Kjo ‘tezja’ që shpesh herë nuk e dinë se ku ndodhet – por që nuk harron se është Presidente e Maqedonisë dhe se vendin duhet ta mbrojë nga armiku i natyrshëm i tij, nga shqiptarët – gjithmonë ka qenë parimore.
Gjatë kohës së Millosheviqit ajo e mbronte Serbosllavinë e quajtur Jugosllavi nga rrënuesit e saj, kryesisht nga shqiptarët.
Përderisa ishte ministre e Gligorovit, ajo e mbronte Maqedoninë e pavarur nga kërkesat e shqiptarëve për arsimim në gjuhën amtare.
Sot, si Presidente e VLEN-it, ajo e mbron gjuhën maqedonase nga gjuha shqipe duke refuzuar të nënshkruaj dekretin për licencat dygjuhësore në çerdhe!
Ndërkohë duhet pranuar se edhe pushtetarët shqiptarë të këtyre tri dekadave të fundit kanë qenë parimorë dhe kanë përkrahur cilindo kandidat maqedonas për president që ka pranuar atyre t’ua nënshkruaj licencat e vasalit.
Sidoqoftë duhet thënë se gjërat nuk do ndryshojnë përderisa shqiptarët e këtushëm nuk e kuptojnë se emërtimi i gjuhës së tyre amtare si gjuha e ’20 për qindëshit’, nuk e tregon vetëm pafytyrësinë e përfaqësuesve të tyre politikë, por e shpërfaq edhe turpin grupor të shqiptarëve të Maqedonisë.
Pra pozita e shqiptarëve të Maqedonisë do ndryshojë vetëm atëherë kur ata do e kuptojnë se ka diçka edhe më poshtëruese se sa tjetri të të pështyjë në fytyrë: të ta përbuzë gjuhën e nënës.
Kur nisën punë në fasoneri* 15 vite më parë, gratë që punojnë në Kamëz dhe Bathore nuk e kishin menduar se edhe në dekadën e dytë të profesionit do të përballeshin me kushte të vështira pune. Ndërsa përvoja dhe aftësitë e tyre janë rritur, kushtet janë përkeqësuar dhe paga vazhdon të jetë minimale.
“Sot, jemi më keq se kur nisëm punë për herë të parë”, – tha një punëtore e fabrikës “Remal”.
Në këto ambiente, gratë punojnë orë të gjata dhe marrin paga minimale, ndërsa prodhojnë këpucë për markat luksoze.
“Na shfrytëzojnë deri në palcë”, – tha një punëtore që ka parë të njëjtën situatë në shumë fasoneri, ku mungojnë sindikatat dhe kontrolli institucional.
Me rreth 75 mijë të punësuar, sektori fason konsiderohet një ndër sektorët prioritarë të ekonomisë shqiptare, por punëtorët ankohen për kushte të rënda pune dhe trajtim jodinjitoz.
“Është një sektor që operon me normë fitimi shumë të ulët dhe ka sjellë shfrytëzimin e punëtorëve në mënyrë masive”,- deklaroi Suzana Lulaj, sekretare e Përgjithshme e Federatës së Sindikatave të Tekstilit, Konfeksioneve dhe Shërbimeve Artizanale të Shqipërisë, gjatë prezantimit të Ligjit gjerman për kontrollin e detyrueshëm në zinxhirët e prodhimit.
“Mungon kontrata kolektive sektoriale, sistemi i pagave vazhdon të dominohet nga paga me normë. Kur normat rriten artificialisht dhe punëtorët tanë nuk arrijnë të marrin dhe as pagën minimale”,-renditi ajo disa nga shqetësimet e këtij sektori, ndërsa pranoi se sindikata ishte e dobët dhe e pafuqishme për tu shtrirë te këto ndërmarrje.
Për shumicën e punonjësve të sektorit fason, marrëveshja “Clean Clothes” e nënshkruar nga disa kompani, që supozohet të sigurojë paga dinjitoze dhe kushte më të mira pune, është vetëm në letër.
Mirela Arqimandriti, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC), e cila prej shumë vitesh punon për monitorimin, ngritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen e grave që punojnë në sektorin e tekstileve e këpucëve, vë në dukje se “mekanizmat efektivë për raportimin e shkeljeve apo problematikave në vendin e punës pothuajse mungojnë në këtë sektor,” duke e bërë zgjidhjen e tyre tepër të vështirë.
“Edhe në rastet kur këto mekanizma ekzistojnë, ato janë kryesisht formale, të kufizuara në dokumente dhe të realizuara vetëm në kuadër të marrëveshjeve që lidhen midis prodhuesit shqiptar dhe kompanisë porositëse si detyrime ndërkombëtare por nuk janë funksionale në realitet,” tha Arqimandriti për Citizens.al.
Citizens.al publikoi një pyetësor duke marrë dëshmitë e 81 grave që punojnë në fasoneri. Të dhënat tregojnë se punëtoret ankohen për paga të ulëta dhe mungesë të kushteve bazë, përfshirë mungesën e ventilimit, lejeve, orëve shtesë të paguara dhe pushimeve zyrtare.
Sektori fason mbahet në këmbë nga gratë, të cilat përbëjnë rreth 87% të të punësuarve. Ato përgjithësisht janë pa arsimim dhe pa ndonjë kualifikim të veçantë.
I favorizuar nga kostot e ulëta të krahut të punës, sektori fason nisi të lulëzojë në Shqipëri 32 vite më parë. Fillimisht me ndërmarrje të vogla që merrnin përsipër vetëm një proces, pas viteve 2000 Shqipëria u pa si “parajsë” nga kompanitë e huaja për shkak të mungesës së kontrollit dhe sindikatave të dobëta.
Një studim i Qendrës “Aleanca Gjinore për Zhvillim“ gjeti se vetëm një përqindje e vogël e të gjithë punëtorëve të fasonerive janë pjesë e sindikatave, ndërsa konstatoi se “ka raste ku sindikatat janë krijuar nga menaxhmentet e fabrikës për të shënuar kutinë për klientët e tyre ndërkombëtarë”.
“Liria e organizimit është një nga të drejtat më të vështira për të treguar që po dhunohet. Nga puna jonë në sa e sa raste punëtorët mundohen të organizohen në sindikatat e tyre, dhe e kanë jashtëzakonisht të vështirë për tu regjistruar në mënyrë formale pasi nuk ju njihet kjo e drejtë”,- tha Artemisa Ljarja nga “Clean Clothes”.
Kushtet e vështira dhe mungesa e kontratave
Foto: Puna në sektorin fason në Shqipëri | Esmeralda Keta | Citizens.al
“Gjatë verës është shumë vapë, ndërsa gjatë dimrit shumë ftohtë”,- i tha Citizens.al një punëtore e fasonerisë në Lushnjë. Ajo dhe shumë të tjera tregojnë për mungesën e ajrimit dhe për ngushtësinë e hapësirave të punës.
Në kompaninë “Prodyn”, që prodhon për marka si “Prada” dhe “Clark”, një punonjëse tha se ka vite që punon pa kontratë pune, ndërsa pagesa është minimale.
“Pagën bazë e arrijmë vetëm nëse punojmë edhe të shtunave”- tha ajo, “plus që edhe po punove të shtunave i bie që do të shkojë brutoja në total mbi 500”.
Një tjetër dëshmon se në këto ndërmarrje, kontratat shpesh nuk u jepen punonjësve për të lexuar, por u kërkohet të firmosin në fletë të bardha.
Në ambientet e punës, punëtoret përballen edhe me presion të madh psikologjik. Një punëtore në fasonerinë “Albashoes”, që prodhon për firma si “Armani” dhe “Versace”, përmendi frikën e vazhdueshme të humbjes së punës dhe trajtimin me dhunë psikologjike: “Nëse nuk të pëlqen, ja ku e ke derën”, -këto fjalë dëgjohen shpesh në fasoneri.
Gratë ankohen se në ambiente të tilla ato nuk kanë kontroll mbi kohën e pushimit e as të përdorin tualetin. “Tani i kanë ndaluar të gjitha gratë të shkojnë në tualet para orës 10:30,”- tha një punëtore. Përveç lodhjes fizike, ato shprehin se dhuna psikologjike dhe trajtimi jo dinjitoz janë probleme të përditshme.
Problemet me kushtet e punës pranohen edhe nga Ingrit Sokoli, përfaqësuese e sindikatës për fasoneritë pranë TRIKOT në Shkodër.
“Punonjësit e sektorit fason në Shqipëri përballen me një sërë problematikash, të cilat lidhen kryesisht me kushte të papërshtatshme pune, pagë të ulët dhe mungesë mbrojtje ligjore”,- tha ajo për Citizes.al. .
Ajo shtoi më tej se shpesh pagat në sektorin fason janë shumë të ulëta krahasuar me standardet ndërkombëtare dhe me kostot e jetesës në Shqipëri.
“Paga minimale është shpesh e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat bazike”, -tha ajo, ndërsa shtoi se shumë punonjës punojnë me orë të gjata pa iu paguar orët shtesë.
“Kjo mund të çojë në lodhje të madhe dhe një cilësi të ulët jete”, – komenton Sokoli.
Sipas saj punonjësit në sektorin fason shpesh ndihen të ngujuar në pozita të ulëta dhe pa mundësi për avancim profesional, pasi shumë punëdhënës nuk investojnë në trajnime apo zhvillim të aftësive të punonjësve.
Edhe Mirela Arqimandriti nga GADC, thotë se në sektorin e fasonerisë, të drejtat e punonjësve shpeshherë nuk respektohen.
“Shumë punonjës punojnë me kontrata individuale, të cilat nuk i shohin, përveçse në ditën që i firmosin, çka i bën më të cenueshëm ndaj shkeljeve të mundshme. Edhe pagesat shpesh janë në nivele minimale dhe nuk reflektojnë kostot e jetesës, duke vështirësuar jetesën me dinjitet për punonjëset dhe familjet e tyre”, – thotë Arqimandriti.
