32.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Mirela Karabina: Pasi helmoi qytetin në 12 vite duke i shkurtuar jetën qytetarëve, Edi Rama rreket të manipulojë elbasanllinjtë në këtë vit elektoral

Nga Mirela Karabina

“Qyteti që po vdes ngadalë” është cilësuar nga specialitë të mjedisit Elbasani për shkak të ndotjes së lartë mjedisore, por për Edi Ramën dhe drejtuesin politik për zgjedhjet e 11 majit Arbjon Mazniku, jeta e qytetarëve nuk përbën fare interes.

Ndotjen vdekjeprurëse mjedisore për shkak të korrupsionit e kanë kthyer në normalitet, pasi interesi është pushteti dhe ruajtja e tij.

Përmes një propagande neveritëse, ndërkohë që shifrat flasin për rritje të vdekshmërisë nga tumoret për shkak të ndotjes së lartë të qytetit, Edi Rama para dy ditësh shfaqet në Elbasan për fushatë zgjedhore duke prezantuar një program elektoral “zhvillimi”, tha, me “pistë garash” që do të rrisë turizmin, theksoi.

Ndërkohë që qyteti po mbytet dhe elbasanllinjtë kanë nevojë emergjente t’i sigurohet jeta në radhë të parë, aq më tepër që dhe turistët do të duan një mjedis të sigurtë.

Studime shkencore e investigime nxjerrin bllof çdo përpjekje të Edi Ramës dhe shpurës së korruptuar të tij se janë të interesuar për zhvillimin e qytetit, pasi janë vetë këta që po e kthejnë Elbasanin në një qytet të kontaminuar e të pabanueshëm.

Kështu, në studimin “Ecuria e sëmundshëmrisë së rrugëve të frymëmarrjes dhe tumoret për një periudhë 10 vjeçare të lidhura më ndotjen e mjedisit në rrethin e Elbasanit” (E.Laho, A.Tana, A.Mehmet,T. Naska, 2014) rezulton se gjatë një periudhë 10-vjeçare sëmundjet pulmonare janë rritur nga 10-11 raste për 10 mijë banorë në vitin 2001, në 25-26 raste për 10 mijë banorë në vitin 2011. Ndërsa sëmundjet tumorale kanë një rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme nga 5 për 10 mijë banorë në vitin 2001 deri në 11 për 10 mijë banorë në vitin 2011.

“Lëviz Albanian 2018” monitoroi ndotjen e ajrit në Elbasan nëpërmjet projektit “Vlerësimi i cilësisë së mjedisit përmes monitorimit të ajrit, ujit dhe tokës në qytetin e Elbasanit”.
Përmbajtja e grimcave PM2.5 dhe PM 10 në ajrin urban rezulton mesatarisht 1.5-2 herë mbi normat e lejuara në vendet e BE. Kjo është një shifër shumë e lartë dhe tregon se ndotja nga grimcat e imta PM 10 është shumë problematike.

Sipas INSTAT në një raport kombëtar mbi sëmundjet “Vdekshmëria, Sëmundshmëria dhe Faktorët e Riskut” gjatë vitit 2018 rezulton se në në qarkun e Elbasanit kanë vdekur 406 persona nga sëmundjet tumorale, duke u renditur në vendin e dytë për vdekshmërinë e lartë nga këto sëmundje, pas Tiranës me 835 të vdekur. Në vlerë relative, sipas numrit të popullsisë së këtyre dy qarqeve, Elbasani renditet mbi Tiranën për numër vdekjesh për 10 mijë banorë (INSTAT, cituar nga Porta Vendore 2020).

Dhe fatkeqësisht trendi i rritjes së tumoreve në Elbasan, krahasuar me qytetet e tjera, është në rritje.

Sipas ISHP (Instituti i Shëndetit Publik) rastet e sëmundjeve tumorale kanë ardhur në rritje për vitin 2019. Konkretisht 715 persona me sëmundje tumorale, ose 80 persona më shumë se një vit më parë. Në vlerë relative rezulton se Elbasani ka më shumë raste se Tirana për 10 mijë banorë me sëmundje tumorale për vitin 2019, pra duke shënuar një trend rritës gjatë një viti.

Por jo vetëm Rama e qeveria e tij por dhe Bashkia Elbasan nuk ka vënë ujin në zjarr për të siguruar jetën e banorëve të Elbasanit. Edhe pse ka evidentuar problemin e mosvendosjes së filtrave nga kompanitë që operojnë në zonën e Metalurgjikut dhe me vendim të Këshillit Bashkiak ka shpallur emergjencë mjedisore që më 2017-ën, asgjë përveç propagandës me parqe e mbjellje pemësh nga kryetari Llatja, Bashkia nuk ka bërë për të siguruar jetën e qytetarëve.

Kompanitë “Albchrome”, “Kurum”, “R.B.H BELINE” dhe kompania e inceneratorit ”Albtek Energy” kanë vazhduar punën pa i hyrë gjemb në këmbë duke ndotur qytetin e Elbasanit dhe duke ndikuar drejtëpërdrejtë në keqësimin e shëndetit të qytetarëve.

Raportet e dorëzuara në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dëshmojnë se për periudhën 2019 – 2021 evidentonjnë sasi më të larta të gazrave të dëmshëm dhe grimcave të pluhurit në qytet.
Dhe sipas ekspertëve, në qytetin e Elbasanit dhe rajonin e Elbasanit efektet janë katastrofike në shëndetin e qytetarëve (BIRN 2023).

Për fat të keq këto të dhëna dhe reagimet ndër vite të banorëve të qytetit të Elbasanit dhe rrethinave të tij, Vidhas, Katund i Ri, Balldren janë injoruar nga pushteti i Ramës.

E sot pas 12 vitesh me një pushtet të korruptuar Edi Rama nuk ka çfarë t’u ofrojë qytetarëve të Elbasanit, përveç se të bëj atë që di më mirë kundër interesit të tyre, propagandën.

Por banorët e Elbasanit nuk gënjehen më, pasi para shëndetit të fëmijëve të tyre dhe familjes asgjë tjetër nuk ka rëndësi më të madhe për ta.

Tymin dhe flakën e korrupsionit vdekjeprurës së ndotjes së lartë, qytetarët e Elbasanit e shohin me sy dhe e ndjenë çdo ditë në rëndimin e frymëmarrjes, prishjes së gjakut dhe tumoreve vdekjeprurës.

Dhe këtë Edi Rama e di mirë, ndaj rreket me propagandë “turistike” të gënjeshtërt “të helmojë” përsëri elbasanllinjtë për t’i marrë votën.

