20.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Trump kërkon që SHBA të dominojë industrinë e inteligjencës artificiale

Kompani të ndryshme të inteligjencës artificiale janë në konkurrencë për të krijuar teknologjinë e së ardhmes.

Ndërsa përhapet popullariteti i programeve si ChatGPT, agjencitë rregullatore amerikane nuk kanë mbajtur të njëjtin ritëm me zhvillimin e teknologjisë.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh, administrata e ardhshme amerikane kërkon që Shtetet e Bashkuara të dominojnë industrinë e inteligjencës artificiale pavarësisht rreziqeve që mund të paraqesë kjo teknologji.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe shefi i kompanisë Softbank, Masayoshi Son, bënë një njoftim të rëndësishëm.

“Jam i emocionuar të njoftoj se Softbank do të investojë 100 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara duke krijuar të paktën 100,000 vende pune për amerikanët. Kjo do të ndihmojë që inteligjenca artificiale, teknologjitë në zhvillim dhe industritë e së ardhmes të krijohen, ndërtohen dhe zhvillohen në Shtetet e Bashkuara”, tha Presidenti i zgjedhur Donald Trump.

Novacionet në fushën e inteligjencës artificiale po ecin me një ritëm të shpejtë, të nxitura pjesërisht nga popullariteti i programeve të tilla si ChatGPT, të cilat janë trajnuar duke përdorur sasitë e mëdha të të dhënave me tekst për të prodhuar një përmbajtje të re.

Por aftësitë e kësaj teknologjie, në dukje të pakufizuara, shtrojnë pikëpyetje për normat rregullatore dhe sigurinë.

Zëri i Amerikës bisedoi me profesorin e së drejtës dhe etikës në Fakultetin e Biznesit Wharton të Universitetit të Pensilvanisë,

“Administrata e Presidentit Trump ka qenë shumë e qartë se dëshiron të eliminojë shumë nga rregulloret e vëna nga administrata e Presidentit Biden për inteligjencën artificiale. Duke thënë se do t’i heqin prangat kësaj teknologjie për të fituar lutën kundër Kinës në këtë fushë dhe për të udhëhequr botën”.

Gjatë një takimi për inteligjencën artificiale në Nju Jork, të pranishmit shprehën entuziazëm për të ardhmen e teknologjisë, por edhe dëshirën për politika dhe standarde që do të ndihmojnë në zbutjen e dëmeve të mundshme nga ajo.

“Kompanitë duan të kuptojnë se si të shmangin problemet në rastet kur teknologjia është e njëanshme dhe nuk funksionin siç është parashikuar”, thotë profesori Werbach.

Sipërmarrësja Jaye Watts vë në dukje thirrjet për transparencë si nga krijuesit ashtu edhe nga kompanitë si Valve, që njihet për zhvillimin dhe shpërndarjen e lojërave elektronike.

“Kompanitë po detyrohen të thonë se si po e përdorin inteligjencën artificiale, ndryshe nga sa e përdornin më parë, duke i marrë burimet diku dhe në disa raste duke shkelur të drejtat e dikujt”.

Sigurimi i trajnimit të modeleve të inteligjencës artificiale me të dhëna cilësore është ideal, por zhvilluesit nuk kanë gjithmonë qasje tek të dhëna të tilla. Oshin Anand është me firmën “Sahaj”.

“Kur përdor një variant të trajnuar paraprakisht të një modeli me kapacitet të lartë, madje edhe nëse bën përmirësime, nuk ke kontroll mbi sasinë masive të të dhënave nga të cilat është trajnuar. Mund të ketë përmirësime, por nuk ka koncept për ta zhbërë atë proces”.

Ekspertët sugjerojnë përfshirjen e matjeve dhe standardeve për të vlerësuar produktivitetin e një programi të inteligjencës artificiale, çka shpresojnë të nxisë biznesin.

“Kështu mund të përparohet dhe të krijohet besimi”, thotë Oshin Anand me firmën Sahaj.

Të tjerët druhen se një qasje e ashpër rregullatore mund të dëmtojë novacionet dhe konkurrencën.

Jiajun Lu është themeluesi i firmës Akool, e cila prodhon video dhe audio duke përdorur inteligjencën artificiale.

“Nëse disa vende janë më agresive për rregullat dhe disa jo, atëherë kompanitë do zhvendosen në ato vende. Inteligjenca artificiale është një fushë ku çdo vend kërkon të korr fitore, ndaj vendet do t’i harmonizojnë rregulloret e tyre”.

Ndërsa inteligjenca artificiale shënon përparime, inteligjenca njerëzore duhet të përcaktojë ekuilibrin e duhur mes novacioneve dhe rendit./VOA/

Konferenca e parë për shtyp, trajneri i ri i Evertonit flet për Brojën: Shpresojmë që brenda pak ditësh të…

Armando Broja u dëmtua më 9 nëntor, ndërsa Everton po luante kundër Piterboroh për Kupën FA.

David Mojes, trajneri i ri i Evertonit, ka mbajtur konferencën e tij të parë për shtyp. Ndër të tjera ka folur dhe për dëmtimin e Brojës.

“Do të bëjë një skaner tjetër, thjesht po presim pak që të ulet ënjtja. Shpresojmë që brenda pak ditësh të kemi një ide më të mirë”, u shpreh Mojes.

Broja u huazua nga Çelsi, ndërsa ishte i dëmtuar. Pasi u rikuperua plotësisht, fitoi dhe vendin e titullarit.

Ja ushqimet që duhet të konsumoni nëse jemi me grip apo ftohje

Dihet se vitamina C është “arma” e vitaminës kundër ftohjes. Por përveç portokalleve dhe agrumeve që janë burimet kryesore të tij, ka edhe 5 ushqime të tjera që përmbajnë përbërësit e nevojshëm për të mbrojtur trupin tonë nga gripi dhe viruset e stinës.

– Omega 3 në peshqit yndyrorë si salmoni dhe toni. Është vërtetuar se acidet yndyrore omega-3 mund të luftojnë ftohjen në shumë raste.

