33.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Reflektime mbi mendimin gjeopolitik të Ardit Gjinalit

Nga Blendi Lami

Libri “Filozofia e Gjeopolitikës” nga autori Ardit Gjinali ofron një vështrim të thelluar mbi proceset politike, gjeopolitike dhe integruese që ndikojnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe kryesisht në Shqipëri. Ky koleksion esesh përçoi tek unë një përshtypje pozitive për shkak të qasjes vizionare të autorit dhe analizës së mprehtë për sfidat e sotme jo vetëm rajonale por edhe globale. Mund të veçoj pesë teza nga ky libër: rëndësia e shkollës së mendimit evropian në Shqipërinë; integrimi evropian si proces i domosdoshëm për Ballkanin Perëndimor; kritika ndaj nismës së Ballkanit të Hapur; roli i fuqive evropiane në nxitjen e bashkëpunimit rajonal; dhe ndryshimet e gjeopolitikës në nivel global. Këto teza pasqyrojnë shqetësime, vizione dhe potenciale të shumanshme për zhvillimin politik dhe ekonomik të rajonit. Në vijim, do të komentoj shkurtimisht secilën prej tyre.

Së pari, Gjinali argumenton se kultivimi i mendimit evropian është jetik për të ardhmen e Shqipërisë, pasi ky mendim simbolizon avancimin drejt demokracisë, zhvillimit ekonomik dhe integrimit kulturor. Duke u shkëputur nga ndikimet historike si sundimi osman dhe regjimi komunist, sipas tij Shqipëria mund të krijojë një bazë të re mendimi që i përshtatet sfidave moderne. Ky proces nuk është i thjeshtë, por ai është thelbësor për ta pozicionuar vendin tonë në strukturat evropiane dhe atlantike.

Në vijim të logjikës së autorit, megjithëse ideja e kultivimit të mendimit evropian është e rëndësishme për Shqipërinë, zbatimi i këtyre parime në një realitet shqiptar ku institucionet shpesh përballen me korrupsion, mungesë të sundimit të ligjit dhe polarizim politik, mbetet sfidues. Për më tepër, nëse kultivimi i këtij mendimi mbetet vetëm në nivel teorik ose në nivele elitare, pa përfshirjen e plotë të shoqërisë, ai do të ketë ndikim të kufizuar.

Megjithatë, Gjinali meriton vlerësim për sjelljen e një perspektive që lidh progresin e Shqipërisë me përqafimin e mendimit evropian, duke sfiduar status quo-në dhe trashëgimitë e dëmshme historike. Si përfundim të këtij argumentimi të parë, mund të theksoj se kjo tezë hap një diskutim të domosdoshëm mbi mënyrën sesi Shqipëria mund të ndërtojë një identitet të bazuar në vlera demokratike dhe bashkëkohore, ndërkohë që duhet të distancohet nga përvojat e së shkuarës.

Së dyti, në këtë libër theksohet qartë se integrimi evropian mbetet shtylla kryesore për stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit përmendet si një nismë që ofron një platformë të sigurt për avancimin e reformave, duke inkurajuar bashkëpunim rajonal dhe respektim të standardeve evropiane. Gjinali vë në pah se kjo është një rrugë pa kthim, e cila jo vetëm që forcon demokracitë e brishta të rajonit, por gjithashtu i mbron ato nga ndikime të huaja destabilizuese.

Megjithatë, vlen të theksohen disa pika: integrimi evropian shpesh shoqërohet me varësi të rajonit nga mbështetja financiare dhe teknike e BE-së, gjë që mund të pengojë zhvillimin e një vetëqëndrueshmërie të vërtetë dhe të shtyjë rajonin të ndjekë reformat më shumë për përfitime të jashtme sesa për përmirësim të brendshëm; edhe pse Procesi i Berlinit ofron një platformë për bashkëpunim, ngadalësia e procesit të integrimit mund të shkaktojë zhgënjim te vendet e Ballkanit Perëndimor; dhe rruga drejt integrimit shpesh nuk arrin të përfshijë mjaftueshëm aktorët lokalë, duke rrezikuar që reformat të mbeten vetëm në nivel qeveritar.

Nga ana tjetër, siç nënvizohet qartë edhe nga autori, Procesi i Berlinit ka meritën e organizimit  të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe promovon bashkëpunimin ndërkufitar në fusha kritike si ekonomia, infrastruktura dhe politika sociale. Përmes standardeve evropiane, vendet e rajonit fitojnë një kuadër solid për të adresuar çështje si korrupsioni, pavarësia e institucioneve dhe sundimi i ligjit. Për më tepër, integrimi ndihmon në kufizimin e ndikimeve negative nga fuqi të tjera që synojnë të shfrytëzojnë dobësitë politike dhe ekonomike të rajonit.

Së treti, autori shpreh skepticizëm të thellë ndaj nismës së Ballkanit të Hapur, teksa e cilëson atë si një projekt me agjenda të dyshimta dhe liderë autokratikë. Ai argumenton se kjo nismë shpesh u përdor për të devijuar vëmendjen nga reformat thelbësore dhe për të relativizuar prioritetet evropiane. Duhet të theksoj se tashmë kjo është një nismë e perënduar, siç parashikon mes rreshtave ky studiues i gjeopolitikës.

Edhe pse Gjinali kritikon nismën e Ballkanit të Hapur, nuk mund të mohohet se në parim kjo nismë kishte potencial për të lehtësuar tregtinë dhe për të përmirësuar lidhjet ekonomike në rajon. Ndonëse tashmë e falimentuar, siç u përmend më sipër dhe siç e ka parashikuar autori, ndërsa Ballkani i Hapur kishte mangësi të theksuar, ajo mund të shërbente si një urë për përfshirjen e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë për të nxitur zhvillimin rajonal. Sidoqoftë, çfarëdolloj merite t’i jap unë për hir të luajtjes së rolit të kritikut, pa Kosovën në të, kjo nismë ishte e destinuar për dështim.

Mirëpo, Gjinali meriton lavdërime për evidentimin e tendencave autokratike të disa liderëve që promovuan Ballkanin e Hapur, duke theksuar nevojën për transparencë dhe demokraci në bashkëpunimet rajonale. Gjithashtu, vlerësimi i fokusit të autorit në domosdoshmërinë e një qasjeje të barabartë dhe të drejtë në bashkëpunimet rajonale është një aspekt rrit integritetin dhe qëndrueshmërinë e këtyre nismave. Këtë pikë mund ta lidh drejtpërdrejt me titullin e këtij koleksioni: Ballkani i Hapur nuk kishte kuptim gjeopolitik, por këtu nuk është hapësira për një trajtim më të plotë të këtij fenomeni.

Së katërti, Gjinali nënvizon se aktorë si Polonia, Çekia dhe Austria kanë një rol thelbësor në promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe euro-integrimit. Shembulli i Vishegradit dhe përvoja e tij historike tregon se bashkëpunimi dhe ndarja e eksperiencave mund të jenë mjete të fuqishme për të kapërcyer sfidat e Ballkanit Perëndimor. Duke u mbështetur në solidaritet dhe diplomaci, këto vende mund të ndihmojnë rajonin në përballjen e ndikimeve destabilizuese nga aktorë të jashtëm si Rusia.