Përbuzëse, neveritëse…

Shitu

Nga Edison Ypi

A do të pasurohesh ? A do t’i thush fukarallëkut një herë e mirë: Ma nxive jetën, ma more shpirtin, mjaft të durova, sikter, ik e mos u duk ?
Bëj biznesin më të suksesshëm që ka bërë shqiptari në shekuj: Shitu për tu pasuruar.
Jo te i huaji. Të shitesh te i huaji nuk varet nga ty që je gati të shitesh më me qef gratis se i paguar. Varet nga i huaji a i duhesh ti atij. Shitu te ndonjë tjetër këtej rrotull.
Shitu, pra shitu. Por jo i tëri. Shitja me gjith lecka, shitja 1 copet, nuk është me leverdi. Për ta shitur veten me nikoqirllëk, shitjen variacionoje. Mos u shit me shumicë, shitu me pakicë, shitu nji nga nji.
Që shitjen e vetes ta nisësh për së mbari, e para që duhet të shesësh është shtylla kurrizore. E shet kollaj shtyllën. Dhe me çmim të majmë. Gjen sa të duash myshterinj nga ata që shtylla kurrizore u duhet, por u mungon. Shitja e shtyllës, përveçse do ta lehtësojë trupin dhe do ta trashi xhepin, do të bëjë dhe një tjetër të mirë të madhe, do ta kollajsojë përkuljen para eprorëve duke ta mundësuar që gjatë temenasë koka ta preki dyshemenë. Ndërkohë, shtylla jote në kurrizin e tjetrit nuk do ketë asnjë efekt. Ça po të duhet tjetri dhe fati i tij. S’ke për të ndreq shtyllat e dynjasë. Secili shtyllën e vet. Merr paret dhe ik.
Pas shtyllës mund të shesësh gjuhën. Që gjuhën ta shesësh me gjith gurrmazin dhe kordat zanore, gjuhën mos e prit, gjuhën shkule bashkë me rrylin, tubin e kundragazit. Do mbeteni të kënaqur të dy. Si ti që, vërtet mbete pa gjuhë, ama me shitjen e gjuhës fitove gjithato pare, po ashtu dhe tjetri që me gjuhën tënde u bë llapaqen si ty. Do dali një problem. Pa gjuhë nuk do mund të lëpish. S’ke ç’i bën. Të mirat nuk vinë kur do ti. Venë e vinë kur u teket atyre.
Vetëm me paret e shitjes së shtyllës dhe gjuhës nuk mund ta realizosh ëndrrën për tu bërë i pasur duke u shitur. Duhet të shesësh të tjera.
Shiti duart. Tani që nuk punohet me duar por me kompjuter, duart janë të tepërta. Para se të shesësh duart, pritu thonjtë, hiqu unazat, gjeju klient tjetër.
Po shite duart s’e ke vështirë të shesësh dhe këmbët. E ç’i do këmbët kur nuk çvendosesh, nuk udhëton, nuk ecën, nuk vrapon, rri gjithë kohës para televizorit si guak, si gozhdë e ngulur në divan. Shitja këmbët ndonjërit që lëviz, udhëton, dhe kur sheh bukuritë e Shqipërië i dridhen gjunjët, loton, qan, këmbët e veta nuk e mbajnë, i duhen këmbë të tjera.
Shit dhe veshët. S’të duhen. Janë send i kotë. S’ka problem se do mbetesh shurdh. S’po thonë asgjë që ja vlen ta dëgjosh.
Edhe me kaq, s’bëhesh dot zengjin. Madje je larg. Se ti ke dhe një të keqe. Nuk premton asnjë kacidhe për gjithë këto këshilla të mrekullueshme për tu pasuruar që po të jap.
Shitja hundën dikujt që nuk i pëlqen e tija. Hundën tënde me gjithë qurra shitja atij që s’ka lënë hale pa e futur hundën e vet. Atë e nxjerr në selamet. Ti mbete pa hundë, ama fitove paret dhe privilegjin që ku gjithçka është qelbur, të duket fushë me lule aromatike gjithçka.
Ku të gjithve u kanë hedhur trut’ e gomarit, ça po të lypsen trut’ e njeriut. Shiti edhe ato sa s’ësht vonë e s’u ka rënë çmimi. Myshteriun e gjen në dy vende. Te pazari i gjësë së gjallë, dhe në Parlament.
Nëse ke talent ngrënien, kullufitjen, llapjen, bërtitjen, uluritjen, klithjen, gojën mbaje. Përndryshe shite pa pishman.
Përderisa nuk kafshon, as dhëmbët s’ke ç’i do. Shiti edhe ato. Edhe të vëna kur i ke se s’kupton njeri gjë.
Qimet e kokës dhe lesht e bythës, vër një palë doreza boksi, numuroji një nga një, dhe falja ndonjë fukarai, bëj një sadaka’.
Edhe rrushin shite në tezgë. Por me një kusht: Të betohesh me dorën mbi Kuranin e Edi Ramës se nuk po e përdor për gjë tjetër, veçse për të bërë shurrën. Përndryshe, sakën se e shet. Do ngrihet gjith Shoqëria Civile më këmbë të protestojë për qef’ të rrushit tënd.
Pas rrushit, po shite dhe bythën, u bëre i pasur. Shtro gostinë e fitores në luftën e përgjakur kundër fukarallëkut. Mishi, plënci, pilafi, tava e dhes, rakia, birra, vu të gjitha.
Bëre mirë që nuk i shite sytë. Pa sy katandisesh cop mishi që s’i duhesh as Dreqit. Me sy mbetesh si i duhesh Atdhjeut, cop mishi me dy sy.

4 muaj përpara zgjedhjeve, Joni Myshketa i PD-Demokratët Euroatlantikë Durrës: Politika duhet të ketë moral dhe koherencë, vetëm ashtu mund të sjell ndryshimin

Nga Joni Myshketa

Ndodhemi sot 4 muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe situata është më e nderë se kurrë në lidhje me ndryshimin e drejtimit të qeverisë së ardhshme, që duket kaq i pamundur…

Situata politike është tejet toksike dhe realisht shpreh qartë dhe gjendjen e një vendi në tërësi.

Gjërat që në dukje janë kaq të thjeshta sa në çdo bisedë me miq, kolegë e qytetarë të shumtë shprehet i njëjti shqetësim: që Rama është i “pathyeshëm”. Dhe kjo jo sepse është një supernjeri a superpolitikan, por sepse nuk ka vullnet politik nga kampi opozitar, i shkërmoqur si një gotë e thyer në qindra grimca qelqi të shpërndara kuturu.