– Zinku: Redukton kohëzgjatjen e simptomave të ftohjes. Pra, nëse sëmureni, përfshini butak në dietën tuaj.

– Probiotikët: Ne mund t’i njohim ata si një … shoqërues të nevojshëm të antibiotikëve për të shmangur infeksionet kërpudhore, por probiotikët janë treguar se zvogëlojnë rrezikun e infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Epo, mos harroni kosin!

– Mjalti: Nuk është rastësi që është një përbërës thelbësor në shurupe.

– Hudhra: Përveç presionit dhe kolesterolit, ajo gjithashtu ndihmon në parandalimin dhe zbutjen e simptomave të ftohjes.

Mos harroni në përgjithësi se vitaminat, mineralet dhe antioksidantët janë ato që i japin trupit “armët” për të luftuar çdo mikrob dhe virus. Në fund të fundit, është vërtetuar se “ne jemi çfarë hamë”.

Shemsi Prençi: Dumani është SHBA në Shqipëri, Berisha po qelb vendin me shpifje!

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi thotë se kreu i SPAK-ut, Altin Dumani është një nga njerëzit më të ndershëm që ka njohur sistemi i drejtësisë. Ai i bëri thirrje Berishës dhe zyrtarëve të tjerë të PD-së që të ndalin akuzat ndaj Dumanit, pasi sipas tij, po ‘qelbin’ Shqipërinë me këto shpifje.

”Berisha dhe eksponentë të tjerë të PD që sulmojnë Altin Dumanin, duke ia quajtur edhe zyrën 28 metra katror apartament dhe garazhin 16 metra katror apartament, janë në lajthitje. Sepse për një opozitë të mirëfilltë me një program që pret të vijë në pushtet, SPAK dhe BKH duhet të jenë aleat, jo armiq.

Berisha është i mençur, i këshillon edhe këshilltarët ndonjëherë. Por është në të shtrembër kur sulmon SPAK dhe sidomos Altin Dumanin. Të jesh i bindur, unë jam bashkëkohës në punë, unë si drejtor Policie, ndërsa Altin Dumani si kreu i Prokurorisë së një rrethi apo i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kur vetë Sali Berisha, vetë qeveria e Sali Berishës e ka trajtuar të pastrehë dhe ka rezultuar i pastrehë Altin Dumani dhe ka marrë kredinë.

Unë e mbaj mend momentin, kohën, shqetësimin, sepse ishte një njeri që jetonte me qira. Të gjitha ato që ia numërojnë sot Dumanit për apartamente, nuk bëjnë as sa një dhomë e një politikani po t’i bësh bashkë. Berishës i them mbylle këtë kapitull se keni qelbur Shqipërinë. Altin Dumani është SHBA në Shqipëri, është njeriu më i ndershëm që ata kanë pikasur këtu”, tha Prençi në ”A2cnn”.

“Vrasjet mafioze pasojë e degradimit të rendit në vend”, Basha: Shqipëria meriton ndarjen e politikës nga krimi, për t’i rikthyer autoritetin uniformave blu

Kreu i Demokratike Euroatlantike, Lulzim Basha, ka reaguar pas krimeve të rënda mafioze të dy ditëve të fundit, duke theksuar se këto ngjarje dëshmojnë degradimin e ligjit dhe rendit në vend. Basha thotë se kjo ndodh në ditën kur Policia e Shtetit feston 112-vjetorin, dhe që në fakt është tradhëtuar nga një qeveri që ka pakt me krimin.

Ai thekson se ky bashkëpunim i turpshëm rrezikon sigurinë e çdo familjeje shqiptare, ndërsa shprehet se Shqipëria meriton ndarjen e politikës nga krim, për të rikthyer dinjitetin dhe autoritetin e forcave të rendit.

Reagimi i plotë i Bashës:

Krimet e rënda mafioze të dy ditëve të fundit dëshmojnë tragjikisht degradimin e ligjit dhe rendit në vend, sepse politika “hëngshin kokat e njëri-tjetrit” është dorëzim pa kushte i shtetit. Kjo ndodh në ditën kur Policia e Shtetit feston 112-vjetorin, por, në fakt, është tradhëtuar nga një qeveri që ka pakt me krimin, duke i dhënë atij guxim të veprojë mbi ligjin dhe të sfidojë uniformat blu.
Ky bashkëpunim i turpshëm ndërmjet pushtetit dhe grupeve kriminale, nuk është më thjesht një statistikë, por rrezikon jetën dhe qetësinë e çdo familjeje shqiptare. Shqipëria meriton ndarjen e politikës nga krimi, për ta goditur atë me vendosmëri, duke iu rikthyer uniformave blu, dinjitetin dhe autoritetin, për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Asnjë vend nuk mund të ecë përpara, kur kriminelët ndihen më të fortë se ligji.

VOA: Shqetësim në rritje mbi dhunën në rrjete sociale te të miturit në Shqipëri

Në Shqipëri mbrojtja e fëmijëve dhe adoleshentëve në hapësirën dixhitale ka marrë një tjetër përmasë pas vrasjes së një 14 vjeçari nga bashkëmoshatari i tij në nëntor të vitit të kaluar. Kjo ngjarje e rëndë nxiti një debat të gjerë publik mbi parandalimin e çdo forme dhune, veçanërisht të asaj në rrjetet sociale. Prindër, fëmijë dhe drejtues të institucioneve shtetërore dhe organizatave jo qeveritare i thanë Zërit të Amerikës se dhuna në rrjete sociale mes të miturve është rritur ndjeshëm në vitin 20024, duke nxjerrë në plan të parë nevojën për një bashkërendim të gjerë të përpjekeve në shqoqëri, familje dhe shkollë, për parandalimin e saj.

