32.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Korrik, 2025

“Mashtrim i radhës për të rrëmbyer votën në 11 maj“, Basha: Rama uli çmimin e energjisë me 1 lek, por rriti atë të ujit me më shumë se 30%

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se premtimi elektoral i qeverisë për uljen e çmimit të energjisë me 1 lek, është një mashtrim parazgjedhor. Sipas Bashës, kjo është një manovër që fsheh rritjen e çmimit të ujit me më shumë se 30%.

Ai thekson se kjo politikë dëmton rëndë xhepat e familjeve shqiptare dhe përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj tyre, duke pasuruar pakicën dhe varfëruar shumicën. Basha kërkoi nga qytetarët që të refuzojnë këtë mashtrim dhe të përbuzin veprimet e një qeverie që, sipas tij, ka varfëruar vendin dhe larguar rininë.

Postimi i plotë i Bashës:

Premtimi elektoral për ulje me 1 lek të energjisë, ndërkohë që ka rritur çmimin e ujit, është tallja e rradhës e një qeverie që jep pak me njërën dorë dhe u heq shumë me tjetrën familjeve shqiptare.

Si çdo shfaqje parazgjedhore e Edi Ramës ndër vite shitet me bujë si një ‘arritje historike’, kur në realitet portofoli i tyre goditet edhe më rëndë përmes faturave të ujit që rriten me më shumë se 30%.

Kjo politikë nuk është gjë tjetër veçse një sulm i drejtpërdrejtë ndaj xhepave të familjeve shqiptare, të cilat dënohen nga vendime të gabuara që pasurojnë pakicën dhe varfërojnë shumicën.

Ky mashtrim i radhës për të rrëmbyer votën në 11 maj, duhet përbuzur nga qytetarët që kanë vuajtur në lëkurën e tyre si janë tretur të gjitha premtimet elektorale nga një qeveri e korruptuar, e cila ka varfëruar vendin dhe ka larguar rininë.

Shqipëria meriton më shumë

Korridori Nr.8, mundësia e artë e bllokuar nga qeveria e Maqedonisë së Veriut

Nga Mateo SPAHO

Korridori i Transportit Pan-Europian Nr.8 është një nga dhjetë korridoret evropiane dhe lidh detin Adriatik me Detin e Zi. Kjo arterie e qarkullimit në trupin e Europës është një mundësi e artë për ekonominë e Shqipërisë. Veç vendit tonë dhe Maqedonisë, Italia dhe Bullgaria janë drejtpërdrejt të interesuara për ta ndërtuar këtë vepër. Korridori është intermodal, do të thotë që përfshin porte, rrugë, rrjet hekurudhor, aeroporte, infrastrukturë të kombinuar të transportit dhe objektet e tjera ndihmëse për të menaxhuar trafikun përgjatë rrugës.

Është e paimagjinueshme masa e njerëzve, mallrave (dhe eurove) që do të kalonin në këtë korridor, i cili kryqëzohet me korridore të tjera në Bullgari, Maqedoni dhe në Shqipëri siç është Autostrada AdriatikoJoniane, që do të vijë nga Mali i Zi e do të shkojë drejt Greqisë. Gjendja e infrastrukturës rrugore përgjatë Korridorit Nr.8 është relativisht e mirë dhe vazhdimisht modernizohet në Bullgari, por edhe Shqipëria po bën përpjekjet e veta në ndërtimin e tij. Këto përpjekje duken në dyfishimin e aksit rrugor Elbasan–Qafë Thanë, i cili është në ndërtim e pritet të përfundojë në fundin e vitit 2027. Gjithashtu, pritet që gjatë vitit 2025 të fillojë ndërtimi i autostradës që lidh Elbasanin me Rrogozhinën e me autostradën AdriatikoJoniane. Veçse lidhjet hekurudhore midis tri vendeve nuk janë ndërtuar ende, si midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, dhe midis Maqedonisë dhe Bullgarisë. Projekti ka mbështetjen politike dhe ekonomike të Këshillit të Evropës (KE), por nuk ka asnjë rezultat në praktikë. Ku qëndron problemi? Me sa duket, Maqedonia e Veriut nuk dëshiron zhvillimin e projekteve të transportit me Shqipërinë fqinje dhe Bullgarinë. Sjellja e sllavëve maqedonas në vitin e fundit, pavarësisht anëtarësimit në NATO, mund të përcaktohet si një “Jugonostalgji e yshtur”.

Sot në Maqedoni po kryhen investime në infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore, por asnjë nga këto nuk lidhet me Korridorin 8. Për këtë arsye, trafiku i mallrave midis Maqedonisë dhe Serbisë është dy herë më e madh se ai më Shqipërinë dhe Bullgarinë të marra së bashku. Takimi i fundit i nivelit të lartë, i cili synonte të përmirësonte koordinimin midis vendeve të Korridorit 8, u mbajt në fund të korrikut 2023 në Brindisi, Itali. Vendet u përfaqësuan nga ministrat e Jashtëm, Antonio Tajani për Italinë, Olta Xhaçka për Shqipërinë, Bujar Osmani për Maqedoninë dhe Maria Gabriel për Bullgarinë. Asnjë angazhim i qartë nuk u ndërmor për ndërtimin e shpejtë dhe më të plotë të korridorit e nuk u vendos asnjë datë apo skadencë.

Maqedonia ka marrë fonde për projektimin e hekurudhave të Korridorit 8 dhe kredia për ndërtim ka qenë e garantuar nga bankat ndërkombëtare BEI dhe BERZH. Qeveria e re VMRO-DMPNE, e Kryeministrit Hristo Mickoski ka bllokuar gjithçka e për të zgjatur zullumin, ka kërkuar të përgatisë një projekt hekurudhor plotësisht të ri dhe madje kërcënon të ridrejtojë fondet e synuara për korridorin 10 që lidh Maqedoninë me Serbinë dhe Greqinë. Kjo është e rëndë, sepse vetë mendimi i BE-së dhe i Bankës Europiane për Investime (BEI) është se, “nuk ka asnjë kuptim për të bërë një projekt të ri, pasi që ai aktual është me zgjidhjen teknike më fitimprurëse dhe plotëson plotësisht kërkesat e BE-së për pajtueshmërinë operacionale. BE beson se propozimi i Shkupit do të çojë vetëm në një shtyrje të re afatgjatë për realizimin e korridorit”. Veprimet e qeverisë Maqedonase janë kundër interesave të BE-së, NATO-s, Italisë, Bullgarisë dhe mbi të gjitha, të vendit tonë. Kjo jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por edhe nga ajo e sigurisë së Europës Juglindore. Orientimi drejt Serbisë e Hristo Mickoskit tregon se influenca serbe dhe ruse, antieuropiane dhe anti-NATO po zënë vend në Maqedoni e ky bllokim i Korridorit të 8 në favor të lidhjeve me vendet antiperëndimorë nuk është rastësor.

Në teori, investimet që Maqedonia po bën për t’u lidhur më mirë jo vetëm me Serbinë, por edhe me Greqinë nuk do të ishin negative, pasi Greqia është vend perëndimor, por portet kryesore të saj sot zotërohen nga kompani të ndryshme kineze! Kontrolli politik serioz i Moskës ndaj Beogradit vazhdon të jetë një burim kryesor i paqëndrueshmërisë rajonale dhe në këtë drejtim presioni ndaj Maqedonisë për refuzimin e projektit të Korridorit 8 është një rezultat i drejtpërdrejtë i dëshirës së Rusisë për të ndaluar lidhjen midis 4 shteteve anëtare të NATO-s dhe interesi për ngritjen e Korridorit 10, Serbi-Greqi ka edhe Kinën si promotore, e cila ka të paktën për momentin arsye ekonomike. Thënë ndryshe, korridoret e transportit sot nuk përcaktojnë thjesht penetrimin ekonomik dhe kapjen e tregjeve, por edhe influencat politike e nesër ushtarake mbi Europën Juglindore. Korridori 8 është leva që lejon zhvillimin ekonomik të Ballkanit, pavarësisht nga Beogradi! Për këtë arsye, qeveria shqiptare duhet të përpiqet në forma të ndryshme bashkë me Italinë dhe Bullgarinë që Korridori 8 të ketë data dhe afate, duke lejuar qytetarët e Maqedonisë së Veriut e të Shqipërisë t’i bashkohen familjes europiane dhe perëndimore, së paku nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik dhe sigurisë.