Duhet kuptuar që çdo kush prej nesh nuk mund t’i shpëtojë gjykimit të kohës si pasojë e veprimeve të bëra gjatë rrugëtimeve tona, e aq më tepër politikanët që janë në qendër të vëmendjes dhe pasojat e tyre i vuan një vend i tëri, si në rastin tonë. Andaj duhen lënë mënjanë tifozllëqet qorrazi dhe duhet që arsyeja të prevalojë mbi impulsivitetin e idhujtarinë, e cila është e dënueshme që në krye të herës, gdhendur qartë në librat e shenjtë.

Ndodhemi 4 muaj para zgjedhjeve parlamentare e shumë larg ndryshimit të kursit të një politike që duhet të kishte kapitulluar me kohë.

Aktorët e faktorët politikë duket qartazi që nuk kanë vullnet për t’i shërbyer një herë të vetme vendit e njerëzve që i kanë mbështetur e i kanë dhënë më tepër se ç’kanë merituar deri më sot, por nuk po duken në horizont shenjat për t’ua shlyer sado pak këtë borxh jetik mbarë vendit.

Situata është mëse e qartë dhe nëse kërkohet t’i jepet shpresë vendit, rruga është vetëm një: sinergjia e të gjitha kampeve opozitare dhe qytetarëve për të shkuar në një përballje elektorale vlerash, e jo në emër të kryetarëve për një herë të vetme, por në emër të interesave të vendit dhe qytetarëve.

Politika duhet të ketë brenda saj moral, koherencë e dashuri për të ndryshuar kurs atëherë kur gjërat nuk shkojnë, e jo kafshime mes vetes, ku qartazi vihet re gjilpëra e peshores së interesave personale, shumë larg misionit të të qenit politikan.

Pra, nëse vazhdohet përsëri me retorikë shterpe, boshe, mediokre, duke mbjellë dasi që i shkon përshtat vetëm këtyre “pashallarëve” e ortakëve të tyre të dukshëm e të padukshëm, që po menaxhojnë të ardhurat tona, resurset tona, jetët tona, 2025-ta do të vazhdojë me serialin që po përjetojmë tash e 12 vite në mënyrë të imponuar.

Dhe të nesërmen na e kurseni atë diskun që e kemi dëgjuar shpesh këto kohët e fundit, që “na vodhën” e “me krimin nuk bëhen zgjedhje”, etj., etj., me radhë.

Nuk ka votë që vidhet e rrugaç që mund të tjetërsojë vullnetin e votës, kur krijohet fryma për të ndryshuar, sado mekanizma ka në dorë pushteti, para korrupsioni e ortakëri me grupe kriminale, që janë realitet i ditur nga të gjithë ne tashmë. Por ajo që i zhbën të gjitha këto është kur njerëzit të ndjekin, kur shohin se ke vullnet real, je i vërtetë, koherent e mbi të gjitha ke dashuri për vendin.

Ndodhemi 4 muaj para zgjedhjeve…

Ançeloti pas humbjes turpëruese në finalen e Superkupës: Bëmë gjithçka keq, Mbape e tregoi veten

Me humbjen kundër Barcelonës, ka marrë fund ëndrra e Realit për të fituar 7 trofe në një sezon të vetëm. Humbja 2-5 ndaj Barçës ka sjellë dhe shumë kritika. Askush nuk i ka shpëtuar kritikave, teksa dhe trajneri Ançeloti e ka pranuar se Reali ka luajtur keq dhe e ka merituar humbjen.

 

PLANI I NDESHJES – “Duhet të shohim realitetin dhe ai është se ata i kanë shënuar golat shumë lehtë. Kemi humbur shumë duele, por ky është futbolli. Ne jemi të trishtuar dhe të zhgënjyer, por duhet të shohim përpara sepse kemi një sfidë tjetër përpara”.

NOTË POZITIVE – Për mua nuk ka pasur asgjë pozitive përveç paraqitjes së Mbapesë. Ai luajti shumë mirë dhe shënoi një gol. Ne duhet të harrojmë pjesën tjetër për të ecur përpara”.

KARTONI I KUQ – “Ndeshja nuk ka qenë e mirë që në minutën e parë. Kur ishim me një lojtar më shumë, ishim të paaftë për të gjetur zgjidhje. Jam i trishtuar për të gjithë ndeshjen. Të paktën duhet të kishim bërë diçka më mirë pas daljes së Sheznit. Ishte një moment kur mendova se me një lojtar më shumë mund të kishte zhvillime të tjera por…”.

GABIMET – “E thashë më parë dhe duhej të mbroheshim mirë dhe u mbrojtëm keq. Ata u mbrojtën më mirë se ne dhe na shënuan fare lehtë”.

“Fjalët e të urtit” dhe porosia e Naim Frashërit për shqiptarët: Mendjet e të zemëruarave janë të turbullta, vetëm durimi shpirtin e kullon

ILIR CENOLLARI

Naim Frashëri e ka ndjerë thellë se shqiptarët janë të zgjuar, të zgjuar nga natyra, por kjo zgjuarsi pa shkollim, pa kultivim, pa dituri, pa kulturë, është e çalë, e mangët, e pamjaftueshme. Falë formimit të gjithanshëm, poeti kombëtar, na ka lënë një poemth interesant liriko-filozofik, i shtyrë nga qëllime didaktike dhe praktike për t’u treguar shqiptarëve “Udhën e Perëndisë”. Naim Frashëri porosit se Udha e Perëndisë gjendet te njeriu, te humanizmi dhe humanizmi i tij, te mirësia, te dija dhe dituria, te drejtësia dhe e vërteta: “Udhëz e Zotit është urtësia, vetëm të mirën do perëndia”.

Njeri i madh nuk është ai që ka pasuri, por ai që është i urtë, i ditur dhe njerëzor. Njeriu i urtë është i ndershëm, i vërtetë dhe punëtor. Rruga për te Zoti kalon nga leximi, nga mësimi, nga studimi i përjetshëm, se me studim mendja ndriçohet, zemra pastrohet, shpirti madhështohet dhe bekohet, mbushet me mëshirë dhe urti. Vetëm qytetaria të largon nga egërsia, nga urrejtja dhe lakmia. Ai që s’do të drejtën, të vërtetën, ai që s’mban besën, kthen fletën, jo vetëm s’merr vesh se ç’ështa jeta, por ka në shpirt djallëzinë. Mendjet e të zemëruarëve janë të turbullta, vetëm durimi shpirtin e kullon.

