30.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Analiza/ Presing i lartë dhe krahë fluturues, si Hansi Flik çarmatosi Realin në finalen e Superkupës

Ishte finalja e parë si trajner i Barcelonës dhe, siç paralajmëroi para ndeshjes, ai nuk i ndryshoi planet e tij.

 

Hansi Flik beson te lojtarët e tij, stilin e tij të lojës dhe madje fakti që rivali ishte Reali i Madridit dhe kishte një epërsi me Mbape, Vinicius dhe Rodrigon nuk e kushtëzuan gjermanin kur vjen puna për të planifikuar ndeshjen. E vërtetoi në “Santiago Bernabeu” tetorin e kaluar, në La Liga, ku Barça fitoi 0-4, duke rrezikuar maksimumin me pozicionin jashtë loje dhe e tregoi sërish të dielën në Arabinë Saudite, në një finale dhe me një titull në lojë (Superkupa e Spanjës).

Trajneri gjerman u qëndroi besnik bindjeve të tij taktike. Presion i lartë, duke shkaktuar disa humbje të topit nga lojtarët e Madridit. Mbrojtësit e krahut, si Kunde në të djathtë dhe Balde në të majtë, u bënë dy sulmues të tjerë, ndërsa anësorët, Lamin Jamal dhe Rafinja u futën nga brenda, duke lënë mbrojtjen bardhezi krejtësisht të zbuluar. Në fakt, pavarësisht rrezikut që ndërmori me Balde që përfundoi me golin e parë të Mbapesë, Flik e mbajti idenë e tij dhe mbrojtësi i dalë nga akademia mori gjithashtu shpërblimin e tij pak para përfundimit të pjesës së parë në një nga ndërhyrjet e tij në sulm, kur ai shënoi golin e 4-1 në një tranzicion të shpejtë. Kunde ishte gjithashtu protagonist në golin e 3-1 të Rafinjës, me një asist fantastik me një pasim nga rreth 40 metra. Përtej qasjes së tij të guximshme, Flik u shqua dhe për diçka tjetër.

Në prag të finales, Rafinja dhe Arauho, si dy nga kapitenët e ekipit, kërkuan të flisnin me të. Arsyeja, për të cilën u fol aq shumë një ditë më parë, nuk ishte tjetër veçse pyetja e trajnerit nëse do të kishte një mundësi për t’u kthyer në Barcelonë fill pas ndeshjes! Trajneri ia plotësoi këtë dëshirë duke menduar për skuadrën, por edhe duke qenë i vetëdijshëm se mund të kërkonte akoma më shumë nga lojtarët e tij në finale. E thënë më shpejt se e bërë.

Lojtarët e tij dolën si luanë që në minutën e parë në kërkim të portës së Kurtua me dy raste të pastra që portieri madrilen i shmangu, fillimisht pas një goditjeje të Lamine dhe një tjetër menjëherë nga Rafinjës. Dhe më pas, edhe pse Mbape arriti të parakalonte Realin përpara, skuadra nuk u shpërbë. Përkundrazi, vazhdoi me të njëjtën frymë, jo vetëm përmbysi golin fillestar të Madridit, por i dha një shuplakë rivalit të përjetshëm dhe mbi të duke luajtur për më shumë se gjysmë ore me një më pak për shkak të përjashtimit të Sheznit. Dy ditë përpara finales dhe i vetëdijshëm se sa kohë u desh për të kaluar një javë të tërë në Xhedah, Flik u dha lojtarëve një ditë pushimi që të mund të “shkëputeshin”.

Lojtarët i vlerësojnë këto gjeste dhe kjo u pa edhe në festë. Pasi skuadra ngriti trofeun në skenën e përgatitur për këtë rast, Flik dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij shfrytëzuan rastin për të bërë foto së bashku me titullin. Sapo e panë, të gjithë lojtarët vrapuan me nxitim për të nderuar trajnerin, duke kërcyer, duke kënduar dhe gjithashtu duke marrë pjesë në atë festë.

Flik ka arritur të krijojë një familje në dhomat e zhveshjes, ku trajneri vendos udhëzimet dhe lojtarët e tij e ndjekin atë, duke qenë pedant kur duhet të jetë si me vonesat e Kunde ose Injaki Penjës, por duke qenë më tolerant në raste të tjera. Dje ishte “festë”, por sot do t’u kërkojë sërish maksimumin, duke menduar për duelin e Kupës kundër Betisit në “Montjuiç” të mërkurën në mbrëmje. Ai nuk dëshiron relaksim. Pas titullit të parë, Flik dëshiron më shumë, ashtu si skuadra e tij.

Drejtori i ARRSH-së, Gentian Gjyli paraqitet në SPAK! Merret në pyetje nga prokurorët e posaçëm për abuzimet me tenderat e rrugëve

Drejtori i ARRSH-së, Gentian Gjyli është paraqitur ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

 

Gentian Gjyli po pyetet nga prokurorët e posaçëm lidhur me hetimet që po zhvillohen për abuzimet me tenderat e rrugëve.

Drejtori i ri i ARRSH-së qëndroi në SPAK për më shumë se 1 orë dhe në momentin e largimit nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme heshti para mediave kur u pyet lidhur me arsyen e marrjes në pyetje.