Unaza e Madhe e Tiranës u hap, por trafiku mbeti

Nga Erisa Kryeziu/Citizens.al

Më 30 dhjetor pjesa veriore e Unazës së Madhe të Tiranës u hap për qarkullim duke plotësuar rreth 29 kilometra të të gjithë perimetrit të saj.

“Ka qenë një nga pjesët më të vështira të kësaj vepre, duke pasur parasysh që kemi pasur një zonë të banuar informale dhe na është dashur të punojmë dhe spostojmë mbi 654 ndërtesa”, u shpreh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku pasditen e 30 dhjetorit.

Mirëpo, edhe pse u tha se fundi i dhjetorit do të mbyllte punimet, hyrje-daljet për lidhjet me Kinostrudion, Babrrunë, Paskuqanin dhe Laprakë mbeten të papërfunduara, duke nxitur kësisoj fluks trafiku, veçanërisht në nënkalimin e Paskuqanit.

Hapja e Unazës së Madhe të Tiranës nuk ka zgjidhur ende trafikun në zona të njohura në kryeqytet për këtë problematikë, siç është Astiri.

Ministrja Balluku, ia ka faturuar këtë gjë shtimit të numrit të makinave që qarkullojnë në kryeqytet.

“Po të shikoni dhe të dhënat e DPSHTR-së, numri i automjeteve është rritur ndjeshëm. Nga ana tjetër ka një përdorim të automjeteve me qira, i cili shkon në 10-15% të flotës së përgjithshme që ka vendi”, deklaroi Balluku.

Edhe pse Unaza përshkon qytetin rreth e qark në një cikël të mbyllur, sipas Ballukut në shfryrjen e trafikut do të ndihmojnë vepra të tjera infrastrukturore jashtë kryeqytetit.

“Bypass-i i Elbasanit mbetet një nga sfidat më të mëdha për t’u zgjidhur, duke qenë se Unaza do t’i japë frymëmarrje Tiranës dhe duhen parashikuar tashmë edhe hyrje-daljet duke qenë se gjithë fluksi i trafikut nuk do të ketë të bëjë vetëm me lëvizjen rreth unazës, por çështja është edhe hyrje-daljet në qytet”, u shpreh Balluku.

Por ende pa i dhënë mundësi për t’u sprovuar si vepër e plotë Unaza e Madhe, qeveria ka hedhur në diskutim për konsultim publik një plan kombëtar ku parashikohet që përgjatë vitit 2025 të kufizohet përdorimi i automjeteve në disa ditë të javës.

Më shumë se një dekadë punime për Unazën e Madhe të Tiranës

Punimet për Unazën e Madhe të Tiranës kanë nisur prej vitit 2011, ndërsa inspektimet e para të punimeve u kryen në 2013 nga Sokol Olldashi, asokohe Ministri i Punëve Publike.

I nisur si një projekt ide para viteve ’90, zbatimi i tij vijoi në vitin 2009 me riplanifikimin për zonën e ashtuquajtur “Astiri” e më tej segmentit nga Kopshti Zoologjik që devijoi drejt Lundrës – falë lobimit të qendrës tregtare TEG.

Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste, projekti u rishikua, pasi sipas tyre “nuk ishin marrë në konsideratë efektet që shkakton ndërtimi i tij në terren”. Me këtë prirje ata vijuan segmentin nga Kopshti Zoologjik te “Pallati me Shigjeta” në zonën e Selitës.

Në vitin 2014, Ministri i Infrastrukturës Edmond Haxhinasto u shpreh se ”mund të ketë impakt negativ për sa i takon aktivitetit ekonomik dhe social” dhe se kostoja ishte “shumë e lartë, mbi 10 milionë dollarë“.

Në vitet 2017-2018 protesta të ndryshme nga banorë që prekeshin prej Unazës trazuan opinionin publik. Fillimisht përplasje me autoritetet pati në zonën e Shkozës ku familje që ishin në proces legalizimi kundërshtonin praktikën e përjashtimit nga dëmshpërblimi.

Në zonën e Astirit përplasjet ishin dhe më të forta pasi qeveria iu rikthye një segmenti që ishte ndërtuar më parë duke e rikonceptuar me zgjerim të gjurmës dhe hyrje-dalje të reja.

Në këtë periudhë u zbulua se një kompani fantazmë e njohur si “DH Albania” kishte fituar një prej tenderave të ndërtimit – pjesa te Sheshi Shqiponja deri në Astir me vlerë 18 milionë euro. Ky skandal bëri që projekti të ndryshohej. Projekti i parë parashikonte mbikalim, ndërsa projekti i dytë e ktheu rrethrrotullimin në një kryqëzim me nënkalime.

Në shtator të vitit 2021, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se Unaza e Madhe do të përfundon brenda 24 muajsh, pra në gusht të vitit 2023.

Mirëpo, edhe pse e premtuar si vepër që mbyllej në gusht, sërish punimet në terren nuk arritën afatet.

Në vitin 2023, Ervis Berberi, asokohe Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar tha se Unaza do të përfundonte në vitin 2024. Por Berberi dhe dy vartës të tij u detyruan të dorëhiqeshin pa e arritur këtë objektiv. Ata u akuzuan për korrupsion dhe pastrim parashë.

Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi prej 28,77 kilometrash që kapën një kosto totale prej 44.3 miliardë lekësh për t’u ndërtuar.

Ajo është e ndarë në katër segmente:

  • Unaza Veriore: nga ish-sheshi Shqiponja te mbikalimi në Shkozë – (8.52km/16.8 miliardë lekë)
  • Unaza Lindore: nga Shkoza në Lundër (rrethrrotullimi i TEG) – (9.87km/12.1 miliardë lekë)
  • Unaza Jugore: nga Lundra në Selitë (Pallati me Shigjeta) – (8.04km/9.6 miliardë lekë)
  • Unaza Perëndimore: nga Selita në ish-sheshin Shqiponja – (2.34km/5.8 miliardë lekë)

BIRN: Shoqëria civile kërkon mospërdorim të burimeve publike në fushatën zgjedhore

Nga Blerina Gjoka

Disa organizata të shoqërisë civile, që monitorojnë proceset zgjedhore, në një deklaratë të përbashkët të premten bënë thirrje për respektimin e një gare të ndershme dhe të barabartë midis subjekteve zgjedhore, e cila, sipas tyre, “cënohet nëse do të përsëriten problematikat e konstatuara në zgjedhjet e kaluara lidhur me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, shitblerjen e votës dhe çdo formë presioni apo ndikimi të papërshtatshëm që prek dinjitetin dhe deformon vullnetin e lirë dhe të pavarur të zgjedhësit”.

Deklarata e nënshkruara nga “Qëndresa Qytetare‘, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Instituti i Studimeve Politike, nënvizon që “çdo njeri ka të drejtë të trajtohet me respekt dhe dinjitet, por në çdo rast duhet respektuar standardi që kategoritë ose grupe sociale të mos bëhen objekt i keqpërdorimit të të drejtave të tyre për qëllime elektorale”.

Sipas organizatave fushata zgjedhore ka filluar shumë herët në cënim të parashikimeve të Kodit Zgjedhor që sanksionon që fushata nis 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve.

Ato po ashtu kërkojnë transparencë për financimet e kësaj fushate të parakohshme dhe pse ligji është i kufizuar në llogaridhënien financiare vetëm brenda afateve 30-ditore.

“Ne kërkojmë transparencë dhe llogaridhënie publike mbi financimin e aktiviteteve me natyrë elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat janë zhvilluar deri më tani si dhe planifikohen të zhvillohen në vijimësi, brenda dhe jashtë vendit”- thuhet në deklaratë.

Organizatat po ashtu ngrenë shqetësimin e përdorimit të administratës publike për fushatë zgjedhore dhe kërkojnë një angazhim të KQZ-së dhe prokurorinë në drejtim të denoncimit të shkelësve të detyrimeve të legjislacionit zgjedhor dhe legjislacionit penal, të cilët zgjedhin të shpërdorojnë në kundërshtim me legjislacionin burimin publik për qëllime elektorale.

