32.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Asllani sërish para provës së derbit, Çalhanoglu do të mungojë më gjatë se pritej te zikaltrit

Kristjan Asllani luajti titullar në takimin e fundit, ndërsa Interi fitoi në transfertën e Venecias. Mesfushori i Kombëtares shqiptare u preferua në vendin e Çalhanoglu, teksa ky i fundit është i dëmtuar.

Dëmtimi i Çalhanoglu pritet të zgjasë më shumë se u raportuar. Kështu do të duhen dy deri në tri javë, për ta riparë sërish në fushë. Dhe Asllani shikohet si zëvendësuesi kryesor i tij.

Lojtari turk rrezikon të humbasë derbin me Interin, më 2 shkurt. Një mundësi kjo për Asllanin, pas kritikave që mori në Superkupën e Italisë.

Ndeshjet e tjera që do të luhen gjatë kësaj kohe janë ndaj Bolonjës, Empolit dhe Leçes. Në Champions sfidat e rezervuara janë me Spartën e Pragës dhe Monakos.

Forcon kockat dhe shpejton tretjen! Ja 5 arsye pse duhet të hani domate çdo ditë

Domatet janë më shumë se thjesht një shtesë dekorative për sallatat apo sanduiçet tuaja; kjo perime e lëngshme ka përfitime të shumta shëndetësore që e bëjnë të vlefshme për konsumimin e përditshëm.

Këtu janë pesë arsye kryesore pse domatet duhet të jenë pjesë e rregullt e dietës suaj:

Vlerë të pasur ushqyese

Domatet janë jashtëzakonisht të pasura me vitaminë C, e cila është thelbësore për forcimin e sistemit imunitar, përmirësimin e shëndetit të lëkurës dhe mbrojtjen nga radikalet e lira. Ai përmban gjithashtu vitaminë K, vitaminë A, kalium dhe folate, të cilat luajnë një rol kyç në ruajtjen e shëndetit të kockave, shikimit dhe funksionimit normal të sistemit nervor.

Një antioksidant i fuqishëm

Një nga përbërësit më të rëndësishëm të domateve është likopeni, një antioksidant natyral që u jep atyre ngjyrën e kuqe. Likopeni ka përfitime të shumta shëndetësore, duke përfshirë uljen e rrezikut të sëmundjeve kronike si kanceri i prostatës, sëmundjet e zemrës dhe degjenerimi makular. Konsumimi i rregullt i domateve mund të ndihmojë në neutralizimin e radikaleve të lira në trup dhe në uljen e stresit oksidativ.

Ndihmon në ruajtjen e lëkurës së shëndetshme

Domatet janë të shkëlqyera për shëndetin e lëkurës tuaj për shkak të përmbajtjes së lartë të vitaminës C dhe likopenit. Vitamina C është e nevojshme për prodhimin e kolagjenit, një proteinë që ndihmon në ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe elasticitetit të lëkurës. Likopeni, nga ana tjetër, mund të ndihmojë në mbrojtjen e lëkurës nga dëmtimet UV dhe zvogëlimin e shfaqjes së rrudhave.

Ndihmon në rregullimin e presionit të gjakut

Domatet janë një burim i mirë i kaliumit, një mineral që luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e presionit të gjakut. Kaliumi ndihmon në balancimin e niveleve të natriumit në trup, gjë që mund të ndihmojë në ruajtjen e presionit normal të gjakut dhe zvogëlimin e rrezikut të hipertensionit.

Mbështet sistemin tretës

Domatet janë të pasura me fibra, të cilat janë thelbësore për një sistem të shëndetshëm të tretjes. Fibrat ndihmojnë në ruajtjen e tretjes së rregullt, parandalimin e kapsllëkut dhe promovimin e florës së shëndetshme të zorrëve. Përveç kësaj, uji në domate kontribuon në hidratimin e trupit, i cili është një tjetër faktor i rëndësishëm për funksionimin optimal të sistemit tretës.

“Punoj te Ministria e Bujqësisë, jam me tumor”, mashtruesi merr 5 milionë lekë për një stallë e zhduket

Aleko Dalla nga qyteti i Durrësit tregon në emisionin “Stop” në Tv Klan se në vitin 2024 i kanë prezantuar Elton Jahon, i cili tha se punonte në Ministrinë e Bujqësisë dhe kërkonte të investonte në një stallë sipas një fondi që jepte Bashkimi Evropian. Fondi ishte 420 milionë lekë të vjetra dhe Elton Jaho do të merrte 25% të shumës.

Ai premtoi se do të legalizonte tokën për të cilën mori 1 milionë e 500 mijë lekë. Më pas nxorri një problem me tokën dhe kërkoi edhe 1 milionë e 300 mijë lekë. Më pas kërkoi për veprime noteriale 60 mijë lekë. Deri tani 2 milionë e 860 mijë lekë të vjetra. Çdo gjë ishte në rregull vetëm se Aleko duhet të priste. Ndërkohë që stalla duhet të merrte rrugë, Eltoni i premtoi t’i fuste vajzën në punë në bashkinë e Tiranës dhe kërkoi sërish 1 milionë e 200 mijë lekë për të bërë disa “dhurata”.

Meqë nuk po bëhej asgjë, qytetarit i filluan dyshimet dhe i kërkoi paratë mbrapsht. Elton Jaho premton se do ia kthejë 5 milionë lekë, por thotë se i ka vdekur një i afërm.

Elton Jaho: Do të jap 5 milionë lekë. Po të fal 1 milionë, po t’i fal unë ty. Ta thashë dhe njëherë, jam me shërbim shteti. Gjallë apo vdekur, dua apo s’dua unë, do ti apo s’do ti, ty lekët do të vijnë në shtëpi. Do më japësh vetëm 48 orë…!

Qytetari: Nuk ke 48 orë. Nesër në mëngjes mua më ke aty te vendi.

Elton Jaho: Në qoftë se brenda 48 orëve unë nuk të jap lekët, unë të pres te komisariati i Durrësit ose te Prokuroria e Durrësit. Mua nga ora 9 më ke te shtëpia jote. I kam unë 2 mijë e ca, po thashë të t’i jepja tamam. Ca dhimbje, jam në një vdekje.

Qytetari: Ca personi qe? Ca e pate?