Ndërsa me të drejtë Gjinali thekson rolin pozitiv të Polonisë, Çekisë dhe Austrisë, mund të argumentohet se ndikimi i tyre është i kufizuar në krahasim me aktorë më të fuqishëm si Gjermania dhe Franca – dhe sigurisht SHBA – në kuadër të sigurisë euroatlantike. Kjo mund të kufizojë efektivitetin e këtyre vendeve në Ballkan. Vendet e përmendura shpesh kanë qasje të ndryshme ndaj vetë politikave evropiane dhe rajonale, gjë që mund të dobësojë koordinimin dhe ndikimin e tyre në promovimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkan. Në fakt, edhe këto vende nuk janë plotësisht të imunizuara ndaj presioneve të jashtme, duke përfshirë ndikimin ekonomik të Kinës ose sfidat politike brenda BE-së, të cilat mund të ndikojnë negativisht në përpjekjet e tyre për të mbështetur Ballkanin.

Sidoqoftë, Gjinali vë në pah grupin e Vishegradit si model për bashkëpunim rajonal. Ky grup tregon se ndarja e eksperiencave dhe bashkërendimi mund të ndihmojnë në kapërcimin e sfidave politike dhe ekonomike. Autori meriton vlerësim për theksimin e rolit të këtyre vendeve në përballjen me ndikimet destabilizuese nga Rusia, duke ofruar një zë të fortë në mbrojtje të demokracisë dhe stabilitetit.

Së pesti, autori thekson tezën e ndryshimeve të gjeopolitikës në nivel global. Konflikti në Ukrainë dhe transformimet globale janë temat kryesore të analizës së Gjinalit për ndryshimin e rendit botëror. Ai thekson se kufijtë dhe sfidat e tyre të paqartë vazhdojnë të jenë burim konfliktesh. Një rend i ri botëror, sipas tij, duhet të mbështetet në bashkëpunim të ndërvarur, duke inkurajuar barazinë midis vendeve dhe duke shmangur politikat hegjemoniste. Perspektiva e tij reflekton nevojën për një qasje më të drejtë ndaj stabilitetit dhe sigurisë globale.

Këtu mund të nënvizoj se, edhe pse Gjinali thekson rëndësinë e një rendi botëror të bazuar në bashkëpunim dhe barazi, mund të argumentohet se kjo qasje idealiste është vështirë të realizohet në një botë të dominuar nga interesa kombëtare dhe pabarazi ekonomike të thella. Nga ana tjetër, Gjinali meriton vlerësim për evidentimin e rëndësisë së bashkëpunimit midis vendeve. Ai ofron një analizë të vlefshme për rolin e kufijve dhe sfidave të tyre si shkak kryesor i konflikteve, duke nxjerrë në pah rëndësinë e zgjidhjeve diplomatike dhe respektimit të sovranitetit. Vizioni i tij për një botë më të drejtë dhe të balancuar është një thirrje që nxit reflektim dhe përfshirje nga aktorët globalë për të adresuar pabarazitë dhe politikat hegjemoniste.

Përmes këtyre analizave, në koleksionin te eseve “Filozofia e Gjeopolitikës”, autori Ardit Gjinali ofron një kontribut të vyer në kuptimin e sfidave dhe mundësive që lidhen me integrimin, stabilitetin dhe ndryshimin global. Këto sfida dhe mundësi nxisin reflektim dhe veprim konkret për të ardhmen e Shqipërisë dhe rajonit.

Të korruptuarit dhe të propagandizuarit

BEN ANDONI

Studentët beogradas dhe ata novisadas prej ditësh po e trandin Serbinë dhe pushtetin tejet autokratik të Vuçiq. Aksioni i tyre po projekton ndikimin te shumë kolegë jashtë vendit, lidhur me formën e përballjes ndaj autokratëve. Aq shumë prodhojnë lajme në median e huaj, saqë prirja e tyre po mirëpritet si një nga mjetet për të trandur autokratët bajagi të shumtë të demokracinë post ‘90. Dhe, nuk janë pak. Në Ballkan i kemi para syve dhe janë pothuaj në të gjitha vendet tona, kush më shumë e kush më pak në pushtet: në Evropën Qendrore kulmon Orbani dhe modeli i tij “hungarez”; në atë të Lindjes kemi drejtuesit sllovakë e çekë dhe, më thellë drejt Azisë, vetë Putinin, Carin modern rus.

Në Bullgari situata do të ndryshonte pak kohë më parë, kur një grup teknokratësh të rinj sfiduan sistemin politik të Sofjes. Në vitet e fundit kemi edhe raste të tjera sporadike, por që të gjitha mbesin në fund… Nuk është vendi për t’u ndalur te të gjitha dhe veçmas, porse është e habitshme pse nuk përfitohet në Shqipëri? Pse nuk kemi marrë shembuj, që mund t’i trandin të korruptuarit dhe të ndryshohen elitat? Njësoj si në vendet e lartpërmendura, ajo që i bashkon të gjitha vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore është një fill gati i përbashkët, që mund të konsiderohet edhe si emërues: Sistemi i ri demokratik është shumë i korruptuar dhe përpjekja e vetme është ta ndryshosh në burim, ose me një deux at machina; populli mbetet shumë i propaganduar, nuk ka si shpjegohet që autokratët pëlqehen dhe nuk e lëshojnë pushtetin; e përfundimi që mbetet është se: problemet mbeten shumë të mëdha në demokracitë e reja. Jo më kot, hapësirat tona në Ballkan po boshatisen, ashtu si popullsia shqiptare po përgjysmohet, kurse pjesa intelektuale, që do mbante barrën është gjithnjë e më shumë në ikje.

Përllogaritjet e ekspertëve të INSTAT-it kanë treguar se Shqipëria deri në vitin 2020 kishte përqindjen më të lartë në rajon të emigrimit të njerëzve të arsimuar dhe studentëve, që jetojnë jashtë vendit (Monitor, 2024). Problemi duket më i majisur, kur mendon se prirjet që kanë përcjellë demokracinë në Evropën Lindore dhe Qendrore ka qenë një lloj lajmërimi edhe për ndryshimet, që do të ndodhnin në SHBA. Referimet dhe parashikimet e para në Evropë për mundësinë e ardhjes së Trump 1 i lanë me gisht në gojë njësitë amerikane të sondazheve dhe kolegët e përtej Atlantikut, që nënvleftësonin fuqinë Trump-janë prej luftës hibride, atë kibernetike dhe fuqinë e lajmeve të pavërteta. Historiani Timothy Snyder e ngriti narracionin e tij për këtë argument në sythin e 16 të traktatit “Mbi Tiraninë” shumë thjesht por me një simbolikë, që ai e merr nga realiteti amerikan.

Ai u kërkon bashkëqytetarëve të tij amerikanë të merrnin masivisht pasaporta, sepse nga një statistikë ku mbështetej, rezultonte se amerikanët nuk kishin shumë angazhim për dokumente udhëtimi. Vetëm duke parë dhe mësuar se ç’bëhej jashtë vendit, sidomos në Evropë mund të ndryshonin Amerikën. “Lufta do të jetë e gjatë. Edhe nëse ajo kërkon sakrifikim, fillimisht do të kërkojë vëmendje të vazhdueshme për botën përreth nesh, në mënyrë që ne të dimë se ndaj kujt po rezistojmë dhe se si mund ta bëjmë këtë më mirë”. Fjalët dhe referimet e Snyder lidhen vërtetë me mandatin e parë të Trump-1, por fillesat e Trump-2 po duken njësoj shqetësuese dhe treguan se publiku kudo tashmë nuk logjikon më për të ardhmen dhe ç’është më e keqja nuk i bën përshtypje asgjë. Mëtimet e Trump-2 për marrjen e Groenlandës, ‘bashkimin’ me Kanadanë, marrjen e Kanalit të Panamasë, madje për disa raste syresh duke përdorur dhe forcën ushtarake, po tregojnë pse propaganda dhe letargjia po e mbyt pak e nga pak idilin e demokracisë. Po ne shqiptarët e këtej dhe përtej kufirit pse jemi kaq të përgjumur?! Shqetësimi më “i madh” dhe i vetëm deri tani në Shqipëri është nëse administrata e re Trump do të heqë apo jo “non gratën” e familjes Berisha (!), ashtu si presin në të njëjtën kohë edhe në Republika Srpska, Serbi dhe pak vende në Ballkan. Lajmet e orëve të fundit, që ndjekin vendimin e tretë ekzekutiv të administratës Biden për korrupsionin, tregojnë se nuk do të jetë aq e lehtë sa mendohet në Tiranë, Beograd, Shkup, Banja Luka, Prishtinë etj..

