33.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Haklaj: Rama mban peng Berishën, PD do i kaloj Argitës! Saliu shiti Salianjin te amnistia, sepse i doli me hu te selia më 2021

Sondazhi i fundit i publikuar në Report TV mbrëmjen e djeshme (8 Janar), ku të dhënat flasin për një fitore të PS më 11 Maj me 80 mandate dhe me PD që tkurret në 46 mandate, si dhe surpriza e partive të reja me 12 deputetë, ka qenë tema e debatit të sotëm në “Studio Live”.

Të ftuarit e moderatorit Arbër Hitaj kanë qenë Ilirjana Kuçana, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD, Azgan Haklaj, ish-deputet demokrat, aktualisht me Demokratët Euroatlantikë dhe gazetari Poli Hoxha.

Një tjetër temë diskutimi interesante ka qenë edhe situata e opozitës së përçarë dhe refuzimi i partive të reja opozitare ndaj Sali Berishës, për shkak të shpalljes së tij “non grata”, por edhe marrjes si i akuzuar dhe i pandehur nga SPAK, për aferën e dosjes “Partizani”.

Gjithashtu u diskutua vota e Diasporës me regjistrimet që nisin më 11 Janar, si dhe Drejtësia e re dhe dosjet e Politikës, në risitë juridike e penale që priten këtë vit.

Kuçana u shpreh se PD do vijë në pushtet më 11 Maj 2025, por sipas saj duhej me patjetër një bashkim i frontit opozitar, me të gjithë faktorët anti-Ramë, teksa vlerësoi si të pazëvendësueshme figurën e Berishës, kur Haklaj dhe Hoxha propozuan që ai të dorëhiqej që opozita të vinte në pushtet.

Haklaj shkoi më tej, duke kujtuar se Berisha është peng i Ramës dhe në këmbim të pushtetit ka marrëveshje që PD t’i kalojë Argitës, kurse deputetëve të tjerë i mbetet vetëm “të kërcejnë dhe të dredhin sa më mirë belin” për të hyrë në lista. Ai shtoi se Salianji ishte kurbani i Berishës te amnistia penale dhe se nuk i besonte sondazhit të fundit.

Gazetari Poli Hoxha e sheh fituese mazhorancën më 11 Maj, por jo sipas sondazhit që e cilëson të ekzagjëruar. Sipas tij, PS nuk merr më shumë se 68 mandate, duke theksuar se Rama-Berisha bashkëpunojnë mes tyre për bipolaritet politik dhe inekzistencë të kundërshtarëve. Por Hoxha propozon bashkimin e polit të tretë opozitar, që nëse ndodh maksimalizon votat deri në 30% dhe bëhet “kingmaker’ i politikës.

Ish-deputeti demokrat Azgan Haklaj, aktualisht pjesë e Demokratëve Euroatlantikë, e quaji sondazhin ei “të paguar nga Rama dhe Berisha” për të krijuar bipolaritet politik dhe mos lejuar forcat e tjera.

“Kemi dëgjuar deklaratat e përhershme të Berishës se do rrëzojmë regjimin dhe në krahun tjetër ka firmosur e votuar marrëveshje me Ramën. Sa protesta ka bërë te Kryeministria Berisha. Marrëveshjen me kë e ka bërë, a e ka bërë me zotin Rama. Apo protestat që po bën te SPAK. Rama e ka marrë peng Berishën, e mban peng. Berisha ka marrë peng Rithemelimin dhe partinë. Kjo është kapja rob e Sali Berishës nga Edi Rama. Ai dha mesazhin e qartë nga Fieri, se do jetë aty ende dhe nuk e lëshon partinë. Ai tha sa të kem frymë mbi dhe jam unë drejtues! Çfarë mesazhi i dha sot Salianjit në burg? Sot bëhen 3 vjet nga sulmi me dhunë ndaj selisë së PD (2021), duke sulmuar vëllezërit brenda selisë dhe një gjakderdhje të madhe, një Shën Bartolome dhe ai që doli me hu ishte Salianji. Dhe ai i dha mesazhin sot Ervinit, pra t’i më erdhe me hu, në të futëm me hu këtu. Kurse i dha librin procesi të Franc Kafkës, pritet t’u japi dhe Mitin e Sizifit, e secilit t’u japë nga një libër, si Bardhit, e të tjerëve. Dhe ata i poshtëroi në mënyrë spektakolare, deri te kërcimi në festë, a e pe sa bukur kërcenin ata? Marrim Bardhin e Gjekmarkajn që thanë se sa të jetë Berisha ose nëse bëhet kryetar, lëmë politikën”, tha Haklaj.

