25.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

“Transferta parash me Xoxën” dhe “udhëtime me Veliajn”, pas gruas, në SPAK radhën e ka miku i kryebashkiakut, Elman Abule

Një ditë pasi gruaja e tij, Marisa Nito qëndroi për 5 orë në SPAK, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për Erion Veliajn, sot radhën pë të dëshmuar e ka biznesmeni Ermal Abule.

Ai ka hyrë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme rreth orës 10:00.

HETIMET NDAJ ÇIFTEVE ABULE-NITO DHE VELIAJ-XOXA

Gruaja e Elman Abules, Marisa Nito u paraqit dje në SPAK që prej orës 10:00 dhe pasi doli nga SPAK, ajo tha për mediat se nuk kishte asnjë koment.

Elman Abule dhe gruaja e tij Marisa Nito, konsiderohen miq të afërm të familjes Veliaj, ndaj dhe pak ditë më parë me kërkesë të SPAK, gjykata miratoi kontrollin në banesën dhe biznesin e tyre.

Ndërsa miqësia e tyre është ndërthurur edhe përmes disa transaksione të dyshimta financiare, që çifti Abule ka bërë në adresë të llogarive bankare të Ajola Xoxës.

Pyetja e tyre vjen në një kohë kur SPAK ka intensifikuar veprimet hetimore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe vëllait, Arbër Veliaj.

Përmes sistemit TIMS, SPAK ka siguruar prova që faktojnë udhëtime të përbashkëta mes çiftit Abule dhe Xoxe në disa vende të Evropës.

Ndërsa miqësia e tyre është ndërthurur edhe përmes disa transaksione të dyshimta financiare, që çifti Abule ka bërë në adresë të llogarive bankare të Ajola Xoxes.

Nga kjo marrëdhënie e ngushtë miqësore, dyshohet se Abule ka përfituar leje ndërtimi në Tiranë, ku e fundit ka qenë në zonën e “Kombinatit”.

Mësohet se leja ndërtimi nuk është vënë në zbatim, për shkak se dy pronarët e truallit kanë revokuar kontratat e sipërmarrjes me kompaninë e Elman Abules, për shkak të të kaluarës së tij si i dënuar për vjedhje në Belgjikë.

Biznesmeni Elman Abule paraqitet në SPAK, dp pyetet në lidhje me çështjen hetimore të kryebashkiakut Erion Veliaj

Biznesmeni Elman Abule është paraqitur pak më parë në Prokurorinë e Posaçme.

Mësohet se po pyetet në lidhje me çështjen hetimore të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Elman Abule është thirrur si person që ka dijeni.

9 janar 1991 – 9 janar 2025/ 34 vjet nga mitingu madhështor dhe krijimi i degës së PD Berat

(Një urim dhe një ftesë për reflektim)

Nga Namir Lapardhaja

Në historinë e qyteteve ka datë dhe ditë që shënjojnë ngjarje të rëndësishme.

Një ndër to për qytetin e Beratit është e mërkura e 9 janarit të vitit të largët 1991.

E më konkretisht, mitingu madhështor i qytetarëve të Beratit dhe krijimi i degës së Partisë Demokratike në këtë qytet.

Kanë kaluar plot 34 vjet nga ajo datë, megjithëse kujtesa kolektive është mjaft e freskët dhe do të jetë gjatë e tillë për të përkujtuar sfidën që qyteti i bëri regjimit komunist, edhe pse ky ishte në gramat e fundit të tij.

Mitingu i 9 janarit 1991 në Berat nuk ishte vetëm i Partisë Demokratike, por i të gjithë banorëve të qytetit.

Prania e një numri të konsiderueshëm njerëzish (më shumë se 20 mijë), tejmbushja e sheshit përpara stadiumit “Tomori” si kurrë më parë, e rrugës kryesore që të çon në drejtim të tij, e xhepave anësor që lidhin sheshin me pjesët e tjera të lagjeve përreth, ballkonet dhe dritaret e pallateve në maksimumin e tyre, janë tregues i qartë se, ashtu siç kishin bërë muaj më parë qytetet e tjera, ishte radha e Beratit për të vrarë frikën një herë e përgjithmonë.

Një pamje të tillë madhështore, fokusuar në aparatin e fotografit Dhimitër Topi, qyteti nuk do ta shihte asnjëherë tjetër.

Mijëra zemra të bashkuara rendnin drejt atij sheshi, me shumë shpresë dhe shumë etje për ndryshim, pavarësisht se askush nuk e dinte se çdo të sillte e nesërmja.