“Në zgjedhjet e kaluara, organizatat tona kanë vërejtur raste kur hetimet administrative dhe veçanërisht ato penale për denoncimet lidhur me ndalimin e përdorimit të burimeve publike janë zgjatur apo zvarritur në kohë, çka dobëson besimin e qytetarëve në mekanizmat raportues dhe rezultatin e pritur ndaj tyre”- vërejnë organizatat duke i rekomanduar KQZ-së që të përdorë të gjitha burimet dhe instrumentet e mundshme njerëzore e ligjore, për të trajtuar me prioritet shqetësimët si dhe indicjet publike që janë të verifikueshme, lidhur me keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe jetësimin e standardeve që kërkon Kodi Zgjedhor për mbrojtjen e tyre.

Apeli i shoqërisë civile shkon dhe për partitë politike që të jenë transparente në raport me burimet shtetërore, në retorikën elektorale dhe zbatuese më të praktikave të mira që lidhen me votën, me zgjedhjet dhe me demokracinë përfaqësuese.

Analiza e REL: Pasojat ndaj Serbisë nga sanksionimi i industrisë së naftës nga SHBA! Ndikimi tek thesari i shtetit dhe a ka Beogradi një plan B

Paralajmërimi i autoriteteve serbe se Shtetet e Bashkuara mund të vendosin sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), shtron pyetjen se çfarë pasojash do të kishin ato për thesarin e këtij shteti dhe popullatën e tij?!

 

Për mundësinë e sanksioneve ka folur disa herë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërsa nga SHBA-ja nuk ka ndonjë konfirmim.

Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Kompanive të Naftës në Serbi, Tomisllav Miçoviç, thotë se sanksionet eventuale do të ndikonin në tregun serb të derivateve të naftës, por shton se për të gjitha pengesat që mund të dalin, ka zgjidhje dhe se furnizimet nuk do të ndërpriten.

“Unë jam i bindur se ato sanksione – çfarëdo qofshin ato, nëse miratohen – nuk janë të drejtuara kundër Serbisë. Ndaj, besoj se do të gjendet një zgjidhje për të garantuar furnizim të sigurt të tregut vendas”, thotë Miçoviç për Radion Evropa e Lirë.

NIS është kompania e vetme në Serbi, e cila merret me kërkimin, prodhimin dhe rafinimin e naftës dhe me prodhimin e gazit natyror.

Sipas Vuçiçit, pronësia ruse ka bërë që SHBA-ja të planifikojë vendosjen e sanksioneve ndaj ish-kompanisë shtetërore, NIS.

Kompania shtetërore ruse, Gazprom Neft, ka shumicën e aksioneve në NIS që nga viti 2008, ndërsa nga viti 2022, aksione ka edhe kompania e saj mëmë, Gazprom.

Gjithsej, ato kanë 56.15 për qind të aksioneve, kurse 29.87 për qind janë në pronësi të Serbisë.

Pjesa e mbetur u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, por prodhuesi më i madh në botë i gazit, Gazprom, nuk i nënshtrohet embargos së vendeve perëndimore.

Çfarë do të thoshin sanksionet për NIS-in?

Departamenti amerikan i Shtetit i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 16 dhjetor se Shtetet e Bashkuara “nuk i paralajmërojnë publikisht sanksionet”.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të penguar gjenerimin e të ardhurave të Rusisë, si dhe rrjetet e saj të prokurimit dhe financiare, që përdoren për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës”, kanë thënë nga DASH-i.

NIS i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se operacionet e kompanisë janë duke vazhduar pa probleme dhe se ajo “mbetet e fokusuar në vazhdimin e realizimit të investimeve që ka filluar, si dhe në ruajtjen e stabilitetit në tregun vendas të derivateve të naftës”.

Po ashtu është thënë se NIS vazhdon ta monitorojë situatën aktuale dhe t’i analizojë të gjithë skenarët e mundshëm dhe pasojat e mundshme për operacionet e kompanisë.

Miçoviç thotë se është vështirë të spekulohet se çfarë do të sillnin sanksionet e mundshme.

“Është vështirë të pritet që të jetë një kompani serbe ‘me emër dhe mbiemër’. Ndoshta mund të futet ndonjë parim, që më pas do ta përfshinte edhe Industrinë e Naftës së Serbisë, e cila është në pronësi të dy kompanive ruse”, thotë ai.

Miçoviç kujton se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian mund t’i sanksionojnë operacionet e kompanive të tyre, në këtë rast pjesëmarrjen në zinxhirin e shpërndarjes së naftës, por jo edhe të kompanive në vendet e treta.

“Metoda aktuale e vendosjes dhe zbatimit të sanksioneve duket kështu… për shembull në rastin e Bashkimit Evropian miratohet një direktivë që i ndalon vendet [anëtare] të bëjnë biznes me kompani ose mallra të caktuara”, thotë ai.

“Nuk do të ketë mungesa”

Vuçiç ka thënë se në Serbi nuk do të ketë mungesa të naftës, në rast të sanksioneve, dhe se “njerëzit nuk duhet të shqetësohen”.

Duke folur më 5 janar, ai ka thënë se, edhe sikur shteti të mos jetë në gjende të importojë, ai do të ketë naftë dhe benzinë mjaftueshëm për 85 ditë dhe se Serbia do t’ia dalë “edhe në kushtet më të vështira”.

Gati 80 për qind e nevojave për naftë në Serbi plotësohen nga importi, vlerësohet në raportin vjetor të Agjencisë Shtetërore të Energjisë së Serbisë për vitin 2023. Konsumi total i naftës në Serbi atë vit ka qenë rreth katër milionë tonë, sipas raportit.

Nafta në Serbi importohet kryesisht përmes një tubacioni me të cilin operon kompania JANAF në Kroaci. Përmes tij, nafta dërgohet në Kroaci, Hungari, Sllovaki dhe Serbi.

JANAF-i i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se NIS është partneri i tij i vjetër dhe më i madh afarist, me të cilin ka lidhur një “kontratë trevjeçare për transportimin e 10 milionë tonëve naftë deri në fund të vitit 2026”.

Cilat do të ishin pasojat për thesarin e shtetit të Serbisë?

Industria serbe e naftës, si një kompleks i madh industrial, kontribuon dukshëm në të ardhurat buxhetore, thekson Miçoviç.

“Por, pjesa më e madhe e këtyre të ardhurave buxhetore është rezultat i konsumit të derivateve të naftës, ngado që vijnë”, thotë ai, duke shtuar se akcizat dhe TVSH-ja që rrjedhin nga konsumi i derivateve të naftës janë të njëjta, pavarësisht nëse vijnë nga rafineritë vendase apo nga importi.

“Ajo që nuk do të ishte e njëjtë [në rastin e sanksioneve], është funksionimi i një fabrike të madhe industriale. Pra, në vend që të funksionojë një fabrikë e madhe industriale vendase, për tregun tonë do të funksiononin impiante të tjera industriale në rajon”, thotë Miçoviç.

Ai shton se kjo do të nënkuptonte ulje të të ardhurave buxhetore, për shkak të reduktimit të funksionimit të një fabrike të madhe me numër të madh punëtorësh.

“Megjithatë, jam i bindur se sektori i energjisë do të gjejë përgjigje ndaj çdo ndërprerjeje dhe se tregu do të mbetet i furnizuar, sepse në histori ka pasur disa herë kërcënime të tilla dhe janë kapërcyer”, thotë Miçoviç.

“Problemet janë të zgjidhshme”

Miçoviç thekson se industria serbe e naftës ka një peshë të konsiderueshme në furnizimin e tregut vendas.

Sipas të dhënave nga Ministria serbe e Minierave dhe e Energjetikës, rreth 80 për qind e naftës së përpunuar në lëndë djegëse motorike në rafinerinë e Pançevës, e cila është pjesë e NIS-it, importohet, ndërsa 20 për qind është naftë nga depozitat vendase në veri të Serbisë.

Miçoviç thotë se mundësia e mungesës së naftës “ekziston gjithmonë”.

“Ka shumë rreziqe në zinxhirin e gjatë të prodhimit, transportit dhe përpunimit të naftës, që shtrihet nga vendet e largëta të kontinenteve të tjera deri në stacionin e karburantit në fqinjësinë tonë”, thotë ai, por shton se, aktualisht, nuk ka indikacione se do të ndodhë ndërprerja.