Elton Jaho: E kisha të afërt. E kisha vëlla nga babi. I kam lekët këtu me vete, nesër do të t’i sjell në dorë.

Herën tjetër Eltoni thotë se është sëmurë me tumor.

Elton Jaho: Kam hequr tëmthin dhe kam për të hequr një masë tumoriale këtu te Onkologjiku.

Qytetarja: Kuptoj. Unë jam në Tiranë dhe doja ta takoja pak. Nuk e di, a mund të vij aty te spitali a si t’ia bëjmë?

Elton Jaho: Nuk e di tani. Pak më vonë, se unë do futem tashi, do bëj një mbjellje. Mund të vish nesër në mëngjes këtu? E ke problem?

Qytetarja: Ku, te cili spital të vij?

Elton Jaho: Tek “Nënë Tereza”! Kur të jesh aty, më bëj një telefon!

Më pas, ndodh takimi me Elton Jahon ku sërish thotë se duhet të presin.

Qytetarja: A je shtruar këtu, apo..?

Elton Jaho: Po. jam shtruar këtu 

Qytetarja: Elton, ti i ke thënë, që punon te Ministria e…?

Elton Jaho: Nuk punoj më. Kam ikur.

Qytetarja: A the, punoj te Ministria e Bujqësisë?

Elton Jaho: Po pra, po kam ikur, se kam 2 muaj e gjysmë spitaleve. Kam bërë tre operacione edhe jam me leje tani. Kur të mbarojë leja, do të kthehem prapë.

Qytetarja: Të ka dhënë dhe lekët për gocën ai, që do fuste në punë.

Elton Jaho: Ka dhënë 3 (milionë) për këtë dhe 1 e ca (milionë) për këtë. 4 e 200 janë.

Qytetarja: Sa të dha për gocën, që do fusje gocën në punë?

Elton Jaho: 1 milionë e 200 e ca, e 300.

Qytetarja: Që do e fusje në punë te bashkia?

Elton Jaho: Po! Edhe 3 milionë për atë, 4 milionë. Do prisni ca ditë, sa të mbarojë dhe mbjellja e kësaj që kam bërë!

Pas shumë peripecive, gazetarja e “Stop” arrin ta gjejë Elton Jahon shëndoshë e mirë, por ai sërish premtoi se do të kthejë paratë duke u larguar me taksi./

Basha në promovimin e librit të ambasadorit Walker: I dha Kosovës një zë të fuqishëm dhe sensibilizoi botën për spastrimin etnik që po ndodhte nën regjimin e Millosheviçit

Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka marrë pjesë në promovimin e librit të Ambasadorit William G. Walker, “Reçak: Historia e një krimi lufte”. Basha shkruan se në këtë libër ndërthuret mjeshtërisht përvoja e një dëshmitari kyç të masakrës së Reçakut, një ngjarje tragjike që shpalosi krime kundër njerëzimit dhe spastrimin etnik nën regjimin e Millosheviçit.

Ai shkruan se ambasadori Walker me punën e tij si Shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, u shndërrua në një mbrojtës të drejtat e shqiptarëve dhe një figurë historike, duke sensibilizuar botën për nevojën e veprimit ndërkombëtar. Basha shpreh mirënjohje për kontributin e tij dhe rëndësinë e librit si një homazh për viktimat e Reçakut dhe një mjet për të reflektuar mbi rëndësinë e drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.

Postimi i plotë i Bashës:

I lumtur, të isha pjesë i promovimit të librit të Ambasadorit William G. Walker, “Reçak: Historia e një krimi lufte”, në të cilin ndërthuret mjeshtërisht përvoja e një dëshmitari kyç, me një tragjedi të madhe njerëzore në Kosovë, kur njerëzimi u vu përballë një krimi të rëndë, kundër popullsisë civile.

Duke e cilësuar masakrën e Reçakut, si krim kundër njerëzimit Ambasadori Walker i dha Kosovës një zë të fuqishëm, në kohët më të vështira, si edhe sensibilizoi botën, për spastrimin etnik që po ndodhte nën regjimin e Millosheviçit.

Me punën e tij, si Shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, Ambasadori Walker u shndërrua në një figurë të jashtëzakonshme, duke mbrojtur të drejtën e një populli të shtypur dhe duke sinjalizuar komunitetin ndërkombëtar, për nevojën e veprimit urgjent. Është pikërisht ky rol historik, i mbështetur në parimet e drejtësisë dhe të vërtetës, që e bën figurën e tij aq të vlerësuar tek shqiptarët, kudo janë.

Ky rrëfim, i masakrës së Reçakut dhe i skenës politike ndërkombëtare ku ajo u zhvillua, përforcon mesazhin, se nuk ka paqe pa njohjen e së vërtetës. Me fuqinë e një dëshmitari okular, Ambasadori Walker jep një perspektivë të rrallë mbi dinamikën diplomatike dhe njerëzore të asaj periudhe, ndërsa vazhdon të mbetet një mik i çmuar i shqiptarëve, të cilëve iu qëndroi pranë në rrethana tepër të vështira.

Si shqiptar, jam mirënjohës për kontributin e madh të Ambasadorit Ëalker dhe për këtë libër të çmuar, që kapërcen kufijtë e një kujtese historike, duke u kthyer në një homazh për viktimat e Reçakut dhe një hapësirë reflektimi për ata që besojnë se drejtësia dhe dinjiteti njerëzor duhet të mbrohen në çdo kohë

IRI, Anketa: SPAK-u institucioni më i besueshëm, por priten më shumë hetime dhe ndëshkime ndaj politikanëve

Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) sapo ka publikuar Anketën Kombëtare për Shqipërinë, ku spikat një mbështetje e lartë e qytetarëve për SPAK-un, i cili vazhdon të mbetet institucioni më i besueshëm në vend. Shumica e të anketuarve presin më shumë hetime dhe ndëshkime të politikanëve të korruptuar, për shkak se korrupsioni është për ta një ndër shqetësimet kryesore. Ata pohuan se nuk do të mbështesin në zgjedhje ato parti, që përkrahin ligje për të kufizuar punën e SPAK-ut. Drejtori i IRI-t për Shqipërinë, John Fluharty, tha për Zërin e Amerikës se qytetarët mbështesin përpjekjet kundër korrupsionit për të përmirësuar jetën e tyre. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit rikthen besimin e njerëzve tek demokracia.