Sipas saj gjendja nuk është aspak e mirë as sa i përket shëndetit dhe sigurisë: “kushtet e sigurisë janë shpeshherë minimale, dhe ndodh që punonjësit të punojnë në ambiente të papërshtatshme për shëndetin e tyre, duke rrezikuar dëmtimet apo sëmundjet e lidhura me punën, për te cilat nuk flitet fare”.
Edhe për praninë e mjekut, që është detyrim ligjor, Arqimandriti thotë se ai rezulton vetëm në letra për të dalë mirë përpara Inspektoratit të Punës, por nuk ushtron veprimtari kontrolli mjekësor.
Roli i Inspektoratit të Punës dhe institucionet e tjera
Foto: Puna në sektorin fason në Shqipëri | Esmeralda Keta | Citizens.al
Gratë tregojnë se nuk gjejnë mbështetje nga Inspektorati i Punës, institucioni që teorikisht duhet të mbrojë të drejtat e tyre.
“Kur bëhen ankesa në Inspektorat, ata e marrin vesh përpara,” – tha një nga punëtoret, duke shtuar se shpesh Inspektorati bashkëpunon me drejtuesit për të fshehur shkeljet.
“Një ditë një përgjegjëse i ka gjuajtur një punëtoreje. Kam marrë në telefon Inspektoratin dhe e kam raportuar me emër me mbiemër”,- tregon një prej punëtoreve.
“Kur erdhi Inspektorati, i thanë jo ajo është me raport lindjeje, ndërkohë që ne ishim aty e dinim që ajo ishte në punë. E fshehën atë”,- përfundon ajo.
Punëtoret pranojnë se Inspektorati shpesh “i mbyll çështjet tek zyrat e shefes”, pa i adresuar realisht problemet.
Edvin Prençe, kryetar i shoqatës “Pro-Export Albania”, tha se kushtet e punës janë përmirësuar krahasuar me të kaluarën, por theksoi se sektori fason në Shqipëri po përjeton një krizë. Sipas tij, rritja e kostove dhe zhvlerësimi i euros kanë bërë që numri i punonjësve të fasonerive të bjerë.
“Në dhjetor të vitit 2023, sektori fason kishte 75,000 të punësuar, por tani ky numër është reduktuar me rreth 7-8 mijë punonjës. Kjo ka ardhur për shkak të rritjes së kostove, humbjes së konkurrueshmërisë , ndërsa kursi i këmbimit të euros i ka nxjerrë jashtë tregut, jashtë konkurrueshmërisë bizneset shqiptare”, -tha ai.
Ai shtoi se fasoneritë që punojnë për kompani të huaja duhet të plotësojnë kërkesa të larta për certifikim, të cilat monitorohen nga bizneset e huaja dhe jo nga autoritetet shqiptare.
Ingrit Sokoli thotë se “shpesh ndodh që këto kompani (kompanitë e huaja) të imponojnë kushte të caktuara në lidhje me cilësinë e produktit dhe procesin e prodhimit”.
“Megjithatë, ndarja mes kushteve të punës që janë të garantuara nga kontratat me këto marka dhe kushtet reale të punës në fabrikat fason mund të jetë shumë e paqartë dhe shpesh nuk përputhen plotësisht me standardet që mund të presësh nga këto kompani”, – pranon Sokoli.
Pavarësisht krizës dhe Pandemisë Covid-19, të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se ky sektor ka njohur rritje. Në fund të vitit 2023 në vendin tonë ishin të regjistruara 1,015 ndërmarrje aktive që merreshin me prodhimin e këpucëve dhe veshjeve, nga 780 të tilla që ishin në vitin 2019. Megjithatë, ky numër mbetet ende larg shifrës prej 2,921 kompanish që operonin në vitin 2010, duke reflektuar një tkurrje të ndjeshme të sektorit gjatë dekadës së fundit.
Krahas sfidave, ky sektor ka shënuar përmirësime në eksport. Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e tekstileve dhe këpucëve arritën vlerën e 135 miliardë lekëve në vitin 2023, një rritje e konsiderueshme krahasuar me 102 miliardë lekë të regjistruara gjatë vitit të pandemisë, 2020.
Por duket se vitit 2024 nuk ka qenë i mbarë për sektorin fason. Të dhënat e INSTAT tregojnë se për periudhën janar-shtator 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 286 mld lekë, duke u ulur me -14,2 %, krahasuar me një vit më parë. Sektori fason ndikoi në këtë ulje me -5,1 pikë përqindje.
Uljen më të madhe ky sektor e shënoi përgjatë muajit shtator 2024, me 5.5 % më pak eksporte.
Sektori, i cili punëson kryesisht gra me arsim fillor dhe pa kualifikime specifike, në fillimet e tij ishte i mbizotëruar nga puna në të zezë dhe sistemi i pagesave me normë. Megjithëse sot është formalizuar, shumica dërrmuese e punonjësve vazhdojnë të marrin vetëm pagën minimale, duke reflektuar sfida të vazhdueshme në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës dhe të ardhurave.
Sektori aktualisht prodhon produkte për marka të njohura, duke rritur ambiciet e prodhuesve dhe zgjeruar gamën e prodhimeve. Aktualisht disa kompani të sektorit fason operojnë me cikle të plota për përgatitjen e një produkti me porosi nga brande të njohura e tregje të huaja.
Gjithsesi, është e domosdoshme që të vendosen dhe të zbatohen rregulla më të forta, të cilat jo vetëm respektojnë, por edhe zbatojnë në mënyrë kuptimplotë konventat ndërkombëtare që Shqipëria ka nënshkruar, përfshirë ato të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO). Ekspertët e lidhin sfidat e tanishme me boshllëqet ligjore dhe zbatimin e dobët të standardeve mbi kushtet e punës.
“Ligjet ekzistojnë, por shpesh zbatimi i tyre është i dobët. Mangësitë lidhen me mungesën e inspektimeve të rregullta dhe efikase, dhe shpesh shkeljet nuk ndëshkohen mjaftueshëm për të inkurajuar përmirësime”, -thotë Arqimandriti.
“Shfrytëzimi nga kompanitë ndërkombëtare dhe mungesa e standardeve sektoriale: Sfida për punonjësit shqiptarë”
Foto: Prodhimi i tekstileve në fasoneri | Citizens.al
Një pjesë e kompanive të huaja përfitojnë jo vetëm nga krahu i lirë i punës por edhe nga mungesa e transparencës dhe informaliteti në Shqipëri. Në një intervistë për Citizens.al, Artemisa Ljarja, nga “Clean Clothes Campaign” në Gjermani, tha se kompani të tilla shmangin përballien me standardet ndërkombëtare duke përdorur furnitorë të shumtë, kjo e bën të pamundur identifikimin e zinxhirit të plotë të furnizimit.
Për punëtoret e fasonerisë, marrëveshjet ndërkombëtare, si “Akordi i Bangladeshit” ** për të siguruar shëndetin dhe sigurinë në punë, shpesh nuk ndikojnë në përditshmërinë e tyre. Një punëtore në fasonerinë “Prodyn” tha se prej shumë kohësh ka punuar në këtë kompani pa kontratë, dhe vetëm një herë i është dhënë për të lexuar një kontratë tremujore. “Pas asaj kontrate nuk kemi parë më asgjë të shkruar,”- tha ajo.
Në zinxhirin e furnizimit të sektorit fason, ekziston një nivel i lartë pasigurie dhe paqartësie, që krijon vështirësi për të siguruar kushte të qëndrueshme dhe të parashikueshme për të gjithë palët e përfshira. Kjo pasiguri shpesh rezulton nga mungesa e transparencës, praktikat e errëta të kontraktimit dhe shmangia e nënshkrimit të marrëveshjeve formale nga furnitorët, të cilët tentojnë të minimizojnë rreziqet dhe ndëshkimet për shkeljen e kushteve të kontratave.
Kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë dhe besueshmërinë e furnizimeve, duke krijuar një mjedis të paqëndrueshëm për të gjitha palët e përfshira dhe duke penguar zhvillimin e një partneriteti të qëndrueshëm dhe afatgjatë mes markave dhe furnitorëve.
Mungesa e transparencës në zinxhirin e furnizimit, sipas ekspertëve, është një veprim i qëllimshëm, pasi furnitorët shpesh shmangin nënshkrimin e kontratave me markat e njohura për të evituar penalitetet e rënda.
“Nga studimi që kemi bërë edhe në vende të tjera, sidomos edhe në vende të BE-së me furnitorë të drejtpërdrejtë, nuk preferojnë vetë furnitorët të kenë kontrata sepse në momentin që ata nuk janë të aftë të përmbushin kontratën kanë penalitete të jashtëzakonshme nga brandet”, – thotë Artemisa Ljarja për Citizens.al.
Sipas saj kontratat e kompanive të mëdha përmbajnë disa standarde që janë shtesë për kompanitë në Shqipëri.
“Janë 8 konventat kryesore të ILO-s që kanë të bëjnë me punësimin e fëmijëve, nuk duhet të shkelet e drejta për tu organizuar; pagesa duhet të jetë pagesë e denjë. Puna e detyruar është element tjetër dhe mënyra se si ILO e përcakton punën e detyruar është shumë interesante sepse vlen edhe për punën në Shqipëri. Pra supozohet që ti duhet të marrësh pagën minimale maksimumi 48 orë pune në javë. Ndërkohë që ne kemi marrë vesh nga disa punëtorë që meqënëse ka pak punëtorë tani në Shqipëri, çfarë bëjnë, kanë rritur normën dhe i detyrojnë, lidhin normën me pagën minimale. Pra paga minimale nuk është e lidhur me 40 orëshin. Dhe kjo quhet punë e detyruar sipas Konventës së ILO-s”,- shpjegon Ljarja.