Historia e deritanishme amerikane ka treguar se personat “non grata” nuk preken në “sikletin e tyre”. I vetmi fat i rajonit është se ende ka peshë të vogël në skakierën ndërkombëtare dhe jo atë që na prezantojnë politikanët ballkanas, kuptohet kur nuk plas ndonjë luftë dhe ky rajon i vockël ka eksportuar vërtetë luftëra të mëdha. Shtuar këtu edhe me shkatërrimet e luftërave të post viteve ‘90. Në Shqipëri nuk po e mësojmë dot, ashtu si vendet e tjera, se demokracia ka detyrime shumë të mëdha dhe kërkon vazhdimisht përpjekje për të mbajtur gjallë frymën e kontrollit ndaj institucioneve të vendit tënd dhe mbi të gjitha: pushteti nuk u lihet individëve të korruptuar. Vota është e vetmja që bën ndryshimin, paçka se edhe asaj i është gjendur marifeti prej propagandës. Ndaj, mbetet e habitshme sesa pak bën përshtypje korrupsioni në Shqipëri, ashtu si mungesa e kulturës së refuzimit ndaj së keqes. Nuk mbaron këtu: problem akoma më i madh është se nuk përfitojmë dhe nuk dimë të mësojmë. Të korruptuarit e administratës Rama nuk janë raste të veçuar, janë pjesë e një sistemi që me sjelljen e tij cinike dhe luksin e frikshëm po i largon të rinjtë, intelektualët, njerëzit e të gjithë fashave.

Mungesa e shpresës prej premtimeve të boshta të opozitës, të artikuluara nga z. Berisha, e shton edhe më shumë këtë trend. Ato pak momente reagimi të pakta në vitet e fundit kanë mbetur të ngulitura në kujtesën tonë për shuarjen e shpejtë dhe shpresën e paktë që ngjallën. Nuk po flasim për studentët, që pak vite më parë provuan diçka, që u shua nga përçarja, konfuzioni dhe mbi të gjitha mungesa e theksuar e kulturës së protestës, të cilën e shkatërrojnë maxhoranca me opozitën, gati me metoda të njëjta. Koha po tregon se demokracia mazhoritare është gjithmonë një udhë plot problematika, ngaqë nuk ofron mjaftueshëm stabilitetin e mjaftueshëm politik. Rasti i Shqipërisë po përshfaq se në këtë tollovi të përbotshme, politikanët marrin vetëm shembujt që u mbajnë pushtetin, kurse njerëzit nuk përfitojnë nga ajo shembuj që po bëjnë demokracitë, të cilat e kërkojnë ndryshimin. Është pak ironike, por duket e vërtetë. Në kohën e tij, një nga etërit e demokracisë klasike, Platoni, do të ishte edhe më i hidhur: Demokracia është një rrezik për shkak të vetë lirisë së tepërt! Veçse demokracia greke ishte e drejtpërdrejtë, jo ‘përfaqësuese’ si e jona, ku vota përfaqësohet nga njerëz që nuk e respektojnë zgjedhësin po thjesht vendimin e kryetarit të PS apo PD-së në parlament.

Grekët e vjetër nuk zgjidhnin njerëz që merrnin vendime për ta, ishin votuesit që i merrnin ato vendime. Kjo është larg përfytyrimit sot, ku të korruptuarit të qesëndisin, pushtetarët nuk “i largohen” dot pushtetit, kurse publiku i gjerë kontrollohet përmes indoktrinimit dhe propagandës. Rasti ynë është edhe më shqetësues, pasi ndikimi i demokracisë së huaj në fasha të ndryshme shoqërore është inekzistent, kurse vendin e drejton një miks forcash, ku “të pasurit dhe të fuqishmit kanë mësuar shumë kohë më parë të zgjedhin dhe të manipulojnë politikanët që pretendojnë se drejtojnë, por në fakt janë oligarkët që shkruajnë politikat aktuale të qeverisë”, citojmë David Spero në shkrimin “Why our democracy doesn’t work” (Pse nuk funksionon demokracia jonë?!), që i drejtohet rastit amerikan. Në fakt, ngjan si dy pika uji me rastin tonë, ku jemi përballë cinizmit të korrupsionit të frikshëm dhe publikut të propagandizuar në thelb, që nuk mëson dot nga përvojat e mira. Dhe, nëse në Amerikë duhej pasaporta, që të mësonin; në Shqipëri duhet që thjesht të dyshosh, për ata që e kanë krijuar këtë gjendje. Kaq “e pakët” është, por sa e vështirë për shpatullat tona.  (Homo Albanicus)

Reshjet e dëborës, përkeqësohet situata në Librazhd! Bllokohen rrugët e disa fshatrave

Përkeqësohet situata nga reshjet e dëborës më Librazhd.

Në fshatrat Stebleva, Borova, Zabzuni, Klenja dhe Sebishti janë bllokuar rrugës. Po ashtu mungon energjia elektrike pothuaj në të gjitha fshatrat.

Ndërkohë trashësia e dëborës ka shkuar në 80 cm.

Ky është vendi i BE që ka shprehur gatishmërinë për të pritur takimin mes Trump dhe Putin

Zvicra ka shprehur gatishmërinë e saj për të pritur një takim të nivelit të lartë ndërmjet presidentit të sapozgjedhur Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.

 

Kështu ka thënë për gazetën zvicerane Le Temps, Nicolas Bideau, kreu i komunikimit në Ministrinë e Jashtme të Zvicrës, shkruajnë mediat e huaja.

Sipas kësaj medie, Bideau iu referua samitit të paqes globale të mbajtur në Zvicër në qershor, duke thënë se pas samitit, Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë informuar rregullisht për gatishmërinë e Zvicrës për të lehtësuar iniciativat diplomatike.

“Pas samitit të Bürgenstock, Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara u informuan rregullisht për gatishmërinë tonë për të mbështetur përpjekjet diplomatike për të gjetur paqen”, ka thënë Bideau, cituar nga Le Temps.

Nuk janë caktuar plane apo data konkrete, megjithëse Moska tha se çdo takim ballë për ballë do të ndodhte vetëm pas inaugurimit të Trump më 20 janar.

Dimri ka “trokitur”, por çfarë ndodh me trupin kur bën papritur ftohtë! Këshillat se si duhet të veproni

Shqipëria dhe vende të tjera të Mesdheut gëzojnë një mot përgjithësisht të mirë me diell, por kur dimri troket, i ftohti është i mprehtë.

 

Sipas të dhënave i ftohti, veçanërisht kur ndodh papritur, ka një ndikim jo vetëm në shëndetin fizik por edhe në rritjen e nivelit të stresit.