Madje ai kujtoi edhe përplasjet brenda PD, duke kujtuar konfliktet e tyre dhe akuzat e hershme dhe kthesën 180 gradë.

“Bardhi i ka paditur ata, Nokën dhe grupin e 11 Dhjetorit, për falsifikim vulash, përvetësim të titullit zyrtar, falsifikim dokumentesh etj. Shih si kërcejnë Mziu, Bardhi, Tabaku. Këta janë shpërdoruar nga një mik i tyre, këta kanë mëkatuar besimin e demokratëve që u kanë dhënë votën. (Bën krahasimin me Solomonin) edhe këta presin që Berisha të vdesë që t’i lëshohen. Kemi 58 zyrtarë të PS në SPAK, ministra, ish-ministra, deputetë, kryebashkiakë, e tani themi se këta marrin 80 mandate me këtë situatë? Dumani tha se Politika ka bashkëpunim me krimin e organizuar. Dhe u jepen 80 me 46 mandate po këtyre për të cilët flitet se janë të lidhur me krimin. Ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të votojnë ndryshe”, shton ish-deputeti.
Por si vjen në pushtet opozita sipas Haklajt? Vetëm me dorëheqjen e Berishës! Dhe sqaron:

Nëse Berisha do që PD të fitojë, të japi dorëheqjen. Ramën e mban në pushtet Sali Berisha. Mesazhi është i qartë, Berisha do ia japi partinë Argitës. E ka bërë marrëveshjen me sulltan Ramën.  Madje Mediu i bëri presion Berishës sot që ta përfshijë në listë, ndaj ishte deklaratë e fortë. Të njëjtën gjë bëri edhe Agron Duka, duke ofruar figura të përbashkëta të tyre”.
Por ai shkoi më tej, duke vënë theksin te bashkëpunimi Rama-Berisha, që bënë ‘kurban’ edhe Salianjin.

“Berisha e shiti Salianjin, i shkuan Xhafajt që Ervini të përfshihej në amnistinë penale, por nuk u pranua. Ministri Manja tha se s’do amnistoheshin zyrtarët e korruptuar, por ndodhi e kundërta. Berisha ka bërë bashkëpunim të frikshëm me Ramën për marrëveshje dhe vendime apo votime. Edhe Salianjin donin ta amnistonin, por nuk u pranua nga Xhafaj. Ndaj Berisha shkoi si Ponç Pilati te Ervini sot”, kujton Haklaj.

Denoncimi i Alfrida Markut: Ura e Balldrenit dhe kabina elektrike rrezik për kalimtarët dhe fëmijët që kalojnë për në shkollë

Kryetarja e degës së Demokratëve Euroatlantikë në Lezhë, Alfrida Marku, shpreh shqetësimin e banorëve të Balldrenit për gjendjen e urës që përdoret nga fëmijët për të shkuar në shkollën “Karl Gega” dhe për kabinën elektrike aty pranë.

Ajo theksoi se ura është e amortizuar, pa trotuar dhe ka rrezik për kalimtarët, ndërsa kabina elektrike është e hapur dhe po ashtu paraqet rrezik për jetën.

Marku kërkon masa urgjente nga Bashkia e Lezhës dhe OSHEE për të rregulluar këtë situatë dhe për të siguruar një mjedis më të sigurt për qytetarët. Ajo thekson se etiketimet dhe sulmet personale janë të panevojshme dhe të papërgjegjshme.

Postimi i plotë i Alfrida Markut:

Sot në Balldre, disa banorë më shprehën shqetësimin për gjendjen e urës në të cilën fëmijët kalojnë çdo ditë për të shkuar në shkollën “Karl Gega”, si dhe të kabinës elektrike aty pranë.
Ura e amortizuar, pa trotuar, me bordurën anësore jo të plotë. Disa metra më larg ndodhet kabina elektrike, e hapur, që gjithashtu rrezikon jetën e fëmijëve e kalimtarëve.
Kjo urë përshkohet edhe nga mjete të zakonshme dhe të tonazhit të lartë.
U bëj thirrje Bashkisë Lezhë dhe OSHEE Lezhë që të marrin masa për të rregulluar këtë gjendje.
Kemi detyrimin për tu shërbyer banorëve të Lezhës, me frymën e adresimit dhe marrjen e masave për zgjidhjen e problemeve, me qëllim përmirësimin e jetesës së tyre.
Etiketimet, sulmet e kundërsulmet personale s’janë gjë tjetër veçse mungesë respekti ndaj qytetarëve dhe alternativë e munguar e palëve.