E njëjta gjë, sipas tij, vlen edhe për rritjen e mundshme të çmimeve.

“Problemet janë të zgjidhshme. Jam i bindur se do të gjendet një zgjidhje që do të mundësojë vazhdimin e përpunimit të naftës në Pançevë dhe, kështu, nuk do të ketë mungesa”, thotë Miçoviç.

Ai thotë se e bazon këtë optimizëm në përvojën e kaluar me sanksionet perëndimore kundër Rusisë.

“Nëse merret parasysh se si janë vendosur sanksionet deri tani kundër tregtisë së naftës ruse dhe operacioneve të kompanive ruse, gjithmonë ka pasur një periudhë për të gjetur një zgjidhje për kompanitë që nuk janë nga Rusia, por që kanë një lloj marrëdhënieje partneriteti me to”, thotë Miçoviç.

A ka një plan B?

Qeveria e Serbisë ka miratuar, ndërkohë, një vendim për themelimin e një trupi koordinues për të garantuar furnizime të sigurta me naftë dhe gaz, për shkak të, siç është thënë, vendosjes së mundshme të sanksioneve të SHBA-së kundër NIS-it.

Miçoviç thotë se të gjitha vendet, përfshirë edhe Serbinë, kanë planin e tyre të reagimit, në rast të ndërprerjeve të furnizimit me energji.

“Gjithmonë ekziston mundësia që furnizimi me naftë në tubacionet e naftës të ndërpritet. Gjithmonë ekziston mundësia që të ndodhë një aksident në rafineri, ndaj bëhen plane për reagim”, thotë ai.

Ai që nuk ekziston, sipas tij, është një plan që do të mundësonte furnizim afatgjatë dhe të rregullt edhe pa funksionimin e një rafinerie.

Pavarësisht përpjekjeve për t’i diversifikuar burimet e furnizimit me naftë pas pushtimit rus të Ukrainës, Serbia mbetet kryesisht e varur nga produktet ruse të energjisë.

Kjo varësi ka qenë një nga argumentet kryesore të Beogradit zyrtar për të mos vendosur sanksione ndaj Moskës – gjë që BE-ja i kërkon ta bëjë si vend kandidat për anëtarësim në këtë bllok.

Pasi BE-ja ka vendosur sanksione të reja tregtare ndaj Rusisë në vitin 2022, Serbia dhe Hungaria kanë rënë dakord në tetor të atij viti që të ndërtojnë një tubacion nafte, që do t’i mundësonte Serbisë të furnizohej me “naftë më të lirë nga Uralet, duke u lidhur me tubacionin Druzhba”.

Sipas një deklarate të mëhershme të ministres serbe të Energjisë, Dubravka Gjedoviç Handanoviç, ndërtimi i këtij tubacioni do të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2025./REL

Eksportet, ndikim negativ në ekonomi! Si po zëvendësohen nga importet

Kontributi i eksporteve në Prodhimin e Brendshëm Bruto po bie, ndërsa ai i importeve po rritet.

 

Sipas matjes së PBB-se me metodën e shpenzimeve, ndikimi i eksporteve të mallrave në rritjen ekonomike ishte negativ me -4.4 % në tremujorin e tretë 2024.

Kontributi i eksporteve në rritjen ekonomike ishte negativ që nga tremujori i parë i vitit 2023, ku njësitë e prodhimit në vend nuk po mundeshin më të transferonin humbjet që vinin nga kursi i këmbimit.

Në anën tjetër, kontributi i importeve shënoi rritje. Rënia e kapaciteteve prodhuese në njërën anë dhe rritja e numrit të vizitorëve të huaj kanë shtuar nevojën për mallra importi. Ndikimi i importit të mallrave në rritjen ekonomike ishte +9.8% në tremujorin e tretë të 2024, krahasuar me të  njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Siç shihet nga grafiku i mëposhtëm, eksportet e mallrave kanë ndikuar pozitivisht në rritjen ekonomike që nga tremujori i tretë i vitit 2020 deri në tremujorin e parë 2023, kur ato nisën rënien dhe e ndikuan negativisht ekonominë e vendit.

Në 11- mujorin 2024, eksportet e mallrave arritën vlerën 347 mld lekë, duke u ulur me -13,9 % krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 816 mld lekë, duke u rritur me 2,0%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 469 mld lekë, duke u rritur me 18,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

Forcimi i Lekut ndaj Euros i kombinuar me disa faktorë të tjerë si rritja e pagës minimale dhe rënia e kërkesës nga jashtë ka dëmtuar rëndë eksportet dy vitet e fundit.

Rënia me rreth 18% e këmbimit të Lekut me Euron ndërmjet 2021 dhe 2023 po i bën  mallrat dhe shërbimet shqiptare më të shtrenjta për blerësit e huaj. Kjo ul kërkesën për eksportet shqiptare në tregjet ndërkombëtare, duke i bërë ato më pak konkurruese në raport me vendet e tjera.

Eksportuesit që marrin pagesa në Euro, por kanë shpenzime në Lek po humbin të ardhurat sistematikisht kur konvertojnë euron në lekë. Kjo përveçse ka ndikuar negativisht në marzhin e tyre të fitimit po ul investimet dhe po çon në uljen e prodhimit.

Industria e tekstileve dhe e këpucëve, e cila punon për eksport, po humbet më shumë nga kursit i këmbimit.

Nga ana tjetër importet po favorizohen nga forcimi i lekut, pasi mallrat nga jashtë bëhen më të lira. Rënia e çmimeve të importit po dëmton prodhuesit vendas, të cilët po përballen me konkurrencë më të ashpër nga produktet e importuara më të lira.

Për shkak të uljes së çmimit të mallrave të importuara, konsumatorët dhe bizneset po mbështeten më shumë te mallrat e huaja, duke krijuar një efekt zinxhir në dobësimin e industrinë vendase.

Forcimi i Lekut po ul koston e importeve, duke dekurajuar investimet në sektorë prodhues dhe të çojë në varësi afatgjatë nga importet.

Vitet e fundit, prodhuesit shqiptarë po kalojnë periudhën më të vështirë të dekadës së fundit, ku kombinimi i shumë faktorëve me ndikim negativ e ka bërë të paqartë perspektivën. Fabrikat më të vogla po falimentojnë dhe shumë të tjera kanë ndryshuar strategjitë duke u përshtatur me situatën e re.

Teksa kostot e prodhimit në Shqipëri ndryshuan nga rritja e pagës minimale dhe rënia e Euros, klientët historikë të Shqipërisë po zhvendosen në vende të tjera ku ka kosto më të lira prodhimi. /Monitor

Gazment Bardhi nuk u arrestua brenda dhjetorit siç u pretendua, ai hodhi vallen për Sali Berishën

Nga Nevila Gjata/ Faktoje.al

Gazment Bardhi nuk ishte në protestën e parë për këtë vit që Sali Berisha thirri para SPAK-ut kur ky i fundit me vendim të GJKKO është i detyruar të paraqitet dy herë në muaj në Prokurorinë e Posaçme.

Megjithatë, deputeti i PD-së, Bardhi, në dhjetor të 2023, bashkë me disa deputetë të tjerë, firmosën një kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar nenin 73 të Kushtetutës lidhur me imunitetin e deputetit. Kjo kërkesë synonte në thelb pezullimin e masave shtrënguese ndaj Sali Berishës deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Në një reagim publik, Bardhi deklaroi se nuk kishte firmosur për të mos arrestuar Berishën, por për të interpretuar në mënyrë përfundimtare nenin që lidhej me imunitetin e deputetit. Në korrik 2024, në një protestë të udhëhequr po nga Gazment Bardhi (dhe Flamur Noka), mbështetësit e PD-së marshuan drejt kryeministrisë duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj masës arrest me burg për Berishën. Për rastin “Berisha”, deputeti i PD,  Gazment Bardhi, e ka vënë ‘lapsin’ tek rëndësia e respektimit të procedurave ligjore dhe të drejtave kushtetuese. Paralelisht me zhvillimet, Bardhi ngriti akuza ndaj Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama.

