20.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Dyshohet se urdhëroi eliminimin e dhëndrit të Qazim Sejdinit, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të Florenc Çapjas: Janë përfituar nga aktiviteti i tij kriminal

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar konfiskimin e pasurive të Florenc Çapja, pasi dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti i tij kriminal.

 

“Në përfundim të hetimit pasuror rezulton se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe për pasojë prezumohet se janë rezultat i aktivitetit kriminal të subjektit Florenc Çapja”, informon Prokuroria e Posaçme.

SPAK njofton se procedimi pasuror u rregjistrua pas hetimeve në ngarkim të Florenc Çapja, i cili dyshohet për veprat penale:“Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të “Grupit të strukturuar kriminal”“Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë më 09.01.2025 kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara në kuadër të procedimit pasuror nr.6 të vitit 2022.

Ky procedim pasuror u rregjistrua në bazë të hetimit penal në ngarkim të shtetasit Florenc Çapia, i dyshuar për veprat penale:“Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të “Grupit të strukturuar kriminal”“Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/1, 334 të Kodit Penal.

Mbi bazën e dispozitave të ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, i ndryshuar me ligjin nr.70/2017 janë identifikuar dhe sekuestruar pasuritë* e luajtshme dhe të paluajtshme të subjektit Florenc Çapia dhe personave të lidhur me të.

Në përfundim të hetimit pasuror rezulton se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe për pasojë prezumohet se janë rezultat i aktivitetit kriminal të subjektit Florenc Çapia.

Pasuritë e sekuestruara për të cilat kërkohet konfiskimi janë:

  1. Pasuria e llojit arë, me sipërfaqe 500 m2, me adresë Udenisht, Pogradec, në pronësi të shtetasit Ferit Muça.
  2. Pasuria e llojit ndërtesë ekonomiko-sociale, një kat, me sipërfaqe trualli 36.2 m, sipërfaqe ndërtese, 25.73 m, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasit Fejzulla Ramazan Çapia (babai i shtetasit Florenc Çapia).
  3. Pasuria e llojit arë +truall +ndërtesë, me sipërfaqe totale 1756 m2, truall me sipërfaqe 450 m2, sipërfaqe ndërtese 214 m2, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia (babai dhe nëna e shtetasit Florenc Çapia).
  4. Pasuria e llojit godinë banimi, me sipërfaqe trualli 498.8 m2, sipërfaqe ndërtese 293.8 m2. Godine banimi 2 kate + 1 kat nëntokë, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan në pronësi të shtetasit Fejzulla Ramazan Çapia (babai i shtetasit Florenc Çapia).
  5. Pasuria e llojit Truall + Ndërtesë, me sipërfaqe totale 360 m2, sipërfaqe ndërtese social- ekonomike, 1 kat 120 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të Bledar Mefail Muça.
  6. Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 720 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.
  7. Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 764 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.
  8. Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 1380 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.
  9. Automjeti tip autoveturë, Marka Audi, Tipi 4E, Modeli A8, viti i prodhimit 2008.
  10. Subjekti “Fejzulla Çapia” (P.F) me NIPT L53322244G, me objekt aktiviteti “Lavazh Bar-Kafe”, me adresë lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan.

DËSHMIA E KILLERIT

Dëshmitë e Henrik Hoxhajt dhe Nuredin Dumanit kanë hedhur dritë mbi një tjetër atentat që ata do të kryenin për llogari të grupeve kriminale ku shënjestër do të ishte dhëndri i ish kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, Sokol Sanxhaktari i cili aktualisht ndodhet pas hekurave.

Dumani i ka thënë grupit hetimor se vrasja e tij i është kërkuar nga Florenc Çapja, Vis Korçari, Bledar Muça dhe Eljo Bitri të cilët kanë ofruar një shumë parash prej 200 mijë eurosh për “kokën” e Sanxhaktarit, pasi sipas tij ai kishte lidhur me Suel Çelën.