Karma e Altinit dhe shokëve të tij

Nga Doriana Musai

Altin Basha, ishte njëri nga tre figurat e skenës shqiptare, i cili u shfaq përkrah Veliajt, atëherë kur ky i fundit bashkë me Ramën, kishin nisur planin famëkeq të prishjes së Teatrit Kombëtar. Ishte qershori i 2018-ës, kur pas katër muajsh përpjekjesh për të ndalur marrëzinë që hidhej ekraneve, të komunitetit të aktorëve të teatrit, dashamirës të artit dhe kulturës, qytetarë dhe aktivistë, Altin Basha & co, doli nga roli i aktorit të teatrit dhe veshi atë të buratinit të propagandës qeverisëse. Pikërisht atëherë kur lëvizja në mbrojtje të teatrit, kishte filluar të plotësonte informacionin dhe kishte ndërtuar narrativën, argumentin dhe hapat e nevojshëm konkretë për ta frenuar çfarë dukej se kishte marrë rrokopujën, tre nga aktorët e teatrit braktisën kolegët, teatrin dhe protestën për të dalë buzagaz përqafuar nga Veliaj, me Veliajn. Krahëhapur dhe i buzëqeshur, Veliaj i përdori emrat dhe imazhet e tyre për të ndërtuar skenën e tij të teatrit politik, ku artistët ishin me të, dhe kundra teatrit të tyre.

Ajo foto virale e tre shqiponjave që dolën me gjoksin para dhe flatrat mbrapa, për të shembur teatrin, në skenën e së cilit u bënë personazhe publike, sot, mund të interpretohet si anastiloza e teatrit të madh politik që u luajt me teatrin kombëtar.
Altin Basha, -i cili në fotografi, jo vetëm është përqafuar por edhe ka përqafuar Veliajn, -nuk ishte vetëm njëri nga ata të cilët e braktistën protestën për të mbrojtur teatrin, porse ai spikati, kur u bë fytyra dhe zëri që bërtiste dhe sulmonte më së shumti protestuesit. Ai madje shkoi deri aty sa të akuzonte se në fakt ata (protestuesit) e kishin tradhëtuar teatrin, duke u shndërruar në një lëvizje pro PD-së???! Rol ky, me siguri i mësuar në zyrat e propagandës së qeverisë për ta larguar topin nga fusha ku po luante Veliaj dhe Rama, ngjashem me stafin e dhomës së pasme të ekipit. Kështu Altini, nga artisti në ngjitje i teatrit, mori në pak orë, rolin e buratinit të Erionit të bashkisë dhe servilin e Edit të qeverisë.

Në pak muaj, Altin Bashës iu realizuar dëshira për të shembur teatrin. Me ndihmën edhe të disa firmëtarëve të tjerë, të verbuar nga mungesa e arsyes apo të errrur nga etja për çfarë i ishte premtuar në këmbim, Basha, si njëri nga artistët që legjitimoi shkatërrimin e teatrit u shpërblye duke u vendosur Drejtor i Institucionit të cilin, ai kishte bërtitur fort për ta shembur.
Akt sa antimoral, dhe cinik, aq sa edhe ironik.

U deshën katër vjet që skenografia e ngjitur me pështymën e propagandës, të bjerë. Sot, Altin Basha u shkarkua nga posti i drejtorit të teatrit, pas një investigimi të emisionit Piranja, ku u akuzua se si drejtor i këtij institucioni, në konflikt interesi, ka punësuar bashkëshorten e tij, duke i dhënë dorë të lirë për fondet e një shfaqeje, plot 12 milion lekë për kostumografinë. Sot, Altin Basha është më afër Veliajt, se sa në takimin e përqafimit.

Mgjt, ai është vetëm i rradhës, pasi ka disa firmëtarë të teatrit të cilët, ose janë në burg, ose duke dhënë llogari përpara organeve të akuzës, ose të shkarkuar me pahir. Çështje kohe, kur të shohim edhe të tjerë të lëvizjes Anti-teatër, të bien apo të hidhen tutje si mall i mbipërdorur…kur të ndodhë, sepse do të ndodhë, askush nuk do të kujdeset për t’i vendosur një obol për të kaluar lumin.
Do të lëmë Karmën të bëjë punën e saj

Audituesit e pavarur: Mali i borxheve të OSHEE kërcënon vijimësinë e kompanisë

Klodian Tomorri

Në 10 korrik të vitit të kaluar, 6 audituesë të pavarur audituan bilancin dhe pasqyrat financiare të OSHEE-së për vitin 2021, që janë dhe të fundit publike. Ilda Duhanxhiu, Eljona Hoxha, Neshat Maze, Nurion Bërdica, Orjana Kalaja dhe Vjollca Dervishi listuan në raportin e auditimit 7 çështje për opinion me rezervë.