Pavarësisht se në Shqipëri prodhohen produkte për disa marka të njohura ndërkombëtare, është e vështirë të arrihet transparenca e plotë në zinxhirin e furnizimit. Kjo ndodh sepse jo të gjitha kompanitë shqiptare janë furnitore të drejtpërdrejta, ndërkohë që shumica operojnë përmes ndërmjetësve, kryesisht nga Italia. Kjo strukturë e ndërmjetësuar e bën të vështirë ndjekjen dhe identifikimin e saktë të burimeve të prodhimit dhe ndikon në mungesën e transparencës në proceset furnizuese.
“Prodhimi për marka të njohura ndërkombëtare, pa identifikimin e emrave të tyre ose të zinxhirit prodhues, e bën të vështirë monitorimin e fabrikave për të siguruar respektimin e të drejtave të punonjësve. Kjo mungesë transparence u jep mundësinë kompanive të shmangin përgjegjësinë për kushtet e punës dhe pagesat e ulëta,” – thotë Mirela Arqimadriti.
Edvin Prençe shtoi se shoqata e tij ka propozuar krijimin e një kontrate kolektive sektoriale që do të ndihmojë në sigurimin e të drejtave për punonjësit dhe për bizneset, duke specifikuar pagesat dhe të drejtat për çdo proces pune.
“Kjo do të ndihmonte në rritjen e transparencës dhe në përmirësimin e kushteve të punës,”- tha ai.
Ndërsa kriza në sektor vazhdon, të dhënat e INSTAT tregojnë se në fund të vitit 2023 ishin aktive 1,015 ndërmarrje fasoneri në Shqipëri, duke përfaqësuar një rritje krahasuar me vitin 2019. Prençe theksoi se sektori ka ende shumë sfida, përfshirë koston e lartë të prodhimit dhe humbjen e konkurrencës në tregjet ndërkombëtare.
Në Europë gratë përfaqësojnë 70% të forcës së punës në sektorin e tekstileve, në vitin 2022. Një studim i Qendrës Aleanca gjinore për Zhvillim ka gjetur se edhe në Shqipëri ky sektor dominohet nga gratë, që përbëjnë 87 % të të punësuarve.
“Shumica dërrmuese e këtyre grave kanë arsim fillor ose të mesëm dhe zakonisht paguhen me pagën minimale”, – citon studimi.
Ekspertët që merren me studimin e këtij sektori thonë se ndonëse dominojnë këtë sektor, shpesh gratë marrin paga më të ulëta sesa burrat për pozicione të ngjashme.
“Burrat janë më të pranishëm, në pozicione drejtuese, duke pasqyruar kështu një ndarje gjinore të theksuar në hierarkinë e kompanive,” shprehet Mirela Arqimandriti. Sipas saj, presioni psikologjik për të kapur normat e larta ditore është një tjetër faktor që ndikon kryesisht tek gratë, të cilat përballen me pritshmëri të larta për produktivitetin ditor.
Nën sloganin “Prodhuar në Shqipëri, veshur në tërë Evropën” shoqata Proeksport Albania që është përfaqësuesi zyrtar i industrisë së veshjeve dhe këpucëve në Shqipëri, thotë se kjo industri përfshin 700 fabrika aktive dhe “35 % e ofrojnë markën e tyre të veshjeve”.
Pavarësisht se liria e anëtarësimit dhe e negociatave për kontratat kolektive mbrohen si e drejtë kushtetuese në Shqipëri, vetëm një përqindje e vogël e të gjithë punëtorëve të veshjeve janë në fakt të sindikalizuar.
Sindikatat e dobëta, kanë bërë që punëtorët ti shohin me dyshim këto përfaqësime.
Sipas Mirela Arqimadritit, shumica e punonjësve nuk kanë informacion të mjaftueshëm për mbrojtjen që mund të ofrojnë sindikatat, sidomos në fabrikat e mëdha të prodhimit.
“Edhe aty ku ka një lloj njohjeje, ekziston një hezitim për t’u anëtarësuar për shkak të frikës nga presioni apo përjashtimi”, – shpjegon ajo. .
Situatën e pranon edhe Ingrit Sokoli, përfaqësuese e sindikatës për fasoneritë pranë TRIKOT në Shkodër.
“Punonjësit kanë frikë të flasin hapur për problemet e tyre, pasi mund të etiketohen si “problem” ose “të padëshiruar” nga punëdhënësit dhe kolegët, veçanërisht në një mjedis ku konkurrenca për vende pune është e ashpër, – tha ajo.
Sfidat e përditshme të punëtoreve të fasonerisë
Foto: Procesi i punës për prodhimin e këpucëve në fasoneri | Citizens.al
Punëtoret e fasonerive janë një grup grash energjike që mbajnë në këmbë ekonominë e familjeve të tyre. Shumë prej tyre janë krenare për punën që bëjnë, edhe pse kushtet janë të vështira.
“Këpucët që ne prodhojmë shiten për qindra e mijëra euro, por ne mezi mbajmë familjet tona me pagat që marrim,” -tha një nga gratë që punon në fabrikën “Remal”.
Ato përballen me dhunë psikologjike dhe një ritëm pune të lartë, që shpesh kërkon kryerjen e disa proceseve të ndryshme.
Një punëtore kujton vizitën e një drejtuesi italian, i cili vuri re se disa punëtore bënin nga dy ose tri procese dhe kërkoi që punonjëset të shtoheshin.
“Ai i kërkoi llogari përgjegjëses se pse punonjëset ishin të mbingarkuara. Shtuan punonjëse sa kohë ai ishte aty, por sapo u largua, i hoqën,”- tregoi ajo.
Një tjetër punonjëse kujtoi një rast të fundit kur e pushuan nga puna për një gabim të vogël gjatë një procesi, duke treguar pasigurinë dhe presionin e përditshëm që ndjejnë.
Disa nga këto gra kanë protestuar disa herë, dhe falë tyre kanë arritur disa fitore të vogla, si marrja pushim e disa ditëve të caktuara festive.
Një punëtore e “Albashoes”, që prodhon për firma si “Armani” dhe “Gucci”, përmendin presionin e vazhdueshëm që ndjejnë.
“Na bëjnë presion çdo ditë dhe është shumë e vështirë për të kërkuar të drejtat tona,”- tha ajo. “Na thonë se mund të na përzënë në çdo moment dhe kjo na e bën punën edhe më të vështirë.”
Inspektorati i Punës ka konstatuar shkelje në shumë fasoneri, përfshirë informalitetin dhe pagesën e papaguar të orëve shtesë. Nga viti 2020 e deri në qershor të këtij viti, Inspektorati ka kryer 6,414 inspektime dhe ka zbuluar 252 punonjës nën moshën 18 vjeç, ndërkohë që 48% e shkeljeve lidhen me mungesën e respektimit të kontratave dhe pagesën e orëve shtesë.
Sipas Ljarjes, standardet ndërkombëtare të ILO-s, të cilat garantojnë të drejtat e punës, nuk zbatohen gjithmonë siç duhet në Shqipëri. “Nuk ka transparencë për furnizuesit dhe mungojnë kontratat e drejtpërdrejta,” – tha ajo. Ajo vuri në dukje sfidat e shumta me të cilat përballet sektori fason dhe theksoi rëndësinë që kompanitë shqiptare të zhvillojnë marrëdhënie më të qëndrueshme dhe të përmirësojnë kushtet për punëtorët e tyre.
Nga ana tjetër, Prençe bëri thirrje për një ndryshim të qasjes brenda sektorit dhe propozoi krijimin e një “shkolle ekselence” që do të mundësonte certifikimin e lëndëve të para dhe ofrimin e trajnimeve për rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit. “Për të qenë konkurrues, duhet të kemi punonjës të mirëtrajnuar dhe kompani që inspirojnë besim,” – theksoi ai.
Sipas Prençes, për të kapërcyer krizën që ka prekur këtë sektor, është e nevojshme një ndryshim rrënjësor i filozofisë së punës. “Nëse deri dje kemi shitur vetëm krahun e punës, sot duhet të synojmë të jemi ‘Made in Albania’ me produkte autentike dhe prototipe. Duhet të bëhemi prodhues të të gjitha fazave të punës – nga blerja e lëndës së parë, deri te produkti final, që mund të jetë një brand apo një dyqan. Vetëm kështu mund të krijojmë vlerë të shtuar, të sigurojmë mbijetesën e sektorit, të bëjmë investime, të rrisim pagat dhe të tërheqim brezin e ri për t’u angazhuar në këtë industri,” – përfundoi ai.
Në përfundim, sektori fason në Shqipëri përballet me një sërë sfidash që ndikojnë si tek punonjësit, ashtu edhe tek konkurrueshmëria e kompanive. Gratë, të cilat përbëjnë shumicën e fuqisë punëtore, vazhdojnë të punojnë në kushte të vështira, me paga minimale dhe mungesë mbrojtjeje ligjore. Ndërkohë që formalizimi i sektorit ka sjellë disa përmirësime, mbeten ende shumë probleme që kërkojnë zgjidhje konkrete. Për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm, është thelbësore që qeveria, bizneset dhe organizatat ndërkombëtare të bashkëpunojnë për përmirësimin e kushteve të punës dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës, duke e kthyer këtë sektor në një shtyllë të fuqishme të ekonomisë shqiptare.
—
* Në Shqipëri, termi “fasoneri” përdoret për të përshkruar ndërmarrjet prodhuese që veprojnë kryesisht në sektorin e tekstilit, veshjeve dhe këpucëve, ku proceset e prodhimit kryhen në bazë të porosive nga kompani të huaja. Këto kompani zakonisht marrin lëndë të para ose gjysmë-produkte nga jashtë, i përpunojnë (qepje, montim, apo përfundim të produkteve) dhe më pas i eksportojnë përsëri në vendet e origjinës ose të tjera.