Pa drejtësi dhe pa të vërtetën jeta do të ishte shkreti dhe qielli i zi! Që njeriu të afrohet te perëndia duhet të kultivohet, duhet të mësojë, të studiojë, të kalisë durimin, të punojë ndjenjat, shpirtin, mendjen. Si? Me art, me letërsi, me shkencë, me studime, me arsimim, me ndershmëri, me fisnikëri. Këto porosi janë aktuale sot e përgjithmonë.

Të shikojmë se si e shikon urtësinë një nga filozofët më të shquar francezë, Volteri. Mësimi nis nga dyshimi, nga mendimi kritik, nga fantazia dhe logjika. Këtë ide Volteri[1] e shpreh kështu: “Aristoteli fillon duke thënë se urtësia buron nga mëdyshja”. Dekarti e ka thelluar këtë mendim duke thënë se më kanë mësuar të mos besoj as gjë nga ato që thuhen. Ndershmëria është ajo që shpie në shenjtëri, në vetëmohim, në qëndresë, në durim, në fisnikëri, në humanizëm. Ja si e shpreh këtë ide filozofi: “Nëse epikurianët e bënë të dashur natyrën njerëzore, stoikët e bënë gati hyjnore. Nënshtrimi i Qenies së qenieve, ose më mirë ngritja e shpirtit deri te kjo Qenie, përçmimi i kënaqësisë, madje përçmimi i dhembjes, përçmimi i jetës dhe i vdekjes, drejtësia e paepur; ky ishte karakteri i stoikëve të vërtetë dhe gjithçka që është thënë kundër tyre, është se shkurajonin njerëzit e tjerë…Stoiku Katon, nga ana tjetër, është nderi i përjetshëm i Romës. Epikteti, në skllavërinë e tij, mbase qëndron më lart se Katoni. “Unë jam,- thotë ai, – në vendin ku ka dashur Providenca të jem: nëse ankohem, do të thotë se fyej Providencën”. Për të vërtetën Volteri porosit: “…përbindëshi ekziston ende; kushdo që do të kërkojë të vërtetën do të rrezikojë të përndiqet. A duhet të qëndrojmë duarkryq në errësirë? Apo duhet të ngremë një pishtar ku zilia dhe shpifja do të ndezin rishtas urët e tyre? Sa për mua, besoj se e vërteta nuk duhet të fshihet më përpara këtyre përbindëshave, se nuk duhet të heqim dorë nga të ngrënët nga frika se mos helmohemi”.

[1] Volter “Filozofi injorant”, Ideart, 2003.

Kritik i politikës pro-ukrainase, Presidenti Zoran Milanoviç siguron mandatin e dytë në Kroaci

Presidenti kroat, Zoran Milanoviç u zgjodh për një mandat të dytë. Pas numërimit të pothuajse të gjitha votave, pothuajse 75 për qind e votuesve votuan për kandidatin e Partisë Socialdemokrate në opozitë.

 

Dragan Primoraç nga Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) në pushtet mori rreth 25 përqind. “Faleminderit Kroaci !” tha Milanovic në festën pas zgjedhjeve në një qendër kulturore në Zagreb. “Unë e shoh këtë fitore si njohje të punës sime gjatë pesë viteve të fundit dhe si një mesazh nga populli kroat për ata që duhet ta dëgjojnë atë,” shtoi ai, duke iu referuar qeverisë së kryeministrit Andrej Plenkoviç, me të cilin ka konflikte.

58-vjeçari Milanoviç ka drejtuar qeverinë kroate nga viti 2011 deri në vitin 2016 dhe u zgjodh në presidencë për herë të parë në vitin 2020. Dy javë më parë ai humbi me pak vota rizgjedhjen për një mandat të dytë në raundin e parë të votimit me 49 për qind. Por më pas Milanoviç hyri në balotazh si favorit i qartë kundër Primoraç në vendin e dytë. Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, pjesëmarrja e votuesve të dielën në votime ishte pothuajse 44 për qind – pak më pak se në raundin e parë të votimit.

Milanoviç kritik i politikës pro-ukrainase

Primoraç e kishte kritikuar vazhdimisht Milanoviçin gjatë fushatës zgjedhore si një “kukull pro-ruse” dhe e kishte akuzuar atë për minimin e besueshmërisë së Kroacisë në BE dhe NATO. Presidenti kroat, Milanoviç e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, por ka kritikuar vazhdimisht mbështetjen ushtarake të Perëndimit për Kievin. Milanoviç kundërshtoi gjithashtu një program në të cilin ushtarët kroatë në Gjermani do të ndihmonin në trajnimin e ushtarëve ukrainas.

Kreu i shtetit kroat nuk mund të vërë veton ndaj ligjeve në Kroaci, por i dëgjohet fjala në politikën e jashtme, atë të mbrojtjes dhe sigurisë. Gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, Milanoviç u përplas vazhdimisht me kryeministrin aktual Plenkoviç për politikën e jashtme. Të dy politikanët kanë mosmarrëveshje të forta dhe vazhdimisht ofendojnë njëri-tjetrin publikisht./DW

Kulla, zyra dhe stadiumi i ri: Qeveria i jep privatëve 8 prona publike

Qeveria paraqiti të enjten tetë projektet mbi toka publike që synon t’i zhvillojë me investitorë privat në Tiranë. Ato parashikojnë ndërtime kullash, zyra qeveritare dhe një stadium të ri.

Prezantimi mbajti titullin “Ura për Shqipërinë 2030”. Kjo është pjesë e fushatës për zhvillimin e 28 pronave publike që kaluan në administrim të Korporatës Shqiptare të Investimeve, për të cilat Citizens.al ka raportuar më parë.

Lista e tetë projekteve të prezantuara:

1. Lift Tower” – Rruga Muhamet Gjollesha
Arkitektë: Baukuh, Muoto, Sam Chermayeff, Yellow Office, Atmos Lab, Bollinger Grohmann, Simoj Boudvin, Arkimade

Citizens.al/Projekti i “Lift Tower”.

Kullë 39-katëshe me shërbime mikse për rezidencë studentësh, zyra, hoteleri dhe banim. Parashikohet të ngrihet në truallin prej rreth 2,350 metrash katrorë ku ka qenë ish-Instituti i Ndërtimit – krah Fakultetit të Inxhinierisë.

Aktualisht aty janë zyrat e Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP). Qeveria propozon t’ia japë truallin privatit me kusht që të zgjerojë ndërtesën e Kadastrës së Tiranës krah shkollës “Harry T. Fultz”.

