33.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Shifrat 2018-2023/ Ekonomia e llaçit dhe tullave, investimet në makineri e pajisje me rënie

Nga totali i investimeve që janë bërë në ekonomi, pesha e makinerive dhe pajisjeve erdhi në ulje vitet e fundit.

Treguesi i Formimit Bruto të Kapitalit Fiks, që mat shpenzimet e kryera për kapitale të reja ose për shpenzime që zgjerojnë kapacitetin prodhues tregoi se, investimet në makineri dhe pajisje janë me rënie ndërmjet 2018 dhe 2023, ndërsa është rritur pesha e investimeve në banesa dhe ndërtesa të reja.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, investimet në makineri dhe pajisje zinin 27.7% të Formimit Bruto të Kapitalit Fiks, ndërsa në vitin 2023 zunë 24.4 ose 3.2 pikë për qind më pak.

Rënia e investimeve për makineri dhe pajisje dhe orientimi në llaç e tulla tregon për dinamikë të dobët të investimeve që nuk gjenerojnë produktivitet në të ardhmen. Importet dhe investimet në makineri dhe pajisje janë një tregues i hershëm i ecurisë së prodhimit.

Vitet e fundit, një pjesë e madhe fitimeve që gjeneron ekonomia shkojnë si investime në ndërtim.

Sipas të dhënave zyrtare nga Formimi Bruto i Kapitalit Fiks, pesha e investimeve në sektorin e ndërtimit u zgjerua me 5.7 pikë për qind ndërmjet 2018-2023. Në vitin 2018-n, pesha e ndërtimit në investimet e brendshme ishte 67.7%, ndërsa në vitin 2023 është 73.5%.

Shqipëria doli nga tranzicioni me një popullsi të re në moshë, me plot burime natyrore. Nëse investimet do të kanalizoheshin tek njerëzit dhe tek rritja e vlerës së burimeve Shqipëria do të kishte arritur standardet e BE-së.

Psh Estonia, e cila ishte nën pushtimin rus deri në vitin 1991, këto 30 vite zhvilloi një sistem arsimor dhe investoi në burimet njerëzore, çka e bënë atë një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Europë bazuar në teknologji dhe në novacion. Estonia ndërtoi një nga sistemet arsimore më të mira në rang global dhe është më e digjitalizuara në Europë.

Nisur nga lejet e dhëna për kulla të larta me herët këtë vit dhe projektet e qeverisë për investime kapitale, sektori i ndërtimit do të jetë sërish dominues në tërheqjen e investimeve të brendshme.

Ekspertët pohojnë se në afatin e shkurtër, investimi në ndërtim mund të ndikojë në rritjen e qarkullimit të parave dhe hapjen e vendeve të reja të punës, por që në afat të gjatë nuk i jep vlerë të shtuar ekonomisë, teksa nuk ndikon në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë. Teksa kanalizoi në ndërtim rreth 70 për qind të fitimeve në tre dekadat e fundit vendi ynë ka mbetur shteti me të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon dhe në Europë.

Në Europë dhe në rajon, fitimet që gjeneron ekonomia shkojnë për inovacion dhe në teknologji, pasi këto sektorë gjenerojnë kthim të qëndrueshëm në afat të gjatë dhe me vlerë të lartë.

Varësia e ekonomisë ndaj sektorit të ndërtimit në Shqipëri ishte më e larta në Europë në vitin 2023, sipas të dhënave që janë përditësuar nga Eurostat. Shpenzimet nominale për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2023 në Shqipëri ishin 19.1%, nga 18.8% vitin e kaluar./Monitor

Treshja e Barcelonës i dha një goditje të fortë “BMV”-së së Madridit

Finalja e Superkupës së Spanjës ka lënë pas prova mbresëlënëse. Treshja e sulmit të Barcelonës i ka dhënë një leksion treshes së Realit të Madridit të pagëzuar nën emrin “BMV”.

Dy klasike, dy “seanca” të plota nga Levandovski, Rafinja dhe Lamin Jamal. Në finalen e Arabisë, të tre shënuan katër gola nga pesë të Barcelonës (2-5). Të njëjtët shënuan katër gola si në “El Cásico” në “Bernabéu” në La Liga (0- 4).

Tredhëmbëshi i Barçës tashmë kishte numra më të spikatur edhe para Superkupës. Leva-Rafinja-Jamal së bashku numëronin 49 gola ndaj 37 për treshen e Realit, Bellingam-Mbape-Vini. Pas finales, shifrat janë thelluar edhe më, në 53 për 38. 15 gola më shumë të një epërsie të konsiderueshme. Levandovski (26), Rafinja (19) dhe Jamal (8). Të dhënat e ndeshjes së tyre janë dërrmuese: 8 goditje mes shtyllave, krahasuar me 3 për treshen e Madridit, me vetëm Bellingam.

Dhe në goditjet në portë, shifrat janë 6-3, pa asnjë gjurmë të Viniciusit për Madridin. Edhe në planin personal shifrat janë madhështore për sulmuesit e Barcelonës. Levandovski ka 26 gola në 27 ndeshje zyrtare. Ka barazuar 26 golat e sezonit të kaluar dhe ka ende një gjysmë sezoni përpara.