Gentian Gjyli, i cili morin postin më 28 Mars duke zëvendësuar Evis Berberin, ka qenë në qendër të raportimeve mediatike lidhur me procedura tenderuese të dyshimta të lidhura nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Kujtojmë që ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, bashkëpunëtor i ngushtë i ministres Belinda Balluku, përfundoi në pranga me urdhër të SPAK për akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Nga hetimet ka rezultuar se Evis Berberi është i përfshirë në 6 tendera që SPAK pretendon se janë dhënë në mënyrë abuzive, 3 në kohën që ishte Drejtor i Eficencës së Energjisë dhe 3 si drejtor i ARRSH.

Totali i tenderave kap një vlerë prej rreth 2.2 milionë euro. Përveç Berberit, në pranga janë vënë edhe Valter Begaj dhe Ervis Lami, administratorë të kompanisë DAAM, që dyshohet se kanë përfituar tenderat në mënyrë abuzivë.

Mark Rutte u bën thirrje anëtarëve të NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes: Rusia nuk është e vetme, ka Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut në anën e saj

“Rrisni shpenzimet e mbrojtjes dhe mos përjashtoni kompanitë nga aleatët që nuk janë në BE në përpjekjet tuaja”, ishte mesazhi Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte në fjalimin e tij në komitetin e punëve të jashtme të Parlamentit Evropian sot në Bruksel.

 

Mark Rutte theksoi rëndësinë që shtetet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen dhe sigurinë e tyre nën kërcënimin e Rusisë, e cila përveç luftës së saj në Ukrainë po “përshkallëzon veprimet e saj destabilizuese”, përmes sulmeve kibernetike, sabotazheve dhe tentativave për vrasje.

“Rusia nuk është e vetme, ajo ka Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut në anën e saj”, shtoi ai.

Vendet e NATO-s duhet të investojnë “në mënyrë të konsiderueshme më shumë” se 2% të PBB-së së tyre në mbrojtje, shtoi ai.

“Administrata Trump ka të drejtë, ne nuk po shpenzojmë mjaftueshëm”, tha ai, ndërsa përsëriti se një objektiv i realizueshëm do të ishte rritja e shpenzimeve në 3% të PBB-së. (Donald Trump ka propozuar një rritje në 5%).

Në vijim, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se prodhimi i mbrojtjes në Evropë duhet të rritet “në mënyrë të koordinuar” , por pa përjashtuar, përmes këtij procesi, kompanitë nga vendet aleate jashtë BE-së që mund të ndihmojnë në këtë drejtim.

“Në një kohë kur Rusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani po rrisin bashkëpunimin e tyre industrial në mbrojtje në nivele të paprecedentë, do të ishte një akt vetëdëmtimi të ngriheshin barriera të reja midis aleatëve”, shtoi ai.

Në veçanti për Ukrainën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s përsëriti se duhet të jetë në një pozicion të fortë negociator kur të fillojnë bisedimet e paqes.

Shqipëria nën pushtetin e krimit, politikanëve të korruptuar dhe oligarkëve

Nga Rigels Seliman

Shqipëria, një vend me histori dhe tradita të pasura, sot gjendet në një krizë të thellë politike dhe sociale. Politikanët e korruptuar, krimi i organizuar dhe oligarkët po marrin në dorë fatin e qytetarëve shqiptarë, duke e kthyer këtë vend në një skenë të errët ku drejtësia, barazia dhe siguria janë bërë luks për shumicën.

Në vitet e fundit, Shqipëria ka qenë dëshmitare e një degradimi të vazhdueshëm të sistemit politik dhe ekonomik. Pushtetarët, të kapur nga korrupsioni, shfrytëzojnë çdo mundësi për të përfituar personalisht nga burimet e vendit. Ata që duhet të jenë shërbëtorë të popullit janë kthyer në grabitës të të drejtave dhe pasurive të shqiptarëve. Ky fenomen i hidhur nuk ka lindur sot, por ka arritur kulmin e tij, duke krijuar një hendek të thellë midis elitës së korruptuar dhe qytetarëve të varfëruar.

Krimi i organizuar lulëzon në një sistem ku drejtësia është e manipuluar dhe institucionet janë të dobëta. Vetëm në 24 orët e fundit, Shqipëria është tronditur nga dy vrasje, të cilat pasqyrojnë nivelin alarmant të pasigurisë publike. Bandat kriminale, që shpesh gjejnë mbështetje dhe mbrojtje nga politikanët, janë bërë të paprekshme. Shumë prej tyre jo vetëm që nuk ndëshkohen, por marrin pjesë aktive në tenderat dhe investimet publike, duke kapur çdo mundësi që ofron shteti.

Në këtë kaos, oligarkët qëndrojnë në krye të piramidës, duke kontrolluar pasuritë kombëtare dhe ekonominë shqiptare. Ata kanë siguruar monopole mbi tregjet kryesore dhe tenderat publikë, duke shfrytëzuar lidhjet me politikanët për të ruajtur fuqinë e tyre. Në vend që burimet kombëtare të përdoren për të përmirësuar jetesën e qytetarëve, ato përfundojnë në xhepat e pak individëve të fuqishëm. Ndërkohë, shqiptarët e thjeshtë përballen me papunësinë, vështirësitë ekonomike, emigracionin dhe një të ardhme të pasigurt.