Në Shqipëri gjatë vitit të kaluar sipas të dhënave të para, që Ministria e Arsimit ndau me Zërin e Amerikës, mbi 2 mijë raste dhune janë raportuar dhe parandaluar, ku dominon ajo fizike me 34.7%, bullizmi me 26% ndjekur nga dhuna psikologjike me 25.5%. Por gjatë konsultimeve me afro 63 mijë prindër autoritetet kanë konstatuar se kjo dhunë te të miturit nis më së shumti në rrjetet sociale. Ndaj dhe masat janë fokusuar përveç fuqizimit të sigurisë fizike, të rrjetit psikosocial apo ndërgjegjësimit të prindërve, edhe tek ato për sigurinë dixhitale në kuadër të një plani të ri veprimi për fuqizimin e sigurisë në shkolla.

“Janë projekte përtej Ministrisë së Arsimit. Përveç kufizimit të përdorimit të tik-tokut, një prej tyre, do të jetë projekti smart city. Është një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për të vendosur kamera inteligjente në disa qytete të Shqipërisë, që përfshin dhe shkollat. Janë kamera të cilat skanojnë risqet që mund të vijnë nga jashtë, përdorimin e armëve të ftohta apo çdo element tjetër me rrezikshmëri. Ndërkaq për herë të parë ne do të pilotojmë krijimin e qendrave dixhitale të përpunimit të informacionit në shkolla. Është një rol i ri, me studentë të gazetarisë të specializuar në formimin e tyre akademik për mënyrën se si përpunohet informaconi që vjen nga rrjetet sociale, si nxitet agresiviteti dhe bullizmi online apo si mund të kuptohet lajmi i rremë. Këta studentë do të jenë të dedikuar dhe do të merren me trajnimin e mësuesve në shkollat tona” – tha për Zërin e Amerikës Gerti Janaqi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar.

Qendra për të Drejtat e Fëmijëve i tha Zërit të Amerikës se në platformën e saj i Sigurt.al gjatë vitit 2024 u raportuan mbi 400 raste të bullizmit kibernetik dhe gjuhës së urrejtjes ose 3 herë më shumë se një vit më parë. Drejtuesi i kësaj qendre Altin Hazizaj veçon se roli i prindërve sa i takon sigurisë dixhitale të fëmijëve është i rëndësishëm.

“ Mungesa e kontrollit prindëror do të thotë që fëmijët shohin çfarë të duan në internet. Kjo më pas përkthehet, për një pjesë të fëmijëve, në tendenca të tilla që nëse një fëmijë sheh një film të dhunshëm apo një lojë të rrezikshme fillojnë dhe e bëjnë të gjithë se bashku. Një celular, një tablet apo kompjuter në dhomën ku fle fëmija, nëse eshtë i lidhur me internetin dhe nuk është i monitoruar, është gjithnjë një mjet që rrezikon fëmijën. Pra sot rreziku nuk është makina në rrugë apo dikush që të grabit fëmijën në rrugë. Sot rrezikun e ke në internet, por prindërit nuk janë të ndërgjegjësuar sa duhet për këtë”- shprehet Z. Hazizaj.

Zëri i Amerikës bisedoi me prindër dhe gjyshër të disa nxënësve në lidhje me shkallën e përgjegjësisë së familjes në këtë drejtim.

“Prindërit duhet të kenë shumë kujdes, kryesorja janë prindërit. Sot ka fëmijë 3 vjeç që nuk hanë ushqim nëse nuk u vë celularin para”- shprehet Fatbardha Bakiri, gjyshe e një nxënësi.

“ Ka dhe shoqëria një rol të saj por prindi është ai që është aty në çdo moment. Kush ia blen celularin fëmijës, është pyetja”- thotë Elijan Zhini, prind i një nxënësi.

“Nuk është e keqja tek internet por tek prindërit” – thotë Rakip Demiraj, gjysh i një nxënësi.

“Duhet kujdes shumë i madh, sidomos në këtë situatë tani është shumë e vështirë. Prindërit janë në punë gjithë ditën, si do ia bëjnë?” – shprehet Albina Biduri gjithashtu gjyshe e një nxënësi.

Një prej masave që parashikon plani i veprimit të qeverisë për sigurinë dixhitale lidhet edhe me fushatat e edukimit dhe ndërgjegjësimit të prindërve. Psikologët nga ana tjetër thonë se qasja e fëmijëve në internet më video të dhunshme të papërshtatshme apo me lojra të rrezikshme shkakton mjaft pasoja.

“Duke filluar nga elementët që kanë të bëjnë me aspekte psikologjike që janë përjetime të ndjenjave të ankthit, të frikës apo dhe depresioni që shfaqen me faktorët fizilogjikë, që kanë të bëjnë më elementin e gjumit dhe me ushqyerjen. Këta janë faktorë të rëndësishëm në zhvillimin dhe mirërritjen e tyre”- thotë për Zërin e Amerikës, Arjana Muçaj, pedagoge e psikologjisë në UT.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike i tha Zërit të Amerikës se janë rritur ndjeshëm raportimet e të miturve në vitin 2024. Nga 216 rastet e raportuara në platformën kombëtare të këtij institucioni Raporto,(për periudhën janar-nëntor 2024) bullizmi kibernetik është incidenti më i raportuar me 109 raste, ndjekur nga hakerimi, shantazhi, vjedhja e informaconit, përmbajtja seksuale apo ekspozimi i fëmijëve. Shumica e raportimeve janë bërë nga adoleshentët e moshës 13-16 vjeç, ku viktima janë kryesisht vajzat. Ndërkaq edhe policia i konfirmoi Zërit të Amerikës, se në vitin 2024 nga veprat penale të kryera në internet u dëmtuan 12 të mitur, ose tre herë më shumë se 5 vite më parë. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike thotë se ka kryer fushata edukuese dhe informuese për sigurinë kibernetike tek fëmijët, dhe se ka përgatitur një manual për këtë qëllim, duke argumentuar se kjo është një betejë me të cilën po ndeshen të gjitha vendet e botës.

Ky institucion ka kryer gjithashtu dhe një sondazh që sjell të dhëna mbi rrjetin social më të përdorur nga fëmijët dhe adoleshentët.