** Në nëntor 2023, markat dhe sindikatat ranë dakord për një Marrëveshje Ndërkombëtare që do të vazhdonte punën shpëtimtare të Marrëveshjes së Bangladeshit për t’i bërë fabrikat të sigurta pas rënies së Rana Plaza. Kjo marrëveshje do të mundësojë zgjerimin e mëtejshëm të punës në vende të tjera. Të gjitha markat që nënshkruajnë Marrëveshjen Ndërkombëtare duhet të nënshkruajnë të paktën një marrëveshje të një vendi. Të gjitha markat që nuk e kanë nënshkruar ende Marrëveshjen vazhdojnë të vënë në rrezik jetën e punëtorëve dhe ne u bëjmë thirrje atyre që të nënshkruajnë sa më shpejt të jetë e mundur. Marrëveshja Ndërkombëtare është nënshkruar nga 252 marka. Janë 129 nënshkrues të Marrëveshjes së Pakistanit dhe 213 kompani kanë nënshkruar programin e Bangladeshit. Kjo përmbledhje u përditësua për herë të fundit më 7 janar 2025. Për përditësimin më të fundit, kontrolloni faqen e internetit të Marrëveshjes Ndërkombëtare. Më shumë info mund të gjeni këtu: https://cleanclothes.org/campaigns/the-accord/brand-tracker.
Shoqata e Ornitologëve Shqiptarë AOS konfirmoi prezencën e gripit të shpendëve H5N1 edhe ne zonën ligatinore të Divjakë-Karavasta, pas një monitorimi dhe kontrolleve të përbashkëta në terren që ekipi i tyre bëri së bashku me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Fier.
“Kadavra shpendësh të egër u gjendën në Divjakë Karavasta”, shkruhet në njoftimin publik të AOS.
“Për fat të keq u gjetën 9 kadavdra të shpendëve të egër në një sipërfaqe ligatinore të kufizuar”, vijon njoftimi.
H5N1 është një lloj i virusit të gripit të shpendëve- i njohur edhe si gripi i shpendëve, që prek kryesisht zogjtë, por që në raste të rralla mund të infektojë edhe njerëzit dhe kafshët e tjera. Ky virus është shumë infektues dhe i rrezikshëm për shpendët, duke shkaktuar shpesh epidemi në tufat e shpendëve.
Sipas ornitologut Taulant Bino përhapja e këtij gripi ka efekte tejet negative si në terma afatshkurtër ashtu edhe afatgjatë, duke rrezikuar edhe zhdukje të disa specieve të caktuara shpendësh.
“Në terma afatshkurtër gripi shkakton ngordhje masive të popullatave të shpendëve të egër përfshirë pulëbardha, pelikanë, rosa dhe shpend grabitqarë e kermngrënës”, i tha BIRN Taulant Bino.
Ornitologu Bino theksoi se për pelikanët përhapja e këtij gripi është akoma më kritike pasi ata fillojnë folezimin pikërisht në Janar, dhe kjo rrit mundësinë e shpërndarjes dhe vdekjeve në numër të lartë.
“Sidomos për koloni të vogla si e Pelikanit kaçurrel në Divjakë-Karavasta mund të çojë thuajse në humbje të plotë të popullatës në terma afatgjatë”, tha Bino për BIRN, duke theksuar se nëse ndodh rimëkëmbja ka për të qenë tejet e vështirë.
Sipas Binos, masat që mund të ndërmerren për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të gripit lidhen me monitorimin e shpendëve të sëmurë në të gjitha ligatinat e vendit, si edhe mbledhjen dhe asgjësimin e tyre me metoda të sigurta për të mos rritur shkallën e prekjes në speciet e tjera.
Këtë të shtunë hapet procesi i regjistrimit të diasporës, për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku për herë të parë emigrantët do të kenë mundësinë të votojnë nga shteti ku punojnë dhe jetojnë.
Aplikacioni gjendet në forma të ndryshme, së pari nga faqja zyrtare e Komisionit të Zgjedhjeve, por edhe mund të shkarkohet si aplikacion në telefon.
Për sa i përket regjistrimit duhet një numër i saktë telefoni adresë e-maili dhe më pas ndërtohet një pasword që ka 8 karaktere.
Për ta aktivizuar regjistrimin KQZ, përmes email-it apo numrit të telefonit dërgon një kod 6 shifror për ta aktivizuar.
Vlen për tu theksuar që duhet që aplikanti të ketë telefon me kamera sepse regjistron fytyrën dhe kjo është pjesë e procesit.
Pasi të ketë mbarur regjistrimi aplikoni del për tu regjistruar përsëri, pas skanimit të pasaportës apo kartës së identitetit e dokumentet e tjera, autoritetet kanë kohë 3 ditë për të kthyer përgjigje nëse është e vlefshme.
Në momentin që regjistrimi është i suksesshëm ai hiqet nga lista e zgjedhësve dhe e përfshin në listën finale, në atë që do të quhet lista e votuesve të diasporës.
Në adresën e saktë që aplikuesi ka dhënë dhe është verifikuar, do të dërgohet me postë fleta e votimit e më pas ai do ta kthejë po me postë. Emigrantët që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e pranverës kanë afat për tu regjistruar në faqen online të KQZ-së deri me 4 mars.
Me Rusinë nuk ka “biznes të zakonshëm”, tha Departamenti amerikan i Shtetit i pyetur nga Radio Evropa e Lirë rreth deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili tha se sanksionet e SHBA-së ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, janë “të rënda dhe serioze”.
Thesari amerikan tha se ka sanksionuar kompaninë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas, me seli në Rusi.
Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi në një konferencë për shtyp më 10 janar, pas këtij publikimi nga Departamenti amerikan i Thesarit, se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.
“Ata nuk lejojnë mundësinë e 49 për qind ose më pak kapital rus”, tha presidenti Vuçiç.
DASH-i tha për REL-in se Shtetet e Bashkuara “mbeten të përkushtuara për ta penguar gjenerimin e të ardhurave të Rusisë dhe rrjetet e prokurimit dhe ato financiare që Moska i përdor për ta mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës”.
“Ne do të vazhdojmë t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e duhura për ta çuar përpara përgjegjësinë për ata që mundësojnë ose përfitojnë nga lufta e paligjshme e Rusisë dhe ta parandalojmë Putinin të përdorë energjinë si mjet shtypjeje”, tha Departamenti i Shtetit në një përgjigje.
Departamenti amerikan shtoi se “SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me partnerë dhe aleatë në mbarë botën për të garantuar sigurinë dhe diversitetin e furnizimeve me energji”.
NIS është kompania e vetme në Serbi e angazhuar në kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e prodhimit të naftës dhe gazit natyror.
Gazprom Neft ka aksione në NIS, që nga viti 2022. Aksione ka edhe kompania e saj mëmë Gazprom.
Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.
Pjesa tjetër u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.
Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, dhe kompanisë i është ndaluar qasja në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.
NIS-i, përndryshe, zotëron më shumë se 400 pika karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit: Bosnje dhe Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari./REL
Këtë të shtunë hapet zyrtarisht fushata për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, ku për legjislativin e ri do të garojnë gjithsej 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë të certifikuar nga KQZ-ja.
Fushata zgjedhore sot hapet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ora 16:30, Lidhja Demokratike e Kosovës në Pallatin e Rinisë Prishtinë, ora 17:00, Lëvizja Vetëvendosje në Sallën e sportit “Shani Nushi”, Gjakovë, ora 18:00 dhe Koalicioni për Familjen në Klan Arena Prishtinë, ora 18:30.
Kandidati për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese Ramush Haradinaj ka zgjedhur të bëjë homazhe së bashku me kandidatët për deputetë te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, teksa hapjen zyrtare të fushatës do ta bëjë ditën e diel në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, në ora 13:30.
Numri i votuesve brenda dhe jashtë Kosovës është 2 milionë e 75 mijë e 868. Për votim jashtë vendit janë regjistruar 104.924, prej tyre 20.399 janë regjistruar për votim fizik në përfaqësitë diplomatike, ndërsa të tjerët mund të votojnë me postë në 19 shtete.
Heshtja zgjedhore këtë vit, pas ndryshimeve ligjore, do të jetë më ndryshe se në zgjedhjet e kaluara. Ajo do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit, do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit më 9 shkurt në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00.
Kujtojmë, këto janë zgjedhjet e para të rregullta qe nga shpallja e pavarësisë, pasi deri më tani janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.
Nga puna në të zezë, orët shtesë të papaguara, puna në ditë festash dhe ditë pushimi, censura dhe vetëcensura e deri te vonesat në paga, bëjnë që gazetarët e mediave online të heqin dorë nga profesioni. Të gjitha këto vështirësi dhe problematika të këtij sektori të parregulluar shoqërohen me pasiguri në punë, mungesë pasioni dhe jo pak herë me keqinformim apo informim të cekët të publikut.
Nga Alban Tufa
Në raportin e Media Ownership Monitor Albania për vitin 2023, rreth 70% e shqiptarëve përdorin median online çdo ditë, ndërsa 82% përdorin median sociale. Nga ky raport kuptohet konsumi i lartë i medias në Shqipëri, gjë që reflektohet edhe në numrin e lartë të gazetarëve në vendin tonë. Sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, në vendin tonë ka 6200 profesionistë dhe 2736 prej tyre janë gazetarë. Edhe pse është e vështirë të përcaktohet se kur numri i gazetarëve është i lartë apo i ulët, mund të krijohet një ide duke bërë krahasimin me vendet e tjera në Europë. Revista “Monitor” në 2019-n shkruante se Shqipëria është një ndër vendet me më shumë gazetarë në Europë. Në artikull thuhet se për numrin e gazetarëve, Shqipëria renditet e treta, pas Rumanisë dhe Letonisë. “Nga përllogaritjet e “Monitor”-it, në raport me popullsinë janë 22 të punësuar në media për 10 mijë banorë”, – thuhet në artikull. Kjo situatë lidhet ngushtë me zhvillime të tjera teknologjike, ekonomike dhe kulturore.