Por çfarë mund të bëhet për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo spirale negative? Së pari, është e domosdoshme të ndërtohet një drejtësi e pavarur dhe e paanshme, e cila mund të ndëshkojë çdo individ që shkel ligjin, pavarësisht pozitës së tij. Reforma në drejtësi duhet të jetë prioritet absolut, dhe ajo duhet të zbatohet pa kompromis.

Së dyti, qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për fuqinë e tyre dhe të kërkojnë llogaridhënie nga politikanët. Pa presion publik dhe një lëvizje masive kundër korrupsionit, ndryshimi është i pamundur. Është koha që zëri i popullit të dëgjohet dhe të bëhet forca kryesore që sfidon këtë sistem të kalbur.

Së fundi, ndërkombëtarët, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit, duhet të mbështesin përpjekjet për të ndërtuar një shtet të së drejtës. Presioni ndërkombëtar mbi qeverinë shqiptare mund të jetë një katalizator për ndryshime reale dhe të prekshme.

Shqipëria ka potencial të madh dhe një popull që meriton më shumë. Por për të ndryshuar kursin e saj, duhet një luftë e ashpër kundër korrupsionit, krimit dhe oligarkisë. Vetëm atëherë ky vend mund të shohë dritën e një të ardhmeje më të ndritur, ku pasuritë kombëtare u shërbejnë të gjithëve dhe jo vetëm një grushti të vogël të privilegjuarish.

Xhaka mbi të gjithë, mesfushori shqiptar shpallet për herë të tretë futbollisti më i mirë në Zvicër

Granit Xhaka është shpallur futbollisti i vitit 2024 në Zvicër. Mesfushori shqiptar pati një sezon fantastik me Bajer Leverkusen ku fituan Bundesligën gjermane dhe shkuan deri në finalen e Ligës së Europës.

 

Sezoni i ri filloi me paraqitjen në Europianin e Gjermanisë. Aty spikati me Zvicrën në mesfushë.

Kështu nuk kishte dyshime, që 32-vjeçari do e fitonte këtë çmim në mbrëmjen e organizuar.

Xhaka e ka fituar dhe më parë këtë çmim. Kujtojmë këtu vitin 2022 dhe 2017.

Vranë dhe groposën të atin në kasollen e bagëtive, nis sot procesi gjyqësor për Hygerta Metën, si edhe dy vëllezërit e saj

Ditën e sotme, 14 janar 2025)do të nisë procesi gjyqësor në ngarkim të Hygerta Metës, Hysen dhe Amarildo Metës, që akuzohen për vrasjen e babait të tyre, Pëllumb Meta.

 

Prokuroria e Durrësit përfundoi hetimet dhe dorëzoi për gjykim dosjen penale për tre fëmijët e viktimës më 20 Dhjetor.

19-vjeçarja dhe vëllai i saj më të madh, Hyseni, akuzohen për veprën penale “vrasje me paramendim”, ndërsa Amarildo Meta për veprën penale “asgjësimi i kufomës”.

Ngjarja e rëndë, arsyet e së cilës mbeten ende mister, ndodhi më 10 shkurt, por u zbulua nga policia vetëm më 24 shkurt, disa ditë pasi djali i madh i viktimës, Hyseni, denoncoi zhdukjen e të atit.

Hygerta dhe Hysen Meta akuzohen se kanë vrarë të atin, ndërsa dyshohet se në bashkëpunim me vëllain e tyre Amarildon, më pas e groposën në sallën e bagëtive, ku edhe u gjet trupi i pajetë i viktimës.

25-vjeçari Hysen Meta akuzoi të motrën, Hygertën, si autore të krimit duke u shprehur se ishte ajo që e qëlloi për vdekje të atin.

Kam qenë prezent dhe e kam parë, ishte motra e vogël që e qëlloi. Donte ta fejonte me zor babai”, tha i riu gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar më 26 Shkurt.

Ndërsa, gjatë dëshmisë së dhënë para togave të zeza, Hygerta Meta ka deklaruar se ajo është autore e krimit makabër.

Vrasja e Pëllumb Metës

Ngjarja horror ndodhi mesditën e 10 shkurtit, por u zbulua vetëm 12 ditë më vonë, në datën 22 shkurt.

Hysen Meta denoncoi të atin të zhdukur më 13 shkurt, duke pretenduar në polici se kishin humbur kontaktet. Uniformat blu nisën hetimet dhe në datën 17 shkurt gjetën automjetin e viktimës në zonën e quajtur “Sektori Rinia”, duke u ngritur dyshimet se kishim të bënim me vrasje dhe jo me zhdukje.

Ndërkohë 12 ditë pas zhdukjes së 51-vjeçarit, trupi i tij u gjet i groposur në kasollen pranë banesës së familjes në Shënavlash të Durrësit. Hygerta Meta, në dëshminë e dhënë për policinë pranoi se kishte vrarë babain pasi ai donte ta fejonte pa dëshirë.