“ Nga rreth një mijë pyetësorë të plotësuar nga nxënës të shkollave 9 vjeçare dhe të mesme është vënë re së rrjeti social më i përdorur prej tyre në masën mbi 70% është TikToku. Tre janë rrjetet sociale më të përdorura, TikToku, instagrami dhe snapchati”- thotë Era Gjata, Përgjegjëse e Sektorit të kordinimit të projekteve ndërkombëtare.

“TikTokun do ta mbyllim për një vit”- tha Edi Rama Kryeministër i Shqipërsë gjatë prezantimit të planit të ri të veprimit nga Mnistria e Arsimit, për sigurinë dixhitale të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Kjo vjen si një masë e përkohshme e qeverisë me synimin për të zbutur elementët e dhunës online tek të miturit. Por pyetja që shtrohet është: Përse rrjetin social tik – tok dhe jo një tjetër?

“Problemi është që TikToku në vendet tona bazohet në një algoritëm që stimulon të gjitha ato gjëra që nuk duhen stimuluar. TikToku në Kinë promovon se si nxënësit të bëjnë mirë mësimet, se si ruhet natyra, se si është tradita etj. Rrugaçërira, perversitete, dhunë, bullizëm, krim, thika, presa, shpata, revole, euro, dollarë nuk sheh në tik-tokun e Kinës. Ndërsa në tik- tokun jashtë Kinës vetëm llum dhe vetëm qenëri. Çfarë na duhet ne kjo? Dhe këtë e bën algoritmi”- argumentoi Z. Rama gjatë takimeve me prindër në fund të vitit 2024.

Zëri i Amerikës pyeti dhe disa nxënës të moshës 11-12 vjeç në kushte anonimati, në lidhje me përdorimin dhe përmbajtjen e rrjetit social TikTok.

“ E kam përdorur. Nuk është një rrjet i mirë për moshën deri në 18 vjeç dhe le të mbyllet. Kishte shumë sharje”- thotë një nxënës.

“E kam përdorur por nuk jam ndjerë ndonjëherë e rrezikuar. Nuk mendoj që është shkaku TikToku për këto që kanë ndodhur”- shprehet një tjetër nxënëse.

“Po e kam përdorur, por tani nuk e përdor më se nuk me lejojnë prindërit. Kur e kam përdorur janë ndjerë pak e pasigurt nga videot që kam pare, për shkak të përmbajtjes së tyre. Trendet e reja ishin të rrezikshme”- thotë një tjetër nxënëse.

“TikTok-un e shikoja për qejf. Më dërgonin shokët video. Ishin budallallëqe”- tregon një nxënës.

Qendra për të Drejtat e Fëmijëve nuk e sheh të bazuar vendimin e zyrtarëve për mbylljen e përkohshme të rrjetit social TikTok, edhe pse ky vendim sipas autoriteteve është marë pas sugjerimeve nga komuniteti i prindërve.

“Prindi që ka humbur luftën më fëmijën, në vend që të shkojë dhe të edukojë fëmijën thotë mbylli “rubinetin, ujin”. Janë 1.5 mln shqiptarë që përdorin TikTokun. Bëjnë biznes, nxjerrin të ardhura dhe paguajnë taksa. Janë miliarda shikime për Shqipërinë dhe turizimin në Shqipëri. Është reklamë falas. Çfarë do të bëjnë këta fëmijë të paedukuar që bullizojnë njëri – tjetrin? Nga TikToku do shkojnë tek Instagrami apo akoma më keq në Snapchat dhe Telegram që janë platformat me të rrezikshme për shfrytëzimin seksual të fëmijëve në të gjithë botën”- argumenton Z. Hazizaj.

Nga ana tjetër dhe vetë disa nxënës thonë se janë drejtuar tek forma të reja komunikimi online. Ata pranojnë për Zërin e Amerikës se po përdorin një aplikacion tjetër të ngjashëm me TikTokun që quhet Clapper.

Gjithsesi autoritetet qeveritare e kanë pranuar se mbyllja e TikTokut është një ndihmë por jo zgjidhje. Ndërkaq e pyetur nga Zëri Amerikës Agjencia për Media dhe Informim nuk bëri asnjë koment mbi shqetësimin e ngritur se mbyllja e tik tok mund të dëmtojë edhe mjaft biznese, ndërsa Autoriteti për Sigurinë Kibernetike konfirmoi se rrjeti social TikTok është në proces vlerësimi, duke mos dhënë detaje se si do të veprohet për mbylljen e tij.

E megjthatë thuajse të gjithë aktorët bien dakort kur thonë se beteja me çdo formë e dhune online tek fëmijët dhe adoleshentët kërkon një angahazim të gjerë shoqëror, me përfshirjen e Institucioneve shetërore, komunitetit të prindërve, organizatave jo qeveritare dhe medias./VOA

“Rama e ka nisur fushatën me akuzat e vjetra ndaj Berishës”, Baçi: Ja si vota e diasporës mund të ndryshojë ekuilibrat politikë në vend

Analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e News24 ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur si te kampi i opozitës, ashtu edhe te mazhoranca.

Baçi theksoi se vendi ka hyrë në periudhën e fushatës zgjedhore dhe se “diversionet nga të dyja anët janë të paparashikueshme”. Ai e ilustroi këtë me shembuj të ditëve të fundit, ku Kryeministri Edi Rama ka ngritur akuza ndaj kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ndërsa sot është kundërpërgjigjur Sali Berisha me deklarata të tjera.

“Jemi në fushatë. Drejtësia nuk duhet të bjerë pre e presionit politik, por duhet të fokusohet nëse ka fakte për denoncimet dhe të mos merret me retorikën e politikës”, tha Baçi, duke shtuar se viti i kaluar ka qenë i ngarkuar me tensione lidhur me drejtësinë dhe hetimet për korrupsionin, veçanërisht në lidhje me SPAK.

Ai gjithashtu vuri në dukje se, pas 12 vitesh në pushtet, Rama nuk mund të mbështetet vetëm në veprime të kaluara të Berishës, pasi ky i fundit ka dhënë llogari për to. Sipas Baçit, kjo largon vëmendjen nga debatet kryesore që duhet të shqetësojnë qytetarët, siç janë çështje ekonomike dhe sociale që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me jetën e shqiptarëve.

