalë ose janë të realizuara shumë vite më parë, ose janë tashmë të parealizueshme.

Në dhjetor të vitit 2018, u miratua Dokumenti i politikave për pyjet në Shqipëri, i cili do të shërbejë si akt strategjik për sektorin në vitet 2019 – 2030. Megjithatë, vlen të theksohet se një dokument me afat 11-vjeçar në një sektor kaq dinamik si ai i pyjeve, rrezikon që të kthehet në jofunksional me kalimin e kohës, në rast se do të mungojnë përditësimet dhe përmirësimet nga institucioni politikëbërës.

Baza ligjore e këtij sektori ka pësuar një sërë ndryshimesh përgjatë viteve. Ligji që aktualisht rregullon fondin pyjor në Shqipëri është miratuar që në vitin 2005 dhe ka ndryshuar 7 herë gjatë kësaj periudhe.

Ndërhyrjet e paligjshme në pyje ngelen ende të shumta dhe shqetësuese, pavarësisht moratoriumit. Abuzimet në pyje nuk vijnë vetëm nga persona individualë, por edhe nga kompani të organizuara sipas të gjitha dispozitave ligjore dhe me kapacitete të plota, të cilat mund të shkelin përcaktimet e kontratave që aktualisht kanë me Bashkitë.

Një problem që shoqëron pjesën më të madhe të sanksioneve të vendosura nga ISHMPUT është vjelja e gjobave. Asnjë nga gjobat e vendosura në kuadër të moratoriumit të pyjeve nuk është vjelë.

Komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet ministrisë dhe bashkive për sa i përket fondit pyjor lë shumë për të dëshiruar dhe vihet re një qasje shumë pasive e palëve në këtë drejtim.

Transferimi i pronësisë nga Ministria në favor të njësive vendore është bërë pa një studim të mirëfilltë të mënyrës së organizimit, kapaciteteve institucionale dhe burimeve njerëzore të sektorit.

Mos konsolidimi i strukturave sipas përcaktimeve ligjore në lidhje me administrimin e fondit pyjor, tregon qartë për mungesë eficience të bashkive në përmbushjen e detyrave funksionale dhe përgjegjësive, si dhe realizimin e tyre me profesionalizëm. Mungesa e shprehjes zyrtare të nevojave për personel nga vetë struktura përgjegjëse për pyjet si dhe mos inicimi i procedurave të rekrutimit të stafit, dëshmon qartë për struktura të dobëta për të zhvilluar dhe përmirësuar këtë sektor.

Krijimi i një strukture “lidhëse” midis MTM dhe bashkive është i vonuar dhe një hallkë e tillë duhet të ishte parashikuar të funksiononte menjëherë pas transferimit të pronësisë. Kjo ka sjellë konfuzion dhe pasivitet në sektorin e pyjeve, veçanërisht që nga viti 2016 si e tillë, pavarësisht akteve ligjore për transferimin në pronësi të bashkive të fondit pyjor dhe kullosor, realisht bashkive iu transferuan shifra në letra, pa rakorduar fizikisht sipërfaqet takuese të secilës njësi ekonomie pyjore.

Mos përdorimi nga bashkitë i fondit pyjor që zotërojnë sipas kornizave që legjislacioni për pyjet dhe shfrytëzimin e tyre lejon, me justifikimin e ruajtjes në vazhdimësi të kësaj pasurie, nuk është pretendim serioz për të bllokuar mundësinë e krijimit të të ardhurave që ky sektor ofron.

Sipas legjislacionit në fuqi, inventarizimi i pyjeve kryhet për një periudhë jo më pak se 10 vjet. Megjithatë, inventari i fundit i plotë i pyjeve është kryer në vitin 1985, pra më shumë se tre dekada më parë. Mungesa e inventarizimit të pyjeve për një periudhë prej më shumë se tre dekadash, ka bërë që informacioni mbi fondin pyjor të mos jetë plotësisht i saktë dhe të jetë tërësisht i pa përditësuar.