Nga ana tjetër Henrik Hoxhaj i konsideruar si ushtari i Dumanit është shprehur se për këtë “kontratë” vdekje që nuk u finalizua ka biseduar me vetë Dumanin ditën kur ndodheshin te shtëpia e tij, para se vrasjes së vëllezërve Haxhia në Durrës.

Hoxhaj u tha hetuesve se takimi me Bledar Muçën nuk u realizua dot pasi në atë kohë u realizua vrasja e vëllezërve Haxhia. Ai shprehet se vrasjen kishte marrë përsipër ta kryente vetë pasi nuk donte që paratë të ndaheshin me persona të tjerë, ndërkohë që një bashkëpunëtor i tretë do të kishte rolin e shoferit dhe vëzhguesit të lëvizjeve të Sokol Sanxhaktarit.

Aktualisht Sokol Sanxhaktari ndodhet në burg për vrasjen e shokut të tij me sende të forta në një lokal në Elbasan, ndërsa një nga porositësit e vrasjes së tij Bledar Muça u vra në fillim të këtij viti në Belgjikë.

Pjesë nga dosja “Plumbi i artë” e siguruar nga Panorama.al

Lidhur me faktin penal të sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e shtetasit Sokol Sanxhaktari.

13.1        Lidhur me këtë fakt janë marrë deklarimet e shtetasit Nuredin Dumani i cili ka shpjeguar se i është kërkuar nga shtetasit Florenc Çapja, Vis Korçari, Bledar Muça dhe Eljo Bitri, që të godiste shtetasin Sokol Sanxhaktari për një shumë prej 200,000 euro, pasi ai ishte lidhje e Suel Çelës. Në lidhje me këtë fakt penal bashkëpunëtori i drejtësisë Henrik Hoxhaj i cili ndër të tjera ka shpjeguar se: Në lidhje me shtetasin Sokol Sanxhaktari unë kam biseduar me Nuredinin në kohën kur ishim tek shtëpia e tij para vrasjes së vëllezërve Haxhia. Gjatë një bisede Nuredini më tha se kishte marrë një ofertë për vrasjen e shtetasit Sokol Sanxhaktari që ishte dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini. E lamë për të takuar shtetasin Bled Muça pasi Nuredini e kishte marrë porosinë prej këtij shtetasi.

Takimi me Bledin nuk u realizua pasi u realizua vrasja e vëllezërve Haxhia. Në lidhje me përgatitjen për vrasjen e Sokolit, Nuredini kishte çuar njerëz për të marrë informacion mbi lëvizjet e tij dhe kishte mësuar se Sokoli dilte në mëngjes ose mbasdite i shoqëruar nga një person i armatosur, me makinë që të dy. Për ta takuar Bled Muçën do shkonim të dy kurse për ta bërë punën do ta bëja unë sepse nuk doja që lekët të ndaheshin me persona të tjerë. Ai që do të përdorej si shofer në vrasje do të ishte dhe informatori për lëvizjet e Sokolit. Unë do të merrja 150.000 euro ndërsa shoferi 50.000 euro. Kjo shumë më është thënë mua nga ana e Nuredinit. Nuk e di arsyen se përse do të kryhej vrasja. Unë nuk kam kryer asnjë takim me asnjë person përveç se me Nuredinin.

13.2        Prokuroria në kërkesën e paraqitur arsyeton se: Tërësia e këtyre provave krijon dyshimin se shtetasit Nuredin Dumani, Florenc Çapja, Eljo Bitri, Vis Korçari dhe Bledar Muça (aktualisht i vdekur), kanë konsumuar elementë të veprave penale të  “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/1, 334 të Kodit Penal.

Anastas Janullatos i nënshtrohet një operacioni urgjent! Spitali i Athinës: Gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit të Shqipërisë është përkeqësuar

Përkeqësohet gjendja shëndetësore e kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili prej ditësh ndodhet i shtruar në spitalin Evangelismos në Athinë.

 

Burme nga spitali bëjnë me dije për mediat greke se Janullatos ka hyrë me urgjencë në sallën e operacionit, sepse ka pasur  gjakderdhje gastrike.