Kjo praktikisht do të thotë se pasqyrat financiare dhe bilanci i OSHEE janë dëfterë bakalli, që nuk pasqyrojnë gjendjen e vërtetë financiare të kompanisë më të rëndësishme të sistemit energjetik të vendit. Por nuk mbaron me kaq. Në raport, audituesit vendosën një shënim për theksim çështje.

“Ne tërheqim vëmendjen për shënimin 5.1 të pasqyrave financiare të konsoliduara duke theksuar se Grupi pësoi humbje 15.7 miliardë lekë në vitin 2021 dhe në total ka një humbje të akumuluar prej 84.5 miliardë lekë. Të gjitha këto ngjarje tregojnë se ekziston një pasiguri materiale që mund të hedhë dyshime të konsiderueshme në aftësinë e Grupit për të vazhduar sipas parimit të vijimësisë,” theksojnë 6 audituesit.

Por çfarë do të thotë kjo?

Që OSHEE është një kompani zombi e kalbur financiarisht, e cila ka 845 milionë euro humbje të akumuluara. Këto humbje masive kanë gërryer asetet e kompanisë deri në pikën që e kanë shndërruar atë në një aset toksik me kapital negativ.

Sipas pasqyrës së pozicionit financiar të vitit 2021, OSHEE rezulton të ketë 98.6 miliardë lekë asete në total. Por në të njëjtën kohë, kompania ka 143.4 miliardë lekë detyrime. Për rrjedhojë, OSHEE në fund të vitit 2021 kishte një kapital negativ prej 44.7 miliardë lekësh ose rreth 447 milionë euro.

E thënë më shkoqur OSHEE është thjesht një kalbësirë financiare, që nëse sot nxirret në treg nuk vlen asnjë qindarkë.

Viti 2021 nuk ishte një vit problematik. Një vit më vonë Shqipëria u përballë më një dallgë gjigande që shkaktoi kriza energjetike si pasojë e luftës në Ukrainë.

Përballë pamundësisë financiare të OSHEE për të furnizuar vendin me energji elektrike, qeveria ja kaloi detyrimin e furnizimit KESH. Kjo e fundit u detyrua të importonte gjysmë miliardë euro energji në vitin 2022 dhe fatura masive rrënoi edhe bilancet e KESH.

Deri më tani, suksesi më i madh i reformës energjetike të nisur në vitin 2014 ka qenë ai i infektimit me borxhe të gjithë sistemit energjetik. Manovrat financiare të qeverisë, të ngjashme me ato të kumarxhinjve të zhytur në borxhe, kanë konsistuar kryesisht në transferimin e maleve të borxheve nga njëra kompani tek tjetra.

Herë kreditë i transferohen OSHEE dhe pasi OSHEE u zhyt përfundimisht në pikën e falimentimit, dallga e re e detyrimeve i është transferuar KESH.

Me pak fjalë bilancet financiare të kompanive publike të sistemit energjetik janë letra bakalli që nuk pasqyrojnë të gjithë realitetin e fundosjes së tyre. Por pavarësisht se shifrat janë të pasakta dhe të pasigurta, siç shprehen audituesit, malet e borxheve janë aq të mëdha sa që nuk fshihen dot as me “kalibrimin” e të dhënave.

Një ditë më parë, kur lajmëroi uljen e çmimit të energjisë me 1 lekë për konsumatorët familjarë Kryeministri dhe Zv/kryeministrja deklaruan se ky vendim u bë i mundur falë suksesit të reformës, e cila shëndoshi financiarisht sistemin energjetik.

“Kjo është ulja e parë e çmimit të energjisë elektrike në këto 35 vite. Kjo na mbush me krenari po të marrim parasysh çfarë humnere e kemi nisur ngjitjen,” deklaroi shefi i qeverisë.

Kjo është ajo që thotë kryeministri nga foltoret e propagandës elektorale. Ndërsa audituesit e bilanceve të kompanive publike kanë vënë firmën e tyre mbi këtë fjali; ekziston një pasiguri materiale që mund të hedhë dyshime të konsiderueshme në aftësinë e Grupit OSHEE për të vazhduar sipas parimit të vijimësisë.”