Ajo e mërkurë janari ishte një ditë me diell të ëmbël në horizont, që me rrezet e tij po çante ngricën dhe acarin siberian të një regjimi që e kishte mbajtur nën terror dhe dhunë Beratin, ashtu siç kishte bërë për 45 vjet me radhë me të gjithë Shqipërinë.

Kishte filluar një lëvizje e fuqishme mbarë popullore, duke filluar nga Shkodra, Kavaja, Elbasani, Tirana… etj. dhe atë ditë ishte radha e Beratit.

Për herë të parë pas vitit 1924, kur kishin protestuar për herë të fundit për largimin e padrejtë nga puna të mësuesit të talentuar Xhevdet Dishnica, beratasit po tregonin kurajo qytetare, duke mbushur sheshin më të madh të qytetit. Një shesh ku gjithsecili kishte peshën e vetë.

Një hapësirë aq e madhe e mbushur përplotë, një diell aq rrezëllitës dhe ato rrugë aq gumëzhitëse, u kishin hequr njerëzve frikën, duke thyer akullin dhe ngricën.

Regjimi po jepte shpirt, edhe pse ai herë pas here ngrihej dhe sërish mund të godiste, atë të mërkurë, beratasit, si asnjëherë më parë, filluan ta mbushin sheshin përpara stadiumit që në orën 11:00, fiks dy orë përpara orarit zyrtar që organizatorët kishin njoftuar.

Skeptikët dhe nostalgjikët e regjimit ishin dorëzuar. Ata nuk e kishin menduar asnjëherë që në një periudhë aq të shkurtër kohore, me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe me një organizim, pothuajse, të natyrshëm dhe pa shumë sforco, në sheshin më të madh të qytetit do të mblidheshin aq shumë njerëz e do të thërrisnin e brohorisnin “Liri-Demokraci”, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, “Enver-Hitler” etj.

Beratasit po çliroheshin nga kthetrat e robërisë dhe po vishnin petkat e lirisë, të cilat i kishin ëndërruar aq shumë.

Sheshi buçiste.

Në tribunë u ngjitën të gjithë me radhë… Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Eduart Selami, Fehmi Telegrafi, Simon Vrusho etj. dhe ndër beratasit ra në sy fjalimi i studentit Gjergji Hotova, i cili dukej sikur përçonte mesazhin e të gjithë studentëve të Tiranës edhe për mbarë popullin e Beratit.

Mitingu ishte madhështor, fjalimet i mbushën me shpresë, guxim dhe kurajo të gjithë pjesëmarrësit. Një emocion i papërsëritshëm ajo ditë e shënuar për të gjithë.

E parë nga sot, do dukej si një ëndërr e bukur pas një gjumi të gjatë dhe një natë të errët që kishte zgjatur plot 46 vjet.

Një pafundësi e zezë që po zbardhte në një ditë janari me diell dhe një qetësi shpirtërore që shpërhapej në zemrat e të gjithë pjesëmarrësve.

Njerëzve iu ishte kthyer shpresa tek liria, demokracia dhe Evropa.

***

Parë nga sot, beratasve dhe shqiptarëve u është vrarë shpresa më shumë se kurrë. Ëndrrat nuk u shndërruan kurrë në zhgjëndrra. Ato më së tepërmi i ngjajnë një shajnie, një përfytyrimi të rremë që iu shfaq të gjithëve në një moment euforie dhe vegullie. Evropa, busulla e tyre e shtrenjtë, ndonëse aq afër gjeografikisht, është sot më shumë se asnjëherë tjetër një realitet i largët dhe i pakapshëm. Kurrë nuk u kuptua në gjithë këto vite se si ata që merreshin me politikë pasuroheshin më shumë, kurse ata që i ndiqnin veçse varfëroheshin. Gjithë ai idealizëm i fillimeve është zëvendësuar me një pragmatizëm të babëzitshëm, ku çdokush mendon se si të pasurohet në mënyrë të paligjshme. Askush nuk jep llogari për çka bën e si e bën, mirëpo të gjithë japin llogari vetëm tek eprori i partisë. Shteti ka rënë, Partia është ngritur. Morali nga një vlerë e vyer është shndërruar në një cilësi të urryer.