Këto luhatje shëndetësore janë të rëndësishme dhe me to duhet patur kujdes.

Çfarë Ndodh me Ju Kur Bën Ftohtë Papritur?

Digjni më shumë kalori

Studimet, kanë treguar se ritmet bazë të metabolizmit ose djegia e kalorive pa aktivitet fizik rritet gjatë temperaturave të ftohta.

Kjo ndodh sepse trupi punon më shumë që të ngrohet.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ju duhet të qëndroni në të ftohtë gjithë kohën.

Gishtat tkurren

Gishtat tkurren gjatë vjeshtës dhe dimrit dhe enjten gjatë verës, thonë ekspertët.

Moti i ftohtë ngushton enët e gjakut në përpjekje për të ruajtur temperaturën e trupit.

Kjo do të thotë se gjaku qarkullon më pak nëpër gishta, rrjedhimisht duke i bërë ato të duken më të vegjël.

Dhimbje më të forta në gishta

Gjatë motit të ftohtë, disa njerëz vuajnë nga një simptomë e quajtur Sëmundja e Rejnaudit që shoqërohet me mpirje e të disa pjesëve të trupit si pasojë e të ftohtit ose stresit.

Kjo ndodh në zonën e duarve, këmbëve dhe veshëve dhe shkaktohet si pasojë e ngushtimit të enëve të gjakut që furnizojnë lëkurën me gjak.

Një gjë e tillë nuk është e rrezikshme por është e parehatshme dhe shkakton dhimbje.

Vishni rroba të përshtatshme dhe mos rrini shumë jashtë, thonë ekspertët.

Probleme me sytë

Kujdes me sytë gjatë të ftohtit.

Ekspozimi i tepërt në temperature të ftohta ndikon në shikimin tuaj.

Fytyra skuqet

Nëse gjatë ekspozimit në të ftohtë ën mëngjes ju skuqet hunda apo faqet atëherë duhet të dini se gjaku i anashkalon këto zona dhe fokusohet tek zemra ose mushkëritë.

Kur ngroheni gjaku rikthehet në rrugëtimin normal duke shkaktuar skuqje.

Probleme me zemrën

Kjo ndodh zakonisht tek të moshuarit dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare.

Rreziku është në rritje sepse trupi përpiqet të ruajë nxehtësinë dhe rrit presionin në zemër.

Kjo e fundit duhet të punojë fort që të furnizojë gjakun tek gishtat e duarve dhe këmbëve.

Luhatje humori

Moti i ftohtë ka ndikim të fortë në gjendjen tuaj shpirtërore.

Rënia e temperaturave nënkupton më pak ditë dhe dritë.

Rrjedhimisht, trupi merr më pak vitaminë D.

Mungesa e dritës dhe vitaminës shkakton depresion dhe çrregullime humori.

Suplementat e vitaminës D duhen marrë në konsideratë për të kuruar problemet me humorin.

Belgjika në grevë kombëtare/ Anulohen fluturimet dhe udhëtimet me tren

Belgjika u përfshi nga një grevë kombëtare të hënën, pasi punonjësit e trafikut ajror dhe hekurudhor u ngritën kundër planeve për reforma të pensioneve.

 

Rreth 40 për qind e fluturimeve për dhe nga Aeroporti i Brukselit – më i madhi i Belgjikës – u anuluan, pasi transportuesit e bagazheve, stafi i sigurisë dhe personeli tjetër ndërprenë punën.

Kompania ajrore, Brussels Airlines, tha të shtunën se është detyruar të anulojë paraprakisht gjysmën e fluturimeve të saj brenda Evropës, për t’i mbajtur në funksion linjat e largëta.

Operatori i aeroportit Charleroi – që është një ndër qendrat kryesore evropiane për linjën ajrore me kosto të ulët, Ryanair – tha se priten vonesa të konsiderueshme dhe anulime të mundshme.

Transporti hekurudhor pësoi gjithashtu – dy në tre trena që lidhin qytetet e mëdha, nuk funksionojnë.

Shërbimi i trenave u ndërpre edhe në Bruksel.

Greva mbarëkombëtare u thirr nga tri sindikatat kryesore të Belgjikës për të protestuar kundër reformave në pensione, që mund të miratohen nga qeveria e ardhshme.

Partitë belge janë ende në bisedime për të formuar një administratë të re federale, pas zgjedhjeve që u mbajtën në qershor.

Pesë partitë që po negociojnë për të arritur një marrëveshje koalicioni, planifikojnë ta rrisin moshën e pensionit për punonjësit e hekurudhave dhe të tjerët, që tani lejohen të dalin në pension të parakohshëm, sipas sindikatës CSC. Sindikatat planifikojnë të mbajnë edhe një demonstratë në Bruksel gjatë ditës./REL

Lufta me zjarret në Los Anxhelos, shkon në 24 numri i viktimave! Flakët vazhdojnë të shkrumbojnë vendin

Zjarrfikësit po bëjnë përpjekje t’i frenojnë zjarret në Los Anxhelos, që vazhdojnë të shkrumbojnë zona për të shtatën ditë me radhë.

 

Autoritetet evidentuan së paku 24 njerëz të vdekur si pasojë e zjarreve, ndërsa 16 të tjerë janë të zhdukur.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, tha se kjo mund të jetë fatkeqësia më e madhe natyrore në historinë e SHBA-së, pasi ka shkatërruar mijëra shtëpi dhe ka detyruar mbi 100.000 njerëz të evakuohen.

Sipas zyrtarëve, mbi 12.300 struktura janë dëmtuar ose shkatërruar.

Situatën pritet ta përkeqësojnë edhe erërat me shpejtësi 80 deri në 112 kilometra në orë, të cilat, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, nisën të dielën mbrëma dhe do të zgjasin deri të mërkurën.

Zyrtarët paralajmëruan të gjithë popullsinë e Qarkut të Los Anxhelosit – prej afro 10 milionë banorësh – se mund të urdhërohet të evakuohet nga flakët dhe tymi toksik.

“Këto erëra të kombinuara me lagështi të ulët relative, do ta mbajnë të lartë kërcënimin nga zjarri”, tha në një konferencë për media shefi i zjarrfikësve të qarkut të Los Anxhelosit, Anthony Marrone.

Çka i shkaktoi zjarret?

Sherifi i Qarkut të Los Anxhelosit, Robert Luna, tha se detektivët po vazhdojnë t’i hetojnë shkaqet e mundshme.

“Absolutisht, gjithçka është në tryezë”, tha ai.

Vitet shumë të lagështa të Kalifornisë më 2022 dhe 2023 i dhanë hov bimësisë, por ajo u tha vitin e kaluar për shkak të thatësisë, duke u shndërruar në drunj.

Megjithëse erërat e forta dhe mungesa e shiut nxisin zjarre, ekspertët thonë se ndryshimi i klimës po i rrit, gjithashtu, gjasat për zjarre të tilla.

Zjarret në Los Anxhelos mund të rezultojnë si më të kushtueshmet në historinë e SHBA-së.

Sipas një vlerësimi paraprak të mediumit AccuWeather, vlera e dëmeve mund të arrijë deri në 150 miliardë dollarë./REL

Reshjet e dëborës, si paraqitet situata në akset rrugore

Reshjet e dëborë kanë vazhduar përgjatë natës në zonën veriore dhe juglindore, shoqëruar me rënie të temperaturave dhe erë.