Sipas kryetarit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, referuar një statistike të përditësuar nga UGSH, në vendin tonë janë aktualisht rreth 753 portale online. Në këto media online janë të rekrutuar mbi 1700 persona. Teksa numri i mediave online dhe punonjësve në to vetëm shtohet, në të njëjtën kohë shtohen problematikat dhe vështirësitë. Në një raport të vitit 2020, Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson se gazetarët janë nën presion, ata punojnë në kushte informale dhe në shumë raste janë ndier të kërcënuar.
Redaksitë e mediave online mbahen nga gjinia femërore
Në kuadër të kësaj analize, me qëllim vlerësimin e vështirësive dhe problematikave me të cilat përballen gazetarët e mediave online, gjatë muajit tetor të vitit 2024 u realizua një anketë. Anketa u zhvillua nga autori i këtij artikulli dhe u shpërnda nëpërmjet Google Form te gazetarët e mediave online duke përdorur kontaktet e gazetarëve, drejtuesve të disa redaksive dhe grupet e tyre të Whatsapp-it. Anketa u plotësua nga 86 gazetarë që punojnë në redaksitë e mediave online. Nga anketimi rezulton se në redaksitë e këtyre mediave mbizotëron gjinia femërore. Siç paraqitet edhe në grafikun e mëposhtëm, rreth 67% e të anketuarve janë femra, 31% janë meshkuj, ndërsa një pjesë shumë e vogël, 2,3%, nuk preferojnë ta deklarojnë gjininë.
Gjinia e gazetarëve të anketuar të mediave online
Eksperti dhe profesori i gazetarisë, Erlis Çela, thotë se kjo lloj panorame nis që nga auditorët e shkollave të gazetarisë dhe komunikimit. Sipas tij, auditorët janë të mbushur thuajse vetëm me vajza. “Shumica e djemve ose emigrojnë drejt vendeve perëndimore ose nuk zgjedhin të studiojnë gazetari. Për ta, ky profesion nuk të garanton një të ardhme, ngaqë është krijuar ideja se është i keqpaguar”,- thotë ai për “INA Media”.
Erlis Çela, profesor gazetarie dhe komunikimi
Gazetarët nuk e vlerësojnë si pozitive përvojën në median online
S.SH-së i bëri përshtypje, kur nisi punë në një media online, madhësia e redaksisë. “Kisha përfytyruar një vend të madh dhe të komplikuar, por ishte diçka krejt e thjeshtë. Dhe me kalimin e pak ditëve kuptova që gjithçka kisha të bëja ishte një PC: shoku im më i ngushtë”,- shprehet ai.
Vetëvlerësimi i përvojës së gazetarëve në punën e tyre
Gazetarët e anketuar e kanë të vështirë ta përcaktojnë eksperiencën e tyre në median online. Shumica prej tyre janë neutralë, një pjesë tjetër pak më e vogël e konsideron përvojën në këto media si pak pozitive dhe një pjesë tjetër aspak pozitive. Po t’i mbledhim të tria këto përvoja negative, thuajse negative dhe neutrale rezultati është rreth 78%. Ndërsa konsiderimi i përvojës si pozitive dhe thuajse e tillë mbetet rreth 22%.
Ervin Leka është gazetar kronike në një nga televizionet e vendit tonë me një eksperiencë më shumë se 5-vjeçare në median online. Ai shprehet për “INA Media”-n se mediat online e kanë përgatitur për të punuar në televizion. “Gjatë punës si gazetar online kam vënë re që dinamika e lajmit kërkon reagim të shpejtë dhe aftësi për të përpunuar informacionin me shpejtësi dhe saktësi, sepse shpesh artikujt mund të bëhen viralë dhe kanë impakt të madh brenda pak minutash”, – thotë ai.
Ervin Leka, gazetar kronike
Sipas gazetarit Renaldo Salianji, anëtar i Bordit të Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë, përvoja e tyre neutrale lidhet me faktin se ata janë kryesisht të rinj dhe nuk kanë pasur eksperienca të mëparshme. Ai i qëndron idesë se ata që e shohin eksperiencën në median online si diçka negative janë punonjës me eksperiencë dhe janë më të mëdhenj në moshë.
Renaldo Salianji, anëtar i Bordit të Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë
Ndërsa profesori i gazetarisë Erlis Çela thotë për “INA Media”: “Deklarimi që përvoja në median online është neutrale më ngjan më keq se përvoja negative, për vetë faktin se kjo tregon apati. Ose këta gazetarë nuk janë të interesuar ta shprehin mendimin real ose kanë frikë të shprehen. Këto lloj neutralitetesh unë personalisht i kam lexuar përherë si përvoja negative, ngaqë ekziston tendenca për të mos u dukur keq”. Sipas tij, shpesh këto përgjigje orientohen nga frika se mos informacioni bëhet publik, nga frika e stigmatizimit etj.
Mungesa e ekspertizës, gazetarët e mediave online merren me “të gjitha”
Përveçse të raportonte lajmet në kohë reale në portal, gazetares P.L. i duhej të merrej edhe me menaxhimin e rrjeteve sociale. “Përveçse duhej të shkruaja, duhej të menaxhoja edhe rrjetet sociale, të marketoja lajmin. Duhet të gjeja foto cilësore për Instagram”, – thotë ajo për “INA Media”. Zakonisht asaj i duhej të bënte 15 artikuj në ditë, të raportonte për disa fusha dhe kjo filloi ta shqetësonte, deri në çoroditje. “Aq keq më dukej vetja sa më iku dëshira për të lexuar në tërësi. Nuk mund të lexoja më as libra”, – shprehet ajo.
Gazetarët e medias online nuk janë të fokusuar vetëm në një fushë. Shumica merren me raportime për të gjitha fushat. Kjo ndodh rëndom në redaksitë e medias online dhe shpesh orientohet nga nevojat ditore që ka redaksia ose nga ngjarjet që ndodhin në hapësirën publike.
Fusha që mbulojnë gazetarët në median online
Për gazetarin Emirjon Senja, mbingarkesa dhe mungesa e profilizimit çon te lajmet sipërfaqësore, pa thelb, të njëjta si kudo tjetër. Ai thotë për “INA Media”: “Kjo krijon një uniformizim të lajmit si në rastet kur është i saktë, ashtu edhe në rastet kur kemi të bëjmë me lajme të pavërteta”.
Emirjon Senja, redaktor dhe profesor i gazetarisë
Ndërsa Mentor Kikia thotë se gazetarët kanë nevojë të profilizohen. Kjo diktuar jo thjesht nga nevojat e medias, por edhe nga prirjet e gazetarëve. “Profilizimi çon jo vetëm në specializimin e gazetarit, por edhe në krijimin e burimeve të tij të qëndrueshme në sektorin që ai mbulon, në krijimin e emrit dhe autoritetit të tij dhe këto çojnë në përmirësimin e cilësisë së të bërit gazetari”,- shprehet ai për “INA Media”.
Mentor Kikia, gazetar dhe profesor i gazetarisë
Të keqpaguar, pa festuar, duke punuar në të zezë, me mbingarkesë në punë dhe orë shtesë të papaguara
Problematika kryesore me të cilën përballen gazetarët është pagesa e ulët. P.L. shprehet se në median online ku punonte, angazhimi ishte fiks tetë orë në ditë dhe paguhej 25 mijë lekë (të reja), pa sigurime dhe paga i jepej në zarf. “Kam idenë që në atë redaksi, vetëm redaktori ishte i punësuar me sigurime”, – thotë ajo. Në anketimin e kryer në kuadër të këtij artikulli rezulton se rreth 72% e të anketuarve marrin pagesë të ulët për punën që bëjnë. Ndërsa 63% e tyre punojnë në ditë festash dhe ditë pushimi zyrtar. Gjysma e të anketuarve ose punon në të zezë ose paga nuk u deklarohet plotësisht.
Problematikat dhe sfidat që ndeshin gazetarët e medias
Lidhur me mosdeklarimin e pagave, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, shprehet se është një e dhënë e saktë dhe e pritshme. “Gropa financiare e kontributeve për sigurimet shëndetësore dhe shoqërore është një histori e turpshme për sektorin e mediave dhe aq më tepër për mediat online”, – thotë ai për “INA Media”.
Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Edhe për ekspertin dhe profesorin e gazetarisë, Erlis Çela, mosdeklarimi i pagave nuk është i papritur. “Ky problem e ka shoqëruar tranzicionin e medias në Shqipëri duke nisur që nga vitet ’90 deri në ditët tona. Shumica e gazetarëve të rinj e kanë nisur punën në të zezë. Ashtu ka ndodhur dhe ashtu po ndodh. Por edhe pasi përfitojnë përvojë apo pasi ndërtojnë një profil, gazetarët e pranojnë që marrin, në mos të gjithën, një pjesë të pagës dorazi”,- deklaron ai.
Gazetarët përballen me normë të lartë postimesh brenda një dite dhe me trysninë për të raportuar lajmin e parë. Ndërkohë, disa gazetarë përballen me orë shtesë të papaguara dhe me kushte jo të mira në vendin e punës. Për S.SH., sfidë ishte fillimisht përgatitja sa më shpejt e lajmit të fundit. “Prej kësaj nisa të kuptoja se nuk ka rëndësi se sa mirë shkruan, por se sa shpejt shkruan në tastierë. Kuptova se ka rëndësi të shkruash shumë dhe shpejt, jo të shkruash mirë”, – shprehet ai.