Dygolëshi i Rafinjës në finale e çon produktivitetin e tij në 19 rrjeta, që tejkalon rekordin personal prej 18 nga koha e tij në Vitoria Setubal. Në Madrid, pak. Mbape (15 gola) është ai që shënoi për Realin, me Bellingam dhe Vinicius në zero. Rodrigo (7) shënoi por nuk futet në ekuacion. Leva dhe Rafinja kryesojnë renditjen e golashënuesve, si në La Liga ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Në Superkupën e Spanjës në Arabinë Saudite, Rafinja dhe Jamal ishin golashënuesit më të mirë.

“Adil Çarçani, sa ikte infermierja vinte te…”- Dëshmitë e rralla të dy guvernanteve të udhëheqjes: Familjet e ‘Bllokut’ na provokonin, linin nëpër sirtarë lekë dhe bizhuteri apo gjëra të tjera me vlerë

Nga Ermira Isufaj/ Hatixhe Duro dhe Ikbale Gjaçi, dy ish-punonjëse në vilat e ish-‘Bllokut’ tregojnë për periudhën kur u shërbenin udhëheqësve komunistë, duke filluar që nga Ramiz Alia, Adil Çarçani, Hysni Kapo, Lenka Çuko, Beqir Balluku, etj. Si jetonin ish-bllokmenët, ushqimet e zgjedhura, ndërsa kriza kishte pllakosur Shqipërinë…?! Plotësimi i tekave të përditshme, që nga petullat, tek ushqimet kineze….! Jo çdokush mund të shkelte në familjet e tyre! Në zonën më të blinduar të kryeqytetit shqiptar, ku shpesh ishte e ndaluar të hidhje vështrimin, e jo më të kapërceje postblloqet apo, kontrollet e personave, që kujdeseshin për ruajtjen fizike dhe rendit të ish-udhëheqësve komunistë.

familjet e bllokut

Aty, ato të dyja, Hatixhja dhe Ikbalja, kishin përditshmërinë e punës. Prania në mesin e bashkëshorteve, fëmijëve të funksionarëve, më të lartë të pushtetit popullor, nuk mund të mos të impononte besim, njëherësh edhe trysni nga të katërta anët. Hatixhe Duro dhe Ikbale Gjaçi e kanë nisur punën si guvernante në vilat e ish-‘Bllokut’ komunist, duke “shëtitur” thuajse në pjesën dërrmuese të shtëpive të ish-zyrtarëve të atij regjimi, derisa ato dolën në pension. Thonë, se nuk ishte një punë e lehtë, edhe pse përpjekjet për të bërë vetëm detyrën e përditshme, ishin më shumë se nevojë, për të ruajtur “kokën” dhe vendin e punës.

Përvoja e gjatë nëpër shtëpitë e të mëdhenjve të shtetit komunist, ka kaluar jo pa tension. T’i shërbeje kafenë e mëngjesit dhe petullat e ngrohta Ramiz Alisë, Beqir Ballukut, Hysni Kapos apo Lenka Çukos, ishte më tepër se përgjegjësi. Shpesh ishte ankth, se mos një dridhje duarsh, apo një lëvizje e nxituar, mund të bëhej shkak për ndonjë situatë ose incident, të padëshiruar. Ashtu siç herë të tjera, dy guvernantet e vilave të ish-‘Bllokut’, bëheshin pjesë e gëzimeve familjare, festave të fundvitit apo, vëmendjes së kujdesshme të bashkëshorteve të politikanëve, të cilat i sajdisnin me dhurata të ndryshme, për veten dhe familjet e tyre.

Hatixhe Duro: “Si u kujdesa për mjekët kinezë, të Enver Hoxhës”?!

Znj. Hatixhe, të punoje në vilat e ish-pushtetarëve të regjimit komunist, nuk ishte një detyrë e lehtë. Përpos përgjegjësisë profesionale, çfarë trysnish të tjera kishte puna juaj

Përpara se të më emëronin si punëtore në shtëpinë e Beqir Ballukut, funksionarit të parë komunist, në vilën e të cilit kam punuar për gjashtë muaj, biografia ime, u kalua në sitë. Asokohe, të gjithë punonjësit e besuar nëpër vilat e udhëheqësve, nevojiteshin me biografi të kulluar dhe ajo e imja, ka qëndruar gjashtë muaj rresht, në zyrat e shtetit, duke kaluar nëpër filtra të kujdesshëm, aq sa, kishin arritur të pyesnin për mua dhe familjen, edhe në vendlindjen time, në fshat. Ishte vërtet punë me përgjegjësi të jashtëzakonshme, sepse punoja brenda shtëpive të zyrtarëve komunistë, u shërbeja atyre, bashkëshorteve, fëmijëve, sigurisht me gatishmëri të plotë.

Në fillimet e mia, kam qenë punëtore vile dhe detyrat që më caktonin, kishin të bënin kryesisht me larjen e dyshemesë, oborrit, larjen e rrobave, hekurosjen e shumë punë të tjera shtëpie. Më vonë, pasi u specializova në një kurs për kuzhiniere, u pozicionova në këtë profil, duke gatuar për shumë pushtetarë komunistë ndër vite, njëherësh, duke shërbyer në pritjet e delegacioneve të huaja, që vizitonin vendin tonë, pritje që organizoheshin kryesisht në “Pallatin e Brigadave”.