Në momentin e hartimit të raportit rezulton se gjithashtu ka përfunduar vlefshmëria e planeve të mbarështimit, të cilat janë dokumente bazë për mbarështimin e pyjeve, të hartuara për çdo ekonomi pyjore. Këto plane janë të vlefshme për një periudhë 10-vjeçare dhe tashmë është detyrë e secilës bashki të hartojë plane mbarështimi për fondin pyjor që disponon.

Intensifikimi i inspektimeve nga ISHMPUT qendër me objekt shfrytëzimin e fondit pyjor nga subjektet e kontraktuara me afat 10-vjeçar, ka sjellë ndëshkimin e tyre sipas sanksioneve në fuqi, masa të cilat kanë rezultuar vetëm në frenim të përkohshëm të ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm dhe në kundërshtim me termat e kontratave respektive, por ende të ulëta në aftësinë paguese të vlerës së gjobës, si shkak i hapësirave ligjore në favor të subjekteve për apelime të njëpasnjëshme të vendimit përfundimtar të inspektimit.

Rritja e raportit të eksporteve kundrejt importeve të drurit dhe artikujve të tjerë të tij për periudhën 2016-2018, si dhe mungesa e informacionit të MTM mbi origjinën e këtyre produkteve, tregon qartë për mos funksionim të moratoriumit në termat e ndalimit të përdorimit të fondit pyjor vendas për qëllim eksporti.

Mos analizimi i këtyre të dhënave sensitive nga MTM, tregon për mungese eficience të saj në funksion të përdorimit të informacionit për rritje të performancës së fondit pyjor.

Në Vendimin e Kryetarit të KLSh-së për auditimin e performancës “Efektiviteti i menaxhimit dhe administrimit të fondit pyjor dhe kullosor” janë dhënë 25 rekomandime për organet e qeverisjes qendrore dhe vendore të cilat adresojnë eliminimin e mangësive dhe përmirësimin në të ardhmen të sistemit dhe proceseve mbi mirëmenaxhimin e fondit pyjor në vendin tonë.

Shënim. Në ëeb-in e KLSH gjendet i plotë Vendimi nr. 30, datë 30.07.2019 i Kryetarit të KLSH-së, në lidhje me këtë auditim.

Oferta e fundit e Barcelonës për të rikthyer Neymarin

Barcelona ka filluar të negociojë edhe formalisht me Paris Saint-Germainit për të arritur marrëveshje për transferimin e Neymarit gjatë këtij afati kalimtar. Drejtuesit e dy klubeve po mbajnë takime sot.

Barcelona është e përgatitur t’ia ofrojë kampionit francez 100 milionë euro dhe Philippe Coutinhon e Ivan Rakiticin në shkëmbim për Neymarin. Megjithatë, Barcelona fillimisht duhet ta bindë Rakiticin për ta pranuar këtë shkëmbim, transmeton Gazeta Express.

Deri më tani, Barcelona kishte shpresuar se do të mundë të negocionte marrëveshje pa përfshirë para fare, vetëm përmes shkëmbimit me lojtarë. Përveç Coutinhos e Rakiticit, kampionia spanjolle ishte e gatshme ta sakrifikojë edhe Ousmane Dembelen, mirëpo jo edhe Nelson Semedon, të cilin po e kërkon PSG-ja.

Megjithatë, burimet i kanë thënë ESPN-it se PSG-ja nuk është e kënaqur me Rakiticin, por është e interesuar për Coutinhos. Por, francezët po insistojnë që në marrëveshje të përfshihet edhe Semedo.

Në këto negociata, delegacioni i Barcelonës po drejtohet nga drejtori Javier Bordas, ndikimi i së cilit te kampionia e La Ligës është shtuar pas dorëheqjes së zëvendëspresidentit sportiv, Jordi Mestres.

Në mesin e zyrtarëve që udhëtuan në Paris është edhe ndërmjetësi brazilian, Andre Cury, i cili kishte qenë personi kryesor në transferimin e Neymarit nga Santosi në Barcelonë në vitin 2013 dhe nga Barcelona në PSG para dy vjetësh.

Oferta e parë në vlerë prej 60 milionë eurosh dhe Coutinhon u refuzua menjëherë nga PSG-ja dhe Barcelona tani është gati t’i bëjë ofertë më të mirë për parisienët, pasi që i frikësohen rivalit të tyre, Real Madridit.