Anketa Kombëtare e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) gjeti se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është sot institucioni më i besueshëm në Shqipëri (76%), e më pas renditen policia, ushtria dhe institucionet fetare, ndërsa institucionet më pak të besueshme janë Kuvendi dhe partitë politike.

Studimi mbështetet në përgjigjet e një mijë e dyqind qytetarëve të moshave nga 18 vjeç deri mbi 56 vjeç.

Pjesa më e madhe e të anketuarve (59%) mendojnë se reforma në sistemin e drejtësisë është e efektshme, ndërsa (70%) e tyre mendojnë se efektshmëria e drejtësisë u rrit pas vetingut të gjyqtarëve dhe ngritjes së SPAK-ut.

Afro gjysma e të anketuarve (47%) mendojnë se krijimi i SPAK-ut është rezultati më i mirë i reformës në drejtësi, më pas vijnë vettingu (27%) dhe (13%) zbehja e ndikimit politik mbi gjykatat.

Pas kryerjes së reformës në drejtësi qytetarët mendojnë se më të rëndësishmet për t’u bërë tani janë luftimi i korrupsionit, hetimi dhe ndëshkimi i politikanëve, si dhe pavarësia nga ndikimi qeveritar.

Ata i besojnë më shumë SHBA-ve (46%) dhe BE-së (37%) për monitorimin e institucioneve të reja të drejtësisë, përfshirë SPAK dhe gjykatat, disa herë më pak kryeministrit (7%), dhe vetëm 1 për qind i besojnë Kuvendit.

Më shumë se gjysma e të anketuarve (51%) nga të gjithë grupmoshat pohuan se nuk do ta përkrahin në zgjedhje asnjë parti, që mbështet ligje për të kufizuar punën e SPAK-ut.

Afro 40 për qind e qytetarëve pohuan se vlerësimi i tyre për SPAK-un do të përmirësohej, nëse SPAK heton politikanë, të cilët ata i kanë mbështetur në të kaluarën.

“Për të tretën herë në anketat tona SPAK-u është institucioni më i besuar në Shqipëri, – tha për Zërin Amerikës, John Fluharty, drejtori i IRI-t për Shqipërinë. – Një numër i madh i qytetarëve pohuan që nëse SPAK-u do të hetonte një kandidat apo parti, që ata kanë mbështetur më parë, kjo do të rriste mbështetjen e tyre për SPAK-un. Akoma më domethënëse është gjetja që nëse njerëzit zbulojnë se kandidati ose partia mbështet kufizimin e SPAK-ut për të bërë detyrën e tij, ata do të kenë më pak gjasa të mbështesin atë parti apo kandidat. Kjo do të thotë se qytetarët kanë shpresë. Ata shohin shpresë në punën e SPAK-ut, shohin shpresë në luftimin e korrupsionit, që më parë nuk e kishin. Kjo është vërtet domethënëse”, tha zoti Fluharty.

Nga ana tjetër, korrupsioni mbetet një ndër shqetësimet kryesore në Shqipëri, teksa 71 për qind e të anketuarve e cilësojnë këtë dukuri si një problem serioz.

Pjesa më e madhe besojnë që korrupsioni është më i përhapur në shërbimet publike si doktorët, mësuesit dhe policët, e më pas ata renditin kryeministrin me kabinetin qeveritar, drejtësinë, drejtuesit e partive politike e të biznesit si dhe zyrtarët vendorë.

Pjesa më e madhe të anketuarve shprehen se problemet më të rëndësishme që përballet vendi aktualisht janë ekonomia me çmimet e larta dhe kostot e jetesës, papunësia dhe korrupsioni, pasuar nga shëndetësia, kriminaliteti dhe migrimi.

Krahasuar me një vit më parë, shqetësimi për ekonominë ka rënë me 11 pikë, por shqetësimi për korrupsionin është rritur me 2 pikë.

Pjesa dërrmuese e të anketuarve pohuan që nëse zgjedhjet mbahen sot, çështjet përcaktuese për votën e tyre janë pensionet, ekonomia dhe antikorrupsioni.

Ata besojnë se arritjet më të rëndësishme të qeverisë aktuale janë infrastruktura, integrimi europian dhe reforma në drejtësi, por tek dështimet më të mëdha të qeverisë qytetarët renditën pensionet, ekonominë, emigrimin dhe korrupsionin.

Qytetarët e anketuar mendojnë se përparësitë kryesore që qeveria duhet të trajtojë janë ekonomia, pagat dhe pensionet, punësimi, shëndetësia dhe lufta kundër korrupsionit.

“Korrupsioni nuk është vetëm një çështje paligjshmërie, por është një çështje ekonomike, sepse ai ndikon në aftësinë e njerëzve për të pasur punë, në koston e jetesës, si dhe në meritokraci, -thotë zoti Fluharty i IRI-t. – Njerëzit e cilësojnë korrupsionin si çështje parësore, por nuk mund ta shkëputin nga çështjet e SPAK-ut, sepse ata po dëmtohen ekonomikisht, dhe e shohin korrupsionin si një nga shkaktarët e dhimbjeve të tyre, rritjes së kostos së jetesës, çmimeve të larta të ushqimeve. Njerëzit pohuan në sondazh që gjërat do të përmirësohen, pasi korrupsioni po trajtohet. Fokusimi kundër korrupsionit është si një Reset Button për vendin, një mundësi për të rivendosur në një kurs të ri gjërat e vendit drejt anëtarësimit në BE, ndryshe sa ndodhën në tridhjetë vitet e fundit”, theksoi drejtori i IRI-t.

Nga Anketa e Institutit Republikan doli po ashtu që më pak se gjysma e të anketuarve (49%) janë të kënaqur me mënyrën si po zhvillohet demokracia në vend, ndërsa gjysma tjetër shprehen të pakënaqur dhe shumë të pakënaqur.

Pjesa dërrmuese e qytetarëve të anketuar besojnë se demokracia është forma më e mirë e mundshme e qeverisjes së vendit.

Por vetëm një e treta e tyre mendojnë se vendi po qeveriset në interes të shumicës së popullatës, ndërsa afro dy të tretat (62%) shprehen se qeverisja punon për interesat e disa grupeve.

Ky perceptim është më shumë i përhapur tek të anketuarit nga 18 deri 35 vjeçarë (72%), por kjo është një përgjigje e qëndrueshme edhe në moshat e tjera nga 36 deri mbi 56 vjeç e lart (59%).

