29.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Ndërron jetë në moshën 96-vjeçare ish-lideri i partisë së ekstremit të djathtë, Jean-Marie Le Pen

Ndërron jetë në moshën 96-vjeçare ish-lideri i partisë së ekstremit të djathtë, Jean-Marie Le Pen.

 

Politikani francez i ekstremit të djathtë Jean-Marie Le Pen mbylli sytë përgjithmonë  në moshën 96-vjeçare, sipas një deklarate familjare të ndarë me AFP.

Le Pen vdiq në mesditë të së martës “i rrethuar nga të dashurit e tij”, tha familja, raporton BBC.

96-vjeçari një mohuese e Holokaustit dhe një ekstremist i pa penduar për racën, gjininë dhe emigracionin – themeloi partinë e ekstremit të djathtë francez Fronti Kombëtar në 1972.

Kush ishte Jean-Marie Le Pen?

Jean-Marie Le Pen ishte ushtarak dhe politikan francez dhe lider i partisë së ekstremit të djathtë Fronti Kombëtar nga 1972 deri në 2011.

Le Pen ka lindur më 20 qershor 1928 në La Trinité-sur-Mer, Brittany. Ai filloi karrierën e tij politike si kreu i sindikatës studentore në Tuluzë. Ai u bë president i Corporative des étudiants en droit, një shoqatë e studentëve të drejtësisë që merret kryesisht me luftën kundër komunistëve. Ai është akuzuar vazhdimisht për sulme.

Pasi mori diplomën e drejtësisë, u regjistrua në Legjionin e të Huajve, Regjimentin e Parë të Parashutistëve.

Le Pen ishte kundër migrimit në Francë, kundër Bashkimit Evropian dhe, siç deklaroi ai, në favor të kulturës dhe vlerave tradicionale, ligjit dhe rendit.

Ai u përjashtua nga Fronti Kombëtar nga vajza e tij Marine Le Pen më 20 gusht 2015, pas deklaratave të diskutueshme dhe që atëherë e gjeti veten të margjinalizuar nga skena politike franceze.

“Kanë marrë peng opozitën dhe kutërbojnë gjithë Shqipërinë”/ Deklarata e fortë e avokatit të njohur: Basha i vetmi që hodhi Berishën dhe gangot e tij në Lanë

I ftuar në intervistën e ditës në Dritare TV me gazetarin Ermal Peçi, avokati i njohur Romeo Kara, ka folur me tone të ashpra për pengmarrjen që i është bërë opozitës dhe PD nga Berisha dhe njerëzit e tij.
Sipas tij, një gjë e tillë bëhet për shkak të frikës nga drejtësia.
Duke u ndalur në ngjarjen e 8 janarit, Kara u shpreh se Basha ka meritë që i tregoi vendin Berishës dhe e hodhi në Lanë me gjithë gangot e tij.

“Ajo ka qenë një turp që ata e kapërdinë, edhe një pjesë e atyre që ishin në mbrojtje, edhe atyre që ishin jashtë. Pra, ata bëjnë kompromis mbi çdo gjë, vetëm për pushtet, të mbijetojnë, por edhe të sundojnë. Por mua më është bërë qejfi që në atë përballje, për mua është meritë e Bashës dhe e grupit të tij, i dhanë një mësim, duke thyer idenë se Berisha ishte ai që nuk e prekte njeri fizikisht, grupin e tij të rrugaçërve që i ka si bashibuzukë, edhe që përfunduan nga kati i dytë në ujin e ‘shenjtë’ të Lanës, të bekoheshin një herë e mirë. Kanë marrë atë që kanë merituar. Besoj se ai ujë i ‘shenjtë’ i Lanës s’do t’ju dalë për shumë kohë. Dhe tani sillen vërdallë duke kutërbuar gjithë Shqipërinë dhe duke marrë peng opozitën, duke mos i lënë alternativë këtij populli për një opozitë tjetër.”– u shpreh ai.

 

Mirela Karabina: Edi Rama duhet t’i kërkojë falje shqiptarëve për kthimin e Arsimit në kufijtë e mbijetesës

Nga Mirela Karabina

Të flasësh për arsimin për mbijetesë do të thotë që dëmi është shumë i madh, dhe kjo është një tragjedi kombëtare.

Raportet e fundit nga organizata ndërkombëtare, Banka Botërore dhe UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë), rrëzojnë propagandën e Ramës dhe ministrave të tij për reformat në arsim.

Investim i ulët në arsim dhe keqmenaxhim dhe keqadministrim i burimene të cilat kanë sjellë cilësi të ulët të të nxënit të nxënësve dhe si rrjedhojë me pasoja në ekonomi (UNECSO 2024); cilësi të ulët të studentëve, kurrikula të vjetruara dhe të palidhura me tregune e punës (Banka Botërore 2024), cilësi të ulët të aftësimit të nxënësve (PISA 2022, BB 2020) është panorama tronditëse ku është katandisur arsimi nga qeveria Rama.

Edi Rama 12 vite në pushtet jo vetëm që nuk rriti financimin në arsim siç premtoi më 2013-ën, në nivelin 5% të PBB por e ka çuar arsimin në kufijtë e mbijetesës, vetëm 2.36% të PBB, në nivelin më të ulët ndonjëherë.