Përkthimi? Operacioni i Reformës ishte i suksesshëm por pacienti OSHEE vdiq.

‘Receta’ më e mirë për humbje peshe! Ja në cilën orë duhet të hani fruta, të pini kafe dhe të hani darkë për të djegur kalori

Nuk ka rëndësi  nëse hani drekë, darkë apo pini kafe. Koha që e bëni ndikon në shkallën tuaj metabolike dhe djegien e kalorive. Këto janë disa nga udhëzimet që duhen ndjekur për të djegur kalori dhe për të reduktuar stresin.

humbje peshe

Perimet para ushqimeve të tjera

Ngrënia e perimeve përpara ushqimeve të tjera në pjatën tuaj mund t’ju ndihmojë të ndiheni më të ngopur më gjatë dhe t’ju ndihmojë të humbni peshë. Perimet përmbajnë fibra që ndihmojnë në rregullimin e sheqerit në gjak.

Pini kafen e mëngjesit rreth orës 11

Prisni disa orë deri në filxhanin e parë të kafesë , kur niveli i hormonit kortizol në trupin tuaj ulet dhe ju ndjeni një rënie të energjisë.

Darka në orën 17:00

Darkat e hershme mund të përmirësojnë tretjen dhe humbjen e peshës. Njerëzve mbipeshë iu kërkua të hanin të njëjtat vakte në orare të ndryshme dhe u zbulua se ngrënia e darkës në orën 17:00 bëri një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si djegim kalori dhe ruajmë yndyrën.

Fruta si snack

Ashtu si me perimet, frutat janë të pasura me fibra, kështu që është më mirë t’i hani para vaktit në vend të pas vaktit, siç bëjmë shpesh, dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për mollët. Një dietë e pasur me fibra stimulon prodhimin e hormoneve që shtypin oreksin.

Elon Musk, AfD dhe politika gjermane! DW: Miliarderi po mbështet hapur partinë Alternativa për Gjermaninë! Debati që ka shkaktuar në Europë!

Elon Musk po shkakton gjithnjë e më shumë reagime me ndërhyrjet e tij të drejtpërdrejta në politikën gjermane dhe evropiane. Ai mbështet hapur AfD-në në Gjermani. Ku është kufiri?

Sipas një sondazhi të Institutit YouGov, të porositur nga agjencia gjermane e lajmeve dpa, shumica e gjermanëve besojnë se rekomandimi i miliarderit amerikan dhe pronarit të platformës X(ish-Twitter) Elon Musk për të votuar përAfD (Alternativa për Gjermaninë) në zgjedhjet e ardhshme e ndihmon këtë parti. Rreth 59 për qind e të anketuarve besojnë se kjo mbështetje është e dobishme për AfD-në. Ndërsa vetëm 4 për qind besojnë se është e dëmshme. Në të njëjtën kohë, 50 për qind e të anketuarve vlerësojnë se deklaratat e Musk kanë ndikim të vogël ose të papërfillshëm në skenën politike. Por 27 për qind besojnë se ndikimi i tij nuk duhet nënvlerësuar.

Musk ka mbështetur hapur AfD-në jo vetëm në platformën X,por edhe në një artikull për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”. Ai ka vendosur të flasë drejtpërdrejt edhe me kandidaten e AfD për kancelare, drejtuesen e kësaj partie, Alice Weidel. Kjo ka shkaktuar shqetësime të tjera të politikanëve dhe publikut në lidhje me ndërhyrjen e tij në proceset politike evropiane.

Mbështetja e paligjshme e AfD-së

OJQ LobbyControl ka shprehur dyshimin se angazhimi i sipërmarrësit amerikan Elon Musk në emër të AfD-së paraqet një mbështetje të paligjshme për partinë. Musk e ka bërë të qartë se dëshiron të forcojë AfD-në dhe po përdor burimet e platformës së tij X për këtë qëllim, kumtoi organizata LobbyControl në Berlin të mërkurën, raporton AFP.

Biseda e Musk me udhëheqësen e AfD Alice Weidel në Platformën X, sipas tyre, “ka të ngjarë të promovohet shumë më gjerësisht” sesa postimet nga përdoruesit e zakonshëm. “Në këtë kuptim, sigurisht që këtu mund të flitet për reklama politike, sepse Platforma X zakonisht shet një hapësirë ​​të tillë për shuma shumë të mëdha parash”, theksoi organizata LobbyControl.