Të pyetur nëse të rinjtë e sotëm kanë një të ardhme të mirë në Shqipëri, më shumë se gjysma e qytetarëve të anketuar (57%) përgjigjen negativisht, kundrejt 40 për qind të atyre që shprehen pro një të ardhme të mirë.

Krahasuar me një vit më parë, përgjigja se rinia nuk ka një të ardhme të mirë në atdhe sivjet është përkeqësuar me 3 pikë. Shumica e të anketuarve në këtë përgjigje negative janë të rinj, por po ashtu janë shprehur njëlloj edhe shumë të anketuar nga të gjithë grupmoshat.

Gjetjet kryesore të sondazhit, – thotë drejtuesi i IRI-t, John Fluharty, – janë se qytetarët shqiptarë vazhdojnë të kenë shqetësime për ecurinë e demokracisë shqiptare, por ata e duan idenë e demokracisë dhe duan të shohin që të hidhen hapa gjigantë përpara. Ata e shohin SPAK-un si një mënyrë për të ndihmuar, që kjo të ndodhë. Qytetarët mbështesin përpjekjet kundër korrupsionit, sepse ata e kuptojnë që e gjithë kjo lidhet me përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre. Lufta kundër korrupsionit është një mënyrë e mirë për të rikthyer besimin e njerëzve tek demokracia, sepse ligji dhe barazia para ligjit është shtylla e demokracisë”, – tha zoti Fluharty.

Lidhur me zgjedhjet e ardhshme, qytetarët shprehin masivisht gatishmëri të lartë për të votuar, ndonëse janë ndarë baras sa i takon pyetjes nëse njerëzit e thjeshtë mund të ndikojnë në vendimmarrjen e vendit.

Afro dy të tretat e të anketuarve (62%) thonë se zgjedhjet apo ofertat në politikën shqiptare janë shumë të kufizuara dhe se forcat e reja politike duhet të ofrojnë alternativa të tjera në zgjedhjet e ardhshme.

Ky mendim mbizotëron në të gjithë grupmoshat. Kjo përgjigje e re vjen tani nga të anketuar, mbi 90 për qind e të cilëve pohuan se në zgjedhjet e kaluara kanë votuar për njërën nga dy a tre partitë më të mëdha.

Aktualisht një e treta e të anketuarve nga të gjithë grupmoshat shprehin pëlqim për partitë e reja, që janë krijuar së fundi. Anketa zbuloi po ashtu se, krahas katër partive më të hershme (PS, PD, PSD, PL), qytetarët shprehin besim edhe në katër parti të reja (Shqipëria Bëhet, Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe Nisma).

Drejtori i IRI-it, Fluharty, thekson që partitë politike janë në fund të tabelës së besimit nga qytetarët dhe ky është një mesazh për to.

“Sondazhi, – thotë zoti Fluharty, – nuk i sheh zgjedhjet si një garë kuajsh kokë më kokë; se kush fiton ato, nuk është aq e rëndësishme, sa biseda se kujt i përkasin partitë politike: A i përkasin ato një grupi njerëzish, që kanë të njëjtat pikëpamje, apo që besojnë tek një individ. Ka një hendek midis në të kuptuarit thelbësor për qytetarët se cilës parti i përkasin, çfarë përfaqësojnë ato, çfarë ideologjie dhe programesh kanë, sepse kur njerëzit qëndrojnë të lidhur me individë të veçantë, gjithmonë ka një pyetje për motivin e kësaj”, shtoi drejtori i IRI-t për Shqipërinë.

Në anketën e IRI-t vetëm një pakicë (16%) tha se nuk ka gjasa që të votojnë në maj, për shkak se sipas tyre, vota dhe zgjedhjet nuk kanë rëndësi, se asnjë kandidat apo parti nuk i frymëzon dhe nuk i përfaqëson.

Shumica e të anketuarve (58%) besojnë se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira, përballë 40 për qind, që mendojnë të kundërtën.

Pjesa dërrmuese e të anketuarve që pritet të votojnë për PS-në (90%) mendojnë që zgjedhjet e majit do të jenë të lira, ndërsa tre të katërtat e atyre që pritet të votojnë PD-në shprehen se zgjedhjet nuk do të jenë të lira.

Pjesa më e madhe e të anketuarve (58%) besojnë se KQZ-ja është e aftë të organizojë dhe të mbikëqyrë zgjedhjet, por pjesa tjetër (41%) kanë pak ose aspak besim tek KQZ-ja.

Anketimi zbuloi një shqetësim në rritje të qytetarëve për dhunë të mundshme në zgjedhje, sa afro dyfishi i një viti më parë. Një vit më parë këtë shqetësim e shprehën 27 për qind të qytetarëve, ndërsa sot ata janë afro dyfishi (45%). Pjesa dërrmuese e të anketuarve që e ngrejnë këtë shqetësim mbi dhunën e mundshme në zgjedhje i përkasin asaj pjese, që mendohet se voton për PD-në.

Sa i takon mbështetjes së politikanëve, në sondazh spikatin diferencat e ndjeshme midis kryeministrit socialist Edi Rama (35%), përballë kryetarit të PD-së Sali Berisha (14 për qind), por në skajin tjetër të tabelës besimi për figura të tjera është po a q i lartë (26%), sa edhe mosbesimi i plotë tek asnjë politikan (28%).

Mbi 60 për qind e të anketuarve besojnë dhe shpresojnë se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë, ndërsa pjesa tjetër (afro 40%) nuk kanë shumë shpresë për një të ardhme më të mirë, por pohojnë madje se kanë frikë, shqetësim e pasiguri për të ardhmen dhe nuk besojnë tek ndonjë përmirësim për këtë.

Më shumë se gjysma e të anketuarve nga IRI (52%) pohuan se vendi po shkon në drejtimin e duhur, një shifër kjo me 6 pikë në rënie krahasuar me një vit më parë (58%). Megjithatë qeveria Rama gëzon një aprovim të përgjithshëm nga më shumë se gjysma e të anketuarve (58%), edhe për sa i takon efektshmërisë (55%).

Shumica dërrmuese e qytetarëve (74%) pohuan se janë të informuar mjaftueshëm mbi zgjedhjet e ardhshme, por duan më shumë informacion mbi programet partiake dhe kandidatët e tyre.