Vetëm dy muaj më vonë, Ervin Salianji, një tjetër deputet i Partisë Demokratike, u dënua me 1 vit burg për akuzën e “kallëzimit të rremë” në lidhje me çështjen e njohur si “Babale”. Vendimi u dha nga Gjykata e Apelit më 26 shtator 2024. Çështja “Babale” lidhet me publikimin e një audio-përgjimi në vitin 2018, ku pretendohej se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në aktivitet kriminal. Salianji u akuzua, me pak fjalë, se kishte marrë pjesë në inskenimin e një bisede të sajuar.

Deklarata

Në vorbullën e këtyre ngjarjeve, dikujt për t’i kthyer mbështetjen në betejën e tij ligjore, e dikë për ta bërë kauzë, kryetari i PD-së Sali Berisha, në tetor të vitit 2024, deklaroi se brenda tre muajve, Gazment Bardhi do të arrestohej dhe se do të kishte të njëjtin fat si Ervin Salianji, i arrestuar më herët.

screenshot e deklarates se Berishes mbajtur me 5 tetor

”Qytetarë dhe qytetare, Ervin Salianji është sot në burg sepse guxoi të mbrojë interesin tuaj, sepse sulmoi në zemër dy vëllazëritë më të rrezikshme të drogës, vëllazërinë “Xhafaj” dhe vëllazërinë “Rama”. Qytetarë dhe qytetare, dua t’u informoj sonte se vëllazëria “Rama” dhe vëllazëria “Xhafaj” e festuan me shampanjë burgosjen e Ervin Salianjit. Por jo vetëm kaq, ua them ju këtu, e festuan me betim njëlloj si padrinot në shpellat e mafies se për tre muaj, të njëjtin fat do ketë edhe Gazment Bardhi. Sepse Gaz Bardhi, siç jeni ju në dijeni, e riktheu në skenë Olsin e Xibrakës, këtë kriminel trafikant, të pangopur, të cilin Edi Rama e përdor për punët e tij më të pista”, tha Berisha më 5 tetor

Konteksti

Në muajt e fundit, deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur akuza ndaj Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar dyshime për përfshirjen e tij në trafik droge lidhur me laboratorin e kokainës në Xibrakë. Në maj 2024, Bardhi deklaroi se kishte dorëzuar një kërkesë në SPAK për rihapjen e hetimeve mbi këtë çështje, duke përmendur udhëtime të shpeshta të Olsi Ramës me automjetin me targa AA…, të përdorur edhe nga persona të akuzuar për trafik droge.  Në përgjigje, Olsi Rama e mohoi kategorikisht përfshirjen në aktivitete të paligjshme, duke i quajtur akuzat si shpifje dhe sulme politike ndaj familjes së tij. Ai paraqiti dy herë kallëzime penale në SPAK kundër Bardhit për “kallëzim të rremë”. Kallëzimi i parë u refuzua nga SPAK, pasi u konstatua se Bardhi nuk kishte dorëzuar një padi formale, por vetëm një kërkesë për rihapje hetimesh.

Në kallëzimin e dytë, Olsi Rama iu referua një statusi të Bardhit në rrjetet sociale, ku ky i fundit pretendonte se SPAK kishte njoftuar zyrtarisht rihapjen e hetimeve. Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj këtyre zhvillimeve, duke i cilësuar akuzat e Bardhit si përpjekje për të dëmtuar figurën e tij dhe të familjes së tij. Ai ka theksuar se Bardhi nuk ka dorëzuar asnjë padi kundër Olsi Ramës dhe ka akuzuar opozitën për shpifje. Nga ana tjetër, Bardhi ka deklaruar se qëndrimet e kryeministrit përbëjnë një formë shantazhi ndaj SPAK, me qëllim mbylljen e hetimeve, që mund të implikojnë familjen “Rama”.

Sali Berisha, ndërkohë, ka hedhur akuza të forta ndaj drejtësisë. Akuzat publike prej tij kanë synuar deri diku edhe përceptimin se institucionet e drejtësisë janë të njëanshme dhe të ndikuara nga qeveria dhe se ata që ndjekin cështjet po përfshijnë vetëm Berishën, deputetë të PD-së apo aleatë të saj. E tillë duhet parë (të paktën deri më tani) edhe deklarata e tij për Gazment Bardhin se ai do të arrestohej brenda dhjetorit pas akuzave që kish bërë ndaj Olsi Ramës.

Fakt

Javën e parë të këtij viti, Sali Berisha e filloi me një deklaratë reagim ndaj vendimit të GJKKO për detyrim paraqitje dy herë në muaj pranë SPAK. Ai drejtoi protestën para prokurorisë së posaçme, më tej zhvilloi një konferencë për shtyp me mediat dhe mori pjesë në 34 vjetorin e themelimit të gazetës së parë pluraliste në vend “RD”. Me pak fjalë, Berisha vijoi normalisht aktivitetin politik. Të enjten pas mesdite, kryetari i PD-se, Sali Berisha, (i shoqëruar nga Flamur Noka) ishte në burgun e Fierit për të takuar deputetin e PD, Ervin Salianji. Gazment Bardhi, ndërkohë, daljen e parë publike për këtë vit do e ketë të premten në mbledhjen e paralajmëruar të grupit parlamentar.

Dalja e fundit e tij për vitin 2024 ishte vallja që ai hodhi me këngën për Sali Berishën më 28 Dhjetor bashkë me deputetë të tjerë të PD-së në një nga lokalet e Tiranës. Më herët, ai bashkë me Berishën ishin në protestën e paralajmëruar prej PD-së për mosbindje civile në rrugët e Tiranës.

Përfundim

Nisur nga zhvillimet politike (qysh prej tetorit të vitit 2024 e deri në publikimin e këtij lajmi), deklaratën e Sali Berishës se Gazment Bardhi do të arrestohet brenda tre muajve do ta kategorizojmë si të pavërtetë.

Si ndikon stresi në shëndetin e njeriut, mjeku rendit “armiqtë” e stomakut: Kujdes mos e teproni me alkoolin dhe…

Mjeku Gerald Kola foli sot në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News 24 lidhur më shëndetin e stomakut dhe faktorët që shkaktojnë sëmundjen e gastritit dhe të sistemit tretës në tërësi.

 

Mjeku tha se stresi lidhet totalisht me gastritin, ndërsa thekoi se çdo mbi sasi ushqimi apo lëngjesh dëmton stomakun.

“Sa i përket armiqve të stomakut, baza është alkooli, më pas vijnë sheqernat dhe karbohidratet. Dua të bëj një parantezë, praktikisht bën dëm ajo që është e tepruar, mbisasia. Nuk është se do hamë një fetë bukë apo një fetë bakllava dhe do të na bëjë dëm. Trupi ka nevojë për të gjithë nutrientët, nuk duhet ta privojmë nga këto gjëra. Nëse një stomak është i sëmurë bëjnë dëm edhe yndyrnat, në  kushte normale, nëse nuk abuzohet një stomak i shëndetshëm është i krijuar për të tretur çdo lloj enzime…Gastriti dikur është quajtur sëmundja e studentit pasi për herë të parë është vënë re tek studentët në kohën e provimeve. Gastriti është totalisht i lidhur me stresin…. Është teori e gabuar të hash shpesh dhe pak. Ndez motorrët për një snack. Sistemi është i automatizuar. Kur t’i do të hash diçka ai do të përgatitet për një vakt të plotë. Tëmthi dhe pankreasi do të nisin të prodhojnë enzima të tresin një vakt të plotë”, tha mjeku.

Tortura çnjerëzore dhe pushkatime, fati tragjik e klerikëve! Kujtimet e ish-Ipeshkvit të Shkodrës: Mehmet Shehu, gjatë vizitës në Shoqninë e Jezuitvet në Tiranë, kishte thënë që ‘luftojmë klerin reakcionar, jo ndjenjat e besimtarëve’, Patër Meshkalla i’u…

Publikohet një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.  

 mehmet shehu enver hoxha  gasper thaciTERRORI 

Ata e morën vesh vonë se Mesha e Krishtlindjes në mesin e natës, nuk do të thohet nga frika e ndonjë turbullimi që mund të ngjante nga ai ndryshim fort i madh, në atë fund nandori. Kisha e Madhe në atë madhninë e vet, rrinte e heshtun dhe imponuese në këtë natë të mistershme që binte mbi qytet, deri në agim. Qyteti priste mesnatën e njerëzit nuk e kishin bjerrë gëzimin, as gjallninë e mbrendëshme, që sjell kjo orë. Ishte herët me të hi trishtimi dhe tmerri i vërtetë. Kishat, rrugët u banë të heshtuna në disa orë e, Kisha e Madhe si një lajmuese edhe e ngjarjeve, që do të qëndronte në çdo formë nën kupën e qiellës, si një ndërtesë frymëzuese, pa bjerrë madhninë e kujtimin në asnjë rrethanë, kishte një fuqi, me një pamje e cila dukej plot vështrime: Gjithmonë me ngjyrën e vet të dallueme historike, gjithmonë dishmi për gjithçka.