Në median online, P.L. shprehet se e ka shoqëruar gjithmonë pasiguria në vendin e punës. Këtë e shpjegon duke treguar rastin e një kolegeje të saj në redaksi. “Një kolege u pushua nga puna në mes të natës. Thjesht pamë një njoftim në grup dhe të nesërmen nuk e pamë më në redaksi. Në këtë situatë, censura merrej si e mirëqenë dhe tashmë isha futur në kurthin e vetëcensurës”. Edhe për E.D., sfidë e përditshme mbetet presioni apo përgjegjësia për të prodhuar përmbajtje të shpejtë dhe me cilësi të lartë. “Duke ditur sa shumë ndiqet media ku punoj, pesha që ka, shpesh vihem nën presion për të qenë e kujdesshme, për të verifikuar çdo gjë e për të marrë aprovime nga palë të tjera përpara publikimit”, – deklaron ajo për “INA Media”.
Në të njëjtin mendim është edhe gazetari Ervin Leka. Ai thotë se presioni i kohës është një nga sfidat më të mëdha. Shpejtësia është shpesh më e rëndësishme se në format tradicionale të medias dhe ky ritëm i shpejtë mund të çojë në gabime ose mungesë të analizës së plotë.
Shqetësues mbetet edhe anonimati i gazetarëve që punojnë në këto media. Këta gazetarë shpesh punën në mediat online e kanë si punë të parë ose ndër të parat dhe nuk gëzojnë ende një status të konsoliduar. Kësisoj, ata, duke mbetur anonimë, shmangen nga përgjegjësia e raportimit të saktë dhe të paanshëm. “Në mediat online punojnë edhe njerëz që kanë pak lidhje me median dhe, e dyta, më e rëndësishmja, është e vështirë të njihen, puna e tyre nuk vihet re. Ne nuk i dimë emrat e atyre që punojnë në median online. Dhe për më tepër, ata hyjnë dhe dalin shpejt nga tregu i medias”, – thotë gazetari dhe anëtari të Bordit të Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë, Renaldo Salianji.
Gazetarët e mediave online heqin dorë përfundimisht nga profesioni
S.SH. shprehet se pasi ka punuar disa muaj në gazetarinë online në fushën e sportit, në kuptimin e profesionit nuk zhvillohet dot më. “Mbetesh në vendnumëro. Pastaj zë e demoralizohesh. Nuk të pëlqen të shohësh më ndeshje futbolli. I kam marrë bezdi të gjitha sportet”, – përfundon ai për “INA Media”. Përjetimi është i njëjtë edhe për gazetarët e tjerë. “Pas dy vitesh hoqa dorë nga gazetaria online”, – thotë P.L. “E ndieja që nuk mësoja më asgjë të re, nuk po zhvillohesha në asnjë aspekt. Pas pak kohësh, redaktorët, më shumë sesa mundësi, bëhen pengesë për zhvillimin tënd profesional. Megjithatë, kur dhashë dorëheqjen nuk pashë as përpjekjen më të vogël për të më mbajtur në punë”,- përmbyll ajo për “INA Media”.
Në të njëjtin përfundim ka ardhur edhe E.D. “Në vendin tonë ka gazetarë shumë të mirë në mediat online, por për shkak se nuk paguhen mjaftueshëm detyrohen të heqin dorë. Një vendim të tillë e konsideroj edhe unë çdo ditë. Në shumë media ka vonesa në paga, në sigurime shoqërore, ka shumë presion nga drejtuesit për punën, situata që bëhen shpeshherë stresuese dhe të shtyjnë drejt një sektori apo profesioni tjetër”, – përfundon ajo për “INA Media”.
Tabela 5. Vlerësim i pasojave të problematikave e sfidave nga gazetarët
Gazetarët e medias online bien dakord në masën 76.5% se si pasojë e sfidave dhe problematikave ata nuk zhvillohen dot më tej në profesion. Ndërsa 68% e tyre bien dakord se në këtë situatë ata bëjnë gazetari të cekët. Rreth 73% e të anketuarve bien dakord se prej problematikave dhe sfidave të analizuara më sipër gazetarët e mediave online heqin dorë përfundimisht nga profesioni.
“Këto sfida kanë thelluar bjerrjen e dëshirës së studentëve të diplomuar në gazetari dhe të rinjve që e kanë ëndërruar të bëhen gazetarë. Shumë prej profesionistëve në gazetarinë aktive prej vitesh po largohen dhe kërkojnë vende të tjera e të ndryshme pune. Efekti është i shumanshëm”, – thotë për “INA Media” kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa.
Në të njëjtën linjë argumentimi, profesori i gazetarisë, Erlis Çela, shton: “Me kalimin e kohës, sidomos në raste kur përballen me padrejtësi, gazetarët vënë re që janë të vetëm në këtë rrugëtim dhe përfundimisht heqin dorë”. Sipas tij, përballja me padrejtësitë, kërcënimet dhe intimidimet ka kosto, të cilën gazetarët e mediave online nuk e marrin dot përsipër të vetëm.
Si mund të përmirësohet situata nga këndvështrimi i ekspertëve?
Gazetari Mentor Kikia beson se vetëm formalizimi i tregut të mediave online, jo futja nën kontroll përmes ligjit, por detyrimi për t’u formalizuar, do të rregullonte disa parametra. “Do të ulte dozën e abuzivizmit, shantazhit e gjobëvënies nga disa media të kësaj fushe. Do të hiqte nga tregu mediat e “zeza” që nuk deklarohen, që paguajnë keq apo fare gazetarët e rinj që duan të futen në treg, që përdoren për shantazh etj.”, – përfundon ai.
Aleksandër Çipa, pasi flet për angazhimin e gazetarëve në organizata, sugjeron që ata t’u qasen organizatave mediatike që rekrutojnë vetëm profesionistë dhe financohen mbi bazë projektesh nga donatorë të ndryshëm ndërkombëtarë.
Edhe eksperti i mediave online, Emirjon Senja, jep të njëjtin sugjerim. Ai thotë se shembujt më të mirë në treg janë mediat online që mbështeten nga organizatat e huaja apo ambasadat, të cilat bëjnë që gazetarët mos të përballen me presione financiare. “Shtimi i mbështetjes për media të ngjashme mendoj se do të jepte një kontribut të vyer në këtë drejtim”, – përmbyll ai për “INA Media”.
Profesori Erlis Çela, duke folur për modelin ekonomik të medias shqiptare, tregon se gazetaria e mbështetur ose mediat me donacione kanë hapur një shteg. Sipas tij, është një mundësi e mirë e cila duhet nxitur që në auditorë duke futur lëndë që kanë të bëjnë me sipërmarrjen e gazetarëve. “Megjithatë, gazetarët duhet të bëhen bashkë për problemet e profesionit, që në thelb janë problemet e tyre. Vetëm së bashku ata mund të përballen me pronarët e medias, me eprorët e tyre, me kërcënimet etj.”,- thotë ai./ina.media
Në Shqipëri 6 shoqëri rajonale të ujësjellësit, që përfshijnë 25 bashki të vendit rritën gjatë vitit 2024 çmimin e ujit të pijshëm për qytetarët, megjithë kundërshtimet në dëgjesat publike të zhvilluara.
Të dhënat e Entit Kombëtar të Ujit flasin se rritja më e vogël është rreth 8.6% për konsumatorët familjarë të ujit të pijshëm për shoqërinë rajonale të ujësjellësit Gjirokastër dhe shkon deri në 37.5 % për familjarët në Shkodër dhe Vaun e Dejës.
Rritja e çmimit të ujit për rajonet e Lezhës, Fierit, Pogradecit, Durrësit, Gjirokastrës dhe Shkodrës në vitin 2024 pritet të pasohet sipas Entit Kombëtar të Ujit edhe në tre shoqëri të tjera rajonale të ujësjellësve në Korçë, Elbasan dhe Berat të cilat janë në proçes shqyrtimi të tarifave të reja.
Gjatë dëgjesave publike të zhvilluara, sipas raporteve të Entit Kombëtar të Ujit dhe raportimeve në terren qytetarët e kanë kundërshtuar rritjet e tarifave të ujit të pijshëm pasi rëndojnë sidomos familjet me të ardhura të pakta dhe pensionistët.
Një rritje të ndjeshme krahas shërbimit të furnizmit me ujë kanë shënuar pothuasje për të gjitha bashkitë edhe tarifat e largimit të ujërave të ndotur dhe tarifa fikse e shërbimit.
Faturat e ujit shoqërohen nga bashkitë edhe me pagesën e taksave vendore duke e bërë të papërballueshme barrën financiare për mijëra familje që jetojnë në varfëri dhe me të ardhura të kufizuara.
Shoqëritë e ujësjellësve pothuajse kanë paraqitur të njëjtat argumente për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm në Entin Rregullator të Ujit që miraton tarifat e reja.
Sipas tyre rritja e çmimit të ujit bëhet prej nevojës për përmirësimin e performancës financiare dhe mbulimin mbi 100% të kostove operacionale, për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve dhe pagës minimale, përmirësimin e furnizimit me ujë dhe reduktimin e “ujit pa të ardhura” i cili vazhdon të jetë sipas vetë bashkive në nivele shumë të larta.
Strategjia Kombëtare e Ujësellës Kanalizimeve 2022-2030 prashikon një rritje me 75% të tarfiave të ujit nga viti 2020 deri në vitin 2030 me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë financiare të shoqërive të ujësjellësave.
Sektori i ujit në Shqipëri mbetet nga më problematikët për shkak të humbjeve që kanë disa nga shoqëritë më të mëdha të ujësjellësave, mungesës së investimeve dhe “ujit pa të ardhura” që nuk arrin të faturohet për shkak të mungesës së matësve dhe keqmenaxhimit.