Nga ana tjetër, pjesa dërrmuese (88%) e të anketuarve thanë se nuk kanë parë gjatë 12 muajve të fundit ndonjë aktivist partiak në zonën e tyre./VOA

“Trajtimi i çështjes së arsimit, kërkon vëmendje dhe seriozitet”/ Mirela Karabina: Arsimi duhet shpallur emergjencë kombëtare

Zëdhënësja e PD-Demokratët Euroatlantikë, Mirela Karabina, në një status të saj në facebook, ka trajtuar çështjen e arsimit dhe medias.
Sipas saj, “arsimi nuk mund të trajtohet kalimthi, ai kërkon vëmendje, seriozitet dhe përgjegjësi pasi është e gjithë shoqëria me sytë nga ai”.
Për Karabinën, arsimi është goditur rëndë, ndaj duhet të shpallet emergjencë kombëtare.

Më poshtë, postimi i plotë:

Arsimi dhe trajtimi në Media.

Arsimi ka probleme themelore, është goditur shumë dhe duhet të shpallet emergjencë kombëtare.

Por ashtu siç është arsimi, fatkeqësisht ashtu janë dhe emisionet televizive që mundohen të trajtojnë temën e arsimit duke filluar nga: moderatorët që nuk jane të qartë dhe nuk e njohin atë që duan të trajtojnë, të ftuarit që zgjedhin janë një tjetër problem, dhe mënyra si trajtohet problemi.

Arsimi nuk mund të trajtohet kalimthi, ai kërkon vëmendje, seriozitet dhe përgjegjësi pasi është e gjithë shoqëria me sytë nga ai.

Ndaj një rekomandim për emisionte televizive, si njohëse e fushës dhe si studiuese, që kur të trajtojnë problematikat duhet t’I ndajnë në zëra: infrastruktura shkollore, numri i nxënësve në klasa, formimi, kualifikimi i mësuesve dhe profesionalizmi i tyre, vlerësimi i nxënësve, metodologjia, infrastrukura digjitale, mendësia e trajtimit të nxënësve dhe aftësimit të tyre brenda kohës së kufizuar të qëndrimit në shkollë, mjete didaktike dhe si ndikojnë në aftësimin e tyre, modele suksesi, si rankojmë shkollat që cilësohen më të mira, arsimi i lartë, degët, cilësia e shumë të tjera.

Arsimi privat dhe ai shtetëror, avantazhet e disavantazhet dhe cila është politika arsiore pasi që të dyja janë në shërbim publik dhe trajtimi ka interes të madh.

Ku jemi me rezultatin e Reformës Kurrikulare në Arsimin Parauniversitar (2014) dhe Refomën në Arsimin e Lartë (2015)?

Të gjitha janë të lidhura por trajtimi zë për zë do të bëj të mundur që të kuptohet pse jemi në këtë gjendje dhe cilat janë mundësitë e zgjjidhjes.

Vlerësimi ndërkombëtar “PISA 2022” ka dëshmuar se sa keq jemi me arsimimin dhe aftësimin e nxënësve.

Kush do të jetë bosi më i fuqishëm pranë Edi Ramës pas zgjedhjeve 2025?

Kryeministri Edi Rama, zaptues i krejt pushteteve dhe me fuqi vendimesh e ligjesh klienteliste si “Sulltani” i Shqipërisë, ka nisur të ri-formatojë kupolën oligarkike me emra të rinj, të lidhur prej vitesh në interesa biznesesh dhe pazare me të, me familjarë e klane të tij.

Dajlan Avdia, personazhi i botës së krimit ndërkombëtar me rezidencë në Gjermani dhe biznese lojrash fati e kullash në Shqipëri, thuhet se do të jetë bosi i plotfuqishëm pranë Edi Ramës, që do menaxhojë pazaret pas zgjedhjeve të 2025-ës, që ka deklaruar se do fitojë mbi 90 mandate.

Gjatë 11 viteve në pushtetin e Edi Ramës, mafiozi Dajlan Avdia, ka qëndruar në hije, duke menaxhuar afro 60% të aktivitetit të kazinove e basteve me grupin “APEX”, por ka qenë dhe përfitues i shumë lejeve për pallate e kulla në qendër të Tiranës.

Dy muaj më parë, Dajlan Avdia, i njohur si mik ndikues i kryeministrit Edi Rama e të vëllait Olsi Rama, i është futur investimit të resorteve në bregdetin jugor, si terren pa rrezik për të pastruar miliardat e siguruara me punë të pista të qeveritarëve e trafikantëve.

Këtë skemë pastrimi parash, Dajlan Avdia e ka nisur në muajin nëntor 2024, me lejen që i dha miku i tij Edi Rama, për investimin e një resorti në 68 hektarë tokë shteti buzë detit pranë Kalasë së Lëkurësit në Sarandë, me pallate, hotele me 5 yje, pishina, qendër tregtare dhe vila.

Brenda sipërfaqes është 3.3 hektarë tokë, që krye- bashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo ia grabiti shtetit me dokumente false, ndërsa tre muaj para se të zgjidhej kryetar, ia shiti Dajlan Avdisë me 3.7 milionë Euro, për të cilën, thuhet se është shitje fiktive e pa deklaruar në ILDPKPI.

Këtë projekt turistik gjigand, me vlerë totale afro 500 milionë Euro, Dajlan Avdia do ta investojë 100% vetë dhe do ta ndërtojë me kompaninë e tij “TDT&Partners”, por pa deklaruar burimin e të ardhurave, kur sipas të dhënave zyrtare, deri në 2018 kur shiti aksionet e tij te “APEX”, kishte vetëm 1.3 milionë Euro fitime, ose sa 35% e vlerës që deklaroi në blerjen e tokës së Vangjel Tavos.

Ndërsa në dosjen e lejes së resortit poshtë Kalasë së Lëkursit në Sarandë, KKT nuk ka asnjë raport nga bankat dhe as nga Drejtoria e Parandalim-Pastrimit të Parave, që të faktojë se me çfarë aktiviteti është marrë Dajlan Avdia në Gjermani e Shqipëri dhe sa të ardhura ka.