Këto dy klube kanë më së shumti gjasa për ta transferuar Neymarin, i cili po e kërkon kthimin në Spanjë. Tani, dy rivalët janë duke luftuar për t’i siguruar shërbimet e brazilianit për sezonin e ardhshëm.

Neymari do të preferonte t’i bashkohej Barcelonës sërish, pasi që aty i kishte kaluar katër sezone të lumtura, duke luajtur përkrah Lionel Messit dhe Luis Suarezit. Megjithatë, ai raportohet se do ta pranonte një transferim në “Santiago Bernabeu” nëse katalonasit s’arrijnë marrëveshje me PSG-në.

Tifozët e Paris Saint-Germainit i bënë të qarta ndjenjat e tyre për Neymarin gjatë ndeshjes hapëse të Ligue 1 të klubit, kundër Nimesit të dielën. Tifozët u incizuan duke brohoritur: “Neymari, bir b*shtre”, përderisa e mbajtën lart edhe një pankartë ku e shanin brazilianin.

Vetëm rreth 24 orë më vonë, të hënën, avokati i Neymari u pa duke hyrë në zyrat e “Camp Nou”, mes spekulimeve që e lidhin klientin e tij me një kthim në Barcelonë.

Mediave spanjolle u është thënë se avokati nuk ishte aty për të diskutuar për Neymarin, mirëpo prezenca e tij në këtë periudhë i ka ngritur dyshimet.

/Gazeta Express/

Bolton: Do të mbështesim me entuziazëm një Brexit pa marrëveshje

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare John Bolton tha të hënën në Londër se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin me entuziazëm një Brexit pa marrëveshje nëse qeveria britanike vendos ta bëjë këtë.

Vizita e zotit Bolton synon t’i japë Britanisë garanci mbi lidhjet me Shtetet e Bashkuara.
Zoti Bolton i tha Kryeministrit britanik Boris Johnson se Presidenti Donald Trump dëshiron të shohë një dalje të suksesshme të Britanisë nga Bashkimi Evropian më 31 tetor dhe se Uashingtoni do të jetë i gatshëm të punojë me shpejtësi për një marrëveshje të tregtisë së lirë me Londrën.

Kryeministri Johnson dëshiron që BE-ja të rinegociojë kushtet e daljes së Britanisë përpara 31 tetorit, por BE-ja thotë se nuk do ta modifikojë pjesën e marrëveshjes që zoti Johnson thotë se duhet të ndryshohet patjetër.

Gjendja e tanishme e lë Britaninë të largohet nga Bashkimi Evropian pa ndonjë periudhë zyrtare tranzicionit ose marrëveshje ligjore që mbulon çështje të tilla si tregtia, transferimi i të dhënave dhe politika kufitare.

“Nëse ky është vendimi i qeverisë britanike, ne do ta mbështesim atë me entuziazëm, dhe këtë po përpiqem të përcjell. Ne jemi me ju, jemi me ju,” u tha zoti Bolton gazetarëve pas ditës së tij të parë të takimeve.

Zoti Bolton, i cili ndodhet në Londër për dy ditë bisedime me zyrtarët britanikë, po kërkon përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me Kryeministrin Boris Johnson pas tensioneve të herë pas hershme me ish kryeministren Theresa May.

Ndërsa Mbretëria e Bashkuar përgatitet të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, ndryshimi i saj më i madh gjeopolitik që nga Lufta e Dytë Botërore, shumë diplomatë presin që Londra të bëhet gjithnjë e më e varur nga Shtetet e Bashkuara.

Një mesazh kryesor që po përcjell zoti Bolton është se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në zbutjen e daljes së Britanisë nga BE-ja me një marrëveshje të tregtisë së lirë për të cilën po negociohet nga përfaqësuesi amerikan i tregtisë Robert Lighthizer dhe homologja e tij britanike, Liz Truss.

Johnson: Dalje me çdo kusht nga BE, le të kushtojë sa të dojë

Kryeministri britanik, Boris Johnson kërkon që britanikët të dalin me çdo kusht nga BE, le të kushtojë sa të dojë. Motoja e tij: “luftë ose fundosje” nuk parashikon kompromise me Bashkimin Europian.