Në lidhje me opozitën, Baçi theksoi se ajo duhet të debatojë me mazhorancën në mënyrë që qytetarët të mund të kuptojnë se kush ka të drejtë. Ky proces, sipas tij, mund të ndodhë vetëm nëpërmjet një ballafaqimi të vërtetë. Ai po ashtu vlerësoi rikthimin e Berishës në krye të PD-së si një mundësi për Kryeministrin Rama që të vazhdojë të ngrijë akuza të vjetra kundër tij.

Në aspektin zgjedhor, Baçi theksoi se diferenca mes mazhorancës dhe opozitës në vitin 2021 ishte rreth 30 mijë vota, duke shtuar se çdo ndryshim në numrin e votuesve nga diaspora mund të ndikojë shumë në rezultatin përfundimtar. Ai theksoi se regjistrimi i një numri të madh votuesish nga diaspora mund të krijojë një “super mazhorancë” ose të ndihmojë opozitën, duke pasur mundësinë e krijimit të një grupi të ri parlamentar me parti të reja.

Në fund, Baçi theksoi se për diasporën nuk mund të përdoren të njëjtat mekanizma patronazhistësh që përdoren brenda Shqipërisë, duke e cilësuar këtë një faktor që mund të ndryshojë ekuilibrin politik në vend.

Si Rama dhe oligarkët kërcënuan njerëzit e Lulzim Bashës, të shkonin te Berisha!

Nga Bato Kosova

Aleanca, Rama-Berisha, është sot më e dukshme se kurrë. Në fakt, ajo nuk ka ndalur asnjëherë që prej vitit 2008, kur së bashku ndryshuan Kushtetutën.

Në politikën shqiptare ka ekzistuar një pakt i pashkruar: Sido që të shkojnë gjërat, ata nuk do të prekin njëri-tjetrin. Kështu ka ndodhur me Berishën, Metën, Nanon dhe Ramën, pavarësisht se aferat e tyre të korrupsionit ishin të dukshme për të gjithë, dhe të gjithë akuzonin fort njëri tjetrin. Sa merrnin pushtetin, akuzat binin në ujë

Me ardhjen e Lulzim Bashës, kjo skemë u prish. Ndryshe nga të tjerët, Basha nuk vinte nga shkolla e Partisë së Punës, nuk ishte pjesë e saj dhe as e Sigurimit të Shtetit. Ai dilte nga ky ekuacion dhe nuk kishte dosje që mund ti përdorej për shantazh, siç kishin këta për njëri-tjetrin. Kjo ishte arsyeja pse ai shihej si kërcënim dhe njeriu e politikani, i cili mund të shkatërronte paktin e tyre.

Prandaj, sa herë që Rama ishte në vështirësi, Berisha nxirrte në skenë figura si Jozefina Topalli apo ndonjë tjetër nga mbështetësit e tij kundër Bashës. Fillimisht me deklarata dhe më pas në beteja elektorale, me lëvizjen e tyre të sponsorizuara që në themelim nga Rama. Po ashtu, kujtojmë dhe lejet e ndërtimit për kullat dhe jo vetë, që Rama dhe Veliaj firmosnin (Dhe vazhdojnë ende), për familjen e Berishës.

Të njëjtën gjë bënte dhe Ilir Meta, i cili i shërbeu Ramës deri në ditën e fundit. Ai u bashkua me koalicionin e “të qelburve” në vitin 2013, u bë president falë Ramës dhe, në kulmin e krizave si ajo e 2017 e mbajti në pushtet. Në zgjedhjet e vitit 2021, qasja e tij destabilizuese nëpër studio televizive, solli trembje te votuesit.

Pakti i tyre u prish nga amerikanët kur shpallën non-grata Berishën. Në atë moment, treshja e kuptoi se koha e tyre po mbaronte. Goditja e parë ishte për Berishën. Menjëherë, Rama dhe Meta dolën në mbështetje të tij: Meta hapur, ndërsa Rama vuri në dispozicion të gjithë pushtetin e tij.

Kjo filloi me urdhra për bashkitë që të lejonin përdorimin falas të sallave për “Foltoren” e Berishës, por edhe me njerëz për ti mbushur ato.

– Rama mobilizoi njerëz si Tom Doshi në Shkodër, Vangjush Dako në Durrës dhe Erion Veliaj në Tiranë për ta ndihmuar në zgjedhjet e 6 marsit. Këto janë fakte publike, të deklaruara nga vetë protagonistët dhe Berisha.

– Nga ana tjetër, Rama, ushtroi presion mbi ata që mbështesnin Bashën, përfshirë deputetë, kandidatë për kryebashkiakë dhe drejtues strukturash. Ka raportime të shumta në kancelaritë perëndimore mbi raste konkrete ku presioni ishte ushtruar mbi bizneset, apo vendet e punës së tyre.

Madje, edhe oligarkët dhe pronarët e mediave që po hetohen në SHBA për përfitime tenderash ( Përveç hetimeve nga SPAK, pritet edhe që të jenë pjesë e Urdhrit të fundit Ekzekutiv të presidentit të SHBA për Ballkanin Perëndimorë), kanë ushtruar presion në favor të Berishës non grata. Në ditët në vijim, me fakte dhe emra konkretë, do të publikohen denoncimet, nëse ata nuk përfshihen më parë në listën e zezë të SHBA-së, sipas udhëzimit të ri të Presidentit Biden.

– Rama, gjithashtu, urdhëroi KQZ-në që të ndihmonte Berishën. Të gjithë i kujtojnë manovrat e Celibashit. Pa ndërhyrjen e Ramës, një skenar i tillë nuk do të kishte ndodhur. Për më tepër, Rama i dha leje ndërtimi për kullën më të lartë në Ballkan djalit të Berishës.