Partia Demokratike, organizata e formësuar nga idealizmi i studentëve të dhjetorit, formacioni politik aq popullor dhe i përqafuar me aq shpejtësi në ato vite, është shndërruar sot në një organizëm, i cili, jo vetëm që ka dalë totalisht jashtë sistemit, duke mos pasur asnjëlloj pushteti në vend, por, mbi të gjitha, nuk po gjen forcë brenda vetes të kapërcejë vështirësitë dhe të shndërrohet në një alternativë të besueshme dhe të qëndrueshme.

Nëse dikur ajo ishte shtëpi e profesorëve, e akademikëve dhe e njerëzve me impakt social, sot në shumicën e saj përbëhet nga individ pa kurrfarë rrezatimi shoqëror, ndonjëherë edhe qesharakë, ndërsa shqiptarët gjithmonë e më tepër zgjedhin të ikin si rruga më e shkurtër.

Ndërkohë që kanë ngelur diçka më pak se 4 muaj nga zgjedhjet e ardhshme politike, PD-ja sot është në qorrsokak, për shkak të një njeriut të vetëm, i cili do të deklaronte se një parti që nuk mbron atë, nuk meriton të ekzistojë. Pas 11 majit, PD mund të ekzistojë formalisht, por ajo ka kohë që ka vdekur si pasojë e një grupi servilësh, të cilët në kompromis për një karrige deputeti, e çuan atë në agoni të pakthim. Ndaj edhe përkujtimorja sot në Berat do të jetë e trishtë, më e varfër dhe më e mpakur se kurrë. Sepse ajo parti tradhëtoi idealet dhe idealizmin me të cilin u formua 34 vite më parë.

Rritet numri i të papunëve në Shqipëri, agjencitë sjellin punonjës nga Azia dhe Afrika për bizneset

Teksa agjencitë punësimit po sjellin rregullisht punonjës nga Azia dhe Afrika për të plotësuar nevojat e bizneseve në disa sektorë, të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë vitit të kaluar, numri personave që përfituan pagesë papunësie shënoi rritje (shiko grafikun e më poshtë).

Sipas të dhënave administrative mbi punësimin (të punësuar të deklaruar me pagë në tatime) në tremujorin e tretë të vitit 2024 numri i përfituesve të pagesës së papunësisë arriti në 3576 presona. Ky ishte niveli më i lartë pas krizës pandemike 2020-2021.

Programet e pagesës së papunësisë janë pjesë e politikave shtetërore të punësimit, të cilat sigurojnë mbështetjen me të ardhura të personave që humbasin vendin e punës. Programet e Pagesës së Papunësisë synojnë të mbështesin financiarisht të gjithë punëkërkuesit e papunë në rast papunësie për shkak të shkurtimit të vendit të punës, ndërprerjes së kontratës së punës, falimentimit të ndërmarrjes, zvogëlimit të aktivitetit etj.

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i personave që kanë humbur punën u rrit ne vitin e kaluar, ndërkohë që INSTAT nuk ka publikuar treguesit zyrtar të punësimit që nga tremujori i parë i vitit 2024 për shkak të ndërlidhjes së kampionit të Anketës së Forcës së Punës me të dhënat e Censit 2023.

Tregues të tjerë zyrtare si (PBB) tregojnë se sektori i industrisë është në vështirësi dhe dy vitet e fundit po përballet me falimente të bizneseve të vogla dhe të mesme si rrjedhojë e humbjeve që ka krijuar kursi i këmbimit në të ardhurat e tyre.

Burimet nga Shoqata Pro-eksport pohojnë se së paku 10 mijë punonjës të fabrikave të prodhimit të tekstilit dhe këpucëve kanë humbur punën gjatë vitit të kaluar. Shumë prej tyre janë integruar në sektorë të tjerë, ose janë përfshirë në programet e mbështetjes sociale (pagesa e papunësisë).

Të ardhura nga papunësia i përfitojnë personat, të cilët kanë kontribuar në sigurimin shoqëror për një periudhë të paktën 12-mujore. Për përfituar pagesën ato duhet të jenë regjistruar si punëkërkues të papunë pranë zyrës përkatëse të punësimit.

Çdo përfitues paguhet në varësi të periudhës së kontributit në sigurimet shoqërore derdhur nga punëdhënësi. Për 3 muaj përfitim duhen të paktën 12 muaj kontribute të sigurimeve shoqërore. Për 9 muaj përfitim duhen së paku 5 vjet kontribute të sigurimeve shoqërore. Ndërsa për 12 muaj përfitim duhen mbi 10 vjet gjithsej kontribute të sigurimeve shoqërore.