“Më gjeni gjithë verën”. Kështu shkroi Michel Barnier, kryenegociuesi i BE për Brexit në një E-mail për qeveritë e BE, madje në ditën, që filloi detyrën kryeministri i ri britanik, Boris Johnson. Barnier i bëri një ofertë për bisedime qeverisë së re në Londër. Por deri më tani kryenegociatori nuk ka takuar askënd nga shtabi i ri në Downing Street Nr. 10.

Negociata të reja për marrëveshjen 600 faqëshe të mbyllur ndërkohë për daljen e Britanisë së Madhe nga BE, Michel Barnier i ka përjashtuar që nga fillimi. “Tani duhet të jemi të qetë dhe solidarë”, ka thënë Barnier.

Kërkesat bombastike nga Boris Johnson, si heqja e “Back stop”-it irlandez, diplomati francez i hodhi poshtë si “të papranueshme”. Me “back-stop” kërkohet të pengohet, që mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore të ngrihet sërish kufiri i BE me kontrolle doganore, kjo për sa kohë derisa palët të kenë gjetur një zgjidhje më të mirë.

Mesazhi i thjeshtë: Jashtë
Vizitori i vetëm nga Londra, që ka shkuar në Bruksel që nga ndërrimi i qeverisë është funksionari britanik, David Frost. Ai është i ngarkuari i posaçëm i kryeministrit për Brexit. Komisionit Europian dhe diplomatëve të BE ai u shpjegoi, se Britania e Madhe do të largohet pa mëdyshje nga BE më 31 tetor edhe pa një marrëveshje.

Si kusht për bisedime të reja me BE, Frost përmendi heqjen e “Back-stop-it jo demokratik”. Këtë kërkesë e kanë hedhur poshtë si BE ashtu edhe kryeministri irlandez, Leo Varadkar. Diplomatët nga BE, thanë se Davis Frost nuk ka sjellë asnjë alternativë për heqjen e Back stop-it. As tema të tjera, për të cilat Johnson do të negocionte në rast të një raundi të ri nuk janë përmendur.

Para ngjitjes në postin e kryeministrit, Johnson ka thënë, se ai do donte t’i ruante pjesët e mira të marrëveshjes dhe të ndryshonte pjesën tjetër. “Ne mund të fluturojmë në hënë, pra mund t’ia dalim të organizojmë edhe këtë kufirin me Irlandën”, tha ai.

Brexit i ashpër me shumë gjasa
Sipas pikëpamjes së Brukselit, Boris Johnson po merr drejtimin e një Brexit pa marrëveshje, pa afate kalimtare, pa paguar llogaritë e hapura me BE, pa një përfytyrim për marrëdhëniet e ardhshme me BE.

Vërtet që kryeministri i ri britanik deklaron, se Brexit i “ashpër” nuk është objektivi i tij, por nëse më 31 tetor nuk ka zgjidhje tjetër, atëherë Britania e Madhe largohet edhe pa marrëveshje.

Ministrat në kabinetin britanik vazhdojnë ndërkohë me fajësimet. Michel Gove, ministër për përgatitjen e Brexit është shprehur për BBC, se “kemi nevojë për një raund të ri. Ne jemi gati të përballemi me BE. Por për mometin, duket se BE nuk ka interes për këtë.

Ata thonë thjesht Jo. Kjo është e gabuar, e trishtë dhe jo në interesin europian.” Michel Barnier nga ana e tij këmbëngul, se as BE nuk e dëshiron një Brexit pa marrëveshje. Marrëveshja me BE nga ana tjetër është rrëzuar 3 herë nga parlamenti britanik.

Votë mosbesimi në Dhomën e Ulët?
Për shkak se qeveria e Boris Johnson po ecën drejt Brexitit pa marrëveshje, megjithë paralajmërimet e shoqatave ekonomike dhe Bankës së Anglisë, kundërshtarët duan që ta përdorin parlamentin e përçarë për të ndalur Johnsonin.