Ajo, tue pasë një dritore të rrumbullakët nalt në ballin e saj, nëpër të cilën prindja u thonte fëmijëve se hyjnë e dalin engjujt, kishte jetë, komunikonte dhe me atë sy të madh, depërtonte në thellësi kohe dhe ruente me shikim të gjallët që përcillte deri te vorri dhe të vdekunit deri në lumni. Ishte e vështirë me e përcaktue këtë kishë, në këtë natë. Ajo e ndiente se diçka kishte mangut. Nuk ishte zemrue askush me atë, për një herë. Por ajo ishte mësue me pritë tetë mijë, dhetë mijë vetët e mandej, me i përcjellë me urime qiellore deri që të mbyllshin sytë besnikët, me kujtimin e Betlehemit. Mes heshtisë, arsyeve dhe shejve, ajo Katedrale ruente veten dhe gjithçka të çmueme. Ishte mbrenda saj një jetë mbitokësore.

Në këtë natë, nuk kishte ndonjë rrezik, nuk ishte tufan. Ishte thjesht një urti, që vinte nga ana e Kishës, një lloj frike mos të kishte me të vërtetë turbullime, në orët e vona. Kjo e çuditi pushtetin e ri. E ky që e dinte vetin se kush ishte, u gjet ngusht. Tue qenë se kanga ishte këndue: “Luftë pa dallin feje, krahine e ideje”, duket se u vra në sedër. Atëherë shteti i pakonsoliduem, kurrsesi nuk donte që të mos thohej mesha. Ata ndërhyjshin pranë Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit dhe merrshin përsipër me lajmue popullin vetë nacionalët çlirimtarë të krishtenë dhe ndonjë komunist i krishtenë, me ngutin e punëve të tyne.

Kjo edhe pse ishte vonë: rreth orës katër. Ata kërsitshin prej derës në derë e, thojshin: “Sonte thohet mesha e, mos të keni frikë, pse besimi asht i lirë”. Ata e quejshin shpifje, po të thonte kush se; besimi nuk do të ishte i lirë e, për ma tepër mund të ndëshkohej, ai që bante këtë shpifje, që për ata do të ishte një parrullë e reakcionit. E ky lajm do të sigurohet nga ramja e kumbonëve, shej i vërtetë se nuk kishte dredhi. Shtimja e madhe që rrinte në shpirtin e doktrinës, nuk e zbulonte menjëherë veten.

Do të dijë vetë si me veprue tash që ka dalë fituese. Por tash nuk kishin kohë me u marrë me këso çashtjesh të randa. Ata kishin punë të tjera. Rrugët e ngushta po mbushen me popull, me lëvizjen e natës së madhe, edhe ndonjë frikë e kotë, u zhduk, se populli merr frymë menjëherë, kur i ikë pengesa. E përmbante kjo taktikë luftën e madhe, që do të kalonte çdo kërdi e vrasje? A ishte sinjali tinzar, se gjithçka do të fillonte e vazhdonte me tradhti e mashtrim? Mesha u tha për bukuri. Festa u kremtue lirisht, si në çdo vjetë të kalueme.

Po kush mund t’i besonte një doktrinës së pa Zot e, atyne njerëzve që, çka pohojshin në mëngjes, e anulojshin në errësirën e asaj mbramjeje? Lirinë për të cilën Apostulli shkruen se; “gjindet atje ku asht Shpirti i Zotit”, ata nuk e njifshin. Ata do t’i shkatërrojshin të tjerët, se kishin shqetësimet e planet e veta. Me siguri përmbrenda pat një si fat të keq, kje si një krizë, si një ogur i zi, pse çdo feste së mavonshme, do t’i mungonte diçka e madhe. Jo një realitet fetar, por një liri fetare e mjaftë kjo, për t’u nxi qielli e për t’u prishë punët.

Ata nuk mundshin me durue gjatë, ata nuk do të mundshin me qindrue pa gënjeshtrën e vet në gjithçka. Ishte interesante se në kishë do të shkohej, ato do të mbusheshin. Asnjë mendim përnjëherë me i hjekë popullit besimin, por me i hjekë kishës priftin. Dallojshin: luftën e kemi kundër klerit reakcionar dhe jo me pengue lirinë e besimit. Në një vizitë që kishte ba Mehmet Shehu, në ditët e para në Shoqninë e Jezuitvet në Tiranë, kishte thanë se na luftojmë klerin reakcionar, jo ndjenjat e besimtarëve. Pater Meshkalla i kishte dhanë përgjigje: “Ju do të veproni kundër të dyjave”.

Të vërtetën e parë po e çonte në vend regjimi. Reja e zymtë që mbushi qiellin e ernat që sollën shtërngatat mes vetëtimave e bubullimave si një stuhi nohetiane, po rrëzonte landët e caktueme e shuete dritat, se duhet terr për t’u ba punët e mbrapshta. Kështu fillimi niste në mëngjesin ende të ftoftë të Diellës së Larit, me pushkatimin e Don Ndre Zadejës. Do të vazhdojshin arrestimet e pushkatimet pa ia da, herë mbas heret. Këta ngjajnë, do të thojshin, se meshtarët merren me politikë.

Dom Lazër Shantojës, i kjenë ba tortura fort çnjerëzore. Nuk ja mjekuen kambët e duerët, si të këputuna.

Trupi i tij, kje ba si i fëmijës. I bajtun ky trup prej duerësh, kështu u gjet para ekzekutimit. U pushkatue, gjithmonë mbas torturash dhe regjenti Pater Anton Harapi. Delegati Apostolik, Monsinjor Nigris, nuk kje lanë të hynte në Shqipni, kur po kthente nga Roma. Pa asnjë lidhje me Lëvizjen e Postribës, që donte të përmbyste “Pushtetin Popullor”, në vjetin e dytë të regjimit të ri e që po pregatitej të ishte e përgjithshme në Shqipni, kjenë arrestue Zv/Delegati Apostolik, Monsinjor Frano Gjini e, Monsinjor Gjon Volaj, Ipeshkvij.

Së bashku me Monsinjor Nikoll Dedën dhe trembëdhetë civila, pushkatimi, që asht akti i fundit, qe një shpëtim për ta. Organizata nacionaliste “Bashkimi Shqiptar”, me të krishtenë e muslimanë, kishte rrajen në Seminar. Seminaristat prej një zelli atdhetar, vepruen pa dijeninë e të parëve, me disa aksione shtypi e, kjo shkaktoi pushkatimin e Pater Gjon Faustit e, të Danjel Dajanit. Me këto u pushkatue dhe niciatori i guximshëm, seminaristi Mark Çuni. Por përpara Faustit e Dajanit, e pau derën e burgut jezuiti zelltar, Pater Jak Gardini, që mbasi bani dymbëdhjetë vjetë apostullim, në Shkodrën e traditës së jetës katolike, do të plotësonte edhe dhetë vjet të tjera burgu e internimi e, shembull misionari.

Kurse Pater Gjon Shllakun, intelektual, vërtetë intelektual i shquem, si mbas kangës tallëse që këndohej porsi valle revolucionare në sheshin e qytetit, gjatë gjyqeve të llahtarshëm, e pushkatuen si i akuzuem padrejtësisht, se formoi Demokristianen. Në dosjet e meshtarëve e të civilëve, u gjetën fjalët e mendjes, të zemrës dhe të shpirtit Kristian, në dosjen e tyne: “Rrnoftë Krishti Mbret! Falim armiqët tonë”! Këto fjalë u gjetën dhe te Pater Mati Prennushi e, Pater Çiprian Nikaj, Provinciali e Guardiani me të tjerë, të akuzuem për shitjen e armëve te lteri i kishës.