Zakonisht pagesa mujore e papunësisë aplikohet sa 50% e pagës minimale zyrtare, që aktualisht është 20 mijë lekë.

Institucionet financiare ndërkombëtare kanë rekomanduar një mbështetje me të fortë financiare për punonjësit që humbasin punën.

Tregu i punës po kalon në një tranzicion të fortë me rritje të kërkesës në disa sektorë, sidomos ata që lidhen me turizmin dhe ndërtimin dhe nga ana tjetër ka një rritje të papunësisë në sektorët e industrisë./Monitor

Rritet numri i të papunëve në Shqipëri, agjencitë

Amnistia e dytë Rama-Berisha: Si po gatuhet nxjerrja e të burgosurve nga SPAK

“Ditën ministra dhe natën të burgosur”, shkruante dikush me ironi në rrjetet sociale pas lajmit mbi një nismë të re legjislative. Nismë që ka si thelb të saj riciklimin e të famshmes “shkollë të natës” në kohën e Enverit në “burg të natës” në kohën e Bablokut.

Nasip Naço, në një intervistë për ‘Top Channel’ bëri publike nismën legjislative që sipas tij synon të lehtësojë mbi popullimin në institucionet e vuajtjes së dënimit. Sipas asaj që u tha, në vija të përgjithshme, synohet që kjo lirshmëri të bëhet për ata të burgosur, të cilët kanë më pak se dy vite dënim, apo janë dënuar me një masë homologe.

Në parim nuk duket keq, pasi ka shumë politika penale të tilla në botë që bëhen për ata të burgosur të dënuar për krime të vogla, apo për ata që kanë kryer shumicën e dënimit, sidomos kur kanë sjellje të mirë. Asgjë të re në këtë aspekt, e nuk do të përbënte fare lajm, pasi këto masa janë zbatuar edhe nga Ahmet Zogu, por edhe nga Enver Hoxha.

Por kleçka apo djalli fshihet diku tjetër. Që ngjan mot a mot me amnistinë numër 1, pra përfshin një sërë zyrtarësh të dënuar nga GJKKO-ja për abuzim me detyrën apo vepra të ngjashme me korrupsionin. Ku në formën e prerë, pra në Apel janë dënuar me më pak se 2 vite burg. E këta përbëjnë shumicën e të dënuarve.

Në politikën penale, edhe nëse merret ndonjë masë e lehtësuar për të dënuarit nga GJKKO e të akuzuar nga SPAK, sidomos pasi kanë kaluar një kohë në paraburgim, nuk përbën ndonjë tabu.

Kjo, ngaqë vendimi apo masa është dhënë nga institucioni i drejtësisë për një abuzim me detyrën shtetërore. Ka ndodhur edhe në vende të tjera në të shkuarën edhe sot. Por ngutja për ta miratuar këtë amnisti të re para zgjedhjeve të 11 majit, ka një interes të të dyja palëve, siç e tregoi edhe amnistia numër një e miratuar së bashku me votat e mazhorancës dhe deputetëve të Sali Berishës.

Nëse shihet me kujdes rekordi apo statistika e të dënuarve nga GJKKO-ja e zyrtarëve, kryesisht për akuza të abuzimit me detyrën apo korrupsion, vendimet përfundimtare janë në pragun e 2 viteve. Që nga ish-ministra, ish-kryebashkiakë apo edhe zyrtarë të tjerë. E me miratimin e këtij ligji, ata ditën janë jashtë e natën Brenda (edhe kjo e diskutueshme). Por që të miratohet ky ligj duhen 84 vota. Deri tani edhe pse është herët, Berisha nuk e ka kontestuar. Por në realitet Edi Rama e ka provokuar fort, duke i kërkuar që të japë qëndrimin e tij publik ose të heshtë. Një ‘deal’ që mund të konsiderohet  edhe si paradhënie e refuzimit të propozimit amerikan për zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK./Pamfleti

Çfarë pritet të sjellë për botën partneriteti i ri Iran-Rusi?

Nga Avesta Afshari Mehr

Irani dhe Rusia, e kanë forcuar shumë partneritetin e tyre në mesin e paqëndrueshmërisë gjeopolitike globale, gjë që sinjalizon një rëndësi në rritje të bashkëpunimit të tyre gjatë viteve në vijim.

Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Partneritetit Strategjik, që do të zyrtarizohet gjatë vizitës zyrtare të presidentit iranian Masoud Pezeshkian në Moskë më 17 janar, shënon një hap të rëndësishëm përpara në aleancën në zhvillim midis dy kombeve.