Por, edhe pse njëfarësoj unë dhe koleget e mia, ishim të besuarat e shtëpive të këtyre zyrtarëve, siguria dhe kontrolli, ishin primare edhe për ne. Çdo mëngjes, përpara se të hynim në vilat e “Bllokut”, tregonim fletë-hyrjen, të cilën e paraqisnim tek post-blloku, e pastaj futeshim nëpër shtëpitë respektive, nga ora 7:00 e mëngjesit, deri në orën 16:00 të pasdites.

Çfarë kujtoni nga përvoja juaj e parë e punës?

Për herë të parë kam nisur punë në vitin 1965. Do të zëvendësoja një kuzhiniere që kish marrë lejen e pushimeve. Atë ditë organizohej një pritje në Pallatin e Brigadave. Unë shërbeva pijet te të ftuarit e pranishëm, ministra të pushtetit popullor dhe disa përfaqësues të një delegacioni të huaj. Menjëherë pas kësaj përvoje, më dërguan të punoja si guvernante, në shtëpinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut. Kam qëndruar për gjashtë muaj atje.

Si punëtore, kisha një marrëdhënie tepër korrekte, me të gjithë familjen, por kryesisht me të shoqen e tij, Saide Ballukun. Ishim gjithsej tre punëtorë dhe një kuzhiniere, që shërbenim në shtëpinë e Ballukut. Puna ime kishte të bënte me pastrimin e shtëpisë, orendive, oborrit, etj. Isha vetëm 23 vjeçe dhe fillimi ishte tepër i vështirë, plot emocione.

A ndihej barazia, në mënyrën si ata ju trajtonin ju punëtorët e thjeshtë, që u shërbenit zyrtarëve komunistë dhe familjeve të tyre?

Personalisht, jam ndier e vlerësuar për punën time. I njihja rreziqet, ndaj gjithnjë mundohesha të bëja detyrat e ditës, kokulur, e bindur dhe pa kurrfarë kurioziteti të tepruar, për të mësuar se çfarë ndodhte në vilat ku shërbeja, hyrjet apo daljet e njerëzve të caktuar, situata familjare, apo politike të padëshiruara, që mund të ndodhnin e që reflektoheshin edhe në shtëpi, të tipit nervozizëm, apo ngritje zëri.

Nëse përhapja fjalë, apo interesohesha më shumë seç duhej, pasojat do ishin të pashmangshme. Ndaj, duke ruajtur këto parime, respekti nga ana e tyre, nuk më ka munguar. Beqiri shpesh ulej me ne punëtorët dhe bashkërisht pinim kafe. Ndërsa, të tjerë pushtetarë shpesh, nuk na ndanin nga gëzimet e tyre familjare. Tregoheshin të kujdesshëm, duke na bërë dhurata për vete dhe familjarët, në rastet e festave të fundvitit.

Pas vilës së Beqir Ballukut, keni lëvizur thuajse në pjesën dërrmuese të vilave të ish-Bllokut, apo jo?

Po. Kam punuar në shumë prej tyre, por këto lëvizje bëheshin jo pa rekomandime apo, reputacion të mirë. Pas Beqir Ballukut, kam punuar në shtëpinë e Hysni Kapos. Ishin një familje e respektuar, prej nga unë ruaj edhe kujtime shumë të bukura. Vito Kapo-ja, e pëlqente shumë punën time të dorës dhe më kërkoi që t’i qëndisja dy palë çarçafë, për të bijën, Verën, kur ajo u martua.

Doli një komplet shumë i këndshëm, e për të cilin kam punuar ditë e natë, derisa të bëja diçka të vyer. Aq shumë i pëlqeu Vitos puna ime, sa i sugjeroi gruas së Manush Myftiut, emrin tim, si një punëtore e zonja. Tek vila e këtij të fundit, punova edhe më gjatë, sërish si punëtore, deri në çastin që vendosa të ndiqja shkollën e kuzhinës, mora të shtatë kategoritë, bashkë me titullin e kuzhinieres profesioniste.

Zonja Hatixhe, cilin kujton si një moment të vështirë ndër vitet e punës suaj nëpër vilat e ish-zyrtarëve komunistë?

Ka qenë një moment, që nuk kam për ta harruar kurrë. Ishte festa e Vitit të Ri dhe në “Pallatin e Brigadave”, organizohej një pritje e një delegacioni portugez. Në krye, ishte Ramiz Alia, ndërsa ne të stafit, në mëngjes, na kishin thënë se ishte thjesht një koktej. Unë kisha përgatitur disa antipasta të lehta me sallam dhe qofte, djathëra të freskëta, pasi sigurisht, për gatimet e kësaj natyre, apo edhe të pushtetarëve të asaj kohe, furnizimi me produktet dhe lëndën e parë, bëhej enkas në magazinën e “Bllokut”, ku nuk mund të gjeje, edhe qumësht dallëndysheje. Gjithçka speciale. Mua më lajmërojnë në minutat e fundit se nuk bëhej fjalë për një banket, por për një darkë të mirëfilltë për gjashtë persona.