Dhe për këtë nuk ka asnjë justifikim, përkundrazi është fajtori numër një pasi ka gënjyer dhe mashtruar nxënës, mësues, studentë, pedagogë, prindër e mbarë publikun me premtime boshe se do të zhvillonte arsimin dhe nuk do të bënte si paraardhësit e tij.

Në fakt, e ka groposur arsimin duke e zvarritur në kufijtë e mbijetesës!

Pasi ka munguar vullneti politik për të bërë më të mirën në arsim dhe ka mbizotëruar përdorimi i arsimit për pushtet përmes propagandës së reformave dhe korrupsionit me to.

Shkolla dhe universiteti janë konservative nga natyra dhe ndryshimi nuk ndodh me një dalje propagandistike televizive, ato duan kohën e tyre të përshtaten me ndryshimin, sigurisht kur reformat ndodhin sipas standartave dhe plotësimit të kritereve përkatëse.

Po kur ndodhin të pastudiuara mirë, të pakonsultuara me mësues, nxënës, studentë e prindër dhe dhe të panjohura për to, imagjinoni se çfarë rezultati kanë dhe çfarë ndodh me shkollat dhe universitetet?!

Kolaps dhe dështim, sikundër ka ndodhur nga reformat e dështuara e klienteliste të Ramës!

Refoma kurrikulare në Arsimin Parauniveristar 2013 solli rezultatet më të ulta në PISA 2022; Alterteksti-tekste të përkthyera me gabime shkencore dhe gramatikore dhe jo në përputhje me programin mësimor, moshën e nxënësve dhe kontekstin shqiptar; trajnimi formal i mësuesve ndërkohë që janë të pakualifikuar për ndryshimet dhe me teknologjinë (PISA 2022); Ligji 80/2015 për Arsimin e Lartë ka futur në kolaps institucional universitetet duke nxjerrë studentë me cilësi të ulët dhe jo të përshtatshëm për tregun e punës (Protesta e studentëve 2018, Banka Botërore 2024).

Kjo është gjendja e rëndë në të cilën Edi Rama ka futur arsimin në 12 vite pushtet.

Propaganda me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ-të) të Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm e cila synon të “garantojë arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë, si dhe të krijojë e konsolidojë shanse për të mësuarit gjatë të gjithë jetës për këdo”, nuk pi më ujë.

Vetëm 5 vite larg nga ky objektiv e arsimi është në ditë të hallit.

Faji është i madh se është bërë me qëllim, dëmi është i rëndë pasi ndikon dretëpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit, kështu që përgjegjësia duhet të jetë me kosto.

Largimi i Edi Ramës që të shpëtojë arsimi është emergjencë kombëtare!

Por ama, para shqiptarëve Rama ka një detyrim, t’i kërkojë falje për mashtrimin publik dhe katandisjes së qëllimshme të Arsimit në kufijtë e mbijetesës.

Historiani publikon letrën e Mehmet Shehut për m*sakrën e 30 tetorit 1943: Pushkatuam 65 ballistë, por gabuam dhe faji kryesor është i imi pasi i ‘dehur’…

Pas grisjes së ‘Marrëveshjes së Mukjes’, si dhe pas mbarimit të Konferencës së Labinotit në shtator 1943, komunistët nisën zyrtarisht luftën civile. Nën drejtimin e jugosllavëve Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, ata shkaktuan vendit një prej tragjedive më të llahtarshme të vërejtura më parë, me pasoja të rënda edhe për unitetin kombëtar. Fill pas Labinotit, vrasjet u bënë dukuri e zakonshme. Sekretari organizativ i PKSH-së, Koçi Xoxe, i shkruante më 3.10.1943, sekretarit të përgjithshëm të partisë, Enver Hoxhës, ndër të tjera: “Përveç goditjeve që u dhamë (ballistëve-shënim), po i ndjekim këmba-këmbës për shfarosje. Sa për luftën me gjermanët, pothuajse hiç”.

 

Lufta ndaj jo komunistëve u bë qëllimi i vërtetë i asaj që duhej të ishte luftë kundër pushtuesit. Më 21 tetor 1943, Brigada e Parë Sulmuese (partizane) komuniste, nën drejtimin e Dushan Mugoshës, në Golem të Lushnjës, sulmoi fuqitë balliste të Isa Manastirliut, Hamit Matjanit, Tefik Sfirit dhe Hajdar Cakranit.

Thuhet se fuqia balliste, ishte 400 persona dhe prej tyre u vranë 10-15 veta. Shumë fshatarë u zunë robër. Me urdhrin e Dushan Mugoshës dhe Mehmet Shehut, u pushkatuan rreth 80 robër (Mehmet Shehu thotë; 60).

Këta ballistë ishin nga fshatrat: Remas, Kryekuq, Grabian, Shënkollas, Kalush, Gur, Shënpremte, Sulzotaj, Biçak (prej këtij fshati ishin më pak se 50 të pushkatuar). Nisur nga kjo ngjarje, me anë të një trakti të datës 26 tetor 1943, ‘Balli Kombëtar’ njoftonte se; “vëllavrasja kishte filluar”.