 

Raportohet se të gjitha segmentet rrugore nacionale janë të hapura dhe të qarkullueshme, ndërsa në akset me prezencë dëbore rekomandohet përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve

Akset problematike

  • Në akset: Vaudejes- Pukë-Fushë Arrëz-Kalimash vazhdojnë reshjet e  dëborës, në Qafë Mali trashësia e dëborës arrin deri në 50 cm, në Skurraj-Peshkopi në Kukës-Ura e Zapodit, Kukës-Krumë-Kam, Kukës-Bushtricë, Kuben-Vasije, Ura Fanit-Shpal, Shpal-Ura e Repsit ka pasur reshje dëbore të shoqëruar me erë që grumbullojne borë rekomandohen goma dimërore ose zinxhirë.
  • Në Rajonin Qendror në rrugën e Dajtit ka pasur reshje dëbore rekomandohen goma dimërore ose zinxhirë në Qafë Prisk-Qafë Mollë-Bizë, në km e fundit të rrugës Librazhd-Steblevë.
  • Në rajonin e  Korçës ka pasur reshje dëbore në Qafë Thanë, Qafë Plloçë, në Korçë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë, Ersekë- Leskovik, borepastrueset ndodhen në terren, rekomandohet përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirë, pasi mjetet me goma verore, krijojnë problematikë në qarkullimin e mjeteve, bllokojnë rrugën dhe kthehen në pengesë edhe për borëpastrueset.

Protesta masive në rrugët e Beogradit, studentët fajësojnë Vuçiç për korrupsion

Dhjetëra mijëra protestues kundër qeverisë mbushën rrugët e Beogradit të dielën duke ndezur dritat e telefonave celularë dhe mbajtur 15 minuta heshtje në nderim të viktimave nga shembja e çatisë së një stacioni treni, aksident për të cilin i fajësojnë autoritetet.

Protesta u organizua dhe u drejtua nga studentët e universitetit shtetëror të kryeqytetit serb, të cilët kërkojnë daljen përpara drejtësisë të personave përgjegjës për aksidentin.

Ata fajësojnë Partinë Progresiste Serbe (SNS) në pushtet të Presidentit Aleksandar Vuçiç për korrupsion dhe nepotizëm. Presidenti serb dhe partia e tij i kanë mohuar akuzat.

Studentët e universitetit shtetëror në Beograd, Kragujevc dhe Nish kanë pezulluar mësimet për javë të tëra duke kërkuar publikimin e të gjitha dokumenteve që lidhen me rinovimin e stacionit të shembur, si dhe ndjekjen penale të zyrtarëve përgjegjës për fatkeqësinë.

Çdo ditë përpara fakulteteve të tyre studentët bllokojnë trafikun për 15 minuta për të përkujtuar 15 viktimat.

Tenda prej betoni e çatisë së stacionit të trenit, e rinovuar kohët e fundit, u shemb më 1 nëntor duke u marrë jetën 14 individëve dhe plagosur tre të tjerë. Një i plagosur humbi jetën më vonë.

Udhëheqësit e opozitës dhe qytetarët serbë kanë zhvilluar protesta të vazhdueshme, duke thënë se aksidenti ishte rezultat i korrupsionit dhe nepotizmit qeveritar.

Qeveria e koalicionit i mohon akuzat ndërsa Presidenti Vuçiç ka thanë se individët përgjegjës duhet të japin llogari.

“Kemi vite që jemi të pakënaqur. Jemi këtu për të shprehur revoltën tonë ndaj autoriteteve dhe për të mbështetur studentët”, tha protestuesja Tamara Kovaçeviç./VOA

“Jam gazetare, dua një intervistë”- Historia e panjohur e shqiptarit më të famshëm në Boston: Kur i thashë jemi patriotë, të dy nga Korça, ai m’u përgjigj…

Nga ROZI THEOHARI

REKUIEM PËR ANTON ATHANASIN, IKONA E BOSTONIT –

Ishte pasditja e së premtes së 20 majit 2005, kur, me telefon, mikja ime amerikane, Ann Negri, më lajmëroi se Anton Athanasi, kishte ndërruar jetë. Hapa emisionin e lajmeve lokale në tv dhe u përballa me fotografinë e të ndjerit: Antoni i ri, me një kostum blu, shik, me një buzëqeshje të çiltër, me dy vetullat e zeza kaleshe, karakteristike për fytyrën e tij dhe dy sy depërtues. Spikerja përsëriti disa herë lajmin: “U shua Anthony, ‘Albanian restaurateur’, themeluesi i Antony’s ‘Pier 4”, përfaqësuesi i veçantë dhe i respektuar i njërit prej brezave më madhështorë të komunitetit të qytetit të Lynn-it e të Bostonit, i cili dikur tha: “Hard ëork” (puna e vështirë), e ndërtoi këtë vend (Amerikën)”…! Ai luftoi tre vjet me sëmundjen e Alzheimer-it, deri sa ajo e mundi…”!

Një ndjenjë nderimi, krenarie, përzier me ngashërim me përshkon trupin. Qëndroj disa minuta në dritare, ku përballë, në krye të një masivi shkëmbor, në breg të oqeanit, pronë e familjes Athanas, ngrihet hijerëndë e luksoz një nga restorantet e tyre të dëgjuara, “Anthony’s Hoëthorne-by-the sea”, në Swampscott. Dallgët e bardha të oqeanit afrohen me radhë njëra pas tjetrës e godasin butësisht, muret-kështjellë të ndërtesës, si të sjellin ngushëllime për humbjen e të zotit.

Sjell ndër mend një ditë vjeshtë të 1994-ës, kur qëndroja e hutuar dhe e mahnitur në hollin e restorantit “Pier 4”, në Boston, e vështroja për herë të parë atë luks e mirëqenie e, s’më besohej se gjithë ai kompleks aristokratik, ishte pronë e një bashkatdhetari!

– “Hë, moj shqiptarkë, ke ardhur edhe ti të kërkosh punë”?!

U ktheva menjëherë dhe u ndodha ballë për ballë me zotin Athanas, i cili po buzëqeshte plot mirësi: “- Kemi vende të lira vetëm në kuzhinë, por aty është punë e rëndë, për ju gratë…”! Në fillimin e viteve ’90-të, emigrantët e parë shqiptarë, iu turrën industrisë kulinare. Restorantet e Antoni Athanasit hapën dyert dhe punësuan dhjetëra djem e vajza shqiptare.

– “Unë jam gazetare, – i thashë shpejt e shpejt, – dëshiroj të marr një intervistë nga ju…”!

Ai më tha: “Mirë se erdhe”, toku dorën me mua e më ftoi të uleshim në një kolltuk pranë vatrës gjigante, ku digjeshin dy gërxhele.

– “Dëgjo këtu…, prej nga të kemi”?

– “Nga Korça…, jemi të dy patriotë”!

– “Unë jam patriot me të tërë shqiptarët…, por dije se nuk kam kohë…, i kam edhe minutat të numëruara”.

Ai bëri të ngrihej, unë e sulmova me pyetje.

– “Më vjen keq, të thashë s’kam kohë”! – Ai me përshëndeti me mirësjellje dhe ngjiti me nxitim shkallët, ku e prisnin dy kameriere.

Po atë vjeshtë, për festen tradicionale të 28 Nëntorit, u mblodhën shqiptaro-amerikanët e Bostonit, si çdo vit, të kremtonin Ditën e Flamurit, në “Pier 4”. Sallat dhe interierët e restorantit, ishin zbukuruar me flamurë kombëtarë e drita shumëngjyrëshe, të cilat feksnin dukshëm në sfondin blu të oqeanit përtej vetratave. Tek ngjitja shkallët e shtruara me kadife vishnje, më zuri syri zotin Anton Athanas, i cili po mbante me zor një tavolinë të madhe, i ndihmuar edhe nga një kamerier. Ne të ftuarit që vinim për herë të parë, mbetëm gojëhapur, tek shihnim atë skenë. Iu afrova zotit Anton, e i pëshpërita: “Nuk u gjendka një kamerier tjetër, për këtë punë”?!