Por uniformat blu, njofuan një ditë pas zbulimit të trupit se autor i vrasjes ishte djali i madh, Hysen Meta, i cili sipas tyre e kishte qëlluar Plumb Metën me 4 plumba.

Ky i fundit në deklaratën për policinë pranoi se kishte vrarë babain, version i cili u ndryshua gjatë dëshmisë para togave të zeza në Gjykatën e Durrësit, ku e mohoi të ishte përfshirë në krim.

Autorësinë e mori përsipër 19-vjeçarja, e cila tregoi edhe dinamikën nga momenti që kishte marrë vendimin për të vrarë të atin, deri në momentin që e qëlloi për vdekje.

 

Dëshmia e Hysen Metës

Hysen Meta, i cili akuzohet se qëlloi për vdekje të atin Pëllumb Meta dhe së bashku me motrën e vëllain e varrosën, ka ndryshuar deklaratën e tij duke mohuar të jetë i përfshirë në krim.

Ai ka rrëfyer se ishte motra e tij 19-vjeçare, Hygerta Meta e cila e qëlloi të atin me pistoletë, duke pranuar se ka qenë prezent në momentin kur ndodhi krimi mesditën e 10 shkurtit.

25-vjeçari: Cili ishte shkaku qe arritët sipas dyshimeve për këtë vepër. Nuk e kam bërë unë, të flasë ai që e ka bërë.

Kam qenë prezent dhe e kam parë, ishte motra e vogël që e qëlloi. Donte ta fejonte me zor babai. Unë nuk kam pasur marrëdhënie të mira, kam qenë i hutuar, na erdhi keq për atë që i ndodhi babai.

19-vjeçarja ka pranur krimin dhe është shprehur e penduar: “Jam penduar, por ska kthim.”

Dëshmia e Hygerta Metës

Vajza e viktimës, 19-vjeçarja Hygerta Meta, e cila ishte e dyshuara e parë për krimin, ka dëshmuar sot në gjykatë se ka i ka thënë ‘jo’ të atit për të lidhur fejesë me një djalë nga fshati.

E reja është shprehur se para se të kryente krimin i ati i kishte thënë për herë të dytë për fejese por ajo kishte refuzuar sërish, dhe ka nga refuzimi që ka bërë, pretendon se i ati mund ta vriste.

Ndër të tjera, Hygerta Meta shprehet se i ndjeri ka pasur konflikte me të gjithë familjen, por ka pasur frikë të denoncojë.

Vajza e viktimës, 19-vjeçarja Hygerta Meta, e cila ishte e dyshuara e parë për krimin, ka dëshmuar sot në gjykatë se ka i ka thënë ‘jo’ të atit për të lidhur fejesë me një djalë nga fshati.

E reja është shprehur se para se të kryente krimin i ati i kishte thënë për herë të dytë për fejese por ajo kishte refuzuar sërish, dhe ka nga refuzimi që ka bërë, pretendon se i ati mund ta vriste.

Ndër të tjera, Hygerta Meta shprehet se i ndjeri ka pasur konflikte me të gjithë familjen, por ka pasur frikë të denoncojë.

19-vjeçarja: Vëllai ka ardhur nga Italia! Babai me tha për fejese e i thashë jo. Nga refuzimi qe i kam bërë për fejesë babai kisha hallin se më vriste me bombol gazi. Ne fund te janarit me tha për fejese dhe më kërcënoi mua dhe mamanë ‘do ju vras’. Mamanë e kish kërcënuar edhe për një portokall që kish këputur.

Me mamanë ka patur konflikte me dhunë dhe e ka goditur edhe pa mendje e ka lënë pa frymë. Babai ka patur konflikte kemi qenë prezent.

Kisha frike ta denoncoja. Mund te na vriste ai ose njerëz të fisit të vet. Babai na ka thënë do ju vras, nese rrini do ju vras, edhe nëse ikni do ju vras. Nuk kemi pas ku te shkojmë. Ai nuk na ndante kishte frike se mami i merrte pasurinë. Ai na ka thënë do ju vras! Isha prezentë. Te enjten na tha do ju vras pasi e refuzova për here te dytën herë fejesën. Te shtunën e mendova. Erdhi babi hëngri drekë, u shtri dhe mora armën dhe ja tregova. Por ai nuk u befasua!

E qëllova! I thashë cou në këmbë më tha ik andej. E kisha vendosur, isha dy metra larg ne dhomë të ndenjes. Arma ishte ne sirtar në dhomë të gjumit. Ka patur arme ka patur edhe kallash. Jam penduar, por ska kthim.

Dëshmia e Amarildo Metës

21-vjeçari Amarildo Meta është shprehur se ka qenë në punë dhe nuk ka parë asgjë në momentin që ndodhi krimi.

I riu shtoi se babai nuk i dëgjonte për asgjë dhe se kishte konflikte me të gjithë në familje.

“Kam qenë në punë, nuk kam parë gjë. E dija që babai kishte konflikte me të gjithë në familje. Babi nuk na dëgjonte për asgjë”, tha Amarildo Meta.

******

PLANI U THUR NGA DJALI I MADH?