Në lidhje me masakrën e Lushnjës, komandanti i Brigadës së Parë, Mehmet Shehu, informon me një letër të posaçme, (shiko faksimilen) të cilën po e publikojmë më poshtë, të plotë.

Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare

Kur ishim në Dumre, unë u nisa me 2 batalione të brigadës dhe me 3 mortaja, për të përballuar bashibozukët e Isa Manastirlliut, Hamit Matjanit, Tefik Cfirit e Hajdar Cakranit. Kur shkova pranë Lushnjës, ballistët ishin në Myzeqe, kështu bëmë përgatitjet për t’i rënë Lushnjës.

Porse para se t’i binim Lushnjës, me forcat e Brigadës dhe të Lushnjës, Isa Manastirlliu, na doli befas nga krahu i djathtë, për të marrë krahët neve, ndërsa Hamit Matjani, mendonte të na merrte krahun e majtë, nga Kosova. Neve u detyruam t’u përgjigjemi menjëherë. U ramë befas dhe i shpartalluam të 400 bashibozukët ballistë: 172 robër, 10-15 të vrarë.

Robërit i gjykuam. Gjyqi përbëhej prej meje, nën komisarit të komandës vendit Lushnjës dhe një partizani të batalionit të parë, të brigadës. Neve (gjyqi) vendosëm ekzekutimin e 65 ballistëve. Të tjerët, 29 vullnetarë, për Brigadë dhe batalione të vendit, të tjerët u liruan të çarmatosur.

Me të vërtetë që Ballit i u dha një grusht i fortë me ekzekutimin e 65 ushtarëve të tij (çerdhe të Hamit Matjanit dhe luftëtarë kundër nesh, me armë, kusarë, kriminelë e grabitës të popullit), porse mua më duket se kam qenë gabuar, kemi ekzekutuar, kemi qenë shumë të rreptë.

Do të mjaftonte pushkatimi i 15-20 ballistëve, nga më përgjegjësit. Porse këtë radhë, gabimi, faji kryesor, është imi personalisht, mbasi gjyqi kryesohej prej meje dhe, deri diku, të 2 anëtarët e tjerë, kanë qenë influencuar prej meje.

Unë, i dehur relativisht nga urrejtja kundër ballistëve tradhtarë, i revoltuar nga krimet dhe tradhtitë e tyre, i rrëmbyer nga temperamenti mikroborgjez i çasteve, qesh i mendimit, për këtë masë të pamasë!

Kjo ka rrjedhur edhe nga shkaku, se unë isha vetëm dhe shokët e tjerë të shtabit brigadës, ishin larg, s’munda të këshillohesha me ta, sepse s’premtonte koha.

Sikur shtabi i brigadës, të qe i gjithë pranë gjyqit, sigurisht që nuk do mbërrinin në ato përfundime. Gjurmët e këtij terrori, duhen zhdukur dhe shpresojmë se do ta zhdukim në të ardhmen.

Kjo do të vlejë shumë edhe për mua personalisht, që të mos nxitem herë tjetër, të jem më i matur e të mos lë të tërhiqem nga sentimentet dhe buçitjet e çasteve, që në mua shfaqen akoma si konsekuencë e një origjine mikroborgjeze, patriarkale, prapanike, mesjetare. Memorie.al

                           V.F. L.P.                    Të fala shoqërore,

                        30.X.1943                 Komandanti i Brigadës I

                                                              Mehmet Shehu

Nivel rekord i krimeve të ekstremit të djathtë në Gjermani, kërkohet marrja e masave

Krimet me bazë propagandistike, nxitje e urrejtjes, dhunë: veprat penale me sfond ekstremist të djathtë po shtohen, sipas një raporti mediatik.

Ministria e Brendshme gjermane ka regjistruar vitin e kaluar një rekord të veprave kriminale të ekstremistëve të djathtë. Sipas një raporti mediatik, numri i krimeve të ekstremistëve të djathtë në Gjermani arriti nivel të ri rekord, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Brendshme, në pyetjen e deputetëve nga e Majta në Bundestag.

Deri me 30 nëntor 2024 janë regjistruar 33.963 vepra kriminale nga krahu i djathtë ekstrem, thuhet në raport. Shifra përfundimtare pritet të prezantohet nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) në maj 2025. Dyshohet se shifrat do të jenë edhe më të larta, për shkak të krimeve të kryera në dhjetor dhe regjistrimeve të vonuara.

Krimet e propagandës

Në vitin 2023, BKA regjistroi gjithsej 28.945 krime politike të motivuara nga ekstremistët e djathtë. Ndërsa në vitin 2024, numri i krimeve është rritur me të paktën 17,34 për qind. Nga pothuajse 34.000 krime të regjistruara, 1.136 ishin krime të dhunshme. Ndërsa përqindja më e madhe e krimeve në vitin 2024 ishin krime të propagandës (21.311 raste) dhe nxitje dhune (5.097). Policia ka regjistruar edhe 1.942 raste të dëmtimit të pronës.