Teksa që të dyja vendet po synojnë të përballen me sfida të përbashkëta, ky partneritet do të ketë pasoja të gjera, veçanërisht për mbrojtjen, tregtinë dhe energjinë. Fushat kryesore të bashkëpunimit në qendër të kësaj marrëveshjeje historike, do të jenë transporti, energjia, mbrojtja dhe siguria rajonale.

Por marrëdhënia midis Teheranit dhe Moskës shtrihet përtej shkëmbimeve ekonomike, pasi ajo ka evoluar në një partneritet strategjik gjithëpërfshirës, i cili pasqyron interesat e tyre të përbashkëta në stabilitetin rajonal dhe është haptazi kundër ndikimit perëndimor.

Peizazhi ekonomik për Iranin dhe Rusinë, është formuar nga varësia e tyre e përbashkët nga eksportet e energjisë, dhe përvoja e tyre nën sanksionet ndërkombëtare të vendosura nga Perëndimi. Afrimi gjithnjë e më i madh midis dy vendeve, ka paraqitur një mundësi unike për t’i kapërcyer këto sfida dhe për të krijuar rrugë të reja për rritjen ekonomike në të dyja vendet.

Një nga shtyllat qendrore të këtij partneriteti është Korridori i Transportit Veri-Jug, një projekt infrastrukturor jetik që do të lehtësojë tregtinë midis Iranit, Rusisë dhe disa partnerëve të tjerë rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Ky investim strategjik në rrjetet e transportit, tregon qartazi synimin e Moskës dhe Teheranit për të zgjeruar marrëdhëniet tregtare, dhe për të siguruar përfitime reciproke gjatë viteve të ardhshme, duke iu kundërvënë sanksioneve perëndimore.

Përveç transportit, energjia mbetet në thelbin e partneritetit të ngushtë Iran-Rusi. Në kushtet kur sanksionet e kufizojnë praninë e tyre në tregjet perëndimore, të dyja vendet po nxiten të kërkojnë mënyra alternative për të forcuar sektorët e tyre të energjisë.

Me rezervat e saj të mëdha të naftës dhe gazit natyror, Rusia e ka forcuar zhvillimin e industrisë energjetike të Iranit, duke mbështetur eksplorimin, shpimin dhe infrastrukturën. Si pjesë e marrëveshjes së re, disa kompani ruse pritet që të investojnë shumë në sektorin energjetik të Iranit, gjë që do të ndihmojë në modernizimin dhe zgjerimin e aftësive të tij.

Zyrtarët iranianë janë shprehur optimistë për perspektivat e këtyre investimeve, sidomos në kontekstin e rritjes së kërkesës për energji në Azi. Përtej naftës dhe gazit, të dyja vendet po bashkëpunojnë për të diversifikuar ekonominë e tyre duke siguruar tregje të reja në Azi.

Dhe veçanërisht në Indi, në mënyrë që të zvogëlojnë varësinë e tyre nga tregjet perëndimore duke nxitur një integrim më të madh brenda Bashkimit Ekonomik Euroaziatik (EAEU) të drejtuar nga Moska.

Vendndodhja strategjike e Iranit, e bën atë një rrugë tranziti për mallrat që lëvizin midis Evropës dhe Azisë Qendrore, dhe deri në Kinë dhe Indi. Një tjetër tipar përcaktues i aleancës Iran-Rusi, është bashkëpunimi i tyre ushtarak.

Rusia dhe Irani janë bërë furnizuesit më të rëndësishëm të njëri-tjetrit me armë, veçanërisht në teknologjitë e avancuara ushtarake siç janë edhe dronët. Furnizimi i Moskës me dronët iranianë, të cilët tani po prodhohen edhe brenda vendit, në Republikën Ruse të Tatarstanit, i ka forcuar ndjeshëm të dyja palët, si financiarisht ashtu edhe ushtarakisht.

Për pasojë, Irani e ka pozicionuar veten si një fuqi rajonale e aftë për t’u përballur me kërcënimet në Lindjen e Mesme, duke përfshirë ato që vijnë nga ndërhyrjet ushtarake perëndimore, dhe kjo po i dobëson përpjekjet e SHBA për të kufizuar aftësinë e Iranit për të fituar ndikim gjeopolitik në rajon.