Reagimet në Gjermani dhe Francë

Aktivitetet e Musk kanë shkaktuar reagime të forta nga politikanët gjermanë. Kancelari FederalOlaf Scholz e quajti shqetësuese mbështetjen e Musk për AfD, duke thënë se kjo parti angazhohet për dobësimin e marrëdhënieve transatlantike dhe afrimin me Rusinë. Zëvendëskancelari, Robert Habeck tha se kombinimi i pasurisë së madhe të Musk, kontrollit mbi informacionin dhe gatishmërisë për të injoruar rregullat përfaqëson një “sulm frontal ndaj demokracisë”.

Kritika të ngjashmevijnë edhe nga Franca. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të mbrohet më me vendosmëri kundër asaj që ai e quajti “presion dhe kërcënime nga një miliarder amerikan me ndikim”. Në një intervistë për France Inter, Barrot theksoi: “Nëse Komisioni Evropian nuk mund të na mbrojë nga një ndërhyrje e tillë, ai duhet t’u kthejë vendeve anëtare aftësinë për të mbrojtur veten”.

Kur u pyet për mundësinë e ndalimit të Platformës X në Evropë sipas shembullit të Brazilit, Baro deklaroi: “Kjo është e mundur sipas ligjeve tona. Ne duhet të zgjohemi.” Ai i bëri thirrje Komisionit Evropian që të përdorë me vendosmëri mekanizmat që ka në dispozicion për të parandaluar një sjellje të tillë, shkruan AFP.

Kontekst më i gjerë dhe interesa biznesi

Elon Musk, që kur u bë këshilltar i presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, është bërë gjithnjë e më agresiv në komentimin e politikave të qeverive evropiane dhe dhënien e rekomandimeve publike për partitë populiste të krahut të djathtë. Ekspertët, si Ilan Kapoor i Universitetit të Torontos, besojnë se ndërhyrjet politike të Musk nuk janë të ndara nga interesat e tij të biznesit. “Për Musk dhe Trump, demokracia, debati dhe shteti i mirëqenies sociale janë pengesa për biznesin. Ndërsa ata i shohin qeveritë autoritare si më efektive për zbatimin e qëllimeve të tyre”, thotë Kapur.

Bashkimi Evropian po monitoron nga afër aktivitetet e Musk. Platforma e tij X tashmë po përballet me gjoba të rënda për përhapjen e dezinformatave dhe për përhapjen e gjuhës së urrejtjes. Një zëdhënës i Komisionit Evropian theksoi se biseda e paralajmëruar mes Musk dhe Weidel do të merret parasysh në procedurat kundër platformës.

Çështja e rregullimit të mediave sociale

Sjellja e Musk ka rihapur çështjen e rregullimit të rrjeteve sociale për të parandaluar ndërhyrjet e huaja në proceset politike. Sondazhi tregon se 63 për qind e gjermanëve mbështesin një rregullim më të rreptë të mediave sociale, ndërsa shumica e mbështetësve të AfD (58 për qind) kundërshtojnë masa të tilla.

Rastësisht, këtë të shtunë dhe të dielë (11 dhe 12) do të mbahet kongresi i partisë AfD, ku Alice Weidel pritet të konfirmohet zyrtarisht si kandidate për kancelare në zgjedhjet e ardhshme federale. Kongresi do të mbahet në një atmosferë tensionesh të shtuara, pasi nisma dhe organizata të ndryshme qytetare kanë paralajmëruar protesta kundër partisë. Sipas njoftimeve, protestat do të përfshijnë edhe aksione të mosbindjes civile për të shprehur pakënaqësinë ndaj politikave dhe retorikës së mbrojtur nga AfD./DW

Xhamal Musiala përçan Bajernin, kushti i 21-vjeçarit bie ndesh me politikat e klubit bavarez

Xhamal Musiala është i hapur për një zgjatje kontrate me Bajern Mynih. Megjithatë, 21- vjeçari vendos kushte të qarta për këtë. Siç raporton “Sport BILD”, Musiala me sa duket po kërkon një klauzolë largimi.

 

Kjo duhet të jetë rreth 175 milionë euro. Xhamal shihet si një bartës absolut i shpresës dhe së ardhmes në Mynih. Zgjatja e tij është prioriteti më i lartë për rekordmenët gjermanë. Megjithatë, kërkesa e lojtarit për një klauzolë bie në kundërshtim me filozofinë e klubit bavarez. Ekipi tradicionalisht refuzon rregullore të tilla sepse ato heqin kontrollin mbi transferimet e mundshme. Në veçanti, ish-shefi i Bajernit dhe anëtari aktual i bordit mbikëqyrës Karl-Hainc Rumenige është kundërshtar i një klauzole të tillë.