Koalicioni i konservatorëve dhe partisë irlandezoveriore, DUP ka aty vetëm një mazhorancë të vogël me një votë. Në javën e parë të shtatorit, opozita laburiste mund të provojë një mocion mosbesimi kundër kryeministrit.

Në rast se Johnson nuk e kalon mocionin, atëherë qeveria ka 14 ditë kohë për të siguruar mazhorancën. Kur nuk arrihet të krijohet një mazorancë e re, kryeministri duhet të japë një datë për zgjedhje të reja brenda 25 ditësh.

Por mbetet e diskutueshme, nëse Boris Johnson mund të detyrohet, të japë dorëheqjen në këtë kohë. Ligji zgjedhor i vitit 2011 nuk është i formuluar qartë për këtë, dhe nuk është praktikuar asnjëherë.

Kryeministri mund t’i zhvendoste zgjedhjet edhe në nëntor. Brexiti më 31 tetor do të ishte bërë atëherë realitet. Të vetmin vendim që Dhoma e Ulët arriti të marrë në pranverë ishte ai i mosdaljes nga BE pa marrëveshje. Nga ana tjetër në fuqi është ligji që parashikon Brexitin automatikisht më 31 tetor, me ose pa marrëveshje.

Parlamenti do të kishte mundësinë të ndryshonte këtë rregullore, por vetëm nëse e detyron qeverinë të vendosë në rend të ditës këtë ligj.” Peter Sloman, politolog nga Universiteti i Cambridge-it thotë se parlamenti mund të udhëzojë kryeministrin të kërkojë zgjatje të afatit. “Por nëse Boris Johnson do t’i qëndronte kësaj është me pikëpyetje”.

Kështu Boris Johnson është në një pozicion komod. Nëse nuk ndërmerr asgjë, Brexit vjen edhe pa marrëveshje. Teorikisht kryeministrin mund ta shkarkojë edhe mbretëresha, por kjo do të thyente traditën që monarkia nuk përzihet në politikën e përditshme, e prandaj konsiderohet e pamundur.

Edhe spekulimi se BE mund të ndryshojë qëndrim në momentin e fundit nuk është shumë i qëndrueshëm. “Për këtë lojë jemi përgatitur”, thonë diplomatët francezë në Paris. “Ne nuk do t’i humbasim nervat të parët.” Ndërkohë që shumë konservatorë britanikë duan më në fund të dalin nga BE, le të kushtojë sa të dojë, e argumentet ekonomikë e racionalë nuk luajnë ndonjë rol të madh në këtë pikë.

Deputetja serbe: Vuçiç dhe Tony Blair të përfshirë në skeme korruptive me pasaporta

Tony Blair u akuzua se ka ndihmuar disa zyrtarë të huaj, nën hetim apo të dënuar për korrupsion, të merrnin nënshtetësi serbe nga kryeministrat Aleksandar Vuçiç dhe Ana Brnabiç.

Deputetja e Parlamentit të Serbisë Marinika Tepiç ka akuzuar ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe Toni Bler se klientët e tij, të akuzuar për korrupsion, ai i ka shpëtuar nga drejtësia në vendet e tyre duke i strehuar në Serbi. Sipas deputetetes, kryeministrat Vuçiç dhe Brnabiç, të cilët marrin shërbimet e konsulencës së Toni Blayrit, u kanë dhënë këtyre të akuzuarve nënshtetësinë serbe, kontrata të majme qeveritare, dhe kanë bllokuar ekstradimin e tyre për të dalë përpara drejtësisë.

Tony Blair ka qenë këshilltar i Aleksandar Vuçiçit, kur ky ishte kryeministër (2014–2017), dhe vazhdon të jetë këshilltar i Kryeministres Ana Brnabiç. Ai ofron shërbime konsulence për disa regjime me demokraci të dobët ose jodemokratike.

Rasti i fundit i dhënies së nënshtetësisë serbe ishte ai ndaj ish-kryeministres së Tajlandës Yingluck Shinawatra, e cila u dënua në vendin e saj për korrupsion në miliarda dollarë. Pasi qëndroi e fshehur në Londër dhe Dubai që nga viti 2017, ajo i shpëtoi dënimit duke u strehuar në Serbi, ku kryeministrja Ana Brnabiç i dha edhe pasaportën serbe.