Por SHISH e Antikrimi, referuar dhe raporteve të agjencive partnere anti-mafie, i kanë raportuar kryeministrit Edi Rama dhe strukturave të drejtësisë shqiptare, se Dajlan Abdi, i cili vepron me mbiemrin “Avdia” qysh prej vitit 2010, po pastron paratë e tij të zeza të grupeve mafioze e qeveritarëve me ndërtime në Shqipëri.

Me skemë “lavatriçe”, është investimi për kullën ngjitur me sahatin e Tiranës; 3 kullat pas Presidencës; kompleksi me 10 e 11 kate dhe 3 kate parkim nëntokë te rruga “Vellazën Huta”; kulla “Rainbow Center” në ish-Bllok, ku Dajlan Avdia ka bashkëpunuar me Tomë Doshin.

Por sipas raporteve të SHISH, Dajlan Avdia ka nga 30-50% investime dhe në 11 kulla, resorte e pallatesh të tjera në Tiranë, Durrës, Vlorë e Lalz, fshehur si investitor ilegal me kompanitë e tij “Invest Society”, “Techno Alb”, “National Construction” e “Coast Investment Albania”.

Informacionet thonë, se pas zgjedhjeve të 2025-ës, në të cilat, Edi Rama ka deklaruar një fitore cilësuese; diktues te Babloku për pazare, nuk do të jenë më Bashkim Ulaj, Rrok Gjoka e Pëllumb Salillari etj, por vetëm Dajlan Avdia, si bosi i ri drejues i grupit oligarkik.

Pas kullave e resortit në Sarandë, Dajlan Avdia pritet të marrë licenca për bastet dhe licenca me 65 ha për kultivim kanabisi; por fuqia e tij pranë Edi Ramës do ketë aq ndikim, sa ai do vendose se kush do marrë leje kullash, resortesh, tituj ‘Investitor strategjik’, pasuri shtetërore dhe ata që do bëhen klientë të rinj te oborri i Bablokut e ata që do nxirren jashtë “tepsisë”./Pamfleti

Ndërhyrje dhe kulisa, qeveria dërgon për miratim në Parlament ligjin e Biokarburanteve

Nga Kapitali.al

Qeveria ka dërguar më në fund në Parlament projektligjin e biokarburanteve, i cili prej vitesh mbahet peng në sirtarët e shtetit për shkak të kulisave, por edhe lobimeve të biznesit.

Drafti, i cili është hedhur për konsultim publik detyron shoqëritë e tregtimit të karburanteve që duke filluar nga ky vit të tregtojnë minimalisht një sasi biokarburanti sa 1 për qind e totalit. Ndërsa duke filluar nga viti 2026 sasia rritet gradualisht.

“Nga viti 2026 deri në vitin 2030, kjo sasi do të rritet gradualisht me 1% në vit, me synimin që në vitin 2030 të jetë jo më pak se 7%,” thuhet në nenin 4 të projektligjit.

Ndërkohë një tjetër risi e projektligjit është edhe fakti se biokarburantet nuk tregtohen si të mëvetshme, por tregtohen si përzierje (mishelë)e karburanteve qe tregtohen rregullisht.

Në vitin 2023, ministria e Energjisë e hodhi për konsultim projektligjin për biokraburantet, por me një variant tjetër.

Sipas draftit të dy viteve më parë, kompanitë e karburanteve ishin të detyruar që në vitin 2024 të tregtonin minimalisht 5 për qind të sasisë totale si biokarburant. Ndërsa nga viti 2025, sasia e detyrueshme e biokarburantit shkonte në 10 për qind e totalit.

Por drafti i vitit të kaluar nuk u miratua asnjëherë për shkak të kulisave dhe lobimeve të kompanive të naftës. Tashmë qeveria e ka propozuar projektligjin e biokarburanteve, por me sasi shumë më të ulëta nga ato që parashikoheshin në draftin e vjetshëm.

Biokarburantet
Biokarburantet janë një lloj karburanti që prodhohen nga bimët dhe konsiderohen si miqësor me ambientit për shkak se nuk emetojnë karbon apo gaz kur digjen në motorë. Për këtë arsye, Bashkimi Europian ka miratuar një direktivë, e cila i detyron vendet anëtarë apo ato që aspirojnë të anëtarësohen, që një pjesë të karburantit që konsumojnë të jetë biokarburant.

Por çmimi i biokarburanteve në treg është mbi 50 për qind më i lartë se sa ai i karburantit tradicional. Për të zbutur rritjen e kostove për qytetarët, shumë vende zbatojnë një regjim fiskal lehtësues për biokarburantet. Edhe qeveria e Shqipërisë ka vendosur të ndjekë të njëjtin model duke e përjashtuar totalisht nga taksat këtë produkt.

“Tregtimi i biokarburanteve per nje periudhe prej 10 vjetesh nga data e hyrjes ne fuqi te ketij ligji te jete i perjashtuar nga regjimi fiskal ne Republiken e Shqiperise vetem per sasine e biokarburanteve te pastra,” shkruhet në nenin 15 të projektligjit.

Sipas të dhënave zyrtare me konsumin e këtij viti, sasia prej 7 për qind nënkuopton se në vitin 2030, kompanitë shqiptare duhet të tregtojnë të paktën 45 mijë tonë biokarburante në tregun e brendshëm. Nëse merr si referencë barrën tatimore që Shqipëria aplikon mbi karburantet, përjashtimi total nga taksat i kësaj sasie do të kishte një efekt negativ prej mbi 50 milionë euro në vit në buxhetin e shtetit nga heqja e taksave.

Megjithatë sipas qeverisë, lloji i taksave që do të hiqen nuk është vendosur akoma dhe do të përcaktohet në koordinim me ministrinë e Financave.

 

Banorët kundërshtojnë vlerën e kompensimit për projektin TID të Parkut Arkeologjik në Durrës

Nga Gëzim Kabashi

Një muaj më parë, Këshilli Bashkiak i Durrësit hodhi një hap tjetër për realizimin e projektit “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës perspektive TID që ndodhet në Parkun Arkeologjik të Durrësit”.

Megjithë miratimin e shumicës, një pjesë e këshilltarëve kundërshtuan çmimin e kompensimit të banesave të ofruar nga Bashkia, i cili, sipas tyre, ka një vlerë rreth 20 për qind më të ulët sesa çmimi i ofruar tre vjet më parë për të njëjtën zonë banimi pranë amfiteatrit.