Gara për investitorët u hap më 20 nëntor. Afati për oferta u shty nga 6 janari për në 20 janar. Investitorët duhet të kenë qëndrueshmëri ekonomike dhe garanci për fluks financimi 8.5 milionë euro.

2. Civic Land Center” – Rruga Panorama
Arkitektë: Baukuh, Muoto, Sam Chermayeff, Yellow Office, Atmos Lab, Bollinger Grohmann, Simoj Boudvin, Arkimade

Citizens.al/Projekti i Civic Land Center.

Projekti lidhet, dhe është në varësi të zhvillimit të kullës “Lift Tower” – shpjeguar më sipër. Ai rikoncepton “nën një kapanon gjigand”, godinën 6-katëshe të Drejtorisë Vendore të ASHK-së Tiranë. Aty parashikohet të zhvendoset me zyra edhe ATP dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin (AShSh).

Godinës i shtohen tre blloqe 8-9-10 kate që parashikohen të jenë për zyra, arkivë dhe hapësira rekreative.

Sipas Korporatës nga ky propozim për zhvillim hapësirash përfitojnë rreth 1800 punonjës të administratës publike.

3. Tirana Void Tower” – Bulevardi Zhan D’Ark
Arkitektë: Coldefy, Atelier 4, Semper Virens, Jacopo Foggini, AEI

Citizens,al/Projekti i Tirana Void Tower.

Kompleks me 3 kulla 25 katëshe krah lumit Lana në vendin ku dikur kishte selinë Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH). Aktualisht aty ka zyrat Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Korporata parashikon t’ia japë privatit 2,840 metra katrorë truall të ish-ATSH-së dhe projektin e zhvillimit. Në këmbim privati duhet të ndërtojë kompleksin qeveritar në zonën e Komunës së Parisit. Parashikohen rreth 51 mijë metër katrorë ndërtim me një vlerë përfitimi kapital të përafërt me rreth 60 milionë euro.

Gara për investitorët u hap më 20 nëntor. Afati për oferta u shty nga 6 janari për në 20 janar. Investitorët duhet të kenë qëndrueshmëri ekonomike dhe garanci për fluks financimi 10 milionë euro.

4. Public Administration Cluster” – Komuna e Parisit
Arkitektë: Coldefy, Atelier 4, Semper Virens, Jacopo Foggini, AEI

Citizens.al/Projekti i kompleksit qeveritar te Komuna e Parisit.

Kompleks qeveritar në zonën e “Komunës së Parisit”. Bëhen bashkë 22 institucione në varësi të Kryeministrisë, Ministrisë së Infrastrukturës, Arsimit, e më tej ato të Turizmit dhe Mjedisit. Përfitohen rreth 34 mijë metra katrorë ndërtim.

Projekti parashikon prishjen e bllokut të ndërtesave ku aktualisht ka zyrat Autoriteti i Aviacionit Civil. Bëhet fjalë për hapësirën mes pallateve që kufizohet nga rrugët Sulejman Delvina-Medar Shtylla-Osman Myderizi-Grigor Heba.

Hapësira rikonceptohet me 17 platforma 2 deri në 8 kate. Ato vishen nga një fasadë e rrjetëzuar me tarraca dhe hapësira publike. Ndërtimi kushtëzohet dhe varet nga zhvillimi i “Tirana Void Tower” shpjeguar më lart.

5. Expo Albania” – Farkë
Arkitektë: Steven Holl, Agnieszka Kurant, Ateiler 4, Markgraph, ARUP, Stoss Landscape.

Citizens.al/Kompleksi i panaireve dhe ekspozitave në Farkë.

Qendër panairesh me hapësira fleksibël për ekspozita, koncerte, evente, logjistikë dhe rekreacion ku parashikohen zona shërbimesh për hoteleri dhe restorante. Konceptuar për t’u ndërtuar krah Bazës Ajrore të Farkës në Unazën Lindore të Tiranës.

Projekti mbulon një sipërfaqe prej 17 mijë metrash katrorë truall të Bazës së Farkës. Ai është menduar të ofrojë rreth 30 mijë metra katrorë ndërtim. U shpall fitues më 18 prill 2024 pas një konkurrimi të hapur që nisi më 29 dhjetor 2023. Grupi projektues u shpërblye me 40 mijë euro.

Ana vizuale u prezantua më 14 tetor. Koncept-ideja është pjesë e një studimi fizibiliteti të mbështetur nga Agjencia Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (AICS). Aktualisht nuk ka një thirrje për investitorë.

6. Godina e re e Bibliotekës Kombëtare” – Rruga Dora D’Istria
Arkitektë: XDG – Xavier De Geyter, iRI

Citizens.al/Godina e re e Bibliotekës Kombëtare te Liqeni Artificial.

Biblioteka Kombëtare parashikohet të ndërtohet në zonën e ish-Gardës së Republikës, në hyrje të Parkut të Madh të Liqenit Artificial.

Projekti nuk është bërë publik edhe pse është konceptuar që në vitin 2020. Ai shfaqet në renderët e hotelit 14 katësh që kompania “Nova Construction” po ndërton në zonë. Titullohet “Pieces, Hospitality and The New Building of The National Library”. Ai parashikon dhe ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë. Kjo e fundit është aktualisht duke u ndërtuar.

Nuk janë të qarta arsyet se përse vonoi ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare të re. Por Korporata përfitoi shfrytëzimin e truallit të propozuar me një VKM që u miratua po të enjten, 9 janar. Ajo e përfshiu të premten në një “thirrje duo për projekt-propozim dhe investim”. Sipas saj parashikohet që bibliotekën e re ta ndërtojë privati në këmbim të një kulle pranë zonës së Qytetit Studenti.

Gara u hap më 10 janar me afat deri më 10 shkurt. Investitorit i kërkohet të ketë stabilitet financiar dhe mundësi likuiditeti për 8.5 milionë euro investim.

7. Kullë 25 katëshe te ish-vilat gjermane
Arkitektë: Të papërcaktuar

Citizens.al/Harta e zonës te ish-vilat gjermane që jepen për zhvillim.

Kullë me funksion të shumëfishtë në rrugën Gramoz Pashko, në zonën e ish-vilave gjermane në Qytetin Studenti.

Korporata ofron 5,219 metra katrorë truall ku aktualisht ndodhen 7 vila qeveritare për t’u zhvilluar nga privati. Kusht është ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare. Ofrohet mundësia për të zhvilluar deri 60 mijë metra katrorë ndërtim. Hapësirat e propozuara janë tregtare (5%), zyra (10%), hoteleri (25%) dhe banim (60%).