– Urdhëroi që Gazment Bardhi të njihej si kryetar i grupit të PD-së, (Para vendimit të Apelit për vulën e PD), edhe pse ishte bashkuar me Berishën dhe ishte përjashtuar nga PD-ja.
– Bëri marrëveshje me Berishën për të liruar zyrtarë të korruptuar përmes amnistive.

– Në një akt të paprecedentë, gjyqtarë të lidhur me pushtetin i dhanë vulën e PD-së Berishës, duke shkelur vendimin e Gjykatës së Lartë.

– Rama dhe Berisha bashkuan votat për mbylljen e listave zgjedhore dhe urdhëroi që mandati i Berishës të mos hiqej, edhe pse kishin kaluar 6 muaj pa shkuar në parlament.

Sot, Rama u thotë shqiptarëve që kanë vetëm dy alternativa: Atë ose Berishën. Kjo sepse duke mbrojtur Berishën, ai mbron veten dhe së bashku vazhdojnë të mbajnë peng Shqipërinë./Alfapress.al

“Tregu është zoti i botës moderne të shkatërruar nga vlerat”/ Ergys Mërtiri: Të fitosh, pa djersë, përmes rrugëve të lehta dhe të pandershme, nuk është dinjitoze

Nga Ergys Mërtiri

Kur nëpër studio dikush flet mbi të këqijat e mediave, mbi banalitetin, programet e dobëta dhe shpesh vulgare që ato transmetojnë apo mbi efektin e tyre të dëmshëm për shoqërinë moderatorët justifikohen se këto programe shiten, i kërkon tregu.

Edhe kur kritikon muzikën vulgare të këngëtarëve që çajnë tregje, do dalin gjithmonë tufa “mendimtarësh praktikë” që të tregojnë fuqinë e tyre komerciale si vlerë absolute, supreme dhe të pakundërshtueshme. Nëse një gjë shitet, nuk ka më rëndësi nëse bart apo jo vlera morale, njerëzore, estetike, artistike, profesionale etj. Atë e kërkon publiku, sovrani.

Mjaft që diçka të jetë e shitshme dhe ajo fiton automatikisht legjitimitet. Tregu është zëvendësuesi i çdo vlere dhe çdo kriteri mbi ofertën mediatike. Atij i nënshtrohet gjithçka, madje edhe vetë e vërteta. Të ekzistosh sot, do të thotë të jesh në treg. Përndryshe, nën modelin e parimeve të empirizmit radikal që thonë se guri që bie në pyll ku askush nuk e dëgjon nuk bën zhurmë, vlerat nuk ekzistojnë jashtë shqisave të komercit.

Tregu është zoti i botës moderne të shkatërruar nga vlerat, është njësia matëse e gjithëçkaje: të mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të gabuarës, të bukurës dhe të shëmtuarës… Feja është konsumizmi dhe komrecialiteti është parimi kryesor që ndërton të gjithë ritualin e adhurimit të tregut. Në emër të tij, ithtarët e kësaj feje i kundërvihen çdo sistemi tjetër vleror duke shkatërruar çdo arritje të qytetërimit.

Në fakt, arsyeja përse ne i afrohemi tregut është vërtetë fitimi, por të fituarit nuk mund të jetë vlerë supreme e orientimit tonë në jetë. Njeriu që arsyeton se media duhet të transmetojë gjithçka që ka audiencë, zbret në nivelin e atij që gjykon se gjithçka është e shitshme, përfshirë, nderin, virtytin, familjen apo vetë jetën. Të ofrosh programe komerciale, të dëmshme për shoqërinë, me justifikimin se këtë e kërkon publiku, do të thotë të mos njohësh vlerë tjetër përveç fitimit. Me këtë arsyetim ecin edhe ata që shesin drogë apo bëjnë prostitucion e trafiqe. Edhe për to ka një treg që i kërkon.

Ti ofrosh publikut gjithçka që kërkon mund të jetë fitimprurëse, por nuk do të thotë se është e drejtë. Media nuk mund të punojë për shkatërrimin e vlerave, për çedukimin e të rinjve, për turbullimin e turmave me idenë se ato transmetojnë çfarë të tjerët kërkojnë. Kjo do të thotë të ushqehesh nga shkatërrimi. Ky është thjesht prostitucion dhe nuk ka rëndësi nëse shfaqet në formën e tutorit apo prostitutës.

Të fitosh, pa djersë, përmes rrugëve të lehta dhe të pandershme, nuk është dinjitoze. Nëse dikush e bën këtë, le të ulë kokën dhe të vazhdojë të ushqehet në llucën e vet, por të paktën mos të propagandojë legjitimimin e së keqes duke u munduar të na imponojë parimet e pusetës si virtyt publik.

“Frika” nga Trump, a do ketë një përmbysje të madhe

Nga Fitim Zekthi

Kur në vitin 1787, Benjamin Franklin doli nga Konventa e Filadelfias, në të cilin themeluesit e SHBA-së po vendosnin se çfarë kushtetute të kishte vendi i tyre, një grua e vjetër e pyeti atë se për çfarë vendosën, Ai, iu përgjigj: “një republikë, nëse do të mund ta ruani atë”.

ShBA është themeluar si një republikë me një ndarje shumë të fortë të pushteteve.  Që nga ajo kohë SHBA është përballur me vështirësi apo me sfida nga më të ashprat, ajo ka kaluar një luftë civile të tmerrshme  (në vitet 1861-1865), ka kaluar depresionin e madh, ka kaluar kriza politike të ndryshme, por republika përgjithësisht ka mbijetuar. Ndarja e pushteteve dhe garantimi i lirive përgjithësisht kanë qenë të forta.

Pak ditë më pas në SHBA do të marrë detyrën një president i ri, Donald Trump dhe debatet, frikërat, shqetësimet janë shumë të mëdha. Janë shumë të mëdha sepse SHBA-ja është në një krizë politike (të paktën politike) por janë shumë të mëdha edhe sepse presidenti i ri është atipik dhe flet pa ndalur se do të zhbëjë “shtetin administrativ”, do të përzërë emigrantët pa dokumente, do të lerë “Izraelin  të bëjë punën e tij”,  ka kërcënuar vendet e NATO-s që nqs nuk rrisin kontributin financiar do ti lerë ti sulmojë Rusia etj.