Në akuzat e saj ndaj Blairyt, Vuçiçit dhe Brnabiçit, deputetja serbe Marinika Tepiç sjell edhe rastin e ish-kryeministrit rumun Viktor Ponta, i cili akuzohej në Rumani për korrupsion, ndërkohë që këshillohej nga Toni Bler. Mes furtunës së akuzave ndaj tij, Ponta u largua për në Serbi, ku u bë “këshilltar nderi” i kryeministrit Vuçiç dhe mori pasaportën serbe.

Ponta akuzohej se kishte shtyrë biznesmenin Sebastian Gita t’i paguante 220 mijë euro Toni Blerit në këmbim të përfitimive nga qeveria rumune.

Edhe vetë Gita ia mbathi për në Serbi, kur doli një urdhër arresti për të. Ai mori disa vlerësime nga qeveria serbe, Vuçiçi i dha azil politik, disa kontrata të majme miliona-dollarëshe me qeverinë, si dhe refuzoi ta ekstradonte në Rumani.

Sa më shumë rrini afër nënës tuaj, aq më gjatë do të jetojë

Anuloni planet për të dalë me shoqërinë, më mirë është të dilni apo të rrini në shtëpi me nënën tuaj. Pse? Sepse kështu ju faktikisht mund t’ia zgjatni jetën asaj.

Doktorët e Universitetit të Kalifornisë kanë kryer një studim për të zbuluar nëse vetmia ka ndikim përcaktues në jetëgjatësinë e njeriut më shumë sesa aspektet tjera të shëndetit.

Pas 6 viteve analiza, eksperimente e hulumtime, shkencëtarët kanë zbuluar se vetmia faktikisht ka ndikim më të madh te të moshuarit sesa ç’është menduar më parë.

Të moshuarit që kishin deklaruar se kanë lidhje domethënëse dhe shoqërohen me tjerë kanë jetuar më gjatë sesa ata të cilët kanë shprehur ndjenja të vetmisë.

Siç duket, vetmia i shpie njerëzit drejt vdekjes më shpejt. Sipas studimit, vdekja mund të shkaktohet edhe nga ndjenjat negative psikologjike të cilat shkaktojnë dobësim të shëndetit – një prej këtyre ndjenjave është edhe vetmia.

Vetmia nuk ka të bëjë me atë se nuk keni me kë të flisni, por më shumë me atë se nuk keni një lidhje domethënëse me njerëz tjerë. Prandaj, gjeni kohë për nënën edhe nëse jeni shumë të zënë.

Ftojeni një fundjavë për mëngjes me fëmijët tuaj, pyeteni për këshilla, lëreni të vijë me ju t’ju ndihmojë për të blerë gjëra. Dhe, nëse nuk jetoni afër nënës, provoni ta vizitoni sa më shpesh që mundeni.

Kuri, gështenja japoneze që bën mrekulli kundër rënies së flokëve

Gështenja japoneze e ujit, Kuri, është bimë që rritet në pellgje dhe liqene. Dhe, sipas studimeve të reja, kjo është pema që po flitet se ka potencial për trajtimin e rënies së flokëve te dy gjinitë.

Studimi i ri i kryer nga ekspertët e universitetit Hannam thotë se ekstrakti i pemës e rritë numrin e qelizave që janë përgjegjëse për rritjen e flokëve.

Dhe, duke i forcuar këto qeliza, stimulohet rritja e flokëve dhe parandalohet rënia e tyre.
“Ambienti modern i jetesës është mjaft stresues dhe e ka rritur numrin e njerëzve që ballafaqohen me rënie të flokëve, prandaj edhe është rritur interesimi për trajtimin e rënies së flokëve.

Është kruciale të identifikohen ilaçe të reja që mund ta promovojnë rritjen e flokëve”, ka deklaruar udhëheqësi i këtij studimi, Kim Young-Min.