Këshilltari Jon Myshketa i tha BIRN se në VKM e vitit 2022, çmimi për metër katror i banesave për 9 familjet tashmë të kompensuara kap shifrën prej 99.600 lekësh për metër katror, ndërsa çmimi që u miratua për projektin e fundit me 99 banesa, i paraqitur dhjetorin e kaluar, është afro 20 mijë lekë më i ulët për çdo metër katror.

Ndërkaq, shifra e kompensimit për truallin mbetet në vlerën e njohur dhe të pranuar, të paraqitur me VKM e vitit 2016.

Vlerësimi i kompensimit të banesave, i paraqitur nga Bashkia e Durrësit, i ka lënë të pakënaqur pronarët dhe banorët e shumtë të zonës, jo vetëm pranë amfiteatrit antik.

“Vlerat e çmimit të banesave janë nxjerrë nga mesatarja e transaksioneve për shit-blerjet e kësaj zone gjatë tre muajve të fundit,” shtoi anëtari i këshillit bashkiak Myshketa, sipas të cilit jo pak herë në dokumentacion është i pranishëm edhe fenomeni i informalitetit në deklarimin e një çmimi më të ulët sesa e vërteta.

“Kjo është arsyeja që bashkia pret nga zyrat e noterisë dhe nga Institucioni i Kadastrës një vlerësim të ri më afër realitetit për 3-mujorin në vazhdim,” theksoi Myshketa, duke kujtuar se agjencitë imobiliare për këtë zonë japin çmime që arrijnë nga 1500–2000 euro për metër katror, vlera 2-3 herë më të larta sesa ajo e afishuar në listë.

Bashkia e Durrësit mbetet në pritje të VKM-së që do të vendosë përfundimisht për çmimin e banesave dhe trojeve që preken nga projekti, i miratuar në parim 5 vjet më parë mes Ministrisë së Kulturës, Bashkisë dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan.

Kritika ndaj projektit nuk kufizohen vetëm tek vlera e kompensimit të banorëve.

Arkitekti Artan Kacani është mjaft kritik ndaj projektit të paraqitur, pasi “ai anashkalon ligjin e planifikimit urban të vitit 2014”.

Kacani tha për BIRN se nuk mund të përdoret arsyetimi se muret mesjetare janë pronë e Ministrisë së Kulturës dhe, për pasojë, banesat pranë tyre mund të shpronësohen lehtësisht, ngaqë kontratat mes palëve përfshijnë pronarët e godinave.

“Dëgjesat publike parashikojnë vetëm zërin e realizuesve të projektit, dhe banorët e kanë thuajse të pamundur të shprehin opsionet e tyre,” u shpreh ai.

Projekti në dy anët e bulevardit “Epidamn”

Bulevardi “Epidamn”, rreth 340 metra i gjatë, që bashkon vijën mes kubesë së Xhamisë së Madhe me hyrjen e Portit detar, lidh të dy krahët e Parkut të ardhshëm Arkeologjik.

Numri më i madh i monumenteve ndodhet në krahun e amfiteatrit, aty ku Torra Veneciane vijon drejt kodër Vilës me muret fortifikuese bizantine.

Monumentet më të hershme të zonës i përkasin shekullit të 2-të të erës sonë deri në shekullin e 15-të. Të tjera vijojnë të zbulohen edhe vitet e fundit nga arkeologët.

Projekti do të ruajë praninë e dy elementeve të trashëgimisë kulturore të qytetit antik, që janë ngritur ngjitur me muret bizantine: Xhaminë Fatih, e ndërtuar në fillim të shekullit të 16-të, dhe banesën e shekullit të 19-të, ku ka jetuar disa vite të fëmijërisë aktori me famë evropiane Aleksandër Moisiu.

Në të dy anët e murit fortifikues parashikohet të prishen një sërë godinash, duke nisur nga bizneset deri te banesat.

Shtëpia modeste e Kujtim Cankas ndodhet mes mureve bizantine dhe shkallëve të amfiteatrit. “Unë nuk kam lexuar asnjë dokument për të ardhmen e zonës, por kam kuptuar se nga kompensimi që do të përfitoj nga banesa ime nuk do të blej dot një shtëpi tjetër,” tha Kujtimi për BIRN.

“Ne nuk jemi njohur me projektin,” tha për BIRN Abdulla Deliallisi, kryetar i shoqatës “Durrësi Autokton”. “Familjet që preken nga zbatimi i projektit duhet të marrin kompensimin që u takon dhe të sistemohen sa më pranë qendrës së qytetit.”
Deliallisi, që banon pranë amfiteatrit, kujton se gjatë zbulimit të monumentit në vitin 1966, u prishën me urdhër 33 shtëpi dhe u larguan 50 familje, por sipas tij, ato u sistemuan jo larg qendrës së qytetit.

Gjatë viteve të fundit, të joshur nga boom-i turistik, në Durrës, në të dy anët e bulevardit “Epidamn” u ngritën afro 15 hotele. Një pjesë e tyre shfrytëzuan banesat e hershme, duke modifikuar mjediset e brendshme.

Betim Myshketa, i cili administron një hotel shumëvjeçar në pronën e trashëguar, thotë se projekti i paraqitur parashikon disa ndryshime në taracën e godinës. Myshketa tha për BIRN se fatkeqësisht mungon bashkëpunimi mes bizneseve që preken nga projekti dhe realizuesve e investitorëve.

Bashkë me pronat e familjeve, në listën e paraqitur nga Bashkia bëjnë pjesë edhe troje shtetërore, prona të komuniteteve fetare, si dhe pasaktësi që lidhen me mungesat e dokumentacionit në Kadastër.

Jon Myshketa, anëtar i Këshillit Bashkiak, tha për BIRN se bashkia duhet të shfrytëzojë periudhën deri në njoftimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave për të përafruar çmimin e kompensimit aktual me vlerën e vitit 2022 prej 99.600 lekësh për metër katror.

Mungesa e besimit te institucionet shpesh herë krijon vonesa në realizimin e projekteve, por në këtë rast, banorët e zonës e kanë mbështetur prej kohësh krijimin e një hapësire turistike arkeologjike.

“Bashkë me besimin te institucionet, duhet edhe vullneti politik për të çuar përpara një projekt madhor në qendrën historike të qytetit të Durrësit,” përfundoi këshilltari Jon Myshketa./BIRN

Përse Edi Rama u thotë shqiptarëve që SPAK-un e ka bërë Partia Socialiste?