Një tension i jashtëzakonshëm. Frika, më pushtoi trupin. Çfarë mund të bëja në aq pak kohë?! Ndërsa shoqëruesve të Ramiz Alisë, gati sa nuk u kish rënë të fikët, përpara faktit, se si duhej t’i shpjegonin atij, se darka nuk mund të arrihej. Në ato çaste, m’u vërtit çdo pasojë e keqe në kokë, ndaj mblodha veten dhe iu futa punës. Gjatë kohës që shtrohej banketi dhe shërbeheshin pijet, nisa të përgatis darken, që nga supa, mishi, filetot, ëmbëlsirat dhe brenda 45 minutave, ia dola mbanë. Gjithçka ishte gati. Atë tension e frikë që kam përjetuar atëherë, nuk mund ta harroj kurrë.

Ju keni shërbyer si kuzhiniere edhe në kohën kur në Shqipëri erdhën disa doktorë kinezë, për të parë gjendjen shëndetësore të Enver Hoxhës….?!

Episod më vete, është edhe kjo pjesë në eksperiencën time të gjatë, të punës. Mbaj mend, që ishin pesë doktorë kinezë, që erdhën për të vizituar udhëheqësin, Enver Hoxha, në kohën kur gjendja e tij shëndetësore, ishte përkeqësuar. Ata qëndruan 14 ditë në Tiranë dhe thuajse çdo ditë, kam gatuar për ta, deri edhe petulla kineze.

Asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje, që mund të bëja edhe ushqim kinez, por ja që ia dola mbanë. Realizoja disa mbushje brumi me mish, në forma të çuditshme, të cilat i fusja më pas në ujë të vluar, për disa minuta. Ato i shërbeja, sipas dëshirës, me djathë, ose thjesht të marinuara. Kam gatuar shumë receta kineze, ndërsa doktorët, mbeteshin gjithnjë të kënaqur nga gjithçka u përgatisja.

Kur keni punuar në shtëpinë e Ramiz Alisë dhe tek Lenka Çuko?

Mbaj mend që në kohën kur punoja te Ramiz Alia, çdo mëngjes i shërbeja kafenë, ndërsa petullat e ngrohta, ishin të preferuarat e tij. Gjithnjë më falënderonte, për gatimet e mia, teksa e shoqja, Semiramisi, ishte një grua e jashtëzakonshme. Në çdo festë, ajo nuk harronte të më bënte dhurata për familjen time dhe kjo më bënte të ndihesha mirë dhe e vlerësuar. Nuk ishin aspak njerëz tekanjozë. Edhe në vilën ku jetonte Lenka Çuko, kam kaluar shumë mirë. Sa herë që kthehej nga puna, ajo do vinte gjithnjë të na përshëndeste, ne stafin e punëtorëve e kuzhinierëve, që punonim për të.

Në momente të caktuara gëzimi, familjare, ajo na merrte në valle bashkë me Naunka Bozon. Edhe pse shpesh mund të më provokonin në forma të ndryshme, duke vendosur nëpër sirtarë apo sipër komodinave lekë, bizhuteri apo sende me vlerë, unë i nuhasja kurthet dhe përherë shmangesha. Përditshmëria e punës sime ndër vite, derisa dola në pension, ka pasur sa përgjegjësi, aq edhe frikë bashkë. Por ishte kujdesi, vigjilenca ime dhe nevoja për të mbajtur familjen me atë rrogë, që çdo herë më shtynin, të mos përzihesha në situata delikate, duke parë gjithnjë, vetëm detyrat që më caktoheshin.

Ikbale Gjaçi: “Adil Çarçani, thyente këshillat e infermieres”!

Znj. Ikbale, fillimisht ju keni punuar në magazinën ushqimore të ish-‘Bllokut’, që posedonte gjithçka kërkohej nga furnitorët, për shtëpitë e pushtetarëve të lartë komunistë. Çfarë keni vërejtur, gjatë viteve që punuat atje?

Në magazinën ushqimore të ish-“Bllokut”, kam punuar për gati tre vjet. Çfarë nuk kam kaluar nëpër duar, mallra dhe produkte, që nuk i kisha parë kurrë më parë. Çdo asortiment, gjendej në atë magazinë, por sigurisht, që ishte i destinuar vetëm për familjet e ngritura të funksionarëve komunistë, apo për “Pallatin e Brigadave”, ku organizoheshin pritje shtetërore nga më të ndryshmet.

Vetëm qumësht dallëndysheje, nuk gjeje në magazinën tonë, se çdo produkt tjetër, deri tek frutat e thata, filetot e peshkut, ishin aty. Ne plotësonim kërkesat, që na sillnin të shkruara enkas, furnitorët e vilave të udhëheqjes, por çdo kalim, bëhej me shumë kujdes. Tregohej shumë vigjilencë, në peshën e ushqimeve, kontrollohej sërish cilësia, pasi çdo gabim, ishte i pafalshëm.

Si kaluat më pas në pozicionin e guvernantes, në vilën e Adil Çarçanit?

Tek vila e Adil Çarçanit, kam punuar nga viti 1986, deri në fillim të demokracisë. Fillimisht, më dërguan si punëtore në shtëpinë e tij, duke më thënë se do të qëndroja vetëm dy javë, por qëndrimi zgjati, më shumë nga sa e kisha parashikuar.