Ai, sa më pa, u kujtua për intervistën e ma preu: – “Jemi jashtëzakonisht të zënë…, kanë ardhur shumë të ftuar…, duhen tavolina…”! Duheshin tavolina të tjera e të tjera çdo vit që festohej 28 Nëntori në “Pier 4”, sepse njerëzit vinin mizëri në atë manifestim madhështor, në mjediset e restorantit modern, me ushqim të bollshëm e të zgjedhur, të pritur me dashuri e respekt, nga zoti e zonja Athanas.

Një vit më vonë, në një ditë nëntori, tek i bija ziles së telefonit të sekretares së “Pier 4”, për të rezervuar biletat e festës, m’u përgjigj një zë burri:

– “Mos fol anglisht, – më tha, – e kuptoj qe je shqiptarkë”.

Ishte zëri i Anton Athanasit. Ai pyeti për emrin tim dhe sa bileta doja.

– “Më falni, zotëri, po pse u dashka të merreni ju edhe me listën e të ftuarve”…?!

– “Sepse sekretarja ka shkuar në bankë dhe unë po qëndroj te telefoni deri sa ajo të kthehet”. Ai qeshi se më njohu nga emri e, duke u shfajësuar, më tha:

– “Tashti, po deshe, bisedojmë, se jam në qetësi…por bjeri shkurt”.

Unë u stepa për një çast. Nuk më ndodhej pranë as letër, as laps. Para se ta merrja veten, ai filloi të fliste ngadalë e me humor e, u ankua se u shmangej intervistave të gazetarëve, të cilët shpesh, i “vidhnin” kohën. E pyeta në e mbante mend ditën e parë të ardhjes në Amerikë dhe ai m’u përgjigj: – “Po.”Anton Athanasi e pa Statujën e Lirisë për herë të parë, në vitin 1915, në moshën 5- vjeçare”.

“A u menduat shumë kur niset biznesin e parë”? – e pyeta.

“Amerikanët përdorin një shprehje të ngjashme: ‘Kur e bën ai, pse të mos e bëj edhe unë’? Kjo ishte shtytja e parë…! Kur e ke filluar punën pa frikë, kur e ke marrë në sy dështimin dhe kur nuk kënaqesh nga ajo që ke arritur, vazhdo…vazhdo… se e ke rrugën të hapur”, – u përgjigj ai.

“Pse ju zgjodhët pikërisht biznesin e restoranteve”? – e pyeta.

“Sepse është rruga më e lehtë të fillosh një biznes, – u përgjigj ai, – merr me qira një lokal, fillon të blesh ushqimet, të gatuash e, t’i tregtosh. Më vonë, me fitimet e blen lokalin dhe zgjeron biznesin. Italianët dhe grekët, që kishin filluar para nesh, na dhanë një eksperiencë të mirë”!

“Ju përmendët zgjerimin e biznesit, kaq shpejt arrihet ai”?!

“Ai nuk arrihet kaq lehtë…! Dëgjo tani…mund të bëj një krahasim me çfarë thotë Bibla…! Ju mund të ndërtoni një shtëpi mbi rërë shumë shpejt, por të ndërtosh një shtëpi mbi shkëmb, ka vështirësi, do mund, lodhje. Po kur vjen tufani, shtëpinë e rërës e shkatërron dhe e hedh tutje, ndërsa shtëpia mbi shkëmb, qëndron e paprekur…! Unë nuk punoj shkel e shko e, vetëm për të sotmen…! Unë ‘ndërtoj mbi shkëmb’, punoj e lodhem shumë e mendoj për të ardhmen…”!

“Babai im, – i thashë, – kur është larguar nga Shqipëria, për në Amerikë, ka udhëtuar pothuaj në të njëjtën kohë me ju dhe në të njëjtën rrugë, nga Korça në Pire, Greqi, me kuaj e, më tutje me vapor. Edhe ai punoi rëndë e, bleu një restorant në Detroit…! Gjithë jetën më ka ngacmuar kureshtja, sesi do të jetonim, sikur të na kishte marrë edhe ne babai, në Amerikë…”!

“Ndoshta sot nuk do të mbaje në dorë penën, por thikën në kuzhinën e restorantit,” – tha ai me humor. U ngjetha kur mendova se edhe familja jonë, do të kishte kaluar rrugën e mundimshme e me plot të papritura të familjes Athanas, prej ditës së mbërritjes në “tokën e premtuar”! Prindërit e Antonit u vendosën në qytetin Nju-Bedford dhe gjetën punë në një fabrikë pambuku, me një pagë të ulët, ndërsa Antoni i vogël, ndihmonte xhaxhanë të shiste fruta e perime, me një karrocë që e shtynte me dorë në Fanueil Hall, aty ku sot ngrihet ‘Quincy Market’.

“Nëna ime, – psherëtiu Antoni, – qysh në vogëli më kishte mësuar të isha punëtor, nikoqir e t’ua kaloja moshatarëve. Babai, Simoni, ishte këmbëngulës të mos e kaloja kohën kot. Më jepte një shportë me banane e më thoshte: Po nuk i shite të gjitha bananet, mos më hajde në shtëpi’. Unë vrisja mendjen, si të veproja. Zija vend në të dy anët e urës, ku kishte kalimtarë më shumë dhe arrija t’i shisja të gjitha. Kështu më mbetej pak kohe e lirë të kthehesha në shtëpi e, të kryeja detyrat e shkollës”.

Anton Athanasi e ka pas dashur shumë të ëmën dhe ka vazhduar ta kujtojë e ta respektojë pas vdekjes se saj. Në një nga zyrat e tij, është i varur në mur portreti i Evangjelia Athanas-it. Ai dëshironte të ndërtonte në Shqipëri një spital të madh, me emrin e nënës së tij…! Antoni e përmend nënën e tij edhe për diçka tjetër. Ai ka deklaruar para gazetarëve e vendeve publike, se ishte pikërisht nëna e tij, e cila e solli farën e kosit me vapor, nga fshati Trebickë dhe ai e cilëson: “Our Culture”. “Ne shqiptarët e sollëm në Amerikë farën e kosit”…! Ishte tharmi i vendlindjes, ishin traditat e familjes shqiptare që, duke udhëtuar mbi Atlantik, fillonin të hidhnin rrënjë pak nga pak, në kontinentin e ri.

Në moshën 13 vjeç, Antoni e la shkollën e gjeti punë në një fabrikë të Bedfordit. Detyra e tij ishte ndezja e sobave me dru e qymyr, për zyrat e shefave, punë të cilën, siç thotë ai, e kishte kryer edhe në shtëpi, tok me motrat e vëllezërit. Ai punonte 7 ditë në javë e, shpinte në shtëpi 12 dollarë. Më vonë ai punoi si “busboy” dhe kamerier, në një nga restorantet e dëgjuar të qytetit. Ai ishte i pari shqiptaro-amerikan që punonte në atë restorant dhe kur u kthye në shtëpi nga dita e parë e punës, u duartrokit nga njerëzit e familjes dhe miqtë.