E u dënuen e vuejtën randë në burgje dhe Pater Donat Kurti e, Pater Aleks Balqi. Kuvendi i Françeskanëve të Gjuhadolit, u shndërrue në një hetuesi të përgjakshme dhe burg. Kuvendi u ba burg, me afër shtatëqind frymë: shtatëqind shpirtën, me sa heronj. Edhe Fra Ndou, sakrestan i Kishës dhe frateli i shquem jezuit, Gjon Pantalia, i vdekun mbrenda ndër tortura. Një Drita, një vajzë e burgosun, shërbeu me aq pastërti e fisniki të vuejtunve, që ishin ndër plagë e ndër grahma. Çka hoq kryeipeshkvi i Durrësit, Monsinjor Vinçenc Prennushi, ma tepër se me qenë i pushkatuem, e dinë të burgosunit që jetuen me te.

Drita Kosturi, kje si një motër e mirë, për Pater Pal Dodën. Arshi Pipa, si një vlla i vërtetë, për Monsinjor Prennushin.

Dom Anton Muzën, të torturuem për vdekje, e lëshuen të gjallë e për gazep, për të jetue disa muej në Arqipeshkvi. Dom Dedë Maçen, të përzemërt, të palkundshëm, e pushkatuen para regjimentit ushtarak. Ndër tortura fort të randa, ku edhe vdiqën pa gjyq, do të ishin Pater Bernardin Palaj, Dom Dedë Plani e, Dom Luigj Bushati. Dom Luigj Prendushi, pushkatim, Pater Bernard Llupi, ndër tortura e pushkatim, në Pejë, Dom Alfons Tracki e Atë Zef Maksen, gjermanë, punojnë për Kishën në Shqipni. I pushkatojnë. Janë të huej e të afërt. Don Pjetër Çuni e Dom Lekë Sirdani, qytetari i Shkodrës dhe malsori i Bogës, janë deri në fund për Krishtin dhe në gjirizet e nëntokës, ku dhanë jetën. Françeskani At Serafin Koda, dha shpirtin me gabzherrin e xjerrun nga fyti.

Që të dy Papat: Papa Pandi e, Papa Josifi, Papa Pandi, prift i ritit oriental në Korçë e, Papa Josifi, prift i ritit oriental në Elbasan. Të parit iu gjet koka e preme, vendosë mbi trupin e vramë. Të dytin e mbytën në baltë për se gjalli, në kampin e punës së mundimeve në Maliq. Shembuj të naltë të jetës edhe para vdekjes. Kur të vijë dita e lirisë, le të jenë prijsa të rritjes së katoliçizmit në jug, të cilin e përshkoi Apostulli Pal. Kjahmet e lumni u pa te Dom Mark Gjani. Tue e torturue i kërkojshm të mohonin Krishtin. Ndër ato tortura, bante dishminë e madhe: “Rrnoftë Krishti Mbret”. I mvarun ndër shpatulla, vdiq. Trupin ia hodhën qenve, mbeturinat i lëshuen në prrue. Shpirti pushoi në Tenzonë.

Shkollat e virtytshme me seriozitetin e dijes, shtypi i ngritun dhe shoqnitë fetare që mbajshin jetën shpirtnore e njëkohësisht edhe atë shoqnore me doke të mira dhe me esencën e qytetnimit të kulluet, shpërdaheshin dhe ndaloheshin në fillim, para kushtetutës. Kishat ishin të mbushuna, por funkcionet e vorfna. Nuk kishte kush t’i kryesonte. Mungonte Arqipeshkëvi, kleri, xhakojt. Edhe një kor fort i vogël që kishte mbetë, ishte me zane të pafuqi. Njerëzit e shifshin meshën dhe hyjshin e delshin me një heshti. Ishte frikë, ishte e frikueshme gjendja, rruga, ajri, shikimi, zgjimi, muzgu: terr i zi.

Kisha e Madhe, kishte provue edhe luftën. Ende në muret e saj, gjindeshin gjylet e kohës së luftës me serbët e malazezët. Ajo kishte pritë e përbujtë qytetarët, të cilëve u kishte lejue sofrat e bukës dhe dyshekët ndër lterë. Ajo kishte pasë rrezikun e frikës. Tash ishte frika e rrezikut. Rreziku vetë. Mos po mbyllet ndonjë kishë, se njerëzit kur drejtoheshin, mendojshin mos kanë marrë edhe meshtarët e fundit. Arqipeshkvinë e morën. Vendosen familje oficierash: oficera të malit. Kishin lanë vetëm një dhomë në katin përdhesë.

Dom Ernestoja e Pater Berisha, kishin shum punë e, do t’i bajshin ballë krejt qytetit, tue fillue prej atyne që vijshin në këtë botë, për t’u dhanë pagëzimin dhe atyne që do t’u përciellshin deri te vorri. Dita e diellë ndryshonte pak o aspak, nga ajo e ditëve të javës. Vetëm ndonjë predikim në kishë edhe ndonjë meshë. Kumbonët e mëdha kur bijshin, të kujtojshin se ka festë, por festa nuk bahej. Fratel Ljarja, u mundonte të mbante gjallë kishën me zbukurime. Atë punë bajshin fra Ndou e fra Salvatori, në kishët Françeskane.

U mbushëshin lteret me qira e lule. Por gjithçka e vorfën. Jeta në kishë bahej e mbyllun e shum njerëz, me një lloj frike e pendimi, me një farë nguti, hyjshin në kishë e dojshin me krye punë. Kanë shum nevojë për meshtarin që ndoshta nesër, shum shpejt, nuk e kanë. Erdhi prova e madhe, thojshin njeni me tjetrin, se nuk ja kemi ditë Zotit. Asht një të avitun kah e vërteta. E njerëzit, kur shifeshin, të dukeshin të tjerë, ndoshta ma të mirë. Futeshin në kishë e ecëshin me hapa të qetë dhe të divoçëm. Gjindeshin dy kupa të mëdha me ujë të bekuem e, mbasi lyheshin në ballë tue përkulë gjunin, bajshin kryqin.

E fillojshin jetën e re. E lutjen do ta fillojshin me Atynë-n. Thue” “Ati Ynë”. Me këtë përshëndet Zotin dhe të gjithë vllaznit që janë pranë e, me këtë ke parasysh krejt njerëzimin. E pa mendue konkretisht se u largove nga rruga, nga sheshet, nga vizitat, nga problemet, nga fitimet, merrshin njerëzit një pamje tjetër, se me siguri erdhi një kohë, për t’i ba analizë vetvetes. “O Zot i madh, në ketë orë pune”! E kjo duhej ba kështu: po të lutem për vedi, prindët, vëllazënt e motrat, t’afërmit, të dashtunit, për miqtë, për ata që bajnë keq, që t’i falim me zemër dhe t’i duem armiqtë tonë.

Për të gjithë, për ata që vuejnë. Për ne që vuejmë se nuk po njehen, nuk grumbullohen, nuk sintetizohen nevojat, në sa njehen hyjt në qiell e, kokrrat e ranës në brigjet e ujnave të pashterrshëm. Në çdo rast në kishë, të mbushet mendja me vra, me mbytë, e ban, se vret e mbytë mëkate në rryfyestore, ku rrinë të rreshtuem do burra të shuguruem e, tue qenë se meshtari në moshën njëzetë e katër vjeç, si mbas kishës asht plak, të presin do pleq gojë mbyllun për amshim, me ba pajtimet, ndreqjet, gjakderdhjet ideale për të shtue forcat, në udhën tande të mirë.

“Tash, ku janë meshtarët? Asht aty Dom Ernestoja”? – pyetshin njani-tjetrin. “Jo asht vetëm Pater Berisha. Dom Ernestoja ka shkue ndër të sëmurë”, thojshin. Qyteti i gati pesëdhjetë meshtarëve, do të arrinte të kishte këta: Një Pater Justin Rrota, të paralizuem në shtrat, një Pater Marin Sirdan, të thijun, Pater Zef Saraçin, të verbët dy sysh, Pater Pjetër Tuçin. Bajshin punë zelltarët, Pater Marjan Prela e, Pater Ferdinand Pali.