Një pistë e fortë është ajo e konflikteve pasurore për tokën, ku personazh kyç është djali i madh i Pëllumbit, Hyseni.

Pëllumbi kishte rreth 12 dynym tokë. Gjatë kontrolleve në banesë policia nuk i ka gjetur këto dokumente, të cilat i mbante djali i madh, që i kishte premtuar motrës që me lekët e tokës do ta nxirrte nga burgu.

Dokumentari i plotë:

Pëllumb Meta me origjinë nga fshati Shemëri i Krujës lindi në Shënavlash të Durrësit më 8 qershor të vitit 1974, aty ky prindërit e tij Hamid dhe Fatime ishin shpërngulur prej kohësh nga Kruja.

Mes jetës së emigracionit dhe Shqipërisë, Pëllumbi pas vdekjes së nënës së tij vendosi të kthehej përfundimisht në Shqipëri, ku ishte bërë edhe baba i 4 fëmijëve, 2 vajzave dhe 2 djemve. Familjarët e Pëllumbit pretendojnë se që prej vdekjes së nënës së tyre nuk kanë pasur komunikim me bashkëshorten e tij, Blerinën, e cila kishte distancuar edhe fëmijët nga familjarët e Pëllumbit, me të cilët prej vitesh nuk flisnin.

Përtej këtij fakti, Pëllumbi nisi t’i përkushtohej familjes në vendlindjen e tij pas kthimit nga Italia. Ai nisi punën si roje në Shënavlash te tregu i makinave, punë që e bëri deri në ditën e fundit të jetës për rreth 23 vite, deri në 10 shkurt të vitit 2024.

10 shkurti i 2024-ës ishte edhe fundi i jetës së Pëllumb Metës, i cili ekzekutohet nga familjarët e tij. Një krim i rëndë i cili tronditi edhe më shumë opinionin publik sesi 4 familjarë, 3 fëmijët dhe nëna u bënë bashkë për të eliminuar kryefamiljarin e tyre dhe e varrosën në kasollen e bagëtive.

Sipas hetuesve, i gjithë plani i këtij krimi horror ishte i parapërgatitur deri në detaje. Por si u zbulua e vërteta dhe si nisi policia hetimet deri në zbardhjen e këtij krimi monstruoz?

Shefi i seksionit te hetimit të krimeve ndaj personit në Policinë e Durrësit, Ruzhdi Domi, i cili ka hetuar rastin që kur mbërriti kallëzimi në polici deri në zbardhjen e ngjarjes, shpjegon se si policia ra në gjurmët e së vërtetës.

Sipas grupit hetimor, fëmijët kishin realizuar të gjithë planin e fshehjes së krimit me detaje, nga largimi i makinës së të ndjerit, varrimi dhe fshehja e armës, të cilën sipas policisë dyshohet se e zotëronte i biri i viktimës, Hyseni. Ajo që i bëri më shumë përshtypje policisë në këtë krim ishte edhe qetësia e femijëve dhe bashkëshortes së Pëllumbit pas ngjarjes.

Fëmijët dhe nëna e tyre sipas grupit hetimor kanë dhënë deklarata kontradiktore për autorësinë e krimit, por në bazë të hetimeve të deritanishme policia deklaron se autor i qitjes së armës është djali i madh i Pëllumbit, Hyseni, i cili ka bashkëpunuar me motrën Hygertën. Hetuesit kanë bërë prova në poligon qitje me armë për të provuar nëse Hygerta di të përdorë armën.

Grupi hetimor të gjithë anëtarët e familjes po i heton si pjesëmarrës në krim, edhe pse bashkëshortja e Pëllumbit është proceduar në gjendje të lirë. Vëllai i Pëllumbit, Ramazani hedh akuza ndaj gruas së vëllait të tij.

Nga ana ligjore, policia e ka zbardhur ngjarjen ku kemi 3 anëtarë të familjes të arrestuar dhe një nën hetim, por cili ishte motivi i vërtetë i kësaj ngjarje kaq të rëndë, saqë bëri bashkë të gjithë fëmijët të vrisnin babanë tyre. Grupi hetimor po heton për motivin e ngjarjes, edhe pse shprehen të rezervuar për shkak të sekretit hetimor. Pista e fejesës së Hygertës se Pëllumbi donte ta fejonte pa dëshirë dhe dhuna në familje apo incesti janë përjashtuar nga hetuesit. Hygerta iu nënshtrua edhe analizave gjinekologjike, ku vërtetua që nuk kemi të bëjmë me abuzim seksual.

News24 mëson nga burime konfidenciale se një pistë e fortë është ajo e konflikteve pasurore për tokën, ku personazh kyç është djali i madh i Pëllumbit, Hyseni. Pëllumbi kishte në zotërim rreth 12 dynym tokë, të cilën e kishte edhe me dokumente të rregullta. Po ashtu Neës24 mëson se gjatë kontrolleve në banesë policia nuk i ka gjetur këto dokumente, madje në shtëpinë e të ndjerit nuk janë gjetur as para.

News24 mëson së këto dokumente të tokës i mbante gjithmonë me vete Hyseni, kudo që ai shkonte. Këtë informacion e disponon edhe grupi hetimor. Hetuesit po vijojnë kërkimet dhe ende nuk janë gjetur këto dokumente, madje dyshohet edhe për bashkëpunëtorë të jashtëm, që mund të kenë ndihmuar djalin e të ndjerit.