Kisha Ortodokse njoftoi më herët se gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit pësoi një përkeqësim të menjëhershëm dhe  se ai u transferua në njësinë e kujdesit intensiv.

“Përditësim i gjendjes shëndetësore të Fortlumturisë së Tij, Kryepishkopit të Shqipërisë, z. Anastas

Gjendja shëndetësore e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Shqipërisë, z. Anastas, ka pësuar një përkeqësim të menjëhershëm dhe ai është transferuar në njësinë e kujdesit intensiv, ku ndodhet i intubuar. Nga administrata e spitalit”, shkruhet në postimin e Kishës Ortodokse.

Kryepeshkopi Anastas Janullatos u transferua më 3 Janar nga Tirana në spitalin “Evangelismos” në Athinë me një avion të Forcave Ajrore të Greqisë.

Kryepeshkopi 95-vjeçar, i cili kishte shfaqur simptoma të virusit ditët e fundit, u shtrua fillimisht në një spital privat në kryeqytet më 30 Dhjetor.

Asllan Dogjani rikthehet në SPAK

Deputeti i Berishës, Asllan Dogjani është thirrur këtë të premte sërish nga prokurorët e posaçëm lidhur me hetimet e nisura ndaj tij.

Shqiptarët, më të shqetësuarit në rajon për kostot shëndetësore! Ç’tregoi anketa: Nuk janë në gjendje të përballojnë shpenzimet për kujdes mjekësor rutinë dhe mjekime

Shqiptaret janë më të shqetësuarit në Rajon për kostot e larta të shërbimeve shëndetësore sipas anketës së fundit të “Security Metër” të zhvilluar në 6 vendet e Rajonit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

 

Rezultatet treguan se 24 për qind e shqiptarëve ishin shumë të shqetësuar pasi nuk ishin në gjendje të përballonin kostot financiare për kujdes mjekësor rutine dhe mjekim. Ky shqetësim ishte i pranishëm ne një përqindje më të ulët ndër qytetarët e Bosnjës 16%, Kosovës 9%, Maqedonia e Veriut 16%, Mali i 20% dhe Serbia 20%.

Përgjithësisht qytetarët në Rajon kanë nivele të lartë të pasigurisë financiare për shpenzimet shëndetësore, ku me shumë se gjysma e tyre 53% janë të shqetësuar.

Nivelet e larta të shqetësimit tek qytetarët shqiptarë lidhen me të ardhurat e ulëta dhe nga ana tjetër me nivelet e ulëta të shpenzimeve publike për rimbursimin e medikamenteve. Të sëmurët kronikë në vend dhe ato më sëmundje të rralla paguajnë nga xhepi terapitë pasi ato mungojnë në listat e rimbursimit.

Teksa nevojat për shërbime spitalore po rriten nga plakja e popullsisë dhe rritja e nivelit të sëmundjeve kronike në popullatë, buxheti i shëndetësie në vend që të rritet shkurtohet.

Në ndryshimet e fundit që ju bënë buxhetit të shtetit në dhjetor 2024 fondi i Ministrisë së Shëndetësisë u shkurtua me 2.3 miliardë lekë ose me 3%.

Në vitin 2024 shpenzimet për shëndetësinë sipas ndryshimeve të fundit arritën në 75,9 miliardë lekë nga 77,9 miliardë lekë në aktin e dytë normativ. Vit pas viti buxheti për shëndetësinë po rritet me ritme më të ulëta se shpenzimet e përgjithshme buxhetore, edhe pse vendi po përballet me nevoja më të mëdha për trajtime mjekësore.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave shpenzimet buxhetore me 2025 arrijnë në 822 miliardë lekë rreth 8,2 miliardë euro, ndërsa buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë është projektuar 80,7 miliardë lekë ose sa 9.8 për qind e shpenzimeve të përgjithshme.

Në 2024 buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë ishte sa 10.1 për qind e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Në vitin 2021 shpenzimet për shëndetësinë zinin 10.7 % të shpenzimeve totale.