Me sa duket, atyre u pëlqeu metoda ime e punës, marrëdhënia korrekte, që kisha me stafin e punëtorëve atje, por edhe vetë familjen Çarçani. Punët që bëja, ishin nga të ndryshmet, nga pastrimi, larja e rrobave në lavatriçe, shpesh edhe gatuaja në kuzhinën e familjes, e cila ishte e pozicionuar në bodrum.

Kujtoni ndonjë moment veç të tjerëve, në atë shtëpi?

Punova në shtëpinë e Adil Çarçanit, gjatë kohës kur ai u diagnostikua me diabet. Çdo ditë, vinte infermierja në shtëpi, që i peshonte, gjithfarë ai do të konsumonte gjatë vakteve të ditës. Shpesh, përcaktonte edhe menynë, sepse e tillë ishte sëmundja. Duke respektuar atë regjim ushqimor, bëhej e mundur që të ruhej niveli i sheqerit në gjak. Por, shpesh e kujtoj faktin, që sapo infermierja mbaronte orarin e punës dhe largohej, Adili vinte në kuzhinë, na përshëndeste dhe kërkonte të hante sërish, ndonjë gatim të shijshëm, që atij i pëlqente shumë.

Të nesërmen, që i bëhej matja e glicemisë esëll nga infermierja, niveli i sheqerit, i dilte mjaft i lartë, çka shpesh rrezikonte edhe shëndetin e Adilit. Bëhej zhurmë e madhe. Infermierja bënte kritika ndaj stafit, por gjërat përsëriteshin. Adili përsëriste të njëjtën gjë, sa herë largohej ndihmës mjekja. Ndofta ngaqë, ishte shijues i mirë i ushqimit.

Të shoqen e tij, Havanë, e kanë treguar grua të sertë. Ç’marrëdhënie kishe me të?

Për vetë pozicionin që ajo kishte, si prokurore, mund të dukej edhe e sertë, por me ne, stafin e punëtorëve të shtëpisë, ajo ishte korrekte, dhe kaq na mjaftonte. Tregohesha shumë e kujdesshme në punën time, që të mos i lija shkas për kontradikta. Madje, edhe kur merrja pluhurat, çdo orendi e lëvizja me kujdes dhe e rivendosja sërish, në po të njëjtin vend. Shumë kolegeve të mia, u ka ndodhur që të kenë probleme, pikërisht për faktin, se pse lëvizen gjërat nga vendi nëpër shtëpi?!

Mua njëherë më ka ndodhur, që teksa kisha vendosur rrobat për t’u larë në lavatriçe, një çorape me ngjyrë, ishte përzier me to dhe të gjithë rrobat, u bënë të zeza. Kam qarë gjithë ditën. U mbylla në bodrum poshtë, sepse kisha frikën e pasojave. Përveç rrobave, kisha hallin se mos e merrte vesh e shoqja e Adilit, se do ishte bërë nami. Falë Zotit, një kolege ime aty, u tregua e gatshme të më ndihmonte. I futi në klor, më pas në një ilaç zbardhues dhe ato u bënë si të reja. Asnjëherë nuk kam për ta harruar, tensionin që përjetova atë ditë.

Nëse mund të bëjmë një krahasim përvojash pune: ju keni punuar edhe në vitet e diktaturës, edhe në periudhën post-komuniste. Ku ndahen këto eksperienca?

Secila prej tyre, ka pasur specifikën e vet. Në përvojën e parë të viteve të punës, qoftë në “Pallatin e Brigadave”, në magazinën ushqimore, të ish-“Bllokut” apo në shtëpinë e Adil Çarçanit, për shumë vite me radhë, gjërat ishin shumë të ndrydhura. Mundohesha të bëja punën time dhe të mos përzihesha as me fjalë, as me biseda, që mund të shpreheshin mes familjarëve gjatë ditës. Nëse do të bëja të kundërtën, kush e di në cilën zonë të Shqipërisë do më degdisnin, bashkë me familjen.

Duke ruajtur kokën time, vendin e punës, gjithnjë bëja sikur nuk kuptoja apo, nuk dëgjoja. I tillë ishte sistemi, nuk veproja dot ndryshe. Ndërsa, pas vitit 1991, fillimet e brishta të demokracisë e tutje, kam punuar kryesisht, në vilat qeveritare të pushimit, në zonën e malit të Dajtit. Kam punuar për disa kohë për ish-kryeministrin Ilir Meta dhe familjen e tij. I kam shërbyer mëngjesin, kafenë, lëngun e frutave, apo edhe vakte të tjera ushqimore të ditës, të gjithë familjes Meta.

Situatat ishin më pak tensionuese. Nuk kishim atë presionin e dikurshëm dhe frikën që të mos hapnim gojën për të folur, se kishim drojë, se thoshim gjëra të gabuara, apo jo të duhura. Me Monika Kryemadhin, ne punëtorët, shpesh pinim kafenë së bashku, diskutonim probleme tonat familjare e, kemi gjetur edhe mbështetjen e tyre, për çështje të caktuara.

Presidenti Biden: Marrëveshja për Gazën është në prag të arritjes!

Lufta në Gaza vazhdon prej 15 muajsh – tani po shtohen informacionet se një marrëveshje armëpushimi dhe lirimi i pengjeve mund të arrihen. Presidenti amerikan Biden tha se një marrëveshje është “në prag të” arritjes.