Bashkëpunimi i mëtejshëm ushtarak dhe mbrojtës midis Iranit dhe Rusisë është shumë  shqetësues. Marrëveshja e fundit, sipas të cilës Irani do të furnizojë Rusinë me drone të avancuar Shahed-136 (të njohur në Rusi si “Geran-2”) dhe për të lehtësuar prodhimin e tyre, e ka pajisur Rusinë me një mjet të fuqishëm për të terrorizuar qytetet ukrainase.

Mbështetja e Moskës tek dronët me kosto të ulët dhe me një efikasitet të lartë, e kombinuar me sanksionet perëndimore që e vështirësojnë qasjen tek komponentë të cilësisë së lartë, ka të ngjarë ta nxisë Rusinë që të rrisë përdorimin e këtyre dronëve në të gjithë Ukrainën, ndoshta në zona të tjera të Evropës Lindore dhe potencialisht edhe më tej.

Ndërsa Ukraina pretendon se ka shkatërruar magazinat në Rusi që strehonin dronët Shahed, kjo nuk ka gjasa të ndalojë prodhimin e vazhdueshëm të dronëve të tillë nga Irani, dhe as të parandalojë zgjerimin e aleancës iraniano-ruse.

Por pavarësisht premtimit për një bashkëpunim më të thelluar, marrëdhënia Iran-Rusi nuk është e imunizuar nga sfidat. Dallimet e brendshme politike nga të dyja palët, vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga sanksionet dhe lufta, si dhe dallimet në axhendat gjeopolitike afatgjata, kanë krijuar pengesa për potencialin e plotë të këtij partneriteti.

Për shembull, sjellja balancuese e Rusisë me fuqitë perëndimore, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, ka shkaktuar historikisht tensione me Iranin, veçanërisht gjatë periudhave të afrimit të dukshëm midis Moskës dhe Uashingtonit.

Në të kaluarën, marrëdhëniet midis dy vendeve janë ftohur gjatë momenteve të ndryshimeve politike, siç ishte presidenca e Dmitry Medvedev, kur Rusia mbështeti sanksionet e Kombeve të Bashkuara kundër Iranit.
Përveç kësaj, refuzimi i Rusisë për t’i shitur Iranit sistemin e mbrojtjes raketore S-300, i tensionoi marrëdhëniet me Teheranin, deri në momentin që Putin u bind të firmoste më në fund marrëveshjen në vitin 2015.

Këto tensione historike, na ofrojnë shembuj të bollshëm se përse të dyja qeveritë po tregohen shumë të kujdesshme mbi përmasat e suksesit të një partneriteti të tillë për të dyja vendet. Për më tepër, si Rusia ashtu edhe Irani po përballen me sfida ekonomike, të cilat mund të pengojnë qëndrueshmërinë afatgjatë të partneritetit të tyre.

Sanksionet ekonomike, kanë ndikuar ndjeshëm tek aftësia e Rusisë për të kapitalizuar plotësisht rezervat e saj energjetike. Ndërkaq, mbështetja e Iranit tek eksportet e energjisë, e ka lënë ekonominë e tij të pambrojtur ndaj luhatjeve të çmimeve globale të naftës.

Për më tepër, Teherani përballet me një hiperinflacion të qëndrueshëm, në një normë prej 35 për qind, e cila e dëmton seriozisht aftësinë e vendit për të zhvilluar fuqinë ekonomike. Këto sfida, kërkojnë që të dyja vendet të përzgjedhin dhe zbatojnë më shumë kujdes politikat e tyre ekonomike dhe diplomatike për të shmangur përkeqësimin e dobësive ekzistuese.

Partneriteti ushtarak midis Iranit dhe Rusisë, ka të ngjarë të forcohet në të ardhmen, duke pasur një theks të veçantë tek përpjekjet reciproke kundër terrorizmit, në sigurimin e stabilitetit rajonal dhe tek bashkëpunimi i mëtejshëm në tregtinë e armëve.

Kjo qasje, do të luajë një rol kyç në forcimin e sigurisë së të dyja vendeve, si dhe në aftësinë e tyre për të ushtruar ndikim gjeopolitik në Lindjen e Mesme por edhe më gjerë. Megjithatë, e ardhmja e marrëdhënieve është e ndjeshme ndaj tendencave më të gjera ndërkombëtare.

Dhe këtu përfshihet gara e fortë për ndikim global midis Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës. Çelësi i suksesit të aleancës Moskë-Teheran, do të qëndrojë përfundimisht në balancimin e prioriteteve të tyre të ndryshme dhe shpeshherë të kundërta, në tejkalimin e pengesave të brendshme dhe të jashtme, si dhe tek vëmendja e përqendruar tek objektivat strategjike afatgjata.