Shqetësimet janë të mëdha sepse presidenti Trump ka caktuar për sekretar të Pentagonit dikë, i cili ka shkruar në një libër të tijin ( Kryqëzata jonë) se “Perëndimi duhet të bëjë atë që bëri  Europa (Papa dhe Kisha Katolike thotë ai) në shekullin e 12-të, duhet të shpallë kryqëzatë kundër islamit. Islami është sipas rreziku me I madh I SHBA-se dhe perëndimit.  Presidenti Trump ka caktuar për drejtor të “Shërbimeve Amerikane të Inteligjencës” Tulsi Gabard dikë që ka folur gjithnjë me simpati për Rusinë, ka takuar në Damask në mënyrë demonstrative duke e lavdëruar atë, Bashar Al Asadin etj. Edhe emërime të tjera të presidentit Trump janë të tilla që përdorin një gjuhë të ashpër, konspiracioniste, kundër emigrantëve, kundër të huajve, etj.

Një president me një gjuhë të tillë, me sjellje të tillë, me qëndrime të tilla kundër institucioneve të SHBA-së, kundër prokurorisë dhe gjykatave,  SHBA nuk e ka njohur që nga koha e presidentit Andrew Jackson gati 200 vjet me pare.

Shumë njerëz të botës së universiteteve, studiues, gazetarë, mendimtarë ka shumë kohë që thonë se republika për të cilën foli Benjamin Franklin është shumë në rrezik.

Ndryshime të tilla të mëdha në SHBA, në politikën e SHBA0-së në botë dhe Europë do të kenë pa dyshim ndikime të pazakonta edhe tek ne aq më tepër që siguria dhe perspektiva jonë është e lidhur ngushtë nga një Amerikë e fortë dhe nga republikë amerikane e vlerave të saj themeluese. Në këtë kuptim edhe për ne ka një rëndësi shumë të madhe, jetike, ajo që ndodh në SHBA.

Sigurisht që ky është një momenti në të cilin sistemi politik amerikan do të vihet në test, sigurisht se përgjigja “një republikë nqs do ta ruani” do të vihet në provë.

Harry Jaffa thotë se SHBA është themeluar nga parimi “njerëzit janë krijuar të barabartë”.  Leo Strauss, John Marini, Charls Kesler, Michael Anton,  etj etj kanë shkruar gjerësisht mbi faktin që SHBA është themeluar nga ky parim. Për ta republika për të cilën ka folur Franklin, ka në qendër faktin që “njerëzit janë krijuar të barabartë”. Kjo do të thotë se në zemër të republikës qëndron e drejta natyrore e njerëzve për të mos u qeverisur nga një sundim arbitrar dhe e drejta e tyre për tu qeverisur nga një qeveri e miratuar nga të qeverisurit. Një qeveri  me miratimin e të qeverisurve nuk është për ta një qëllim në vetvete. Qëllim është që qeveria të sigurojë të drejtat natyrore dhe të “nxisë, mundësojë, shkaktojë”  të mirën e përbashkët. Qëllimi është të “shkaktojë” “Siguri dhe Lumturi”.

Gjatë rrugës herë pas here këto parime themeluese nuk janë kuptuar kështu dhe SHBA ka patur kriza thotë Nathan Pinkoski. I tillë është rasti i presidentit Jackson që gati u kthye në tiran, që përzuri me dhunë dhe shkaktoi gjenocid ndaj Cherokee-ve, i tillë është rasti i luftës civile etj. Për shembull Jefferson Douglas, një politikan shumë i fuqishëm bashkëkohor i Lincolnit mbronte idenë që “një qeveri me miratimin e të qeverisurve” është qëllim në vetvete. Gjykata Supreme e SHBA dhe kryetari i saj Roger Tauney po në kohën e Lincolnit e quajti skllavërinë kushtetuese dhe tha se parimi që “njerëzit janë krijuar të barabartë” nuk nënkupton  mospasje të skllavërisë. Ky lloj kuptimi pak a shumë çoi në luftë.

Në fillim të shekullit të kaluar në SHBA nisi të marrë fuqi një lloj tjetër kuptimi mbi kushtetutën. Progresistët nuk mendonin se legjitimiteti I qeverisjes buron nga “e drejta natyrore e njerëzve për të mos u qeverisur nga një qeveri arbitrare dhe e drejta për ta zgjedhur ata vetë qeverinë të cilat së bashku vinin nga parimi “njerëzit janë krijuar të barabartë”.  Progresistët mendonin se legjitimiteti I klasës qeverisëse buron nga ekspertiza, nga dija dhe nga aftësia që ka për të qeverisur. Një teknokraci e të diturve apo ekspertëve tejkalon demokracinë e te gjallëve dhe të vdekurve sipas tyre thotë Michael Anton. Pra u shfaq ideja e shtetit administrativ, i cili ka këtë dije dhe këtë aftësi.

Pa u zgjatur shumë,  kushtetutës së Etërve Themelues, kushtetutës së themeluar nga parimi “njerëzit janë krijuar të barabartë” iu vu si mbulojë një kushtetutë e re të cilën Christopher Caldwell e quan “kushtetuta e dytë”.  Sipas tij SHBA ka dy kushtetuta, ajo e para e themelimit dhe e dyta ajo e progresisteve.

Progresistët arritën ta forcojë shtetin administrativ, ta bëjnë atë të fuqishëm. Ata dëshironin dhe ia arritën që të zbehnin, dobësonin frymën dhe shpirtin e kushtetutës së parë por e lanë në këmbë germën e saj thotë Nathan Pinlkoski. Në vitet 60-të shekullit të 20-të u shfaq diçka tjetër. U shfaq lufta e plotë ndaj kushtetueses së parë, lufta për ta asgjësuar plotësisht.