 CaptureNegociatat indirekte midis Izraelit dhe organizatës radikale islamike palestineze Hamas për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës duket se kanë bërë përparim të konsiderueshëm. 

Agjencia AFP shkruan – duke iu referuar qarqeve të pjesëmarrësve – se është bërë “progres i rëndësishëm” në negociatat drejt një marrëveshjeje. Agjencia e lajmeve Reuters raporton se sot në Doha, kryeqyteti i Katarit pritet të zhvillohet një takim për të përpunuar detajet përfundimtare.

Reuters: Fillimisht pritet të lirohen 33 pengje

Duke cituar informacione nga një zyrtar i qeverisë izraelite, Reuters shkruan se projektmarrëveshja parashikon, ndër të tjera, që fillimisht të lirohen 33 pengje nga kontrolli i Hamasit: fëmijë, gra – duke përfshirë edhe ushtare femra – si dhe burra mbi 50 vjeç, të plagosur dhe të sëmurë.

Tërheqja e trupave izraelite nga Rripi i Gazës pritet të bëhet në faza. Sipas të dhënave izraelite, Hamasi mban ende 94 pengje, 34 prej të cilëve besohet se nuk jetojnë më.

Për muaj të tërë, SHBA, Katari dhe Egjipti janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje mes Hamasit dhe Izraelit. Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar të raporteve të përparimit deri tani. Megjithatë, përfaqësuesit e palëve të konfliktit si dhe qeveria amerikane janë shprehur optimistë.

SHBA prezanton sot planin e pasluftës për Gazën

Presidenti i SHBA, Joe Biden tha, në atë që ka të ngjarë të jetë fjalimi i tij i fundit për politikën e jashtme se një marrëveshje është “në prag të” arritjes. Marrëveshja do të çonte në përfundimin e luftimeve, lirimin e pengjeve të Hamasit, do të garantonte sigurinë e Izraelit dhe do të lejonte shumë më shumë ndihmë humanitare për palestinezët në Rripin e Gazës.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se jemi më afër se kurrë një zgjidhjeje. Sipas informacioneve të mediave, ai pritet të paraqesë sot një plan për rindërtimin dhe menaxhimin e Rripit të Gazës pas përfundimit të luftës.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA, Jake Sullivan, ka përmendur mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje këtë javë. “Unë nuk po bëj asnjë premtim apo parashikim, por është e arritshme dhe ne do të punojmë për të,” tha Sullivan.

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump foli gjithashtu: “Ajo si e kuptoj unë është se ka pasur një shtrëngim duarsh dhe ata po e përfundojnë atë,” tha Trump, i cili do të pasojë javën e ardhshme Bidenin për President të SHBA.

Për përparim kanë folur edhe vetë palët në konflikt. Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar u tha gazetarëve se situata duket se është përmirësuar ndjeshëm. Një zyrtar i lartë i Hamasit i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ishte bërë përparim në çështjet kryesore.

Në muajt e fundit, megjithatë, disa herë ka pasur informacione që kanë sugjeruar se një marrëveshje ishte e afërt. Në realitet, luftimet në Luftën e Gazës vazhduan.

Hetimi për inceneratorin e Tiranës, Alqi Ballako kërkon gjykim të shkurtuar! GJKKO merr vendimin!

Ka nisur procesi gjyqësor në themel për ish-deputetin e PS-së, Alqi Bllako për çështjen e Inceneratorit të Tiranës.

 

Alqi Bllako akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka do të thotë se nëse shpallet fajtor i ulet 1/3 e dënimit.

SPAK ka paraqitur në mënyrë të përmbledhur provat dhe faktet që disponon lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës, duke dhënë edhe argumentet përse kërkon dënimin e Alqi Bllakos.

Kjo kërkesë e ish-ligjvënësit socialist, që u bë në seancën paraprake si edhe në gjyqin e sotëm (14 Janar) është pranuar nga trupa gjykuese.

SPAK kërkoi kohë për të bërë gati pretencën për Alqi Ballakon dhe seanca do të shtyhet për në një datë tjetër.

Seanca e radhës do të mbahet në datë 29 janar ora 10:00, ku edhe do të jepet pretenca për Alqi Bllakon. Gjithashtu do të jepen edhe argumentet e mbrojtjes duke qenë se janë më gjykim të shkurtuar dhe provat u janë vënë në dispozicion palëve.

HETIMET NDAJ ALQI BALLKOS

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar paraqiti më 15 nëntor, kërkesën për dërgimin për gjykim të të pandehurit Alqi Bllako, i akuzuar për kryerjen e veprës penale: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, dy herë, në lidhje me inceneratorin e Tiranes.

Sipas SPAK janë konstatuar akte korruptive të Alqi Bllakos, i cili në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt në dy raste; vlerën monetare prej 119.715 euro dhe vlerën monetare prej 7,520,000 lekë për Vladimir Bezhanin.