Në vitin 2025 shpenzimet totale nga buxheti do të rriten me 6.7 % ndërsa shpenzimet për shëndetësinë me 3.6 %.

Pavijonet në qendrat spitalore të vendit aktualisht trajtojnë më së shumti simptomat e lehta të gripit dhe temperaturës, teksa qindra mijëra të tjerë që vuajnë nga sëmundje autoimune dhe neoplazmat orientohen të kurohen jashtë vendit.

Çdo vit miliona euro dalin jashtë vendit për trajtuar sëmundjet e rralla duke i kushtuar ekonomisë dhe mbi të gjitha shëndetit të popullatës

. Prej 10 vitesh fondet në shëndetësi po orientohen shpesh në investime jo-eficiente, teksa rimbursimi i barnave mbetet në vendnumëro dhe investimet në pajisje mbeten të pakta. Spitalet publike ende nuk kanë “Pet skaner” që indentifikon sëmundjet në faza fillestare, teksa edhe Qendra Universitare e Prishtinës në Kosovë e ka një tillë./ Monitor

Screenshot-2025-01-09-221609

 

Zyrtari amerikan vizitë në Prishtinë, Osmani: Kosova dhe SHBA-ja do të finalizojnë marrëveshje për “dialog strategjik”

Zëvendës Sekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Kosovë.

 

Zyrtari amerikan u prit nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Departamenti i Shtetit, njoftoi para takimit se zyrtari amerikan pritet të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve.

Lidhur me vizitën e zyrtarit në Kosovë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në Facebook thotë se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara do ta finalizojnë “së shpejti” një marrëveshje për “dialog strategjik” mes dy vendeve.

Ajo tha se ekipet e dy vendeve do të takohen “së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”.

Lajm i shkëlqyeshëm për Republikën e Kosovës! Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zëvendës Sekretarin amerikan Richard Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik. Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate. Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës.

Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Vjosa Osmani pas takimit me zyrtarin amerikan.

Zëvendës Sekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma po zhvillon vizitën në Kosovë si pjesë turit që është duke e zhvilluar në Ballkanin Perëndimor.

Ditën e djeshme ai qëndroi në Shqipëri, ndërsa të shtunën do ta përfundojë turin me një ndalesë në Serbi, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.

Vizita e tij po zhvillohet rreth dhjetë ditë para se administrata Biden ta përfundojë mandatin dhe presidenti i zgjedhur, Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Konfirmohen 10 viktima nga zjarret në Los Angeles, ekspertët: Një nga katastrofat më të kushtueshme të zjarreve në historinë moderne të SHBA-ve

Zjarret në Los Angeles kanë vrarë të paktën 10 persona, me sinoptikanët e motit që paralajmërojnë se erërat e forta në vend mund të shtojnë flakët edhe më shumë.

 

Një zyrar i Los Angeles, Robert Luna thotë se në shumë zona që ka shpërthyer zjarri nuk është ndërhyrë nga ekipet zjarrfikëse, për shkak të rrezikshëmërisë nga flakët e zjarrit.

Për rrjedhojë ai thotë se numi i viktimave do të ndryshojë, pra pritet rritje e numrit të të vdekurve, raporton BBC.

Ndërkohë, mësohet se një person është arrestuar me dyshimin se ndezi zjarrin e fundit Kenneth, i cili më pas shpërtheu në kufirin e qarqeve të Los Angeles dhe Ventura.

zjarret

“Një nga katastrofat më të kushtueshme të zjarreve në historinë moderne të SHBA-ve”

Sipas ekspertëve amerikanë kostot nga zjarret mund të arrijnë deri në 150 miliardë dollarë.

“Këto ferre me lëvizje të shpejtë, të drejtuar nga era, kanë krijuar një nga katastrofat më të kushtueshme të zjarreve në historinë moderne të SHBA-së,” thotë shefi meteorolog i AccuWeather, Jonathan Porter.

zjarret

Zjarret kanë shpërthyer në zonat ku ndodhen disa nga vilat e disa më luksoze dhe të shtrenjta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rreth 2 mijë struktura, përfshirë shumë shtëpi janë shkatërruar thellë në zemër të industrisë amerikane të filmit.