Një transferim për 175 milionë euro do ta bënte 21-vjeçarin lojtarin e tretë më të shtrenjtë në historinë e futbollit, pas Nejmar (222 milionë euro) dhe Kilië Mbape (180 milionë euro). Ndonëse, kjo kuotë nuk duket të jetë një opsion për Bajernin, veçanërisht pasi vlera e tregut të Musialës aktualisht vlerësohet nga “Transfermarkt” në 140 milionë euro dhe mund të rritet më tej me një zgjatje afatgjatë. Siç konfirmon “Sky”, pala e lojtarëve e ngriti në mënyrë specifike çështjen e klauzolave të daljes në diskutime.

Musiala supozohet se është i interesuar të sigurojë një opsion largimi nëse zhvillimi sportiv i klubit nuk shkon sipas dëshirës në vitet e ardhshme. Ideja e palës së Musiala sipas “Sport BILD” është: “Sa më gjatë të zgjasë kontrata, aq më shumë kuptim ka një klauzolë largimi”. Në fund të fundit, pala e Musialës thuhet se ka “akomoduar” Bajernin kur është fjala për kërkesat rreth pagës. Prandaj, nuk është parakusht për një zgjatje të kontratës që Xhamal të bëjë atë fituesin më të lartë përpara Herri Kejn, paga vjetore e të cilit vlerësohet në rreth 24 milionë euro. Negociatat mes dy kampeve janë zvarritur prej muajsh dhe nuk duket të ketë një marrëveshje të hershme në horizont.

REL: Perëndimi kërkon të hetohen shkeljet lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska

Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për hetim të çdo shkeljeje të ligjit lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar.

 

Ceremonia për shënimin e kësaj dite jokushtetuese nis në orën 17:00 në Banjallukë.

Autoritetet e entitetit të Republikës Sërpska festojnë 9 janarin, datën kur, në vitin 1992, në Sarajevë, Kuvendi i atëhershëm i popullit Serb së Bosnjës dhe Hercegovinës miratoi Deklaratën për shpalljen e Republikës së Popullit Serb të Bosnjës dhe Hercegovinës si një entitet i pavarur brenda Bosnjës dhe Hercegovinës.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës ka vendosur tri herë që kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Sërpska është antikushtetues.

Qëllimi i asaj kohe ishte që ky territor i Bosnjës dhe Hercegovinës të bashkohej me Jugosllavinë, e cila po shpërbëhej. Në krye të republikës së vetëshpallur ishin Radovan Karaxhiq, Bilana Pllavshiç dhe Momçilo Krajishnik, të cilët janë dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës. Në miratimin e deklaratës nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e boshnjakëve dhe kroatëve.

Këta dy popuj e shohin 9 janarin si fillimin e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe si fillimin e pastrimit etnik, krimeve të luftës dhe gjenocidit ndaj popullsisë joserbe në territorin e Republikës Sërpska.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që organet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore në Bosnje dhe Hercegovinë të ndërmarrin hapa të shpejtë dhe vendimtarë për të hetuar çdo shkelje ligjore në lidhje me kremtimin e ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar, njoftoi Ambasada amerikane përmes një postimi në X.

Nga Ambasada amerikane kanë thënë gjithashtu se vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen në ligj, jo në opinion.

“Të gjitha entitetet janë të detyruara t’i përmbahen plotësisht vendimeve të institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, përfshirë vendimet përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës”, u tha në reagim.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë, të mërkurën, me rastin e kremtimit të ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska, i bëri thirrje liderëve politikë të këtij entiteti të refuzojnë retorikën provokuese, përfshirë sfidimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe tërësisë së vendit.

“BE thekson detyrimin për të respektuar sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues, përfshirë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnjës dhe Hercegovinës”, u tha në deklaratën e delegacionit të BE-së në Bosnje e Hercegovinë.