Duke marrë në konsideratë një shfrytëzim trualli prej 45-50% njolla e katit mund të jetë 2,400 metra katrorë. Me këtë mund të hamendësojmë se privati mund të ndërtojë atje një kullë rreth 25 kate.

Gara u hap më 10 janar me afat deri më 10 shkurt. Investitori ka lirinë ta konceptojë me një ekip të tij projektin e kullës me kusht që të ndërtojë dhe bibliotekën.

8. Stadiumi Selman Stërmasi – “Tirana e Re”
Arkitektë: Të papërcaktuar

Citizens.al/Harta e zonës së Stadiumit Selman Stërmasi që jepet për zhvillim.

Siç kemi raportuar, Stadiumi “Selman Stërmasi” ofrohet nga Korporata si një aset për zhvillim nga investitorë privatë. Atyre u jepet e detyrueshme ndërtimi i një impianti sportiv. Në këmbim u jepet për zhvillim deri 120 mijë metra katrorë ndërtim në 57 mijë metra katrorë truall.

I përshkruar si “Rijetëzimi i Stadiumit Selman Stërmasi”, projekti nuk përjashton mundësinë e një stadiumi të dytë me kullët. Kjo pasi projekti i Stadiumit Kombëtar me kullë ka marrë vlerësime të larta publike nga qeveria dhe Bashkia Tiranë.

Gara me “thirrje duo për projekt-propozim dhe investim” u hap më 24 dhjetor 2024 me afat 24 janarin 2025. Investitori ka lirinë ta konceptojë vetë projektin, por duhet të ketë stabilitet financiar. Gjithashtu përvojë në ndërtime të ngjashme dhe mundësi për likuiditet prej të paktën 12 milionë eurosh./Erblin Vukaj/Citizens.al

Propaganda e personalizuar lë institucionet nën hijen e titullarëve

Aktiviteti i institucioneve publike po kanalizohet gjithmonë e më tepër si përmbajtje e parë e profileve personale të titullarëve në rrjetet sociale. Ekspertët e komunikimit e shohin këtë fokus te individi si strategji politike me pasoja në integritetin dhe besueshmërinë te institucionet.

Trysnia publike përballë skandaleve

Një video e rrjedhur në media tronditi qytetin verilindor të Kukësit qershorin e vitit 2023. Ajo shfaqte Kryetarin e Bashkisë, Safet Gjici, duke kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë, së cilës i premtonte fonde për një projekt lokal të trajtimit të qenve të rrugës.

Skandali përfshiu jo vetëm jetën private të Gjicit, por edhe integritetin e institucionit që ai drejtonte.

Nën presion publik, Gjici dha dorëheqjen përmes një postimi në Facebook, ku pranoi marrëdhënien me vajzën, por shmangu të fliste për çështjen e korrupsionit. Komentet e ashpra të qytetarëve e detyruan të mbyllte llogarinë.

Zgjidhja e Gjicit për të gjetur qetësi duke mbyllur Facebookun solli pasoja për Bashkinë Kukës. Për katër vite aktiviteti i bashkisë ishte përcjellë kryesisht përmes profilit personal të kryetarit. Profili zyrtar i bashkisë ishte shpërndarësi kryesor i postimeve të Gjicit.

Kështu, duke mbyllur profilin e tij Gjici zhduku dhe shumicën e arkivës online të aktiviteteve të bashkisë, një pjesë e së cilës nuk qaset më as sot.

Në qershor të vitit 2024, Gjici u dënua me 4 vite e gjysmë burg për korrupsion. Pa rrjedhjen e videos, ai do të vazhdonte të ishte kryetar i bashkisë, ndërsa abuzimi me fondet publike do të mbetej i paekspozuar.

Ky rast nxori në pah strategjinë e komunikimit të përdorur rëndomtë nga pushtetarët e Partisë Socialiste: Promovimi i aktiviteteve institucionale përmes profileve personale, duke lënë institucionet nën hijen e imazhit të drejtuesit.

Me këtë strategji ata përfitojnë rritjen e figurës së tyre dhe ndërtimin e një perceptimi pozitiv te elektorati, por kjo, si në rastin e Gjicit, ka kosto për institucionet, që kalojnë në plan të dytë.

Propaganda e personalizuar

Një nga promotorët kryesorë të kësaj strategjie komunikimi është Kryeministri Edi Rama. Si politikan i sprovuar me pushtetin, – tre mandate Kryetar i Bashkisë Tiranë, tre mandate Kryeministër, – Rama e kanalizon aktivitetin kryesor të qeverisë përmes profilit personal Facebook.

Postimet e tij shpërndahen në efekt domino nga vartësit, elektorati socialist dhe shpesh edhe nga administrata. Përmbajtja karakterizohet nga tipare propagandistike ku mbizotërojnë thirrjet që theksojnë ndasitë “ne” dhe “ata” “e mira”  dhe “e keqja”, përzgjedhja apo shtrembërimi i fakteve, përsëritja e sloganeve politike dhe demonizimi i kundërshtarëve.

Këtë model e ndjekin dhe zbatojnë ministra dhe zyrtarë të tjerë, – veçanërisht Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, Ministrja aktuale e Arsimit Ogerta Manastirliu, apo Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku – duke kanalizuar aktivitetet institucionale në profilet e tyre personale dhe duke e kthyer komunikimin institucional në mjet propagande.

Sipas Prof. Asoc. Dr. Zylyftar Bregu, kjo dinamikë e komunikimit publik bën që “institucioni të marrë fytyrën e drejtuesit, duke e bërë të vështirë ndarjen mes personales dhe institucionales.” Ky fokus dobëson autoritetin institucional te publiku teksa titullarët priren të promovojnë në profilet e tyre vetëm sukseset.

“E shfaqin veten të jashtëzakonshëm në situata të zakonshme dhe të zakonshëm në situata të jashtëzakonshme,” thotë Dr. Ervin Goci, i cili kujton se shpesh në raste krizash titullarët e shmangin komunikimin direkt prej profileve të tyre duke e kanalizuar atë përmes drejtorive, apo zyrave të shtypit.

“Ka komunikime që lidhen me titullarin që nuk mund të hidhen në faqen e institucionit, por përqëndrimi i të gjithë komunikimit tek faqja e titullarit, e shuan institucionin para syve të publikut,” vijon Goci.

Strategjia në fjalë i kthen “de facto” zyrat e shtypit të institucioneve në “zyra PR-i të titullarëve”. Kjo shpjegon dhe pse profilet e tyre kanë më tepër postime.