Erërat që arritën shpejtësinë 160 kilometra e kanë përhapur zjarrin në një sipërfaqe të madhe, duke arritur në lagjen e mirënjohur ‘Hollywood Hills’, që vazhdon të shkatërrohet nga zjarret, njëri prej të cilëve vlerësohet si më i rëndi në historinë e qytetit.

Në mes të shumë shtëpive që janë djegur në tërësi përfshihen edhe rezidencat e një mori yjesh të njohura të Hollivudit.

Mbi 180 mijë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Kalifornia po kalon atë që njihet si sezoni i zjarreve në male. Ky sezon megjithatë ka filluar më herët dhe do të marrë fund më vonë si pasojë e rritjes së temperaturave dhe thatësirës për shkak të ndryshimeve mjedisore.

Masakra me mbetjet toksike të Kurum, denoncon gazetarja: Po tentohet të manipulohen analizat!

Mbetjet e rrezikshme të kompanisë “Kurum” janë vendosur në Spitallë të Durrësit prej disa muajsh dhe ende nuk ka një përgjigje nëse janë apo jo toksike.

Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, gazetarja Ola Xama, u shpreh se mbetjet dyshohen se janë të rrezikshme dhe po tentohen të manipulohen analizat që të dalin që një pjesë nuk janë toksike dhe nëse dalin, faji do t’i lihet laboratorit në Kroaci që ka bërë analizat, ndërsa po bëhet gjithçka që çështja të harrohet.

“Më 5 gusht 2023, një njoftim nga Aksioni i Bazelit, një organizatë me bazë në SHBA dha lajmin në “Bloomberg” se anija me 102 konteinerë me lëndë të rrezikshme kishte ikur nga Shqipëria në Tajlandë. Disa media në Shqipëri e botuan. Pas disa muajsh anija u kthye dhe mbeti në radë edhe pse kishte një vendim të prokurorisë për t’u sekuestruar mbetjet. Mbetjet dyshohen se janë të rrezikshme dhe ka dyshime se po tentohen të manipulohen që analizat të dalin që një pjesë nuk janë toksike dhe nëse dalin, faji do t’i lihet laboratorit në Kroaci që ka bërë analizat. Po bëhet gjithçka që çështja të harrohet. Këtu nuk duhet të harrojmë se si është bërë ngarkesa në portin e Durrësit në terren të hapur, por jemi në Shqipëri, ndryshe do të ishte një çështje e madhe dhe qytetarët do të kërkonin dëmshpërblim”, tha Xama.  

Por si erdhi sinjalizimi i anijeve me mbetje industriale?

Sipas dokumenteve zyrtare të shqyrtuara nga AFP, kontejnerët ishin mbushur me materiale mbeturinash që ishin vendosur për t’u përpunuar dhe shkatërruar larg brigjeve të Evropës.

Materiali i depozituar në 102 kontejnerët e kishte origjinën nga uzina e çelikut Kurum International në pronësi turke në Elbasan, Shqipëri.

Mbetjet u blenë fillimisht nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila më pas ia shiti materialin filialit të saj në Kroaci, GS Minerals, me ngarkesën që do të shkarkohej në Tajlandë për përpunim.

Sipas dokumenteve të parë nga AFP, Sokolaj i etiketoi mbetjet si “oksid hekuri” një substancë që nuk është e ndaluar për dërgesë ose që konsiderohet e rrezikshme.

Një analizë e substancës në kontejnerë u krye nga një laborator kroat me bazë në Zagreb, sipas Sokolajt.

Kur u kontaktua nga AFP, laboratori refuzoi të komentonte, duke thënë se “informacioni mund t’u jepet vetëm klientëve”.

Vetë Sokolaj nuk i është përgjigjur pyetjeve se çfarë ka në kontejnerë. Kompania dhe filiali i saj kroat refuzuan të dyja kërkesat e AFP për koment.