Në protestat e luftës në Vietnam, Norman Thomas  një figurë shumë e fortë progresiste I thotë Richard Neuhas-it një figurë shumë e fortë konservatore  qe “këta nuk e dinë që “progresistët duan ta pastrojnë dhe jo ta djegin flamurin amerikan”. Në protesta po digjej flamuri amerikan.

Pra shteti administrativ mori përmasa të mëdha dhe lëvizja majtiste tani kërkonte rrëzimin fare të kushtetutës së parë. Pavarësisht kësaj kushtetuta e parë u mbajt fort, ajo jetoi fort me Fordin, Reagan-in, Bush-in. Klintonin dhe me mijëra politikanë, gjyqtare e mendimtarë për dekada.

Dy dekadat e fundit kanë njohur një forcim të shtetit administrativ dhe të lëvizjes që i ka rrënjët në vitet 60-të. Forcimi I këtij shteti dhe krizat e ndryshme ekonomike e sociale bënë që zërat kundër shtetit administrativ të forcohen shume.

Këtu vjen Donald Trump. Këtu vjen përpjekja e tij populiste për të ç’rrënjosur këtë shtet dhe frika se ai mund të thërrmojë “republikën”.

E para  është se Donald Trump nuk ka treguar që e kupton  SHBA dhe kushtetutën e saj të themeluar mbi parimin “njerëzit janë krijuar të barabartë”. Pra, ai nuk i kundërvihet asfare shtetit administrativ nga këndi i traditës konservatore dhe Etërve Themelues.

Donald Trump nuk ka treguar as në mandatin e parë dhe as në emërimet dhe sjelljen e deritanishme, se ai e kupton kushtetutën e SHBA-së si diçka në zemër të të cilës është një qeverisje kundër arbitraritetit dhe kundër sjelljes arrogante të qeveritarëve. Donald Trump si edhe progresistët apo si edhe majtistët i kushton një rëndësi shumë të madhe asaj që di ai, asaj që di qeveria, asaj që vendos qeveria e tij, vullnetit të tij (dhe vetëm të tij në fakt). Donald Trump e konsideron veten si dikush që do të shpëtojë SHBA-në dhe popullin, e konsideron qeverinë e tij si diçka që do të shpëtojë SHBA-në dhe popullin në një kohë që pikërisht këtë mendon edhe progresivizmi, në një kohë që kushtetuta e parë thotë krejt të kundërtën, thotë që populli në një fare mënyre është i “shpëtuar vetvetiu” mjafton që qeveria t’u garantojë liritë natyrore dhe të mendojë se të gjithë njerëzit janë “krijuar të barabartë”, (nga Zoti) .

Donald Trump ka pak a shumë një kushtetutë të dytë kundër kushtetutës së parë vetëm se kushtetuta e tij e dytë shprehet se është një kushtetutë konservatore kundër asaj progresiste. Pra, Donald Trump kërkon të zhbëjë shtetin administrativ duke përdorur metodën dhe filozofinë që e ngriti atë. Pra Trump shkakton frikë siç kanë shkaktuar frikë të gjitha lëvizjet apo pushtetet që duan të rrëzojnë kushtetutën e parë, atë themeluesen e SHBA-së. Nuk ka asnjë ndryshim.

SHBA-ja, republika e Franklin-it, ka dëshmuar në histori që mund të mbijetojë ndaj tendencave për të prishur atë dhe për shkatërruar kuptimin  që buron nga kushtetuta për “njerëzit janë krijuar të barabartë”.

Ndonëse presidenti Trump kontrollon të dyja dhomat e kongresit është e sigurt që në dhomën e ulët dhe sidomos në senat ai do të përballet me republikanë që mbrojnë kushtetutën  e parë. Ishin pikërisht këta republikanë  që çuan në dorëheqje të kandidatit për sekretar të drejtësisë, Mathew Garetz. Ishin po këta republikanë që nuk zgjodhën për kryetar të grupit të tyre në senat Rick Scot një mbështetës i Trump. Ishin po senatoret republikanë që zgjodhën për kryetar të tyrin John Thune, një senator konservator i provuar në mbrojtje të kushtetutës. Donal Trump nuk donte Thune në asnjë mënyrë në krye të grupit të senatit. Gjykata Supreme dhe gjykatat  në tërësi do të vijojnë të ruajnë pavarësinë e tyre, senati do të vijojë fuqinë bllokuese të filibuster-it.

Kur është ideuar “republika”, Etërit Themelues kanë patur një makth thotë James Maddison. Ata kanë qenë të trembur se mos një ditë populli bie në një sundim arbitrar apo tiranik dhe kësisoj dhoma e ulët, senati, gjykatat etj janë ideuar që të bllokojnë këtë gjë.

Pak vite më parë demokratët dhe presidenti Biden kishin kontroll në senat dhe dhomën e ulët. Ata donin të shtonin numrin e anëtarëve të Gjykatës Supreme, donin ta bënin Distriktin e Washingatonit me dy senatorë ( ai nuk ka asnjë) në mënyrë që përgjithnjë ta kishin në kontroll ata senatin. Nuk e bënë dot sepse dy senatorë demokratë,  Manchin dhe Sinema ishin kundër. Sigurisht që duhej edhe ndërhyrje në kushtetutë për dy senatorët e rinj dhe kushtetuta kërkon miratimin e të dyja dhomave dy të tretat dhe miratimin nga tre të katërtat e shteteve. Mekanizmat mbrojtës janë shumë të mëdhenj. Brenda republikanëve ka senatorë që janë të njohur si mbrojtës të zellshëm të kushtetutës së parë, si Paul, Hawely, Mc Conell, ka senatore që votojnë lehtë kundër Trump si Murkovski, Ernst, Collins etj.

Pra ndryshimi radikal dhe zhbërja e “republikës” nga ky mandat presidencial nuk është i mundur me gjithë rreziqet e mëdha. Kësisoj linjat e gjera politike do të jenë ato që republika e SHBA-së ka ndjekur në tërësi ndaj Europës, NATO-s, Rusisë, Kinës, Kosovës, etj gjatë dekadave apo kohëve të fundit./Liberale.al/