Nga Ervis Iljazaj

Edi Rama nuk lë rast pa përmendur se Reforma në Drejtësi është meritë e socialistëve dhe është pikërisht ajo që e ka bërë atë. Sigurisht me ndihmën e ndërkombëtarëve, por është kjo parti, sipas tij, që ka meritën kryesore, sepse, ajo është iniciatorja dhe arktitektja e saj.

Kjo është një tezë e cila shkon në kundërshtim me idenë e përgjithshme se Reforma në Drejtësi është e ndërkombëtarëve, sidomos e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Partia Socialiste ka qenë e vetmja forcë politike që ka bashkëpunuar me ndërkombëtarët për Reformën në Drejtësi pas bojkotit që i beri Partia Demokratike.

Megjithatë kjo nuk e bën aspak Reformën në Drejtësi një produkt të Partisë Socialiste. Atëherë përse Edi Rama kërkon ta hipotekojë për PS-në këtë reformë, ndoshta ngjarjen më domethënëse institucionale të ndodhur në 10 vitet e fundit, në Shqipëri?

Për dy arsye kryesore.
E para, sepse i pamundur për të ndalur hetimet për korrupsion ndaj vartësve të tij,

Edi Rama kërkon që këtë moment për drejtësinë e re ta kthejë në avantazh. Në vend që të japë llogari për korrupsionin në qeverisjen e tij që është galopante, ai bën krejt të kundërtën. Merr meritat e drejtësisë, a thua se është Altin Dumani. Duket si një ‘’skrizofreni’’ politike nga ana e një kryeministri, por në fakt, është e gjitha një strategji e cila vjen si domosdoshmëri.

Edi Rama në këtë drejtim ka dy rrugë. Ose të pranojë dhe të japë llogari për korrupsionin në qeverinë e tij, ose të shfaqet si luftuesi kryesor i korrupsionit dhe kalorësi i drejtësisë së re. Dhe këtë gjë po bën, duke theksuar gjithmonë se Reforma në Drejtësi është një vepër e Partisë Socialiste dhe se ai po e lejon SPAK që të veprojë, qoftë edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.

Një nga strategjitë e komunikimit dhe të politikës, efikase ndër të tjera, për opinionin publik, është që akuzat nuk kundërshtohen, por ato kthehen në avantazh, njësoj siç po sillet edhe Rama me arrestimet dhe hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë të administratës së tij.

Por nëse vërtet funksionimi i drejtësisë varet nga vullneti i një kryeministri, atëherë ajo nuk është drejtësi. Drejtësi e pavarur do të thotë kur drejtësia funksionon pavarësisht vullneteve të mira ose të këqija të politikës. Në këtë kuptim, edhe nëse Rama ka vullnet të mirë dhe lejon drejtësinë të funksionojë, do të thotë që nuk kemi arritur ende që të ndërtojmë një drejtësi ashtu siç ajo duhet të jetë.

Por në fakt, gjërat janë pak më ndryshe nga ajo që deklaron Rama çdo ditë Çdo zyrtar i lartë amerikan që ka vizituar Shqipërinë vitet e fundit, vizita e parë që ka bërë është pikërisht me drejtuesit e SPAK, duke deklaruar gjithmonë se Reforma në Drejtësi dhe SPAK janë institucione për të cilat ShBA kanë investuar shumë dhe që ka mbështetjen e tyre. Deklarata të cilat shkojnë në kundërshtim të plotë me atë se çfarë deklaron Rama. Dhe kjo është e vërtetë. Fakti që prokurorët SPAK-ut shkojnë dhe trajnohen në SHBA, apo se këshilltarë të shumtë amerikanë kanë marrë pjesë gjatë ndërtimit të organeve të reja të drejtësisë, tregon më së miri se kjo reformë mban vulën dhe logon e Shteteve të Bashkuar të Amerikës. Është reformë e mirë apo jo, funksion siç duhet apo jo, ky është një tjetër diskutim. Por s’ka asnjë dyshim se Reforma në Drejtësi nuk është krijim i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Nëse Rama dhe Partia Socialiste ka bërë SPAK-un në Shqipëri, atëherë e ka bërë dhe Rumania, në Kosovë, në Kroaci në Maqedoninë e Veriut. Është e qartë, se reformat në drejtësi në Rajonin e Ballkanit kanë qenë një investim gjeopolitik i Shteteve të Bashkuara në Dekadat e fundit, pa të cilat as do të ngriheshin dot as do të funksiononin.

Arsyeja e dytë se përse Rama kërkon të përvetësojë Reformën në Drejtësi ka të bëjë me ndihmën që i jep aleatit të tij politik, Sali Berishës. Duke bërë këtë, legjitimon aksionin politik të aleatit të tij për ta mbajtur sa më shumë në lojë dhe për ta patur rival. Sepse është absurde që Berisha e akuzon si një person që ka kapur SPAK-un, dhe Rama e konfirmon publikisht këtë gjë. Nuk ka politikan në botë që e thotë hapur se, ‘drejtësinë e kemi kapur ne’, edhe nëse kjo do të ishte e vërtetë. Edhe pse Partia Socialiste dhe Edi Rama e mbron publikisht Reformën në Drejtësi, nën rrogoz, bënë të pamundurën për t’ja vështirësuar punën. Ndërsa PD hapur kërkon çmontimin e SPAK, madje e ka ofertë elektorale për shqiptarët. Që të dyja ama, është e qartë që nuk e duan SPAK, dhe nuk është cudi aspak që të bashkojnë votat kundër tij.

Për këto arsye, për sistemin politik 33 vjeçar ideja se SPAK është i amerikanëve, është një ide që nuk i intereson dhe madje është e rrezikshme për ta. Herët apo vonë, të gjithë do të duhet të shkojnë përpara tij. Prandaj kërkojnë ta delegjitimojnë me mënyra nga më të ndryshmet. A do t’ja dalin dot? Edhe mundet, por tashmë hetimet për politikanët e niveleve të larta janë kthyer në normalitet. Këtë gjë e kërkon koha, e kërkon opinioni publik dhe e kërkon e ardhmja e Shqipërisë. Prandaj edhe pse përpiqen, do ta kenë shumë të vështirë.