Një sinjalizues kishte telefonuar rrjetin e Bazelit për të raportuar se kontejnerët mbanin jo vetëm oksid hekuri, por edhe mbetje toksike.

BAN (Rrjeti i Veprimit të Baselit) i kërkoi Maersk që të ndalonte anijet kur ato ishin pranë bregut të Afrikës së Jugut.

Anijet nuk u përgjigjën dhe fikën transponderët e tyre ndërsa lundronin për në Singapor, sipas BAN. BAN më pas njoftoi autoritetet tajlandeze, të cilët refuzuan të lejonin hyrjen e kontejnerëve.

Në fund të gushtit, 102 kontejnerët në bordin e dy anijeve u nisën për në Evropë dhe mbërritën në Shqipëri në fund të shtatorit, më ekzaktësisht më datë 28.

Që nga dhënia e alarmit, në Shqipëri, prokurorët kanë hapur një hetim për incidentin në bashkëpunim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe partnerët ndërkombëtarë.

Tani Prokuroria e Durrësit, po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë.

Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga oxhakët e fabrikës “Kurum” për t’i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët.

Lufta në Ukrainë/ Zelensky: Partnerët perëndimorë të Kievit u zotuan të ofrojnë 2 mld dollarë ndihmë shtesë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë me dije se gjatë takimeve të tij me partnerët perëndimorë të Kievit në Ramstein të Gjermanisë, u dakordësua që Kievit t’i jepen 2 mld dollarë shtesë për të ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën.

 

Në një intervistë për rrjetin “My-Ukraina TV” pas takimit të djeshëm të Grupit të Kontaktit për Ukrainën në bazën amerikane në Gjermani, Zelensky nuk dha shumë detaje për llojin e ndihmës, por theksoi se 34 vende janë zotuar të mbështesin Ukrainën në fusha të ndryshme.

“Kemi pasur një takim shumë të mirë, një rezultat shumë të mirë. Kishte paketa shtesë mbështetëse për Ukrainën që arrinin në 2 miliardë. dollarë”, ka komentuar ai në një video të postuar në kanalin Telegram të rrjetit televiziv.

Ndihma përfshin mbrojtjen kundërajrore, pastrimin e minave, forcat detare dhe ajrore, artilerinë dhe teknologjinë e mbledhjes së inteligjencës.

“E gjithë kjo do ta forcojë Ukrainën”, theksoi Zelensky.

Presidenti ukrainas nuk specifikoi se cilat vende i morën këto angazhime.

Dje të enjten, Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken tha se Uashingtoni do t’i sigurojë Kievit ndihmë ushtarake shtesë prej 500 milionë. dollarë, të cilat do të përfshijnë mbrojtje kundërajrore, municione tokë-ajër dhe pajisje për avionët luftarakë F-16.

Lamin Jamal: Barça klubi i jetës, rinovoj shpejt

Ylli i Barcelonës, Lamin Jamal mendon vetëm për klubin e tij të zemrës. Ai e bëri të qartë këtë në një intervistë për “CNN” në të cilën siguroi se zgjatja e kontratës së tij është afër.

 

Deklarata e tij erdhi para ndeshjes kundër Bilbaos në gjysmëfinale, teksa më vonë gjatë takimit ai shënoi një nga golat e katalanasve.

“Të them të drejtën nuk e di se kur do të nënshkruhet kontrata, por mendoj se do të jetë së shpejti. Në fund të fundit, Barcelona është klubi i jetës sime. Shpresoj të rinovoj me ta dhe të jem me ta për aq kohë sa të jetë e mundur”, tha ai.

Por 17-vjeçari nuk u ndal vetëm me kaq. “Dua të luaj në La Liga spanjolle. Unë dua të luaj për Barçën dhe po, do të rinovoj kontratën time. Do ta bëj”, vazhdoi ai.

Gjatë gjithë këtij sezoni, klubi do të përmirësojë kushtet e tij financiare. Në këto negociata për rritjen e pagës në këtë fushatë do të nisin të hidhen edhe bazat për vazhdimin e kontratës së tij. Ideja është që ai të nënshkruajë një kontratë profesionale deri në vitin 2030. Dhe me një rrogë të majme.