Kërkohen masa

Deputetja nga e Majta dhe ekspertja e ekstremizmit të djathtë Martina Renner foli për një zhvillim alarmues. “Numrat janë rritur vazhdimisht me 20 deri në 25 për qind në vitet e fundit. Nuk ka masa drastike të politikës së brendshme për të ndaluar këtë zhvillim të rrezikshëm,” tha Renner për RND. Shumica e autorëve të dhunshëm janë të rritur, megjithëse edhe përqindja e dhunuesve të rinj është rritur kohët e fundit.

“Nëse nuk duam të mësohemi me më shumë se 3.000 krime të kryera nga neo-nazistët në muaj, duhet të merren masa”, tha Renner./DW

Dëshmia në SPAK, Mentor Kikia: Karriera politike e Ilir Metës është mbyllur, nuk konsiderohet si alternativë!

Analisti Mentor Kikia thotë se karriera politike e Ilir Metës është mbyllur.

Duke folur për MCN Live, ai deklaroi se fati i Partisë së Lirisë është pazgjidhshmërisht i lidhur me Ilir Metën dhe se dëmtimet që i janë bërë, nuk e bëjnë që të konsiderohet si alternativë.

Politiksht ai është dëmtuar mjaftueshëm sa mos të konsiderohet më nga qytetarët shqiptarë si alternativë.

Për fat të keq është instaluar ajo shprehja kur themi partia themi Lenini dhe kur themi Lenini themi partia.

Kryetari është automatikisht partia dhe poshtë tij nuk ka struktura, por ka njerëz të përulur.

Në Shqipëri partitë nuk janë demokratike, nuk kanë struktura vendimmarrëse dhe në momentin që dëmtohet politikisht lideri, dëmtohet edhe partia.

Me goditjen e Ilir Metës me apo pa të drejtë, automatikisht është dëmtuar dhe partia.

Zoti Rama në qeveri, gjithë mekanizmi që ka përdorur për të larguar nga vetja përgjegjësitë për ministra dhe ish-ministra të akuzuar, i ka cilësuar si përgjegjësi personale të individëve, me siguri ka mbrojtur dhe partinë.

Në asnjë vend me aq shumë tulla të hequra nga qeveria, nuk do të kishte rezistuar. Rama ka zgjedhur të mbrojë veten po ashtu dhe partinë.

Partia e Lirisë në mënyrë absolute e ka të lidhur fatin me atë të Ilir Metës.

Ndër të tjera Kikia shtoi si Ilir Meta dhe Sali Berisha të cilët janë në procese hetimore gjyqësore, gëzojnë të gjithë të drejtat dhe liritë si çdo shtetas tjetër dhe se në fund nëse marrin një dënim, ekzistojnë format ligjore ndalimi për të mos qenë pjesë e procesit zgjedhor.

Rritet bilanci i viktimave nga tërmeti që tronditi Kinën

Rritet bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi qytetin e shenjtë të Tibetit në Kinë.

 

BBC raporton se numri i viktimave ka shkuar në të paktën 93, ndërsa 130 persona rezultojnë të lënduar.

Ndërkohë që shumë banorë të tjerë janë bllokuar  nën rrënoja të banesave dhe ndërtesave në këtë rajon në perëndim të Kinës.

Mediat shtetërore raportuan se 1.000 shtëpi janë dëmtuar në Tibet. Tërmeti u ndje edhe në Nepalin fqinj si edhe në pjesë të Indisë.

kina termet

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së njoftoi se tërmeti ishte me magnitudë prej 7.1 Rihtet dhe goditi në një thellësi prej rreth 10 kilometrash. Kina e regjistroi tërmetin si 6.8 Rihter.

Epiqendra e tërmetit u regjistrua rreth 75 kilometra në verilindje të Malit Everest, i cili ndodhet  në kufirin mes Kinës dhe Nepalit.

Kjo zonë është sizmologjikisht aktive, pasi aty përplasen mes vete pllakat nëntokësore të Indisë dhe Eurazisë.

Rreth 50 lëkundje u raportuan në tri orët pas tërmetit, dhe zona turistike e Malit Everest në anën kineze u mbyll si pasojë.

kian termet

Lideri i Kinës, Xi Jinping, bëri thirrje për përpjekje të gjithanshme për shpëtimin e njerëzve, minimizimin e viktimave dhe sistemimin e personave që kanë humbur shtëpitë e tyre.

Ndërkohë, në Nepal, autoritetet u kërkuan zyrtarëve në zonën bjeshkore në afërsi të epiqendrës të shikojnë nëse ka viktima apo dëme.

Përfundon marrja në pyetje e Ilir Metës në SPAK pas dy orësh

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka lënë pak orë qelinë ditën e sotme dhe është paraqitur në SPAK për t’u marrë në pyetje nga prokurorët e posaçëm.

Ish-Kreu i Shtetit mbërriti në ambientet e SPAK rreth orës 11:00, ndërsa i pranishëm gjatë marrjes në pyetje do të jetë përfaqësuesi i tij ligjor Genc Gjokutaj.

Ilir Meta u pyet për rreth 2 orë nga prokurorët e posaçëm si person nën hetim në lidhje me dosjen “CEZ-DIA”.

“Mezi po pres të takohem me “kolegët” e megahajdutëve të regjimit më të korruptuar në kontinent dhe pas seancës reciproke të pyetjeve në SPAK, jam i hapur t’u përgjigjem pyetjeve të gazetarëve”, shkroi Meta në Facebook, përpara se të mbërrinte në Prokurorinë e Posaçme.