Shembull i qartë i kësaj praktike është Ministria e Arsimit dhe Sportit, ku faqja zyrtare në Facebook në muajin nëntor 2024 kishte shpërndarë 73 postime nga faqja personale e ministres Manastirliu. Ndjekësit e faqes personale të saj (125 mijë) janë shumë më të numërt krahasuar me ata të faqes së institucionit (77 mijë).

Ngjashëm Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pati 16 postime në muajin nëntor, ndërsa faqja personale e ministres Balluku pati 69 postime. Balluku ka thuajse dyfishin e ndjekësve (58 mijë) krahasuar me faqen e ministrisë (34 mijë).

Ndryshe paraqitet situata me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Veliaj, i cili gëzon (551 mijë) 15 herë më shumë ndjekës se faqja zyrtare e bashkisë (35 mijë) megjithëse në të dyja profilet botohet rregullisht thuajse njësoj.

Kjo qasje strategjike në komunikim dukshëm i ka shndërruar titullarët në figura të njohura, duke dobësuar institucionet përkatëse.

“Kur një politikan i korruptuar takohet me një publik të papërgatitur, me kulturë të dobët demokratike e sidomos me institucione të dobëta, kemi përzierjen perfekte për një jetë publike në kufinjtë e skandalit permanent” thotë eksperti i komunikimit, Goci.

Në këtë rrafsh diskursi që destabilizon strukturat publike, ekspertët sugjerojnë si zgjidhje formalizimin e komunikimit institucional, rritja e transparencës dhe një angazhim të shtuar të aktorëve të shoqërisë civile për ta monitoruar dhe sinjalizuar më mirë si problematikë.

“Nevojitet një model komunikimi institucional duke e formalizuar për të gjitha institucionet,” thotë eksperti i komunikimit Bregu.

“Ka nevojë që institucioni i të gjithëve dhe profili i titullarit të jenë të ndarë qartë,” vijon Goci.

Vendosja e standardeve të qarta për komunikimin zyrtar konsiderohet si mënyrë parandaluese për përzierjen e propagandës personale me axhendën institucionale. Kjo mund të ndihmojë në ruajtjen e balancave të strukturave dhe autoritetit shtetëror.

Gjithashtu respektimi i ligjit për të drejtën e informimit shihet si një aspekt tjetër i rëndësishëm për të luftuar modelin e “titullarëve të fortë dhe institucioneve të dobëta”.

*Ky artikull është realizuar nga Marinela Pashaj, pjesëmarrëse në akademinë “Voices for Change”, organizuar nga Citizens.al.

Shteti i BE me energjinë elektrike më të shtrenjtë në Evropë! Politikanët po kërkojnë një zgjidhje

Në Gjermani, energjia elektrike është më e shtrenjta në Evropë. Kjo rëndon si konsumatorët ashtu edhe ekonominë e dobësuar. Politikanët po kërkojnë një zgjidhje.

 

Në fillm të vitit kishte shumë erëra, impiantet punon me të gjitha kapacitetet. Gjatë vitit kishte edhe shumë diell. Ndaj sipas të dhënave të Institutit Fraunhofer për Sistemet eEnergjisë Diellore në Gjermani, prodhimi ienergjisë elektrikenga burimet e rinovueshme arriti në 125 për qind të nevojave. Prodhimi i tepërt shkaktoi edhe rënie drastike të çmimit të energjisë elektrike në bursa. Kishte gjatë ditës madje edhe energji elektrike falas për disa orë.

Vitin e kaluar, burimet e rinovueshme mbuluan 59 për qind të nevojës për energji elektrike. Por prodhimi është shpesh shumë më i ulët në dimër. Për shembull, më 12 dhjetor 2024, vetëm 18 për qind e totalit të energjisë elektrike të kërkuar për Gjermaninë vinte nga burime të rinovueshme. Pjesa tjetër e nevojave është mbuluar nga termocentralet me qymyr ose gaz, si dhe nga importi i energjisë elektrike. Çmimi i një megavat orë në bursë shkoi madje në 936 euro, ndërsa çmimi normal është nga 60 deri në 100 euro.

Tarifat
Konsumatorët privatë, si dhe kompanitë me kontrata afatgjata, nuk i ndjejnë shumë këto luhatje të çmimeve. Ata paguajnë një çmim fiks për një periudhë kohore të përcaktuar në kontratë. Por, që nga fillimi i këtij viti, distributorët e energjisë elektrike duhet të ofrojnë tarifa të tjera. Kjo duhet të inkurajojë konsumatorët e mëdhenj, që ta drejtojnë konsumin e tyre në periudhën kur energjia elektrike është e lirë, për shkak të shpenzimeve.

Instituti Federal për Parandalimin e Formimit të Karteleve shtroi pyetjen nëse rritja e çmimeve është gjithmonë vetëm rezultat i prodhimit të reduktuar të burimeve të rinovueshme. Nëse ky institucion zbulon se prodhuesit kanë arritur marrëveshje për çmimin, atëherë mund t’i gjobisë pjesëmarrësit në marrëveshje.

Presidenti i Institutit, Andreas Munt, bëri të ditur se do të kontrollohen rritjet e mëdha të çmimeve për shkak të dyshimeve për keqpërdorime, për të ndikuar në rritjen e çmimeve me ofertë të reduktuar. Munt thotë se Gjermania duhet të kalojë dimrin me një numër të reduktuar të termocentraleve për herë të parë, ndaj mund të pritet një rritje e re e çmimeve, e cila mund të jetë rezultat i një mekanizmi normal të tregut. “Por, për të qenë të sigurt, ne do të rishikojmë formimin e çmimeve,” shtoi Munt.

Pasojat e braktisjes së qymyrit dhe energjisë atomike
Reduktimi i numrit të termocentraleve është rezultat i vendimit politik për të hequr dorë nga energjia me qymyr. Vitin e kaluar, prodhimi i energjisë elektrike në bazë të linjitit ka rënë për tetë për qind, ndërsa nga qymyri me 27 për qind. Që nga viti 2015, pjesa e qymyrit në prodhimin e përgjithshëm të energjisë elektrike është përgjysmuar. Kështu, emetimi i gazrave të dëmshëm është zvogëluar ndjeshëm.

Vitin e kaluar, për herë të parë vendi hoqi dorë plotësisht nga energjia elektrike nga termocentralet bërthamore. Tre termocentralet e fundit bërthamore u hoqën nga rrjeti në vitin 2023, në kohën kur ato përbënin gjashtë për qind të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në Gjermani.