Pesëdhjetë vjet me vonë, në një fjalim mbajtur në “Fanuiel Hall”, para më tepër se 400 pjesëmarrësve, ai tha: “Në qoftë se ju mendoni se jam i suksesshëm tani, ju duhet të më shikonit mua atëherë”. Në moshën 14 vjeç, ai punonte si pjatalarës, por një grevë e gjatë punëtorësh e dobësoi ekonominë e Bedfordit, kështu Antoni lëvizi në Nju- Jork, ku punoi tek restoranti i xhaxhait tjetër. Aty Antoni kreu të gjitha llojet e punëve, që ka një restorant, përveç punës në zyrë, për të cilën ai nuk e vrau mendjen shumë, gjatë veprimtarisë së jetës.

Dhe erdhi një dite kur ai, me kursimet e fituara, hapi vetë në Nju-Jork një restorant të vogël 45-vendësh, me punësim për dy vetë, counter-service. Por ky hap i rëndësishëm në jetën e tij, u ndërpre shpejt, sepse për fat të keq, i vdiq i ati dhe u detyrua të kthehej sa më parë në Bedford. Djali 20-vjeçar, punoi në Nju Bedford, në fillim si kamerier e, më vonë kryekamerier, duke e ndihmuar familjen, me 3.000 dollarët e tij, të kursyera.

…”Kisha një shok të afërm, – përfundon Antoni, – ishim të dy korçarë e moshatarë, quhej Vasil. Me të shpesh i qaja hallet e i flisja për projektet që kisha në kokë. Një dite shkuam në plazh, të dy ishim djem të rinj, na pëlqente noti në oqean…! Duke qëndruar shtrirë në rërë, me sytë nga qielli, i thashë Vasilit se; dëshiroja të hapja në Lynn një lokal të vogël. ‘Hot Dog’. Ai e pëlqeu mendimin tim e, më inkurajoi…”!

Lynni është i përmendur si qendër industriale pranë Bostonit dhe si një qytet me popullsi të madhe emigrantësh. Banorët e parë kanë qenë anglezë, më vonë erdhën irlandezë, italianë, francezë-kanadezë, grekë, armenë e të tjerë, të cilët punonin në fabrikat e këpucëve. Antoni i kishte rënë lapsit, se hapja e një “Hot Dogu”, pranë këtyre fabrikave, do të kishte xhiro të madhe e do t’i sillte fitime të mëdha. Ai nuk e la dëshirën ta mundonte për një kohë të gjatë, por e hapi një lokal të tillë në Lynn.

Biznesi po i shkonte mirë, por nuk vazhdoi veçse disa muaj. Ishte koha e depresionit ekonomik, që përfshiu gjithë Amerikën, lokalet e dyqanet falimentonin shpejt dhe pronarët i shisnin me çmime fare të ulëta. Antoni, me intuitën e tij të tregtarit që s’e gënjeu kurrë, e shiti shpejt “Hot Dog”-un dhe bleu në ankand, restorantin më të bukur të Lynn-it.

Këmbëngulës për të ngritur një restorant me pamje tërheqëse dhe “first-class”, me 1938, ai hapi restorantin “Anthony’s Haëthorne” në doëntoën Lynn. “Hawthorne”, ishte mbyllur në kohën e depresionit ekonomik, por i krijoi mundësinë Antonit i cili, gjeti atë që kërkonte, për dy-tri mijë dollarë. Por në mbarim të vitit të parë, Athanasi fitoi 23.000 dollarë. Në fillimin e viteve ’50-të, “Anthony’s Haëthorne”, u bë restoranti me kapacitet më të madh me vend ulje, në gjithë Massachusettsin, me një fitim, me shume se një milion dollar në vit.

Duke iu referuar kronikave, Athanasi, megjithëse punonte 7 ditë në javë, e gjente kohën të merrej edhe me aktivitet patriotik, duke marrë pjesë në konferencat e mitingjet që organizonte kryesisht “Vatra” dhe organizata të tjera të diasporës. Ai ndjehej krenar, kur takohej me bashkatdhetarët dhe mësonte për sukseset që kishin arritur në biznes, në përvetësimin e një profesioni apo, në gradimet universitare.

Në fjalimin që mbajti në Festivalin shqiptar të Bostonit, në maj 1975, Antoni Athanas, midis të tjerash, tha: “…E quaj veten krenar që jam shqiptar…ka shumë gjëra për të cilat i jam mirënjohës dhe e falenderoj vendlindjen time…!E quaj veten të privilegjuar që jam rritur ‘në pëqirin e nënës’, në familjen time, që më edukoi sipas zakoneve e traditave shqiptare…! E quaj veten me fat, që kam njohur bishop Nolin, Faik Konicën e patriotë të tjerë, të cilët filluan Rilindjen e dytë të Shqipërisë…! Ideali i tyre ishte vëllazërimi i shqiptarëve, pa dallim feje e ideje… gjë për të cilën ndihmoi edhe Katedralja e Shën Gjergjit, e drejtuar nga At Noli…”!

Me tej, Antoni Athanas, përgëzoi punën e madhe dhe aktivitetin që kryente “Vatra” dhe “Dielli”, për të krijuar komunitetin shqiptaro-amerikan dhe institucionet e tij, për të edukuar grupin etnik të shqiptarëve, me qëllim që gjithsecili, të bëhej një qytetar i mirë amerikan. Dashuria dhe krenaria për atdheun e tij, e afroi Antonin me “Vatrën”, në krye të së cilës qëndroi për disa vite.

LEGJENDA “ATHANAS”

Në zonën e Boston-it, nëse i thua një amerikani; “jam shqiptar”, ai ta kthen: “Si Anthony”? Kaq familjare e popullore janë bërë pesë restorantet e tij “Athanas”, sa ky emër sot është bërë mit. Në pronësi të familjes Athanas, sot janë: “Anthony’s Haëthorne” në Lynn, i cili është hapur me 1938; “Hawthorne-by-the Sea”, ne Swampscott, i cili u hap me 1947 dhe sot është zgjeruar me “Anthony’s Pier 4 Café”; “The General Glover në Marblehead”, i cili është hapur me 1957; “Anthony’s Pier 4”, ne Boston Harbor, i cili është hapur me 1963; “Cummaquid Inn ne Cape Cod”, i cili është hapur me 1975.

Në të gjithë restorantet, sot janë të punësuar rreth 800 punonjës. Qysh prej fillimit të viteve ’90-të, një numër i madh kamerieresh, janë emigrantë shqiptarë, të cilët Antoni i zgjodhi sipas aftësive, paraqitjes profesionale dhe shkathtësisë. Klientët shqiptaro-amerikanë, të cilët frekuentojnë restorantet e familjes “Athanas”, gjithmonë e kanë ndier veten si në shtëpinë e tyre, duke komunikuar shqip me kamerierët dhe punonjësit e tjerë të shërbimit, aq me tepër nga kostumet e tyre (jelek e xhaketë të kuqe e, pantallona të zeza), që i përngjajnë flamurit tonë.

Gjatë aktivitetit të restoranteve në dekada, Antoni i jepte shumë rëndësi paraqitjes së mirë fizike dhe sjelljes së kamerierit. Tregojnë se pranë derës së kuzhinës së restorantit, ai kishte varur një pasqyrë të madhe e, poshtë saj shënimin me gërma të mëdha: “Në qoftë se nuk dukesh mirë, mos dil jashtë nga kjo derë”! Kamerieri, i ngarkuar me pjatat në tabaka, duhet të shihej në pasqyrë, para se t’i shërbente klientit. Ndoshta ky duket një detaj i vogël, por edhe ai ka kontribuar në rritjen e fitimeve të restoranteve “Athanas”. Me këtë përpikëri e disiplinë, kanë punuar edhe djemtë e tij.