Ish-Presidenti u arrestua më 21 tetor 2024 në ish-sheshin “Shqiponja” dhe ndodhet në qeli në masën e sigurimit “Arrest në burg”.

Ilir Meta akuzohet për “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Sipas SPAK, në cilësinë e ish–Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje.

Kjo kontratë, thotë SPAK, kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.

“Këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre.

Shoqëria “Debt International Advisory”, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, e cila është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se Ilir Meta ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga Kastriot Ismailaj, gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve,  duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Gjithashtu, nga  hetimet ka rezultuar se Meta, në sajë të funksionit të tij si Kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi si deputete e Kuvendit, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë  “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.

Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim Meta dhe Kryemadhi, SPAK thotë se ata kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit.

Personi nën hetim Pirro Xhixho, duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI), në zbatimi të porosive të marra nga subjektet Meta dhe Kryemadhi jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.

Për këto arsye, personat nën hetim Meta dhe Kryemadhi ka dyshime se kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve”, në bashkëpunim, të ndihmuar edhe nga personi tjetër nën hetim Pirro Xhixha, i cili akuzohet për të njëjtën vepër penale.

SPAK bën me dije se gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu se çifti Meta-Kryemadhi, kanë hyrë në marrëdhënie korruptive me biznesmenin S.M., duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të bizmesmenit në fjalë. Kryemadhi me porosi të biznesmenit në fjalë, ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë (ligj i cili u ndryshua sipas kërkesës së biznesmenit S.M.).

Po sipas SPAK, përgjatë periudhës 2016-2017, Meta me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe  Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të  forcës politike  nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

“Për periudhën 2009-2010, nga ana e personave nën hetim, I. M., M. K. dhe F. K., është blerë, një apartament dublex me vendndodhje në zonën e njohur si “ish bllok”,  i deklaruar si i finacuar me kredi bankare. Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 Euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex, janë derdhur Cash në sistemin bankar nga F. K., dhe shuma 335,000 Euro e marrë kredi nga F. K., është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në Mars-Nëntor 2010. Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve I.M. dhe M.K. si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare.

Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit I.M. dhe M.K. nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro. Nga këto shpenzime, 86.891 Euro janë paguar në cash. Hetimet kanë zbuluar se në deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 Maj 2020, këta subjekte nuk kanë deklaruar shpenzimet shëndetësore në vlerën prej 9.000 Euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit si dhe dhe shumën 100.000 Euro në llogarinë bankare dy emërore, të cilat i përkasin E.M. dhe F. K.  Subjektet I.M. dhe M. K. dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” parashikuar nga neni 275/a të Kodit Penal”, përfundon SPAK.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit R. K. kryer në ish Prokurorinë e Krimeve të Rënda,  procedimin penal Nr. 55 të vitit 2019. Objekti i hetimit të këtij procedimi janë veprimet korruptive të zyrtarëve të shtetit në lidhjen dhe zbatimin e kontratës së shërbimit CEZ-DIA.

Ndërkohë që po vijonin hetimet për këtë procedim, mbi bazën e kallëzimeve të shtetasve H. V. dhe I. B., Prokuroria e Posaçme ka rregjistruar procedimin penal nr.122 të vitit 2022 për veprat penale “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.

Në vijim të hetimeve, procedimet e sipërcituara janë bashkuar në një procedim të vetëm në vitin 2024.

Nga sa më sipër, janë dokumentuar disa episode ku subjektet e këtij procedimi penal I.M. dhe M. K. në bashkëpunim mes tyre por edhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale.

1- Është provuar se ish-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, I. M., ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.

Këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre.

Shoqëria “Debt International Advisory”, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, e cila është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se I.M. ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga z. K. I., gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve,  duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

2- Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi I. M. në sajë të funksionit të tij si Kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, M. K. si deputete e Kuvendit, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë  “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.

Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim I.M dhe M.K. kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit.

Personi nën hetim P. Xh., duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI), në zbatimi të porosive të marra nga subjektet  I. M. dhe M. K., jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Për këto arsye, personat nën hetim I.M. dhe M.K. ka dyshime se kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve”, në bashkëpunim, të ndihmuar edhe nga personi tjetër nën hetim P. Xh., i cili akuzohet për të njëjtën vepër penale.

3- Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu se çifti I.M. dhe M.K., kanë hyrë në marëdhënie korruptive me biznesmenin S.M., duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të bizmesmenit në fjalë. Personi nën hetim M.K., me porosi të biznesmenit në fjalë, ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë (ligj i cili u ndryshua sipas kërkesës së biznesmenit S.M.).

4- Përgjatë periudhës 2016-2017, I. M. me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe  Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të  forcës politike  nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

5- Për peridhën 2009-2010, nga ana e personave nën hetim, I. M., M. K. dhe F. K., është blerë, një apartament dublex me vendndodhje në zonën e njohur si “ish bllok”,  i deklaruar si i finacuar me kredi bankare. Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 Euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex, janë derdhur Cash në sistemin bankar nga F. K., dhe shuma 335,000 Euro e marrë kredi nga F. K., është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në Mars-Nëntor 2010. Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve I.M. dhe M.K. si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare.

6- Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit I.M. dhe M.K. nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro. Nga këto shpenzime, 86.891 Euro janë paguar në cash. Hetimet kanë zbuluar se në deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 Maj 2020, këta subjekte nuk kanë deklaruar shpenzimet shëndetësore në vlerën prej 9.000 Euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit si dhe dhe shumën 100.000 Euro në llogarinë bankare dy emërore, të cilat i përkasin E.M. dhe F. K.  Subjektet I.M. dhe M. K. dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” parashikuar nga neni 275/a të Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme ka kryer hetime në kuadër të procedimeve penale nr. 55 të vitit 2019 (dërguar për kompetencë nga Prokuroria për Krime të Rënda), 122 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit I.B.), 125 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit H.V.), 165 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit I.B.), të cilët janë bashkuar në një procedim të vetëm duke u numërtuar procedimi penal nr.55/2019.

Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore dhe analizës së provave, në datën 09.10.2024 Prokuroria e Posaçme iu drejtua Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj katër shtetasve.

Me vendimin nr.125 datë 20.10.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur:

1. Caktimin e masës së sigurimit personal  “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim I. M., i dyshuar për kryejen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”  në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga nenet  260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.

2. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim, M. K., e dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”  në 2(dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga nenet  260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.

3. Caktimin e masës së së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim P. Xh. i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal.

4. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim E. Ç., e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.

Po në datën 20.10.2024 Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit që të ekzekutojë masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr.125 datë 20.10.2024. Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot në datën 21.10.2024 masat e sigurimit të mësipërme ndaj katër personave nën hetim.

Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.

Gjejmë rastin që të falenderojmë Drejtorinë e  Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos, Qipros për ndihmën dhe bashkëpunimin e treguar.

Gazeta prestigjoze “The Times”/ Lulzim Basha dhe parlamentarë perëndimorë kërkojnë transferimin e aseteve të ngrira ruse në Ukrainë

Gazeta prestigjioze britanike “The Times” ka publikuar një letër drejtuar editorit, ku një grup deputetësh dhe përfaqësuesish politikë nga vende të ndryshme, përfshirë Shqipërinë me nënshkrimin e Lulzim Bashës (si Raporter i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për rindërtimin e Ukrainës), bëjnë thirrje që asetet shtetërore të ngrira të Rusisë t’i kalohen Ukrainës. Kjo nismë synon të mbulojë kostot e agresionit rus, të sigurojë Europën dhe të vendosë një standard të qartë llogaridhënieje në çështjet e agresionit ushtarak. Autorët e letrës vënë në dukje se angazhimi me hua dhe ndihma emergjente mbetet një barrë për taksapaguesit perëndimorë, ndërsa vetëm përdorimi direkt i aseteve ruse do të garantonte që Rusia paguan për krimet e saj, duke parandaluar në të njëjtën kohë konflikte të ngjashme në të ardhmen.

Shkrimi i botuar

Letër: Jepini Ukrainës asetet e ngrira të Rusisë

Zotëri,
G7 duhet t’i transferojë Ukrainës të gjitha 300 miliardë dollarët e aseteve të ngrira të shtetit rus, për të frenuar agresionin e Rusisë, për të siguruar Europën dhe për të vendosur llogaridhënie. Huatë e mëparshme dhe financimet emergjente nuk mjaftojnë — ato mbeten barrë për taksapaguesit perëndimorë. Vetëm duke përdorur vetë asetet, do të sigurohet që Rusia të paguajë për krimet e saj. Kjo do të parandalojë konflikte të ardhshme duke dërguar një mesazh të qartë: agresorët duhet dhe do të paguajnë.

Të paktën 25 miliardë paund në rezerva të ngrira të bankës qendrore ruse mbahen në llogari në Britaninë e Madhe, shuma më e lartë e njohur jashtë BE-së. Një veprim vendimtar nga një shtet me peshë financiare dhe ligjore, si Britania, do të inkurajonte edhe vendet e tjera të ndjekin të njëjtin shembull. Ajo është në një pozicion të mirë për të udhëhequr këtë nismë. Ekonomia e luftës e Rusisë po shtrihet deri në limit. Marrja e aseteve të huaja të agresorit, pra, është vendimtare nga ana strategjike. Është e ligjshme. Nuk do të dëmtojë stabilitetin financiar. Pasditen e sotme, Dhoma e Komunave do të diskutojë një mocion që i kërkon qeverisë të shqyrtojë këtë hap. Ne, parlamentarët nga Mbretëria e Bashkuar dhe vende aleate, e nxisim qeverinë ta mbështesë.