News24 shkoi te pronat e Pëllumb Metës, i cili tokat i kishte në dy parcela, një para banesës, ndërsa tjetrën rreth 2 km larg në një zonë industriale, tokë e cila ishte nxjerrë edhe në shitje. Metri i tokës sipas vëllait të të ndjerit kushton deri në 50 euro, ku në total tokat e Pëllumbit vlenin deri në 500 mijë euro.

Sakaq, një mbishkrim i çuditshëm është vënë re nga hetuesit edhe në murin e kasolles ku fëmijët varrosën të atin. Në mur shkruhet “Eni milioneri, 1 milionë dollar”. Djalin e madh të Pëllumbit Hysenin e thërrisnin shkurt Eni.

Në dëshmitë e tyre fëmijët deklarojnë se konfliktet familjare kanë qenë të vazhdueshme në familje me babanë, konflikti i fundit ishte i Hysenit me të ndjerin, ku Hyseni i kërkonte të atit që t’i blinte një makinë, edhe pse ishte i papunë dhe sapo ishte kthyer nga Italia.

Hyseni kishte qenë më parë emigrant në Angli ku kishte qëndruar edhe në kamp, në një nga kampet ku kanë humbur jetën dhe janë keqatrajuar shumë emigrantë shqiptarë. Në Angli nuk dihet puna që ka kryer Hyseni, por më pas ai kishte shkuar në Itali, ku edhe atje nuk kishte punuar dhe më pas u kthye në Shqipëri. 12 ditë pas kthimit ndodhi edhe krimi, ku fëmijët vranë babanë e tyre. Hetuesit kanë sekuestruar të gjitha telefonat celularë të fëmijëve të të ndjerit dhe ka dyshime se krimi është planifikuar nga fëmijët, përkatësisht nga Hygerta dhe Hyseni dhe ky i fundit u kthye në Shqipëri për të realizuar planin.

Por, pse fëmijët kishin kaq shumë urrejtje ndaj babait të tyre së bashku me nënën dhe u bënë bashkë në këtë krim? Burime konfidenciale i thanë News24 se hetuesit po hetojnë edhe një lidhje të dyshuar jashtëmartesore të viktimës prej vitesh, ku dyshohet se në dijeni ishin edhe bashkëshortja e Pëllumbit dhe fëmijët dhe ky shkak mund të ketë çuar në konfliktet të vazhdueshme familjare dhe se ka qenë bashkëshortja që mund t’i ketë rritur fëmijët me një urrejtje ndaj të atit, aq sa u bënë të gjithë bashkë për të vrarë atë.

Burime të besueshme i thanë News24 se ka prova ku Hyseni i thotë motrës që ta marrë ajo përsipër krimin sepse ky i fundit do të shesë tokën dhe do ta nxjerrë nga burgu. Po ashtu edhe motra e madhe Bedra, e cila ishte e fejuar dhe u lejua nga xhaxhai të merrte pjesë në varrimin e babait, është larguar nga burri dhe ka shkuar te nëna e saj Blerina, e cila po qëndron të prindërit e saj.

Gjatë realizimit të këtij dokumentari, kontaktuam edhe babanë e Blerinës, zotin Baftjar Togun, për të marrë edhe versionin e Blerinës dhe të vajzës së madhe për ngjarjen, por babai i Blerinës tha se vajza e tij nuk do që të flasë më në media. Vëllai i Pëllumbit i tronditur nga ngjarja kërkon të dijë shkakun e vërtetë të ngjarjes dhe i bën apel drejtësisë që t’i shkojë çështjes deri në fund.

Faktet dhe informacionet që u dhanë në këtë dokumentar u bazuan në informacione të cilat janë në dosjen e thelluar hetimore, por janë autoritetet ata që thonë fjalën e fundit. Grupi hetimor shprehet se janë drejt zbardhjes së motivit të ngjarjes.

Defekt në linjën e Tensionit të Lartë Prrenjas-Mokër, mijëra familje pa energji prej dy ditësh

Një defekt i rëndë në linjën e Tensionit të lartë Prrenjas -Pogradec ka shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në zonën e Prrenjasit dhe Mokrës së Pogradecit duke lënë pa energji me mijëra familje.

Pranimi i korrupsionit si normalizim i së keqes

Nga Namir Lapardhaja

Një ndër ‘kontributet’ negative që ka dhënë një pjesë e opinionistëve në mediat dhe televizionet shqiptare, është se kur flasin për korrupsionin apo rryshfetin e trajtojnë atë si diçka të zakonshme në shoqërinë tonë, i cili shpeshherë jo vetëm të zgjidh punë, por të lehtëson edhe një shkallë të gjerë burokracie, duke të lehtësuar shumë gjëra. Kjo, sipas tyre, i lë të gjithë të gëzuar dhe gjithçka vijon përpara pa qejfmbetje.