Harta e drogës në Krujë dhe pazari i Lleshit me trafikantët

Një grua nga Malësitë e Krujës ka denoncuar deri në detaje sesa farsë janë të ashtuquajturit operacione kundër kanabisit në zonë. Në mesazhin e saj denoncues dërguar ish-kryeministrit Sali Berisha, gruaja në fjalë tregon për bujën e arrestimeve, ndërkohë që në realitet asnjë rrënjë kanabisi nuk iu prek personave gjoja të arrestuar dhe se ata vazhdojnë të shumëfishojnë pasuritë e tyre nga droga.

Berisha shkruan në Fb: “Denoncohet operacioni farsë antikanabis i Edvin Drogës dhe gjeneral Hashashit! Lexoni mesazhin e qytetares dixhitale. Ajo tregon se 29 personave që u arrestuan, arat e kanabisit nuk iu prekën dhe se ata të gjithë sot janë të lirë dhe po spërkasin dhe vadisin arat e tyre të kanabisit! Kësaj i thonë luftë e narkoshtetit kundër drogës?!”

Përshëndetje Doktor, z. Berisha.
Jam një zonjë nga Malësia e Krujës. Banoj në qarkun e Durrësit. Bujë e madhe që tronditi Malësinë e Krujës dhe gjithë Shqipërinë, që u arrestuan 29 persona, por çfarë ndodhi?

Kjo ishte një marrëveshje e ministrit Lleshi me Policinë e Krujës bashkë me kultivuesit e hashashit të Malësisë së Krujës.
U bënë 29 arrestime për kultivim hashashi, por asnjë rrënjë nuk u shkul.

29 personat u lanë në arrest në burg, por çfarë ndodhi për dy javë? Që të gjithë këta persona u liruan dhe sot janë duke vaditur dhe janë në fazën e spërkatjes për krimba në Mafsheq.

Duke filluar te Ura e Vajes e deri në Qafën e Bashës, në të dy krahët e përroit, janë parcelat pa prekur, te arrat e Selukëss dhe poshtë shtëpiave të Bashëve dhe poshtë shtëpive të Koçëve dhe të Dylmustëve dhe vazhdojnë parcelat te Guri i Zi; vazhdojnë në kukrra në kurthit në Gjatush, në Leçe, te përroi i Linës në Fasat.

Këta persona që e kultivojnë nga kaq vite janë pa shkollë, pa zanat por sot janë me vila në Fushë Krujë dhe Tiranë, me Audi X pesa dhe apartamente në Tiranë. Ky është Lleshi.

Shkodra nesër në revoltë popullore

Partia Demokratike publikoi sot dosjen e dënimit të Valdrin Pjetrit nga drejtësia italiane. Në anën tjetër, PS përmes Taulant Ballës, megjithëse i cilësoi dokumentet si joligjore, theksoi se drejtësia duhet të hetojë rastin deri në fund.
Por duket se publikimi i dosjes së Pjetrit ka angazhuar shkodranët, që nesër pritet të zhvillojnë një protestë para Prefekturës.
Protesta do të mbahet në orën 19:30.

Njoftimi i Partisë Demokratike
Diten e neserme, e Merkure, dt. 14/08 ne oren 19:30 para Prefektures se Shkodres, Partia Demokratike Shkoder dhe Aleanca Qytetare organizon nje proteste popullore kundra uzurpimit te Bashkise Shkoder nga banda e Edvin Kristaq Droges dhe produktit te farses se 30 Qershorit.

Diten e sotme, me ze dhe me figure, PDSH denoncoi perfshirjen e Valdrin Pjetrit ne trafik droge dhe denimin e tij ne Itali qe ai e mohon tash sa kohe. Ju bejme thirrje te na bashkoheni pasi Shkodra dhe Shkodranet nuk e pranojne drejtimin e qytetit djep te kultures nga nje trafikant droge dhe mashtrues si Valdrin Pjetri. Jeni te mirepritur.

Vetëm pak më parë Partia Demokratike publikoi dokumentet që vërtetonin se kryebashkiaku i Shkodrës ka qenë dënuar me 18 muaj burg në Itali për drogë. Në lidhje me këto dokumenta reagoi Taulant Balla.
Ai i cilësoi shpifje akuzat e PD-së, ndërkohë që kërkoi të zbardhet e vërteta.