“I pandehuri Alqi Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri (pronarët de facto të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.), vlerën monetare prej 119,755 Euro, si pagesë për blerjen e pajisjes “Makineri për mbushjen, mbylljen, vulosjen apo etiketimin e shisheve, makineri për gazimin e pijeve”, për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të tij, Edmond Bllako, me adresë: “Ropi Stillo Gostivishti”, Ersekë”, thuhet ne njoftimin e SPAK.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur më 15 nëntor, kërkesën për dërgimin për gjykim të të pandehurit Alqi Bllako, i akuzuar për kryerjen e veprës penale: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, dy herë, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

Nga aktet e administruara dhe gjatë hetimeve të kryera për kontratën koncensionare të vitit 2017 për ”Ndërtimin e landfillimit, inceneratorit dhe rehabilitimit të vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, e lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. janë konstatuar akte korruptive të të pandehurit Alqi Bllako, i cili në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt në dy raste; a. vlerën monetare prej 119.715 euro dhe b. vlerën monetare prej 7,520,000 lekë për Vladimir Bezhanin.

I pandehuri Alqi Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vazhdonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë kohës kur kishte lindur idea e projektit të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit për trajtimin e mbetjeve në qytetin e Tiranës, përpara se të bëhej propozimi i pakërkuar në Ministrinë e Mjedisit.

Për shërbimin e Vladimir Bezhanit, si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, shtetasi Alqi Bllako i ka kërkuar/propozuar shtetasit Klodian Zoto, aksioner i shoqërisë propozuese “Integrated Technology Services” sh.p.k, dhe aksioner i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, dhënien e përfitimit të parregullt për shtetasin Vladimir Bezhani, duke e punësuar fiktivisht tek shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe siguruar një përfitim të parregullt në vlerën 7,520,000 lekë.

Gjatë kohës që Vladimir Bezhani ishte këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka ai ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton, sipas orientimit të të pandehurit, Alqi Bllako duke i siguruar të dhëna të marra nga autoriteti kontraktor, që i shërbyen shoqërisë propozuese të shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k. për të hartuar dokumentacionin e nevojshëm për propozimin e pakërkuar.

Po ashtu, i pandehuri Alqi Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri (pronarët de facto të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.), vlerën monetare prej 119,755 Euro, si pagesë për blerjen e pajisjes “Makineri për mbushjen, mbylljen, vulosjen apo etiketimin e shisheve, makineri për gazimin e pijeve”, për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të tij, Edmond Bllako, me adresë: “Ropi Stillo Gostivishti”, Ersekë.

Siç është mësuar edhe nga njoftimet e mëparshme, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 31 korrik 2024, ka paraqitur kërkesën për dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.255/1 të vitit 2020 (ndarë nga procedimi penal nr.255 të vitit 2020), në ngarkim të të pandehurve; Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj, Silena Tola, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme po kryen hetime të tjera në kuadër të procedimit penal nr.255 të vitit 2020, për të gjithë subjektet e regjistruar në kuadër të këtij hetimi (individë dhe persona juridik), për të evidentuar çdo fakt penal tjetër, veprimet e personave përgjegjës të institucioneve shtetërore që kanë marrë pjesë si para dhe gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, si dhe gjatë zbatimit të kontratës koncesionare.

  1. Procedimit penal nr.255/2 i vitit 2020 në ngarkim të të pandehurit Alqi Bllako – i ndarë nga procedimi penal nr.255/2020.
  1. Kontrata konçesionare me numër protokolli 6597, datë 31.08.2017 “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, e lidhur mes autoritetit kontraktor; Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. kishte një kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria konçesionare në vlerën 128,248,330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milionë e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH.

Zgjerimi i BE-së, komisionerja Marta Kos: Presim lëvizje në Kosovë pas zgjedhjeve

Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, e përmendi shkurtimisht Kosovën duke folur para deputetëve në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel, të martën.

 

Ajo tha se zgjerimi i BE-së sot është ndryshe nga mënyra se si ishte para katër a pesë vjetësh dhe se tash “kemi një moment të ri pozitiv në BE”.

“Për herë të parë në dhjetë vjetët e fundit kemi mundësinë që gjatë mandatit tonë të anëtarësojmë në BE një, dy apo tri vende të reja. Por, u kam thënë partnerëve javëve të fundit se nuk do të ketë lëshime kur bëhet fjalë për kriteret themelore dhe vlerat e BE-së”, tha ajo.

Për Kosovën, ajo foli krejt në fund kur u pyet nga një deputet i Parlamentit Evropian se çfarë pret nga zgjedhjet në Kosovë.

“Kosova… Nuk e përmenda Kosovën. Atje do të ketë zgjedhje. Nuk pres se do të mund të lëvizim para zgjedhjeve, por shpejt pas zgjedhjeve duhet të lëvizim. Sepse nuk mund të flasim për rajonin e Ballkanit Perëndimor nëse nuk flasim për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ose ndaras se çfarë është duke bërë Kosova e çfarë është duke bërë Serbia”, tha Kos.

Komisionarja shtoi se këtë vit pret zhvillime pozitive në procesin e zgjerimit dhe se pret progres më të madh sesa që ka pasur një dhjetë vjetët e fundit.

“Mund të kemi përparim gjatë Presidencës polake më shumë sesa që kishim në dhjetë vjetët e fundit, Mund të kemi deri në dhjetë konferenca ndërqeveritare”, theksoi ajo.