Në kryer të listës së transferimeve, klubi i Serisë A kërkon me ngulm Edon Zhegrovën

Edon Zhegrova është përsëri në qendër të vëmendjes nga klubet e mëdha evropiane, të cilat duan shërbimet e yllit kosovar.

Sipas gazetarit italian, Fabrizio Romano, skuadra e Napolit është interesuar për transferimin e Zhegrovës.

Madje skuadra italiane gjatë kësaj jave ka pasur bisedime me Lilën për futbollistin e Kosovës. Megjithatë, bëhet me dije se Lila ka refuzuar të negociojë transferimin e 25-vjeçarit, në markaton e janarit.

Raportohet se Napoli e vlerëson lartë Zhegrovën, duke e venë në krye të listës së transferimeve. Gjasat janë të mëdha që të palët të gjejnë gjuhen e përbashkët në merkaton e verës.

Faktori që Ndikon në Shtimin në Peshë – Këshillat që ju Duhen

Doctor listening to patient's heartbeat with stethoscope in clinic

Ushqyerja e keqe dhe shtimi në peshë janë pjesë e një cikli vicioz që rrezikon shëndetin jo vetëm të të rriturve por edhe të të vegjëlve.

Një studim të cilit i referohet AgroWeb.org thotë se mbipesha dhe obeziteti kanë një ndikim të fortë në tru.

Kur njeriu, i madh apo i vogël, është obez, në trurin e tij nxitet një reagim inflamator që motivon ushqyerjen pa karar dhe të keqe, e cila më pas rrit predispozitën e një shëndeti të ligë në të ardhmen.

Thënë shkoqur , nëse që fëmijë njeriu mësohet të hajë me tepri, kur të rritet, truri do e nxisë të ushqehet me të njëjtat ritme, frekuencë dhe intenstitet.

Studiuesit janë të alarmuar për faktin se obeziteti tek tek fëmijët është katërfishuar në 40 vitet e shkuara, sepse sipas tyre, sa më obezë të jenë njerëzit në fëmijëri, aq më problematik do të jetë shëndeti i tyre.

42 përqind e Shqiptarëve Janë Mbi Peshë

Në vitin 2015, sipas OBSH-së, 30 përqind e popullsisë së globit rezultuan obezë dhe mbipeshë

Ndërkohë, analizat mjekësore të 122,000 personave në vendin tonë të kryera gjatë periudhës Janar-Mars 2019, treguan se 33% e tyre ishin obezë dhe 42% ishin mbipeshë.

Studime të shumta kanë treguar se sa më i lartë të jetë indeksi i masës trupore aq më të larta janë gjasat që njeriu të vuajë nga shumë sëmundje të ndryshme.

Këtu përfshihen:  sëmundjet e zemrës, problemet me gjumin, diabeti, tensioni i lartë.

Për këtë arsye, shumë shoqata dhe organizata kanë kërkuar njohjen e obezitetit si një sëmundje kronike.

Përse Obezët e Kanë Të Vështirë Të Humbasin Në Peshë

Të dhënat tregojnë se sa më gjatë të jetë obez ose mbipeshë njeriu aq më të vështirë do ta ketë të humbasë kilogramët e tepërt.

Një studim të cilit i referohet AgroWeb.org tregoi se sa më shumë depozita dhjamore të ketë njeriu aq më e vështirë do të jetë humbja e tyre.

Kjo ndodh për shkak të një proteine të njohur si sLR11.

Kjo proteinë prodhohet gjatë pranisë së depozitave të dhjamit dhe bllokon aftësinë e trupit për të djegur yndyrnat. /AgroWeb.org

Zogaj: SPAK po shkruan historinë, favor elektoral për partitë që e mbështesin

Preç Zogaj, President i Institutit Liberal “Pashko”, në një intervistë në News 24 deklaroi se SPAK është një institucion që po shkruan historinë, pasi po prek njerëz që deri dje ishin të paprekshëm.
Sipas tij, Struktura e Posaçme e Hetimit po punon përditë me dinamikë. Zogaj deklaroi se sot ish-presidenti Meta u paraqit denjësisht përpara drejtësisë, duke lënë pas sharjet ndaj institucionit të akuzës.