Dr Mike Martin, deputet për Tunbridge Wells, anëtar i komisionit për mbrojtjen në Dhomën e Komunave dhe komisionit të përbashkët për strategjinë kombëtare të sigurisë, Liberal-Demokrat;
Alex Sobel, deputet për Leeds Central & Headingly, kryetar i grupit të miqësisë parlamentare për Ukrainën (APPG), Laburist;
Sir Iain Duncan Smith, deputet për Chingford & Woodford Green, kryetar i APPG për sanksionet Magnitsky dhe dëmshpërblimet, Konservator;
Profesor Stephen Gethins, deputet për Arbroath & Broughty Ferry, ish-anëtar i komisionit për punët e jashtme, Partia Kombëtare Skoceze;
Philip Brickell, deputet për Bolton West, anëtar i komisionit për punët e jashtme, Laburist;
Alistair Carmichael, deputet për Orkney & Shetland, kryetar i komisionit për mjedisin, ushqimin dhe punët rurale, Liberal-Demokrat;
Sir Julian Leëis, deputet, ish-kryetar i komisionit të mbrojtjes dhe komisionit të inteligjencës dhe sigurisë, Konservator;
James MacCleary, deputet për Lewes, zëdhënës për Europën, Liberal-Demokrat;
Helen Maguire, deputete për Epsom & Well, zëdhënëse për mbrojtjen, Liberal-Demokrat;
Calum Miller, deputet për Bicester & Woodstock dhe zëdhënës për punët e jashtme, Liberal-Demokrat;
Tim Roca, deputet për Macclesfield, Laburist;
Dr Neil Shastri-Hurst, deputet për Solihull West & Shirley, Konservator;
Sir John Whittingdale OBE, deputet për Maldon, anëtar i komisionit për punët e jashtme, Konservator;
Lord Banner KC, anëtar i përjetshëm i Dhomës së Lordëve, Konservator;
Lord Alton i Liverpool, anëtar i përjetshëm i Dhomës së Lordëve, i pavarur;
Heikki Autto, deputet, kryetar i komisionit për BE-në në Eduskunta (parlamenti finlandez);
Lulzim Basha, Shqipëri, Raporter për mbështetjen e rindërtimit të Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës;
Radoslaw Fogiel, deputet, zv/kryetar i komisionit për punët e jashtme, Sejm-i polak;
Ivars Ijabs, deputet i Parlamentit Europian, Letoni;
Michael Aastrup Jensen, deputet, kryetar i komisionit për politikat e jashtme, Folketinget danez;
Roderich Kiesewetter, deputet, zv/kryetar i komisionit të mbikëqyrjes së inteligjencës, Bundestagu gjerman;
Rihards Kols, deputet i Parlamentit Europian, Letoni;
Marko Mihkelson, deputet, kryetar i komisionit të punëve të jashtme, Riigikogu i Estonisë;
Zygimantas Pavilionis, deputet, zv/kryetar i komisionit për punët e jashtme, Seimas-i i Lituanisë.

Burimi: Shkëputur nga “Times letters”

Mungesa e krahut të punës në Berat i lë ullinjtë në pemë! Sfidat që përballen fermerët, BIRN: Infrastruktura e rrënuar ua bën edhe më të vështirë mbijetesën

Berati është i njohur për prodhimin e vajit cilësor të ullirit, por fermerët po përballen me mungesë të krahut të punës, ndërsa infrastruktura e rrënuar ua bën edhe më të vështirë mbijetesën.

Theodhori Bello nga fshati Gjeroven, rreth 10 kilometra nga Berati, u kthye nga emigrimi i gjatë në Greqi për të investuar në kultivimin e ullirit. Por pasi derdhi kursimet e 27 viteve punë në emigrim për ngritjen e një fabrike moderne të prodhimit të vajit të ullirit, ai e gjeti veten para vështirësive që nuk i kishte menduar. Dy problemet kryesore sipas tij janë mungesa e rrugës dhe e krahut të punës.

“Tre vite më parë kur erdha për të investuar në fshat shpresova se të paktën shteti do të investonte në rrugë, sepse ka vite që është premtuar, por asgjë nuk është bërë”, tha Bello, duke shtuar se ishte kthyer me optimizëm për t’u zhgënjyer.

“Kjo është gjendja e rrugës, shikojeni vetë me sa vështirësi kalon mjeti, duke rezikuar që të kapë poshtë” shtoi ai.

Berati ka një traditë të trashëguar ndër breza të kultivimit të ullirit dhe prodhimit të vajit. Plantacionet që rrethojnë kodrat rreth qytetit, jo vetëm që nuk janë është lënë pas dore, por vitet e fundit janë shtuar sipërfaqet me këtë kulturë.

Megjithatë, fenomeni i emigrimit të banorëve nga fshatrat e Beratit vuri në pikëpyetje procesin e vjeljes së ullinjve gjatë këtij viti. Në mungesë të fuqisë punëtore, Ysteak Molitaj, një 69- vjeçar nga fshati Molishtë thotë se u detyrua që të kthejë të birin nga Kreta.

“Unë u detyrova që solla djalin nga Kreta, ku jeton dhe punon me familjen për të vjelë ullinjtë sepse ngelën në pemë,” tha Molitaj. “S’ka të rinj në fshat, kanë ikur që të gjithë,“ shtoi ai.

Ullinjtë shtohen, por mungon fuqia punëtore

Qarku i Beratit në jug të Shqipërisë numëron rreth 2 milionë rrënjë ullinj, sipas Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor. Njëri prej plantacioneve më të mëdhenj shtrihet mbi 10,638 hektarë, ndërsa pjesa tjetër në sipërfaqe të shpërndarë.