Sipas të dhënave të Raportit të Entit Kombëtar të Ujit, në vitin 2023 , në shkallë kombëtare vlerësohet se shoqëritë e ujësjellësave tërhoqën nga natyra për të dërguar në rrjetin e konsumatorëve rreth 307 milionë metra kub ujë, por 64% e sasisë së ujit humbi në rrjet si pasojë e mungesës së matësave dhe problemeve të menaxhimit dhe vetëm pjesa tjetër u pagua nga përdoruesit.
Kohëzgjatja e furnizimit me ujë në nivel kombëtar, sipas Entit Rregullator të Ujit, është 16.6 orë në ditë, me një rritje të lehtë prej 0.3 orë në ditë krahasur me vitin 2022.
Qeveria shqiptare ka shpenzuar rreth 100 milionë euro për një impiant të trajtimit të ujërave të ndotur i cili sot nuk ekziston. Ujërat urbane të kryeqytetit, ku sipas INSTAT-it jetojnë rreth 912 mijë banorë, vazhdojnë të derdhën në lumenj pa asnjë trajtim duke shndërruar Lumin e Tiranës dhe atë Lanës ndër zonat më të ndotura të vendit edhe sipas raporteve të institucioneve shtetërore.
Impianti i Kasharit, punimet e të cilit nisën 10 vite të shkuara, jo vetëm që nuk përfundoi kurrë por dhe ajo pjesë e investuar po shkon drejtë degradimit, duke hedhur në “lumë” një investim prej 79 milionë euro.
Dokumentet tregojnë se institucionet shqiptare u përfshinë në “konflikt” me kompaninë që u përzgjodh në 2014 të ndërtojë Impiantin e Ujërave të Ndotura të Tiranës, çka u pasua me ndërprerjen e njëanshme e kontratës në maj të vitit 2018.
Kompania u detyrua të braktisë punimet dhe të kërkojë të drejtën e saj në gjykatën e Arbitrazhit duke kërkuar si dëmshpërblim 90 milionë euro nga shteti shqiptar.
Institucionet e përfshira në këtë aferë ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës ndërkohë që sot Tirana është në prag të një katastrofe ekologjike dhe në buxhetin e shtetit kemi një kosto të shtuar në një vlerë prej 13.5 milionë euro për shkak të humbjen së çështjes në gjykatën e Arbitrazhit.
Impianti që nuk ekziston
Në faqen zyrtare të drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve njoftohet se “është duke u ndërtuar një Impiant për Trajtimin e Ujërave të Ndotura Urbane të cilat mblidhen në Lumin e Lanës, pasi deri më tani shkarkimet janë bërë drejtpërdrejtë pa bërë trajtimin e tyre”.
Njoftimi saktëson vendndodhjen e këtij impianti, në Kashar, si dhe metodën e trajtimit të ujërave, që është ajo e Filtrit me Pikim (Trickling Filter).
“Nga ky projekt do të përfitojnë 350 mijë banorë të Tiranës. Besoj se ky impiant vjen në një moment kur, pas përmbytjeve, të gjithë jemi bërë më të ndjeshëm ndaj infrastrukturës së trashëguar,” do të deklaronte në janar të 2016, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, teksa inspektonte nisjen e punimeve për ndërtimin e impiantit së bashku me ish-ministrin e Transporteve, Edmond Haxhinasto.
Aktualisht, ajo që do të ishte investimi më i rëndësishëm i kryeqytetit nuk është gjë tjetër veçse një ngrehinë ndërtimi i rrethuar nga ferrat dhe ujërat e ndotur.
Çka gjen në impiantin e Kasharit është një “roje” që nuk di asgjë më shumë veç faktit që “është e ndaluar të futesh në kantier”.
Punimet për ndërtimin e impiantin nisën 11 vjet më parë, pasi në janar 2014, Drejtoria e Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizime, sot Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, nënshkroi kontratën me shoqërinë, “Joint Venture Dondi & Kubota”, një bashkim i dy kompanive të njohura në fushën e ndërtimit të impianteve, sidomos në Itali dhe tjetra për tubacionet dhe valvulat me origjinë Japoninë.
Kompania merrte përsipër përfundimin e impiantit që do të shërbente për përpunimin e ujarëve të ndotura urbane, brenda nja afati 4-vjeçar, ndërkohë që kosto totale e të gjitha punimeve ishte 79 milionë euro. Financimi ishte garantuar nga një kredi e butë që do të lëvrohej me këste nga JICA (Banka Japoneze) dhe qeveria shqiptare.
Sipas marrëveshjes, kredia do të shlyhej me këste, çdo 20 qeshor dhe çdo 20 dhjetor, duke filluar në vitin 2018 deri në vitin 2048.
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se kompania me të nisur punën ka pasur një sërë konfliktesh me institucionet shqiptare, që nga lëvrimi me vonesë i fondeve dhe deri tek pretendimet për kushtet teknike dhe cilësinë e punimeve.
Gjithçka nis nga një shkresë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ku udhëzon AKUK-në që të kryejë një kontroll në kantierin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotur.
Aso kohe, në janar të 2018 punimet shkonin vaj dhe një sërë kronikash të kohës, zyrtarë të lartë të shtetit shqiptarë krenoheshin për investimin që do të shpëtonte Tiranën nga ndotja.
Përplasjet midis Ministrisë së Infrastrukturë dhe Energjisë, AKUKM-së dhe kompanive janë reflektuar në një mori shkresash zyrtare, raportesh periodike e mbledhjesh në kantierë.
Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që aso kohe drejtohej nga Damin Gjiknuri nuk ndalet me kaq. Një grup pune nga ky institucion ushtron një audit tek kantieri i punimeve të impiantit. Auditi del në konkluzionin që kompania “Donti & Kubota” nuk kishte respektuar disa kushte të kontratës.
Ky raport do të shfrytëzohet nga Ministria për t’i kërkuar insitucionit vartës prishjen e kontratës së ndërtimit të impiantit, edhe pse raportet tregojnë se 70% e punimeve për ndërtimin e tij ishin kryer. Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve, më 31 maj të 2018, me një shkresë me nr prot 1225/11 njofton kompaninë “Donti & Kubota” për ndërprerjen e kontratës.
Fill pas kësaj shkrese kompania ndërpret punimet ndërsa përgjegjësia e vetme që mbajnë institucionet shqiptare është marrja e masave për ruajtjen e objektit.
“Në bazë të dokumentacionit të përgatitur nga supervizioni, gjatë periudhës pas terminimit të kontratës së punimeve, AKUK-ja ka marrë masa të nevojshme për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e veprave të ndërtuara, me qëllim konservimin e tyre në gjendjen e terminimit të kontratës” – thuhet në reagimin që “shteg.org” mori nga AKUK.
Por, në Raportin e auditimit të KLSH-së të tetor 2019, theksohet qartazi se nxitimi për të nxjerrë kontraktorin nga kantieri ka bërë që të mos kryen punimet si izolimi i betoneve dhe i hekurit, mbyllja dhe taposja e pusetave, sistemimi i zonave me rrezikshmëri rrëshqitjeje, mbyllja e puseve të mikrotunelit, etj.
“Strukturat janë në mëshirë të kushteve atmosferike, ujit, baltës, diellit dhe bimësisë. Për më tepër gjatë kësaj periudhe nuk u kryen dhe shërbimet mirëmbajtëse si pastrimi i kanaleve, mirëmbajtja e rrjetit të drenazhimit, ndezja e pompave për ruajtjen e punimeve të rrjetit të kanalizimeve të kryera, etj” – thuhet në raportin e KLSH-së, ku ndër të tjera shtohet se dhe punimet e mikrotunelit, duke qenë të pa lidhura, ekziston mundësia që pusetat të lëvizin duke humbur kuotën dhe të dalin jashtë përdorimit.
Raporti i KLSH-së parashtron edhe rrezikun e shkatërrimit total të punimeve të kryera të impiantit.
“Rreziku i kësaj situate, duke qenë se punimet konservuese nuk janë kryer ekziston mundësia që punimet e kryera deri më tani të amortizohen plotësisht” – thekson raporti.
Vendimet që shkatërruan impiantin
Përplasjet midis Ministrisë së Infrastrukturë dhe Energjisë, AKUKM-së dhe kompanive kontraktuese të ndërtimit të impiantit janë evidentuar edhe nga Kontrolli i Lartë të Shtetit.
Dokumentet tregojnë se ky institucion ka konstatuar një realitet krejt të kundërt me atë që pretendon Ministrisa e Infrastrukturës dhe e Energjetikës e cila “urdhëroi” ndërprerjen e kontratës me kompaninë që po kryente punimet për ndërtimin e impiantit.
Sikurse pranohet zyrtarisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe AKUK në momentin që vendoset ndërprerja e kontratës ishin kryer 70% e punimeve të cilat mbartnin vlerën e 59-të milion eurove.
Sipas shkresave, Ministria pretendon se kompania nuk kishte respektuar disa kushte të kontratës, ndërsa KLSH-ja thotë se nga kompania kontraktore nuk janë shkelur pikat për të cilat MEI i ka evidentuar si të mjaftueshme për prishjen e kontratës.
“Akti i ndërprerjes së kontratës dhe arsyet e justifikimit nuk qëndrojnë dhe ishin në kundërshtim me kushtet e kontratës. “Joint Venture Dondi & Kubota” i kishte plotësuar të gjitha kushtet kontratuale, ndryshe nga ç’pretendohej. Kompania nuk kishte shfaqur probleme në ngritjen e kantierit, duke respektuar kushtet teknike dhe cilësinë e punimeve si edhe kishte punuar me disa nënkontrator në përputhje të plotë me standardin e kontratave FIDIC-së” – thuhet në raport.
Gjithashtu një shkelje tjetër e raportuar nga KLSH-ja është edhe dërgimi me dy muaj vonesë i shkresës që Ministria i ka dërguar Bankës Japoneze për ndërprerjen e punimeve.