Shqiptarët po i blejnë makinat nga Koreja e Jugut, shteti më të madh importues në vend! Kosto më të larta transporti, por mjete me çmime më ekonomike

Koreja e Jugut është bërë për herë të parë vendi nga janë importuar pjesa më e madhe e makinave që kanë hyrë dhe janë regjistruar në Shqipëri në vitin 2024.

 

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në 2024-n u regjistruan për herë të parë 18.8 mijë automjete që kishin origjinën nga Koreja e Jugut, duke kaluar në shtetin më të madh importues, me 19% të totalit.

Në krahasim me vitin 2024, mjetet nga Koreja e Jugut, mëse u dyfishuan, me një rritje prej 124%. Dy vjet më parë nga ky shtet blerjet ishin minimale me rreth 1.2-1.5 mijë mjete në vit.

mj

Më parë, dy shtetet nga importoheshin më shumë mjete ishin Italia dhe Gjermania. Por, nga 2023-shi, shqiptarët kanë zbuluar një destinacion të ri, që ofronte makina më ekonomike, pavarësisht kostove më të larta të transportit.

Sonila tregon që bleu një makinë Golf 6 (R Line) të vitit 2013, me 118 mijë kilometra me një çmim në doganë prej 6500 euro, që përfshin çmimin e blerjes dhe transportin. Të njëjtin mjet në Gjermani do e kishte blerë 1000-2000 euro më shumë. Automjetet prodhim vendas si Hyunday vijnë gjithashtu me çmime të leverdishme, ku më shumë mbizotërojnë modelet Tucson dhe Santa Fe.

Në vend të dytë për regjistrimet ka zbritur Italia, me 17.8 mijë, ose 18% të totalit. E treta është Gjermania, me po 17.8 mijë automjete. Më pas renditet Zvicra (9.3 mijë), Shtetet e Bashkuara (6.9 mijë) dhe më pas Kina (5.9 mijë).

Gjithsej në 2024-n u regjistruan për herë të parë një numër rekord i mjeteve prej 99.4 mijë, me një rritje prej 27.5% në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas të dhënave nga DPSHTRR.

Pse po rriten automjetet nga Koreja e Jugut

Makina e përdorura nga Koreja vijnë me një çmim dukshëm më ekonomik sesa ato të Europës që skeptikët e cilësojnë se vjen si efekt i standardeve më pak strikte të mjeteve sesa ato në BE kurse një tjetër argument është kostoja më e lirë e krahut të punës.

Pavarësisht dilemave duket se importet nga Koreja e Jugut mbeten tejet aktive dhe çmimet e leverdishme po nxisin shqiptarët të orientohen gjithmonë e më shumë drejt tyre. Mënyrat e blerjes janë dy: ose duke porositur online dhe duke i paguar agjencisë tarifën e inspektimit dhe transportit ose duke blerë direkt nga agjencitë një mjet të siguruar prej tyre.

Sipas mediave koreane, ka një rritje të ndjeshme të eksporteve të makinave të përdorura.

“Dërgesat dalëse të makinave të pasagjerëve të përdorura arritën në 4.44 miliardë dollarë në vitin 2023, duke u rritur me 66 për qind nga një vit më parë, sipas të dhënave të përpiluara nga Shoqata e Eksportit të Makinave të Përdorura të Koresë. Për sa i përket njësive të shitura, shifra arriti në 555,549, duke u rritur me 68 për qind gjatë periudhës.

Makinat me benzinë ​​zënë pjesën më të madhe prej 67,5 për qind, të ndjekura nga makinat me naftë me 30,3 për qind dhe modelet hibride me 1,3 për qind. Eksportet e makinave hibride arritën gjithashtu një rekord të ri, me eksportet e tyre që u rritën 82 për qind në krahasim me vitin 2023 në 124.2 milionë dollarë”, shkruan Korea Times./Monitor