Kështu, gjashtë vjet të mira të ankthit, të zhdukjes, të tmerrit, të lirisë me ba keq. Ku shkuen meshtarët? Në plumba, tortura, në burgje. Shkaqet? Shum e lehtë. Kanë formue pra organizata, kanë qenë në dijeni e lidhë me Lëvizjen e Postribës, janë gjetë armë te lteri në Kishën Françeskane, kanë strehue të arratisunit. Kanë ba agjitacion e propagandë. Ky ishte salvim me krime. Deri kur? Kjo asht faza e parë. Të tjerat salvime vishin ma vonë. Si ma vonë?! Kur?!

ROBNIA

Prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë, me Titon, erdh krejt e papritun. Zbulimin e bani Stalini i madh, atje larg, shum larg, me mija kilometra largësi. U zbuluen edhe shkaktarët e krimeve: agjentët. “Atëhere një kthesë për së mbarit, pse janë ba shum të zeza”, thuhej. E thojshin vetë; “janë ba gabime”. E u shtruen në mbledhje, në konferenca. “Koha e Koçit, – e kjo thohej lehtë – e ka teprue edhe me kishën. Tash duhej ba një ndryshim”. Atëhere një marrëveshje. “Gjithçka do të rregullohet me ligje, me statut.

Shteti do ta ndihmojë kishën. Subvencion”. E filloi me urti. “Paraqitni një statut – u tha”. – Këto punë iu lanë në dorë Tukut. E ky bisedonte me Pater Marin Sirdanin. Kisha paraqiti kodin e vet. Ata u vranë në fytyrë. Nuk e pranuen kurrsesi. “Ky asht krejt Vatikan,- thanë. Çka kemi hjekë prej tij”?! Kërkuem një tjetër me kufizime. Ziente kazani. Këtu kemi një vdekje, një dhimbje edhe humbje. Mbasi kaloi disa muej në pyetje të randa të hetuesisë e, në mundime që epte ajo, lirohet e vdes në Shkodër, Dom Kolec Prennushi.

E paraqitën të dytin. Tash kanë çehre fort të randë. U idhnuen fort. “Nuk lamë të huejt me u përzie në punët tona”. Kishës i dhanë një ultimatum: “Deri këtu. Nuk ka ma. Besimi asht i lire, mbrenda mureve të kishës”, urdhnonte diktatura. “Qe, ky asht statuti juej me ne”, – ishin fjalët e preme të kryeministrit të egër, dhanë Imzot Bernardin Shllakut. Ipeshkvi nuk e pranoi. “Qe këtu më ke” – i tha Mehmetit, në dhomën e kryeministrisë. “Le të më vehen prangat ndër duer, në kje se nuk më garantohet emnimi i ipeshkvijve prej Selisë Shejte”. Statuti shpallte vetëm lidhje fetare, nën kryesinë e Papës.

Çdo kontakt, e këto tepër të pakta me Selinë Shejte, vetëm tri, e që ishin: me kërkue emnim ipeshkvijsh, telegrami i ngushllimit për vdekjen e Papës Piu XI-të dhe ai i urimit, për Gjonin XXII-të e, ma vonë marrja disa oficeve, do të baheshin rreptësisht, përmes Kryeministrisë. Katër Ipeshkvijtë që u zgjodhën: Monsinjor Ernest M. Çoba, Monsinjor Pjetër Dema, Monsinjor Antonin Fishta dhe Monsinjor Nikollë Troshani, kjenë emnue nga Selia Shejte. Nuk pat asnjë skizëm.

Monsinjor Ernest Çoba, do t’i bante një gjuejtje elegante qeverisë. Filloi përmes Legatës italiane në Tiranë, me anën e së motrës Gjylianë, marrdhanie fetare të fsheta me Selinë Shejte, për sa vjetë. Gjatë diktaturës, nuk pat shtyp. Botohej vetëm kalendari, në shtypshkronjën shtetnore. Seminari lejohej, por ishte i rrezikshëm të qenunit e tij. Asnjë meshtar nuk mund të emnohej në detyrë, pa miratimin e shtetit. Pesë kjenë shugurue fshehtas, prej Imzot Çobës. Kisha ishte ndër pranga. U dha subvencion, që vinte tue u zvoglue. Jeta fetare ishte në kishë, mbrenda mureve të saj.

Edhe proçesionet që përpara përshkojshin qytetin me dy banda, tash baheshin rreth oborrit të kishës, me kangë të këndueme prej murgeshave edhe grave të përshpirtshme. Moji i majit i mbushte kishët e, besnikët i epshin knaqësi dhe pamje jetës fetare. Pa i kuptue mirë vishtirsitë që kishin të parët, drejtuesit, një gjallni ishte përtri, sidomos në netët e ditët e mëdha e, aq fort me rastin e ndërtimit të lterit të ri, zbukurimit të Kishës Katedrale me piktura murale dhe të shugurimit të kishës, për njëqindvjetorin e fillimit të punimeve, kje një ngjarje në epokën e diktaturës.

Pat kangë, muzikë, divocione, pat popull të madh në funkcione, por ma vonë, jo fort vonë, mbrenda vjeti, një sulm i shpejtë, i rrufeshëm. Dom Ejll Kovaçi, pushkatim. Dom Dedë Malaj, i zjarrtë, po ashtu. Pater Konrad Gjolaj, njëzet e pesë vjet. Zhurmë e poterë në Shqipni. Lufta e klasave ishte në zenith.

Pranë kryeministrisë, ishte një zyrë për çështje klerikale: për të gjitha besimet. Për të shkue atje, kalohej nëpër një korridor të shtruem bukur e futej në një dhomë mesatare, me asgja të posaçme.

Ka qylyma, poltrona të mëdhenj, një tryezë dhe një poç: lampadar. Rrijnë të varuna në mur, suaza e Leninit, e Stalinit, e Enverit dhe e Mehmetit. Në tryezë asht një zyrtar me pak flokë, me rroba civile, por me gradën e kolonelit, njeri i matun që merr e ep lajme me delikatesë e, që flet lehtë, gati si çup-çup, se asht dhomë që ka të bajë me aso njerëzish që falen. Shteti u bante ftesa përfaqësuesve të besimeve, për t’u gjetë në festa. Kështu për 1 Majin, për 28 e 29 Nandorin, ata do të gjindeshin në tribunën e madhe të Tiranës. Edhe ata vijshin me ba urime, me rastin e Pashkëve. Memorie.al

“Viti 2024 më i nxehti në histori”, shkencëtarët: Planeti një hap më afër ngrohjes globale

Planeti ka shkuar një hap më afër ngrohjes globale, tregojnë ekspertët.

 

BBC raporton se planeti tokë po i afrohet kufirit të ngrohjes globale, sipas të dhënave të reja.

Shërbimi evropian i klimës Copernicus, një nga ofruesit kryesorë globalë të të dhënave, deklaroi se 2024 ishte viti i parë kalendarik që kaloi pragun simbolik, si dhe viti më i nxehtë në botë i regjistruar.

Kjo nuk do të thotë se kufiri ndërkombëtar 1.5C është thyer, sepse kjo i referohet një mesatareje afatgjatë gjatë dekadave, por është një kambanë alarmi që tregon se emetimet e karburanteve vazhdojnë të ngrohin atmosferën.

Javën e kaluar, shefi i OKB-së, António Guterres e përshkroi rekordin e fundit të temperaturës si “përçarje klimatike”.

“Ne duhet të dalim nga kjo rrugë drejt rrënimit..nuk kemi kohë për të humbur,” tha ai në mesazhin e tij të Vitit të Ri, duke u bërë thirrje vendeve që të ulin emetimet e gazrave që ngrohin planetin në 2025.

Temperaturat mesatare globale për vitin 2024 ishin rreth 1.6C mbi ato të periudhës para-industriale, koha para se njerëzit të fillonin të digjnin sasi të mëdha të lëndëve djegëse, sipas të dhënave të Copernicus.

Sakaq të dhënat e fundit tregojnë se vlerat e regjistruara gjatë vitit 2024  thyejnë rekordin e vendosur në vitin 2023, me pak më shumë se 0.1C , që do të thotë se 10 vitet e fundit janë 10 vitet më të ngrohta të regjistruara në histori.

Met Office, NASA dhe grupe të tjera klimatike do të publikojnë të dhënat e tyre gjatë ditës sot. Të gjithë pritet të bien dakord se viti 2024 ishte më i ngrohti i regjistruar, megjithëse shifrat e sakta ndryshojnë.