“MIE-ja i çon shkresë mbi dy muaj më vonë, në muajin nëntor, për miratim, pasi kontratori ishte larguar nga kantieri në mënyrë arbitrare dhe miratimi nuk do të kishte më asnjë vlerë juridike” – thekson KLSH-ja.
Duke konstatuar shkelje të njëpasnjëshme nga ana e MIE dhe AKUK-së, KLSH-ja u rekomandon institucioneve shqiptare të gjejnë gjuhën e përbashkët me kompaninë kontraktore, pasi rrezikonin si dënimin në arbitrazh, ashtu edhe ndërprerjen e punimeve.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të bëjë të pa mundurën që të gjejë gjuhën e bashkëpunimit me Kontraktorin për t’i kërkuar tërheqjen e tij nga çështje që ka hapur në këtë gjykatë, dhe njëkohësisht në këmbim, t’i kërkojë Kontraktorit të rilidhë kontratën për vazhdimin e zbatimit të punimeve” – rekomandon KLSH-ja në vitin 2019.
Rekomandimet nuk merren në konsideratë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe për pasojë vepra jo vetëm nuk është përfunduar, por janë vënë në pikëpyetje 56 milionë euro investim.
Humbja e paralajmëruar në arbitrazh
Në nëntor të vitit 2018 kompania “Joint Venture Donti & Kubota” iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve në Londër duke kërkuar një dëmshpërblim prej 90 milionë euro nga shteti shqiptar.
Kompania pretendonte se kjo ishte vlera e dëmeve të shkaktuara kryesisht nga humbja e punimeve të kryera, vonesat e pagesave dhe likuidimi i TVSH-së sa i përket prishjes së kontratës për impiantin e Kasharit.
Më Gjykatën e Arbitrazhit shteti shqiptar u gjet përgjegjës për prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme dhe u detyrua të dëmshpërblejë kompanitë kontraktore “Donti & Kubota” me 13.5 milionë euro.
Vendimi është marrë nga kjo gjykatë më 26 Korrik 2024 dhe konfirmohet për “shteg.org” edhe Avokatura e Shtetit, por nuk jep informacion të detajuar mbi procesin gjyqësor pasi sipas tyre “të dhënat përbëjnë sekret”.
Humbjen e procesit në gjykatën ndërkombëtare e kishte paralajmëruar edhe nga Kontrolli i Lartë i shtetit, por megjithatë shqetësimet e ngritura institucionet nuk kanë marrë asnjë masë për parandalimin e pasojave ekonomike.
Në vitin 2019 i rekomandon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që të marrë masat e menjëhershme si për të rilidhur kontratën që e ndërprenë në mënyrë të njëanshme ashtu edhe arritjen e një marrëveshje që çështja të mos shkonte në Gjykatën e Arbitrazhit, pasi rreziku për humbjen e këtij gjyqi ishte i lartë.
“Me qëllim, shmangien e dëmit ekonomik që mund t’i shkaktohet buxhetit të shtetit i llogaritur afërsisht rreth 90 milion Euro, në rast të humbjes së gjyqit në gjykatën e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë Londër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të bëjë të pa mundurën që të gjejë gjuhën e bashkëpunimit me Kontraktorin”, për t’i kërkuar tërheqjen e tij nga çështje që ka hapur në këtë gjykatë, dhe njëkohësisht në këmbim, t’i kërkojë Kontraktorit të rilidhë kontratën për vazhdimin e zbatimit të punimeve” – thuhet në konkluzionet e raportit të KLSH-së.
Ujërat e ndotur vërshojnë në Tiranë
Sipas një raporti të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, niveli i ndotjes së ujërave në Lumin e Tiranës dhe lumin e Lanës është shqetësues. Në stacionin e Ura e Kamzës dhe në stacionin L2 (ish-dogana) të Lumit të Lanës, që ndodhen pas kolektorëve të ujërave të patrajtuara të Tiranës, janë regjistruar përqendrime të larta të ndotësve – konkretisht 52 mg/l dhe 138 mg/l.
Ekspertët e mjedisit ia atribuojnë këtë ndotje të madhe të lumit që përshkon Tiranën, derdhjes së ujërave urbane të patrajtuara. Përbërësit e matur dhe për të cilët ekspertët vënë alarmin janë mungesa e oksigjenit, fosforit, nitritet dhe amoniaku.
Aleko Miho, profesor i Botanikës dhe ekspert i mjedisit në Universitetin e Tiranës, thotë për “shteg.org” se kur ujërat e zeza nuk mblidhen dhe trajtohen siç duhet, ato kthehen në burime të rëndësishme ndotjeje për ujërat sipërfaqësore, ujërat nëntokësore, si dhe për ujin e pijshëm. Ai thekson se këto shkarkime janë burim infeksioni dhe sëmundjesh për ekosistemet ujore dhe për njeriun.
Sipas Mihos kjo situatë është krijuar nga menaxhimi i pamjaftueshëm i mbetjeve urbane nga bashkitë, si dhe nga ndotja që vjen nga shkarkimet e ujërave të ndotura dhe mbetjeve industriale, të ndërtimit, urbanizmit, infrastrukturës turistike, rrugëve dhe minierave.
“Sfida më e madhe për Shqipërinë është trajtimi i ujërave urbane në pellgjet e lumit Ishëm dhe Erzen, rajone ku jetojnë mbi 1 milion banorë – thotë Miho.
“Njerëzit bien në kontakt me ujë të papastër, sidomos ujë të pijshëm dhe jo të sigurt, mund të pësojnë infeksione bakteriale që çojnë deri në vdekje. Sëmundjet bakteriale më të rëndësishme që transmetohen përmes ujit janë kolera, ethet tifoide (nga salmonellat) dhe dizenteria bacilare (nga shigellat) dhe diarre akute dhe shqetësime të stomakut (nga koliformët fekalë)” – thotë Aleko Miho.
Sipas një hulumtimi të Ina Medias qeveria shqiptare ka investuar mbi 112 milionë euro për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura. Edhe pse numërohen 16 impiante të trajtimit të ujërave të ndotura, vetëm 10% e popullsisë e merr këtë shërbim, ndërsa ujërat e zeza dhe industriale vijojnë të shkarkohen në lumenj e dete, duke krijuar dëme të pallogaritshme për mjedisin dhe shëndetin e popullatës. / Ajla Starja / Dallandyshe Xhaferri / Sabina Nika /shteg.org /
Në dhjetor në Shqipëri inflacioni u ndikua kryesisht nga rritja e çmimit të ushqimeve, ndryshe nga Greqia, ndërsa në Europë çmimet në muajin e fundit 2024 u ndikua nga rritja e çmimit të gazit.
Çmimet në Shqipëri
Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Dhjetor 2024, arriti 118,3, kundrejt muajit Dhjetor 2020, dukenu dyfishuar brenda një periudhe 4 vjeçare.
Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2024 është 2,1 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 4,0 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2024, krahasuar me Nëntor 2024 është 0,6 %.
Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2024 është 2,2 % nga 4,8 % që ishte në vitin 2023.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin Dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije
joalkoolike” me +1,03 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,32 pikë përqindje.
Krahasuar me muajin Dhjetor 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 5,6 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4,2 %, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Veshje dhe këpucë” me 3,8 %secili, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,0 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 2,8 %.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 4,7 %, pasuar nga nëngrupet “mish” me 4,3 %, “peshk” dhe “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,5 % secili, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 1,6 %, etj.
Krahasuar me muajin Nëntor 2024, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënuan rritje me 1,1 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,0 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,9 %, “Transporti” me 0,6 % etj.
Çmimet në Europë
Inflacioni në eurozonë në dhjetor 2024 u rrit me 2.4% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2023. Kështu, treguesi përshpejtoi ritmin e rritjes krahasuar me muajin nëntor, kur ai arriti në +2.2% në vit. Këtë e dëshmojnë të dhënat paraprake nga Eurostat.
Në muajin dhjetor, inflacioni bazë, i cili përjashton kostot e energjisë dhe ushqimit, mbeti në nivelin e muajit nëntor në nivelin 2.7%. Çmimet e energjisë u rritën me 0.1% pas një rënie prej 2% në nëntor. Kjo rritje e çmimeve i atribuohet çmimeve më të larta të naftës dhe gazit në tregun botëror për shkak të paqëndrueshmërisë gjeopolitike dhe kushteve atmosferike.
Gjatë muajit, vendet anëtare të bllokut me normat më të larta të inflacionit vjetor ishin Kroacia (4.5%), Belgjika (4.4%) dhe Estonia (4.1%). Normat më të ulëta u regjistruan në Irlandë (1%), Itali (1.4%) dhe Luksemburg (1.6%). Në Gjermani, çmimet e konsumit u rritën me 2.8%, dhe në Francë me 1.8%.
Çmimet në Greqi
Çmimet e produkteve në supermarkete u ulën mesatarisht me 0,94% në dhjetor 2024 krahasuar me dhjetorin 2023, sipas rezultateve të një sondazhi të Institutit Kërkimor për Produktet e Konsumatorit me Pakicë (IELKA).
I njëjti sondazh tregoi se çmimet u stabilizuan plotësisht në 12 muajt e 2024-ës, me një rritje marxhinale prej +0,04% mesatarisht në krahasim me 12-mujorin e 2023. Çmimet në rrjetet e supermarketeve ranë me -0,94% në dhjetor 2024.
Ndryshimi në dhjetor, sipas IELKA, ishte për shkak të uljes së çmimeve si në kategoritë joushqimore ashtu edhe në kategoritë ushqimore, me përjashtim vetëm kategoritë shumë specifike që shfaqin rritje për shkak të kushteve të rastësishme, si kategoritë që lidhen me kakaon dhe kafenë dhe artikujt specifikë të freskët ndaj kushteve klimatike.
Doriana Musai, urbaniste tha se festivali i arkitekturës se ishte një akt i mirëfilltë teatral dhe se fjalimi i Ramës ishte folklor dhe poezi.
Sipas...