Kos gjithashtu paralajmëroi se së shpejti do të vizitojë Malin e Zi dhe Shqipërinë, vende të cilat ajo i sheh si më të avancuarat në procesin e zgjerimit.

“Mali i Zi ka vizion t’i përmbyllë negociatat deri më 2026 dhe Shqipëria deri në vitin 2027. Ne do t’i mbështesim ato, por duhet një punë shumë e madhe. Parimi i procesit të bazuar në merita duhet të jetë i vlefshëm edhe për vendet kandidate, por edhe për vendet anëtare të BE-së. Pra, kur kandidatët t’i përmbushin kriteret, atëherë vendet e BE-së duhet të mundësojnë ecjen përpara“, deklaroi Kos.

Pas zgjedhjeve që mbahen më 9 shkurt në Kosovë, pritet që shefja e re për politikë të jashtme e BE-së, Kaja Kallas, të realizojë turneun e parë të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në anën tjetër, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

Komisioni i Përbashkët është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në takimin e fundit në Bruksel, më 17 dhjetor të vitit të kaluar, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç, kanë thënë se janë pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës për personat e zhdukur./REL

Endri Çekiçi gjen skuadër, ribashkohet me Cikalleshin në Turqi

Mesfushori shqiptar, Endri Çekiçi ka gjetur një ekip të ri pasi ndodhej pa skuadër që verën e 2024-ës.

 

Ai ka firmosur me Adanasporin në ligën e dytë turke. Kështu do ti bashkohet shokut të tij Sokol Cikalleshit dhe të dy shqiptarët do të prezantohen sot në orë 13:30.

Çekiçi i cili ka luajtur për herë të fundit për Pendikspor, sezonin e kaluar luajti 26 ndeshje. Ai realizoi 1 gol dhe 2 asistime në ato ndeshje.

“Më ndihmoi dhëndri i vëllait të ministrit të Drejtësisë”- Dëshmon në gjyq i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani: Mjekët më siguruan raportin që kisha vetëm pak muaj jetë! Ja detajet si u lirova nga burgu

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka treguar në gjyqin ndaj grupit të arrestuar në kuadër të operacionit “Plumbi i artë” detajet sesi ai është liruar nga burgu me ndihmën e personave të tjerë.

Në GJKKO ai përmend emrin e avokatit Alban Bengasi si ndërmjetës, ndërsa thekson se e ka ndihmuar dhëndri i vëllait të ministrit të Drejtësisë.

Po ashtu Dumani ka deklaruar se në atë kohë i siguruan një raport mjekësor që ishte i sëmurë dhe kishte vetëm pak muaj jetë.

Edhe seancën e kaluar, më 9 Janar, Nuredin Dumani rrëfeu ndihmën që mori për t’u liruar, por edhe faktin se te lokali i të pandehurit Petrit Qoli mblidheshin politikanë dhe zyrtarë të njohur të kohës. Të pandehur të tjerë janë biznesmeni Gentian Sharra, Festim Qoli, Adrian Uzuni, dhe Skerdi Tase.

Kujtojmë që SPAK po vijon procesin për dosjen e bujshme, ku ka disa të pandehur. Dumani  është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i Prokurorisë së Posaçme, duke rrëfyer të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.

Po kush është Nuredin Dumani?

Nuredin Dumani është një emër shumë i njohur për policinë. Emri i tij u lakua në tetor të vitit 2020, kur ai u shpall në kërkim si autor i vrasjes së Bujar Çelës, vëllai të Talo Çelës.

Ai është autor i dyshuar edhe për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje kjo e kryer në bashkëpunim me Talo Çelën, sipas Policisë.

Autorësia e tyre në këtë ngjarje është dëshmuar nga i penduari i drejtësisë, Klevis Alla, ndërsa dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre.

Dumani ka qene shok me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator.

Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars 2020. Po ajo që bie më shumë në sy është se në vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, ndërsa së fundmi ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij.

Nuredin Dumani gjithashtu mësohet se ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi e trafikuar në Francë.

Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori i rrjetit, që i mashtronte vajzat duke u propozuar për martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do të vriste familjarët e tyre. Po ashtu, Nuredini ka qenë i arrestuar më herët edhe për akuzën e vjedhjes.

Kryetarja e Bashkisë Lushnjë Eriselda Sefa paraqitet në SPAK

Kryetarja e Bashkisë Lushnjë Eriselda Sefa paraqitet në SPAK. Lajmi konfirmohet nga gazetarja Klodiana Lala.

Të lidhur me bandën e Suel Çelës, Apeli i GJKKO lë në burg gjyqtaren Pajtime Fetahu dhe vëllezërit Xhino dhe Marsel Roka

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, sot më 14.01.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 2 akti, datë 06.01.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personave nën hetim M.R., Xh.R., E.Q., P.F., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 138, datë 22.11.2024 dhe nr. 146, datë 27.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

 

  • Miratimin e vendimit n.138 datë 22/11/2024 dhe vendimit n.146 datë 27/11/2024 të Gjyqtarit që shqyrton kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të hetuarit apelues z.M..R., z.Xh.R. dhe znj.P.F..
  • Shfuqizimin e vendimit n.138 datë 22/11/2024 dhe vendimit n.146 datë 27/11/2024 të Gjyqtarit që shqyrton kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të hetuarin apelues z.E.Q..