Tregu i Bashkimit Evropian për energjinë elektrike
Brenda Bashkimit Evropian, vendet do të duhej të ndihmojnë njëra-tjetrën energjikisht. Kur në Gjermani ka shumë erë dhe diell, ajo eksporton energji, e kur nuk i ka këto kushte, e importon. Gjermania mbulon shumicën e nevojave të saj ngaFranca,e cila prodhon 70 për qind të energjisë elektrike në termocentralet bërthamore. Danimarka është në vendin e dytë, Zvicra në vendin e tretë. Të tre vendet eksportuan dukshëm më shumë energji në Gjermani sesa importuan prej saj. Dhe ate me çmimet që formohen në bursë.

Çmimi i konsumit të energjisë elektrike në Gjermani rëndohet edhe nga taksat, të cilat përbëjnë 30 për qind të shumës përfundimtare.

Në Gjermani, çmimi është më i shtrenjti
Sipas Entit Federal të Statistikave të Gjermanisë, një familje me tre ose katër anëtarë ka paguar rreth 40 cent për kilovat-orë vitin e kaluar. Në Irlandë dhe Danimarkë ata paguan 37 cent, në Çeki, Belgjikëdhe Itali rreth 33 cent. Në Hungari dhe Bullgari, energjia elektrike subvencionohej nga shteti, kështu që konsumatorët paguanin vetëm dhjetë cent për kilovat/orë.

Në Gjermani ka edhe subvencione, por për industrinë. Megjithatë, kompanitë që përdorin një sasi të madhe të energjisë elektrike ankohen gjithnjë e më shumë për kostot që ulin konkurrencën e tyre.

Në vitin 2021, industria paguante 12 cent për kilovat-orë, por pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, çmimi u rrit në 50 cent. Nga korriku 2022, taksat për kompanitë janë ulur. Ndërkohë çmimi i kilovat-orës është 17 cent. Por edhe kjo është dukshëm më shumë se çmimet që paguajnë kompanitë më të rëndësishme konkurruese në vendet e tjera. Për shembull, në vitin 2023, prodhuesit gjermanë të makinave paguanin dyfishin e çmimit të energjisë elektrike në krahasim me kompanitë konkurruese në Kinë, e madje tre herë më shumë se kompani të tilla në Shtetet e Bashkuara.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz i propozoi Komisionit të Bashkimit Evropian që të autorizojë shtetet anëtare të BE-së për të vendosur subvencione për kompanitë që konsumojnë shumë energji ose prodhojnë bateri.

Demokristianët, të kryesuar nga kandidati për kancelar, Friedrich Mertz, kërkojnë që të përgjysmohen shpenzimet dhe taksat që rrisin çmimin e energjisë elektrike. Ai propozon të ulet taksa për konsumin e energjisë elektrike për kompanitë që varen nga konsumi intensiv. Por nuk është e qartë se si do të financohej e gjithë kjo. Megjithatë, është e sigurt se ndërtimi shtesë i burimeve të rinovueshme të energjisë, rrjeteve të energjisë dhe kapaciteteve për ruajtjen e energjisë do të sjellë rritje të kostove për vite me radhë./DW

“Rama dhe shpura e tij, e ka kthyer korrupsionin dhe lidhjen me krimin në kriter për qeverisjen e vendit”, Basha: Programi Anti-Korrupsion i Demokratëve Euroatlantikë garanton mirëqeverisjen

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës për korrupsion dhe bashkëpunim me krimin, duke e cilësuar atë si një model që ka varfëruar shqiptarët dhe ka promovuar antivlera.

Në një postim në facebook, Basha theksoi se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë dhe një qeverisje me integritet, meritokraci dhe përkushtim ndaj interesit publik. Ai shprehet se programi i Demokratëve Euroatlantikë anti-korrupsion, përfshin krijimin e një njësie për rikuperimin e pasurive të vjedhura, mbështetje të plotë për SPAK dhe GJKKO, forcimin e Ligjit “Anti-Mafia” dhe ashpërsimin e masave kundër korrupsionit në Kodin Penal.

Sipas Bashës, më 11 maj qytetarët kanë në dorë të lënë pas dështimet e qeverisë aktuale dhe të zgjedhin një rrugë të re që garanton investime, punësim dhe drejtësi të barabartë për të gjithë.

Postimi i plotë i Bashës:

Shqipëria meriton më shumë se Edi Rama dhe shpura e tij, që e ka kthyer korrupsionin dhe lidhjen me krimin në kriterin të kompetencës për qeverisjen e vendit.

Shqipëria meriton një tjetër model, ku më të mirët janë ata që shërbejnë me ndërshmëri, meritë dhe përkushtim ndaj interesit publik, jo hajdutët e dobishëm me të cilët Edi Rama krenohet dhe në bashkëpunim me ta ka varfëruar familjet shqiptare, duke imponuar anti-vlerat si “histori suksesi”.

Më 11 maj, kemi në dorë të lëmë pas dhështimet në arsim, shëndetësi, siguri të kësaj qeverie që nuk ka më çfarë t’u japë shqiptarëve, përveç thellimit të mëtejshëm të krimit dhe korrupsionit.

Bashkë mund të nisim një rrugëtim të ri, duke e shkëputur vendin nga e shkuara që riciklohet si alternativë e vetme, për t’i dhënë Shqipërsië të ardhmen që meriton përmes një programi të mirëstudiuar anti-korrupsion.

Me planin tonë do krijojmë një njësi të posaçme për gjurmimin dhe rikuperimin e pasurive të vjedhura, duke ua kthyer ato shqiptarëve. SPAK dhe GJKKO do të kenë mbështetje dhe bashkëpunim të plotë, ndërsa Ligji “Anti-Mafia” do të forcohet për të goditur zyrtarët e korruptuar. Çdo kontratë koncesioni ose PPP e dyshimtë do të verifikohet dhe, nëse është abuzive, anulohet menjëherë.

Kontrollin e Lartë të Shtetit do ta shndërrojmë në Gjykatë të Kontrollit të Shtetit, me vendime të ekzekutueshme pa vonesë. Po ashtu, do të rishikohet kuadri ligjor për operatorët “off-shore”, me qëllim që kontratat abuzive të jenë gjithnjë subjekt i Ligjit “Anti-Mafia”.

Parimi “Të gjithë të barabartë para ligjit” do të jetë realitet përmes “Ndiq paranë” dhe vetting-ut të politikanëve. Hiqet imuniteti i deputetëve, duke u hapur rrugë hetimeve të plota, ndërsa Kodit Penal do t’i ashpërsohen masat për korrupsionin aktiv e pasiv. Vetëm kështu Shqipëria garantohet me investime, punësim dhe shërbime cilësore — sepse shqiptarët meritojnë më shumë.