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, kujtoi se kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Sërpska është një shkelje e qartë dhe e drejtpërdrejtë e zbatimit të vendimeve përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe vendimeve të përfaqësuesit të lartë të 1 korrikut të vitit 2023. Ai paralajmëroi se mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mund të përbëjë vepër penale, sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Schmidt shtoi se është përgjegjësi e organeve të zbatimit të ligjit, Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Policisë që të ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj, veçanërisht në rastet që lidhen me zyrtarët publikë dhe nëpunësit civilë dhe pjesëmarrjen e tyre në përgatitjen apo organizimin e kremtimit të 9 janarit.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës nuk ka kundërshtuar të drejtën që Republika Sërpska të ketë një ditë të saj, por ka konstatuar se “Dita e Republikës Sërpska” nuk mund të jetë 9 janari, datë që përkon me ngjarjet e ndodhura në Sarajevë më 1992.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë që të jetë njësoj e përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Bosnjës dhe Hercegovinës, si një vend i unifikuar, i bashkuar dhe sovran, ashtu si të gjithë partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Me rastin e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të Republikës së Serbisë në kremtimin e ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska, nga Brukseli u tha se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një pjesë thelbësore e përparimit drejt integrimeve evropiane.

“Duhet të shmangen veprimet dhe deklaratat që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe kontribuojnë në ndarjet politike”, i tha në përgjigjen me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë nga zyra për media e BE-së.

Përfaqësuesit nga Serbia marrin pjesë rregullisht në kremtimin e kësaj dite në Republikën Sërpska./REL

E bujshme/ Myrto Uzuni bëhet çështje te Granada, sulmuesi i Kombëtares merr ofertë nga klubi i MLS-së

Sulmuesi i Kombëtares, Myrto Uzuni është bërë çështje te Granada për shkak se një skuadër FC Austin nga MLS (SHBA) është e interesuar për shërbimet e tij. 

Beratasi ka refuzuar të stërvitet me skuadrën e tij dhe kërkon rritje page. Lajmi është bërë i ditur nga Marca, por është konfirmuar edhe nga trajneri i Granadas, Fran Eskriba.

“Kur u kthyem nga pushimet ai erdhi dhe tha se nuk e shihte veten në gjendje të stërvitej dhe nëse nuk stërvitet nuk ka rëndësi. Ai vazhdon me atë pozicion që nuk dëshiron të stërvitet me skuadrën, nuk mund të detyroj askënd të stërvitet dhe nëse nuk e bëjnë, nuk e llogaris”, deklaroi trajneri.

Uzuni është i lidhur me Granadan deri në verën e 2026 dhe këtë sezon ka shënuar 14 gola dhe dhuruar një asist në 18 ndeshje. Këto shifra e kanë kthyer atë në lojtarin më të mirë të Granadas dhe sulmuesi theu edhe rekorde duke u bërë golashënuesi më i mirë i klubit në histori.

Duket se sulmuesi kërkon terma të reja dhe rritje page në kontratë, gjë që ka sjellë edhe refuzimin e tij për t’u stërvitur.

“Lokali frekuentohej nga politikanë e ministra”- Gjyqi për “Plumbin e Artë”, Nuredin Dumani rrëfen si u bë mik me Festim dhe Petrit Qolin: Do më nxirrnin nga burgu si…

Vijon me dyer të mbyllura dëshmia maratonë e Nuredin Dumanit, vrasësit me pagesë, sot bashkëpunëtor i drejtësisë në procesin gjyqësor për dosjen “Plumbi i Artë”. 

Sipas raportimeve nga gazetarja Klodiana Lala, Dumani ka rrëfyer disa episode kriminale që janë renditur në dosjen e SPAK, si dhe ka vijuar përplasja mes tij dhe të pandehurve apo avokatëve në proces.

Dumani deklaroi se me Festim dhe Petrit Qolin është bërë mik në vitin 2013 e në vazhdim, pasi ata paguan avokatin dhe ndërhynë në sistemin e drejtësisë për ta nxjerrë nga burgu me një raport mjekësor si i sëmurë.

Po ashtu, gjatë seancës mësohet se Nuredin Dumani deklaroi se lokali i Qolëve frekuentohej nga politikanë e ministra, por pa përmendur emra.

Nga ana tjetër, Gentjan Sharra ka kundërshtuar një dëshmi të Dumanit, teksa ky i fundit e implikoi në një ngjarje kriminale, pasi në deklarimet fillestare para prokurorëve nuk e kishte përmendur.

Ndërkohë, Petrit Qoli që seancën e kaluar tha se po mbahet në burg me pa të drejtë, duke lënë jashtë një grua që e dashuron. Në seancën e kësaj të enjte, ai tha se do të lutet për dy prokurorët e SPAK të cilët i konsideron si anëtarë të familjes.