Por ndërsa banorët u treguan entuziastë dhe rritën sipërfaqet dhe prodhimin e vajit të ullirit, problemet e infrastrukturës mbetën pa zgjidhje, ndërsa emigracioni ka sjellë së fundmi edhe probleme në gjetjen e krahut të punës.

Pasi ndërtoi fabrikën e prodhimit të vajit të ullirit dhe shtoi sipërfaqen e mbjellë, Theodhori Bello thotë se eksporton tashmë në Spanjë dhe Itali. Por ai punon së bashku me të gjithë familjen, ndërsa punëtorët thotë se i siguron edhe jashtë sezonit të punës.

“Gruaja ime, vajza, të gjithë jemi të përfshirë në këtë punë, madje dhe dhëndri na vjen për ndihmë,“ tha Bello.  “Nëse nuk i paguan me 3 mijë lekë dita, vështirë se mund të gjesh punëtorë, madje unë i mbaj të siguar dhe jashtë sezonit që t’i kem të garantuar“, shtoi ai.

Si pasojë e emigrimit të djemve dhe burrave, në shumicë janë vajzat dhe gratë e fshatit që përballen me sfidat e panumërta të këtij aktiviteti.

Zamira Merkaj, 41 vjeç nga fshati Gjeroven i Beratit thotë se ka mbjellë deri tani 1 mijë rrënjë ullinj, por ende nuk ka mundur që të përfundojë vjeljen.

“Burri tre muaj punon këtu dhe tre muaj në Greqi. Kur ka andej më shumë punë, unë merrem dhe me ullinjtë se nuk na del. Kemi investuar shumë, por akoma nuk po marrim sa duhet,“ tha Merkaj.

Nga ana tjetër, shumë prej banorëve të fshatit të larguar i lënë në ruajtje ullinjtë tek banorët e mbetur. “Veç ullinjve të mi, këtë vit kam dhe ullinjtë e komshiut aty afër se kanë ikur të gjithë në Itali, nuk i lëmë dot që të bien dhe kalben se është gjyhan, të paktën të marrin nga një bidon vaj“, thotë Merkaj.

Mungesën e fuqisë punëtore për të vjelë prodhimin e ullirit e vlerësoi si sfidë të këtij aktiviteti dhe Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor. ‘‘Mungesa e fuqisë punëtore dhe tregtimi i vajit të ullirit, janë sfidat kryesore të këtij sektori,“ tha Agjencia në një përgjigje me shkrim.

Mungesa e infrastrukturës

 

Gjendja-e-rruges-ne-fshatin-Gjeroven-te-Beratit-.-Foto_-E.Azizolli-2048x1153

Fermerët e  fshatrave të Njësisë Administrative Velabshitë dhe Sinjë ndonëse kanë investuar në këtë fushë pas viteve të gjata të emigrimit, thonë se shteti nuk u ka mundësuar as minimumin e ndihmës, përfshi  ndërtimin e rrugëve.

“Deri më tani kam mbjellë 600 rrënjë ullinj, çdo vit i shtoj, sjell lekë djali nga emigrimi në Greqi dhe unë i mbjellë ullinj, por ç‘e do. Mirë që rrugë për të shkuar tek kurora e ullinjve nuk kemi, por nuk kemi as rrugën kryesore të fshatit“, tha Ysteak Molitaj, banor i fshatit Molishtë për BIRN.

Molitaj u ankua se në kushtet e mungesës së rrugës janë të detyruar që ta transportojnë prodhimin me kafshë nga tokat deri në pikën e grumbullimit apo në treg.

“Ose do t’i mbash me kafshë si në mesjetë, ose do paguash fuoristradën se ndryshe nuk mund ta sjellësh prodhimin në fabikë, apo ta shesësh“, tha burri.

Fermerët tregojnë se janë në periudhën më të vështirë, atë të sigurimit të tregut. Por mungesa e infrastrukturës e vështirëson edhe këtë proces. “Kur vijnë e marrin këtu tregtarët, nuk e shet dot më shumë se 4 mijë lekë litri. A shitet ky vaj kaq lekë, është për të ardhur keq,“ u ankua Molitaj.

Fermerët ankohen se kosto e prodhimit është shumë e lartë përballë çmimit të shitjes. “Çdo vit çmimet e plehrave po rriten. Që nga punimi i tokës rreth rrënjëve, krasitja, vjelja ka kosto të lartë dhe shitja me çmimin e tregut është e pajustifikuar“,  u ankua 41 vjeçarja Merkaj.

Fermerët ankohen gjithashtu për mungesën e mbështetjes nga shteti dhe atë të agronomëve.

“Ne blejmë ato plehra që na japin farmacitë bujqësore. Çdo vit plehra të ndryshëm, ne nuk i njohim, sepse as ndonjë specialist agronom nuk vjen që të konsultohemi, të mësojmë më shumë“, tha  Merkaj.

Sipas Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, ekziston një program vjetor për informimin e fermerëve, ku përfshihet edhe kultura e ullirit.

“Informacioni përçohet tek fermerët nëpërmjet takimeve në grup, takimeve individuale , fletëpalosjeve, broshurave etj“, tha Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor. Por fermerët thanë se u kanë munguar totalisht kontaktet me agronomin rreth kultivimit të ullirit./BIRN