“Në mendimin tim, SPAK po bën punën me dosje të ndryshme. SPAK po punon, çdo ditë ka dinamika. Meta u paraqit sot, u paraqit ashtu siç i takon një shtetari, duke u përballur drejtpërdrejtë, duke lënë pas akuzat dhe sharjet. Ilir Meta e ka kuptuar dhe e di shumë mirë se kjo betejë bëhet vetëm kështu, duke u përballur. Nga ana e tij, Sali Berisha iu përmbajt masës së SPAK, por vijon retorikën e ashpër ndaj institucionit të akuzës. SPAK nuk intimidohet e as provokohet. SPAK është institucion që i sheh gjërat ftohtë, përfaqëson institucionin e akuzës, ndaj edhei po bën punën që i takon në mënyrë racionale. Të sfidosh drejtësinë nuk është normale dhe as e zakonshme. Qëndrimi mund të jetë kritik, por duhet të respektohet institucioni. Duhet thënë se SPAK po shkruan histori për sundimin e ligjit, po normalizon hetimet në sfera të larta” tha Zogaj.

“Pandëshkueshmërisë po i vjen fundi, një fenomen tipik shqiptar, që është përmendur edhe në raporte ndërkombëtare. Askush nuk është i paprekshëm nga ligji. Ka hetime nga të gjitha krahët, ka hetime kudo që ka akuzë. Në këtë pikëpamje, nuk mund të them se SPAK po punon me dy standarde. Këtë e thonë ata që janë në konflikt interesi kryesisht. SPAK po i del përballë një gangrene, duke goditur politikanë, banda, që kanë nga pas edhe pasuri të madhe, nuk është e lehtë, ndaj puna e Strukturës së Posaçme duhet vlerësuar”, tha Zogaj.

Më tej, Zogaj u shpreh se partitë që në zgjedhje do të mbështesin SPAK do të kenë favor elektoral. Kjo, pasi sipas tij, SPAK ka mbështetje të madhe në popull.

“Së shpejti, do të nisë beteja në gjykatë e politikanëve. Publiku do të shikojë gjyqet, do të shikojë qëndrimet e drejtësisë, por edhe të të akuzuarve. Unë mendoj se partitë që mbështesin SPAK kanë favor elektoral, pasi SPAK ka mbështetje të madhe publike. Kush nuk e sheh këtë gjë, nuk është realist. Partitë e vogla që mbështesin SPAK do të kenë favor, por besoj se nëse do të bëheshin bashkë do të ishin më të fortë. Nëse konkurrojnë veçmas në zgjedhje, vota për ta mund të mos jetë aq me vlerë. Vota e diasporës është një e drejtë kushtetuese, që po gjen zbatim edhe ligjërisht”, u shpreh Preç Zogaj.

Urdhri i ri i Biden për sanksionet në rajonin tonë/ Goditen edhe bizneset, medie dhe të gjithë ata, që ndihmojnë të sanksionuarit më herët!

Presidenti në largim i SHBA-ve, Joe Biden ka nxjerrë një urdhër ekzekutiv për të sanksionuar zyrtarë apo ish zyrtarë që minojnë proceset demokratike në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në urdhrin e tij, Joe Biden shprehet se SHBA vendos sanksione ndaj gjithë personave përgjegjës ose që kanë marrë pjesë në veprime që kërcënojnë paqen, sigurinë, ose stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Por çfarë ka të re nga ky urdhër ekzekutiv dhe kush do preket nga Shqipëria?

Pjesë nga dokumenti 

Çfarë ka të re?

Rregullorja e re shtonte se sanksionet zbatohen për këdo që Departamenti i Thesarit i SHBA-së, në konsultim me Departamentin e Shtetit, përcakton të jetë një drejtues, oficer ose anëtar i një njësie, duke përfshirë një ent qeveritar, i cili ka marrë pjesë ose ka tentuar të marrë pjesë në ndonjë prej aktivitetet e përcaktuara me rregulloren e mëparshme ose të cilave asetet dhe interesat në asete janë të bllokuara në përputhje me atë rregullore.

Gjithashtu, masat zbatohen për personat që ndihmuan, sponsorizuan ose ofruan mbështetje financiare, materiale ose teknologjike, ose mallra ose shërbime mbështetëse, për çdo person, të cilit i bllokohen asetet dhe interesat në asete në përputhje me atë rregullore.

Si dhe për ata që konstatohet se zotërojnë ose kontrollojnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, çdo person të cilit i bllokohen pasuritë dhe interesat në pasuri në përputhje me rregulloren. Masat tani vlejnë edhe për bashkëshortët apo fëmijët e rritur të personave të cilëve u bllokohen pasuritë dhe interesat në pasuri në përputhje me rregulloren.