Restorantet e familjes, sot administrohen nga katër djemtë e Antonit, Anthony Jr., Michael, Robert dhe Paul, të cilët u rritën bashkë me biznesin. Ata janë impenjuar në të dy sektorët e lokaleve, në atë të pasmin, kuzhinën dhe në atë të përparimin, zyrat. Ata filluan si “busboy”, kamerierë dhe arritën deri te pozicioni i menaxherit. Vëllezërit biznesmenë, punojnë si një skuadër e vetme, që të çojnë më tej nderin dhe lavdinë e familjes Athanas.

Ndërtimi i “Pier 4” në Boston Harbor, një “vapor-restorant”, ishte një ëndërr e Anton Athanas-it, e cila filloi qysh në vitin 1959, kur ai bleu sheshin e një hekurudhë të vjetër, në një vend të shkretë të Boston-it. Por sot aty ngrihet madhështore ndërtesa e një restoranti me fame, jo vetëm në Amerikë, por edhe në të gjithë botën. Ndërtimi dhe kompletimi i lokaleve dhe interierëve, përfunduan në vitin 1963. Antoni e përuroi restorantin, disa ditë para se të ndodhte vrasja tragjike e presidentit amerikan, Kenedi dhe kjo u ruajt në memorien e amerikanëve.

Në vitin e fillimit të funksionimit të restorantit “Pier 4”, Antoni, me zgjuarsinë e vet, ftoi për darke falas të gjithë shoferët e taksive të Bostonit, duke i thirrur edhe për kafe sa herë u binte rruga andej. Ky gjest u pagua mirë: shoferët filluan të sillnin me taksi klientë, të cilëve u propozonin të kalonin një ditë të mahnitshme, në një restorant akoma të padëgjuar mirë, aty ku klientët me të vërtetë mbeteshin të kënaqur e, filluan të propagandonin këtë vend. Vit pas viti “Pier 4”, u bë një magnet që tërhiqte yjet e kinematografisë, median e shkruar e televizionin, udhëheqës politikë dhe kremtime festash, nga e gjithë bota. Ne vaporin-restorant janë vendosur, i pari flamuri shqiptar dhe më tej flamurë nga e gjithë bota.

Muret e hollit të restorantit, janë të mbushura me fotot e vizitorëve të famshëm te “Pier 4”, përfshirë edhe Elisabet Taylor, Mery Griffin, John Carson, Don Rickles, Joe DiMaggio, Judy Garland dhe Wayne Nweton. Elita e politikanëve të Boston-it e kanë “Pier 4”, si vendin e takimeve, sidomos gjatë fushatave të zgjedhjeve, e vizitojnë senatorë e kongresistë. Aty janë organizuar gjithashtu qindra kremtime festash kombëtare shqiptare dhe takime të tjera të rëndësishme të diasporës shqiptaro – amerikane, të mbarë Amerikës, veçanërisht në festat e Nëntorit.

Që prej vitit 1963 dhe deri me 1981, të ardhurat vjetore të “Pier 4”, arrinin deri në 12 milionë dollarë. Më 1984-ën, në këtë restorant servireshin afërsisht 700.000 porcione ushqimi për çdo vit dhe u cilësua restoranti i 50-të, më i suksesshmi në Amerikë. Për 40 vjet, Anton Athanasi ka qenë një figurë e spikatur, në organizatat kulinare lokale dhe nacionale. Ai ka fituar një numër gradimesh, çmime dhe fletë-nderi ,përfshire dhe “Silver Plate Aëard”, nga “The International Foodservice Manufacturers Association”. Antoni Athanas, themeluesi dhe presidenti i restoranteve elegante të familjes, është një ndër personalitetet më të shquara të biznesit në Boston. Athanasi është ngritur shkallë pas shkalle, për t’u bërë modeli i Amerikës, në industrinë e restoranteve, duke personifikuar realizimin e ëndrrës amerikane.

Më 1967-ën, “Pier 4” në Boston, u cilësua një ndër restorantet më të mëdha të Amerikës dhe Anton Athanas, u nderua, duke fituar “The Golden Door Aëard of the International Institute of Boston” dhe “Business Executives Dining Award”, për tre vjet rresht. Anton Athanas, shërbeu edhe si president i “The Massachusetts Restaurant Association” dhe si anëtar i bordit të “The National Restaurant Association”, i cili më 1976-ën, u cilësua me emrin e “biznesmenit më të mirë të vitit”. Por me humorin e tij, Antoni përsëriste gjithnjë shprehjen proverbiale:

“Unë jam aq i mirë, sa ç’është gatimi im i fundit…”! Lista e çmimeve dhe dekorimeve të fituara prej tij, është pa fund. Ai u nderua me “Honory Doctor of Bussiness Administration degree”, nga Southeastern Massachusetts University, më 1977; “Diploma of Honor”, nga National Institute for the Foodservice Industry, më 1983; “Honorary Doctorate degree”, nga International Institute of Culinary Arts, ne Massachusetts; “The Lifetime Achievement Aëard”, nga Mass. Hospitality Association më 1999; si dhe nga dhjetëra organizata e institucione të tjera, ku zoti Anton, mban një vend nderi.

Deri në ditët e fundit të qëndrimit të tij në “Pier 4”, ai punonte ditë për ditë, 7 ditë në javë, në ditë të zakonshme arrinte në restorant rreth orës 10, kurse në ditët e festive, në orën 7 të mëngjesit dhe qëndronte aty, tërë ditën. Në fundjavë, punonte deri në orën 12 të natës. Ai inspektonte lokalin e madh të kuzhinës, çdo mëngjes, para se të vinin punonjësit e tjerë. Në intervistën dhënë një gazetari, Athanasi tha: “Çlodhem me atë që bëj. Shkurt, çlodhem duke punuar. Po e lë punën të le jeta—kjo është filozofia ime”.

Në kulmin e lulëzimit, në vitet 1960-’70-të, “Pier 4”, u bë vendi ku mblidheshin kastat e fuqishme të politikës, politikanë, bankierë, gjykatës, sportistë, yje të kinematografisë dhe festime të ndryshme. Antoni Athanas, një “multi-milioner”, që i fitoi paratë me mundin e djersën e tij, jo të dhuruara ose të trashëguara, përmendte gjithnjë me humor udhëtimin mbi një gomar të vogël, në moshën 5-vjeçare, si fillimi i rrugës për të ardhur në Amerikë. Ndërsa shumë vjet më vonë, kur ngiste makinën e tij “Mercedes”, thoshte: “Një makinë nuk është ndonjë gjë speciale për mua, është diçka, një mjet, që të çon këtu-atje e kaq. Por, dreqi ta hajë, të mbaron punë më shpejt se një gomar…”!

Unë mendoj se ai ishte pionieri dhe një shembull për ne të gjithë, ai bleu vendin e “Pier 4”, që asnjeri nuk do të dëshironte ta blinte dhe ishte i vetmi që mendoi, sesi do ta ndryshonte atë mjedis, vetëm me fantazinë e tij…! Aty vendosej fati i tij ose, më mirë, atë e udhëhoqi fati…! Njerëzit vinin e drekonin tek ai, si të tërhequr nga një ëndërr, vit pas viti. Rastiste që bujtësit prisnin edhe dy orë e gjysmë, për të zënë një tavolinë. Ai tërhoqi, jo vetëm vëmendjen e Amerikës! Memorie.al