Që korrupsioni është pjesë e antropologjisë psikike dhe socio-kulturore të kësaj shoqërie, duket edhe te shprehjet stigmatizuese që i mveshin atyre që pretendojnë të kundërtën ose që synojnë të përpiqen të mos korruptohen apo më keq akoma ndaj atyre që kanë dhënë shenja të tilla përgjatë jetës dhe punës së tyre.

Mirëpo, ky normalizim i së keqes si diçka e zakonshme, është poshtërisa më e madhe që mund të bëhet. Pavarësisht se e keqja ekziston dhe është prezente në shoqëri, ta trajtosh atë me mospërfillje dhe t’i heqësh ‘aureolën’ e së dënueshmes dhe së ligës dhe të stigmatizosh ata që nuk e pranojnë si të tillë, nuk bën gjë tjetër vetëm se kontribun për të mbajtur të keqen në këmbë.

Nëse korrupsioni dhe rryshfeti do të ishte diçka e mirë dhe kontributore për mbarëvajtjen e një shoqërie, atëherë nuk do të kishim këtë disnivel të madh ekonomik dhe social. Nëse korrupsioni dhe rryshfeti do të ishte zgjidhje, atëherë jo rastësisht vendet e korruptuara janë shumë herë më të varfëra se ato me më pak korrupsion. Rasti i Shqipërisë me shumë korrupsion dhe ngelja prapa në shumëçka krahasuar edhe me vendet e Rajonit, është vetëm një ndër treguesit se korrupsioni jo vetëm që nuk e ka çuar shoqërinë përpara, por ka bërë pikërisht të kundërtën, duke e lënë pas edhe nga vende që dikur mund të kenë qenë më keq se ne.

Nëse e keqja normalizohet në një shoqëri, mos prit të mira dhe zgjidhje, por shih pasojat e përditshme, të cilat flasin më shumë se çdo fjalë e thënë dhe çdo rresht i shkruar.

“I kanë nxjerr paratë me çanta”, avokati i njohur: Politikanët e korruptuar kujtuan se deti u bë kos, do japin llogari njëri pas tjetrit!

Teksa ka komentuar punën e SPAK, avokati Spartak Ngjela, deklaroi se lufta antikorrupsion aktualisht ndodhet në nivelin mesatar, por që duhet ta kalojë punën në një nivel tjetër tani. Ngjela shprehet se beson te projekti amerikan për SPAK-un.

Avokati vuri në dukje se ka korrupsion të lartë nga të dy krahët e politikës dhe se për sulmet e Sali Berishës, i cili është nën akuzë prej mëse një viti për aferën në dosjen “Partizani”, u shpreh se ai ka “psikikën e të akuzuarit” dhe se nuk mund “të bëjë apo t’i zgjidhë punët me terror”.

Drejtësia ka hyrë në rrugën e kontrollit permanent, flasim për SPAK gjithmonë, sepse kjo tjetra jashtë SPAK ka probleme ende me korrupsionin. Kurse SPAK po krijon dhe ka krijuar goditje, ka krijuar tension të korruptuarve, ka goditje, të shohim si do shkojë, po nuk janë pak. Janë shumë, ish-kryeministër, ish-zv.kryeministër, ish-president, se janë nën akuzë, të presim si do jetë hetimi, se nuk është i lehtë. Duhet parë shkallë-shkallë, por shenjat janë se do rritet goditja penale, se s’ka rrugë tjetër”, thotë avokati, i ftuar në “Report TV”.

Por ai kërkon edhe reagim nga Qeveria në luftën ndaj korrupsionit, pasi shumë nga të akuzuarit janë apo kanë qenë pjesë e saj, që ndodhen në SPAK apo para Drejtësisë.

Mirë që ndodhi goditja penale, po a e ka aftësinë qeveria që të ndalojë korrupsionin? A ka peshë, se të gjitha qeveria po i pëson, se këta që akuzohen për korrupsion janë të socialistëve në shumicë, kjo është pyetja. A do marrin masa këta për korrupsionin, nuk është Prokuroria që ndalon korrupsionin, por institucionet, këshilli ministrave etj., por nëse administrata është e korruptuar nuk e mbron dot shtetin. Do e kalojë qeveria projektin e luftës antikorrupsion apo do e bëjë si pazari i gjësë së gjallë?”, thekson ai.

Ngjela mendon se të korruptuarit kanë lënë prova dhe gjurmë dhe se nuk janë profesionistë, ndërsa pret që të shohë nëse SPAK do e ngrejë nivelin.

Vullneti nuk pengohet nga dëshira. Është masiv korrupsioni dhe këta që kanë bërë korrupsion s’janë profesionist. Pofesionisti nuk trembet, e fsheh, me bankat etj., këta kujtuan se deti u bë kos dhe këta iu futën me lugë, por kosin ua kanë kapur! Se çfarë do bëjë më tutje prokuroria mbetet për t’u parë, por mendoj se është nivel mesatar, por më tej do varet nga vetë prokurorët nëse do e ngrejë nivelin apo jo. Do e shohim”, nënvizon avokati.

Por i pyetur në lidhje me presionet dhe kërcënimet e krimit të organizuar ndaj drejtësisë, apo edhe ato të Sali Berishës ndaj SPAK dhe BKH, ai thekson se korrupsioni është i lidhur me krimin e organizuar dhe veprojnë bashkë, teksa beson se e drejtuar nga Uashingtoni drejtësia do ia dalë.

Korrupsioni qeveritar gjithmonë është bashkuar me krimin e organizuar. Nuk flasim për banda me armë në krah, por bashkëpunimi mes korrupsionit qeveritar me biznesin, me tregtarët e mëdhenj. Ata mund të bëjnë presionin ndaj prokurorisë. Mirë që i ke marrë, por s’i do t’i shpenzosh, do bësh akullore? Si do bëjnë, ka të dhëna, kanë shkuar me njerëz për pastrimin e parave, me çanta. Por ka një sy qikllopik të madh që i ndjek, ku është? Në Uashington, i ndjek, i di të gjitha. Pothuajse të gjitha, por çështja është se këta janë në politikë, se që i kanë të identifikuar të gjithë i kanë, e dinë edhe sa kanë edhe ku i kanë. Deri tani kanë qenë të sigurt, se konfiskimi i pasurive të tyre vinte nga gjykatë ndërkombëtare, por tani ka ndërruar ligji. Nëse i dënon gjykata shqiptare, kudo bllokohen pastaj. Por luftën ndaj korrupsionit e ka politika amerikane, ata janë bërë SPAK tani. Kur të filloj momenti konkret do flasim më hollësisht”, tha Ngjela për Report TV.

Kurse për akuzat e Berishës ndaj SPAK u shpreh se drejtësinë e drejtojnë amerikanët nga Uashingtoni dhe se lufta nuk bëhet me terror ndaj drejtësisë.

Kush janë mallrat e shportës që u rriten më shumë se inflacioni mesatar në vitin 2024

Nga 51 grupe mallrash dhe shërbimesh që shërbejnë për matjen e inflacionit mesatar, në 34 prej tyre çmimet u rriten më shumë se mesatarja përgjatë 2024.

Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2024 inflacioni arriti në 2.2 për qind, por shumica e grupe të shportës së mallrave u rriten mbi këtë nivel.

Sipas grafikut të mëposhtëm rritjen më të lartë të çmimeve në vitin 2024 e kishin zarzavatet me 6.2 %, kondicionerët (5.4%), akomodimi në hotele me 5.2 %. Gjithashtu rrije mbi mesataren kishin edhe veshjet për fëmijë (5.1 %), mallra dhe shërbime shtëpie 4.8%. Më shumë se inflacioni mesatar është rritur edhe tarifa e ujit, e cila rregullohet nga shteti nëpërmjet Entit Rregullator të Ujit.

Të dhëna te detajuara tregojnë se rritje mbi inflacionin mesatar kanë shënuar kryesisht ushqimet dhe mallrat për shtëpinë.

Të gjitha mallrat dhe shërbimet që kanë lidhje me shtëpinë, të tilla si elektro-shtëpiake, tapiceri, mobileje janë rritur mbi 2.5 deri në 4%.

Në krahun tjetër gjatë vitit të kaluar çmimet mesatare kanë pësuar rënie për 6 grupe mallrash dhe shërbimesh.

Rënien më të madhe e ka pësuar grupi “ Vajra dhe Yndyrat” me -2.7 për qind në krahasim me vitin 2023 duke reflektuar bazën e lartë të çmimeve në këtë produkt pas luftës në Ukraine ku çmimi i yndyrave në tregjet globale arriti rekord përgjatë 2022-2023.

Rënie kanë shënuar edhe çmimeve e mjeteve të transportit me 2.4 për qind në krahasim me 2023 të ndjekura nga pajisjet audiovizive me- 2.4%, shërbimet ndaj mjeteve të transportit me -2.1% dhe çmimet e frutave që pësuan ulje me -0.9%.

Frutat janë përbërës i kryesor i inflacionit në vendin tonë, për shkak të peshës së lartë që kanë në shportën e mallrave.

Zakonisht çmimet e frutave rriten më shumë se mesatarja e inflacionit, por gjithashtu çmimi i tyre varet edhe nga ecuria e prodhimit vendas. Psh në rastet e thatësirave ose ngricave prodhimi i frutave shpesh dëmtohet si në vitin 2023 dhe çmimi i tyre rritet për shkak të furnizimeve nga importi.

Për 9 grupe të tjera të mallrave dhe shënimesh çmimet janë rritur më pak se inflacioni mesatar 2.2% më 2024. Grupe të tilla si këpucët për fëmijë, uji mineral, kafja, pijet jo-alkolike, buka dhe lavastoviljet dhe shërbimet spitalore janë rritur më pak se inflacioni mesatar.

Shporta e mallrave të konsumit mujor në vendin tonë ende dominohet nga ushqimet. Të dhënat tregojnë se rreth 60 pikë për qind të inflacionit përbehet nga rritja e çmimeve të ushqimeve.

Sipas INSTAT ushqimet dhe pjet jo-alkolike zënë 40 për qind të shpenzimeve mujore në familjet shqiptare në vitin 2023. Shqipëria renditet e para në Europe për peshën e lartë të ushqimeve në shpenzimet mujore të banorëve të saj, një tregues i nivelit të lartë të varfërisë relative./Monitor